Rita Ora del vullnetare për Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë

Këngëtarja 29-vjeçare, Rita Ora dhe motra e saj, Elena, janë në mesin e personave që janë angazhuar si vullnetarë pranë Shërbimit Kombëtar Shëndetësor në Britani të Madhe.

Ato kanë ofruar ndihmën e tyre për personat në moshë dhe të tjerët në nevojë, në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit si dhe do të ndihmojnë në dërgimin e porosive, për të gjithë ata që nuk kanë mundësi t’i kryejnë vet këto shërbime elementare, transmeton KultPlus.

E ëma e këngëtares së famshme, Vera Ora, për revistën “Hello!” citohet të ketë thënë: “Ajo është shumë e vendosur që ta jap kontributin e saj. Rita dhe motra e saj e madhe, Elena, janë në mesin e 750.000 njerëzve që kanë aplikuar për të ndihmuar në parandalimin e kësaj sëmundjeje që po na vjen te dera, dhe po e sforcon Shërbimin Kombëtar Shëndetësor. Ato do të jenë në mesin e njerëzve që shpërndajnë pajisje mjekësore, mbledhin receta, i kontrollojnë të moshuarit dhe i telefonojnë njerëzit e vetmuar dhe të cenueshëm të komunitetit tone.”

Revista “Hello!” po ashtu ka bërë të ditur se, Vera Ora e cila me profesion është psikiatre, ka vendosur të rikthehet në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor për t’i ndihmuar pacientët me sëmundje mendore që të mos ekspozohen ndaj koronavirusit.

Edhe këngëtarja Ora, nuk ka hezituar ta lavdërojë nënë e saj për guximin që e ka shfaqur, me të vendosur të kthehet në vijën e parë të fronit dhe t’i shërbejë pacientëve të saj, në këtë kohë të pandemisë globale. / KultPlus.com

Poeti nga Kosova, pjesë e antologjisë poetike botërore

Inner Child Press International nga ShBA, para pak ditësh ka publikuar antologjinë poetike “World Healing World Peace 2020”.

Në këtë antologji ka kontribuar me një poezi edhe poeti nga Kosova Imer Topanica.

Poezia e tij: “Dashunisht po të thërras” (Come, I’m calling thee affectionately), e shkëputur nga përmbledhja ‘Tuftë Drite’ dhe e përkthyer mjeshtërisht nga profesori Visar Zeka, tashmë është bërë pjesë e antologjisë në fjalë.

Me poezitë e tyre, në këtë antologji, kanë marrë pjesë afro 300 autorë nga e gjithë bota. / Kosova.info / KultPlus.com

Mbi funksionin e intelektualit

Nga Arbër Ymeri

Shpesh kemi rastisur t’i dëgjojmë shprehjet: punë intelektuale apo qëndrim intelektual. Por në fakt a e dimë se cili është thelbi dhe kuptimi i këtyre shprehjeve? Intelektuali në shoqërinë të cilën ne jetojmë, por pothuajse edhe në shoqëritë më të gjera kuptohet si një individ që është i arsimuar dhe që qëndron në nivelin e atij që merret me teori, shkencë, kulturë, filozofi, letërsi etj. Por konteksti filozofik i shpjegimit të këtij nocioni por edhe i funksionit të tij është shumë më i gjerë dhe më i ndërlikuar.

Evropa mesjetare njihte më tepër klerikë se sa intelektual. Dihet që politika, institucionet e shoqërisë arti dhe letërsia morën vulën e teologjisë. Njerëzit e arsimuar në shumicën e tyre lidheshin me institucionet kishtare midis të cilave ishin edhe universitetet. Edhe kur ishin laik profesorët e universiteteve nuk përplaseshin me shërbyesit e pushtetit shpirtëror të njohur dhe të ngulitur. Por, ata të cilën u përplasen pësuan nga inkuizicioni. Kategoritë e ndryshme të inteligjencës bashkëkohore u krijuan dhe u reformuan me kohë. Gjykatësit dhe funksionaret vareshin nga monarkia, ndërsa dijetaret ishin të detyruar të luftonin kundër dijes që kishte konotacion dogmatik dhe në kundërshtim me këtë të mbronin të drejtën për studime dhe kërkime të lira.

            Pas periudhës së mesjetës dhe këtij zhvillimi të hovshëm të inteligjencës vjen koha edhe e iluminizmit si lëvizje  shoqërore dhe kulturore, që kishte për qëllim fundin e rendit feudal dhe zvogëlimin e influencës së religjionit ku në kundërshtim me këtë të mbizotëronte dija racionale dhe arsyeja të bëhej si gjykatësi kryesor i çdo gjëje. Pra afërsisht shekulli XVIII ishte koha kur termi intelektual u shfaq dhe pothuajse u bë pjesë e literaturës filozofike dhe shkencore. Kuptimi i këtij termi ka pak a shumë konotacion edhe historik. Kjo nuk nënkupton se nuk ka pasur intelektual edhe më herët, duke e analizuar kontekstin kësaj problematike ne mund të shkojmë qysh në antike dhe të gjejmë intelektualin e parë që është pikërisht Sokrati, që sot flitet jashtëzakonisht shumë për promovimin e filozofisë së tij.

Por në fakt kush është intelektual dhe cila është detyra e tij? Ky nocion sikurse edhe shumë nocione të tjera ka kuptime të ndryshme nga filozofë dhe mendimtarë të ndryshëm. Raymond Aron në veprën e tij “Opiumi i intelektualeve” theksonte se aftësimi që kërkohet për të marrë titullin intelektual rritet me shtimin e numrit të punonjëseve që nuk punojnë me krahë, pra rritet dora-dorës me zhvillimin e ekonomisë. Por në vendet e pazhvilluara çdo njëri i diplomuar quhet intelektual. Dhe në këtë rast përdorimi i këtij emri ka brenda një të vërtetë. Aron, merr një shembull këtu: Një djalë i ri i ardhur në Francë nga një vend arab dhe që kryen studimet e larta në shkollat franceze, për vendin e tij merr disa qëndrime dhe sjellje që janë tipike për njerëzit e arsimuar dhe të kulturuar. Kësisoj “fshatari” i diplomuar duket atje si një shkrimtar nga Perëndimi.

Aron thekson se marrëdhëniet e intelektualeve me klasat drejtuese varen njëherazi si nga të parët po ashtu edhe nga të dytët. Sa ma tepër duket se të parët qëndrojnë larg nga shqetësimet e atyre që qeverisin, administrojnë krijojnë pasuri, aq më tepër profesionistët e parasë shprehin përbuzje ndaj profesionistëve të fjalës. Sa më tepër duket se të privilegjuarit ngrenë krye ndaj kërkesave të ideve bashkëkohore dhe nuk janë të aftë të sigurojnë pushtetin e shoqërisë, ose përparimin ekonomik aq më tepër intelektualet janë të prirur ndaj kundërshtisë. Nderimi dhe emri i mirë që shoqëria ju krijon njerëzve të mendimit ndikon edhe mbi gjykimin që japin këta të fundit mbi njerëzit e praktikës.

Jean – Paul Sartre, një filozof tjetër gjithashtu francez, me prirje ekzistencialiste dhe refuzues i çmimit nobel, është i pakontestueshëm dhe shumë referencial në pikëpamjen e tij mbi funksionin e intelektualit. Sartre në veprën e tij “Situatat” në vitin 1965, duke e përkufizuar intelektualin në ekzistencën e tij shkruante: “tërësia e intelektualeve si një llojshmëri e njerëzve që kanë marrë famë në sajë të punimeve që mbështetën në inteligjencë, dhe që e keqpërdorin këtë famë për të dal jashtë fushës dhe për t’i kritikuar shoqëritë dhe strukturat sunduese”. Ai thekson se nuk mund të quhen intelektual shkencëtarët që punojnë në fisionin e atomit për t’i perfeksionuar armët bërthamore, ata janë vetëm shkencëtarë. Por, nëse po këta shkencëtarë, të frikësuar nga fuqia shkatërruese e armëve që i kanë zbuluar vetë, tubohen dhe e nënshkruajnë një manifest për të nxitur opinionin që t’i kundërvihet përdorimit të bombës atomike, atëherë bëhen intelektual. Pra intelektuali për Sartre-in është shkencëtari dhe dijetari që e kapërcen profesionin  dhe e keqpërdor famën e tij për t’i kontribuar shoqërisë.

Nga këto dy pikëvështrime besoj se u pa qartë se çfarë është intelektuali dhe cili duhet të jetë funksioni i tij. Të dalim pak nga rrafshi filozofik ne atë praktik për të dhënë një mendim lidhur me atë se a kemi ne intelektual në shoqërinë tonë dhe a kanë ndonjë rolë ata? Pa dyshim se e kaluara jonë, ka qenë e udhëhequr nga personalitete shumë emblematike me një bagazh jashtëzakonisht të gjerë të dijes dhe shkencës, ku kontributi i tyre ishte pothuajse vendimtar në lirimin dhe pavarësimin e vendit, mjafton këtu të përmenden ndër shumë të tjerë vetëm dy emra Fehmi Agani dhe Ukshin Hoti. Ku ky i dyti u kthye nga universiteti i Harvard – it në Krush për të dhënë kontributin e tij.

Arbër Ymeri – Ligjërues i filozofisë / KultPlus.com

Masandej erdhi virusi…

Nga Agim Morina

– Babë, çka asht kjo?
– Ah, kjo quhet bicikëll…
Ja, këtu dikur i vendosja kambët dhe u jepja me sa fuqi kisha.
Rrotat rrotulloheshin çmendunisht.
Dikur bashkë më shokë e shoqe e ngitnim të lirë
Nëpër rrugë të qytetit e nëpër fusha…
Masandej erdhi virusi…
U ngujuem dhe shtëpitë u kthyen në burgje.

– Çka asht burgu?
– Dikur njerëzit që thyenin ligjin dënoheshin dhe ngujoheshin në burgje.
Masandej erdhi virusi…
Tash burgu asht vend ku ngujohemi ne për me mbetë gjallë.
Ata që thyejnë ligjin tash dënohen me liri…
Dhe liria nuk asht aq e mirë sa thuhet.
Janë mite dhe legjenda.
Mos u beso!

– E aj qen atje pse shëtitet i lirë? Pse e kanë dënu?
– Ah, dikur edhe ne shëtitnim të lirë si qentë…
Edhe ne ishim të lirë.
Dhe liria nuk ishte dënim!
Masandej erdhi virusi…
Asht pak ma e ngatërrueme se kaq, për me ta shpjegu.
Sidoqoftë, diçka po të tregoj unë e diçka ke me mësu vetë.

– E këto pirgje çfarë janë?
– Ato janë pirgje tempujsh.
Dikur këtu kishte njerëz që mblidheshin e i luteshin një qenieje
E quenin zot, perëndi, hyj, krijues, i gjithëfuqishëm, i gjithëdijshëm.
Masandej erdhi virusi…

– Po ajo atje që shkëlqen, çka asht?
– Aj asht uji i lumit. Aty ka shumë ujë që rrjedh pandalshëm.
Dikur, si fëmijë, ne aty notonim e lundronim. Pa i pyetë peshqit.
Bile edhe peshkonim, zinim peshq!
Kishim harru që lumi u takonte peshqve.
E ne ua patëm marrë. Pa i pyetë.
Masandej erdhi virusi…
Dhe lumi iu kthy prap peshqve.

– Po këto çfarë janë?
– Këto janë degë pemësh ku rriten frutat.
Aty rriten mollat, dardhat, bananet.
Dikur i këputnim me duert tona dhe i hanim.
Masandej erdhi virusi…

– Po këta kush janë?
– Këta janë prindët e mi, vëllaznit, motrat.
Dikur jetonim bashkë. Duheshim. Përqafoheshim.
– Çka asht përqafimi?
– Ah, përqafim asht kur e mbërthen dikë brenda krahëve për me shprehë dashuninë…
– A mundem, pra, unë me të përqafu?
– Mos, bir, mos m’u afro! Rri larg, prapa xhamit!
Dikur përqafimi ishte dashuni.
Masandej erdhi virusi…
Dhe përqafimin u ba vdekje.

– Vdekje? Po vdekja çka asht?
– Vdekja asht bicikëll. E nget vetëm një herë…

– E kjo fushë e madhe e rrethueme çka asht?
– Ky asht stadium.
Dikur njerëzit këtu mblidheshin me dhjeta mija. Bashkë.
Klithnin nga zemërimi e bërtitnin nga gëzimi.
Jehonte gjithë qyteti nga jehona e tyne.
Masandej erdhi virusi.
Tash asht spital i madh. Dhe vdekjetore.

– E pse virusi qenka ba kaq i keq? A nuk paska pasë prind të mirë?
– Jo, biri im, virusi asht vetëm kasnec.
Tregon që na, njerëzit, mund të bahemi virusë ma të rrezikshëm të planetit.
Por, qysh e din tashma, asnjë virus nuk flet keq për veten.

Sidoqoftë, flej tash se u ba vonë.
Një ditë, shpresoj, do të bahet mirë.
Nuk e di.
Ndoshta virusi do të bahet njeri.
Dhe njeriu virus përsëri. / KultPlus.com

Lamtumira e fundit për Gëzim Krujën pa homazhe, shkodranët dalin në dritare për ta duartrokitur

Shkodra i ka dhënë lamtumirën e fundit, kolosit të humorit Gëzim Kruja. Në orën 12:00, kortezhi me trupin e pajetë të mjeshtrit të madh ka përshkuar rrugën që ai bënte çdo ditë me shokun e tij të pandarë biçikletën, duke u ndalur edhe para Teatrit Migjeni, në tempullin e artit dhe të kulturës.

Edhe pse ishte paralajmëruar që të mos kishte pjesëmarrje, nuk kanë qenë të paktë qytetarët e Shkodrës që kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore, si një shenje falënderimi për buzëqeshjet që u ka dhuruar me humorin e tij. Teksa trupi i tij i pajetë po linte shtëpi ku u rrit dhe jetoi, pati edhe duartrokitje, ndonëse në sfond më shumë se ato, u dëgjuan më shumë të qarat e të afërmve që po përcillnin Gëzim Krujën, për mos u kthyer më.

Gëzim Kruja u nda nga jeta një ditë më parë, pas një sëmundje që e kishte prekur para një viti. Gëzim Kruja, është një nga kolosët e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, duke u renditur me emra të tjerë të mëdhenj të kësaj estrade, si Besnik Cinari, Zyliha Miloti, Drande Xhaj dhe i madhi Zef Deda i cili qëndroi pranë tij deri në ditën e fundit të jetës.

Gëzim  Kruja, ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”. / KultPlus.com

Vdiq aktorja Shirley Douglas, nëna e yllit hollywoodian Kiefer Sutherland

Nëna e Kiefer Sutherlandit e cila ishte aktore, Shirley Douglas, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Djali i yllit të filmit “Lolita”, e ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shpjegoi se nëna e tij Shirley Douglas, vdiq nga pneumonia dhe jo nga koronavirusi, transmeton Koha.

Aktori Sitherland, i cili është i biri i aktorit po ashtu të njohur hollywoodian, Donald Sutherland, e përshkroi nënën e tij si një grua e jashtëzakonshme e cila e ka jetuar një jetë të jashtëzakonshme po ashtu.

“Në mëngjesin e sotëm nëna ime, Shirley Douglas, vdiq nga komplikimet e shkaktuara nga pneumonia, dhe gjendja e saj nuk kishte lidhje me COVID-19. Nëna ime ishte një grua e veçantë e cila e ka jetuar një jetë të jashtëzakonshme. Fatkeqësisht ajo kishte kohë që po luftonte me probleme shëndetësore, dhe të gjithë ne si familje po e prisnim vdekjen e saj të pashmangshme,” kishte shkruar aktori në mesazhin e tij të postuar në Twitter.

Përveç rolit në filmin e vitit 1988 të adaptuar nga romani i Stanley Kubrickut, “Lolita” dhe disa projekteve tjera kinematografike, Shirley Douglas po ashtu njihej si aktiviste kundër luftës në Vietnam, dhe betejës së saj rreth kujdesit shëndetësor publik.

Në vitin 2012 ajo u nderua nga Mbretëresha Elizabeta e Dytë, me medaljen “Diamond Jubilee Medal”.

Douglas ka lënë prapa djalin 53-vjeçar, Kiefer Sutherland, dhe motrën e tij binjake Rachel, të cilët i kishte nga martesa e saj 4-vjeçare me aktorin, Donald Sutherland, si dhe një djalë nga martesa e saj e parë, Thomas Emil Sicks.

Pasioni i yllit hollywoodian Kiefer Sutherland për aktrimin, kishte lindur nga nëna e tij. / KultPlus.com

Aktori Jay Benedict vdiq nga koronavirusi

Aktori 68-vjeçar, Jay Benedict, i cili e kishte portretizuar rolin e Russ Jordenit në filmin e vitit 1986, “Alien”, ka vdekur si pasojë e komplikimeve të shkaktuara nga COVID-19.

Lajmin e kanë konfirmuar menaxherët e tij.

Në një deklaratë për media, ata kishin shkruar: “Me pikëllim të thellë ju lajmërojmë se Jay Benedict vdiq më 4 prill, nga komplikimet e shkaktuara nga koronavirusi”.

Përveç rolit në filmin “Alien”, Benedict gjithashtu shquhet për paraqitjen e shkurtër në filmin hit të vitit 2012, “The Dark Knight Rises”, transmeton Koha.

Filmat e tij të fundit, “Madame” dhe “Hostile”, u lansuan në vitit 2017.

Përveç projekteve në gjuhën angleze, Benedict po ashtu ka luajtur në filma francez dhe spanjoll.

Jay Benedict e ka lënë prapa bashkëshorten, Phoebe Scholfield, dy djemtë e tyre Leopold dhe Freddie, si dhe vajzën e tij nga një lidhje e mëparshme. / KultPlus.com

Pas 2 ditësh në qiell do të shihni “Hënën e Trëndafiltë”

Ajo që njihet si Hëna Rozë apo Hëna e Trëndafiltë e Pashkëve pritet të jetë e dukshme më 8 prill.

Hëna e plotë do të arrijë pikun kur sfera hënore të vendoset direkt përballë diellit. Por, pavarësisht emrit të pazakontë, Hëna nuk do të marrë vërtet ngjyrën rozë. Ky emër e ka gjenezën në fiset indiane të Amerikës, që e përdornin emërtimin në fjalë për matjen e kohës.

“Hëna Rozë” i referohet një myshku, ose luleje të egër, që çel në këtë kohë të vitit. Amerikanët e parë e kanë përdorur emrin, ndër të tjera, për të treguar ndryshimet sezonale. Për shembull, “Fish Moon” shënon periudhën kur peshku noton në rrjedhën e sipërme për të hedhur vezët.

Sipas banorëve të Almanacit, fiset përgjatë bregut lindor të SHBA-ve e kanë emëruar në faza të ndryshme hënën, duke ndryshuar pamje bazuar në ndryshimet sezonale. Besohet se muaji rozë ka marrë emrin nga lloji i lules rozë që qel në fillim të pranverës.

“Hëna e plotë e prillit është e njohur si hëna e plotë rozë pasi paralajmëron ardhjen e myshkut rozë, një nga lulet e para të pranverës”, ka deklaruar Amy Nieskens nga Alamanac.

Hëna Rozë njihet edhe si Hëna e Shpërthimit të Barit dhe Hëna Vezë, në pjesë të ndryshme të planetit. Hëna Rozë, megjithatë, ka një rëndësi të veçantë sepse përkon me festa të ndryshme: Pashkët festohen të dielën e parë pas Hënës së plotë, e cila ndjek ekuinoksin e pranverës, popullsitë Hindu festojnë lindjen e Hanumanit në Indi në një festival të quajtur Hanuman Jayanti, hëna e plotë e prillit gjithashtu shënon fillimin e ditëve kur hebrenjtë kujtojnë çlirimin nga Zoti në Egjipt. / KultPlus.com

Në Brezovicë e Prevallë janë mbledhur grumbuj të njerëzve

Instituti i Shëndetësisë, ka bërë edhe një thirrje drejtuar qytetarëve të Kosovës, pas vdekjes së dy personave nga Koronavirusi.

IKPSHK, ka kërkuar nga qytetarët që t’i përmbahen rekomandimeve të tyre, dhe mos të dalin në grumbuj gjatë orëve të lira të lëvizjes.

Ata po ashtu kanë shprehur ngushëllime për familjarët e dy viktimave.
“Qytetarë!

Ju lutemi ti përmbaheni rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe mos dilni në grumbuj gjatë orëve të lira të lëvizjes sepse jeni duke rrezikuar veten dhe familjet e Juaja!

Sot edhe dy raste fatale me COVID-19!
Ngushëllime Familjeve! Ruani të moshuarit!
Në Evropë kanë vdekur më shumë se 50.000 njerëz!

Në Prishtinë, po vërehen dalje masive në orët e lira të lëvizjes.
Grumbuj të njerëzve që po rrezikojnë veten dhe të gjithëve!
Ju lutem kini kujdes se mund të shkaktoni shpërthim epidemik në kryeqytet!
Në Brezovicë e Prevallë janë mbledhur grumbuj të njerëzve!
Kjo është e rrezikshme!
Virusi nuk ka këmbë! Mos ia jepni këmbët ju! Ju lutemi!

Shikoni ju lutem valën epidemike në shtetet e Europës, veni gishtin në kokë dhe mendoni. Mos pengoni ekipet e Institutit me pyetje të cilat i keni mësuar tashmë nga rekomandimet e Instituti Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Na ndihmoni ta kryejmë punën sublime dhe mundohuni të zbatoni secili detyrën e juaj duke ruajtur shëndetin tuaj. Ju kemi lënë të pushoni dhe jo secili të marr detyrën e epidemiologut duke pyetur detaje, duke u munduar të rikonstruktojnë çdo vatër infeksioni, duke u zhytur në kurreshtjen e njohjes së çdo procedure të hulumtimit.
Pushoni dhe vetëm pushoni që të na lini të punojmë!
Ju gjendeni në shtëpitë e juaja me familiar. Ne akoma gjendemi në punë pa orar nga 15-20 orë! Për ju! E ju për ne:
JU LUTEMI QËNDRONI NË SHTËPI!”, thuhet në thirrjen e tyre./ KultPlus.com

“Kjo është jeta që ti e braktise që sa vite”

Nga Ilire Ahmeti

Ti që the nuk mundem

Ti që i the vetes e edhe të tjerëve, nuk mundem pa dalë,

Ti që e binde veten edhe të tjerët që nuk mundesh pa makiato,

Ti që harrove aromën e shtëpisë,

Ti që kthehesh mbrëmjeve në shtëpi,

Ti që vrapoje të dilje nga shtëpia pa të ndjekur askush,

Ti që mungoje në tryeza e në ditëlindje,

Ti që doje lirinë,

Ti që përbuze natyrën,

Ti që harrove të jetosh,

Ti që selfie me ushqim shkonte para se të shijoje atë ushqim,

Ti që kishe harruar të mbaje libër në dorë

Ti që përbuze mëngjeset,

Ti që përbuze kohën,

A u binde tashmë ku po jeton.

Kjo është jeta që ti e braktise qe sa vite

Këta jemi ne.

Kjo është forca e natyrës.

Struku në familjen tënde, mbaje ngrohtë shtëpinë tënde, vlerësoji shumë mëngjeset e mbrëmjen në shtëpi.

Çdo gjë është e mundur, kurrë mos thuaj kurrë.

Jeto shëndetshëm duaje jetën me detajet e saj.

Ndalo pak, qetësohu, toka po merr frymë.

Gjithçka do të shkojë mirë.

Mësoni diçka të re çdo ditë,

Gëzohu me një buzëqeshje,

Ruaje familjen si sytë./supergrate.net/ KultPlus.com

Sllovakia i ofron Kosovës një projekt për luftimin e koronavirusit

Zyra Ndërlidhëse e Republikës Sllovake në Prishtinë i ka ofruar administratës së Kosovës një projekt të dobishëm që synon ta luftojë kulmin e shpërthimit të virusit COVID-19.

Qëllimi i këtij projekti është të krijojë bazë të vullnetarëve si mjet për të ndihmuar në menaxhimin e mbështetjes për personelin mjekësor.

Ai lidh studentët e mjekësisë ose personat me përvojë mjekësore të gatshëm për të punuar si vullnetarë në spitale.

“Në Sllovaki, që nga lansimi javën e kaluar, më shumë se 800 vullnetarë mjekësorë, jo vetëm studentë të mjekësisë, dhe më shumë se 50 spitale janë bërë pjesë e platformës. Dhjetëra vullnetarë tashmë janë duke ndihmuar në spitalet Sllovake. Të gjithë jemi bashkë në këtë!”, thuhet në komunikatën e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës Sllovake në Prishtinë. / KultPlus.com

Arkeologët sllovakë zbulojnë thesarin prej 500 monedhash të argjendta

Arkeologët sllovakë kanë zbuluar një thesar me 500 monedha të argjendta që datojnë qysh nga viti 1702. Ishin të fshehura nën një dysheme të kishës. Zbulimi i rëndësishëm historik u bë pasi punëtorët e ndërtimit zbuluan rrënojat e një kishe të epokës së renesancës nën kishën e shekullit XIX që po rinovonin.

Ndërmarrja arkeologjike “Triglav” shkoi për të hetuar pasi që punëtorët e ndërtimit ranë në themelet e vjetra në kishën “Shën Martina” në Obishovce, në afërsi të qytetit Koshice në Sllovaki.

Ekspertët bënë zbulimin e paparë të thesarit në shkurt. Monedhat ishin të fshehura në një enë qeramike pa përshkrime që ishte fshehur nën një grumbull gurësh nën dyshemenë origjinale të kishës. Qypi ishte mbyllur po ashtu me një gur.

Shumica e monedhave u grumbulluan nga kompanitë e minierave lokale, dhe më e hershmja është vulosur më 1702, kur Sllovakia qeverisej nga Hungaria si pjesë e Perandorisë së Habsburgëve.

Disa ishin nga Polonia. Monedhat e argjendta ishin të mbështjella veçmas në një linjë dhe me gjasë u mblodhën si donacione nga pelegrinët.

Arkeologu Peter Shimqík, i cili ishte pjesë e ekipit punues, nuk ishte në gjendje të vlerësonte vlerën e gjetjes për shtypin vendor, por ka thënë që vlera e tij historike ishte “e jashtëzakonshme”. Pullat e minierave ishin një monedhë vendëse me vlerë të ulët që tregtohej për mallrat themelore, por Shimqík shpjegoi se minatorët gjithashtu shpesh i përdornin ato për bamirësi. / KultPlus.com

Lindsay Lohan i rikthehet muzikës me “Back to me”

Aktorja Lindsay Lohan, karriera premtuese filmike e së cilës është shkatërruar para një dekade, për shkak të një sërë skandalesh në jetën e saj personale përfshirë këtu edhe abuzimin me substancat narkotike, së fundmi e ka shënuar rikthimin e saj në skenën muzikore.

Paralajmërimin e këngës së re, Lohan e bëri përmes një postimi në rrjetet sociale ku kishte shkruar: “Jam rikthyer”, transmeton Koha. Ylli 33-vjeçar i filmit “Mean Girls”, po ashtu i ka ndarë me fansat e saj disa sekuenca nga karriera e saj e trazuar.

Kënga e re e Lohanit tashmë është publikuar në YouTube në versionin audio, dhe e mban titullin “Back to me”. Në tekstin e saj, këngëtarja i referohet jetës problematike edhe pse, “Back to me” vjen me shumë ritëm. Ende nuk dihet nëse së shpejti, kënga do të shoqërohet edhe me videoklip.

Lajmi për rikthimin e saj në muzikë, u bë trend i menjëhershëm në Twitter, megjithëse u prit me reagime të përziera.

“Më fal motër, por jemi në mes të një pandemie globale,” kishte shkruar një person duke iu referuar koronavirusit, sëmundje kjo e cila ka ndikuar në jetët e njerëzve anembanë botës si dhe i ka marrë më shumë se 69 mijë jetë.

Lindsay Lohan, dikur njëra prej aktoreve më të paguara në Hollywood, është regjistruar në gjashtë qendra të rehabilitimi ndërmjet viteve 2007 dhe 2013, si dhe disa herë ishte burgosur për arsye të ndryshme si, vjedhja, ngasja e veturës në gjende të dehur dhe posedimi i drogave. Viteve të fundit, aktorja dhe këngëtarja kishte jetuar në vende të ndryshme si: Londra, Dubai dhe Greqia.

Edhe pse më shumë njihet si aktore, në vitin 2008 Lohan e kishte lansuar këngën e saj të fundit të titulluar “Bossy”.

Në vitin 2019, ajo e lansoi shoun televiziv në MTV me titull, “Lohan Beach Club”, i cili i shfaqte përpjekjet e saj për ta krijuar një klub të natës dhe një restorant në Greqi. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B-Z2tFVhvAh/
https://www.instagram.com/p/B-iQ2wIhkLf/

Pëllumbat ”banorët” e vetëm të shesheve simbolike

Për shkak të mbylljes së njerëzve si pasojë e pandemisë së koronavirusit – COVID-19, sheshet simbolike të Stambollit si Taksim, Eyupsultan, Ortakoy dhe sheshi i Xhamisë së Re në Eminonu, u kanë mbetur vetëm pëllumbat.

Qytetarët i kanë lënë sheshet të boshatisura për të respektuar masat kundër pandemisë.

Këto sheshe, ku zakonisht njerëzit ushqejnë pëllumbat, tashmë janë përfshirë nga qetësia për shkak të pandemisë.

Ndërkaq, disa ende vazhdojnë të kujdesen për këta shpendë duke u hedhur ushqim./ atsh/ KultPlus.com

Mjekja shqiptare në Itali: Besoj se jeta do të triumfojë, ndaj vendosa të shërbej në vendin fqinj

Mjekja Ornela Gelaj beson se jeta do të triumfojë, ndaj vendosi ti bashkohej ekipit mjekësor shqiptar për të dhënë kontributin në Itali.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar arsyen pse mjekja shqiptare vendosi të japë  kontributin e saj në spitalin e Breshias.

Ornela Gelaj thotë se beson se jeta do të triumfojë ndaj edhe vendosi t’i bashkohej ekipit të mjekëve italianë në vijën e parë të përballjes me COVID-19.

“Unë besoj se jeta do të triumfojë, ndaj pranova menjëherë t’i bashkohem ekipit të mjekëve italianë në vijën e parë të përballjes me COVID-19. Pavarësisht vështirësive, këtu mbizotëron fryma pozitive dhe do t’ia dalim për ta përballuar këtë situatë” -thotë doktoreshë Ornela Gelaj,  pjesë e ekipit shqiptar që sot luftojnë në vijën e parë të luftës në spitalin civil të Breshias në Itali. /a.a/ KultPlus.com

Kur opozita shqiptare e kryesuar nga Gurakuqi dhe Fan Noli propozonin një tjetër kryeqytet për Shqipërinë

Nga Aurenc Bebja

“Le Siècle” ka botuar, të premten e 23 majit 1924, në ballinë, një shkrim në lidhje me debatin e shkaktuar asokohe nga opozita shqiptare për zgjedhjen e kryeqytetit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 Lufta për kryeqytetin

 “Shqiptarët që, dje, disa pretendonin një mbret dhe të tjerët një Republikë, tani po debatojnë për zgjedhjen e kryeqytetit të tyre.

 Njëzet e gjashtë deputetë të kryesuar nga Gurakuqi, kreu i opozitës, dhe peshkopi Fan Noli nuk e duan më Tiranën, por Shkodrën si kryeqytetin e tyre

 Dhe ja një lloj i ri i krize politike në vendin e ish-princ Vidit, një krizë për kryeqytetin !”

https://ëëë.darsiani.com/la-gazette/le-siecle-1924-njezet-e-gjashte-deputete-te-kryesuar-nga-gurakuqi-kreu-i-opozites-dhe-peshkopi-fan-noli-nuk-e-duan-me-tiranen-kryeqytet-ja-propozimi-i-tyre-i-ri/

Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” së shpejti fillon me transmetimin e shfaqjeve LIVE



Pas situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, ku e gjithë bota ka pauzuar, gjatë muajit prill Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” do të fillojë me transmetimin e shfaqjeve në mënyrë virtuale. Shfaqjet do të transmetohen LIVE përmes platformës Facebook.

“Për vite me radhë, pa hezitim e pa kushte, ju keni ardhur në shtëpinë tonë të shenjtë, Teatrin. Së bashku kemi shijuar shfaqje madhështore, kemi qeshur me komeditë e kemi qarë me tragjeditë. Tani është radha jonë të vijmë në shtëpitë tuaja”.

“Teatri nuk është ndalur kurrë, nuk ndalet sot, e as nuk do të ndalet në të ardhmen, prandaj kjo është më e pakta që mund të bëjmë për ju që keni qenë bashkudhëtarë të rrugëtimit tonë. Si i gjallë që është teatri, do të na mungojnë duartrokitjet tuaja, por të jeni të sigurt se do t’i ndjejmë ato”, thuhet në komunikatën për media.

Shfaqjet të cilat do të transmetohen LIVE gjatë këtij muaji janë: “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Armiku i Popullit”, dhe “Mbledhje në Parlament”.

Për datën dhe orarin e transmetimeve do të njoftoheni me kohë. / KultPlus.com


Pandemia e COVID-19 shtyn evenimentin veror Kala Festival për në shtator

Pandemia e COVID-19 nuk mund të ndal organizimin e Kala Festival një ndër aktivitetet më madhore që përjeton bregdetit i mrekullueshëm i jugut ku qindra të rinj të huaj dhe shqiptarë shijojnë aventurën verore mes riteve të muzikës dhe mrekullive të peizazhit që ofron Riviera shqiptare.

Organizatorët e Kala Festival kanë lajmëruar shtyrjen e këtij eventi i cili do zhvillohet më 9-16 shtator, ndërsa për të interesuarit që duan të shijojnë këtë festival prenotimet e biletave shtyhen deri në 12 qershor.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi i cili shprehet se, “pandemia nuk na pengon të zhvillojmë aktivitetet, tashmë të kthyera në traditë. Organizatorët e Kala Festival lajmërojnë shtyrjen e datës së evenimenti i cili do të zhvillohet më 9-16 shtator 2020, ndërsa prenotimet e biletave shtyhen deri më 12 qershor. Ky vendim është marrë, pasi është biseduar me autoritet e linjave ajërore si dhe është dakortësuar me artistët”.

Ky festival, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë. Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë.

Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij zhvillohen dhe ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare.

Në 2019 në këtë festival morën pjesë 5 mijë të rinj, jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga Zelanda e Re, Australia, Amerika. / atsh / KultPlus.com

“E mallkoj atë ditë jetime, kur të mori të largojë” (VIDEO)

TNT është një nga grupet më emblematike të viteve të 90′ ta në vend, shkruan KultPlus.com

Një numër i madh i këngëve të këtij grupi janë shëndrruar në hite të pavdekshme, të cilat dëgjohen edhe sot e kësaj dite.

“E mallkoj atë ditë jetime”, është një nga këngët e tyre të realizuara që ka mbetur si ikonë artistike. KultPlus këtu ju sjell tekstin si dhe videon e kësaj kënge.

C’eshte kjo rruge , e pafund
Sa premtimet qe mi dhe
Ku je ti , ku je fsheh
Me kujtime , n’bes m’ke pre

Ref.(x2)
E mallkoj ate dite jetime
Kur te mori te largoj
Tash po tretem n’got rakije
Mos kujto kaq lehte st’harroj

…..

C’eshte kjo rruge , fund nuk ka
Per ty thon nuk je më
…………………..
Ku je tret , ku je tret
Dua t’qaj por nuk kam zë

Ref.
E mallkoj ate dite jetime
Kur te mori te largoj
Tash po tretem n’got rakije
Mos kujto kaq lehte st’harroj.

Universiteti i Prishtinës hap faqe psikoedukuese për shëndetin mendor gjatë pandemisë


Departamenti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, së bashku me studentët e programit master “Psikologji Shkollore dhe Këshillim”, sot, në kuadër të ueb faqes së UP-së kanë lansuar faqen shendetimendor.uni-pr.edu.

Faqja synon të ofrojë video psikoedukuese për shëndetin mendor dhe ruajtjen e tij gjatë pandemisë COVID-19.

“Situata e fundit e krijuar me pandeminë COVID-19 dhe masat e marra si kufizimi i lëvizjes, mungesa e kontakteve sociale, ndryshimi i rutinës ditore dhe frika nga e panjohura, mund të shkaktojnë potencialisht parehati të përgjithshme, që mund të manifestohet me stres dhe ankth me intensitet të ndryshëm tek qytetarët. Departamenti i Psikologjisë në bashkëpunim me studentët ideuan dhe realizuan një faqe praktike dhe të thjeshtë, ku qytetarët mund të marrin informata praktike përmes videove psikoedukuese për gjendjet e caktuara të shëndetit mendor si stresi apo ankthi dhe në të njëjtën kohë të informohen se si mund të ballafaqohen me ato në kushte shtëpie. Intervenimet e rekomanduara janë të bazuara në evidencë shkencore se kanë ndikim pozitiv në uljen e intensitetit të ankthit, stresit dhe gjendjeve të tjera të shëndetit mendor, që mund të vështirësojnë funksionimin e përditshëm të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Sipas njoftimit, faqja është e konceptuar me seanca.

“Në seancën e parë trajtohet stresi, në të dytën ankthi dhe në të tretën mendimet brengosëse. Për momentin, aktive është vetëm seanca e pare, ndërsa seanca e dytë dhe e tretë do të aktivizohen brenda javës së ardhshme. Secila seancë ka informata për gjendjet e caktuara dhe rekomandimet për ushtrime, se si mund të zbutet intensiteti i këtyre gjendjeve të shëndetit mendor. Gjatë javëve në vijim planifikohen që të shtohet edhe një seancë specifike për familje dhe fëmijë”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje njoftohet se projekti i realizuar i përgjigjet nevojave të shëndetit mendor publik.

“Adresimi i nevojave të shëndetit mendor në këtë periudhë, ku secili qytetar ndihet jashtë zonës së komfortit është shumë e rëndësishme. Po ashtu, projekti i realizuar teston ofrimin e shërbimeve online. Situata e krijuar ka sfiduar profesionet e shëndetit mendor, pasi ato janë kryesisht të varura nga ofrimi të shërbimeve ndaj personit. Universiteti i Prishtinës, së bashku me stafin dhe studentët, mbetet i përkushtuar të ndihmojë qytetarët në ruajtjen e shëndetit të vet, familjes dhe me këtë të kontribuojë në shëndetin e komunitetit në përgjithësi. Kostot përcjellëse të realizimit të projektit janë mundësuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Kuvendi Komunal i Prizrenit”, njofton UP. Koha.net / KultPlus.com

Zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut paraqitet vullnetar për ta kryer detyrën e mjekut

Zëvendëskryeministri nga radhët e shqiptarëve Bujar Osmani, është paraqitur vullnetarisht për ta kryer rolin e mjekut, për të i’u dal në ndihmë qytetarëve në përballje me koronavirusin.

“Sot u paraqita si vullnetar për të kryer detyrën e mjekut ku do që Ministria do të vlerëson se ka nevojë për personel shtesë mjeksor në cilin do skaj të vendit. Tani është koha kur veshen uniformat “.

Autodafë

Gjysmë shekulli pas mbytjes së planetit,
Kthehem te shokët, si i dalë nga varri; 
I huaj në atdhe. Si peshqit jashtë detit 
Përpëliten njerëzit: mbeturinat e tiranit.

Në gjyq para kohës: zjarri dhe hiri, 
I kërkojnë njëri-tjetrit llogaritë e fajit.
Zbuloj në vatër, duke i fryrë çdo kongjilli
Gjyqin e fundit që i bëhet njerëzimit: 
Përse u rrëzua kështjellë e ustait? 

Duke ia shoshitur miellin mullirit 
Duke e ndarë vajin nga zhumarja e ullirit,
Duke kulluar dyllin që i shkriu qiririt
Duke ia mjekuar pagët fakirit,
Kërkoj fytyrën e pastër të idealit,
Gjurmët e nderit, në flakët e zjarrit,
Në besën e thjeshtë të motrës e vëllait.

E shoh mjegulluar si hënë nëpër re
Nusen e bukur që po vjen stolisur, 
Që frymëzoi ringjallja e besimit,


Besa në Zotin që ndërtoi qytetërimin

Për një strukturë të një bote të re
Nga hiri i botës së vjetër bitisur
Ringjallja e fortë e idesë prej mitit
Për shekull të ri që duhet krijuar

Të këndojë një këngë, që kurrë s’qe kënduar.

Një këngë epopeje, si në kohët e arit
Që kurrë s’guxoi një gojë këngëtori,
As në pagëzime as në shkallë të altarit,
As në vijat e para të zjarrit,
As në vatrën e thjeshtë të arbërorit.

Isuf LUZAJ “Përtej së Mirës dhe së Ligës” f.121/KultPlus.com

Mbretëresha Elizabeth bën thirrje për unitet gjatë pandemisë

Mbretëresha Elizabeth II ka bërë në fjalim të rrallë sot ku ka folur rreth përhapjes së pandemisë COVID-19.

Ajo ka thënë se së bashku mund ta tejkalojmë këtë sëmundje, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.

“Së bashku ne po e luftojmë këtë sëmundje dhe unë dua t’ju siguroj se nëse mbetemi të bashkuar dhe të vendosur; atëherë do ta kapërcejmë atë”.

“Shpresoj që në vitet në vijim të gjithë do të jenë në gjendje të krenohen me mënyrën se si iu përgjigjën kësaj sfide”.

Elizabeth II e ka përfunduar fjalimin e saj duke thënë se ditë të mirë janë përpara.

“Derisa mund të kemi akoma për t’u ballafaquar, ne mund të ngushëllohemi se ditët më të mira do të kthehen. Në do të jemi përsëri me miqtë tanë. Do të jemi përsëri me familjet tona. Do ta takohemi përsëri”. Klan Kosova / KultPlus.com

Carl Gustav Jung: Njeriu ka nevojë për vështirësitë, ato janë të domosdoshme për shëndetin

– Çdo gjë që na irriton tek të tjerët, mund të na shpjerë drejt kuptimit të vetvetes

– Edhe një jetë e lumtur nuk mund të ketë një masë errësire, dhe fjala “e lumtur” do ta humbte kuptimin, nëse nuk do të ekuilibrohej prej trishtimit. Eshtë shumë më mirë që t’i marrësh gjërat ashtu si vijnë, me durim dhe gjakftohtësi

– Ne nuk mund të ndryshojmë asgjë, deri kur e pranojmë atë. Dënimi nuk çliron, ai vetëm shtyp

– Kush sheh jashtë, ëndërron; kush sheh brenda, zgjohet

– Lavjerrësi i mendjes luhatet mes arsyes dhe mosarsyes, jo mes të drejtës dhe të gabuarës

– Një grua veçanërisht e bukur, është një burim terrori. Si rregull, një grua e bukur është një zhgënjim i tmerrshëm

– Në të gjithë kaosin ka një kozmos, në të gjithë mungesën e rendit, ka në fakt një rend të fshehtë të gjërave

– Krijimi i diçkaje të re nuk arrihet përmes intelektit, por përmes instiktit, që vepron nga nevoja e brendshme. Mendja krijuese luan me objektet që do

– Takimi i dy personaliteteve është si kontakti mes dy substancave kimike: nëse ka një reaksion, të dy ata ndryshojnë

– Një burrë që nuk ka kaluar nëpër ferrin e pasioneve të tij, nuk i ka kapërcyer asnjëherë ata

– Njeriu i shëndoshë nuk i torturon të tjerët – zakonisht janë pikërisht të torturuarit, që torturojnë

– Çdo formë varësie është e keqe, qoftë kjo varësi nga alkooli, droga, apo idealizmi

– Fëmijët edukohen nga ajo që i rrituri është, dhe jo nga ajo që thotë

– Ne nuk duhet të pretendojmë që ta njohim botën vetëm përmes intelektit. Gjykimi i intelektit është vetëm pjesërisht i vërtetë

– Njeriu ka nevojë për vështirësitë; ato janë të domosdoshme për shëndetin

– Gjithçka varet nga mënyra si ne i shohim gjërat, dhe jo si ato janë

– Neuroza është gjithmonë një zëvendësuese për vuajtjet legjitime

– Të gjithë veprat e njeriut e kanë origjinën tek fantazia krijuese. Atëherë, c’të drejtë kemi ne që të zhvlerësojmë imagjinatën?

– Tkurrja prej vdekjes është dicka e pashëndetshme dhe jonormale, që na rrëmben neve qëllimin e pjesës së dytë të jetës.

– Carl Gustav Jung