U.d. Presidentja, Vjosa Osmani me rastin e Ditës Universale të të Drejtave të Fëmijëve bashkëbisedoi sot në një takim online me 30 fëmijë nga Asambletë Komunale të fëmijëve të Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit e Gjakovës.
Ky bashkëbisedim u realizua për nder të 20 Nëntorit, i cili me vendim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është ditë që i kushtohet të drejtave të fëmijëve.
U.d. Presidentja Osmani i uroi fëmijët me rastin e ditës së tyre dhe shprehu keqardhje që shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19, nuk pati mundësi t`i mirëpresë ata në Presidencë.
Osmani i siguroi ata për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, në funksion të përmirësimit të mirëqenies dhe bërjes së Kosovës siç e ëndërrojnë ata.
“Vendi ynë është vend më i mirë, kur fëmijëria juaj është e bukur dhe e shëndetshme, kur çdo shok e shoqe e lagjes tuaj, fshatit apo qytetit tuaj ka mundësi të shkollohet dhe të marr edukim cilësor, kur ju mund të lozni në parqe e në ajër të pastër, kur mundësitë tuaja për tu avancuar dhe për të fituar vazhdimisht shkathtësi të reja janë të shumta e lehtë të qasshme”, është shprehur u.d. Presidentja. Ajo tha se beson fuqishëm në këtë, ngase: “Kur fëmijët janë mirë, të shëndetshëm, mirë të edukuar, dhe të fuqizuar, e tillë do të jetë edhe e ardhmja e vendit tonë”.
Në bashkëbisedimin virtual me më të vegjlit, u.d. Presidentja pati rastin të njoftohet edhe me punën e Asambleve Komunale të fëmijëve, sfidat dhe kërkesat e fëmijëve nga komunat përkatëse. Ndërkaq fëmijët shfrytëzuan rastin t’i adresojnë u.d Presidentes një sërë pyetjesh që kanë të bëjnë me punën e saj./ KultPlus.com
Uniformat e lezetshme të shkollës, ditët e ngrohta të Mançesterit dhe salla e refugjatëve, formojnë impresionet e hershme të shpëtuar nga Kosova. Fragmente këto të shkëputura nga letrat që ajo dërgoi në shtëpi.
Saranda Bogujevci, 22 vjeçare, gëzoi ikjen më të mrekullueshme nga paramilitarët serb, të cilët shpuan trupin e saj me 16 plumba, në masakrën që ndodhi në kopshtin e shtëpisë së saj, në një fshat në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999. Gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë, përfshirë këtu nënën dhe vëllain e saj.
Saranda la gjakderdhjet prapa saj në Prishtinë dhe u vendos në Mançester, ku u shërua nga plagët që kishte marrë. Por tmerri i vrasjes së familjes së saj ende e ndjek atë dhe pas disa vitesh kur ajo u kthye prapë në rajon për të dëshmuar kundër vrasësve.
Më poshtë janë fragmente nga letrat që ajo i shkroi gjyshes së saj, ndërsa po mësohej me ambientin e ri në veri-lindje të Anglisë.
10 SHTATOR 1999
E dashura gjyshe! Kanë kaluar shumë muaj që kur të kam parë dhe shumë gjëra kanë ndodhur qysh atëherë. Dua të tregoj se si përfundova këtu, e shtrirë në spitalin e Mançesterit, në Angli. Të katër kushërinjtë ishim të shtruar në spitalin e Prishtinës. Këtu na sollën disa ushtarë, pasi familja jonë u godit.
Jashtë ishte shumë errët – zi si korbi. Dritat në korridor ishin shumë të zbehta. Brenda ishte shumë qetë. Unë shihja infermieret që endeshin poshtë e lartë nëpër korridor, por nuk shihja asnjë ushtar. Zakonisht korridori ishte i mbushur me ushtarë të dehur e të plagosur. Ata bënin shumë zhurmë, bërtisnin, qeshnin, këndonin, bile ndonjëherë edhe shtinin me armë. Por këtë natë, asgjë e tillë nuk ndodhte.
Në mëngjes, kur erdhi koha që infermieret t’më zgjonin nga gjumi, asgjë nuk ndodhi. Kështu që unë dhe vajza me të cilën ndaja dhomën e spitalit, u ngritëm të shkojmë në banjo. Ndërsa prisja atë, hodha shikimin nga dritarja dhe pashë shenjat e NATO-s nëpër tanke. Edhe pse isha e lodhur dhe e rraskapitur, vrapova nëpër korridor dhe i tregova kushërirës time, Jehonës. Më bëhej të bërtisja me aq zë sa kisha.
2 SHKURT 2000
E dashura gjyshe. Herën e fundit kur të shkrova, isha e shtrirë në spital. Nejse, që atëherë gjërat janë përmirësuar. Ende më duhet të shkoj tek fizioterapeuti tërë kohën, ndonjëherë deri në pesë herë në javë, por të paktën në mbrëmje mund të shkoj në shtëpi.
Para pothuaj tre muajsh, pata një operacion të madh në krah. Të lutem mos u merakos për plagët e mia, sepse doktorët këtu kujdesen shumë për mua. Aq shumë, saqë jam kthyer në shkollë. Është kënaqësi të jem së bashku me moshatarët e mi. Plus, unë e vesh uniformën e shkollës që është shumë e lezetshme. Askush nga nxënësit në Kosovë nuk do t’i vishte, por këtu të gjithë vijnë në shkollë me funde ngjyrë hiri, pulovra dhe kollare ngjyrë vjollce.
Mësimet ma heqin mendjen nga ajo që ndodhi vitin e kaluar. Edhe pse mësoj vetëm shkencë, matematikë dhe tek-tuk ndonjë mësim arti, unë humb veten me detyrat që kam. Po ashtu, nxënësit dhe mësuesit sillen shumë mirë me mua, gjë që ma lehtëson jetën.
Më vjen çudi, se si sistemi shkollor këtu është ndryshe nga ai në Kosovë. Në vend që mësuesit të kenë sallën e arsimtarëve, ata kanë një dhomë në klasën time dhe atyre iu duhet të rrinë me ne.
Edhe pse po shërohem përbrenda, prapë se prapë ka gjëra që ma zenë rrugën. Unë nuk mund të shprehem siç duhet. Ka shumë raste kur nuk mund të shpreh mendimet e mia sepse nuk e flas gjuhën angleze aq mirë. Fakti i tillë po më çmend. Dua t’iu them njerëzve:”Unë nuk po tregoj veten time, unë nuk po shprehem ashtu siç synoj!”
Por nuk kam mundësi, kështu që ndjehem sikur të isha dikush tjetër. E urrej këtë gjendje. Unë kurrë nuk kam qenë aq e urtë në shtëpi, po këtu mësuaesit mendojnë se jam shumë e sjellshme. Sikur t’më njihnin! Më ka marrë shumë malli për ty dhe shtëpinë. Shpresoj të shihemi së shpejti. Me dashuri, Saranda.
20 GUSHT 2002
E dashura gjyshe. Sapo isha duke menduar për ty. Tashmë e kam sistemin e muzikës dhe kënga e kushëririt tonë Ismetit ishte duke kënduar. E di cila, ajo kënga e dasmave. Po që se mbylli sytë, e shoh veten në kopshtin tonë në Podujevë, në një ditë me diell. Sot është nxehtë edhe këtu. Kjo nuk ndodh shumë shpeshë, por në Mançester ndonjëherë bëhet mjaft ngrohtë, por jo si tek ne.
Sidoqoftë, kam ca lajme të mira. Sot kam marrë rezultatet e GCSE-së (ato janë si provime që i kryen në fund të shkollës fillore). Kam marrë notën më të lartë në lëndën e artit!
Unë mendoj se pata mësues të mirë, por prapë se prapë ndjehem paksa çuditshëm, sepse nuk i pata kryer detyrat ashtu siç duhet. Nuk isha e sigurt se a do t’i kaloja provimet apo jo. Kalova vitin me nota të larta dhe kjo ishte gjëja e fundit që prisja.
Meqë ra fjala, kohën fundit kam më shumë besim kur flas me njerëz në gjuhën angleze. Tashmë, unë me të vërtetë mund të them atë çka mendoj. Gjatë viteve të kaluara, jam ndjerë e tejdukshme dhe më vjen mirë që dikush tjetër nuk flet në vendin tim. Mendoj që të studioj artin në kolegj sepse pata notën më të lartë. Shkolla e artit ku kam vendosur të shkoj është shumë e mirë.
A të kujtohet kur mendoja të bëhem farmaciste? Se si ndryshojnë gjërat. Të them të drejtën, mendoj se nuk do të isha bërë shumë farmaciste e zonja, mbase është edhe për të mirën e shëndetit të tjerëve. Shpresoj të të shoh së shpejti. Me dashuri, Saranda.
MARS 2003
E dashura gjyshe. Po ndjehem çuditshëm sot. Ne u kthyem dje nga aeroporti, por ende nuk më besohet që gjykimi përfundoi. Që kur serbët erdhën dhe na goditën me armë, unë doja që ata të dalin para drejtësisë. Kur i pashë ata ulur në sallën e gjyqit, në njërën anë u ndjeva e lumtur sepse mund të rrëfeja se çfarë na bënë ata ne, por në të njejtën kohë isha e frikësuar.
Ne ishim të shqetësuar se diçka mund të ndodhte përsëri. Ishte vështirë t’a kalonim tërë procesin sepse kishim nevojë për mbrojtje gjatë 24 orëve, që nga momenti kur shkuam në Beograd, deri në momentin kur u larguam.
Ishte disi e çuditshme sepse më duhej të dëshmoja ditëlindjen e nënës time dhe më kujtohet kur u ktheva me veturë, shikoja diellin dhe kisha vënë kokën në dritare. Ishte një ditë e shndritshme. Nejse, brenda një sekondi, ja ku ishte, atë e kisha përballë duke më buzëqeshur. Kisha harruar se sot ishte ditëlindja e saj, megjithatë e kisha rregjistruar në kalendarin e celularit në mënyrë që ta kujtoja. Kur e ndeza celularin, u ndez alarmi me mesazhin, “Ditëlindja e mamit”.
Na u desh të nisemi dhe më u kthyem përsëri në shtëpi, këtu në Mançester. Kam kaluar shumë kohë duke menduar se çfarë ndodhi gjatë vitit 1999, dhe tani, të paktën ndjehem se mund të eci përpara. Më duket se është në rregull të eci përpara sepse njerëzit që më bënë këtë mua, ty, tërë atyre femrave dhe fëmijëve të tjerë, tashmë janë dënuar. Më mungon. Me dashuri, Saranda.
SHTATOR 2004
E dashura gjyshe. Sapo u ktheva nga qyteti, ku u takova me një shoqe. Ajo është si unë. Edhe ajo e ka familjen nga një vend tjetër dhe plotësisht e kupton se çka do të thotë të kesh në jetën tënde dy kultura, të kesh një këmbë në Mançester dhe një këmbë në një vend tjetër. Ajo është shumë e qetë dhe nuk më gjykon fare.
Përveç Claire, unë po zë shoqëri edhe me të tjerët. Është qesharake, sepse kur u ktheva në shtëpi këtë verë dhe u mundova të shoqërohem me shokët dhe shoqet e mija që kam pasur, ishte edhe më vështirë nga ç’e prisja. Shumica prej tyre janë martuar, apo kanë shkuar nëpër vende të tjera. Supozoj se të gjithë jemi ndarë. Ne nuk jemi të njëjtit njerëz siç ishim në shkollën fillore.
Po ashtu, ka edhe gjëra të tjera të mira në Mançester. Unë kam filluar të merrem me shumë aktivitete të tjera. Teatri lokal, Royal Exchange, ka mbledhur refugjatë që aktrojnë dhe ne po përgatisim një shfaqje për një studio teatri. Kam mësuar shumë nga roli. Shumica prej nesh nuk kishim aktruar më parë dhe kjo na ofroi më shumë me njëri-tjetrin. Shfaqja që ne përgatitëm është quajtur Ballë për Ballë – dashuria në Britaninë e Madhe dhe e tëra ka lidhje me marrëdhëniet. Të bën shumë për të qeshur. Sa do të kisha dëshirë që ti t’a shihje. Me dashuri, Saranda.
30 QERSHOR 2007
E dashura gjyshe, kam mjaft kohë që të shkruaj sepse jam në pushimet verore universitare. Kurrë nuk mund t’ia qëllosh se ku do të shkoj vitin e ardhshëm…Kanada. Më kujtohet kur kam qenë fëmijë dhe dëshiroja të shkoja nëpër vende të ndryshme, veçanërisht në Angli. Kurrë nuk kisha besuar se do të jetoj këtu dhe tashmë po shkoj prapë në një vend tjetër.
Mezi pres t’iu shoh të gjithë juve. Kosova do të jetë gjithmonë vendi i fëmijërisë time dhe vendlindja ime, po Mançesteri do të jetë vendi ku u bëra e rritur. Do të kisha dëshirë të flas me mamin dhe t’a pyes se çka mendon për mua si një e rritur. A është Saranda e rritur ajo që gjithmonë ka pasur në mendje? Kurrë nuk do ta di. Do të shkruaj së shpejti. Me dashuri, Saranda./ KultPlus.com
Ndryshe, “Prisoner” për më pak se 24 orë nga publikimi ka marrë mbi pesë milionë klikime në kanalin YouTube dhe aktualisht është në listën e këngëve më të dëgjuara./ KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se vendimi për dhurimin e 50 eurove të gjithë atyre që janë infektuar në këtë komunë, do të merret të mërkurën.
Ai njoftoi se përjashtim do ketë për grupmoshat e pensionuara, të cilëve do t’iu ofrohen 100 euro nga komuna. Një gjë të tillë, Ahmeti e bëri të ditur në ‘Facebook’-un e tij.
“Sot, në takim me partitë politike në Kuvendin Komunal të Prishtinës u dakorduam se vendimi për ndihmen prej 50 euro për të infektuarit me virus do të merret në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të mërkuren me 25 nëntor, 2020”, deklaroi ai.
Ai ka falënderuar partitë e tjera në Kuvendin Komunal për unitetin dhe vullnetin që kanë treguar.
Postimi i plotë:
Sot, në takim me partitë politike në Kuvendin Komunal të Prishtinës u dakorduam se vendimi për ndihmen prej 50 euro për të infektuarit me virus do të merret në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të mërkuren me 25 nëntor, 2020.
Deri të marten do të diskutojmë edhe më tutje për ta definuar modalitetin dhe kriteret. Një ndryshim që u diskutua sot është që vlera e ndihmës për penzionistë të infektuar me covid do të jetë 100 euro.
Të gjitha këto në emër të shpenzimeve shëndetësore për shërbimet dhe medikamentet që nuk mund ti marrin në sistemin publik shëndetësor.
Edhe një herë sikurse edhe shumë herë më parë falenderoj Kuvendin dhe të gjitha partitë për unitet dhe konstruktivitet kur reagohet për krizen dhe ndihmen për qytetarët. Nder e krenari!/ KultPlus.com
Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, që nga dita e djeshme është përsosni më i përmendur në skenën politike në vend. Ai dje ka fyer deputeten e kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, kur po diskutohej në lidhje me çështjen e personave të pagjetur si njëra ndër plagët më të mëdha që ka shoqëria kosovare.
Deklaratat e Selmanaj që nga dje kanë ngjallur pakënaqësi të madhe tek qytetarët, por edhe disa nga përfaqësuesit e institucioneve, si dhe partive opozitare. Iniciativa Qytetare gjatë ditës së sotme ka publikuar peticionin “Ti nuk më përfaqëson! Shkarkim!”, ku kërkohet shkarkimi i Driton Selmanaj.
Ata nëpërmjet këtij peticioni kanë shprehur indinjatën e tyre kundrejt deklaratave të Driton Selmanaj dhe kanë bërë thirrje për nënshkrimin e këtij peticioni.
Më poshtë gjeni përshkrimin e peticionit si dhe linkun:
Kosova ende vazhdon të jetojë në terrin e të pagjeturve. Ende mbetet plagë e hapur mos vënia e drejtësisë për krimet e masakrat, për gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Andaj si qytetarë, si familjarë të personave të pagjetur, të atyre të vrarë, të grave viktima të dhunës seksuale dhe gjithë atyre që kanë parë krimet me sy dhe kanë përjetuar masakrat në lëkurën e tyre, jemi thellësisht të indinjuar nga deklaratat e zëvendëskryeministrit të Kosovës Driton Selmanajt. Ky njeri dhe ky emër nuk paraqet person fizik por përfaqëson institucionet e Republikës së Kosovës dhe si e tillë është e rrezikshme të kemi në udhëheqje një përfaqësues që i konsideron çështjen e të pagjeturve, masakrat dhe krimet e kryera në Kosovë si çështje që është konsumuar dhe ezauruar.
Prandaj, ky peticion është protesta jonë!
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të nënshkruajnë peticionin përmes së cilit kërkojmë nga kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti shkarkimin e Driton Selmanajt nga pozita e zëvendëskryeministrit. Ndërsa Driton Selmanaj e ftojmë të japë dorëheqje nga çdo pozitë zyrtare në institucionet e Republikës.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, për disa herë me radhë ka shprehur haptas krenarinë për rrënjët nga vjen.
Madje, për më tepër, Bebe nuk e kursen as mbështetjen për këngëtaret shqiptare dhe këtë e tregon para botës.
Me anë të një postimi në Instagram, artistja shpërndau këngën e re të yllit në ngritje, Enisës.
“Mbështes motrën time shqiptare @iameinsa”, ka shkruar Bebe në atë postim, që e ndau me miliona fansat e saj.
Kujtojmë se Enisa është emër që çdo ditë po shënon suksese në profesionin që ka zgjedhur. Ajo gjatë ditës së djeshme (e enjte) ka publikuar këngën “Dumb Boy”. /KultPlus.com
Jorge Agustín Nicolás Ruiz de Santayana y Borrás, i njohur në anglisht si George Santayana, ishte filozof, eseist, poet dhe romancier. Me origjinë nga Spanja, Santayana u rrit dhe u shkollua në SH.B.A. nga mosha tetë vjeç dhe e identifikoi veten si një Amerikan, megjithëse ai gjithmonë mbante një pasaportë të vlefshme Spanjolle. Në moshën 48 vjeç, Santayana la pozicionin e tij në Harvard dhe u kthye në Evropë përgjithmonë.
Edhe pse ateist, ai vlerësoi vlerat, praktikat dhe botëkuptimin katolik Spanjoll në të cilin u rrit. Santayana ishte një kritik kulturor me shtrirje të gjerë që përfshinte shumë disiplina. Ai u ndikua thellësisht nga jeta dhe mendimi i Spinozës; dhe, në shumë aspekte, ishte një Spinozist i devotshëm.
Santayana është e njohur gjerësisht për aforizmat, të tilla si:
“Popujt që e harrojnë të kaluarën e tyre, janë të mallkuar që ta përsërisin.”/ KultPlus.com
Donna Garrett, e rritur në Los Anxhelos, është vajza e dy prindërve pilotë, që i janë kushtuar gjatë gjithë jetës këtij profesion. Në fakt, nëna e saj, Suzy Garrett, është një nga pilotet e para femra për kompaninë rajonale amerikane, SkyWest.
Në fëmijërinë e saj, Donna e shihte punën e prindërve si diçka shumë të mërzitshme, por me kalimin e kohës, ajo filloi të frymëzohej nga pasioni i prindërve, e sidomos nga liria që ata gëzonin për të eksploruar botën, e për këtë vendosi të ndiqte karrierën në fluturim.
Në shtator 2019, Donna nisi të operojë në një aeroplan së bashku me Suzy-n, duke u bërë ekipi i parë pilot, nënë dhe vajzë. Fluturimi i tyre i parë ndodhi rreth një vit më parë, por vetëm javët e fundit, historia e Donna-s dhe Suzy-t u bë befas virale. Fotot nënë e bijë, duke buzëqeshur me krenari në kabinën e avionit, u përhapën me shpejtësi në të gjitha mediat sociale.
“Ne e dinim që ishte me të vërtetë diçka e veçantë”, shprehet Suzy, teksa kujton reagimin e të gjithëve, si një nga ndjesitë më të mira që ka përjetuar gjatë përvojës së saj të punës. E befasuar, Suzy tregon me shaka se këto kohë ka bërë më shumë fotografi sesa në dasmën e saj. Pasagjerët, stjuardesat, por dhe njerëz të tjerë vijnë dhe shprehin dëshirën për të bërë fotografi me ne dhe kjo padyshim tregon se mbështetja është vërtet e madhe”, thotë ajo.
Dyshja, nënë e bijë, kishin shpresuar të përsërisnin përvojën e tyre në një fluturim së bashku edhe në vitin 2020, por planet e tyre u ndalën nga pandemia e Covid-19. Tani për tani, Suzy është në Los Anxhelos dhe Donna në Çikago dhe si shumë familje, ata nuk kanë qenë në gjendje të kalojnë shumë kohë së bashku këtë vit.
Imazhi i tyre që ndanin një kuvertë fluturimi padyshim u pa si një nga më të veçantët në aviacion, por gjithashtu simbolizoi një moment historik në udhëtimin e vështirë me të cilin përballen shumë gra pilote dhe kjo është një nga arsyet që dyshja mendon se pse historia e tyre bëri jehonë në të gjithë botën.
Suzy Garrett filloi të punonte për SkyWest në vitin 1989. Gjithmonë, kishte ëndërruar të bëhej pilote, por për ta arritur këtë dhe për të qenë e suksesshme, rruga e saj nuk ka qenë shumë e thjeshtë. Suzy tregon sesa e vështirë ishte më parë për një grua të bëhej pilote dhe se e vetmja mënyrë për të plotësuar këtë dëshirë ishte duke u bërë pjesë e forcave ushtarake, çka për të ishte e pamundur për shkak të gjatësisë së saj fizike, që nuk përputhej me kriteret e kërkuara nga ushtria. Megjithatë, e vendosur për të pasur sukses, ajo u regjistrua në shkollën e aviacionit në Kolegjin Mount San Antonio në Kaliforni, në 1984 dhe më vonë, arriti të punonte si instruktore fluturimi për disa vjet para se të niste punë në kompaninë SkyWest, ku vazhdon të jetë edhe sot.
Tridhjetë vjet më parë, aviacioni në Amerikë dominohej nga burrat, por sot situata ka ndryshuar paksa, ndonëse sipas shifrave të Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës, 92.5% e pilotëve profesionistë janë meshkuj. Organizata të ndryshme dhe politikat shtetërore po punojnë vazhdimisht për ta bërë aviacionin më të arritshëm duke dhënë bursa apo duke u përpjekur për të përfaqësuar shumë grupe jo të përfaqësuara në aviacion, si njerëzit me ngjyrë apo gratë.
Megjithatë, edhe pse pranon vështirësitë që ka hasur, Suzy thotë se nuk përballet me ndonjë diskriminim në kabinën e pilotit pasi është ndjerë se ka të njëjtën aftësi si homologët e saj meshkuj. Vërejtjet, më së shumti, ajo i ka marrë nga njerëz që nuk e njohin profesionin e saj dhe janë shprehur skeptik për aftësitë e grave si pilote. Për këtë arsye, Suzy brohoret çdo ndryshim që mund të ndryshojë këtë perceptim dhe të ndihmojë gratë të jenë të suksesshme në këtë industri, në të cilën ajo shpreson të ketë frymëzuar gra e vajza të reja, siç ka bërë dhe me vajzën e saj.
Nga ana tjetër, Donna nisi të mësonte hapat e para në këtë profesion nga babai i saj, më pas ndoqi studimet në dy shkolla fluturimi në Kaliforninë Jugore, e mandej përfundoi trajnimin në Miçigan. Sot, që ndodhet në fillimet e karrierës së saj, arrin të kuptojë se padyshim nëna e vet është një pioniere në këtë fushë dhe se ajo çfarë ka bërë është mbresëlënëse për të gjitha gratë dhe vajzat e reja që dëshirojnë të ndjekin një ëndërr të tillë.
Të dyja, Donna dhe Suzy flasin me ëndje për kohën kur kanë fluturuar së bashku dhe Donna shprehet e lumtur që ka pasur mundësinë të fluturojë me një kapitene me aq përvojë, saç është nëna e saj. Dyshja shpreson se herën tjetër edhe djali i Suzy-t mund të bashkohet me ta në kabinë, pasi edhe ai është një pilot i kualifikuar dhe së shpejti do të bashkohet me SkyWest.
Nënë e bijë shpresojnë që industria të rimëkëmbet sa më parë nga kjo situatë që ka shkaktuar pandemia dhe linjat ajrore të fillojnë të punojnë përsëri. Gjithashtu, ato shpresojnë se pandemia nuk do të ndalojë aviatorët e rinj të arrijnë qëllimet e tyre. “Në këtë industri, unë kam parë shumë ulje dhe ngritje, cikle të ndryshme. Kjo është e përkohshme, ne do të kthehemi “, thotë Suzy.
Donna dhe Suzy janë të mendimit se historia e tyre dhuroi pozitivitet në këtë vit të vështirë dhe u pa si diçka frymëzuese, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë./ KultPlus.com
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur edhe njëherë në Kanal 10 rreth debatit për çështjen e të pagjeturve që ndodhi në Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka thënë se debati ka marrë tjetër kahje kur i është përmendur familja.
“Në momentin që më është përmendur familja, unë atëherë kam reaguar dhe do të reagoj pasi që nuk e lejoj askënd që të ma përmend familjen”, ka thënë Bogujevci.
Deputetja e VV-së ka thënë se nuk pret kërkim falje nga Driton Selmanaj, por ka thënë se ai duhet të kërkojë falje për përgjigjen që i ka kthyer Komisionit Parlamentar ku i është kërkuar raportimi mbi çështjen e të pagjeturve dhe kjo temë ishte konsideruar “e konsumuar”.
“Për këtë çështje duhet të kërkojë falje Driton Selmanaj, për përgjigjen që i ka kthyer komisionit dhe temën e të pagjeturve e ka konsideruar si të konsumuar”, ka thënë ajo.
Bogujevci ka thënë se me këtë përgjigje, Selmanaj ka prekur shumë familje dhe jo vetëm Bogujevcin personalisht./ KultPlus.com
Deputetja e Kuvendit Saranda Bogujevci që nga dita e djeshme është përsosni më i përmendur në skenën politike në vend. Ajo dje u fye nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, kur po diskutohej në lidhje me çështjen e personave të pagjetur si njëra ndër plagët më të mëdha që ka shoqëria kosovare.
Derisa Selamanjaj tha se kjo temë po personalizohet, e viktimizohet, Bogujevci në Kanal 10 tha asnjëherë në jetën e saj nuk ishte ndjerë më keq dhe më e sulmuar.
Deklarimi i saj:
Kurrë asnjë herë në jetën time nuk kam qenë e sulmuar në këtë mënyrë dhe kaq ulët.
Është e rëndë por kjo nuk do të zmbraps, kam kaluar procese edhe më të rënda në jetën time sidomos karshi Serbisë dhe nuk jam zmbrapse. Është e dhimbshëm që për një temë të tillë bijnë në këtë nivel. Është tepër me rëndësi me përmend kujdesin që duhemi me pas sidomos karshi familjarëve. Nuk është e lehtë me pa një sulm të tillë./ KultPlus.com
Në javë e ardhshme do të hapet konkursi ndërkombëtar për projektimin arkitektonik të Sallës Koncentrale, konkurs ky që do të zgjas që do të zgjas 75 ditë, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook , Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se projekti i adaptimit te objektit ish Gërmia për Sallë Koncertale do të bëhet në atë mënyrë që të ruajnë elementet e trashëgimisë që ka ky vend.
“Konkursi ndërkombëtar për projektimin arkitektonik të kësaj Salle Koncertale do të hapet javën e ardhshme dhe do të zgjasë 75 ditë. Përmes këtij projekti do të ruajmë elementet e trashëgimisë të cilat i ka ky objekt duke e adaptuar në Sallë Koncertale që do të ketë sallën e madhe me 800 ulëse dhe sallën e vogël me 200 ulëse”, ka shkruar Ahmeti.
Tutje ai ka shtuar se përzgjedhja e projekteve do të bëhet nga juria profesionale që do të ketë edhe anëtarë ndërkombëtar, si dhe çmimi i parë do të shpërblehet me 50.000 euro.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë
Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot bashkë me Drejtoreshën për Kulturë Blerta Basholli gjatë konferencës për shtyp i shpalosem detajet lidhur me projektin e adaptimit te objektit ish Gërmia për Sallë Koncertale.
Konkursi ndërkombëtar për projektimimin arkitektonik të kësaj Salle Koncertale do të hapet javën e ardhshme dhe do të zgjasë 75 ditë. Përmes këtij projekti do të ruajmë elementet e trashëgimisë të cilat i ka ky objekt duke e adaptuar në Sallë Koncertale që do të ketë sallën e madhe me 800 ulëse dhe sallën e vogël me 200 ulëse.
Juria profesionale e cila do të bëjë përzgjedhjen e projekteve do të ketë anetarë ndërkombëtare dhe cmimi i parë do të shpërblehet me 50.000 euro.
Salla Koncertale do të jetë nikoqire e komunitetit të artistëve vendorë e ndërkombëtare dhe do të pasurojë dhe përmirësojë cilësinë e jetës kulturore të Prishtinës./ KultPlus.com
Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi ka thënë se janë të ndaluara të gjitha aktivitetet të llojit “Black Friday” në qendrat tregtare dhe super markete.
Ky njoftim i lëshuar nga MSH-ja vjen në kohën kur në Kosovë janë shtuar shifrat e të infektuarve me COVID 19.
“Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin publik, por edhe qendrat tregtare dhe super-marketet se nuk ju lejohet aktiviteti i llojit “Black Friday”. Grumbullimi i njerëzve në këtë kohë të pandemisë është i ndaluar edhe me vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë për masa të reja për mbrojtjen nga COVID-19, ndalohet grumbullimi i më shumë se pesë personave në hapësira publike, prandaj obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
SAN DIEGO, CA – NOVEMBER 25: Customers shop for electronics items during ‘Black Friday’ at a Best Buy store on November 25, 2011 San Diego, California. Thousands of consumers are queuing at various stores across the nation to take advantage of ‘Black Friday’ deals as the holiday shopping season begins in America. (Photo by Sandy Huffaker/Getty Images)
Para disa ditësh në Kizhevak të Serbisë janë gjetur mbetje mortore e që dyshohet të jenë të kosovarëve të vrarë nga forcat serbe në gjenocidin e kryer nga regjimi i Millosheviqit në luftën e fundit në Kosovë.
EULEX me anë të një komunikate për media ka thënë se të hënën më 16 nëntor 2020, ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur zbuluan mbetje mortore në Kizhevak, ku ndodhet një gurore e madhe në Serbi.
Ekspertët e EULEX-it kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015. Pas disa sezonave të pasuksesshme të gërmimeve në Kizhevak, në vitin 2020 ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.
“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peisazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim ende për një numër të viteve,” tha Javier Santana, arkeolog forenzik i EULEX-it.
Procesi i identifikimit të vendndodhjes së saktë të mbetjeve mortore ishte komplikuar edhe më shumë për shkak të faktit se në këtë minierë janë katër deri pesë galeri ku secila ka një lartësi prej përafërsisht 13 metrash.
Pas kërkesës së EULEX-it për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi imazhet fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019.
“Ne i pranuam imazhet fotografike nga ajri në fund të vitit 2019. Mes fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020, koordinatori i EULEX-it për zhvarrime Krassimir Nikolov dhe unë i kemi analizuar fotografitë. Në bazë të analizave tona ne u kthyem në atë lokacion në muajin shkurt 2020 dhe e piketuam vendndodhjen e saktë të këtij lokacioni. Kjo është koha kur filloi puna gjatë këtij viti”, tha Santana.
Pas identifikimit të lokacionit, ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.
“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha Koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.
“Zbulimi i mbetjeve mortore në Kizhevak është një zhvillim tejet pozitiv dhe shpërblim për përpjekjet tona të vazhdueshme për ndriçimin e fatit të më shumë se 1640 personave, të cilët janë ende të pagjetur në Kosovë. Çështja e personave të zhdukur është çështje e të drejtave të njeriut. Ajo ka të bëjë me të drejtat e njeriut të afërmëve për të kuptuar se çfarë u ka ndodhur më të dashurve të tyre”, tha Zëvendës Drejtorja e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Tarja Formisto.
Formisto u bëri thirrje edhe një herë të afërmëve të gjithë personave të zhdukur që t’i japin mostrat e gjakut për ta lehtësuar procesin e identifikimit.
Nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më 19 nëntor 2020, EULEX-i i ka kryer 662 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, përfshirë 169 zhvarrime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 457 personave, përfshirë edhe ato të 317 personave të zhdukur. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Vigjilenca Abazi, me një përvojë të gjerë profesionale në institucionet ndërkombëtare dhe akademike, merr çmimin “Early Career Award 2020” nga “Akademia Mbretërore Hollandeze e Artit dhe Shkencës”. Ajo është vlerësuar për hulumtimin e saj mbi temën relativisht të re të sinjalizimit në Bashkimin Evropian, në fushën e shkencave të sjelljes, shkencave sociale dhe Juridike.
Kërkimi i saj ndërdisiplinor, duke kombinuar ligjin, shkencën politike dhe teorinë politike, siguron depërtim në forcimin e zërit të publikut përmes mbrojtjes ligjore. Ky studim i parë i thelluar mbi sinjalizimin zbulon gjithashtu kompleksitetin ligjor të Bashkimit Evropian. Shqiptarja Abazi gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në vlerësimin e arsimit dhe kërkimit jashtë shkencës. Ajo e bën këtë me leksionet dhe punët e saj ndërkombëtare, angazhimin e saj për ta bërë arsimin të arritshëm për vajzat dhe gratë dhe për hir të përsosmërisë akademike që ajo posedon.
“Çmimin e Hershëm të Karrierës-KNAW” e marrin dymbëdhjetë studiues të rinj.
Ky çmim që korrespondon me shumën prej 15,000 euro dhe një vepër arti, i jepet studiuesve në Hollandë të cilët janë në fillim të karrierës së tyre dhe kanë ide kërkimore inovative, origjinale. Të dymbëdhjetë fituesit vijnë nga fusha e gjerë e shkencës. / Diaspora Shqiptare/ KultPlus.com
Djali i veprimtarit Ukshin Hoti, Andini i ka dal në mbrojtje deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Saranda Bogujevci pas komenteve të bëra ndaj saj nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.
Me anë të një postimi në Facebook, Hoti është shprehur se Bogujevci është një dëshmi e gjallë e së vërtetës për masakrat dhe gjenocidin serb të bërë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Saranda Bogujevci është dëshmi e gjallë e së vërtetës për masakrat dhe gjenocidin e ndodhur ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Çdo sulm ndaj Saranda Bogujevcit, është sulm ndaj meje, sulm ndaj familjes sime dhe të gjithë atyre që me gjakun e tyre fituan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kushdo dhe kudo qofshin ata. Saranda, të njoh dhe jam me fat që të kam mike, je ndër njerëzit më të mirë që kam njohur në jetë. Jam me ty gjithmonë!”, ka shkruar ai në Facebook. / KultPlus.com
Dua Lipa “i verboi” të gjithë në episodin e fundit të “The Graham Norton Show”, teksa mbante veshur një fustan-pelerinë.
E stilizuar nga Lorenzo Posocco, Dua dukej rrezatuese me një fustan nga koleksioni i Maison Valentino për vitin 2020.
Kristalet dhe teminat e argjendit i shtuan dhe më shumë shkëlqim performancës së këngëtares shqiptare me famë botërore, e cila vetëm pak ditë më parë shtyu për në shtator dhe tetor të vitit 2021, turneun e saj evropian të planifikuar për në janar dhe shkurt të vitit të ardhshëm, për shkak të pandemisë. / KultPlus.com
Para një muaji, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione, kishte bërë kërkesë tek zyra e zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj për raportim lidhur me çështjen e personave të pagjetur.
Mirëpo në një përgjigje të zyrës së zv.kryeministrit Selmanaj drejtuar këtij komisioni, thuhej se çështja e personave të pagjeturve është konsumuar, shkruan Gazeta Insajderi.
“Lidhur me kërkesën e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Personat e Pagjetur dhe Peticione të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që zv.kryeministri, Driton Selmanaj të raportojë pranë komisionit lidhur me çështjen e personave të pagjetur, në kuadër të dialogut me Serbinë, konsiderojmë se kjo çështje është konsumuar rrjedhimisht dhe ezauruar në raportimin e Kryeministrit në Seancën e Kuvendit të mbajtur me 24 korrik 2020”, thuhet në përgjigjen e zyrës së zv.kryeministrit Selmanaj.
Këtë përgjigje e kishte publikuar kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje. Ajo kishte thënë shkruar në profilin e saj çështja e të pagjeturve do të mbetet kryefjala e angazhimit të saj.
“Unë, dhe anëtarët e komisionit kemi lexuar emailin që keni dërguar ju, shqip ashtu siç ju e keni shkruar. Për mua çështja e të pagjeturve është dhe mbetet temë që duhet të jetë kryefjala e angazhimit tim dhe me këtë temë nuk bëj politikë”, kishte shkruar Balje.
Gjatë natës së mbrëmshme zëvendëskryeministri, Selmanaj, ka pasur një përplasje verbale me drejtorin e Gazetës Insajderi, Parim Olluri në emision Pressing, lidhur me çështjen e të pagjeturve në luftën e fundit në Kosovë.
Olluri kishte thënë se Bogujevci, një e mbijetuar nga masakra në Podujevë, ka të drejtë të flasë për çështjen e të pagjeturve, me ç’rast Selmanaj kishte replikuar duke thënë se: “jemi lodhur me gjëra të tilla”.
Kjo deklaratë e Selmanajt ka ngjallur reagim tek opinioni duke kërkuar edhe shkarkimin e tij.
Kryeredaktori i Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi e ka quajtur të turpshme deklaratën e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Driton Selmanaj për çështjen e personave të pagjetur.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Tëitter, Kajtazi ka shkruar se Selmanaj duhet të shkarkohet nga posti i zëvendëskryeministrit, përcjell Inasjderi.
“Po të isha kryeministër, sot Driton Selmanajn jo që e kisha shkarku nga detyra, por e kisha përzënë prej objekti. Me thanë se “jemi lodhe me gjera te tilla”, dmth me rrëfimet e krimeve të Serbisë, është turpi ma i madh që mundet me dalë nga kabineti i Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar Kajtazi.
Por gjatë ditës së sotme, Selmanaj ka shkruar një postim në profilin e tij në Facebook, duke thënë se deklarata e tij është duke u manipuluar.
Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj ka dal me një sqarim lidhur me deklaratën e tij të mbrëmshme ku tha se “jemi lodhur me gjëra të tilla”, lidhur me çështjen e personave të pagjetur.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Selmanaj ka shkruar se deklarata e tij është duke u manipuluar për qëllime politike.
“Nuk ka të ndalur hovi i manipuluesve dhe shpifësve për qëllime të ulta politike.Po e ndjej për obligim njerëzor që të jap sqarim për të gjithë ata që nuk kanë pas rastin ta shikojnë emisionin pressing mbrëmë në televizionin T7. Normalisht që ky sqarim nuk vlen për manipuluesit, shpifësit dhe argatët e së keqes në këtë vend”, ka shkruar Selmanaj. /Insajderi.org / KultPlus.com
Për veprën “Në kohë pandemie nipat e mi s`dalin jashtë shtëpie” nga Sabile Keçmezi Basha, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2020.
Nuk po ndalem te krijimtaria e deritashme e suksesshme e mikes sime Sabile Keçmezi Basha, as te biografia e rrugës së saj jetësore, gjithashtu e pasur, por po ndalem te një kopsht kreativ që ma ka dërguar autorja.
Nuk më kujtohet cili nga shkrimtarët ka një lutje drejtuar lexuesve kur e përfundon hyrjen në veprën e tij e thotë: Urdhëroni e hyni pa trokitur në kopshtin tim poetik. Hyra dhe unë në kopshtin me lule e u takova me lulet e jetës së Sabile Keçmezi Bashës që botërisht na i ofron autorja e veprës. Ata (ato) kanë gjallëri, kanë epitete, kanë shpirt dhe mbushin faqet e librit të ri. I gjen në çdo lagje këto lule të Prishtinës, që me gjuhë metaforike i mbushin vargjet. Ata janë tre vogëlushët Gerti, Darsi, Beni, ata flasin, gëzohen, pikëllohen, i kënaqin të afërmit e vet: gjyshen e gjyshin po na gëzojnë edhe neve të gjithë lexuesve e na thonë se e duam shkollën, i duam mësuesit, i duam shokët e shoqet, duam të mësojmë e të marrim sa më shumë informata të reja.. Na thonë neve të gjithëve: mos na shikoni veshjet stilistike, metaforat, poetikat së jashtmi e së brendshmi: nuk kemi lindur të ju lodhim me abstraksione në këto ditë pandemie
botërore, po duam t`ju gëzojmë me disa çaste jete e të ju mbushim me optimizëm jete e t`ju themi se do ta përballojmë edhe këtë gjendje në Kosovën tonë kaq të vuajtur por jo të mposhtur. Pra më flasin mua dhe të gjithëve: ja ne jemi lulet që invenca krijuese e Sabile Keçmezi Bashës na renditi në kopshtin poetik të saj. Urdhëroni pra e hyni pa trokitur në këtë kopsht me 50 poezi dhe me 81 faqe.
Që nga vjersha e parë, që është si hyrje e veprës ”Në kohë pandemie nipat e mi s`dalin prej shtëpie”, poetja ua bën me dije lexuesve për një kohë jo të zakonshme, pra për kohën e pandemisë globale që nuk la pa përfshirë edhe vendin tonë.
Bie në sy edhe aparatura shkencore që poetja S.K. Basha e ka në disa poezi, për të plotësuar informacionet. Kjo na flet edhe për atë se penda e poetes dhe studiueses sonë, kanë qenë dhe janë të pandashme.
Ato që e begatojnë veprën në fjalë, janë edhe ilustrimet, vizatimet, fotografitë që e pasurojnë me kolorit tërheqës për botën e fëmijëve, të cilëve ua ngjall botën e kureshtjes edhe më shumë. Në disa vjersha kemi informacione për Wuhanin, prej nga është bartur virusi, pastaj për Stubllën e Vitisë, dr. Lul Rakën, për punën e tij të palodhshme në rrethana
të vështira etj. Pra përveç anës artistike, vjershat e Sabile Keçmezi-Bashës luajnë rolin edukativ dhe njohës, sepse na japin informacione, të cilat u përgjigjen kërkesave dhe psikologjisë së fëmijëve. Gjithashtu fëmijët marrin edhe këshilla të dobishme dhe të rëndësishme, të cilat nuk ndikojnë vetëm në shprehitë e mira jetësore, por edhe nxisin te ta dashurinë për artin letrar. Poetja jonë e ka të qartë se bota e fëmijëve mëson shumë përmes përjetimeve artistike.
Këtë recension dua ta mbyll me një mendim sinjifikativ të poetes të njohur dhe të dashur për fëmijë Adelina Mamaqit: “Të shkruash për fëmijë, të hysh në zemrën e lexuesit, që ai të thotë se dua këtë libër, dua librin e këtij shkrimtari, është tepër e vështirë, sepse duhet të dish të futesh në psikologjinë e fëmijës”.
Pra vargjet e poetes Sabile, kanë një gjuhë të bukur letrare, me ngjyrime poetike, me fjalor të pasur, të qartë, me informacione të shumta, duke e bërë veprën e saj mjaft tërheqëse, mbresëlënëse për lexuesit e vegjël. / KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së postit të presidentes, Vjosa Osmani, ka reaguar për gjetjen e mbetjeve mortore në një lokacion në Serbi ditë më parë.
Osmani është shprehur se Serbia po kërkon që të shtyhet zhvarrosja e tyre, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin. Andaj sipas saj, pranimi i fajit, kërkimfalja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushtet për stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme!
Ky është postimi i plotë i Osmanit:
Mbi 13 mijë civilë janë vrarë nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë, shumë prej të cilëve ishin fëmijë. Mbi 13 mijë njerëz sot nuk janë, në mënyrë që ne të kemi më shumë zë, në mënyrë që lirshëm të mund ta ngrisim atë zë. Përtej detyrimit politik, si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve është mbi të gjitha obligim njerëzor e human që këtë zë ta ngrisim për viktimat dhe familjet e tyre. Çdo ditë, në çdo vend e para cilësdo palë. Sepse e vërteta e Kosovës, është e vërtetë e dhimbjes, sakrificës, humbjes së më të dashurve, e vërtetë e nënave që humbën fëmijët, e vërtetë e fëmijëve që mbetën pa prindër, e vërtetë e familjarëve që panë tmerrin me sy, e shpëtuan pikërisht për të treguar këtë tmerr, siç thoshte edhe At Zef Pllumi: “Rrno për me tregue”.
Në varrezat masive në Serbi, u gjetën pjesë të trupave të civilëve, shumica prej të cilëve gra (përfshirë gra shtatzëna) e fëmijë, u gjetën lodra, receta barnash, rroba fëmijësh, e gjësende të tjera të njerëzve tanë, të pafajshëm, të cilët u vranë në mënyrat më mizore vetëm pse ishin shqiptarë.
Gjetja e mbetjeve mortore në një lokacion në Rashkë të Serbisë, disa ditë më parë, rikthen vëmendjen te 1643 personat e pagjetur, për të cilët ende familjet presin në ankth dhe për të cilat nuk ka informacion as shteti i Kosovës. Serbia kërkon që të shtyhet zhvarrosja e tyre, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin. Fshehja e fakteve është krim në vete, ndaj çfarëdo vonese në këtë plan, është krim i dyfishtë. Veprimet gjenocidale të Serbisë në Kosovë ende nuk kanë marrë përgjigje. Pranimi i fajit, kërkimfalja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushtet për stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme!
Prandaj secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën e së ngrituri zërin për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë. Ne nuk jemi lodhur e nuk do të lodhemi kurrë së dëgjuari familjet e viktimave, sepse ata e tregojnë të vërtetën e Kosovës. Mirëpo jemi lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët tregojnë mosdurim ndaj së vërtetës e ndaj familjeve të viktimave, ndërkaq tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë!
Për të gjithë ata që pyesin “Çfarë ka Kosova për t’i dhënë Serbisë si kompromis në dialog”, përgjigja jonë, njëzëri, duhet të jetë: Dëgjoni rrëfimet e familjeve të viktimave. Kosova nuk ka asgjë tjetër për të dhënë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj…Ka dhënë fëmijët e saj. Kjo është e vërteta të cilën nuk do të lodhemi asnjëherë duke e treguar! / KultPlus.com
Saranda Bogujevci, shpesh në organizime të ndryshme ka shpalosur dhimbjen e saj pasi që një pjesë e familjes ju vra nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Saranda Bogujevcit, iu mbijetoi 16 plumbave, dhe humbi 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit, gjatë një sulmi brutal të ushtrisë serbe, gjatë luftës së vitit 1998-99, në Kosovë.
Me përfundimin e konfliktit dhe hyrjen e trupave të NATO-s, Bogujevci dhe katër kushërinjtë e mbijetuar u evokuan në qytetin anglez të Mançesterit, ku ajo u operua dhe vazhdoi mjekimin, si dhe studimet. Ajo u kthye në atdheun e saj në vitin 2014.
Saranda Bogujevci, atëherë 18 vjeçe, bashkë me tre kushërinjtë e saj, u bënë viktimat e para etnike shqiptare që dëshmuan përpara një gjykate serbe, për mizoritë e kryera nga forcat serbe, të udhëhequra nga Slobodan Millosheviç.
Familja e Bogujevcit u vra, katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, në Podujevë, më 28 mars 1999 nga pjesëtarët e një njësie paraushtarake serbe të njohur si ‘Akrepat’. Viktima më e re ishte dy vjeçe. Pesë burra u burgosën për këto vrasjet dhe në vitin 2013, Saranda Bogujevci u kthye në Beograd, aty ku ajo kishte dëshmuar kundër tyre, për të organizuar një ekspozitë rreth vrasjeve në familjen e saj.
Ekspozita e titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, u hap me 18 dhjetor, në Galerinë “Podroom” në Qendrën Kulturore në Beograd. Ekspozita nga Qendra kulturore në Beograd, ishte vlerësuar si një projekt me kontekst politik, por para së gjithash, një rrëfim për tragjedinë personale. / KultPlus.com
Ka vdekur në moshën 69-vjeçare aktori i humorit Fatmir Xhelili si pasojë e koronavirusit.
Për 46 vite rresht ai ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Fuar Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj. Interpretimi me mjeshtëri i roleve që merrte e bënë Fatmirin një figurë të dashur për publikun.
Për aktorët e teatrit Bylis ndarja nga jeta e Fatmir Xhelilit është një humbje e madhe.
Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me 4 çmime të para si aktori më I mirë. Disa nga komeditë që ai ka interpretuar, rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa e Chehovit”, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri I katit 15”, etj./TCh / KultPlus.com
Këngëtarja Taylor Swift ka fituar çmimin “Kantautor i Vitit”, që ka të bëjë me tekstin e këngës më të mirë të vitit 2020, të ndarë nga Apple Music.
Ajo ka deklaruar se ky çmim këtë vit është më i veçantë për arsye se gjatë qëndrimit në izolim, nuk kishte çfarë të bëntë tjetër përpos të shkruante.
“Të fitosh çmim në çdo vit është emocionuese, mirëpo mendoj se është më të vërtetë e veçantë sepse ky ishte një vit kur ndihesha sikur shkrimi i këngëve, është e vetmja gjë që mund të më mbante të lidhur me fansat, pa mbajtur koncert”, ka thënë ajo për media të Apple Music.
Fituesja e 10-të herë e Grammyt, ka thënë se shkrimi i këngëve dhe reagimet e fansave, kanë ndihmuar në mbajtjen e shpirtit gjatë këtyre kohëve të pasigura, që kur koronavirusi ishte përhapur si pandemi. / KultPlus.com
NEWARK, NEW JERSEY – AUGUST 26: Taylor Swift attends the 2019 MTV Video Music Awards at Prudential Center on August 26, 2019 in Newark, New Jersey. (Photo by Jamie McCarthy/Getty Images for MTV)
Pas botimit në disa gjuhë (frëngjisht, anglisht, serbisht, sllovenisht), romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i përkthyer nga Liliana Cuka, botohet edhe në italisht nga botuesi i njohur Armando-edittore i Romës.
“Është një vepër e shkruar në një mënyrë të pabesueshme intensive”, vlerëson botuesi italian dhe shton se titulli “Te përkas ty, o toka ime”, mund të jetë sllogani mbi të cilin autori ndërthur një përmbajtje të dendur, me bashkëbisedues me vlera, ku ndodhet një vend i tronditur, i ndërlikuar, i dhunuar, në të cilin politika dhe feja janë në garë për të kapur hapësirat e tyre dhe për të bërë prozelitizëm. Reflektimi me përmbajtje të lartë, i cili e drejtojnë lexuesin në mendimet e rafinuara të autorit për të krijuar më pas përshtypjet e veta personale.”
Ballina e librit përcillet me vlerësimin:
“Murtaja vazhdon të përhapet, mbyllen kufijtë, shfaqet mosbesimi ndaj pushtetit dhe ndaj Zoti, lind nevoja për të organizuar një ‘rezistencë’ morale dhe efektive kundër një autoriteti, qëllimi i të cilit është të asgjësojë dinjitetin dhe nderin e një populli, në mënyrë qe të krijojë një “njeri të ri perandorak”, pa rrënjë. Është një histori, tepër e fortë dhe e pasur me ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, dhe në të njëjtën kohë është histori besimi dhe mosbindjeje, si mjet për të arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë në fillin e hollë te herezisë. Është njëkohësisht edhe lufta kundër ndjenjës së mungesës së fuqisë, ndjenjë të cilën njeriu ndien përballe një epidemie misterioze dhe kërcënuese në të cilën gjenden shumë ngjashmëri me aktualitetin. “Liri ose vdekje” është udhëkryqi para të cilit ndodhen protagonistët e kësaj vepre, robër të një bote ku si politika, ashtu dhe feja pretendojnë hapësira dhe asimilime.” / KultPlus.com