“Nëse e humbim kontrollin”, Zemaj paralajmëron kthimin e izolimit dhe karantinës

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur rreth situatës epidemiologjike në vend. Zemaj ka paralajmëruar se mund të ketë izolim sërish dhe rikthim të karantinës, nëse ka rritje të numrit të rasteve me COVID-19, raporton Express.

“Në karantinë mund të na kthejë vetëm nëse ne e humbasin kontrollin e kujdesit. Për këtë arsye secila hapje është bërë me masat e vlerësimit dhe mbikëqyrjes. Ne do t’i shtojmë këto ditë, sepse në lëvizje nëpër komuna të ndryshme e kam parë se nuk po mbahet partneriteti dhe devotshmëria për respektim të masave që janë vendosur nga Qeveria e Kosovës. Këto ditë do ta shtojmë komunikimin me Inspektoratin Sanitar dhe Policisë së Kosovës dhe do të kërkoj zbatim strikt të masave”.

“Çdo rritje e numrit të infeksioneve mund të na kthejë në aspekte restriktive që mund të nënkuptojë diku mbyllje, izolim, apo kufizim të lirisë së lëvizjes. Nuk do të kemi asnjë pardon, sepse për mua primare është ruajtja e shëndetit publik”, ka deklaruar ai.

Sipas Zemajt, ndryshimi i qasjes ka dhënë rezultate produktive në menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

“Ishte një qasje tjetër që dha rezultate produktive në vetëdijesimin e opinionit. Për mua kjo u kthye në rezultate pozitive, sepse kaloi niveli i komunikimit nga ‘virusi nuk ekziston’ në ‘virusi ekziston dhe po merr jetë”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka deklaruar edhe se po provojnë që deri në muajin dhjetor të sigurohen 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal.

“Kemi siguruar një numër të konsiderueshëm të vaksinave që në krahasim me vitin e kaluar është më i lartë. I posedojmë 160 mijë e 500 vaksina që në fund të këtij muaji do të shpërndahen, derisa pjesa tjetër është në proces të sigurimit. Gjatë dhjetorit presim edhe pjesën tjetër që duhet të arrijë në 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal që është bukur e vështirë, sepse mungesa e tyre është evidente në tregun evropian”. / KultPlus.com

Izolimi mund të ketë ndryshuar personalitetin tuaj

Personaliteti njerëzor krijohet prej përvojave dhe marrëdhënieve tona sociale, prandaj edhe izolimi në të cilën gjendemi, për shkak të së cilit ne nuk takohemi me miq, familjarë dhe kolegë do të ketë ndikimin e tij në ne.

Përvoja e izolimit për shkak të pandemisë te secili është përjetuar ndryshe prej personit tjetër, raporton BBC, përcjellë KultPlus.

Disa njerëzve u është dashur të mbyllen në vetmi absolute për javë a muaj të tërë, e të tjerëve u është dashur të mbyllen në një hapësirë me familjarë apo me njerëz me të cilët nuk kanë marrëdhënie të mira. Disa e kanë përdorur izolimin për të u relaksuar dhe për të pushuar prej punës e për të marrë më shumë kohë për veten.

Edhepse është menduar që personaliteti ka një limit deri kur mund të ndryshohet, hulumtimet e fundit kanë treguar që disa tipare personaliteti nuk janë fikse, e se ato do të vazhdojnë evoluimin gjatë gjithë jetës. Sipas këtij këndvështrimi, izolimi mund të ketë lënë gjurmët e veta tek secili prej nesh, natyrisht në mënyra të ndryshme.

Te njerëzit që janë në lidhje të shëndetshme, me partnerë mbështetës, periudha e izolimit mund të ketë qenë një mundësi për tu afruar më shumë me njëri tjetrin, për të u rritur emocionalisht.

Ndërkohë njerëzit në lidhje të vështira, të palumtura, të cilët kanë mbetur të izoluar me partnerin e tyre apo me familjarë toksik, izolimi mund të ketë përfunduar me pasoja traumatike. Shumë persona në lidhje apo martesë kanë përfunduar marrëdhënien e tyre në këtë kohë.

“Ndoshta personat më të prekur prej kësaj gjendje kanë qenë ata me probleme emocionale apo çrregullime të shëndetit mental. Personat që vuajnë nga ankthi, depresioni, çrregullimi bipolar apo OCD kanë qenë prej kategorive të rrezikuara në këtë kohë,” shpjegon Rebecca Shiner, psikologe klinike në Universitetin Colgate. / KultPlus.com

Në Evropë po rikthehet hija e izolimit

Zyrtarët spanjollë të shëndetësisë kanë paralajmëruar se vendi tashmë mund të jetë duke përjetuar një “valë të dytë” të koronavirusit, pasi Franca, Gjermania dhe Belgjika raportuan rritje të mëdha në numrin e rasteve.

Shtetet në të gjithë Evropën u kanë kujtuar njerëzve nevojën për vigjilencë mes rasteve në rritje ndërsa sezoni i pushimeve verore vazhdon.

Franca tha se po këshillonte që qytetarët të mos udhëtojnë në rajonin spanjoll të Katalonjës në mënyrë që të ndihmojnë në frenimin e virusit, ndërsa Norvegjia tha se po rivendoste një karantinë 10-ditore për njerëzit që vijnë nga Spanja – masa që rikthejnë hijen e karantinës në të gjithë kontinentin.

Ministria e Shëndetësisë e Spanjës po ndjek më shumë se 280 shpërthime aktive në të gjithë vendin. Të premten, ajo regjistroi 922 raste të reja Covid-19.

María José Sierra, nënkryetare e qendrës për emergjencat shëndetësore, tha se ndërsa kurba ishte rrafshuar, “transmetimi komunitar” po shihej në zonat veri-lindore.

“Mund të jetë tashmë një valë e dytë, por kjo nuk është gjëja më e rëndësishme,” u tha Sierra gazetarëve të enjten. “Gjëja më e rëndësishme është që ne të vazhdojmë të ndjekim ato që po ndodhin, të shohim se çfarë masash janë të nevojshme dhe t’i marrim ato sa më herët”.

Ajo tha gjithashtu se njerëzit duhet të mbajnë mend se incidenca e virusit është trefishuar në vetëm dy javë, nga 8.76 raste për 100,000 njerëz në 3 korrik në 27.39 për 100,000. “Natyrisht, kurba po shkon lart, por le e të presim të shohim se në çfarë situate gjendemi,” shtoi ajo.

Gati 8,000 raste janë diagnostikuar në Katalonjë gjatë 14 ditëve të fundit – që përbën gati gjysmën e 16.410 rasteve të zbuluara në Spanjë.

Sekretari i Shëndetit Publik i Katalonjës, Josep Maria Argimon, tha se situata brenda dhe rreth Barcelonës ishte “në një moment kritik” dhe u bëri thirrje njerëzve që të dëgjojnë kërkesën e qeverisë rajonale për të mos lënë shtëpitë e tyre, nëse nuk është e domosdoshme.

Ka gjithnjë e më shumë frikë se virusi po përhapet nga njerëzit që shkojnë në bare dhe klube nate, dhe se mund të jenë të nevojshme kufizime për të frenuar rritjen e rasteve.

Të enjten, qeveria e rajonit jug-lindor të Murcias urdhëroi 32,000 banorët e Totanas të rikthehen në fazën e dytë të de-përshkallëzimit të bllokimit pasi 55 raste u gjurmuan në një bar në qytet.

Qeveria rajonale e Madridit tha të premten se planifikon të rishikojë udhëzimet për numrin e njerëzve që lejohen të takohen natën.

“Ne do të vëmë në zbatim masa për jetën e natës, duke përfshirë kufizimin e numrit të njerëzve të lejuar në tarracat e bareve dhe restoranteve ose vendeve të tjera të takimeve sepse virusi pëlqen lëvizjen dhe tubimet e mëdha,” tha zëvendësministri i shëndetësisë i rajonit, Antonio Zapatero.

Qeveria rajonale po i kërkon gjithashtu qeverisë qendrore të vendosë kontrolle më të rrepta në aeroportin e Barajas në Madrid pasi doli se 77 njerëz kishin ardhur atje me virus që nga maji.

Autoriteti shëndetësor kombëtar i Francës, Santé Publique, raportoi 1.062 raste të reja të enjten dhe tha se ndërsa kishte pasur një rritje midis moshave mbi 75-vjeç dhe njerëzit në azile, një rritje gjithashtu ishte raportuar në rastet midis “të rriturve më të rinj”.

Autoriteti tha që kishte pasur “një ngadalësim të zbatimit të gjesteve barrierë” dhe u kujtoi njerëzve që distanca fizike duhej të ruhej.

“Gjatë verës dhe pushimeve, mund të duket artificiale të përshëndetsim njëri-tjetrin në distancë, të flasim nga një distancë, të lajmë duart rregullisht dhe të mbajmë maska në hapësira të mbyllura, por kjo përpjekje individuale dhe kolektive është thelbësore për të mos lejuar që virusi të shkelë lirinë tonë dhe epidemia të rikthehet”, tha në deklaratë.

Të Premten, presidenti francez, Emmanuel Macron, mbajti një takim të këshillit të mbrojtjes së vendit për të diskutuar rritjen e rasteve dhe shqyrtojë masat e reja duke përfshirë forcimin e kontrolleve në kufijtë me Belgjikën dhe Spanjën dhe masat e mundshme karantinë për pasagjerët ndërkombëtarë në aeroportet.

Instituti Robert Koch i Gjermanisë (RKI) raportoi 815 raste të reja të premten, krahasuar me 583 një javë më parë dhe 395 dy javë më parë.

Duke përjashtuar shpërthimet e fundit në fabrikat e përpunimit të mishit, rritja ishte më e madhja që nga mesi i majit. Shifrat kanë tendencë të jenë më të larta të premteve, për shkak të rasteve të raportuara që akumulohen gjatë javës.

Më shumë se 40% e rasteve aktuale janë në shtetin perëndimor të Rhine-Vestphalisë së Veriut, por shtetet e tjera gjithashtu tregojnë rritje të mesatares.

Jonas Schmidt-Chanasit nga Instituti për Mjekësinë Tropikale në Bernhard-Nocht në Hamburg tha se shifrat duket se tregojnë për një rritje në të gjithë popullsinë, sesa në vendndodhje specifike, siç janë ato rreth fabrikave të përpunimit të mishit. Nëse do të ishte kështu, do ta bënte virusin më të vështirë të frenohej”, i tha ai Der Spiegel.

“Ne duhet të shohim nëse kjo ka të bëjë me tubime të mëdha, që tani lejohen, rihapjen e kopshteve dhe shkollave, apo ka të bëjë me njerëzit që kthehen nga pushimet?” tha ai.

Njerëzit që kthehen në Gjermani nga Ballkani, Turqia dhe Majorca kanë dalë pozitivë në testin për virusin.

RKI ka vendosur 100 vende në një listë të zonave të rrezikut, përfshirë SHBA, Izraelin dhe Luksemburgun. Ministria e Shëndetësisë pritet të njoftojë se testet për njerëzit që kthehen nga zonat e rrezikut së shpejti do të jenë të detyrueshme.

Në Belgjikë, ku numri i infeksioneve të reja javore është rritur me 89%, zyrtarët thanë se një vajzë tre-vjeçare ishte bërë viktima më e re në vend.

Zëdhënësi i agjencisë së shëndetit tha se tre njerëz po vdesin çdo ditë në Belgjikë nga Covid-19, duke shtuar se vdekjet e fundit përfshinin ato të vogëlushes dhe një 18-vjeçari.

Catry tha që vajza kishte sëmundje “të rënda” para-ekzistuese, por paralajmëroi kundër vetëkënaqësisë tek të shëndetshmit, duke theksuar se 85% e rasteve të reja të diagnostikuara javën e kaluar ishin midis njerëzve nën 60 vjeç.

“Eshtë e vërtetë që është e rrallë që një i ri vdes nga Covid-19, por është e qartë se askush nuk është imun,” tha ai. / theguardian/ KultPlus.com

Nuk është izolimi shoqëror që i largon njerëzit, është indiferenca dhe mungesa e respektit

Këto janë ditë të vështira. E dimë këtë. Kontakti fizik është i kufizuar, manifestimet e afeksionit duhet të bëhen në distancë dhe dëshira është ndjenja më e përfolur e muajve të fundit.

Qëndrimet janë gjithashtu të nevojshme për të përmirësuar një pandemi shumë serioze që ka mbërritur në të gjithë botën. Problemi është se shumë ngatërrojnë izolimin shoqëror me indiferentizmin dhe insistojnë në marrëdhënie të dashura që janë zhdukur prej kohësh.

Edhe pse “jeta e re” kërkon sjellje të reja, të qenit indiferent nuk është një prej tyre. Fakti që jemi të izoluar nuk justifikon qëndrime të ftohta dhe apatike ndaj njëri-tjetrit.

Largësia, mungesa e parave ose pamja nuk zvogëlojnë ndjenjat. Ajo që ul ndjenjën është indiferenca dhe mungesa e respektit.

Shumë njerëz e shfrytëzuan këtë izolim social për t’u “zhdukur nga harta”, duke fajësuar distancën, virusin dhe qeverinë kur ata me të vërtetë nuk donin të vazhdonin marrëdhënien dhe nuk kishin guximin të mbaronin.

Indiferenca dhemb. Ndoshta sepse shoqërohet me pandjeshmëri dhe shkëputje, karakteristika në kundërshtim me qëndrimet natyrore të njeriut, indiferenca dëmton shumë dhe lë gjurmë të thella në shpirt. /meb.al/ KultPlus.com

Two people standing apart to stop the spread of COVID-19 conoravirus. Concept of infection control. Copy space in the middle.

Fotografja shfrytëzon kohën e izolimit të bëj portrete familjare, i fotografon nëpër dritare (FOTO)

Virusi korona dhe izolimi që i ka shkaktuar gjithë botës, ka goditur rëndë shumë biznese, mes tyre edhe atë të fotografisë. Kështu, ky virus ka goditur edhe fotografen Theresa Rooney, e cila në vend të që të fotografojë dasma, ka nisur të bëjë portrete familjare, duke i fotografuar njerëzit nëpër dritare shkruan KultPlus.

Ana dhe bashkëshorti i saj Mario janë izoluar në shtëpinë e tyre dy muajt e fundit për të shmangur kërcënimin e infeksionit me virus. Çifti për ta hequr sadopak mendjen nga izolimi, marrin dy fëmijët e tyre dhe afrohen tek dritarja ku e presin fotografen Rooney që t’i fotografojë.

Rooney zakonisht bën fotografi dasmash. Ky izolim, thotë ajo, i ka shkaktuar mjaft dëme pasi që tashmë janë të ndaluara shërbesat fetare dhe tubimet e mëdha.

Kështu 34-vjeçarja Rooney nisi t’iu bënte fotografi familjeve dhe çifteve që pozonin pranë dritareve apo tarracave të tyre. Ajo e reklamon pastaj aktivitetin e saj edhe në rrjetet sociale.

Rooney thotë se fotografitë që i bën, do t’iu shërbejnë familjeve si kujtesë, apo si dokument nga koha sa ishin në karantinë.

Ana dhe Mario mblidhen para dritares. Bashkë me ta edhe fëmijët. Rooney vjen dhe iu tregon se ku duhet të qëndrojnë dhe si të pozojnë. Ajo e shkrep aparatin dhe thërret e gëzuar: “E përsosur!”.

Kjo është familja e 15-të që Rooney ka fotografuar kohët e fundit. Ajo thotë se secila prej tyre është unike. Tutje, kujton ajo, një çift që po festonin përvjetorin e 48-të të dasmës.

“Ata ishin aq të lumtur dhe unë isha aty për të ndarë atë ditë të veçantë për ta” thekson Rooney.

Para se t’i fotografojë ajo bashkëbisedon me ta, i pyet se si po ia çojnë në izolim dhe çfarë presin të bëjnë porsa t’i kthehet jetës normaliteti.

Pasi i bën fotografitë familjes së Anës dhe Marios, iu premton se do t’jua dërgojë fotografitë me e-mail, shumë shpejt…

“Kjo është aq argëtuese” shprehet ajo, derisa shton se ky aktivitet e ka ndihmuar ta largojë mendjen nga izolimi. /bm/ /DW /KultPlus.com

Si të parandalojmë impaktin psikologjik të izolimit?

Në pasigurinë e këtyre ditëve, e vetmja gjë e qartë është që ne po përballemi me një urgjencë shëndetësore të paparë në numër dhe forma.

Një nga pasojat është izolimi social i cili duket se është garancia e vetme efektive për të parandaluar infeksionin e mundshëm.

Si mund ta trajtojmë atë nga një këndvështrim psikologjik?

Përqendrohuni tek “këtu dhe tani”

Në një kohë pasigurie si kjo, perceptimi ynë për ngjarjet është përgjithësisht negativ dhe kjo mund të shkaktojë ankth dhe shqetësim.

Eshtë e nevojshme të mos i japim trurit tonë mundësinë për të hyrë në një të ardhme të mbushur me dyshime dhe pyetje, por të sigurohemi që të përballemi me të tashmen në një mënyrë pozitive.

Pranoni situatën

Jemi përballë një periudhe historike të pashembullt dhe duhet domosdoshmërisht të përshtatemi me rregullat e reja të jetës që duhet të ndjekim.

Në këtë proces të adaptimit, duhet të mbajmë në mendje se disa vendime nuk janë nën kontrollin tonë, por janë “imponuar” nga covid-19: prandaj nuk duhet të ndihemi fajtorë nëse nuk mund të jemi pranë anëtarëve të familjes sonë, ose nuk kemi qenë në gjendje t’i themi lamtumirë atyre që na kanë lënë.

Kthejeni frikën në mundësi

Frika është një emocion parësor që na lejon të mbijetojmë nga rreziku dhe, për këtë arsye, të inkurajojmë mbijetesën tonë.

Të kesh frikë është normale, ajo që duhet të bëjmë është të mos lejojmë që frika të marrë kontrollin, duke shndërruar realitetin e sotëm në mendime ekskluzivisht alarmante.

Krijoni një rutinë të re

Sot qëndrimi në shtëpi është një detyrim por nuk duhet t’ju pengojë të vazhdoni jetën tuaj: është çështje e përshtatjes së zakoneve tuaja në një kontekst “të ri”, brenda të cilit të ruani jetën e përditshme të mëparshme.

Për shembull, organizoni mënyra të ndryshme të administrimit të kohës për ditët e javës dhe fundjavave, në mënyrë që të ruani kontrollin për kohën që kalon.

Gjeni kohë për veten tuaj

Eshtë e rëndësishme t’i jepni vetes kohë: të gjeni të paktën 15 minuta në ditë për t’u argëtuar duke zgjedhur aktivitetin që ju pëlqen më së shumti.

Ruani rrjetin tuaj social

Në periudha të vështira është thelbësore të mbështetemi te njerëzit që i duam siç janë familja dhe miqtë dhe, në një situatë të veçantë si kjo, është edhe më shumë e nevojshme.

Nëse nuk keni një rrjet social ose ndiheni vetëm, mund të gjeni, përmes shërbimeve të ndryshme të konsulencës në internet, një psikolog ose psikoterapist, i cili do të jetë në gjendje t’ju ofrojë mbështetje psikologjike për t’u përballur me këtë periudhë.

Ndihmoni të gjitha kontaktet sa më mirë që të keni mundësi

Një mënyrë për të kapërcyer më mirë këto ditë izolimi dhe të ndjeheni afër të tjerët është të ndani lajme pozitive, mesazhe mbështetëse dhe video argëtuese për të përsëritur se “gjithçka do të jetë mirë”. /KultPlus.com

Dalja e parakohshme nga izolimi “do të ishte e rrezikshme”

Muhammad Munir, virolog në Universitetin Lancaster të Mbretërisë së Bashkuar, thotë se qeveritë dhe zyrtarët e shëndetit publik kanë nevojë për shumë më tepër të dhëna për koronavirusin, përpara se të vendosin për lehtësimin e masave të izolimit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se valë e dytë e infektimeve mund të ketë një ndikim edhe më të keq se e para.

Radio Evropa e Lirë: A janë gati disa vende t’i heqin masat e izolimit kundër koronavirusit?

Muhammad Munir: Nëse shohim përhapjen e përgjithshme të këtij infeksioni, ajo ka një intensitet të ndryshëm. Disa vende janë shumë më përpara, si për shembull Italia, Spanja dhe Franca, ndërsa të tjerat si Danimarka, Holanda dhe Suedia janë relativisht më prapa. Për shkak të intensitetit të ndryshëm të shpërthimit, edhe masat e kontrollit janë vënë varësisht prej situatave respektive. Tani, numri i të infektuarve ka nisur të bie në Itali dhe Spanjë dhe ato kanë nisur t’i heqin disa kufizime. Por, unë mendoj se është vërtet herët që të hiqet ndonjë kufizim i madh, sepse ne nuk dimë shumë për këtë virus. Ai është rreth nesh që tre muaj e gjysmë. Ai duhet të hulumtohet shumë më shumë, përpara se të jemi të sigurt se e kemi mposhtur dhe se nuk kthehet sërish. Nëse kthehet sërish, do të ishte një situatë më e tmerrshme, sepse njerëzit do të ishin të lodhur, ashtu si edhe ekonomitë, dhe kthimi i kontrollit do të ishte shumë më i vështirë. Andaj, heqja e masave të kontrollit duhet të bëhet me shumë kujdes.

Radio Evropa e Lirë: Kur është një vend i gatshëm për të lehtësuar masat parandaluese?

Muhammad Munir: Strategjia e daljes nga izolimi duhet të përcaktohet në nivel vendi, ose së paku në nivelin kontinental. Ekzistojnë disa kritere që përcaktojnë se kur duhet të zbatohet strategjia e daljes nga izolimi. Kushti i parë ka të bëjë me rënien e ndjeshme të rasteve të reja me koronavirus për 14 ditë më radhë. Kjo është koha kur mund të nisni të mendoni për lehtësimin e masave të kufizimit. Kushti i dytë i rëndësishëm është që sistemi shëndetësor i vendit të mund të garantojë se çdo person i infektuar, mund të mjekohet. Dhe, kushti i tretë është kapaciteti i mjaftueshëm për të identifikuar çdo person, qoftë pozitiv ose negativ, përmes testimit. Pastaj, ju mund t’i izoloni ata që janë pozitivë me koronavirus, ndërsa ata që janë negativë mund t’i testoni për të parë nëse kanë anti-trupa kundër koronavirusit. Pra, nuk është një strategji e lehtë e daljes nga izolimi, por këto janë tri kushtet kryesore për të përcaktuar kohën e daljes.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë rreziqet e heqjes së kufizimeve shumë herët?

Muhammad Munir: Nëse masat kufizuese hiqen para kohe, njerëzit do të ishin sërish në kontakt me njëri-tjetrin dhe virusi do të përhapej midis atyre që nuk kanë qenë të infektuar. Edhe për njerëzit që kanë qenë të infektuar më parë dhe kanë krijuar imunitet, ne nuk e dimë ende se sa mund të zgjasë ky imunitet. Ata po ashtu mund të riinfektohen, andaj numri i rasteve mund të rritet ndjeshëm. Kjo do të ishte vërtet problematike, sepse vënia e masave të kontrollit për herë të parë është më e lehtë sesa herën e dytë. Dhe, kjo nuk është shumë befasuese: praktikisht në çdo pandemi që kemi parë, vala e dytë ka qenë e pashmangshme. Prandaj, këtë herë, unë mendoj se paralajmërimet duhet të merren shumë seriozisht dhe duhet të sigurohemi që [virusi] të mos kthehet përsëri.

Radio Evropa e Lirë: Pse një valë e dytë mund të ishte edhe më vdekjeprurëse se e para?

Muhammed Munir: Një nga arsyet përse vala e dytë është gjithmonë vdekjeprurëse, është se njerëzit që kanë qenë të izoluar, le të themi, për gjashtë ose shtatë javë, ata janë lodhur. Kështu që, ata do të nisin t’i kthehen jetës normale. Dhe, nëse masat e izolimit rivendosen, njerëzit do të binden më vështirë. Problemi tjetër është se njerëzit që nuk janë imunë, që nuk janë infektuar herën e parë, do të goditen nga virusi, sepse nuk janë ekspozuar kurrë. Nuk kanë pasur imunitet. Por, ana plus e kësaj është se, për shembull, nëse në valën e parë kemi pasur 20 deri në 30 për qind të njerëzve të infektuar, kjo do të thotë se ata do të kenë imunitet dhe do ta ngadalësonin përhapjen e virusit brenda grupeve të vogla. Por, grupet që nuk kanë qenë të ekspozuara më parë, do të goditeshin rëndë. Në fazën e dytë, edhe qeveritë do të ngurronin të vinin kufizime, për shkak të ekonomisë. Qeveritë nuk do të donin të kishin edhe një raund vendimesh të vështira.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta ndjekin vendet e tjera shembullin e Kinës?

Muhammed Munir: Kina është izoluar në mënyrë të paparë. Asnjëherë në histori nuk ka pasur një shkallë të tillë izolimi. Kjo ka lënë një përshtypje mjaft të mirë, sepse e ka rrafshuar lakoren e rasteve mjaft shpejt. Kjo edhe i ka nxitur vendet e tjera që të zbatojnë masa të njëjta të izolimit. Por, tani që ka dalë nga izolimi, edhe vendet tjera do të përpiqen ta ndjekin shembullin e saj. Megjithatë, janë disa mesazhe të rëndësishme që dalin prej atje. Për shembull, në Vuhan [të Kinës], izolimi është hequr në mënyrë relativisht simbolike, sepse lëvizja e njerëzve është ende e kufizuar. Vetëm njerëzit që kanë kodin e gjelbër QR [në telefonat e tyre mobilë] janë lejuar të dalin jashtë, sepse këta janë njerëz që kanë mjaft antitrupa në gjakun e tyre, andaj edhe janë të mbrojtur. Po ashtu njerëzit që bëjnë punë thelbësore, si prodhimi i pajisjeve mjekësore, lejohen të dalin. Pra, kemi mjaft për të mësuar nga skenari i Vuhanit./rel/

A ka Kosova mjaftueshëm rezerva në rast të izolimit nga koronavirusi, sqaron Qeveria e Kosovës

Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes në përmasa të mëdha të koronavirusit në Kosovë vlerësohet se gjendja mund të përballohet për sa i përket furnizimit me gjëra esenciale për mbijetesë, si ushqim dhe barna, ngase Kosova po del të ketë rezerva shtetërore të mjaftueshme të mallrave për ta përballuar situatën, shkruan sot gazeta Zëri.

Përderisa virusi “COVID-19” është duke u përhapur shpejt nëpër botë, Kosova vazhdon të mbetet imune ndaj tij. Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes së koronavirusit në vend, Qeveria është e gatshme t’u dalë në ndihmë qytetarëve me ushqime e me barna esenciale, pasi qysh nga viti 2012 ka filluar grumbullimin e rezerva shtetërore, të cilat mund të shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore.

Kjo gjë është e rregulluar me Ligjin për Rezerva Shtetërore, i cili është miratuar në vitin 2010.

Sipas këtij ligji, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, të mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, të veprimeve terroriste, të veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës, gjësë së gjallë, të pasurisë, të trashëgimisë kulturore, të mjedisit, si dhe për dhënien e ndihmave humanitare në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.

Me planin strategjik bëhet sigurimi i depove për vendosje dhe për ruajtje të rezervave shtetërore të mallrave teksa me ligj është e përcaktuar se plani strategjik, programi vjetor, si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekrete shtetërore.

Në ndërkohë nga OEK-ja është kërkuar hartimi i një plani i cili do ta paraqiste ndikimin e këtij virusi në ekonomi, që nga çrregullimi i tregut e deri te ndonjë recesion i mundshëm në nivel global. / KultPlus.com

Folkloristët e izoluar të Evropës

Bajram Mjeku

Shqiptarët, populli më i izoluar në Evropë, edhe zyrtarisht nesër kremton Ditën e Evropës! Ky izolim ndodhi për mungesë të guximit qytetar, që solli klasën politike që kemi sot.

Kjo “elitë” politike, e cila solli korrupsion e krim të organizuar, zhvatje të pasurisë e varfëri të skajshme, depresion e pasiguri kolektive, ikje masive të të rinjëve deri në përmasat e mohimit të atdheut, ndodhi për fajin tonë dhe jo të Evropës. Jemi ne që tash njëzet vjet e mbajmë në këmbë prej qelqi, udhëheqjen më të padenjë që shqiptarët e kanë patur ndonjëherë në historinë e tyre. Pse nuk ndalemi një çast e të kujtojmë kush na përfaqëson, pastaj të marrim frymë thellë dhe ta gjykojmë Evropën?!
Kosova asnjëherë nuk ishte më e izoluar se sot dhe asnjëherë nuk kishte më pak miq në familjen evropiane se sot. Një fakt duhet ta kuptojmë një herë e mirë: Shqiptarët asnjëherë nuk ishin më injorantë e më indiferentë siç janë sot. Janë më pak të arsimuar se në vitet shtatëdhjetë, më pak të emancipuar se në vitet tetëdhjetë dhe shumë më pak atdhedashës se në vitet nëntëdhjetë. Çdo ditë shohim veten duke u fundosur në baltën e gjallë dhe bëhemi sikur nuk është duke ndodhur asgjë. Çdo ditë presim mrekulli nga Zoti, derisa nga gjithë popujt e Kontinentit të vjetër, më së paku besojmë në Zot.
Kujtojmë korrikun e vitit 2015, kur kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi kryeqytetin shqiptar. E lodhur nga dyndjet e shqiptarëve drejtë Evropës dhe nga servilizmi patetik i Qeverisë shqiptare, Merkel sikur humbi durimin e tha: Keni detin dhe malet! Edhe kaizeri gjerman Wilhelm II, më shumë se një shekull më parë mbi tavolinën e bisedimeve vuri dilemën: A janë shqiptarët të aftë për të qeverisur veten?!
Kur në nëntor të vitit 1989 ra Muri i Berlinit, shqiptarët provuan njëfarë pajtimi me Evropën. Kësaj radhe, sharjet i shndërruan në pendesë dhe përmes kësaj të fundit sërish dërguam mesazhin e urrejtjes kundër Evropës! Në vend se këtë ndërmarrje ta bënim përmes diplomacisë dhe botës intelektuale, edhe maskaradën e radhës e bëmë përmes folklorit. Këngën e kahmotshme “Oj Evropë oj kurva e vjetër” e zëvendësuam me një të re, e cila niste me vargun: “Ty Evropë po të shkruaj një letër!”. Për habinë e dyfishtë, kjo këngë dhe shumë këngë të tjera folklorike, editoriale e libra të këtij soji u pëlqenin shumicës! Prapë u ringjall epoka e çiftelisë, prapë “elita” intelektuale u fsheh në strofullin e vet dhe prapë folkloristët nisën ta kërcënojnë Evropën. 
Slogani “Duam Shqipërinë si gjithë Evropën”, lindi në qastet kur shqiptarët nisën të dalin nga kampi komunist. Vetëm atëherë kur “dëshirën” do ta zëvendësojmë me “përkushtimin” për Evropën dhe folkloristët do të zëvendësohen me vlera nacionale, Brukseli nuk do të jetë aq naks dhe do të na pranojë në familjen e tij./KultPlus.com