Bisede e shkurtër

Poezi nga Charles Baudelaire

Në rregull, derisa jemi duke kremtuar me
mirësi sonte
dhe derisa muzika e trentë klasike më pushton
nga
radioja ime e vockël, po e ndez një puro të
këndshme
dhe po e kuptoj se ende jam goxha i fortë
dhe se
shekulli i XXI gati më ka zënë
Po eci pa u ndier drejt orës 5 të mëngjesit
në këtë natë të errët.
Pesë macet e mia hyjnë e dalin, duke më
kërkuar,
i kam përkëdhelur, u kam folur, ato
janë plot me frika të tyre vetjake të farkëtuara
nga shekujt
e mëparshëm të vrazhdësisë dhe keqtrajtimit
por kujtoj se ato më duan aq sa munden,
sidoqoftë, ajo që po përpiqem të them këtu
është se të shkruarit tash është po aq
ngazëllyese dhe i marrë dhe
bash rrezikim i madh për mua aq sa ka
qenë gjithmonë, ngase vdekja
pas gjithë këtyre viteve
shëtit nëpër dhomë me mua tash dhe më
flet me butësi,
duke më pyetur, a mendon se ende je
shkrimtar
i vërtetë? A je i kënaqur me atë që ke bërë?
dëgjo, lërmë ta pi një nga ato
purot.
Shërbehu, halabake, i them.
Vdekja e ndezë dhe ne rrimë ndenjur pa
folur për një copë herë.
mund ta ndiej këtu me mua.
A nuk të merr malli për egërsinë
e rinisë? Më në fund më pyet.
Jo edhe aq shumë, i them.
Por a nuk të vjen keq për gjërat
që kanë tretur?
Aspak, i them.
A nuk të mungojnë, Ajo më pyet me dredhi,
vashat
që të futeshin nëpër dritare?
E gjitha që sillnin ishin lajme të këqija, i
them asaj
Mirëpo iluzioni, ajo thotë, a nuk të mungon
iluzioni?
Ta merr mendja, pse ty jo, a? e pyes.
Unë nuk kam iluzione, ajo thotë
trishtueshëm.
Më fal, kam harruar për një gjë të tillë, i
them, pastaj i afrohem
dritares.
I patrembur dhe çuditërisht i kënaqur
për të shikuar shkrepjen e agut
të ngrohtë./ KultPlus.com

Përkujtohet Gjergji Canco, drejtori historik i Politeknikumit 

Si sot, më 22 gusht 1971, ndërroi jetë një nga kolosët e arsimit profesional shqiptar, Gjergji Canco.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, kujton se Gjergji Canco, studenti i Liceut të Korçës, qytetit të tij të lindjes dhe profesor në shumë shkolla, do të spikaste më shumë për themelimin dhe drejtimin për shumë vite me radhë të institucionit arsimor “Politeknikumi 7 Nëntori”.

Canco është pasues i denjtë i meritave të padiskutuara të shkollës së ndërtuar nga Harry Fultz, ku Canco punoi që prej vitit 1932.

Canco do të fitonte bursë studimi nga qeveria e Zogut dhe do të vazhdonte studimet në Fakultetin e Shkencave në degën e Matematikës në Montpelier. Për punën e shkëlqyer ndër vite, ai u dekorua me titullin “Mësues i Popullit”.

Krahas fotove ku paraqitet Gjergji Canco, DPA sjell edhe një dokument, një kërkesë e tij për dekorimin e stafit të Politeknikumit, drejtuar qeverisë së kohës. /atsh /KultPlus.com

‘Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Mëmëdhe quhet toka
ku më ka rënë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes.

Lazër Kodheli, fotografi i mbi 200 pozave të shkrepura në film

Në vijim të “Muajit të Fotografisë”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka nxjerrë një tjetër element me vlerë nga fondi i Muzeut Marubi, një fotografi të Lazër Kodhelit, realizuar gjatë ndërtimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës.

Fotografi Lazër Kodheli lindi më 1928, në Shkodër. Ai u arsimua pranë Kolegjit Jezuit në Shkodër dhe si pasojë e një gjendjeje ekonomike jo të mirë familjare, për pak kohë punoi si ndihmës në shtypshkronjën jezuite.

Më 1939 në moshën 10 vjeçare, i ati e dërgoi së bashku me vëllanë e madh për të mësuar mbi fotografinë, në studion fotografike të Gegë Marubit. Qëndroi aty deri në mbylljen e studios. Ishte bashkë me Marubin, Picin, Rraboshtën e më vonë Nenshatin e të tjerë fotografë edhe kur u hap Ndërmarrja e Artizanatit Shtetëror, ku punoi si fotograf.

Studioi edhe si teknik i laboratorit për zhvillimin e fotografisë dhe njihej si përdorues shumë i mirë i blicit. Më 1985 del në pension. Fondi i tij i ruajtur në muze numëron mbi 200 poza të shkrepura në film. Lazër Kodheli ndërroi jetë në vitin 2008./ atsh/ KultPlus.com

“Gëzuar ditëlindjen dashuria ime”, urimi i Dukagjin Lipës për Duan

Dua Lipa feston sot ditëlindjen.

Super ylli botëror me origjinë nga Prishtina, ka lindur në vitin 1995, ajo mbush sot 27 vjeç.

Në ditën e ditëlindjen ajo po qëndron në Jugun e Shqipërisë, ku edhe po i kalon pushimet në bregdetin shqiptar.

Ndërkaq, sot ajo ka marrë një urim edhe nga babai i saj, Dukagjin Lipa.

“Gëzuar ditëlindjen dashuria ime.
Vazhdoni të jesh e guzimshme, e lumtur dhe e dashur siç je gjithmonë.
Për më shumë udhëtime të tjera si ky rreth diellit.
Të Dua”,
ka shkruar Lipa./ KultPlus.com

Fotografi të rralla të Jimi Hendrix

Jimi Hendrix ishte kitarist, këngëtar dhe tekstshkrues.

Edhe pse karriera e tij zgjati vetëm katër vite ai njihet si kitaristi më i mirë në historinë e muzikës rok.

E sot faqja “History In Pictures” ka publikuar disa fotografi të tij nga viti 1996, përcjell Klankosova.tv.

“Jimi Hendrix në apartamentin e Ringo Starr në Londër, 1966”, thuhet në përshkrimin e faqes./ KultPlus.com

Dua Lipa feston ditëlindjen sot

Dua Lipa feston sot ditëlindjen.

Super ylli botëror me origjinë nga Prishtina, ka lindur në vitin 1995, ajo mbush sot 27 vjeç.

Në ditën e ditëlindjes ajo po qëndron në Jugun e Shqipërisë, ku edhe po i kalon pushimet në bregdetin shqiptar.

E për ‘Javën e ditëlindjes’ Dua ka publikuar një grup me fotografi në profilin e saj në Instagram./ KultPlus.com

‘Ka njëqind vjet që s`ta kam parë fytyrën’

Poezi nga Nazim Hikmet Ran
Shqipëroi: Alban Tartari

Ka njëqind vjet që s`ta kam parë fytyrën
Që s`të jam qepur belit,
Që s`të kam qëndruar në beben e syrit,
Që s`kam pyetur dritësinë e mendjes tënde,
Që ngrohtësinë e barkut s`ta kam prekur

Ka njëqind vjet që më pret
Një grua në një qytet.

Ishim në një degë, ishim në një degë,
Nga një degë ramë e u ndamë,
Mes nesh koha njëqind vjeçare
Rruga njëqind vjeçare.
Njëqind vjet në errësirën pa skaj
Vrapoj pas saj…/ KultPlus.com

Vdes 7-vjeçari nga Gjakova pas kontaktit me rrymën

Një 7 vjeçar nga Gjakova ka vdekur pasi ka rënë në kontakt me rrymën.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për Gjakovën, Sheremet Elezaj i cili tha se fëmija ishte duke u trajtuar në spital.

“Me datën 21.08.2022 rreth orës 19:20 nga Spitali Rajonal në Gjakovë është pranuar informacion se viktima, mashkull i lindur në vitin 2015, i cili ishte duke u trajtuar në spital si pasojë e kontaktit me energji elektrike, kishte ndërruar jetë. Njësitet relevante të policisë janë duke e trajtuar rastin si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Hetim i vdekjes”, thuhet në konfirmimin e Elezajt.

Tutje, ai bëri të ditur se trupi i pa jetë i viktimës dërgohet për obduksion./ KultPlus.com

Një 17-vjeçar kërkon rekordin botëror për pilotimin i vetëm rreth botës

Një pilot 17-vjeçar u ul me avionin e tij në Skoci, në përpjekjen për thyerjen e rekordit botëror si personi më i ri në moshë që fluturon i vetëm rreth globit.

Mack Rutherford u nis nga Sofja më 23 mars të këtij viti dhe fluturoi për në Itali dhe Greqi.

Që atëherë ai ka fluturuar nëpër botë, duke u përballur me stuhitë e rërës në Sudan, nxehtësinë ekstreme në Dubai, mbylljen e aeroporteve në Indi dhe shumë çështje teknike.

Adoleshenti belgo-britanik zbarkoi në Aberdin, në fazën e fundit të udhëtimit të tij të kthimit për në Sofje, ku ai shpreson të mbërrijë më 24 gusht.

“Ka shumë njerëz të moshës sime që bëjnë gjëra të mahnitshme. Shpesh pak njerëz dinë për to. Së bashku mund të tregojmë se të rinjtë bëjnë ndryshimin”, thotë Rutherford.

Mack synon të thyejë rekordin e fluturimit i vetëm nëpër botë, aktualisht i mbajtur nga britaniku Travis Ludlow, i cili e përfundoi këtë sukses në moshën 18 vjeç e 150 ditë.

Adoleshenti dëshironte të bëhej pilot që në moshën tre vjeçare dhe u kualifikua për patentën e pilotit në shtator 2020, gjë që në atë kohë e bëri atë pilotin më të ri në botë në moshën 15 vjeç e dy muaj.

Adoleshenti po fluturon me një të ashtuquajtur ”peshkaqen”, një avion ultra i lehtë me performancë të lartë dhe me një shpejtësi që arrin deri në 300 km/h.

Avioni është përgatitur posaçërisht për një udhëtim kaq të gjatë dhe kompania ICDSoft, sponsorja kryesore i Mackut, po i jep hua avionin për këtë përpjekje./ KultPlus.com

83 vite më parë, në Shqipëri, u hodhën për të fundit herë në qarkullim monedha prej argjendi

Si sot, 83 vite më parë, në Shqipëri, u hodhën për të fundit herë në qarkullim, monedha prej argjendi.

Më 22 gusht 1939, Banka Kombëtare e Shqipnis (1925-1945), hodhi për të fundit herë në qarkullim, monedha prej argjendi. Ato ishin të prerjeve prej 5 dhe 10 lekë. Në bazë të Dekretit të Mëkëmbësit dhe Ligjit të ri për rregullimin monetar të vitit 1939, ato zëvendësuan monedhat e argjendit 1 dhe dy franga ar, emetime të viteve 1926, 1927, 1935 dhe 1937. Më pas, monedhat e qarkullimit u shtypën vetëm në metal të thjeshtë.

Faqja e këtyre monedhave, siç përshkruhet në ligj, mban bustin në profil të Mbretit Viktor Emanueli III me mbishkrimet “VITT•EM•III RE E IMP•MBRET E PER•”. Shpina mban shqiponjën dykrenare të Skënderbeut dhe dy fasha liktoriane anash saj, si dhe mbishkrimet: “SHQIPNI 1939 XVII 5 LEK/ 10 LEK ALBANIA” dhe emrin e gdhendësit G. Romagnoli. Buzët e monedhës kanë mbishkrimin “MBRETNIA SHQIPTARE”. Atsh / KultPlus.com

E mashtruan me një akullore, Pooja Gaud ribashkohet me prindërit pas nëntë vitesh

Pas nëntë vitesh të gjata, 16-vjeçarja Pooja Gaud më në fund është në gjendje të mbështesë kokën në prehrin e nënës së saj, përcjell KultPlus.

Pooja u zhduk më 22 janar 2013 kur ishte shtatë vjeç. Ajo thotë se u mor nga jashtë shkollës së saj në qytetin Mumbai në shtetin perëndimor indian të Maharashtra nga një çift që e joshi me një akullore.

Më 4 gusht, ajo u gjet në atë që përshkruhet si “një arratisje e mrekullueshme”. Nëna e saj, Poonam Gaud, thotë se ajo është më shumë se e lumtur.

“Kisha hequr dorë nga shpresa për të gjetur ndonjëherë vajzën time. Por perënditë kanë qenë të sjellshëm me mua,” thotë ajo.

Policia ka pretenduar se fëmija është rrëmbyer nga Harry D’Souza dhe gruaja e tij, Soni D’Souza, sepse çifti nuk kishte një fëmijë të tyre. Ata kanë arrestuar z. D’Souza.

Para se të zhdukej, Pooja jetonte me dy vëllezërit dhe prindërit e saj në një shtëpi të vogël në një zonë të varfër periferike.

Ditën që ajo u zhduk, ajo ishte nisur për në shkollë me vëllain e saj të madh, por të dy u grindën dhe vëllai i saj hyri në shkollë duke e lënë pas pasi po vonohej. Pikërisht atëherë dyshohet se çifti e mori me vete, duke i premtuar se do t’i blinin një akullore. /KultPlus.com

“Siparantum kids”, hapet konkursi për fëmijët e moshës 7-15 vjeç

Kori “Siparantum” nga Peja ka hapur konkurs për të gjithë fëmijët që kanë talent dhe dëshirojnë të këndojnë, shkruan KultPlus.

“Siparantum Kids” hap konkurs për fëmijët e moshës 7-15 vjeç, që të bëhen pjesë e një prej koreve më të suksesshme në histori të muzikës klasike në Kosovë.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 31 gusht, derisa audicioni do të mbahet më 1 shtator në ora 16:30 në Qendrën Rinore “Peja”.

Për të aplikuar në këtë kor, ndiqeni vegzën në vazhdim: https://forms.gle/Yn3mY1Us1VTxCg9F8. /KultPlus.com

Do ta shohësh

Edward Stachura

Ah ! do ta shohësh ti kur ajo mos të të dojë më
Do ta shohësh !
Do të shohësh natë në mes të ditës
Qiellin e zi në vend të yjeve
Do të shohësh të njëjtën gjë
Si unë

Edhe tokën, do ta shohësh ti,
E toka, s’do të jetë tokë :
S’do të të mbajë.

Edhe zjarrin, do ta shohësh ti,
E zjarri, s’do të jetë zjarr :
S’do të mund të lahesh në të.

Edhe ujin, do ta shohësh ti,
E uji, s’do të jetë ujë :
S’do të të freskojë.

Edhe erën, do ta shohësh ti,
E era, s’do të jetë erë :
S’do të të qetësojë.

Ah ! do ta shohësh ti kur ajo mos të të dojë më
Do ta shohësh !
Do ta shohësh fytyrën tënde të huaj,
Do të shohësh sa të mëdhenj janë sytë e frikës
Do të shohësh të njëjtën gjë
Si unë

Edhe tokën, do ta shohësh ti,
E toka, s’do të jetë tokë :
S’do të të mbajë.

Edhe zjarrin, do ta shohësh ti,
E zjarri, s’do të jetë zjarr :
S’do të mund të lahesh në të.

Edhe ujin, do ta shohësh ti,
E uji, s’do të jetë ujë :
S’do të të freskojë.

Edhe erën, do ta shohësh ti,
E era, s’do të jetë erë :
S’do të të qetësojë.

E të gjithë elementët,
Të gjithë, do të të mallkojnë :
Do të ishte më mirë për ty
Të zhdukesh pa asnjë lajm ! /KultPlus.com

Veliaj pret çiklistët italianë që udhëtuan për të falenderuar mjekët shqiptarë gjatë pandemisë

Në shenjë mirënjohje për kontributin e Shqipërisë për të dërguar mjekë dhe infermierë në Itali, në një moment të vështirë me betejën ndaj COVID-19, një grup çiklistësh nga Conegliano Veneto erdhën në Tiranë, pasi përshkuan në një tur çiklistik thuajse gjithë Ballkanin, nga Sllovenia, Kroacia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi.

Ata u pritën në një takim nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e quajti gjestin e çiklistëve simbol të mirënjohjes mes fqinjëve.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të kemi në Tiranë disa vëllezër nga Italia, të cilët bënë një tur çiklistik, duke u nisur nga Conegliano, qyteti i tyre, për të ardhur në Shqipëri, si shenjë falënderimi ndaj kontributit të Shqipërisë dhe insistimit të kryeministrit për të çuar infermierët dhe mjekët në Itali gjatë  situatës së COVID-19. E vlerësoj jashtë mase këtë simbol të solidaritetit sepse besoj se sado që të bëjnë qeveritë apo qytetet, ajo që bëjnë njerëzit është e paçmueshme”, tha Veliaj.

Ai tha se ndihet i emocionuar që edhe pas dy vitesh, ky gjest i Shqipërisë nuk është harruar.

“Ashtu siç pashë shumë italianë që u emocionuan kur ekipet mjekësore nga Shqipëria u përcollën nga kryeministri për të ndihmuar në Itali, ashtu edhe unë ndihem sot shumë i emocionuar që, pas dy vitesh, kur ne e kishim harruar si ngjarje, me një botë që prodhon ngjarje përditë, institucioni i mirënjohjes vlen ende. Ndihem vërtet i prekur”, u shpreh Veliaj.

Në emër të kolegëve të tij, çiklisti italian Andrea Michelet falenderoi Shqipërinë që në momentet më të vështira i qëndroi në krah Italisë, duke dhënë ndihmën me stafet e saj mjekësore.

“Ne kemi ardhur nga Italia, si shenjë mirënjohje për mjekët. Kjo gjë u mundësua falë nesh, falë kryebashkiakut të Conegliano-s, falë asistencës sanitare, por mbi të gjitha, unë duhet t’ju falënderoj juve për atë çka keni bërë”, tha Andrea Michelet.

Veliaj nënvizoi se Shqipëria ka një raport special me Italinë, çka tregohet dhe në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve dhe numrin e lartë të qytetarëve italianë që jetojnë dhe punojnë në Tiranë.

“Sot kemi pa fund të rinj shqiptarë që janë rritur, studiojnë në Itali, siç kemi të rinj italianë që studiojnë në Shqipëri. Kemi një komunitet italian edhe në Tiranë, 20-25 mijë qytetarë që jetojnë këtu. Do të thotë se sot jemi lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me njëri-tjetrin. Me luftën që kemi në kufijtë e Evropës, me agresionin rus ndaj Ukrainës, gjithmonë bëhet e rëndësishme pyetja: Kush janë fqinjët tanë? Për ne është një bekim i madh që jemi fqinj me Italinë dhe që kemi këtë raport kaq special”, u shpreh Veliaj.

Dy vite më parë, Shqipëria  dërgoi një ekip mjekësh dhe infermierësh në Italinë fqinje për ta ndihmuar për pandeminë e koronavirusit. Autoritetet italiane falënderuan në atë kohë Shqipërinë si një vend që nuk i braktis asnjëherë fqinjët./atsh /KultPlus.com

Kostandinos Argjiros “ndez” Festën e Birrës

Spektakël në Korçë në natën e 4 të Festës së Birrës. Mijëra qytetarë u bënë pjesë e organizimit, shumë prej tyre emigrantë, si dhe vizitorë të huaj.

Ata vlerësojnë organizimin dhe atmosferën e krijuar.

E para që u ngjit në skena në natën e 4 ishte këngëtarja Anxhela Peristeri. Ajo performoi disa prej këngëve më të njohura të saj. Nuk mungoi as muzika popullore.

Pas saj, i ftuari special i këtij edicioni, këngëtari grek Kostandinos Argjiros. Mjaft i dashur edhe nga shqiptarët ai dhuroi atmosferë magjike në Korçë. Bashkë me të këndonin edhe të pranishmit. Mikpritja në Korçë emocionoi edhe vetë këngëtarin.

Ky është edicioni i 16 i festës së birrës që kulmon sezonin turistik në Korçë. /tvklan /KultPlus.com

Anime Week në 7Arte Mitrovicë

Mbrëmë u mbajt nata e parë e eventit “Anime Week” nga 7Arte, e cila filloi me një workshop rreth kuzhinës japoneze.

Të pranishmit patën mundësinë t’i shijonin ushqimet nën tingujt e muzikës japoneze.

Më vonë, krahas ushqimeve dhe pijeve në terrasën tonë u shfaq edhe filmi “Your Name”.

Nata e dytë e “Anime Week” vazhdon sonte me shfaqjen e filmit “Howl’s Moving Castle”, prej orës 20:30. /KultPlus.com

“Mirësjellja nuk kushton asgjë, por blen gjithçka”

Në vijim mund të lexoni disa thënie për jetën, miqtë dhe dashurinë.

“Asgjë nuk e damkos një shpirt të mirë dhe një zemër të ëmbël më shumë sesa të jetosh mes njerëzve që nuk mund ta kuptojnë atë.”

“Mos lejoni që vështirësitë tuaja t’ju mbushin me ankth, në fund të fundit vetëm në netët më të errëta yjet vezullojnë më me shkëlqim.”

“Jeta përbëhet nga dy ditë, njëra krah teje e tjetra kundër teje. Pra, ditën që është krah jush mos jini arrogantë ose të pamatur, dhe ditën kur është kundër jush të jeni të durueshëm, të dyja ditët janë provë për ju.”

“Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh.”

“Kur bota të ul në gjunjë, je në pozitën e përsosur për t’u lutur”

“Një refuzim i këndshëm është më i mirë se një premtim i gjatë.”

“Gruaja është një krijesë delikate me emocione të forta që është krijuar nga Zoti i Plotfuqishëm për të marrë përsipër përgjegjësinë për edukimin e shoqërisë dhe lëvizjen drejt përsosmërisë. Zoti e krijoi gruan si simbol të bukurisë së Tij dhe t’i jepte ngushëllim partnerit dhe familjes së saj. ”

“Ai që i beson botës, bota e tradhton.”

“Mirësjellja nuk kushton asgjë, por blen gjithçka.”

“Një vëlla është si ari dhe një mik është si diamanti. Nëse çarje ari mund ta shkrini dhe ta bëni ashtu si më parë. Nëse diamanti plas, kurrë nuk mund të jetë si më parë ”.

“Durimi siguron fitoren.”

“Përgojimi pas shpine është përpjekja e atij që nuk është në gjendje ta bëjë më mirë veten e tij.”

“Mos e pëlqeni te vetja juaj atë që nuk ju pëlqen te të tjerët.”

“Një njeri i mençur gjithmonë ka diçka për të thënë, ndërsa budallait gjithmonë i duhet të thotë diçka.”

“Sigurisht që heshtja ndonjëherë mund të jetë përgjigjja më elokuente.”

“Nuk është kurrë vlera e ujit, por etja, nuk është kurrë vlera e jetës, por vdekja dhe kurrë nuk ka pasur të bëjë me miqësinë, por me besimin.”

“Kini kujdes të mos flisni shumë, sepse rrit gabimet dhe shkakton mërzitje.”
“Kujdesuni për gjuhën tuaj njësoj siç kujdeseni për arin dhe argjendin.”

“Ushqimi i trupit është ushqim, ndërsa ushqimi i shpirtit për të ushqyer të tjerët.”

“Nuk ka prehje për personin që ka zili dhe nuk ka dashuri për personin që ka sjellje të këqija.”

“Duhet të jesh i përulur, pasi është një nga [format më të mëdha] të adhurimit.”

“Të mos kesh një gjë është më pak poshtëruese sesa ta lypësh.”

“Ju jeni zotëruesi i asaj që thoni derisa ta shqiptoni, pasi ta nxirrni atë, ju jeni rob i saj. Ruani gjuhën tuaj siç ruhet ari dhe paraja. Një fjalë mund të sjellë turp dhe mbarimin e një lumturie.”

“Ndershmëria do t’ju udhëheqë drejt mirësisë dhe mirësia do t’ju ftojë në parajsë.”

“Është njeri më i mençur dhe më i ditur ai që këshillon njerëzit të mos e humbin shpresën dhe besimin në mëshirën e Zotit dhe kjo të mos e bëjë atë shumë të sigurt dhe të bindur për imunitet nga Zemërimi dhe Ndëshkimi i Tij.”

“Armiqtë tanë nuk janë çifutët ose të krishterët, armiku ynë është injoranca jonë.”

“Nëse sytë e një femre përloten për një burrë që e shtyp atë, atëherë engjëjt do ta mallkojnë atë me çdo hap që ecën.”

“Miqtë tuaj janë tre dhe armiqtë tuaj janë tre. Miqtë tuaj janë: shoku juaj, miku i mikut tuaj dhe armiku i armikut tuaj. Armiqtë tuaj janë: armiku juaj, armiku i mikut tuaj dhe miku i armikut tuaj.” / KultPlus.com

Vajza e aleatit të Putinit u vra në shpërthimin në Moskë

Vajza e një aleati të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin është vrarë në një shpërthim të dyshuar me makinë bombë, përcjell KultPlus.

Darya Dugina, 29 vjeç, vdiq pas një shpërthimi në një rrugë jashtë Moskës, tha komiteti hetimor i Rusisë.

Mendohet se babai i saj, filozofi rus Alexander Dugin, i cili njihet si “truri i Putinit”, mund të ketë qenë objektivi i synuar i sulmit.

Z. Dugin është një ideolog i shquar ultra-nacionalist që besohet të jetë i afërt me presidentin rus.

Alexander Dugin dhe vajza e tij kishin qenë në një festival pranë Moskës, ku filozofi dha një leksion.

Festivali “Tradita” e përshkruan veten si një ngjarje familjare për artdashësit, e cila zhvillohet në pasurinë Zakharovo, ku dikur ka qëndruar poeti rus Aleksandër Pushkin.

Dyshja duhej të largoheshin nga vendi të shtunën në mbrëmje me të njëjtën makinë, përpara se Dugin të merrte një vendim në minutën e fundit për të udhëtuar veçmas. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Rekordi i ri i Kampionatit Evropian të Atletikës mban emrin Luiza Gega

Atletja nga Shqipëria, Luiza Gega, ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Mynih të Gjermanisë, përcjell KultPlus.

E pas kësaj fitore historike ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

KultPlus ua sjell postimi e plotë të tij:

Rekordi i ri i Kampionatit Evropian të Atletikës mbanë emrin Luiza Gega.

Me ritëm të pandalshëm, ndër vite vrapoi drejt fitoreve. Me një ritëm fantastik, mbrëmë theu rekordin 12 vjeçar të Kampionatit Evropian.

Krenar me rezultatin e jashtëzakonshëm të Luiza Gegës. Kampionja e Evropës, që nga pista e atletikës, shkruan historinë e sportit shqiptar./ KultPlus.com

‘Jeta e re’ publikohet numri i dytë për këtë vit

Posa ka dalë në qarkullim numri i dytë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një in memoriam për poetin e mirënjohur Xhevdet Bajrajn, i cili ndërroi jetë sivjet. Bajraj në këtë numër të revistës është përfaqësuar me një cikël poezish përzgjedhur nga opusi i tij poetik dhe me intervistën me titullin “Të shkruash në dritë të zezë”.

Në rubrikën e prozës janë prezentuar: Gëzim Aliu me tregimin “Ligësia”, Gazmend Krasniqi me “Gruaja e shën Gjon Gojartit”, Agron Y. Gashi me “Gjaku”, Bajram Sefaj me “Kërroçja” dhe Sevdail Zejnullahu me “Pengu i kthimit”, ndërkaq nga të huajt me tregime vijnë dy klasikë të letërsisë- Alberto Moravia me “Nuk dinë të flasin”, kurse Gi de Mapsam me “Flozofi” dhe “A ishte ëndër” .

Në rubrikën e poezisë me nga një cikël poezish vijnë  autorë të njohur shqiptarë dhe të huaj, si Sali Bashota, Rudolf Marku, Arbër Selmani, Vislava Simborska, Serhij Zhadan, Ilya Kaminsky dhe Silvia Bre.

Ndërkaq, në rubrikën qendrore Dossier, në një hapësirë prej katërdhjetë prej faqesh, këtë herë vjen shkrimtari argjentinas Orasio Kiroga. Ai është përfaqësuar me tregimet “Rrjedhës teposhtë”, “Huan Darien” dhe “I vdekuri”, pastaj me intervistën me titullin “Historitë personale janë shtysa për të shkruar”, “Dekalogu i tregimtarit të përsosur”, “Kiroga: mjeshtri i përkores” nga Ricardo Sevilla dhe “Orasio Kiroga: klasiku i së ankthshmes”.

Rubrika e kritikës fillon me studimin “Kryevepra e Fishtës” të Kujtim M. Shalës, për të vazhduar me “A i duhen Austen-it rrëfimtarët? A i duhen rrëfimtarët ndokujt?” të Brian Boyd-it, “Simulakra dhe simulimet” të Jean Baudrillard-it, “Qasja në veprat letrare: një problem në teorinë dhe praktikën e klasifikimit” të Clare Breghtol-it, “Gjaku i papastër” (i Borisav Stankoviçit) si reflektimi i një romani mbi traditën, konvencionet e aktualitetit dhe dromcat moderniste në shoqërinë serbe” të Rrezart Morinajt dhe “Zorba-filozofia e një jete” të Eriola Çoçajt.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër janë: Alket Çani, Arben Idrizi, Bajram Karabolli, Erion Karabolli, Alfred Beka, Arta Hallaçi, Ilir Breca, Valon Veliqi dhe Jehona Shala./ KultPlus.com