Tragjikja dhe e përditshmja në teatër

Shkruan: Muhamedin Kullashi

Filozofi zviceran Georges Steiner (Zhorzh Shtajner) në librin “Vdekja e tragjedisë” (1993) zhvillon pikëpamjen sipas së cilës në dramaturgjinë moderne, duke filluar nga shekulli XIX, prej Kleist-it (Klajst)), Buchner(Byhner), Ibsen, Stindberg, si dhe në atë bashkëkohore, me Beckett e Ionesco, shpërfaqet një « degradim i pashmangshëm i tragjedisë burimore greke ose asaj elisabetiane (shek. i XVI)”. Steiner i cilëson pjesët teatrore, fjala vjen, të Stindberg-ut si dramaturgji ku « treten » konturat e personazheve, situatave dhe dialogjeve ; këto i duken si « pjesë teatrore fantome », apo si fantome te teatrit.Mirêpo, këtë mendim nuk e ndajnë së paku disa kritik të çmuar të teatrit. Kësisoji, Peter Szondi bën dallimin midis « poetikës së tragjedisë », ashtu si zhvillohet duke filluar nga Aristoteli dhe, në anën tjetër, « filozofisë së tragjikes », që paraqitet kryesisht brenda filozofisë klasike gjermane : te Schelling (Sheling), Schopenhauer (Shopenhauer) dhe Nietzsche (Niçe), megjithë dallimet e mëdha midis tyre në të kuptuarit e asaj që është tragjike.

Jean-Pierre Sarrazac (Zhan-Pier Sarazak), njeri nga dramaturgët dhe kritikët e teatrit, nga më të shquarit në Francë, mendon se në pjesët teatrale të kohës moderne (nga mbarimi i shekullit XIX, me Ibsen, Strindberg, Pirandelo) aksioni dramatik bëhet gjithnjë e më « i rrallë, ose se bëhet aksion fantomatik ». Personazheve të këtyre pjesëve thujase nuk u ndodhë asgjë në jetën e tyre; aty mungon përplasja e vullneteve dhe pasioneve individuale që shquan formën dramatike tradicionale, ashtu siç e kishte shkoqitur mendimi mbi teatrin, duke filluar prej Aristotelit e deri te Hegeli. Tragjikja moderne, ndonëse e rrallë, del nga situatat që i cilëson aksioni i pakët, i shkapërderdhur. Figura tragjike moderne, e edhe më shumë ajo bashkëkohore, sipas Sarrazac « nuk lufton, nuk vepron, nuk merr vendim ». Përsëritja brenda së njëjtës dhe humbja e Vetes (Soi), por edhe e lidhjeve me të tjerët, zhbërja dhe tretja e personazheve, dalin si tipare të horizontit ku shtjellohet drama e sotme. Ekzistenca e personazheve shqitet si « një ekzistencë e të gjallëve-të vdekur ».

Sarrazac mendon se mungesa e fabules, së paku në formën e saj tradicionale, nuk është dëshmi për mungesën e dramaturgjisë në shfaqjet e sotme teatrale. Në anën tjetër, brenda « teatrit të absurdit » të Ionesco-s, Beckett-it, Adamov-it, ai dikton pikëvrojtime e ide te reja në fushën e krijimtarisë teatrore. Mbështetje për këtë analizë ai e gjen edhe në pjesët teatrore si dhe në shkrimet mbi teatrin të poetit dhe dramaturgut belg, Maurice Maeterlinck (Moris Meterlenk), në veçanti në shkrimin Tragjikja e përditshme ku shpaloset paradigma e një « tragjikje jashtë tragjedisë, një tragjikje e « jetës së palëvizshme ».

Në anën tjetër, ai heton te « jeta bujare e përditshme e Hamletit kohën e të jetuarit « pikërisht pse nuk vepron ». Thuajse se ai kështu nënkuptonte se e përditshmja brenda së cilës njeriu nuk vepron, por përjeton jetën, i kundërvihet një aktivizmi e dinamizmi bosh.Në pjesët teatrale të Maeterlinck « e vetmja ngjarje është afrimi, me hapa të ujkut, e vdekjes e cila vjen për ta kapur pren e vet ». Mirëpo, « vdekja del këtu si tregues i ekzistencës ». Sipas Maeterlinck, « problemi i ekzistencës » gjen një përgjigje te « enigma e asgjësimit të saj ». Sarrazac nënvizon se Maeterlinck, në shfaqjet e veta teatrale (Të verbërit, Brendësia etj.) synon të nxjerr në shesh para shikimit të shikuesit « atë që është e çuditshme në vet faktin e të jetuarit ». Ai flet madje edhe, në mënyrë paradoksale, për « tragjiken » e lumturisë. Është fjala këtu për një përmbysje e transformim. Sarrazac, në hulumtimet e veta lucide për teatrin bashkëkohor, vë në pah se pikërisht brenda përditshmërisë më banale mund të mbijë një invencion artistik i cili kapë « një konsonancë tragjike ».

Ai përkujton se edhe te Maurice Blanchot (Moris Blansho), në librin e tij Biseda e pafundshme (1969), në gjirin e banalitetit të të përditshmes, shqitet një tragjike e veçantë : « E përditshmja është cektësi (ajo që vonohet dhe që bje, jeta reziduale me të cilën mbushen kantat tona të bërllogut dhe varrezat tona, mbeturrinat), por ky banalitet është pokështu ajo më e rëndësishmja, nëse shpie te ekzistenca në vet spontanitetin e saj, dhe ashtu si kjo e jeton veten, në çastin kur, e përjetuar tanimë, ajo i ikën çfarëdo formësimi spekulativ, ndoshta çfarëdo koherence, çdo rregullësie ».Edhe te dramaturgu edhe te shkrimtari-filozof, brenda gjirit të përditshmërisë, madje asaj përditshmërie ku jeta përsëritet me tërë monotoninë e së njëjtës, e cila nuk ka në vete ndyshimësi, diktohet një situatë kufitare, një pikëtakim : aty ku situata e absurditetit, e kapluar nga pamundësia e ndryshimit dhe daljes prej saj takohet me mundësinë e ngjizjes së shpresës për diçka tjetër, të jetuarit që i ikën pllakosjes së vërtitjes brenda së njëjtës.

Është fjala për pikëtakimin midis vdekjes së ngadalshme dhe shpërthimit të trajtave të të qenmit që shpalosin mundësitë e begatshme të jetës. Tema e absurdit, e pakuptimësisë së ekzistencës, vdekja e njeriut gjatë ekzistencës së tij, brenda rrymës së « teatrit të absurdit» është interpretuar nga « realizmi socialist » si një letërsi « reakcionare » që deformon letërsinë dhe jetën e individit dhe shoqërisë. Ky vlerësim nuk ishte shprehje e injorancës së dishepujëve të regjimeve komuniste : disa prej tyre kishin hetuar se këto pjesë teatrale, ishin të rrezikshme jo pse bënin « elozhin » e absurdit dhe vdekjes por pikërisht pse nxisnin një refleksion për jetën e njeriut brenda një konteksti historik e politik, pse e problematizonin absurditetin që kaplon të ekzistuarit e njeriut në atë kontekst, në një kohë e hapësirë të caktuar. Jo absurditeti por problematizimi i tij ishin të rrezikshëm jo vetëm për regjimet komuniste, por edhe për disa regjime të tjera dhe rryma « intelektuale » që e ndjenin veten mirë brenda përsëritjes së pakuptimtë të së njëjtës.

E përditshmja dhe ngjarja historike§ Karshi kritikave që e reduktojnë teatrin bashkëkohor në teatër « te absurdit » dhe mbyllje brenda një subjektiviteti solipcist, (për të cilin vetja me ndijimet dhe ndjenjat e veta, përbën të vetmin realitet për të cilin mund të jemi të sigurt) disa kritik të teatrit kanë zhvilluar dy tipe të argumenteve. Sipas njerit argument, subjektiviteti i autorit dhe personazheve të pjesëve teatrale të sotme nuk nënkupton një mbyllje brenda vetes së individit, ngase vetja dhe subjektiviteti s’kan si të sajohen et të ekzistojnë pa një ndërveprim të shumfisht me të tjerët dhe me botën që e rrethon atë individ, madje jo vetëm në dimensionin e së tashmes, por edhe së kaluarës dhe të ardhshmes së kësaj bote. Sarrazac merr si shembull, për këtë argument, një mendim te dramaturgut Jean-Luc Lagarce (Zhan-Luk Lagars) : ndonëse tema e dështimit (të shkrimit dhe ekzistencës në përgjithësi) riparaqitet në të gjitha shfaqjet e tij, ai megjithatë thekson : « Të marrësh guximin të kërkosh brenda mendjes tënde, brenda trupit tënd, gjurmët e të gjithë njerëzve tjerë ».§ Prova tjetër se teatri bashkëkohor është i hapur ndaj botës ku jeton shpërfaqet në pjesët teatrore që janë ballafaquar me sfidën që t’i trajtojnë ngjarjet e mëdha tragjike të bashkëkohësisë : Aushvici, Ruanda, Srebrenica, 11 shtatori 2001. Ky trajtim nuk është politik, në kuptimin që rëndom i japin kësaj fjala. Edhe për faktin se një shfaqje e mirë teatrore për këto dhe ngjarje të ngjashme nuk i përshkruan thjesht ato, ngase teatri i mirrëfillt është « heterotopi» (Foucault), si hapësirë e veçant ku bëhen çështje, me « mjete » artistike, normat dhe hierarkitë, por edhe procedimet e teatrit tradicional.§ Shfaqjen teatrore Ruanda 94 e realizoi një kolektiv i artistëve i quajtur Groupov, që ka tubuar regjisorë e aktorë nga Belgjika, Franca, Italia e SHBA-t. Ndërkaq, regjisori dhe aktori i shquar francez Olivier Puy, e sajoi shfaqjen « Rekuiemi për Srebrencicën » si një lloj të teatrit dokumentar, ngase i tërë teksti i shfaqjes përbëhet nga deklaratat dhe komentet për këtë ngjarje të personaliteteve politike ndërkombëtare (Akashi, Miterand etj) si dhe aktorëve të ngjarjes(Kraxhiq, Mladiq etj.). Rolet e 15 personazheve të kësaj shfaqje i lujanë tri aktore. Është mjeshtria artistike e Olivier Puy-s ajo që arrinë me këto dokumente të hedh dritë mbi aspektet kyqe të ngjarjeve nga e cila është sajuar gjenocidi i Srebrenicës. Shkrimet për pjesët teatrore që kanë marr guximin të merren me situatat ekstreme të ngjarjeve tragjike, vejnë në pah edhe lidhjen midis përditshmërisë dhe ngjarjes historike e njëherit edhe me statusin dhe rolin e dëshmisë dhe dëshmitarit që flasin për këto ngjarje. Krahasimet e figurës së dëshmitarit me atë të rrëfimtarit dhe rapsodit u trajtuan edhe nga fiolozofi italian G. Agamben si dhe nga ai gjerman W. Benjamin. Agamben e përkufizon dëshmitarin si « ai që është pa fjalë dhe që e bën të flasë folësin ». Këta mendimtarë qëmtojnë kushtet për një dëshmi autentike, te mirëfillt, por njëherit edhe fragjilitetin e fjalës dhe rrëfimit të dëshmitarit.

Në fund të përmendim një dëshmi dhe një dëshmitar për disa forma konkrete të krimeve të trupave serbe, të bëra me rastin e dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Gazetari beogradas Miroslav Filipovic botoi një dokument sekret, që i takon shërbimit të inteligjencës së ushtrisë sërbe, në IWPR ( Institute for War and Peace Reporting), me seli në Londër, në prill të vitit 2000. Ky dokument u sajua si anketë e ushtarakëve sërb, për të testuar gadishmërinë e tyre që te marrin pjesë në një ndërhyrje eventuale ushtarake në Mal të Zi, për ta vënë nën kontroll një situatë që gradualisht dilte nga dora e regjimit të Milosevicit. Për shkak të publikimit të këtij dokumente Filipovic u dënua me 7 vjet burg nga Gjyqi ushtarak i Kralevës. Në një fragment të këtij dokumenti thuhet : « një komandant rrëfen se si një ushtar i tij ia këput kokën fëmijës 3 vjeçar para syve të familiarëve të tij ». Dëshmitë e oficerëve serb flasin për vrasje e masakra të shumta të civilëve shqiptarë në Kosovë. M. Filipovic, me veprimin e tij të guximshëm, ndërmjetësoi për t’i bërë publike, para opinionit botëror, këto dëshmi për krimet në Kosovë. Pesha e këtij veprimi është aq më madhe ngase dëshmitë e publikuara u takojnë pjesëtarëve të makinerisë ushtarake të Sërbisë, si dëshmitarë okular të krimeve të saj.


Të festosh ditëlindjen 1 herë në 4 vjet, shkrimtari shqiptar: Këtë vit mbush 10 vjeç

Kur muaji shkurt ka 29 ditë, sjell që gjithë viti të ketë 366 ditë duke marrë edhe emrin “Viti i brishtë”.

I tillë është viti 2020, ku 29 Shkurti, ndonëse jo një datë historike apo festë kombetare është një ditë e shënuar për të gjithë ata që presin ta festojnë ditëlindjen e tyre 1 herë në 4 vjet.

Edhe pse një rregull që përsëritet çdo 4 vite, në kënd historik ky ndryshim në kalendar mendohet se vjen nga romakët e Lashtë dhe më pas është përhapur në të gjithë botën perendimore.

Për të kuptuar si e përjetojnë festimin e ditëlindjes, të lindurit në këtë datë të veçantë kemi intervistuar personazhin tonë të ditës dhe ai është një shkrimtar.

“Jam përpjekur ta shoh si një veçanti, si diçka që duhet të më bënte të ndihesha fatlum.

Njeriu çdo rrethanë përpiqet ta përkthejë, në leverdinë e vet dhe kjo datë është një koiçidencë për mua përherë e këndshme, që më bën të ndihem edhe më i ri“, tha shkrimtari Erion Papagjoni.

Teksa tregon me batuta sesi ndihet që i duhet ta festojë datën e lindjes në një formë ndryshe nga shumë të tjerë, Erioni rrefen se kjo datë është e rëndësishme për të dhe se këtë vit ai feston ditëlindjen e tij të dhjetë.

“Në botën anglosaksone, neozelandezët ose australianët e llogaririsin për efekte ligjore të përgjegjësisë penale apo përgjegjësisë civile më datë 28, se unë jam jurist si profesion.

Anglezët që është e njëjta çati e njëjta perandori e llogarisin në datën 1 Mars.

Unë gjithmonë kam llogaritur marsin. Se nuk ke arsye të qerasësh njerëzit, miqtë, të afërmit, nga ana tjetër ka qenë besoj një gëzim edhe për ata, apo familjarët sepse nuk kanë arsye të japin dhurata.

Sigurisht do të isha shumë i qejfmbetur po të mos kujtoheshin. Tani mbush 10 vjeç”, ka thënë ai.

Duke na njohur me jetën e tij, ai rrefen se lehtësia dhe dashuria për librin kanë ndikuar thellësisht në formimin e tij jetësor dhe sot e vlerëson atë si një religjion , të cilin në kohën e mundësive të shumta teknologjike shoqëria po bëhet gjithnjë e më pak e interesuar për ta njohur.

“Letërsia për mua është një lloj religjioni, sidomos në një shoqëri ku tashmë religjioni siç duket dhe siç e thonë apo e shkruajnë mendjet e mëdha të njerëzimit, filozofët, sociologët edhe bashkëkohorët nuk është më . Por kush ka pasionin të merret do merret”, është shprehur shkrimtari.

Viti i brishtë daton që në shek e V-të dhe që atëherë historia njeh disa emra personalitesh të njohur të lindur në një vit të tillë duke filluar nga Papa Pali III, kreu i Kishës Katolike në Romë, lindur në vitin 1468, Gioachino Antonio Rossini kompozitori italian që fitoi famë për 39 operat e tij, në 1972-in, shkrimtari dhe filantropi amerikan Anthony Jay Robbins në 1960-tën, apo këngetarja dhe aktorja amerikane me famë botërore Dinah Shore në vitin 1916./report /KultPlus.com

Albert Kamy: Mos prit gjyqin e fundit – ai ndodh çdo ditë

Filozofi ekzistencialist francez, Albert Camy, është i njohur për mendimet e tij rreth lirisë dhe absurdit ku jeton njeriu. Ai është një nga emrat më eminent të Letërsisë dhe Filozofisë në mbarë botën, shkruan KultPlus.com

Këtu kemi zgjedhur disa nga thëniet e tij më të njohura, me të cilat njihet ai dhe i gjithë mendimi i tij:

Një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfesë.

Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.

Ah, miku im, për këdo që është i vetmuar, pa Zot dhe pa mësues, pesha e ditëve është e lemerishme.

Medet, pas njëfarë moshë, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij.

Të gjitha bëmat e mëdha dhe mendimet e mëdha kanë një fillim qesharak. Veprat e mëdha shpesh kanë lindur në një qoshe rruge apo në derën rrotulluese të një restoranti.

Të gjitha revolucionet moderne kanë përfunduar në një përforcim të pushtetit të Shtetit.

Intelektuali është dikush mendja e të cilit vështron veten e saj.

Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllambë të dorës, të dijë saktësisht të gjitha të metat dhe kualitetet, ta dijë sa larg ai mund të shkojë, të parathotë dështimet e tij – të jetë ai që është. Dhe, mbi të gjitha, t’i pranojë këto gjëra.

Në çdo hap të rrugës ndjenja e absurditet mund ta godasë çdo njeri në fytyrë.

Vjeshta është një pranverë e dytë ku çdo gjeth është një lule.

Bukuria është e padurueshme, na çon në dëshpërim, duke na sjellë ne për një minutë shkëlqimin e një përjetësie të cilën ne do të donim ta ksihim gjithë kohën.

Janë të bekuara zemrat që mund të lakohen; ato nuk do të thyhen kurrë.

E çfarë është lumturia përveçse një harmoni e thjeshtë midis një njeriu dhe jetës që ai bën?

Rregulli është që qeveria nuk ka ndërgjegje. Nganjëherë ka një politikë, por asgjë më shumë.

Sharmi është një mënyrë për të marrë përgjigjen po kërkuar një pyetje të qartë.

Kultura: qarja e njerëzve në fytyrën e fatit të tyre.

Mos ju beso miqve kur ata të kërkojnë të jesh i ndershëm me ata.  E gjitha ç’duan ata është të mbajnë mendimin e mirë që ata kanë për veten e tyre.

Mos prit gjyqin e fundit – ai ndodh çdo ditë.

Mos ec pas meje; nuk jam prijës. Mos ec para meje ; nuk mund të të ndjek. Ec përkrah meje dhe ji miku im.

Çdo akt rebelimi shpreh nostalgjinë për pafajësinë dhe një thirrje ndaj thelbit të qenies.

Çdo njeri ka nevojë për skllevër si për ajër të pastër. Të sundosh do të thotë të marrësh frymë, apo jo? Madje edh më të paprivilegjuarit duan të marrin frymë. Ata të shkallës më të ulët kanë skllevër gratë ose fëmijët e tyre.

Çdo revolucionar përfundon në shtypës ose në heretik.

Liria nuk është gjë tjetër veçse një shans për të qenë më mirë.

Ai që dëshpërohet nga gjendja njerëzore është burracak, por ai që shpreson për të është budalla.

Si mund të jetë çiltërsia një kusht për miqësi? Shijimi i së vërtetës me çdo kusht është një pasion që nuk shpenzon asgjë.

Sa e rëndë, sa e hidhur është të bëhesh njeri!

Unë di vetëm një detyrë, ajo është të dashuroj.

Në mes të dimrit e kuptova më në fund se brenda meje ishte një verë që nuk çrrënjoset.

Integriteti nuk ka nevojë për ligje.

Është normale të japësh pak nga jeta jote, në mënyrë që të mos e humbësh krejtësisht.

Njeriu është një ide, dhe është një ide e vogël e çmuar sapo ia kthen shpinën dashurisë.

Njeriu është krijesa e vetme që nuk pranon të jetë çfarë është.

Njeriu dëshiron të jetojë, por është e padobishme të shpresojë që kjo dëshirë do t’ia diktojë veprimet e tij.

Njerëzit binden nga argumenet tua, çilërsia jote dhe serioziteti yt vetëm pasi të kesh vdekur.

Njerëzit duhet të jetojnë dhe të krijojnë. Të jetojnë deri në pikën e lotit.

Askush nuk e kupton se disa njerëz shpenzojnë pa masë energji për të qenë normalë.

S’ka asgjë më të neveritshme se respekti i bazuar në frikë.

Një lidër dhe një popull do të thotë një mësues dhe miliona skllevër.

Vetëm filozofia e përjetësisë, sot në botë, mund të justifikojë jodhunën.

Bujaria e vërtetë ndaj së ardhmes është t’i japësh gjithçka të sotmes.

Fisnikëria e vërtë është e bazuar në shpërfillje, guxim dhe indiferencë të thellë.

Hakmarrja është e lidhur me natyrën dhe instinktin, jo me ligjin. Ligji, në vetvete, nuk mund t’iu bindet të njëjta rregulla si natyra.

Disa njerëz flasin në gjumë, mësimdhënësit flasin kur të tjerët flenë.
Absurdi është koncpeti thelbësour dhe e vërteta e parë.

Dëshira për zotërim është tejet e pangopshme, deri në atë pikë sa mund ta mbijetojë edhe vetë dashurinë. Të dashurosh, prandaj, do të thotë ta shterrosh njeriun që dashuron.

E keqja në këtë botë vjen kryesisht nga injoranca, dhe qëllimet e mira mund të dëmtojnë sa keqdashja nëse iu mungon kuptimi.

Kur perënditë e dënuan Sizifin të çonte gurin deri në majë të malit, ndonëse guri bie gjithnjë poshtë për shkak të peshës së tij, ato arsyetuan disi se nuk ka ndëshkim më të madh se puna e kotë dhe e pashpresë.

Mendja moderne është në pështjellim të plotë. Dija e ka shtrirë veten deri në atë pikë sa as bota, as zgjuarsia jonë nuk mund ta shfletojnë. Është e vërtetë se ne po vuajmë nga nihilizmi.

Nevoja për të pasur të drejtë është shenja e një mendjeje vulgare.

Shoqëria e mbështetur në prodhimin, është vetëm prodhuese, jo krijuese.

Mirëqënia e njerëzve në veçanit ka qenë gjithmonë alibia e tiranëve.

Ata që iu mungon guximi mund të gjejnë gjithmonë një filozofi për ta justifikuar atë.

Ata që shkruajnë qartë kanë lexues, ata që shkruajnë errët kanë komentues.

Ta braktisësh veten për parimet është vërtetë vdekje – dhe është vdekje për një dashuri të pamundur e cila është e kundërta e dashurisë.

E vërteta, si drita, verbon. Rrena, në të kundërt, është një terr i bukur që nxjrr në pah çdo objekt.

Çfarë është një rebel, një njeri që thotë jo. / KultPlus.com

Ariu i Artë shkon për filmin iranian “Sheytan vojud nadarad”

Ariu i Artë për filmin më të mirë në vitin e 70-të të #Berlinales shkon te “Sheytan vojud nadarad” (Aty nuk ka Djall), me regji nga Mohammad Rasoulof dhe prodhuar nga Mohammad Rasoulof, Kaveh Farnam, dhe Farzad Pak, shkruan KultPlus.com

Katër tregimet që përmbajnë “Sheytan vojud nadarad” janë variacione mbi temat thelbësore të forcës morale dhe dënimin me vdekje që pyesin deri në çfarë mase liria individuale mund të shprehet nën një regjim despotik dhe kërcënimet e tij në dukje të pafalshme.

Këtu keni njoftimin në Facebook nga faqja zyrtare e Berlinales:

Shqipëria bëhet me kampus ultramodern

Të gjithë studentët/et, pedagogët/et dhe stafin e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Gjuhëve të Huaja  të Universitetit të Tiranës, do të transferohen në një godinë të re që do të ndërtohet në kampusin e ri universitar.

Sikurse mund të shihni edhe nga këto foto të projektit të publikuara nga kryebashkiaku Veliaj, kampusi i ri do të jetë një hapësirë ultramoderne, duke pasur edhe një mensë dhe bibliotekë.

“Themi atë që bëjmë, bëjmë atë që themi”,– shkruan Veliaj. Të njëjtin fat pritet që të ketë edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, në të cilin gjithashtu do të ndërtohet një kampus i ri. Tch / KultPlus.com

Elina Duni, mbrëmje muzikore në New York

Këngëtarja e njohur shqiptare e muzikës xhaz nga Zvicra, Elina Duni, së bashku me grupin e saj do të përkujdesen për një mbrëmje të muzikës live në New York.

Elina ka lindur në Tiranë, derisa në vitin 1992 ishte zhvendosur në Cyrih, ku ka studiuar për piano klasike në Gjenevë, duke u zbuluar si një këngëtare mjaft e talentuar, shkruan albinfo.ch.

Duni dhe grupi i saj (Rob Luft në gitarë, Gent Rushiti, Tom McCredie Bass, Corrie Dick, DRUMS) do të perfermojnë në New York më 12 dhe 13 mars.

Duni vlerësohet për talentin dhe zërin e saj të veçantë dhe është renditur disa herë në krye të listave me këngëtarët më të mirë të muzikës xhaz. Këngëtarja njihet edhe për përpunimin e shumë këngëve të vjetra shqipe dhe albumet e saj “Baresha”, “Lume lume” dhe “Matanë malit”.

Qëndron me të moshuarit në hotelin Karantinë, historia e të riut shqiptar që konsiderohet hero në Itali

Mes shumë historive të solidaritetit në këto javë të vështira për Italinë e prekur nga koronavirusi, është edhe një që ka tërhequr vëmendjen edhe të kreut të Rajonit të Ligurias.

Është historia e një shqiptari i cili quhet Albi Albino, kamarier në hotelin Bel Sit, në Alassio, që është në karantinë pasi një nga klientët, një grua 72-vjeçare, rezultoi pozitive me koronavirus.

Albino ka qëndruar gjatë gjithë këtyre ditëve në shërbim të të moshuarve që po qëndrojnë në hotel. Angazhimi dhe bujaria e të riut shqiptar kanë bërë që kreu i Rajonit të Ligurias, Giovanni Toti t’i kushtojë një postim në Facebook, ku e falenderon për punën që po kryen.

“Ai është Albi Albino, një djalë shqiptar që po ndihmon aty ku ka më shumë nevojë, në hotelin e Alassios. Nga kamarier ka zgjedhur që të bëhet ndihmës dhe mbi të gjitha mik i shumë njerëzve që janë detyruar të qëndrojnë në karantinë, një pikë referimi në këtë moment delikat. Një falenderim i veçantë shkon për këtë djalë që ka treguar forcë, guxim dhe vendosmëri tipike të vendasve. Faleminderit Albi, do të mundohemi që të marrësh shtetësinë italiane që aq shumë e dëshiron. Sepse ti je njëri prej nesh”. Insajderi / KultPlus.com

Artistët shqiptarë në Holandë me koncert bamirësie për Shqipërinë

Artistët shqiptarë në Holandë sot kanë realizuar një koncert bamirësie me qëllim restaurimin e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, i cili është dëmtuar nga tërmeti i fortë që goditi Shqipërinë, shkruan KultPlus.com

Ky koncert është mbështetur edhe nga Ambasada e Italisë në Holandë si dhe nga Fondacioni Holandezo-Shqiptar (SNAV), teksa pjesë e këtij koncertit kanë qenë edhe disa artistë të huaj.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shtetit për Diasporën në Shqipëri përmes një postimi në Facebook.

“Sot, me 28 shkurt në mjediset e Kishes Keizersgracht, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Holandë, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Holandë dhe Fondacionin Holandezo-Shqiptar (SNAV), organizuan koncertin e bamirëisë për mbledhjen e fondeve për të mbështetur restaurimin e Muzeut Kombetar “Shtëpia me gjethe”, i cili u dëmtua nga tërmeti i fortë që goditi Shqipërinë në 26 nëntor 2019″, thuhej ndër të tjera në postimin e tyre. / KultPlus.com

Filarmonia mban koncert nesër mbrëma, marrin pjesë pesë artistë të huaj

Filarmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie, ku u tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për koncertin që do të mbahet të dielën.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, tha se programi do të ketë shtatë vepra nga Baroku e deri te muzika bashkëkohore. Sipas Jasharit, koncerti i nesërm do të paraqet premiere botërore.

“Jemi këtu për të promovuar koncertin e radhës që do të mbahet nesër në Sallën e Kuqe. Përmbajtja programore përfaqëson 7 vepra me një laramani nga Baroku e deri muzika bashkëkohore. Kemi nderin që interpretimi i kësaj vepre paraqet premierë botërore”, tha ai

Aleksandra Gudzio, soliste soprano, nga Polonia e cila vjen për herë të parë në Kosovë, tha se i pëlqen shumë Kosova dhe njerëzit këtu.

“Është hera e parë në Prishtinë në Kosovë e pëlqej shumë. Është kënaqësi të jem këtu dhe të kem koncert të këndoj. Mezi pres për koncertin e nesërm”, tha ajo

David Alogna, violinist, u shpreh se në Kosovë ka takuar shumë njerëz mikpritës, duke shtuar se për të është shumë e rëndësishme të performojë këtu, raporton eo.

Pjesë e koncertit do të jetë edhe Otto Sauter, lider botëror në instrumentin e trumbetës.

“Më pëlqejnë njerëzit këtu në Kosovë. Jam shumë i emocionuar për këtë koncert që do të mbahet nesër”, tha ai.

Koncerti do të udhëhiqet nga dirigjenti polak Dariusz Mikulski, i cili është për herë të dytë në Kosovë. Koha.net / KultPlus.com

Rënie e madhe e numri të popullsisë në Kosovë

Shkalla e lartë e emigrimit të qytetarëve jashtë vendit dhe rënia e natalitetit, prezantohen si faktorë që po ndikojnë në tkurrjen e numrit të popullsisë në Kosovë. Të dhënat zyrtarë ndër vite, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flasin për rënien e konsiderueshme të numrit të lindjeve dhe për numrin në rritje të qytetarëve që kanë ikur apo kanë lëshuar Kosovën.

Në vitin 2012, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara në raportet e titulluara “Vlerësimi i Popullsisë”, ka qenë 1,820,631 banorë, ndërsa në vitin 2018, numri i banorëve rezidentë ishte 1,795,666.

Popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar–31 dhjetor 2018 u zvogëlua për 2,840 banorë apo -0.16 për qind.

Ndërkaq, sipas një raporti mbi migrimin të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thuhet se për periudhën 2016-2018, Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit.

Kosova në regjistrimin e popullsisë të bërë në vitin 2011 kishte regjistruar 1,739,825 banorë, por në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Ndërsa, në raportet e vlerësimit të popullsisë, në numrin e banorëve janë të përfshirë edhe këto komuna.

Sa i përket numrit të lindjeve të gjalla të ndodhura brenda territorit të Kosovës në vitin 2014 ishin 25,929, derisa në vitin 2018, ishte 22,761 lindje. Ndërsa, numri i vdekjeve në vitin 2018 në Kosovë ishte rreth 10 mijë.

Në vitin 2019, zyrtarë shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bëjnë të ditur se numri i lindjeve ka shënuar rënie.

“Ka një rënie të numrit të lindjeve në përgjithësi në Klinikën Gjinekologjike. Në vitin 2019 kanë qenë 9,622 foshnje, që krahasuar me vitin paraprak (2018) ka një rënie për 600 foshnjave më pak”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhevdet Gojnovci drejtor në Klinikën Neonatologjike në QKUK.

Emigrimi dhe rënia e fuqisë punëtore
Në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2010-2018, u shënua në vitin 2015, kur nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë. Ndërsa në vitin 2018, mbi 28 mijë persona vendosën të ikin nga vendi.

Të dhënat për vitin 2019 ende nuk janë publikuar për migrimin dhe as për lindjet dhe vdekjet.

Visar Xhambazi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë për Radion Evropa e Lirë se një trend më i madh emigrimit të qytetarëve të Kosovës do të jetë pas politikave të reja të emigracionit në Gjermani.

Ky trend në rritje, sipas tij, do të ketë pasja të mëdha për Kosovën. Përveç zvogëlimit të popullsisë, Xhambazi thotë se do të zvogëlohet edhe fuqia punëtore.

“Nëse Qeveria e Kosovës nuk arrin në mënyrë serioze ta kthejë mbrapa këtë trend negativ të emigracionit, mendoj që brenda 10 –15 vjetësh do të kemi një problem serioz demografik dhe do të kemi një numër shumë të vogël të fuqisë punëtore”, thotë ai.

Demografi Rifat Blaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se këto shifra tregojnë se popullsia e Kosovës po tkurret ndër vite. Duke pasur parasysh këtë gjendje, thotë Blaku, Kosova duhet ta trajtojë problemin e migracionit dhe rënien e natalitetit.

“Ikja, braktisja së bashku me rënien e natalitetit, janë dy ngjarje, zhvillime dhe përjetimet më të rënda të shoqërisë shqiptare meqë bëhet fjalë për tkurrjen e popullsisë, kapitalit më të shtrenjtë kombëtar”, thotë ai.

Instituti GAP, në një hulumtim të titulluar “Emigrimi i fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani”, sheh një potencial edhe më të madh të emigrimit të qytetarëve të Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të emigrimit në Gjermani në mars 2020.

“Të dhënat zyrtare tregojnë se shtetasit e Kosovës prijnë për nga numri i aplikimeve dhe pajisjes me viza pune në krahasim me vendet tjera të rajonit. Gjatë viteve 2016-2018, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë shqyrtuar për aprovim gjithsej 204,638 kontrata pune, prej të cilave rreth 80 për qind janë miratuar. Por, vetëm 40 për qind e tyre janë pajisur me viza pune, ku 24 për qind tyre, apo 15,824 kanë qenë për kosovarët”, thuhet në këtë raport.

Sektorët dhe profesionet në të cilat shtetasit e Kosovës kanë arritur të sigurojnë viza pune, prijnë ndërtimtaria, hoteleria dhe shërbimet e kujdesit, ndërsa profesionet me më së paku aplikime të suksesshme janë sektori i financave, i sigurimeve dhe i edukimit.

Ika e të rinjve nga Kosova pati ngritur shqetësime edhe nga bizneset. Ata në vazhdimësi kanë deklaruar se nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë edhe përkundër shkallës së lartë të papunësisë në vend, e cila arrin rreth 30 për qind.

Regjistrimi i popullsisë, më 2021

Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, pritet të bëhet në vitin 2021.

Demografi Blaku thotë se numri i banorëve të Kosovës do të jetë më i vogël, në krahasim me regjistrimin e popullsisë të bërë në vitin 2011.

“Në bazë të projeksioneve demografike dhe në bazë të qarkut migrator aktual që është në manifestim, do të dalim përsëri një numër më i vogël. Por, duhet të insistohet që në formularët për regjistrimin e popullsisë të hyjë edhe rubrika për kontingjentin e popullsisë në migracion, respektivisht të shfrytëzohet rasti që jo vetëm popullsia rezidente që punon dhe jeton në Kosovë, por edhe pjesëtarët e shoqërisë shqiptare në migracion, që të dihet numri i përgjithshëm”, thotë Blaku.

Ndryshe, emigrimi i lartë edhe sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se do të ndikojë edhe në strukturën e popullsisë në vitet vijuese, pasi që vlerësohet se pjesa dërmuese e emigrimit në vitet e fundit, kishte përfshirë grupmoshat e reja kryesisht 25-44 vjeç. /KultPlus.com

Dy motrat shqiptare pas Harvardit në Oxford, kapin majat në shkencë

Duket se dy motrat binjake, Detina dhe Argita Zalli vazhdojnë të na bëjnë krenarë me arritjet e tyre në fushën e shkencës. Së fundmi motrat i janë dedikuar punës për të zbuluar ilaçin e kancerit. Në një intervistë për mediat angleze, Detina dhe Argita kanë treguar se do të zhvendosen në Oxford ku do të ndihmojnë doktorët për të gjetur ilaçin e kancerit, transmeton albinfo.ch.

Image result for Detina dhe Argita Zalli

Dy motrat Detina dhe Argita Zalli në vitin 1999 emigruan si shumica e shqiptarëve duke shkuar në Angli.

Meqenëse binjaket nga Patosi sot kanë arritur majat e shkencës botërore dhe po ngrenë lart emrin e Shqipërisë, sa në Britani aq edhe në SHBA, së fundmi ato i janë dedikuar punës për të zbuluar më shumë rreth kancerit.

“Unë dhe motra ime jemi të dyja shkencëtare. Ne erdhëm në Britani nga Shqipëria. Shkenca ishte shpëtimi ynë. Ajo hapi horizontet tona drejt diçkaje më të madhe. Kur erdhëm këtu e nisëm nga zero por falë zotit ishim dy dhe kjo ishte forca jonë”, rrëfen Argita.

Image result for Detina dhe Argita Zalli

“Ne ishim studente të mira dhe u vlerësuam nga mësuesit tanë të cilët na dhanë krahë për të fluturuar. Pas Britanisë, u zhvendosa në SHBA ku u pronova në Universitetin e Harvardit. Isha një nga shkencëtaret më të reja dhe prej andej lindi ideja e themelimit të ‘ Në flasim shkencë’ për të zhvilluar shkencën dhe mjekësinë jo vetëm në Britani dhe SHBA por edhe në komunitetete të tjera, si Shqipëria.”, shprehet Detina, shkencëtarja dhe pedagogia në Harvard, e cila tregon planin e rradhës.

“Ne bëjmë bashkë studentët nga e gjithë bota. Hapi i radhës është të zhvendosem në Oxford ku unë do mësoj doktorët më shumë rreth kancerit për të gjetur një ilaç më të mirë dhe për ndihmuar të gjithë ata që vuajnë nga kjo sëmundje. Kontributi jonë është të bëjmë shqiptarët të ndihen më shumë pjesë e komunitetit të shkencëtarëve. Shqipëria po lëviz në drejtimin e duhur”.

“Ne po ashtu, kemi mbajtur konferencë në Shqipëri ku kemi prezantuar kërkimet që kemi bërë në shkencë dhe ky është kontributi jonë, të bëjmë shqiptarët të ndihen më shumë pjesë e komunitetit të shkencëtarëve. Gjithashtu shqiptarët të ndihen më shumë europianë. Shqipëria ka përparuar, është bërë progres i mirë dhe po lëviz në drejtimin e duhur”,  tha Detina. /Albinfo.ch, /KultPlus.com

Dostoevsky: Shumëkush e tregon veten si në pëllëmbë të dorës kur qesh

Fyodor Dostoevsky është ndër autorët më të njohur botëror i letërsisë ruse si dhe i filozofisë ekzistencialiste. Shkrimet e tij janë të njohura për shpejgimin e jetës, natyrës njerëzore, vdekjes, lirisë si dhe çështjeve tjera që e preukupojnë njeriun, shkruan KultPlus.com

Këtu kemi përzgjedhur një pjesë nga vepra “Adoleshenti” i autorit të famshëm rus, Dostoevsky:

“Kur shoqërohet nga sinqeriteti dhe privohet nga ligësia, të qeshurit del i gëzueshëm, i ëmbël, por ku e gjen gëzimin dhe ëmbëlsinë ndër njerëzit? Se të qenit i gëzuar është tipari më i shquar i njeriut!

Por ndodh edhe kështu: orvatesh dhe jo pak të zbërthesh një karakter dhe s’ia arrin dot, mjafton që njeriu të qeshë dhe karakteri i tij të hapet si në pëllëmbë të dorës. Kuptohet, kur të qeshurit është i sinqertë. Njeriu di të qeshë me zemërgjerësi vetëm atëherë, kur ka zhvillim ngjarjesh lumturuese”.

Unë mendoj kështu: kur qesh një njeri, nuk shihet dot me sy! Se të qeshurit ia bën më të theksuar vulgaritetin njeriut, i theksohet diçka poshtëruese, ndonëse vetë personi as që dyshon ndonjëherë për këtë. Se as këtë s’e dimë: çfarë shpreh fytyra jonë kur flemë?

Dikujt i shpreh mençuri, një tjetri i shpreh banalitet, deri idiotësi, një i tretë kur fle, duket qesharak. Nuk di nga se vjen; ajo që desha të them është se si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin personi nuk di asgjë.

Ka shumë që nuk dinë të qeshin, ndonëse këtu dija s’para hyn në punë; të qeshurit është dhunti, s’ke si e rregullon. Diçka edhe e arrin, duke i mposhtur brenda vetes instinktet e këqija, por fare pak.

Shumëkush e tregon veten si në pëllëmbë të dorës kur qesh. Kurse mua deri edhe e qeshura e mençur më është e pështirë.

Them se kërkesa e parë për të qenë e qeshura ashtu si duhet, është të qenit i sinqertë. Po ku e gjen atë te njerëzit? Të qeshurit e sinqertë parashikon mposhtjen e ligësisë, po pse e lehtë është kjo? Ndaj dhe jo rrallë njerëzit qeshin me ligësi.

Nuk e kam fjalën për nivelin e zhvillimit mendor të njeriut, po flas për shpalosjen e karakterit të tij përmes të qeshurit, për tërësinë e vetive si njeri. As heshtja, as të qarët, as të folurit, as të emocionuarit nga veprimet fisnike të të tjerëve nuk arrijnë dot ta tregojnë njeriun aq sa e tregon të qeshurit.

Qesh mirë, domethënë, është i mirë! Në iu rëntë në sy qoftë edhe një gram marrëzie në të qeshurit e tjetrit, dijeni, ky njeri s’e ka të theksuar dinjitetin vetjak.

Qoftë edhe kjo: dikush prej natyre është tejet i komunikueshëm, por ju duket disi banal e deri i lëshuar në sjelljen me njerëzit, dijeni se është natyrë vulgare; në rast se ju bie në sy në sjelljen e tij diçka fisnike, dijeni se o shtiret, o e ka të huazuar nga të tjerët.

Ky njeri me kalimin e kohës ka për të ndryshuar për keq! Një i tillë mund të kapet pas “të dobishmes”, por ciniken do ta flakë pa pikën e keqardhjes, ashtu si këmbejnë njëra – tjetrën edhe shkulmet rinore, frelëshuara të të qeshurit të tij të ngazëllyer.” / KultPlus.com

Roman Polanski fiton çmim në “French Oscars”, shpërthejnë protestat

Roman Polanski ka fituar çmimin e drejtorit më të mirë në France Oscars për filmin e tij “An Officer and a Spy”.

Por, me këtë s’janë pajtuar shumë aktore që protestuan kundër tij, pasi Polanski akuzohet për përdhunim.

Polanski nuk mori pjesë në çmimet e Cesar të vitit 2020 në Paris, por të qenit i nderuar shkaktoi protesta brenda dhe jashtë sallës së koncerteve të Salle Pleyel.

Në mesin e atyre që u larguan nga vendi i ngjarjes pasi u shpall çmimi i tij ishte edhe aktorja Adele Haenel, e cila vitin e kaluar akuzoi një tjetër drejtor për ngacmim seksual që filloi kur ajo ishte 12 vjeç dhe për sulm seksual kur ishte 15 vjeç. Klan Kosova / KultPlus.com

Lipa mohon se agjencia franceze Majorelle Pr ndihmoi festivalin “Sunny Hill”

Organizatori i festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, ka mohuar se agjencia franceze për marrëdhënie me publikun, Majorelle PR ka ndihmuar festivalin.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kjo agjenci nuk ka bërë absolutisht asgjë, në asnjë rast të dhënë.

“Agjencia franceze e marrëdhënieve me publikun, Majorelle PR në raportin e saj për arsyetimin e faturës mujore ndaj Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Integrimeve (28,000 euro në muaj, sipas raportit të Buletinit Ekonomik) e paska përmend edhe lobimin që e ka bërë në mediat franceze rreth festivalit Sunny Hill. Duam ta sqarojmë se kjo agjenci nuk ka bërë absolutisht asnjë punë për Sunny Hill Festival. Asgjë. Në asnjë rast të dhënë”, ka shkruar ai.

Ai thotë se e kishin refuzuar bashkëpunimin me këtë agjenci meqë e njëjta e kishte kushtëzuar ardhjen eventuale të gazetarëve francez në Kosovë me kërkesa jo-profesionale ndaj festivalit si dhe ndaj pjesëmarrësve dhe përkrahësve të festivalit të nivelit më të lartë botërorë.

“Dhe natyrisht se ne e kemi refuzuar menjëherë një mundësi të tillë të bashkëpunimit..dhe për këtë tentim dhe qasje joprofesionale është njoftuar edhe Ambasada e Kosovës ne Francë. Prandaj kjo agjenci nuk mund ta përmend festivalin Sunny Hill në raportin e saj të punës, në të cilin mundohet ta arsyetojë shumën e parave të cilën e paska marrë prej Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar Lipa.

Ai ka thënë se suksesin e festivalit e kanë arritur vetë pa ndihmën e institucioneve të vendit.

“Për Sunny Hill Festival është folur e shkruar në gjitha kontinentet dhe nga qindra media botërore, duke përfshirë mediat më të mëdha botërore (BBC, New York Times, The Guardian, Vogue dhe shumë media tjera të mëdha), mirëpo këtë sukses e kemi arritur me shumë punë dhe përpjekje kryekëput vetanake, vazhdimisht të pa ndihmuar nga institucionet qendrore të vendit tonë”, ka thënë tutje ai.

Lipa ka thënë se shteti nuk ka nevojë të paguaj agjenci të tilla jashtë vendit, derisa shton se në vend ka kompani shumë më të dëshmuara.

“Shpresojmë se me ndërrimin e Qeverisë do të ndërrojë edhe sentimenti ndaj promovimit kulturor të Kosovës, dhe se ndihma institucionale ndaj Festivalit do t’i afrohet mbështetjes të cilën qeveritë e shteteve fqinje ia bëjnë ngjarjeve të ngjashme në vendet e tyre, si psh Exit (Serbi), Ultra (Kroaci) apo Sziget (Hungari). Përfundimisht mendojmë se shteti ynë nuk ka nevojë të paguajë agjenci të tilla nga jashtë, përderisa ne kemi profesionistë brenda dhe jashtë vendit tonë, të cilët janë dëshmuar definitivisht si shumëfish më të suksesshëm se çfarëdo agjencie e huaj që as për afër nuk e ka vendin tonë për zemër, siç e kemi ne”, ka përfunduar ai. /KultPlus.com

Leze Qena feston datëlindjen e 85-të

Aktorja e mirënjohur Leze Qena sot ka mbushur 85 vjet shkruan KultPlus. Leze Qena është një ndër aktoret e pakta që në këtë moshë është aktive në jetën kulturore, duke marrë pjesë edhe më në seriale të ndryshme televizive.

Leze Qena qysh në moshë të re ka nisë me aktrim duke qenë kështu një ndër aktoret e para të Teatrit të Kosovës, e për të vazhduar kështu edhe me shumë role të ndryshme.

Lezja edhe sot është personazh i dashur për ata që e duan artin e kulturën. E lindur në Prizren, ka luajtur në “Shkolla e fshatit”, “Familja moderne”, “Macja”, “I ikuri” e projekte të tjera. Lezes duhet ti jemi mirënjohjes dhe ti përulemi për këto vite hare, teatër hyjnor dhe emocione të cilat na i dha neve dhe ne i pranuam pa pyetur më shumë. /KultPlus.com

Vajza e ëndrrave të mia

Poezi nga Bujar Meholli

Ah, duke kaluar tallazeve të jetës
i kredhur në mendime të thella
përherë më kapte trishtimi,
misticizmin rrekesha ta kuptoja
kur ja, ashtu befas m’u shfaqe,
dhe trishtimin si me dorë ma hoqe.
Gjallëri i dhe shpirtit tim,
s’di si ta shpjegoj këtë mrekulli.

Nga vështrimet e shumë vajzave
nuk më lëvizi fytyra,
kur u afrove ti, më fole,
thjesht mora pamje fëmijërore
me dëshirën për të qarë…

O vajzë me thjeshtësi shenjtërore!
Kur t’i ngula sytë dhe thellë të zhbirova
e kuptova sakaq se ishe ajo vajza
që gjithmonë e kam dashur,
kam ëndërruar që ta takoj një si ti.

Kur t’i shoh ata sy, bukuroshe,
nuk ma ka ëndja të sodis asgjë,
as ndërtesat qindravjeçare italiane,
as mrekullitë e Luvrit,
madje as peizazhet zvicerane.

Fjalët që ti nxjerr nga goja
rrjedhin si muzika e Bahut,
edhe sot e kësaj dite kur më flet
dhe fytyrën buzëqeshja ta ndriçon,
unë e marr prapë atë pamje prej fëmije
dhe lotin në majë të syrit prapë e kam
gati të më shpërthej… /KultPlus.com

Mbishkrimi antik në gur zbulon civilizimin e humbur në Turqi

Dimrin e kaluar një fermer vendas në jug të Turqisë u rrëzua mbi një gur të madh me mbishkrime misterioze që ishte gjysmë i zhytur në një kanal për ujitje.

Guri, sipas analizave të fundit, zbuloi historinë e lashtë të një civilizimi të humbur që mund të ketë mposhtur mbretërinë Phrygia të mbretit Midas në fund të shekullit VIII para erës sonë.

Sipas një deklarate, disa muaj pasi që e zbuloi gurin, fermeri u tregoi arkeologëve vendas për ekzistencën e tij, transmeton Koha Ditore.

”Menjëherë ishte e qartë se ishte i lashtë dhe ne njohëm gjuhën në të cilin shkruhej në gjuhën luviane e përdorur në epokat e bronzit dhe hekurit”, ka thënë James Osborne arkeolog dhe asistent profesor i arkeologjisë së Anadollit në Universitetin e Chicagos.

Me një traktor, fermeri i ndihmoi arkeologët të nxirrnin nga kanali gurin e rëndë apo shtyllën me mbishkrime.

Sipas deklaratës, shtylla me mbishkrim ishte e mbushur me hieroglifë të shkruar në gjuhën luviane, një nga gjuhët me të vjetra indoevropiane.

Gjuha e shkruar e mbushur me simbole me hieroglifë që datojnë nga Turqia e lashtë, lexohet në sekuenca të alternuara nga e djathta në të majtë dhe nga e majta në të djathtë. /Koha.net /KultPlus.com

Tefta Tashko Koço, këngëtarja e madhe lirike

Një femër, sa e këndshme aq dhe unike në zërin e saj. E mrekullueshme dhe me një vokal të jashtëzakonshëm. Me një personalitet të mbrujtur në kulturë të gjerë, hyri në vetëdijen shqiptare të atyre viteve të pështjellimta si një shkrepëtimë drite. Tefta Tashko Koço kishte kaq shumë të jepte këngës shqiptare. Ajo i dha këtij visari të çmuar jo vetëm zërin dhe përkushtimin plot pasion, por edhe shpirtin, atë shpirt që e thërriste në këtë gjëmim atdhetarie, në këtë mëvetësim të vlerave dhe manifestim pasuror, që erdhi si një balsam për plagën e mjerimit që solli koha. Ishin ato vite të vështira, të cilëve ajo u dha, prej shpirtit, prej hireve dhe bukurisë së saj, çfarë  kishte më të shtrenjtë.

Tefta Tashko Koço u lind më 2 nëntor 1910 dhe vdiq më 30 dhjetor 1947. Spikati si këngëtare e shquar lirike. Përvoja dhe talentiishin një garanci për vlerat ku ajo ngriti interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare.

Tefta Tashko Koço 16. 12. 1936 (Kel Marubi)

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëvë të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj. Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe këngët popullore të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qënë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. Ajo ndëron jetë në moshën e re 37-vjeçare pa pasur mundësi të zhvillojë karrierën e saj të plotë artistike. Motos ‘’Vdes dhe nuk dorëzohem’’ ajo i qëndroi besnike deri në  fund të jetës dhe nuk u dorëzua për emancipimin e Shqipërisë.

Nji fotografi e Gjergji Cancos, 21 shkurt 1938, kuadraton në të njajtën hapësinë emna të tillë si Ernest Koliqi, Asdreni, L. Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Aleksi-Gjoka (pianiste), Mikel Koliqi apo Koço Tashko. Para Kafes së Madh

Ajo mori titullin “Artiste e Popullit”. Më 2 mars 2004 Këshilli  i Bashkisë së Përmetit i dha titullin “Qytetare Nderi e Përmetit”. Busti i saj ngrihet sot në qendër të qytetit të Përmetit. Për të është bërë dhe një monografi nga Pandi Bello.

Tefta Tashko Koço la një familje të madhe. Një emër i madh nga një femër e madhe dhe shpirt i pasur artistikisht që quhet me plot gojën Divë.

***

Këngët popullore të Tefta Tashkos, regjistruar pranë “Columbias”-Itali, 1942: “Un’o ty moj të kam dashur”; “Kjo dashtnija kjoft mallkue”; “Kenke nur’ i bukurisë”; “Për një ditë, kur del goca në pazar”; “Këndon Kumrija”; “Metelikun ta kam falë”; “Ma ven dorën përmbi dorë”; “Dallandyshe vaj, vaj”; “Qante lulja lulen”; “Moj fëllanxë”; “Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”; “Dy gisht përmni vetull”; “Moj hyrije, bukurie”; “ Shamija e beqarit”; “Iku nata”; “Del një vashë prej hamamit”; “Zare trëndafile”; “Të dua, moj goc, e vogël”; “As aman, moj lule”; “Kroi i fshatit tonë”; “O moj sylarushe”; “Dolla në penxhere”; “Bilbil çapkëni”; “As u gremis moj lejthate”; “Dashtnuer tu bana”; “Ani, moj Hatixhe”; “Seç këndon bilbili malite”; “Shkapërceva dy-tri male”; “Edhe ky bilbili çka qënke një zog”; “Kam shtëpinë e vogël”; “I kam hypë vaporit”; “Fry, moj er’ e malit”; “O na atë fushë t’mejdanit”; “Edhe gurët e sokakut”.

Referime

Krantja Mustafa, “Artistja e Popullit Tefta Tashko Koço”, gaz. “Drita”, 1961, 31 dhjetor; Naçe P, “Tefta Tashko Koço”, “Ylli”, 1963, nr. 12; Kono Kristo, “Me dashurinë për atdheun dhe këngët e popullit”, gaz. “Drita”, 1976, 25 korrik; Mio Sokrat, “Bilbili i këngës shqiptare”, gaz. Përpara, 1977, 21 dhejtor; Filja Hysen, “Tefta Tashko Koço”, Tiranë 1980; Frashëri Thoma, “Interpretuese e shquar e këngës popullore”, gaz. Drita, 1982, 26 dhjetor; Koço Eno, “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, Tiranë 2000; Zaja Sami C, “Heti njeri i urtë i Shkodrës” Shkodër 2000 etj. /Albert Vataj /KultPlus.com

Akademiku francez: Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia

Maurice Druon (1918-2009) ishte nipi i shkrimtarit të madh Joseph Kessel. Ai filloi të shkruante për revista letrare në moshën 18 vjeçare.

Mori pjesë në ushtrinë franceze gjatë luftës së dytë Botërore. Në vitin 1948 mori çmimin “Prix Goncourt” për romanin e tij Les Grandes Familles (Familjet e Mëdha).

Ai u zgjodh si anëtar i Akademisë Franceze më 8 dhjetor 1966, sekretar i saj në vitin 1985, nga ku hoqi dorë më 2007-ën për shkak të moshës. Ishte shumë i njohur për shkrimet e tij shkencore dhe veçanërisht për shtatë romanet e tij historike “Mbretërit e mallkuar” që u bënë dhe filma.

Ai ishte Ministër i Kulturës nga viti 1973-1974 dhe deputet i Parisit nga viti 1978 më 1981-in.

U bë i njohur me thënien për shqiptarët:

“Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojes, të udhehequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”. /KultPlus.com

Dua Lipa po bëhet ikonë mode në botë

Gjithnjë e më tepër, Dua Lipa po kthehet në një ikonë mode, e cila herë pas herë, në daljet e saj publike ose videoklipe, rikthehet te trendet e viteve 90. Prej kohësh, këngëtarja është vlerësuar nga Vogue për sa i përket stilit të saj dhe për dikë në fillim të karrierës, duhet konsideruar si arritje. Së fundmi, Vogue zgjodhi Dua për videon në lidhje me koleksionet e Vjeshtës 2020 nga Java e Modës në Nju Jork.

Në videon të sjellë në formën e një sitcom-i të viteve ‘90, me regji të Bardia Zeinali dhe nën kujdesin e stilistes Jorden Bickham, Dua shfaqet si yll i muzikës pop, që jeton me një shërbëtor gazmor dhe dy qenushët e saj, të cilët “flasin” shqip. “Më në fund, ajo veshi Marc Jacobs,” thotë një prej tyre.

Ajo provon disa nga veshjet më të përfolura të Marc Jacobs, Tom Ford apo Eckhaus Latta, por ç’ështja më e madhe është: Çfarë duhet të veshë në darkë? /KultPlus.com

Një libër ndryshe për veprën e Naim Frashërit

Kontaktet e shqiptarëve me letërsinë perse janë të hershme dhe datojnë nga shekulli XV, kur shqiptarët u futën nën administrim të Perandorisë Osmane.

Dihet se edhe letërsia klasike turke gjatë periudhës së Perandorisë Osmane ishte zhvilluar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të letërsisë perse, ku klasikët e njohur persianë, si Hajami, Hafizi, Attari, Rumiu e të tjerë, merreshin për model e imitoheshin, transmeton Koha Ditore.

Në këtë mënyrë, edhe intelektualët shqiptarë të kohës që merreshin me krijimtari letrare ishin njohës të letërsisë klasike perse. Ndër ta ishte dhe Naim Frashëri, i cili intelektualisht qe formuar edhe në frymën e kulturës dhe letërsisë perse, që nga ambienti në vendlindje në Frashër, në Janinë e në Stamboll. Madje edhe shpërthimin e parë të talentit të tij poetik e bën në gjuhën perse me veprën “Tehajylet” (Ëndërrime).

Kundërpërgjigje de

Edhe pse Naimi është njëra nga figurat më të studiuara të letrave shqipe, libri “Naim Frashëri dhe letërsia perse” provon se deri më tani nuk i kemi njohur sa duhet të gjitha dimensionet letrare e kulturore të veprës së poetit tonë kombëtar.

Dhe pikërisht këtu qëndron vlera e këtij studimi të Abdulla Rexhepit, i cili veprën e Naimit e lexon dhe e interpreton nga një këndvështrim më ndryshe, që për shumë studiues dhe lexues ka qenë i panjohur dhe mbase dhe i heshtur.

Autori analizon poezinë, filozofinë, mitologjinë e teologjinë e Naimit në përqasje me letërsinë perse, duke vënë në pah raportet letrare e kulturore të Naimit me letërsinë dhe kulturën perse.

Se kishte nevojë për një qasje të tillë do të bindemi sapo të lexojmë kapitullin e librit, ku shkurtimisht përvijohet rreth disa trajtesave të studiuesve shqiptarë për veprën e Naimit.

Këtu shohim se studiuesit e para Luftës së Dytë Botërore kundrejt veprës së Naimit qenë shumë më objektiv në krahasim me ata të pas Luftës së Dytë Botërore, të periudhës së realizmit socialist.

Të parët në vlerësimet e tyre të veprës së Naimit iu përmbajtën kritereve të njohura formë, stil e përmbajtje, duke u munduar të nxjerrin në pah të gjitha dimensionet e tij intelektuale, qofshin ato me prejardhje lindore apo me prejardhje perëndimore. /Koha.net /KultPlus.com

Sot mbyllet konkursi për fotografi “Pen For Culture”

OJQ “ProPlus” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë ka ditë që ka hapur thirrjen e radhës për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që të aplikojnë në projektin “PEN FOR CULTURE” që ka për qëllim fuqizimin, paqen dhe socializmin dhe punës ekipore nëpërmjet artit.

Në këtë thirrje të hapur, kësaj radhe kanë pasur të drejtë aplikimi të gjithë të rinjtë prej moshës 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë interesim për të marrë mësime për fotografinë nga njëri nga fotografët më të mirë kosovarë.

ProPlus në këtë fazë të projektit fton të rinjtë që janë të interesuar për këtë fushë të artit që të jenë pjesë e kësaj punëtorie që do të zgjasë për tre ditë. Të njëjtit duhet të kenë njohuri bazë të gjuhës angleze.

Afati për aplikim është i hapur edhe sot dhe të interesuarit mund të dërgojnë aplikimin me të dhënat e tyre personale si dhe një numër telefoni në [email protected]. Nga kjo thirrje do të përzgjedhen 10 nxënës.

Nga nesër, të gjitha aplikimet do të shqyrtohen dhe të përzgjedhurit do të njoftohen përmes emailit.

Bëhuni pjesë e kësaj punëtorie artistike, shfaqni talentin tuaj dhe shoqërohuni me njëri- tjetrin, në mënyrë që të kuptoni botën e njëri-tjetrit më shumë, thuhet në njoftimin e organizatorëve të kësaj punëtorie që pritet të mbahet brenda territorit të Kosovës. Punëtoria do të mbahet nën mbikëqyrjen e një profesionisti dhe në fund të punëtorisë, nxënësit pjesëmarrës do të pajisen me mirënjohje. /KultPlus.com

Mëngjesi

Poezi nga Esad Mekuli

Zbehet qielli n’agim dhe retë e purpurta,
Perparese të kuqe varen n’largesi-
Si n’anderr, dikur… Gurbetqarët ofshajnë, tue dalë
prej birucave n’periferinë e largët e t’piklluemshme
dhe trupat e dërrmueme ua lëmon fresku i vesës,
puhija e parë mëngjesore…

Mëngjesi për ta asht – andërr e shartueme
në zhgjandër t’zezë e t’mundimshme,
thirrje e pamëshirshme për derdhjen e djersës
e t’gjakut –
qyteteve të largëta, rrugëve… për kafshatën e thatë-
ai asht zgjim i idhët, plot andrrime për bukë,
pse – cdo mëngjes asht mundim i ri, përbuzje e përulje,
dita qe ka me sjellë tundime tër eja, ma të randa,
shpërthen në mendje si agim’ i purpurt
mbi nënkresën e shkyeme,
si thirrjet e largëta, t’kuqrremta…
Sepse – cdo mengjes asht nji thirrje e dhimbshme:
– Bukë për sot, o jetë, pse shume buzë presin prej meje!

…Dhe vetëm nganjiherë, n’mbrendi, botnat e reja vetojnë
hareshëm: dit’ ma t’lumtuna u bijnë atëherë në t’pame
dhe rrugët bardhoshe, si amë lumenjsh,
shkrihen, burojnë n’vetëdije dhe vizllojnë para syve:
-Bukë do të ketë… dhe punë… -pëshpërisin
buzët e dridhshme.
-Votër të nxehtë për të gjithë! – dhe shikimi
depërton në thellësi, zbulon botnat e meshehuna,
dhe dalin para syve –
fushat
qytetet
njerëzit…

Zbulohet jeta e dëshrueme!…

Mëngjesi për ta asht andërr e kputun në zhgjandërr
T’zezë e t’mundishme,
thirrje e pamëshirshme për derdhjen e djersës
e t’gjakut
Qyteteve t’largëta, rrugëve… për kafshatën e thatë-
ai asht zgjim i idhtë, plot andrrime për bukë.