KultPlus bashkoi gratë e fuqishme të vendit: Kosovën asnjëherë më mirë nuk e ka gjetur 8 Marsi

Rreth orës 18:00 në KultPlus Caffe Gallery kanë arritur shtatë gratë më të fuqishme të Kosovës, të cilat udhëheqin me institucionet e shtetit. Emra eminent nga fusha e kulturës, gra udhëheqëse të bizneseve dhe të Shoqërisë Civile, ishin pjesë e kësaj hapësire, ku KultPlus së bashku me Un Women kishin organizuar ndejën në nderë të 8 Marsit, shkruan KultPlus.

Nikoqirja e mbrëmjes, Ardianë Pajaziti, kryeredaktorja e KultPlus po priste me radhë gratë udhëheqëse duke filluar nga: Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, nënkryetare e këtij institucioni, si dhe pesë ministret gra: Albulena Haxhiu, Rozeta Hajdari, Hykmete Bajrami, Emilija Rexhepi dhe Vlora Dumoshi, të cilat këtë kohë kishin ndarë që ta ndanin me gratë artiste, të bizneseve dhe të Shoqërisë Civile, për të treguar gatishmërinë e tyre për fuqizimin e  gruas në fusha të ndryshme.


“Ne jemi të lumtur që KultPlus vazhdon të mbetet si pika kryesore e kryeqytetit ku mblidhen gjithë artistët,  dhe njëkohësisht po shërben si shtysë që të ofrohen projekte dhe ide të reja për tu realizuar”, tha fillimisht redaktorja e KultPlus Jeta Zymberi, e cila edhe e moderoi këtë mbrëmje.

Kurse drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, pasi falënderoi të gjithë të pranishmit theksoi pikën që e dallon këtë festë nga ato paraprake.


“Kosovën asnjëherë më mirë se sivjet nuk e ka gjetur festa e 8 Marsit. Kemi udhëheqëse në krye të institucioneve të Kosovës, këto shtatë gra që kanë një mision shumë të vështirë, por me një vullnet të madh ne besojmë se do të kemi një suksese dhe një dimension shumë të fuqishëm në raport me gruan”

Tutje, Pajaziti tha se gratë nuk kërkojnë epërsi, gratë kërkojnë barazi.

“Gratë nuk kërkojnë epërsi, gratë kërkojnë barazi në fushat të cilat udhëheqin. Andaj, këto gra që udhëheqin si artiste, si gra në biznes dhe në Shoqëri Civile besojnë në mbështetjen e kësaj udhëheqsie, sidomos nga këto ministri që udhëhiqen nga gratë”, ka thënë Pajaziti, para të pranishmëve, të cilët ishin në numër të madh.

Kurse drejtoresha e UN për Kosovë,  Ulrike Richardson, falënderoi KultPlus për organizimin e kësaj ngjarjeje.

“Mendoj se është një takim i fuqishëm ky sonte, një takim i grave të fuqishme. Dua ta falënderoj KultPlus për këtë organizim. Të gjitha gratë, në veçanti ato të fuqishme, duhet ta mësojnë një gjë: ta përkrahin njëra-tjetrën”, ka thënë  Richardson.


Kurse kryeparlamentarja Vjosa Osmani, duke falënderuar organizatorët: Ardianë Pajazitin, Vlora Nushin dhe Ulrike Richardson, është shprehur të jetë e lumtur që është pjesë e kësaj mbrëmje.



“Më shumë se sa të flas për punën tonë, në fakt dua të ju falënderoj secilën prej jush, sepse secila prej jush shkëlqeni në fushat tuaja. Keni thyer barriera të jashtëzakonshme”, ka thënë Vjosa Osmani, e cila për fund ka thënë se gratë duhet ti bashkojnë forcat, sepse, sipas saj,  kurrë gratë në Parlamentin e Kosovës nuk kanë arritur synimet, pa u bashkuar me njëra-tjetrën.

Nënkryetarja e Parlamentit Arbërie Nagavci tha se pozitat e tyre janë obligim dhe mundësi për krijimin e kushteve të barabarta. “Unë besoj që secila grua është e suksesshme në punën që bënë. Unë pozicionet tona i shoh si mundësi dhe obligim që të punojmë e të krijojmë mundësi për sa më shumë vajza e gra, djem e burra që të kenë mundësi të barabarta për të gjithë”, ka thënë ajo.

Kurse ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ka shprehur mirënjohjen e saj gjithëpërfshirëse.

 “Në fakt, unë sot kisha dashtë që të ngremë dolli për të gjitha ato zonja që nuk janë në pozicionin tonë dhe tuajin, sepse mendoj se ka plotë të tjera, po kaq të mençura, po kaq trimëresha , po kaq të vyera, por nuk kanë pas mundësinë të jenë pjesë e kësaj shoqërie ku jemi sot. Unë besoj se edhe ato janë gra me fuqi”, ka thënë ministrja Bajrami.

Kurse ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, tregoi për drejtimet ekonomike ku dëshiron ti shoh gratë dhe vajzat.

 “Pres të shoh më shumë inxhiniere, jo vetëm mësuese dhe pedagoge, sepse arsimi profesional është shumë i rëndësishëm për punësimin dhe zhvillimin e ekonomik të vendit”, ka thënë ajo.

Kurse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmendi specifikisht punën e saj në raport me gratë, teksa shprehu edhe një dëshirë në raport me trashëgiminë.

 “Së bashku me Kryetaren e Parlamentit i kemi thënë ministrit të financave, se s’ka buxhet pa një linjë të veçantë për strehimoret për gra. Ka edhe shumë çështje tjera që duhet të punojmë. Unë mendoj se gratë nuk duhet të kenë të drejtë të heqin dorë nga trashëgimia”, ka thënë Haxhiu, e cila është shprehë se është duke punuar në këtë drejtim.

Në këtë mbrëmje foli edhe ministrja e Ministrisë së Administratës Publike, Emilja Rexhepi e cila ka folur poashtu për rnëdësinë e gruas në shoqërinë kosovare, duke potencuar përfshirjen e gruas në shumë segmente te shoqërisë, kurse ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e nisi fjalimin me një falënderim për gratë që kanë kontribuar në fushën e kulturës.

“Jam shumë e nderuar që jam këtë, këtu kujtoj të gjitha ato gratë që kanë krijuar këtë bazament sidomos në fushën e kulturës”, tha Dumoshi, e cila vazhdoi të specifikoj se të jetosh në Kosovë si grua, nënkupton të thyesh barriera.

“Unë së pari si grua, si nënë e dy djemve jam krenare që i kam thyer të gjitha barrierat edhe pse ka qenë një rrugë shumë e vështirë sepse kam jetuar në Kosovë”, ka thënë ministrja Dumoshi, duke shtuar se asgjë nuk është e pamundur kur punon me përkushtim dhe vullnet.

Përderisa në emër të UN Women ka falënderuar Vlora Nushi, ndërkohë drejtoresha e KultPlus Ardianë Pajaziti ka ftuar për një dolli me gratë prezentë, duke uruar që të ketë një ngritje të përfshirjes së gruas në fusha të rëndësishme të shoqërisë.  Më pas, shtatë gratë e institucioneve të Kosovës, u takuan me gratë e pranishme në KultPlus Caffe Gallery, me të cilat biseduan veç e veç për bashkëpunimet dhe mbështetjen e këtyre grave në fusha të ndryshme.

Falënderojmë mbështetësit e kësaj mbrëmje: Meridian, Fluidi dhe Stone Castle. /KultPlus.com

Vasfije Krasniqi-Goodman nesër iu drejtohet deputetëve në Kuvend

Me rastin e shënimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Kuvendi i Kosovës organizon seancë të veçantë, e cila do t’i kushtohet ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Deputetëve të Kuvendit do t’iu drejtohet Vasfije Krasniqi-Goodman, transmeton Klan Kosova.

Seanca mbahet nesër (9 mars 2020), në orën 11.00. / KultPlus.com

Heidegger: “Sekreti i dashurisë”

Martin Heidegger i shkruan Hannah Arendt:

“E fortdashur Hannah!

Cila të jetë vallë arsyeja që dashuria na shpërfaqet shumë herë më e pasur sesa tërë përvoja njerëzore dhe një gllabërim i ëmbël për tërë ata që kanë rënë në kurthin e saj? Sepse bëhemi ajo çka dashurojmë, duke mbetur në të njëjtën kohë vetvetja.

Kjo është arsyeja përse herëpashershëm ndjejmë dëshirën e zjarrtë që ta falenderojmë me të tërë të qenëshmen tonë njeriun që dashurojmë; porse, në fund, dashur pa dashur vërejmë se si kjo nuk mjafton aspak.

E vetmja mënyrë është të falenderojmë me tërë thelbin dhe thellësinë e vetvetes tonë. Dashuria e shndërron mirënjohjen në një përkushtim dhe vlerësim të vetvetes dhe, në të njëjtën kohë, në një besim pa kushte ndaj tjetrit. Kjo është edhe forma se si dashuria e dëndëson fuqimisht të fshehtën e saj…

I yti”
M

KultPlus.com

Sibel Halimi: Me e dashtë lirinë e Nanës

Nga Sibel Halimi

Me e dashtë lirinë e Nanës

Tutna me shkru veç për gratë
se s`du asnjiherë me ju hi n`hak
Kurrë njoftë lirinë s`ia kemi
Veç kemi dërdëllitë
e kemi ba nanën
plagë të përvujtun
e kemi shtri për toke
e kemi naltësu në vargje
ia kemi rritë dashninë,
madhështinë
prej rolit s`kemi mujtë me nxjerrë
Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju
Se kjo shoqni ka zanë n`thu
Nanën kauzë politike tu e ba
Liria e saj nuk asht dogma e jote – as e jemja
Është veç ajo, liria e saj

Populizmi

Populizmi fiton përkrahës, sepse u flet njerëzve të zakonshëm për problemet reale që udhëheqësit aktual nuk duan të ballafaqojnë. Megjithatë, ajo përfundon duke dëmtuar njerëzit për të cilët ka për qëllim të ndihmojë, sepse qeveritë populiste janë të dobëta në ekonomi.

Populizmi rritet në vendet që kanë nivele të larta të pabarazisë. Një pakënaqësi e thellë me status quo -un, nivele të larta  papunësie, pabarazia dhe varfëria, nxisin lindjen e  politikanit populist.

Rruga e tyre drejt pushtetit kategorizohet nga ngacmimi  i nervave me fjalime dhe premtimet elektorale. Megjithatë, zgjidhja populiste për pabarazinë ekonomike është të shpenzoje dhe të shtyjë rritjen e kërkesës në nivelet e saj më të larta, pavarësisht nga kufizimet. Argumenti qëndron pasi rritja e shpenzimeve në një ekonomi do të nxisë rritjen në një trajtë lineare edhe të  pasurisë dhe mirëqenies. Njerëzit do të jenë më të pasur pasi inkurajon rritjen e  ofertës  dhe krijon më shumë vende pune dhe më shumë investime.

Për sa  kohë që do të ketë rezerva valutore ose njerëzit që dëshirojnë të japin hua, bumi mund të vazhdojë, por sapo të mbarojë financimi ekziston vetëm një huadhënës i cili do ti përgjigjet  thirrjes për ndihmë– Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ata nuk janë të interesuar në financimin e programeve të paqëndrueshme dhe “populisti” tani është i detyruar të pranojë programin që ai fillimisht e hodhi poshtë. Tashme populisti i cili deri dje mbronte retorikën se vendi i tij ishte i pasur dhe se varfëria ekzistonte vetëm sepse kjo pasuri “vidhej” nga elitat dhe rishpërndarja e kësaj pasuri mund të zgjidhi çështjen, sot ai do duhet të pranojë një strategji shumë ndryshe nga ajo fillestarja.

Populisti promovon idenë se vendi i tij nuk ka nevojë për ndonjë vend tjetër për të lulëzuar por pasi politikat e tij të rishpërndarjes boshatisin thesarin shtetëror dhe pasuritë e tjera, ai mbetet në “mëshirë” të fqinjit. Qeveritë populiste shpenzojnë  sa më shumë para që të jetë e mundur, huazojnë nga fondet e pensioneve dhe banka qendrore si dhe nga rezervat valutore të vendit.

Si fillim, po, funksionon!

Pasoja e menjëhershme e kësaj politike është një bum ekonomik. Ata që kundërshtojnë  populizmin dhe e shpallin atë fatkeqësi si fillim duken të marrë. Ka rritje ekonomike, paga më të larta si  dhe punësim. Por kjo nuk zgjat. Ky bum ekonomik shpërthen dhe shkakton inflacion, kolaps dhe dështim. Atë çfarë populistët nuk kuptojnë është se gjerat mbarojnë nëse nuk rindërtohen sipas një rendi të caktuar ekonomik.

Pasuria e një vendi nuk qëndron në shpirtin e saj, por në mendjet e popullit të saj. Nëse shteti deklaron luftë ndaj mekanizmave të tregut dhe dënon njerëzit e pasur, ai thyen mekanizmin që gjeneron pasuri, vret investimet dhe i frikëson njerëzit e aftë. Ka vende me burime të kufizuara natyrore që janë të begatë dhe vende me burime të konsiderueshme natyrore që janë të varfra. Pasuria e vërtetë kërkon më tepër aftësi sesa fitimi i lotarisë. Fatkeqësisht ashtu si individi edhe shtetet bien pre e skemave piramidale.

Politikat ekonomike të gjeneruara nga populistët kryesisht kanë afate të shkurtra kohore zbatimi por pasojat ekonomike-politike janë afatgjata. Këto politika rëndojnë bizneset si dhe individët qofshin ose jo  këta të fundit përkrahës së partisë.

Axhenda e populistëve kryesisht nis me një kritikë ndaj qeverisë aktuale duke premtuar një realitet social ndryshe, me anë të rritjes së shpenzimeve nga ana e qeverisë.

Më pas premtimi tjetër i cili pjesën  tjetër të shumicës është ulja e taksave.

Reduktimi i të ardhurave tatimore pa një zvogëlim  të krahasueshëm të shpenzimeve publike mund të nënkuptojë deficite të vazhdueshme ose në rritje, borxhe më të larta publike si dhe rritjen e normave të interesit duke rritur kështu borxhin publik. Ulja por edhe heqja e taksava u shitet votuesve si një përbërës magjik.

Në realitet me pak njohuri bazike ekonomike mund të kuptosh në fakt se nëse nuk populitstët nuk kanë gjetur burim magjik parash atëherë politikat e tyre nuk do të funksionojnë kurrë.

Por populistëve ju pëlqen të shkojnë me larg se kaq duke premtuar se do të ulin çmimet e konsumit që janë të vendosura nga tregu,  të tilla si çmimi i energjisë.

Ndërhyrja në treg sjell rregullim të tregut dhe mund të shkaktojë edhe mungesë të mallrave. Një shembull tjetër i  ekonomisë populiste është një preferenca për të ashtuquajturin treg i menaxhuar ose i drejtë. Në këtë rast, deficitet e tregut  janë një shenjë e dobësisë kombëtare, kështu që qeveritë përpiqen të bllokojnë sa më shumë importe, duke inkurajuar eksportet. Qeveritë populiste shpesh dyshojnë për marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe janë të gatshme ta pengojnë duke vendosur pengesa të tilla si  tarifat dhe negociata tregtare në  favor të  industritë vendase. Ata përqendrohen në tregtinë e mallrave tradicionale të prodhuara dhe i kushtojnë pak rëndësi integrimit ekonomik.

Administrata Trump ofron shembullin më të shquar të një agjende populiste të tregtisë proteksioniste. Por qeveria e re populiste e Italisë po ballafaqohet me ratifikimin e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse ekonomike dhe tregtare për shkak të shqetësimeve rreth mungesës së kontrollit për specialitetet italiane.

Detajet do të ndryshojnë nga njëri vend  në tjetrin, por modeli kryesisht ndjek këto rregulla. Votuesit individualë ndoshta do t’ju pëlqeje ulja e taksave, por nga ana tjetër këto do të kompensohen nga çmimet më të larta për mallrat e konsumit si rezultat i tarifave mbi importet, si dhe perspektivën e zvogëlimit të borxhit publik . Tregjet financiare dhe bizneset mund të jenë të entuziazmuar fillimisht nga taksat më të ulëta, por situata do të degradojë shpejt , pasi efektet dhe pasojat e tregtisë populiste dhe të politikave ekonomike të  bëhen më të dukshme. Dhe ne e dimë se kapriçot dhe pasiguria nuk janë të mira për investimet afatgjata ose në rritje./atlasi.al

Rita Ora me mesazh të fuqishëm për 8 Mars: Unë jam me ju që krenoheni kush jeni

Rita Ora vendosi që për festën e 8 marsit të ndajë një shkrim inkurajues për të gjitha gratë.

Rita Ora ka vendosur që një ditë të rëndësishmë për gratë si kjo e sodit, tua përcjell të gjitha grave një mesazh vetëdijesimi, shkruan lajmi.net.

E veshur me një bluzë të bardhë, pranë një luleje orhidea ajo thotë se një ditë si kjo e feston me të gjitha gratë që krenohen me të kaluarën, të tashmen e tyre por edhe të ardhmen e pazbuluar.

“Bëhu një zonjë thanë.

Mos fol me zë të lartë.

Mos fol shumë.

Mos merr hapësirë.

Mos u ul ashtu.

Mos qëndro ashtu.

Mos u frikësoni.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Grave. Për vite që kam pyetur në pyetje, a po bëj mirë? Po bëj shumë, a jam shumë lakuriq? kujt i intereson?? Por më intereson! Jo nuk më intereson, po më intereson. Kam punuar kaq shumë për të qenë krenare për zgjedhjet dhe sakrificat e mia që bëj çdo ditë për të qenë sot këtu dhe të jem kush jam, mund të imagjinoj vetëm vendime të marra nga gratë, nënat, motrat, hallat, gratë udhëheqëse, gjyshet, perëndeshat, etj. … Kështu që sot unë jam për të gjitha ju që krenoheni kush jeni, çfarë keni bërë në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tuaj! Këtu duhet të krijoni trashëgiminë tuaj. Këtu për ne” shkroi Rita.

Ambasada Amerikane për 8 Mars: Në Kosovë ka gra që do të bëjnë ndryshime

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për festën e 8 marsit ka vendosur të shpërndajë një fotografi të grave kosovare të cilat janë pjesë e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ato po punojnë për të bërë ndryshime.

Gjithashtu në këtë festë ndërkombëtare ata vendosën të shpërndajnë një thënie të Nënës Tereza “Unë vetëm nuk mundem ta ndryshojë botën, por unë mund të hedhi një gur nëpër ujëra për të krijuar gurgullimë”. Klan Kosova / KultPlus.com

Thatcher: Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë; nëse kërkon vepra, pyet një femër

Në një ditë pa energji, e mbytur nga pesimizmi i njerëzve që të rrethojnë, që duan të të bindin që, vetëm sepse je vajzë, do e kesh gati të pamundur të arrish aty ku do doje, e lodhur nga e njëjta pamje, burrat që drejtojnë gra shumë herë më të afta sesa ata vetë, merr pak optimizëm, nga thëniet e këtyre grave që kanë guxuar të çajnë të parat rrugë, ku më pas, shumë të tjerë, gra e burra bashkë, i kanë ndjekur.

Ato thonë të vërtetat me zë të lartë, ato shembin klieshetë e rreme që janë ngritur për gratë, ato i shpallin të drejtat e tyre!

“Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë; nëse kërkon vepra, pyet një femër”- Margaret Thatcher, politikane

“Një femër e fortë e kupton se logjika,vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale. Ajo i vlerëson dhe i përdor të gjitha këto dhunti” -Nancy Rathburn, autore

“Një  grua është si një bustinë çaji- ti asnjëherë nuk  e di sa e fortë është ajo deri sa e vendos në ujë të nxehtë”- Eleanor Roosevelt, politikane, diplomate, aktiviste

“Unë gjithmonë kam dashur të isha një femme fatale. Edhe kur isha e vogël, asnjëherë nuk doja të isha thjesht një vajzë, por doja të isha një grua” – Diane von Furstenberg, stiliste

“Unë jam e fortë, jam ambicioze dhe e di shumë mirë se çfarë dua. Nëse kjo nuk të pëlqen, atëherë punë për ty” – Madonna, këngëtare

“Feminist është kushdo që njeh dhe vlerëson barazinë dhe vlerat si të femrave dhe të meshkujve” – Gloria Steinem, feministe, gazetare, aktiviste politike dhe sociale

“Adhuroj të shoh një vajzë të re e cila del jashtë dhe e kap botën nga jaka e xhaketës. Jeta është e poshtër. Ti duhet të përpiqesh dhe të triumfosh”– Maya Angelou, shkrimtare

“Unë e ngre zërin-jo që të bërtas, por që, ata që nuk kanë mundësi të shprehen, të mund të dëgjohen… ne nuk mund të kemi sukses kur gjysma prej nesh ngurojnë” – Malala Yousafzai, aktiviste pakistaneze për të drejtën e arsimit të grave, fituesja më e re e çmimit Nobel

“Feminizmi nuk ka të bëjë me forcën e femrave. Femrat si natyrë janë të forta, por ka si qëllim të ndryshojë mënyrën se si bota e percepton forcën.”– G.D. Anderson, autore

“Femrat thonë gjithmonë: ‘Ne mund të bëjmë  gjithçka që mund të bëjnë dhe meshkujt!’ Por janë meshkujt ata që duhet të thonë: ‘Ne mund të bëjmë gjithçka që mund të bëjnë dhe femrat!’.”– Gloria Steinem

“Nuk je e detyruar të jesh e bukur. Nuk i detyrohesh askujt për bukurinë tënde. As të dashurit/bashkëshortit/partnerit, as kolegëve të punës, veçanërisht as meshkujve që takon në rrugë. Nuk iu detyrohesh as prindërve, as fëmijëve, nuk i detyrohesh shoqërisë në përgjithësi. Bukuria nuk është një qira që e paguan sepse ke zënë një hapësirë të quajtur “femër”.– Erin McKean, leksikografe

“Një femër që i dëgjohet zëri, përkufizohet si një femër e fortë.”– Melinda Gates, businesswoman dhe filantropiste

 “Femrat, ashtu si dhe meshkujt duhet të përpiqen për të bërë të pamundurën dhe kur të dështojnë, dështimi i tyre duhet të jetë një sfidë për të tjerët.”– Amelia Earhart, pilotja e parë grua dhe autore

 “Kur një burrë jep opinionin e tij, ai është burrë. Kur një femër jep opinionin e saj, ajo është e përdalë.”– Bette Davis, aktore

“Shpresoj që prindërit e vajzave të vogla do i shikojnë ato dhe do thonë, “Po, femrat munden.”– Dilma Rousseff, ekonomiste, politikane, presidentja e parë grua e Brazilit

“Femrat janë lidere në çdo aspekt-si një drejtore që drejton një kompani fitimprurëse ashtu edhe një shtëpiake që rrit fëmijët dhe kujdeset për shtëpinë. Vendi ynë është krijuar nga femra të forta dhe ne do vazhdojmë të thyejmë barriera dhe të sfidojmë stereotipe.”– Nancy Pelosi, drejtuese e një prej dhomave të Kongresit amerikan

“Natyrisht që nuk shqetësohem nëse natyra ime i frikëson meshkujt. Tipi i mashkullit që frikësohet nga personaliteti im është pikërisht tipi për të cilin nuk kam asnjë interes.”– Chimamanda Ngozi Adichie, shkrimtare nigeriane.

“Nuk ndihem më pak femër. Ndihem akoma më e fuqishme kur marr një vendim të rëndësishëm, kjo kurrsesi nuk e zvogëlon feminitetin tim’– Angelina Jolie pas mastektomisë së dyfishtë, aktore, aktiviste.

 “Pyetja nuk është kush do më lejojë mua, por kush do më ndalojë .”– Ayn Rand, shkrimtare

 “Kemi nevojë për femra në të gjitha nivelet, duke përfshirë  ato që janë në krye, për të ndryshuar dinamikën dhe t’i japin formë bisedës, të sigurohen që zëri i femrës të dëgjohet dhe të mos injorohet.”– Sheryl Sandberg, drejtore operative e Facebook.

 “M’u desh shumë kohë për të pasur një zë që të dëgjohet dhe tani që e kam, nuk do të hesht.”– Madeleine Albright, politikane

 “Femrat janë arkitektet e vërteta të shoqërisë.”– Harriet Beecher Stowe, e angazhuar kundër skllavërisë, shkrimtare

 “Nuk kam takuar asnjëherë një femër që nuk është e fortë, por ndonjëherë ato nuk dinë ta tregojnë forcën që kanë. Duhet një tragjedi që një femër të shfaqë forcën e saj. Mesazhi im është që ta shfaqni forcën para tragjedisë.”– Diane von Furstenberg

 “Femrat kanë qenë gjithmonë më të fortat. Meshkujt kërkojnë vazhdimisht mbështetje nga ato. Ata kanë nevojë për nënën që kujdesej për ta kur ishin të vegjël.”– Coco Chanel, stiliste

 “Feminizmi është për të gjithë.”– Bell Hooks (pseudonim), shkrimtare

 “Besoj se mbrojtja e të drejtave të femrave është  kapitull i pambyllur i shekullit XXI.”– Hillary Clinton, politikane

 “Ne duhet të riformojmë perceptimin tonë rreth mënyrës si e shikojmë veten. Duhet të bëjmë një hap përpara si femra dhe të marrim drejtimin.”– Beyoncé, këngëtare

 “Unë jam një femër fenomenale. Femër fenomenale…po, kjo jam unë.”– Maya  Angelou

  “Pse fjala feminizëm është bërë tabu? Nuk është fjala ajo që ka rëndësi, por ideja dhe ambicia që ajo përfaqëson.”– Emma Watson, aktore

“Ideja e të qenit feministe: shumë femra mendojnë se të qenit e tillë do të thotë të jesh kundra meshkujve dhe të mos krijosh lidhje me seksin e kundërt, por ajo që feminizmi përfaqëson në të vërtetë, është një barazi e të drejtave të njeriut. Për mua është një pjesë thelbësore e identitetit tim.”– Lena Dunham, aktore dhe shkrimtare /revistaclasss / KultPlus.com

Vagina nga dola unë duhej të mbyllej

Nga Bledi Mane

1./
Sperma e babait u lëshua si e çmendur drejt kanaleve ku e priste e qeshur vezs e nënës. Ndërsa rënkimet e të dyve nuk rreshtnin, brenda trupit të sime mëje u përqafuan plot mall spermatozoidet dhe vezoret dhe pas 44 minutash u nisën drejt mitrës, u shumëfishuan dhe hodhën rrënjë. Ditët dhe javët kalonin të shëndetshme dhe unë fillova ngadalë të marr formë. Nga një fetus i vogël i strukur, rritesha dhe formëzoja organet, gjymtyrët, kokën, veshët, sytë. Pas 36 javësh kërkoja të braktisja ngrohtësinë e trupit të nënës dhe u gjuaja membranave të barkut të saj me putrat e vogla të këmbëve të mia.
2./
Britmat e mamasë time pushuan kur mamitë e maternitetit, na prenë tubat lidhës, më pastruan nga ujërat ngjyrëkuqe dhe më mbështetën pranë prindit tim. Hera e parë që ndjeja prekjen dhe aromën e një gruaje.
Pushova dhe unë së qari dhe po egzaltohesha nga mirëseardhja në një botë plot oksigjen dhe dritë. Qyshkur qëndroja brenda mitrës edhe tani që fëmijërohesha e burrërohesha, dashuria dhe kujdesi i nënës nuk munguan por shtoheshin e shtoheshin çdo ditë. Rrethohesha nga përkëdheljet, qumështi, lodrat, veshjet, ngrohtësia, freskia, higjena, ushqimi, përkujdesja. Çdo sekondë që kalonte rritesha me dashurinë dhe edukatën që ta doja çdo njeri veçanërisht nënën time e nëpërmjet saj gjithë femrat e lagjes, qytetit, vendit derisa një ditë kuptova se isha i vetëm, isha minorancë në një ambient hipokrizisht të ndyrë:
-Femrës futi vetëm palloshin dhe drurin!
-Femrën mbaje në shtëpi për të larë e për të gatuar!
-Femra ka lindur për të qenë shërbëtore e burrit!
Dhe ashtu herë i sforcuar dhe herë i nxitur u bëra edhe unë pjesë e dialektikës maskiliste aranautase. Çdo mbrëmje nuk vrapoja të përqafoja nënën time por shkoja raportoja te mejhania e lagjes sesi e dhunoja dashnoren, si e filmoja me celular, si e poshtëroja në krevat, si ia derdhja spermën mbi fytyrë, si e palloja pa e puthur dhe eksitimi tashmë nuk më vinte prej seksit por harbohesha kur ua tregoja shokëve, miqve, çunave të lagjes. Shfrytëzova dashurinë dhe dobësinë e dashnores time ndaj meje dhe e punova si prostitutë në Itali, Belgjikë, Angli. U pasurova me kafshërinë dhe egon time dhe para shokëve ndihesha superior përherë. Kisha para, makina, luks, shfrenime por më mungonte dashuria. Jo sepse nuk ndjeja por kisha frikë të dashuroja një femër se do dukesha i dobët para shokëve, para lagjes, para zakoneve tona kolektive derisa një ditë euforia ime më përplasi të gjithin brenda makinës ku udhëtoja me trafikndarësen e një autostrade.
3./
Nga koma dola pas 5 ditësh dhe ashtu i mjegullt nga dhimbjet dhe trupi i sakatosur, mdjeva se kisha thyer çdo kockë e vertebër. I shtrirë në krevatin e bardhë të spitalit mësova se kisha mbetur sakat dhe kurrë, kurrë nuk do ecja më. Bërtita, ulërita, klitha, qava si atëherë kur dola nga vagina e nënës time dhe mes syve të enjtur nga lotët pashë fytyrat e bukura të doktoreshës, të infermieres, të sanitares, të nënës, të të dashurës. Pashë fytyrat e dhimbsura të 5 femrave që më përkëdhelnin dhe më pëshpërisnin ëmbël:
-Ti nuk do jesh kurrë vetëm, ti nuk do ecësh kurrë në jetë por ne do jemi me ty. Ne do jemi hapat e ecjes tënde…
4./
Gëzuar 8 marsit ju femrat shqiptare. Unë personalisht ndihem me fat se kam lindur sot në festën tuaj! /KultPlus.com

‘Të du nanë, të kam dasht gjithmonë edhe pse kurrë s’ta thashë sa duhet’

Nga Liridon Mulaj

BURRAT NUK KJAJNË!

Nanë! 
Sot, në këtë ditë ftohtë dhjetori, tuj udhetue me autobus, perballë meje, pashë pamjen ma të bukur që syni mund të sodisin. Nji fëmije të vogël qi puthte t’amën pa pushim. E për dreq nja dy pika lot me ranë njashtu pa i miratue, aq sa më erdh marre prej njerëzve që m’i kishin ngul sytë e më shihnin me habi. “Burri nuk kjanë- më erdhen në mend fjalët e tua , qi mi thoje fëmi , kur qaja se nji teke e jemja nuk u plotësonte. Sot mbas shumë vitesh më kaloi feminia nëpër mend, e mu kujtu sesa rrallë të kisha puth unë ty nanë, po sa shumë të kisha dasht. Po njashtu si fmi i llastuem, kurrë s’dita me ta tregue at dreq dashnie.

Mu kujtonte fort mirë kur nji çokollate në doren teme, ishte gjithmonë nji kafshatë bukë ma pak për tjerët e për ty . Po ti kurrë s’u ankove, po ashtu tuj fsheh brengat nën shami, ndoshta shpesh ke fjet pa u ngi me bukë. Nëpër mend më kaluan kujtimet, e kur i vuna në peshore ,më dolën qe ty nanë ma shumë te kam pa tuj kjajt sesa tuj kesh. Erdh’ nji ditë kur u bana burrë, e mu desht me e provu emigrimin. Si gjylpanë më thernin në zemër, lotët e tu kur më përcolle n’derë, e sa u merzite ti nanë edhe pse unë kurrë nuk pata kanë djali “ideal” për ty. Kam ec kambë atë natë, maleve të Greqise e kurrë nuk të thashë sa e veshtirë u ba ajo rrugë për mue . Jo prej lodhjes, po se në çdo përfytyrim më dilte fytyra jote, më dilnin lotët e tua që kur i kujtoja , mu bajshin kurth në kambë e me ec nuk më lenin.

Dy vjet në vend të huaj , a e di sa më ke mungu nanë? Po asnjiherë nuk e dhashë veten kur folnim bashkë në telefon, se ti përherë me thojshe – ” Burrat nuk kjajnë,,. Eh, më pyet nji herë kur telefonin e mbyllja, e u shtrija ne atë krevat të dalun fare, sesa herë e kam la jastekun me lot. Isha i ri fort, e larg teje s’dukej ndryshe veç si i tretun. E di nanë, asht marre me kjajt , po unë nuk u bana ndojherë “burrë” Mu ka thye zemra shpesh , po ti kurrë nuk e more vesh se ti e din , jam tip i mbyllun , po edhe s’kam dasht me ti shtue mërzite. E prapë sot kur jeten teme e vej në peshore , mërzitem ma fort, se e di se s’të kam dashtë aq sa duhet , ose të kam dasht po nuk kam ditë me ta thanë.

E sot unë s’muj me e u gezue e me u defrye se ndihem në faj kur e gjej veten të lumtun, tu e dit sa ke vujt. Por, du ta dish, andrra jeme ma e bukur je ti, je dita jeme me diell gjithmonë, je gezimi ma i madh edhe pse keto i patëm me pikatore në këtë jetë. Du ta dish nanë, edhe pse s’ta them, unë sa herë vij në shpi , kur shoh ftyrën tande , çdo të keqe harroj. Nji përqafim i joti ,jetën ma shton. Të du nanë, të kam dasht gjithmonë edhe pse kurrë s’ta thashë sa duhet. Djali yt asht krenar për ty! / KultPlus.com

Kurti: Te ne gratë janë më punëtore, punojnë më shumë, por kanë më pak vende pune

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar ditën ndëkombëtare të gruas, përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook, ku ndër të tjera është shprehur i kënaqur që këtë vit për herë të parë në institucione të vendin ka pjesëmarrje më të madhe të grave.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Kurtit.

”Dita ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, është dita e cila na e përkujton që për çdo ditë ka shkelje të të drejtave, ka shfrytëzim të gruas.

Këtë vit e kemi bërë një hap para. Për herë të parë në institucione të vendit ka pjesëmarrje më të madhe të grave. Sigurisht që nuk është e mjaftueshme. Barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm në ligje e rregullore të cilat mbesin tekste në letër, por pjesë e përditshme e jetës praktike e të gjithë neve.

Të drejtat, e kuotat që predikohen nga lart, s’i bëjnë kurrë njerëz (të barabartë) ata që mjerimi e papunësia i redukton ku më pak e ku më shumë në nocione biologjike, meshkuj e femra. Premisa e emancipimit është mundësia për punësim dhe drejtësia e garantuar. Emancipimi nuk duhet të jetë vetëm i grave për gratë, por edhe i burrave për gratë. Dhe, duhet të filloj qysh me edukimin e hershëm të fëmijëve për barazinë gjinore.

Jo vetëm te ne, mbase sidomos te ne, gratë janë më punëtore, punojnë më shumë, por ja që kanë më pak vende pune. Kjo është një padrejtësi e madhe shoqërore në Republikën e Kosovës. Me qeverisjen e re, me ndryshimet që janë bërë me 6 tetor dhe me 3 shkurt, ne e kemi shansin që këtë ta përmirësojmë edhe në mënyrë institucionale e legjislative, por gjithashtu edhe me shembullin tonë të përditshëm.
Urime 8 Marsin!” / KultPlus.com

Gratë nuk festojnë, marshojnë për një jetë të barabartë

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, ku përmes marsheve dhe aktiviteteve të shumta u bë thirrje për barazi dhe fuqizim të gruas, kudo në botë.

Edhe në Prishtinë është mbajtur marshi tradicional “Marshojmë S’festojmë” nën organizimin e ‘Rrjetit të Gruas’, që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për të drejtat e grave, barazisë gjinore, shoqërore dhe ekonomike.

Me thirrjet “Po du me punu pa më ngacmu”, “S’du lule por du kontratë”, një numër i grave kanë marshuar nëpër qendër të kryeqytetit, në mesin e të cilave u bashkëngjitën edhe liderë institucionalë.

Edhe amabasada amerikane në Prishtinë, ka shpërndarë një fotografi të grave deputete të legjislaturës së re në Parlamentin e Kosovës në krye me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, duke theksuar se Kosova ka shumë gra që po punojnë për të bërë ndryshimin, transmeton KultPlus.

Shkalla e grave të punësuara në Kosovë mbetet më e ulët se e burrave. Përderisa shkalla e papunësisë te burrat, në vitin 2019 ishte 22.8 për qind, më e ulët se në vitin 2018, shkalla e papunësisë te gratë ishte 32.7 për qind, shifër më e lartë se në vitin 2018.

Gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen edhe me sfidat e kontesteve pronësore, si dhe dhunës në familje.

Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, ishte raportuar për 785 raste të dhunës në familje ku 620 nga to, viktima kanë qenë gra./ KultPlus.com

‘Nëna e zë vendin e cilitdo, por vendin e saj nuk e zë dot askush’

-Zemërmi i nënës është si bora e pranverës. Bie shumë, por shkrin shpejt.

-Nëna është ajo që mund të zërë vendin e kujtdo, por vendin e saj nuk mund ta zërë askush.

-Çdo mbretëreshe ka madhështinë e saj, por madhështia e nënës është mbi të gjitha mbretëreshat e botës.

-Nënë është fjala më e bukur në buzët e njerëzimit.

-Nuk gjen në botë jastëk më të mirë se sa prehëri i nënës, e as trëndafil më të bukur sesa thellësia e shpirtit të saj.

-Në këtë botë egoiste, vetëm nëna dëshiron të të shohë gjithmonë të lumtur.

-Një nënë shikon gjithçka, flet pak, sakrifikon çdo gjë , ankohet pak, jep shumë dhe pret pak. Gjithçka që ajo dëshiron është që fëmijët e saj të jenë të lumtur.

-Gjithçka që është e bukur te njeriu, është krijuar prej rrezeve të diellit dhe prej qumështit të nënës, dhe kjo na mbush me dashuri, përjetësisht.

-Dora që përkund djepin, është ajo që rrotullon fatin e njerëzisë, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën drejt horizonteve të ndritura ose të errta.

-Nëntë muaj je ushqyer nga gjaku i saj, ke marrë frymë nga oksigjeni i saj. Në hapat e para të jetës je mbajtur nga duart e saj… Mundohu që pjesën tjetër të jetës të bëhesh shkaku i lumturisë së saj. / bota.al/ KultPlus.com

Dumoshi: Vlerat e mia nuk janë plaçkë që varen nga dikush, ato më takojnë mua t’i mbroj e promovoj

Për nder të festës së gruas, ka reaguar edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlor Dumoshi.

Më poshtë KultPlus ju sjell reagimin e saj të plotë:

‘Shumëkush nuk na ka besuar. Disa edhe na kanë fyer e përçmuar pse kërkesat tona për barazi e të drejta që i meritojmë kanë qenë të zëshme. Ne nuk u dorëzuam. Sot jemi më të forta se kurrë.

Sot jemi bashkë; më askush nuk mund të na shkelë të drejtat apo të na fyej dinjitetin tonë prej gruaje.

Nuk ka qenë e lehtë për asnjërën prej nesh t’i thyejmë pengesat që jeta na i ka sjellë.
Ata që është dashur të na përkrahin e mbrojnë shpesh herë na kanë tradhtuar e lënë vetëm. Por ne nuk jemi ndalë.
Unë nuk jam ndalë.

Sepse kam besuar në dinjitetin tim; vlerat e mia nuk janë plaçkë që varen nga dikush. Ato më takojnë mua t’i mbroj e promovoj.
Secila prej nesh kemi një këngë që kemi nisur dhe e cila ende nuk ka përfunduar. Aty ka nota gëzimi, trishtimi e vetmie por ajo kurrë nuk do të përfundoj e shtypur, e thyer dhe e mundur. Kënga jonë do të jetë forcë e motiv për gratë tjera që mos ta ndalin kurrë betejën.’ / KultPlus.com

Recetë

Poezi nga Ilire Zajmi

Zgjodha të jem gruaja që do të bëhesha
kokëfortë, egoiste, tekanjoze, mace e çmendur
për trupin dëshirat ëndrrat e mia
pa dyshuar kurrë te vetja
mora gjithmonë atë që më takonte
pa hequr dorë në emër të ndonjë marrëzie
e ruajta me xhelozi diçka të shenjtë brenda vetes.

Por të bëhesh gruaja që do
do të thotë të kalosh nëpër vrimën e gjilpërës
të shkelësh mbi dhimbjet e tua si mbi varret e armiqve
të gjesh forcë në dobësi
të qeshesh kur të thyhet shpirti në thërrime
të ngritesh sa herë dikush ta përmbys botën
në emër të një dreq morali a kanuni

Të bëhem e sinqertë
të bëhesh gruaja që do
është një detyrë shtëpie tepër e vështirë
por unë që nga zanafilla u përbetova
të bëhesha ajo që dua.
Bëjeni edhe ju! / KultPlus.com

Historia e trishtë e 8 Marsit, kur 129 gra u dogjën për së gjalli

Një legjendë shumë e famshme tregon se Festa e Gruas është vendosur si datë në vitin 1908, në kujtim të 129 punëtoreve të vdekura në zjarrin që ra në një fabrikë në Nju Jork, fabrika “Cotton”.

Në këtë kohë punëtoret kërkonin kushte më të mira pune dhe me 8 mars pronari i fabrikës bllokoi të gjitha daljet e stabilimentit, në të cilin shpërtheu zjarri dhe vrau shumë prej grave që punonin aty.

Por në të vërtetë bëhet fjalë vetëm për një rrëfenjë që lindi në vitet në vazhdim dhe u tregua sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Gruas u vendos në Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt të vitit 1909. E vendosi Partia Socialiste amerikane që atë ditë organizoi një manifestim të madh, në të cilin kërkohej e drejta e grave për të votuar.

Ky ishte një diskutim i hershëm, si në SHBA (janë të famshëm artikujt e socialistes Corinne Broën), si në Kongresin e VII Ndërkombëtar Socialsit (i mbajtur në Shtutgard në vitin 1907).

Demonstratave që kishin si qëllim votimin, shumë shpejt ju bashkuan edhe pretendime të tjera për të drejtat e grave. Nga nëntori i vitit 1908 deri në shkurt 1909 mijëra punëtore në Nju Jork hynë në grevë për ditë të tëra duke kërkuar rritjen e rrogës dhe përmirësim të kushteve të punës.

Në vitin 1910, Kongresi i VIII Ndërkombëtar Socialist propozoi për herë të parë vendosjen e një dite dedikuar grave.

Më 25 mars të vitit 1911 kupa u mbush: në fabrikën “Triangle” në Nju Jork shpërtheu një zjarr dhe 146 punonjëse (gra të reja emigrante), humbën jetën.

Mbase nga kjo ngjarje lindi edhe legjenda e fabrikës “Cotton”, shumë e ngjashme me të. Që nga ky moment manifestimet e grave u shumëfishuan. Në shumë vende, mes të cilëve edhe në Gjermani, Austri dhe Zvicër, lindi dita dedikuar grave.

Data 8 mars u shënua për herë të parë në histori si Festa e Gruas në vitin 1917, kur gratë e Shën Petërburgut dolën në shesh për të kërkuar fundin e luftës, duke i dhënë kështu jetë “Revolucionit rus të shkurtit”.

Ishte kjo ngjarje që frymëzoi delegatet e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Grave Komuniste në Moskë të vendosnin datën 8 mars si, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Në vendet fqinjë me ne, në Itali, Festa e Gruas u përkujtua në vitin 1922 me të njëjtin kuptim politik dhe social. Gjithashtu në Shqipëri, 8 marsi është festuar herë si Dita e Gruas e herë si festa e Nënës.

Më shumë ka qenë kjo e fundit që ka mbizotëruar, ndërsa vitet e fundit, më shumë se një ditë ku gratë duhet të kujtojnë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, 8 marsi është shndërruar në një manifestim femëror.

Fundja edhe kështu vlen, mjafton që të paktën një ditë në vit gratë të jenë në qendër të vëmendjes dhe të flitet për to. / KultPlus.com

Pali VI: Gruaja di ta bëjë të vërtetën të ëmbël, të butë, të pranueshme

E tani, po ju drejtohemi ju, gra të çdo shtrese shoqërore, bija, nuse, nëna e vejusha; edhe juve, virgjëra të shuguruara e gra të pamartuara; jeni gjysma e familjes së madhe njerëzore.

Kisha, ju e dini, është krenare që e ka lartuar dhe e ka bërë të lirë gruan, dhe ka bërë të shkëlqejë në rrjedhë shekujsh, në përkim me ndryshimet përkatëse, barazinë e saj thelbësore me burrin.

Por po vjen koha, e koha erdhi, në të cilën thirrja e gruas përsoset; koha në të cilën gruaja fiton në shoqëri një ndikim, një rrezatim, një pushtetet, që nuk e kishte arritur kurrë deri më sot.

Për këtë arsye, në këtë kohë, kur njerëzimi po përjeton ndryshime të thella, të mbushur me shpirtin e ungjillit, të ndihmojnë njerëzimin të mos shkatërrohet.   

Ju, gra, keni gjithnjë dhantinë e mbrojtjes së vatrës familjare, dashurinë për zanafillën e saj e për vazhdimësinë e saj, për djepat. Jeni të pranishme në misterin e jetës që nis. Ju jeni ngushëllueset e jetës që shuhet. Teknika jonë rrezikon të bëhet çnjerëzore. Pajtojini burrat me jetën. E, sidomos vigjiloni, ju lutemi, mbi ardhmërinë e species sonë. Ndaleni dorën e burrit nëse, në një çast çmendurie, do të tundohej të shkatërronte qytetërimin njerëzor!

Nuse, nëna familjesh, edukatore të para të gjinisë njerëzore në fshehtësinë e vatrave, përçojani bijve e bijave traditat e etërve e, njëkohësisht, përgatitini për të përballuar edhe të papriturat e së ardhmes. Mos harroni se përmes bijve, nëna është e pranishme edhe në atë ardhmëri, të cilën ndoshta nuk do ta shikojë!

Edhe ju, gra të pamartuara, përgjigjuni si duhet thirrjes e përkushtimit tuaj. Shoqëria ju thërret nga të katër anët. E edhe vetë familja nuk mund të jetojë pa ndihmën e atyre që nuk kanë familje!

Ju, virgjëra të përkushtuara, sidomos, në një botë ku egoizmi dhe kërkimi i kënaqësisë dëshiron t’ju diktojë ligjin, ruajeni pastërtinë, dhurimin, përshpirtërinë. Jezusi, që i dha dashurisë bashkëshortore gjithë përsosurinë e vet, e ka lartuar edhe heqjen dorë nga kjo dashuri njerëzore, kur bëhet për Dashurinë e Amshuar  e vihet në shërbim të të gjithëve.

Gra, që kaloni çaste të vështira, së fundi, ju që rrini nën kryq, si Maria; ju, që shpesh, në rrjedhë historie u dhatë burrave forcë të luftonin deri në fund, të dëshmonin deri në martirizim, ndihmojini përsëri të rigjejnë guximin për punë të mëdha, njëherësh me durimin e kuptimin e pikënisjeve të përvuajta.

O ju, gra, që dini ta bëni të vërtetën të ëmbël, të butë, të pranueshme! Përpiquni që shpirti i këtij Koncili të depërtojë në institucione, në shkolla, në vatra, në jetën e përditshme.

Gra të mbarë universit, të krishtera e jo besimtare, që ju është besuar jeta në këtë çast kaq të rëndë të historisë, ju përket juve ta shpëtoni paqen në botë!

(Fjalimi i Atit të Shenjtë Pali VI, në përfundim të Koncilit II të Vatikanit,  8 dhjetor 1965.) / KultPlus.com

“A thua do të kthehet, pyes veten dhe s’kam përgjegje”

Grupi 403, është një grup muzikor i njohur i cili identifikohet me kultivimin e muzikës pop-rock. Grupi 403 është pjese e gjeneratës se rokut kosovar të viteve 80’, e cila njihet edhe si koha me e ndritur ne krijimtarinë rok-ut në Kosovë, shkruan KultPlus.

Grupi 403 u formua në vitin 1981 nga Mentor Gjurgjiali (bas), Fatmir Zajmi (bateri) dhe Naim Osmani (kitarë). Bendit më vonë, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, i bashkohet Hektor Gjurgjiali (vokal dhe kitarë), Arben Godanca (kitarë) dhe Veton Orana (sint).

Grupi 403 ka një album te incizuar me 15 këngë në të, i cili për herë të parë është incizuar në vitin 2002. Edhe pse ky grup nuk është aktiv për aq shumë vite, këngët e tyre i kanë rezistuar kohës dhe dëgjohen ende me shumë nostalgji nga publiku shqiptar.

Këngët “Bohemi”, “Kujtimi”, “A do të kthehet”, “Indeksi”, “Paraja”, “Në derë të kujt tani po troket”, e shumë të tjera, janë cilësuar si përqafim i kulturës urbane, e që padyshim ndikuan në urbanizimin e të rinjve të asaj periudhe. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=yOYwfu_XaKg&feature=emb_title

Nis puna për restaurimin e dorëshkrimit të Kristoforidhit “Gjahu i Malësorëve” i vitit 1884

Në laboratorin e arkivit të shtetit, ka nis puna për restaurimin e një dorëshkrimi të rrallë, bëhet fjalë për  tregimin  “Gjahu i Malësorëve”  i Kostandin Kristoforidhit. Tregimi i shkruar në 1884 , nuk e pa dritën e botimit në të gjallë të autorit.

Restauratorja Marinela  Ndria  pranon se dëmtimi është i madh, ky dorëshkrim ka ardhur në arkivin e shtetit nga muzeu etnografik i Elbasanit.

Vështirësitë qëndrojnë kryesisht në ngjitjet  e shumta të fletëve me skoç.

Ky dorëshkrim kërkon  një kohë të gjatë për tu restauruar.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 190-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit dhe përkthyesit Kostandin Kristoforidhi,  prezantoi editimin dixhital të veprës “Gjahu i malësorëvet”, tregimin e parë të prozës artistike shqipe, shkruar nga autori në dy dialektet e shqipes, gegnisht dhe toskërisht.

Tregimi u botua mbas vdekjes së Kristoforidhit te “Albania” e Konicës më 1902 dhe pati disa botime të mëtejshme, duke sprovuar dy trajta gege, atë veriore dhe atë më të ndërmjetme të Elbasanit, si dhe dialektin toskë.

Në laboratorin e restaurimit në arkiv, tashmë mund të restaurohen edhe dokumente që posedojnë koleksionistët privat.

Ndërkohë që specialistët, konservojnë dokumente të rëndësishme që ruhen në arkivin qëndror të shtetit dhe institucione të tjera shtetërorë.  Postera filmi dhe çdo dokument letre. /abcnews.al /KultPlus.com

Pashko Vasa, një nga figurat kryesore në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare

Një zë dhe një zemër, një personalitet dhe një gurthemel, një vullnesë e hovshme atdhetarie dhe një ngulm i pashterrshëm kushtrimi që vazhdon të kumbojë atëditë e sot, vazhdon të gjëmojë në gjokse e hove zjarrmtare, si një flakadan i gjakuar në të epërmin amanet shqiptarie.

Pashko Vasa, ishte dhe mbeti, erdhi dhe u amëshua në zërin dhe zemrën e gjithë asaj dëshmueseje shqiptare, si një emër, me të cilin na lidh historia dhe atdhetaria, pushteti dhe kushtimi krijues, pena e tij shgjetare.

Më 29 qershor të vitit 1892, larg, shumë larg, atje në Beirut të Libanit, ndali jeta e Vaso Pashë Shkodranit. U shua asodite një prej veprimtarëve të shquar të Rilindjes Kombëtare; poet, shkrimtar dhe guvernator deri në të mbramë të frymës. Ai lindi në qytetin e Shkodrës më 17 shtator 1825. I ati quhej Mhill Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja, e motra do ishte e ëma e Imzot Luigj Bumçit. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite, duke u zhvendosur në djepin ku lindi dhe përkundi veç korifej, në Shkodër, n’atë shtëpí ku sot është shtëpia-muzé e Pashko Vasës.

Pashko Vasa (1825, Shkodër-1892, Beirut, Lebanon) also known as Vaso Pasha,
Wasa Pasha or Vaso Pashë Shkodrani, as a Governor of Lebanon (1882-1892).
Pashko Vasa Shkodrani si guvernator i përgjithshëm i Libanit,(1882-1892).
Images Credit: Wikimedia Creative Commons

Rrugtimi i tij është i gjatë dhe i mbushur përplot me ngulme dhe sfida, të cilat morën prej tij dhe na dhanë ne, shqiptarëve dhe krejt shqiptarisë, një kolos, një krenari, një atdhetar, një penë dhe një zemër të prushur atdhetari.

Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për lirí. Ai mori pjesë gjallerisht në radhët e forcave forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorsís Qytetare. I frymëzuem nga atdhetarët e shquem italian, si Mazzini, Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për kët qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga Bolonja, Nikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d’Istrias. Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtë, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse t’atij qyteti që u rrethua nga austriakët. Nderkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë tjerë për n’Ankona. Atje austriakët e kapen dhe e detyruan, si shqiptar me nenshtetësi turke, t’ikte në Stamboll. Mbas disa peripecish ze vend në shoqënin e tramvajeve të qytetit, duke u ngjitur ma vonë në shkallët e administratës së saj. Që këtej u vendos me punë n’aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorís Osmane. Perandoria merrte nepër poste njerëz të kombësive e feve të ndryshme që me lanë përshtypjen se shteti i përkiste gjithëve. Disa nga atdhetarët diten me i përdorë postet në dobí të çeshtjes shqiptare. Nga disa të dhena që nxirren prej përmbledhjes me vjersha italisht “Rose e spine”-“Trendafila e gjemba”, botue në Stamboll më 1873, mësojmë se Pashko Vasa ka qenë i martuar me nje shqiptare (rreth 1855), që vdiq më 1872. Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa së paku që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjitashtu thuhet se P. Vasa ka shërbye disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 e gjejmë në Shkoder. Vit në të cilin nji grup intelektualësh, përfshire Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për nje kryengritje antiosmane në Shqiperine të Veriut, në Mirditë. Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me shkronjat e shkollat shqipe, si dhe me caktimin e nje alfabeti të vetëm. Më 1867 ai qëndron në krye të perpjekjeve për themelimin e nje shoqerie kulturore dhe të nje alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e nje shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, gjithënje në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen per krijimin e nje organizate atdhetare shqiptare. Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtari të dendur për çështjen kombëtare zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të rrojtur i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasa i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865).

Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për t’u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).

Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).

Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në atdhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Pashko Vasa ishte dhe mbeti një ndër figurat më komplekse në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare. Ai ishte intelektuali, historiani, publicisti, romansieri, diplomati dhe atdhetari i shquar i cili tërë jetën e vet e vuri në shërbim të atdheut. Kombi ynë për herë do të mburrët për fatin e mirë që në gjirin e vet mbanë me xhelozi figurat markante si Vaso Pashë Shkodranin. Jeta dhe vepra e Pashkos, janë bërë pjesë e pandashme e historisë dhe e letërsisë së popullit shqiptar. /Albert Vataj /KultPlus.com

“Haram tamli i nanës”

Dhuna ndaj grave, ndonëse është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në botë, fatkeqësisht është shumë prezente në shoqërinë në të cilën jetojmë.

Kësaj radhe, në këtë 8 mars, gazetarja Zhaklin Lekatari ka vendosur të bëjë zhurmë jo me protesta dhe marshime, por me një nismë të ndërmarrë në rrjetet sociale. Ajo i bën thirrje të gjithëve të postojnë një foto ose një video në llogarinë e tyre me hashtagun përkatës #harramtaminenanes ose #harramqumshtinenes, për t’i dhënë zë dhe forcë të gjitha atyre grave që e kanë humbur.

Gra që mbështesin gratë dhe burra që i duan gratë, nënat apo vajzat e tyre nuk nguruan të postojnë menjëherë fotot dhe videot me mesazhin inkurajues. Aktorë, këngëtare gazetarë apo dhe deputetë, të gjithë janë bërë bashkë për t’i thënë “Stop” këtij realiteti të dhimbshëm. Më poshtë do të gjeni personazhet të cilët deri tani janë bërë pjesë e kësaj thirrje.
      

O nënë, eja në dritare

Poezi nga Teodor Keko

Muzgu i kaltër vel u var,
mahnitës u bë qielli.
Gjithcka si me magji më ngjan
me një dekor baleti.

Dhe hëna paksa e trishtuar
si pikëllimi i Lorkës,
qiellit i shkon kaq shumë
sic i shkojnë nuses lotët.

O nënë, eja në dritare
të shohim hënën mbi Dajt tek ndrisë
dhe të më thuash me një zë zemre:
Nuk ka si muzgjet e Shqiperisë!

Nxënësi i tregoi mësuesit se prindërit e tij grindeshin çdo natë, ai i dha detyrën e jetës

Personazhi kryesor i historisë sonë është një adoleshent me emrin Abraham – ose Abe, siç e thërrisnin zakonisht njerëzit. Abe ishte adoleshenti tipik, i nisur për të qenë lojtar yll në ekipin e shkollës së mesme të futbollit. Ai ishte në vitin e tij të fundit, me provimet e shtetit në horizont. Dhe ëndrra e tij ishte të bëhej një lojtar profesionist.

Por Ai nuk ishte thjesht i dhënë vetëm pas stërvitjes; atij i pëlqente edhe ana akademike e shkollës, veçanërisht lëndët shkencore, të cilat i jepte mësuesi i tij i preferuar z. Jackson.

Nga jashtë, dukej sikur gjithçka po shkonte mirë për Abe. Por një ditë, ai hyri në orën e tij të shkencës me një humor mjaft të prishur, duke ndier urrejtje ndaj gjithçkaje rreth tij. Z. Jackson vuri re se diçka nuk ishte në rregull dhe donte të zbulonte se çfarë po ndodhte, kështu që ai i kërkoi Abe të qëndronte pas mësimit.

Në bisedën private, zemër me zemër që pasoi, Abe u hap te Z. Jackson dhe i shprehu të gjitha. Ai po ndiente shumë stres dhe ankth në të dy fushat kryesore të jetës së tij. Në shtëpi, prindërit e tij po grindeshin dhe fjala “divorc” madje kishte filluar të lakohej. Në shkollë, e prisnin disa provime të ardhshme, një detyrë ese dhe një ndeshje finale e madhe e së premtes varej nga ai.

Ndeshja e së premtes ishte një pikë e veçantë presioni. Jo vetëm që një fitore mund ta çonte ekipin e tij një hap më afër arritjes në kampionatin shtetëror, por shkallët e stadiumit do të mbusheshin nga tifozeritë e të gjitha shkollave të tjera.

Dhe, mbi të gjitha, kishte peshën e asaj çfarë njerëzit presin nga lojtari yll i ekipit të futbollit. Nëse luante mirë, ai ndjehej nën presion që të vazhdonte të performonte akoma më mirë që t’i bënte njerëzit të lumtur. Nëse ai nuk do të luante mirë, ai e parandjente zemërimin e zhgënjimit të tyre.

Nuk duhet të jeni një lojtar futbolli i shkollës së mesme për t’u lidhur me këtë histori. Ashtu si Abe, me siguri keni hasur probleme familjare apo në punë, siç janë prezantimet, takime dhe intervista të rëndësishme. Ndonjëherë, me siguri ju e keni gjetur veten duke u ndjerë nën shumë presion nga shumë anë njëkohësisht – veçanërisht nëse e ndjeni peshën e pritjeve që vijnë me përpjekjen për të qenë një prind, menaxher, trajner i jashtëzakonshëm ose çfarëdo roli që mund të luani në jetë.

Si mund t’i kalojmë këto momente sfiduese dhe t’i kapërcejmë këto burime stresi? Epo, Z. Jackson ka një këshillë befasuese – jo vetëm për Abe por për të gjithë ne.

Pasi dëgjoi Abe-n që shprehte problemet e tij, Z. Jackson thjesht i tha: “Unë e di se si ndihesh.” Më pas, ai bëri diçka që nuk e prisni. Ai nuk i tha asnjë fjalë urtësie apo këshillë. Në vend të kësaj, ai i dha Abe-së një detyrë shtëpie – dhe një që duket fare pa lidhje me problemin e tij.

Detyra ishte kjo: të vlonte një karotë në një tenxhere me ujë, ta vëzhgonte atë për ca çaste, dhe të nesërmen raporto atë që ndodhi.

Atë natë, Abe kreu detyrën dhe të nesërmen, ai u takua me Z. Jackson pas orës së mësimit për të ndarë vëzhgimet e tij. Ai kishte zbuluar që pas rreth 10 minutash e zhytur në ujë të valë, karrota u zbut.

Z. Jackson më pas i tregoi kuptimin e detyrës. Karrota, shpjegoi ai, nuk u zbut vetvetiu; por e zbuti uji i vluar, që ishte ambienti në të cilin e kishe vënë Abe. Uji i vluar ishte një mjedis i ashpër dhe në thelb e dobësoi karotën duke e vendosur atë në rrethana stresuese.

Ndërsa Z. Jackson vazhdoi të shpjegojë, e njëjta gjë mund të ndodhë për të gjithë ne. Kur jeta bëhet e vështirë, edhe ne e gjejmë veten në ujë të vluar, le të themi. Duke zbatuar këtë mësim në jetën tonë, ne mund të shohim se si shtëpitë dhe vendet e punës mund të shndërrohen në mjedise të ashpra, dhe marrëdhëniet dhe karriera jonë mund të na vendosin nën rrethana stresuese. Nëse i lejojmë ato të na trondisin me emocione negative si frika dhe pashpresa, përfundojmë si karrota – e butë dhe e dobët.

Më pas, ne mund të bëhemi aq të rraskapitur dhe të dëshpëruar sa të duam të heqim dorë nga përpjekjet tona. Për shembull, ne mund të mendojmë të lëmë një punë që po na sfidon ose të largohemi nga një marrëdhënie që është në zgrip. Ose mund të bëhemi indiferentë dhe të pandjeshëm – duke mos i shijuar më gjërat në të cilat më parë kënaqeshim. Për shembull, përballë pengesave profesionale dhe financiare, një burrë i dorëzuar mund të humbasë vlerësimin e tij për gruan dhe fëmijët e tij dhe mund të ndalojë të kalojë kohën me ta.

Vështirësitë e jetës mund të na e bëjnë zemrën gur

Profesor Jackson pasi vuri re se Abe e kishte kuptuar moralin e caktimit të karotës si detyrë, ai i bëri një pyetje vijuese: Çfarë do të ndodhte nëse zien një vezë në vend të karotës?

Abe e dinte përgjigjen për këtë, kështu që ai nuk kishte nevojë të shkonte në shtëpi për ta zbuluar: do të kishim një vezë të zier, të ngurtësuar përbrenda. Z. Jackson pastaj shtjelloi pikëpamjen e tij. Edhe pse ato janë vendosur në të njëjtin mjedis dhe rrethana të ashpra (ujë të vluar), karrota dhe veza përfundojnë duke reaguar ndaj tij në mënyra të kundërta. Karrota zbutet; veza ngurtësohet.

Siç mund të keni dyshuar, kjo është edhe një metaforë tjetër me një moral të përfshirë brenda saj. Ashtu si veza, edhe ne mund të ngurtësohemi kur mjediset dhe rrethanat tona na mbajnë nën stres. Në të vërtetë, ekziston madje edhe një fjalë për gjendjen emocionale që rrjedh nga ky proces: “me zemër të ngurtë”. Në këtë gjendje, duket sikur zemrat tona janë ngurtësuar, jo më të afta për të lejuar që dashuria të rrjedhë brenda ose jashtë. Madje, ne mund të fillojmë të kapemi nga inati dhe urrejtja ndaj njerëzve në jetën tonë.

Duke u zier si veza me vështirësitë e jetës, në thelb po lejojmë të hyjë i gjithë negativiteti që perceptojmë në botën përreth nesh. Duket sikur ne po u themi të gjithëve dhe gjithçkaje përreth nesh, “Mirë fort, ju po tregoheni të ftohtë dhe të pashpirt me mua? Atëherë edhe unë do të jem i ftohtë dhe i pashpirt me ju!”

Në fund të bisedës së tij të dytë me Z. Jackson, Abe kishte mësuar dy mësime: ai nuk dëshironte të ishte karrota, dhe ai nuk dëshironte të ishte veza – por çfarë mund të ishte ai?

Epo, nëse e mbani mend titullin ose hyrjen e kësaj historie, ju tashmë e dini përgjigjen, kështu që nuk ka asnjë efekt të përpiqemi ta mbajmë pezull: përgjigjja është kokrra e kafesë.

Për ta ndihmuar Abe-n të kuptonte alternativën e fuqishme të përfaqësuar nga kjo farë e vogël e përunjur, Z. Jackson i dha një detyrë tjetër shtëpie: ziej disa fasule kafeje për rreth një orë, shiko se çfarë ndodh dhe raporto nesër.

Të nesërmen, Abe ishte mjaft i ngazëllyer për të ndarë zbulimin e tij me Z. Jackson. Patjetër që ndjehej i befasuar. Ndoshta do të jetë befasuese edhe për ju.

Rezulton se nëse zieni disa kokrra kafeje për një orë, përfundoni me një enë plot me kafe! Po po, kafe – si pija që merrni kur zieni ujin me kafe të bluar. Kokrrat aromatizojnë ujin në të njëjtën mënyrë si kafeja e bluar që e blejmë me pako; vetëm se atyre u duhet një kohë pak më e gjatë për të kryer magjinë e tyre.

Ndryshimi kokrrave të kafesë me karotën dhe vezën nuk ka sesi të jetë më i madh. Siç e dimë, kur një karotë dhe një vezë vendosen në mjedisin e ashpër të ujit të vluar, ata reagojnë në mënyra të kundërta – karrota bëhet e butë, veza bëhet e ngurtë. Por ndërsa ato, që të dyja, reagojnë në mënyra të kundërta, ekziston një ngjashmëri themelore midis tyre: ato që të dyja, si veza si karrota, përfundojnë duke u transformuar nga mjedisi i tyre.

Por me kokrrat e kafesë, transformimi shkon në anën tjetër; mjedisi përfundon duke u shndërruar nga kokrrat! Në një çast, është ujë. Një orë më vonë, është kafe.

Sigurisht, mësimi këtu nuk ka të bëjë me kokrrat e kafesë; ka të bëjë me ne. Edhe ne kemi aftësinë për të transformuar mjediset dhe rrethanat përreth nesh. Në ushtrimin e kësaj aftësie, ne demonstrojmë se fuqia brenda nesh është më e madhe se fuqia e forcave jashtë nesh. Dhe për ta përdorur këtë fuqi, Z. Jackson do të argumentonte, ne vetëm duhet të dimë se ne e kemi atë.

Urtësia e tij këtu mund të thuhet në një fjali të vetme: Mendoje veten si një kokërr kafeje, dhe edhe ti mund të shndërrosh gjithçka përreth teje.

Përmes veprimeve të tij, Abe demonstroi fuqinë metaforike të fasules së kafesë.
Pasi mbaroi bisedën e tij të tretë me Z. Jackson, Abe u frymëzua aq shumë nga mësimi i fasulit të kafesë, saqë ai e ndau atë me të gjithë shokët e tij të futbollit. Ata ishin goxha të frymëzuar dhe e arritën të fitojnë ndeshjen e madhe dhe të arrijnë në kampionatin shtetëror.

Ata përfunduan edhe kampionët e kampionatit shtetëror gjithashtu – por Abe dëmtoi gjurin e tij pasi ai ra në tokë ndërsa bëri një lojë që ndihmoi në sigurimin e fitores së ekipit. Ishte një dëmtim serioz, duke e vënë atë në paterica dhe duke kërkuar operacion. Por ai e dinte, ëndrra e tij për të luajtur futboll në të ardhmen mund të shuhej.

Më vonë në jetë, aftësia e Abe-s për të aplikuar mësimin e kokrrës së kafesë do të testohej seriozisht.
Abe po punonte sa mundte në zyrën e tij të shitjeve, por dukej sikur asgjë nuk po jepte efekt. Pavarësisht sa e stërmundonte veten në të, bilancet e tij të shitjeve vazhduan të binin.

Por nuk ishte vetëm Abe që po humbiste. Bashkëpunëtorët e tij dhe shoqëria e tij në tërësi ishin në të njëjtën telashe. Javë pas jave, ata vazhduan të mos arrinin qëllimet e tyre të shitjeve dhe objektivat e të ardhurave. Tregu ishte i ashpër dhe kishte ndryshime të mëdha makroekonomike dhe teknologjike që po ndodhnin në industrinë e tyre. Si rezultat, ata ishin duke u shtrydhur nga forcat e jashtme përtej kontrollit të tyre.

Me punën e tij në rrezik, një grua dhe tre fëmijë për të mbështetur, një qira shtëpie, dy makina, faturat e kujdesit shëndetësor dhe borxhet e kartave të kreditit për të paguar, Abe po bëhej gjithnjë e më i shqetësuar dhe po dyshonte aftësinë e tij për të përmbushur detyrimet.

Duke u acaruar me këto emocione negative, ai filloi t’i shihte gruan dhe fëmijët e tij më shumë si një pengesë sesa si dhurata, dhe ai filloi të tërhiqet nga partnerja i tij. Kur ajo përpiqej të fliste me të për vështirësitë e tij, ai dilte nga dhoma. Me fjalë të tjera, një pjesë e tij po shndërrohej në një vezë.

Ai gjithashtu filloi të mendojë për të hequr dorë. Ai mendoi të linte punën e tij dhe të gjente një të re, të ribashkohej në ushtri ose madje të ikte nga jeta e tij dhe të rifillonte përsëri. Një pjesë tjetër e tij ishte kthyer në një karotë.

Por më pas, një ditë të ftohtë dimri, ndërsa po pinte kafenë e tij të mëngjesit dhe po mendonte këto mendime të ngjashme me karrotën, ai ndjeu poshtë filxhanit ngrohtësinë e pijes së nxehtë. Në atë moment, ai kujtoi mësimin e Z. Jackson për kokrrat e kafesë, të cilën ai e kishte harruar mes gjithë stresit në jetën e tij.

Frymëzuar nga mësimi përsëri, Abe u kthye në punë dhe i përveshi mëngët. Në vend që të ndjehej keq për veten e tij, ai u përqëndrua në zhvillimin e marrëdhënieve dhe mundësive të reja për kompaninë e tij. Numrat e shitjeve të tij u kthyen, dhe ai u vlerësua gjatë gjithë rrugës deri sa iu besua posti i Kreut të Shitjeve dhe Marketingut.

Nën udhëheqjen e Abe-së, kompania rimori pozicionin e saj duke rregulluar operacionet e saj, duke adoptuar ide dhe teknologji inovative dhe duke shtuar produkte dhe shërbime të reja në formacionin e saj. Kushtet rrethuese ekonomike mbetën sfiduese – por në vend që t’i shikonte me frikë, keqardhje ose dorëheqje, kompania i përqafoi ato si një mundësi për të evoluuar.

Këtu, do ta lëmë Abe-n në momentin e tij të triumfit dhe do të nxjerrim dy mësime përfundimtare nga historia e tij:

“Njerëzit që ecin përpara në këtë botë janë ata që ngrihen dhe kërkojnë për rrethanat që ata duan, dhe kur nuk i gjejnë, i krijojnë. /shkollaesuksesit/ KultPlus.com