Sikur dielli ka riskun e shpëtimit

Poezi nga Ajne Iberhysaj

Në fushën e vetmisë shuan dëshpërimin
Ditët i mbështjelli me fragmente jete
Godet shpirtin me copëza vale
E trishtë dita si peng vjen nata
Nga gjithçka që ke
Ngjan me qelqin e kristaltë.

Dielli sikur e ka riskun e shpëtimtarit
Nga laborator doli një zë përbindësh
E pushtoi botën me egon e virusit
Nga degët ranë edhe lulet e mollës
Ditët u shkrin e u ngatërruan stinët.

Teatri hapi dyert e aktorët qeshën
Toka e Renesancës me partitura loti
Bota ndryshoi peizazhin e zemrës
Ëndrra shtetesh u thyen si pasqyrë
Simfoni kumbuese jete a vdekje
Përballë ke dy fronte
Panik e mesazhe shprese.

Dielli i marsit kallë shpirtin e ndalë vrullin
Lidh traktat me veten e rri në shtëpi
Heshtje e zbrazëti
Dëgjon aty këtu ndonjë zë zogu mekur
Mos valle edhe këta
I ka kapluar kjo pandemi.

Heshtja flet me vargun e murit
Kalkulime e arritjesh ranë e fjetën
Mbretëreshe kohe e kurorë jete
Higjiena e duarve klithmë e vetme.

Sa shumë veten e paskemi gënjyer
Shpresa nuk ka kujtesë por vetëm lutje
Sa çudi edhe shekujt ranë n’ujdi
Sa larg e afër e ndiej shijen e mesjetës
E shenjtë fjalë capitet me frymën e vargut
Më vret shpirtin e thyhet si qelq
Në atë diell e shoh riskun e shpresës
U kryqëzua jeta me hire apo rastësi
Me ecejaket e dhimbjeve të mesjetës …

Letra e nënës me dy fëmijë autik: Shpresoj që një ditë të më thërrasin ‘mami’, kjo është dëshira ime më e madhe’

Sot në Ditën Botërore të Autizmit, KultPlus ju sjell një letër që një nënë me dy fëmijë autik, i ka dërguar një sponsori jashtë Shqipërisë.

Ajo ka dy fëmijë, një vajzë 5 dhe një djalë 9 vjeç, të dy autik. Korrespondenca dërgohet përmes një organizate ndërkombëtare që punon në Shqipëri. Pasi përkthehet në anglisht, letra origjinale në shqip, i futet në zarf, bashkë me përkthimin, transmeton KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të kësaj nënë, një letër plot emocion që përlot secilin që e lexon.

”Përshëndetje mik i dashur!
Unë që po të shkruaj jam mamaja e L.

Sot mora dhuratën që ju më keni dërguar. Ju faleminderit shumë dhe Zoti jua shpërbleftë në jetën tuaj, në familjen tuaj! Jam shumë e lumtur që dikush e vuri dorën në zemër për fëmijët e mi. Në botën ku jetojmë, janë të pakët njerëzit që të ndihmojnë dhe ju jeni një pjesë e tyre.

Shuma që më keni dërguar më plotëson shumë nevoja ushqimore për një periudhë të madhe kohe; oriz, makarona, vaj, çokokrem, miell etj, ushqime që fëmijët e mi i përdorin shumë, sidomos salçiçet të cilat vajza ime L. i do shumë. I pëlqejnë jashtë mase. Në këtë kohë, isha vërtet shumë keq nga gjendja ekonomike, pasi unë nuk punoj. Kujdesem për L. që është 5 vjeçe dhe për vëllain e saj A. i cili ka të njëjtën sëmundje ashtu si të sajën, autizëm, dhe unë jam njeriu i vetëm që mund të kujdesem për ta. Burri shkon emigrant herë pas here dhe me ato pak lekë që ai fiton paguajmë qiranë, ujin, dritat, shkollën dhe të tjera. Por jetesa është shumë e vështirë, sidomos kur ke dy fëmijë me problem shëndetësore pasi nevojat, dëshirat, dhe kërkesat e tyre janë të veçanta, janë të ndryshme nga tonat ose nga ato të bashkëmoshatarëve të tyre. Unë nuk di si t’ju falënderoj apo t’ua shpërblej në një farë mënyre, sepse ushqimi është gjëja kryesore që i duhet një familjeje për të jetuar.

Dua t’ju flas pak për L. Ajo është një vajzë e ëmbël. I pëlqejnë shumë lodrat, sidomos kur kanë muzikë. I pëlqejnë këngët dhe mundohet, me atë zërin e saj, të këndojë dhe të bëjë melodinë, edhe pse fjalët nuk I kuptohen. Por e do shumë muzikën. Pastaj vjen një çast kur ajo ka frikë, trembet dhe qan. Kjo është pjesë e sëmundjes… I pëlqen të vishet, të shihet para pasqyrës. Gjithmonë vesh rrobat e mia dhe kërcen para pasqyrës, shkon në kopsht. Atje ka një ndihmës edukatore që e ndihmon; punojnë me figura, me ngjyra, bëjnë logopedi, ergoterapi, të cilat ajo I ka të nevojshme pasi këto janë ilaçi i vetëm që ajo të mund të flasë dhe të kuptojë një ditë. Kam shpresë se Zoti do më kujtojë një ditë dhe fëmijët e mi do të shërohen.

Nuk ka gjë më të rëndë për një nënë sesa të shohë fëmijët e saj që nuk luajnë, nuk dalin, nuk shoqërohen me të tjerë, nuk flasin me bashkëmoshatarët e tyre. Të pikon në shpirt kur dikush tallet apo e vë në lojë fëmijën tënd, qeshin me belbëzimet e saj… Sepse L. belbëzon gjatë gjithë kohës; kur ha, kur shkon të flejë, kur luan, kur shkon në kopsht, dhe disa qeshin me të. Sikur të ishte si ata, a do ta tallnin vallë? E shikojnë me një sy sikur nuk kanë parë fëmijë të tillë dhe unë mbushem me lot, por I mbaj. Shkoj në shtëpi dhe shpërthej në të qarë.

Por e di? Tani u mësova pak a shumë, nuk më bëjnë më përshtypje fjalët e të tjerëve. Ata janë fëmijët e mi, I dua ashtu siç janë. Do doja të ishin me mirë, por prapë jam e lumtur sepse mund të ishin edhe më keq. Ata ecin vetë, dëgjojnë, shikojnë. Djali ka filluar të flasë. Është 9 vjeç dhe shkon në klasë të dytë. Edhe A. ndjek të njëjtën terapi me motrën e tij.

Shpresoj që një ditë edhe L. të më thërrasë “mami”. Kjo është dëshira ime më e madhe sepse, edhe pse jam bërë nënë me dy fëmijë, nuk e ndjej veten plotësisht nënë. E ndjej si mësuese, edukatore, terapiste, shërbëtore, doktoreshë… E ndjej veten gjithçka, por jo plotësisht nënë sepse fëmijët e mi nuk më flasin për botën e lodrave, për grindjet me shokët, për dëshirat e tyre. Nuk falin dhe as marrin emocione. Jam bërë specialiste e kësaj sëmundjeje sepse ajo ka vite që ka hyrë në familjen time.

Por prapë jam e lumtur…fëmijët e mi janë të bukur si yje. I lutem Zotit çdo natë që të bëjë një mrekulli dhe jam e sigurt që do ta bëjë. Dhe bëhem akoma më e lumtur kur dikush tjetër, ashtu si ju, e vë dorën në zemër për L. Dita bëhet më e bukur. E kam të nevojshme këtë sepse çdo ditë kam të bëj me një situatë familjare jo të këndshme…duhet të jem çdo ditë energjike sepse nga unë varet e ardhmja e fëmijëve të mi.

Më fal se u zgjata pak si shumë, por e kisha të nevojshme të shprehesha diku dhe ku mund të gjeja njeri më të mirë se ti për të folur për L.? Edhe njëherë faleminderit nga zemra. L. dhe A. do të të përqafonin fort sikur të të kishin parë. Ata nuk e kuptojnë atë që u keni dërguar, por kur të hanë salçiçe, do t’u them që na I ka dërguar një mik, nga larg.

Të përshëndes dhe të uroj gjithë të mirat e kësaj bote”. / KultPlus.com

Ndërron jetë legjenda e muzikës jazz

Ka ndërruar jetë legjenda e muzikës ‘Jazz’, Ellis Marsalis Jr. Vdekja e tij erdhi nga komplikimet e krijuara nga koronavirusi. Legjenda e New Orleansit vdiq në moshën 85 vjeçare, ka treguar djali i tij për “New York Times”.

“Ellis Marsalis ishe një legjendë. Ai ishte një mësues, një baba dhe një ikonë. Fjalët janë të pamjaftueshme për të përshkruar artin, gëzimin dhe bukurinë që ai ka shfaqur për botën”, tha në një deklaratë kryetari i bashkisë së New Orleansit të mërkurën në darkë. / KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Autizmit

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.

Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore. Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.

Rezoluta për Ditën Botërore të Autizmit përmban: (1) vendosjen e 2 prillit si Dita Botërore e Autizmit, (2) pjesëmarrjen e shteteve anëtare të OKB-së, (3) rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë, (4) shpërndarjen e këtij mesazhi në të gjitha organet e tjera të OKB.

Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Këto shenja në shumicën e rasteve fillojnë përpara se fëmija të bëhet tre vjeç. Megjithëse shumë fëmijë autikë nuk mund të jetojnë të pavarur në moshë të rritur, shumë prejt tyre ia dalin me sukses në këtë aspekt. Tashmë është zhvilluar një kulturë, e cila synon që autizmi të konsiderohet si një ndryshim dhe jo çrregullim. / KultPlus.com

Shkencëtari francez i bindur: Covid-19 vetëm një virus i radhës

Në mesin e epidemisë së COVID-19 , mjeku antikonformist nga Marseja nxjerr librin e tij: “Epidemitë, rreziku i vërtetë dhe lajmet e rreme”.

Didier Raoult , risjell historinë e koronavirusit, gjithashtu dhe polemikat aktuale mbi kërkesën e tij për përdorimin e ilaçit Chloroquine.

Profesorit marsejez, Didier Raoult, të cilit iu desh kohë të dëgjohej në nivel kombëtar, për përdorimin e ilacit kundër malaries ‘Choloroquine’ kundër koronavirusit të ri, tashmë zgjidhja e tij kundër COVID-19 është në vëmendjen dhe diskuret e shumë shteteve përshi linjën zyrtare të Parisit.

Në një libër që del në shitje këtë javë, mjeku kontrovers që drejton Repartin e Infektologjisë në Spitalin La Timone të Marsejës, bën një përditësim të gjithë situatës mbi pandeminë.

Ai merr rolin e tij prej mësuesi për të na shpjeguar, se çfarë është koronavirusi, dhe në çfarë na shqetëson, gjithashtu. Në librin e tij, ai ka shpjeguar qëndrimet e tij edhe mbi kolerën dhe tifon.

Ai mundohet të shpjegojë, përse qasja që ai ka kundër koronavirusit nuk është konsideruar nga autoriteti shëndetësor publik. Dhe në fund, ai bën një qasje filozofike dhe kuazi-politike të shoqërisë, ashtu si e tregon në titullin e librit ‘Le Vrais Danger – Rreziku i vërtetë’ dhe ‘Fausses Alertes -Paralajmërimet e rreme’ që çorodisin realitetin .

Mbi ilaçin kundër malaries ‘CHLOROQUINE’

Le të kujtojmë që megjithë këto ‘dramat’ e njëpasnjëshme, rreth virusit të ri respirator, vdekshmëria nga infeksionet respiratore ka ardhur gjithmonë duke u ulur.

Nga të dhënat që kemi, infeksionet respiratore bakterologjike ose virale, para 30 vjetësh kanë qenë shkaku i vdekjes së 4.5 milionë njerëzve në vit, aktualisht ato vrasin rreth 2.6 milionë njerëz në një vit.

Kjo ulje spektakolare e numrit të vdekjeve në një vit, vjen si pasojë e përmirësimit të higjenës, apo përdorimit të antibiotikëve që zvogëlojnë rrezikun e infeksioneve vdekjeprurëse. Por edhe për shkak të vaksinës së Pneoumokokut tek fëmijë e vegjël, që mbron gjithashtu edhe më të moshuarit. Dramat suksesive të viruseve, janë shoqëruar me rritje dramatike te jetëgjatësisë.

Shpejtësia e reagimit të kinezëve në menaxhimin e epidemisë ishte mahnitëse. Në veçanti zhvillimi i molekulave anti-Inflamatore. Ata mundën të tregojnë që CHLOROQUINE, ilaci më i rekomanduar në botë, të ishte trajtimi dhe parandalimi më i mirë kundër koronavirusit. Fakt ky që e bën koronavirusin, një infeksion respirator nga më të thjeshtët për t’u parandaluar dhe për t’u trajtuar.

Koronavirusi kinez

Koronavirusi kinez, u shfaq për herë ta parë ne Wuhan, ku u shfaq një epidemi pneumonie. Do rikthehemi në strategjinë e sjelljeve të kinezëve që nga epidemia e SARS-it, që u mundësoi atyre të zbulojnë virusin korona, të testojnë ndjeshmërinë e tij ndaj anti-inflamatorëve dhe të zbatojnë teknika diagnostikimi në kohë rekord.

Në çdo rast ku ka pasur treg ku shiten të gjitha kafshët që janë të destinuara për konsum, në të cilat bëjnë pjesë dhe lakuriqët , jane shfaqur pneumoni, prej të cilave disa të rënda, ndonjëherë dhe vdekjeprurëse, në veçanti tek moshat e vjetra, dhe tek njerëzit me patologji të tjera.

Përshkrimi histerik i këtij virusi nga Kina, siç e dimë me një numër të lartë të vdekshmërisë në fillimet e tij, shkaktoi një histeri në të gjithë botën, por numri i të vdekurve në raport me të prekurit do të ulej në ditët në vijim. Është fenomen i përgjithshëm.

Vdekshmëria e lartë e shfaqur fillimisht, është si rezultat i testimeve të rasteve të rënda në fillim. Duke testuar vetëm rastet e rënda në fillim, numri i vdekjeve është i lartë, por duke u zgjeruar testimi në masë, numri i vdekjeve ulet.

Në janar të vitit 2020, vetëm Kina kishte të vdekur nga koronavirusi dhe specifikisht Wuhan-i ishte me një përqindje vdekshmërie 5.6% të të prekurve kurse pjesa tjetër e Kinës 0.5%. ǒka do të thotë që do të arrijë me shumë mundësi shifrat e gripit normal me vdekshmëri në 0.1%.

Për sa i përket përhapjes, është caktuar nga numri i njerëve të infektuar. E sigurisht , kjo mënyrë e shpjegimit të përhapjes nuk është e arsyeshme. Është një mënyrë e shpjeguarit në matematikë te fenomeneve shumë komplekse, gjë e cila nuk është qartësuese.

Nga shkaqet e përcjelles të sëmundjes, janë njerëzit. Por njerëzit nuk e përhapin sëmundjen njëlloj. Disa prej njerëzve janë super-ngjitës, fëmijët psh, jane më përcjellësit por më pak të sëmurët. Mosha e vjetër, jane më të sëmurët por më pak përcjellës. Parjashto imunodeficentët që kanë multiplikacione virale të përhershme.

Një nga bashkëpunëtorët e mi, këmbëngul në faktin se ndryshimi i rëndësishëm midis kinezëve dhe europianëve, është se kinezët pështyjnë në tokë. Rreziku i përhapjes nëpërmjet pështymës është i jashtëzakonshëm.

Kjo situatë epidemike ndoshta nuk do të përhapej jashtë Kinës, por duhet të jemi të vetëdijshëm se infeksionet respiratore janë sëmundje të eko-sistemit. Kjo situatë epidemiologjike mund të mos jetë e riprodhueshme jashtë Kinës.

Gjithmonë mbani mend se sëmundjet infektive janë sëmundje eko-sistemi. Vizioni Pasteurian, një mikrob, një njeri, janë koncepte interesante por ato datojnë nga shekulli XIX, dhe shpjegojnë vetëm një pjesë të vogël të gjërave. Ka ndryshueshmëri tek mikrobet, numri i mikrobeve, mbartësi, rrugët e transmetimit, madje edhe në sëmundjet ndër-humane. Kjo do të thotë që ne nuk mund të zgjasim epidemiologjinë e asaj që ne shohim në një vend në pjesën tjetër të botës.

Historia e gjatë e koronaviruseve

Koronaviruset (nga latinishtja corona – kurorë) janë një familje shumë e madhe e viruseve që i detyrohen emrit të tyre për faktin se ata duket se kanë një kurorë. Këto janë viruse shumë të zakonshme që prekin si zogjtë ashtu edhe gjitarët, dhe disa prej tyre kanë një transmetim nga njeriu tek njeriu.

Këto të fundit janë të shpeshta, vrasin herë pas here, por injorohen plotësisht nga shtypi dhe shumica e autoriteteve shëndetësore në botë. E cila është me të vërtetë e çuditshme, sepse koronaviruset janë shkaku i tretë i infeksioneve virale respiratore.

Këto viruse kanë dallimin e të qenurit lloji më i madh i viruseve të ARN-së dhe për këtë arsye shfaqin mutacione të shpeshta. Këto janë viruse të cilat prej kohësh dihet që japin infeksione frymëmarrjes së sipërme, veçanërisht bronkit dhe diarre

Historia e tyre fillon në vitin 1965 kur Tyrrel dhe Bynoe identifikuan një virus të marrë nga një fëmijë me të ftohtë. Ky virus u quajt 229E. Disi më vonë, Macintosh, me rastin e një mostre frymëmarrjeje, gjeti një tjetër virus shumë të afërt, i cili, do të quhej OC43, dhe menjëherë pas kësaj do të zgjidhej emri Koronavirus për të emëruar këtë familje.

Ata janë njohur që nga viti 1967, por diagnoza e tyre u vështirësua nga fakti se vetëm kultura e gjenezës së tyre e lejonte ta bënte këtë. Vetëm në kohën e diagnostifikimit molekular, kohët e fundit, roli i tyre i vërtetë mund të fillojë të vlerësohet .

I treti që u zbulua në një patologji njerëzore ishte virusi SARS, i identifikuar në 2003 dhe që siç e kemi parë, do të shkaktonte 880 vdekje para se të ndalej befas në verën e vitit 2003 pa u rishfaqur kurrë.

Koronavirusi arabo-saudit, MERS-corona, u gjet në vitin 2012 kur një pacient u shtrua në spital në Jeddah. Dhe së fundi koronavirusi nga Kina u izolua në vitin 2019.

Pra, siç kemi parë, SARS mbeti në thelb i kufizuar në Lindjen e Largët, përveç një epidemie misterioze të eksportuar në Toronto, e lidhur me një person që udhëtonte nga Hong Kongu në Toronto, kushtet e menaxhimit të vendosura pas fillimit të epidemisë (veshja, maska, doreza dhe uniforma) bënë të mundur ndalimin e transmetimit brenda spitaleve të qytetit. Në lidhje me MERS koronavirus, pati gjithashtu një histeri botërore me rrezikun e transmetimit të këtij virusi jashtë fokusit të tij fillestar.

Në realitet, është në thelb një zoonozë (transmetim kafshë-njeri-kafshë) e lidhur me devenë që e bart atë. Nuk dihet pse deveja bartëse dha raste në Arabinë Saudite dhe jo në zonat përreth ku devetë janë gjithashtu bartës të virusit, gjë që sugjeronte se ekziston një pritës i ndërmjetëm.

Pasi shkova atje, hipotezova që babuinët, që janë jashtëzakonisht të shumtë në Arabinë Saudite dhe që frekuentojnë devete dhe jetojnë në zona peri-urbane brenda grupeve të një madhësie mjaft të pabesueshme (disa qindra kafshë), mund të kenë qenë këta pritës të ndërmjetëm.

Kjo duhet të na kujtojë disproporcionin midis rreziqeve të deklaruara dhe rreziqeve reale, dhe rrezikut të parashikimeve alarmiste. Në këtë drejtim, duhet të theksohet se këto episode të etheve do të kenë bërë që disa vende, përfshirë Kinën, të instalojnë porta për zbulimin e temperaturës për të testuar pacientët me ethe për të parandaluar ata që të transmetojnë një sëmundje në vendet në të cilin arrijnë.

Fake News (Lajmet e rreme)

Rreziku që koronavirusi kinez të ndryshojë statistikat e vdekshmërisë franceze ose botërore është zero. Ekzistojnë disa elementë në këtë disproporcion midis realitetit dhe zhurmës: Frika nga sëmundjet e reja, interesi i laboratorëve që shesin antiviralë (Gilead bëri një rritje spektakolare të tregut të aksioneve), interes për ata që prodhojnë vaksina si një masë paraprake ( megjithëse nuk dihet nëse sëmundja do të jetë akoma brenda një viti), ata që kanë lumturinë të ndodhen në një televizion si ekspertë virtualë, ata që japin vlerësime nga frika, dhe ata që e shohin veten si shpëtimtarë engjëj.

Kjo ngjarje do të ketë konfirmuar për mua se ka më shumë të vërteta në rrjetet sociale dhe se etiketa ‘lajme të rreme’ është nganjëherë arma e dëshpëruar e disa mediave për të vazhduar të ekzistojnë.

Një nga videot e mia u etiketua përkohësisht si ‘fake neës” nga kryeredaktori i gazetës ‘Le Monde’, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë Franceze.

Unë kisha shpërndarë informacione nga autoritetet kineze për përdorimin e një ilaçi për të cilin kam folur tashmë dhe që e dimë mirë (chloroquine dhe hidroksilklorina e derivuar e tij), për efektivitetin e tij në studimet paraprake në 100 raste, konfirmuar nga një komunikim i shkurtër dhe në një konferencë për shtyp nga profesori Zhong, një autoritet kinez i njohur në të gjithë botën.

Kjo ngjalli reagime të dhunshme, të cilat kërkuan që të tërhiqja komunikimin tim dhe madje mora kërcënime anonime për të cilat u ankova.

Është gjithnjë e më e vështirë të dish se për çfarë po flasim dhe për këtë ne kemi krijuar një faqe informative javore në Youtube me titullin ‘On a le droit d’etre intelligent – Ne kemi të drejtën të jemi inteligjentë’

Frika nga vdekja

Situata e epidemive aktuale dhe pseudo-epidemive pasqyron sjellje shumë të thellë te njerëzit. Historia është plot frikë nga fatkeqësitë natyrore dhe epidemitë, dhe Bibla jep shumë shembuj. Përballë të pashpjegueshmeve, përballë brutalitetit të fenomeneve, hipotezat ishin në atë kohë më tepër fetare ose bazoheshin në sjelljen fajtore të njerëzve.

Kohët e fundit, Baudrillard, në vitin 1970, na lejoi të kuptojmë se një pjesë e përtacisë ushqehet nga frika e vdekjes dhe fatkeqësive, ndërsa meteorologjia (si një përtëritje e adhurimit të Diellit) pushton pjesë tjetër të informacionit tonë pasiv të marrë nga media.

Qëndrueshmëria e sjelljeve fetare dhe frikës fetare, si me magji, u raportua mirë nga Mircea Eliade në traktatin e saj për historinë e feve, e cila tregon se, në forma të ndryshme, temat kryesore të frikës dhe sjelljeve fetare nuk kanë ndryshuar.

Parodia

Në shoqëritë tona, ka role të ndryshme:

Roli i atyre që bëjnë kërkime ose zbulojnë gjëra, roli i atyre që menaxhojnë dhe roli i atyre që transportojnë informacionet. Me përshpejtimin e kohës që shohim si në informacion, ashtu edhe në menaxhim, menaxherët janë të vendosur për periudha të shkurtra kohe që i nënshtrohen zgjedhjeve të përsëritura, siç e kam thënë tashmë.

Ka gjithnjë e më shumë konfuzion midis fuqisë vendimmarrëse, pushtetit ekzekutiv dhe fuqisë së katërt, asaj të shtypit.

Sidoqoftë, nëse është e natyrshme që shtypi të ngrejë alarmin, nuk është e natyrshme që njerëzit që udhëheqin, politikanët, të jenë të së njëjtës natyrë dhe të kenë të njëjtin lloj reagimi. Menaxhimi kërkon marrjen e kohës së nevojshme, por sot bëhet e padobishme pasi pasojat e veprimeve të menaxherëve nuk do të impenjohen drejtpërdrejt për ta, ata do të vijnë më vonë dhe do të mbyten në informacione të reja.

Ky bashkim midis mediave dhe vendimmarrësve mund të vëzhgohet, praktikisht nga martesa ose nga transferimi, nga një profesion në tjetrin, një ministër që sillet si animator, një animator që sillet si ministër.

Kjo paraqet një problem të vërtetë, i cili dëmton balancën e forcave. Përveç kësaj, libri tjetër i Jean Baudrillard, ‘Simulacres et Simulation – Paroditë dhe Parodizimi’, parashikoi krijimin e një bote të re dixhitale.

Në këtë botë që Baudrillard e quan ‘Hiper Reale’, qëndrim që shërbeu si frymëzim për filmin ‘Matrix’, në fakt, realiteti dixhital nuk ka më asnjë lidhje me realitetin fiziko-kimik, ashtu si në librin ‘Simulacres’ të Philip K. Dick, ku politikanët janë simulacra, holograme dhe robotë.

Kështu që, shkëputja totale e realitetit të vëzhguar me realitetin e raportuar është një problem që po bëhet i madh.

Është gjithnjë e më pak një amplifikim, por një shtrembërim i realitetit.

Kur një informator shumëfishon me 20 një rrezik vdekshmërie dhe pjesëton me 100 një rrezik tjetër, ne nuk jemi më në një ekzagjerim, por në një botë tjetër. Dhe kjo po ndodh aktualisht.

Vetë shifrat reale bëhen të pakonsiderueshme kur nuk konfirmojnë teorinë mbizotëruese.

Në praktikë, nuk ekziston vërtet një zgjidhje, përveç që teknologjitë e reja të lejojnë ekzistencën e një fuqije të re, e cila pasohet nga një komunikim i pafiltruar. Mund ta shohim këtë në fushën shkencore.

Ekziston censura ‘de facto’ e artikujve që nuk janë pjesë e rrjedhës së përgjithshme të mendimit teknik, por shumë media po krijohen dhe po zhvillohet dërgimi i artikujve direkt në faqet pa filtra para fillimit të botimit.

Ka 20 viruse të lidhura me infeksione të frymëmarrjes që qarkullojnë nëpër botë. Ndoshta koronavirusi kinez do të bëhet njëzet e një, as më shumë e as më pak serioz, mbase do të zhduket në çast ose përfundimisht, mbase do të mbetet i kufizuar në një eko-sistem specifik, si koronavirusi Arabisë Saudite (korona MERS).

Koha do ta tregojë. / KultPlus.com

Spidermani vjen në shpëtim: Superheroi gëzon fëmijët në izolim

Qyteti Stockport, në veri të Anglisë, ka heroin e ri, një Spiderman lokal, i cili po i argëton fëmijët, të cilët po qëndrojnë mbyllur nëpër shtëpi shkaku i përhapjes së koronavirusit, njofton Reuters.

Jason Baird 34-vjeçar, mësues i arteve marciale u uniformua sikur heroi i Marvelit dhe nisi të bëjë akrobacione nëpër rrugë, ndërkohë që shumë fëmijë e përcjellin nga dritaret e shtëpive.

Baird, që la New-Yorkun për Stockportin e njohur për prodhim të kapelave, të mërkurën u ndal edhe në një shkollë fillore, duke bërë qëndrimin ikonik të Spidermanit.

Ai u pa të pozonte edhe me policët në rrugë.

Image

“Kanga e Ashikëve” nga Jericho renditet e dyta në platformën botërore World Music në Ethnocloud

Grupi i njohur Jericho, muzika e të cilëve është një shkrirje midis rock, alternative, elektronikë dhe muzikës tradicionale etnike shqiptare, karakteristikë për rajonin e Kosovës dhe Shqipërinë e veriut, është ndër grupet më të dëgjuara ndër shqiptar dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Këngët e Jericho-s janë të njohura kryesisht në mesin e të rinjve shqiptarë që jetojnë në Ballkan, por janë transmetuar edhe në stacionet e ndryshme të pavarura dhe Radio alternative në të gjithë vendet ish-jugosllave.

Në këto ditë ku e gjithë bota po përballet me Covid-19, Jericho kanë marrë një lajm të mirë. Kënga e tyre e njohur “Kanga e Ashikëve” është renditur e dyta me radhë në platformën botërore World Music në Ethnocloud ku janë prezantuar artist të këtij zhanri nga 157 shtete të botës me mbi 80.000 anëtarë.

“Kanga e Ashikëve” nga Jericho që përfaqëson Kosovën, është futur në Top 40 në World Music Charts për muajin mars, ku aty ka arritur të zërë vendin e dytë, renditje kjo që bëhet në bazë të klikueshmërisë së anëtarëve dhe vizitorëve të sajtit.

Lajmin e ka bërë të ditur vokalisti i grupi Jericho, Petrit Çarkaxhiu, përmes një postimi në Facebook.

“Lockomana, faleminderit per perkrahje. Çfare ironie, n’kete fare kijameti me pas kete sukses kanga a ma se largti qe munesh me shku oshte deri n’kuzhine (eventualisht deri n’furre t’bukes) 🤦🏻‍♂️

“Kanga e ashikeve” u ngjit ne vendin e 2’te 💙 Ne platformen per zhanrin e muzikes boterore World Music ne Ethnocloud ku jane te prezantuar artist te ketij zhanri nga 157 shtete me 80.000 anetare, “Kanga e Ashikeve” nga Jericho qe perfaqeson Kosoven eshte futur ne Top 40 ne World Music Charts per muajin Mars, ne vendin e 2te, renditje kjo qe behet ne baze te klikueshmerise se anetareve dhe vizitoreve te sajtit!”, ka shkruar Petriti në Facebook.

Klikoni tek kategoria e videos! https://ethnocloud.com/world-music/charts/ / KultPlus.com

‘Kur e gjitha të përfundojë, njerëzit do të kuptojnë se koha dhe jo paraja, është pasuria e tyre më e çmuar’

Nga David Grossman

Kur më në fund do të përfundojë dhe njerëzit do të dalin nga shtëpitë e tyre pas një mbylljeje të gjatë, mund të shfaqen mundësi të reja dhe befasuese: ndoshta fakti që kemi cikur themelet e ekzistencës do ta promovojë tërë këtë. Ndoshta prekshmëria e vdekjes dhe mrekullia e shpëtimit prej saj do të shkundin dhe do të zgjojnë burrat dhe gratë. Shumë syresh do të humbin të dashurit e tyre. Shumë të tjerë do të humbasin punën, ushqimin, dinjitetin e tyre. Por kur epidemia të marrë fund, mund të ketë edhe njerëz që s’do të duan t’i kthehen jetës së mëparshme.

Disa-natyrisht, ata që mund t’ia lejojnë vetes, s’do të kthehen në punën e mëparshme që për vite i ka mbytur e i ka ndrydhur. Disa të tjerë do të vendosin të lënë familjen. Të ndahen nga partneri i tyre. Do të duan të lindin një jetë të re, ose do ta shmangin një gjë të tillë. Disa do të dalin nga dollapi ( nga të gjithë llojet e dollapëve ). Disa do të fillojnë të besojnë tek Zoti. Do të ketë besimtarë fetarë që do të heqin dorë nga besimi. Ndoshta vetëdija e shkurtësisë dhe brishtësisë së jetës do t’i shtyjë burrat dhe gratë të vendosin një rregull të ri përparësish. Të këmbëngulin më shumë për të ndarë shapin nga sheqeri. Të kuptojnë se koha, dhe jo paraja, është pasuria e tyre më e çmuar! / KultPlus.com

Si i ndryshojnë qytetërimet, epidemitë

Për ta vendosur në perspektivë pandeminë e koronavirusit, mendoni se çfarë ndodhi kur murtaja bubonike goditën Londrën në vitin 1665. Fillimi i sëmundjes mund të ishte i papritur, thotë historiani i Yale Frank Snowden: “Kishte njerëz të prekur dhe në agoni në hapësirat publike”.

Tregtia u mbyll shpejt, dhe “çdo aktivitet ekonomik u zhduk”. Qyteti ngriti spitale për të izoluar të sëmurët. “Në rrugë digjej squfur, dhe zjarre të mëdha për të pastruar ajrin”.

Rreth 100,000 londinezë – afro një e katërta e popullsisë, e barabartë me dy milion sot – vdiqën. Disa prej atyre që vuanin kryen vetëvrasje duke “u hedhur në Tamiz”, thotë Snowden. “I tillë ishte tmerri i tyre për atë që po ndodhte me trupin e tyre dhe dhimbja që ndjenin” – nyjet limfatike të inflamuara – që janë simptomat klasike e murtajës bubonike. Rendi shoqëror u shemb, ndërsa autoritetet ia mbathën. Ata që ngisnin “karrocat e vdekjes” shkonin derë më derë, duke mbledhur kufoma kundrejt një tarife, dhe shpesh herë duke plaçkitur pasuritë e të mbijetuarve.

Sulmet e dhunshme të murtajës ndaj qyteteve evropiane në Mesjetë dhe periudhën e Rilindjes krijuan “zhvendosje sociale në një mënyrë që ne as nuk mund ta imagjinojmë”, thotë Snowden, libri i të cilit i Tetorit 2019, “Epidemitë në shoqëri: Nga Vdekja e Zezë, deri sot” – një studim i sëmundjeve infektive dhe ndikimit të tyre social – është papritmas në modë.

Unë e intervistova Z. Snowden, 73 vjeç, me Skype. Ne të dy jemi të izoluar në shtëpi, unë në Kaliforni dhe ai në Romë, ku ka shkuar të bëjë kërkime në arkivat e Vatikanit. Në mesin e shekullit XIV, Italia ishte “vendi më i dërrmuar në Evropë nga Vdekja e Zezë”, vëren ai. Në shekullin XXI, është ndër vendet më të goditura nga Covid-19.

Shkenca e ka shtyrë atë murtajë, të shkaktuar nga bakteri i pleshtave dhe minjve, Yersinia pestis, në periferi të shqetësimeve të shëndetit publik (megjithëse mbetet e frikshme si armë biologjike e mundshme nëse përdoret me aerosolizim). Megjithatë, trashëgimia e saj ngre pyetje sfiduese se si koronaviusi mund të ndryshojë botën.

Pavarësisht të gjithë aftësisë bio-mjekësore të Perëndimit modern, disa prej mjeteve të tij kundër një sëmundjeje ende të pakuptuar janë të ngjashme me atë që u provua fillimisht në shekullin XIV. Merrni karantinën. Qindra miliona amerikanë dhe evropianë janë izoluar në shtëpitë e tyre, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Izolimi si mbrojtje kundër sëmundjeve infektive e ka origjinën në qytetet e Venedikut dhe Firences. Italia ishte qendra e tregtisë në Mesdhe, dhe murtaja mbërriti në 1347 me anije tregtare. Teoria mbizotëruese në atë kohë ishte “miasmatizmi” – atmosfera ishte helmuar – mbase nga veshjet e vizitorëve – dhe njerëzit sëmureshin “kur merrnin frymë, ose përthithnin përmes poreve të tyre”, thotë Z. Snowden. “Kjo do të thotë, që ka një emetim, dhe mund të mendohet se vjen nga toka, ose nga trupat e njerëzve të sëmurë”.

Pas ardhjes së murtajës, marina veneciane përfundimisht filloi të detyrojë marinarët që mbërrinin në port të shkonin në një ishull aty pranë, ku qëndronin për 40 ditë – kuaranta – një kohëzgjatje e zgjedhur për shkak të domethënies së saj biblike. Strategjia funksionoi kur u zbatua pasi pleshtat e bllokuar nga sëmundja ngordhnin, dhe i sëmuri vdiste ose shërohej. Z. Snowden vëren se amerikanët që po ktheheshin nga Ëuhani, Kinë, në fillim të shkurtit mbaheshin ” në baza ushtarake për një periudhë karantine” – 14 ditë dhe jo 40.

“Ne mund t’i shohim rrënjët e shumë aspekteve të shëndetit modern që në Rilindje,” shton ai. Një shembull tjetër është “kostumi i murtajës” prej dylli, i veshur nga mjekët. Ai u ngjante veshjeve mbrojtëse të mjekëve në kohët e sotme – “veshjet mbrojtëse që ju shihni në spital për njerëzit që përballen me Ebola, ose ky lloj kostumi hapësinor” – por me një sqep të gjatë që përmbante barishte. Mendohej se ato “pastronin ajrin që po thithje “. Veshja “në të vërtetë kishte një vlerë mbrojtëse”, thotë Snowden, sepse dylli sprapste pleshtat që mbartnin sëmundjen.

Përpjekjet kundër sëmundjes ndryshuan në mënyrë dramatike marrëdhëniet e Evropianëve me qeveritë. “Fjorentinët krijuan ato që quheshin magjistratë shëndetësorë, të cilët janë paraardhësit e atyre që ne sot i quajmë borde të shëndetit ose departamente të shëndetit,” shpjegon Snowden. “Të pajisur me fuqi të veçanta juridike”, ata koordinonin kundërmasat ndaj murtajës.

Murtaja ishte më traumatike sesa një sulm ushtarak, dhe përgjigjja ishte shpesh si luftarake në egërsinë e vet. Një përgjigje ishte një “kordon sanitar”, ose rrethimi i një qyteti-shtet me ushtarë, që nuk lejonte askënd të hynte apo të dilte. “Imagjinoni qytetin tuaj, dhe papritmas, në mëngjes, ai është i rrethuar nga Garda Kombëtare me bajoneta dhe helmeta të fiksuara dhe urdhër për të qëlluar nëse kalojmë,” thotë Z. Snowden. Kordonët u vendosën rregullisht në qytete evropiane në kohën e rrezikut të murtajës, duke shkaktuar terror dhe dhunë. Në shekullin e 18-të, ushtria austriake u vendos në terren “për të mos lejuar që murtaja bubonike të ngjitej nga Gadishulli Ballkanik dhe drejt Evropës Perëndimore”, duke ndaluar udhëtarët që mund ta bartnin atë.

Sociologu Charles Tilly (1929-2008) argumentonte se lufta e bën shtetin” – se kufijtë dhe burokracitë ishin të formësuara prej nevojave në konfliktin ushtarak. Murtaja pati efekte të ngjashme, duke kërkuar “angazhim ushtarak, administrim, financë dhe gjithçka tjetër “, thotë Z. Snowden. Përveç një marine për të zbatuar karantinën, ” duhej të kishe një forcë policore”, një monopol mbi forcën mbi një zonë të gjerë. Ndonjëherë “rojet vendoseshin jashtë shtëpive të njerëzve që kishin sëmundjen dhe askush nuk lejohej të hynte apo të dilte”.

Megjithatë, ndërsa murtaja pa që pushteti po zhvendosej nga fshatrat dhe shtet-shtetet, drejt kryeqyteteve kombëtare, koronavirusi është duke inkurajuar një shpërndarje të autoritetit nga njësitë mbikombëtare, tek shteti-komb. Kjo është më e dukshme në Bashkimin Evropian, ku vendet anëtare po organizojnë secili reagimin e vet. Kufijtë e hapur brenda BE-së janë mbyllur, dhe disa vende kanë kufizuar eksportin e furnizimeve mjekësore. Virusi ka rritur tensionet midis SHBA dhe Kinës, pasi Pekini përpiqet të mbrojë imazhin e vet dhe amerikanët merakosen për qasjen në zinxhirët e furnizimit mjekësor.

Koronavirusi po kërcënon “risitë ekonomike dhe politike të globalizmit, duke i bërë ato që edhe të zhbëhen në një masë të caktuar,” thotë Snowden. Ai vëren se “koronavirusi është një sëmundje e globalizmit”. Virusi po godet më së shumti shtetet që janë “me popullsi të dendura dhe të lidhura nga udhëtimi i shpejtë ajror, nga lëvizjet e turistëve, të refugjatëve, të gjitha llojet e biznesmenëve, të gjitha llojet e rrjeteve ndërlidhëse”.

Dinamika sociale e një pandemie përcaktohet pjesërisht nga kush preket më shumë. Kolera, për shembull, “shoqërohet me tensione shoqërore dhe klasore, si dhe trazira,” thotë Snowden. Një infeksion i ligë gastrointestinal, ai ishte më i përhapuri në banesat e mbipopulluara, me ushqime ose ujë të kontaminuar. “Ne mund të marrim Napolin, ose mund të zgjedhnim Nju Jorkun e shekullit të 19-të,” thotë ai. “Zyrtarët komunalë, autoritetet, mjekët, priftërinjtë, klasa e mesme, të pasurit, të cilët jetojnë në lagje të ndryshme, nuk po i nënshtrohen kësaj sëmundjeje”. Kjo gjë çoi në teori konspirative në lidhje me origjinën e saj, dhe në protesta të klasës punëtore.

Në mënyrë të ngjashme, murtaja bubonike goditi Indinë, atëherë një koloni britanike, në fund të shekullit të 19-të. Britanikët u përgjigjën duke prezantuar masa antimurtajë të epokës së Rilindjes – “ushtrime shumë drakoniane të pushtetit dhe autoritetit, por nga një qeveri koloniale, mbi popullsinë vendase,” thotë Z. Snowden. “Popullsia e Indisë e vlerësoi këtë gjë, si më të frikshme se vetë murtaja” dhe rezistoi. Britania, e shqetësuar se “ky do të ishte fillimi i nacionalizmit modern Indian”, i zhbëri masat, të cilat ishin gjithësesi joefektive.

Viruset respiratorë, thotë Snowden, priren të jenë jodiskriminues në kuptimin social. Nuk bëjnë dallim se kë infektojnë. Megjithatë, për shkak të origjinës së vet në vektorët e globalizmit, koronavirusi duket se ka prekur edhe një elitë të profilit të lartë. Nga Tom Hanks deri te Boris Johnson, njerëzit që udhëtojnë shpesh ose janë në kontakt me udhëtarë, kanë qenë ndër të parët që janë infektuar.

Kjo gjë ka formësuar përgjigjen politike në SHBA, pasi Partia Demokratike, me qendër në qytete të globalizuara, kërkon një përgjigje intensive. Profesionistët liberalë gjithashtu mund të kenë më shumë gjasa të punojnë ndërsa izolohen në shtëpi. Votuesit republikanë kanë më pak të ngjarë të jetojnë në zona të dendura me numër të lartë infeksionesh dhe deri më tani janë më pak pranues ndaj masave dramatike.

Sëmundjet infektive mund të ndryshojë vetë peizazhin fizik. Snowden vëren se kur Napoleoni III rindërtoi Parisin në mesin e shekullit të 19-të, një nga objektivat e tij ishte të mbrohej kundër kolerës: “Ishte kjo ide për të bërë bulevarde të gjera, ku dielli dhe drita mund të shpërndanin ajrin e infektuar”. Kolera gjithashtu nxiti zgjerime të kompetencave rregullatore mbi “ndërtimin e shtëpive, si duhej të ndërtoheshin ato, standardet e pastërtisë”. Nëse viruset respiratore bëhen një tipar i vazhdueshëm i jetës në Perëndim, mund të zbatohen gjithashtu ndryshime në transportin publik dhe zonimin, bazuar në të kuptuarit tonë të shkencës – që, ashtu si me Napoleonin, është e sigurt se do të përforcohet, ose shfuqizohet në vitet e mëvonshme.

Në letërsinë antike, nga “Iliada” e Homerit deri në Testamentin e Vjetër, murtajat shoqërohen me idenë se njeriu po ndëshkohet për mëkatet e tij, vëren Snowden. Kishat veneciane u ndërtuan për të demonstruar pendim. Snowden nënvizon gjithashtu kamzhikuesit e shekujve 14 dhe 15, të cilët fillonin “një procesion 40-ditor të pendimit, vetë-dënimit dhe lutjes”, duke goditur veten dhe të tjerët.

Për Evropianët që i mbijetuan murtajës, thotë Snowden, kjo nguliti idenë se “mund të goditesh në çdo moment, pa paralajmërim”, kështu që duhet të fokusohesh në shpirtin tënd të pavdekshëm.

Snowden thotë se pas Luftës së Dytë Botërore “kishte besim real se të gjitha sëmundjet infektive do t’i përkisnin të kaluarës”. Sëmundjet kronike dhe të trashëguara do të mbeteshin, por “infeksionet, pandemitë, nuk do të ekzistonin më për shkak të shkencës”. Që nga vitet 1990 – veçanërisht që nga shpërthimi i gripit të shpendëve të vitit 1997 – ekspertët kanë kuptuar se “do të ketë shumë më tepër sëmundje epidemike”, veçanërisht infeksione të frymëmarrjes që kalojnë nga kafshët te njerëzit. Sidoqoftë, koronavirusi i ri e zuri gafil Perëndimin.

Eshtë shumë herët për të thënë se çfarë ndikimi politik dhe ekonomik do të lërë kjo pandemi, pasi të ketë ikur. Siç thotë Snowden, ” ka shumë më tepër gjëra që nuk dihen, se sa gjëra që dihen në këtë pandemi”. Megjithatë, me një përzierje të intuitës dhe fatit, Evropianët e Rilindjes ia dilnin të mbanin larg murtaja të egra, origjinën dhe mekanizmat e të cilave nuk i kuptonin. Shkenca e sotme është e aftë për shumë më tepër. Por modernizmi gjithashtu i ka lënë shoqëritë tona të prekshme në mënyra që, venedikasit e shekullit XIV as nuk mund t’i imagjinonin kurrë./bota.al/ KultPlus.com

Organizatorët e “Coachella” lansuan trailerin e dokumentarit “20 Years In The Desert”

Organizatorët e festivalit “Coachella” e kanë publikuar trailerin e parë të dokumentarit të tyre për YouTube, me titull “20 Years In The Desert”.

Festivali është bërë bashkë me platformën gjigante në realizimin e dokumentarit, i cili do ta nderojë historinë e kësaj ngjarjeje muzikore, që nga themelimi i saj në vitit 1999.

Ky projekt e shënon premierën në YouTube më 10 prill, në të njëjtën ditë kur ishte planifikuar të fillojë festivali, transmeton Koha.

Organizatorët e “Coachellas” kanë premtuar se dokumentari do të përfshijë pamje të pa para më herët, sid he performance të yjeve të njohur të muzikës si: “Radiohead”, Billie Eilish, Kanye West, Madonna, Daft Punk, Travis Scott, “Rage Against the Machine”, “LCD Soundsystem”, “Pixies”, “Swedish House Mafia”, “Jane’s Addiction”, “The White Stripes”, Beck, Björk dhe të tjerë.

Më 10 mars të këtij viti, organizatorët e kësaj ngjarjeje e bënë të ditur lajmin se festivali po shtyhej për në muajin tetor, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ata gjithashtu e lëshuar një deklaratë për media përmes së cilës e informuar publikun se, festivali do të mbahet në fundjavat 9-11 tetor dhe 16-18 tetor.

“Coachell” fillimisht ishte planifikuar të mbahet fundjavën e dytë dhe të tretë të muajit prill, dhe ndër yjet të cilët pritej të performonin ishin: Travis Scott, Frank Ocean dhe bendi “Rage Against The Machine”.

Pas 70 vjetësh, anulohen festivalet e Edinburgut

Situata e krijuar njëherësh në botë, veç të tjerash, ka ngjallur shqetësim dhe pamundësi.

“Fringe Edinburgh”, si dhe katër festivalet e mëdha kulturore në qytet, janë anuluar për këtë vit, transmeton KultPlus.

“Edinburgh International Festival and the Fringe”, festivali më i madh në botë për artin, nuk do të zhvillohet, kjo për herë të parë në më shumë se 70 vjet, sipas BBC.

“The Military Tattoo”, “Edinburgh Art Festival” dhe “Edinburgh International Book Festival”, janë anuluar, po ashtu.

Këto pesë ngjarje të mëdha kulturore, tërheqin një audiencë prej rreth 4.4 milionë njerëzish, çdo gusht. Më shumë se 25,000 artistë, shkrimtarë dhe interpretues, nga 70 vende, marrin pjesë në 5,000 ngjarje në kryeqytetin Skocez, çdo vit.

Nicola Sturgeon tha se, anulimi ishte “shumë e rëndë, por vendimi i duhur”, ndërsa sekretarja për kulturën, Fiona Hyslop, tha se festivalet nuk do të zhvillohen.

“Por, pas marrjes së këtij vendimi të vështirë, të gjithë pjesëmarrësit e festivaleve, nga stafi deri te spektatorët, do të jenë plotësisht të përqëndruar mbi shtëndetin dhe mirëqenien e tyre”, – theksoi, Hyslop. / KultPlus.com

Paraqiten probleme në Facebook, Instagram dhe WhatsApp – nuk shfaqen fotografitë

Facebook, Instagram dhe WhatsApp po përballen me një problem në shfaqjen e fotografive.

Përdoruesit raportojnë se postimet ose fotografitë specifike nuk po shfaqen, por ato mund të ngarkohen.

Probleme të tilla po raportohen nga përdoruesit në të gjithë botën.

Problemet po ndodhin në të njëjtën edhe në WhatsApp.

Edhe përdoruesit e Instagram’it gjithashtu raportojnë se kanë probleme, me fotot që po dështojnë të shfaqen.

Aristoteli: Fatkëqesitë tregojnë se kush janë shokët e vërtetë

Aristoteli, një nga filozofët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Jetoi shumë kohë në Athinë, ku u edukua dhe mori mësimet e para të filozofisë në shkollën e filozofit të madh grek Platonit.


Aristoteli gjithashtu ishte mësues i Aleksandrit të Madh. KultPlus ka përzgjedhur disa nga thëniet më të mira të thëna nga ai.

1.Ne jemi ajo çfarë bëjmë në mënyrë të përsëritur; shkëlqesia, pra, nuk është një akt, por një shprehi

2.Fatkëqesitë tregojnë se kush janë shokët e vërtetë

3.Dashuria është e përbërë nga një shpirt që jeton në dy trupa

4.Atij që si bënë dobi dituria, ai nuk është i mbrojtur nga dëmi i paditurisë

5.Të duash do të thotë të ngazëllehesh, ndërsa besojmë se mund të ngazëllehemi vetëm kur të na duan

6.Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës

7.Të gjithë njerëzit nga natyra dëshirojë dituri, por a punojnë për të? / KultPlus.com

Pandemia mban shkollat mbyllur, Shahini: Mësimi vijon online pa afat

Ministrja e Arsimit në Shqipëri Besa Shahini doli në një deklaratë për media pas vendimit të Task Forcës kundër koronavirusit për të zgjatur edhe më tej mbylljen e institucioneve arsimore deri në përfundimin e pandemisë Covid-19.

Shahini deklaroi se tashmë nuk ka një datë se kur mësimi do të fillojë normalisht, derisa informoi se ai do të vijojë online.

“Task Forca për koronavirusin, duke parë zhvillimin dhe përhapjen e pandemisë dhe efektin që ajo ka patur në shëndetin e qytetarëve, ka vendosur që të shtyjë pa afat vendimin për mbylljen e institucioneve arsimore. Pra, sot që flasim nuk e kemi një datë specifike se kur hapen shkollat dhe universitetet dhe kur mund të fillojë të zhvillohet mësimi normalisht në kushte shkolle”.

“Ministria e Arsimit do të vijojë me organizimin e xhirimeve të leksioneve për arsimin parauniversitar. Mësuesit do të vijojnë komunikimin me nxënësit duke u kujdesur për ta. Universitetet kanë kaluar një pjesë të lëndëve online dhe bëj ftesë që të gjitha lëndët të kalojnë online, pasi nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo situatë”, tha ajo. / A2 / KultPlus.com

Kush është shoku yt?

Shkruan: Latif Mustafa

Shpesh jam menduar për kuptimin dhe përmbajtjen e fjalës shok/shoç. Sot, gjithsecili të thirr shok, qoftë edhe në formë pasthirrme, por a është kaq e thjeshtë të jesh, të bëhesh dhe të mbetesh shok?

Në gjuhën turke, shokut i thonë “Arkadaş” e që në përkthim i bie, kur dy veta e ndajnë një palcë kurrizore, kur dy vet janë të bashkuar shpinë për shpine dhe ua ruajnë shpinat njani tjetrit. Në gjuhën arabe shokut i thojnë “sadik” që në përkthim i bie besnik. Sinonim i shokut është besnikëria. Në gjuhën angleze i thonë “friend/fround” e që në thelb do të thotë të duash, të dashurosh, ta bashkëndash dashurinë me tjetrin. Në gjuhën frënge është “frère” vjen nga fredre/frater do të thotë vëlla (murg). Kurse në gjuhën shqipe fjala shok ka prejardhjen nga rrënja e njëjtë me gjuhët e tjera indo-europiane “sok/sek” që do të thotë të ndjekësh, të ndash, bashkëndash diçka. Shoku, shpesh, është më i afërt se i vëllai.

Në qoftë se ajo që bashkëndanë me të, ka kuptim më shumë se gjaku dhe prejardhja. Shoku më i afërt është ai që ke ndarë fëmijërinë dhe rininë me të. Pas një kohé, vështirë është të gjesh shok, përkundër faktit se shumë njerëz i thërrasim shokë. Shoku, është personi dashuria e ndaj të cilit kalon, ideologjinë, interesin dhe bindjet partiake. Ajo është më e thellë se “vëllazëria” fetare, nacionale apo “vëllazëria” e kauzës.

Dikur kishim shokë të burgut, shokë të luftës, shokë të ushtrisë dhe shokë të kurbetit. Shokë ishin personat që kishin ndarë mes vete gjëra shumë të veçanta dhe intime dhe ato varroseshin s’bashku me trupat e tyre. Përmallimi shprehet me përqafim të fortë e muhabet në mexhlise që zbardhin agimet. Dashuria, herë herë, shprehet me hidhërim, e pikëllimin me shikim. Shoku është një shpatull ku mund të qash e të përlotesh. Bota vuan për shokun! Sot, nëse pandehni se ka një person të tillë, të cilët keni një palcë të përbashkët kurrizore, të mbështetur shpinë për shpine dhe shquheni për besnikëri, ndani një të kaluar të thellë, dashuria për të cilën ndjeni nuk ka ideologji dhe botëkuptim që mund ta rrëmojë e rrënojë, atëherë ju në të vërtetë keni diçka më shumë se Botën dhe gjithçka që ka në të!

“Ty të kisha yll rinie, një dhuratë prej perëndie”(VIDEO)

Naser Berisha është njëri nga zërat që kishte qenë prezent intenzivisht në skenën muzikore kohë më parë, veçmas në vitet e 90-ta, shkruan KultPlus.com

Një numër i madh i baladave dhe këngëve tjera të tij janë shëndrruar në hite të pavdekshme të tij.

“A me kujton” është njëra nga këngët e tij, e cila njësoj si të tjerat është ripërpunuar disa herë nga artistë të ndryshëm. KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge.

“Koha iku, na harroi
Mbeti veç kujtimi letër,
Si ngahera, të kërkoj
Me gitarë poemë e vjetër
Para shkollës, si dikur
Unë të pres, e ti nuk vije
Dhe pyes vetën, si i marrë
Ndonjëherë në mend do t´bije

Ref: 2
Ku më mbete bjondina ime
Që më ngjall prapë këto kujtime
Ndonjëherë të lutem a me kujton!
Ty të kisha yll rinie
Një dhuratë prej përendie
Dashuri e vjetër të kërkoj…

Gjumë nuk kam, bie shi
Në fotografi ti vetëm mbete
Jeta të mori, larg të çoi
Y
Nuk e di se ku më trete
Jam i vetëm, si atëherë
Fati mua nuk më priu
Lumturinë që ne e kishim
fatkeqësia e përbiu…

Ref : 3
Ku më mbete bjondina ime
Që më ngjall prapë këto kujtime
Ndonjëherë të lutem a më kujton
Ty të kisha yll rinie
Një dhurat prej përendie
Dashuri e vjetër të kërkoj… “

https://youtu.be/D3vWYY7Fk5U

‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Një natë në Lisbonë’

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Erih Maria Remark padyshim që është njëri nga romancierët më të shquar gjerman, i cili la pas vetes një krijimtari të pasur që e përbëjnë romanet kryesisht rreth luftës dhe tmerreve të luftës, të cilat i përjetoi ai vetë.

Si një anti-nazist i përbetuar, Remarku, si dhe autorë të tjerë do të persekutohen nga regjimi i kohës, madje do t’ju digjen librat nëpër sheshet kryesore të Gjermanisë.

Remarku është bërë i njohur në mbarë botën me romanet e tij, po ashtu edhe i suksesshëm – është romani “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” që u bë film, për ta fituar çmimin Oskar më pas.

Disa nga romanet e tij më të njohura janë “Qielli nuk ka preferenca, “Harku i triumfit”, “Një natë në Lisbonë”, të cilin po e rekomandojmë sonte.

Remarkut në vitin 1967 i jepet “Medalja e vlerave më të larta” nga Republika e Gjermanisë.

Romani “Një natë në Lisbonë”, i cili, qysh nga botimi i tij i parë në vitin 1963, është përkthyer në shumë gjuhë dhe ka qenë pareshtur një bestseller, të rrëmben që nga faqja e parë e gjer në faqen e fundit me përshkrimin tejet prekës të mundimeve të pasosura e të fatit tragjik të atyre njerëzve që morën rrugët e mërgimit për të shpëtuar nga mizoritë e nazizmit.

Lisbonë, kryeqyteti i Portugalisë, rripi i fundit i tokës evropiane, ku ende në vitin 1942, nuk kanë arritur hordhitë naziste. Pas peripecish pa fund, aty kanë pasur fatin të mbërrijnë shumë njerëz që kërkojnë dëshpërimisht të gjejnë një mundësi largimi dhe një vizë për në ShBA.

Një prej këtyre emigrantëve është Jozef Shvarci, i cili prej disa ditësh ka arritur të marrë për veten dhe bashkëshorten e tij, Helenën, vizat për të shkuar në Botën e Re dhe dy bileta për në anijen që është gati për t’u nisur.

Por Shvarci nuk ka aspak ndërmend të niset dhe rastësisht gjen një tjetër të arratisur, që ndërkaq ka humbur çdo shpresë të shkojë në Amerikë. Fare thjeshtë, Shvarci i propozon t’i japë pasaportën e tij dhe të gruas, së bashku me biletat e udhëtimit, me kushtin e vetëm që ai të mësojë historinë e tij.

Sigurisht që i panjohuri pranon dhe lexuesit i jepet mundësia të dëgjojë rrëfimin e një nate të gjatë, dhe më bukur akoma, të lexojë romanin që është pak ta quash një kryevepër. Një histori e mrekullueshme dashurie, që ka në sfond dhimbjet e shpirtit njerëzor që u largohet barbarive naziste.

“Ia kisha ngulur sytë anijes tërë drita që ishte ankoruar në Taho, afër Molit. Po bëhej një javë që isha në Lisbonë dhe prapë s’po mësohesha dot me ndriçimin e shkujdesur të këtij qyteti. Në vendet nga vija unë, natën qytetet dukeshin si miniera qymyri, dhe një fener në atë errësirë ishte më i rrezikshëm se kolera në mesjetë. Unë vija nga Evropa e shekullit të njëzetë! Atë anije, që ishte vapor pasagjerësh, po e ngarkonin. E dija që do të nisej të nesërmen në mbrëmje. Në dritën e vrazhdë të llambave elektrike të zhveshura po stivonin në të katër anët arka me mish, peshk, konserva, bukë e zarzavate; hamejtë shpinin në bord bagazhet, ndërsa një vinç ngrinte arka e dengje pa u ndier, thua se nuk peshonin fare. Anija po përgatitej për lundrim si Arkë e Noes. Dhe një arkë e tillë ishte vërtet. Të gjitha anijet që largoheshin nga Evropa në ata muaj të vitit 1942, arka të tilla ishin. Mali Ararat qe Amerika, dhe ujërat ngriheshin nga dita në ditë. Qysh prej kohësh patën përmbytur Gjermaninë e Austrinë dhe kishin hyrë thellë në Poloni e në Pragë; Amsterdami, Brukseli, Kopenhaga, Osloja e Parisi qenë fundosur tashmë; qytetet e Italisë po binin erë ujërash të qelbura; as Spanja s’po e ndiente veten të sigurt. Bregu i Portugalisë ishte streha e fundit për ata që i kishin drejtësinë, lirinë e tolerancën më të shtrenjta se atdheun e jetën. Kush nuk nisej dot që këtej për të dalë në “dheun e premtuar” të Amerikës, ishte i humbur. Do të robtohej për një vizë hyrjeje e daljeje gjithnjë të mohuar, për leje pune e qëndrimi të paarritshme, do të dergjej nëpër kampe internimi, do të dërrmohej nga burokracia, nga vetmia, nga vendi i huaj dhe nga indiferentizmi i tmerrshëm e i përgjithshëm ndaj fatit të individit, çka është përherë rrjedhojë e luftës, e frikës dhe e mjerimit. Asokohe njeriu s’ishte asgjë, pasaporta e vlefshme ishte gjithçka.”

Fragment nga romani:

Ishte marramendja e të mërguarit në formën e saj të kulluar, zbrazëtira në stomak, lëmshi në grykë dhe dhimbja në rrënjët e syve. Ajo që njeriu, për pesë vjet me radhë, është përpjekur ta varrosë, ta harrojë e t’i largohet si një të sëmuri nga kolera, nxjerr krye prapë: kujtimi vdekjeprurës, kanceri i shpirtit, që mbërthen imigrantin! U orvata të shpëtoja nga kjo lëngatë. Si edhe më parë, u ktheva të sodisja tablotë e paqes e të qetësisë, tablotë e Sislejt, të Pisaros e të Rënuarit; rrija me orë të tëra në muze…, por tani efekti ishte i kundërt. Këto piktura nuk më qetësonin më, përkundrazi, ato nisën të thërrisnin, të kërkonin, të më kujtonin një vend të pashkretuar akoma nga gërbula e murrme, të më kujtonin disa mbrëmje nëpër rrugë, mbi muret e të cilave lulëzonin jargavanët, buzëmbrëmjet e praruara të qytetit të lashtë, kambanoret e blerta, rreth të cilave silleshin fluturim dallëndyshet…, dhe gruan time.

Jam njeri i zakonshëm dhe nuk kam cilësi të veçanta. Me time shoqe kisha jetuar katër vjet, siç është zakon të jetohet, pa vështirësi, rehat, por jo me ndonjë pasion të madh. Pas muajve të parë, marrëdhëniet tona ishin bërë ajo që quhet një martesë e mirë, një lidhje ndërmjet dy njerëzve që pranojnë se respekti i ndërsjellë është bazë për një bashkëjetesë të qetë. Nuk na vinte keq për mungesën e ëndrrave. Të paktën, kështu më dukej mua. Ishim njerëz të arsyeshëm dhe e donim njëri-tjetrin.

Por gjithçka ndryshoi: nisa ta qortoja veten që kisha bërë një martesë aq të rëndomtë. Kisha humbur aq shumë gjëra. Përse kisha jetuar? Ç’po bëja tani? Fshihesha dhe rroja me të keq. Gjer kur do të vazhdonte kështu? Dhe si do të përfundonte? Do të shpërthente lufta, dhe Gjermania do të fitonte. Ishte i vetmi vend i armatosur gjer në dhëmbë. Ç’do të ndodhte më pas? Ku do të fshihesha po të më mbetej akoma kohë e frymë? Në ç’kamp do të vdisja urie? Pas ç’muri do të më shembte përtokë ndonjë plumb pas zverkut, po ta kisha këtë fat? /KultPlus.com

“Kur vdiq baba’

Poezi nga Arbër Selmani

Kur vdiq baba,
vdiq një pjesë e imja,
vdiq pak edhe nana e pak edhe motra me të,
vdiqën këmishat e tij
vdiq rroga ime e fundit në xhepin e djathtë
vdiq ditë e bekuar,
vdiqën kërkimfaljet, shuplakat e forta, dëshirat që i pata
andrrat që si pata
vdiq pazari i mëngjesit, edhe krejt mëngjesi vdiq atë ditë.

Kur vdiq baba,
Ka vdekë edhe një lis diku në malin e shenjtë,
Ka vdekë një e mirë, një mirësi, një përrallë nuk u tregua më,
Ka vdekë trupi që jeta nuk i dha gjë prej gjëje,
Se nuk quhet jetë
Kur cdo pesë vjet, fatkeqësia gjen paqen e saj mbi ty.

Kur vdiq baba,
Vdiqa copë copë në tepihun e banjos.
U zvarrita deri te rubineti për ta larë fytyrë,
Për ta parë vdekjen time,
Për të harruar sa trupi po vdiste po të njëjtën ditë.

Kur vdiq baba,
Kush nuk u kfill më në shtëpinë time,
Vdiq zënka e fundit, vdiq një bursë studimi për Amerikë,
vdiq edhe diploma e shkollës, që sot s`është as leckë.
Vdiqën burrat e dobët të kësaj bote,
Vdiqën gratë të cilave natyra iu dhe shkelma shpesh e më shpesh.
Vdiq me babën edhe lumturia ime,
Vdiqën detet ku dikur futa trupin tim të pakohë,
Vdiqën fushat ku jam rritë i gëzuar,
Vdiq i dashuri im i harruar,
Vdiq gruaja ime që nuk do të ekzistojë kurrë,
Me vdekjen e babës ka vdekë një copë e imja e vjetër.

Me babën ka vdekur edhe e bukura,
Kompleti i librave të Asdrenit dhe Kapitali i Marksit,
Kur vdiq baba,
E ndjeva pickimin në shpirt dhe shtrëngimin e Zotit
I pashë para meje ata që nuk janë të bukur sa ai
Se askush nuk është më i bukur se bukuria hyjnore e babës,
Se krejt patën jetën e mirë, po jo i imi babë
Se shumica morrën përqafime kur ai derdhi lot,
Se fati ka shëtitur në qytet këmbëzbathur po babën tim nuk e takoi dot sokaqeve.
Kur vdiq baba, zanat e bardha më janë kthyer në gjarpër të zi e të gjatë.

Kur vdiq baba,
Krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë,
Morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend,
I mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova
Kur vdiq baba,
Ka vdekur edhe një perëndi diku lart që u lodh së jetuari,
Ka vdekur një Eros që ditët e mira i pati të porositura,
Kanë vdekur shokët e tij, shoqet, kanë vdekur të afërmit që nuk janë kurrë të tillë.
Kur vdiq baba,
U ula buzë lumit të lotëve të mi dhe qava. / KultPlus.com

Princi Charles bën paraqitjen e parë pasi doli pozitiv me koronavirus

Princi Charles  iu ka bërë thirrje njerëzve që të “presin për kohë më të mira” në paraqitjen e tij të parë që kur u diagnostikua me koronavirus.

Në një video të postuar në Twitter, ai tha se periudha e tij e izolimit tashmë kishte përfunduar por paralajmëroi se distancimi social mund të ishte një “përvojë e çuditshme, zhgënjyese dhe shpesh shqetësuese”, Klan Kosova. / KultPlus.com

O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush te ka qitë me krye n’hi

Poezi e shkruar nga Pashko Vasa.

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com

Historia e pavarësisë së një gruaje e dëshmuar përmes një fotoje në Firence më 1951

Ajo quhet Ninalee Craig, ishte vetëm 23 vjeçe dhe fotografianë e ka realizuar fotografia profesioniste, Ruth Orkin, një mike e saj në vitin 1951.

Një grua e re amerikane shëtit në trotuarin e një rruge në Firence, Itali. Gjatë rrugës burrat e ngacmojnë me shpresën për të tërhequr vëmendjen e saj, por pa mundur t’ia arrijnë qëllimit. Ajo është e papërshkueshme nga kjo stuhi sysh dhe ngacmimesh, shamia e saj e hedhur krahëve është një mburojë nga bota gumzhitëse, nga ai realitet mashkullor që kërkon ta përpijë. Por ajo ndërsa qëndron stoike, vazhdon sfiduese rrugën e saj.

Është një foto. Është një fokus i vërtetë. Nuk ka asnjë truk apo parapërgatitje. Është një episod që tregon Italinë dhe italianët e viteve ’50. Secili nga ne mund ta komentojë sipas mënyrës së tij. Çdonjëri ka një këndvështrimi personal dhe një koment individual në lidhje me këtë foto.

Impakti që krijon ky imazh është ngacmimi që arrin të përcjellë ky moment. Fotografia të irriton për shkak se si burrat po e trajtojnë atë grua, se si ata i vardisen. Sidoqoftë, në një intervistë të kohëve të fundit gruaja në foto, Ninalee Craig thotë se imazhi nuk nënkupton ngacmim, por më shumë frikë dhe pavarësi. 83-vjeçaria, Craig shpjegoi për Shoë Today se, “Disa njerëz duan ta përdorin atë si një simbol të ngacmimit të grave, por kjo është ajo që ne kemi luftuar gjatë gjithë këtyre viteve … Nuk është një simbol i ngacmimit. Ashtë një simbol i një gruaje që përjeton disa momente absolutisht të mrekullueshme! ”

Ajo që njerëzit nuk e kuptojnë është histori më e thellë që tregon fotografia. Kur u kap ky moment në vitin 1951, Ninalee Craig ishte një aventuriere 23-vjeçare. Ishte e panjohur për një grua, por Craig kishte udhëtuar për më shumë se gjashtë muaj, në të gjithë Francën, Spanjën dhe Italinë. Përfundimisht ajo u takua me një tjetër femër aventuriere, Ruth Orkin, e cila ishte një fotografe profesioniste, 29-vjeçare. Ata shpejt vendosën të bashkohen dhe të krijojnë art së bashku. Ata donin të dokumentonin përvojën e një gruaje të vetme që udhëtonte në Itali. Edhe pse fotografia “Vajza Amerikane në Itali” është më e famshmja, ka një seri të tërë pamjesh që ato krijuan në të njëjtën ditë.

Në imazhin e famshëm Ninalee Craig shpjegon se është një simbol i grave të forta, të pavarura që nuk kanë frikë të jetojnë jetën. Sipas Craig, “Burrat që shohin fotografinë gjithmonë më pyesin: A u frikësova? A kisha nevojë për t’u mbrojtur? Ishe e mërzitur? …

Gratë, nga ana tjetër, shikojnë atë foto, dhe ato që janë bërë shoqet e mia do të qeshin dhe do të thonë: “A nuk është e mrekullueshme? A nuk janë të mrekullueshëm italianët? … Ata ju bëjnë të ndiheni të vlerësuar! “

Ninalee Craig këmbëngul gjithashtu që burrat ishin plotësisht të padëmshëm, megjithëse duket se po e xhelozojnë atë. Asnjë nga burrat nuk shkoi më larg se thjesht duke shprehur gjestet e zakonshme kur shohin një femër të bukur, të vetme, dhe të lirë për ta soditur dhe për t’iu qasur përmes këtyre gjesteve që kanë mbetur të plazmuara në këto fotografi.

Craig betohet se asnjëri nga burrat nuk synonte ta ngacmonte. Ajo gjithashtu shpjegon se si ajo pjesë e figurës u editua dhe u publikua duke rrëmbyer një interesim mbarëbotëror ndër vite, gjë që është mjaft interesante. Sikur kjo nuk ndryshon aspak dinamikën e burrave ose i bën ata të shfaqen më pak kërcënues.

Tani shikuesit mund të shohin se çfarë tregon vërtet fotografia, që është se Craig ishte me të vërtetë një grua e pavarur e shquar e kohës së saj. Pas udhëtimit të saj evropian të vitit 1951 ajo u kthye në Neë York dhe dha mësim në shkollë, më pas kishte një punë duke shkruar një kopje reklamash. Tani ajo është një gjyshe, një stërgjyshër dhe përkrahës i zellshëm i arteve në Toronto. Ajo është krenare që fotografitë e Ruth Orkin që tani janë të shfaqura në Galerinë Stephen Bulger në Toronto. Ninalee Craig  e konsideron privilegj që ka qenë një pjesë e grupit të fotografive të kapura 60 vjet më parë, të cilat tregojnë historinë e saj interesante./AlbertVataj Filozofia.al / KultPlus.com

‘Sipas traditës shqiptare nuk parashihet shtyrja e dasmës’, Bleroni dhe Dushja u kurorëzuan në kohë pandemie

Bleron Xhymshiti dhe Dushe Surdulli nga Gjilani kishin bërë plan të bënin një dasmë të madhe më 14 mars të këtij viti. Por, ndodhi e kundërta, ata organizuan një event të vogël vetëm me familjarë pasi që koronavirusi kushtëzoi planin më të veçantë të jetës së tyre.

Ahengu i tyre u organizua në kushte shtëpiake në Gjilan, e sipas dhëndrit Xhymshiti, ka shkuar për mrekulli. Megjithatë, nuk ishin ndjerë mirë për shkak të gjendjes alarmante që mbretëronte atë ditë në Kosovë. Ai tregon se nuk e kishin pritur që një gjë e tillë të ndodhte në prag të martesës së tyre.

„Datën e kemi caktuar shumë më herët. Nuk kemi qenë në dijeni për këto që do të ndodhnin“.

Sipas traditës shqiptare, nuk parashihet ndërrimi i datës apo shtyrja, kësisoj Bleroni dhe Dushja u martuan po atë datë që ishte caktuar më herët.

Gjithçka ishte e planifikuar, duke filluar nga restoranti e muzika, ku ishin të ftuar rreth 200 persona. Por,  me një vendim unanim u ndërmor hapi për anulimin e ahengut të madh e u vendos kurorëzimi përmes një eventi të vogël vetëm me familjarë të ngushtë.

Sipas familjes, kjo ishte zgjidhja e duhur pasi që gjendja ishte serioze dhe duhej menduar për shëndetin e të gjithëve.

Pjesa e cila ka bërë bujë në publik janë fotot e çiftit të bëra me maska në një situatë të tillë globale./albinfo.ch

Anulohet Wimbledon, shkak koronavirusi

Wimbledon është anuluar për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore për shkak të pandemisë koronavirus.

“Ky është një vendim që nuk e kemi marrë lehtë, dhe e kemi bërë me respektin më të lartë për shëndetin publik dhe mirëqenien e të gjithë atyre që vijnë së bashku për ta mundësuar Wimbledon-in”, tha Ian Hewitt, kryesuesja e Klubit të Tenisit në Angli.

Turneu ishte paraparë të zhvillohej midis 29 qershorit dhe 12 korrikut.

Tërë sezoni është anuluar dhe nuk do të ketë asnjë lojë tenis profesionist kudo në botë, të paktën deri më 13 korrik.

Wimbledon është ngjarja e fundit madhore sportive që do të anulohet, përderisa Euro 2020 dhe Lojërat Olimpike Tokio 2020 janë shtyrë për 12 muaj.

Pason shtyrjen e French Open, e cila do të fillonte në maj, por është rifilluar për në 20 shtator-4 tetor.

Kurti nga Shkolla Model “Qamil Batalli”: Nga java e ardhshme mësimi online nis 8 orë në ditë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti së bashku me Ministren në detyrë të Arsimit, Shëndetësisë, Teknologjisë dhe Inovacionit Hykmete Bajrami kanë vizituar Shkollën Model “Qamil Batalli” në Prishtinë.

Kurti është takuar me drejtorin e kësaj shkolle Liridon Maliqi, Drejtoreshën e Drejtoratit të Arsimit të Komunës së Prishtinës Shpresa Shala, Drejtorin Televiziv dhe Kryeproducentin Faik Ispahiu dhe Drejtoreshën Ekzekutive të “TOKA” Jehona Gjurgjeala, mësuesit, arsimtarët dhe stafin vullnetar i cili po e realizon mësimin online.

Kryeministri në detyrë ka deklaruar se si Qeveri janë shumë të kënaqur me punën që po bëhet.

“Nxënësit tanë kanë mundësinë e marrjes së mësimit nga një ekip shumë mirë i përgatitur. E gjithë kjo punë e madhe po bëhet vullnetarisht”.

“Nga java e ardhshme mësimi do të fillojë 8 orë në ditë. Tani për tani nxënësit mund të marrin mësimin në gjuhën shqipe, turke dhe atë boshnjake”.

Kurti ka thënë se koronavirusi në Kosovë kryesisht po luftohet nga vullnetarët, njofton Klan Kosova.

“Mobilizimi i tyre në çdo fushë na jep shpresë për shprehinë e punës dhe solidaritetin shtetëror që po e ndërtojmë”. Klan Kosova / KultPlus.com