Letër një artisti të ri

Nga: H. Hesse

 I dashur J.K


Të falenderoj për mesazhin që më dërgove me rastin e Vitit të Ri. Ai është i trishtueshëm e dëshpërues dhe e kuptoj atë mjaft mirë.

Megjithatë, ka aty një frazë ku ti thua se të është ngulitur në mendje ideja se një kuptim dhe një mision kanë qenë caktuar për ty dhe për jetës tënde dhe se ti vuan nga moszbulimi i këtij kuptimi dhe nga mospërmbushja e këtij misioni. Pavarësisht, kjo më duket inkurajuese, sepse është e vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dhe të lutem që t’i kujtosh e t’i meditosh herë pas here shënimet që do të shkruaj në lidhje me këtë subjekt.

Këto reflektime nuk janë të miat, ato janë po aq të vjetra sa bota dhe bëjnë pjesë në atë që njerzit kanë shprehur si më pozitive për veten dhe misionin e tyre.
Atë që ti bën në jetë, dua të them, jo vetëm si artist, por gjithashtu dhe si njeri, burrë e baba, mik, komshi, etj., pra, e gjitha kjo vlerësohet në funksion të “kuptimit” të përjetshëm të botës dhe sipas kritereve të drejtësisë së përjetëshme, jo duke iu referuar disa matjeve të vendosura njëherë e përgjithmonë, por duke i aplikuar veprimeve të tua, aftësinë tënde, të veçantë e personale. Kur Zoti do të gjykojë, ai nuk do të pyesi : “A ke qenë një Hodler, një Picasso, një Pestalozzi, një Gotthelf ? Përkundrazi ai do të pyes : “A ke qenë dhe a je në të vërtetë J. K.-ja për të cilin ti ke trashëguar disa predispozita ? I pyetur në këtë mënyrë, askush nuk do mundet që t’i flasë për egzistencën dhe gabimet e veta pa ndjerë tmerr e turp ; pak a shumë ai mund të përgjigjet : “Jo, s’kam qenë ky njeri, por të paktën jam përpjekur që të bëhem i tillë brenda mundësive të mia.” Po t’i thotë ato me sinqeritet, ai do të jetë i justifikuar e do të dalë i fituar nga prova.
Nëqoftëse ti shqetësohesh nga imazhe të tilla si “Zoti” apo “gjykatësi i përjetshëm”, lëri ato qetësisht menjanë, sepse ato s’kanë shumë rëndësi. E vetmja gjë që ia vlen është fakti që secili prej nesh është depozitues i një trashëgimie dhe mbajtësi i një misioni ; secili nga ne ka trashëguar nga nëna dhe babai, nga stërgjyshërit e tij të shumtë, nga populli i tij, nga gjuha e tij, disa veçanti të mira apo të këqia, të këndshme apo të pakëndshme, disa talente dhe disa difekte, dhe të gjitha këto të mbledhura sëbashku na bëjnë të jemi këto që jemi, ky realitet i përveçëm që quhet J.K., në rastin tënd. Kështu pra, këtë realitet të përveçëm, secili nga ne duhet ta vërë në pah, ta jetojë deri në fund, ta çojë deri në pjekuri, dhe më sëfundi, ta perfeksionojë sa të jetë e mundur. Në lidhje më këtë mund të citojmë shembuj mjaft mbresëlënës e që i gjejmë me bollëk në historinë universale dhe historinë e artit. Ashtu siç shohim që në shumë përralla ka shpesh një perzonazh që është idioti i familjes, i paafti, dhe ndodh që atij t’i jepet roli kryesor. Është pikërisht besnikëria në vetë natyrën e tij që i bën individët e tjerë, më të zgjuar se ai, e të favorizuar nga suksesi, të duken mediokër.
Kështu, në fillim të shekullit të kaluar jetonte në Frankfort familja Brentano, e pasur me individualitete mjaft të zotë. Nga njëzet fëmijët që kishte në atë kohë, dy prej tyre sot janë të shquar : poetët Klement dhe Betina Brentano. E pra, këto vëllezër e motra të shumtë qenë të gjithë të zgjuar, interesantë më tepër se mesatarja, mendje të ndritura, talente të klasit të parë. Vetëm i madhi i fëmijëve ishte dhe ashtu mbeti, i leshtë dhe gjithë jetën e tij e kalojë në shtëpinë e prindërve, një shpirt i qetë i vatrës familjare për të cilin nuk kishte ndonjë rrugëzgjidhje ; katolik, ai respektonte të gjitha detyrat e besimtarit ; si djalë dhe si vëlla tregohej i matur e babaxhan, dhe në mes të bandës së lumtur e mëndjemprehtë të vëllezërve e motrave, ku shpesh shpërthente ekstravaganca, ai bëhet gjithnjë e më shumë qendra e heshtur dhe e qetë e familjes, një lloj guri i çmuar familiar që rrezatonte paqe e mirësi. Vëllezërit dhe motrat e tij flasin për këtë leshko, për këtë qenie foshjore, me një respekt, një dhëmshuri të tillë, si për asnjë tjetër. Pra, dhe atij gjithashtu, këtij budallai, këtij idioti, i kishte qenë caktuar një kuptim dhe një mision dhe ai i kishte përmbushur ato më mirë se të gjithë vëllezërit e motrat e tij të ndritur.


Shkurt, kur dikush ndjen nevojën për të justifikuar jetën e tij, nuk është niveli i përgjithshëm i aksionit të tij, parë nga pikëpamja objektive, që ka rëndësi, por më shumë fakti që vetë natyra e tij, ajo që i ka qenë dhënë, të shprehet sa më sinqerisht që të jetë e mundur në egzistencën dhe në aktivitetin e tij. Tentativa të panumërta na kthejnë vazhdimisht nga kjo rrugë ; më e forta prej tyre është ajo që në brendësi të vetes sonë na bën të besojmë  se mund të ishim dikush krejt tjetër nga ai që jemi në realitet dhe kështu fillojmë të imitojmë modele dhe të ndjekim ideale që jo vetëm nuk duhen, por as që mundemi t’i arrijmë. Kjo tentativë është veçanërisht e fortë tek personat e pajisur me aftësi superiore, tek ata, ajo paraqet shumë më tepër rrezik se një egoizëm i thjeshtë me rreziqet e tij vulgare, sepse ajo shfaqet me pamjet e një fisnikërie shpirtërore e morale.
Në një moment të jetës, çdo djalë i ri ka ëndërruar të drejtojë një karrocë me kuaj apo një lokomotivë, të bëhet gjuetar apo gjeneral, dhe më vonë, të bëhet një Gëte apo Don Zhuan ; kjo është një tentative e natyrshme, e pashmangshme në zhvillimin normal të individit dhe një mënyrë për t’u vetë-edukuar : imagjinata, si të thuajsh, duke kërkuar në të errët, merr kontakt me mundësitë e së ardhmes. Por jeta nuk i plotëson këto dëshira dhe idealet e fëmijërisë e të rinisë vdesin vetvetiu. Megjithatë, ne vazhdojmë përherë me dëshirën për të bërë gjëra për të cilat nuk jemi bërë dhe përpiqemi t’i imponojmë natyrës sonë kërkesa që e dhunojnë atë. Të gjithë ne reagojmë në këtë mënyrë. Por në të njejtën kohë, në momentet e një vetëdije të mbrendshme e ndjejmë gjithnjë e më shumë se nuk ka rrugë që do të na çojnë jasht vetes sonë, drejt diçkaje tjetër, se duhet ta përshkojmë jetën me aftësitë e dobësitë që janë tonat e thjesht personale dhe ndodh që disa herë të bëjmë përparime, të realizojmë diçka që deri mëparë nuk ishim të zotët ta bënim, dhe për një çast, pa hezituar, e aprovojmë dhe kënaqemi me veten. Sigurisht që kjo kënaqësi nuk ka asgjë të qëndrueshme ; megjithatë, pas kësaj, pjesa më intime e vetes sonë s’tenton gjë tjetër veçse të ndjehet e rritur dhe e pjekur në mënyrë të natyrshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në harmoni me botën dhe nëqoftëse arrijmë që ta njohim këtë gjendje, eksperienca që mund të bëjmë do të jetë akoma më e thellë.
Kur them se misioni që i besohet çdo individi është i ndryshëm për secilin prej tyre, nuk kam aspak parasysh atë që diletantët e artit, të vjetër e të rinj, quajnë mbrojtja dhe afirmimi i individualitetit e origjinalitetit të tyre. Kuptohet vetvetiu se kur një artist e bën artin profesion dhe qëllim të jetës së tij, i duhet të fillojë nga mësimi i gjithshkaje që i shërben mjeshtrisë ; ai s’duhet të mendojë se do t’i duhet që ta shmangë këtë nxënie me qëllim që të ruaj origjinalitetin dhe personalitetin e tij të vyer. Shembujt të tillë nuk mungojnë. Përpjekja personale për të asimiluar atë që kemi mësuar është një detyrë fillestare, si në fushën e artit, ashtu dhe në atë të jetës së përditëshme. Duhet që fëmija të mësojë të hajë, të jetë i pastër, i duhet mësuar shkrimi e këndimi. Studimi i gjithshkaje që duket se ia vlen të mësohet nuk bëhet pengesë në zhvillimin e individualitetit, përkundrazi e favorizon dhe e pasuron atë. Më vjen turp që të shkruaj të zezë mbi të bardhë gjëra të tilla kaq të qarta, por kemi mbrritur në atë pikë ku askush nuk duket se ka instiktin e të reaguarit sipas rregullave natyrale dhe e zëvëndëson këtë instikt me një kult primitif të së jashtëzakonshmes dhe absurdes. Në art, nuk jam aspak armik i së resë, përkundrazi, dhe ti e di mirë, por në fushën e moralit, domethënë kur është fjala për sjelljen e njeriut në lidhje me detyrën që i bie të kryej, modat dhe shpikjet e reja më duken të dyshimta dhe jam krejt mosbesues kur dëgjoj njerëz të arsyeshëm të flasin për morale të reja, etika të reja, sikur të flisnin për moda apo stile në art.
Në botën aktuale i kërkojnë njeriut akoma tjetër gjë, dhe kjo kërkesë është e përhapur nga partitë politike, nga vende apo profesorë të moralit universal. I kërkojnë njeriut që ai të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga vetevetja dhe nga ideja që nëpërmjet tij, diçka personale dhe e veçantë mund të ketë kuptim ; e bëjnë të kuptojë se ai duhet që t’i adaptohet një lloj humanizmi normal apo ideal që do të jetë ai i së ardhmes, që duhet të transformohet në një nga ingranazhet e makinerisë, në një nga gurët e ndërtesës, mes miliona gurëve të tjerëve, po aq të ngjashëm. Nuk do të doja që të shprehesha mbi vlerën morale të kësaj kërkese : ajo ka anën heroike e madhështore të saj. Por nuk besoj në atë. Vënia në rresht e individëve, me gjithë dëshirën e mirë, është në kundërshtim me natyrën dhe nuk të çon në paqe e në gjakftohtësi, por në fanatizëm dhe në luftë. Në fund të fundit, flitet për një kërkesë prej murgu dhe ajo është legjitime kur bëhet fjalë për murgjit, për njerëz që kanë hyrë të lirë nën urdhrat fetare. Megjithatë, nuk besoj që kjo kërkesë, që është e lidhur me modën, do mund të paraqesë një rrezik serioz për ty.
Shoh që letra është kthyer pothuajse në një disertacion. Do të bëj disa kopje dhe kur të më jepet rasti do t’ia lexoj gjithashtu dhe personave të tjerë. Mendoj se nuk do të kesh ndonjë kundërshtim.
Përktheu: YD

Marre nga: http://bllokshenimesh.unblog.fr/2009/11/16/herman-hesse-leter-nje-artisti-te-ri/

/KultPlus.com

Nikollë Kazazi, lëvrues i gjuhës shqipe dhe historisë kombëtare

Gjon Nikollë Kazazi, udhëheqësi shiprtëror e kombëtar i shqiptarëve gjatë viteve 1700 të shekullit 18, ka qenë njëra ndër figurat që ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme në historinë kombëtare, gjurmë të cilat shpesh herë kanë ndikuar edhe në zhvillimet e mëvonshme.

Ipeshkvi shqiptar, Imzot Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) ishte lëvrues i gjuhës shqipe. Studioi teologjinë dhe filozofinë në Itali, punoi si prift, misionar, pastaj si kryeipeshkёv i Shkupit. Më 1740 zbuloi “Mesharin” e Gjon Buzukut nё Vatikan. Botoi më 1743 veprën “Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane. Përkthyer në gjuhën shqipe për t’u përdorur e mësuar nga fëmijët e këtij kombi”. Vepra ka rëndësi për njohjen e së folmes së Gjakovës në shek.XVIII; është shkruar më ndonjë ndryshim në alfabetin e shkrimtarëve të shek.XVI-XVII.

Bariu shpirtëror, teologu e shkrimtari imzot Gjon Kazazi lindi në Gjakovë, më 1 janar 1702. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet teologjike i filloi në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit, pastaj i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe i kreu në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku krahas teologjisë studioi edhe filozofi, gramatikë e retorikë.

Gjon Nikollë Kazazi i nisi studimet kur ishte i ri, 18 vjeç. Në vitin 1727 mori titullin doktor në filozofi e teologji. Po atë vit u shugurua meshtar. Sapo u kthye, kryeipeshkvi imzot Mikel Suma, e emëroi misionar në Prizren. Më pas kaloi nga Prizreni në Gjakovë, për shërbim baritor, të cilin e kreu së bashku me dom Anton Teodorin.  Me që dallohej për zgjuarsi dhe aftësi të veçantë njerëzore, shpirtërore e intelektuale, imzot Suma e emëroi dom Gjonin Vikar të Përgjithshëm. 

Pas largimit të imzot Mikel Sumës nga kryeipeshkvia e Shkupit, ishte Gjon Kazazi ai që e drejtoi atë kryeipeshkvi nga viti 1737. Me propozimin e kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviqit, imzot Kazazi u emërua vizitator apostolik i kryeipeshkvisë së Sofjes dhe ipeshkvisë së Nikopolit, në Bullgari. Me 23 shtator 1743, Papa Benedikti XIV e emëroi imzot Gjon Nikollë Kazazin kryeipeshkëv të Shkupit në moshën 41. Simbolin e ‘Palios’ e mori në Romë, me 16 dhjetor 1743.

Krahas misioni ungjillëzues, baritor në shërbimit të popullit të Zotit e përforcimin e Kishës së gjallë të Krishtit, imzot Gjon Kazazi kultivoi me pasion e urti edhe aspektin kulturor, posaçërisht shkrimin në gjuhën shqipe. Këtu kishte si qëllim shkrimin e botimin në gjuhën e popullit të tij, pra shqip, të librave me përmbajtje shpirtërore, pra biblike, si katekizmi, doracakët uratësh, librat liturgjike po edhe gjurmimin e rrënjëve të lashta të kombit të tij shqiptar.

Kështu,  gjatë qëndrimi të tij në Romë, në vitin 1743, imzot Gjon Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut, botuar ne vitin 1555. Gjithë gëzim për këtë gjetje, ai njoftoi Gjergj Guxetën në Palermo të cilit i dërgoi një faqe. Libri mendohet tue jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Ky zbulim mbeti ne heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.

Po atë vit, 1743, imzot Kazazi botoi edhe katekizmin e tij “Doctrina e kërshten” – “Breve Compendio della Dottrina Cristiana tradotta in lingua Albanese per l’utilità, e istruzione dei Fanciulli di quella Nazione. Da un Nazionale del Regno di Servia Alunno della S. Congregazione” shtypur ne Romë nga “Stamperia della S. Congregatione de Propaganda Fide” ./KultPlus.com

Dhjetë vende në botë që nuk ‘njohin’ asnjë turist

Me gjithë dëshirën e madhe për t’i rënë botës rreth e qark, këto dhjetë vende nuk janë aspak mikpritëse. Madje, ndalohet t’i vizitoni, shkruan Konica.al.

Ilha da Queimada Grande e quajtur “ishulli i gjarpërinjve” në Brazil, është habitati i disa prej gjarpërinjve më vdekjeprurës në botë. Helmimi i tij është aq rëndë, sa që shkrin mishin rreth zonës së kafshuar dhe aty, mund të ketë një gjarpër për çdo metër katror. Për arsye sigurie, qeveria braziliane nuk lejon asnjë vizitor.

Trupat turke pushtuan Qipron në 1974, duke shkaktuar një luftë civile midis banorëve grekë dhe turq. Kur luftimet përfunduan në armëpushim, Kombet e Bashkuara morën kontrollin e një zone që nuk i përkiste askujt, Nikosia. Atje, muret e ndajnë komunitetin turk në Veri (që Turqia, por asnjë vend tjetër, nuk e njeh si shtet më vete), nga komuniteti Grek në Jug. Pas mureve, janë shtëpitë dhe bizneset e braktisura. Disa “Zona të përdorimit civil” lejojnë civilët, por zona të tjera kanë qenë praktikisht të paprekura për dekada, ashtu si këto aeroporte të braktisura.

Fermerët zbuluan varrin e perandorit të parë të Kinës, Qin Shi Huang, në 1974, ndërsa arkeologët kanë gjetur që nga atëherë, rreth 2.000 ushtarë balte, teksa presin të zbulojnë edhe 8,000 të tjerë. Megjithë gërmimet, qeveria kineze ka ndaluar arkeologët të prekin varrin qendror me trupin e Qin Shi Huang, i cili është mbyllur që nga viti 210 para Krishtit.

Qeveria e Sh.B.A nuk do të pranonte që “Zona 51” të ekzistonte derisa në dokumentet e 1992, të lëshuara në 2013 përmendnin bazën ushtarake të Nevada. Zyrtarët ende nuk kanë zbuluar se ç’lloj studimi vazhdon aty, megjithëse shumë pretendojnë se veprimtaria e huaj apo aliene është studiuar atje.

Në Gjirin e Bengalit, janë ishujt Andaman dhe Nicobar, shumica e të cilave janë territore indiane. Fisi Sentinelese i North Sentinel Island mendohet të ketë qenë atje për 60,000 vjet dhe është një nga komunitetet e fundit në botë, që mbetet plotësisht i izoluar nga shoqëritë e jashtme. Në vitin 2006, varka e dy peshkatarëve u zhvendos në cekëtirën e Ishullit Sentinel të Veriut, ku Sentinelesi e vrau këtë palë. Që atëherë, ka pasur raporte të tjera për shigjetat që qëllojnë helikopterët që kalonin.

I strehuar në një zonë shumë të mbrojtur të Vatikanit, janë 53 milje rafte që përmbajnë dokumente në lidhje me Kishën Katolike, që datojnë qysh në shekullin e tetë. Arkivi u hap për studiuesit në 1881, por nuk është e lehtë të marrësh një “PO” për kalimin brenda. Studiuesit që aplikojnë për të hyrë, mund të kenë leje vetëm deri në tre muaj dhe jo më shumë se 60 studiues, në të njëjtën kohë.

Rrugicat e “Fort Knox”, shtëpia e shumicës së rezervave të arit amerikan, janë konsideruar vendi më i ruajtur në planet. Asnjë person i vetëm, nuk mund të futet në kasafortë; për të hyrë duhe disa kombinime dhe anëtarët e ndryshëm të stafit, dinë vetëm një. Edhe ata, nuk do të mund të hynin pa ndihmën e kolegëve të tyre.

Duke u zhytur më shumë se 320 metra në një mal midis Norvegjisë dhe Polin e Veriut, Svalbard Seed Vault mban një koleksion masiv farash në një kasafortë të krijuar për t’i bërë ballë katastrofave të bëra nga njeriu dhe natyra. Nëse do të ndodhte një katastrofë e madhe, 890,000 mostra të farave të ruajtura nga pothuajse çdo vend në botë, do të siguronin mundësi të ndryshme ushqimore. Kasaforta hap dyert, vetëm disa herë në vit dhe një numër i kufizuar i depozituesve lejohen brenda, për të dorëzuar farat në raftet e tij.

Piktura parahistorike në shpellën Lascaux u gjet në vitin 1940 dhe u bë një vend turistik, pas Luftës II Botërore. Monoksidi i karbonit, nga vizitorët e shumtë filloi t’i dëmtojë pikturat e shpellës, që tani cilësohen një sit i Trashëgimisë Botërore në UNESCO dhe shpella u mbyll për publikun, në vitin 1963./KultPlus.com

‘Pse sytë e nënës janë mbuluar me lot, ti pse vallë na ke harruar o Zot’

Në vitin 1998 veç sa kishte filluar lufta në Kosovë, periudhë kjo e vështirë për shqiptarët që po përgatiteshin për më të keqen, për regjimin e kobshëm serb.

Në Shqipëri, një këngëtare nga Kosova do të këndonte po këtë vit për krismat, për luftën, për vajzat e reja me vellot e zisë, për mizoritë.

Alberije Hadërgjonaj, në vitin 1998 triumfoi në Festivalin e Këngës në TVSH me këngën ‘Mirësia dhe e vërteta’, himn i luftës në Kosovë. Albërija sikur po i bënte thirrje Zotit të zgjohej nga gjumi, dhe botës po i kërkonte të intervenonte që kosovarët të mos vdisnin të gjithë.

Alberija u bë e para këngëtare nga Kosova që e fitoi festivalin, në edicionin e tij të 37-të.

Teksti i këngës flet shumë për gjendjen e asokohshme shpirtërore dhe fizike të shqiptarëve të Kosovës. / KultPlus.com

Qyteti i Vushtrrisë në vitin 1980 (FOTO)

Vushtrria është një prej qyteteve më të vjetra të Kosovës. Dikur ishte edhe më i rëndësishëm se sot kryeqyteti i Kosovës, Prishtina.


Sipas pamjeve nga emisioni ‘Arkivi – RTK’ shihet se si është dukur ky qytet në vitin 1980. Në atë kohë konsiderohej se në Vushtrri jetonin rreth 13 mijë banorë.


Në shekullin 18-të thuhet se në Vushtrri kanë jetuar rreth 6 mijë banorë, ndërkaq tani llogaritet se ka mbi 110 mijë banorë, pra duke numeruar edhe fshatrat.

Vushtrria njihet për Kalanë dhe Urën e vjetër e po ashtu edhe për konsumimin e madh të ‘çajit të rusit’. /Kultplus.com

Aleanca Franceze, me disa aktivitete kulturore nga janari deri në mars

Aleanca Franceze e Prishtinës ka bërë të ditur se nga janari e deri në mars për nderë të leximit do të organizojë disa aktiviteteve.

Më 16 janar do të mbahet Nata e Leximit, një ngjarje e organizuar çdo vit nga Ministria Franceze e Kulturës, e cila synon promovimin e leximit pranë të rinjve. Fëmijët do të marrin pjesë në lojëra të leximit, lexim dygjuhësh të Princit të Vogël dhe një punëtori për krijimin e faqendarësve.

Është paraparë edhe një konkurs leximi që synon të nxjerrë në pah veprat e autorëve francezë, belgë, zviceranë dhe luksemburgas me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, si dhe inkurajimin e leximit në frëngjisht. Një juri do të zgjedhë fragmentet më të mira, të cilat do të lexohen me zë të lartë në Ditën Ndërkombëtare e të Drejtave të Grave, më 6 mars. Librat e përzgjedhura do të shpallen në 16 janar.

Ndërkaq shkollat që mësojnë frëngjisht do të ftohen të marrin pjesë në një punëtori rreth karikaturës së Pénélope Bagieu Culottées: gratë që bëjnë vetëm atë që duan. Prodhimet më të mira do të shpërblehen në mars, gjatë javëve të Frankofonisë. /KultPlus.com

Vjen dokumentari ‘Udhëve të Argjendarëve Prizrenas’

CHwB Kosova ju fton në prezantimin e dokumentarit “Udhëve të Argjendarëve Prizrenas” të realizuar nga Rina Geci.

Dokumentari sjell gjashtë video-portrete të mjeshtërve filigranistë nga Prizreni, ku nëpërmjet rrëfimeve dhe shfaqjes së fotografive, dokumenteve dhe video-materialit nga arkivat personale, ndiqen rrugëtimet e argjendarëve protagonistë në profesionin e tyre.

Realizimi i këtij projekti është një segment i një hulumtimi më të gjerë etnografik lidhur me zhvillimin e mjeshtërisë së argjendarisë në Prizren gjatë 100 viteve të fundit.

Dokumentari do të shfaqet me 22 janar, në ora 19:00 në DokuKino në Prizren, shkruan KultPlus.

Mjeshtrit filigranistë flasin më në detaje lidhur me këto tema:
1. Lorenc Vuçaj- Rrëfim për traditën familjare dhe Kujunxhillëkun e Prizrenit
2. Lon Seb Bytyqi- Puna në ndërmarrjen “Filigran”
3. Sadije Turtulla- Rrëfim për shkollën e filigranit
4. Viktor Lekaj- Filigrani si ekonomi familjare
5. Rafael Koci- Festa e argjendarëve “Piri i kujunxhive”
6. Lazër Rrok Lumezi – Nga filigrani tradicional te arti modern

Ky projekt u realizua në kuadër të platformës të #HeritageSpace qe implementohet nga CHwB Kosova. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore” i zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP Kosovo) në Kosovë dhe fiancuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet (IcSP) dhe Qeverise Suedeze. / KultPlus.com

Ali Hadri, akademiku i cili i dha shumë historisë së popullit shqiptar

Akademiku Ali Hadri sot mund të jetë një personalitet më pak i njohur për gjeneratat e reja, dhe prandaj duhet ta sjellim në vëmendje punën dhe angazhmin e tij të pashoq.

Ali Hadri lindi më 3 mars 1928 në Lushnjë. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Gjakovë. U diplomua në vitin 1956 në Fakultetin Filozofik të Beogradit dhe pastaj po aty u magjistrua në vitin 1960. Disertacionin e doktoratës ‘Lëvizja nacionalçlirimtare në Kosovë 1941-1945’ e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në vitin 1970.

Ai ishte dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, profesor ordinar i Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i Institutit të Historisë të Kosovës. Ishte drejtor i revistës “Përparimi”, kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” (seria historike) dhe kryeredaktor i revistës “Kosova”. Për shumë vite i drejtoi studimet pasuniversitare dhe udhëhoqi shumë magjistrantë dhe doktorantë.

Hadri ishte delegat i Kuvendit Krahinor të Punës Shkencore, anëtar i Këshillit të Koordinimit të Shkencës dhe të Teknologjisë të Jugosllavisë, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të shoqatës jugosllave Shkenca dhe shoqëria, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Historianëve të Jugosllavisë dhe bashkëpunëtor i një numri revistash historike.

Në fushën e shkencës së historisë, Hadri botoi, duke filluar nga viti 1957, qindra punime. Botoi dhjetë vepra monografike dhe shumë tekste të historisë së popullit shqiptar për shkollën fillore dhe për shkollën e mesme. Ka marrë pjesë me referate e koreferate në simpoziume dhe në tubime të tjera shkencore.

Për punën e tij shkencore e kulturore-shoqërore iu dha dy herë Shpërblimi Krahinor i Dhjetorit; u dekorua me Urdhrin e Meritave për Popull me Rreze të Argjendta dhe me Urdhrin e Punës me Flamur të Kuq.

Ali Hadri vdiq në Pejë, më 2 dhjetor 1987. / KultPlus.com

103 vjet më parë u botua numri i parë i revistës “Yll i Mëngjezit”

103 vjet nga botimi i numrit të parë të revistës “Yll’ i Mëngjezit”, shkruan gazeta letrare.

Revista dyjavore u botua për herë të parë më 15 janar 1917 në Boston të SHBA-së me nismën e motrave Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi.

Qëllimi i saj ishte ndriçimi dhe lartësimi i popullit shqiptar. Revista u botua për tre vite me radhë. Numri i saj i fundit u publikua në shtator të vitit 1920. /KultPlus.com

“Masakra që tronditi botën”, rrëfim për krimin që bëri Serbia 21 vjet më parë

Mëngjesin e sotëm heshtja  e mbuloi Reçakun, ashtu ngjashëm si ishte edhe 21 vjet më parë.

Në orët e hershme të 15 janarit të vitit 1999, fshati u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe.

Pikërisht në këtë vend ndodhi njëra ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë, ngjarje kjo e cila e ndryshoi përgjithmonë edhe historinë e Kosovës, shkruan FaktePlus.

E dyert që shihet në shumë filmime duke u thyer me shqelma nga njëri prej ushtarëve të forcave serbe, vazhdojnë edhe sot e asaj dite të qëndrojnë të forta.

Në fshatin që aso kohe pak kush ia dinte emrin, u vranë e masakruan mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, e në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

I mbijetuari i kësaj masakre Aziz Beqiri rrëfen për FaktePlus, tmerrin që përjetuan atë mëngjes të hershëm e të ftohtë.

Ai thotë se edhe para 15 janarit forcat serbe kanë tentuar që të hyjnë në këtë fshat.

“Unë e kam përjetuar atë ditë masakrën. Mirëpo, nuk ka qenë vetëm 15 janari kur kanë hyrë forcat serbe. Ata kanë tentuar të hyjnë edhe para kësaj dite, kanë tentuar të hyjnë edhe tri apo katër herë edhe kemi pasur të plagosur edhe para 15 janarit, ka pasur edhe provokime, dilnin në kodër këndonin serbisht….Në 06:45 minuta krismat e tyre kanë qenë me alarmu, çdo lëvizje pastaj e kanë pasur në shënjestër, ai që u dalë prej shpisë e kanë pas shënjestër”, ka thënë Beqiri.

Ai duke rrëfyer gjithë ngjarjen e 15 janarit ka deklaruar se ajo ditë për të ka qenë një tmerr i madh.

E këtë e thotë pasi që aty ka pasur edhe persona të plagosur të cilët kanë kërkuar ndihmë, mirëpo që nuk kanë guxuar t’i ndihmojnë.

“Nuk ka pasur tmerr më të madh. Ka pasur aty që kanë qenë të plagosur dhe ka kërkuar ndihmë po që ne nuk kemi guxuar me dal me iu dhënë ndihmë një pikë uji nuk iu kemi dhënë sepse u vra ai bile le të shpëton tjetri, Ajo ditë ka qenë e kobshme, Patëm punë me të keqin”, ka thënë ai.

Beqiri, mes dhimbjesh tregon edhe sa anëtarë të familjes i ka të vrarë në këtë masakër.

“Po e kam të vrarë djalin e vëllait dhe pesë kushërinj të tjerë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, ka edhe një thirrje për krerët e institucioneve të Kosovës, si dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

“Këta tonët ndoshta nuk kanë mundësi me bë më shumë, mirëpo me i bë presion bashkësisë ndërkombëtare që kjo e fundit me i bë presion Serbisë, sepse ka shumë punë pa u zgjidh, bile së paku me iu kërku falje këtyre viktimave çka ka bërë ai. I kemi 1500 të zhdukur që nuk e dinë as nënat e tyre e as baballarët se ku i kanë të afërmit e tyre. Bashkësia Ndërkombëtare shumë e ka toleru, ajo politikë e Millosheviçit atëherë është duke u zhvilluar edhe sot nga Daçiqi edhe Vuçiqi, pra le të dijë edhe bashkësia ndërkombëtare por le ta dijnë edhe tonët se ai Millosheviç është edhe sot”, ka thënë ai.

Masakra në të cilën u vranë fëmijë e pleq edhe pas 21 vitesh vazhdon të kujtohet jo vetëm nga kosovarët, por edhe nga qytetarë të trevave të ndryshme shqiptare.

Në mesin e tyre që kishin ardhur të bënin homazhe për këto viktima ishin edhe qytetarë nga Shqipëria.

Është Elida Jorgoni e cila ka ardhur nga Durrësi për të kujtuar viktimat e Reçakut.

Ajo tha se ka ardhur për t’i dhënë mesazh siç thotë ajo armikut të kombit.

“Kam ardhur këtu që të nderoj gjakun tim. 21 vite më parë është përjetuar një dramë e madhe në këtë territor dhe unë dua t’i jap këtë mesazh armikut të kombit shqiptarë Vuçiqit pasardhësit të Millosheviçit së Reçaku nuk është gënjeshtër, ka ndodhur dhe duam t’ia shpallim botës se ne jemi këtu për të mbrojtur dinjitetin tonë gjakun tonë të nëpërkëmbur, të vrarë, të masakruar….Është ditë e vështirë të shikosh gjithë këtë gjak të pafajshëm, vjen tjetri nga dëbon nga vatra, na vret na dhunon dhe ne nuk duhet të heshtim. Këtu do të duhej të ishin komplet gjithë trevat shqiptare, do të duhej të ishim akoma më tepër për të treguar që ne nuk kemi vdekur”, ka thënë ajo.

Për t’i nderuar viktimat e Reçakut kishte ardhur edhe Ramadan Sallahi nga Suhareka. Ai tha se 15 janari i vitit 1999 nuk do të harrohet kurrë.

“Është një ditë që nuk do të harrohet kurrë në tokën shqiptare, edhe kam ardhë për të bërë homazhe, apo me përkujtu këtë tmerr që e bëri shkau këtu e në të gjithë Kosovën, në shumë vende bëri shumë masakra, bëri çmos, për atë kam ardhë me i kujtu këtu….Po e shohë shumë doptë. Kosova po shkon shumë dopt”, është shprehur ai.

21 vjet më parë në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua, e cila ende nuk është gjetur.

Pas vrasjes masive, ish- shefi i misionit të OSBE-së, William Walker shkoi në vendin e ngjarjes, duke u bërë dëshmitari i parë ndërkombëtar që i dërgoi një mesazh botës se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte “një krim kundër njerëzimit”.

Mesazhi i tij ishte një faktor i rëndësishëm në vendimin e forcave të NATO-s për nisjen e bombardimeve kundër regjimit serb në Kosovë. Kështu, kjo ngjarje që ndodhi në këtë fshat të vogël e ndryshoi përgjithmonë edhe historinë e Kosovës, e cila tashmë ka më shumë se dy dekada e çliruar dhe gati 12 vjet e pavarur. /KultPlus.com

“Brezave të rinj u mungon ndjenja e atdhetarizmit”

Nga: Mentor Hajrizi

Brezave të rinj u mungon ndjenja e atdhetarizmit, t’u flasësh për gjenocidin u duket trillim!

Dje dhe sot me nxënësit folëm për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, në vitet e luftës 1998—1999.

Në kuadër të njësisë mësimore për ushtarin çlirimtar, të ardhur nga mërgimi në luftë, ndër të tjerash, me nxënësit diskutuam hapur për skenat e llahtarshme të paraqitura në vitet nëntëdhjetë. Tok ndoqëm reportazhe televizive në klasë dhe komentuam dhunën e serbëve mbi kosovarët.

Pyetjet e mia ishin: Ç’kuptoni me fjalën “gjenocid”? Çfarë dini për gjenocidin e Serbisë në Kosovë?

Nga përgjigjet e marra, të nxënësve, vërejta qartë se për gjenocidin në Kosovë kishin dëgjuar pak e hiç. Ata zbehtë më flisnin për masakrën e bërë në Reçak, por jo të dinin më edhe për ndonjë masakër tjetër.

Derisa po u flisja për gjenocidin, ligjërimin tim po e argumentoja me pamje dhe njëkohësisht me ato ngjarje më hipën të dridhurat.

Por…

Mendoj se prindërit, po edhe mësuesit, duhet të diskutojnë më tepër me fëmijët për sakrificën e popullit shqiptar dhe për gjenocidin në përgjithësi. Po kështu fëmijët tanë do të kenë ndjenja atdhetarizmi dhe do të njihen më mirë me historinë tonë tashmë të shkruar.

Orën e mësimit e përfunduam se me fjalën “gjenocid” kuptojmë dhunën e egër ose shfarosjen e plotë a të pjesshme të një popullsie ose të grupeve të veçanta kombëtare, të bërë nga një qeveri. /KultPlus.com

Në vitin 1941, Koliqi u bë ministër i arsimit në qeverinë shqiptare

Si sot, 45 vjet më parë vdiq Ernest Koliqi, shkrimtari i njohur shkodran.

Në vitin 1941, Koliqi u bë ministër arsimi në qeverinë shqiptare të mbështetur nga italianët dhe vendimi i tij i parë ishte dërgimi i mbi 200 mësuesve në Kosovë për të hapur shkollat shqipe dhe për t’i dhënë fund analfabetizmit total, në të cilin ndodheshin shqiptarët e Kosovës, për shkak të sundimeve brutale osmane dhe serbe.

Me mijëra tekste në gjuhën shqipe u ngarkuan në kamionë dhe u nisën në drejtim të Kosovës. Brenda një viti u hapën 173 shkolla fillore, 3 shkolla të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta.

Për herë të parë në histori fëmijët e Kosovës morrën në duart e tyre librin e abetares. Shqipja e shkruar dhe e lexuar, pas shekujve të ndalimit me dekrete shtetërore, kishte mbijetuar edhe në Kosovë.

Edhe diçka: nga ajo kohë kanë kaluar 79 vjet, por asnjëherë, as në Tiranë, e as në Prishtinë, nuk kemi pasur një ministër arsimi që i përafrohet nivelit intelektual e kulturor të cilin e kishte Ernest Koliqi, shkruan filozofi Blerim Latifi në rrjetin social në facebook. /KultPlus.com

Nëna duke përqafuar me plot dhimbje e mall fotografinë e djalit të vrarë në masakrën e Reçakut

Janë bërë 21 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, shkruan KultPlus.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, sot u bënë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, si dhe u mbajt akademi përkujtimore në “Shtëpinë e Kulturës” në Shtime.

Shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak, pas të cilit forcat serbe u tërhoqën nga Kosova. Sot, në 21 vjetorin e kësaj masakre, Walker erdhi për vizitë në Reçak ku përveç homazheve, u pa edhe shumë i afërm me fëmijët e dëshmorëve.

Ajo çka ka mbetur e njëjtë sot e 21 vite, është dhimbja e familjarëve për humbjen e më të dashurve të tyre.

Gjatë ditës, një nënë është fotografuar teksa përqafon fotografinë e djalit të saj, plot dhimbje e mall për të. Këto pamje edhe sot janë të vështira dhe prekin zemrën e secilit qytetar.

Fotografia ka nisur të qarkullojë në rrjetet sociale duke dëshmuar kështu për dhimbjen që i shoqëron këta njerëz tash e 21 vite. / KultPlus.com

Publikohen fotografitë e të dhënat e disa prej autorëve të masakrës së Reçakut

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj, në profilin e tij në ‘Facebook’, ka publikuar disa dokumentacione dhe fotografi të autorëve të Masakrës së Reçakut.

“Për rikujtim: Këta janë disa nga kryesit e masakrës së Reçakut.#Kosova nuk do të harrojë asnjëherë”, ka shkruar Zyberaj.

Publikimi i këtyre të dhënave nga Zyberaj vjen në 21 vjetorin e përkujtimit të një prej masakrave më të tmerrshme të kryer nga aparati shtetëror serb ndaj civilëve shqiptarë./KultPlus.com

https://www.facebook.com/jetliri88/posts/10215769242279845

Demi Lovato në ceremoninë “Grammy” për herë të parë pas mbidozës me drogë

Këngëtarja shumë e dashur amerikane, Demi Lovato, do të performojë në ceremoninë e sivjetme “Grammy”, dhe ky do të jetë interpretimi i saj i parë në skenë që nga mbidoza me drogë në vitin 2018.

Në postimin e saj të fundit në rrjetet sociale, Demi Lovato kishte shkruar: “Herën tjetër kur të dëgjoni diçka nga unë, do të jem duke kënduar…”

Dhe, duket se këngëtarja e ka mbajtur premtimin, duke e zbuluar të martën, lajmin se do të përfshihet në listën e yjeve, të cilët do të performojnë në skenën e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve kryesore në muzikë, “Grammy Awards”, transmeton KTV.

Ylli i hitit “Sorry Not Sorry”, në të kaluarën ka qenë e nominuar për çmim “Grammy” në kategoritë “Albumi më i mirë pop” për albumin e vitit 2017 “Confident” dhe “Performanca më e mirë pop” për bashkëpunimin e saj me Christina Aguilerën, “Fall in Line”.

Image

Performanca e aktores dhe këngëtares Lovato, po ashtu e shënon rikthimin e saj në skenë, pas tragjedisë së vitit 2018 që gati i mori jetën, kur ajo pësoi mbidozë me drogë. Ajo ishte dërguar me urgjencë në spital, në korrik të 2018-s, ku qëndroi për disa javë. Lovato i kaloi disa muaj edhe në rehabilitim.

Kjo, njëherësh do të jetë performanca e parë e këngëtares, prej se ka bërë të ditur lajmin se për menaxhimin e karrierës së saj muzikore, e ka angazhuar menaxherin kontrovers, Scooter Braun. Ky i fundit ishte lajm në mediat botërore gjatë fundit të vitit 2019, për shkak se pop ylli Taylor Swift, e akuzoi atë për përfitime nga muzika e saj.

Ndër yjet e tjerë që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni janë: Ariana Grande, Aerosmith, Billie Eilish, Lizzo, Blake Shelton dhe Gwen Stefani.

Alicia Keys do ta prezantojë shoun për të dytin vit me radhë.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Gramy” do të mbahet më 26 janar të këtij viti. /KultPlus.com

Dhembja e lulëkuqeve

Poezi nga Elife Luzha

Në sythin e mendimit më përhitesh
Lulëkuqe në dhimbje e plandosur
Lotët si vrer gëlltit çdo ditë
Para syve tanë e syrgjynosur

Në errësirë vetmie mallkon fatin
Vitet zinxhirohen në të pafundmin tunel
Shkaras jo nuk i kalohet vuajtjes sate
Ndryshe pafajësia jote do na ndëshkojë

(Nga përmbledhja poetike ”Mos ma vrisni lotin”, shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2017). /KultPlus.com

Ilire Zajmi vjen me librin “Një luftë e pakryer”

“Një luftë e pakryer” është libri më i ri i shkrimtares së njohur Ilire Zajmi, përcjellë KultPlus.

Zajmi, vjen para lexuesve me një libër ndryshe, por me një temë që ka prekur edhe në librat e saj të tjerë. Luftën në Kosovë. Luftën në të gjitha dimensionet e saj, te libri “Një luftë e pakryer” e rrëfejnë me gojën e tyre dymbëdhjetë personazhe, në rrëfimet të cilat i kthejnë ata njëzetvjet pas. Historitë e tyre të përjetuara para dy dekadash, personazhet i rrëfejnë një gazetareje dhe një fotografeje italiane, të cilat vijnë në Kosovë për të gjetur personat të cilët i kishin takuar gjatë kohës së luftës në Kosovë. Secili rrëfim është histori në vete, por që në libër dalin si tërësi të një realiteti të hidhur, që vazhdon ti gërrejë jetët e tyre dhe ti ndjek pas si hije.

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës. “Një luftë e pakryer” është libri i njëmbëdhjetë i Zajmit. Ajo është autore e pesë vëllimeve me poezi, tri të botuara në gjuhën shqipe “ Këmbanat e mëngjesit” , “Baladë e bardhë” dhe “Valsi i mesnatës”, një në gjuhën angleze “Amnesia” dhe një në gjuhën frenge ” Ce la fin” . Autore e romaneve “Fashitja e ëndrrave rebele”, “Era” , librit publistik “Un treno per Blace” botuar në Itali, të përkthyer në shqip “Një tren për Bllacë” dhe në kroatisht “Vlak za Blace” , si dhe librit studimor “ Pamjet televizive dhe realiteti”.

Poezitë e Zajmit janë përkthyer e botuar në disa gjuhë të huaja. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë në disa ë festivale ndërkombëtare të letërsisë. / KultPlus.com

Fondacioni “Sunny Hill” hap konkurs për të rinj nga Kosova për masterklasë në ShBA


Fondacioni “Sunny Hill” është në partneritet me Institutin e Arteve dhe Inovacionit OCS për të pritur 3 artistë të rinj nga Kosova për një kurs 4-javor dhe masterklasë në Los Angeles – California, përcjellë KultPlus.

Fondacioni “Sunny Hill” është në kërkim të këngëtares, producentit dhe interpretuesit më të mirë të ri në Kosovë.

Nëse jeni midis moshës 13 dhe 17 vjeç dhe besoni se keni një karrierë në industrinë e muzikës dhe tashmë po bëni diçka në lidhje me të, ju duhet të aplikoni këtu. Nëse shkruani këngë origjinale ose prodhoni kopertina të artistëve të tjerë ose jeni një interpretues, mund të shkoni në LA, menjëherë në shkurt të vitit 2020

Pasi të plotësoni formularin dhe të ngarkoni materialet tuaja, tregoni diçka për ju me disa fjalë: pse duhet të zgjedheni për këtë kurs dhe çfarë ju veçon nga të tjerët.

Talentet e reja do të zgjidhen nga Alyssa Lein Smith nga Quincy Jones Productions, Ulla Sjöström nga Musikmakarna dhe Mary Kay Altizer nga OCS Institute of Art and Innovation. Ata do të kalojnë 1 muaj në Los Angeles, 2 javë do ti dedikohen krijimit të shkrimit të këngëve, prodhim, interpretim në Institutin e ri të OCS të Arteve dhe Inovacionit në Westlake Village dhe 2 javë të tjera do të shfrytëzohen në kryeqytetin argëtues të botës në Hollywood të organizuara nga Gezim Gashi i cili do të jetë mentori dhe kujdestari ligjor për 3 fituesit.

 Fituesit do të kalojnë kohën me Alyssa Lein Smith dhe do të ekspozohen në A&R të Quincy Jones Productions, si dhe do të marrin një klasë unike dhe master brenda në industrinë e argëtimit.

Turneu në studio dhe takimi me Rami Yacoub, kantautor dhe producent, hit-krijues për Ariana Grande, One Direction, Demi Lovato. Talentet e rinj të Kosovës do të takojnë Ulla Sjöström dhe Musikmakarna, shkolla numër një e shkrimeve të këngëve në botë, një klasë masteri se si të merrni mjetet dhe njohuritë për të shkruar këngë bashkëkohore.

Afati i fundit për aplikime është 20 janar 2020.

Ky është linku ku mund të aplikoni: http://sunnyhillfoundation.org/project/sunny-hill-foundation-is-looking-for-the-best-songwriter-producer-and-performer-in-kosovo/?fbclid=IwAR0gJF8VvcYRmOksnPDUOtk0pT0diosGbZBDmLq1XjRhiWH60P8O1YT8Ncw / KultPlus.com

“Në kufi bëheshin vrasje, në burgje tortura”, Helena Kadare rrëfen takimin sekret të Ismailit me djaloshin shkodran

Pasi kishin bërë ta pamundurën të gjenin dinamit pa ia dalë dot, pasi kishin tentuar të rrëzonin bustin pa ia dalë dot, 10 të rinjtë shkodranë po vuanin dënimin në burgje, ndërsa Shqipërinë e kishte përpirë më një anë nevoja për liri, e më anën tjetër ‘frika’ e sindromës rumune. A do të ekzekutoheshin edhe në Shqipëri komunistët si Çausheski?

Atmosfera e 30 viteve më parë, ndërsa Dedë Krasniqi, Rini Monajka Nikolin Margjini, Gjergj Livadhi, Flamur Begu, Kolec Hublina, Tonin Dema, Nikolin Thana, Aldo Perizi dhe Klaudio Daka vuanin torturat në burgje, përshkruhet nga Helena Kadare në librin e saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”. Ajo shkruan se “Në Tiranë qarkullonin gjithfarë fjalësh. Midis tyre dalloheshin ato që përhapte Sigurimi, shumica e të cilave ishin kërcënime të tërthorta. Tmerri i asaj që kishte ndodhur në Rumani ndihej kudo. Në Shkodër ishte bërë një përpjekje për të rrëzuar bustin e Stalinit”.

Njëherësh ajo tregon edhe një takim me një prej organizatorëve të protestës, të riun Ardian Ndreca që në emër të shkodranëve të tjerë, i kërkon takim Ismail Kadaresë. Shkrimtari do t’i përgjigjej me një telegram se do t’i priste. Më poshtë kujtimet mbi 30 vite më parë.

RRËFIMI I HELENA
KADARESË

Natën e Krishtlindjeve ishim ftuar te Lic Barnier dhe Liri Begeja regjisorja e versionit francez të “Prillit të thyer”, por kaq shumë ishim të hutuar pas lajmeve rumune, saqë mbërritëm tek ata me një vonesë skandaloze.

Viti 1990 hyri gjithë nervozizëm. Në Tiranë qarkullonin gjithfarë fjalësh. Midis tyre dalloheshin ato që përhapte Sigurimi, shumica e të cilave ishin kërcënime të tërthorta. Tmerri i asaj që kishte ndodhur në Rumani ndihej kudo. Në Shkodër ishte bërë një përpjekje për të rrëzuar bustin e Stalinit. Pas kësaj, një grup të rinjsh shkodranë i çuan fjalë IS se donin të takoheshin me të. Ishin shokët e atyre që ishin arrestuar për shkak të bustit dhe tani po i torturonin në dhomat e policisë. Is iu përgjigj me një telegram se do t’i priste. Kështu erdhi në shtëpinë tonë i dërguari i tyre, një djalë fare i ri, i brishtë, me një vështrim të kthjellët, ku i lexohej një vendosmëri e pakthyeshme për të bërë diçka të fortë, edhe pse, nga sa më tregoi IS më pas, nuk e kishin të qartë se çfarë pikërisht duhej të bënin. Djaloshi shkodran quhej Ardian Ndreca. Për mua ishte hera e parë që po shikoja kundërshtarë të regjimi të brezit ku bënin pjesë vajzat tona.

Në shënimet e tij të botuara, kur ka qenë fjala për përjetimet e vitit 1990, Is nuk e ka përmendur asnjëherë këtë takim. Ashtu siç nuk ka përmendur njerëzit që ka liruar nga burgu ose internimi, ose jehonën e intervistës ku, duke kërkuar vendosjen e bustit të Gjon Buzukut, përpara Akademisë së Shkencave, kërkonte praktikisht heqjen e bustit të Stalinit, që ndodhej pikërisht te hyrja e Akademisë.

Arsyeja e mospërmendjes së këtyre fakteve, ishte trysnia që u bë e zakonshme në Shqipëri fill pas rënies së komunizmit.. po të flisje për gjëra të tilla, me dhjetëra njerëz të hidheshin në fyt: pse i përmend këto? Mos do të hiqesh si hero?

Trysnia bëhej sidomos nga njerëz që duke mos bërë asgjë për të ndihmuar sadopak zhvillimin e ngjarjeve nuk donin të përmendeshin shembujt që tregonin të kundërtën.
Ndoshta as unë nuk do ta përmendja ardhjen e të dërguarit të të rinjve antistalinistë shkodrane te ne, sikur Ardian Ndreca, kryeredaktor i tanishëm i Hyllit të Dritës, të mos e përmendte atë vite me pas, në një forum në Tiranë, bashkë me falënderimin publik ndaj IS.

Gjatë asaj periudhe, IS pati dy takime me presidentin e vendit, Ramiz Alinë. Të dyja herët vinte me shpresë, pastaj, pas disa ditësh bëhej nervoz. Loja hiporkite e regjimit sa vinte e bëhej më e qartë. Reformat ekonomike vazhdonin me pikatore, ai vendimi për lejimin e mbajtjes së dy qengjave, që, siç më tha Is ishte hartuar me rreth njëzet e dy faqe. E po kështu, lejimin e një lope. E po kështu, për lejimin e ca pulave e ca gjelave… Qesharake! Is thoshte se kjo punë ngjante njëlloj sikur të nxirreshin vendime për ajrosjen e shtëpive, apo orarin e fjetjes, sipas qejfit të secilit. Më e rënda nga këto ishte terrori politik, që ushtrohej po aq i egër sa më parë. Në kufi bëheshin vrasje, në burgje torturat vazhdonin. /GazetaShqiptare /KultPlus.com

Kënga e filmit të ri të James Bond iu besua Billie Eilish-it

Këngëtarja e njohur amerikane, Billie Eilish do të këndojë këngën e filmit më të ri të James Bond, “No Time to Die”. Këtë e kanë bërë të ditur producentët e filmit, Michael G. Wilson dhe Barbara Broccoli.

“Jemi të ngazëllyer të njoftojmë se Billie dhe Finneas kanë shkruar një këngë jashtëzakonisht të fuqishme dhe prekëse për filmin ‘No Time To Die” thanë producentët.

Billie, vetëm 18 vjeçe, e njohur për hitin e saj “Bad Guy” – është artistja më e re në histori që ka shkruar dhe kënduar këngë për filmin e James Bond.

“Ndjejnë e çmendur të jesh pjesë e kësaj në çfarëdo mënyre. Që të mund të incizosh këngën e filmit që është pjesë e një serie aq legjendare është nder i madh. James Bond është franshiza më e mirë e filmit që ekziston ndonjëherë. Akoma jam e shokuar“,  tha Billie.

“No Time to Die” paraqet kthimin e aktorit Daniel Craig si spiuni britanik James Bond, i cili thirret nga pensionimi për të shpëtuar një shkencëtar të rrëmbyer. Ekipi i tij i portretizuar nga Ralph Fiennes, Ben Whishaw dhe Naomie Harris të gjithë kthehen, dhe poashtu Lashana Lynch që luan Nomi – agjenten 00, pas pushimit të Bond nga shërbimi aktiv. E sa u përket tipave të këqij, Christoph Waltz kthehet si Blofeld dhe Rami Malek bashkohet si keqbërësi Safin. “No Time To Die” me regjit të regjisorit amerikan Cary Fukunaga do të shfaqet premierë më 8 prill 2020./21Media / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=BIhNsAtPbPI&feature=emb_title

Komentet kërcënuese të nacionalistëve serbë: Nëse kemi fat, do t’jua bëjmë sërish si në Reçak


Padyshim se Masakra e Reçakut përbën një prej ngjarjeve më të rënda që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Kriminelët serbë që e kryen gjenocidin ndaj popullit kosovar asnjëherë nuk i pranuan akuzat , e njëjtë po vazhdojnë edhe pasardhësit e tyre në pushtet. Ndërkaq, në një video që tregon pamje të rënda nga dita kur ndodhi kjo tragjedi, një nacionalist serb ka kërcënuar se ‘me pak fat, të njëjtën do ta bënin sërish’.

Sot kjo masakër shënon 21 vjet dhe po kujtohet e po bëhen homazhe nga figura të larta shtetërore të cilët kërkojnë drejtësi për viktimat e familjarët e tyre.

Madje, Presidenti Hashim Thaçi pak më parë para mediave tha se ndërkombëtarët kanë bërë shumë pak sa i përket kësaj çështje të rëndë, pasi që serbët po vazhdojnë rrugën e Slobodan Milosevic.

Se serbët nuk janë mbushur mend e se nuk e pranojnë këtë masakër, e vërtetojnë edhe disa komente në një video të publikuar në YouTube.

Nacionalistët serb e kanë quajtur këtë masakër vetëm një trillim, madje duke thënë se kjo gënjeshtër ka dalur nga ish-Ambasadori i OSBE’së, William Walker.

Por, komenti më i rëndë në këtë video është ai i një personi i cili po kërcënon se do ta bënin sërish të njëjtën ndaj popullit të Kosovës.

“Me pak fat, do t’ua bëjmë sërish të njëjtë. Këtë herë më të vërtetë’, ka shkruar një serb.

Ndryshe, mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe.

Në vendin që aso kohe pak kush ia dinte emrin, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

Trupat e të masakruarve janë varrosur pak metra më larg fshatit tek Kompleksi Memorial, ku valëvitet flamuri kombëtar.

Këtu është ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriu i cili për herë të parë masakrën e Reçakut e cilësoi krim kundër njerëzimit. /Metro / KultPlus.com

Walkeri edhe këtë vit në Reçak, u dhuron përqafime fëmijëve

Si çdo vit, edhe këtë herë, ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker, u kthye në Kosovë për të përkujtuar viktimat e masakrës së Reçakut të cilët 21 vjet më parë mizorisht u masakruan nga forcat ushtarake serbe.

Walkeri gjatë vizitës së sotme në Reçak, përveç homazheve, u pa edhe shumë i afërm me fëmijët e dëshmorëve.

William Walkeri, ishte dëshmitari më i madh para drejtëisë ndërkombëtare për Masakrën e Reçakut.

Ai vazhdimisht kishte pohuar se Masakra e Reçakut, kishte qenë një ndër krimet më të mëdha që janë bërë kundër njerëzimit. /KultPlus.com

“Nganjëherë në jetë kemi dhimbje, por gjithmonë ka një të nesërme”

Nga: Bill Withers
Shqipëroi: Bujar Meholli

Të gjithë kemi dhimbje dhe pikëllim,
por duhet ta dimë se gjithmonë
një e nesërme ekziston.

Andaj mbështetu te unë
kur e ndjen se forcat po të lënë,
unë do të jem miku yt
dhe do të të ndihmoj
tutje të vazhdosh…

Mos mbaj inat
largoje krenarinë
nëse mund të të ofroj
diçka që do t’i plotësonte
nevojat tua
do të ta ofroj.

Më telefono, vëlla, kurdo që të nevojitem
ne të gjithë ndjejmë nevojë
për ta pasur dikë pranë
te i cili mund të mbështetemi.

Kur e ndjen që nuk je i fortë
unë jam këtu për ty
do të ndihmoj të ecësh tutje
ne do të ecim tok
andaj thjesht më telefono,

këtu do të jem
për ty
më telefono
më telefono… /KultPlus.com

Karl Gustav Jung, psikiatri që “krijoi” njeriun e Nëntëqindës

Ai ishte një nga më të mëdhenjtë e shekullit të njëzetë, ai zbuloi se në detin e madh të të pavetëdijshmes ekziston identiteti ynë personal, por edhe një trashëgimi universale që ka të bëjë me të gjitha qeniet njerëzore. Dhe një rrëfim për përplasjen me Freud-in, që e vuri dishepullin para dilemës: të ishte besnik i mësuesit, apo besnik i idesë?

Pak mendimtarë kanë patur ndikim mbi mendimin e shekullit 20 si Carl Gustav Jung. Mendimi i tij është shumë më popullor, nga sa mund të mendohet. Dhe shumë nga termat që ai krijoi, kanë hyrë tashmë në hapësirën e gjuhës së zakonshme. Kur themi, për shembull, se Inspektori Montalbano ka fytyrën e Zingarettit, dhe që tani kushdo që lexon romanet e tij sheh atë fytyrë, ne përdorim konceptin e të pavetëdijshmes kolektive në një mënyrë sipërfaqësore, por jo plotësisht të gabuar. Dhe kur pyesim veten se kush ishte futbollisti më i madh I të gjitha kohërave, Pelé apo Maradona, ne në të vërtetë po aplikojmë një koncept Jungian. Në fakt, po kërkojmë arketipin e futbollistit, atë figurë të fundme dhe të padiskutueshme që mund të mishërojë në sytë e të gjithëve konceptin e “futbollit”. Fjalë dhe ide të tilla si arketipi, energjia simbolike, e pavetëdijshmja kolektive dhe madje edhe introvert e ekstrovert (konceptet e prezantuara nga Jung në veprën e tij Tipas Psikologjike të 1921) kanë lënë prej kohësh horizontin e vogël të literaturës specialistike, për të mbërritur në oqeanin e gjerë të gjuhës së përditshme.

Përpara Freud-it

Jung lindi në Kessvil, Zvicër, më 26 korrik 1875 dhe pati një fëmijëri të lumtur. Ai nuk ishte një fëmijë i shoqërueshëm dhe megjithëse ishte i aftë për marrëdhënie normale, nuk e kishte problem të luante vetëm. Në moshën njëzet vjeç u regjistrua në mjekësi në Universitetin e Bazelit. Nëse është e vërtetë që ndonjëherë teza e diplomimit zbulon interesa që do të mbesin për gjithë jetën, Jung është një shembull i përsosur.

Punimi i tij, botuar në vitin 1902 nën titullin “Psikologjia dhe patologjia e të ashtuquajturave fenomene okulte”, zbulon interesimin e Jung-ut për atë që nuk mund të shpjegohet vetëm me logjikë. Nga fenomenet okulte të vitit 1902, tek komentimi i Librit Tibetan të të vdekurve, Ching, alkimia, UFO-t, Jung ka qenë gjithmonë i vëmendshëm për gjithçka që shkonte përtej logjikës perëndimore. Pas tezës së diplomës, për Jung-un u hapën dyert e një karriere të shkëlqyer akademike. Gjatë kësaj periudhe, vepra më e rëndësishme është “Psikologjia e dementia precox”, 1907, një studim kliniko-teorik që përpiqej të propozonte mënyra të reja për të trajtuar problemin e demencës së hershme. Pastaj erdhi takimi me Frojdin dhe mendimin e tij.

Takimi me Freud-in

Puna e Jung me pacientët me çrregullime mendore e bëri atë të vëmendshëm ndaj botimeve që ofronin mënyra të reja për të trajtuar këtë lloj sëmundjeje. Duke reflektuar mbi shkrimet e Freud-it, Jung-u u bind për vërtetësinë e teorive të tij dhe i shkruajti duke shprehur admirimin e vet. Më 1907 të dy më në fund u takuan. Freud-i ishte 51 vjeç dhe Jung-u 32 vjeç. Diferenca në moshë bëri që Freud-I ta konsideronte Jung-un pothuajse si një djalë, ose të paktën një dishepull të ri dhe shumë të zotë. Në vitin 1909, pas vetëm dy vjetësh njohje, Jung-u shoqëroi Freud-in në udhëtimin e tij të famshëm për në Shtetet e Bashkuara. Dhe ishte gjatë udhëtimit me anije, që marrëdhëniet midis të dy filluan të pësojnë çarje.

E pavetëdijshmja kolektive

Kontrasti midis Freud-it dhe Jung-ut shpërtheu në vitin 1912 me botimin e “Libido: simbole dhe transformime”, vepër që u rishikua më pas në formën e saj përfundimtare në vitin 1952, dhe u botua nën titullin “Simbolet e Transformimit”. Në këtë vepër, Jung-u prezantoi rezultatin e rrugëtimit të tij teorik dhe studimeve të zgjeruara, nga individi tek historia kolektive e njerëzimit.

Për Jung-un, ekzaminimi i shprehjeve të ndryshme filozofike, kulturore dhe fetare të njerëzimit tregonte se, përveç individit të pavetëdijshëm ekziston edhe një e pavetëdijshme kolektive, e cila bashkon qeniet njerëzore dhe shprehet në arketipet, domethënë në ato figura të qarta dhe të paqarta që mishërojnë një koncept dhe të cilat mund të pikasen menjëherë: Nëna, Fëmija, Heroi, Shenjti, Shëruesi. Për Jungun, qenia njerëzore është e thirrur të ndjekë një rrugë të rritjes së brendshme, të cilën ai e quan individualizim. Eshtë një proces personal që na lejon të identifikojmë egon tonë, duke u përballur me vetveten si me individin ashtu edhe me të pavetëdijshmen kolektive. Për Jung-un, pra, psikika ka një projekt, dhe një psikikë e shëndetshme është ajo që identifikon dhe ndjek qëllimin e saj përfundimtar.

Përseja e konfliktit

Mbi bazën e këtyre reflektimeve, Jung-u dhe Freud-I hynë në konflikt, edhe sepse në mes ishte mënyra se si duhej kuptuar epshin. Për Freud-in identifikohej në ngasjen seksuale. Ishte shtytja për diferencimin seksual dhe kënaqja e nevojave të individit. Dhe sipas tij, psikoanalizës i duhet të studojë nxitjet seksuale, sepse epshi fsheh mesazhet e të pandërgjegjshmes. Për Jung-un kjo ishte kufizuese. Ai nuk mund të pranonte që çdo krijimtari artistike ose filozofike buronte nga seksualiteti.

Kjo është arsyeja pse ai foli për simbolet dhe transformimet. Për të, u bë e domosdoshme të zgjerohej koncepti i epshit, në mënyrë që të përfshihen elementë të tjerë që përbëjnë të ashtuquajturën “energji psikike”. Për Jung-un, në të vërtetë, ekziston një energji psikike që shndërrohet dhe shprehet përmes një “funksioni simbolik”. Ky funksion, me pak fjalë, është aftësia për të përpunuar konceptet dhe shtytjet individuale, duke i shndërruar ato në simbole, domethënë në shenja “që tregojnë diçka tjetër”. Historia e Jung-ut është histori e një dishepulli, i cili përballet me një zgjedhje: të jetë besnik i mësuesit, apo besnik i idesë? Freud-i kishte sjellë në jetë psikanalizën, por tani ajo ishte më e rëndësishme se vetë Freud-i dhe Jung-u ndjeu se ishte detyra e tij, që ta bënte të rritej përtej themeluesit.

Alkimia dhe misticizmi

Koncepti i “transformimit” e mahniti Jung-un, i cili pyeste veten se si, në shekujt para zbulimeve të para të Freud-it, energjia psikike, gjithnjë e pranishme tek njeriu, kishte gjetur një mënyrë për t’u shprehur dhe nëse, në histori, mund të gjendeshin shembuj të tjerë “individualizimi”. Ky interes e shtyu atë të studionte Alkiminë, duke e konsideruar jo si paraardhëse të kimisë, por si mënyra për shndërrimin e Vetes, që sipas Jungut, ishte qëllimi përfundimtar i jetës psikike. Krahas Alkimisë, Jung-u identifikoi një rrugë tjetër me të cilën njeriu kishte udhëtuar duke kërkuar – pa qenë i vetëdijshëm – vënien në praktikë të procesit të identifikimit të vetvetes, gjegjësisht mistikës dhe veçanërisht asaj lindore. Jashtë një rrethi të vogël specialistësh, Jung-u ishte ndër të parët që u interesua për tekstet e lashta fetare siç është “Libri Tibetan i të Vdekurve”, i cili tregon rrugën që shpirti njerëzor merr në jetën e përtejme, dhe Ching, një traktat të artit hyjnor kinez, qëllimi i të cilit është të tregojë ndërlidhjet midis njeriut dhe kozmosit, për të nxjerrë mësime që duhen zbatuar në jetën aktuale.

Struktura e Personalitetit

Për Jungun, struktura e psikikës është Personi – Hija – Animus – Anima

  • Personi është uni personal
  • Hija është përfaqësimi i shtytjeve dhe dëshirave të fshehta të të pandërgjegjshmes
  • Animus është imazhi mashkullor i pranishëm tek femra
  • Anima është imazhi femëror i pranishëm tek mashkulli.

Bashkimi i gjithë këtyre të çon tek Vetja, ose shprehja e plotë e personalitetit. Një vizion i tillë shkaktoi skandal, sepse pohimi që tek çdo burrë ishte i pranishëm edhe një aspekt femëror binte ndesh me maskilizmin e shoqërisë së kohës së tij.

Përgatiti: bota.al /KultPlus.com