Princi Harry këndon me Jon Bon Jovin (VIDEO)

Princi Harry ka kënduar sot bashkë me yllin e muzikës rok, Jon Bon Jovi sot në studiot e famshme botërore  “Abbey Road”.

Atje muzikanti amerikan po riregjistron këngën e tij “Unbroken” me Korin e Fondacionit “Invictus Games”.

Harry – i cili do të tërhiqet nga detyra mbretërore në fund të marsit – postoi video gjatë regjistrimit të këngës.

Nga ana e tij, Bon Jovi tha se mezi pret të punojë me “artistin e njohur më parë si princ”.

Kjo këngë po bëhet për qëllime bamirësie, transmeton Klan Kosova, shkruan KultPlus.com

Analizë e plotë për projektet e restaurimit të monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se në mbledhjen e së martës së Komisionit të ardhshëm të Rindërtimit do të paraqitet e gjithë analiza për projektet e nevojshme të monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Ne tashmë kemi hartuar një plan të detajuar që lidhet dhe me fazat e restaurimit, konsolidimit të monumenteve. Jemi në fazën që jemi gati për ditën e martë në Komisionin e ardhshëm të Rindërtimit të paraqesim të gjithë analizën për projektet e nevojshme”, tha Margariti në konferencën e mbajtur në Kryeministri për prezantimin e projekteve të rindërtimit.

Margariti theksoi se, “specifika e monumenteve është e tillë që duhet të kalojë nëpërmjet një procesi tejet të detajuar, ashtu siç bëmë për planet e detyruara vendore, në të njëjtën mënyrë do të kemi një njësi zbatimi, në këtë rast Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili në bashkëpunim me ekspertë shqiptarë dhe të huaj do të hartojnë të gjithë  projektet e detajuara, jo vetëm të restaurimit, por mbi të gjitha dhe të konsolidimit”.

“Mendoj që do kemi po ashtu e nevojë për ekspertët e huaj, përderisa për një kohë tejet të shkurtër do të duhet që të analizojmë sidomos me aparatura dhe teknologji të larta territoret e prekura. Kjo punë ka filluar tashmë. Ekspertët e huaj na janë gjendur pranë që në muajin e parë dhe një pjesë e hulumtimit fillestar është bërë , por projekti i detajuar i zbatimit duhet të kalojë në një proces tjetër”, tha Margariti.

“Kemi analizuar koston, fondin e nevojshëm për hartimin e këtyre projekteve dhe jemi gjithashtu duke ndërtuar të gjithë skemën e granteve të atyre partnerëve, të atyre shteteve, të cilat janë shprehur në mënyrë specifike për mbështetjen e trashëgimisë kulturore si rasti i Amerikës, rasti i Polonisë, Zvicrës dhe shteteve të tjera”, u shpreh Margariti.

“Kështu që është një proces që po futet në rrugën ligjore të hartimit të këtyre projekteve dhe shumë shpejt, brenda afateve do kemi dhe koston totale të implementimit të këtyre projekteve”, u shpreh Margariti. /atsh / KultPlus.com

Fondacionit Kosovar i Arkitekturës pjesëmarrës në Bienalen e Venecias 2020

Fondacioni Kosovar i Arkitekturës do jetë pjesë e ekspozitës kryesore të arkitekturës të kuratorit të sivjetëm të Bienalës së Venecias zt. Hashim Sarkis. KAF në këtë ekspozitë do jetë pjesë e seksionit “Co-Habitats” dhe do prezentohet me paviljonin “Prishtina Public Archipelago”.

Sipas drejtorit të KAF-it dhe kuratorit të instalimit “Prishtina Public Archipelago” zt.Bekim Ramku, fakti se kjo është hera e parë që një arkitekt apo grup arkitektësh nga regjioni jonë ftohet të jetë pjesë e ekspozitës kryesore e bën këtë thirrje shumë të vecantë.

Ftesa nga zt. Sarkis për të qenë pjesë e ekspozitës kryesore në Bienalën e Venecias dhe fakti se për herë të parë një arkitekt apo grup arkitektësh nga regjioni jonë do jetë pjesë e ekspozitës kryesore të Arkitekturës në Bienale është një nder shumë i madh për ne. Pavlijoni “Prishtina Public Archipelago” (shq. Arqipelagu Publik i Prishtinës) trajton temën e “ishujve” publik në qendrën e kryeqytetit, nevojës për ti mbrojtuar ato nga privatizimi. Sipas zt.Ramku ekipi që përbëhet nga shumë kontribues duke filluar nga studentët e shkollave lokale të arkitekturës e deri tek filozof, urbanist e artist, do të shfaqet në Arsenale të Venecias me analizat e hapësirave të trajtuara në formë të diagamëve dhe dhe dokumentimit audio-vizual. Gjithashtu KAF është duke punuar në librin e ekspozitës i cili përpos teksteve dhe analizave mbi hapësirat e trajtuara në Prishtinë do ketë shkrime nga kontribues të shumtë regjional.

Bienalja e Arkitekturës në Venecia është ngjarja më e madhe dhe rëndësishme e arkitekturës në botë, ekspozita e saj e 17-të e titulluar “How Will We Live Together” është e kuruar nga arkitekti Amerikano-Libanez dhe Dekani i shkollës së arkitekturës dhe urbanizmit pran Massachusetts Institute of Technology zt.Hashim Sarkis. Kjo është hera e parë që në ekspozitën kryesore të Bienalës së Arkitekturës është pjesëmarrës një arkitekt (grup arkitektësh) nga regjioni jonë.

Për më shumë informata rreth Bienalës së sivjetme vizitoni faqën zyrtare të saj ku mund ti gjeni të gjitha informatat rreth temës dhe pjesëmarrësve të sivjetëm. / KultPlus.com

https://www.labiennale.org/en/news/biennale-architettura-2020-how-will-we-live-together

Samuel Beket, ai që i dha njerëzores thelbësoren në art dhe e çliroi teatrin nga konvencionet

Ai, Samuel Beckett ishte i zgjedhuri. Vinte për ta kthyer teatrin në një skenë ngjarjesh të mëdha, kumtimesh të epërme dhe transformimesh estetike.

Samuel Beckett, njihet prej mbarë nesh si novelist, dramaturg dhe poet. Djaloshi irlandez i lindur në Dublin rroku të hyjshmen e krijimit me pasionin e ngulmëtarit. Erdhi në letërsi dhe njiherash në artin e dramës, ashtu ngadalë, pa poterë e trumbeta lajmëruese. U ngjit duke sprovuar pa panikun e të pamundurës. Asgjë rastësore nuk vjen me të. Ai përgatitet për të gjitha dhe gjithçka që reflekton protagonismin e tij, është veçse vetja e një Sizifi që ngjitet. Teatri është Olimpi i këtij Zeusi që fal plotpushtetin por nuk i heq nga dora ushtat e zjarrit. Teatri, ai manifestim që përpëlitej në terrin dhe heshtjen, asgjësë dhe mykut të përtej siparit të së shkuarës dhe domosdosë së një shekulli ngulmëtar, kërkonte një zë, një zemëratë, një ëndërr gjërash të thyera që paralajmëronin ribërjen e botës.

***

Messhekulli XX tenton të ringrejë diçkanë në teatër si nga hiri Feniksin mitik. Vendosje elegante, kostume madhështore, intriga të spërdredhura dhe mbarime të lumtura, janë hope filluese. Ardhje që kërkonin të ngrinin të tjera ura komunikimi me një njeri që ndryshonte më shpejt koha, me një botëkuptim që kërkonte të ngrihej mbi gërmadhat e së shkuarës. Vetëdija konfuze e një individi që kërkonte shumëçka pa qenë në gjendje të vizualizonte se çfarë, më shumë se një rebus që kërkon zgjidhje ishte një dhimbjë që kërkon mbivendosjen e një tjetër dhimbje, për ta ndarë ngadalë nga terrori i padurimit të torturës së ferrit që kishte gatuar vetë. Samuel Beckett, ndoshta kishte diçka për të thënë, për të bërë, jo dhe aq për ta çkoduar këtë enigmë, se sa për të ç’burgosur këtë gjendje shpirtërore nga boshi, për t’i kthyer thelbësoren këtij njeriu përmes teatrit.

Ai na qaset me gjëra krejt të tjera, të ngjashme me gjendjen e zhveshur të një peme të vetme, pushtuar nga dy endacakë të rreckosur, që prisnin për dikë që nuk do të vinte kurrë.

Në këtë kohë boshe dhe me këto shpirtra të telendisur, shkrimtari na ofroi ne shëndetin e brutalitetit, dhembshurisë, shpresës dhe dëshpërimit, të gjitha në të njëjtën kohë.

Nga erdhi ky njeri, ky njeri, i cili ishte aq i përqendruar në më të keqen tonë dhe që nuk mund të na ndihmonte ne… për të zbuluar më të mirën. Por ai u përpoq, i bindur se njeriut që kishte marrë arratinë nga vetja, do ti lejohej të rivinte, pa pendim a shpagë.

E hapi derën e atij vendi, që dukej qartë si një dhomë e murrëtyer dhe na ftoi të futeshim brenda. Ngadalë… sytë tanë u mësuan me errësirën, dhe mundëm pak nga pak që t’i shikonim gjërat shumë më qartë.

***

Te teatri bashkëkohor i Samuel Beckett, dikush mund të shikojë se si ai zhvishet nga grackat konvencionale të trillimit artistik, duke u përpjekur tashmë që të zbresë deri te thelbësoren e gjërave. Dhe vërtetë ai e përlan me fushëpamje të gjithën këtë proces krijimi, këtë identitet që rreket të kërkojë të tashmen e vet.

Ndër krejt tekstshkruesit e plotkuptimtë modernë, Samuel Beckett, e veçon veten në një këndshikim të ndryshët të botës, reales, racionales, të kuptueshmes. Qëllimisht ai më bëhet se vendos të qëndrojë nga na e errët, nga ajo pjesë e reales së gjërave dhe gjëndjeve ku pahet fare me dritën, ose e ka refuzuar përgjithmonë këtë thërmi të gjallimit zjarmues.

***

Më 13 prill 1906 u lind ai, Samuel Beckett, novelist, dramaturg dhe poet, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1969, personazh që mban mbi vete ndikesën e fuqishme të një shekulli dhe barrën e rëndë të “teatrit absurd”. I fundmi modernist, i ethshmi tragjikomik, gjithëpoaq një themel i kështjellës së shëmbëllimit të vlerave të tetarit si altar predikimesh.

Vizionet e tij të ngrysura në lidhje me qenien dhe me ekzistencën njerëzore në themel të konceptimit, nxitojnë t’i hedhin mbi supe mantelin e një nihilisti. Sipas tij, fati i njeriut në të tashmen e përgjithmonshme është përgjithësisht i erret, ngase në çdo kapërcyell, në çdo kthinë, në çdo qoshkë e skutë, e përgjon sëmundja, mjerimi, vdekja. Në një njëfarë mënyre, kësaj krijese fatkeqe një Amok i vihet nga pas këmba-këmbës, nga djepi në varr duke mos e lënë për asnjë çast të qetë. Së këndejmi rrekemi të dëshifrojmë tek ai botekuptimin e një pesimisti të pandreqshëm, një lloj predikimi të Zarathustrës si Zot.

Situatat e ngjeshura dramatike në kumtin krijues të Samuel Beckett ngulmojnë të shpërfaqin vetëm episode të ngrysura, shterrur prej gjithëpamjes, të jetës. Vetmia, dobësia, degradimi, humbja e dinjitetit, janë kudhrat ku ai farkëton personazhin e tij absurd, me kast nevojën e tharmit të një mbinjeriu, për të cilin flet Niçe. Humori sarkastik që shoqëron skenat, situatat, gjestet dhe personazhet, e bën më klithës këtë pesimizëm që ngërthen skajet ku tendoset njeriu që ai njeh, njeriu që ai ka takuar, vetvetja që ai rreket ta predikojë si një mundësi për ta çliruar njeriun bashkëkohor nga plogështia, boshi dhe shterrimi.

Beckett duket qartë se është i apasionuar pas shpirtit spartan dhe nuk toleron kundrejt asgjëje që personazhet e tij të vijnë si një forcë që zhvendos atë që rrezikon vërtetë të tashmen duke nxjerrë në dritë një krijesë të gatshme për tu ndeshur. Forca përshkruese dhe thellësia depërtuese e brendisë dhe shpirtit të personazheve të tij e bëjnë Beckettin një ndër penat me të fuqishme të letërsisë moderne.

Ndoshta jo aq i pazakontë se sa i vetvetishëm, Beckett i rrethvjen nevojës së njeriut bashkëkohor të njihet me një pjesë të vetes së tij, të cilën ndonse e ka të vështirë ta pranojë, ai gjithqysh jeton me të. Sipas këtij deshifrimi të absurdit Beckettian, ky njeri duke e pranuar këtë vetvete, nuk ka pse druhet ta njohë, ta shikojë në sy, të flasë për të dhe të ndeshet me të, si me një sëmundje të cilën mund ta luftosh pasi e ke denoncuar, jo duke e fshehur, duke e strukur pas alogjizmit trashanik: se kur diçka e largojmë nga sytë e botës, ajo nuk ekziston. Harrojmë se rrugën për tek mjeku na e tregon gjithnjë sëmundja dhe shërimin na e predikon ndeshja dhëmb për dhëmb dhe jo përpjekja për të fshehur veten pas gishtit.

***

Kësosoj Samule Beckett e vendos veten në rendin e penave më të veçanta,  më origjinalë dhe më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.

Ai nuk ishte ekzistencialist si filozofi francez Jean-Paul Sartre.

Puna e tij ngjasonte në disa drejtime me atë të James Joyce, mësuesit të tij të parë, kryesisht në përdorimin e gjuhës.

Me Franc Kafkën ngjasonte në trajtimin e disa situatave herë-herë duke përcjellë frikë e terror.

Me Fjodor Dostojevskin, në nxjerrjen në pah të shpirtit njerëzor, të përjetimeve dhe vështirësive me të cilat ndeshet njeriu në jetë.

Me Dante Aligerin tek kryevepra botërore “Komedia Hyjnore” atë e pikëtakon frymëzimi.

Nëpërmjet dramës “Duke pritur Godonë” e cila është edhe vepra e tij më e suksesshme ai përcjell tek lexuesi shpirtin dramatik ku e konsideron veten një romancier të mirfilltë. “Duke pritur Godon” u shkrua në 5 Janar të vitit 1953 në Paris . Është konsideruar për shumë kohë si “best seller”. Krijimtaria letrare e Samuel Beckettit shpesh herë është përdorur edhe në teatër ku regjisorë me famë botërore kanë ngjitur vepra të ndryshme në skenë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe kanë patur shumë sukses. Duke bërë një shëtitje “virtuale” përmes Irlandës, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë ai shkroi poema dhe histori nga më të ndryshmet duke treguar përjetime dhe situata nga më interesantet të cilat i skaliti me mjeshtëri në rrjeshtat që kanë mbushur librat e botuara prej penës së tij.

Ky është Samuel Beckett, predikuesi i absurdit si formë çlirimi e njeriut nga plogështia dhe boshi, sëmundje këto me të cilat e molepsi modernizmi. /Albert Vataj /KultPlus.com

“1984” nga George Orwell, libër që duhet lexuar

George Orwell me siguri nuk mund ta dinte sesa profetike do të bëheshin fjalët e tij, kur shkroi romanin distopian “1984”, në mesin e shekullit XX. Britania e Madhe ka rënë dhe i ka lënë vendin Airstrip One, një provincë e supershtetit të sajuar për qëllime letrare, të Oqeanisë.

Airstrip One drejtohet nga një luftë e përhershme dhe Big Brother, një udhëheqës misterioz që përdor mbikëqyrjen e kudondodhur të qeverisë, si dhe një kult të personalitetit për të zbatuar ligjin dhe rendin.

Winston Smith, personazhi kryesor i librit, duhet të “lundrojë” nëpër Parti, Big Brother dhe mendimet e tij, të cilat bëhen gjithnjë e më “kriminale” me kalimin e kohës. /KultPlus.com

(Eingeschränkte Rechte für bestimmte redaktionelle Kunden in Deutschland. Limited rights for specific editorial clients in Germany.) *25.06.1903-21.01.1950+Schriftsteller, GrossbritannienPorträt vor einem Mikrofon der BBC (Photo by ullstein bild/ullstein bild via Getty Images)

Këta janë super-filmat që mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx

Këtë fundjavë, në Cineplexx mund t’i shikoni nga premierat më të fundit botërore, deri tek filmat vendor që po vazhdojnë të korrin suksese.

Vikendi është kohë që më së miri kalohet duke shikuar filma, dhe ku t’i shikosh filmat më të rinjë, më mirë se në Cineplexx. Këtë vikend, në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren mund t’i shikoni 9, respektivisht 6 filma të ndryshëm, të cilët shfaqen në orare të ndryshme nga ora 12:00 deri në ora 23:00. Top 3 filmat të cilët mund t’i shikoni këtë fundjavë në Cineplexx janë:

1) I Love Tropoja Pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmit “2 Gisht Mjaltë”, i cili mbetet filmi më i shikuar në Cineplexx, Ermal Mamaqi sjell një komedi të re, me titullin “I Love Tropoja”.

Filmi flet për një djalë me ambicie të mëdha për jetën, i cili shpreson që së shpejti do të vendoset në pozicionin që meriton në kompaninë ku ai punon, por çuditërisht ndodh e kundërta. Djali e gjen veten aty ku nuk e kishte menduar kurrë, në një qytet verior, në Tropojë, ku duket se shpresa ka vdekur bashkë me botën në mendjen e tij.

2) Sonic The Hedgehog Bazuar në personazhin e famshëm nga loja Sonic, filmi flet për një iriq shumë të shpejtë i cili gjen veten në planetinë Tokë dhe duhet të përballet me një detektiv të ligë i cili dëshiron ta kapë që të bëjë eksperimente me të.

3) Like a Boss Dy shoqe me ideale shumë të ndryshme nga njëra tjetra fillojnë një kompani bukurie së bashku. Njëra është më praktike ndërsa tjetra dëshiron të fitojë fatin e saj dhe të jetojë një mënyrë jetese të lavdishme. Përveç këtyre tre filmave, në të dy kinematë po shfaqen edhe filmat familjarë, Call of the Wild, Playing with Fire, super aksioni Bad Boys 3 dhe filmi horror Fantasy Island, ndërsa në kinemanë në Prishtinë në shfaqje mbeten edhe Dolittle, dhe filmi Birds of Prey.

Kinemaja në fundjavë nis punën nga ora 12:00, ndërsa për të gjithë filmat që po shfaqen dhe oraret e shfaqjeve mund t’i gjeni në linkun këtu: https://www.cineplexx-ks.eu/filma/programi-i-filmave/

Helen Mirren e fitoi “Ariun e Artë” për arritje jetësore

Ylli i kinematografisë u nderua në edicionin e 70-t të festivalit të filmit në Berlin, me një shpërblim special që e nderon karrierën e saj të suksesshme.

Aktorja 74-vjeçare Mirren, e kishte fituar shpërblimin e parë Oscar në kategorinë “Aktorja më e mirë” në vitin 2007, për portretizimin e mrekullueshëm të Elizabetës së Dytë në filmin “The Queen”, dhe gjatë karrierës filmike 5 dekadash i ka pranuar shumë çmime tjera të rëndësishme.

“Ky trofe është shumë i lezetshëm. Mendoj se statuja ime ‘Oscar’ do të dashurohet me të,” tha duke bërë shaka aktorja, teksa po e pranonte në skenë shpërblimin e saj.

Por, momenti më i duartrokitur për Mirrenin në festivalin që mbahet në kryeqytetin gjerman, ishte kur ajo i tha publikut se ende e konsideron veten një evropiane, pavarësisht Brexitit.

Gjatë ditës, aktorja e njohur britanike duke bërë shaka i kishte kërkuar gazetarëve që ta presin me ovacione, në një konferencë shtypi ku foli për jetën dhe karrierën e saj, transmeton Koha.net.

Përveç roleve në filma të suksesshëm si, “Gosford Park” dhe “The Madness of King George”, Mirren po ashtu është lavdëruar për performancat e mrekullueshme në projekte të ndryshme teatrale dhe televizive.

Mos u frikësoni nga Koronavirus, ne e kemi një pandemi, vrasjen e grave!

Nga Isa Myzyraj

Dy ngjarje tronditëse kanë ndodhur në Shqipëri në 24 orët e fundit. Një grua së bashku me vëllanë e saj janë vrarë në Mirditë, nga ish-bashkëshorti i saj, dhe një grua është vrarë në mes të Durrësit, në mes të ditës, në mes të njerëzve.

Patriarkalizmi na është ulur këmbëkryq, madje është kthyer në një pandemi, që nuk po i gjendet shërim. Nuk do të merrem me asnjë nga rastet specifike, pasi fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur trishtimin e vrasjeve të grave nga burrat ose ish-burrat e tyre.

Le të japim pak fakte, për ta konfirmuar se jemi në një pandemi partriarkalizmi dhe dhuna ndaj grave në shoqërinë tonë është një problem emergjent. Vetëm me shifa dhe me fakte, do e nxjerrim të keqen në pah dhe hajde të gjejmë zgjidhje!

Vetëm gjatë viteve 2018-2019, në Shqipëri janë vrarë në familje 23 gra. 11 prej tyre janë vrarë në 2018 dhe 12 në 2019, kryesisht nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët, ose partnerët e ish-partnerët.

Situata më dramatike paraqitet nëse marrim shifrat e 5 llojeve të dhunës nga raportet e publikuara nga sektori i grave dhe vajzave në zyrën e Kombeve të Bashkuara, INSTAT dhe disa organizata ndërkombëtare të tjera, dhe që kampioni i marrë në studim është i madh, dhe është konsideruar si studim kombëtar i besueshëm.

Kështu, 33.7% e grave dhe vajzave në Shqipëri, kanë përjetuar dhunë në familje nga partneri intim gjatë kohës që është bërë studimi (2019) dhe 47% e tyre kanë përjetuar të njëjtën dhunë ndonjëherë.

61% e grave dhe vajzave, kanë përjetuar dhunë gjatë marrëdhënieve dashurore intime gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 65 % prej tyre kanë përjetuar dhunë më parë. (Shuma e % nuk del 100%, pasi të anketuarat, mund të kenë përjetuar më shumë se një lloj dhune).

2.4% e grave dhe vajzave kanë përjetuar dhunë nga jopartneri që në moshën 15-vjeç, gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 18.2% e tyre kanë përjetuar të njëjtën dhunë në jetën e tyre.

8.5% e grave dhe vajzave, kanë përjetuar ngacmim seksual, gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 18.1% e tyre gjatë jetës së tyre.

6.9% e grave dhe vajzave kanë përjetuar përndjekje, gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 12.6 % e tyre kanë përjetuar përndjekje gjatë jetës së tyre.

52.9% e grave dhe vajzave, kanë përjetuar njërën nga 5 llojet e dhunës së sipërpërmendura.

E dini çfarë do të thotë kjo shifër?

1 në 2 gra në Shqipëri është e dhunuar! Kjo është padyshim një shifër alarmante.

Nëse vazhdojmë më tej, 58.8 % e grave dhe vajzave, kanë përjetuar dhunë fizike ose kanë pasur lëndime nga dhuna në familje.

Këto shifra mjaftojnë për të ulëritur, dhe për të brohoritur në mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave, kundër dhunës ndaj tyre dhe marrjen e menjëhershme të masave, që këto përqindje skandaloze të vijnë e të ulen.

Qeveria ndan 200 mijë euro për ta ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti.

Në këtë mbledhje është marrë vendim që të ndahen 200 mijë euro për Shqipërinë, në ndihmë nga dëmi i tërmetit të nëntorit të kaluar.

Kryeministri Albin Kurti tha përveç ndihmave të deritanishme do të ndahen edhe mjete financiare.

“Republika e Kosovës do të ndihmojë Shqipërinë për atë fatkeqësi të tmerrshme që ndodhi dhe përveç ndihmës së deritanishme ne do ta shoqërojmë edhe me mjete financiare”.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi, ka kërkuar që këto mjete të miratohen.

“Sot kam sjellë para jush për ndarjen e mjeteve financiare me një shumë prej 200 mijë euro”. / KultPlus.com

Findlej

Poezi nga: Robert Burns

Shqipëroi: Dritëro Agolli

Po kush me shkop në xham troket?
“S’do mend që jam Findlej?”
-Shtëpia fle dhe s’ka lezet!
“Nuk fle!” – i tha Findlej.

-Po si guxon këtej të vish?
“Guxoj!” – i tha Findlej.
-Ki mendjen punën mos e prish!
E prish!” – i tha Findlej.

-Deriçkën hapur po ta kesh…
“Ta kem!” – i tha Findlej.
-Pa gjumë natën do më lesh!
“Pa gjumë” – i tha Findlej.

-Dhe po të lashë në shtëpi…
“Më ler!” – i tha Findlej
-Të gjen mëngjesi në gosti!
“Më gjen – i tha Findlej.

-Sikur të gdhihem tok me ty…
“Me mua!” – tha Findlej.
-Ty prapë ky shteg ta bën me sy
“Ma bën!” – i tha Findlej.

Vlerave të trashëgimisë natyrore të Kosovës i shtohen edhe shtatë monumente të reja


Listës së vlerave të trashëgimisë natyrore të Kosovës i janë shtuar edhe shtatë monumente të reja të natyrës.

Sipas një njoftimi në Facebook, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës gjatë vitit 2019 ka realizuar studimin e vlerave natyrore në territorin e komunës së Vitisë.

Gjatë punës në terren, ekipet e Institutit në bashkëpunim me zyrtarët për mjedis të Komunës së Vitisë kanë evidentuar për mbrojtje 7 vlera të reja të natyrës si: Trungu i Bungbutes (Quercus pubescens) në Zhiti, Burimi i ujit termomineral në Ballancë, Trungjet e Qarrit (Quercus cerris) në Binçë, Trungu i Qarrit (Quercus cerris) në Germovë, Pylli i Mllakes (Quercus sp.) në Sllatinë e Epërme, Kompleksi i Trungjeve të Dushkut (Quercus sp.) në Sllatinë e Poshtme si dhe Guri i Blinave në Gjylekarë.

Sipas Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, lista e monumenteve të natyrës së bashku me studimet e përgatitura për secilën nga këto zona i janë dorëzuar për miratim Kuvendit Komunal të Vitisë me ç ‘rast dje me datë 27.02.2020 ky Kuvend Komunal ka marr vendim për aprovimin dhe mbrojtjen e këtyre vlerave të natyrës në territorin e kësaj komune.

“Me këtë rast listës së vlerave të natyrës së Kosovës i janë shtuar edhe shtatë objekte te reja duke e zgjeruar listën e zonave të mbrojtura të Kosovës në 217 zona të mbrojtura të kategorive të ndryshme”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Botohet “Lutja e parë e shpirtit”, vepra më e re e Sali Bashotës

Libri i pesëdhjetë me radhë, i botuar nga PEN Qendra e Kosovës, është vepra me poezi e Sali Bashotës, me titullin “Lutja e parë e shpirtit”. Me gjithsej 101 poezi, strukturuar në nëntë cikle, me parathënie të Milazim Krasniqit dhe me pasthënie të Ibrahim Berishës, vepra më e re e Bashotës, konsiderohet me vlera të larta poetike dhe estetike në poezinë sotme shqipe, shkruan KultPlus.

Nëntë ciklet e veprës janë: Lutja e parë Shpirti, Pëshpëritja e dytë Dashuria, Rruzullimi tretë Drita, Ofshama e katërt Fjala, Imazhi i pestë Dhimbja, Udhërrëfimi i gjashtë Ëndrra, Shkundullima e shtatë Fati, Idila e tetë Vetmia, Palimpsesti i nëntë Jeta.

Në parathënien me titullin “Poezi e obsesionit estetik dhe e panikut postmodernist”, studiuesi, Milazim Krasniqi, ndër të tjera, thekson: “Vëllimi poetik më i ri i Sali Bashotës shënon kulminacionin artistik të tij si poet, duke na ofruar edhe një mundësi të rishikimit dhe rivlerësimit të gjithë krijimtarisë poetike të tij, që tashmë ka hyrë në decenien e katërt. Nga “Albumi i grisur” (1986) e deri te vëllimi më i ri, ndërmjet të të cilëve janë edhe vëllimet,  “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999),  “Bukuri e nëmur ” (2006),  “Dorëshkrimi i ngjallur ” (2011), ” Në fillim ishte Drita ” (2017),  “Asnjë zë tjetër “(2018), poezia e Saliut ka ndjekur  një rrugë konstante ambicioze të evoluimit artistik, duke alternuar preokupimet motivore e tematike, sigurisht nën ndryshimet që kanë ndodhur në jetën personale e shoqërore, por duke mbajtur të pandryshuar obsesionin e komunikimit si një idealizëm estetik, në morinë e komunikimeve rivale ndërpersonale”.

Ndërkaq, shkrimtari Ibrahim Berisha, në pasthënien e librit, duke vlerësuar poezinë e këtij poeti, konstaton: “Poezia e Bashotës është përmasë e enigmës. Nuk është masë e dukshme që tregon marrëdhënien ndërmjet materies dhe shpirtit, për një çast, natyrisht thellësisht poetik, ajo zgjedh frymën lirike të vargjeve, që na shoqërojnë kudo me butësinë dhe dramaticitetin përjetues. Është nga poetët e veçantë që ndjen plotësisht arsyen e krijimit të mesazheve për botën që e kishte njohur dhe me të cilin kishte ndërtuar një marrëdhënie të papërfunduar. E fundja, poetët nuk përfundojnë asnjëherë vizatimin e kufirit të botës që ndan të kaluarën nga e tashmja dhe të tashmen nga e ardhmja. Këtë nuk e bënë poeti, edhe për arsye të mbajtjes së zgjuari një fushë të gjerë loje lirike, pasi lirizmi i tij është shpirtërorja e materializuar në të vetmin testament që ai e shkruan dhe kondenson. Kjo është fuqia për të transmetuar lutje. Nuk është kjo lutje ritual i zakonshëm që mbush ceremonitë në ditë të rëndomta, por është lutja për t’i harmonizuar subjektet emocionale, reale dhe jorelae, në fjalët e zgjedhura që mund t’i qetësojnë të gjithë ata lexues, që do të jenë shfrytëzues të këtij testamenti poetik”.

Gjithashtu, Bashota ka botuar edhe vepra me proza poetike: “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë”( 2010),“Rruzullimi i zjarrit”(2011),“Zemërimi i heshtjes” (2014), si dhe vepra me ese dhe studime letrare: “Shqipshkrimi kritik” (1997),“Kuteli prozator-poet-kritik”(1999),“Domethënia e ideve letrare”(2001),“Proza e filleve të modernitetit”(2006),“Studime letrare”(2008), “Enigma e shkrimit”(2018).
Vlerësime të larta kritike janë dhënë edhe për veprat e përkthyera të Bashotës, në shumë gjuhë botërore, siç janë dhënë edhe për veprat e tij të përkthyera, siç janë: “Only Death is White”/”Vetëm vdekja është e bardhë”(në gjuhën angleze); “Beauté maudite” /”Bukuri e nëmur” dhe “ Allume la lumière magique” /”Ndiz dritën magjike”( në gjuhën frënge); “Schalte das magische Licht ein”/ “Ndiz dritën magjike”(në gjuhën gjermane); “Il gioco delle foglio”/”Loja e gjetheve”( në gjuhën italiane); “Exilul Sufletului” /”Ekzili i Shpirtit” dhe “Ploaia fara Tine” /”Shiu pa Ty” ( në gjuhën rumune); “När himlen tystnar” /”Kur hesht qielli”(në gjuhën suedeze); “Прокълната красота” /”Bukuri e nëmur”(në gjuhën bullgare): “Ako stanam angel”/”Nëse bëhem engjëll”(në gjuhën maqedone); “Η άλλη όψη του”/ “Pamja tjetër e botës”( në gjuhën greke), “Albán éjszaka”/ “Natë shqiptare”(në gjuhën hungareze), “La ŝtono de la amo”/”Guri i dashurisë”( në gjuhën Esperanto), “Ego”( shqip-english-français), etj.

Poezia e Sali Bashotës është përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërkaq veprat e tij janë promovuar në Paris, Sète, Bukuresht, Sofie, Basel, Malmö, etj., si dhe në festivale të ndryshme ndërkombëtare të poezisë.
Bashota është nderuar me çmimet të larta letrare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, siç janë: “Pjetër Bogdani” (1999), “Pena e Artë”(1990 dhe 2000), “Menada”(2004), Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (2006 dhe 2012), “Serembe” (2010), Çmimi vjetor për letërsi për veprën më të mirë letrare në poezi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2011), Çmimi vjetor për letërsi “Ibrahim Rugova”, për veprën më të mirë në kritikë letrare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2018) etj.
“Lutja e parë e shpirtit”, është libri i tridhjetë e tetë me radhë, i shkrimtarit Sali Bashota. /KultPlus.com

“Ndonjëherë edhe djalli shfaqet si një njeri i paqes”

Thënie nga Bob Dilan

Dilan i cilësuar si këngëtari më i madh folk i shekullit të 20-të, me një karrierë mëse 45-vjeçare në publik, me më tepër se 40 albume muzikore, mijëra këngë të shkruara dhe disa libra poetik, poet me një vizion të jashtzakonshëm, shpesh i është shmangur kësaj pyetje.

Antikonformist i njohur në raport me materializmin industrialist të pop-kulturës amerikane, në vitin 1965 është përgjigjur shkarazi ” Mendoj më tepër rreth vetes se jam një këngëtar se sa valltar “. Për gati 20 vjet nuk ka dhënë asnjë intervistë. Argumentet janë edhe njëherë rihapur së fundi me daljen e librit “Vision of Sin” nga profesori i Universitetit të Oxford-it zoti Christopher Ricks i cili thotë se “Lirikat e shkruara nga Dylan, kanë hyrë në paktin e jetgjatësisë”.

Termi “literaturë” është veçse letërsi e përbërë prej sinteza të ngjeshura fjalësh. Pra tërheqja e vëmendjes prej këtyre fjalëve, jo në besimin e funksionit të fjalës si njësi e vetme, sepse natyrisht kadenca muzikore, zëri, stili, kanë rrolin e tyre, por pamja e fjalës së breftë në mënyrën më të pavarur nga të gjitha këto përbërës përbën argumentin e ngritur për dekada tashmë në pyetjen nëse është Bob Dylan zëri i “bum” gjeneratës e cila pa të a do kishte vallë zë.

Më poshtë disa nga thëniet e tij të njohura:
Dashuria është gjithcka, pa të nuk bëni dot
Sa rrugë duhet të bëjë njeriu para se të mund të quhet i tillë?
Kur s’ke asgjë, s’ke cfarë të humbësh
Nuk ke nevojë për meteorolog për të kuptuar nga cila anë fryn era /KultPlus.com

“Muaji i Kujtesës”, ekspozohen objekte personale të të përndjekurve nga regjimi komunist

Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, të iniciuar nga Ministria e Kulturës, organizoi një ekspozitë me objekte personale të personave që kanë vuajtur nga regjimi komunist si edhe me piktura të Lekë Tasit.

Në këtë aktivitet me karakter historiko-përkujtimor ishin të pranishëm drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, autori Lekë Tasi, si dhe shumë pjesëmarrës nga fusha të ndryshme si gazetarë, artistë, historianë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, falënderoi së pari Lekë Tasin për dëshmitë që ai ka lënë në librin e tij të njohur “Grabiani rrëzë kodrave”, ku tregohet një nga historitë më të dhimbshme të persekutimit komunist, është ajo e vërtetë jo fort e largët, që është përjetuar, është jeta e atyre familjeve që vuajtën në Shqipëri.

Nga ana e tij, Tasi foli rreth librit të tij “Grabjani rrëzë kodrave”, ku rrëfeu ngjarje, që ka përjetuar gjatë viteve të internimit.

Ai tha se libri pasqyron një realitet të zi e të hidhur, që shumë shqiptarë vetëm kanë dëgjuar. Libri është një pasqyrë e gjallë, me të vërteta tronditëse, që asnjëherë ata që i kanë provuar s’kanë për t’i harruar, çka të mban të mbërthyer e gjithë ankth, për episodet nga jeta reale, të paraqitura rrjedhshëm, thjesht e me një të vërtetë absolute, në atë realitet aq të dhimbshëm e të tmerrshëm.

Muaji shkurt është caktuar si “Muaji i Kujtesës”, për shkak të atyre ngjarjeve, që do të ndryshonin rrjedhën e historisë shqiptare, prandaj këto aktivitete janë jo vetëm për të kujtuar, por edhe për t’u solidarizuar, ndaj ngjarjeve që na kanë prekur të gjithëve. /atsh / KultPlus.com

Ben Blushi dhe Ismail Kadare në Panairin e Librit në Leipzig

Letërsia bashkëkohore shqipe do të prezantohet përmes emrave më përfaqësues të saj në Panairin e Librit, në Leipzig të Gjermanisë, që do të mbahet nga datat 12-15 mars 2020.

Alda Bardhyli drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit vëren se letërsia shqipe do të jetë  e pranishme përmes zërave më përfaqësues të saj në eventin e madh të librit si Mitrush Kuteli, Ismail Kadare dhe Ben Blushi. Në stendën e Shqipërisë në këtë panair, vizitorët gjermanofolës apo dhe të vendeve të ndryshme që do të vizitojnë panairin do të kenë mundësi të dëgjojnë intepretimin e pjesëve të zgjedhura nga këta tre autorë nën leximin e shkrimtares Ani Wilms, thotë Bardhyli.

Sipas saj, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e sheh këtë panair, si një mundësi komunikimi përmes vlerave tona më të mira. Të ftuar do të jenë dhe dy autorë të letërsisë bashkëkohore si Enkel Demi, Darien Levani si dhe dhe dy autore të njohura në letrat shqipe Flutura Acka dhe Diana Culi. Tema e këtij viti e Panairit është “Prejardhja, përkatësia, e përbashkëta“.

Sipas A. Bardhylit, QKLL do të jetë e pranishme në këtë Panair jo vetëm me stendën ku prezantohen vlerat tona më të mira por dhe me dy aktivitete që janë pjesë zyrtare e panairit që synojnë një gjithëpërfshirje ndërkombëtare. Duke u mbështetur tek tema e këtij panairi më 12 mars, ditën e parë të hapjes së Panairit, QKLL do të organizojë tryezën e diskutimit “Revolucioni i zemrave“ ku do të jetë e pranishme dhe Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti. Besoj se ndryshimi në vendet e rajonit duhet të fillojë nga zemra dhe letërsia e cila e ka këtë aftësi, thotë A. Bardhyli. Më 15 mars, poezia shqipe do të jetë e pranishme në Laipzig. Ndër të tjera nënvizojmë se ky muaj shënon dhe 100 vjetorin e lindjes së poetit të zëshëm Zef Zorba.

“Buzë të ngrira në gaz“, një varg i Zorbës do të bëhet shkas i një diskutimi mbi poezinë shqipe, por tashmë në një formë të re komunikimi e hapësire, duke bërë bashkë në tryezë emra të njohur të kësaj fushe“, shton më tej A. Bardhyli. Sipas saj, panairet janë një mundësi e artë për autorët e letërsisë së vendeve të vogla për të promovuar dukshëm vlerat e tyre më të mira. /Panorama.al /KultPlus.com

88c16624-4180-4150-a970-0fca0b137d99


Kultura dhe muzika shqiptare studiohet në Universitetin e Nju Xhersit

Dekani i Fakultetit të Muzikës Montclair-it, në Nju Xhersi, Robert Cart, tha se ky program i muzikës shqiptare do të zgjerohet.

Është bërë e ditur se në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Publik të Montclair-it, në Nju Xhersi, tashmë po studiohet muzika shqiptare. Me studentët amerikanë punojnë dy emra të njohur: Raif Hyseni dhe Merita Halili. Me nismën e zotit Hyseni, ky universitet ka krijuar Ansamblin Ballkanik, ku për momentin punohet pothuajse vetëm me muzikën shqiptare, shkruan albinfo.ch.

“Një tjetër performancë shumë e suksesshme e Ansamblit Ballkanik Shqiptar në Ansamblin Shtetëror Montc. Jam shumë krenarë për studentët e mi dhe performancën e tyre! Faleminderit të gjithëve”, u shpreh Raif Hysini në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Po ashtu, në faqen e Ministrisë së Diasporës së Shqipërisë shkruhet se muzika shqiptare në një universitet amerikan me studentë shqiptarë e të huaj studiojnë e performojnë muzikën shqiptare, si pjesë e Ansamblit Ballkanik në Universitetin Shtetëror Montclair në New Jersey. Ansambli është themeluar nga artisti i njohur i muzikës shqiptare, Raif Hyseni, me qëllim promovimin e folklorit dhe kulturës shqiptare në SHBA.

Këta studentë janë duke u specializuar në degë dhe instrumente të ndryshme muzikore, por gjatë kësaj lënde ata nuk praktikojnë rrymat e zakonshme për ta – si muzika klasike apo jazz – por muzikë shqiptare. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Përurohet shtatorja e Majlinda Kelmendit

Shtatorja e kampiones Olimpike kosovare, Majlinda Kelmendi u përurua sot në vendlindjen e saj, në Pejë.

Përurimin e shtatores e bëri presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e Laureatëve 2019, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës të enjten.

Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016.

Trajneri i saj, Driton Kuka, e kishte konfirmuar në korrik të vitit të kaluar, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se Federata Botërore e Xhudos ka vendosur t’i ndërtojë statujë Majlinda Kelmendit.

Kuka kishte thënë se “artistët më të njohur në botë janë ftuar për ta punuar statujën e bronztë për Kampionen tonë Olimpike!”.

Përkundër që kjo statujë u ndërtua nga Federata Botërore e Xhudos, Kuka bëri të ditur se ajo do të vendoset në Kosovë dhe kërkoi sugjerime për lokacionin e saktë.

Pikërisht lokacioni ishte bërë problemi kryesor në këtë çështje, pasi që Driton Kuka thoshte se Komuna e Prishtinës s’i ka kthyer atij përgjigje qysh nga vera për lokacionin e statujës së Majlinda Kelmendit. Më vonë u vendos që ajo shtatore të ngrihet në Pejë. / KultPlus.com

BBC shkruan për Arilenën: Eurovisioni kishte nevojë për një baladë të fuqishme si “Shaj”

BBC i ka dedikuar një artikull këngëve konkurruese në “Eurovision 2020”.

Ata e nisin shkrimin me këngën konkurruese të Mbretërisë së Bashkuar këtë vit, që përfaqësohet nga këngëtari James Newman.

31-vjeçari, vëllai më i vogël i të cilit është nominuar në ngjarjen më të madhe vjetore të ndarjes së çmimeve në Birtani, Brit Awards, John Newman, tashmë ka shkruar këngë për emra të njohur si: Ed Sheeran, Jess Glynne, Calvin Harris dhe Little Mix.

Ai mori një çmim Brits dhe një nominim Grammy për punën e tij në këngën e “Rudimental Waiting All Night”. Nga ana tjetër, ai bashkë-shkroi këngën garuese të Irlandës në “Eurovision 2017”.

Në maj, James Newman do të niset për në Roterdam si një artist i vetëm me këngën e tij të titulluar “Breath My Last”. Është e shkurtër dhe e drejtpërdrejtë”, shkruan BBC referuar këngës angleze që përfaqëson sivjet Mbretërinë e Bashkuar në “Eurovision.

BBC gjithashtu nuk ka lënë pa komentuar edhe interpretimin e Arilenës, duke e quajtur si të nevojshme prezencën e një balade të tillë në “Eurovision”.

“Eurovisioni” nuk do të ishte “Eurovision” pa një baladë të fuqishme, preferohet të këndohet në një vëllim kryesor nga një femër me shumë flokë”, nis shkrimin BBC dedikuar këngës reprezentuese shqiptare.

“Në atë front, Arilena Ara sjell diçka të tillë. Kënga e saj quhet fjalë për fjalë “ulërimë” dhe ajo interpreton notat e larta me gjithë hollësinë e një zëri të veçantë”, vazhdon shkrimin gjiganti britanik.

“Që kur fitoi X Factor Albania në vitin 2013, ajo është bërë një nga yjet më të mëdha të vendit, me më shumë se 1.1 milion ndjekës në Instagram. Solo-kënga e saj “Nëntori” ka qenë gjithashtu një hit në Rusi dhe Rumani, që do të thotë se ajo do të jetë e njohur për votuesit atje”, ka përfunduar shkrimin BBC dedikuar Arilenës.

Këngëtarja shqiptare përndryshe do të ngjitet në skenën e ‘Eurovisionit’ në natën e dytë gjysmë-finale, duke kënduar e 18-ta me radhë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=jCKsleqWoz0&feature=emb_title

Pas 39 vjetësh Spielberg heq dorë nga “Indiana Jones”

Për herë të parë pas 39 vitesh, regjisori Steven Spielberg kalon stafetën e ”Indiana Jones”.

Regjisori 73-vjeçar nuk do të drejtojë më episodin e pestë të serialit në lidhje me arkeologun aventurier, ndërsa James Mangold është në tratativa për të trashëguar drejtimin e serialit.

Sipas revistës “Variety”, Spielberg do të mbetet i përfshirë në projekt si një prodhues, ndërsa ende nuk dihet nëse George Lucas do të luajë një rol si në të kaluarën, ndërsa aktori Harrison Ford, 77 vjeç, është konfirmuar.

Falë katër filmave të parë me Harrison Ford – i pari “Raiders of the Lost Ark” i publikuar në 1981 – regjisori ka fituar tetë nominime për Oscar, duke përfshirë një për filmin më të mirë. /KultPlus.com

Piktorja Argenita Fetahu vjen me ekspozitë personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Në ambientet e Galerisë së Ministrisë së Kulturës do të bëhet ceremonia e hapjes së ekspozitës personale të piktores Argenita Fetahu, e titulluar “Përtej.”

Në brendinë e pikturave të Argenitës gjithçka na dërgon drejt një mendimi subjektiv, sepse vet piktura e saj na shtynë ta ngacmojmë imagjinatën. Veprat e saj paraqesin një temë që lidhet me përjetimet emocionale të kohës kur janë realizuar.

Veprat e saj kanë një pikë referimi, eksperiencën e vet artistes, ndjeshmërinë, raportin mes të shkuarës dhe të tashmes. Imazhet gjysmë reale dhe gjysmë abstrakte mbeten të fiksuara në vepra si një strukturë individuale, ku ndjeshmëria tonale kthehet në vlerë unike.

Në këtë ekspozitë ka edhe një veçanti, gjegjësisht një fustan të nënës së saj, me anë të së cilit Argenita paraqet dy kohë, dy breza. Në të njëjtën kohë paraqet aspektin e emancipimit, se deri ku kemi bërë progres në këtë drejtim, apo kemi ngelur në të njëjtin stad me të kaluarën. Pra, autorja ka zgjedhur fustanin për të trajtuar temën e cila hap horizonte përtej asaj që ne shohim nëpër tablo.

Personazhi kryesor – figura e kultit të nënës, përkatësisht fustani i saj i viteve të 80 – ta, bart një kronologji ngjarjesh historike, që kanë ndodhur përreth dollapit të pritjeve të mëdha. Është fustan që identifikohet me gjendjen sociale, politike, kulturore, filozofike, me të qenurit nuse, grua, nënë, femër me imagjinatë të bujshme, të cilën, sot autorja do ta z’deshë nga vitrinat e mbamendjes, për ta veshur në rrethana arti me ngjyra arti.

Ekspozita hapet më datë 4 mars në ora 19:00 dhe do të qëndroj e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës deri më 27 mars 2020. / KultPlus.com

Nënshkruhet peticion ankese për performancën e Jennifer Lopez dhe Shakirës në Superbowl

Jo të gjithë e kanë pëlqyer shfaqjen e Jennifer Lopez dhe Shakirës në pushimin e pjesëve në “Superbowl”, madje FCC (Komisioni Federal i Komunikimit) në SHBA, ka marrë 1322 ankesa për të.

Jennifer dhe Shakira kënduan dhe kërcyen me super koreografi hitet e tyre më të njohura e pavarëssisht se morën komplimenta nga publiku nga të katër anët e globit, pati dhe nga ata që menduan se shfaqja ishte e papërshtatshme.

Një prej personave që plotësoi një ankesë zyrtare pranë FCC tha se ajo çka kishte parë në ekran ishte “shumë e papërshtatshme” dhe “tepër ofensive”. Ndërkohë të tjerë kanë vënë theksin se ishin një shfaqje e papërshtatshme për fëmijët dhe se të paktën duhet të ishte vendosur një paralajmërim në ekran që të mos ndiqej me familjen. Pati dhe nga ata që e krahasuan me “pornografi”.

Sido që të jetë, performance e J.Lo dhe Shakirës u kosnsiderua një sukses i vërtetë dhe ka marrë më shumë se 135 milionë shikime në Yotube. Shfaaja u konsiderua si një tribut i këngëtareve për rrënjët e tyre latine dhe pati një të ftuar speciale në skenë, pikërisht vajzën e Jennifer, Emma-n. Edhe në rrjetet sociale pati kritika për koreografitë dhe lëvizjet e artisteve, megjitahtë ishin në pakicë të dukshme. /KultPlus.com

Ministrja Dumoshi në ceremoninë e KOK-ut: Sporti, fusha më e suksesshme në Kosovë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës “Laureatët 2019”, ku janë ndarë çmimet për sportistët dhe trajnerët më të mirë të sportit për vitin e kaluar.

Ministrja Dumoshi në emër të MKRS-së mbajti një fjalë rasti në ceremoninë në fjalë ku mes tjerash tha se sporti është një prej prioriteteve të ministrisë dhe do të ketë një vend të veçantë për shkak të sukseseve që ka kjo fushë në Republikën e Kosovës.



Ja fjala e plotë e Ministres Dumoshi:

I nderuar Z. Hasani – President i KOK (Komiteti Olimpik i Kosovës)
I nderuar Z. Marius Vizer President i Federatës se Ndërkombëtare te Xhudos(IJF)
Te nderuar Kryetarë te Federatave – Sekretarë të Federatave
Të nderuar pjesëmarrës,
Shumë të dashur sportistë,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë qe në ceremoninë e laureatëve t’ju drejtohem si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Edhe më e lumtur që sot kemi mes nesh Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Z. Marius Vizer me të cilin sapo pata nderin të kem një takim.

Z. President, falënderimet janë të pakta për krejt angazhimin tuaj në avancimin e sportit kosovar dhe sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare.

Njëkohësisht, ndihem e lumtur për punën dhe sukseset e sportisteve dhe trajnerëve në ciklin olimpik të cilët kanë arritur rezultate cilësore. Kjo bazuar edhe ne angazhimin e organizatave sportive, të cilat me këmbëngulësi e punë të palodhshme kanë arritur suksese të jashtëzakonshme.

Lëvizja olimpike bazohet në vlera dhe po të njëjtat vlera i ka përqafuar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sporti është prioritet. Në Mandatin qe unë udhëheq sporti do të ketë vend të veçante për shumë arsye, mbi të gjitha për pasionin e madh që kam personalisht për sportin. Shpreh vlerësimin e konsideratën time për kontributin e vlefshëm të komunitetit sportiv në Kosovë, në të gjitha fazat e zhvillimit te sportit në Republikën e Kosovës.

Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bazuar ne programin qeverisës kemi përcaktuar objektivat e qarta ne zhvillimin e sportit, duke përmirësuar infrastrukturën ligjore dhe investimet ne standardizimin e infrastrukturës sportive si mbështetje për organizatat sportive për zhvillimin e sportit.

Për mua ka qenë privilegj i veçantë të organizoj për herë të parë pritjen e ekipit olimpik për ngjarjen më të madhe në sport – Lojërat olimpike verore, ku Kosova u stolis me medaljen e artë të cilën ia dhuroi Majlinda Kelmendi. Prandaj veçmas faleminderit Majlinda e Driton që na bëtë krenarë.

Njëkohësisht dua të shpreh mirënjohje dhe të falënderoj Kombëtaret e futbollit, hendbollit, basketbollit, volejbollit sporteve individuale, xhudos, mundjes, atletikës, boksit, karatesë, etj.

Ju garantoj që do të punoj ngushtë me organizatat sportive ne përmirësimin e qeverisjes se mirë duke avancuar programet të cilat rrisin efikasitetin në realizimin e qëllimeve te përbashkëta.

Uroj dhe shpresoj që sportistët tanë duke arritur norma olimpike do te rrisin Ekipin Olimpik te Kosovës dhe Republika e Kosovës të paraqitet me vajzat dhe djemtë me te mirë në Tokio 2020.

Krahëhapur do ti presim të kurorëzuar me medalje olimpike. / KultPlus.com

Sipas një studimi, vajzat lexojnë më shumë se djemtë

Vajzat nuk dinë matematikë. Djemtë nuk lexojnë.

Këto stereotipe negative forcohen jo vetëm nga mësuesit dhe prindërit, por dhe nga vetë nxënësit, tregon studimi.

“Studimi ynë mund të jetë i pari që heton si besimet stereotipike të nxënësve rreth leximit te djemtë ndikojnë realisht tek ata,” tha bashkëautori Jan Retelsdorf, një psikolog në universitetin e Hamburg-ut, Gjermani.

“Ne e pamë rezultatin e stereotipeve në klasa dhe jo në laborator,” shton ai.

Studimi i publikuar në gazetën Child Development zbuloi se vajzat përfitonin nga besimi i nxënësve të tjerë se ato kishin më shumë prirje drejt librave. Kjo ama krijoi një vetëbesim shumë të ulët te djemtë.

Sipas studimit, është pikërisht ky stereotip i pabazë që nxit vajzat të lexojnë më shumë dhe djemtë të ndihen më larg librave. /KultPlus.com

Këngëtari shqiptar Gjon’s Tears në listë për të përfaqësuar Zvicrën në Eurovision

Zvicra do të njoftojë për përfaqësuesin e saj për në Eurovision 2020, më 4 mars. Transmetuesi SRF ka dhënë të dhëna për artistin dhe këngën, por tani tifozët e Eurovision-it kanë bërë disa gërmime dhe kanë zbuluar edhe një emër të mundshëm si përfaqësues të Zvicrës në Eurovision. Bëhet fjalë për artistin shqiptar, Gjon Muharremin, shkruan KultPlus.

Fansat kanë zbuluar një këngë të shtuar rishtas në listë dhe në bazën e të dhënave që regjistron kompozime nga kantautorë zviceranë. Kënga titullohet “Repondez-moi” (Përgjigjmu mua) dhe interpretuesi është Gjon’s Tears.

Gjon’s Tears është emri skenik i Gjon Muharremit. Ai gjithashtu interpreton në një grup me të njëjtin emër. Gjon është i lindur në Zvicër me një baba kosovar dhe nënë shqiptare.

Ai njihet në Shqiptari sidomos për paraqitjen e tij në ‘Albania’s Got Talent’ në vitin 2010 dhe së fundmi ai bëri emër në Francë vitin e kaluar duke u shfaqur në “The Voice”.

Titulli i këngës së Gjonit, që po pretendohet për në Eurovision, është një frazë frënge “Repondez-moi” ose “Përgjigjmu mua”.

Ndërsa Shqipërinë në Eurovision, këtë vit do ta përfaqësojë Arilena Ara me këngën “Shaj” të cilën do ta interpretojë në gjuhën angleze. https://wiwibloggs.com/2020/02/28/will-gjons-tears-represent-switzerland-at-eurovision-2020-repondez-moi/250874/?fbclid=IwAR11MAKjO1lV-yVhOvd7hXMozq1h1YTsTvpZ1Ztx99KnWUhZMVp_AGiFrf4 / KultPlus.com