Albin Kurti në Shqipëri: Le të flasim si diplomatë, por të punojmë si patriotë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka udhëtuar gjatë ditës së sotme për në Elbasan, që të takohet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati një fjalim në këtë mbledhje, ku edhe tha se duhet të flasim si diplomatë, por të punojmë sikurse patriotë.

“Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, Të thuash se jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi të fortë, do të ishte sa tepri, po aq edhe shkurtëpamësi, Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar, do të shquanin për nacionalist, Të thuash se do të bashkohemi në bashkimin evropian, të shquajnë për diplomat, Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që, le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë”, tha Kurti mes tjerash.

Disa prej marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen sot kanë të bëjnë me leje qëndrimin e shtetasve të Kosovës në Shqipëri, leje të punës dhe shumë gjëra të tjera. /KultPlus.com

May be an image of 6 people

Këngëtarja Pink kërkon ndihmë nga Ronaldo, ky i fundit reagon menjëherë

Cristiano Ronaldo është një nga sportistët që ka qenë shembull edhe jashtë fushe, duke ndihmuar fëmijët në nevojë.

Ylli portugez, me veprime të ndryshme, si donacione, ka fituar edhe më shumë zemrat e njerëzve në mbarë botën.

Pikërisht për gatishmërinë e CR7 për të ndihmuar kurdo dhe këdo që është nevoja, i është drejtuar atij këngëtarja amerikane P!Nk, e cila ka publikuar mbrëmë në orët e vona një mesazh që asnjë nga miliona ndjekësit e saj nuk e priste.

Ajo në këtë postim shkruan se dëshiron t’i bëjë të lumtur disa fëmijë, duke mos treguar shumë detaje, kush apo si – dhe sipas të cilës ata s’duan asgjë tjetër pos fanellën e Cristiano Ronaldos për Krishtlindje.

Nuk ka vonuar shumë dhe ka reaguar CR7 duke thënë se është i gatshëm të ndihmojë dhe të dërgojë fanella të nënshkruara për të bërë të lumtur fëmijët për Krishtlindje dhe Vitin e Ri./Express /KultPlus.com

Edi Rama kujton tragjedinë në Shqipëri, dy vite nga tërmeti i fuqishëm

Dy vite më parë, Shqipëria, u godit nga një tërmet që la të vdekur në total 51 njerëz dhe gjithashtu 3 mijë njerëz u plagosën, shkruan KultPlus.

Dëmet nga ky termet ishin të jashtëzakonshme dhe kur kanë kaluar dy vite, gjërat akoma nuk janë rikthyer në normalitet të plotë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet.

KultPlus iu sjellë postimin e plotë të Ramës:

“Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa drojë se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar, për faktin se mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj. Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur”, shkroi kreu i shtetit.

Shqipëria mori ndihma të mëdha nga shtete të ndryshme të botës, me Kosovën që shprehi gatishmëri të madhe për ndihmë. /KultPlus.com

Fahrije Hoti – model i një gruaje të suksesshme

Organizata jo-qeveritare She Inspires Me, e cila merret me promovimin e punëve të grave nëpër botë, ka organizuar natën e filmit bashkë me gra të suksesshme nga komuniteti i biznesit të sektorit publik dhe atij privat, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyratre “Facebook”, She Inspires Me ka bërë të ditur se kanë shikuar filmin e “Zgjoit”, si një përzgjedhje e dedikuar për historinë dhe rrugëtimin e Fahrije Hotit drejt përballjes me një mentalitet tradicional.

Gjithashtu, aty u treguan edhe sfidat që rrodhën nga menaxhimi i një biznesi, duke synuar mbijetesën dhe përfshirjen e grave të Krushës së Madhe.

“Kjo ngjarje me karakter artistik”, e përshkruan She Inspires Me filmin, duke uruar regjisoren Blerta Bashollin dhe protagonisten Yllka Gashi.

“Zgjoi” po vazhdon të shfaqet nëpër kinema të Kosovës, derisa ka shënuar një rekord prej 20 mijë shitjeve në Cineplex Kosova. /KultPlus.com

Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë disa marrëveshje në mbledhjen e përbashkët

Të premten e 26 nëntorit në Elbasan do të mbahet mbledhja e përbashkët, e shtata me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Disa marrëveshje pritet të nënshkruhen në këtë mbledhje. Por, ato që tashmë janë bërë të ditura, janë marrëveshja për sigurime shoqërore, ku është kërkuar autorizimi për nënshkrim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, marrëveshja për lejet e qëndrimit në afat 5-vjeçar, përmes një aplikimi të thjeshtë dhe ajo për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se marrëveshja në fushën e arsimit do të jetë për lehtësim të procedurës së njohjes së diplomave.

“Marrëveshja që do te nënshkruhet në fushën e arsimit është: Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-te (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave). Në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore, të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucioneve të tjera të autorizuara”, ishte shprehur Nagavci.

Siç është bërë e ditur nga agjenda, delegacioni i Kosovës do të mbërrijë në ora 09:45 në Shqipëri, derisa do të ketë një ceremoni deri në ora 13:10. /KultPlus.com

Bryan Adams del pozitiv me Covid për herë të dytë brenda një muaji

Këngëtari i njohur, Bryan Adams ka rezultuar pozitiv me COVID-19, sapo mbërriti në Aeroportin Malpensa të Milanos, në Itali.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në Instagram, ku shihet teksa po bën testin në një dhomë.

“Sapo arrita në Milano dhe dola pozitiv për herë të dytë brenda një muaji, për COVID-19”, ka shkruar Adams, duke falënderuar me këtë rast fansat për mbështetjen që i kanë ofruar.

Adams i cili ka edhe karrierë si fotograf, ka bërë fotografitë për kalendarin Pirelli të vitit 2022, pasi paraprakisht ishte angazhuar për të kryer setin e fotografive për kalendarin e vitit 2021, i cili ishte anuluar për shkak të pandemisë.

Këngëtari pritej që të paraqitej para mediave për ta promovuar kalendarin, mirëpo tani nuk dihet nëse kjo do të ndodhë./KultPlus.com

‘Përkushtim, sakrificë e dashuri në vepër’

Fotografi Sefer Aliçkaj ka ndarë sot me ndjekësit një fotografi ku shihet një i moshuar duke përgatitur fli në mes të qytetit të Skenderajit.

Ai ka ndarë një poftim prekës, ku tregon se Sahit Prekazi, në kushte jo normale përgatit fli për gruan e tij të sëmurë.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Përkushtim, sakrificë e dashuri në vepër

Mu në zemër të qytetit axha Sahit Prekazi, në kushte jo normale përgatiti fli.

Dhe a e dini përse dhe për kënd?

Pasi e fotografova me habiti me përgjigjen e tij.

“Për gruan time të semurë, po e përgatis dhe do t’ia dergoj në shtëpi”.

Shëmbull që duhet ndjekur nga të gjithë!./KultPlus.com

Përurohet shtëpia muze e heroit, Fadil Vata

Kosovës i shtohet edhe një muze i personaliteteve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare. Është shtëpia muze e Heroit Fadil Vata, e cila është përuruar sot në Sallagrazhdë të Suharekës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se edhe sot mund të bëjnë punë të mira për kombin, siç është një hekurudhë me Shqipërinë dhe një marrëveshje për mbrojtje ushtarake të ndërsjellët, pastaj, kushdo që ta ketë kombësinë si shqiptar t’i takojë e drejta për shtetësi.

“Nuk do ta humbim rrugën tonë asnjëherë sepse do të kemi ku t’i gjejmë gjurmët e lirisë, tani edhe në shtëpinë e heroit Fadi Vata”, tha ai.

Kurse, bashkëveprimtari dhe njëri nga ish-drejtuesit e LPRK-së, Halil Selimi tha se kishte menduar se sot të jenë prezent përfaqësuesit më të lartë shtetëror dhe fjalën e tij ta fillonte me ata prej ku fillon shteti, në themelet e të cilit është flijuar sakrifikueshëm edhe Heroi i Popullit Fadil Vata.

“Çfarëdo që bëjmë për heronjtë, kurrë nuk është boll. Si njëri nga bashkëveprimtarët, jo të shumtë asokohe, më duhet të them dy fjalë për Fadilin e madh. Për Fadilin idealist dhe ideolog, frymëzues dhe ideator, veprimtar dhe organizator, i burgosur politik dhe çlirimtar! Për Fadilin drejtues të organizatës së vetme çlirimtare të asokohëshme, Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, paraprijëse dhe themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, edhe sot, kjo vepër monumentale, përurimi i të cilës na ka tubuar nga të gjitha anët shqiptare, na vije si trokitje e ndërgjegjes për nderim dhe respekt të dinjitetshëm për Fadilin dhe gjithë çlirimtarët tanë. Veprimtaria organizative e Fadil Vatës dhe gjeneratës së tij, ishte një trokitje e fortë dhe e guximshme e kohës në ndërgjegjen kombëtare për liri. Ishte vazhdimësia e rezistencës së organizuar liridashëse. Ishte kohë pararendëse dhe vendimtare për formësimin dhe ndërtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje dhe të vetë Lirisë. Dhe, mos të harrojmë se, ishte koha kur monizmi po kalonte në sistemin pluripartiak. Me lirinë e organizimit pluralist dhe heqjen e deliktit verbal, demokracia filloi të proklamohet dhe të imponohet si liri e vërtetë, anise pushtuesi po bëhej edhe më i egër në antishqiptarizmin e vet. Nga ana tjetër, atdhetarët e devotshëm, veprimtarët e vendosur dhe çlirimtarët e guximshëm, përkundër kësaj sfide të pazakontë, të bindur se pa luftë nuk vie liria dhe pa liri nuk ka demokraci, u mobilizuan brenda e jashtë vendit dhe arritën që përmes LPRK-së, të organizohen mirëfilli dhe të përqëndrojnë gjithë veprimtarinë e fshehtë çlirimtare kundër pushtuesit serb”, tha ai duke shtuar se pavarësia e Kosovës është rezultat i punës, djersës dhe gjakut të të gjithë atyre që u rreshtuan, luftuan dhe u sakrifikuan në përballjen e shenjtë për liri./KultPlus.com

Ekspozitë me gjërat personale të Amy Winehouse

Një ekspozitë e re është hapur këtë javë në Londër për të eksploruar jetën, muzikës dhe trashëgiminë e kantautores britanike Amy Winehouese, një dekadë pas vdekjes së saj në moshën 27-vjeçare, transmeton KultPlus.

“Amy: Beyond the Stage” i muzeut ‘London Museum’ gjurmon historinë e karrierës së saj të hershme përmes regjistrimeve dhe fletoreve të saj adoleshente për të dhënë një pasqyrë të krijimtarisë së saj.

Ndihmës kuratorja e ekspozitës Maria McLintock tha se Winehouse, e cila vdiq nga mbidoza e alkoolit në korrik 2011, kishte lënë një trashëgimi të pasur dhe të larmishme në muzikë dhe modë.

“Ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë është të tregojmë historinë e saj si një person krijues, si një muzikant i jashtëzakonshëm, si një ikonë e modës, por gjithashtu të përfshijmë objekte të rralla për të cilat ndoshta fansat e saj kanë dëgjuar, por nuk i kanë parë më parë”, tha ajo. .

Ekspozitat përfshijnë tekste të shkruara me dorë nga demo të papublikuara dhe kitarën e parë që ajo bleu si adoleshente./KultPlus.com

“O Flamur gjak, o flamur shkabë, o vënd e vatr’ o nën’ e babë”

Poezi nga Fan Noli.

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.

72 vjet nga themelimi i teatrit të Shkodrës

Dje është shënuar 72 vjetori i themelimit të Teatrit ” Migjeni” në Shkodër.

Trupa profesioniste e teatrit “Migjeni” u krijua me 24 Nëntor 1949, në zbatim të vendimit nr. 572 të Këshillit të Ministrave të asaj kohe dhe përbëhej nga një regjisori Andre Skanjeti.

Gjithashtu, kishte tetë aktorë profesionist; Çezarina Çiftja, Antonjeta Fishta, Vitore Nino, Adem Kastrati, Ndoc Deda, Ndrek Prela, Paulin Lacaj dhe Tef Krroqi. Dymbëdhjetë aktorë amatorë; Tinka Kurti, Bahrije Mani, Fadile Mustafa, Zef Jubani, Lin Gjoni, Enrik Prendushi, Gjovalin Çarkashija, Halim Kali, Kolec Tarfuku, Çesk Vuksani, Muhamet Ulqinaku.

Premiera e parë u dha, më 26 Maj të vitit 1950.

Gjatë 71 viteve, kjo trupë ka realizuar 226 premiera, me një mesatare prej 3.01 në vit. Nga këto 228 premiera ishin 138 drama, 66 komedi, 7 teatër poetik, 4 monodrama, 10 drama dhe 1 komedi për fëmijë. Në 72 vite kanë interpretuar 96 aktorë profesionist ( nga ke këto 34 aktore femra), dhe 282 aktor amator.

Në 228 premierat kanë kontribuar 70 dramaturg shqiptar (nga këto 1 grua), 45 regjisor (nga këto 5 regjisore) 46 skenograf (nga këto 2 skenografe), koreograf, 9 kostumograf (nga këto 7 kostumografe).

Ky numër është më i madh në realitet, por, para viteve 90 kostumet i kanë dizenjuar skenografët dhe nuk janë shenuar në posterat e shfaqjeve./KultPlus.com

‘Nëna ime kishte vetëm një fustan’

Fustani

Poezi nga Ardita Jatru

Nëna ime kishte vetëm një fustan
e lante natën dhe e thante pranë furnelës.
Ditën e vishte me aromë të re
Nuk e pyeta asnjëherë pse nuk blinte një të dytë
Nuk desha ta kishte një të dytë
Unë ashtu e njoha
me fustanin me lule rozë,
deri te gjunjët.
Kur e bleu një këmishë mëndafshi të verdhë
e preva copash natën më gërsherë
dhe mbusha xhepat.
Nëna heshti dy ditë
e unë gëzohesha nga brenda
që ajo vishte prap të njëjtin fustan
dhe i përsësija vetes,
se dua ti ngjaj.
Tani kam filluar të kuptoj nënën.
Pikëpyetjet e atëhershme i zgjidha,
nga dalin ofshamat
kam filluar të kuptoj
dhe vetëm pse copëtohej,
pse luftonte vetëm.
Fundja pse duhej të kishte një fustan.
Për të gjitha këto, kuptoj një gjë,
rritem dhe i ngjaj asaj
por me fustane të ndryshme
luftoj vetë i dytë
dhe sitnët e mia thinjen para pasqyrës./ KultPlus.com

Fragment nga novela ‘Hasta La Vista’ e Petro Markos

Në 108-vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe poetit Petro Marko, KultPlus ua risjell një fragment nga vepra e tij ‘Hasta la Vista’.

Takimi i Gorit me Anitën:

Aeroplani ra mbi ullinjtë. I digjeshin krahët. Të tjerët u larguan, se pothuaj gjithë vagonat u bënë shkrumb e hi. Një tërkuzë e gjatë vagonash ishin katandisur skelete hekuri në zjarr. Disa ishin të përmbysura dhe akoma lëshonin zjarr e tym.

Ata që duallën nga aeroplani, kërkuan të shpëtonin, po u zunë. Ishin tre hitierianë të divizionit “Kondor” dhe një frankist. Garibaldinët i zunë, i lidhën dhe i shikonin me zemërim.

-E çmi mbani gjallë, -thirri dikush. – Hidhini n’atë zjarr që ndezën vetë! Brigantët!

Një tjetër u afrua dhe nxori revolen t’i vriste, po dora e tij u ndal nga Ramizi.

Këta janë robër lufte! Do të dërgohen te shokët e tyre! Mos i ngini! Po i ngau njeri…

Fjalën e Ramizit e preu Alvarezi.

– I çarmatosni mirë dhe i shpini në shtabin e brigadës, aty pas ullinjve. ju të tjerët ndihmoni shokët!…

– Ç’më rrini kështu sikur shikoni ndonjë Sfaqje!

– Plumbin qenve! Plumbin – u dëgjua përsëri nga mesi i ushtarëve.

– Dëgjoni thirri me zë të prerë komisari Alvarez – po i ngau njeri, plumbin ka. Shpejt, sikush në kompaninë e tij…

Kishte nga ata kurreshtarë që deshën të shikonin ç’fytyrë kishin bishat që bombardonin ditë e natë Spanjën republikane. S’lanë shtëpi e fshat, stacion e qytet pa bërë shkrumb e hi. Mirë! Ata sipas ligjeve të luftës së tyre të padrejtë, mund t’i sulmonin trenat e luftës e t’i shkatërronin siç bënë tani! Po kush i lajmëroi? Kush e dërgoi lajmin se ky tren ishte i brigadës së 12-të? Eh, luftë o luftë!

– Mor po këta qënkan simpatikë! – tha njeri. -janë të rinj. Pa shikoi! Flokëverdhë, bukuroshë! Pa shiko frankistin! Një moreno, tërheqës për vajzat, që ç’ke me të…

– Derrat! – thirri një tjetër.

– Qënt e qënit! – ia priti një tjetër.

– Të katër robërit, shkonin kryelartë. Bile ndezën dhe cigaren. Flisnin midis tyre… dhe siç dukej, atë që ato po bënin, e bënin për Fuhrerin që i kish verbuar dhe ndërsyer.. Kush e di! Pa tjetër do të vinin në vete ndonjë ditë, po të shpëtonin nga ky zjarr që ndezën ata me urdhërin e perëndisë së tyre.

Agimi, si nga hera, vazhdonte të derdhte dritën e argjendë nga lindja ku shtrihej deti Mesdhe. Pastaj një valë resh të kuqe u dalluan në horizontin e hapur! Eh, ç’agim! Sa keq për Gorin që s’e pa këtë agim! I kishin folur për agimet e kuqërreme të Spanjës së bukur. Po ja që s’pati fat ta shikonte këtë agim vjeshte. Ish i shtrirë, aty rrëzë një ulliri, i rrethuar nga shokët. Asimi nuk fliste. Prisnin doktorin, që mjekonte ata që ishin të plagosur më rëndë.

Kush e di sa shokë të rinj si Gori, që kapërcyen kufi e dete, për të ardhur gjer këtu, u vranë tani, pa ja shkrepur asnjëherë, pa shfryrë asnjë herë zemërimin dhe urrejtjen e tyre kundër fashizmit!

-Ka patur dhe më keq, – mendonte Asimi. – Ka patur shokë që u vranë pa shkelur fare në tokën spanjolle. Bllokada e turpshme dhe barbare e kapitalit internacional me fashizmin si xhandar, kush e di sa e sa shokë ka vrarë në det e në stere…

Gori geli sytë! Herën e parë nuk mundi të përmblidhej e të kuptonte se ku ish. Po kur pa pranë fytyrat e dashura të Asimit e të Xhemalit, të Ramizit e të Dragushit, të Fatosit e të Arxhelit e të shumë garibaldinëve të tjerë, e kuptoi se po i linte përjetë. Mbylli prapë sytë dhe lotët i rodhën pa dashur.

Në këto çaste të mallëngjyera, Vjen xha Kola, i cili, sa dëgjoi plasjet e para, kish këcyer përjashta dhe kish marë frymë tutje kanalit. Ishte mbledhur kruspull në një guvë ulliri, kishte mbyllur sytë dhe qëndroi aty gjersa pushoi zjarri dhe rrëmuja. Kur ra agimi, atëherë u kujtua për armët dhe sidomos për çantën, ku mbante gjëra të vlefshme, siç thoshte ai, dhe nuk linte njeri t’ia prekte… Për këtë i vinte plasja dhe ish enduar shumë që s’mori të paktën çantën e vogël. “Po lëkura qënka më e dhëmbshur se floriri!” – kur shikonte lemerinë që ish bërë.

– Ka vdekur njeri nga tanët? – pyeti , kur pa shokët rreth Gorit.

– Po ti ç’u bëre? – pyeti Ramizi. – Nga bridhje! Ne kujtuam se… re dëshmor!

– Mortja nuk merr. shtoi Xhemali.

Ra buria! Të gjithë të mblidheshin në kompanitë e tyre.

Gori e dëgjoi. çeli sytë dhe bëri të ngrihej.

-Mos lëviz! – e porositi Ramizi, – ja tani vjen doktori. Dhe me të vërtetë erdhi doktori me infermierët. E zbuloi. I pa mirë kokën, trupin e këmbët! I lidhi kryet, krahun dhe tërë gjoksin dhe porositi infermierët ta shpinin n’ambulancën që u ngrit tej kanalit.

Komandanti i brigadës dhe komisari që erdhën aty, pyetën doktorin dhe ky u tha se s’ka rrezik – frakturë dhe tronditje.

-Shoku shqiptar! Kur të shërohesh të presim në brigadë, – i tha komisari, dhe e përkëdheli duke i lëmuar flokët. -ju garibaldinët e Shqipërisë, përshëndetuni me shokun se po nisemi.

Gorin e vunë mbi vig. Ai nuk i çelte sytë nga turpi se i ishin mbytur në lotë.

-Gori! – i tha Asimi. – Ne po ndahemi, se brigada niset. Erdhi treni. Të presim! – dhe e puthi. E puthi dhe u largua, se një nyje i u bë në fyt.

Të gjithë e përqafonin. Po Gori nuk i çilte sytë të shikonte shokët, vëllezërit për të cilët krenohej jo vetëm ai, po krenoheshin tërë shqiptarët antifashistë. S’kishte fuqi të thoshte një fjalë, vetëm një fjalë: “Luftoni dhe për mua!” Kur nuk i dëgjoi më, kur ndjeu se infermierët e kishin ngritur, çeli sytë dhe pa se po e shpinin në drejtim të kundërt nga ai i shokëve që duke u larguar, kthenin kokën pas dhe i tundnin dorën duke e përshëndetur.

Fishkëllima e trenit ngrinte peshë më tepër zemrat e ndezura të garibaldinëve, që lanë shumë të vrarë dhe të plagosur. Po kënga gjëmoi.

Këtej autoambulancat mbartnin të plagosurit. Ata që ishin me plagë të rënda i shtruan aty pranë në një shtëpi fshatari, kurse Gorin e shtrinë në një shtrat të autoambulancës. Në shtratin tjetër ishte një shok italian që rrënkonte thellë. Pranë Gorit rrinte një infermiere e re, e cila i lëmonte ballin. Gori mbylli sytë dhe s’dinte ç’të mendonte. I vinte turp… Çahu dhè të futem! Si? I shtrirë dhe i lidhur në këmbë, kurse brigada shkoi në Aragonë! Çfat i keq! Po kjo vajzë! Sa e mirë! Sa e dashur!

Ajo i foli në një gjuhë që Gori s’mori vesh. Pastaj i foli me gjuhën e ëmbël spanjolle. Gori, që dinte mirë italishten, e kuptonte spanjishten.

Befas maqina u ndal! Si një britmë e vetme gjëmuan thirrjet e të plagosurve. Dyert përnjëherë u çelën dhe infermierët rrëmbyen vigjët me të plagosur dhe vrapuan nën ullinjtë. Aeroplanët fashistë fluturuan shumë ulët. Gjëmimi i tyre bënte të dridhej dhe dheu! Për pak çaste toka u drodh dhe aty pranë në Alkala de Çis shtëllunga tymi u ngritën përpjetë si uji i detit nga plasja e bombave të mëdha. Gori pa dritën e tokës spaniolle. Sa dritë ka qielli dhe deti i Spanjës! Kudo që të hidhje sytë shikoje pyje me portokalle! Pyje me ullinj! Dhe ja, aty pranë, deti ish i shqetësuar dhe era kafshonte valët duke zbardhur dhëmbët si një qen i egërsuar. Infermierja, që i rrinte Gorit mbi kokë si një pulë që mbronte zogjtë e saj nga ndonjë skifter, Kristina, siç e quanin infermieren suedeze, e ruante të plagosurin nga aeroplanat.

– Janë shumë çnjerëzorë! Edhe autoambulancat i sulmojnë! Sa herë na kanë mitraluar!

Doktori që shoqëronte kollonën vizitoi edhe Gorin. E gjeti mirë, më të qetë.

– Jemi fqinjë! – i tha.

– Nga jini ju? – e pyeti Gori.

– Jam bullgar! Dr. Klimgev! Ti je shqiptar, apo jo?

– Po! jam shqiptar!

– Aty në spital, do të gjesh dhe një infermiere shqiptare. Është një shoqe e mirë.

Në rrugën e bukur, që përshkon bregun e detit Mesdhe, rrugë plot pemë dhe vreshta, plot vila dhe fshatra të bukura, tani përsëri nisën të lëviznin maqinat: kamionë me ushtarë e me mall, vetura, autobuzë, motoçikleta, biçikleta qerre – ç’lëvizje e madhe për në Castellon de la Plana! Maqina të mbuluara me giethe, me dega: si duken së largu! Si një kopësht lëvizës!

Shumë maqina ndalen dhe vizitojnë të plagosurit. Edhe Gorin e vizitojnë, i buzëqeshin, i urojnë shëndet. Dhe Gori u buzëqesh me zor, se ndjen dhembie të madhe në gjoks e në brinjët dhe në majë të kokës. Ah, kjo erë e bendeve e mbyti fare! S’e duron dot! Sikur infermiera të mos ishte infermiere, po infermier, do të thërriste një herë e shumë herë: “Nënë! Moj nënë!”, po kishte turp nga ata dy sy të kaltërt të shoqes suedeze që e shikonin me atë ëmbëlsi që e shikonte edhe qielli i Spanjës. Shtrëngonte dhëmbët dhe… ja para tij, pa dy sy, dy sy spanjollë, që kurrë s’do t’i harronte.

Një kolonel francez, burrë i shkuar nga mosha, me flokë të drejtë e t’ergjëntë, me mustaqe të shkurtëra si furcë e fortë, me dhëmbë të florinjtë, me beretën baske bojëhiri, u afrua dhe pyeti:

– Franse?

– Jo Shqiptar! – i tha infermiera –

– Shqiptar? Shqiptar?! Sans blague! (Fr.: Pa shaka: Vërtet) Sa mirë! Trim shqiptar, e? Si je, mon petit? (Fr.: biri im) Si je, mon petit? – dhe u afrua, i vuri dorën në ballë dhe i tha diçka frëngjisht. E puthi me dashuri. Vajza që e shoqëronte, e shikonte në thellësitë e syve, sikur kërkonte të kridhej brënda në sytë jeshil të Gorit, i cili ndjeu një diçka që s’e kish ndjerë kurrë gjer ahere. Koloneli e përshëndeti, kapi vajzën nga krahu dhe u largua, kurse e reia, duke e shikuar akoma, po me atë mënyrë të çuditëshme, u kthye i përkëdheli flokët, u ngritë duke e parë në sy si i hutuar, sikur deshi t’i thosh diçka… i hodhi një degë ulliri që mbante në dorë dhe u largua duke e hequr prej kolonelit dhe duke i thënë Gorit:

– Hasta la vista! (Sp.: mirupafshim)

Gori lëvizi pakëz, e shikoi më mirë, kur ajo largohej. Infermierja tha:

-Buena chiquita! Muy guapa! (Sp.: Vajzë e mirë! Shumë e bukur)

Gori s’foli gjersa e vunë prapë në autoambulancë. Maqina ecte në rrugën e asfaltuar drejt Murcias. Infermierja, me sjelljen e saj shumë të dashur, nuk ia hoqi degën e ullirit. Gori si i truar e kish pyetur:

– Mua më tha: “Hasta la vista?”

– Po! Të tha me zemër spanjolle “hasta la vista!” dhe të uroj ta rishikosh. Të fali dhe këtë degë ulliri./KultPlus.com

Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva, dyshja që mbërtheu publikun brenda botës pianistike në ‘DAM Fest’

Era Berisha

Një dyshe pianistike mbushi sallën në natën e pestë të Festivalit Dam në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, duke mbledh rreth vetes artdashës të shumtë të cilët patën rastin të shijojnë nga afër interpretimin unik të Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva nga Maqedonia e Veriut, me ç’rast loja e tyre mjeshtërore në një piano të vetme mbizotëroi jo vetëm atmosferën por edhe vëmendjen e të pranishmëve duke i futur ata brenda vorbullës melodike që krijohej vazhdimisht gjatë tërë natës, shkruan KultPlus.

Për pesë netë me radhë, skena e cila ndërronte vetëm prezencën e instrumenteve në kuadër të mbrëmjeve muzikore, kësaj here kishte ndërruar edhe ndriçimin. Gjithsej 12 drita të ngrohta të vendosura lart në hapësirë ishin vënë pingul mbi instrumentistët dhe pianos gjigande të zezë e cila ishte vendosur mu në mes të skenës, ndërsa tetë reflektorë me ngjyrë të kaltër si dhe perdet e zeza po vazhdonin të lenin gjurmë të dukshme në pamjen e këtij festivali. Po ashtu, reflektori i vënë anash në një kënd perfekt po vinte në pah interpretimin pianistik të dyshes që solli vepra të shquara para publikut.

Mbrëmë, jo vetëm skena por edhe çelësat e pianos u pushtuan nga tingujt tundues të cilët furishëm dilnin nga kontrolli për të sjell kështu nota të sakta të kompozitorëve botërorë si: Franz Schubert, Sergei Rachmaninoff dhe Maurice Ravel. Lëvizjet trupore të lehta, lëvizjet e kokës poshtë e lart, shtypja e petaleve, pasioni i zjarrtë e i ëmbël në sytë e dy pianistëve, ishin vetëm disa nga elementet kryesore që tregonin efikasitetin, saktësinë dhe elegancën e interpretimit të tyre brenda qetësisë absolute që solli publiku.

Duke nisur nga lëvizjet më të lehta e deri tek ato me më shumë dinamikë, veprat si: “Fantazi në f-mol D.940”, “6 Morceaux, Op.11” dhe “La Valse”, erdhën me një magji dyshe e të pakrahasueshme. Krah më krah, e duar me duar, brishtësia e tingujve vazhdonte ritmin deri në një thyeshmëri që në mënyrë drastike ndërrohej për të sjell çmendurinë delikate të melodive unike.

Përgjatë pothuajse një ore, këto vepra dëshmuan se teknika e goditjeve të tasteve jo vetëm me të gjitha gishtërinjtë por edhe me një të vetëm, nuk lë vend për shpërqendrim e aq më pak kur puna mjeshtërore e interpretimit të tyre e hipnotizon publikun qysh në sekondën e parë kur melodia e parë fut rrënjët në sallë dhe vazhdon ti lë ato rrënjë brenda secilit të pranishëm edhe pas përfundimit të vijës melodike.

Kështu krejt në fund, ishte publiku që në pamundësi për të duartrokitur për arsye se e djeshmja ishte ditë zie, ai i cili vështronte me një admirim të veçantë në sy e një dëshirë të madhe për të falënderuar këta dy pianistë të rinj që posedonin një talent të jashtëzakonshëm i cili shndërrohej në një mrekulli mahnitëse kur talentet e tyre të posaçme gërshetoheshin në një të vetëm.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe përshtypjeve të tij, për KultPlus folën pianistët Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva.

“Ndihemi shumë mirë, është diçka e pashpjegueshme ku vendos gjithçka që ke në jetë, gjithë energjinë tënde në të. Andaj edhe është një proces shumë individual e real dhe është gjithashtu shumë i vështirë për t’u shpjeguar”, thotë dyshja.

Sipas tyre, ata kanë luajtur së bashku sepse kanë gjetur cilësi të brendshme tek njëri-tjetri për të shfaqur muzikë.

“Ne besojmë në të njëjtat cilësi dhe është gjithashtu shumë e vështirë të flasësh për muzikën sepse nuk është një proces i thjeshtë edhe pse duket i tillë. Ndërsa, ajo që na bëri më shumë përshtypje është audienca. Jemi shumë të kënaqur me audiencën sepse njerëzit në fakt po dëgjonin”, përfundon dyshja.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë e përjetojë koncerte të artistëve të shkëlqyer nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com

Që të jeni në kujtimet e fëmijëve tuaj nesër, duhet të jeni në jetën e tyre sot

Një fëmijë hyn në shtëpinë tuaj dhe bën aq zhurmë për njëzet vjet, e cila është e vështirë të durohet. Pastaj, largohet duke e lënë shtëpinë aq të heshtur sa që mendoni se do të çmendeni.

– Ndërsa përpiqemi për t’u mësuar fëmijëve tanë gjithçka për jetën, fëmijët tanë na mësojnë se çfarë është jeta

– Që të jeni në kujtimet e fëmijëve tuaj nesër, DUHET të jeni në jetën e tyre sot!

– Një njeri me të vërtetë i pasur është ai që, fëmijët e të cilit vrapojnë në krahët e tij kur duart e tij janë bosh.

– Mos i mësoni fëmijës tuaj se si të bëhet i pasur. Mësoje se si të bëhet i lumtur … Pra, kur të rritet, ai do të njohë vlerën e gjërave, jo çmimin e tyre …

– Mendoj se na intereson më shumë të lëmë një planet më të mirë për fëmijët tanë sesa fëmijët më të mirë për planetin tonë.

– Një vajzë pesëvjeçare pyeti vëllain e saj më të madh: “Çfarë është dashuria?” Ai u përgjigj: “Dashuria është që ti të vjedhësh çokollatën time nga çanta ime dhe unë të vazhdoj ta vendos në të njëjtin vend …”

– Çdo baba duhet të kujtojë, se një ditë, djali i tij do të ndjekë shembullin e tij dhe jo këshillën e tij!

– Ju e kuptoni se fëmijët tuaj po rriten kur ata ndalojnë t’ju pyesin se nga kanë ardhur, dhe nuk pranojnë t’ju tregojnë se ku shkojnë.

– Pas çdo fëmije që beson në vetvete është një i rritur i cili e ka besuar më parë këtë.

– Një fëmijë ka nevojë për…
 një zemër të duruar për ta dëgjuar atë
 dhe jo një mendje të ndritshme për ta kritikuar atë
 për krahë të hapura që e pranojnë atë, 
 dhe jo sy të rreptë që i shohin gabimet e tij
 duart e sjellshme që e drejtojnë
 dhe jo një zë i fortë që e urdhëron.


– Fëmijët: Ju kaloni dy vitet e para të jetës duke i mësuar ata të ecin dhe të flasin. Pastaj kaloni 16 vitet e ardhshme duke u thënë atyre të ulen dhe ta qepin.

– Çdo fëmijë është një artist. Çështja është se si të mbetet një artist në rritje.

– Dhurata më e mirë që mund tu bëni fëmijëve tuaj, janë rrënjët e përgjegjësisë dhe krahët e pavarësisë.

– Fëmijët kanë nevojë më shumë për standarde se sa kritika.

– Mos harroni se fëmijët, martesat dhe lulet pasqyrojnë llojin e kujdesit që ata marrin.

– Kam kuptuar se mënyra më e mirë për tu dhënë këshilla fëmijëve tuaj, është për të zbuluar se çfarë është ajo që ata duan dhe pastaj të këshillosh ata të bëjnë.

– Ka disa gjëra që fëmijët nuk bën që t’i dinë, sepse sapo t’i mësojnë ato, nuk do të jenë më fëmijë.

– Fëmijët janë ende simbol i bashkëjetesës së përjetshme të dashurisë dhe detyrës.

– Tre gjëra i bëj mirë: punë, gabime dhe fëmijë.

– Bijtë besojnë në virtytin e nënave të tyre, dhe vajzat gjithashtu, por më pak.

– Një fëmijë të cilit nuk nuk i lejohet të respektojë prindërit e tij, nuk do të ketë respekt të vërtetë për asnjë.

– Vetëm fëmijët e dinë se çfarë ata janë duke kërkuar.

– Fëmijët nuk duhet të dëgjojë sharje, sepse vetëm në këtë mënyrë duke u rritur do të fitojnë dinjitetin.

– Fëmijët janë kureshtarë. Fëmijët vëzhgojnë milingonat ndërsa të rriturit i shkelin.

– Nuk kam takuar kurrë ndonjë që nuk kishte shumë fëmijë të zgjuar. Pyes veten se si humbet e gjithë kjo zgjuarsi në moshën e rritur.

– S’është vështirë të bëhesh baba, por vështirë është të jesh baba.

– Ashtu si në dashuri, edhe në marrëdhëniet e fëmijëve me prindërit, më i dobët është ai që do më shumë.

– Fëmija i parë është vazhdimësia e kukullës së fundit.

– Fëmijët janë gjykatësit tanë të ardhshëm.

– Pija që nuk të mërzitet kurrë është uji; fruti që nuk të mërzitet kurrë është fëmija.

– Shërbimi më i madh që mund t’u bëjë fëmijëve një baba është të dojë nënën e tyre.

– Fëmija është libër në të cilin lexojmë dhe në të cilin duhet shkruar.

– Jepini fëmijës më shumë liri: le të vrapojë, le të kërcejë, le të jetë i lirë, le të luajë dhe të argëtohet, le të mos jetë asnjëherë në qetësi.

– Babai duhet të jetë shok dhe person i besuar, e jo tiran i fëmijëve.

– Fëmijët njihen me fatkeqësitë përmes njerëzve.

– O, vite të lumtura. Kush nuk do edhe një herë të bëhet fëmijë!

– Fëmija është i vetmi që përjeton botën në mënyrë të vërtetë, të gjitha të tjerat janë artificiale.

– Rroba e shqyer korrigjohet, por fjalët e ashpra thyejnë zemrën e fëmijës.

– Grindjet e prindërve me fëmijët nuk është mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhjen, por njohja e shkakut çon në një zgjidhje.

– Dashuria e vërtetë për fëmijën do të na tregojë se si t’i ndihmojmë ata me qetësi dhe dashuri, për t’u bërë njerëz të lumtur dhe të balancuar.

– Qëllimi më i madh në një botë që ndryshon vetëtimthi duhet të jetë përgatitja e fëmijëve në ndryshim.

– Gjëja më e këndshme që mund të na ndodhë është të dëgjojmë qeshjen e një fëmije.

– Të rriturit nuk e dinë se një fëmijë mund të japë një këshillë të mirë edhe në rastin më serioz.

– Shpirti shërohet kur jeni pranë fëmijëve.

– Si është e mundur, në aq pak kohë, që një fëmijë që i frikësohej errësirës të bëhet një adoleshent i cili dëshiron të qëndrojë gjithë natën jashtë?

– Nëse i vlerësojmë fëmijët tanë, duhet t’i adhurojmë prindërit e tyre.

– Kur prindërit bëjnë shumë për fëmijët e tyre, fëmijët nuk bëjnë shumë për veten e tyre. 


– Kur kupton më së fundi se babai juaj zakonisht kishte të drejtë, tashmë keni rritur një djalë i cili është i bindur se babai i tij zakonisht nuk ka të drejtë. 


– Askush nuk mund të dijë kuptimin e jetës, kuptimin e botës, derisa të ketë një fëmijë, dhe pastaj e gjithë bota ndryshon. Asgjë nuk mund të jetë ajo që ishte më parë.

Për një adoleshent, nuk ka asgjë më të bezdisshme në këtë botë sesa një prind.

Mosha e adoleshencës është faza e fundit e jetës që gëzon kur dëgjon se thirrja telefonike është për ju.

Një fëmijë, vetëm nëse ndihet mirë mund të mendojë si duhet.

Prindërit shpesh flasin për brezin e ri sikur të mos kishin të bënin me të.

“Asgjë nuk është më e dashur për një baba se sa vajza e tij.”

“Gjëja më e rëndësishme që prindërit mund t’u mësojnë fëmijëve të tyre është se si të përparojnë pa ata.” 

Nëse prindërit kanë të drejtë të kenë fëmijë, dhe fëmijët kanë të drejtë të kenë prindër.

“Të gjithë të mëdhenjtë dikur ishin fëmijë … por vetëm pak prej tyre e mbajnë mend.”

Nuk ka nevojë më të madhe për fëmijërinë sesa mbrojtja prindërore.

Kur një baba i jep djalit, qeshin të dy. Kur një djalë i jep babait, qajnë të dy.

Të gjithë fëmijët, përveç meje, rriten.

Fëmijët fillojnë të duan prindërit e tyre, pas një kohe i gjykojnë, dhe rrallë, nëse ndonjëherë, i falin.

Fëmijët janë pasuri e njeriut të varfër.

Për të kuptuar dashurinë e prindërve tuaj, bëni fëmijët tuaj.

I drejti e mëson fëmijën të tregojë të vërtetën gjatë gjithë jetës së tij.

Kini kujdes këtë thënie proverbiale: Fëmijët dhe të çmendurit tregojnë të vërtetën. Përfundimi: Njerëzit e mëdhenj dhe të mençur nuk e thonë kurrë atë.

“Mirësia e babait është më e lartë se mali, dashamirësia e nënës është më e thellë se deti”.

Një divorc nuk është i mirë, por nuk është dhe tragjedi.
Tragjedi është të rrish në një martesë fatkeqe dhe të kalosh tek femijët tuaj mesazhin e gabuar sa i përket dashurisë dhe familjes.


Fëmija më i thjeshtë që shkon në shkollë sot është i njohur me të dhënat për të cilat do të jepte jetën e tij Arkimedi.

Çdo fëmijë na sjell një mesazh se Perëndia nuk është zhgënjyer ende nga njeriu.

Anaharsis kur u pyet se për çfarë arsye nuk bën fëmijë, ai tha: Sepse i dua fëmijët.

Fëmija juaj nuk është prona juaj. Do ta konstatoni më së voni kur të përpiqeni ta shisni.

Gjëja më e vështirë që të rinjtë duhet të përballen sot është të mësojnë mënyra të mira pa i parë ato.

Fëmija i parë i çdo gruaje është vazhdimi kukullës së fundit të saj,

Jetim nuk është vetëm një fëmijë që nuk ka një prind, por edhe një që nuk ka interesin e prindit.

Për fat të keq, nuk mund të bëhemi më si fëmijët. Por, në vend të kësaj, ne duhet të kujdesemi që fëmijët të bëhen si ne.

Kur fëmija i parë qau për herë të parë, të qeshurit u nda në një milion copa, dhe të gjithë kërcenin afër. Ky ishte fillimi i zanave.

Që të bëhen njerëz të mirë, fëmijët tuaj, shpenzoni dy herë më shumë para për ta dhe dy herë më shumë kohë.

Për fëmijët, dashuria është sinonim me kohën që u kushtoni.

Asnjë fëmijë nuk lind me një libër në krahë. Është detyrë e familjes ta vendosë librin në krahët e fëmijës.

Deri në moshën pesë vjeç, fëmijën tuaj ta keni si mbret, deri në të pesëmbëdhjetat si një shërbëtor, pas të pesëmbëdhjetave, si mikun tuaj.

Mos i burgosni fëmijët me dijen tuaj, sepse në kohë të tjera ata kanë lindur

Një nënë dikur i tha djaloshit të saj të vogël se Perëndia i bën njerëzit të mirë. Dhe ai u përgjigj: “Unë e di për Perëndinë, por ndihmojnë shumë dhe nënat”

Çdo brez thotë se sakrifikon jetën e tij për fëmijët. Përfundimisht, cili brez do të jetojë?

Të pasurit nuk kanë fëmijë, vetëm trashëgimtarë.

Prindërit u mësojnë fëmijëve të flasin, fëmijët u mësojnë prindërve të tyre heshtjen.

Tejkalimi i mbi-mbrojtjes prindërore është një lloj tjetër abuzimi.

‘Stop dhunës ndaj gruas’, Presidenca dhe Kuvendi marrin ngjyrë portokalli

Me rastin e shënimit të 25 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, ka filluar fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit me ndriçimin e ndërtesës ku janë të vendosura  Presidenca dhe Kuvendi – me ngjyrë portokalli.

Fushata ka filluar sot, më 25 nëntor, dhe është mbështetur nga Presidentja znj.Vjosa Osmani dhe Kryetari i Kuvendit z.Glauk Konjufca.

Kjo ditë është e njohur si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas dhe përfundon me 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Çdo vit përmes fushatës bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

Ngjyra zyrtare e fushatës është portokallia, që simbolizon një të ardhme të ndritshme dhe një botë të lirë pa dhunë ndaj grave.

Ndërtesa, ku janë të vendosura Presidenca dhe Kuvendi, do të qëndrojë e ndriçuar prej orës 18:30 deri të nesërmen./KultPlus.com

Nëna ime e bukur u godit për vdekje me thikë, 47 herë, pse policët nuk e morën babain?

NATË
Shkruar nga: Elif Shafak

Nënën time me 14 vjet e bënë nuse, me 19 kurban. Nëna ime e bukur që rrezatonte me buzëqeshje, u godit për vdekje me thikë, 47 herë. Ishte mbrëmje, errësirë. Natë. Ishte e vetmuar. Por jo e heshtur. Bërtiste. Qau vëllai. Ende foshnjë, 1.5 vjeç; me sy të rritur nga lemeria, poshtë të cilëve dy liqe të zi e të pafund. Bërtita. Nëpër rrugicën tonë. Nëpër shtëpi, kulme, stacion policie, gurë kalldrëmi bëri jehonë ulërima ime. Nuk dëgjuat?

Besoj nuk dëgjuat pasi nuk erdhët. Asnjë nga ju.

Nuk erdhi askush. As fqinjët, as xhaxha policët. As politikanët që vizitojnë mahallën tonë gjatë zgjedhjeve, as gazetat që shkruajnë nga distanca, as agjentët e patundshmërive që caktojnë çmim për shtëpinë tonë të rrënuar. Askush. Po thonë Stambolli ka mbi 10 milionë. Gjiganti që është. Si mund të jetë një qytet kaq i dendur me njerëz që jetojnë ngjitas dhe njëkohësisht kaq i vetmuar, i braktisur si shkretëtirë. Habitem.

Dajaku po vazhdonte nga orët e hershme të mëngjesit. Para syve tanë. Me të kapur babai për flokësh e goditi me kokë në tavolinë. Doli një tingull i plotë, i çuditshëm. Si toka kur çahet. U ça dhe rashë brenda, nga turpi dhe dhembja. Zemra m’u thye në mes. Rodhi një pikë gjaku nga balli i nënës dhe njollosi dantellën e bardhë mbi tavolinë. Në moment u mendova. Si do ta lante atë njollë nëna ime? Sërish do përpiqej; me sapun, deterxhent, ujë të ngrohtë; lythe në gishtërinj, të çara në duar; nëna ime pastronte njollat e gjakut të vet nga rrobet, çorapet e saj.

U mbylla në qoshin e dhomës. Kafshova gjuhën. M’u kyç gjuha. E shkelmoi babai; e goditi nënën në shpinë, në bark. Brenda barkut të saj po rrihte një zemër e vogël, një vëlla a një motër për mua. Po qe vajzë do ta quanim Gylizar, e djalin Jusuf. Babai nxorri shkopin. I hollë e i gjatë. Shkopi që e kishte sjellë në shtëpi për të na disiplinuar. Pas çdo lazdrimi e provonim shijen e tij. Një copë e lëkurës së nënës gjendet në atë shkop, fijet e flokut ende i ka të ngjitura aty.

Pse policët nuk e morën babain? Si nuk ndërhynë fqinjët? Pronari i marketit, kasapi, perimeshitësi, tezet, xhaxhallarët… Ku kishin humbur? Kaq shumë u frikësuan gjithë ata njerëz nga marrrëzia e një burri? Domethënë një njeri i vetëm arrin ta mund gjithë qytetin? Vërtetë?

Ra muzgu. Babai nuk u qetësua. Tik-takët e orës së murit u ndalën, babai nuk u ndal. Ishte natë. Ishte e vetmuar. Por jo e heshtur. Qau pa pushuar, derisa ra e këputur mbi kolltuk. Mbeti aty pa marrë frymë. Një ditë kisha parë një kukullë që po flinte në bërllog. Pa njërin krahë, me këmbë të këputura; edhe nëna ishte bërë si ajo kukullë, krahët i lëviznin në boshllëkun e ajrit. Vaji i vëllait nuk pushonte. As të sharat e babait. Nuk i dëgjuat? Aq të trasha ishin muret që na ndajnë?

Pastaj na mori për dore babai, “Ejani shpejt” na tha. Shkuam në polici. Vëllai me pelenë të papastruar, ten të irrituar dhe lukth të zbrazët. Edhe unë kisha uri, nuk e thashë nga frika. “Çfarë ke bërë kështu” i thanë policët babait. “Nuk të dhimbsen këta fëmijë? Kush do të kujdeset për ta?”

Vetëm në atë moment e kuptova. Nëna nuk ishte më. Nëna ime e bukur që rrezatonte me buzëqeshje, me 14 vjet nuse, me 19 kurban./KultPlus.com

Përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-së, Robert Montoya, laureat i çmimit ‘Pjetër Bogdani’

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka kremtuar sot 77 vjetorin e saj, ku edhe si zakonisht për katër vite me radhës është duke u bërë ndarja e çmimit “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Çmimi “Pjetër Bodgani” u nda për herë të parë në vitin 2017, për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare.

Këshilli drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në shenjë falënderimi për personat dhe institucionet vendore dhe kombëtare të cilët në angazhimin e tyre kanë ndikuar në avancimin e biblotekave të Kosovës ka ndarë çmimin “Pjetër Bodgani” për profesorin nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Montoya.

No description available.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ia dorëzoi çmimin profesorit universitar, derisa Montoya u ftua edhe për një fjalim rasti.

“Faleminderit shumë të gjithëve për fjalët e juaja, dua të falënderoj të pranishmit që janë këtu por veçanërisht kolegët e mi. Sot është një ditë e rëndësishme për Bibliotekën e Kosovës pasi feston 77 vjetorin e krijimit. Bibliotekat në përgjithësi janë një pjesë esenciale e një vendi”, filloi ai.

Profesori universitat vuri theks të madh në imagjinatën, dhe madje tha se një person, një komunitet dhe një vend nuk është asgjë pa imagjinatën.

“Ne nuk jemi këtu vetëm të shënojmë një ditë të një institucioni ose diçka e ngjashme, por është një ditë që ne duhet të festojmë. Biblioteka e Kosovës është një koncept që kosovarëve iu duhet, kur e mbështesim BKK-në, ne po mbështesim Kosovën”, vazhdoi ai.

Në fund, Montoya shfaqi shpirtin e tij modest, ku edhe tha se nuk është mësuar të marrë mirënjohje të tilla, por ndjehet shumë i nderuar nga ky çmim.

Gjatë kësaj ceremonie u ndanë edhe disa mirënjohje për persona që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e veprimtarive brenda bibliotekës dhe jashtë saj. /KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Jehona e Pavarësisë në shtypin e kohës’

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë hapi sot ekspozitën retrospektive “Jehona e Pavarësisë në shtypin e kohës”.

Me anë të kësaj ekspozite Biblioteka Kombëtare hapi aktivitetet kulturore që do të zhvillohen në mbarë vendin në kuadër të Javës së Flamurit, organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me institucionet kulturore.

Në fjalën përshëndetëse, nëndrejtorja e BKSH-së, dr. Etleva Domi, u shpreh se “kjo ekspozitë, që vjen për herë të parë për publikun, rrok periudhën nëntor 1912 – dhjetor 1913, nisur edhe nga fakti që organet e para të shtypit shqiptar të botuara brenda trojeve shqiptare dolëm pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike. Mungesa e shtypit në vend bëri që njoftimet e para të jepen nga shtypi i diasporës, i drejtuar nga personalitete, si: Noli, Konica, Kristo Floqi, Kristo Luarasi etj.”.

Kjo ekspozitë retrospektive nga fondet e Bibliotekës Kombëtare sjell pasqyrimin që pati kjo ngjarje historike për kombin shqiptar në shtypin e kohës përgjatë një viti./atsh/KultPlus.com

Përmes aktit trepalësh nga ministritë e Kosovës, shënohet 77 vjetori i Ditës së Bibliotekës Kombëtare

Uranik Emini

Institucioni themelor i ruajtjes së trashëgimisë së shkruar dhe të shtypur në Republikën e Kosovës, kremtoi 77 vjetorin e Ditës së Bibliotekës Kombëtare, me ç‘rast edhe u nënshkrua një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes tri ministrive të Kosovës, për krijimin e një rrjeti bibliotekar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e gjithashtu edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, u nënshkrua marrëveshja për krijimin e një rrjeti bibliotekar të Kosovës.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, pati një fjalim përshëndetës me rast të nënshkrimit të marrëveshjes dhe ditës ndërkombëtare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

May be an image of 10 people, people standing, suit and indoor

Fjalimi i saj filloi me përshëndetje të të gjithë pranishmëve dhe shprehi kënaqësinë e saj me rast të kremtimit të 77 vjetorit të BKK-së.

“Misioni i Bibliotekës si mision është sigurimi i qasjes së lirë dhe të hapur në burime të shkruara dhe të shtypura për njerëzit të të gjitha moshave dhe të gjitha përkatësive. Bibliotekë është një pjesë e pandashme e zhvillimit të të rinjve. Përmes shërbimeve specifike dhe ofrimit të qasjes në koleksione të larmishme deri më sot, jetësohet përmbushja e nevojave specifike të komunitetit, të cilat lidhen ngushtë me edukimin, rritjes së lejueshmërisë dhe rolit të librit në përgjithësi”, tha Osmani.

Ajo tutje gjithashtu deklaroi se ndjehet shumë e kënaqur për një bashkëpunim të madh mes ministrive.

“Synimi i kësaj marrëveshje është të siguroj futjen e bibliotekave të Kosovës në një formë të përbashkët të shërbimeve bibliotekare, me ç ‘rast bibliotekat kryesore të vendit të kenë mundësi të shfrytëzojnë materialet që biblioteka ofron. Po ashtu ndjehemi shumë të lumtur që BKK po e vazhdon traditën e saj, ku edhe sivjet me rastin e shënimit të kësaj dite do të bëjë ndarjen e çmimit “Pjetër Bodgani”.

Në fund zëvendës ministria tha se MKRS-ja shpreh përkushtim dhe gatishmëri të plotë për rritje të gatishmërisë dhe koordinimit ndër institucional si në nivel qendror dhe në nivel lokal, që të sigurohet zbatimi i këtij projekti”, përfundoi Osmani.

Zëvendës Ministrja Daulina Osmani

Në anën tjetër, edhe Ministrja Arsimit, Arbërie Nagavci, pohoi se një marrëveshje e tillë ka qenë e nevojshme dhe se do të punojnë pa ndalë që të arrihet zbatimi i aktit të nënshkruar.

“Shpresoj që të punojmë bashkë që çdo ditë të jetë ditë e librit. Në kuadër të misionit tonë e së bashku me pasionin e përfshirë, do të punojmë që të zbatojmë në përpikëri marrëveshjen. Do të sigurohemi të aplikojmë çdo gjë që është nënshkruar në këtë memorandum”.

Nagavci gjithashtu zbuloi se janë duke punuar vazhdimisht që të krijojnë edhe biblioteka të reja, por jo vetëm për nxënësit.

“Jemi duke punuar që të krijojmë në biblioteka të veçantë për mësimdhënës, që t’ia mundësojmë këtyre të fundit mësim nxënien më të suksesshme. Do të jemi një partner i përkushtuar që bibliotekat të jenë vende të dashura dhe në vëmendje të të rinjve”, tha ajo në fund.

Ministrja Arbërie Nagavci

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në fjalimin e tij të rastit uroi të gjithë për ditën e bibliotekës.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj marrëveshje. Jam i obliguar që të angazhohem që të mirat dhe këto mundësi të shpërndahen gjithandej në Komunat e Kosovës”, deklaroi ai.

Krasniqi tutje theksoi se Kosova ka bashkëpunime të mëdha me shumë shtete të ndryshme nëpër botë dhe tash janë në momentin të gjejnë arsye dhe aktivitetet konkrete me të cilat mund të bashkëpunojnë.

“Në një udhëtim jashtë shtetit, e patëm edhe temë diskutimi pjesën e krijimit të bibliotekave lokale. Një hapësirë kur të gjithë janë të mirëseardhur, një hapësirë ku në hyrje nuk thuhet qetësi, por mund të vazhdosh përpara dhe të shijosh muzikën në një hapësirë të veçantë. Ky memorandum është diçka shumë e mirë”, përfundoi ministri.

Ministri Elbert Krasniqi

Kjo ishte hera e parë që BKK po mbështetet një projekt, i cili do të mundësojë krijimin e rrjetit bibliotekar në Kosovë. Këtë gjë e pohoi edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, i cili falënderoi ministrat Çeku, Nagavci e Krasniqi për mbështetjen e veçantë.

Marrëveshja e memorandumit që u nënshkrua sot ka qëllimin e vetëm përfshirjen e bibliotekave të Kosovës në një Platformë të Shërbimeve Bibliotekare që do të mundësojë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave të vendit tonë. Avancimi i të rinjve duke punuar për të siguruar shërbime më të mira në platformat e reja, formate të reja dhe praktika të domosdoshme, janë pikërisht fokus kryesor i aktit trepalësh.

Ndërkaq,  Këshilli drejtues i bibliotekës kombëtare të Kosovës ka ndarë çmimin “Pjetër Bodgani” për profesorin nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Montoya.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje merr përsipër mbështetjen financiare të projektit me 77 mijë e 632 euro dhe rrjeti i bibliotekave që do të krijohet do të përbëhet nga Biblioteka Kombëtare si udhëheqës e rrjetit, 38 biblioteka publike, 7 biblioteka akademike dhe 2 biblioteka speciale

Dita e themelimit të Bibliotekës është në nëntor të viti 1944 në Prizren, me një koleksion të vogël të librave. Ndërkaq, sot Biblioteka ka një fond bibliotekar me mbi 2 milionë ekzemplarë të materialit të ndryshëm bibliotekar. /KultPlus.com

Shënohet 16-të vjetori i Isopolifonisë në UNESCO

Bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh, në 16-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në UNESCO.

16 vjet më parë, në 25 nëntor 2005, isopolifonia popullore shqiptare u shpall “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, e mbrojtur nga UNESCO. Ndaj kjo datë është një ditë historike, për mbarë trashëgiminë kulturore shqiptare, por dhe për vetë Shqipërinë.

Në aktivitetet e organizuara nga bashkia është promovuar isopolifonia dhe vlerat e traditës popullore, folklorit, veshjeve dhe kostumeve popullore.

Kryetari i bashkisë, Flamur Golemi tha se “në muajin korrik festuam 16-vjetorin e përfshirjes së Gjirokastrës së gurtë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore, çka ka mundësuar një kujdes të vazhdueshëm në vite për restaurimin dhe rijetëzimin e vlerave arkitektonike të trashëguara në breza si dhe promovimin e qytetit, për zhvillimin e suksesshëm të turizmit”.

“Prej 16 vitesh edhe isopolifonia jonë popullore, kjo vlerë e jashtëzakonshme e folkut shqiptar është vendosur në vendin që meriton, në listën e kryeveprave të botës shpirtërore të njerëzimit, duke mundësuar pasurimin dhe mbajtjen gjallë të saj, si një ndër simbolet e rëndësishme kombëtare”, theksoi Golemi.

Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “do të vazhdojmë të mbështesim promovimin dhe transmetimin në breza të folkut, etnografisë, veshjeve tradicionale sepse vlerat e traditës sonë popullore janë një aset i paçmuar kombëtar por edhe një pikë e fortë për zhvillimin e turizmit në Gjirokastër”.

Për dy ditë me radhë në Gjirokastër po zhvillohet  Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i IsoPolifonisë, organizuar nga bashkia e Gjirokastrës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale. Pjesëmarrës në këtë festival janë 17 grupe të interpretimit të polifonisë dhe përshëndetës me rreth 250 artistë popullorë, duke shpalosur vlerat më të arrira të folkut dhe traditës shqiptare./atsh

Polici me prejardhje shqiptare, shpallet “Polici i vitit” në Teksas

Bëhet e ditur, se shqiptar, Gëzim Pollozhani është shpallur si “Officer of the Year” nga qyteti i Fort Worth-it në Teksas, që ka kuptimin e policit më të mirë të vitit.

Thuhet s ai është dhe një prej drejtuesve të bordit pranë Qendrës kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Texas, shkruan albinfo.ch.

Në ceremoninë e dorëzimit të çmimit ai u vizitua dhe u nderua me mirënjohje edhe nga policia shqiptare e Republikës së Shqipërisë./ KultPlus.com

Dokumente të çmuara bullgare mesjetare në lidhje me Arbërinë dhe arbërorët

Mesjeta e hershme arbërore mund të zbardhet e hulumtohet thelbësisht edhe duke shfrytëzuar arkivat e fqinjëve tanë, veçanërisht arkivat dhe dokumentet mesjetare bullgare, ku viset arbërore përmenden qysh herët në histori, gjatë përshkrimit të viseve ku shtrihej sundimi bullgar, falë vulave dhe lejeve përkatëse mbretërore, apo gjithashtu edhe librave të ndryshëm fetarë të kohës, siç do të keni mundësinë të lexoni në tre shembujt e mëposhtëm:

Në një dokument të rrallë të shkruar në vitin e largët 1230, të quajtur “Karta e Dubrovnikut” (“Дубровнишка Грамота” në origjinal), ku perandori bullgar Ivan Asen II u njeh tregtarëve raguzanë të drejtën e tregtisë në viset nën sundimin e tij, gjejmë një frazë me interes madhor për arbërorët, kur thuhet tekstualisht në bullgarishten e vjetër “или в ꙁемꙙ арбанаскѫѫ”, domethënë “në tokën e arbërorëve”. E veçanta e kësaj dëshmie, është se ndërkohë tërë viset e tjera cilësohen veç si “rajone”, me termin e vjetër “хѡрѫ”, ndërsa vetëm për arbërorët përdoret ciësimi “Toka e Arbërorëve”. Gjithashtu në këtë kartë përmendet një tjetër trevë arbërore, Devolli, si rajon, në cilësimin “или в дѣвѡлскѫѫ хѡрѫ”, ndonëse këto vise të tjera arbërore për disa shekuj ndodhen nën sundimin bullgar.

PS: Në foto shfaqet Karta e Dubrovnikut, ku kam rrethuar qëllimisht frazën “или в ꙁемꙙ арбанаскѫѫ”, “në tokën e arbërorëve.

Ky dokument gjendet në Librarinë e Akademisë Ruse të Shkencave në Shën Peterburg.

Duke vijuar me dëshmitë e mesjetës së hershme për arbërorët nga koha e sundimit të perandorit bullgar Ivan Asen II, në kishën e “Dyzet Martirëve” në Veliko Tërnovo të Bullgarisë, gjendet një shtyllë, ku sërish në vitin 1230 (si në “Kartën e Dubrovnikut”) janë skalitur emrat e Arbërisë (Toka e Arbërorëve) dhe Durrësit (“ЗЕМѦ АРБАНАСКѪ” dhe “ДРАЧѢ”).

Ky zbulim quhet “Търновски надпис”, në shqip “Mbishkrimi i Tërnovos”, dhe është zbuluar në vitin 1858, kur akoma kisha brenda të cilës ndodhet ky mbishkrim, ishte shndërruar në xhami nga turqit.

Në foto, teksti i këtij mbishkrimi, ku kam rrethuar fjalët Arbëri dhe Durrës, dhe shtylla ku është skalitur ky mbishkrim.

Ndërsa sakaq në Bibliotekën Kombëtare të Rusisë, në Shën Peterburg, mes 35 milionë librave, gjendet edhe një libër tepër i veçantë, i gjetur në fshatin Herbeli në Maqellarë të Dibrës në Shqipërinë e sotme, në vitin e largët 1873 nga folkloristi dhe etnografi nga Bosnja, Stefan Verkoviç. Ky libër në pergamenë i shkruar në cirilikisht, përbëhet nga 241+4 faqe, quhet “Triodi i Herbelit” (Орбелски Триод) dhe i përket gjysmës së dytë të shekullit XIII, ndërsa hamendësohet se është shkruar nga njëfarë prifti Petre (siç shënon vetë autori në libër). Bëhet fjalë për një libër liturgjik kushtuar periudhës së Kreshmës në kishat ortodokse. Kjo vepër e rrallë që i përket Shkollës së famshme Letrare të Ohrit, askund nuk përmendet (as në muzeun ku ndodhet në Shën Peterburg) se është gjetur në Shqipëri, duke u mbuluar nga pluhuri i harresës gjithashtu në rrethet shkencore edhe të vendit tonë. Përkundër gjuhës apo alfabetit të përdorur (latinisht, greqisht apo cirilikisht), çdo libër i gjetur dhe mundësisht shkruar në Shqipëri në mesjetën e hershme, nuk meriton kurrsesi të shpërfillet.

Dokumente të zbuluara dhe të përkthyera nga gjuha e vjetër bullgare mesjetare në shqip nga:

ELVI SIDHERI

Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh./ KultPlus.com

Videoklipi që sjell muzikën dhe natyrën shqiptare, Elita Hoxha sjell këngën “Mallëngjimi” (VIDEO)

Elita Hoxha sapo ka publikuar këngën e njohur “Mallëngjimi”, këngë kjo e Muharrem Qenës, por kësaj radhe kjo këngë ka të përfshira edhe bukuritë e natyrës shqiptare, për ti përmbledhë pasuritë shqiptare në art e natyrë, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë edhe njoftimin e produksionit të këtij projekti.

Muzikë dhe Natyre SHQIPTARE!

Kënga legjendës Muharrem Qena “Mallēngjimi”

SHQIPËRIA- Ky kopësht shkëmbor i Evropës juglindore

Asgjë më e bukur se ky përkufizim nuk i përshtatet asaj që dua të them dhe kësaj që po e shfaqë sot para jush miq të nderuar!

Në vigjilje të 28 Nëntorit Festes së Flamurit dhe të njëvjetorit të Shoqërisë Bjeshkatare Alpiniste Mountain hikers, themeluar nga Elita Hoxha & Agon Rama, ja ku lindi edhe klipi i parë i projektit “Vendi im”, në të cilin jo vetëm pasqyrohet puna, përkushtimi, pasioni e sakrificat gjatë rrugëtimit të tyre njëvjeqar, por edhe dëshira e pakufishme e tyre e cila u shëndrrua në mision, që hap pas hapi e shteg pas shtegu të eksplorojnë dhe të përqojnë tek të gjithë të tjerët këto bukuri përrallore, shpesh të pashkelura, që vet Zoti ja fali tokës shqiptare!

Dhe nuk mund të mos e kujtojmë në çdo orë e çast që është gjaku i dëshmorëve e martirëve dhe loti i nënave të tyre që peshon sa vet këto bjeshkë të lashta, që ja mundësuan Rinisë tonë të mrekullueshme që të frymëzohen thellë duke i shkelur të lirë e pa frikë nga askush këto Alpe e fusha të gjëra shqiptare!🙏

E gjithë rruga për të ardhur deri këtu dhe për të gjetur kaq shumë bashkëudhëtar të apasionuar pas natyrës, nuk ishte aspak e lehtë, por vullneti ishte më i fortë se hezitimi ,guximi më i fortë se frika dhe dashuria më madhe se vështirësitë që sjellë çdo aventurë! Dashuria është dëshira për tu ushqyer shpirtërisht, është gjetja e rrënjëve për ekzistencë! Dhe ku ka dashuri më të madhe se të shkelësh dhe të filmosh në Kosharen me peshe te madhe historike, në shkëmbet e pyjet e gjelbëruar përreth lumit te Valbonës, tek liqenet e bukura te Jezeres, ne shtigjet e maleve dhe fushave te Plaves e Gucise,ne Syrin e Kalter te Thethit, ne Rugovë të Pejës tek maja perrallore e Hajles, ne majen e Pashtrikut, në Vuthaj të malësisë ,Radavc e deri te bukuritë përrallore në majën e Shkelzenit, e cila ngritet mbi çdo gjë duke qenë e mahnitëshme dhe marrëzisht e amshueshme!

Janë këto bjeshkë të larta sa vet qielli, që i japin shpirtë zemrave tona e hov imagjinatës! Janë hirë për pikëllimin e zemrave të plagosura por asnjëherë të dorëzuara të nënave të atyre që ende nuk u gjetën dhe që ende trokasin në ndërgjegjën tonë, të nënave me zemrat e tyre të hekurta të cilave ju dedikohet edhe ky projekt! 🙏

Dhe për fund, i gjithë ky kolorit i këtyre pamjeve të jashtëzakonshme nuk ka se si ndërlidhet më bukur se me këngën e pavdekshme “Vendi im”, këngë kjo e kënduar nga Soprano Elita Hoxha, nën ekzekutimin maestral të kitaristit Endrit Xërxa dhe violinistit Dalvin Mamusha, incizuar dhe masterizuar nga Rron Sadiku, produksioni video dhe montazha nga Agon Rama.

Le të jetë ky realizim i yni, një dhuratë nga zemra edhe për të gjithë adhuruesit e muzikës tonë të madhërishme e të bukur.

E madhërishmja na prekë të gjithëve, kurse e bukura na magjepsë!

Muzika jonë i ka të dyja!

Me rrespekt e dashuri:

Edmond Hoxha./ KultPlus.com