Dren Abazi publikon këngën ‘Në sytë e tu’ (VIDEO) 




Pak minuta më parë, Dren Abazi ka publikuar këngën e tij më të re që mban titullin “Në sytë e tu”, këngë kjo që vjen pikërisht në ditëlindjen e tij të 37-të, shkruan KultPlus.

Ai njihet për zërin e tij të veçantë dhe tekstet që i flasin dashurisë shumë më ndryshe nga tekstet që jemi mësuar t’i dëgjojmë zakonisht.

“Në sytë e tu”, këngë kjo me videoklip që qysh në sekondat e parë, tërheq shikuesin pas ekranit me meloditë dhe tekstin unik aq bukur të shkruar. 

Si çdo herë, Abazi apo ndryshe i njohur si ’Mbreti i natës’ edhe kësaj here arriti që të hyj në zemrën e publikut me karizmën dhe veçantinë që ai e sjell nëpërmjet muzikës së njohur të tij.

Kjo këngë që vjen një ditë përpara ditës së dashurisë, duket se do të bëhet shumë shpejt pjesë e listës së këngëve të të shumë dashuruarve dhe jo vetëm.

Teksti, muzika dhe orkestrimi i këngës është realizuar nga vetë këngëtari, ndërkaq inçizimi është bërë nga Samer Agolli kurse miksimi është bërë nga Samer Agolli dhe Genc Salihu.

Më poshtë KultPlus ua sjell videon dhe tekstin e plotë të këngës:

NË SYTË E TU

Ajo si dritë e bardhë mes reve

Që shëndrin nëpër qiell

Me zjarrin e saj ajo shkrinë dhe akujt

Që s’i shkrinë dot as ky diell.

Ajo nuk flet, ajo vec hesht

S’ka forcë te qesh por buzëqesh

Kur ajo ambël natën fle

Flenë yjet, deti, qielli me re

Në net’ e bukra e pa zhurmë,

Ti mu m’ëndërro

Më rrëmbej me zjarrin që digjet në sytë e tu

Sytë e tu

Kur m’shohin mu

Sytë e tu

Unë s’e di çfarë shije ka sot grimi

Që është fshirë, e lagë me lot

I ngrirë është në fytyrën e saj gëzimi

Dhe unë pikëllimin e ndjej sot

Ajo nuk flet, ajo vec hesht

S’ka forcë te qesh por buzëqesh

Kur ajo ambël natën fle

Flenë yjet, deti, qielli me re

Në net’ e bukra e pa zhurmë,

Ti mu m’ëndërro

Më rrëmbej me zjarrin që digjet në sytë e tu

Sytë e tu

Kur m’shohin mu

Sytë e tu

Në Sytë e Tu / KultPlus.com

‘Moj e mira te pojata, hije të paskan flokët e gjata’ (VIDEO)

Rok grupi kosovar MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978.

Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend.

Haki Misini, është i vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe Mehmet Tupella konsiderohet ende i zhdukur.

KultPlus, sot po e sjell këngën “Moj e mira te pojata”, një ndër këngët më të famshme të këtij grupi që kanë lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare.

Moj e mira te pojata
Moj e mira o, te pojata, hije te paskan flokt e gjata
Hije t’paskan o, flokt e gjata, shkurtoj pak e tu preft nafaka

Syri yt vasho si filxhani, vetllat t’holla eh sikur gajtani
Shtati yt vasho si selvie, goja jote o si kutie
(Uh dala t’plastë)

Shumë o djal jam bo merakë zëmra don me m’plasë në bark
Smut jam kanë o qe sa javë nuk je ardhë me m’pa
Te kishe ardhë o dej te arra ish qu dada t’kish dal para
Po s’je ardhë o me m’pa mu prandaj mo s’të du

A s’ma falë vash syrin e zi e, ta run baca si synin e tij e
A s’ma falë vash gojën ni herë e, ta shijoj vetëm ty arblere

Uh djal i dadës
Djalë kam ra në krahror tan, shejë në faqe mos me m’lanë,
Shejë në faqe mos me m’lanë, nana më qorton
Dalim në bashqe me shetit, trëndofilet me i ujit
Du me m’than vetëm një fjalë, se të dua djalë… / KultPlus.com

‘As luftë s’bëj dhe askund s’gjej paqe’

Poezi nga Francesko Petrarka

As luftë s’bëj dhe askund s’gjej paqe’
dhe frikë dhe shpresë: kam zjarr dhe akullohem,
në qiell nxitoj, në tokë prapë rrëzohem,
askënd s’takoj dhe botën kam përqafe.

Ajo më futi në burg, hapsan e laqe,
as nuk më mban, as nuk më lë të iki,
dhe më largon dhe hallkë më vë tek shpirti,
as rroj, as vdes, as dhimbjet s’kanë cae.

Pa sy dhe shoh, pa gjuhë dhe nxjerr klithmë,
kërkoj të vdes, thërras që të shpëtoj,
përbuz vetveten, ju jap ju lumturinë.

Mes lotësh qesh, ju jap ju dhembshurinë,
dhe jet’ dhe vdekje i vë në barazi,
po për keto, o grua, faj ke ti./ KultPlus.com

‘Karnavali i shpresës’ në Venecia fillon ndërsa lehtësohen masat anti-Covid

Mijëra njerëz u argëtuan në fillimin e festimeve vjetore të karnavaleve në Venecia të shtunën, duke shënuar një kthim të ngadaltë në normalitet pasi pandemia COVID-19 goditi dy edicionet e mëparshme, transmeton KultPlus.

Karnavali i Venecias 2020, i cili zakonisht tërheq turistë nga e gjithë bota, u kufizua kur shpërtheu pandemia në Itali në shkurt të atij viti dhe më pas u anulua vitin e ardhshëm pasi qeveria u përpoq të frenonte infeksionet.

“Ky është karnaval i shpresës,” tha banori i Venecias Cristian Scalise. “COVID po përfundon dhe ne shpresojmë të kthehemi në jetën tonë si gjithmonë”.

Shkalla e Italisë e infeksioneve të reja COVID dhe shtrimeve në spital ka qenë gradualisht në rënie javët e fundit dhe qeveria këtë javë i dha fund një kërkese që njerëzit të mbanin maska ​​​​për fytyrën jashtë në shumicën e rrethanave./ KultPlus.com

REUTERS/Manuel Silvestri

Liljana Cingu rikthehet në skenë, valltarja tashmë i jep përvojën e saj edhe brezit të ri

Liljana Cingu, valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore  është rikthyer në skenë. Jeta e artistes ka qenë e lidhur në mënyrë të pashmangshme me vallen. Lili ashtu siç e thërrasin të njohurit, ka krijuar një personalitet të sajin tipik jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj. Ndaj dhe gjurmët qe ajo ka lënë kudo si në Shqipëri ashtu edhe nëpër botë janë të shumta.

“Jeta ime ka qenë valle, brenda dhe jashtë shtetit. Përfaqësim për vendin tim dhe e kemi përfaqësuar me dinjitet. Vula ime ka qenë kudo kur unë hapja krahët dhe kërceja shqipet dhe ne thonim jemi bijtë e kësaj shqipe, por këtë shqipe ne duhet ta dashurojmë duhet të jemi shumë të lidhur me vallen, sepse kur hap krahët e kërcen këtë valle je një shqipe. Unë them që nuk ka largim vallja, vallja është jeta për vendin tonë. Në qoftë se ne do të përfaqësojmë vendin ne duhet të kërcejmë vallen, sepse do bjeri muzika do vishet kostumi ai është përfaqësim për vendin tonë. Vallja kurrë nuk vdes, ajo është perlë.”

Ikona e valles shqiptare shpreh emocion jo vetëm kur kujton fillimet e saj në skenë, por dhe për punën e pandalshme me edukimin e brezit të ri në krijimtarinë popullore.

“Emocionin më të madh unë e kam pasur kur isha në moshën e këtyre të rinjve, pra një 19-vjeçare, kur “Gjerdani i Artë” në Dizhon u vu në qafën time. Unë jam shumë e lumtur kur futem në sallë dhe shikoj atë rini që me përkushtim e luan shaminë, e hedh këmbën, e kërcen dhe me të vërtetë djersit, ajo është diçka që i ve vulën institucionit. Ansambli është jeta e vendit tonë.”

Gjatë karrierës së saj, Liljana Cingu numëron me dhjetëra çmime, urdhra e medalje të ndryshme, kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe është nderuar nga presidenti i republikës me urdhrin “Mjeshtre e madhe” për kontributin e dhënë në vallen popullore shqiptare./ KultPlus.com

Gazeta braziliane në vitin 1943: Deklarata e mbretit Zog mbi kapitullimin e Musolinit

Nga Aurenc Bebja, Francë

“Diario de Noticias” ka botuar, të martën e 27 korrikut 1943, në ballinë, deklaratën e Mbretit Zog në lidhje asokohe me kapitullimin e Musolinit (Duçes), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Deklarata e Mbretit Zog

Londër, 26 korrik (U.P.) — Ish-mbreti Zog i Shqipërisë bëri deklaratën e mëposhtme në lidhje me rënien (kapitullimin) e Musolinit :

“Rënia e Musolinit do të thotë një sukses i vërtetë për aleatët, jo vetëm nga pikëpamja e depërtimit të tij në të ashtuquajturën “Kalaja evropiane”, por edhe sepse një nga 3 fuqitë e Boshtit u detyrua të kapitullonte.

Rënia e një regjimi, planet imperialiste të të cilit në Ballkan rrezikuan ekzistencën e Shqipërisë, do të mbushë me gëzim zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Ashtu si në të kaluarën, Shqipëria tashmë është gati të vërë kontributin e saj modest dhe përpjekjen maksimale në shërbim të trupave aleate, për hir të fitores.”/ KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-braziliane-1943-deklarata-e-mbretit-zog-mbi-kapitullimin-e-musolinit/

‘Ti do vish patjetër të qetësosh gjithçka’

Poezi nga Ismail Kadare

Pritja

Telefoni po merr nje sy gjume para ardhjes sate
Abazhuret varen te heshtur mbi pritjen
Perbindeshat mbi qilimin e dhomes dremitin te qete

Ora kaloi
Ti u vonove
Drita e abazhureve u be e keqe
Si i vrare telefoni ka rene permbys e s’merr fryme
Tani perbindeshat filluan te levizin
Ja, po zgjohen me leshra te kerleshura mbi qilim

Ti do vish patjeter te qetesosh gjithcka./ KultPlus.com

Anulohet seriali ‘Beauty and the Beast’

Seriali “Beauty and the Beast” është anuluar, ende pa filluar.

Sipas Deadline, “Beauty and the Beast” i Disney+ nuk do të ecë përpara, vetëm disa ditë pasi Rita Ora u emërua në një rol.

Karakteri i saj u përshkrua vetëm si një “e arratisur me aftësi të habitshme që mbart me vete një sekret që mund të prekë një mbretëri të tërë”.

Epo, duhet të ketë qenë një sekret i mirë sepse nga tani nuk do të dihet asnjëherë.

Deadline raportoi se seritë u anuluan për shkak të dallimeve krijuese në projekt dhe vonesave të prodhimit.

Edhe Gad dhe Evans (pjesë e kastit), e konfirmuan lajmin se “Beauty and the Beast” është anuluar./ KultPlus.com

Albin Tahiri: Jam i lumtur që hyra sërish në top 30

Albin Tahiri ka përfunduar në mesin e 30 më të mirëve nga 89 garues në disiplinën e sllallomit të madh, në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.

Skitari ynë arriti një tjetër synim të tij për të hyrë në 30 më të mirët në LOD Pekini 2022, pas vendit të 15-të të zënë në kombinim alpin.

“Jam i lumtur që hyra sërish në top 30, sidomos pasi u lëshova i 73-ti në një shteg tejet të vështirë”, deklaroi Albin Tahiri, pas garës në sllallom të madh.

Ai zuri vendin e 30-të. Në lëshimin e parë ishte i 37-ti.

Shkaku i kushteve të vështira në shteg shumë garues u diskualifikuan, ndërsa të dyja lëshimet i përfunduan 47 garues.

Albin Tahiri do të garojë edhe më 16 shkurt 2022, në disiplinën e sllallomit./ KultPlus.com

Javier Bardem dhe Cate Blanchett nderohen me çmime në festivalin spanjoll të filmit ‘Goya Awards’

Javier Bardem fitoi çmimin aktori më i mirë në edicionin e 36-të Çmimeve Goya të Akademisë Spanjolle të Filmit në Valencia,që u mbajt të shtunën mbrëma, ndërsa aktorja australiane Cate Blanchett mori në shtëpi çmimin e parë ‘International Goya Award’, transmeton KultPlus.

Bardem fitoi Goya-n e tij të shtatë për rolin e tij në satirën e Fernando Leon de Aranoa në vendin e punës “The Good Boss”, i cili fitoi gjashtë çmime duke përfshirë filmin më të mirë, regjinë më të mirë dhe skenarin më të mirë origjinal.

“Faleminderit që keni shkruar një personazh kaq të pasur në nuanca, në kompleksitet, kaq qesharak”, tha Bardem duke iu drejtuar regjisorit Leon de Aranoa.

Një surprizë e natës erdhi kur Penelope Cruz, e cila ishte nominuar së bashku me bashkëshortin e saj Bardem, nuk arriti të fitonte aktoren më të mirë për rolin e saj në “Nënat paralele” të Pedro Almodovar.

Kjo vlerësim i shkoi Blanca Portillo-s për “Maixabel”, për një grua që përballet me terroristët e ETA-s që vranë burrin e saj./ KultPlus.com

‘Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija’ (VIDEO)

Rudolf Stambolla është një këngëtar i njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo e lehtë. Njihet për zërin më melodioz dhe njëri prej pionierve të muzikës së lehtë Shqiptare të fund viteve ’60.

KultPlus ju sjell këngën ”Kur gjethet bien në vjeshtë”, këngë kjo e cila është më e njohura e tij dhe vazhdon të dëgjohet e të këndohet edhe sot e kësaj dite.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:

Kur gjethet bijnë në vjeshtë dhe m’dukesh n’vaj natyrë
Për ty s’mundem me heshtë, si gjethja bahem n’ftyrë
E zverdhun dhe e ngrime, si barnat në Kallnur
Po del kjo kanga ime ankuse thellë n’krahnur.

Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’herë ka me qen’ von
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë.

T’kujtohen ty pranverat ah puthjet me passion
Dhe fjalët e tua nga hera kjo zemër si harron
Nëqoftse gjethet ranë të vyshkuna mbi dhe
At’her kam me besue se sa e pabesë je.

Ti m’ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jon.

Për mua lulet e verës nuk kanë ma bukuri,
Jan vyshk n’qoshe t’pinxheres, të mjerat në saksi
As lot nuk kanë t’i ngjallin, janë shterrur lot e rinisë
Veç kur më merr mu malli, i knoj un dashurisë.

Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë. / KultPlus.com

Historia e Radios, kur nisi transmetimi

Historia e radios është e tillë që ndryshoi mënyrën se si bota lidhej dhe komunikonte nga distanca të largëta dhe të afërta.

Edhe pse gëzon një histori të gjatë dhe interesante, fillimet e saj më të hershme janë ende mjaft të diskutueshme.

Në vitin 1893 shpikësi Nikolai Tesla demonstroi një radio me valë në “St.Louis, Missouri”, pavarësisht këtij demonstrimi, Guglielmo Marconi është personi më i njohur si babai dhe shpikësi i radios, ishte ai të cilit iu dha patenta e parë e telegrafisë me valë në Angli në vitin 1896, duke siguruar vendin në historinë e radios.

Megjithatë, një vit më vonë, Tesla bëri kërkesë për patentën për radion e tij bazë në Shtetet e Bashkuara, kërkesa e tij u pranua në vitin 1900, katër vjet të plota pasi iu dha Marconit.

Pavarësisht se kush krijoi radion e parë, më 12 dhjetor 1901, vendi i Marconit në histori u vulos përgjithmonë, duke u bërë personi i parë që transmetoi sinjale përtej Oqeanit Atlantik.

Para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore

Para viteve 1920, radioja përdorej kryesisht për të kontaktuar anijet që ishin jashtë detit. Komunikimet me radio nuk ishin shumë të qarta, kështu që operatorët zakonisht mbështeteshin në përdorimin e mesazheve të koduara. Kjo ishte një përfitim i madh për anijet, veçanërisht gjatë situatave emergjente. Me Luftën e Parë Botërore, rëndësia e radios u bë e dukshme dhe dobia e saj u rrit ndjeshëm. Gjatë luftës, ushtria e përdori atë pothuajse ekskluzivisht dhe u bë një mjet për dërgimin dhe marrjen e mesazheve.

Radio dhe vitet 1920

Në vitet 1920, pas luftës, civilët filluan të blinin radio për përdorim privat. Në të gjithë SHBA-në dhe Evropën, stacionet e transmetimit si KDKA në Pittsburgh, Pennsylvania dhe British Broadcasting Company (BBC) filluan të shfaqen.

Në vitin 1920, kompania Ëestinghouse aplikoi dhe mori një licencë radio komerciale e cila lejoi krijimin e KDKA, e cila atëherë do të bëhej radiostacioni i parë i licencuar zyrtarisht nga qeveria.

Lufta e Dytë Botërore dhe ndryshimet pas saj

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, radio përsëri luajti një rol të rëndësishëm si për SHBA-në ashtu edhe për Britaninë e Madhe. Me ndihmën e gazetarëve, radio transmetoi lajmet e luftës për publikun, gjithashtu u bë edhe burim tubimi dhe u përdor nga qeveria për të fituar mbështetjen e publikut për luftën.

Në Mbretërinë e Bashkuar, radio u bë burimi kryesor i informacionit pas mbylljes së stacioneve televizive./ KultPlus.com

Rama: Salla e rilindur e Pallatit të Kulturës, vlerë e shtuar e Rrogozhinës

Banorët e Rrogozhinës kanë tashmë një sallë të re në Pallatin e Kulturës, e cila pritet të rigjallërojë jetën artistike të qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo sallë, e cila është rindërtuar me kushte më të mira.

“Salla e rilindur e Pallatit të Kulturës një vlerë e shtuar e qytetit”, theksoi Rama.

Pas rehabilitimit të sallës banorët kanë kinema, teatër, ambiente, hapësira për argëtim, studim dhe trajnime të ndryshme./atsh/ KultPlus.com

Albin Tahiri në top 30-she nga 89 garues në sllallom të madh

Albin Tahiri ka përfunduar në mesin e 30 më të mirëve nga 89 garues në disiplinën e sllallomit të madh, në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.

Skitari kosovar arriti një tjetër synim të tij për të hyrë në 30 më të mirët në LOD Pekini 2022, pas vendit të 15-të të zënë në kombinim alpin.

Ai zuri vendin e 30-të, kurse në lëshimin e parë ishte i 37-ti.

Shkaku i kushteve të vështira në shteg shumë garues ub diskualifikuan, ndërsa të dyja lëshimet i përfunduan 47 garues.

Ju kujtojmë se Albin Tahiri do të garojë edhe më 16 shkurt 2022, në disiplinën e sllallomit./ KultPlus.com

‘Sa herë që shtëpisë tënde kaloj, e vogëlo’

Poezi nga Heinrich Heiner

Sa herë që shtëpisë sënde
Kaloj, e vogëlo,
Gëzimi është prej zemre
Dritares kur të shoh.

Ti syçkat si ulli
Mbi mua i pushon:
– I huaj, kush je ti,
Që dhimbjes i ngjason?”

– Unë jam poet gjerman,
I njohur n’atë vend;
Askush mua s’më ndan
Më t’mirët kur përmend.

Çka mua më mundon,
Mundon dhe shumë atje;
Në vuajtjen, që s’mbaron
Çdokush dhe timen njeh.”/ KultPlus.com

Vetëm jeta s’mund të matet

Shkruan: Ali Asllani

Vetëm jeta s’mund të matet

Dhe ajo qe m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
Vate jeta ime vate, me la vetëm një kujtim
S’di, i ziu, c’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
e me ndrit e me tregon gjurmëzat e zotëris’ sate

Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate’
meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë
s’di, i mjeri c’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish
midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate

Thonë paska paraise, gjith’ lulishte e pallate
tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
s’di, i ziu, c’është hyrija, por hyrirat më të mira
s’mund të ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate

Paska vende gji-ergjënd e pallate me shtatë kate
ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa me kaçupa
s’di, dhe s’di, se c’është kaçupi, me pëlqen më tepër kupa
kur ma mbush e kur ma jep, ajo dore pa mëkate

Dy te tretat e një kohe, të një shekulli që vate
vate jeta ime vate, me ‘te bashke van’ dhe fatet
s’di, i ziu, se ku vane, vetëm jeta s’mund te matet
veç me ditët qe kalova, ne prani te zotëris’ sate. /KultPlus.com

Dua Lipa me rekord historik, artistja e parë që ka gjashtë këngë me mbi 1 miliard transmetime

Kënga “Scared to be lonely”, një bashkëpunim mes Dua Lipës dhe Martin Garrix ka arritur shifrën e 1 miliardë transmetimeve në platformën muzikore “Spotify”, shkruan KultPlus.

Lipa dhe Garrix kanë arritur një shifër të jashtëzakonshëm të transmetimeve, këngë e cila u vlerësua shumë nga adhuruesit e dyshes.

Me këtë shifër të arritur, Lipa tani është artistja e parë në histori të platformës “Spotify”, e cila ka gjashtë këngë që kanë arritur mbi 1 miliardë transmetime.

26 vjeçarja aktualisht është në turneun e saj “Future Nostalgia Tour”, ku do të udhëtojë nëpër disa vende të botës.

Në anën tjetër, Dua Lipa ka njoftuar se është duke punuar në albumin e saj të dytë. /KultPlus.com

‘Tirana e hershme dhe fëmijnia jonë e mjerë’

Mustafa Greblleshi

E kam të gjallë Tiranën e vogël me një grusht shtëpish qerpiçi e me një hotel të vetëm po prej qerpiçi, po me nji emën me nam: “Hotel Stambolli”. Se qysh i ka qëndrue furisë së moteve e ka mbetë në kambë edhe sot e kësaj dite, i qofsha falë. E ke mbas Mapos ushqimore, ku po ngrihen apartamentet e reja, ku nis Rruga e Durrësit. Konaqe me oxhakë kishin vetëm Toptanasit. Elektriku nuk njihej. Edhe llamba me vojguri e rrallë ish. Atë e gjeje vetëm në zyrat e hyqymetit e në odat e shtëpive me oxhak. Te votrat tona, ku ngrihej tymi fjollë, mu aty te carani, ngjat flakës së druve, digjej pishtari a flaka e bishtukut. Nji fjollë e zezë tymi, ngjitej përpjetë përtueshëm e me përdredhime… Elektrik nuk kish as xhadeve. Kandila me voj, rrallë e tek, xixëllonin rrugëve e ndriçonin nji sofër vend. Në do drushta të shtrembta vareshin fenerët, Mbramjeve, nji rrogtar i ngarkuem, me nji vojnik në dorë, i qasej drushtave. Ulte fenerin me anë të nji sixhimi, e ushqente me voj, e ndizte e kalonte te tjetri, tue shkelë me hap të randë nëpër gurët e shrregullt të kalldrameve. Kalldrame, vija uji, vorre e ullij ka pasë motit Tirana. Vorrezë e ullij ish i gjithë Pazari i Ri. Vorrezë e ullij, Sheshi Skënderbej, vorrezë e selvi Sheshi i monumentit të Partizanit. Gjithkund vorrezë. Në çdo lagje. Më kujtohen mirë ato fushat e vorreve, se unë e moshatarët e mij i vizitojshim shpesh, për të mos thanë për ditë.

–A di përse na të vegjlit silleshim vorreve? – vijoi Shyqri Beqir Fuga -Te hymja e vorrezëve, me të perënduem të diellit, do të takojshim patjetër ndonji plakë te mbështjellun me napën e bardhë. Plaka e mbështjellun me napë të bardhë dhe e ulun kambëkryq, shtronte përpara nji kuze të madhe me topa hallve dhe pranë kuzes nji ibrik dheje me ujë. Me zanin e saj të mekun e të mbytun ajo ftonte kalimtarët e rrallë të marrin “rahmet” për të afërmin e saj, që kish shkue kësaj bote. Kalimtari kthehej, përkulej mbi kuzen, merrte nji shuk hallvë, pinte edhe nji hurm ujë me atë çyçën e trashë t’ibrikut si kaçarrum dhe largohej në punë të vet, si i lëshonte nji rahmet shpirtit të të vdekunit. Po kështu përkuleshim edhe na të vegjlit, përlanim sikush nga nji shuk hallvë të ngrohtë e nga nxitimi voji na rridhte nëpër buzë. Pijshim nga nji herë ujë e me radhë i lëshojshim nga nji rahmet atij që kish shkue me të shumtët. Ja kështu bridhshim vorrezë me vorrezë. Ku të gjejshim ndonji plakë me tepsi përpara se ishim, si thonë, me lugë në brez. Nji grue tjetër, po e shtëpisë së përzishme, e mbështjellun gjithë me napë të bardhë e me tepsi përpara, rrinte në krye të rrugës së lagjes. Edhe ajo u kish zanë shteg kalimtarëve e i priste si në pritë. Na të vegjlit, si të mëdhajt, dy herë në nji tepsi nuk bajshim kabull me marrë, se e kishim për keq e për gjynah. Dy herë i urojshim prehje e paqe të vdekunit, po të marrim dy topa hallvë në nji tepsi, s’e pat thanë Zoti.

Prani e dalldisi në mendime Shyqri Beqir Fuga. Si të rrekej me i renditë në mend kujtimet e largëta që i vijshin me vrull. Ai pat folë si nji nxanës i përgatitun mirë, që s’don ta ndërpresish. Po ashtu nisi e foli sërish:

-Rrallë e tek u çelën do dyqane në Rrugën 28 Nandor. Në njanin syresh, në nji dyqan me harqe përballë Sahatit, pashë nji natë nji grumbull njerzish që ishin mahnitë si u mahnita edhe unë, prej dritës së fortë të nji llambe që s’patëm pa kurrë parandej. Ish nji petromaks. S’ngiheshim tue soditë ato dy mëshikza mëndafshi, që ndriçojshin aq fort, e s’dijshim si me e spjegue atë zhurmë si zhuzhurima e bletës. Elektrik si sot pamë për herë të parë kur patën qenë këtu austriakët, nemselitë si i quejshim na. Kur ndizeshin elektrikët e nemselive, nana ime binte në shehadet, se i ngatërronte me shkreptimat. Asokohe shkeli së pari kalldramet tona automobili. I madh e i vogël, të rij e pleq, i shkojshin mbas automobilit të parë. Ish nji automobil me rrota të nalta, si qerre. Pat edhe asish që e quejtën qerrja e qoftëlargut e i ndërsyen qentë e lëshuem, qent e kasapëve. Po kështu i fuguen pas edhe Shazivar beut kur pat sjellë nga Vjena biçikletën e parë.

E tillë ish Tirana kur kremtohej Nevruzi, Moti i Ri allaturka, kur njerëzit vritshin mendjen për të sajue nji byrek me lakna e s’u shkonte ndërmend se do të vijë nji ditë që do të rendin rrugëve e dyqaneve për të ble ambëlsina, fruta, lojna e kuklla për fëmije – tha Shyqri Beqir Fuga tue e pa me të qeshun shokun e tij. – Për të kremten e Nevruzit e kisha fjalën. Na të vegjlit e pritshim darkën me padurim, vetëm për atë byrekun me spinaq që e bajshim derë për derë e që e quejshim byrek me pare. Thërriste hoxha në minare, ja niste me gjëmue lodra me topuz e tallamazi me kaish. Uleshim të gjithë rreth e qark byrekut. Ndërmjet petëve të laknorit fshihej nji koron sermi, i mbështjellë me nji shuk brumi. I pari i shtëpisë e sillte vërdallë tri herë tepsinë. Mandej zejshim fill me hangër. Kujt t’i takonte për rrisk koroni kishte të drejtë me e përvetësue. Hej ç’kismet kishte ai që peshkonte atë koron të mbështjellë me nji guaskë brumi, si karavidhe! Ajo pare e vogël sermi të bante zot për disa çaste, se me ballin nalt, e ndaloje në vend, në daç sheqerxhiun, në daç simitxhiun. Kur ta shihshin në dorë atë pare sermi, si njani tjetri, ishin gati me të shërbye si t’ishe ti bir oxhaku. I pari ulte tavllën e të lente të zgjedhish, me dorën tande, copa hallve, mollë sheqeri të kuqe, tasa hashuresh, lule Stambolli. Tjetri i kthente simitet përmbys, për me të prishë mendjen me avullin e ngrohtë e me erën e kandshme të qiqrës.

Gjellë për darkë e për davet ish byreku me spinaq, byreku me pare sermi. Bam bum e dum dum, bubullonte tej e përtej daullja me topuz e Zhing zhang, tallamazi me kaish. Tak tak, trokitte zemra jonë e vogël që dridhej e dëshirueme për të gjetë, në petat e byrekut me spinaq, paren e vogël prej sermi. Atë pare sermi, që të bante me hangër simite të ardhuna me brumë qiqre e copa hallve me susam, kurrë nuk e pata gjetë në petat e byrekut me spinaq. Më kujtohet ashtu si nëpër gjumë se nji moti e gjet nana ime. Mirëpo ajo nuk u krenue si bajshin të tjerët, heshti dhe me marifet e vu në pjesën e laknave të mija. Që të gëzohesha edhe unë. Se i pat mbetë gozhdë në zemër kur më pat rrejtë disa herë: kur kalonte sheqerxhiu me tavllën plot hallvë, hashure e lule Stambolli. Zani i fortë i hallvaxhiut buçiste e ushtonte së largu e na e dridhte shpirtin ne të vegjëlve.

“Sheqerxhiu!” ulërija unë së vogli, tha Shyqri Beqir Fuga – e doja pa derman nji grosh, se goja më lëshonte larg për të lëpimë një aso mollësh sheqeri, gjak të kuqe. Po nana, dritë i pastë shpirti – se të thashë o Maksut vdiq e re; nuk vdiq, plasi – nana, me atë zanin e saj të ambël e gjithë ankim më thosh: “Jo bir, nuk asht sheqerxhiu, asht hoxha”. Thërret hoxha në minare, se u ba vakt dreke. Hajde të të jap nana nji copë bukë! Me çka e do, me gjizë apo me ullij? “Me gjizë, jo me ullij, e doja bukën. Se ullijt i kisha mbledhë vetë, kokrra kokrra, kur i shtronte era përmbi vorret. Më pëlqejshin fort ullijt e regjun me krypë e me voj, po nuk i haja. Më dukeshin ullij të vdekunish. Ullij të njomun me vesë vorresh. Nji ditë tjetër, kur nana ish shtrue – e s’u çue ma – në rrugë buçiti sërish zani i fortë i sheqerxhiut. Ajo u drodh e më pa me ata sy të fikun. Mandej nxori nga gjini nji grosh e ma dha: “Merre bir e shko blej nji mollë sheqeri”.
– Ai grosh ish i ngrohët. M’u ba sikur ma dogj e ma përvëloi dorën. Ja ktheva prapë e i thashë: nuk e due nanë. Nuk asht sheqerxhiu. Po thërret hoxha në minare. Nana nuk foli. Veç nga ata sy të fikun, riguen çurk lotët e zbritën faqeve të zbehta. Me faqen time ja tera, e zjarri i etheve që digjte atë, më dogji edhe mue. Ky zjarr më dogji mirë nji ditë, kur te kryet e rrugës sonë, nji plakë e mbështjellun me napë të bardhë, me tepsi hallve përpara e me ibrik dheje, me za lutës u kujtonte kalimtarëve të marrin nga nji top hallvë për t’i lëshue rahmet shpirtit të nji grueje të re. Kjo grue e re që u fik përgjithmonë e që më la rrugëve, ishte nana ime. Ajo i mbylli sytë zemërplasun.

Ja Tirana e hershme dhe fëminia jonë e mjerë, – përfundoi Shyqri Beqir Fuga – Byreku me spinaq ish gjellë e rrallë. Sot kalamajt tonë e presin Motin e Ri të veshun e të qeshun. E presin me të gjitha të mirat. Kur qesh i vogël, i vogël si Ndue Gjokë Frroku, s’u gjet kush të më sjellë nji peshqesh. Sot, edhe pse im bir asht midis të gjitha të mirave në Kinë, unë mendoja ç’dhuratë t’i çoj, se më mbetej peks po ta ndaja nga këta pesë të tjerët. Ashtu si ti, që s’po të pritet gjersa të blejsh nji kukull të bukur për vajzën tande. Kujtoj se u çlodhëm, o Maksut Hasan. Shi nuk po bie ma. Çohemi e shkojmë bashkë dyqaneve për të zgjedhë nji kukull të bukur.

Në Rrugën e Postës, përballë magazive të valutës, qenë grumbullue plot njerëz. Qëndruen edhe të dy bojaxhinjtë.

– Me fal shoqe, ç’farë ka dalë këtu?

– Kukulla shok, kukulla të bukura për fëmijë. Hynë. Shitsja hapte kutitë dhe nxirrte gjithfarë kukullash të bukura, me flokë të gjatë e të shkurtën, me flokë të zes e të verdhë. Nji palë me fustane të gjata, nji palë me tuta, nji palë me veshje marine.

– Sa kushtojnë? – pyeti Maksut Hasani nji grue të re, e cila tue dalë nga dyqani i buzëqeshte kukllës ashtu si nji nanë e re i buzëqesh bebes. – Katërqind lekë – tha grueja e re. -E vlen për gazin që i fal fëmijës.

Maksut Hasani iu vardis shitëses:

– Të lutem shoqe, më jep nji kukull! Atë me flokë të zes e me përparse të bardhë. Duket kukull punëtore. /KultPlus.com

Kinematografia thyen tabutë, 10 filmat që u bënë pjesë e historisë

BBC ka renditur dhjetë filmat që thyen tabutë në kinematografi.

Një ndër ta është edhe filmi me personazhin e parë gei. Homoseksualiteti ishte një fenomen jo i përdorur në filmat evropianë dhe hollivudianë që nga vitet 20’, 30’, 40’ por sugjerohej që ato të jepeshin të koduar. Filmat eksperimentalë nuk kishin ndërmend të ekspozoheshin, por megjithatë, 20-vjeçari Kenneth Anger, një nga producentët më të mirë amerikanë, u dënua për prodhimin e filmit Fireworks në vitin 1947, një film për jetën e një të riu homoseksual.

Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Në fund ata e liruan Kenneth Anger, duke i thënë se filmi ishte art dhe jo pornografi. Ndërsa skena e parë e seksit në një film i përket vitit të largët 1933. Një aktore austriake 18-vjeçare, Hedy Lamarr, e theu këtë tabu në filmin çek “Ecstasy” në vitin 1933. Dy skena në veçanti shkaktuan polemika. Në rastin e parë, kur Lamarr noton nudo në liqen.
Dhe rasti i dytë, ajo kryen marrëdhënie seksuale me një mashkull, që besohet të jetë hera e parë e raportit seksual në një film jo-pornografik. Kamera merr plane detaj të fytyrës së saj gjatë skenës kur ajo është e pushtuar nga pasioni. Skena e parë seksuale shfaq për herë të parë orgazmën femërore në ekran. /Përgatiti: Endri Farka/Tirana Observer

1. Fjala e parë fyese
Shumë vetë besojnë gabimisht se thënia e fundit e Rhett Butler në ‘Gone with the Wind’ – I dashur Frankly, mua nuk më plas fare – është fjala e parë fyese e përdorur në një film të Hollivudit. Por ajo nuk është hera e parë sepse 14 vjet përpara këtij filmi, në vitin 1925, Mbreti Vidor në filmin e tij me luftë “Parada e Madhe” shfryhet kundra armiqve duke thënë – Mallkuar qofshin shpirtrat e tyre.

2. Skena e parë e seksit
Një aktore austriake 18-vjeçare, Hedy Lamarr, e theu këtë tabu në filmin çek “Ecstasy” në vitin 1933. Dy skena në veçanti shkaktuan polemika. Në rastin e parë, kur Lamarr noton nudo në liqen. Dhe rasti i dytë, ajo kryen marrëdhënie seksuale me një mashkull, që besohet të jetë hera e parë e raportit seksual në një film jo-pornografik. Kamera merr plane detaj të fytyrës së saj gjatë skenës kur ajo është e pushtuar nga pasioni. Skena e parë seksuale shfaq për herë të parë orgazmën femërore në ekran.

3. Personazhi i parë gei
Homoseksualiteti ishte një fenomen jo i përdorur në filmat europianë dhe hollivudianë që nga vitet 20’,30’,40’ por sugjerohej që ato të jepeshin të koduar. Filmat eksperimentalë nuk kishin ndërmend të ekspozoheshin, por megjithatë, 20-vjeçari Kenneth Anger, një nga producentët më të mirë amerikanë, u dënua për prodhimin e filmit Fireworks në vitin 1947, një film për jetën e një të riu homoseksual. Çështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Në fund ata e liruan Kenneth Anger, duke i thënë se filmi ishte art dhe jo pornografi.

4. Puthja e parë ndër-rracore
Kodi i Hollivudit në vitin 1934 ndalonte marrëdhëniet ndër-rracore. Por shumë filma filluan ta sfidonin Kodin gjatë viteve ‘50. Filmi “Killer’s Kiss” i Stanley Kubrick shfaqi puthjen e parë midis një femre të bardhë (Irene Kane) dhe mashkullit me ngjyrë (xhamajkanit Frank Silvera). Silvera kishte lëkurë të zbehtë, dhe nuk po luante rolin e një personazhi me ngjyrë në film, prandaj dyshohet nëse audienca ka qenë në dijeni të prejardhjes së tij afrikane. Më pas në 1957, erdhi filmi ‘Island in the sun’. Ai shfaqte romancën mes një vajze të Karaibeve (Dorothy Dandridge) dhe zyrtarit britanik (John Justin). Pas këtij vjen filmi “The Crimson Kimono” filmi i parë hollivudian që shfaq një puthje të vërtetë ndër-rracore.

5. Shpëlarja e parë e VC-së
Filmi ‘Psycho’ i Alfred Hitchcock nuk kishte asnjë shfaqje nudo gjatë skenës së dushit – por një tjetër dukuri në banjon e Motelit Bates tërhoqi vëmendje të madhe: zhurma e shpëlarjes së vc-së në një film Hollivudi. VC-ja është shfaqur edhe në filma të tjerë më parë, si në filmin e vitit 1928 ‘The Crowd’, por jo me zhurmën e shpëlarjes. Audiencës iu desh të priste 10 vjet pas filmit Psycho që ta shihte këtë skenë.

6. Femra e parë nudo
Filmi “Inspiration” (1915), rreth një artisti që kërkonte modelen perfekte që të ishte muza e tij, mund të ketë qenë shfaqja e pare e një femre nudo në ekran në një film jo-pornografik. Deri në vitet 30’ kjo gjë nuk lejohej, pasi censuroheshin. Filmi ‘Peeping Tom’ i Michael Powell e theu këtë tabu kur, personazhi i Pamela Green shkurtimisht ekspozoi gjoksin e saj. Karriera e Powell u mbyll pak kohë pas polemikave që u krijuan rreth filmit Peeping Tom. Pas ndryshimit të Kodit për moslejimin e personazheve topless, prodhimi i parë që u shfaq ishte “The Pawnbroker” i Sidney Lumet.

7. Vrasja e parë për vdekje
Kodi i Hollivudit në vitin 1934 thoshte se një vdekje nga të shtënat duhet të filmohet në dy pjesë: e shtëna e qitësit, dhe më pas viktima që bie. Filmi i Sergio Leones “A fistful of dollars” theu këtë rregull në skenat e mëparshme. Kamera është e pozicionuar pas personazhit të Cleant Eastwood, kur ai i qëllon një grupi kundërshtarësh të cilët rrëzohen njëri pas tjetrit. Ky ishte efekti i qitësit, i cili rrit identifikimin e dhunës tek audienca.

8. Plaga e parë me gjak
Shumë pak vdekje të shkaktuara nga të shtënat shoqëroheshin me plagë tek viktima. Kjo skenë u realizua nga regjisorët në filmat bardh-e-zi, veçanërisht nga Alfred Hitchcock, në skenat e tmerrshme të vdekjes në filmin ‘Foreign Correspondent’ (1940). Këto skena ishin më të rralla në filmat me ngjyra. ‘Bonnie and Clyde’ (1967) ndryshoi gjithçka kur tregoi viktimën e qëlluar në fytyrë nga dyshja vrasëse. Filmi përfundon me Bonnie-n dhe Clyde-n të mbytur nga plumbat, dhe me rrobat e tyre plot gjak.

9. Mashkulli i parë nudo
Producentët e filmave kanë qenë ngurrues për shfaqjen e lakuriqësisë së meshkujve se sa të femrave. Biles edhe kur regjisorët përfshinë plane të meshkujve pa rroba në vitet 60’ – si në filmin ‘This Sporting Life’ të Lindsay Anderson dhe ‘Seconds’ të John Frankenheimer. Shumë prej këtyre filmave janë censuruar përpara lançimit të tyre. Filmi ‘Women in Love’ i Ken Russell mund të jetë filmi i parë që paraqiti meshkuj nudo, një ndeshje mundjeje ku Oliver Reed dhe Alan Bates ishin nudo.

10. Vdekja e parë reale
Imazhe të vdekjeve aktuale kanë qarkulluar nëpër kronikat e lajmeve përgjatë viteve por një nga dokumentarët kryesorë që tregoi një vrasje ishte dokumentari i vitit 1970 nga Gimme Shelter, një tregim i koncertit të Rolling Stones në Kaliforni. Kulmi i filmit ishte vdekja e Meredith Hunter, afrikano-amerikanit që u përpoq të sulmonte skenën me një pistoletë në dorë. Alan Passarom një anëtar i Hells Angels, me përgjegjësinë e sigurisë, e goditi disa herë me thikë Meredith Hunter në kurriz. Video u përdor në gjyq, dhe e liroi truprojën për shkak të vetë-mbrojtjes. ‘The passenger’ i Michelangelo Antoninit konsideroi si filmi i parë që shfaqi pamjet e një vdekjeje: një burrë i dënuar që ekzekutohet nga skuadra e pushkatimit.(Bota.al). /KultPlus.com

‘Jetojmë në një botë ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria’

Shkrimtari, gazetari dhe publicisti Eduardo Galeano i cili ishte i njohur me krijimet e tij fillimisht në Spanjë, e më pas i përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës, shumë shpesh ka pasë deklarata të fuqishme, të cilat përkojnë edhe me ditët e sotme.

Ndërsa KultPlus ju sjell këtë deklaratë të famshme të Galeanos, që ka të bëjë me vdekjet, dasmat, dukjen e diturinë.

‘Jetojmë në një botë ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri, ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria. Jetojmë në kulturën e ambalazhit, e cila e urren përmbajtjen.’/ KultPlus.com

Kur të më jesh e zemëruar

Shkruan: Lasgush Poradeci

Kur të më jesh e zemëruar

Ti m`u rrëfeve për sëpari shkrepëtimtare në stoli,
Un` ëndërrova se në zemër po më valon një mall i ri.
O, ç’ka që m`u venit qipalla me kaq të ngjethur të pafaj?
Haj!shkretëtirë-e-zemrës`s`ime! Dhe haj! e zeza jetë,haj!

Posi një yll i perënduar më pate humbur gjith më larg…
Nga malli yt i thura fjalët gjith sërë-sërë-e-varg-e-varg;
E çdo mendim e pata tretur vetëm n`ërgjënd e në flori,
O,vashë-e lotit të zhuritur që vetëtin nër syt` e mi.-

Prej largësisë së pa anë kalon durimi mot-me-mot…
Pas kaqe kohë dhemshurije,ndaj vëndi-i lum as eja sot!
Në gjirin t`ënd të llaftaruar m`a lerë mëndjen t`a humbas,
Të ndjej si zemra më gatohet plot me dëshir` e plot me gas.
Ti buzëqesh-më-zilitare,e më çkëlqe si vetëtim,
E më vështro me sy pëllumbi drejt mun në fund të shpirtit t`im;
Se gazi-i-kthjellt` i lumtërisë, që çel si lulja në mëngjes,
Si lule-e pastër do më mbijë në krahruar mun në mes:
Kur të më jesh e zemëruar, më shpirt të vrarë-e varfnjak,
N`e mbajç në zemër zembëratën, prej helmit t`ënd s`do heq aspak;
S`do psherëti n`e lënc të vdesë,a në `m`a thënc,në mos m`a
thënc:
Mjafton një mvrejtje-e buzës s`ate,që të më bësh të prishem
menc. /KultPlus.com

Rilindja 12 shkurt 2005: Intervista e fundit me Presidentin Rugova

Shkruan Behlul Jashari

Intervista ekskluzive e Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, dhënë në jubileun e 60 vjetorit gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja, botuar në 12 Shkurt 2005. Kjo është intervista e fundit – një nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin Rugova.

Mbititulli: Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i dha intervistë ekskluive gazetës ‘Rilindja’ në jubileun e 60-vjetorit

Titulli në faqen 1 e 2: Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin 

 Titulli në faqen 3: Shumë institucione ndërkombëtare e kanë kuptuar se Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt

Titulli në faqen 4: Rilindja ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës

——————–

Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo 
zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i 
bashkësisë së kombeve të botës së lirë, ka theksuar Presidenti Rugova në një intervistën ekskluzive në jubileun e 60-vjetorit të gazetës Rilindja.

“Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, 
kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar z. Rugova.
“Unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet 
Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e 
Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe 
fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e 
shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha 
presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja.
Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe 
marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një 
fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha z. Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët 
tanë, ka theksuar z. Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa 
më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.”
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe 
qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka 
deklerësuar z. Rugova.

——————–

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili  ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për 
të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.


RILINDJA: Z.President, Pavarësia e Kosovës, nga një vizion e kërkesë e dëgjuar fillimisht nga Ju para më se 15 vjetëve, për çka populli i Kosovës në shtatorin e vitit 1991 u deklarua edhe me referendum me 99, 87 për qind të votave, tashmë është bërë çështje debati apo edhe angazhimi ndërkombëtar. Në Bruksel, në konferencën “Kosova drejt statusit final”, u tha se ka ardhur koha që statusi final i Kosovës nuk mund të presë më, ndërkohë që Grupi Ndërkombëtar i Krizave, edhe në Raportin më të ri për Kosovën, zgjidhje sheh Pavarësinë. Si i vlerësoni këto zhvillime? 

PRESIDENTI RUGOVA: Këto zhvillime të fundit i vlerësoj pozitive, sepse që gjashtë vjet pas luftës në liri, ne kemi bërë progres, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës. Dhe, natyrisht, atë që e përmende ti, prej një vizioni, prej një vullneti, që ishte i popullit, dhe që u vërtetua më 1991, pastaj periudhat që erdhën më vonë, ishte një çështje që u ngrit dhe u avancua me organizimin tonë që e bëmë, që u organizuam si popull, si shoqëri, si shtet. Dhe, jemi sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë së Kosovës, që Kosova dhe populli i saj më në fund të jetë një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë. 

RILINDJA: Ky vit është paralajmëruar si Vit i Kosovës, shumë i rëndësishëm, madje edhe vendimtar. Çka do të sjellë vera, mesi i këtij viti, kjo kohë e caktuar nga komuniteti evroatlantik për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe çështjen e Statusit final të Kosovës? 

PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Ndërsa është pikëpamja tjetër, apo rruga tjetër ndërkombëtare, që të bëhet një vlerësim i progresit në Kosovë, i normave, apo që u thonë standarde, por ato janë, unë them, më shumë norma ndërkombëtare prioritare për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe, natyrisht, tash do të jetë një vlerësim i kohëpaskohshëm. Ju e dini, Këshilli i Sigurimit ka bërë një vlerësim në fund të nëntorit, pastaj do të ketë edhe vlerësime të tjera, edhe vlerësimet që do të shkojnë gradualisht, edhe që do të thuhet se Kosova i ka përmbushur normat që janë paraparë dhe të bisedohet për Pavarësi, unë nuk po them statusi final me eufemizëm apo me diçka tjetër. Po, unë mendoj se kjo rruga që të njihet drejtpërdrejt është shumë më e mirë e më efikase dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës, edhe po punoj në këtë rrugë, në rrugën e parë më shumë jam përqendruar, natyrisht edhe në rrugën e dytë që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare këtu në Kosovë t’i avancojmë këto çështje. 



RILINDJA: Që të arrihet me kohë dhe suksesshëm në cak, a ka edhe një fuqizim të dinamikës në ecje dhe prioritete në përmbushjen e Standardeve? Dhe, cilat janë prioritetet? 

PRESIDENTI RUGOVA: Është stabiliteti politik, si për çdo vend që duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, pastaj mbrojtja e minoriteteve apo e grupeve etnike, apo si doni t’u themi, dhe është edhe një reformim i administratës së përgjithshme, një reformim i pushtetit lokal, që kërkohet nga shumë vende për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe ne, siç e dini, kemi filluar në këto çështje të punojmë që nga viti i kaluar, pastaj sivjet më shumë, është një dinamikë më e madhe e Qeverisë së re, natyrisht edhe e UNMIK-ut, sepse ne, së bashku me UNMIK-un, duhet t’i ecim këto punë, dhe me kalimin e kompetencave, duhet të zhvillohen këto më shumë. Po punojmë, pra, që të arrijmë dhe të bëhet një vlerësim pozitiv për afrim në Bashkimin Evropian sa më shpejt. 

RILINDJA: Grupi i Kontaktit, që takohet rregullisht edhe në Prishtinë, ka theksuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve kosovarë në procesin politik në Kosovë, duke e vlërësuar këtë si rrugën më të mirë për zgjidhjen e shqetësimeve të ligjshme të tyre. Nga diplomatë perëndimorë krijimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike shihet si një standard përmbyllës i të gjitha standardeve për Kosovën. Ju vazhdimisht angazhoheni dhe bëni thirrje që serbët e Kosovës të marrin pjesë në procese dhe të integrohen në institucionet e në shoqërinë kosovare. Si i vlerësoni zhvillimet në drejtim të këtyre kërkesave e qëllimeve? 

PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, sa u përket komuniteteve, në këtë rast serbëve, ne i kemi vendet e rezervuara në Parlament për të gjitha minoritetet – 20 vende, 10 i kanë serbët, në Qeveri minoritetet tash i kanë 3 ministri – 2 serbët, një të tjerat. Ata duhet t’i marrin këto vende, dhe kanë filluar t’i marrin një grupacion i bashkësisë apo i minoritetit serb, dhe kjo është ajo jeta demokratike që mund të zhvillohet edhe brenda tyre, por edhe brenda Kosovës, dhe shpresojmë se do ta kuptojnë dhe do të marrin pjesë edhe në Parlament, ku një grupacion merr pjesë, dhe duhet edhe ata të vendosin të integrohen në shoqërinë e në shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo është edhe e ardhmja e tyre. Dhe, ne nga ana jonë, i kemi kryer obligimet, edhe natyrisht si njerëz edhe si politikë, ne insistojmë dhe tregojmë gjithnjë e më shumë vullnet të mirë, por edhe ata duhet të tregojnë një vullnet të mirë për të punuar në institucionet e në shoqërinë e Kosovës. 

RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet? 

PRESIDENTI RUGOVA: Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre. 

RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda? 

PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave. 

Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara. 



RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi? 

PRESIDENTI RUGOVA: Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik. 

Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj. 

Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë. 

RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon? 

PRESIDENTI RUGOVA: Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok. 

RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike? 

PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë. 

RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit. 

PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!

RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President. / KultPlus.com

Albin Kurti falënderon ShBA-në për donacion, u bën apel qytetarëve të vaksinohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë fushatën e saj të vaksnimit, pasi pandemia ende nuk ka marrë fund, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kurti ka thënë se Kosova ka administruar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID.

“Sot kemi shënuar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID të administruara në Republikën e Kosovës, ndërsa gati 900,000 qytetarë janë vaksinuar me të paktën një dozë. Këto arritje kanë ardhur si rezultat i vullnetit të qytetarëve të Republikës për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët rreth tyre, si dhe i punës së palodhshme të punonjësve shëndetësorë, për të cilën jemi të gjithë falënderues”, ka thënë ai mes tjerash.

Tutje, i pari i ekzekutivit ka përmendur edhe donacionin e vaksinave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mirëpo, përderisa pandemia ende nuk ka marrë fund, edhe fushata jonë e vaksinimit duhet ende të vazhdojë. Për këtë arsye, kemi pranuar dje një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 515,970 dozave shtesë; në total arrihen mbi 1 milion vaksina të dhëna nga ShBA. Ky donacion do ta ndihmojë Kosovën që të zgjerojë sa më shumë imunitetin mes popullatës sonë. U jemi përjetësisht mirënjohës ShBA-së dhe aleatëve të tjerë që kanë kontribuar në betejën tonë kundër COVID-19.”.

Kurti në fund të postimit i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin dy dozat e para sa më shpejt, pasi, sipas tij, mbrojtja kundër infektimit, spitalizimit dhe humbjes së jetës bie dukshëm duke filluar disa muaj pas imunizimit me dy dozat e para.

“Me kujdes të shtuar, bashkë do t’ia dalim”, ishte mesazhi i Kurtit.

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, deri më sot 810,436 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. /KultPlus.com

Publikohet orari, Albin Tahiri garon nesër në dy disiplina

Albin Tahiri do të vazhdojë nesër aventurën e tij në Lojërat Olimpike “Pekini 2022”, shkruan KultPlus.

Dy disiplinat në të cilat Tahiri do të garojë nesër janë skijimi alpin dhe sllallomi i madh.

Skijimi alpin do të jetë nga ora 3:15, derisa me fillim nga 6:45, Tahiri do të përfaqësojë Kosovën në Sllallomin e madh.

Në një intervistë për KultPlus, pak kohë përpara se të nisej për në Pekin, Tahiri kishte deklaruar se sllallomi nuk është aspak i vështirë për të, pasi ka krijuar përvojë ndër vite.

Rezultati më i mirë të cilin Tahiri e ka marrë në këto Lojëra Olimpike, ka qenë vendi i 15-të, si rekord për Kosovën dhe rekord personal i tij. /KultPlus.com