A ka Kosova mjaftueshëm rezerva në rast të izolimit nga koronavirusi, sqaron Qeveria e Kosovës

Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes në përmasa të mëdha të koronavirusit në Kosovë vlerësohet se gjendja mund të përballohet për sa i përket furnizimit me gjëra esenciale për mbijetesë, si ushqim dhe barna, ngase Kosova po del të ketë rezerva shtetërore të mjaftueshme të mallrave për ta përballuar situatën, shkruan sot gazeta Zëri.

Përderisa virusi “COVID-19” është duke u përhapur shpejt nëpër botë, Kosova vazhdon të mbetet imune ndaj tij. Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes së koronavirusit në vend, Qeveria është e gatshme t’u dalë në ndihmë qytetarëve me ushqime e me barna esenciale, pasi qysh nga viti 2012 ka filluar grumbullimin e rezerva shtetërore, të cilat mund të shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore.

Kjo gjë është e rregulluar me Ligjin për Rezerva Shtetërore, i cili është miratuar në vitin 2010.

Sipas këtij ligji, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, të mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, të veprimeve terroriste, të veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës, gjësë së gjallë, të pasurisë, të trashëgimisë kulturore, të mjedisit, si dhe për dhënien e ndihmave humanitare në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.

Me planin strategjik bëhet sigurimi i depove për vendosje dhe për ruajtje të rezervave shtetërore të mallrave teksa me ligj është e përcaktuar se plani strategjik, programi vjetor, si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekrete shtetërore.

Në ndërkohë nga OEK-ja është kërkuar hartimi i një plani i cili do ta paraqiste ndikimin e këtij virusi në ekonomi, që nga çrregullimi i tregut e deri te ndonjë recesion i mundshëm në nivel global. / KultPlus.com

Ministri i Financave paralajmëron mbylljen e bizneseve në rast të ngritjes së çmimeve

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka mbajtur takim me stafin e ATK-së, për të ndërmarr masat kundër keqpërdorimeve të bizneseve pas përhapjes së Coronavirusit.

Bislimi, ka kërkuar që njëri prind të qëndroj më fëmijët në te gjitha institucionet.

Ministri Bislimi ka folur për panikun e krijuar nga qytetarët për blerjen e ushqimeve, kjo për shkak të ngritjes se çmimeve nga supermarketet dhe farmacitë.

Për këtë Bislimi potencoi se inspektorati do të dalë në teren për të identifikuar situatën, e në rast të keqpërdorimit do të mbyllen bizneset.

“Kemi vendosur që njëri prind të qëndroj me fëmijët në krejt institucionet qoftë private apo publike. Që menjëherë të implementojnë këtë vendim që njëri prind të qëndroj në shtëpi. Në Kosovë nuk ka asnjë person i prekur me Coronavirus, por ne dëshirojmë të mbrohemi”. 

“Bizneset në këto situata punojnë për përfitime të përkohshme, ndikon buxhetin dhe në krijimin e një panik të arsyeshme ku qytetarët dëshirojnë të blejnë që mos të pësojnë në ngritjen e çmimeve. Pozicioni kundër biznese të pandershme që mos të përfitojnë nga fatkeqësitë”, u shpreh ai.

“Kemi pasur një takim dhe kemi diskutuar se çfarë masa të ndërmarrim që të mbrojmë qytetarët. Të kthej çmimet në nivelin normal, ATK-ja të dalë në teren për të inspektuar marketet dhe farmacitë për të identifikuar çmimet. Në rast se ka çmime të tilla, atëherë do të ndërmarrim veprime rigoroze në mbylljen e biznesit”.

Bislimi ka kërkuar nga qytetarët të thërrasin ATK-në për të njoftuar për ndonjë keqpërdorim.

“0800 80 800 mund të telefonojnë dhe ATK-ja dërgon ekipin në vendin e ngjarjes dhe do të pësojnë dënime të mëdha”.

Kryetari i ATK-së, Ilir Murtezaj, deklaroi se Inspektorati do të dalë në teren për të parë situatën.

Ai premtoi se në rast të ndonjë keqpërdorimi nga bizneset, do të bashkëpunojnë me prokurorinë, raporton EO.

“Janë paraparë një mori masash nga qeveria dhe ATK në mbrojtje të qytetarëve në blerjen e produkteve ushqimore. Do të dalim në teren për të vëzhguar situatën”.

“Të mos keqpërdoren situata. Do të bashkëpunojmë edhe me prokurorinë që të parandalojmë rritjen e këtij fenomeni”. / KultPlus.com

Këshilltarja e Albulena Haxhiut: Nuk iu japin pushim nga puna, raportojeni menjëherë!

Këshilltarja politike e Ministres së Drejtësisë, Nazlie Bala ka ftuar të gjithë gratë dhe burrat që t’i raportojnë rastet e moszbatimit të vendimit qeveritar për lirimin e njërit prind nga vendi i punës për përkujdesje të fëmijëve.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka treguar edhe për veprimet që do të ndërmerren ndaj atyre që nuk e zbatojnë këtë vendim.

“Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundje ngjitëse nuk vepron sipas urdhërave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, DËNOHET ME BURGIM DERI NË 2 VJET”, ka shkruar Bala.

Ndryshe, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka apeluar te qytetarët që të mbajnë higjienën, ndërsa si edhe në shumë vende të tjera të botës, ka thënë se është mirë të evitohen përshëndetjet me duar.

Masat e Qeverisë së Kosovës kundër koronavirusit:

Ndërmarrja e procesit edukativo arsimor dhe institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020.Pezullohet përkohësisht linja e udhëtimit ajëror dhe tokësor.

Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF’vë në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetjte të PK;së.

Vetëkarantim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në KOsovë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm.

Aktivititetet publike dhe jo publike mund të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut.

Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.Të ndalohet eksporti I pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë privatë që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

Sëmundja vdekjeprurëse, që ka marrë mijëra jetë në shumë vende të botës, tash për tash nuk është konfirmuar të ketë mbërritur në vendin tonë.

Ndonëse shumë qytetarë deri më tani janë testuar me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjëri prej tyre nuk është infektuar nga sëmundja, që origjinën e ka nga Kina./Express / KultPlus.com

Komunitetet në Kosovë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të projektit të UNDP-së në Kosovë “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të Trashëgimisë Kulturore”.

Ministrja theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe implementimin e suksesshëm të projektit, i cili përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore ka pasur të integruara tre komponenta, që përfshijnë, përpos trashëgimisë së paluajtshme, edhe trashëgiminë shpirtërore, si dhe komponentën e promovimit dhe edukimit.

Ministrja në ceremoninë e organizuar deklaroi se MKRS-ja vlerëson lart bashkëpunimin me UNDP-në, në veçanti procesin e konsultimeve në përzgjedhjen e aseteve të trashëgimisë kulturore, ku përzgjedhja ka përfshirë brenda vetes kategori të ndryshme të trashëgimisë së paluajtshme, si: ura, kinema, muze, shkolla, kisha, e varreza.

Ministrja Dumoshi theksoi edhe rëndësinë e projekteve që janë zbatuar i kanë kontribuar diversitetit dhe përfshirjes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në fund Ministrja Dumoshi u zotua që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është e gatshme që në të ardhmen të ofrojë bashkëpunimin në funksion të mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore. / KultPlus.com

Bankat shqiptare: Mos i përdorni kartëmonedhat dhe mos nënshkruani dokumente

Bankat në Shqipëri këshillojnë klientët që të mos përdorin paranë cash. Në një njoftim dërguar klientëve të saj, Banka Kombëtare Tregtare i sugjeron që të shmangin prekjen e parave dhe nënshkrimin e faturës. Banka i këshillon gjithashtu klientët që të shmangin kontaktin në ambientet në degët e bankave dhe përdorin kanalet dixhitale online si dhe kartat pa kontakt.

Siç raportojnë mediat në Shqipëri, krahas njoftimeve, bankat kanë marrë edhe masa për të minimizuar rrezikun e marrjes së virusit në sportelet e bankës dhe për të siguruar punonjësit e tyre. Në sportelet e Intesa Sanpaolo klientët e mbajnë radhën jashtë dhe përpara se të futen janë të detyruar nga personeli i ruajtjes fizike që të dezinfektojnë duart. Klientët duhet të mbajnë dhe një distancë rreth gjysmë metri nga sporteli.

Kjo pasi, kartëmonedhat po konsiderohen një përcjellës shumë i mirë i koronavirusit. Nga një studim i publikuar edhe në Daily Mail cilësohet se ky virus mund të mbijetojë në sipërfaqe të forta nga 2 orë deri në 9 ditë.

Andaj, edhe Union Bank në një njoftim për klientët thotë se për shkak të situatës aktuale, ka ndërmarrë disa masa që synojnë parandalimin e përhapjes së virusit nëpërmjet disa rregullave, si hyrja e kontrolluar e klientëve në degët e Bankës, mbajtja e distancës të klientëve që presin jashtë. Banka thotë se është e këshillueshme që në bankë të mos hyjnë persona që kanë udhëtuar së fundmi në vende të konsideruara me rrezikshmëri të lartë nga OBSH, si: Kina, Italia, Koreja e Jugut dhe Irani.

Të gjitha bankat i këshillojnë klientët që të kryejnë pagesat online, për të shmangur kontaktet fizike.

Mundësia e përcjelljes së viruseve nga katëmonedhat

Mundësia e përcjelljes së virusit nga kartëmonedhat është mjat e lartë. Kjo pasi, kartëmonedhat janë një mjet i cili qarkullon me shpejtësi të jashtëzakonshme në duart e njerëzve.

Për të shmangur ose minimizuar këto rreziqe, OBSH udhëzon përdorimin e metodave më të zgjuara për nevojat tona të përditshme si Bankingu Digjital dhe Pagesat Contactless (Pa Kontakt) për të shmangur kartëmonedhat e kontaminuara. Ekspertët e shëndetit këshillojnë konsumatorët që të përdorin kartat e debitit ose të kreditit për të kryer blerjet në supermarkete, karburante, farmaci etj në mënyrë që të shmanget marrja e korona virusit nga kartëmonedhat.

ëto produkte dhe shërbime bankare janë disa masa të tjera shtesë për t’u mbrojtur nga koronavirusi të cilat janë duke u ndjekur tashmë jo vetëm në Kinë, të cilët po bllokojnë përdorimin e kartëmonedhave për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit, por edhe në vende të tjera më të zhvilluara në Europë dhe Amerikën e Veriut. / Gazeta Sinjali/ KultPlus.com

Masat e Qeverisë së Kosovës kundër Coronavirusit

Qeveria e Kosovës në një mbledhje urgjente, të mbajtur të mërkurën mbrëma ka marr një sërë masash me qëllim të parandalimit të përhapjes së coronavirusit.

Ndonëse shumë qytetarë deri më tani janë testuar me dyshimet se janë prekur nga coronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjëri prej tyre nuk është infektuar nga ky virus.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Planin e veprimit për gatishmëri dhe reagim për Coronavirusin, ndërsa mbi bazë ndau 10 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë.

Masat e marra nga Qeveria e Kosovës janë:

Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësor dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër);

Kontroll i obliguar i ushtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese;

Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës;

Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër;

Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00;

Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë;

Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

Personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Varësisht nga zhvillimet e situatës Vendimet mund të plotësohen dhe ndryshohen në kohë reale dhe do të njoftohen qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se masat që do të ndërmerren në mbledhjen e sotme, do të zbatohen edhe për Shërbimin Korrektues të Kosovës. / KultPlus.com

Tom Hanks dhe Rita Wilson rezultojnë pozitivë për Coronavirus

Aktori amerikan Tom Hanks dhe gruaja e tij Rita Wilson janë testuar pozitivë për Coronavirus.

Këtë e ka konfirmuar vet 63 vjeçari Tom Hanks, i cili aktualisht ndodhet në Australi, ndërsa dërgon mesazh për fansat, përcjellë Klan Kosova.

“Përshëndetje, njerëz. Rita dhe unë jemi këtu në Australi. Ndiheshim pak të lodhur, sikur të kishim ftohje dhe dhimbje të trupit”, fillon Hanks mesazhin.

“Rita kishte disa të dridhura që erdhën dhe shkuan… Ne u testuam për Coronavirus, dhe u zbulua se ishin pozitivë”.

“Epo, tani. Çfarë tutje? Zyrtarët e Mjekësisë kanë protokolle që duhen ndjekur”, shton ai në Instagram.

“Ne Hanksët, do të testohemi, vëzhgohemi dhe izolohemi për aq kohë sa kërkon shëndeti dhe siguria publike’’

‘’Ne do ta mbajmë botën të azhurnuar. Kujdesuni për veten tuaj!’’ përfundon Hanx.

Dyshja Hanks dhe Wilson ishin në Australi për para-prodhimin e filmit të patitulluar të Elvis Presley të Baz Luhrmann nga Warner Bros.

Në film, fituesi i dy hertë i Oskarit, Hanks luan menaxherin e Presley, Colonel Tom Parker. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B9nVasnBNF5/

Paniku është sëmundje…

Nga Jusuf Buxhovi

 “Në të hyrë të Çarshisë së Madhe, tellallët çirreshin me sa zë kishin për shpalljen e fermanit të shtetrrethimit.
-Ka rënë murtaja!… Murtaja!…
Lami po mbahej në krahun tim. Më bëhej se do të shembeshin para atyre që po ashtu lajmi për murtajën i kishte zënë gafil…
-Çudi, vëlla, shpallet sëmundja pa pas të sëmurë! Çudi!
Desha t’i thosha se ajo, me anën e mikrobeve të padukshme të prodhuara diku në podrumet e errëta të shërbimeve perandorake tashmë na ishte futur dhe pritej të shpërthente siç ishte paraparë. Desha madje t’ia përmendja edhe punën e atyre karrocave me mushama, që silleshin natën të përcjella me roja mes për mes shehrit për të cilat padër Coli fliste gjithë shqetësim kur i shihte të kalonin Urën e Terëzive për në Shkukëz si dhe lëvizjet e shumta të asqerit në drejtim të Qafës së Prushit dhe Tropojës, në mënyrë që t’ia bëja me dije se edhe shpallja e fermanit ishte pjesë e asaj që po na kurdisej, por heshta. Megjithatë, për ta ngushëlluar disi, i thashë se sëmundje do të ketë përherë, sepse ato janë pjesë e jetës, dhe se ato, përballohen me vullnetin për jetën, që e kemi nga Perëndia për jetën… Por, Lami, assesi ta merrte veten. Kjo është murtajë, po thoshte. Shuan jetën… Jeta nuk shuhet, ia ktheva. Sëmundjet shkojnë e vinë, po jeta vazhdon…
Kur u ndamë te Mahalla e Isufit, unë në drejtim të Rrypës e ai për te Kisha, ndonëse kisha lënë thekamën e tellallëve për murtajën dhe shtetrrethimin, se si më shkoi mendja te libri i Kaviusit për mikrobin si mjet lufte, që ishin përdorur përherë, me të cilin ishin fituar arritur ato që nuk kishin bërë edhe armët më të rrezikshme. Po kthehet koha e mikrobeve… Po kthehet koha shfarosjeve kolektive… O zot, çfarë nuk prodhon mendja e njeriut kundër njeriut, thashë dhe mendja më shkoi te ato që m’i kishte thënë Mic Shpendi se si kishte përballuar murtajën e fundit me anën e grithjeve të disa plakave…
Megjithatë, thashë, duhet me e gjetë Mic Shpendin dhe me luftue për jetën!… Frika është murtajë…Këtë nduk duhet pranuar…

(Fragment nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com

Elegji e parë

Poezi nga Martin Camaj

Ku kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa ‘i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze, për mue
të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i gatuem për flije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qysh kur.

Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiq im atë, premë dy qe
me ngimun të unshmit e thneglat e lamit
me grimca buke.
Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë
të ngishëm,
prandej ndër drekët e mija qitni
vetëm kafe të idhta. / KultPlus.com

28 vjet nga vdekja e Martin Camajt

Sot bëhen 28 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar, Martin Camaj në Munih.

Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.

Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

Martini lindi në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegj. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.

Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetuar në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç. Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.

Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

Po atë vit, duke parë shëndetin në rënje të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të 1956) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.

Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.

Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.

Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emërtuar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.

Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.

Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991. / KultPlus.com

Haxhiu: Ndalimi i mësimit është obligativ!

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se pika e parë e vendimit të Qeverisë ka të bëjë me ndërprerjen e mësimit në insitutcionet arsimore.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haxhiu ka deklaruar se kjo pikë e vendimit të Qeverisë nuk është dëshirore por obligative.

Ky është postimi i plotë i Haxhiut:

Pika e parë e vendimit të Qeverisë ka të bëj me ndërprerjen e mësimit në institucionet arsimore.
Punëdhënësit janë të obliguar të respektojnë vendimet e Qeverisë e sidomos në kohën kur kemi shtuar masat për shkak të pandemisë COVID – 19.
Kodi penal specifikon qartë:

Neni 256 i Kodit Penal
Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundje ngjitëse nuk vepron sipas urdhërave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me 2 vite burgim.

Prandaj, duke pasur parasysh prindërit, të cilët janë në marrëdhënie pune, dhe nuk kanë zgjidhje për fëmijët, njëri prind lirohet nga puna për shkak qëndrimit me fëmijët.

Pika 1 e Vendimit të Qeverisë nuk është dëshirore por obligative! Klan Kosova / KultPlus.com

Celine Dion testohet për koronavirus, detyrohet të shtyjë koncertet

Këngëtarja 51-vjeçare është detyruar të shtyjë datat e ardhshme të turneut në Uashington, DC dhe Pittsburgh, pasi zbriti me një ftohje të zakonshme.

Kur filloi të shfaqë simptoma, mjekët e testuan atë për koronavirus, por për fat të mirë për të gjithë ne, ajo testoi negative.

“Të hënën në mbrëmje Celine filloi të ndjejë simptomat e një ftohjeje të zakonshme. Simptomat vazhduan deri të martën dhe mjekët e saj e udhëzuan atë të pushonte për 5-7 ditët e ardhshme. Pasi e testuan, mjekët arritën në përfundimin se virusi i saj nuk kishte lidhje me COVID-19 ”, thuhej në Facebook-un zyrtar. /KultPlus.com

2017-03-03 04:50:36 Singer Celine Dion attends the world premiere of Disney’s Beauty and the Beast at El Capitan Theatre in Hollywood, California on March 2, 2017. VALERIE MACON / AFP

Gjërat që duhet të blini nëse jeni në karantinë në shtëpi, gjatë “izolimit” si pasojë e coronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur zyrtarisht coronavirusin një pandemi.

Përhapja që filloi në Wuhan, Kinë, ka vrarë tani më shumë se 4,300 njerëz dhe ka infektuar më shumë se 121.500 të tjerë.

Ndërsa virusi vazhdon të përhapet, më shumë njerëz mund të futen nën karantinë në shtëpi ose të zgjedhin të vetë-izolohen në shtëpi.

Sipas Business Insider, përcjell Telegrafi, mijëra amerikanë që udhëtuan kohët e fundit në Kinë janë nën një karantinë të vullnetshme 14-ditore në shtëpi për të parë nëse ato shfaqin simptoma, dhe në New York, të paktën 4,000 njerëz u kërkohet të izolohen në shtëpi, sepse kohët e fundit kanë udhëtuar në një vend me një shpërthim të rëndë ose kishin kontakt të mundshëm me një pacient të infektuar.

Gjithashtu, gjithnjë e më shumë kompani po inkurajojnë ose u kërkojnë punonjësve të punojnë nga shtëpia për shkak të virusit.

Në këtë drejtim, po sipas Business Insider, Departamenti i Sigurisë së Brendshme rekomandon rezervimin e një furnizimi dy-javor me ushqim dhe ujë në rast të një pandemie.

Në rastin e ndonjë emergjence mbijetese, Kryqi i Kuq Amerikan rekomandon mbajtjen e një furnizimi me ushqim, ujë dhe furnizime shtëpiake – si pastrues rrobash dhe pelena nëse keni fëmijë të vegjël.

Mediumi në fjalë ka sjellë një përshkrim se çfarë duhet të keni në “çantën e urgjencës” në shtëpi në rast të një karantine të mundshme në shtëpi mes pandemisë së coronavirusit, sipas Departamentit të Sigurisë së Atdheut, CDC, Kryqit të Kuq Amerikan dhe ekspertëve të tjerë.

Departamenti i Sigurisë së Brendshme i SHBA-së rekomandon rezervimin e ushqimit dhe ujit të mjaftueshëm për dy javë para se të goditeni nga një pandemi.

Gjithashtu, mallrat e thatë si orizi, makaronat, fasulet dhe tërshëra duhet të jenë themeli i stokut tuaj, ka thënë për Business Insider, Alyssa Pike, një dietologe e regjistruar dhe menaxhere e komunikimeve ushqimore në Këshillin Ndërkombëtar të Informacionit të Ushqimit.

Sipas saj, ju gjithashtu duhet të rezervoni ushqime të konservuara që përmbajnë lëng, si domate, fasule dhe peshk.

Lëngu i tepërt mund të përdoret për të gatuar ushqimin e tharë si orizi dhe makaronat.

Dhe mos i lini pas dore sendet si çokollata dhe kafja, edhe pse ato nuk janë rreptësisht thelbësore.

Siç ka raportuar Business Insider, përcjell Telegrafi, sende të tilla mund të bëjnë një ndryshim të madh në shëndetin tuaj mendor dhe moralin gjatë një karantine në shtëpi.

Mund të tingëllojë e thjeshtë, por larja e rregullt dhe e plotë e duarve është një nga mënyrat më të mira dhe më të lehta për të mbrojtur veten nga coronavirusi, sipas CDC.

Prandaj mos harroni të përfshini sapunin e duarve në çantën tuaj të karantinës.

Mos harroni sende të tjera higjiene, siç janë letra higjienike, produktet për kujdesin ndaj grave dhe pelenat nëse keni fëmijë të vegjël në familje.

Veç këtyre, Departamenti i Sigurisë së Brendshme i SHBA rekomandon të kontrolloni në mënyrë periodike barnat tuaja të rregullta me recetë për të siguruar një furnizim të vazhdueshëm në shtëpinë tuaj.  /KultPlus.com

“Eklips”, balada e pavdekshme e Alban Skënderajt (VIDEO)

Alban Skënderaj është një nga këngëtarët më të njohur të skenës shqiptare, i cili ndë vite ka realizuar hite të pavdekshme, shkruan KultPlus.com

‘Eklipsi’ është një nga këngët e tij më të vjetra dhe njëkohësisht një ndër hitet më të njohura që këngëtari nga Lushnja ka realizuar ndër vite. Alban Skënderaj ka mbajtur me dhjetra koncerte edhe në Kosovë.

‘Eklipsi’ i Skëderajt është një baladë që ngërthen në veten një tekst unik me një gjuhë artistike.

Ndoshta më nuk ia vlen
Të humbas në sytë e tu
Jo ti s’ke pse gënjen
I qartë shkrimi në blu
Se kur hëna diellin e fsheh
Veç rrezet i mbulon
Për nje çast freskia të deh
Por eklipsi shpejt mbaron

Ndoshta më nuk ia vlen
Të zgjohem me mendjen tek ti
Ose nisesh e vjen
Por unë fluturoj që të vij

Sepse ndryshe s’do të kishte mbarim
Zjarr i fshehur në ujë
Më ndihmo engjëlli i im….
Zjarrin ta shpëtoj

Jo nuk dua ta pranoj(ta pranoj)
Fati të na ndajë,
huuuuuuu uuuuu
Dua ta mbroj(ta mbroj) dashurinë e saj
refreni
Do ta mbroj me sytë e Zotit
Si një perlë në pikë të lotit
heeeeeeeeeeej
Do ta mbroj
Të jetojë
Dashuri e saj.

Ndoshta më nuk ia vlen
Ndoshta më nuk ia vlen
të zgjohem me mendjen tek ti
dua pranë të të kem
pa mall pa largësi
Ndryshe s’do kishte mbarim
Zjarr i fshehur në ujë
Më ndihmo engjëlli im
Zjarrin ta shpetoj

Jo nuk dua ta pranoj
Fati te na ndaj
Dua ta mbroj dashurinë e saj

refreni 2x
Do ta mbroj me sytë e zotit
si nje perlë ne pikë te lotit
do ta mbroj te jetoj
dashurinë e saj
(Nanararararanananananananananananana)

Hykmete Bajrami: Studentët të mos qëndrojnë në konvikte

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, gjatë një konference për media, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë, ka kërkuar nga studentët që të mos qëndrojnë në konvikte studentore në mungesë të ligjeratave.

Ajo u ka bërë thirrje atyre që të kthehen në shtëpitë e tyre në mënyrë që t’i evitojnë këto pika ku frekuentojnë më shumë student.

“Meqenëse sot me vendim të qeverisë është ndërprerë mësimi në të gjitha nivelet duke përfshirë këtu edhe universitetet unë besoj se studentët nuk kanë as një arsye që nuk kanë ligjërata të qëndrojnë në konvikte. Ne ju bëjmë thirrje atyre që të kthen në shtëpitë e tyre në mënyrë që t’i evitojnë këto pika ku frekuentojnë më shumë student”, ka thënë Bajrami.  /KultPlus.com

Dumoshi: Ndeshjet sportive s’mund të ndalohen, shikuesit të mos marrin pjesë

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë për masat për parandalimin e koronavirusit ka thënë se ndeshjet sportive nuk mund të ndalen, por duhet të zhvillohen pa tifozë.

“Te aktivitetet sportive ne kemi specifikuar që lojërat nuk mund të ndalohen por ajo që mund të ndalohet është që shikuesit të mos marrin pjesë”, ka thënë Dumoshi, njofton Klan Kosova / KultPlus.com

Bashkëpunim gjermano-francezo-shqiptar në hulumtimin e qytetit antik të Apolonisë

Qendra e gërmimeve në Apoloni, në afërsi të Fierit, është një vend ku sot takohen arkeologe dhe arkeologë nga shtete të ndryshme.

Gjatë një vizite me studiuese dhe studiues të ndryshëm ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak dhe ajo greke Sophia Philippidou vizituan qendrën e gërmimeve në Apoloni.1 nga 3  

“Ambasadori Gjerman Zingraf dhe kolegia franceze Christina Vasak si dhe ajo greke Sophia Philippidou mundën të bindeshin lidhur me fraktin, se sa mirë funksionon bashkëpunimi gjermano-francezo-shqiptar në hulumtimin e këtij qyteti antik”, thekson ambasada gjermane në një njoftim.

“Në kuadrin e një takimi ndërkombëtar në kontekstin e muajit të frankofonisë, ekipe të ndryshme kishin patur mundësi të prezantonin paraprakisht në Tiranë rezultatet e punës së tyre”, shton Ambasada e Gjermanisë në Tiranë. Atsh / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës vendos për ndërprerjen e mësimit deri më 27 mars

Merret vesh se në mbledhjen e sotme të Qeverisë do të jenë pesë pika diskutimi, e ndër to do të jetë “Ndërprerja e mësimit edukativo-arsimor të institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020”. 

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Qeveria e Kosovës do të mblidhet sonte në orën 20:00.

Detaje më të hollësishme nuk janë dhënë.

“Koha” mëson se pikë kryesore do të jenë masat për parandalimin e koronavirusit. / KultPlus.com

Akademia suedeze e IT-së zbarkon në Prishtinë

  • Kompania Kutia për 7 vjetorin e themelimit të saj po sjell në Kosovë akademinë e njohur suedeze, Beetroot Academy.

Pas sukseseve të vazhdueshme në ofrimin e shërbimeve të zhvillimit softuerik si dhe bashkëpunimit me kompani të ndryshme jashtë vendit, Kutia ka vendosur që kërkesës së vazhdueshme për zhvillues të rinj në treg, t’i kontribuojë me ofrimin e ekspertizës së jashtme për të zhvilluar dhe rritur ekspertizën e brendshme në fushën e teknologjisë informative.

Beetroot Academy, është akademi lidere e fushës së IT-së që e ka zhvilluar industrinë e outsourcing në Suedi dhe Ukrainë, duke vendosur kështu standarde të reja të industrisë dhe duke aftësuar dhe krijuar profesionistë  në fushën e IT-së.

Themeluesit e shkollës, suedezët  Andreas Flodström dhe Gustav Henman, filluan kompaninë Beetroot në vitin 2012. Në vitin 2018, përmes ekspertizës suedeze, Beetroot ishte një prej kompanive me rritjen më të madhe në fushën e teknologjisë informative në Ukrainë.

Mbi 2,500 studentë që i kanë përfunduar këto kurse, 70% prej tyre tanimë janë të punësuar duke ndikuar kështu në rritjen e ekosistemit të IT-së, duke zhvilluar ekonominë e vendit dhe duke aftësuar ekspertizën lokale.

Akademia Beetroot vjen në Prishtinë me mision të caktuar; rritjen e industrisë profesionale të teknologjisë informative; rritjen e aftësive konkurruese; rritjen e mundësisë së punësimit në këtë fushë, si në kompani lokale, ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Ajo që e bën më të veçantë Beetroot Academy-dega në Kosovë, është fakti se kurrikula e programeve mësimore, mënyra e mësimit dhe platforma mësimore është plotësisht e trashëguar nga Beetroot Academy që tanimë ka dëshmuar sukses të madh në Suedi dhe në Ukrainë.

Akademia Beetroot zhvillon aktivitetin e saj përmes kurseve profesionale të dizajnuara nga ekspertë të fushës, duke krijuar kështu kurrikula praktike dhe të përditësuara sipas trendeve më të reja të fushës së teknologjisë informative. Ligjeruesit profesionalë janë të trajnuar ashtu që të krijojnë shkathtësi të reja te studentët, bazuar në kërkesat reale të tregut, si atij lokal, ashtu edhe atij ndërkombëtar. Kjo është një ndër arsyet pse 100+ orët në këto trajnime janë jashtëzakonisht praktike. Së bashku me mentorë dhe trajnues me përvojë, studentët e regjistruar do të kenë mundësi që të punojnë në projekte të vërteta, përmes mundësive konkrete. Përveç anës praktike, shkolla ofron edhe studimin e teorisë në mënyrë të pavarur, përmes sistemit për mësim online (LMS).

Për sjelljen e kësaj shkolle në Prishtinë, janë bërë përgatitjet e duhura që kanë filluar kohë më parë. Kjo nënkupton hulumtimin e hollësishëm të kurrikulës dhe programeve mësimore, trajnimin dhe përgatitjen e stafit të kualifikuar për trajnim si dhe krijimin e ambientit komod dhe të përshtatshëm për të zhvilluar mësimin. Për më tepër, mjedisi i krijuar synon të frymëzojë ambicie dhe talent.

Grupet e ndryshme do të punojnë si ekipe, duke sfiduar njëri-tjetrin gjatë rrugës. Kështu, ata që tregojnë potencialin më të madh dhe dëshmojnë aftësitë e veta, do të përzgjidhen si profesionisë të IT-së, duke dëshmuar aftësitë konkurruese përballë punëdhënësve potencialë.

Kurset që ofrohen:

Front-end Development
React JS
NodeJS
WordPress Advanced
Project Management in IT
English for IT

Për të gjithë ata që dëshirojnë të zhvillohen dhe të mësojnë më shumë rreth kësaj mundësie, hapja zyrtare e Beetroot Academy – Kosovë, do të bëhet me 16.03.2020, nga ora 10:00 deri në orën 20:30 në adresën: Rr. “Anton Çetta”, nr. 5-1, Prishtinë. /KultPlus.com

Ahmeti: Nëse MASHT nuk pezullon mësimin – e marrim vendimin si Komunë

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se në qoftë se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nuk merr vendim për pezullim të mësimit, atëherë ai do të detyrohet që të marrin vendim si Komunë.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Ahmeti bëri të ditur se fëmijët nuk janë duke shkuar në shkolla, njofton Klan Kosova / KultPlus.com

Kosova kërkon nga bashkëatdhetarët t’i reduktojnë vizitat në vendlindje për mbrojtje nga Koronavirusi

Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe mbrojtjen nga rreziku i përhapjes së Coronavirusit në Republikën e Kosovës, përmes një komunikate për media u ka bërë thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve që të përpiqen të reduktojnë në minimum vizitat në vendlindje, gjatë javëve në vazhdim.

“Kosova është një nga vendet e pakta evropiane ku ende nuk është konfirmuar prania e COVID 19. Mirëpo, duke pasur parasysh situatën e krijuar së fundmi, në Itali dhe vendet tjera në rajon, rreziku i përhapjes së këtij virusi vdekjeprurës është shumë i madh”, thuhet në njoftim.

Tutje në këtë njoftim thuhet se “Për rrjedhojë, ky komitet, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, u lutet bashkëatdhetarëve të kenë mirëkuptim ndaj kërkesës për reduktim të vizitave në vendlindje, duke pasur parasysh se Kosova është një shtet i ri, në zhvillim, dhe me një sistem shëndetësor që ka kaluar nëpër shumë sfida”.

Ju bëjmë të ditur se Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës ka përgatitur Planin e Veprimit për zbatimin e Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Covid-19, Qeveria ka ndarë mbi dhjetë milionë euro për nevojat e zbatimit të këtij plani dhe në rast nevoje do të merren edhe masa të tjera për të parandaluar rrezikun e përhapjes së virusit që e detyroi Italinë të funtet në karantinë.

COVID 19 është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, për t’u përhapur më pas, për pak javë, pothuajse në shumicën e vendeve të botës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri më tani nga ky virus janë të prekur 121,738 veta në nivel global, janë shëruar 66,943 veta, kanë vdekur 4,382 veta, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet shkencore për gjetjen e vaksinës, thuhet në kërkesën e Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësim. /Insajderi.com /KultPlus.com


UP-ja me ligjëratë informuese rreth Koronavirusit

Fakulteti i Mjekësisë i  Universitetit te Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur sot ligjëratë informuese rreth COVID-19 ( Koronavirusi i ri 2019), përkatësisht mbi mënyrat e mbartjes dhe parandalimit të infeksionit me SARS-CoV-2.

Ligjëruesi Xhevat Jakupi, rejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, informoi në detaje rreth prejardhjes së virusit, familjes që i takon, llojit, përhapjes së SARS-CoV-2, si dhe çka pritet në të ardhmen në vend lidhur me këtë virus.

Përpos shpjegimeve shkencore, ai informoi edhe rreth masave që duhet të ndërmerren për të shmangur infektimin nga ky virus.

Lani duart sa më shpesh me ujë të rrjedhshëm, minimumi 20 sekonda me sapun. Nëse nuk kemi mundësi për t’i larë duart me ujë të rrjedhshëm, duhet të përdorni antiseptik duke i fërkuar mirë duart për disa sekonda, derisa ato të thahen vetë. Duhet shmangur kontaktet me persona të sëmurë, me shenja të infeksionit”, tha ndër të tjerash Jakupi.

Për të shmangur turmat, UP-ja përmes Laboratorit të Medias “MediaLab”, ka transmetuar drejtpërdrejtë ligjëratën në rrjetin social Facebook, e cila është e qasshme në: https://bit.ly/36IZbSF

Ndërkaq, edhe disa profesorë të UP-së kanë transmetuar gjatë orëve mësimore të ndryshme drejtpërdrejtë ligjëratën në fjalë, duke i kushtuar orën kësaj tematike dhe duke e ndjekur atë bashkë me studentët.

Në amfiteatrin ku u mbajt ligjërata, të pranishëm ishin: rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, dekanë dhe pjesëtarë të tjerë të stafeve menaxheriale të fakulteteve, staf administrativ dhe studentë, transmeton Klan Kosova / KultPlus.com.

Kënga e preferuar e përfaqësuesit të Zvicrës në Eurovision është ajo e Arilenës

Kjo është hera e parë në historinë e shtetit zvicran në “Eurovision”, që përfaqësohet nga një këngëtar me prejardhje shqiptare.

Pas më shumë se 10 vjetësh, Zvicra ka zgjedhur një këngë franceze për konkursin e këngëve në “Eurovision”.

Muzikanti 21-vjeçar Gjon, me këngën e tij “Répondez-moi”, u zgjodh nga një panel i 100 anëtarëve të audiencës dhe një juri ndërkombëtare që përfshin 20 ekspertë të muzikës pasi paraqiti këngën e tij në një thirrje të hapur për hyrje në këtë garë.

Paneli dhe juria secili mbartnin nga 50 për qind të vendimit, shkruan Eurovision.Tv.

Tema e këngës është shumë personale për këngëtarin shqiptar dhe është gjithashtu universale dhe flet për të gjithë.

Në një klip të shkurtër të postuar nga llogaria e @eurovision.kosova në Instagram, këngëtari shqiptar tregon se kënga favorite e tij është ajo e Shqipërisë nga Arilena Ara “Fall from the Sky”. /Prive.al / KultPlus.com