Si s’të desha pak më shumë

Fatos Arapi

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”. /KultPlus.com

Një ese plot emocione e Dua Lipës e shkruar në fëmijëri kushtuar nënës së saj

Dua Lipa, sot një këngëtare me famë botërore dhe fituese e çmimeve “Grammy” e madje e shumë çmimeve tjera, dikur ishte nxënëse e shkollës fillore në “Shkollën Jopublike Mileniumi i Tretë” ku edhe për herë të parë doli në skenë, përvec këngës, shkruante edhe ese të bukura, shkruan KultPlus.

Ani pse ajo ishte e lindur dhe e rritur në Angli, shkrimi i saj me një shqipe të kulluar, është dëshmi e fortë se pse ajo nuk heziton asnjëherë të përçojë mesazhe se është një vajzë kosovare.

Sa ishte nxënëse, një prej eseve të saj artistike ishte publikuar në përmbledhjen me tregime dhe ese “Paqja fillon me mua” njëmbëdhjetë vjet më parë pra më 2009. Siç edhe mund ta lexoni, ajo është një ese artistike, e shkruar me emocion të fortë për nënën e saj. Kujtojmë këtu se, Dua, ditë më parë nënës së saj i bëri një urim të veçantë për ditën e nënës “Urime dita e nënës për nënën time, Të dua, ne të duam – faleminderit për çdo gjë që bën për ne!!!!!”

Në vazhdim po ju sjellim një nga esetë e Duas të shkruar gjatë fëmijërisë së saj.

Përkëdheljet e nënës ma zbusin shpirtin

Nënë, ti që më dhe jetë, Ti që gjithmonë më përkrah, Ti që më do, Ti që më përkëdhel kur nuk jam e lumtur, Ti duhet të respektohesh, ndoshta ti nuk e di se sa shumë të dua, ndoshta, sepse jam tërë ditën në shkollë, ndoshta sepse jam më shumë në dhomën time se sa afër teje. Ndoshta, sepse ti kurrë nuk më ke pyetur? Të më kishe pyetur, nuk e kisha ditur se si të të përgjigjesha, se të dua aq shumë sa që as fjalët nuk më rrjedhin nga goja, por ato i kam thellë në zemër. Për mua vetëm një përkëdhelje e nënës më duhet për të ma zbutur shpirtin, e vetmja fjalë që mund të ta them është se të dua zemër, nëna ime, bota ime! / KultPlus.com

Osmani: Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përqendrohet në njohjen reciproke

Në ditën e fundit të Konferencës për Sigurisë në Mynih, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte e ftuar si folëse në tryezën e rrumbullakët për të diskutuar të ardhmen e Ballkanit Perëndimor si dhe për sfidat dhe mundësitë në rrugën drejt strukturave euroatlantike.

Në këtë diskutim, përveç Osmanit, morri pjesë edhe Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, përfaqësuesi i BE-së për dialog Miroslav Lajçak, ministrat e punëve të jashtme nga rajoni, ambasadorja i SHBA-ve në NATO, i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach si dhe përfaqësues të shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Osmani ka folur për progresin thelbësor që po bën Kosova në fusha të ndryshme dhe njëkohësisht përmendi sfidat me të cilat përballet shteti i Kosovës me një fqinj agresiv dhe destabilizues.

Në kuadër të zhvillimeve të fundit në Evropë, Osmani theksoi nevojën për një përpjekje të bashkërenduar të bashkësisë ndërkombëtare në raport me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Ajo theksoi se ndikimi i Rusisë përmes Serbisë është evident dhe se Serbia duhet të trajtohet si shteti që nuk bazohet në vlerat evropiane. Tutje shtoi pjesën e nevojës së angazhimit të vazhdueshëm në procesin e dialogut dhe potencoibse Kosova e ka dëshmuar gjithnjë konstruktivitetin e saj në proces. Kosova çdoherë ka kontribuuar për paqen dhe sigurinë afatgjate dhe në dialog ka treguar angazhim aktiv duke dhënë propozime konkrete, theksoi Presidentja, duke shtuar se procesi duhet të përqendrohet në njohjen reciproke si e vetmja zgjidhje që siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon. /KultPlus.com

Kurti vazhdon serinë e takimeve në Konferencën e Sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, që po mbahet në Mynih të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Në përfundim të ditës së dytë të qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, Kurti zhvilloi takime me zyrtarë të ndryshëm.

Në vazhdën e takimeve, i pari i ekzekutivit ka zhvilluar edhe një takim me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Beorrell.

Përpos tij, Kurti zhvilloi edhe takime me lideren opozitare të Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya, Ministren e Punëve të Jashme të Suedisë, Ann Linde dhe gjithashtu edhe përfaqësuesin e lartë për Bosne e Hercegovinë, Christian Schmidt. /KultPlus.com

Kurt Cobain, varësia nga droga dhe vetëvrasja 


Aventura e grupit “Nirvana” u ndërpre më 5 prill 1994, me vetëvrasjen e liderit. Sot, Kurt Cobain është një hartë turistike, një ekspozitë, një hero i muzikëll, një subjekt. 75 milionë albume të shitur në mbarë botën dhe një vetëvrasje në moshën 27-vjeçare. 

Ky është boshllëku që përmbledh jetën e Kurt Cobain, këngëtarit dhe kitaristit të grupit “Nirvana”, jeta e të cilit përbëhej veç me paradokse dhe sëmbime (konflikte). Flokë të verdha deri në supe, mjekër e parruar, fytyrë rinore me një shikim përherë të trishtuar, shpesh konsiderohej si mishërimi i njeriut të ftohtë, por Kurtit aq i bënte. 

Muzika e shkruar prej tij, frymëzoi breza, performancat e tij legjendare vijojnë të ngjallin emocion, fjalët e tij tingëllojnë edhe sot.

Nga fëmijëria e kaluar në Aberdeen, qyteti i lagësht në Shtetet e Bashkuara, deri në vetëvrasjen e tij në Siatëll, më 1994, Kurt Cobain qe ankoruar në Amerikën e klasës së mesme të viteve ‘80 dhe ‘90 (i George Bush dhe MTV). 

Trajektorja e tij ka qenë një vijimësi zhgënjimesh personale, artistike dhe fizike, edhe pse varësia ndaj heroinës, që për herë të parë e mori për të lehtësuar dhimbjet e përsëritura të stomakut, ia shndërroi personalitetin më pak të deshifrueshëm. Historia e dashurisë me Courtney Love, e bëri atë baba. Ajo i ofroi një strehë paqeje, por njëherazi u kthye në pikë tensioni për fansat, rrethin shoqëror dhe përfundimisht për vetveten.

Kurt Cobain (Kurt Donald Cobain) lindi më 20 shkurt 1967 nëAberdeen, Uashington dhe vdiq më 5 prill 1994, Seattle, Uashington). Ai la pas muzikën epokale, që bëri si këngëtar dhe kitarist për “Nirvana”, togje revistash dhe vepra arti… Një vit para se të kryente vetëvrasje, në murin e shtëpisë së marrë me qira në Siatëll, kishte pikturuar me shkronja të mëdha të kuqe: “Asnjë prej jush, nuk ka për t’i mësuar kurrë synimet e mia”.

Cobain pati një fëmijëri përgjithësisht të lumtur, derisa prindërit u divorcuan, kur ai ishte në moshën nëntëvjeçare. Më pas, ai ishte shpesh i trazuar dhe i zemëruar, madje dhimbja e tij shpirtërore u bë subjekt dhe katalizator për pjesën më të madhe të muzikës së tij të mëvonshme. Adoleshencën e kaloi duke u zhvendosur nëpër familjet e të afërmve, duke qëndruar me prindërit e shokëve, hera-herës flinte edhe nën ura, kohë kur filloi të përdorte drogë dhe zuri të bëhej pjesë e vandalizmave si formë e rebelimit të adoleshencës. 

Ndaj muzikës, Cobain ishte i prirur që në moshë të re, kurse në mesvitet 1980 filloi të luante ne grupin lokal “Sludge rock”. Në 1987, Cobain dhe Novoselic, formuan grupin “Nirvana” dhe, më pas, filluan të japin shfaqje të vogla në gjithë veriperëndimin. Në shumë mënyra, vdekja e Cobain-it shënoi fundin e lëvizjes “grunge” dhe ishte një ngjarje nënshkrimi për adhurues të shumtë të muzikës së Gjeneratës X. Pas vdekjes, mbeti ikonë e epokës së tij dhe u bë objekt i veprave të shumta postmortum, përfshi edhe librin: “Heavier than Heaven: A Biography of Kurt Cobain” (2001) nga Charles R. Cross, si dhe dokumentarët “Kurt & Courtney” (1998) dhe “Kurt Cobain: Montage of Heck” (2015).

Shpesh dhe me zë të lartë, Cobain deklarohej si aleat i homoseksualëve (grave dhe njerëzve me ngjyrë). Një çerekshekulli më vonë, karriera e tij vijon të magjepsë dhe të frymëzojë. Revista “Rolling Stone” e ka vendosur atë dhe grupin, në vendin e 30-të në listën e “100 artistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave”.

Admirimi i pakufishëm për njeriun e bluzit Leadbelly, kërkimi i vazhdueshëm i melodive: e gjithë jeta e tij u shënua nga një obsesion me muzikën dhe u kthye drejt krijimit të një vepër personale, radikale dhe të mundimshme, që shënohet nga obsesioni me “pop”.

Për të kuptuar Kurt Cobain, duhet të epohemi paksa edhe mbi marrëdhënien e trazuar që ai kishte me suksesin. Fëmijë, ëndërronte të ishte yll roku. Kur u bë yll roku, refuzoi industrinë e disqeve, madje përfundoi duke e urryer albumin “Nervermind”, album që i dha këtë status në 1991. Karriera nxirrte në skenë portretin e një qenieje tejet të ndjeshme, tekstet, miqësitë ose marrëdhënia me publikun ishte një paradoks i vërtetë: ëndërronte fatin e të famshmit, por nuk është i prerë për të qenë i famshëm.

Urrejtja, dëshpërimi, vdekja, brishtësia, përdhunimi, rropullitë dhe dhimbja, do të ishin temat e përsëritura të këngëve, të ditarëve vetjakë dhe vizatimeve të shumta. Ato janë shfaqja e një nevoje të papërmbajtshme për të krijuar dhe shtruar në mënyrë indirekte pyetjen: cili ishte ai zjarr, që Kurt Cobain po përpiqej ta fashiste?

Rokstari Cobain ishte i besueshëm në sytë e adoleshentëve, sepse mesazhet i përçonte duke provokuar, madje arriti deri atje sa para kamerave të puthte një djalë për të armiqësuar fansat që e konsideruan të pështirë gjestin. Kurt, nuk pranonte të shtirej, të bënte përshtypje të mirë apo të ndiqte rregullat që shkonin kundër vlerave të tij. Një herë, doli në skenë veshur me një bluzë spitali, për t’iu kundërvënë thathethemeve të revistave, që nuk reshtnin së gërmuari në jetën e tij private.

I trazuar, i jashtëzakonshëm dhe vetëshkatërrues, Kurt Cobainm konsiderohet një nga muzikantët më të mirë në historinë e rokut dhe “grunge”, për aftësinë muzikore dhe për temat që trajtonte në këngët e tij, që shpesh kanë ndikimin dhe fuqinë e poezive të caktuara. “Nirvana” dhe Kurt Cobain ndikuan dhe vijojnë të ndikojnë edhe sot, muzikantë dhe artistë të shumtë. Cobain është përmendur shpesh, si “poeti i mallkuar”, pasi bëri një jetë jashtë skemave, provokuese, asociale dhe vetëshkatërruese./konica.al/ KultPlus.com

Kurt Cobain of Nirvana (Photo by Kevin Mazur/WireImage)

76 vjet nga vdekja e Anton Harapit, atdhetarit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar

76 vite më parë vdiq frati françeskan, filozofi, mësuesi, sociologu, mendimtari, shkrimtari dhe politikani shqiptar, Anton Harapi.

Ai lindi më 5 janar, 1888 në Shirokë të Shkodrës.

Shkollën fillore e kreu në kolegjin e jezuitëve.

Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasat e larta në Salzburg, e mandej në Shvaz të Tirolit të Austrisë. Studimet teologjike i kreu në Romë. Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e fundit të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malazeze e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan.

Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit Berthold dhe Ismail Qemal bej Vlorës, në mungesë morën, David Pepën. Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet dhe me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Antoni Harapi është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.

Atë Anton Harapi shkroi veprat “Andrra e Pretashit”, “Vlerë shpirtnore”, “Shqiptari dhe bota e tij” dhe “Valë mbi valë”. / KulPlus.com

Artpolis pjesë e Festivalit “Arts & Human Rights” në Beograd

Artpolis do të prezantojë në Beograd performancën skenike “Gjuetaret e Artemidës” në kuadër të edicionit të Festivalit “Arts & Human Rights”, që organizohet nga Teatri DAH, më 24-27 shkurt 2022 që bën bashkë artistë/e dhe aktivistë/e nga mbarë bota.

Me regji të Zana Hoxhës kjo performancë do të prezantohet para publikut në Serbi më 25 shkurt nga ora 20:00 në Dorcol Platz. Inspiruar nga natyra dhe bukuritë e fshatit Kukaj, aty ku hapësira dhe çdo gjë që e rrethon këtë ambient është në harmoni me tokën dhe qiellin, nisi një tregim i jashtëzakonshëm i performancës “Gjuetaret e Artemidës”. Ky proces krijues filloi nga një vizitë në natyrën e qetë, që ishte shërim për trupin dhe shpirtin, e që e frymëzoi regjisoren Zana Hoxha, të krijojë një vepër që është në përputhje me natyrën si perëndeshë shëruese, burim i jetës dhe energji e pashtershme. Koreografia, muzika, kostumet dhe performanca e aktoreve ndërthuren për të vënë në pah fuqinë, dashurinë dhe solidaritetin natyror të gruas.

“Gjuetarët e Artemidës” ishte dhënë premierë pikërisht në Kukaj, më 25.09.2020, në edicionin e dhjetë të Etno-Festit, duke rrëmbyer edhe dy çmime: Shfaqja më e mirë, dhe Performanca më e mirë. Njëherësh kjo i kishte paraprirë edicionit të tetë të Festivalit FemArt.

Aktoret Aurita Agushi, Kaltrinë Zeneli, Donikë Ahmeti, Daniela Markaj, Qendresa Kajtazi, Hajat Toçilla dhe Fitore Jashari sjellin këtë performancë me koreografi të Robert Nuhës, muzikë të Arbër Salihut e kostumografi të Arbnor Brahimit.

Festivali “Arts & Human Rights”, është një platformë për të prezantuar ide dhe koncepte që vënë në pah dhe ndërlidhin artin me të drejtat e njeriut, duke avokuar për respektimin e të drejtave të njeriut. Ky edicion vjen nën moton “Arti në veprim”, me synimin për të inkurajuar dhe fuqizuar qytetarët për të luajtur rol aktiv për ndryshim në komunitet, për t’i bërë bashkë artistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut me një komunitet sa më të gjerë. Pjesëmarrës në këtë edicion të festivalit janë individë dhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatën Artpolis nga Kosova, përmes së cilave synohet rigjallërimi i komuniteteve dhe ndërlidhja e dallimeve.

Artistë/e dhe aktivistë/e nga Spanja, Izraeli, Mali i Zi, Kosova, Irlanda, Irani Belgjika e Brazili do të diskutojnë, prezantojnë e performojnë përmes veprave të tyre artistike. /KultPlus.com

Një natë pa gjumë

Shkruan: Migjeni

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla. 
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen, 
kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka, 
urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don. 
Pak dritë! 0 burrë! 0 hero’ ngado që të jesh. …. 
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish! 
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh, 
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë. 
Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun! 
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate 
ta shkruejshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun 
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate. 
Porpishë nuk karn e vetëmjanë burrat, shokët… 
Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë… 
Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot… 
Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt. 
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita 
– Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala ejote? 
Kur ti këndon thonë se asht afer drita… 
Por un s’besoj sonte në Çalët e ksaj bote. 
Hiqmuni qafe, mendimet 
Ojastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin, 
më fal atë që due: gjumin dhe andm’min 
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin. /KultPlus.com

20 shkurti dhe rënia e bustit të Enver Hoxhës (FOTO)

Rënia e bustit të Enver Hoxhës nuk mund të harrohet nga asnjë nga ata që ditën e 20 shkurtit të vitit 1991 ishin në shesh, por dhe të tjerë që e panë nga televizioni.

Historiani Kastriot Dervishi ka nxjerrë një foto para disa viteve nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, ku duket edhe makina e tipit “Ifa” duke tërhequr bustin e ish diktatorit komunist.

Pamje e sheshit “Skënderbej” pak çaste para rrëzimit të shtatores së diktatorit. Makinat tip “Ifa” që shihen në foto janë të parkut të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me njërën prej tyre (të shënuarën me vijë të kuqe), pasi u rrëzua, u tërhoq zvarrë shtatorja e diktatorit. /KultPlus.com

55 vjet nga lindja e Kurt Cobain, artisti që akoma i reziston kohës

55 vjet nga lindja e Kurt Cobain, ndikimi dhe popullariteti i të cilit nuk ka humbur aspak, përkundër që kanë kaluar disa vite që ai edhe ka vdekur, shkruan KultPlus.

”Ai kishte një ndjeshmëri që i bënte njerëzit të ndiheshin më pak të çuditshëm, më pak të vetmuar”, shpjegon Danny Goldberg, i cili ka qenë në biznesin e muzikës që në vitet ’60, transmeton KultPlus.

Autor ose bashkautor i të gjitha sukseseve të Nirvanës, Kurt Cobain vrau veten më 5 prill 1994 në shtëpinë e tij në Seattle, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej nga kishte origjinën, ndërkohë që grupi i muzikës rock ishte bërë një fenomen global në më pak se tre vite.

”Imazhi i tij në media u deformua disi dhe u lidh më shumë me vdekjen e tij se sa me jetën dhe veprën”, vë në dukje Sonic Youth, i cili ka pasur në drejtim një tjetër grup të pavarur rock-u.

Në librin e tij «Në shërbim të shërbëtorit: në kujtim të Kurt Cobain», të publikuar këtë javë, Danny Goldberg flet për një muzikant të avancuar për kohën e tij, një personazh melankolik dhe me një shpirt të gjallë dhe shumë human.

“Zëri i tij kishte një shpirt të pabesueshëm”, thotë ai duke shtuar se «ai reflektonte cënueshmëri dhe afrimitet si rrallë kush».

Për të, muzika e Kurt Cobain vazhdon të dëgjohet në të gjithë botën nga një brez që ka lindur pas vdekjes së tij.

«Ai është një artist vepra e të cilit është e përjetshme», thotë Danny Goldberg që e kishte njohur kitaristin dhe kompozitorin amerikan në vitin 1990, pak para daljes së albumit «Nevermind», që e ngriti në qiell popullaritetin e Nirvanës. / KultPlus.com

31 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha

31- vjetori i rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha shënohet pikërisht sot.

Më 20 shkurt të vitit 1991 mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.

Rrëzimi i bustit të diktatorit u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Kjo ishte nga ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri.

Momenti kur statuja e Enver Hoxhës u rrëzua atë ditë të ftohtë shkurti me dhunë, por edhe që u tërhoq zvarrë njihet si akti simbolik i rrëzimit të diktaturës.

20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunis, ndërsa shënoi edhe fundin e diktaturës në Shqipëri./ KultPlus.com

Umberto Eco: Interneti iu ka dhënë hapësirë budallenjve

Më 19 shkurt të vitit 2016, ndërroi jetë njëri nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore, Umberto Eco.

Sot, KultPlus ju sjell një pjesë të shkëputur nga libri ‘Kronika të një shoqërie likuide’

-Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm.

Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.

Jam argëtuar shumë nga një lajm që doli në Internet në lidhje me idiotët. Për ata që nuk e kanë ndjekur, u raportua në mediat online dhe në ato të shkruara se në një të ashtuquajtur leksion, unë kam deklaruar se Interneti është i mbushur me idiotë. Kjo nuk është e vërtetë. Leksioni ishte për një temë krejt tjetër, por ai demonstron se si lajmi shtrembërohet kur qarkullon nëpër gazeta dhe në Internet.

Lajmi për idiotët doli gjatë një konference shtypi, kur teksa i përgjigjesha një pyetjeje, bëra një vëzhgim krejt të arsyeshëm dhe logjik. Nga shtatë miliard banorët që ka planeti, ka një numër të pashmangshëm idiotësh, shumë prej të cilëve janë mësuar që ua komunikojnë përçartjen e tyre miqve apo të afërmve në bar, kështu që opinionet e tyre janë të kufizuara në një rreth të caktuar. Një numër domethënës i këtyre njerëzve tashmë mund t’i shprehin mendimet e tyre në rrjetet sociale. Prandaj opinione të tilla mbërrijnë në audienca të mëdha, dhe shkrihen bashkë me shumë opinione të tjera, që shprehin njerëz të arsyeshëm.

Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.

Eshtë e drejtë që Interneti t’u lërë hapësirë atyre që nuk kanë asgjë të arsyeshme për të thënë, por tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët. Dhe disa reagime të pahijshme që kam parë në Internet, konfirmojnë pretendimin tim. Në të vërtetë, dikush raportoi se unë kam thënë që Interneti ofron të njëjtën famë, si për mendimet e një budallai, ashtu edhe ato të një fituesi të Çmimit “Nobel”, dhe krejt papritur nisi një debat i kotë, që u bë edhe viral, mbi faktin nëse unë e kisha pranuar apo jo Çmimin Nobel – ndërkohë që askush nuk mori mundimin as të hapte Wikipedian. E gjithë kjo tregon se sa shumë të prirur janë njerëzit që të flasin, pa u ndalur për të menduar. Në çdo rast, numri i idiotëve tani mund të kuantifikohet: 300 milionë. Raportohet se Wikipedia ka humbur 300 milion përdorues kohët e fundit. Këta janë të gjithë njerëz që lundrojnë, po nuk e përdorin më Internetin për të gjetur informacion, por preferojnë të rrijnë online duke biseduar me të singjashmit, dhe me gjasë pa u ndalur për të menduar.

Përdoruesi normal i Internetit duhet që të jetë i aftë të rrokë dallimin mes ideve jokoherente dhe të artikuluara mirë, dhe këtu lind problemi i filtrimit të informacionit. Nuk lidhet vetëm me opinione të shprehur në blogje apo Twitter, por është një çështje urgjente për të gjitha faqet e internetit, ku mund të gjesh informacion që është i besueshëm dhe i dobishëm, por gjithashtu – dhe sfidoj këdo që dëshiron ta mohojë – edhe përçartje të gjithfarëlloji, rrëfime për komplote joekzistente, mohime të Holokaustit, racizëm, informacion që është i rremë nga pikëpamja kulturore.

Si mund ta filtrosh informacionin? Secili prej nesh e ka aftësinë ta filtrojë informacionin, kur shohim faqe interneti që merren me tema për të cilat kemi njohuri, por unë i pari do e kisha problem të dalloja, nëse një faqe interneti thotë të vërtetën apo gënjen, kur shkruan për Teorinë e Fijeve. As edhe shkollat nuk munden t’u mësojnë nxënësve si të filtrojnë informacionin, përderisa mësuesit janë në të njëjtin pozicion si unë, dhe ata që japin mësim gjuhën greke mund të gjenden të pambrojtur, kur lexojnë një faqe që shkruan për teorinë e katastrofës së Luftës së Tridhjetë Viteve.

Ka vetëm një zgjidhje. Gazetat janë shpesh skllave të Internetit, pasi aty gjejnë lajme dhe histori që shpesh rezultojnë false, duke i dhënë kështu një zë rivalit të tyre më të madh – dhe duke e bërë këtë gjithmonë më vonë se sa Interneti. Në vend të kësaj, ato duhet t’i dedikojnë dy faqe çdo ditë analizës së website-ve, në po të njëjtën mënyrë siç bëjnë vlerësime të filmave apo librave, duke nxjerrë në pah faqet që janë virtuoze dhe ato që nxjerrin lajme të gënjeshtërta apo komplote pa lidhje. Kështu do të bënin një shërbim të vyer publik, e madje mund të bindin edhe ata shumë përdorues të Internetit që po u ikin gazetave, që të rikthehen.

Për një sipërmarrje të tillë, një gazetë do të kish nevojë për një ekip analistësh, shumë prej të cilëve do të duhej të vinin nga jashtë. Do të kushtonte, por do të ofronte një shërbim të vyer kulturor dhe do i jepte shtypit një qëllim të ri. / KultPlus.com

‘Më plase krejt, kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë’ (VIDEO)

“Më plase” nga grupi “Marigona” është një këngë që ia vlen të dëgjohet dhe kujtohet, shkruan KultPlus.

Një tekst i mahnitshëm për gënjeshtrat në një lidhje dashurie, “Më plase” duket më aktuale se kurrë.

Grupi Marigona është një grup muzikor i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës. Vokalist i grupit është Vullnet Sefaja po ashtu nga Mitrovica. Anëtarët e grupit janë ndërruar disa herë, por Vullnet Sefaja ka qenë pjesë e grupit që nga fillimi.

Sonte KultPlus ua sjell tekstin dhe videon e këngës ‘Më plase’:

Të flas, e shoh që nuk e dëgjon
Asnjë fjalë që unë them
Dhe nuk e zgjas
Dhëmbët i shtrëngoj dhe përmbahem
Por brenda më dhemb

prej kur t’njoh n’sy ta pash
mashtrimin
e tillë ishe gjithmonë tani e shoh
po i vie fundi përrallës ton është vonë

Më plase krejt
Kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë
Pse s’di të tregosh drejt
Nuk ke nevojë me m ‘rrejt
Nuk e kuptoj
Pse e ndjen këtë nevojë
Tregom a do mbarojë
Kjo e mallkuar lojë

Shumë gjatë jam bëre i marre pranë teje
Me shpresë se do ndryshosh
Kjo punë e pat’
Vazhdo rrugën tënde dhe provo
Tjetrin ta mashtrosh./ Kultplus.com

Erjona Sylejmani, shqiptarja e parë që arrin marrëveshje me label-in “Spinnin’ Records”

Këngëtarja e talentuar, Erjona Sylejmani, është shqiptarja e parë që ka arritur marrëveshje me labelin holandez, “Spinnin’ Records”, përcjell KultPlus.

Sylejmani për KultPlus thotë se karriera e saj muzikore filloi në moshën 13-vjeçare kur ajo filloi të publikojë covera të këngëve të ndryshe, e ai i cili u bë më viral dhe që i hapi rrugë këngëtares është coveri i këngës ‘Dance Monkey’.

“Fillimisht kam filluar me postimin e coverave të këngëve që më kanë pelqy deri sa njëri prej tyre u bë viral. Prej aty më ka gjetur një producent në Gjermani i cili më ka vënë në kontakt me një producent tjetër në Brazil me të cilin bëra bashkëpunimin e parë “Heathens” qe ka pasë nje sukses të jashtëzakonshëm duke marrë 15 milion streems ne spotify dhe 4,7milion Youtube.”- thotë ajo për KultPlus.

Poashtu, Sylejmani tregon që gjatë kohës së karantinës ajo filloi të punojë në këngën ‘Hangin trees’ e që u publikua dhjetorin e kaluar. ‘Hanging trees’ deri më tani ka arritur 1,6 milion streems ne spotify dhe 1,1 milion klikime në Youtube dhe njëkohësisht është përfshirë në tracklist-at e disa prej Dj më të famshëm në botë duke përfshirë edhe Tieston.

Sylejmani poashtu, tregoi ndau me KultPlus edhe rrugën deri tek arritja e marrëveshjes me kompaninë e muzikës elektronike.

“Vokalet e mia kanë rënë në duart e një prej producentëve më të famshëm në botë për EDM Alok, i cili ka jep projektit nje shtytje të madhe duke na lidhur me nje producent tjetër me shume ndikim dhe njekoheshmisht duke na dhënë edhe biletën per “Spinnin’ records”.”-shtoi ajo.

Ndërkaq, këngëtarja shqiptare paralajmëron se pas publikimit të projektit të fundit ajo ka filluar të punojë edhe me disa producentë ndërkombëtarë dhe para verës do të publikojë këngën e radhës./ KultPlus.com

Kryeministri Rama: Qendra Kulturore ‘Aleksandër Moisiu’ në Kavajë, tashmë është rilindur

Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Kavajë tashmë ofron për publikun artdashës dhe trupën e artistëve kushte dinjitoze.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një fotogaleri nga kjo qendër e cila ka pësuar një transformim rrënjësor, dikur e lënë në harresë e tashmë e rilindur.

“Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Kavajë e rilindur, një vlerë e shtuar e qytetit”, shprehet Rama.

Qendra kulturore “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Kavajës pas ndërhyrje rrënjësore është shndërruar në një sallë bashkëkohore kinemaje 3D, por që do të shërbejë edhe për shfaqje teatrale dhe aktivitete kulturore, ndërsa holli i godinës do të shërbejë për ekspozita, sallë konferencash etj./atsh/ KultPlus.com

I jepet lamtumira Bardhyl Londos, njeriu që jetoi si poet deri në frymën e fundit

I jepet lamtumira Bardhyl Londos, i cili jetoi si i tillë deri në frymën e fundit. Studiuesi Shaban Sinani thotë se  në të dy sistemet, poezia e tij qëndroi kryelartë duke thyer tabu të ndryshme.

Miku dhe bashkëpunëtori i tij në Ministrinë e Kulturës, poeti Parid Teferic  sjell ndërmend mësimet që mori prej tij.

Shkrimtari Fatos Kongoli , e cilëson guximtar dhe nuk harron mbështetjen që i dha në kohë të vështirë, duke e punësuar tek gazeta  Drita.

Arjan Leka nënvizon faktin se nuk vuajti pengun e pengimit dhe mos kuptimit madje sipas tij është  momenti ta rilexojmë.

Preç Zogaj pasi i njeh meritat si poet modern, kujton edhe lirinë që nuk ia prangosi dot as politika

Ministrja e kulturës ,kujton duartrokitjet e fundit një muaj më parë  ku u shpall shkrimtari i vitit për veprën poetike “Prilli i Hidhur”. /abcnews/ KultPlus.com

Revista e njohur franceze: Shqipëria, det, diell, dashuri dhe mikpritje

Shqipëria ish-komuniste, një xhevahir për t’u zbuluar në Ballkan

 “Bregdet me ujëra të kristalta, turizëm mjekësor dhe dëshmi të diktaturës komuniste: atraksione të panjohura të Shqipërisë”, nis shkrimin revista e njohur franceze, “Petit Futé”, që botimin e radhës ia ka kushtuar vendit tonë.

“Shqipëria, një vend mes Italisë dhe Greqisë, ka pasur gjithmonë një shpirt europian. Në 30 vite demokraci, vendi i vogël ish-komunist duket se e ka kapur kohën e humbur dhe kjo vërtetohet kur i afrohesh qendrës së kryeqytetit Tiranë, pasi ke dalë nga aeroporti “Nënë Tereza”. I përmendur vitet e fundit si një destinacion trendi në artikujt dhe guidat turistike, Vendi i Shqiponjave rekomandohet jo vetëm për vijën bregdetare me ujërat e kristalta, por edhe për ecjet e mrekullueshme që mund të bëhen në malet e veriut dhe për gastronominë e tij tradicionale. Produktet natyrore dhe organike të disa rajoneve kontribuojnë për ta bërë atë një nga kuzhinat më të shëndetshme në Europë!”, shkruan për revistën franceze të guidave turistike, Tanguy Revault.

Turizmi mjekësor zbulimi i fundit i turistëve të huaj

Vitet e fundit, territori ballkanik, buzë Adriatikut dhe Jonit, është kthyer në një nga destinacionet e preferuara për ushtrimin e turizmit mjekësor. Dritan Gremi, themelues dhe drejtor i Klinikës Gremi, punon që prej më shumë se 10 vjetësh në fushën e turizmit dentar.

Më tepër se 15 mijë pacientë nga Italia, Franca, Belgjika, Anglia, por edhe nga vende më të largëta si Shtetet e Bashkuara të Amerikës frekuentojnë klinikën e tij. E vendosur në një nga rrugët më të njohura në qendër të Tiranës, kjo klinikë ofron trajtime të ndryshme: operacione të avancuara dentare, mbjellje të dhëmbëve, montim të kurorave, fasetave apo edhe protezave fikse dentare dhe implanteve të tjera dentare, të gjitha me cilësi të certifikuar CE. Mjekë të kualifikuar kujdesen për klientët të cilët përfitojnë nga teknologjia e avancuar. Falë sistemit të taksave në vend, ata përfitojnë edhe çmime shumë më të ulëta se ato në vendet fqinje të Europës Perëndimore.

Klinika ofron një gamë të gjerë shërbimesh, duke filluar nga pritja e pacientëve në aeroport e deri tek akomodimi i përfshirë në një nga strukturat komode hoteliere që i përkasin sipërmarrësit, dhënien e kujdesit dentar si dhe organizimin e vizitave turistike gjatë fundjavave. Kjo përfshin tendencën e re që tërheq shumë turistë evropianë: turizmi i lidhur me zbulimin e një ish-diktature. Ashtu si trendi i ri i momentit që bazohet në interesin për të kaluarën komuniste të vendit, dikur një nga diktaturat më të egra në rajon. Udhëtarët evropianë vijnë në numër të madh, kureshtarë për të eksploruar këtë trashëgimi.

Historia e Shqipërisë në kohën e diktaturës, një atraksion për turistët

Me gjithë pasionin e një njeriu që e do thellësisht vendin e tij, Dritan Gremi na zbulon një nga specialitetet e turizmit aktual në Shqipëri: njohjen e një ish-diktature komuniste. ‘Jeto si në kohën e komunizmit’, një nismë shumë interesante të cilën ai e konsideron si mision. Sipas tij, përballja e të huajve me regjime autoritare nga më të ashprat të Lindjes së kontinentit europian ka diçka thuajse ekzotike. Ndonëse nuk hyn në detaje rreth projektit, ai e bën të qartë se objektivi nuk është vetëm të ofrojë një udhëtim në të kaluarën komuniste, por edhe të ndajë disa nga përvojat e jetuara nga shqiptarët gjatë kësaj periudhe. ‘Është një mënyrë për të treguar se si kemi jetuar për 50 vjet, një detyrë kujtese për të mos harruar të shkuarën, e cila nëse harrohet rrezikon të përsëritet’, thotë ai.

‘Për shumë vite shqiptarët kanë jetuar në një sistem që ka pasur një ndikim të thellë në jetën e tyre. Më veçanërisht brezi i prindërve tanë që e kaluan pjesën më të madhe të jetës së tyre nën një sistem të krahasueshëm me atë të Koresë së Veriut të sotme. Është koha që tmerri i së kaluarës të përdoret për një arsye të mirë”, thotë ai.

Kthim në historinë e Shqipërisë dhe të diktaturës së Hoxhës

E sunduar me grusht të hekurt nga Enver Hoxha dhe sistemi komunist për më shumë se 45 vjet (1944-1990), Shqipëria ishte gjatë kësaj periudhe vendi më i izoluar në botë.

Hoxha u kujdes të spastronte territorin dhe të pushkatonte këdo që kundërshtonte sistemin, përfshirë miqtë e tij më besnikë. Përveç përballjes me varfërinë, shqiptarëve iu desh të vuanin edhe dënime, burgosje dhe persekutime të çdo zëri që ngrihej kundër pushtetit të kohës. Udhëtimi drejt vendeve të komunizmit shqiptar nis me një vizitë në “Shtëpinë e Gjetheve”, një nga më interesantët dhe më të diskutueshmit në Tiranë. Atje shihen mjete survejimi të kohës, tregohet si fshiheshin çimkat në objekte dhe shtëpi apo edhe një pallto në të cilën fshihej një aparat fotografik për t’u përdorur për spiunazh. Një film shfaqet vazhdimisht në muze.

BUNK’ART është një kryevepër e vërtetë e artit bashkëkohor, një bunker që daton nga epoka e Luftës së Ftohtë që tani mban një nga muzetë më eksperimentalë në kryeqytetin shqiptar. Në këtë hapësirë ekspozite nëntokësore, historia dhe arti bashkëkohor ndërveprojnë. Projekti BUNK’ART mori formë në vitin 2014 në periferi të Tiranës me hapjen e BUNK’ART 1. Ai vazhdoi në nëntor 2016 me hapjen e BUNK’ART 2, në qendër të kryeqytetit. Një tjetër vend që duhet parë është burgu i Spaçit. Ai strehoi kundërshtarët e regjimit komunist deri në vitin 1991, vit i rënies së diktaturës, dhe funksionoi edhe më gjatë se gulagët e BRSS. Të burgosurit atje u detyruan të bënin në një jetë çnjerëzore, të punonin në minierat e bakrit që ndodheshin pranë strukturës. “Një ferr i vërtetë” siç dëshmojnë të mbijetuarit, të cilët do të ruajnë përgjithmonë në kujtesë mizoritë e kryera gjatë viteve më të errëta të historisë shqiptare.

Nga Veriu në Jug, një natyrë që ka gjithçka për t’u pëlqyer

Shqipëria, një territor që ndodhet mes Ballkanit dhe Detit Mesdhe, aspiron të integrohet shumë shpejt në BE dhe ka përfituar prej vitesh nga lëvizja e lirë e njerëzve në zonën Shengen.

Vendi është i famshëm sidomos për mikpritjen e të huajve. Riviera shqiptare shtrihet në më tepër se 100 km nga Vlora në Sarandë.

Në të gjejmë male që dominojnë bregdetin shkëmbor, ndërsa plazhet e Gjipesë dhe Palasës, me rërën e bardhë dhe nuancat e blusë, janë ndër më të bukurat në vend. Parku arkeologjik i Butrintit dhe teatri i tij madhështor romak, i mbrojtur nga UNESCO, është një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore dhe do të jetë pjesë e udhëtimit.

Bukuritë e Veriut si në dimër dhe në verë

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, në zemër të Alpeve, ofron peizazhe të mahnitëse dhe të paprekura, ujëvara, pyje dhe lugina që lënë pa fjalë çdo amator të ecjes malore.

Në Vjosë dhe Osum praktikohet rafting dhe gjatë një ndalese në Përmet, mund të shijohet mish bio, produkte qumështi dhe veçanërisht glikoja e famshm e rrethit që mbetet në majat e artit të kuzhinës.

Ata që janë të dhënë pas historisë duhet të vizitojnë edhe Gjirokastrën dhe Beratin, ndërsa në Korçë gjendet ai që vendasit e quajnë “Parisi i vogël”. Në qytetin antik të Apolonisë, rrënojat dëshmojnë të kaluarën e tij të lavdishme. Dhe pamja përtej kodrave është një burim frymëzimi për ata që pëlqejnë fotografinë.

Një arsye më shumë për të vizituar Tiranën në 2022

Tirana është një metropol i përshtatshëm për të gjithë udhëtarët! Muzeumet apo teatri, shëtitjet në natyrë, monumentet historike dhe aktivitetet kulturore, ka diçka për të gjithë.

Nuk mund të mos përshkohet edhe lagjja e Bllokut (zonë e autorizuar më parë vetëm për drejtuesit), vendi i qytetit që jeton nga klubet e natës dhe performancat e muzikës live. Një lagje herë e thjeshtë, herë mondane.

Gjithsesi, pjesa më e gjallë e qytetit dhe që gjithmonë zien. Krahas takimeve me njerëz që e duan jetën dhe e shijojnë çdo moment, 2022 ofron një arsye më shumë për të vizituar kryeqytetin shqiptar.

I shpallur Kryeqytet Europian i Rinisë për një vit, gjatë kësaj periudhe do të ofrohet një gamë e gjerë aktivitetesh rreth temave të ndryshme. Dhe sigurisht, tema kryesore është rinia.

KUR

Pikërisht në maj dhe shtator moti është më i këndshme në Shqipëri dhe përgjithësisht në mes të sezonit. Atëherë shijohen qetësisht plazhet e Rivierës Shqiptare si dhe shëtitjet në parqe kombëtare dhe qytete të pambushura me turistë.

KOHËZGJATJA

Nëse me një udhëtim në qytet në fundjavë arrini të zbuloni kryeqytetin Tiranë, 10 deri në 15 ditë janë të këshillueshme për të shkuar nga një prefekturë në tjetrën dhe për të vizituar fshatra, zona arkeologjike dhe qoshe të natyrës. Një javë nuk është shumë për të përshkuar Rivierën Shqiptare dhe për të ndaluar në disa resorte bregdetare.

BUXHET

Shqipëria mbetet një destinacion shumë i përballueshëm. Ju mund të qëndroni në një hotel të rehatshëm për më pak se 100 € buzë detit. Qëndrimi me vendasit ose në një bujtinë për të rinjtë është akoma edhe më lirë. Gjithashtu hahet shumë mirë për 8 € dhe udhëtimi me autobus ose tren nuk rëndon në buxhetin e pushimeve.

PUBLIKE

Avantazhi me Shqipërinë është se ka diçka për të gjithë llojet e udhëtarëve. Për të apasionuarit pas ecjes në male, për ata që pëlqejnë historinë e lashtësisë me vende si Apolonia dhe Butrinti, dhe për familjet që duan të shijojnë diellin dhe plazhin në bregdetin e Adriatikut në ditët me diell./ KultPlus.com

N’gaz m’shkonte jeta, s’m’epej kurrë m’u ankue

Poezi nga Luigj Gurakuqi

Qëndresa

Me gusht shkon vapa e me djelmni kalojnë
Gjith prrallat e kohës s’re;
Si n’dimën bora dhenë, kryet na zbardhojnë
Vjetët e kujdeset ne.

Me lule t’ershme e larca m’dukej shtrue
Bota sa ishe i ri;
N’gaz m’shkonte jeta, s’m’epej kurrë m’u ankue,
Kurrë zemra s’m’ndjellte zi.

Andrra t’kandshme m’livrjoshin nëpër mend
Si flutra pa ja da!
T’lum si vedin nuk njifshe tjetërkend,
Nuk dijshe kurr me kja.

Zanat tek unë shpesh zdrypshin e n’Mal Shejt
M’flakrojshin me mendim;
E vetë, sa niste Apolli me dridhë pejt,
Ia thojshe kangës me gzim.

Shum herë te bregu i prroni mbulue prej barit
Ku, rrokun dorë për dorë,
Valles ia krisshin nymfat me flokë arit,
E mblidheshin kunorë.

Shkojshe prej nadjes, e nën t’kandshmen hije
T’njij lisi veshun n’gjeth,
Për t’gjatë u shtrijshe, e t’eshëm bukurije,
Sytë sillshe rreth e rreth.

Rjedha e ujit përcillë me fyell t’barisë,
Me delet tue kullotë,
M’thirrte gjumin, un’ ndejë në prehën t’gjithsisë
Nisshe ngapak m’u kotë.

Era, tue shkelë mbi lule pa lanë gjurmë,
Me flokët e mi tue luejtë
Shkonte; vetë flejshe… Engjujt, pa ba zhurmë,
Zhdrypshin nën krahë me m’ruejtë!

Por! andrrat sot kaluen, prrallat djelmnore
Janë zhdukun e kanë tretë;
Ideve t’bukra, shpresavet lulzore
Veç emni u ka mbetë.

Oh! jeta përnjimend me rrena e vaj
Plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,
Si zjarmi i bam’ me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ai qi nuk qindron./ KultPlus.com

Paul McCartney rikthehet me turneun ‘Got Back’

Pas dokumentarit të fundit të Peter Jackson “The Beatles: Get Back”, Paul McCartney ka njoftuar atë që ai e quan turneun e tij “Got Back”, një shëtitje në 13 qytete, 14 koncerte nëpër SHBA që do të nisë pas dy muajsh, sipas yahoo.com.

“Turneun e fundit iu thashe se do të shiheshim herën tjetër. Ju thashë se do të kthehesha tek ju. Epo, u ktheva”, tha McCartney në një njoftim për turneun e pranverës.

Turneu do të zhvillohet në stadiume dhe arena. Ndër të parët është në datën 13 maji në stadiumin SoFi të Los Anxhelos, duke shënuar një rikthim mjaft të shpejtë pas turneut në 2019 në Stadiumin Dodger.

Një pjesë e vogël e shfaqjeve do të zhvillohen në qytetet ku McCartney nuk ka performuar kurrë më parë, duke filluar me natën e hapjes së turneut, i cili zhvillohet në Spokane Arena.

Turneu përfundon më 16 qershor në East Rutherford, Nju Jork, në stadiumin MetLife, ku McCartney performoi për herë të fundit në vitin 2016.

Turneu i tij “Got Back” përfundon pikërisht ditën e ditëlindjes së tij. Dy ditë pas datës përfundimtare të turneut, më 18 qershor, McCartney do të mbushë 80 vjeç./ KultPlus.com

71 vjet nga vdekja e nobelistit Andre Gide

Nobelisti Andre Gide dëshiron të na dritësojë mendjen. Një punë e artit, e artit të bukur të botës të cilin nuk ka sy njeriu që nuk e çmon, për të qenë e përjetuar duhet të përmbajë këto pesë elemente.

Por, para se ti zbulojmë elementet, titani i letërsisë dhe fituesi i Nobelit për Letërsi, francezi Gide – i cili vdiq më 19 shkurt të vitit 1951, duhet lexuar në vazhdimësi për librat të cilat ia dha botës, dhe ia la në fund asaj.

“Të gjitha punët artistike janë të vështira. Ai që i sheh si të lehta, ka dështuar ta kuptojë esencën e veprës” tregon Gide.

Për pesë elementet që e përbëjnë një vepër të mahnitshme arti, ai thotë

– Rendi (logjika, dispozita e arsyeshme e pjesëve)
– Bukuria (profile, linja)
– Luksi (Pasuria e disiplinuar)
– Qetësia (Qetësimi i trazirës emocionale)
– Kënaqësia e shqisave, ndjenjave (sensualiteti, aktraktiviteti

Andre Gide i ka lënë të shkruara pasuritë e tij dhe këshillat e tij në “The Journals of Andre Gide”.

Gide e fitoi Nobelin në vitin 1947. Atë e influencuan Franz Kafka, Niçe, Dostojevski, Tagora e Stephane Mallarme. / KultPlus.com

‘Njerëzit janë të lodhur nga gjërat e thjeshta, ata duan të sfidohen’

Në 6-vjetorin e vdekjes së Umberto Ecos, KultPlus ua sjell disa nga thëniet e tij më të njohura:

“Ne kemi një limit, një limit shumë shkurajues dhe poshtërues: vdekjen.”

“Tani kam arritur në përfundimin se e gjithë bota është një enigmë, një enigmë e padëmshme që bëhet e tmerrshme prej përpjekjes sonë të çmendur, për ta interpretuar sikur të ketë një të vërtetë që fshihet nën të.”

“Ti vdes, por pjesa më e madhe e atyre që ke akumuluar nuk humbet. Ti lë prapa një mesazh në shishe.”

“Të lexosh një libër të shtypur është një përvojë krejt tjetër: mund ta bësh në anije, në degë të një peme, në shtrat, edhe kur nuk ka fare drita.”

“Funksioni i kujtesës është që të ruajë, por edhe të hedhë tutje. Nëse do të mbanit mend gjithçka, nga e gjithë jeta juaj, do të ishit të sëmurë.”

“Kur njerëzit pushojnë së besuari në Zot, nuk është se ata tashmë nuk besojnë në asgjë: tani ata besojnë në gjithçka.”

“Njerëzit janë të lodhur nga gjërat e thjeshta. Ata duan të sfidohen.”

“Problemi me internetin është se ai të jep gjithçka, materiale të besueshëm dhe materiale të çmendur. Kështu që, problemi është, si të bësh dallimin?”

“Shteteve të Bashkuara iu desh një luftë civile, për t’u bashkuar ashtu si duhej.”

“Hero i vërtetë është gjithmonë gabimisht hero; ai ëndërron që të jetë burracaku i ndershëm, ashtu si gjithë të tjerët”

“Interneti është si një bibliotekë pa filtrim. E mira e bibliotekave, ashtu sikurse dhe e enciklopedive, nuk është vetëm që ruajnë kujtesën, por edhe që hedhin tutje ato gjëra që një kulture nuk i duhen.

Nëse nuk do të hidhnim poshtë asgjë, do të ishim si “Funes el memorioso”, tek një tregim i Jose Luig Borges. Ky personazh kujtonte gjithçka: ishte një njeri me kujtesë totale, i paaftë të arsyetonte, sepse ishte i paaftë të filtronte.

Interneti është si Funesi: përmban gjithçka, të vërtetën dhe të gënjeshtërtën, gjë që është një risk i madh, mbi të gjitha për të rinjtë.”

“Kur dikujt i duhet të ndërhyjë për të mbrojtur lirinë e shtypit, atëherë ajo shoqëri është e sëmurë.”

“Më mirë realiteti, se sa një ëndërr: kur një gjë është reale, atëherë ajo është e vërtetë dhe për këtë nuk është faji yt.”

“Unë e kam humbur lirinë e të mos paturit një opinion.”

“Nëse njerëzit i blejnë kot librat e mi, unë këtë e konsideroj një taksë mbi idiotësinë.”

“Mendoj se një libër duhet gjykuar dhjetë vjet më vonë, pasi e ke lexuar dhe rilexuar.”

“Druajuni profetëve dhe atyre që janë të përgatitur të vdesin për të vërtetën, sepse si rregull ata bëjnë shumë të tjerë që të vdesin me ta, shpesh herë para tyre, ndonjëherë edhe në vend të tyre.”

“Ka të pavërteta që prodhojnë rezultate pozitivë dhe të tjera që prodhojnë rezultate negativë. Mes këtyre të fundit janë Protokollët e Pleqësisë së Sionit, me të cilët jam marrë në librin tim të fundit.

Më ka tërhequr gjithmonë teksti fals që, për shkak se të tjerët e besojnë apo për shkak se shfrytëzohet politikisht, ndikon në histori. Falë Dhuratës së Konstantinit, të paktën deri në vitet Pesëqind, ideja që zotërimet e përkohshëm të Perëndimit i janë dhuruar Papës nga Perandori shkakton rezultatet e mëdhenj që i dimë”

“E dashuroj aromën e bojës së librave në mëngjes”

“Mungesa është për dashurinë, ashtu si era është për zjarrin: shuan flakët e vogla, por ndez të mëdhatë”

“Monstrat ekzistojnë sepse janë pjesë e një plani hyjnor, dhe tiparet e tmerrshme të atyre monstrave, zbulojnë fuqinë e krijuesit”

“Nuk e kuptoj dot për se duhen 80 milionë njerëz online, kur, ajo që ata bëjnë në fund, është që t’u flasin fantazmave në periferi.”

“Den Braun është një personazh nga “Lavjerrësi i Fukoit”. Unë e kam krijuar. Ai ndan me personazhet e mi magjepsjen për botën e komploteve të Masonëve, Jezuitëve. Rolin e Kalorësve Tempullarë. Sekretin hermetik. Parimin që gjithçka është e ndërlidhur. Madje dyshoj që Den Braun të ekzistojë vërtetë.”

“Asgjë nuk i jep një njeriu të frikësuar më shumë kurajë, se sa frika e një tjetri”

“Cfarë është dashuria? Nuk ka asgjë në botë, as njeri, as Djall, asgjë tjetër, që ta konsideroj aq të dyshimtë sa dashuria, sepse ajo penetron në shpirt më shumë se cdo gjë tjetër.

Nuk ekziston asgjë që ta mbushë dhe lidhë kaq shumë zemrën, sa dashuria. Kështu që, nëse nuk i keni ato armë që e nënshtrojnë atë, shpirti zhytet përmes dashurisë, në një humnerë të paanë”

“Unë besoj se, ajo që ne bëhemi, varet shumë nga ajo që etërit tanë na mësojnë, në momente të cuditshëm, atëherë kur nuk po përpiqen fare të na mësojnë dicka. Ne formohemi prej copëzave të vogla të urtësisë”. / KultPlus.com

Çeku takon Kryeziun dhe Tahirin, paraqitja e tyre bëri krenar gjithë popullin

Ministri Hajrulla Çeku priti sot në takim skitarët Kiana Kryeziu dhe Albin Tahiri të cilët prezantuan Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, Pekin 2022.

Ata tashmë përfunduan garat dhe u kthyen në vend duke sjell nga atje një përvojë të shkëlqyer dhe rezultate mjaft të suksesshme.

Në takim ishin gjithashtu Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, Kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, dhe trajneri i skitarisë, Agim Pupovci.

Bashkë diskutuan për garat dhe paraqitjen e shtetit tonë në këtë ngjarje sportive, gjë që na bënë krenar të gjithëve.

Çeku përgëzoi skitarët për prezantimin dhe suksesin e arritur në gara gjithashtu folën për planet që ka MKRS-ja për zhvillimin e programeve të reja dhe investimet tjera në sport, ku bënë pjesë edhe skijimi. /KultPlus.com

‘Tani që bie mjegulla nuk shoh më nga miqtë asnjë’

Poezi nga: Hermann Hesse

Përktheu: Faslli Haliti

E çuditshme, të endesh në mjegull!
Të vetmuar janë çdo kaçube dhe gur,
as pemët s’e shohin njëra-tjetrën,
secila qëndron e vetmuar.

Plot miq më dukej bota,
kur jeta ime ish e qartë ende;
tani që bie mjegulla
nuk shoh më nga miqtë asnjë.

Asnjë, që errësirën s’e njeh,
nuk është i urtë, sigurisht,
që lehtas dhe gjithnjë
e ndan atë nga të gjithë

E çuditshme të endesh në mjegull !
Të jetosh, vetmi, do të thotë.
Asnjë qenie s’e njeh tjetrën
Secili i vetëm është në botë.