PEN Qendra e Kosovës me mbrëmje përkujtuese për Rifat Kukajn

Në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, të hënën, më 9 nëntor, në orën 17.00, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetin e vet në kujtim të shkrimtarëve të ndjerë të vendit.

Në mbrëmjen e tetë të PEN Qendrës, përkujtohet, shkrimtari e poeti për fëmijë e të rritur, skenaristi dhe mjeshtri i humorit, Rifat Kukaj.

Për Rifat Kukajn do të flasin miku i tij i letrave Ibrahim Kadriu dhe studiuesja Qibrije Demiri Frangu.

Mbrëmjen e udhëheq Binak Kelmendi./ KultPlus.com

Nënë Tereza në veshje kombëtare

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com

Përkujtohen 14-të ushtarët britanik që humbën jetën në luftën e fundit në Kosovë

Ambasada Britanike në Prishtinë ka organizuar ceremoninë e përkujtimit të 14 anëtarëve të Forcave të Armatosura Britanike që humbën jetën gjatë shërbimit me Forcat e NATO-s në Kosovë.

Me këtë rast, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë kjo ceremoni është e rëndësishme për ushtrinë dhe popullin britanik që luftuan dhe humbën jetën gjatë luftërave të ndryshme.

“Ngjarjet e javës së fundit këtu dhe në mbarë botën kanë qenë të jashtëzakonshme. Por dua të mendoj se ky përkujtim sot është një moment i rëndësishëm, një rast për të kujtuar të gjithë ata që kanë humbur jetën në konflikt, është shumë e rëndësishme për ne si ushtri britanike, dhe si popull britanik që luftuan dhe humbën jetën. Shpresoj që sot të gjithë do t’i kujtojmë ata që humbën jetën”, ka thënë Abbot, përcjellë KultPlus.

Në këtë ceremoni përkujtimi pjesëmarrëse ishte ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ku dhe vendosen kurora me lule pranë Memorialit të Mbretërisë së Bashkuar në nderë të ushtarëve të rënë gjatë luftës në Kosovë. / KultPlus.com

Vjena, kryeqyteti i valsit dhe shqiptarët

Vjena, kryeqyteti i Austrisë, luajti një rol me rëndësi në kulturën e shumë popujve që ishin në përbërjen e monarkisë Austriake, por edhe të popujve të tjerë të kontinentit.

Shqiptarët, si popull i vogël, por me kulturë të lashtë, ishin gjithnjë pikë interesimi e shumë shkencëtarëve evropianë, ku dallohen në veçanti ata nga hapësira gjermano- folëse. Këtu duhet përmendur dokumenti i vjetër me fjalë të shkruara nga shqipja, fjalori i gjermanit Arnold Von Harfit para pesë shekujsh, i cili merret si njëri nga burimet e vjetra të gjuhës shqipe.

Vjena duke qenë si qendër e kulturës dhe politikës evropiane, edhe shqiptarët ishin të interesuar për shkollim në universitetet austriake e veçanërisht në UN-Vjenës, si njëri nga më të njohurit jo vetëm në Evropë.

Ndjenja e miqësisë e shprehur nga vendasit ndaj kulturës e historisë shqiptare bëri që Vjena të jetë një qendër me peshë në historinë tonë dikur dhe në historinë tonë më të re.

Emra të njohur të shkencës kanë ndihmuar edhe në shumë fusha hulumtuese rreth gjuhës, kulturës dhe etnisë shqiptare.

Njëri nga këta, pa dyshim, është Norbert Jockli, albanolog dhe Franz Nopca, ndër të parët themeltarë të albanologjisë si shkencë. Veprimtari i njohur Dr. Gjergj Pekmezi me iniciativën e tij në Institutin e Orientalistikës së Vjenës hapi katedrën e gjuhës shqipe (viti 1903) njëra nga të parat në Europë dhe në botë, ku do studiohej gjuha shqipe. Ai ishte edhe nga të parët ligjërues të gjuhës shqipe në UN-e Vjenës deri në vitin 1938.

Në dhjetëvjetëshit e parë të shekullit të kaluar në Vjenë studionin e vepronin shumë intelektualë shqiptarë ndër ta figura të njohura të kulturës e shkencës shqiptare.

Në atë kohë ata ishin të organizuar kryesisht në shoqërinë “Albania”. Emra që kanë lënë gjurmë në historinë tonë si: Eqrem Çabej, Hil Mosi, Lasgush Poradeci, Aleks Buda, Aleksander Moisiu, Nush Bushati, Fuad Asllani, Jani Basho, Raku Buda, Remzi Baçe, Safet Butka, Gjovalin Gjadri, Kristë Maloki e shumë të tjerë.

“Albania” e Vjenës krahas shoqërive simotra nga Bukureshti, Stambolli, Bostoni, Kajro etj. do të ketë një rol historik në formësimin e kombit shqiptar dhe aspiratave kombëtare. Kjo shoqëri studentore mblidhte rreth vetes studentët shqiptarë ( rreth tridhjetë), por edhe atdhetarët e miqtë tjerë në aktivitetet me rëndësi kombëtare.

Dy vjet pas formimit të shoqërisë studentore “Albania” , në mars të vitit 1920, kjo merr vendim për nxjerrjen e revistës së saj “Djalëria”, numri i parë i së cilës e sheh dritën në prill të po atij viti. Tani e më shumë se nëntëdhjetë vjet më parë, kjo revistë përhapi dije, informata nga kultura, nga jeta e studentëve në Vjenë, pjesë letrare, ide të zhvillimit ekonomik sipas modelit të zhvilluar të shteteve evropiane

Pa dyshim revista “Djalëria” u bë tribunë e botimeve të studiuesve shqiptarë, por edhe e të tjerëve. Pas gati një shekulli, kur në kohën e lindjes së revistës së ,”Djalërisë” studionin në Vjenë disa dhjetëra studentë shqiptarë, tani numri i tyre është diku rreth 700 student në të gjitha drejtimet.

Shpata dhe përkrenarja origjinale e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, janë në Vjenë dhe ende nuk mund të ekspozohen në muzeun Historik të Tiranës. Është e vështirë që një gjë e tillë edhe të ndodhi pasi nuk është e lejuar nga drejtuesit e muzeut të Artit të Historisë në Austri, ku janë armët origjinale të Skënderbeut. Këto pjesë origjinale të kryetrimit tonë qëndrojnë këtu prej më shumë se 300 vjetësh.

Aleksandër Moisiu, (2 prill 1879 – 22 mars 1935) vdes në moshën 56-vjeçare prej sëmundjes së rëndë të tuberkulozit. I magjishmi i skenës, që fitoi zemrat e publikut me rolet e interpretuara i patën pikërisht këtu fillesat e para, në teatrot e Vjenës të asaj kohe. Shqiptar, qytetar i botës, ky ishte Moisiu, që korrte suksese njëra pas tjetrës në skena të mëdha botërore. Në atë kohë ishin vite të artistëve të mëdhenj.

Talenti, mënyra e të jetuarit, skandalet, dashuritë, xhelozitë, i bashkonin të gjithë, megjithatë Moisiu konsiderohej më i madhi. Interpretim i paarritshëm, një mimikë që fliste më shumë se fjalët, sy të thellë sa një oqean dhe një zë. Ai është Aleksandri i madh i Shqipërisë, pushtuesi i skenave të botës.

Ishte ai që theu rregullat e ngurta të teatrit dhe interpretoi në mënyrën më të mirë të mundshme veprat e emrave të njohur të letërsisë botërore.

Këtu duhet theksuar edhe botimin e disa numrave të revistës Universitas, si organ i Shoqërisë së Studentëve nga Maqedonia në Vjenë për disa vite me radhë.

Në këtë qytet janë të vendosur edhe një numër i madh i mërgimtarëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare që janë integruar në sistemin e jetës së këtij qyteti paralelisht me kohën.

Përgatiti: Albert Vataj. / KultPlus.com

‘Have it’ pozojnë me sopata, kërkojnë liri për Suzanën

Ngjarja e fundit e Suzanës, e cila vrau bashkëshortin e saj në vetmbrojtje po bënë bujë në rrjete sociale, duke ngjallur kështu debate pafundme, shkruan KultPlus.

Shumë individ e figura publike e kanë përkrahur Suzanën, kështu kanë vepruar edhe ‘Have It’, grupi i njohur artistik. Vajzat e këtij grupi kanë publikuar një fotografi ku shihen me sopata në duar.

‘Djallëzuar me mprehtësinë e britmave të ngujuara brenda vetes. Gati. Liri për Suzanën‘, ka shkruar grupi në mbishkrimin e fotografisë. / KultPlus.com

Gjergj, Arbnit janë të trazuar dhe ikin e s’dinë ka vejnë

Poezi nga Ndue Ukaj

Gjergj
që nga janari kur ike
në çdo pranverë çelin lule t’këqija.

Arbnit janë të trazuar në mjegullnajën e trishtimit.
Rrëshqasin si nëpër akullnaja dhe nuk gjejnë qetësi.
Në pyllin e dilemave, s’i shohin portat e lirisë,
as lapsin e urtisë,
as përkrenaren e krenarisë,
as shpatën e lirisë.

As Pal Engjëlli nuk është askund.
Ka shume zbrazëti dhe pikëllim.
Gjergj, e sheh?
Që nga janari i akullt
Arbnit kanë humbë algoritmin e jetës.
Varkat i kanë mbushë me mosmarrëveshje dhe trishtim.
Dhe të trullosur bredhin rrugëve të boshatisura,
atyre shkrepave të thepisura,

Bjeshkëve të Nemuna
e Adriatikut të trazuar.

Zemra u kullon,
por nuk duan kurim.
Ndërgjegjja i brenë,
por nuk duan pendim.

Gjergj, Arbnit janë të trazuar
dhe ikin e s’dinë ka vejnë. / KultPlus.com

Gruaja që do vetminë nuk është e çuditshme, është e lirë dhe e qetë

Vetmia është parë gjithmonë me sy mosbesues, por nuk është aspak një gjendje negative.

Zgjedhja për të kaluar kohën vetëm nuk do të thotë të jesh vetëm, përkundrazi. Kush prej nesh nuk ka dashur kurrë një moment paqeje dhe heshtje të gjithin për vete? Kjo ka ndodhur me të gjithë, por pothuajse gjithmonë ndodh me qëllimin për të “shëruar” një lloj situate që të ka ndodhur. Ne rrijmë vetëm që të mendojmë, të reflektojmë, të nxjerrim pak zemërim, të mos lejojmë që të tjerët të na shohin tek qajmë. Shkurt, sot, nëse vendos të jesh vetëm, nuk është pothuajse kurrë për hir të shijimit të shoqërisë së vetvetes.

Një grua që zgjedh të hajë vetëm në restorant, të shikojë një film vetëm në kinema ose, thjesht, të ecë pa një person në krahun e vet, menjëherë është e etiketuar si e çuditshme, jashtë të zakonshmes. Pse? Ç’është e çuditshme që duam të kalojmë ca kohë me veten tonë? Pse ende shihet si një tabu, në një kohë kur është një qëndrim i shëndetshëm dhe i dobishëm për mirëqenien tonë psikofizike?

Është Universiteti i Dublinit që e konfirmon: një studim ka treguar se njerëzit që duan të kalojnë kohë vetëm rregullisht, janë ata që kanë vetëbesim më të madh, të cilët zhvillojnë kreativitet më të mirë dhe janë më empatikë dhe të vëmendshëm ndaj emocioneve të të tjerëve.

të pandërgjegjshme në formimin e karakterit tonë dhe në sjelljen që zgjedhim të kemi me të tjerët. Ju bëheni më të ndjeshëm, të kujdesshëm dhe të vëmendshëm ndaj nevojave të të tjerëve, sepse ju jeni mësuar të kujdeseni për veten dhe ta doni veten.

E vërteta është se njerëzit e çuditshëm nuk janë ata që kanë nevojë të kenë momente në vetmi, por ata që përkundrazi nuk janë në gjendje të qëndrojnë vetëm. Ne nuk duhet ta konsiderojmë vetminë si një sëmundje dhe nuk duhet ta shohim me frikë: frikë se jemi vetëm, mos zhgënjejmë miqtë, mos heqim dorë nga kontaktet ose largojmë të dashurit.

Askush nuk do t’ju gjykojë nëse një mbrëmje ju nuk do të dilni për të qëndruar në shtëpi në vetmi, “pushimi” i juaj nga marrëdhëniet shoqërore do t’ju bëjë edhe më të shoqërueshëm dhe empatikë herën tjetër. Mos u ndjeni fajtorë nëse doni të kaloni kohë vetëm për ju: mbani mend se jeni i vetmi person me të cilën apo cilën do ta kaloni gjithë jetën tuaj. Dilni, shijoni një shëtitje në natyrë, shikoni një film të mirë në kinema me kokoshka dhe shkoni në shtrat të lumtur që keni pasur një ditë vetëm me veten tuaj. /bota.al/ KultPlus.com

Momentet e fundit të Koço Devoles: Çfarë dreq virusi paska qenë ky që po ma merr shpirtin

Një prej kolosëve dhe figurave më të dashura, siç do ta cilësonte mëngjesin e sotëm presidenti Ilir Meta në mesazhin e tij të ngushëllimit, artisti Koço Devole ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare.

I prekur nga coronavirusi, Devole gjendej prej disa ditësh i shtruar në spital. Ajo çka duket se e rëndoi gjendjen e tij shëndetësore ishte edhe fakti se i ndjeri vuante nga leucemia.

Përmes një postimi në Facebook, infermieri i QSUT-së, Korab Gjana ka ndarë momentet e fundit me karikaturistin dhe regjisorin e mirënjohur.

“Momentet e fundit me Koço Devolen. Në mëngjes kur po shikoja me nxitim të sëmurët me radhë… Kur mbërrij te dhoma e shtrimit të Koços… hë mo Koço si je sot? Ahh mor Korab si të jem më përgjigjet. Çfarë dreq virusi paska qenë ky që po ma merr shpirtin… Njeriu që do i mungoj çdokujt! Ky virus s’të kurseu as ty”, shkruan Gjana. / KultPlus.com

Kur Biden takoi Millosheviqin: Ju jeni një kriminel lufte i mallkuar

Joe Biden gjatë fushatës presidenciale në SHBA, ka folur shpesh për konfrontimet e tij të nxehta me diktatorët, anëtarët e bandave dhe udhëheqës të ndryshëm botërorë, duke u përballur me figura të fuqishme dhe duke i goditur ata me të vërteta të ashpra – në mënyrë private.

Një të tillë thuhet se e ka pasur edh eme ish-presidentin serb, Slobodan Millosheviq, për të cilin deklaron se i ka thënë privatisht se është kriminel lufte, transmeton KultPlus.

Në librin e memoareve të ti “Promises to keep”, thuhet se ai u takua me Millosheviqin në vitin 1993 dhe i tha “Unë mendoj se ju jeni një kriminel lufte i mallkuar dhe duhet të gjykoheni si i tillë.”

Në vitin 2008, ndihmësi i Bidenit, John Ritch tha se nuk e mbante mend një deklaratë kaq të hapur, por e bëri çështjen më të butë: “Legjenda rritet. Por Biden sigurisht e futi në bisedë konceptin se Millosheviqi ishte një kriminel lufte. Millosheviqi reagoi me gjakftohtësi”. / KultPlus.com

Muzeu i famshëm ‘Madame Tussauds’ në Londër ia ndërron stilin Trumpit

Muzeu i njohur i figurave prej dylli, Madame Tussauds në Londër ia ka ndërruar veshjet figurës së Donald Trumpit pas fitores së demokratit Joe Biden.

Muzeu i njohur ia ka kthyer Trumpit rrobat e një golfisti për të reflektuar se tani ai do të ketë shumë kohë të lirë.

Deri të shtunën ai kishte të veshur kostume, po tani do të ketë stilin e një golfisti.

Ai ka zënë një qoshe në pjesën e Liderëve të Botës në muze.

Trumpi njihet si merakli i golfit që prej kohës së zgjedhjes së tij si president në vitin 2016. / KultPlus.com

Ngjyrat e Van Gogh-ut mund t’i përjetoni edhe në mënyrë dixhitale

Gjenialiteti dhe fuqia e pikturës së artistit të madh holandez, Vincent van Gogh, tashmë mund të ndiqen në internet dhe do të jenë një histori e vërtetë muzike dhe arti.

Kjo është iniciativa e kompozitorit dhe pianistit Remo Anzovino, në bashkëpunim me Marco Goldin, kurator i ekspozitës së madhe padovane “Van Gogh. Ngjyrat e jetës”.

Pas të recitalit të parë të propozuar në Facebook, një iniciativë që arriti një rekord prej 200 mijë klikimesh në internet, Goldin dhe Anzovino do të kthehen për të treguar në lidhje me van Gogh, në katër episode të drejtpërdrejta, çdo të hënë të muajit nëntor.

Episodi i parë, i ndarë në tri pjesë (hyrje në temë, lexime dhe muzikë, si edhe diskutim me publikun), do të përmbajë kryesisht letrat e dërguara nga van Gogh për vëllain e tij Theo, motrën Ëil dhe Emile Bernard, të shkruara në kohën kur po pikturonte “Fushat e grurit” në fushën Crau, jo shumë larg Arlesit.

Episodet vijuese u kushtohen përkatësisht miqve të van Gogh-ut në Arles, temës së melankolisë në azilin e pleqve Saint-Rémy dhe fundit të udhëtimit të jetës në Auvers. /atsh/ KultPlus.com

Pas 4 vitesh rikonstruksion, Teatri Kombëtar i Operës në Tiranë inaugurohet në fillim të muajit dhjetor

Pritjes së gjatë katërvjeçare të artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës edhe Baletit për të interpretuar në shtëpinë e tyre po i vjen fundi.

Pas koncertit të mbrëmjes së të premtes, ku spektatorët shijuan krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë poshtë ballkonit të operës, ndërsa artistët këndonin, ReportTV mëson se opera do të inaugurohet në fillim të dhjetorit, datë 5, transmeton KultPlus.

Kjo krijimtari e munguar është nxjerrë nga arkiva e operës për publikun, si një buqetë shqiptare në këtë periudhë të vështirë pandemie, që po kalon mbarë bota. Artistet Eva Golemi, Shpresa Beka, Ramona Tullumani, por edhe të tjerë artistë të rinj, kënduan pjesët e kompozitorëve shqiptarë, si Çesk Zadeja me Humoresque, Tonin Harapi me duart e Nënës, Pjetër Gaci me ekstazë pranverore, Feim Ibrahimi me E la tua veste è bianca e shumë emra të tjerë

Rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i cili funksionon si i tillë për rreth 70 vite, ka nisur në vitin 2017 me buxhet fillestar 1.2 miliardë lekë, por për arritjen e teknologjisë më të fundit në sallën e rikonceptuar me dy ballkonata, panelet që përmirësojnë akustikën, palestra e balerinëve dhe instrumentistëve dhe studiot e artistëve, është përdorur edhe buxhet shtesë. / KultPlus.com

Alma Telushi, biznesmenja shqiptare në Filadelfia: Gjaku mbetet shqiptar

Alma Telushi jeton në Filadelfia të SHBA-së prej 26 vitesh dhe sot është një ndër biznesmenet më të suksesshme atje në fushën e Real Estate.

Ajo ka rrëfyer se ka shkuar në SHBA ndryshe nga të tjerët, pasi ka pasur gjyshin atje në Amerikë që kishte ikur në vitet ’30.

“Historia e familjes sonë është krejt ndryshe. Kemi pasur gjyshin këtu në Amerikë, kanë ikur në vitet ’30, ka jetuar 18 vjet që kur kemi ardhur kemi qenë ndër shqiptarët e parë të ardhur këtu kur u hap ambasada. Njerëzit e mi kishin ruajtur pasaportën amerikane dhe erdhën na morën direkt. Dy tezet, daja e mami morën pasaportat amerikane dhe erdhëm direkt në Amerikë”, ka rrëfyer Alma në “Boeing 104.6” në Premium Channel dhe Radio Travel.

Me krenari ajo thotë se është integruar në jetën amerikane, po prapë gjaku mbetet shqiptar.

Alma është larguar për në SHBA sapo mbaroi studimet e larta për matematikë në Shqipëri, kur ishte 22 vjeç. Thotë se ka ardhur në Shqipëri për herë të fundit para shtatë vitesh dhe Vlorën, qytetin e saj nuk e kishte njohur.

Por fillimet kanë qenë të vështira edhe për të në SHBA. Alma tregon se puna e parë që ka bërë është rrobaqepëse, është marrë më pas me rritjen e fëmijëve, dhe ndërkohë merrej me menaxhim restoranti e disa punë të tjera.

“Gradualisht u integrova më tepër dhe mora licencën për real estate dhe e bukura e real estate është se jo shumë femra janë të integruara, unë jam ndër të paktat këtu”, vijon ajo.

A ka klientë shqiptarë? “Ne jemi popull që punojmë e duam të kemi shtëpinë tonë, nuk rrimë dot me qira. Terminologjia dhe në real estate është diçka që shumë nuk e kuptojnë dhe unë jam detyruar tua them ndonjëherë gjysmë shqip e gjysmë anglisht se pale se si më përkthen në shqip. Kjo është arsyeja që shqiptarët preferojnë të punojnë me ne si shqiptarë, është pengesa që kanë në kuptimin e terminologjisë”, thotë Alma.

Sa i organizuar është Komuniteti shqiptar në Filadelfia

Alma thotë se janë disa organizma të rëndësishme të cilat mblidhen herë pas here dhe që festojnë edhe festat e nëntorit. Madje shqiptarë atje kanë hapur dhe kafene dhe Alma me humorin që e karakterizon thotë se dëshiron të hapin diçka më familjare pasi vazhdon ende zakoni i burrave në kafe.

“Keni dëgjuar për shoqatën Bijtë e Shqipes? Ata janë shumë të integruar për ta bashkuar komunitetin shqiptar, organizimin e tyre dhe sigurisht organizohen jashtë mase, janë hapur shumë kafene shqiptare ku mblidhen me njëri-tjetrin. Një mik që kisha unë hapi kafene dhe i thashë po mirë për ne gratë mendoni? Kishte vetëm meshkuj. Thashë të bëhej diçka më familjare

Krahas Bijtë e Shqipes është dhe Balkan Travel që merret dhe me organizimin e festave, si festa e Flamurit”, vijon Alma. / KultPlus.com

558 vjet nga Formula e Pagëzimit, dokumenti më i vjetër i shkruar shqip

8 nëntori shënon ditën ndërkombëtare të gjuhës shqipe.

Sot, 558 vjet më parë, më 8 nëntor të vitit 1462 janë shkruar shqip por me gërma latine fjalët ‘Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë’.

Pal Engjëlli, gjatë një vizite në Mat, vuri re çrregullime në punë të ushtrimit të fesë dhe me këtë rast, ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën e mësipërme, të cilën mund ta përdornin prindërit për të pagëzuar fëmijët e tyre, në rastet kur nuk kishin mundësi t’i dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte prift. Formula është shkruar me alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).

“Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Firenze-s nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915 në “Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV siecle IV, 1915” / KultPlus.com

Edhe një çmim i rëndësishëm për filmin ‘Exil’ të Visar Morinës

Drama “Exil” merr Çmimin e Filmit “Günter Rohrbach” të shoqëruar me  vlerë monetare prej 10.000 eurosh. Juria e ka justifikuar përcaktimin e saj për këtë vepër, duke e vlerësuar atë si “një film tërheqës që merret me kompleksin mjaft aktual të dukurive si racizmi dhe diskriminimi, shkruan dpa.de.

Drama flet për një inxhinier të kimisë, Xhaferin, i cili ka lindur në Kosovë dhe tani jeton në Gjermani, i cili merr tipare paranojake.

Rolin e inxhinierit e luan aktori me prejardhje kroate, Mišel Matičević, i cili gjithashtu mori çmimin për aktorin më të mirë për portretizimin e tij të rolit ambivalent, transmeton KultPlus.

Nina Hoss u nderua si aktorja më e mirë. Në filmin “Pelikanblut” ajo mishëron një trainere kuajsh dhe nënë të një vajze të adoptuar e cila merr një vajzë tjetër nga Bullgaria. Të dy çmimet janë të pajisura me 3000 euro.
Çmimi i Transmetimit i Saarland iu dha Ralf Husmann për skenarin e “Mbreti i Këlnit”.

Ky çmim është i pajisur me 5000 euro.
Gala e çmimeve të filmit, në të cilën zakonisht shpallen fituesit, u anulua për shkak të pandemisë së koronavirusit. Fituesit e këtij viti do të nderohen përsëri në gala-në tjetër.

Për filmin “Exil” është shkruar dhe po shkruhet në superlativ nga mediat e zonës gjermanishtfolëse.

“Duhen më pak se 20 minuta, dhe filmi  “Exil” i Visar Morinës tregon të gjitha shenjat e një trileri të shkëlqyeshëm psikologjik që zhvillohet në korridore dhe në dhomat e takimeve të një kompanie gjermane të mesme shkruan “Der Standard”, transmeton albinfo.ch. Jo domosdoshmërisht nga fakti që Xhaferi ka lindur në Kosovë, filmi “Exil” edhe si një triler konvencional mund të ishte i imagjinueshëm dhe sigurisht shumë tërheqës.

Por, ajo që e bën këtë një film kyç për Gjermaninë e sotme dhe për shoqëritë e ngjashme migrante evropiane – përfshirë edhe Austrinë – është diçka tjetër.  Xhaferi duket se është “integruar” mirë në çdo aspekt, por ka një ndryshim këtu. Ai ju bën të pyesni veten menjëherë nëse ndjenja e këtij ndryshimi është subjektive apo objektive. Dhe, këtë tension Morina e përpunon me një siguri të jashtëzakonshme narrative”.

E gjitha është një udhëtim i errët në mendjen e një njeriu që ndjen se po trajtohet padrejtësisht nga bota që e rrethon. Me këtë rast regjisori Visar Morina dhe ekipi i tij arrijnë të empatizojnë audiencën me këtë njeri.

“Exil” është një projekt ambicioz që adreson  në një mënyrë jo konvencionale çështje serioze si racizmi dhe ngacmimi (mobingu). Dilema e ngatërruar në mes të racizmit të vërtetë dhe paranojës e përshkon në fakt gjithë filmin. Dhe duket se vetë regjisori Morina e njeh më së miri këtë fushë: përvojat e tij personale me racizmin që përjetohet në përditshmëri gërshetohen në këtë film, transmeton albinfo.ch. Ai tregon sesi racizmi dhe paranoja shkojnë krah për krah dhe ushqejnë njeri-tjetrin.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Gjermanisë, Kosovës dhe Belgjikës: Titulli origjinal: “Exil”; Drama; D, Bel, RKS 2020; Regjisori: Visar Morina; Skenari: Visar Morina; Aktorët: Mišel Maticevic, Sandra Hüller, Rainer Bock, Thomas Mraz, Flonja Kodheli; distribucioni: Alamode Film. / KultPlus.com

Vdes aktori shqiptar Koço Devole

Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i njohur i humorit shqiptar Koço Devole. Ai ishte shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë pasi ishte infektuar me Covid-19.

Pasi shfaqja shenja përmirësimi ai u rikthye në shtëpi. Por gjendja e tij u rëndua sërish, ndonëse djali i tij tha për ABC se i ati kishte rezultuar negativ në tamponin e parë. Devole u shtrua sërish në spitalin Infektiv rreth një javë më parë ku u fut në intubim.

Gjendja shëndetësore e tij ishte e komplikuar për shkak edhe të sëmundjes së leuçemisë nga e cila aktori vuante prej vitesh. Ai jetonte në Tiranë me djalin e tij, ndërkohë që bashkëshortja dhe vajza janë zhvendosur në SHBA. Kjo e fundit kishte ardhur në Shqipëri përgjatë ditëve të fundit për t’i qëndruar pranë të atit.

Koço Devole ishte një nga personalitetet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole është karrikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skeçe dhe komedi janë nga më të njohurit për publikun shqiptar. / KultPlus.com

Harris: Mund të jem gruaja e parë në këtë pozitë, por nuk do të jem e fundit

Kamala Harris është gruaja e parë zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Në tubim e parë para amerikanëve si të zgjedhur, Harris foli se çfarë do të thotë ky moment për gratë, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Pë pozitën e saj Harris thotë se nëna e saj “besoi kaq thellë në një Amerikë ku një moment i tillë është i mundur”.

Në fjalën e saj Harris thotë se po mendon për nënën e saj – e cila rriti atë dhe motrën e saj si një nënë e vetme – dhe brezat e tjerë të grave të me ngjyrë, aziatike, të bardha, latine dhe vendase që kanë “hapur rrugën për këtë moment si ky”.

“Ato janë shtylla kurrizore e demokracisë sonë”, thotë Harris, këto gra që luftuan 100 vjet më parë për ndryshimin e 19-të, 55 vjet më parë për aktin e të drejtës së votës dhe tani në vitin 2020 si gjenerata e ardhshme e grave hedhin votat e tyre.

“Sonte reflektoj në luftën e tyre, vendosmërinë e tyre dhe forcën e vizionit të tyre për të parë se çfarë mund të lirohet nga ato që kanë qenë. Dhe unë qëndroj mbi shpatullat e tyre.”

Harris vlerëson Biden për “guximin” për të thyer barrierat dhe për të zgjedhur një grua si nënkryetare të tij.

“Ndërsa unë mund të jem gruaja e parë në këtë zyrë, nuk do të jem e fundit”.

Harris përfundon komentet e saj duke thënë se është gati të shkojë në punë. Ajo dhe Biden do të trajtojnë pandeminë, do të adresojnë çështjet e kundër racizmit.

Ajo thotë se Biden do të jetë president për të gjithë amerikanët. / KultPlus.com

“Shkuan kaq mote, degët s’u thanë, moj Arbëri”

Vaçe Zela, këngëtarja e njohur shqiptare e cila njihet për zërin e saj madhështor, me të cilin arriti të mahnitë publikun shqiptar edhe sot e kësaj dite, shkruan KultPlus.

Njëra ndër këngët më të njohura të saj, është kënga ”Moj e bukura Arbëri”. Këngë kjo që Vaçe Zela e interpreton me një lehtësi të këndshme.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës. / KultPlus.com

Në breg pulëbardhat çajnë fluturim
si kënga jonë plot mall.
Këndojmë nga larg me dashuri,
moj Arbëri.

Të parët tanë me brengë të lanë,
sa kohë më nuk të panë?
por sot si lule më je ti,
moj Shqipëri.

Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri.

Këtej ne degë, ti rrënjë matanë,
N`mes deti me stuhi.
Shkuan kaq mote e degët s’u thanë,
moj Arbëri!

Kjo kënga jonë, për ty përherë
na djeg si zjarr në gji.
Tek zjarri yt ne jemi përjetë,
moj Shqipëri!

Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri.

Kosovari që punoi në Shtabin Zgjedhor të Presidentit Biden

Faton Bislimi është një nga personat që ka pasur fatin që të punoj me presidentin e sapo zgjedhur amerikan Joe Biden, dhe t’i shërbej fushatës së tij.

Nëpërmjet një postimi në Facebook ai ka shkruar se ndjehet më fat që ka pasur fatin që të punoj për fushatën e presidentit amerikan si udhëheqës i platformës së Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në përkrahje të Joe Biden, “Albanians for Biden.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

URIME PER JOE BIDEN! Sot, sipas projeksioneve më serioze në SHBA, pas numërimit thuajse të plotë të të gjithë votave, Joe Biden fiton garën zgjedhore dhe kështu bëhet Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për shqiptarët në përgjithësi, dhe për mua në veçanti, fitorja e pozitës së shefit të Shtëpisë së Bardhë nga miku ynë i madh është fitore që ngërthen në vete mëse 30 vite të punës historike të lobit tonë në SHBA. Unë kam pasë nderin e jetës që t’i shërbej fushatës së Joe Biden për President duke qenë kështu udhëheqës i platformës së Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në përkrahje të Joe Biden, “Albanians for Biden.” Gjatë kohës sa isha aktivisht i angazhuar në fushatën e Biden, kam pasë rastin e papersëritshëm dhe unik të bashkëpunoj me njerëzit kyç të ekipës së madhe “Biden for President”—që nga menaxheri i fushatës, këshilltari kryesor për politikë të jashtme, e deri tek koordinatori për grupet etnike—për të cilët ndaj vlerësimin më të lartë njerzor! Kjo fitore është jo vetëm e Amerikës; kjo fitore është edhe e botës mbarë dhe e neve, shqiptarëve. Jashtëzakonisht mirënjohës lobit tonë në SHBA, dhe ekpit të Biden për President që më dhanë mundësinë të jem pjesë e kësaj fushate historike!/ KultPlus.com

“Mbas çdo lufte dikush duhet me i shty rrënojat, me kalu vagonat e mbushun me kufoma”

Wisława Szymborska

Fundi dhe fillimi

Përktheu Vlora Konushevci

Mbas çdo lufte

dikush duhet me i hjek plehnat.

Në fund të fundit

gjanat s’mundet vet me ra në vend.

Dikush duhet me i shty rrënojat

anash me lirue rrugën,

që me mujt me kalue

vagonat e mbushun me kufoma.

Dikush duhet me u zhyt

në llum e në hi

n’fundërrinën e shtratit,

në gotat e coptume

në copat e përgjakuna.

Dikush duhet me e bajt naj tra

me forcu naj mur.

Dikush duhet me lustru naj xham,

me rivendos naj derë.

Fotogjenike s’asht hiq,

kërkohen shumë vjet.

Tana kamerat kanë ikë

mbas nji lufte tjetër.

Kanë me na u dashtë urat prapë,

edhe stacionet e reja hekurudhore.

Mangët kanë me na u kputë

tu i përvjelë.

Dikush, me fshisë në dorë,

e kujton të kalumen.

Dikush tjetër e ndigjon

dhe pohon me krye hala n’vend.

Por ka të tjerë në afërsi

që nisin me blue qysh

dikujt i duket e mërzitshme

krejt kjo.

Prej kaçubeve

hala del najkush e nxjerr prej dheut

argumente të ndryshkuna

e i çon ato tek grumbulli i plehnave.

Ata që e kanë ditë

çka ka ndodh aty

duhet me hap rrugën

për ata që kanë ditë ma pak.

Edhe ma pak se pak.

Edhe përfundimisht ma pak se hiq.

Në barin që asht rritë

mbi shkaqet dhe efektet

dikush duhet me u shtri

me nji fije bari n’gojë

me i venerue retë./ KultPlus.com

Lamtumirë, Latif!

Me hidhërim të thellë njoftojmë largimin e papritur nga jeta të Latif Ajrullai, Presidentit të kompanisë ALBAS. 

 Latif Ajrullai u largua nga ne në kulmin e veprimtarisë së tij, kur kompania që ai drejtonte, u bë një nga më të njohurat e më të suksesshmet në tregun e librit shqip. I diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Kimi, Magjistër në Farmaci, për shumë vite ka punuar si profesor i kimisë.

Ai iu përkushtua me pasion botimeve shkollore, si botues dhe autor, si përkthyes dhe autor i disa librave psikologjikë dhe shkencorë e artistikë. Latif Ajrullai, si atdhetar e vizionar, së bashku me partneren e tij, poeten e mirënjohur Rita Petro, realizuan një ëndërr të tyren për të bërë tekste shkollore për nxënësit shqiptarë në të gjitha trevat shqiptare. Ata ngritën që në vitin 2000 kompaninë e mirënjohur ALBAS në Shqipëri, me degët e saj në Maqedoni, Kosovë, Preshevë për të sjellë librin shqip sa më afër nxënësve e lexuesve shqiptarë në hapësira të ndryshme gjeografike, si dhe në diasporë. 

Latif Ajrullai ka nxitur dhe ka përkrahur bashkëpunimin dhe punën me grupe autorësh, ku bëjnë pjesë studiues të njohur të fushave të caktuara të këtyre trevave, me qëllim që këto tekste të kenë një frymë sa më të hapur mbarëkombëtare shqiptare.

Latif Ajrullai ka dhënë një kontribut shumë të shquar si Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Teksteve Shkollore, për respektimin e konkurrencës së ndershme në tregun e librit, ka denoncuar hapur e me guxim çdo shkelje apo padrejtësi dhe ka ndikuar në përmirësimin e legjislacionit të teksteve shkollore. 

Ishte largpamësia dhe këmbëngulja e Latif Ajrullait që për herë të parë në Shqipëri u ngrit platforma digjitale “Portali Shkollor Albas”, dhe u digjitalizuan të gjitha tekstet shkollore, duke ndihmuar në modernizimin e procesit mësimor. Gjatë muajve të fundit, veçanërisht gjatë izolimit prej COVID-19, kjo platformë zuri një rol kryesor në mbështetjen e mësuesve dhe nxënësve me lehtësinë e përdorimit online dhe shkarkimin e materialeve dhe librave të shumtë shkollorë. Në kërkim të rritjes së cilësisë grafike e të shtypshkrimit, ishte nisma e  Latif Ajrullai për ngritjen e një prej shtypshkronjave më moderne, me standarde europiane në Shqipëri, me investim shqiptaro-kroat, Deaprint. 

Si President i kompanisë ALBAS, do të kujtohet për këmbënguljen në zbatimin e ligjeve dhe të rregullave të biznesit, për mbështetjen e punonjësve, për ngritjen profesionale të tyre përmes trajnimeve, për autoritetin dhe për këmbënguljen në realizimin e të gjitha projekteve të kësaj kompanie në fushën e dijes.

Ajrullai ishte një biznesmen vizionar, që drejtohej sa nga përpikëria e fakteve, aq dhe nga zemra dhe dashuria për punën. Puna dhe përkushtimi i tij do të mbeten dhe do të vlejnë për t’i çuar edhe më tej projektet e tij të lëna kaq brutalisht përgjysmë. 

 I shprehim ngushëllimet familjes dhe i urojmë partneres së tij, Rita Petro, drejtoreshës së shtëpisë botuese ALBAS, të gjejë forcë për të përballuar një humbje kaq të madhe dhe për ta çuar para misionin fisnik të librit.

Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë Latif!/ KultPlus.com

Nëse kërkoni “dështak”, Twitter e rendit Trumpin të parin

Presidenti i 45’të SHBA’së, Donald Trump, renditet i pari si ‘dështak’ nga Twitter i nëse eventualisht kërkoni këtë fjalë. Përkundër asaj se Trump konsiderohet përdorues i rregullt i twitter’it, kjo platformë sociale herë pas here ia ka censuruar cicërimat presidentit amerikan.

Trump konsiderohet si ‘dështak’ nga twitter  për shkak se humbi zgjedhjet e fundit presidenciale nga presidenti i ardhshëm i SHBA’së, Joe Biden.

Biden grumbulloi më shumë se 270 vota, mjaftueshëm për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë.

Trump, edhe pse nuk dihet arsyeja, po paralajmëron se kjo çështje do të shkojë në Gjykatën Supreme të Amerikës.

Kujtojmë se Trump përdori twitter’in më shumë se çdo president tjetër, sidomos gjatë fushatës së vitit 2016, me arsyetimin se duhet ta informojë popullin amerikan sepse, sipas tij, mediat prodhonin lajme të rreme./ KultPlus.com

“Ju nuk jeni vetëm, keni miq në të gjithë botën ”, katër deklaratat e fuqishme të Biden për Kosovën

Joe Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale përballë Donald Trump.

Lidhja e presidentit të ri amerikan, është e kahmotshme me vendin tonë, i cili jo rrallë-herë në deklaratat e tij publike e ka përmendur Kosovën.  

Në një fushatë elektorale në SHBA, ai tha se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, dhe jo pjesë e Serbisë.

Biden kishte japur këto deklarata pasi që ishte pyetur për marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në SHBA mes Kosovës dhe Serbisë.

Deklarata të fuqishme ndërkaq Biden kishte dhënë edhe gjatë vizitës së tij në Kosovë teksa ishte takuar me liderë të shtetit.

“Nuk e di cila është marrëveshja. Ajo çka argumentoj në lidhje me Kosovën dhe Serbinë është se: Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, jo pjesë e Serbisë”,

“SHBA-të e kanë bërë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës është e pakthyeshme, nuk do të ndryshojë. Një Kosovë e bashkuar, e pandarë është absolutisht esenciale. Është pjesë bazike e ndërtimit të shtetit”,

“Kosova nuk është vetëm, ju keni miq në të gjithë botën që janë të gatshëm t’iu ndihmojnë, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku juaj më i madh”

“Suksesi juaj, është mbizotërues në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëse ju keni sukses, edhe regjioni do të ketë sukses”/KultPlus.com