Guvernatori i New York Andrew Cuomo, ka nënshkruar një urdhër përmes të cilit lejohen martesat në internet.
Ky veprim vjen pasi shumë dasma janë anuluar për shkak të masave bllokuese të vendosura si përgjigje ndaj pandemisë së koronavirusit.
Tani e tutje, banorët e New York do të kenë mundësi që të aplikojnë për leje martese nga distanca dhe nëpunësve do t’ju lejohet të kryejnë ceremoninë virtualisht.
Cuomo bëri shaka duke thënë se “vendimi nënkupton që tani e tutje s’ka asnjë justifikim” që çiftet të mos kurorëzoheshin.
“Ju mund ta bëni atë përmes Zoom. Po apo Jo?” tha ai në një konferencë.
Masat bllokuese nëNew York janë zgjatur deri më 15 maj.
Më shumë se 13,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi vetëm në New York.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se meqë se dita e hënë është ditë pushimi për shkak të festës së Pashkëve Ortodokse, video-ligjëratat që do të transmetohen këtë ditë, do të ritransmetohen edhe të shtunën më 25 prill, sipas orarit të njëjtë.
Nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditët e festave zyrtare, theksohet në njoftim.
Video-ligjëratat për mësimin në distancë transmetohen në RTK.
Është fenomeni kryesor jo vetëm i këtyre ditëve, që ka rrezikuar si kurrë më parë shëndetin e njerëzve në gjithë botën, për shumë artistë është bërë burim frymëzimi.
Nga kjo dukuri nuk kanë qenë indiferentë as ata që bëjnë artin e rrugës – një nga format më ekspresive të fenomeneve të ndryshme. Fuqia e këtij lloj arti, qëndron në faktin se njerezit i kalojnë pranë çdo ditë dhe nuk mund të shmangen prej muraleve plote ngjyra, që gjithmonë përcjellin një mesazh.
Një pjesë të muraleve e kemi sjellë në këto fotografi. Të ndryshme në forma ama të përbashkëta në përmbajtje.
Mesazhi që kërkojnë të përcjellin shihet qartë, se është jo vetëm frika që ka mbërthyer njerëzit, të cilët, janë detyruar tashmë të dalin me maska, por shërbejnë edhe si një formë sensibilizimi dhe shprese./konica/ KultPlus.com
Në këto ditë izolimi, Kolegji Universum vazhdon të ofroj konferenca dhe debate me tema me interes për qytetarët. Konferenca e radhës organizohet me Gjeneralin Wesley K. Clark (ret.) me temen “Bota pas Covid-19”.
Konferenca do të mbahet neser me 20 Prill në ora 20:30 online përmes Google Meet për këtë regjistrimi për pjesëmarrje është i obliguar http://tiny.cc/mof7mz.
Konferenca do të transmetohet edhe live në faqen zyrtare të Kolegjit Universum në facebook.
Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian.
Për më shumë informata rreth pjesëmarrjes dhe detajeve për konferencën kontakto [email protected] apo +383 44 144 062;
Dhoma e një ushtari të Luftës së Parë Botërore është lënë plotësisht e paprekur në shtëpinë e tij që kur ai vdiq nga plagosjet, 102 vjet më parë.
Hubert Rochereau vdiq në moshën 21 vjeçare në ambulancën e një fushe angleze pasi luftoi në fshatin Loker, Flanders, në 26 prill të vitit 1918.
Pindërit e tij zemërthyer, të cilët në fillim nuk arritën të gjenin trupin e të birit, thanë se do ta shndërronin dhomën e tij në një tempull për ta kujtuar.
Rochereau ishte varrosur në një varrezë britanike dhe u zbulua nga prindërit vetëm 4 vjet pas mbarimit të luftës, në vitin 1922.
Një bisedë në Tiranë me një njohëse të gjuhës shqipe, u bë shkak që unë të kërkoja në Austri materiale apo informacione mbi vepren dhe kontaktet e albanologut, gjuhëtarit dhe etnografit Dom Nikollë Gazulli.
Dija vetëm që Gazulli ishte një nga studentët shqiptarë që studiuan në Austri dhe kisha dëgjuar për kalvarin e vuajtjeve që i shkaktoi atij rregjimi komunist.
Në Austri mundësitë e kërkimit të dokumentave të vjetër mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarve janë të mëdha, por duhet ditur se si dhe ku duhet kërkuar. Nganjëherë legjislacioni përkatës bëhet pengesë për të pasur rezultatet maksimale në kërkime. Kështu më ndodhi edhe në rastin Gazulli, ku materialet që arkiva dispononte për te, nuk mund të skanoheshin, kopjoheshin apo të hidheshin në një CD, pasi nuk ishin mbushur 70 vite nga vdekja e personit të cilit i përkisnin (Norbert Jokl-it). Më duhej një autorizim i veçantë nga një trashegimtar i familjes së tij që ti nxirrja materialet nga arkiva.
Në bibliotekën kombëtare të Austrisë në Wien, ruhej korespondenca që albanologu i shquar Norbert Jokl kishte pasur me përsonazhe të ndryshëm shqiptarë, por jo vetëm, të cilët ishin të interesuar për Shqipërinë, gjuhën dhe zakonet e saj. Në këtë fond gjindej dhe një lidhje e letrave origjinale, pra korespondenca në mes priftit shkencëtar dhe albanologut Jokli, e cila përmblidhej në rreth 125 faqe të shkruara kryesisht me makinë shkrimi por edhe me shkrim dore nga Dom Nikollë Gazulli. Periudha kohore kur janë shkruar këto letrat i përket viteve 1930, 1931 dhe 1932. Për të pritur përgjigjet e mikut të tij nga Austria, famullitari Gazulli përdorte adresen: Nikollë Gazulli, meshtar / Famullitar i Riollit. Te Nush Coba – Serreq ndë Shkoder.
Lidhja në formë libri e letrave, e cila është e skanuar nga arkiva me mjetet më moderne, përmban 7 letra që Nikollë Gazulli i ka dërguar Joklit si dhe një numër faqesh plot me fjalë shqipe, fraza shqipe dhe interpretime të fjalëve, frut i kërkimeve shumë vjeçare të klerikut. Pjesa e fjalorthit prej 117 faqesh që i është dërguar me 5 letrat shoqëruese, mban mbishkrimin “Gazulli, Mbledhje Fjalësh”. Nuk dihet numri i fjalëve të cilat janë të rreshtuara me rend sipas gërmave, por dihet (siç shkruhet në letrën e parë) që …..“me 12 dhetuer 1928, kur ishe famullitar në Jueshe afër Shkodret, mue mu dogj qela me gjithë ç’ pata e ashtu u shkrij edhe mundi i sa vjetëve; ç´pata mbledhë fjalë e shumë gojdhana përmbi fise shqiptare të verit, qi vetëm prej skamit nuk muejta me i botue.” . Së bashku me letrat janë edhe disa fletë “qortime” dhe “shtesa” të cilat janë vendosë më vonë, në veçanti.
Siç kuptohet ndër letrat, sipas kërkesës së priftit, Jokl-i i ka dërguar atij herë pas here edhe libra të ndryshëm, fjalorë enciklopedikë në frengjisht apo gjermanisht …“qi me vyejnë me caktue domethanien e fjalëve shqipe”. “U lutem shumë për bibliothekë mos me m´lanë mangut, në kjoftë se nuk Ju bjen tepër randë (pse me JU randue s´due asnji fije) pse mue m´asht djegë edhe shka pata; ktu mandej e dini mirë qi nuk asht si nd´Austri qi m´u gjetë libra për përdorim pa i ble, mandej me i ble lypen të holla, qi te un s´gjinden, mbasi ma shpune kuleten: rrnoj me nji popull të mirë fort, por qi nuk i del m´u ngij me bukë kollomoqe….”
Dom Nikolla kërkon mendimin e Jokl-it për sa i përket interpretimeve të tij si dhe mbledhjes të këtyre fjalëve: …“Kuer të Ju daline ngae, s´keni m´u kursye pa ma çfaqe me nji leter përshtypjen qi po Ju ban këjo mbledhje e emja; ….besoj qi nji mbledhje të mirë fort e ka edhe At Bernardin Palaj…..qi s´kishte me u kursye me jua çue…” Ndërsa në letren e fundit, Gazulli i shpreh bindjen Jokl-it që….” …këtu pritet me pa-durim fjalori Juej qi ka me kenë si gur themeli për nji giuhë shqipe t´arsyeme….”
Duke qenë se personin, që më kërkoj që ti gjeja këto letra me mbledhje fjalësh të Dom Nikolle Gazullit për ti botuar, nuk arrij ta kontaktoj më dhe unë personalisht nuk jam specialist i fushës së gjuhësisë, mendova që këto materiale ti bëj të njohura për lexuesit shqiptar, botuesit e ndryshëm, si dhe studiuesit e gjuhës shqipe, në mëndyrë që këto perla të shqipes të gjejnë mundësinë e botimit.
Një vështrim i shkurtër mbi jetën e Dom Nikollë Gazullit.
Kleriku katolik Dom Nikollë Gazulli lindi në fshatin Dajç të Zadrimës në Lezhë rreth vjetit 1895. Ai ishte pjesë e familjes së njohur – GAZULLI – e cila qysh në mesjetën e herëshme përmendej për disa figura me vlerë në lëmin e teologjisë, artit ushtarak apo diplomacisë. Shkruhet së mësimet fillestare i mori në shkollën e fshatit e cila ishte hapur nga Dom Ndre Mjeda në vjetin 1902.
Më vonë u bë pjesë e kolegjit Françeskan në Shkodër nga ku me shumë të tjerë u dërgua në Insbruk të Austrisë për të studiuar teologji dhe filologji. Me mbarimin e studimeve largohet për në Romë ku në vitin 1917 shugurohet meshtarë. I realizohet dëshira që të kthehet në atdhe ku krahas punës si prift katolik, fillon të merret me studimin dhe prejardhjen e gjuhës shqipe duke mbledhur, studiuar dhe analizuar qindra fjalë të rralla, shprehje popullore, pjesë dialektore apo të dhëna zakonore të vendeve ku sherbeu.
Kryesisht sherbeu si udhehëqes shpirtëror në Malsinë e Madhe (famullia Shkrel) ku u përballua me ngjarje reale apo gojëdhëna të dala nga populli, që i shërbyen si objekt i shkrimeve apo studimeve të tija të cilat përpara se ti botonte i konsultoi me albanologun Norbet Jokl, Eqerem Çabejn, Ndre Mjeden, Gjergj Fishten, Justin Rrotën. Veprën e tij e mblodhi në dy vëllime, Fjalorth i ri që u botua në vitin 1941 dhe Fjalori Onomastik i cili u botua me pjesë në revisten e kohës Hylli i Dritës. Gazulli shkruante nën pseudonimin Gelasius dhe zotëronte gjuhën gjermane, italishten, latinishten, sllavishten.
Lexonte në gjuhen turke dhe franceze. Mbledhjet dhe studimet e tij u vlerësuan shumë nga albanologu austriak Jokl me të cilin kishte korespondencë të rregullt. Më vonë, fjalët e mbledhura ndër zonat e malsisë së madhe ku ai jetoj si dhe etimologjia e tyre, i shërbyen gjuhëtarit austriak për ti përmbledhur në veprën e tij për Etimologjinë e gjuhës shqipe. Mendohet që në mbledhjen dhe gjurmimet e tij, i ndihmuen dhe koleget At Mark Harapi, At Aleksandër Sirdani, At Nikollë Suma, të cilët për fjalorin onomasitk mblodhën materiale gjuhësore që nga Malsia e Madhe deri në Fier, nga Malësia e Gjakovës deri në malin e Shpiragut, nga Iballa e Pukës deri në Shëngjergj të Tiranë. Së bashku me të vellaun Gjonin ishin aktiv në lëvizjen kundër Zogut në Malsinë e madhe në vitin 1927. Ndërsa Gjoni denohet me vdekje, Dom Nikolla denohet me 4 vite burg.
Për arsye të luftës por edhe për të ju shmangur përndjekjes klasore gjatë rregjimit komunist ai qëndron si klerik në malësitë e veriut ku në marsin e vitit 1946 vritet nga forcat e sigurimit në shpellën e Shkrelit (ku ishte fshehur për ti shpëtuar ndjekjes). Prehet në kishën e këtij fshati pasi u rivarros nga besimtarët e malsisë të cilët i sollën eshtrat e tij nga vendi ku i mbanin të fshehura.
(Referencat nga libri: Studentët shqiptar të Austrisë) / KultPlus.com
Përshkrimi i fotografive:
Foto 1: Letra e Gazulllit dërguar Norbert Joklit, faqe 1.
Foto 2: Letra e Gazullit dërguar Norbert Joklit, faqe 2.
Foto 3: Letra e dytë e Gazullit dërguar Norbert Joklit.
Illustratori fitues i çmimit Oscar dhe regjisori legjendar i Tom & Jerry, Gene Deitch, ka vdekur në moshën 95 vjeçare.
Gene vdiq në apartamentin e tij në Pragë të enjten, 16 prill, megjithëse ende nuk është dhënë asnjë shkak vdekjeje, transmeton KultPlus.
Gene, emri i plotë i të cilit ishte Eugene Merrill Deitch, punoi si hartues i Aviacionit të Amerikës së Veriut para se të shkonte për në ushtri, dhe të hynte në trajnime si pilot. Ai u shkarkua për arsye mjekësore në 1944 dhe u kthye për të punuar në botën e artit tregtar, pas së cilës karriera e tij e animacionit u ndërpre.
Në 1958, Deitch u emërua për një çmim Akademie për filmin e tij Sidney’s Family Tree. Ai vazhdoi çmimin Akademia për filmin më të mirë të shkurtër të animuar për filmin e tij Munro në 1960, dhe ishte nominuar dy herë të tjera në të njëjtën kategori në 1964.
Gjatë karrierës së tij, Gene punoi si drejtor krijues në Terrytoons, nën 20th Century Fox, ku ai krijoi karaktere si Sidney the Elephant, Gaston Le Crayon, Clint Clobber dhe Terr’ble Thompson.
Ai vazhdoi të punojë me Rembrandt Films përgjatë viteve 1960 për të prodhuar një numër karikaturash Popeye, si dhe një duzinë të Tom dhe Jerry për Metro-Goldwyn-Mayer. / KultPlus.com
“Le Phare de la Loire” ka botuar, të mërkurën e 19 janarit 1898, në ballinë, manifestin e popullit shqiptar të 1 janarit 1898, të përkthyer asokohe nga studiuesi, gazetari dhe shkrimtari francez Léon Cahun, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Buletini ditor
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Paris, 18 janar.
Manifesti i parë i popullit shqiptar, i gatshëm për të marrë armët, sapo është botuar; e kisha për detyrë ta bëj të njohur në Francë, përtej lidhjes personale të miqësisë dhe respektit që kam ndaj kombit “Chkipe”; përtej miqve të mi Qemal Beut, Besim Omerit dhe Frank Spiro begut (Faik Konicës), edhe sikur popullin shqiptar ta zbuloja për herë të parë, unë do të duhej t’a publikoja deklaratën me të cilën ai pohon autonominë dhe vullnetin e tij; këtë gjë e kam për detyrë si francez, si republikan, si ushtar i vjetër në betejën për liri, për drejtësi, për njerëzim, në të cilën luftoi, këtu dhe atje, për gati dyzet vjet.
Manifesti është i datës 1 janar, dhe i drejtohet të gjithëve :
“Në emër të popullit shqiptar, të Lidhjes së Prizrenit, të lidhjeve dhe komiteteve të tjera të formuara në tokat e Chkipérie (Shqipërisë) për mbrojtjen e atdheut;Shoqëria Kombëtare Shqiptare në Itali, Shoqëria Shqiptare “Dituria” në Bukuresht; Komiteti Shqiptar në Kostandinopojë, “Vëllazëria” shqiptare në Egjipt, dhe Shoqëria “Deshire” në Sofje;u bën apel shqiptarëve nga Italia, Greqia, Egjipti, Bullgaria, Serbia, Rumania dhe Dalmacia.Popujve fqinjë, ai(populli shqiptar)u ofron një paqe besnike dhe një miqësi të sinqertë, nëse heqin dorë nga pretendimet e padurueshme “nëse grekët, bullgarët, serbët, malazezët deklarojnë veten si vëllezërit tanë, ata do të jenë të mirëpritur; ne, si të tillë, do t’i pranojmë.Pra, secili le të qëndrojë zot në shtëpinë e tij.Ne nuk kemi pretendime në territoret e tyre; Ne duam Shqipërinë për Shqiptarët.”
Fuqive, populli shqiptar u kërkon vetëm respekt për të drejtën ndërkombëtare, pra asnjanësinë. Për herë të parë, në Lindje, një komb flet me vetëdije të plotë për veten, për të drejtën e tij, për nderin e tij, për burrërinë e tij; Kërkoj nga lexuesit francezë të mos harrojnë këto fjalë të forta të popullit shqiptar :
“Ne nuk ngremë zërin për të bërë kërcënime arrogante; ne nuk kërkojmë gjithashtu nga të huajt që të kenë mëshirë ndaj racës sonë.Ne i bëjmë thirrje nderit dhe besnikërisë së fuqive;që ato të respektojnë ndaj Shqipërisë parimin e mosndërhyrjes, bazën e së drejtës ndërkombëtare, garantimin e evolucionit progresiv të popujve.”
E thjeshtë dhe e qartë është kërkesa e shqiptarëve, të cilën ata janë të gatshëm ta mbështesin me armë :
“Të gjithë, për sa kohë që jemi, pavarësisht bindjeve tona fetare, të gjithë njëzëri dhe në marrëveshje, i kërkojmë Shkëlqesisë së Tij Sulltan Abdyl Hamid Khan II autonominë administrative në tokat e Shqipërisë.”
Nga autonomia administrative e Shqipërisë do të lindë revolucioni i madh i cili do t’u japë forcë dhe jetë popujve të Lindjes, të rraskapitur, anemikë, të mërzitur, të shpërndarë jashtë vendit nga urrejtja fetare; dhe pikërisht në emër të fesë, ky komb fisnik shqiptar, këta myslimanë, këta katolikë, më në fund denoncojnë padrejtësinë e shkuar, nga e cila Lindja po vdiste, nëse, në fund të fundit, ata nuk do të ishin ngritur, të fortë me besimin e tyre në vetvete !
“Shkëlqesia e Tij Sulltani do të duhet t’i dëgjojë këto dëshira të drejta të një populli të tërë dhe do të duhet t’i plotësojë ato sepse Kurani ia imponon atij.Për herë të parë, ai nuk do të dëshirojë të rebelohet kundër ligjit suprem të atyre që besojnë në profet.
Në të njëjtën mënyrë, dhe me të njëjtin besim, ne i bëjmë thirrje famulltarit të Jezu Krishtit në tokë, hierarkit sovran të Fesë së Krishterë në Romë;i kujtojmë atij respektimin e Ligjit hyjnor, që farisenjtë (Pharisiens), varret e zbardhura nën rrobat e ministrave të Ungjillit, shfrytëzojnë për armiqtë ndaj fisnikëve;duke nxitur mosmarrëveshje dhe përçarje midis të krishterëve dhe myslimanëve, ata sjellin vetëm gjakderdhje.
Sepse Ungjilli, ashtu si Kurani, është ligji më i lartë i dashurisë dhe vëllazërimit dhe nuk mund të lejojë që të vazhdojë urrejtja midis vëllezërve dhe vëllezërve.”
Kjo është fjala e kombit shqiptar; Jam i lumtur që e përktheva atë dhe ua bëra të njohur francezëve. Pas një nate kaq të gjatë, dita më në fund po zbardh, në Lindjen e Evropës: “Ex Oriente Lux.”
Léon CAHUN
(Léon Cahun, i lindur me 23 qershor 1841 në Haguenau (Bas-Rhin) dhe vdiq më 30 Mars 1900 në Paris, ishte një shkrimtar, gazetar, specialist në çështjet e Lindjes dhe studiues francez, autor i romaneve aventureske.) / KultPlus.com
Gjimnazi “Xhevdet Doda“ është themeluar nga Bashkësia Komunale e Arsimit të Prishtines në bazë të vendimit të datës 07.07.1971, fillimisht si gjimnaz i dytë i Prishtines. Atë kohë punen e filloi në lokalet e SHM Bujqësore.
Gjenerata e parë filloj me 150 nxenes të regjistruar në klasën e parë të sistemuar në pesë paralele me mësim në gjuhën shqipe dhe gjermane, dhe 57 nxënës në gjuhën s.kroate në tri paralele. Procesi mësimor zhvillohej nën perkujdesjen e mësimdhënësve të shkollës së Mesme Bujqësore të cilet dhanë kontributin e tyre të çmueshëm.
Në vitin shkollor 1973/74 gjimnazi emërtohet me emrin e heroit Xhevdet Doda.
Në vijim mund të shihni disa foto të këtij gjimnazi, nga brenda dhe jashtë objektit. / KultPlus.com
Thethi është një fshat sikur ka dalë nga përrallat, thotë shkrimtari japonez, Mizuho Ota në një shkrim të gjatë për ”Asahi Shinbun”, një nga dy gazetat kryesore japoneze, me një tirazh prej 10 milionë kopjesh.
Thethi, fshati ku koha ka ndalur
Jashtë dritares ka një pamje parajsore të maleve që arrijnë deri në qiell, saqë ajo që ndodhet poshtë jush duket thjesht e pavlefshme. Makina që na mori kaloi duke gjarpëruar në këto male. Në rrugën e ngushtë me zhavorr nuk ka mbrojtëse anësore dhe dy makina mezi mund të kalojnë, ndërkohë që unë ndihem sikur zemra më ka ndalur. Shoferi i buzëqeshur përpiqet t’i qetësojë udhëtarët nga frika, ndërkohë që flet me celularin e tij. Të luteshim ishte gjithçka që mund të bënim deri sa mbërritëm në fshatin Theth, në këtë zonë malore në Shqipërinë Veriore.
Bjeshkët, një varg malesh me maja mbi 2 000 metra, quhen ndryshe edhe “Alpet Shqiptare”. Këtu është vendi ku gjendet Thethi, një fshat i bukur që duket sikur sapo ka dalë nga një përrallë. Është vetëm 15 kilometra larg kufirit me Malin e Zi fqinj. Lumi Theth kalon zig-zag nëpër fshatin me shumë shtëpi të vjetra prej guri që duken si të ngrira në kohë. Është si një parajsë për turistët, të cilët nxitojnë këtu gjatë verës.
Hani që u hap pas daljes së vendit nga izolimi
Gjon Shpella, pronar i bujtinës “Shpella” ku qëndruam ne, u lind në kishën e vetme në fshat dhe u rrit në Zvicër.
“Gjatë epokës komuniste, kur feja ishte e ndaluar, kishat ose xhamitë u shkatërruan ose u përdorën për qëllime të tjera. Kisha jonë u shndërrua në një klinikë, këtu jam lindur”, thotë ai. Rreth 200 familje jetuan në Theth kur qeveria komuniste u rrëzua, në 1991, dhe fshatarët që përjetuan kushte të vështira jetese emigruan në vendet e tjera në kërkim të një jete të re. Familja Shpella me gjashtë fëmijë gjithashtu shkoi në Zvicër atë vit, kështu që fëmijët e tyre u rritën në Zvicër.
Gjoni vizitoi Thethin për herë të parë në 2008, kur ishte në mes të të njëzetave.
“Unë kam dashur të shoh se ku kam lindur. Unë erdha ashtu si një turist, duke mos menduar shumë për të. Por, u mahnita me të vërtetë se sa i bukur ishte ky vend”. Çuditërisht, shtëpia ku dikur jetonte familja e Gjonit kishte mbetur e paprekur. “Sapo dëgjova nga një alpinist që vizitoi Thethin në atë kohë, e kishte pasur të vështirë të gjente një vend për të qëndruar, vendosa ta rinovoja banesën time dhe ta ktheja atë në një han, në një shtëpi për mysafirë.
”Me shumë pak punë, unë arrita ta hap atë pjesërisht”, thotë Gjoni. Numri i të ftuarve fillimisht ishte rreth 200, por ka tejkaluar shifrën 8 000 pas 10 vjetësh.
Unë e vizitova Thethin në fillim të tetorit, pas pikut të sezonit, kur nëna e Gjonit dhe më pas, anëtarët e tjerë të familjes, kishin filluar të punonin të gjithë duke pastruar dhe gatuar. Gjatë kulmit të sezonit, të afërmit që jetojnë në vendet e tjera të Evropës vijnë gjithashtu për ta ndihmuar.
Një ditë shëtitje plot me pamje piktoreske
Rreth fshatit ka disa shtigje shëtitjesh që mund t’i ngjisni, që mund të bëhen në një ditë, nga 30 minuta në pak më shumë se dy orë. Edhe pse konsiderohet thjesht një “kurs hiking”, unë do të inkurajoja të mbaja me vete një pajisje GPS për të kontrolluar vendndodhjen, pasi aty gjurmët shënohen vetëm nga shkëmbinj ose shenja dhe shigjeta që mezi lexohen dhe njerëzit që kalojnë aty janë të pakët.
Ju mund të shijoni pamje piktoreske pa marrë parasysh se ku shkoni në këtë park kombëtar. Ajri dhe uji i pastër nga burimet e bollshme duket se e pastrojnë trupin tuaj.
Kulla e Nikoll Koçekut
Një tjetër pikë e spikatur e Thethit është Kulla e Nikoll Koçekut, menjëherë prapa bujtinës ”Shpella”. Rreth 100 vjet më parë, kur ndodhi një vrasje në Theth, vrasësi qëndroi në këtë kullë për 15 ditë, gjatë së cilës ai zgjodhi një njeri të besuar nga fshatarët dhe shpjegoi veten për krimin. Duket më shumë si një qendër paraburgimi. Pastaj, përmes këtij njeriu të besuar u diskutua për marrëveshjet midis vrasësit dhe familjes së viktimës. Vetëm burri i besuar dhe një grua nga fshati që përgatisnin ushqime u lejuan të vizitojnë vrasësin e fshehur në kullë. Dritaret e vogla dhe atmosfera dinjitoze janë të ndikuara nga Kanuni, i cili ka shoqëruar jetën në Shqipërinë Veriore që nga kohërat e lashta. Kanuni lejon familjen e viktimës të vrasë kriminelin në shenjë hakmarrjeje. Brendësia e kullës është mjaft interesante, e rikrijuar për të pasqyruar kohërat e vjetra.
Një darkë solidariteti
Nuk ka restorante në Theth, darka hahet në konakun që po qëndron. Të shtruara në tryezë janë ngritur perime organike të pjekura, bukë të pjekur me dru zjarri në sobën e oborrit të shtëpisë dhe mish të pjekur, të gjitha të përgatitura nga familja e Gjonit. Specat e pjekura në skarë ose të grira, të shoqëruara me djath dhie, patëllxhanët dhe kungujt e njomë janë elementet kryesore. Gradualisht bëheni të varur ndaj djathit të dhisë me erë të fortë, të servirur së bashku me domatet turshi.
Darka është e gjallë pasi të gjithë mysafirët rrethojnë tryezën dhe hanë së bashku. Ata kanë ardhur në Theth ose me makinë duke ndjekur atë rrugë të ngushtë zhavorri përgjatë shkëmbinjve ose duke ecur nëpër male për më shumë se shtatë orë. Ekziston një ndjenjë e fortë solidariteti midis atyre që kanë provuar të njëjtat vështirësi, kështu që nuk ka mungesë bisedash edhe pse ne po takohemi për herë të parë, dhe kjo më bën të lumtur.
Pas vizitës sime në 2018 e vizitova përsëri Thethin në vitin 2019, rruga malore përgjatë shkëmbinjve malorë ishte në ndërtim e sipër. Qasja në fshat duhet të jetë mjaft e mirë pasi të ketë mbaruar.
Është pak e trishtueshme kur sheh që gjurmët e rrugëve malore po zhduken bashkë me frikën e vizitorëve nga humnerat. A është egoiste të dëshirosh që Thethi të vazhdojë të jetë pak i izoluar? /atsh/ KultPlus.com
Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka nisur një aktivitet online për të argëtuar qytetarët në këtë kohë pandemie.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të dërgojnë deri të mërkurën “vica të ndryshme” në grupin “#rriNshpi”.
“Po ja nisim me aktivitetin e parë. Dërgoni vicat e incizuara deri të mërkurën 00:00 në grupin #rriNshpi me neve dhe postimi me më së shumti llajka e fiton një drekë në shpi nga cilido restorant në Prishtinë për krejt familjen. Nesër unë e incizoj një”, ka shkruar Ahmeti. / KultPlus.com
Turbullimet ditë për ditë më të dëndura në Ballkan na shtrëngojnë ta lëmë për më pastaj kryeartikullin që kishim nër mënt të shkruajmë përmi Papën e math qi vdiq, e të flasim për punët më të tanishme e më të ziarrta të vëndit t’onë. Lufta në mes të Turqisë e të Bullgarisë duket se do të kërcasë, e, kur të bierë ky numër i “Albanies” nënë syt’ e këndonjëtorëve, munt të ketë krisur. Po munt edhe t’a ndalojn fuqit’ e mbëdha. Në e ndalofshin, punët po thua do të mbeten si janë, veç qi do të ketë ca Bullgarë më pakë, liri më tepër për Bullgarët e mbetur e robëri e shtrëngim më të fortë për Shqipëtarët të cilëve, ç’do që në ngjaftë në Turqi, u ngarkohet kurdoherë faji. Po, si ka më tepër të ngjarë, lufta do të kërcasë, e ahere ç’do humbasë, ç’do t’fitojë Shqipëria? Këtë duam të rrëfejmë këtu në pakë fialë. Tri punë munt të ngjasin në u-bëftë kio luftë. E para është që Turqia, e ndodhur balla-ballës me Bullgarinë vetëm, do t’a muntjë në tri a katër javë. Shqipëtarët, n’atë të ngjarë, do të vriten disa mijëra; tepërimet e ushtërisë së tërë, do t’u ngarkohen atyreve vetëm, si kurdoherë; edhe fuqit’ e mbëdha do t’i thonë Turqisë: “Tani që e munde Bullgarinë edhe q’u hoq reziku i kryeqities, mëso mënt edhe ji e dreqtë. Dreqtësia është t’u lësh Bullgarëve liri të hapin disa shkolla të tiera, nga ana e Elbasanit dhe e Tetovës (që t’i qasen, sa më tepër, detit), edhe t’u marrsh Shqipëtarëve gjer më të vogëlën thikë (çdo Shqipëtar e di sepse)”. E dyta e ngjarë është që, për ndihmë të Bullgarisë, munt t’i çfaqin luftë Turqisë edhe Sërbia me Malin-e-Zi. Se kush i di udhët e errëta, lidhiet e mpshehta të Pansllavismit? Punë në të cilat s’i vete mëntja njeriut, munt të dalin sheshit nesër. Turqia, me ushëtarët e saj të pakënaqur nga uria, me zbrazien e thesarit, e më tepër me tradhësin’ e qeveritarëve të kryeushëtarëve të Turqisë të cilët, nëndë për dhietë, janë shërbëtorët e Pansllavismit (si e thotë me arësye atdhetari Naço), ka të ngjarë të mundet për gjysmë – sa do që Bullgarët e Principatit janë të paktë, shumë më të paktë pakë Malëzestë, Sërbët ngordhanikë më të zotërit për të vrarë gra pa armë se për të dalë në fushë, e sa do që kryeqitësit s’kanë miaft armë e përmbushie. Edreneja e dhënë Bullgarisë, s’na prish aq punë”, shkruan Konica. “Po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë – ç’i mbeti Shqipërisë? Një pun’ aq’ e rëndë me të vështirë munt të ngjasë, vërtet; Turqia rrëfeu në luft të fundit me Rusinë se ka edhe forcë, e më në funt ka edhe disa fuqi të mbëdha qi munt të mos e lënë aqë leht të vënët e këmbës sllave afër anëve t’Adriatikut. Po Historia është plot me të ngjara të pa-pritura; sa punë duken të çuditëshme e të rënda më parë se të mbarohen, e, kur u-mbaruan, i duron sicilido duke thënë “u-bë tani, le t’a durojmë” – “s’incliner devant le fait accompli” thotë frëngu. Përandaj, sido që në qoftë, prapë Shqipëtarët do t’humbasin, se jemi një komb i ftohtë, ku sicilido menton për veten e tija, e në një të tillë komb s’munt të lidhen ay bashkim e ajo marrë-vesh ku sicilido punon për të mirën e të gjithëve e të gjithë punojnë për të mirën e sicilitdo e janë gati për t’i bërë ballë me udhë (me methudhë do me thënë) rrezikut. Ata Shqipëtarët për të cilët bota thotë se janë t’egër, Shqipëtarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, për kundrë janë Shqipëtarë të mirë e do t’ishin atdhetarë sikur të kishin njerës t’u jipjin të kuptojin. Po të tillë njërës janë të paktë e të shtrënguar, pa bërë dot gjë, të shikojnë me zëmrë të shtrydhur se si humbet nji komb. Eshtë nji e tretë e ngjarë qi munt të pritet. Turqia, e zonjë e Bullgarisë e gati t’u shtierë prush në shalë “Maqedhonasve” qi janë shkakëtorët e gjithë turbullimeve, munt t’i forcojë fuqit’ e mbëdha të hedhin disa mijëra ushtarë në Turqi t’Evropës. Kio ushtëri e huaj, si të lidhë në hekura gjithë qenat e tërbuar, do të përpiqet të ngrehë një shtetësi të vërtetë t’atyre vëndeve. Ahere, ndofta do t’na jipen edhe neve aqë (nukë duam më tepër) të dreqta sa edhe kombeve të tierë të Turqisë. E ja pse kio e ngjara e tretë është më e mira për ne. (sic.)/KultPlus.com
Vokalisti i grupit “Troja” Bujar Berisha ka kujtuar një përvojë të tij të vitit 1999, kur ishte kërkuar të ndihmohej profesori Abdurrahman Nokshiqi. Berisha këtë rrëfim e ndërlidhë me shkrimet e fundit mbi blerjen e gjakut nga Serbia, blerje që ishte bërë në vitin 2018,dhe i njëjti ka kujtuar se si kishte premtuar diçka, qysh në vitin 1999. KultPlus e sjell të plotë reagimin e Berishës.
Kerkoj falje per kete reagim, po nuk mujta pa reagu!
Ne vitin 1999, ishim ne klase, ne akademine e arteve ne prishtine, dhe kerkohej qe disa nga ne te shkojme te japim gjak per profesorin tone te dashur e tashme te ndjere z.Abdurrahman Nokshiq, i cili per fatin e tije te keq ishte i shtruar ne ate kohe ne spitalin e Prishtines, nen ato rrethana…
Ishte kohe pa kohe ajo, po prap se prap u beme disa nga studentet e aktrimit edhe vendosem te shkojme te japim gjakun ne shenje humanizmi per profesorin…
Kur u shtrime aty per te jape gjakun, ishte nje atmosfere tmerri. Neper koridore ndegjoheshin zerat e policve dhe paramilitarve te palgosur e te mllefosur bashke me stafin qe punonin ne spital…
Pasi qe dhame arsyen pse e per kend ishim aty…u shtrime per te dhene kontributin tone modest per profesorin tone te nderume (tashme te ndjere).
Asnjehere nuk mund ta harroj ate moment… Derisa pomponim gjakun tone nga venat…para nesh ndodhej nje fotografi e madhe e Sllobodan Millosheviqit, dhe mendja shkonte gjithandej…
Ne ate moment kam vendose, se nese shpetoj nga lufta i gjalle ,edhe ç’lirohemi nje dite… ç’do gjashte muaj do te dhuroje gjak, pasi qe mendoj se eshte nje nga te mirat me te medha qe mudnesh me i jape komunitetit tend, e qe vlene me shume se paraja ose nje pakete me vaj e makarona ne emer te nje partije ose organizate!
E kam parasyshe qe nuk mund te prodhojme vegla e paisje super-moderne, por gjak te pastert e me bollek, ne prodhojme.
Andaj ju therras krejt miqte e mi te vertete, qe te aktivizohemi e ti ndalim me pune keto propaganda!/KultPlus.com
Nga: Dashnor Kaloçi Një nga të veçantat e Shkodrës, që e dallon atë nga shumë qytete të tjera shqiptare, është ajo e qëndrimit aty të shumë të huajve që e shkelën si vizitorë – ose për qëllime të tjera – e nuk u kthyem më në vendet prej nga kishin ardhur. Ata u vendosën në atë qytet, ku krijuan edhe familjet. Një nga këta është austriaku Stefi Ingrisi, ose siç njihet ndryshe në shqip, Shjefni. Po kush ishte Shtjefën Ingrisi, në çfarë rrethanash u largua ai nga vendi i tij, Austria, dhe si mbërriti në qytetin e Shkodrës? Kjo bëhet e ditur nga familja shkodrane Daragjati, që është një nga degët e breznisë së austriakut Shtjefën. Ka qenë dimri i vitit 1830 kur anija që ishte nisur nga Porti i Koperit në Slloveni, me të cilën udhëtonin Shtjefni dhe dy miqtë e tij, filloi të lëkundej në një furtunë në Adriatik. Për t’i shpëtuar furtunës, kapiteni i anijes e afroi atë diku afër Shëngjinit. Por, dallgët e mëdha e përplasën anijen afër shkëmbinjve, duke e shkatërruar. Nuk dihet se kush ishin njerëzit që përveç tij lundronin në atë anije. Por, një gjë është e saktë: Shtjefën Ingrisi, asokohe 20 vjeç, mundi të shpëtonte së bashku me dy nga miqtë e tij. Ai u plagos me disa gërvishtje të lehta të cilat iu mjekuan në një bujtinë në lagjen Parrucë në Shkodër. Pas largimit nga hani, sipas disa dëshmive, të nesërmen Shtjefni doli për të kërkuar punë në Shkodër. Ai e kishte zanatin e këpucarit dhe një valixhe të vogël prej lëkure (e vetmja që i kishte shpëtuar gjatë mbytjes së anijes) ku kishte veglat e punës. Gjithnjë me ndihmën e hanxhiut, Shtjefni mundi të marrë me qera një dyqan të vogël pranë pazarit të qytetit. Nga mjeshtëria e tij arriti të kishte klientë të shumtë. U bë i njohur. Që në muajt e parë të punës dhe veprimtarisë së tij, mësoi gjuhën shqipe dhe u ambientua shpejt me banorët. Thuhet se askush nga qyteti i Shkodrës nuk e mori vesh të vërtetën për largimin e tij nga Austria dhe ardhjen në Shqipëri. Së paku deri në ditën që ky i fundit u martua me vajzën e fisit Shiroka. Kjo dëshmi është ruajtur nga pasardhësit. Lidhur me këtë, Zef Staka (nipi i Shtjefnit), midis të tjerash kujtonte: “Shtjefni jetonte në një fshat që ndodhej mes Austrisë dhe Hungarisë, ku shpesh shkonte për gjah perandori Franz Jozef. Pak kohë para vajtjes së tij dhe të njerëzve që e shoqëronin, u ishte dhënë urdhër banorëve të atij fshati që të shkonin në drejtim të pyllit dhe me enë të ndryshme të shkaktonin zhurma. Kjo gjë bëhej me qëllim që të trembeshin kafshët e pyllit, që të dilnin nga strofullat e të kalonin në shtigjet ku kishte zënë pritë perandori me njerëzit që e shoqëronin. Shtjefni e ndjeu veten të fyer nga ky fakt dhe i doli përpara perandorit, duke i thënë ‘Ne jemi njerëz të ndershëm dhe jo kafshë gjahu për ju dhe shpurën tuaj’. Por, këto fjalë do t’i kushtonin atij. Për këtë arsye, do t’i duhej të braktiste vendin. U largua me mendimin që të shmangte dy perandoritë, atë austro-hungareze dhe osmane, për t’u vendosur në Palestinë. Por, përmbytja aksidentale e anijes bëri që të vendosej në qytetin e Shkodrës”. Nga martesa e tij lindën shtatë fëmijë, përkatësisht katër vajza dhe tre djem. Shtjefni mundi t’i siguronte një jetesë jo të keqe familjes, pasi zanati i tij vlerësohej në gjithë qytetin. Sipas dëshmive të Zef Stakës, Shtjefni solli këpucën e parë në Shkodër, pasi më parë popullsia mbathej me një lloj papuçeje të quajtur “Pashmange”. Thuhet se aq e madhe ishte fama e tij në rregullimin e këpucëve, saqë vetë Valiu i Shkodrës e mori në oborrin e tij. Sipas disa dëshmive, kur ndonjë nga diplomatët mbaronte misionin e tij dhe largohej nga qyteti, Valiu ua bënte si dhuratë një palë këpucë të cilat i kishte porositur tek Shtjefni. Po kështu, sipas dëshmive, kur Shtjefni vdiq në moshën 90-vjeçare (në vitin 1902), sundimtari i qytetit dërgoi një tabor me ushtarë në varrimin e tij, për ta nderuar. Sipas dëshmive të Angje Daragjatit, e cila është dhe mbesa e Shtjefnit, ai udhëtoi vetëm një herë drejt vendlindjes së tij. Familja e tij mbeti e shokuar kur e pa, pasi nuk ishte asnjë lajm se ishte gjallë. Ai u rrëfeu atyre se ishte martuar me një vajzë shqiptare dhe se ishte bërë baba. Katër vajzat e tij quheshin: Katerina, Amalia, Marjeta dhe Roza, të cilat mbanin emrat e motrave të tij. Ai i arsimoi ato. Shumë nga librat e shkollës me të cilat mësonin vajzat e tij, ruhen sot nga pasardhësit e tij në Shkodër. Kështu, Zef Staka në shtëpinë e tij ruante një enciklopedi gjermane me 30 volume, që Shtjefni e solli nga Austria në vitin 1870. Nga martesa e Shtjefnit me vajzën e fisit Shiroka, përveç vajzave lindën edhe tre djem të quajtur: Angjelin, Gjovalin, dhe Çesk. Djalit të Gjovalinit iu vu emri i gjyshit të tij, Shtjefën, ose siç thirrej shkurtimisht, Stefi. Ai lindi në Shkodër në vitin 1882 dhe mbasi kreu shkollën fillore vajti në Itali ku ndoqi mësimet në një shkollë të mesme mekanike. Pas mbarimit të saj punoi në një kantier detar në Venecia. Në vitin 1902, pas vdekjes së gjyshit, kthehet në Shkodër ku themelon një nga shoqëritë e para punëtore (sindikaliste) të quajtur “Shoqëria ndihmëtare”. Në këtë kuadër, Stef Ingrisi organizoi dhe drejtoi festimet e para të 1 Majit duke hyrë në histori si njeriu i parë që organizoi festën e punëtorëve në Shkodër. Më pas rikthehet në Venecia, ku punoi përsëri në kantierin detar. Edhe mbas kaq shumë vitesh, në shtëpinë e Zef Stakës në lagjen “Rus”, duken kangjellat e punuara me aq mjeshtëri nga Stefi. Ai punoi në shumë shtete, si Itali, Austri, Zvicër, Jugosllavi etj. Ai gjithashtu ndihmoi shumë tregtarë austriakë, që jetonin dhe punonin në Shkodër, për të mbajtur aktivitetet e tyre. Njëkohësisht, sipas disa dëshmive të vetë rrethit të tij familjar, Stefi gjatë kohës që punonte në Zvicër, takoi Vladimir Iliq Leninin, liderin e ardhshëm të Partisë Komuniste Bolshevike të Rusisë. Stef Ingrisi u nda nga jeta në vitin 1956 në qytetin e Shkodrës, ku edhe sot jetojnë shumë nga pasardhësit e tij. /KultPlus.com
Aktori shqiptar Bruno Shllaku ka pësuar hemoragji cerebrale dhe është shtruar në spital pasditen e sotme.
Ai ndodhet në reanimacionin e neurologjisë në QSUT për t’u mbajtur nën kontroll, por fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore nuk është e rënduar.
Lajmin e konfirmon për Report Tv vëllai i aktorit Primo Shllaku, i cili nuk ka mundësi ta takojë për shkak të situatës së Covid-19.
Këto ditë përmes vargjeve të “Lahutës së Malcisë” së Gjergj Fishtës ai ka rrëfyer se shqiptarët duhet të kenë kujdes nga COVID-19, sepse kanë shumë për të bërë derisa të realizojnë misionin për të cilin kanë ardhur në këtë jetë.
Ende nuk dihen shkaqet që e çuan në këtë gjendje Shllakun, pasi nuk është raportuar më parë që aktori të ketë pasur ndonjë sëmundje, apo dobësim të gjendjes shëndetësore.
Bruno Shllaku ka luajtur dhjetëra role në skenën e teatrit dhe kinematografisë, ku së fundmi e kemi parë edhe në filmin e Ermal Mamaqit, “I love Tropoja” me rolin e tropojanit tipik. /KultPlus.com
Njëqind e tetë vjet më parë, ndodhi një nga katastrofat më të famshme dhe më vdekjeprurëse të kohëve moderne. Në orën 02:20 të mëngjesit të 15 prillit 1912, ajo që vlerësohej si një nga anijet më luksoze dhe të sigurta të ndërtuara ndonjëherë, u përplas me një ajsberg dhe u mbyt në brigjet e Njufaundlendit, duke i marrë jetën më shumë se 1.500 njerëzve.
Anija më e madhe e pasagjerëve në botë deri në atë kohë, ishte në udhëtimin e saj të parë zyrtar, duke udhëtuar nga porti anglez i Sauthemptonit për në Nju Jork të SHBA-së. Reliket e saj do të zbuloheshin pas 73 vjetësh, më 1 shtator 1985 nga Robert Balard dhe Zhan-Lui Mishel. Ndërsa tragjedia ka frymëzuar shumë filma, libra dhe artikuj, anija dhe pasagjerët e saj, bartin ende mbajnë sekrete dhe fakte pak të njohura, që mund t’ju habisin. Ja cilat janë disa prej tyre:
Aktorja amerikane e filmave pa zë Doroti Gibson, ishte një nga afro 700 të mbijetuarit e aksidentit. Ajo luajti në një film të quajtur “E mbijetuara nga Titaniku”, që u shfaq në kinema vetëm 1 muaj pas tragjedisë. Xhirimet për filmin nisën menjëherë pasi ajo mbërriti në Nju Jork. Në film, Gibson mbante veshur të njëjtat rroba, që kishte gjatë fundosjes së Titanikut.
700 pasagjerët e klasës së tretë, duhej të ndanin dy banjo gjithsej. Kjo u pasqyrua me vërtetësi edhe në filmin “Titanik” të vitit 1997 me regjinë e Xhejms Kameron.
Një nga muzikantët e anijes, Rozhe Briku, ishte vetëm 21-vjeç kur vdiq në atë tragjedi. Por ai nuk u shpall zyrtarisht i vdekur deri në vitin 2000. Madje ushtria franceze e quajti atë një dezertor, kur ai nuk u paraqit për të shërbyer në Luftën e Parë Botërore. Shoqata Franceze e Titanikut, u përpoq për vite me radhë të pastronte figurën e tij, por e ariti këtë vetëm 88 vjet pas fundosjes së Titanikut.
Pak para përplasjes, ekuipazhi i anijes ishte detyruar të vëzhgonte me sy të lirë rrugën përpara. Për këtë arsye oficerët e turnit Frederik Flit dhe Rexhinald Li, nuk mund të shihnin shumë larg. Oficeri i dytë i anijes u zëvendësua në minutën e fundit, dhe harroi t’u dorëzonte çelësin e dollapit ku ndodheshin dylbitë. Çelësi u nxorr në ankand në vitin 2010, dhe u shit për 130 mijë dollarë.
Sipas të dhënave zyrtare të hetimit që u krye po atë vit, ekuipazhi pati vetëm 37 sekonda kohë nga identifikimi i ajsbergut, në dhënien e alarmit, dhe vendosjes së çfarë duhej bërë.
Titaniku u karakterizua që në origjinë nga tragjeditë. Tetë punëtorë vdiqën vetëm gjatë ndërtimit të anijes, por vetëm 5 prej tyre janë të njohur:Samuel Skot, Xhon Kelli, Uilliam Klark, Xhejms Dobin dhe Robert Mërfi. Një pllakatë përkujtimore, u zbulua në ndërtim të tyre në Belfast në vitin 2012.
Njeriu më i pasur në bordin e Titanikut ishte Xhon Astor IV, që besohej gjerësisht se ishte njeriu më i pasur në botë në kohën e vdekjes. Pasuria e tij ishte rreth 150 milionë dollarë, ose 3.5 miliardë dollarë me kursin e sotëm. Ai po kthehej nga muaji i mjaltit me gruan e tij të re, Madlein Fors, 28 vjeçe më e vogël se ai. Trupi i Astor, ishte një nga të paktët që u gjet në ujërat e oqeanit Atlantik. Me vete iu gjetën 2.440 dollarë, ose afro 60 mijë dollarë më kursin e sotëm.
Thuhet se disa burra u maskuan si gra, për të gjetur një vend në varkat e shpëtimit, të cilat ishin vetëm për gratë dhe fëmijët. Madje këto zëra shkaktuan divorcin mes Dikinson dhe Helen Bishop në vitin 1916, që të 2 të mbijetuar nga Titaniku. Edhe të mbijetuarit J.Brus Ismei, Uilliam Karter dhe Uilliam T.Sloper, u përndoqën gjatë gjithë jetës nga të njëjtat aludime.
Të 25 inxhinierët e anijes u mbytën, teksa u përpoqën që të mbanin sa më gjatë anijen mbi ujë. Ata arritën të garantonin funksionimin e energjisë elektrike dhe pompave të shkarkimit, deri kur anija u fundos. Falë tyre, anija transmetoi sinjalin SOS përmes radios deri disa minuta para fundosjes së anijes.
Vëllezërit Edmond dhe Mishel Navratil, ishin 2 dhe 4 vjeç kur u fundos Titaniku. Ata ndodheshin në anije me të atin e tyre, Mishel Sr., që i kishte rrëmbyer nga e ëma. Ai vendosi t’i çonte në Amerikë, me shpresën që gruaja e tij do ta ndiqte, dhe ata mund të nisnin në SHBA një jetë të re.
Babai i tyre, i hipi të miturit në një varkë shpëtimi, dhe nuk u pa më i gjallë. Asnjeri nga fëmijët nuk fliste anglisht. Ata u ndihmuan nga francezja e mbijetuar, Margaret Heis, derisa autoritetet e gjetën nënën e tyre 1 muaj pas katastrofës, falë fotot së tyre të botuar në të gjithë gazetat e botës.
Të paktën 15 dëshmitarë, u betuan se e kishin parë Titanikun të ndahej më dysh, para se të fundosej. Por pretendimi u injorua, dhe hetimi zyrtar nga autoritetet amerikane, arriti në përfundimin se anija u mbyt si një e tërë. Në fakt 73 vjet më vonë kur u gjetën rënojat, u vërtetua se dëshimtarët kishin patur të drejtë:anija ishte e ndarë më dysh.
Shkencëtarët, mendojnë se për shkak të baktereve që e rrethojnë, reliket e anijes mund të zhduken tërësisht brenda vitit 2030.
Njëri nga kuzhinierët e anijes, Çarls Xhauglin, mbijetoi shumë më gjatë në ujë të ftohtë se të tjerët, për shkak të sasive të mëdha të uiskit që kishte pirë. Raportohet se ai i mbijetoi ujërave të akullta të Atlantikut të Veriut për të paktën 2 orë, ndërsa shumica vdiqën nga hipotermia brenda 15 minutave.
Nga mbi 1.500 njerëz që vdiqën, vetëm 4 prej tyre ishin gra nga klasi i parë. Njëra prej tyre ishte Ana Isham, e cila vdiq pasi nuk pranoi ta braktiste qenin e saj. Thuhet se ajo u hodh nga një varkë shpëtimi, kur e kuptoi se nuk mund të merrte më vete qenin e saj. Më pas u spekulua se një grua u gjet e pajetë në ujë duke shtërnguar qenin e saj, edhe pse është e pamundur të dihet me siguri nëse ishte pikërisht ajo.
Nga mbi 1500 viktimat, u gjetën vetëm trupat e 300 prej tyre. Një nga trupat e gjetur u quajt “fëmija i panjohur”. Ai u identifikua gati 100 vjet më vonë si Sidnej Guduin.
Një nga të mbijetuarat më të famshme ishte Molli Braun. Ajo kandidoi më vonë për në Senatin e SHBA, edhe pse nuk fitoi. Braun ishte një aktiviste e të drejtës së grave për të votuar, dhe punoi me Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Parë Botërore.
Katastrofës i shpëtuan jo pak njerëz të famshëm. Ata kishin blerë biletat e udhëtimit, por për arsye të ndryshme nuk hipën në të. Mes tyre ishin biznesmenët e njohur Milton Hershej, J.P Morgan, dhe shpikësi italian i radios Gulielmo Markoni.
“Titaniku” i Xhejms Kameron, nuk është filmi i vetëm në lidhje me këtë ngjarje. Nazistët realizuan në vitet 1930 një film propagandistik, që i përshkruan ngjarjet nga një “këndvështrim” gjerman. Filmi u përpoq të fajësojë britanikët për fundosjen e Titanikut. Pretendohej se ata e nxitën anijen të udhëtonte me shpejtësi të plotë, pavarësisht nga paralajmërimet e një zyrtari (imagjinar) gjerman, që gjoja ishte i vetmi person në bord që u shqetësua për jetën e njerëzve.
Skandali i prapaskenave të këtij filmi, është gati i pabesueshëm. Pak para se të vritej në burg se kishte folur kundër regjimit nazist, regjisori i atij filmi kërkoi nga autoritetet një anije me madhësinë e Titanikut, që të mund ta xhironte filmin. Nazistët i siguruan transoqeanikun luksoz gjerman SS Cap Arcona. Por kjo anije u përdorur më vonë si një kamp përqendrimi lundrues, dhe u fundos nga aleatët, duke shkaktuar 2.750 të vdekur. / Insider – Bota.al /KultPlus.com
Grupi “TNT” është njëri nga grupet e para të muzikës rok në Kosovë, i formuar në Mitrovicë më 1974. Ata sollën një frymë të re në muzikën shqipe, me tekstet të gërshetuara me zërin unik të vokalistit Ferki Shala.
“TNT” si grup u identifikua me muzikën e zhanrit pop-rok, duke kombinuar nganjëherë edhe muzikën popullore.
Në repertuarin e tyre, “TNT” numëron një numër të madh këngësh të cilat kanë mbetur të popullarizuara sot e kësaj dite, dhe të kënduara edhe nga artistët e tjerë shqiptarë.
Formacioni i parë i grupit kishte në përbërje Ferki Shalën si vokalist, Murat Shabanin baterist, Urim Koshin saksafonist, dhe Nexhat Maculën kitarist.
Disa nga këngët më të famshme të tyre janë: “E mallkoj”, “Moj bjondinë”, “200 ditë”, “Këto ura”, e të tjera…
KultPlus, jua sjell këngën “200 ditë” të këtij grupi, që është ndër më të famshmet, e cila u këndua e rikëndua nga shumë artistë tjerë. /KultPlus.com
Një çift ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për t’u martuar në kohë pandemie.
Kështu me motoçikletë, çifti nga Prishtina vendosi që të bëjë xhiro të shtunën, meqë planet për dasmë me kolonë makinash, e me festë të madhe familjare ua prishi koronavirusi.
“Ideja ka qenë e jemja se gjithmonë kam pas dëshirë me ardh Valoni me më marrë me motor se jemi motorista për një kohë të gjatë, por për shkaqe të ndryshme s’ka pas përgjigje pozitive, por tash për shkak të situatës”, tha Erza.
“Kur u ktheva në Paris përjetova një prej përvojave më të dhimbshme të jetës sime. Vendosa të lija peng unazën e fejesës me diamantin blu prej katërmbëdhjetë karatësh. Kisha nevojë për para për varrin e Mbretit. Në llogarinë bankare kishin mbetur vetëm treqind franga dhe doja të ngrija një monument mbi varrin e Mbretit, për të cilin të gjithë shqiptarët të ndiheshin krenarë. Hoqa nga gishti unazën, që im shoq e kishte blerë te Cartier dhe u përpoqa të lija pas të gjitha kujtimet, teksa qëndroja ulur në zyrat e Mont de Pieté. Nuk ishte momenti për të derdhur lot. Me një shprehje dashamirësie në fytyrë, gruaja më këshilloi ta shisja unazën menjëherë dhe kështu bëra, madje, me një çmim të mirë. Im bir pati mundësinë ta mbante nën vëzhgim për disa vite, pasi shpresonte se një ditë do ishte në gjendje të ma riblinte. Për cilindo që sot e mban në dorë, ajo është thjesht një unazë tepër e hijshme diamanti, por për mua përfaqëson kujtimet e një jete të tërë.”
(marre nga libri “Geraldina e shqiptarëve” i autores angleze Gwen Robyns.)
ne foto: Geraldina -Trendafili i Bardhe i Budapestit dhe Mbreteresha fatkeqe e Shqiptareve./KultPlus.com
Për fituesin e Nobelit në Mjekësi në vitin 2008, Luc Montagnier, COVID-19 doli nga një laborator në Wuhan, i cili po përpiqej të krijonte një vaksinë kundër HIV. Kjo është një hipotezë që mund të ringjallë edhe një herë debatin mbi origjinën e koronavirusit.
I pyetur se nga se mendonte se erdhi ky virus i panjohur Montagnier tregoi:
‘Laboratori i Wuhan është i specializuar për trajtimin e koronaviruseve që nga viti 2000. Ata kanë futur sekuencën e HIV në gjenomin e koronavirusit në përpjekje për të krijuar vaksinën e HIV. Prandaj koronavirusi i ri është një virus i dalë nga laboratori kinez’.
Më tej ai thotë se pretendimin e tij e mbështet edhe një koleg i tij matematicien me emrin Claude Perrez.
Sipas fituesit të Nobelit në Mjekësi, një ekip studiuesish indianë ishin përpjekur për të botuar një studim të ngjashëm me idenë e tij që tregonte se gjenomi i plotë i koronavirusit kishte sekuenca të një virusi tjetër, të HIV, pra virusit të AIDS-it, shkruan një media e huaj.
‘Por studiuesit “u tërhoqën”, tha ai. ‘Prandaj kjo puna e virusit të ardhur nga kafshët është një legjendë e bukur por e pamundur’, shton Montagnier.
Këto zbulime të profesorit forcojnë dyshimet që disa krerë shtetesh kanë shprehur kohët e fundit, duke filluar nga presidenti francez Emmanuel Macron. Në një deklaratë të fundi Macron ka thënë: Disa gjëra kanë ndodhur atje që ne nuk i dime.
Në të njëjtën kohë, zyrtarë amerikanë kanë njoftuar se po hetojnë nëse virusi doli nga laboratori kinezë.
Por sa të besueshme janë argumentet e fituesit të Nobelit?
Nëse atij bashkë me shkencëtarin Francoise Barrë Sinoussi iu dha Nobeli për zbulimin e virusit të Aids-IT në 1983, Le Figaro kujton se në nëntor 2017, 106 akademikë kundërshtuan teoritë e tij ekstreme.
“Ne nuk mund të pranojmë nga një koleg që të përdorë çmimin e tij Nobel për të shpërndarë, jashtë fushës së të tij, mesazhe të rrezikshme për shëndetin, në kundërshtim me etikën që duhet të kryesojë shkencën dhe mjekësinë.”
Luc Montagner u rreshtua mes shkencëtarëve kundër vaksinimit. Vitin e kaluar ai nxori teori të diskutueshme për origjinën e HIV dhe transmetimin e tij. Ai pretendoi se disa njerëz mund të mposhtnin virusin falë sistemit të tyre imunitar /KultPlus.com
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, me anë të mesazhi në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike, tha se qeveria e SHBA-së po kontribuon pothuajse 800,000 dollarë për rimëkëmbjen e tre monumenteve të rëndësishme të kulturës në Shqipëri.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Parqeve Arkeologjike, e cila na sjell në vëmendje nevojën për të ruajtur monumentet dhe parqet arkeologjike, dhe për të vlerësuar larminë e trashëgimisë kulturore në mbarë botën”,- shprehet ambasada e SHBA-së.
Më tej Ambasada thekson se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, po kontribuon pothuajse 800,000 dollarë për punë rimëkëmbse dhe mbrojtëse në tre monumentet të rëndësishme të kulturës në Krujë, Durrës dhe Prezë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit”.
Çdo vit më 18 Prill festohet Dita Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet Arkeologjike, e cila u krijua pas miratimit nga Konferenca e 22-të e Përgjithshme e UNESCO-s në 1983.
Qëllimi i kësaj dite është të inkurajojë individët dhe komunitetet lokale në të gjithë botën që të vlerësojnë rëndësinë e trashëgimisë kulturore për jetën, identitetet dhe komunitet e tyre dhe të rrisë ndërgjegjësimin për diversitetin por edhe rrezikun që i kanoset asaj duke nxitur përpjekjet për mbrojtjen e ruajtjen e kësaj trashëgimie. /KultPlus.com
Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim Po në një vend të huaj dhe të largët Në një qytet me buba dhe me minj Mes mureve të rrjepur dhe të lagët. Çuditem pse kështu më duket shpesh
Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh Dhe mua flluska flluska ma bën jetën Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm
Helmohemi çdo çast me njëri tjetrin s’e di nga vjen ky helm se s’kam ç’të them Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin
Ky vend më duket do helmohet krejt Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet Pastaj do tundet toka në termet Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshët
I huaj jam në vendin tim mjerisht Dhe kur rreth meje ka me dhjetëra njerëz Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërrvish më bën të qaj si nxënës prapa derës.
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Romani “Sikur të isha djalë” ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua më gjerë e në mënyrë të drejtpërdrejtë. Romani ka formën e një ditari, të mbajtur nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija. Nëpërmjet shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e gruas në familje, e cila duhet të bëjë një jetë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale.
Bota shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja e tyre shkakton skandal në familje dhe në shoqëri. Për sa kohë jeton në familjen e saj, duhet të vendosë për gjithçka babai, e kur të martohet, të vendosë burri. Kështu, ajo është një skllave, që duhet të lindë fëmijë të cilët do të bëhen përsëri viktimë e këtyre ligjeve të egra sunduese në shoqërinë shqiptare të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga këto ligje të egra, që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nis të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave, me protestën për të mos u mbuluar me ferexhe etj.
Autori pikërisht duke sjellë dështimin e kësaj përpjekjeje, i tregon lexuesit se s’mund kurrsesi që kjo të jetë zgjidhja. Ky motiv është ndoshta nga më realistët në roman. Jo ikja nga e keqja, po përplasja e lufta me të mund të sjellin ndryshime në ligjet dhe opinionin e egër e të prapambetur shoqëror. Dija është personazhi më i realizuar në roman, me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare. Personazhet e tjera si Shpendi, Irena, babai, njerka etj., janë më tepër skicime.
Proza e Stërmillit ka tiparet e një proze sentimentale me meditime të shumta e përshkrime të imta të vuajtjeve e të dashurisë, po edhe me shprehje moralizuese e deklarime retorike, të cilat i japin asaj ngjyra pak artificiale dhe mangësi në zbërthimin psikologjik të personazheve. Megjithatë, aty ka mjaft ndjenjë e dhembje të sinqertë, gjë që e tërheq lexuesin. Këto tipare lidhen, në radhë të parë me natyrën artistike të Stërmillit si shkrimtar sentimental. Po, duke qenë se ato ndihen edhe në disa prozatorë të tjerë të viteve 20′, 30′, si Postoli, Grameno, deri diku edhe te Spase etj., mund të themi se janë edhe tipare të prozës sonë ende të dobët, e cila në këtë kohë megjithëse përpiqet të trajtojë probleme shoqërore të rëndësishme të realitetit shqiptar, mbeti sentimentale.
Fragmente nga libri Hodha nji sy në faqen e parë dhe lexova: Më shkrepi ta shkruej jetën time. Ky mendim më leu tue i pa fotografitë e ndryshme që të përfytyrojnë xha Simonin qysh në kohën e fëmijnisë. Përse të mos e shkruej?
Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu ndodh edhe me jetën.
Mbasandej kapërceva disa faqe e këndova: Mbasandej kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djem e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kushedi se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkue bukurinë e shokut të vet jo gjini.
Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që tue kundrue mbas kafazit të dritares ose nëpërmjet të perces së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubëza vjeshash për ata që u kalojnë pranë, pa ditë se kanë plagosë randë disa zemra të strukura brenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm?
Oh,sa e sa sy vajzash, nga plasat e dyerve ose nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rinj me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, megjithëqe natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shumë se ata, i ka pajtue me ndjesitë e dashunisë. Pak ma andej, mbasi shfletova disa fletë, ndesha në këtë pjesë interesante: S’di se cfarë lidhje mund të mbetet në mes të dy bashkëshortëve kur futet ndërmjet tyne mënia në trajtë shamjeje e rrafjeje?
Grueja që poshtnohet me shamje të randa dhe rrifet, o duhet të jetë lopë që ti meritojë, ose të ketë interes apo frikë nga burri që nuk e këput atë lihej që i ka bashkue dikur formalisht e jo shpirtnisht, sepse jeta e përbashkët, në rasa e në kushte të tilla, bahet e padurueshme. Për ta shmangë cdo mosmarrveshje, për të pasë harmoni të vazhdueshme dhe për të ba nji familje të lumtun , ata që do të martohen përpara se ta bashkojnë fatin e jetës lypet të jenë njoftë, t’i kenë pajtue karakteret dhe ta kenë dashunue njeni-tjetrin. Përndryshe, s’bajnë tjetër vecse krijojnë nji ferr për me e torturue veten dhe për t’i përcëllue në flakët e tij edhe fëmijët që do t’u lejnë. /KultPlus.com
Nis funksionimi i plotë i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. Ky është institucioni i parë i kushtuar studimit të Diasporës më të vjetër shqiptare, atë të komunitetit arbëresh.
Pavarësisht kushteve të vështira të emergjencës, ka vijuar puna pa ndërprerje për vënien në funksion të plotë të kësaj qendre kërkimore-shkencore.
Krijimi i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) synon studimin dhe mbrojtjen e kësaj trashëgimie, përmes koordinimit të lidhjeve më të forta me këtë komunitet për të ruajtur nga asimilimi gjuhën dhe kulturën e arbëreshëve dhe për të promovuar arritjet kryesore të tyre.
Kjo qendër është krijuar në kuadër të strukturës shtetërore për diasporën shqiptare dhe do të jetë nën drejtimin e prof. dr. Diana Kastrati. Studiues të fushave të historisë, gjuhësisë, letërsisë, antropologjisë etj., do të kryejnë kërkime shkencore dhe do të merren me organizimin e aktiviteteve të cilat do të kenë si fokus komunitetin arbëresh. /Atsh /KultPlus.com