Jackie Chan flet pas thashethemeve se është infektuar me Koronavirus

Më shumë se 84.000 njerëz janë të infektuar dhe gati 2.900 kanë vdekur nga “COVID-19, i njohur ndryshe si koronavirus, shkruan DailyMail.

Afro 100 persona janë infektuar në Hong Kong, andaj kishte shqetësime se edhe Jackie Chan mund të jetë në mesin e të prekurve ose i mbyllur në karantinë.

Ylli botëror i filmit, 65 vjeç, përmes rrjeteve sociale siguroi fansat e tij se ai është mirë.

‘Faleminderit për shqetësimin e të gjithëve! Unë jam i sigurt dhe shëndoshë. Ju lutem mos u shqetësoni, nuk jam në karantinë. Shpresoj që të gjithë të qëndrojnë të sigurt dhe të shëndetshëm!”, ka shkruar aktori.

Aktori ka pranuar dhurata, përfshirë edhe maska për fytyrë nga njerëzit nga e gjithë bota, ndërsa frika nga koronavirusi po përhapet.

“Kam marrë edhe disa dhurata shumë të veçanta nga fansat në të gjithë botën gjatë kësaj kohe shumë të vështirë,” shtoi Chan në një deklaratë në www.jackiechan.com.

Ai falënderoi fansat që i dërguan maska dhe tha se ka kërkuar nga stafi i tij t’i dërgojnë ato ku ka nevojë.

Për shkak të koronavirusit ishte shtyrë edhe premiera e filmit të ri të Jackie Chan, për shkak të mundësisë së përhapjes së virusit në kinema. /Lajmi.net /KultPlus.com

Në klipin e Dua Lipës flitet shqip (VIDEO)

Në videon e Dua Lipës për revistën ”Vogue”, dëgjohet një fjali në shqip, e cila përkthehet ndërkohë me titra anglisht.

Nëse e keni parë një herë këtë video me siguri nuk e dalluat zërin e një vajze që thotë ”Ajo veshi Marc Jacobs”.

Artistja kosovare me famë në botë e ka shpërndarë këtë video në Instagram, ku ndiqet nga afërisht 40 milion njerëz. Dua gjithmonë ka treguar për origjinën e saj dhe sesa krenare ndihet që është shqiptare. Vetëm të përmendim koncertet e mbajtura në Kosovë, ”Sunny Hill Festival”, ku performojnë artistët më të mirë botërorë. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=aO_76YhBymM&feature=emb_title

Kur shkrimtarja zvicerane, dëshmonte për krimet serbe në Shqipëri

“La Jeune République” ka botuar, të dielën e 25 shtatorit 1921, në faqen n°3, rrëfimin e shkrimtares zvicerane mbi krimet serbe ndaj shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Në grupin e kombësive të Lindjes, ekziston një vend i vogël, i cili, i rrethuar nga fqinjë të fuqishëm, kërcënohet se do të humbasë pavarësinë e tij : është ish-çifligu i Princ Vidit : Shqipëria.

Kufijtë e saj, si dhe statusi i saj ndërkombëtar, sidoqoftë, ishin përcaktuar në një mënyrë të saktë nga marrëveshjet e 1913 dhe 1914, por, gjatë luftës, Shqipëria ishte neutral (asnjëanëse). A po e paguan tani çmimin për asnjanësinë e saj ?

Edhe mund ta besojmë këtë ! Është e vërtetë që vendndodhja e saj strategjike në Adriatik, izolimi i saj, dobësia e saj dhe veçanërisht afërsia e mbretërive të fuqishme serbo-kroate dhe greke ka të ngjarë ta tërheqin atë në telashe dhe armiqësi.

Në mungesë të arsyeve juridike, ato zbuluan arsye strategjike për pushtimin e territorit të saj. Serbët veçanërisht, në veri të Shqipërisë, u dalluan për mizoritë më të këqija. Rrethina të tëra, siç është Kosova, u dogjën, popullata u masakrua dhe pronat u plaçkitën.

Me ndihmën e trupave të rregullta dhe organizatës së njohur si : Tserna Ruka (dora e zezë), serbët “civilizuan” rrethinat e pushtuara, aq sa, për dy muaj, dikush mund të numëronte deri në dymbëdhjetë mijë shqiptarë viktima të aksioneve të tepruara.

Dëshmia e një personi neutral (sepse akoma ka të tillë !) është e dobishme këtu. Ja çfarë shkruante zonja Noëlle Roger, kur u kthye nga Durrësi, në Journal de Genève më 21 shtator :

Ne kemi marrë pjesë në shpërndarjen e supës që Kryqi i Kuq amerikan i dhuron çdo mbrëmje grave dhe fëmijëve të refugjatëve të dëbuar nga fshatrat e tyre të rrënuara, të cilët kanë shpëtuar nga masakrat e numërta që ende vazhdojnë në territoret e pushtuara nga Serbët në Shqipërinë e lirë.

Të porsalindur të sëmurë, nënat adoleshente që kujdesen për foshnjat e tyre të drobitura, fytyrat e rraskapitura të sëmurëve, gra të plakura të dobëta, dhe ky trishtim që dallohej në pamjet e zymta, këto sy të uritur të fëmijëve që ndjekin tasat dhe i përpijnë ata paraprakisht, të gjithë këta rreckamanë që dikur ishin fshatarë të pasur, që jetonin kryesisht falë punës së tyre – çfarë vizioni mjerimi dhe dëshpërimi e pamundur të bëheshin më pak të dhimbshëm sesa kujtimet tona më të dhimbshme të luftës… Dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë, hasim të njëjtin ankth.

Shqipëria neutrale, e cila kërkon vetëm paqen, tani është e kërcënuar nga copëtimi që do ta shpjerë në dënimin me vdekje. Edhe më i thjeshti nga fshatarët e di këtë gjë. Dhe ky popull i vogël malsor, i dhënë me zell për tokën dhe pavarësinë e tij, është i gatshëm të vdesë, nëse Evropa, indiferente dhe injorante, do të luajë më këtë padrejtësi mizore…

Shqiptarët ende dhe fatkeqësisht nuk kanë sosur në fund të vuajtjes së tyre. Sot, mësojmë se u është dërguar një ultimatum nga serbo-kroatët për evakuimin e gjashtë zonave strategjike në kufi. Ultimatumi nuk është ekzekutuar nga shqiptarët, kështu shpërthimi i armiqësive është i pashmangshëm …

Çfarë po mendojnë të bëjnë shqiptarët ? Kundër një ushtrie prej 200,000 burrash, ata nuk duhet të mendojnë për rezistencë me armë. Ata mundën t’i bënin vetëm një kërkesë të re Lidhjes së Kombeve duke i kërkuar asaj që t’i mbronte ata.

Por a nuk duhet patur frikë se kjo e fundit do të heqë dorë nga ky nder, si në korrikun e kaluar, sepse çështja shqiptare është dorëzuar tashmë në Këshillin Suprem (e Lartë), dhe Lidhja e Kombeve ka qenë gjithmonë e kujdesshme që të mos ndërhyjë në punët e aleatëve të fuqishëm.

Meqenëse Lidhja e Kombeve është e pafuqishme, a nuk munden Franca dhe aleatët e saj t’u kujtojnë serbo-kroatëve që të jenë më të moderuar dhe të respektojnë traktatet ?

A nuk rrezikon heshtja e Francës të forcojë tezën e atyre që sigurojnë se marrëveshje të fshehta ishin lidhur, gjatë luftës, midis aleatëve, në dëm të popujve të pambrojtur, dhe që e akuzojnë atë se po favorizon imperializmin e aleatëve të saj të rinj? /KultPlus.com

Historia dhe kuriozitetet e “vitit të brishtë”

Por çfarë është një vit i brishtë?
Është një vit me 366 ditë, kjo e fundit shtohet për të rregulluar shtyrjen e stinëve. Nëse do të mbaheshin gjithmonë 365 ditë, do të mblidhej çdo 4 vjet, një ditë me vonesë.

Rregulli
Ajo e kalendarit gregorian thotë: «Një vit është i brishtë nëse numri i tij mund të pjesëtohet me katër, përjashtim janë vite shekullore, (që janë të përpjesëtueshme me 100,) që nuk mund të përpjestohen me 400”.

Tradita angosaksone
Në botën anglosaksone, viti i brishtë quhet Leap year, d.m.th Viti i kalimit. 29 shkurti është Dita e Shën Patrikut dhe sipas traditës është e vetmja datë në të cilën vajzat, mund t’i kërkojnë të të fejuarit të martohet me do.

Tradita e do që ajo të këtë 12 palë dorashka, një për çdo muaj, për të fshehur dorën pa unazë të vajzës.

Historia
Ishte Jul Cesari që e prezantoi ditën më shumë çdo katër vjet, kjo për të barazuar llogaritë me 6 orët që mbeteshin çdo vit sipas përllogaritjeve të astronomit të tij.

Ishte Papa Gregori XIII që me vendim papnor vendosi në 1582, të eliminonte 3 vite të brishta, kjo sepse ishte parë të spostim përpara, duke shtuar nga një ditë, çdo katër vjet, duke rrezikuar Pashkën.

Vit i brishtë, vit i trishtë
Romakët mendonin se viti i brishtë, ishte dhe vit i trishtë, që sillte epidemi dhe tragjedi të mëdha. Ndërsa të tjerë mendojnë që është dhe viti i balenës, sepse mendohet se balen lind çdo katër vjet. Vitet e brishta përkojnë dhe me realizimin e Olimpiadave.

Të lindurit në 29 shkurt
Mundësia për të lindur në një “vit të brishtë” është 1 në 1,461. Në vitet e zakonshme, të lindurit më 29 shkurt e festojnë ditëlindjen e tyre më 28 shkurt ose më 1 mars, por edhe këtu ka një debat. Disa sugjerojnë se të lindurit përpara mesditës së 29 shkurtit duhet ta festojnë ditëlindjen më datë 28, ndërsa ata që kanë lindur pas mesdite, duhet të festojnë më 1 mars.

Përse femrat u propozojnë meshkujve në një “vit të brishtë”?
“Viti i brishtë” njihet edhe si viti kur femrat mund të marrin guximin për t’u propozuar meshkujve për martesë. Legjenda daton në shekullin e 5-të, kur një murgeshë irlandeze, Shën Bridget u ankua te Shën Patrick se femrat duhet të prisnin shumë deri sa t’u vinte propozimi për martesë. Kështu, Shën Patricku vendosi t’u lejonte femrave të pyesnin ato meshkujt ë çdo katër vite. /KultPlus.com

Dua Lipa realizon klip të veçantë për “Vogue”

Dua Lipa është emër shumë i kërkuar edhe për kampanja reklamuese nga brende të njohura.

Së fundi, këngëtarja bashkë me “Vogue Magazine”, ka realizuar një klip të shkurtër, përmes së cilit prezanton disa prej koleksioneve të “Javës së Modës në Nju Jork”.

Dua vesh koleksionet e vjeshtës 2020 të stiluara nga dizajnerë të njohur, teksa paraqitet me stil të viteve ’90-ta.

Me anë të këtij klipi, ajo synon të tregojë se si është një ditë e një artisti. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=aO_76YhBymM&feature=emb_title

Google shton edhe pesë gjuhë në sistemin e tij të përkthimit

Google tha se sistemi i tij i përkthimit online ka shtuar pesë gjuhë të reja: tatare, turkmene, ujgure, kinyarvanda dhe odia.

Gjiganti i internetit, me seli në SHBA, tha se me gjuhët e reja, sistemi i përkthimit të menjëhershëm në kompjuterë dhe pajisje mobile tani përfshin 108 gjuhë.

Google tha se këto pesë gjuhë kanë paraqitur në veçanti problem, për shkak të mungesës së përkthimeve online në ato gjuhë.

Ky është shtimi i parë që bëhet pas katër vjetësh, përcjell rel.

Gjuha ujgure është zyrtare në rajonin veriperëndimor të Kinës, Ksinjiang.

Gjuha turkmene është zyrtare në Turkmenistan – shtet në Azinë Qendrore, ndërsa ajo tatare në Republikën e Tatarstanit, që ndodhet brenda Federatës Ruse.

Odia flitet në shtetin indian Odisha, kurse kinyarvanda është gjuhë zyrtare e shtetit afrikan të Ruandës. / KultPlus.com

Victor Hygo: Një puthje, dhe kjo ishte e gjitha

Pjesë e shkëputur nga libri “Të Mjerët”, Victor Hygo!

“Ai ra në ndenjëse, ajo pranë tij. Fjalë më s’kishte. Yjet kishin filluar të shkëlqenin. Si ndodhte që zogjët këndonin, bora shkrihej, trëndafilat hapeshin, Maji lulëzonte, që agimet zbardhin prapa drunjëve të zi mbi majën e malit që po dridhej?

Një puthje, dhe kjo ishte e gjitha.

Të dy u trembën, dhe në errësirë e shikuan njëri – tjetrin me syt briliant.

Ata nuk e ndjenin as natën e freskët e as gurin e ftohtë, as tokën e njomë e as barin e lagur; ata e shikonin njëri-tjetrin dhe zemrat e tyre ishin përplot mendime. Duart i kishin shtrënguar pa e vënë re as vetë.

Ajo nuk e pyeti atë; mandje as nuk e mendoi se ku dhe si ia kishte bërë ai që të futej brenda kopshtit. Asaj i dukej shumë e natyrshme që ai duhej të ishte aty.

Kohë pas kohe, gjuri i Mariusit e prekte atë të Kozetës. Një prekje që trondiste. Ndonjëherë, Kozeta e belbëzonte ndonjë fjalë. Shpirti i dridhej në buzët e saj sikur vesa e njomë mbi një fletë luleje.

Dalëngadalë ata filluan të flasin. Mbingarkesa arriti të heshtë. Mbi kokat e tyre, nata ishte gjakftohtë dhe e lavdishme. Këto dy krijesa, të pastërta si shpirta, i treguan gjithçka njëri-tjetrit; ëndërrat e tyre, furin dhe eksitimet, monstrat, treguan se si e kishin adhuruar nga larg njëri-tjetrin, se si ishin përgjëruar për njëri-tjetrin dhe si ishin dëshpëruar kur nuk e kishin parë njëri – tjetrin. Ata i besonin njëri – tjetrit në një intimitet ideali.

Ata i treguan njëri – tjetrit, me një besim të sinqertë në iluzionet e tyre, gjithë atë dashuri, rini dhe mbetjet e fëmijërisë së tyre që e sillnin ndërmend.

Këto dy zemra e derdhnin veten mbi njëra – tjetrën dhe kështu kur një ore i vinte fundi, ishte djaloshi i ri ai që e kishte shpirtin e vajzës së re dhe gjithashtu edhe vajza e re ajo që e kishte shpirtin e djaloshit. Ata depërtonin thellë brenda njëri – tjetrit, kënaqeshin dhe vërboheshin nga njëri – tjetri.

Kur ata përfunduan, kur tashmë i kishin treguar gjithçka njëri – tjetrit, ajo e vendosi kokën mbi krahërorin e tij dhe e pyeti: “Si e ke emrin?”

“Emrin e kam Marius” – tha ai. “Po ti?”

“Unë quhem Kozeta.”

– Victor Hygo“Të Mjerët”

Birra Corona e pëson keq nga përhapja e virusit

Kompania e cila është pronare e birrës Corona po ballafaqohet me humbjet më të mëdha në dhjetë vjetët e fundit, si pasojë e përhapjes së koronavirusit.

Anheuser-Busch In Bev zotron disa nga brendet më të njohura botërore të birës, duke përfshirë edhe Budweiser, Stella Artois, Beck’s dhe Corona.

Mirëpo në dy muajt e fundit që kur koronavirusi ka filluar të shpërndahet në Kinë, kompania ka pësuar 170 milionë dollarë humbje nga fitimet në vend, pikërsht në kohën kur ata po prisnin shitje të mëdha për shkak të vitit të ri hënor.

Birra Corona

Humbjet e kanë detyruar kompaninë që të shkurtojë bonuset për shefin ekzekutiv dhe të parashikojnë një nga rëniet më të mëdha në profitet e çerekut të një viti.

Kompania beson se rënia në profit është efekt i asaj se shumë pak njerëz po dalin në publik në Kinë për të mënjanuar rrezikun e infektimit me virus.

Kjo po ndikon edhe në jetën e natës, ku shumë lokale e restorante po detyrohen të mbyllen.

Njerëzit në mbarë botën në fillim kanë menduar, e disa madje kanë qenë të bindur, se koronavirusi është shkaktuar pikërisht nga bira me emrin e njëjtë, ‘Corona’, gjë që ka detyruar kompaninë të reagojnë duke shpjeguar se kjo nuk është aspak e vërtetë. / Express / KultPlus.com

Varfëri

Poezi nga Rina Mujku

Do të të bëj një pyetje,
A e ke menduar ndonjëherë
Ç’do të thotë varfëri?
Epo, unë po.

Të zgjohesh çdo mëngjes,
T’i hapësh sytë bashkë me diellin
Pa e mbushur shpirtin me dritën e tij…
Në tavolinën e ushqimit
Të ngopesh çdo ditë me egoizëm
Pa menduar për tjetër njeri…
Në rrugët plot njerëz
Ta përshëndesësh veç veten
Pa zgjuar pak mirësi…
Të mos përtosh që
Pas dështimit t’i rrahësh krahët vetes
Pa u përpjekur për pak ardhmëri…
Të shohësh veten tek thyhesh nga pak
E të mos ndjesh dhembshuri,


Më thuaj,
A nuk është kjo varfëri?!
S’e kisha fjalën për
Një kulm mbi kokë a pasuri…
Por, për atë që të bën ose jo njeri.
Më thuaj ti tani.

/KultPlus.com

Orhan Pamuk: Dashuria është kapja dorë për dore në kinema

Orhan Pamuk është njëri nga autorët më të njohur të letërsisë bashkohore, i cili përveç librave të tij që janë ndër më të lexuarit e kohës, është i njohur edhe për disa thënie shumë të njohura për publikun, shkruan KultPlus.com

Këtu kemi përzgjedhur disa nga thëniet e tij mbi dashurinë:

Dashuria është dorëzimi. Dashuria është shkaku i dashurisë. Dashuria është të kuptosh. Dashuria është një muzikë. Dashuria dhe shpirti fisnik janë e njëjta gjë. Dashuria është poezia e trishtimit.

Dashuria është vështrimi i shpirtit të thyer në pasqyrë. Dashuria është kalimtare. Dashuria është të mos thuash kurrë që jam penduar. Dashuria është kristalizim. Dashuria është të japësh. Dashuria është ndarja e një çamçakëzi. Dashuria kurrë nuk vihet re. Dashuria është një fjalë boshe. Dashuria është të takosh Zotin. Dashuria është një dhimbje. Dashuria është të jesh sy më sy engjëllin. Dashuria është tek lotët. Dashuria është pritja në kokë të telefonit.

Dashuria është një botë e tërë. Dashuria është kapja dorë për dore në kinema. Dashuria është një dehje. Dashuria është një bishë. Dashuria është një verbëri. Dashuria është të dëgjosh zërin e zemrës. Dashuria është një qetësi e shenjtë. Dashuria bëhet temë nëpër këngë. Dashuria i bën mirë fytyrës.

Dashuria është malli ndaj një personi që do ta përqafosh fort dhe të duash të rrish me të. Është të dëshirosh se duke përqafuar atë harron gjithçka në botën e jashtme. Është malli i njeriut për të gjetur strehë të sigurt për shpirtin e tij.” /KultPlus.com

– Orhan Pamuk

Të hënën, Burim Gashi vjen me ekspozitën “Heshtje e rëndë”

Artisti Burim Gashi vjen të hënën me ekspozitë individuale “Heshtje e rëndë” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.com

Kuratore e kësaj ekspozite është Manya Gramsch e cila njëherit në deklaratën e saj të publikuar në njoftim ka vlerësuar lartë ekspozitën e Burim Gashit.

Heshtje e rëndë / Heavy silence, kuruar nga Manya Gramsch do të vjen më 2 Mars, në orën 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Të shikosh një peizazh të natyrës së qetë mund të jetë relaksues madje edhe i gëzueshëm. Por ndonjëherë ato pamje sjellin ndjenja të përziera. Në disa vende ka një heshtje të rëndë në ajër, një pasiguri që mund ta ndjeni edhe pse nuk mund të shihni asgjë. Kjo atmosferë mund të bëhet edhe më e fortë nëse dini për historinë e atij vendi ose nëse kërkoni përgjigje që nuk mund të gjenden”, ka shkruar mes të tjerash kuratorja Gramsch, e cila vlerëson se ekspozita `heshtja e rëndë`, tregon veprat e fundit të skulptorit kosovar Burim Gashi dhe tregon pasojat emocionale të ngjarjeve traumatike që ishin krijuar nga lufta, dhuna dhe paqartësia për njerëzit e zhdukur.

“Në këtë seri të re të veprave Burimi tregon shumë përvoja personale dhe traumatike që lufta dhe dekadat në vijim i kanë shkaktuar atij dhe njerëzve përreth tij. Duke shikuar veprat e tij vërehet se materiali i skulpturave
monumentale nga çeliku shkakton një kontrast të vrazhdë me format
organike, rrjedhëse të pamjes filigrane të skulpturave dhe
instalacioneve. Forma dhe materiali i veprave të artit reflektonte mbi
peshën subjektive që shtrihet mbi çdo person dhe gjithashtu shtrojnë pyetje se çfarë po ju bën kjo peshë njerëzëve nëse vazhdojnë ta mbajnë atë në heshtje. Në veprat e tij Burim Gashi jo vetëm që po i hap veten audiencës, por gjithashtu krijon një hapësirë ​​të ndjeshme për të reflektuar, menduar dhe folur për përvojat, emocionet dhe kujtimet individuale dhe kolektive”, thuhet në vlerësimin e kuratores./ KultPlus.com

Uliks Fehmiu në Beograd: Bekim Fehmiu u tërhoq nga skena si protestë kundër epidemisë nacionaliste

Në Beograd sonte është hapur edicioni i 48-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Beograd, dhe në këtë edicion, i ftuar nderi ishte Uliks Fehmiu, i cili edhe e hapi zyrtarisht këtë festival, shkruan KultPlus.

Në fjalimin e tij, Uliks Fehmiu para audiencës në Beograd tha se kur është njoftuar se ky edicion do ti dedikohet punës së babait të tij, kishte filluar ti rrihte zemra më shpejt.

“Ai sinqerisht mendoi se nëpërmjet artit do të mund të ndryshonte botën”, ka thënë Uliks Fehmiu i cili ka vazhduar se babai i tij poashtu ka besuar se puna e artistit është edhe zëri i atyre që nuk mund të flasin.

Më pas Uliks Fehmiu foli edhe për zhgënjimin e babait të tij. “Ishte 51 vjeç, po aq sa jam unë tani, kur edhe vendosi në heshtje të largohej nga skena. U largua nga skena si protestë kundër epidemisë nacionaliste”, ka thënë Fehmiu. /KultPlus.com

”Eja të vdesim, e dashur”

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s’e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu.
Eja të vdesim, e dashur,
ç’na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani.

KultPlus.com

Në New York Times: Mund të ndiheni krenar që një nga sportistet më të mira të botës mbanë flamurin tuaj

“Majlinda Kelmendi, sportistja e parë nga Kosova që ka fituar medalje të artë në Lojërat Olimpike, sot përuroi statujen e saj në qytetin e lindjes.

Kelmendi është xhudiste. Ajo ka fituar medaljen e artë Olimpike në kategorinë deri në 52 kg në vitin 2016, në garat e Rio De Janeiro. Përveç kësaj, Majlinda është dy herë kampione e botës dhe dy herë kampione evropiane.

Qindra persona, përfshirë presidentin e Federatës Botërore të Judos, Marius Viser, ishin mbledhur në Pejë, 85 km në perëndim të Prishtinës, për ta parë statujen e bronzit të Kelmendit.

“Besoj se statuja do t’i motivojë fëmijët dhe do t’i bind që mund të arrijnë suksese në jetë. Unë jam nisur nga ky vend i vogël dhe kam arritur majat botërore” – u shpreh Majlinda, 28 vjeçare.

Majlinda është zgjedhur “sportistja e vitit” në tri vitet e fundit në Kosovë.

“Majlinda është inspirimi më i mirë për sportin e Kosovës – u shpreh Marius Viser, kryetari i Federatës Botërore të Xhudos. “Mund të ndiheni krenar që një nga sportistet më të mira të botës mbanë flamurin tuaj”.

IFJ gjithashtu nderoi ngjarjen në webfaqen e tyre zyrtar. “Në rrethana normale, statujat bëhen për t’i nderuar ata që nuk jetojnë më. Të kesh një statuj në kohën sa jeton është përjashtim shumë i rrallë. Majlinda Kelmendi është një nga ato përjashtimet”.

Statuja i kushtoi federatës rreth 200.000 euro (220.000 dollar), dhe u bë nga dueti artistik i New Yorkut, Gillie dhe Marc.

Poeti Xhevahir Spahiu nderohet me titullin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, sot ka akorduar titullin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, për poetin Xhevahir Spahiun, shkruan KultPlus.com

Ka qenë vet Spahiu i cili ka bërë publik këtë lajm teksa ka falënderuar atë dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij që kanë qenë pranë tij në këtë ditë. Titujt e tillë zakonisht jepen në raste kur personalitetet të ndryshme në sferat e tyre tregojnë suksese ashtu siç ka treguar ndër vite edhe Xhevahir Spahiu.

“Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, më akordoi sot titullin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
E falënderoj presidentin dhe gjithkënd prej miqve, shokëve, poetëve e artistëve që ishin pjesë e këtij gëzimi” , ka shkruar Spahiu në Facebook.

UEFA reklamon stadiumin shqiptar “Air Albania”

Stadiumi “Air Albanian” ditën e sotme është reklamuar nga faqja zyrtare e UEFA-s, shkruan KultPlus.com

Në profilet zyrtare të UEFA-s në rrjetet sociale është shpërndarë një video 1-minutshe ku shihet i stadium ”Air Albania” më 26 nëntor.

Në postimin e shpërndarë nga UEFA thuhet: “Stadiumi i ri në Shqipëri u inaugurua së fundmi në një ndeshje kundër kampionëve të Botës që është Franca. Ashtu si mbi 60% e stadiumeve kombëtar në Europë ai u financua pjesërisht nga programi UEFAHatTrick, i cili rishpërndan fitimet nga turnet e UEFA-s për 55 federatat pjesëmarrëse.”

Sonte në Cyrih shfaqet filmi “Nëntori i ftohtë”

Sonte, në kuadrin e ciklit të filmave shqiptarë dhe mbi Shqipërinë “Albanien im Film” që ka filluar më 16 shkurt, shfaqet filmi nga Kosova, “Nëntori i ftohtë”. Ky film që është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, është shfaqur në shumë festivale botërore, me një sukses të konsiderueshëm.

Tematika e filmit “Nëntori i ftohtë” është një ngjarje që zhvillohet në fillim të viteve 90-të, në kohën kur Serbia kishte shkelur autonominë e Kosovës, kishte shpërndarë parlamentin dhe mbyllur Televizionin Publik të Kosovës.

Gjatë kësaj kohe, personazhi i filmit Fadili i cili punon si arkivist i duhet të zgjedh në mes dy opsioneve.

Filmi “Nëntor i Ftohtë” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët: Kushtrim Hoxha, Fatmir Spahiu Bufi l, Adriana Matoshi, Emir Hadzihafizbegoviq, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli. Skenarin e kanë shkruar Arian Krasniqi e Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie: Sevdije Kastrati. Montazher: Vladimir Pavlovski; muzika: Jericho; producent: Fatmir Spahiu. Regjia: Ismet Sijarina.

Filmdashësit e Cyrihut dhe Zvicrës janë të njohur me këtë film, shkruan albinfo.ch. Ai, në festivalin e Filmit “Zürich Film Festival” të vitit 2018 pati fituar çmimin e publikut.

Filmi shfaqet sonte në kinemanë Film Podium Zürich, me fillim në orën 20.45. Po kështu këtë film mund ta shohim edhe më 9 mars (20.45) dhe 13 mars (18.15).Adresaa, Nüschelerstrasse 11, 8001 Zürich. Albinfo.ch / KultPlus.com

Shëmtia e shtatoreve në Kosovë (FOTO)

Vendimi mbi shtatoret në hapësira të ndryshme të Kosovës pa kritere dhe pa komisione profesionale, shumë shpesh ka rezultuar me dështim të këtyre shtatoreve, shkruan KultPlus.

Njohësit e kësaj fushe shpesh kanë ngritë zërin kundër këtyre vendimeve, duke pas kritikë edhe për shtatoret që pretendohen të jenë realizuar profesionalisht, por sipas tyre, edhe këto që synojnë të jenë më profesionale se të tjerat shpesh qëllojnë të ngjajnë me njëra tjetrën, dhe vështirë është të dallohet figura se kujt i është dedikuar kjo shtatore.

KultPlus ju sjell disa nga shtatoret të cilat janë kritikuar shumë për joprofesionalizëm./KultPlus.com

Për shkaqe teknike, Kino ARMATA e mbyllur deri të hënën

Kino ARMATA ka njoftuar opinionin se për shkak të intervenimeve teknike që po bëjnë, kjo kinema do të jetë e mbyllur deri të hënën, shkruan KultPlus.com

Përndryshe, të hënën pritet të fillojë “Prishtina Jazz Week 2020”, një pjesë e aktiviteteve të së cilit do të zhvillohen pikërisht në Kino ARMATA.

“Për shkak të intervenimeve teknike, Kino ARMATA do të jetë e mbyllur deri të hënën (2 mars) kur fillon Prishtina Jazz Week 2020”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook. / KultPlus.com

Rikthehet Lady Gaga, publikon këngën e re “Stupid Love” (VIDEO)

Mbretëresha e popit është rikthyer. Stupid Love, singëlli i ri i Lady Gagës, kënga e parë e atij që do të jetë albumi i gjashtë i saj, është publikuar. Albumi sidoqoftë, mbetet ende i mbështjellë me mister.

Albumi, është edhe i pari për artisten që nga Joanne, disku i dalë në 2016 dhe duket se mban edhe këngët e lidhura me filmin A star is born, me Bradley Cooper; “Shallow”, “Always Remember Us This way” dhe “I’ll Never Love Again”.

A stupid love ndërkohë shënon një kthim tek dance popi dhe tek ngjyrat e albumeve të para të yllit të popit, the fame dhe born this uej. Në videon që shoqëron singëllin, Lady Gaga transformohet në një heroinë që duket e dalë nga një film i viteve 90, me flokë të kuq dhe make up pink, dhe me një
estietikë luftëtareje që përqafon mitet ikonografike si sailor moon dhe pauer ranger.

Në katër vitet e fundit, artistja i është dedikuar edhe aktrimit, me debutimin në filmin a star is born, dhe ka qenë madje edhe kandidate në ceremoninë e oskarëve si aktorja më e mirë. Ndërkohë që me shallow, kolonën zanore të filmit, ajo e rrëmbeu statujën për këngën më të mirë origjinale./tch/ KultPlus.com

Driton Kuka: Shtatorja e Heroines së gjallë zbriti në vendlindjen e saj

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka thënë se qyteti i Pejës po duket më madhështor me vendosjen e shtatores së kampiones olimpike, Majlinda Kelmendit, shkruan KultPlus.com

Ai në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se çdo shqiptari të vërtetë do t’i rritet krenaria me arritjet e Majlinda Kelmendit.

“Sa madhështore po duket Peja sot. Shtatorja e Heroinës së gjallë zbriti në vendlindjen e saj. Aty ku lindi, u rrit dhe u ndërtua si sportiste, ku derdhi djersë e lot nga puna e sakrifica e saj sublime”.

Këtu keni statusin e tij të plotë:

Hapet edhe një klasë shqipe në Kantonin e Cyrihut

Edhe shkolla shqipe e Horit në Kantonin e Cyrihut, i bashkëngjitet shkollave të tjera, të cilat janë hapur gjatë këtij viti shkollor 2019/20.

Sukseset e Shkollës Shqipe në Zvicër nuk kanë të ndalur. Me një punë serioze dhe me një përkushtim të veçantë mësues dhe prindër arritëm, që gjatë këtij viti shkollor të hapim mbi tridhjetë shkolla, në vendbanime të ndryshme të Kantonit të Cyrihut dhe në kantonet tjera. Hapen shkollat njëra pas tjetrës dhe me këtë dëshmohet se interesimi i prindërve shqiptarë nuk mungon dhe bashkë me interesimin e tyre radhiten edhe sukseset e nxënësve. Kësaj radhe prezantojmë Shkollën shqipe në Komunën Hori që sot, më 26.

Shkurt 2020, filloi mësimi në gjuhën shqipe. Mësimit i prinë në këtë pikë shkollore mësuesja Teuta Myrtaj. Dhjetëra nxënës të kësaj komune sot pasuruan edhe klasën e shkollës shqipe, jo vetëm me prezencën e tyre por edhe me dëshirën e madhe për ta mësuar sa më mirë gjuhën shqipe. Veçmas duhet të theksojmë gëzimin e prindërve, sepse tani më në fund u hap një pikë shkollore ku mund edhe ata t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe.

Mësuesja Teutë Myrtaj sëbashku me nxënësit e Shkollës shqipe në Hori

Buzëqeshja e Erdës, Erinës, Linës, Analinës, Leonit, Lendionit, Lianit, Jolës, Besës, Besimit, Lianës… është paralajmërimi më i bukur për fëmijët shqiptarë që jetojnë në këtë komunë. Dhe kjo buzëqeshje njëherit është edhe një thirrje edhe për fëmijët e tjerë, që t`i ndjekin mësimet në gjuhën amtare dhe të regjistrohen në ditët në vijim.
Thirrja “Ejani në shkollën shqipe – Eja edhe ti me ne” që e kanë lansuar nxënësit dhe mësuesit e shkollave Shqipe në Zvicër po bëhet gjithnjë e më tepë realitet. Në ditët në vazhdim do t`iu njoftojmë edhe për hapjen e shkollave të tjera në Kantonin e Cyrihut si dhe në kantonet tjera.Albinfo / KultPlus.com

Orkestra Simfonike e RTSh-së sonte me koncert

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar sonte do të realizojë një koncert simfonik me pianistin e njohur Derek Han, i cili para pak muajsh ishte edhe në Kosovë në kuadër të Kamerfestit 2019, shkruan KultPlus.com

Këtu keni njoftimin në Facebook nga RTSh-ja:

“ORKESTRA SIMFONIKE E RTSH/ KONCERT
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar ju fton në koncertin simfonik, me të ftuar solistin, DEREK HAN- PIANO. 🎹

Me një program artistik si:
• Richard Wagner: “Liebestod ” nga Opera -Tristani dhe Izolta.
• Edvard Grieg: Koncert për piano në la minor, Op.16.
• Johannes Brahms: Simfonia Nr.1, në do minor, Op.68 .

Sonte, ora 19:00, në sallën ILIRIA, Hotel MAK ALBANIA (Ish Sheraton), TIRANË”

ORCA: 31 profesorë në Universitetin e Prizrenit nuk kanë asnjë punim shkencor

Organizata për arsim, ORCA, ka publikuar sot një raport për integritetin akademik në Universitetin e Prizrenit, dhe sipas të dhënave të këtij raporti 31 profesor të këtij universiteti nuk e kanë asnjë punim shkencor, shkruan KultPlus.com

Vërejte në rrafshin shkencor janë gjetur edhe në kredibilitetin e revistave ku janë publikuar disa punime shkencore.

Këtu keni të plotë postimin e ORCA-së

“PRIZRENI PROBLEME ME INTEGRITETIN AKADEMIK

31 profesorë (55%) në Universitetin e Prizrenit nuk kanë asnjë punim shkencor. 64% e profesorëve nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë. Profesorët në këtë universitet kanë publikuar 55 punime në revista kredibile, ndërsa kanë botuar 120 punime në revista të dyshimta.

Këto dhe shumë të dhëna të tjera të detajuara, ORCA i ka publikuar në tryezën e mbajtur për raportin “Integriteti Akademik dhe Publikimi Shkencor në Universitetin e Prizrenit”.

Rezultatet u publikuan në prani të rektorit, prorektorëve, dekanëve, prodekanëve, si dhe profesorëve të tjerë. Shumica e pjesëmarrësve u pajtuan që të gjeturat nga hulumtimi janë shqetësuese dhe se mungesa e Integritetit Akademik paraqet një problem serioz në të cilën duhet të intervenohet menjëherë.

Gjatë diskutimit u evidentua gatishmëri nga stafi dhe menaxhmenti i universitetit për të rritur publikimin shkencor në revista kredibile dhe për t’iu shmangur publikimeve në revista të dyshimta. Për më tepër, përfaqësuesit e stafit akademik u zotuan se do t’i përditësojnë CV-të dhe do t’i heqin publikimet në revista të dyshimta.

Megjithatë, ORCA theksoi një dukuri pozitive për faktin se ndonëse profesorët e Universitetit të Prizrenit kanë publikuar shumë punime në revista të dyshimta, gjatë viteve 2018 dhe 2019 ka rënie drastike të publikimeve në revista të tilla.

Përmes QAINT do të vazhdohet mbështetja e universiteteve publike në ngritjen e cilësisë, transparencës dhe llogaridhënies, ndërsa ORCA do të vazhdojë monitorimin këtyre universiteteve.

Raportin me të gjetura mund ta gjeni në linkun:

http://orca-ks.org/…/Raporti-Universiteti-te-Prizrenit-02.p…/ KultPlus.com