Jolanda Onsmalliu Koçi, shkencëtarja e parë shqiptare në fushën e epidemiologjisë

Kujtesa për figura të shquara të mjekësisë shqiptare është materializuar në librat aq të çmueshëm të Profesor Flamur Tartarit. Me Profesor Flamurin ishim miq të kahershëm deri ditën që ai u nda nga jeta. Diskutimet për çdo problem të mjekësisë shqiptare ishin si të thuash edhe A-ja dhe Zh-ja e komunikimeve tona. Ai, po aq pasionant pas punës në spital dhe në katedrën e urologjisë, ishte edhe për të shkruajtur një libër të ri me tema nga më të ndryshmet, por veçanërisht në bërjen e monografive për figura të shquara të mjekësisë shqiptare, ku ai ishte i jashtëzakonshëm për kërkimin dhe pasurimin me material arkivor dhe plotësues për çdo figurë. Kur e debatonim buxhetin për shendetësinë apo nivelin e pagave për mjekësinë, ai debat ngelej gati për ditë të tëra thembra e Akilit, sepse ai këmbgulte në vlerat e meritokracisë dhe hirarkisë së profesionistëve dhe stimulimin e punës shkencore dhe specializimeve të vazhdueshme të gjithë sistemit shëndetësor. Debati me argumentat e tij shkencore ishin një shkollë më vete duke më servirur shembuj të jashtëzakonshëm të mjekëve shqiptarë që nga emra si N. Suma, J. Panteqi, R. Frashëri, J. Basho, P. Roci, Sh. Ndroqi, M. Drrasa, Y. Vebiu, F. Hoxha, K. Glozheni, S. Polena, F. Shiroka, Sh. Karaulli, P. Boga, I. Gjylbegu, K. Kërçiku, P. Çina, F. Paparisto, S. Bekteshi, I. Tartari, J. Theodhosi, H. Sulçebeg, M. Agolli, P. Gaçe, K. Mojsiu, J. Koçi, Z. Floqi, A. Safa, B. Preza, P. Kokalari, V. Grillo, Sh.Basha, T. Karagjozi, LL. Ziçishti, B. Elezi, B. Zyma, S. Imami, etj. Jolanda Osmalliu Koçi ishte shkencëtarja e parë e shkollës shqiptare të mjekësisë, – më thosh ndër të tjera, – Profesor F. Tartari dhe i vinte shumë keq që për meritat e saj shkencore asaj nuk ia dhanë edhe pas vdekjes një gradë më të lartë shkencore edhe pse iu propozua nga Këshilli i Lartë Shkencor pranë Kryeministrisë, por diku kjo punë ngeci si çdo fenomen i kohës në vitin 1996.
Jolanda Onsmalliu Koçi në 5 maj të këtij viti do të ketë 80 vjetorin e lindjes dhe u kujtojmë autoriteteve shtetërore që atë motivacion të harruar në sirtaret e Ministrisë së Shëndetësisë, qysh nga koha kur ministër ishte z. M. Cikuli, ta miratojë titullin e Profesorit në shkencën e Epidemiologjisë. Jolanda Koçi duhet kujtuar për shumë arsye, por në këto ditë të kësaj Pandemie Botërore, ajo po të ishte gjallë, do kishim ndoshta përgjigjen e shumë enigmave në nivel botëror dhe pse jo edhe një ndër shkencëtaret e cila me autoritetin e saj shkencor do ishte në krah të atyre shkencëtarëve që do të shpikin antivirusin e Koronavirusit. Jolanda i ngjiti shkallët e karrierës mbas studimeve në shkollën e mesme mjekësore të cilën e mbaron me nota të shkëlqyera në vitin 1955. Me mbarimin e fakultetit të mjekësisë me rezultate shumë të larta në vitin 1960, ajo fillon punën si mjeke në Laboratorin Qendror Baktereologjik dhe më pas Instituti i Higjenës dhe i Epidemiologjisë. Në Institut punoi në sektorin e prodhimit të vaksinave në repartin e anatoksinës difterike dhe tetanike. Rritjen e saj profesionale e filloj qysh nga mjeke e thjeshtë, shefe reparti, shefe e sektorit të prodhimit të vaksinave e deri në zëvendësdrejtoreshë e Instutit Kërkimor të Higjenës dhe Epidemiologjisë nga vitet (1989-1994), plot 24 vjet pa ndërprerje dhe vetëm gjashtë muaj para se të ndahej nga jeta më 30 Maj të vitit 1994 ajo luftoi me vdekjen me një sëmundje shumë të rëndë. Në vitin 1971 pas një specializimi tre mujor në Bukuresht të Rumanisë, ajo bëri bashkimin e dy vaksinave asaj të anatoksinës difterike me atë tetanike native, që deri në atë kohë ishin veçmas, por bashkoi edhe vaksinën kundër Pertusit(kollës së mirë) duke prodhuar në vendin tonë të famshmen Trivaksinë diftero-tetano-pertusike(DTP) e njohur dhe e përdorshme në të gjithë botën, në mbrojtje nga tre sëmundje infektive shumë të rrezikshme, me një injeksion dhe me më pak ndërlikime apo efekte anësore. Jolanda këtë trevaksinë e kontrollonte me standartet botërore dhe vaksina qëndronte përkrah tyre plotësisht. Ajo bëri vaksinimin e të gjithë fëmijëve dhe nuk pati asnjë të vdekur (për afro 10 vjet prej tetanozit), por për hërë të parë u vaksinuan gratë shtatëzana në tremujorin e tretë të barrës dhe si pasojë u mënjanua plotësisht rreziku dhe infektimi në lindje i fëmijëve nga sëmundja vdekjeprurëse e tetanozit. Jolanda Onsmalliu Koçi është e para grua shqiptare, në fushën e mjekësisë profilaktike, që merr pjesë në mbledhje e forume botërore dhe evroppiane, duke iu imponuar kolegëve të saj dhe nderuar punën e Institutit dhe të sajën në fushën e profilaksisë dhe të prodhimit të vaksinave në vendin tonë. Jolanda bëri studimin e plotë të epidemiologjisë së tetanozit në vendin tonë qysh nga viti 1949 deri në vitin 1977, duke kontrolluar rastet një për një format e sëmundjes, shkatarin dhe mjekimin e bërë si dhe përfundimin. Kulmin e kërkimeve të saj për tetanozin ajo e dha në punimin shkencor për të marrë gradën e kandidates së shkencave mjekësore në mesin e vitit 1977 me titullin “Tetanozi”; Aspekte epidemiologjike, imunologjike dhe profilaktike. Me miratimin e Këshillit të Lartë të Atestimit pranë Ministrisë së Arsimit Vendimin nr. 28, datë 27.12.1979 dhe Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 99, datë 28.12.1979, Jolanda merr gradën kandidate e shkencave si e para mjeke në shërbimin infeksionist epidemiologjik dhe higjenës (sektorin e profilaksisë) në vendin tonë. Jolanda bëri shumë studime dhe shumë prej tyre u botuan në revistat si “Buletini i Shkencave Mjekësore” si dhe në “Buletinin e Shkencave Ushtarake” apo në “Buletinin e Institutit të Higjenës”. Disa probleme të difterisë dhe tetanozit në vendin tonë dhe efektin e vaksinave pas vaksinimit janë botuar edhe në revista të huaja si në Rumani, Itali, në buletinin e OMS-it. Po ashtu Jolanda ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në mbledhjet e Byrosë Evropiane të Higjenës dhe Epidemiologjisë, të cilat u zhvilluan tre herë në Itali dhe një herë në Stamboll(Turqi), qysh nga viti 1988-1992. Jolanda u nda nga jeta pikërisht në atë kohë kur do të gëzonte plotësisht frytet e punës dhe jetës së saj: do të shihte të realizuara plotësisht ëndrrat e saja të thurura për punën, shkencën, përparimin e Institutit ku ajo punoi tërë jetën dhe e deshi aq shumë. Jolanda e mira e të mirave u nda nga familja e saj dhe të afërmit, shoqet e shokët dhe nga të gjithë ata që e njohën dhe e deshën, për të mbetur gjithmonë në zemrat e tyre. /Koha jone /KultPlus.com

Ende nuk dihet nëse do të mbahet këtë vit Eurovisioni

Kur aktivitet kulturore në të gjithë vendet e prekura me Covid-19 janë pezulluar pa një afat, në pikëpyetje është nëse këtë vit do të mbahet Festivali i Këngës Europiane, ku këtë vit Shqipëria është në garë me Arilena Arën. Përmes një postimi në Instgram, faqja zyrtare e Eurosongut, bën me dije se po shihet situata por që ende nuk ka një përgjigje finale për fatin e festivalit.

Postimi i plotë

“E dimë që me ankth po prisni lajme për të ardhmen e Eurovision Song Contest. Me një ndryshim të vazhdueshëm të situatës rreth koronavirusit dhe për shkak të numrit të madh të njerëzve për t’u konsultuar, çdo element i rëndësishëm ka nevojë të merret në konsideratë. Ju lutem, të durojmë së bashku. Shpresojmë të kemi më shumë informacion së shpejti”. /KultPlus.com

Lady Gaga në ballinën e revistës “Paper” me fotosesion 3D

Pop ylli Lady Gaga i ka hijeshuar dy ballina të ndryshme të revistës “Paper”, për numrin e përvitshëm të titulluar “Spring Transformation”.

Fotografitë e këngëtares janë prodhuar në formatin 3D nga artisti i njohur belg, Frederick Heyman, transmeton Koha.

Gaga në shenjë respekti i ka mirëpritur botuesit e revistës në studion e saj muzikore personale, për ta dëgjuar albumin e saj të gjashtë me titull “Chromatica”.

Në këtë artikull, pop ylli amerikan fol për traumat të cilët i ka përjetuar në të kaluarën dhe faktin se si e ka menaxhuar dhimbjen e saj, në mënyrë që të arrijë ta shkruajë këtë album.

“Të jesh i lumtur nuk është një gjë e thjeshtë. Unë vuaj nga depresioni klinik. Diçka ndodhë në trurin tim ku dopamina dhe serotonina nuk funksionojnë siç duhet, dhe si pasojë unë nuk e kam të lehtë të ndihem e lumtur,” çka shpjeguar tutje Gaga në intervistën e realizuar.

Revista “Paper” publikohet çdo tre muaj nëpër kioskat dhe në formë digjitale.

Rastësi e frikëshme: Ky film paralajmëroi koronavirusin?

Mediat e huaja shkruajnë se filmi “Contagion”, një prodhim i vitit 2011, është renditur si një ndër filmat më të shikuar gjatë periudhës së shpërthimit të koronavirusit.

Filmi flet për një virus pandemik që shpërndahet me shpejtësi, i cili u merr jetën 26 milionë njerëzve në të gjithë botën.

Në film bëhet fjalë për virusin e quajtur MEV-1. Ai ka origjinën në Azi dhe transmetohet përmes prekjes, ndërsa simptomat e tij janë të ngjashme me koronavirusin. Shumë njerëz e kanë cilësuar këtë film si “parashikuesin” e mbërritjes së koronavirusit.

Filmi është prodhuar nga gjigandi Warner Bros. Ata kanë njoftuar se “Contagion” rezulton filmi më i kërkuar në katalogun e Ëarner Bros, pas Harry Potter. / KultPlus.com

Kevin Durant pozitiv me koronavirus

Katër basketbollist të skuadrës së ligës më të fortë të basketbollit në botë NBA, Brooklyn Nets kanë dalë pozitiv me koronavirus pas testeve të bëra.

Në mesin e tyre është edhe ylli i skuadrës, Kevin Durant.

Nets në ndeshjen e fundit janë takuar me LA Lakers,raporton Fox News.

Tashmë edhe Lakers duhet të izolohet pasi lojtarët kanë pasur kontakte në mes vete. / Klan Kosova / KultPlus.com

Coronavirusi anuloi dasmat dhe gëzimet familjare të shqiptarëve

Në jetën sociale të njerëzve janë anuluar edhe evente apo gëzimet familjare. Edhe pse tradita e ka që nuk kthehet dita e dasmës, Coronavirusi ndërpreu ditën më të rëndësishme të çifteve.

“Di të them që brenda javës u anuluan dy evente që u shtynë për një kohë të dytë. Nuk është pak duke menduar se nuk jemi në një sezon të lartë. Dikush e shtyu për në 12 prill e mbrapa dikush tjetër e ka lënë të hapur këtë pjesë”, tregon Armand Peza, Pronar i Geraldina Sposa.

Çiftet e reja që do të lidhnin kurorë në këtë periudhë kanë anuluar edhe marrjet e fustaneve të nuses. Pra, në këtë situatë izolimi, dasmat nuk janë bërë as në rrethin më të ngushtë familjar.

“Po është reflektuar deri tash, edhe ne si gjithë të tjerët nuk mund të themi që kemi pasur anulime por ka qenë version që klientët kanë kërkuar që ta bëjnë në një kohë të dytë. Si për veshjen e nusërisë, se ato rezervohen ashtu edhe për pjesën e organizimit të festës. Këtë problem e kam patur edhe me njësitë e tjera të shërbimit që mund të jenë ambientet ku organizohen festat që kanë kërkuar të shtyhen në kohë”, tregon Armand Peza, Pronar i Geraldina Sposa.

Njerëzit janë të ndërgjegjësuar për rrezikun që i kanoset. Asnjëri prej tyre nuk do të merrte pjesë në një dasmë në këtë kohë virusi, edhe sikur të ishte familjari i tyre më i afërt.

“Shyqyr zotit nuk kemi por realisht nuk do shkoja. Për të qenë i sinqertë nuk do shkoja se kuptohet që ka lloj lloj njerëzish që nuk është se kanë ndonjë kulturë të madhe në këtë drejtim. Tani është bërë si kulturë që s’po i takojmë më njerëzit , s’po ju japim më dorën dhe pas një bisede dezinfektojmë duart me qëllim që të fitojmë një farë sigurie në këtë pikë”, tregon Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

“E para nuk shkon për të mbrojtur jetën tënde, e dyta nuk shkon për të mbrojtur jetën e tjetrit. Mund të jesh vetë i sëmurë pa e ditur dhe mund të sëmurësh të tjerë. Kështu që duhet të bëhet zbatimi i ligjit , hermetizmi në shtëpi”, tregon Ervin Shijaku, President i Shega Trans. Tp / KultPlus.com

Sekretet e vogla të shkrimtarëve të mëdhenjë!

Franc Kafka (1883-1924)

Autorit të Metamorfozës i pëlqente të praktikonte nudizmin, edhe pse kjo ndodhte në raste të rralla. I kalonte pushimet e tij në një hotel në natyrë që quhej “Burimi i të rinjve”, por kishte pak siklet për t’u zhveshur i tëri, dhe i kishin vënë pseudonimin “njeriu me rroba banje”.

Agatha Christie (1890-1976)

Librat e saj kanë shitur miliona kopje, por nuk i ka shkruar ajo. Në fakt ajo vuante nga disgrafia, një çrregullim për të mësuar shkrimin e dorës, që e bënte kaligrafinë e saj të palexueshme dhe prandaj ishte e detyruar t’ia diktonte dikujt tjetër romanet e saj.

Oskar Uaild (1854-1900)

Autori i “Dorian Greit” shprehu diversitetin e tij që fëmijë, kur atij i pëlqente të vishej si femër. Në kolegj nuk praktikonte sportet tipike mashkullore, por merrej me zbukurimin e dhomës së tij me lule.

Xhorxh Bajroni (1788-1824)

Ishte një nga rebelët më të mëdhenj të fillimshekullit të 19. Atij i atribuohen një numër i madh të dashurash, 250 vetëm në një vit, vitin kur vizitoi Venecian. Për të kujtuar femrat që kishte zënë, mbante disa prej qimeve pubike të secilës në një zarf me emrin e vajzës. Lord Bajroni i donte edhe kafshët. Në shtëpinë e tij kishte kuaj, pallua, shpendë të ndryshëm si papagall apo rakun, një dhelpër, një shqiponjë dhe një korb.

Xhejms Xhojs (1882-1941

Kishte një pasion të vërtetë për të pasmet e femrave. Por jo vetëm, i pëlqente të ishte i frustruar dhe i nënshtruar. Këtë e dëshmojnë disa letra nga e dashura Nora Barnacle, që më vonë ishte dhe partnerja e tij. Autori i Uliksit kishte edhe një frikë të madhe ndaj bubullimave, ishte katolik i devotshëm, dhe thoshte se bubullimat janë shprehje e zemërimit të perëndisë.

Xhek London (1876-1916)

Djalë i jashtëligjshëm, kishte një njerkë të alkoolizuar që kur ishte fëmijë e çonte në një pijetore për të blerë birra me kovë. Kështu që i vogli Xhek filloi të pinte që 5 vjeç. Dhe nuk u ndal kurrë. Që në moshën 14-vjeçare pinte si një i rritur. Pas një aksidenti humbi dhëmbët e tij të përparme. Njihej për racizmin e thellë sidomos ndaj aziatikëve.

Leon Tolstoi (1828-1910)

Si fëmijë ashtu edhe adoleshent ishte një student indiferent. Rininë e tij e kalonte mes femrave, bixhozit, alkoolit dhe dueleve. Natën e dasmës detyroi gruan të lexonte ditarin e tij ku ishin shkruar të gjithë aventurat e tij erotike. Këto ndodhën para konvertimit të Tolstoit, që nga ai moment hoqi dorë nga alkooli, duhani, seksi.

Edgar Allan Poe (1809-1849)

Kishte frikë nga errësira dhe e mësoi matematikën duke llogaritur moshën e të vdekurve nga lapidarët e varreve. Ishte i gjithë faji i profesorëve të tij që në shkollën fillore i çonin fëmijët në varreza në fillim të çdo viti shkollor. I jepnin një lopatë të vogël dhe e përdornin për të gërmuar varrin e shokëve të tyre që do vdisnin para përfundimit të shkollës. Kur ishte pa para, ai hiqej si gazetar, duke shpikur artikuj të rreme.

J.R.R Tolkien (1892-1973)

Autori i “Zotit të Unazave” ishte para së gjithash një studiues gjuhësh: mes gjuhëve antike dhe moderne dinte 12 dhe shpiku 14. Profesor i Oksfordit, ishte publikisht i njohur si një shofer i keq, aq sa gruaja e tij refuzonte të hipte në makinë me të kur ecte në qytet. Kishte gërhitje shumë të fortë dhe ndonjëherë gruaja e bindte të flinte në banjë.

Uilliam Shekspir (1564-1616)

Dramaturgu anglez ishte i fiksuar pas parasë. Merrte shumë para borxh nga miqtë e tij, mashtronte departamentin e taksave dhe ishte shumë i ashpër në kërkesat ekonomike të punës së tij. Ishte një bashkëshort i pabesë. Të shumta kanë qenë lidhjet e tij jashtëmartesore./filozofia.al / KultPlus.com

Ta marrim këtë kohë si dënim shoqëror dhe të mendojmë si të jetojmë pas kësaj epidemie

Orgen Kelmendi

Kur të pandehurit i shqiptohet dënimi me arrest shtëpiak, si dënim më i butë ose për ndonjë arsye shëndetësore, ai nuk mund të kaloj shtëpinë e tij, duke qëndruar i izoluar brenda katër mureve të tij, për një afat të caktuar kohor.

Sot të gjithëve na është shqiptuar ky dënim, veçse ka tjetër emër: karantinë.

Ne asnjëherë nuk jemi dënuar për të gjithë ata drunjë të prerë, për ndotjen që i’a bëjmë ajrit dhe për mbeturinat që i hudhim kudo, përditë.

Asnjëherë nuk jemi dënuar për urrejtjen dhe nënçmimin që ju bëjmë njerëzve që janë më ndryshe se ne, pavarësisht se themi se nuk jemi racistë.

Asnjëherë nuk jemi dënuar për paragjykimet që u bëjmë të gjithë atyre që duken dhe mendojnë më ndryshe se ne.

Asnjëherë nuk jemi dënuar për sjelljen që kemi ndaj kafshëve, qenëve të rrugës, të cilët nuk kanë asgjë më pak se ata që ju i adoptoni dhe i bleni me paratë tuaja.

Asnjëherë nuk jemi dënuar si shoqëri për çfarëdo që i kemi shkaktuar njerëzimit dhe planetit tonë.

Ta marrim këtë kohë si dënim shoqëror dhe të mendojmë si të jetojmë pas kësaj epidemie. Si të jetojmë më mirë, të gjithë së bashku./KultPlus.com

Mësimi online, Bajrami: Kemi filluar xhirimin e orëve të mësimit, në dispozicion një kanal i RTK-së

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Hykmete Bajrami tha se po punohet për të filluar mësimin online.

Bajrami në RTV Dukagjini deklaroi se dëmet në arsim si pasojë e koronavirusit do të jenë të pariparueshme.

Ajo tha se shpresojnë në përmirësimin e kohës dhe uljen e rasteve të prekura me virus në mënyrë që të fillojë normalisht mësimi.

“Ne e kemi dhënë datën 27 mars si datë kur do të rifillojë mësimi, por kjo nuk dihet”.

Ministrja e Arsimit tha se po bëhen disa përgatitje për të nisur me mësimin online, por sipas saj as kjo nuk do ta zëvendësojë mësimin e humbur.

“Po punojmë me një ekip të MASHTI-it për mësimin online. Deri tash kemi pasë në dispozicion një platformë që është e dizajnuar disa vite më parë, por nga viti 2017 ajo platformë nuk është përdorur më, pra platforma është boshe”.

Bajrami deklaroi se ka gatishmëri nga kompani private, por asnjëra nga to nuk i ka materialet për të gjitha klasat.

Ajo bëri të ditur se për momentin janë duke i xhiruar materialet mësimore për t’u përgatitur për mësim online.

“Për momentin e kemi në dispozicion një kanal të RTK-së, por jemi duke punuar për një uebfaqe të veçantë që materialet të jenë në disponim edhe kur nuk janë në transmetim në RTK”. / Klan Kosova / KultPlus.com

Presidenti i propozon Kuvendit të shpallë Gjendje të Jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që ta shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme në Kosovë në një konferencë speciale pas situatës së krijuar në vend nga Coronavirusi, shkruan KultPlus.com

“Jemi në rrethanë të papërjetuar më parë dhe si shtet duhet t’i marrim përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. Do të ishte papërgjegjësi injorimi i realitetit të hidhur dhe mosmarrja e të gjitha masave si shtet, për preventimin e një situate edhe më të rënduar për të gjithë shoqërinë kosovare. Ky s’është grip sezonal, por virus i rrezikshëm dhe vdekjeprurës. Duhet të angazhohemi të gjithë me të gjithë potencialet që i kemi. Duke respektuar edhe Kushtetutën, edhe Ligjet, edhe përgjegjësinë morale dhe njerëzore, sonte thirra për takim në një konsultë dhe bashkëbisedim Këshillin e Sigurisë Kombëtare. I jam drejtuar kryeministrit Kurtit që ta thërret në bazë të kompetencave. U takuam, biseduam, ishte një bisedë shumë korrekte, e përgjegjshme, konstruktive dhe e nevojës për tejkalimin e kësaj situate, por edhe për ndërmarrjen e rasteve që të mos kemi më raste të tilla. Pas konsultave me kryeministrin dhe këshillin, dëshiroj të potencoj, që të mos eskalojë situata më tutje, që të tejkalohet kjo gjendje jo e lehtë, por e rëndë, kërkohet nga të gjitha institucionet, të jemi në krye të përgjegjësive tona kushtetuese dhe ligjore, prandaj atë që e theksoj sonte, nuk e kam menduar se do të mund të vijë ky moment që të deklaroj se sonte jemi të detyruar që të deklarojmë dhe të propozojmë shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme”, tha Thaçi.

Ai falënderoi mjekët, infermierët, gjithë personelin shëndetësor, për punën e pakursyer që po e bëjnë në këtë periudhë.

Thaçi falënderoi edhe Policinë, edhe ushtarët e FSK-së, dhe të gjithë njerëzit e angazhuar në përballimin e kësaj situate dhe mundësitë e ecjes më të sigurt përpara.

“Shëndeti është mbi të gjitha për ne. Tani ballafaqohemi me një të keqe që mund ta tejkalojmë vetëm bashkërisht duke u angazhuar të gjithë në përgjegjësi private. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim maksimal për të gjithë vartësit e institucioneve që po angazhohen për ta tejkaluar këtë situatë. Është një realitet i hidhur. Pa dashur që të nxis panik, por të thërras për kujdes, vëmendje, vigjilencë dhe përgjegjësi të kujdesemi për njëri-tjetrin”, theksoi Thaçi.

Përndryshe, shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme, do të thotë shtim të kompetencave të Presidentit të Kosovës bazuar në dispozitat ligjore dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ambasada e Kosovës ka një njoftim të rëndësishëm për qytetarët që nuk mund të kthehen në Gjermani shkaku i koronavirusit

Qytetarët nga Kosova të cilët kanë shkuar në Gjermani dhe u ka skaduar viza por nuk mund të kthehen në Kosovë për shkak të masave që ka marrë Qeveria e Kosovës si pasojë e pandemisë së koronavirusit duhet të kontaktojnë ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.

Kjo Ambasadë njofton se qytetarët të cilët nuk mund të kthehen në Gjermani, duhet të lajmërohen deri më 19 mars.

Ata duhet të dërgojnë një email në email adresen e ambasadës së Kosovës në Gjermani dhe aty të bashkangjitni edhe kopjen e pasaportës dhe të vizës.

Në vazhdim mund të gjeni njoftimin e plotë të ambasadës së Gjermanisë në Kosovë me të dhënat se ku duhet të kontaktoni.

“Kisha djersitje, pastaj nisi temperatura”, shqiptari tregon si u infektua nga pacienti ‘zero’

Ditën e sotme në emisionin Open ka qenë në lidhje telefonike një person i cili ka rezultuar pozitiv për Koronavirus dhe treguar përjetimet e tij.

Marku ka treguar edhe hapat kur e kuptoji në fillim dhe shenjat që i ka dhënë.

Ai u shpreh:

Unë në momentin që dëgjova për zotërinë (pacienti zero) që ka dalë me Koronavirusi, jam interesuar po atë ditë kam bërë tamponin dhe me datën 10 në mëngjes kam dalë pozitiv.

Eni Vasili: U trembe në momentin e parë?

U tremba sepse ishte një sëmundje e pa dëgjuar, shumë panik, po flitej në të gjithë botën ishte një tmerr i vërtetë.

Unë në momentin që kam dalë pozitiv jam vetëkarantinuar, nuk kam dalë fare.

Ka ardhur doktori me stafin, jam lidh me Piperon dhe kam marr asistencë në shtëpi.

Ditët e para kisha vetëm djers.

Ditën e tretë temperatura, 38.2, 38 .3.

Ditën e pestë ka vazhduar pak mungesa e frymëmarrjes, por jo e papërmbajtshme, pak e zorshme.

Jam ndihmuar nga mjekët me anë të telefonit dhe me urgjencën kam folur.

Jam ushqyer si gjithmonë kur kam pas temperaturë kam pirë paracetamol, uji lëngje supë.

Është çështje paniku më shumë, është diçka e menaxhueshme.

Është më pak ne një grip normal.

Sot jam në ditën e tetë. Javën tjetër bëj tamponin për të kuptuar nëse kam më COVID apo jo.

Vetë-karantinimi, platforma “Audio Book”, mundësi e shkëlqyer lundrimi rreth botimeve

Kufizimi i lëvizjes së njerëzve të ndërmarra nga autoritetet shtetërore, si dhe mbyllja e çerdheve, kopshteve, shkollave dhe e mjaft bizneseve, si masa parandaluese për frenimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19, sigurisht që kanë zvogëluar mundësitë e argëtimit, por kanë shtuar edhe dozat e stresit te të gjitha grupmoshat.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se në “në këto ditë të vështira, mungesën e lirisë për të lëvizur si do të donim, mund ta kompensojmë me libra. Përmes tyre mund të udhëtojmë në kohë dhe në hapësirë”.

Ajo falënderon SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA, që u vjen në ndihmë qytetarëve përmes platformës “audio book”.

“Lundroni mes qindra titujsh, ardhur përmes zërave të artistëve tanë. Sot sugjerojmë për ju pëmbledhjen e “100 Përralla Klasike”, interpretuar me mjeshtëri nga Teatri jonë i Kukullave”, rekomandon Margariti. ATSh / KultPlus.com

Spanjollët kërkojnë që të shtyhet Olimpiada

Presidenti i Komitetit Olimpik të Spanjës, Alejandro Blanco ka thënë se ai preferon që të shtyhet Olimpiada që këtë verë duhet të mbahet në Tokio.

Blanco ka arsyetuar mendimin e tij me faktin që sportistët spanjollë nuk po mund të ushtrojnë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Lojërat Olimpike Verore duhet të mbahen prej 24 korrikut deri më 9 gusht, ndërsa Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka thënë të martën se është plotësisht i përkushtuar që ngjarja të organizohet dhe se nuk ka nevojë për “ndonjë vendim drastik”.

Por Blanco ka tjetër mendim.

“Lajmet që po marrim çdo ditë janë të papërshtatshme për të gjitha vendet në botë. Për ne gjëja më e rëndësishme është që sportistët tanë nuk po mund të ushtrojnë dhe të përgatiten si duhet për Lojërat Olimpike. Kjo bënë që jo të gjithë të kenë kushte të barabarta. Ne duam që Olimpiada të mbahet, por që të jetë e sigurt. Ne jemi vend i rëndësishëm në botë dhe katër muaj para garës sportistët tanë nuk kanë kushte të barabarta me të tjerët”, ka thënë ai.

Ngjarje kualifikuese olimpike janë pezulluar në gjithë botën për shkak të koronavirusit. Së fundi në gjysmë mbeti një turne kualifikues evropian në boks, ku mori pjesë edhe Kosova.

Edhe në Kosovë ka dilema nëse Lojërat Olimpike do të mbahen sipas planifikimit. Dilema të tilla ka Driton Kuka, trajneri i Kosovës në xhudo. Kuka ka pesë sportistë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike. Ata aktualisht janë në karantinë ku po vazhdojnë stërvitjet për garat që nuk dihet se kur do të vazhdojnë.

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: “Procesi”

Virusi kinez, Coronavirusi, ka izoluar pjesën dërmuese të shteteve dhe pjesë e izolimit tashmë është edhe Kosova, pavarësisht se jo në nivelet më ekstreme. Për ata që izolimin duan ta kalojnë duke lexuar ndonjë libër, KultPlus ju sjell rekomandimin e mbrëmjes në ‘epokën e coronavirusit’, dhe ky libër është “Procesi” nga Franc Kafka, shkruan KultPlus.com

“Procesi” është romani më i njohur dhe më i realizuar i shkrimtarit çek, Franc Kafka, i botuar në Berlin më 1926,dy vjet pas vdekjes së tij. Në analizën e romanit “Procesi”, vihet re një e vërtetë tronditëse e realitetit me njeriun e thjeshtë brenda dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mirë për to.

Për arsye se Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë me vlerë në veprën e tij, personazhi përgjithësisht është njeriu i rëndomtë, jo heroi që bën diferencën, Portalb ua rekomandoni ta lexoni këtë roman të mrekullueshëm me plot mistere.

Maks Brod, një miku i tij që përgatiti librin për botim për librin në fjalë ka thënë: “Kur mora dorëshkrimin e “Procesit” e lexova me një frymë. Nuk kishte titull, por Kafka kështu e quante sa herë binte fjala për të. Këtë libër vetë Kafka e quante papërfunduar, pavarësisht se e kishte kreun e fundit. Ai mendonte se duhej të shtonte disa anë të tjera të atij procesi misterioz. Por megjithatë, po mos ta dija se Kafka ka pasur ndërmend ta vijonte punën me këtë roman,unë nuk do të gjeja asnjë mangësi në të”.

Romani flet për një qytetar të rëndomtë, nëpunës banke nga një qytet i panjohur, të cilin një mëngjes e arrestojnë dy policë, pa ndonjë arsye, për një krim që nuk i tregohet as atij dhe as lexuesit.

Në personazhin e “Proces”-it zotit “K.”, sistemi gjigant i pushtetit i bën grafikun e jetës pa e shpjeguar se për se e trajton ashtu. Nga ana tjetër kjo mund të analizohet dhe në të kundërt; vetë zoti “K.” nuk ka aftësinë për të kuptuar sistemin megjithëse përpiqet që të kuptojë diçka, përsëri është i mbytur në paqartësi.

Gjatë kësaj kohe njihet me “mjegullinë” e gjykatave, absurdin, hierarkinë e posteve jo vetëm në gjykatë, por dhe në jetën e mirëfilltë.

Atëherë ai imagjinon marifete nga më të dëshpëruarat, që zbulojnë para tij ingranazhe të pakuptueshme dhe mbytëse. Duke mos ditur kujt t’i besojë dhe ku të kapet, ai ulet vetë të përpilojë mbrojtjen e vet, në të cilën kërkon falje për çdo gjë që ka bërë, duke firmosur kështu aktin e fajësisë dhe dënimin e vet.

“Procesi” i Kafkës është një ortek, që sa me shumë thellohesh aq më i madh bëhet deri sa orteku është vetë globi që banojmë. / KultPlus.com

“Nëpër telat e telefonit” nga Luan Hajra (VIDEO)

Kënga e famshme e Luan Hajrës “Nëpër telat e telefonit” ishte një hit i madh për kohën, shkruan KultPlus.

Por duke pas parasysh situatën e tanishme, qytetarët e Kosovës duhet të jenë të përmbajtur nga daljet e tyre dhe me të afërmit të komunikojnë vetëm nëpërmjet mjeteve të ndryshme të komunikimit.

KultPlus ju sjell këtë video të këngës së Luan Hajrës./KultPlus.com

Volteri: “Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë kanë të njëjtën fe”

Volteri është përfaqësuesi kryesor i iluminizmit, shkrimtar, historian, filozof jashtë filozofisë konvencionale, i njohur për satirën, kritikën ndaj fesë si institucion, përkrahës i tolerancës fetare dhe për ndarjen e kishës nga shteti, shkrimtar me dhunti të shumta, duke prodhuar vepra në pothuajse çdo formë letrare: dramë, poezi, roman, ese, vepra historike e shkencore. Ai shkroi më shumë se 20 mijë letra dhe mbi dy mijë libra dhe pamflete.

1. Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde që ta thuash!

2. Triumfi i vërtetë i arsyes është se ne aftëson të vazhdojmë rrugën me ata që nuk e kanë!

3. Ka njerëz që nuk mendojnë më thellë se një fakt!

4. Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi!

5. Çdo gjë shumë koti për t’u thënë këndohet!

6. Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë!

7. Qeveritë duhet të kenë edhe barinj edhe kasapë!

8. Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë kanë të njëjtën fe!

9. Paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye!

10. Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim!

11. Çdo njeri është fajtor për të gjitha të mirat që s’ka bërë!

12. Filozofia, vetëm filozofia, kjo motër e fesë i ka hequr besëtytnisë armët nga duart e gjakosura prej kohësh dhe tani që ka dalë helmi, mendja e njeriut habitet me mynxyrat ku e kishte shpënë fanatizmi!

13. Toleranca nuk ka nxitur kurrë luftë civile, kurse mostoleranca e ka mbuluar tokën me gjak!

14. Gjykojeni një njeri më shumë nga pyetjet se sa nga përgjigjet e tij!

15. Zoti na e dha ne dhuratën e jetës; na takon ne t’ia japim vetes dhuratën e të jetuarit mirë!

16. Vlerësimi është një gjë e mrekullueshme: Kjo e bën atë që është e shkëlqyer tek të tjerët të na përkasë edhe neve!

17. Çdokush që ka fuqinë për të të bërë ty të besosh në absurditete, e ka fuqinë të të bëjë që ti të kryesh padrejtësi!

18. Në përgjithësi, arti i qeverisjes përbëhet nga marrja e sa më shumë parave që të jetë e mundur nga një klasë e qytetarëve për t’ia dhënë një tjetre!

19. Unë kurrë nuk kam bërë lutje për Zotin, përveç njërës shumë të shkurtër: “O Zot, bëji armiqtë e mi qesharakë.” Dhe Zoti ma dëgjoi!

20. Është e ndaluar për të vrarë; prandaj të gjithë vrasësit ndëshkohen, përveç nëse ata vrasin në numër të madh dhe nën tingujt e borive!

21. Jeta është e mbjellë dendur me gjemba, dhe unë nuk di asnjë mjet tjetër përveçse të kaloj shpejt nëpër to. Sa më gjatë të ndalemi në fatkeqësitë tona, aq më e madhe është fuqia e tyre për të na dëmtuar!

22. Zoti është një komedian, duke luajtur ndaj një audience që ka shumë të frikësuar për të qeshur!

23. Nga të gjitha fetë, e krishtera sigurisht duhet të frymëzojë tolerancën më të madhe, por deri tani të krishterët kanë qenë më intolerantët e të gjithë njerëzve!

24. Është e vështirë t’i çlirosh budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë!

25. Të gjitha arsyetimet e burrave nuk janë me vlerë sa një ndjenjë e grave!

26. Çfarë është toleranca? Është pasojë e njerëzimit. Ne jemi të formuar të gjithë nga dobësia dhe gabimi; le të falim të gjithë ne reciprokisht marrëzinë e njëri-tjetrit – ky është ligji i parë i natyrës!

27. Unë i urrej femrat, sepse ato gjithmonë i dinë gjërat se ku janë!

28. Burri i cili vendos të befasojë papritur gruan e tij shumë shpesh e ka befasuar veten!

29. Është e rrezikshme të kesh të drejtë në çështjet në të cilat autoritetet e kohës janë gabim!

30. Arti i qeverisjes është për të bërë dy të tretat e një kombi të paguajnë gjithçka që ata mund të paguajnë, për të mirën e një të tretës tjetër!

31. Nuk është e mjaftueshme të shohim dhe të njohim bukurinë e një vepre. Ne duhet ta ndjejmë dhe të prekemi prej saj!

32. Për të patur sukses në botë nuk është e mjaftueshme të jesh budalla, duhet gjithashtu të jesh i sjellshëm!

33. Është më mirë të rrezikosh shpëtimin e një njeriu fajtor sesa të dënosh një njeri të pafajshëm!

34. Tiranët gjithmonë kanë disa hije të lehtë virtyti; ata i mbështesin ligjet para se t’i shkatërrojnë ato!

35. Supersticioni është për fenë çka Astrologjia është për astronominë, vajzë e çmendur e një nëne të mençur. Këto bija shumë kohë kanë dominuar tokën!

36. Dyshimi nuk është një gjendje e këndshme, por siguria është absurde!

37. Rastësia është një fjalë e zbrazur nga kuptimi, asgjë nuk mund të ekzistojë pa një shkak!

38. Asnjëherë mos debato në tryezën e darkës, sepse ai që nuk është i uritur gjithmonë gjen argumentin më të mirë!

39. Origjinaliteti nuk është asgjë veçse imitim i mençur. Shkrimtarët më origjinalë kanë huazuar nga njëri-tjetri!

40. Për të gjallët e kemi borxh respektin, por për të vdekurit e kemi borxh vetëm të vërtetën!

41. Ne kurrë nuk jetojmë, ne jemi gjithmonë në pritje të jetesës!

42. Divorci është ndoshta i së të njëjtës datë si martesa. Unë besoj, megjithatë, se martesa është disa javë më e vjetër!

43. Është një njeri i vështirë ai që është vetëm i drejtë, dhe i trishtuar ai që është vetëm i mençur!

44. Historia është vetëm regjistri i krimeve dhe fatkeqësive!

45. Historia duhet të shkruhet si filozofi!

46. Unë di shumë libra të cilat i kanë mërzitur lexuesit e tyre, por unë nuk di asnjë libër që ka bërë vërtet ndonjë të keqe!

47. Ka të vërteta të cilat nuk janë për të gjithë njerëzit, as për të gjitha kohërat!

48. Të besosh në Zotin është e pamundur, të mos besosh në Atë është absurde!

49. Unë kam jetuar tetëdhjetë vjet të jetës dhe nuk di asgjë për këtë, veçse të dorëzohem dhe të them se fluturat kanë lindur për t’u ngrënë nga merimangat dhe njeriu për t’u gllabëruar nga trishtimi!

50. Është e rrezikshme të kesh të drejtë, atëherë kur qeveria e ka gabim!

/ KultPlus.com

Tingujt e Olen Cesarit i duhen botës më shumë se kurrë (VIDEO)

Olen Cesari, violinisti i njohur shqiptar që njihet për mjeshtrinë e tij në këtë instrument, është prezantuar shumë shpesh me koncerte të mëdha në Evropë dhe më gjerë, shkruan KultPlus.

Ai ka edhe një performancë të rrallë edhe në Rio, ku shihet duke performuar tingujt e Ave Maria.  

KultPlus ju sjell këtë video që është realizuar më herët./KultPlus.com  

Qeveria e Kosovës vendos flamurin italian në ndërtesë në shenjë solidarizimi

Në objektin e Qeverisë së Kosovës është vendosur flamuri i Italisë në shenjë solidarizimi me viktimat atje nga koronavirusi.

Këtë veprim e ka ndërmarrë vetë qeveria e Kosovës pasi u raportua në medie se vetëm këto dy ditë shifrat e të vdekurve në shtetin italian janë afër 400.

“Italia sot feston Ditën e Bashkimit. Në 159- vjetorin e saj, Italia gjendet përballë një armiku me të cilin ajo dhe i gjithë globi do të triumfojë. Qytetarët e Kosovës i janë falënderues përherë shtetit tonë mik dhe gjithsecili prej nesh bashkëndjen me ta”, thotë qeveria në një komunikatë për media.

Qeveria e Kosovës thotë se është duke i marrë hapat e domosdoshëm që t’i bëjë ballë kësaj pandemie.

“Jemi të përkushtuar në luftën kundër virusit Corona dhe do të fitojmë nëse të gjithë qëndrojmë në shtëpitë tona e do të kujdesemi për pastërtinë tonë”, theksoi Qeveria. / KultPlus.com

Së shpejti pritet të jetë gati karantina e parë në Prishtinë

Ministri i Shëndetësisë, në një konferencë për media ka bërë të ditur se së shpejti do të jetë gati karantina e parë në Prishtinë.

Kjo do të shfrytëzohet për personat që vijnë nga jashtë dhe paraqesin rrezik potencial për përhapje të virusit.

“Do t’a kemi karantinën e parë gati (në Prishtinë) për personat e ekspozuar ndaj rrezikut në momentin që për një masë të tillë ka nevojë dhe kemi opsione edhe për të tjera jashtë Prishtinës;

Kjo masë vlen për personat që vijnë nga jashtë dhe paraqesin rrezik potencial për përhapje të virusit”, ka thënë ai.

Më poshtë mund të gjeni detaje të shumta që ka dhënë miinistri për ditët e fundit ku numri i të prekurve nga virusi korona është rritur në Kosovë, në 17.

Adresimi i sotëm i Ministrit Arben Vitia në konferencën për media lidhur me situatën epidemiologjike në Kosovë.


Me qëllim të ndarjes më të shpejtë të saj me publikun, po ua përcjellim të plotë.

Ministri Vitia:

Dëshirojmë të ju falënderojmë për angazhimin tuaj të pakursyer për të informuar popullatën lidhur me zbatimin e masave të ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e rasteve me Koronavirus Covid-19 dhe situatës epidemiologjike në tërësi pas vendimit të Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente të shëndetësisë publike.

Ashtu siç jeni informuar në vazhdimësi deri më sot, në Kosovë, përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 271 mostra të dyshimta në Covid-19 dhe gjithsej shtatëmbëdhjetë (17) prej tyre kanë rezultuar pozitive (+).

Informatat nga Klinika Infektive e QKUK-së janë se gjendja e të prekurve që po trajtohen në Klinikë (10 pacientë) është stabile dhe me përjashtim të njërit prej pacientëve, më të moshuarit, që kohë pas kohe, po asistohet me oksigjeno terapi, pacientët e tjerë janë duke marrë një trajtim mjekësor mbështetës dhe janë në gjendje stabile.

Dy (2) prej të hosipitalizuarve më parë janë liruar në shtëpi, në gjendje stabile shëndetësore dhe do të qëndrojnë në vetkarantinë.
Duke shprehur një mirënjohje të veçantë për angazhimin e madh të punonjësve shëndetësore në trajtimin e të prekurve me koronavirus dhe në hulumtimin e rasteve të kontakteve të personave tashmë pozitiv dhe kontakteve të tyre, më lejoni të ju them se brenda mekanizmave për menaxhimin e situatës është një angazhim i madh i të gjitha ministrive, organizatave dhe pushtetit lokal për t’u ballafaquar në mënyrë sa më efikase me situatën.

Në këtë aspekt, ju informoj për disa veprime të menjëhershme të ndërmarra pas shpalljes së gjendjes emergjente të shëndetit publik nga Qeveria:

· Dje ka përfunduar procedura për kontraktimin e mjeteve mbrojtëse mjekësore për personelin shëndetësor si: maska-respirator FFP2, veshje mbrojtëse për trup, mburoja për fytyrë, çarqafë dhe mjete të tjera për personalin mjekësor dhe shërbimet e tjera mbështetëse si Polici, Dogana dhe të tjerët nga mjetet 400 000 euro të ndara më parë nga Qeveria;
· Me këto mjete do të kemi furnizime më të qëndrueshme për të gjitha institucionet e lartpërmendura, sepse siç e dini, rezervat që i kemi gjetur nuk kanë qenë të mjaftushme për një situatë si kjo.


· Gjithashtu, Qeveria ka alokuar 6.2 milionë euro për shfrytëzim të menjëhershëm prej shumës prej 10 milionë eurove për zbatimin e aktiviteteve të përfshira në Planin e Veprimit kundër Covid 19, për të siguruar mjete mbrojtëse për personalin shëndetësor, furnizimin e QKMF-ve në komuna dhe shërbimeve të tjera mbështetëse dhe siguruar vijimësinë e aktiviteteve kundër Covid-19;
· Javën që vjen në Kosovë do të vjen një kontigjent i mjeteve mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore-donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
· Gjithashtu, OBSH ka ndarë një ndihmë në vlerë prej 7 milionë eurove; që do t’i përforcojnë furnizimet në institucionet shëndetësore;
· Banka Botërore ka ofruar mbështetje financiare për aktivitetet në masat kundër Covid-19 në vlerë prej 7.9 milionë eurove.
· Kanë filluar edhe donacione të ndryshme në materiale dhe mjetë të tjera të distributorëve lokalë, por edhe individëve si shenjë e solidaritetit me përpjekjet e përgjithshme të përbashkëta kundër Koronavirusit;
· SHSKUK ka shndërruar Klinikën Infektive tashmë në klinikë që do të shërbeje vetëm për rastet e Koronavirusit, derisa kapacitetet do të përforcohen edhe përmes lirimit të hapësirave të Klinikës së Pulmologjisë, Dermatovenerologjisë (pacientët e pulmos transferohen ne klinikën e Alergologjisë);
· Objekti i ri i Mjekësisë Sportive është duke u bërë gati gjithashtu për të shtuar kapacitetet edhe me rreth 100 shtretër të tjerë, që në total vetëm brenda këtyre shërbimeve (Infektiva, Pulmo, Derma dhe Mjekësia Spotive) na sigurojnë rreth 500 shtretër për një fluks eventual më të madh të pacientëve me Koronavirus;


· Spitaleve private u është kërkuar të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre si: resurset humane, pajisjet dhe infrastrukturën, nëse do të ketë nevojë dhe, qysh sot kemi marrë përgjigjet e para pozitive;


· Do t’a kemi karantinën e parë gati (në Prishtinë) për personat e ekspozuar ndaj rrezikut në momentin që për një masë të tillë ka nevojë dhe kemi opsione edhe për të tjera jashtë Prishtinës;

· Kjo masë vlen për personat që vijnë nga jashtë dhe paraqesin rrezik potencial për përhapje të virusit;


· Kemi regjistruar vetëm dje rreth 150 vullnetarë të profileve të ndryshme mjekësore (shumica) dhe jo-mjekësore, të gatshëm për t’u inkuadruar qysh sot në shërbim, dhe kemi bërë edhe Komisionin në MSh i cili bën distribuimin e vullnetarëve sipas nevojave në terren. Indeksonline / KultPlus.com

Tom Hanks dhe Rita Wilson lirohen nga spitali pas trajtimit për Koronavirus

Aktori amerikan, Tom Hanks dhe bashkëshorta e tij, Rita Wilson janë liruar nga një spital në Australi ku janë trajtuar për Koronavirus.

Çifti që tash është në vetkarantrinë në Queensland në shtëpinë e tyre me qira, kanë njoftuar se javën e kaluar kanë dalë pozitiv me këtë virus, shkruan BBC.

Ata kanë qenë duke qëndruar në Gold Coast pasi që Hanks ka regjistruar një film rreth Elvis Presley. / KultPlus.com

Parku i Gërmisë, si në festë – reagon Shpend Ahmeti

Gjatë ditës së sotme, në parkun e Gërmisë në Prishtinë, shumë qytetarë kanë vendosur të kalojnë ditën me diell.

Kjo edhe përkundër masave të organeve të shtetit për të qëndruar në shtëpi për të mos e përhapur koronavirusin COVID-19.

Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës, ka thënë se “dalja në Gërmi si me qenë festë, është e pashëndetshme”.

Ai thotë se afërsia me njerëz të tjerë në turma pa e ditur gjendjen shëndetësore të njëri-tjetrit është sjellje moskokëçarëse për veten, familjen dhe të tjerët.

“Do ta përcjellim situatën edhe nesër, por nuk është kohë pikniku. Nuk ka nevojë për orë policore, por definitivisht nuk na duhet relaksim i tillë. Po ju lusim për kujdes për veten dhe të tjerët. Dalja për shëtitje në Gërmi me krejt familjaret është dalje e PANEVOJSHME”, theksoi Ahmeti në një postim në Facebook.

“Të nderuar politikanë, kemi nevojë për maska e dezificient e jo për vizitat tuaja boshe”

Situata në vend duket se ka tensionuar Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, i cili përmes një postimi shpreh frustrimin e tyre me vizitat e politikanëve por jo edhe me mbështetjen adekuate në trajtimin e problemit, shkruan KultPlus.com

Kritika i është drejtuar deputetit Pal Lekajt si dhe deputetes Teuta Haxhiu, vizita e të cilëve ka ngjallur reagimin e spitalit në fjalë.

Këtu keni statusin e tyre të plotë:

“Të nderuar politikanë,
Jemi në situatë emergjente për shëndetin publik në nivel kombëtar, si rrjedhojë e kësaj apeloj të klasa politike të qëndrojnë sa më larg Institucioneve Shëndetësorë. Kemi nevojë për maska, mantilla, dezificent për duar, NUK kemi nevojë për vizitat tuaja boshe, mos ejani në institucione shëndetësorë për foto, mos na shpenzoni maska apo mantilla kot, respektojeni ligjin e emergjencave.

Zyra për informim
Spitali i Përgjithshëm Gjakovë”

Në Gjakovë kryetari i komunës detyrohet me polici t’i shpërndajë qytetarët nga Shkugëzi

Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ka bërë të ditur se bashkë me policinë janë detyruar sot të intervenojnë në shpërndarjen e qytetarëve për shkak të numrit të madh të tyre të koncentruar në Shkugëz.

Gjini është shprehur se vendi nuk gjendet në pushim vjetor e as në ndonjë festë, por në gjendje të distancimit social për të shmangur të keqen nga koronavirusi, njofton Klan Kosova.

”Të dashur qytetarë,

Për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë dhe shumë të lartë që secili prej nesh të infektohet me koronavirus, shteti ka vendosur që të mbyllen shkollat dhe shumë institucione tjera.

Por nuk jemi në pushim vjetorë e as në ndonjë festë!

Sot jemi detyruar të intervenojmë me polici për shkak të numrit të madh të qytetarëve të koncentruar në Shkugëz.

Kjo sjellje e disa njerëzve është skajshëm e papërgjegjshme kundrejt familjeve të tyre dhe qytetarëve tjerë. Kjo është injorancë e skajshme.

Distancimi social është e vetmja mënyrë për ta shmangur një të keqe edhe më të madhe.

Shteti është i detyruar të veprojë kundër një numri njerëzish që në mënyrë kaq të papërgjegjshme e rrezikojnë vetveten dhe tjerët”. /KultPlus.com