Vendi ku lindi Mbretëresha Elizabeth është tashmë një restorant i famshëm

Mbretëresha Elizabeth lindi më 21 prill 1926 në shtëpinë e saj dhe vdiq më 8 shtator, në pikëllimin e shumë njerëzve. Mbretëresha ka lindur në 17 Bruton Street në Mayfair, Londër, e cila ishte shtëpia e gjyshërve të saj, prindërve të nënës së saj, por tani ka ndryshuar plotësisht.

Prandaj, shtëpia e monarkut është kthyer në një restorant kinez të quajtur Hakkasan, i cili ka një menu të madhe dhe një yll Michelin.

Dega Mayfair është në fakt restoranti i tyre i dytë në Londër dhe hapi dyert e tij në nëntor 2010, 84 vjet pasi mbretëresha lindi atje.

Hakkasan Mayfair përshkruhet si ” destinacioni kryesor i Londrës për kuzhinën bashkëkohore kantoneze” dhe ka një pjatë unike, rosë e pjekur me tartuf të zi dhe me disa përbërës të tjerë.

Pra, nëse vizitoni këtë adresë, do të shihni pankartën në mur ku shkruhet: “Në këtë vend ndodhej shtëpia feudale e Earl of Strathmore dhe Kinghorne ku lindi Elizabeth Alexandra Mary Windsor, e cila më vonë u bë Madhëria e Saj Mbretëresha Elizabeth II.

Shtëpia ku lindi monarkia u bombardua gjatë luftës, ndaj prona e re nuk është në pronësi të familjes së Mbretëreshës, por adresa mbetet e njëjtë./abcnews.al/ KultPlus.com

Avokati i Popullit thotë se duhet të gjendet zgjidhja urgjente mes SBASHK dhe Qeverisë

SBASHK-u dhe Qeveria akoma nuk po arrjinë të gjejnë një zgjidhje, dhe si rezultat, greva po vazhdon, shkruan KultPlus.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, përmes një komunikate ka thënë se “në kuadër të angazhimit si ndërmjetësues mes palëve për zgjidhjen e situatës së krijuar për shkak të grevës nga sindikatat, e me qëllim të njoftimit të opinionit publik dhe interesimit të mediave, sot  ka pranuar letër nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) dhe tanimë të gjitha palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre për daljen nga kjo situatë”.

“Me qëllim që të arrihet marrëveshja, Avokati i Popullit u është drejtuar palëve me një draft marrëveshje në të cilën ka propozuar një zgjidhje të mundshme, si zgjidhje e balancuar mbi bazën e qëndrimeve që palët kanë prezantuar, e njëkohësisht me kujdes janë paraqitur qëndrime që mund të sjellin konsensus”, thotë Avokati i Popullit.

“Avokati i Popullit njofton se edhe më tej do të angazhohet për të përafruar palët në marrëveshje, duke ripërsëritur se është urgjente gjetja e një zgjidhjeje, që do të jetë në interes për të gjithë, e në veçanti për fëmijët”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

“Everybody Calls Redjo” është gati, Deari debuton me film të metrazhit të gjatë

Aktori Afrim Muçaj bën të ditur se pas një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm ia kanë dalur ta jetësojnë filmin “Everybody Calls Redjo” të Ibër Dearit, shkruan KultPlus.

Muçaj, i cili ka rolin kryesor në këtë film, ka falënderuar regjisorin që ia ka besuar rolin e Rexhos.

Ky film do të jetë debutues për Ibër Dearin si skenarist në filmat e metrazhit të gjatë, derisa edhe Artin Selmani është pjesë e këtij filmi sa i përket pjesës së skenarit.

Adem Karaga, Adrian Aziri, Bereda Reshit, Mirsad Abazi, Labinot Raçi, Ledion Mulaki, Bujar Ahmeti dhe Daniela Markaj, të gjithë do të jenë pjesë e këtij filmi. /KultPlus.com

Donjeta Sadiku kualifikohet me sukses në gjysmëfinale të turneut ndërkombëtar “Ballkan”

Donjeta Sadiku ka arritur kualifikimin në gjysmëfinale të turneut ndërkombëtar “Ballkan” që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.

Në fazën çerekfinale në kategorinë deri në 60 kilogramë, boksierija kosovare triumfoi bindshëm ndaj boksieres evropiane me përvojë nga Franca, Maiva Hamadouche.

Medalistja botërore nuk la asgjë në dorën e fatit dhe befasisë, duke arritur që nga raundi i parë të boksonte në mënyrë taktike kundërshtaren.

Maiva e sulmoi Donjetën gjatë tre raundeve, por boksierija nga Kosova i shmangu në mënyrë profesionale goditjet e francezes.

Donjeta në fund të duelit njëzëri u shpall fituese dhe nesër (e mërkurë) në gjysmëfinale do të përballet me boksieren nga Zvicra, Ana Milisic. /KultPlus.com

Ardit Xhaferi – i riu që krijoi gjuhën e parë programuese në gjuhën shqipe

Ne jetojmë në një botë ku kompjuterët dhe teknologjia janë pjesë e përditshmërisë së njerëzve. Në anën tjetër, programimi, si një term që po bëhet pjesë e diskutimeve në tavolinat e shumë njerëzve, është një profesion shumë i vështirë në radhë të parë, por edhe emocionues në anën tjetër. E për të qëndruar në majat e industrisë së teknologjisë, duhet të jeni në gjendje të bëni gjëra të reja çdo ditë, e sigurisht të arrini edhe krijimin e gjërave të jashtëzakonshme, shkruan KultPlus.

Kodimi është një aftësi krijuese dhe emocionuese. Të jesh pjesë e një projekti është diçka e veçantë, por ajo që e bën edhe më emocionues këtë profesion është pjesa kur krijon diçka të re, e cila nuk është bërë kurrë më parë.

Pra, është bota e programimit ajo që të jep mundësinë për ta bërë këtë gjë. Ardit Xhaferi, programer me profesion, ka arritur që të zhvillojë gjuhën e parë të programimit në shqip, të kompletuar me interpretuesin “Python”.

I riu nga Kosova, është bërë tanimë personi i parë të ketë krijuar gjuhën e parë programuese në gjuhën shqipe.

Të gjithë rrugëtimin e krijimit të kësaj gjuhe, ai e ka ndarë në një intervistë të realizuar për kompaninë të cilën tashmë ai punon për disa vite, “StarLabs”.

Përmes faqes së tij online “ardit.dev“, ai ka përfshirë edhe një dokument rreth 17 minuta, ku shpjegohet edhe tabela e përmbajtjes dhe pjesa se si të punohet në një gjuhë programuese shqipe.

Xhaferi është një 19 vjeçar i cili punon si programer në StarLabs, derisa kohën e tij të lirë ai e kalon më së shumti duke koduar. /KultPlus.com

“Ota” dhe “Odesa” = binomi i PriFest 2022

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë “PriFest” është duke bërë përgatitjet e fundit para hapjes madhështore, e cila do të bëhet sot me filmin “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.

Ky edicion, ndryshe nga herët e tjera, do të finalizojë punën e përvitshme pa shpirtin e skuadrës, Vjosa Berisha, e cila vdiq këtë vit.

Së fundmi, një nga themeluesit e këtij festivali, Fatos Berisha, ka shpërndarë një foto në rrjetet sociale, duke shkruar: “Na mungon Ota”, duke përfshirë një foto me trofeun “PriFest”, flamurin e Ukrainës dhe Vjosës.

Në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë do të jetë nikoqir i OIFF – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesa (Ukrainë).

Pra, sivjet do të mbahet një edicion të përbashkët, i 14-i i PriFest-it dhe edicioni i 13-të i OIFF-së, në Prishtinë.

“Vera Andrron Detin”, filmi i regjisores Kaltrina Krasniqi, i cili ka udhëtuar në shumë vende të botës, do të debutojë edhe në Prishtinë sot me fillim nga ora 21:00. /KultPlus.com

Aktivitete artistike në Parkun e Apolonisë

Vizitorët e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, përveç monumenteve dhe muzeut arkeologjik, tashmë kanë mundësinë të shijojnë edhe dy ekspozita.

“Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore” u çelën në Parku Arkeologjik Kombëtar Apolonia me dy aktivitete artistike që shkrihen në një sinergji unike mes monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Njëra prej tyre është ekspozita vetjake e artistes britaniko-irakiane Lina Sami Ogaily, e titulluar “Një realitet parallel”. Veprat e artistes së artit pamor, janë ekspozuar në ambientet e kishës byzantine, shoqëruar nga persona të veshur me kostume popullore tradicionale.

Përvec ekspozitës, në mjediset e parkut është interpretuar edhe një pjesë e shfaqjes teatrale “Madergona”, e cila më herët ishte vënë në skenën e teatrit Bylis.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur pranë Trapezarisë deri në datën 25, për t’i lënë vendin një tjetër ekspozite, në 27 shtator. /atsh /KultPlus.com

Syt’e tu, vetëtimtarët

Poezi nga Lasgush Poradeci

Syt’e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi.
Syt’e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh.
Me vështrim të perënduar, kaq hirplotë ti më mbetesh
Si t’i fshesh qipall’e rëndë të paçmuarat stoli.

Kur i pash’oh! Në nat’helmi, hën’e largë-ish derdhur n’ar.
Kur i pashë në nat’helmi, ar i derdhur m’u bëj zija:
M’u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shenjt’ hijen e tija:
Mi shtrat fletë sapo shtruar…na shij qjelli zilitar…

Syt’e tu- enigm’ e kohës; syt’ e tu-çudi pa çmim;
Syt’e tu- çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte.
Kish durim yll’ i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte,
Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.

Syt’e tu vetëtimtarët, sillen qark gjerakorisht.
Syt’e tu vetëtimtarët ëndërojne-aq të qetuar.
Ndaj shtron hijen vgjeri-i shentë kur i putha-i llaftaruar,
Syt’e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht /KultPlus.com

51 vjet nga vdekja e poetit nobelist, Giorgos Seferis

Giorgos ose George Seferis, pseudonimi i Georgios Seferiades ishte një poet dhe diplomat grek. Ai ishte një nga poetët më të rëndësishëm grekë të shekullit të 20 -të, dhe fitues i çmimit Nobel.

Seferis ishte një diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm Grek, duke kulmuar me emërimin e tij si Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, një post të cilin e mbajti nga 1957 deri në 1962.

Në vitin 1963, Seferis iu dha Çmimi Nobel për Letërsinë “për shkrimet e tij të shquara lirike, të frymëzuara nga një ndjenjë e thellë për botën helene të kulturës.”

Seferis ishte greku i parë që mori çmimin (i ndjekur më vonë nga Odisea Elytis, i cili u bë nobelist në vitin 1979). Por në fjalimin e tij të pranimit, Seferis zgjodhi më tepër të theksojë filozofinë e tij humaniste, duke përfunduar: “Kur ishte në rrugën e tij drejt Tebës, Edipi takoi Sfinksin, përgjigjja e tij në enigmën e tij ishte:” Njeri “. Ajo fjalë e thjeshtë shkatërroi përbindëshin. Ne kemi shumë përbindësha për të shkatërruar. Le të mendojmë për përgjigjen e Edipit. “

Ndërsa Seferis nganjëherë është konsideruar një poet nacionalist, ‘helenizmi’ i tij kishte të bënte më shumë me identifikimin e tij të një fillesë unifikuese të humanizmit në vazhdimësinë e kulturës greke dhe letërsisë.

Pesë finalistët e tjerë për çmimin atë vit ishin W. H. Auden, Pablo Neruda (fituesi i vitit 1971), Samuel Beckett (fituesi i vitit 1969), Yukio Mishima dhe Aksel Sandemose.

Më poshtë KultPlus ju sjell disa poezi të zgjedhura nga Jorgos Seferis pikërisht në përvjetorin e vdekjes së këtij poeti nobelist:

MYTHISTOREMA

1.
Engjëllin –
tre vjet e pritëm, me vëmendje të fiksuar,
tek vëzhgonim nga pranë
pishat bregun yjet.
Dikush me plor parmende, dikush me kiç t’anijes
rrëmonim të gjenim dhe një herë farën e parë
që drama e kahmotit të mund t’ia niste prapë.

Në shtëpitë tona u kthyem rraskapitur,
gjymtyrëmpirë, buzëplasur
prej shijes së ndryshkut, prej ujit të njelmët.
e kur u zgjuam ecëm drejt veriut, të huaj
mbështjellë në mjegullën e flatrave të panjolla të mjellmave që na kishin plaguar.
Netët e dimrit na marroste e forta erë e lindjes
behareve humbnim n’agoni të ditëve që s’dinin të vdisnin.

Sollëm me vete këto
relieve të gdhendura të një arti modest .

2.
Ja dhe një tjetër pus brenda në shpellë.
Dikur na ish kaq lehtë të pikturonim idhuj edhe ornamente
e të kënaqnim ata pak miq që qëndruan besnikë.

Litarët janë këputur; veç gdhendjet në buzë të pusit
na kujtojnë për lumturitë që kanë shkuar:
gishtat në buzë të pusit, siç do thoshte poeti.
Gishtat ndjejnë për pak çaste ftohtësinë e gurit,
Pastaj ethja trupore ngadhënjen mbi të
e shpella vë në lojë shpirtin e saj dhe e humbet
në çdo moment, me heshtje plot, e ujë asnjë pikë

3.
Mbaji mend banjat ku të kanë vrarë
U zgjova me kët’kokë mermeri në duar;
m’i lodhka bërrylat e s’di se ku ta lëshoj.
Po zhytej në ëndërr bash kur unë po dilja prej saj
kështu që jeta jonë u bë një e vështirë do ta ketë të ndahet sërish.

Shikoj sytë: as të hapur, as të mbyllur
i flas gojës që rreket e rreket të flasë
mbaj faqet që lëkurën tashmë e kanë thyer.
Kaq mundem të bëj.

Duart më zhduken dhe vijnë drejt meje
të gjymtuara.

4.

Argonautë

Dhe një shpirt
në dashtë ta njohë vetveten
duhet të kqyrë
brenda shpirtit të vet:
të huajin dhe armikun, se atë e kemi parë në pasqyrë.

Ata qenë të mirë, shokët, kurrë nuk u qanë
për punën a etjen a ngricën,
ata qenë të qëndrueshëm si pemët a valët
që mbajnë dhe shiun dhe erën
që mbajnë dhe natën dhe diellin
pandryshuar në mes të ndryshimit.
Qenë shumë mirë, për ditë të tëra
djersitën tek rremat me sytë e përulur
frymëmarrje ritmike
dhe gjaku iu përskuqte një lëkurë të nënshtruar.
Ndonjëherë këndonin, me sytë të përulur
ndërsa lundronim ishullin e shkretë plot gjembaçë bregdeti
drejt perëndimit, përtej kepit të qenve
që lehin.
Në dashtë të njohë vetveten, thanë
duhet të shohë në shpirtin e vet, thanë
dhe rremat përplasen me arin e detit
në perëndim.
Ne lamë pas shumë kepe shumë ishuj dete
që çonin në dete të tjera, zgalemë e lundra.
Ndonjëherë gratë e dëshpëruara vajtonin
qanin fëmijët e tyre të humbur
të tjerë të hutuar kërkonin Aleksandrin e Madh
dhe lavditë e varrosura në thellësi të Azisë.

Ankoruam në brigje përplot ndodhi-nate
zogj që këndonin, me ujëra që na lanë nëpër duar
kujtimet prej një lumturie të madhe.
Por udhëtimet nuk mbaruan.
Shpirtrat e tyre u njësuan me rremat e kllapat e rremave
me fytyrën solemne të bashit
me fletën e timonit
me ujin që ua thyente imazhet copë-copë.
Shokët vdiqën një nga një
me sy të përulur. Rremat e tyre
shënojnë vendin ku prehen në brigje.

Askush s’i mban mend. Drejtësi

5.
Ne nuk i njihnim
thellë brenda nesh, neve shpresonim
t’i kishim njohur që kur ishim foshnjë.
I kemi parë një a dy herë, më pastaj ata morën detin:
ngarkesa me qymyr, me grurë edhe miqtë tanë
humbën përgjithnjë matanë oqeanit.
Agu na kap tek rrimë karshi kandilit
tek vizatojmë në letra dhimbshëm edhe panatyrshëm,
anije sirena apo guaska deti;
muzgjeve zbresim poshtë tek lumi
se ai na e rrëfen kah rruga për në det;
e netët i kalojmë bodrumeve, era katran.

Miqtë na kanë lënë
ndoshta s’i kemi parë kurrë, ndoshta
i kemi pjekur veç atëherë kur gjumi
ende na çonte drejt valës që merr frymë
ndoshta ne deshëm miq sepse kërkonim një jetë tjetër
përtej statujave.

6.
M.R.

Kopshtin me shatërvanë nëpër shi
ke për ta parë veç përtej mjegulltisë së xhamit
të dritares poshtë. Dhoma jote
do të ndriçohet veç prej flakës së oxhakut
dhe ndonjëherë të largmet vetëtima kanë për të nxjerrë në pah
rrudhat në ballin tënd, o Miku im i vjetër.

Kopshti me shatërvanë që në pëllëmbët e tua
ish ritm’i jetës tjetër përtej të plasariturave
statuja e përtej kollonave tragjike
përtej valles në mes oleandrave
pranë guroreve të reja –
qelqi i avullt tash e ndan prej jetës tënde.
Ti s’do të marrësh frymë; dheu dhe rrëshira e drurëve pranë
do të rrjedhin prej kujtesës tënde e do të godasin
këtë dritare që bota e jashtme
po e godet me shi.

7.
Era e jugës

Kah perëndimi deti bëhet njësh me një vargmal.
Majtas fryn juga që po na marros,
ajo soj ere që dhe ashtin zhvesh prej mishit.
Shtëpia jonë rri mes pishash edhe mes bishtajash.
Dritare të mëdha. Tryeza të mëdha
për të të shkruar letrat që filluam të shkruajmë
tash sa muaj, letra që i hedhim
në honin që zë vend mes nesh, e derisa të mbushet.

Yll i agimit, kur ti i ule sytë teposhtë
orët tona qenë më të ëmbla se vaji
mbi plagë, më të ëndshme se uji i ftohtë
në gjuhë, më paqtuese se flatrat e mjellmës.
Ti mbajte jetën tonë në pëllëmbë të dorës.
Pas bukës së hidhur të syrgjynosjes,
netëve nëse rrimë ballë murit të bardhë
zëri jot qaset si shpresa për një zjarr;
edhe sërish kjo era po na kthehet
e nervat na i pret, njëjtë si me brisk.

Prej nesh secili të shkruan ty të njëjtën gjë,
nga ne secili hesht kur në prani të tjetrit,
duke parë, secili, të njëjtën botë ndaras
dritën dhe terrin mbi maja t’vargmalit
edhe ty.
Kush do t’na i zhveshë zemrat prej dhimbjes që i ka mbuluar?
Mbrëmë ra shi i rrebeshtë, edhe sot sërish
qielli i vranët na brengos. Mendimet tona –
si halat e pishave që soll rrebeshi i djeshëm që
janë bërë kapicë të panevojshme mu në prag të derës –
do të ngritnin një kullë që rrënohet.

Në këto katunde të dhjetuara
në kët’grykë mali, që e rreh fort juga
ndërsa i rrimë karshi vargmalit e të fshihemi,
kush do ta çmojë për ne dënimin me harresë?
Kush e pranon flijimin tonë tash që vjen fundi i vjeshtës?

8.
Çfarë po ndjekin shpirtrat tanë që udhëtojnë
hipur mbi anije të rrëgjuara
stërmbushur me gra çehreverdha e kalamaj që qajnë
që s’mbërrijnë dot t’ia heqin mendjen vetes as me peshqit fluturues
as me yjet drejt të cilëve direkët kanë kthyer majat;
gërvishtur në disqe gramafonesh
përkushtuar pelegrinazheve të paqena, padashje
pëshpëriten copëza mendimesh nga gjuhë të panjohura.

Çfarë po ndjekin shpirtrat tanë që udhëtojnë
mbi dru të kalbur, zhytur n’ujë të njelmët
prej portit – në port?

Duke shmangur shkëmbinjtë e thyer, duke thithur
freskinë e pishave çdo ditë e më vështirë,
duke notuar në ujërat e këtij deti
dhe të atij deti,
pa ndjesinë e prekjes
pa njerëz
në një vend që s’është më i joni
as i yti.

E dinim që ishujt qenë të mahnitshëm
këtu, thuajse diku afër ku ledhatonim
paksa më poshtë a paksa më lart,
një hapësirë të vockël.

9.
Limani është i vjetër, tash s’mundem më të pres
mikun që shkoi prej ishullit plot pisha
mikun që shkoi prej ishullit plot rrape
mikun që shkoi e dol në det të hapur.
Ledhatova topat e ndryshkur, ledhatova rremat
që ta këndell trupin e të marr vendim.
Velat që bien vetëm kundërmim
kripe prej stuhisë që kaloi.

Në zgjodha të rri vetëm, ajo që doja
qe vetmia, e jo ky soj padurimi,
shpirtin grimcuar përmbi horizont,
këto linja, këto ngjyra, kjo heshtje.

Yjet e territ më kthejnë tek Odiseu,
që i priu të vdekurve në fusha t’asfodelit.
Lundruam gjer këtu me shpresën që mes asfodeleve do gjenim
ujin që rrodhi prej plagës s’Adonisit.

10.
Vendi ynë është i mbyllur, gjithandej male
që ditë e natë kanë për tavan qiellin e rëndë.
S’kemi lumenj, s’kemi puse, s’kemi burime,
vetëm ca sterna që ne i adhurojmë – dhe ato bosh – e aty kumbon zëri.
Tingull i ndenjtur e i zgavërt, njëjtë si vetmia jonë
njëjtë si dashuria jonë, njëjtë si trupat tanë.
Duket habi se si dikur qemë në gjendje të ndërtonim
shtëpitë tona, tbana edhe vatha.
Martesat tona, kurorat dhe unazat
u bënë enigma që s’ia shpjegojmë dot shpirtit.
Si lindën fëmijët tanë, si u rritën kaq të fortë?

Vendi ynë është i mbyllur. Dy të zinj Symplegadë
e kanë zënë. Kur zbresim poshtë
te portet ditëve të diela që të marrim frymë lirisht
ne shohim, kur ndriçon agimi,
anije të shkatërruara prej udhëtimesh që kurrë s’mbaruan,
trupa që tash nuk dinë më si dashurohet.

11.
Ndonjëherë gjaku të ngrin siç ngrin hëna
në natën e paanë gjaku yt
shpërhap flatrat e tij të bardha mbi
shkëmbinjtë e zinj, mbi silueta pemësh e shtëpish,
me pakëz dritë prej kohës kur ishim të vegjël.

12.
Shishe në det

Tre shkëmbinj, ca pisha të përzhitura, një këmbanore vetmitare
dhe më përpjetë
e njëjta pamje e përsëritur fillon edhe një herë:
tre shkëmbinj në formën e një shtegu, ngjyrë ndryshku
ca pisha të djegura, zezë dhe verdhë,
dhe një kupolë katrore lyer me gëlqere;
akoma më lart, shumë herë përsëritet
e njëjta pamje rishfaqet shtresë përmbi shtresë
gjer në horizont, gjer në qiellin e agimtë.

Këtu e ankoruam anijen që të riparojmë rremat që u thyen
që të pimë ujë e të flemë.
Deti shijehidhur mbet i thellë e i panjohur
shtjellë paskajshëm në qetësi.
Këtu, mes zajeve gjetëm një monedhë
luajtëm zarat se kush kish për ta marrë.
Më të riut i ra shorti, e menjëherë u zhduk.

Dolëm në det sërish, me rremat tanë të thyer.

13.
Hydra

Delfinë, flamuj dhe topa që gjëmojnë.
Deti, dikur për shpirtin tënd i hidhur shumë
bartte anijet që feksnin ngjyrashumë
i l’kundte, i shkundte e i rrotullonte, i gjithi blu e flatrabardhë
dikur për shpirtin tënd qe kaq i hidhur
e tash plot ngjyra deti shndrit nën diell.

Vela të bardha rreze dielli e direkë të lagur
godasin me ritm tupanash valët që u platitën.

Sytë e tu, po të shihnin dot, do t’ishte bukuri
krahët e tu, po të dilnin dot, do të shkëlqenin drite,
buzët e tua do të ngjalleshin, siç ishin mësuar,
po të shihnin këtë mrekulli:
ti gjithë kërkoje ta shihje kët’ditë
këtë deshe të shohësh kur ke qenë ballë shkrumbit
apo në shi, në mjegull e stuhi
madje edhe kur dritat shkonin drejt venitjes
dhe qyteti po mbytej e në sheshin e gurtë
e Nazareni kur ta rrëfeu zemrën,
çfarë po kërkoje? pse s’vjen? çfarë po kërkoje?

14.
Tre pëllumba të kuq nën diell
shkruajnë fatin tonë nën rreze
me ngjyrat dhe gjestet e njerëzve
që dikur deshëm.

15.
Quid πλατανων opacissimus *

Gjumi të fshtolli me gjethe të gjelbra si pemë
merrje frymë si pemë nën qetësinë e rrezeve
në dritën e pranverës unë ta kundroja f’tyrën:
qepallat e mbyllura, qerpikët që fërkonin ujin.
Në barin e butë gishtërinjtë e mi gjetën gishtat e tu
ta preka pulsin për një çast
e ndjeva që zemra jote tjetërkund dhemb.

Nën rrap, pranë ujit, mes pemëve të dafinës
gjumi të mor me vete edhe të shpërndau
rreth meje, pranë meje, e qenia ime e paaftë të të prekte tërësisht –
një, ashtu si ishe me heshtjen tënde;
të shihte hijen tënde tek rritej e zvogëlohej,
tek humbte në hije të tjera, në tjetrën
botë që të la të shkoje e gjithsesi të mbajti veç për vete.

Jetën që na dhanë të rronim, e jetuam.
Gjynah ca që pritën me kaq shumë durim
humbur në dafina gjethezeza, poshtë rrapesh hijerëndë
dhe ata, vetmitarë, që flasin me sterna e puse
dhe mbyten në rrathë të zërit.
Gjynah shokët që ndamë skamjen dhe djersën
dhe u zhdukën drejt diellit si korbat që shkuan tej gërmadhave
pa shpresën e mbërritjes së shpagimit.

Falna, veç gjumit, qetësinë.

*Si e kam rrapin hijerëndë? (Plini i Ri, Letër Kanin Rufit)

16.
Emri është Orest

Udhëtim, sërish udhëtim, udhëtim,
kush e di sa herë, sa prehër njollosur n’gjak, sa zezona
që radhiten; njerëzit që më shohin,
që më kanë parë asokohe kur prej koçisë
ngrija dorën, fitimtar, e ata brohoritnin triumfalisht.

Më habisin kuajt që nxjerrin shkumë, kur do të lodhen kuajt?
Rrotat kërcasin, rrotat nxehen, kur do të digjen rrotat?
Kur do të këputen frerët, kur do të shkelin thundrat
e kuajve pak më ngadalë mbi dhe
mbi barin e butë, mes lulëkuqeve
aty ku në pranverë ti këpute një luledele
ishin të këndshëm sytë e tu, po ti s’dije ku të vështroje
as unë s’dija ku të vështroja, unë, pa një atdhe,
unë që vazhdoj përleshjet këndejpari, e kushedi sa herë?
i ndjej gjunjtë tek i lëshojnë udhë boshtit të koçisë
dhe rrotave, i hapin udhë pistës
gjunjtë thyhen lehtësisht kur kështu duan zotat,
askush s’shpëton dot, s’të hyn në punë forca, s’i shpëton
dot detit që të ka përkundur foshnje, detit që kërkon
në këto kohë gjykimesh, ndërsa kuajt turfullojnë,
me frerët që tingëllonin vjeshtave nota në shkallë lidiane
detin që nuk e gjen dot, sado që të vraposh e t’endesh
sado të vërtitesh tej Eumenideve të zeza e t’mërzitshme,
i pafalur.

17.
Astyanaks

Tash që po shkon, merre me vete djalin,
birin që dritën e pa përposh rrapit,
atë ditë kur frynin trumbetat dhe armët vizllonin
dhe kuajt e djersitur epoheshin që të preknin me flegrat e njoma
syprinën gjelbëroshe të ujit.

Pemët e ullinjve mbajnë rrudhat e etërve tanë
shkëmbinjtë mbartin urtësinë e tyre
e gjaku i vëllezërve ende i njomë mbi dhe
një gaz jetëdhënës, një udhë kaq e plotë
për shpirtra që e dinë kujt t’i luten.

Tash që po shkon, tash që dita e shpagimit
lind, sot kur askush s’e di
kë do të vrasë a si do të vdesë,
merre me vete djalin që dritën së pari pa
nën gjethet e atij rrapit
edhe mësoje që t’i njohë mirë pemët.

18.
Më vjen keq që mes gishtash lashë një lumë të gjerë të më rridhte
e s’piva as dhe një pikë ujë.
Tash po zhytem në shkëmb.
Një fidan pishe mbjellë në dhe të kuq
e vetmja shoqëri që kam.
Gjithçka desha u zhduk bashkë me shtëpitë
që ishin të reja verën që shkoi
e që u rrënuan nën erëra vjeshte.

19.
Edhe nëse fryn era për ne s’ka freski
e vogël është hija që lëshojnë selvitë
e kodrat rreth e rrotull që ngjiten gjer në male;

barrë mbi shpinë i mbajmë
miqtë që tashmë nuk dinë më si të vdesin.

20.
Prapë m’hapet plaga që kam në krahëror
kur yjet vijnë poshtë e m’i motërzohen trupit
kur heshtja rrëzohet nën hapa njerëzorë.

Këta shkëmbinj që zhyten në kohë më zvarrisin pas tyre – sa larg?
Detin, detin, kush do të mundë ta zbrazë e ta terë?
Shoh duar të shkunden tërhequr nga zhgaba e skifterë
i lidhur siç jam pas shkëmbit që timin e ka bërë vuajtja
shoh pemët, frymëmarrin të zezën qetësi të të vdekurve
e pastaj kaq të ngrirat buzëqeshje të statujave.

21.
Ne q’u nisëm për pelegrinazh
duke parë statujat e thyera
u habitëm dhe thamë se jeta s’përhumbet kaq lehtë
se vdekja ka shtigje të pazbuluara ende
dhe drejtësinë e saj të veçantë;

domethënë që kur ne, teksa ende më këmbë, po vdesim,
të lidhur në shkëmb
bashkuar në ashpërsi e dobësi,
të vdekurit e vjetër dolën prej zinxhirit e tash janë ringritur
buzëqeshin mes heshtjes allasoj.

22.
Kaq shumëçka kaloi para syve tanë
sa asgjë s’na panë sytë veç përtej
dhe përmbas qe kujtesa si një çarçaf i bardhë që mbështjell gjithë një natë
kur na u shfaqën vizione dhe më të çuditshme se ti,
që kalojnë dhe zhduken në gjethnajën e ngrirë të piperit të zi;

meqë e dinim kaq mirë ç’fat na priste
tek endeshim mes thepave të shkëmbinjve për tre a gjashtë mijë vjet
tek kërkonim në rrënoja që dikur ndoshta kanë qenë shtëpitë tona
duke u përpjekur të kujtojmë data e bëma heroike:
a do të mundemi?

teksa na kanë lidhur e na kanë shpërndarë
ndërsa ne luftuam, siç na thanë, me vështirësi të paqena
humbur, pastaj e rigjetëm një udhë plot regjimente të verbra
tek mbytemi në moçalet e liqenet e Marathonës
vallë do jemi në gjendje që të vdesim siç duhet?

23.
Pak m’andej
ne do të shohim lulet e bajames tek çelin
shëndritjen e mermerit përnën diell
detin tek copëtohet nëpër valë

pak m’andej
le të ngrihemi pak më lart.

24.
K’tu mbyllen punët e detit, punët e dashurisë.
Ata që ndonjëherë do jetojnë këtu ku po e mbyllim ne –
në iu errësoftë gjaku e në ua përmbyttë kujtesën –
le të mos i harrojnë shpirtrat tanë të brishtë në mes asfodelesh,
le t’ua kthejnë viktimave kokat drejt Erebit:

Ne që s’patëm hiç do u japim mësim, kështu, qetësisht.

“MËLLENJAT”

O pjellë fluturake e një demoni të lig dhe e një ore të ashpër
pse m’detyron të them çka do t’ish mirë për ty që kurrë mos ta dije.
(Sileni i drejtohet Midës)

A.

SHTËPIA PRANË DETIT

Shtëpitë që kisha m’i morën. Kohët
duket se qenë të papërshtatshme: luftë, shkatërrim, syrgjynosje;
ndonjëherë gjahtari shtje mbi shpezët që shtegtojnë,
ndonjëherë del huq. Gjuetia
shkonte mirë në vaftin tim, shumë i rrokën saçmat;
të tjerë fluturonin nëpër rrathë apo çmendeshin në foletë e tyre.

Mos m’i dëfte mua bilbilin apo laureshat
apo bishttundësin që
me bishtin e tij vizaton figura nëpër dritë;
S’di shumë për shtëpitë
E di që kanë natyrën e tyre, asgjë tjetër.
Në fillim të reja, si foshnjat
që luajnë në kopshtije me xhufkat që lëshon dielli.
ditës ia qëndisin
tenda ngjyrëplota dhe dyer që shëndrisin.
Kur arkitekti mbaron punë, ato ndërrojnë,
vrenjten a qeshin, a bëhen kokëforta
me ata që ndenjtën, me ata që shkuan
me të tjerët që do të ktheheshin po të kishin mundësi
a me ata që u zhdukën, tani që bota është bërë
një hotel i pafundmë.

Nuk di shumë për shtëpitë,
Mbaj mend gazmendet dhe trishtimet e tyre
ndonjëherë kur ndal të mendoj;
sërish
ndonjëherë, pranë detit, në dhoma të zhveshura
veç me një shtrat të hekurt e asgjë që të më përkasë
ndërsa shoh merimangat mbrëmjes, unë imagjinoj
që dikush po bëhet gati e po vjen, e që
po e veshin
me rroba të bardha e të zeza, me xhevahirë shumëngjyrësh,
rreth tij zonja të adhurueshme
flokë të përhime dhe shaje dantellash, që murmurisin zëulët,
se ai po bëhet gati të vijë e të më thotë lamtumirë;
apo se një grua – qepallapërpëlitur, belhollë,
tek kthehet prej limaneve të jugut,
Smirnës Fodit Sirakuzës Aleksandrisë,
prej qyteteve të mbyllura si grilat në kohë dielli,
me aromë frutash të arta dhe barërash –
ngjit shkallët pa vënë re
ata që i zu gjumi përfundi shkallëve.

Shtëpitë, e dini, bëhen lehtë kokëforta kur i zhveshin
cullak.

B.

ELPINORI SENSUAL

E pashë dje ke rrinte aty te dera
poshtë dritares sime; ishte thuajse
ora shtatë; me vete kish një grua.
Dukej bash si Elpinori para se të binte
e të copëtohej, mirëpo s’qe i pirë.
Po fliste shpejt, dhe ajo
shihte e përhumbur andej nga gramafonët;
herë pas here e ndërpriste dhe thoshte ndonjë fjalë
pastaj shihte e padurimtë
andej nga po fërgohej peshku: si macet.
Ai turfullonte me një bisht cigare nëpër buzë:
– “Dëgjo. Kam dhe këtë. Në dritën e hënës
statujat ndonjëherë përkulen si kallinjtë
kur piqet kohë e korrjes – statujat;
dhe flaka mund të shndërrohet në oleandër të bukur
e kam fjalën, flaka që të djeg.”
– “Është thjesht dritë… hijet e natës.”
– “Ndoshta është natë që çahet e hapet, si një shegë blu,
një kraharor i errët që të mbush me yje,
ngjitur pas kohës.
E prapëseprapë statujat
përkulen ndonjëherë, e ndajnë dëshirën në dy pjesë,
si një pjeshkë; dhe flaka
bëhet një puthje në gjymtyrë, një psherëtimë,
pastaj një petal i bukur që tutje e fryn era;
përkulen; bëhen të lehta sa një trup njerëzor.
Mos e harro.”

– “Statujat janë në muze.”

– “Jo, ato po të ndjekin, pse s’mundesh t’i shikosh?
e kam fjalën, me gjymtyrët e tyre të thyera,
me formën prej një kohe të qëkurshme, një formë që ty s’të
kujton gjë
mirëpo dije.
Është sikur
në ditët e fundme të rinisë të kesh dashur
një grua që ish ende e bukur, e të kesh qenë gjithnjë i trembur,
kur lakuriq e përqafoje në mesditë,
e prej kujtimeve që ringjalleshin nga përqafimi jot;
t’zu frika se puthja mund të t’kish tradhtuar
në shtretër të tjerë, që tash kanë shkuar
që gjithsesi mund të t’përndjekin
kaq lehtësisht, kaq lehtësisht, t’i japin jetë
imazheve nëpër pasqyrë, trupa dikur të gjallë:
sensualitetin e tyre.
Është sikur
tek kthehesh në shtëpi prej një vendi të huaj e të ndodh
që të hapësh
një sënduk të vjetër që ka qenë kyçur për një kohë të gjatë
e të gjesh rrobat e rreckosura që ke pas veshur dikur
në raste gëzimesh, në festivale ku drita shumëngjyrëshe
pasqyroheshin, e tash janë zbehur,
dhe gjithçka që mbet është aroma e mungesës
së një forme të re.
Vërtet them, ato statuja nuk janë
fragmente. Vetë ti je relike;
që të përndjekin me një virgjëri të çuditshme
në shtëpi, në zyrë, në pritjet që mbahen për raste celebrimi,
në terrorin e parrëfyer të gjumit;
ata flasin për gjëra që ti do të doje të mos ishin
apo që të ndodhnin shumë vjet pasi të kishe vdekur,
dhe kjo është shumë e vështirë sepse…”

– “Statujat janë në muze
Natën e mirë.”

– “…sepse statujat nuk janë më
fragmente. Ne jemi të tillë. Statujat përkulen lehtësisht… Natën
e mirë”.

Në këtë çast ata u ndanë. Ai mori
rrugën që çonte përpjetë, drejt veriut
e ajo lëvizi drejt plazhit përmbytur me dritë
ku valët janë zhytur në zhurmën e radios:

RADIOJA

– “Si velat që flladi prin
mendimet në tru lëvrijnë.
Aromë pishash, qetësi
melhelm shpirtin përtëri
tash detari në det del
trishtil, trumcak, harabel.
O grua, moj e shastisur
Dëgjo erën që ka nisur”.

“Qyp’i arit është sosur
edhe dielli është rreckosur
që një zonjë e mban gjerdan
e që kolla po e ngan;
ajo qan behar’n e shkuar
vithe e sup flori mbuluar.
Grua moj, dritëshkurtër moj
Këngën të verbrit dëgjoja”.

“Mbylli grilat, dolën yjtë;
prej kallamat e gdhend fyejt
mos ua hap sado trokasin:
s’kanë se ç’thonë sado bërtasin.
Merr çiklamina dhe zambakë,
yje deti për merak;
O grua pa mjaltë në hoje
shpirtin e ujit dëgjoje…”

– “Athinë. Populli e mori vesh
lajmin me alarm; frikësohesh
mos afrohet kriza. Kryeshefi
deklaroi: “Nuk ka kohë sa t’ju dojë qejfi…”
Merr çiklamin… hala pishe
Zambakë… hala pishe…
O grua…
– … është shumë më e fortë
Lufta…”

C.

RRËNOJAT E “MËLLENJËS”

“Kjo erë që më freskon ballin
në orët kur damarët m’i nxeh mesdita
lulëzon në tjera duar. Merre, po ta fal;
shih, është dru i pemës së limonit…”
Ia dëgjova zërin
ndërsa këqyrja detin e rrekesha të përfytyroja
një anije që fundosën vjet më parë;
quhej “Mëllenja”, një rrënojë e vogël; direkët,
e thyer, shpërndarë më kahe të pazakonta thellë nën ujë, si
tentakula,
apo si mbamendje ëndërrore, që shënojnë kiçin:
gojë e mjegullt e kufomës së një bishe detare gjigande
që ka vdekur në ujë. Qetësia shpërndahet ngado.

Dora-dorës i vjen radha zërave të tjerë që erdhën më pas
pëshpërima të holla e të etura
që mbijnë prej anës tjetër të diellit, prej anës së errët;
mund të mendosh se i ka marrë malli për të pirë një pikë gjak;
zëra të njohur, po s’po mundja t’i dalloja njërin prej
tjetrit.
Dhe atëherë zëri i një burri erdh pranë meje; e ndjeva
qetë-qetë tek binte në zemër të ditës,
thuajse i palëvizshëm:
“Dhe në më dënofsh që të pi farmak, të falënderoj.
Ligjet e tua do të jenë ligjet e mia; e si mund të shkoj
e të endem nga një shtet i huaj në tjetrin, një gur
që gremiset.
më mirë të vdes.
Kush ia del më mirë, zoti e merr vesh”.

Vendet e diellit, e prapë përballë s’i dilni diellit
Vendet e njerëzve, e prapë përballë s’i dilni njeriut.

DRITA

Ndërsa viti shkon
gjyqtarët që të dënojnë shtohen në numër;
vitet ikin, e ti bisedon me gjithnjë e më pak zëra,
e sheh diellin me sy të tjerë:
ti e di se ata që ndenjtën pas po të mashtronin
deliri i mishit, vallëzimi i dashur
që përfundon në zhveshje.
Ngjan sikur, ndërsa merr kthesë natën në një autostradë të zbrazur,
sheh befasisht sytë e një kafshe që shëndrijnë,
sy tashmë të shkuara; prandaj ndjen sytë e tu:
sheh diellin, pastaj përhumbesh në terr.
Kitoni dorik
që valëzonte si malet kur e prekje me gishta
statujë mermeri me trupin në dritë, po me kokën n’errësirë.
Dhe ata që e braktisën stadiumin për të kapur armët
qëlluan vrapuesin e maratonës
që e pa pistën tek lundronte mbi gjak,
botën që zbrazej si me qenë hënë,
kopshtijet e fitores largohen
i sheh në diell, përtej diellit.
Dhe djemtë që kridhen nga kiçet e anijeve
si furka që ende spërdridhen,
trupa të zhveshur që zhyten në dritën e zezë
me një monedhë ndër dhëmbë, dhe ende notojnë
ndërsa dielli me gjilpërën e artë qep
vela dhe dërrasa të njoma dhe ngjyrat e detit;
edhe sot ata shkojnë thellë në drejtim të lakuar
shtamba të bardha
drejt zajeve në shtrojën e detit.

Dritë, engjëllore dhe e zezë,
qeshje e valëve në shtigje të detit
qeshje e larë me lot,
lypësi plak po të sheh
ndërsa ecën për të kaluar përtej fushave të padukshme –
drita pasqyrohet në gjakun e tij,
gjaku që i dha jetë Eteoklit dhe Polinikut.
Ditë, engjëllore dhe e zezë;
shija e kripur e gruas që helmon të burgosurin
del përmbi valë një degë interesante zbukuruar me pika.
Këndo Antigonë e vogël, këndo, o këndo…
S’po të rrëfej gjëra që kanë shkuar, po flas
për dashuri;
zbukuroji flokët me gjemba diellorë,
vajzë e errët;
zemra e Akrepit ka lindur
tiranin e nxorën prej trupit të njeriut
dhe gjithë vajzat e detit, Nereidat, Graiat
nxitojnë drejt shkëlqimit të perëndeshës që po lind
ai që s’deshi kurrë do të dashurojë
në dritë:
do ta gjesh veten
në një shtëpi të madhe, me shumë dritare të hapura
tek bredh nga dhoma në dhomë, pa ditur ku të
shohësh më parë
sepse pishat do të zhduken, dhe malet e pas-
qyruara, dhe cicërimat e zogjve
deti do të thahet, qelqe të thyera prej veriut në jug
sytë e tu do të zbrazen dritës së ditës
njësoj si gjinkallat që befasisht, të gjitha bashkë, heshtin.

Përktheu: Arbër Zaimi / KultPlus.com

Sophia Loren: Nëse nuk ke qarë, sytë e tu nuk mund të jenë të bukur

Çdo fazë e jetës ka dështimet dhe të bukurat e veta!

Në moshën tridhjetë vjeçare je i ri dhe i pasigurt, dyzet je i fortë dhe shpesh i lodhur, pesëdhjetë je i mençur e ndoshta edhe disi melankolik.

Dhe kur mbërrin në pragun e të tetëdhjetave, me raste të kap dëshira t’ia nisësh së gjithës nga e para.

Lind sërish nëpër kujtime dhe dashurohesh me të ardhmen.

Kjo është vetëm një nga thëniet e Sophia Loren, gruas plot pushtet në kinematografi, një prej aktoreve më të dashura e të njohura në botë.

Në vijim, ju njohim me disa nga shprehjet e saj më të bukura, që janë pjesë e frazeologjisë botërore, duke frymëzuar miliona gra.

“Kur shihem në pasqyrë, bëj tifozllëk për veten. Nuk pyes ‘a jam e mrekullueshme?’ apo ‘a jam e bukur?’ Jo! Ka të bëjë me atë se si ndihem, sa e sigurt dhe e lumtur jam. Ajo ka rëndësi”.

Kur ti je nënë, ti vërtetë nuk je vetëm në mendimet e tua. Një nëne i duhet të mendojë dy herë. Një herë për veten dhe një herë për fëmijën e saj.

Veshja e një femre duhet të jetë si një gardh telash me gjemba: që t’i shërbejë qëllimit pa e penguar shikimin.

Një grua mund të duket më mirë, nëse ndihet mirë nën lëkurën e saj. Këtu nuk hyjnë as fustani e as tualeti, por mënyra se si shkëlqen.

Ka një burim i pashtershëm rinie: është mendja jote, talenti yt, krijimet që ti sjell në jetën tënde dhe jetët e njerëzve që ti do. Kur ti mëson ta shfrytëzosh këtë burim, ti vërtet e ke mundur moshën.

Duhet ta gëzosh jetën. Gjithmonë të jesh me njerëz që i pëlqen, njerëz me të cilët ke bisedë të këndshme. Ka kaq shumë gjëra pozitive për të cilat të mendosh.

Nëse nuk ke qarë, sytë e tu nuk mund të jenë të bukur.

Gabimet janë pjesë e haraçeve që paguhen për një jetë sa më të plotë.

Duhet të jesh e lindur një sex symbol. Përndryshe nuk bëhesh dot. Nëse ke lindur me këtë cilësi, atëherë do ta kesh edhe kur të jesh 100 vjeçe.

Pas kaq vitesh, unë prapë jam e përfshirë në procesin e vetëzbulimit. Ishte më mirë ta shfrytëzoja jetën dhe të bëja gabime se të bëj një jetë të sigurt.

Seksi është si të lash fytyrën – diçka që do ta bësh, sepse duhet bërë. Seksi pa dashuri është absolutisht qesharak. Seksi pason dashurinë, asnjëherë nuk e paraprin.

Shumë njerëz mendojnë se i dëshirojnë gjërat, por ata nuk kanë vërtet forcën, disiplinën. Ata janë të dobët. Unë mendoj se njeriu arrin çfarë do, nëse ai e do vërtet shumë.

Kurrë nuk jam përpjekur t’i errësoj kujtimet e së shkuarës, edhe kur ato janë tejet të dhimbshme. Gjithçka që përjeton, të ndihmon që të jesh njeriu që je.

Për të përparuar në profesion, kërkohet shumë besim tek vetja. Prandaj disa njerëz, me talent mediokër, por me shtysa të brendshme të fuqishme, shkojnë shumë më përpara se njerëz me talent të madh.

Nuk gjen kënaqësi në punë, nëse nuk e bën punën që dëshiron. / KultPlus.com

”Description de I’Egypte”, ekspozohet koleksioni i rrallë i Bibliotekës Kombëtare

”Description de I’Egypte”, një nga koleksionet e rralla në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u ekspozua sot në hapësirat e Teatrit të Operas dhe Baletit, në kuadër të Javës së Kulturës së Egjiptit, në prani në ministres së Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe homologes së saj egjiptiane, Nevin El Kilany.

E konsideruar si një prej arritjeve të mëdha jo vetëm shkencore por edhe artistike të kohës, kjo vepër që përmban 844 gravura, vepër e disa prej artistëve më të njohur të kohës, ushtroi ndikim të madh në mbarë Europën.

Në fakt, ajo shënon jo vetëm fillimin e egjiptologjisë si disiplinë shkencore, por njëkohësisht edhe lindjen e pasionit për artin e Egjiptit të lashtë, në mbarë botën perëndimore.

Për vetë cilësinë e jashtëzakonshme tipografike, bukurinë dhe përmbajtjen e saj, kjo vepër e famshme përbën një nga perlat e koleksionit të botimeve të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Me të 11 vëllimet e saj, që sillen në këtë ekspozitë mbulohen aspekte nga më të ndryshmet të Egjiptit të lashtë e të Egjiptit modern. Kjo është hera e parë që ky koleksion i prezantohet publikut shqiptar. /atsh / KultPlus.com

“Tipografia shqiptare 1555-1912” i Yll Rugovës promovohet në Prishtinë dhe Tiranë

Libri “Tipografia shqiptare 1555-1912” i Yll Rugovës do të promovohet në Prishtinë dhe Tiranë në muajin tetor, përcjellë KultPlus.

Dy vjet izolim të COVID-19 kanë liruar hapësirë për një hulumtim të veçantë mbi historinë e shkronjave, shtypshkronjave e botimeve shqiptare. Histori që mbase fillon edhe para botimit të Mesharit në vitin 1555, me inkunabulat e familjes Vitali, e që na është dashur ta ndërpresim më 1912 kur numri i shtypshkronjave dhe shtypshkronjësve shqiptar shumëfishohet.

Në libër diskutohet, përveç tjerash, për germat rotunda të Nichola Jensonit që përdoren te Meshari, për tipshkronjat e Alois Auerit të alfabeteve origjinale shqipe të Todhrit e të Veqilharxhit në mesin e shekullit të 19të, për gdhendjen në çelik të alfabetit të Stambollit nga vetë Sami Frashëri, e për shtypshkronjën prodhimtare të Kristo Luarasit. Kërkimi trajton të gjitha shtypshkronjat a shtypshkronjësit që kanë vepruar në viset shqiptare, e të gjithë librat në gjuhën shqipe nga kjo periudhë.

Promovimi do të mbahet më datë 2 tetor në Prishtinë, në Defy Them / Qendrën për Kulturë Alternative, ora 14:00.

Pak ditë më parë libri është botuar në formatin e-book nga shtëpia botuese Berk në Tiranë. Ndërkohë, më 6 tetor libri do të promovohet edhe në Tiranë te Berk, ora 17:00. / KultPlus.com

Fatos Berisha: Vjosa Berisha ishte motor, lokomotivë e festivalit, 40-të burra po tentojmë të vazhdojmë punën e saj

PriFest është gati për edicionin e sivjetmë, më të ndjeshmin në historinë e këtij festivali, pasi që për herë të parë po organizohet pa prezencën fizike të themelueses së këtij festivali, Vjosa Berishës, e cila vdiq  më 23 qershor të këtij viti, shkruan KultPlus.

Por vetëm prania fizike e Vjosës do të mungojë në këtë edicion dhe edicionet që do të vijnë, pasi që emri i saj tashmë është pjesë e pandashme e këtij festivali, e prej këtij viti emri Vjosa Berisha do të rri edhe më fuqishëm në disa formate.

Fatos Berisha, drejtor i festivalit dhe njëherit bashkëshort i Vjosa Berisha ka thënë për KultPlus se ky edicion ka edhe dedikimin për Vjosa Berishën, dhe krejt ky edicion do të bëhet me moton “For Her”, sikurse që ky edicion ka pas për moto të përvitshëm “Miqësi përgjithmonë”, nga ky vit do të jetë “Vjosa përgjithmonë”.

“Por për të kujtuar dashninë, pasionin dhe vullnetin e Vjosa Berishës që e ka ndërtuar këtë festival prej edicionit të parë e deri tashti, ne nga ky vit do të ndajmë edhe çmimin kryesor të festivalit “Çmimi Vjosa Berisha”, çmim i cili do të jepet për producentë, pasi që edhe Vjosa ishte producente”, ka thënë Berisha.

Dhe për këtë edicion që do të sjell 45 filma premierë për Kosovë, konferenca të shumta shtypi, punëtori, prezantime dhe shumë takime mes kineastëve, Fatos Berishën e ka gjetë të dërrmuar edhe emocionalisht dhe fizikisht, pasi që, punët që Vjosa Berisha kishte mbi supe, sipas Fatosit po duhet ti kryejnë mbi 40 burra dhe mezi po ja dalin.

“Ka lënë shumë zbrastësi, s’po flas vetëm për anën emocionale, por edhe asaj profesionale. Vjosa Berisha ka qenë motor, lokomotivë e këtij festivali. Jemi mbledhë mbi 40-të burra për organizimin e këtij edicioni, dhe mezi po ja dalim”, ka thënë Berisha, i cili në të njëjtën kohë falënderon miqtë e shumtë, që janë edhe nga komuniteti artistik të cilët kanë shprehë gatishmërinë për të ndihmuar që të realizojnë këtë edicion, i cili ka lëvizë edhe datat, si pasojë e humbjes së Vjosa Berishës.

Edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit artistik të metrazhit të shkurtë dhe të gjatë “PriFest” fillon me filmin “Vera andrron detin” me skenar të Doruntina Bashës e regji të Kaltrina Krasniqit, kurse do të përfundojë po me një film shqip “ “Virgjëresha Shqiptare” me regji të Bujar Alimanit. Hapja e ceremonisë do të mbahet sonte, në Kino Armata./ KultPlus.com

U dha premiera botërore e veprës origjinale “Monade” nga Robert Bisha

Koncerti plot imagjinatë dhe momente eklektike muzikore origjinale të kompozuara nga Robert Bisha u mbajt në Kino Lumbardhi ndërsa u performua në mënyrë fantastike nga Filharmonia e Kosovës, përcjellë KultPlus.

Një bashkëdyzim shumë i rëndësishëm i talenteve, zhanreve dhe kapaciteteve shprehëse muzikore në rrafshin stilistik nga institucioni më i lartë i muzikës koncertale në Kosovë dhe një moment mjaft me rëndësi për qytetin e Prizrenit.

Robert Bisha thurri një kompozim jo të zakonshëm për orkestrën e Filharmonisë së Kosovës me një formacion njashtu të rrallë duke përfshirë orkestrën, pjesë të korit, solistë, 2 kitara elektrike performuar nga vëllezërit Elvis dhe Gjullian Bytyqi, piano dhe çifteli performuar nga vet Robert Bisha, incizim paraprak elektronik dhe me shumë lloje të efekteve tingullore të performuara nga i gjithë formacioni.

Kompozitori Bisha u rikthye në Prizren për një qëndrim artistik, ku edhe filloi procesin për hulumtim dhe kompozim, duke e parë nga afër dhe duke njohur historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 viteve të kësaj kinemaje.

Orkestra u përcoll dhe me imazhe video në projektor.

Vepra ka një narrativë në secilën nga tetë pjesët e saj dhe mundohet ta shohë në çdo këndvështrim Prizrenin. Ka qenë “Lumbardhi” vendi ku kompozitori mbajti të vetmin koncert gjatë vitit 2020 në kohën e pandemisë, kur në prani të 50 personave në bahçe kishte interpretuar “Home Neverland” për solo-piano.

Përpos hapjes së sezonit të ri të Filharmonisë, premiera e “Monade” ishte edhe kremte për 70-vjetorin e themelimit të kinemasë Lumbardhi.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe këshilltarët e ministrit Çeku, Nora Arapi Krasniqi dhe Liburn Jupolli. / KultPlus.com

Jeton Kelmendit i ndahet çmimi ndërkombëtar “Kalorës i Urdhrit të Kirilit dhe Metodit” nga shteti i Ukrainës

Çmimi që e ndanë shteti i Ukrainës, “Kalorës i Urdhrit të Kirilit dhe Metodit”, është nderimi më i lartë që ua bënë autoriteteve jashtë vendit, për arritje shkencore, krijuese dhe përkrahëse, e në këtë rast, në shenjë mirënjohjeje këtë çmim ia ndanë, krijuesit Jeton Kelmendi.

Vëmendja e botës kah shteti i Ukrainës,  që po reziston ndaj një agresori sikur është Rusia, ka bërë që të përcjellën edhe lëvizje tjera me rreshtim ndaj Ukrainës, për ta përkrahur vullnetin dhe guximin e tyre për lirinë e vendit, e sikur po thuhet në shumë shkrime për çlirimin e një tendence me rrezikshmëri të lartë ndaj vendeve të rajonit. Kosova, duke pasur përballë Serbinë, shtet ky aleat i Rusisë, e me synime po të njëjta sikur lufta në Ukrainë e përkrahë në diplomaci, në strehime të disa gazetarëve, e forma tjera intelektuale.

Profesori dhe krijuesi, Jeton Kelmendi sikur edhe më parë në kontakte me miq krijues nga vende të shumta të botës, iu bashkua figurave të shumta publike dhe kulturore në mbështetje të vazhdueshme.

Dmytro Chystiak, shkrimtarë dhe autoritet i angazhuar në strukturë udhëheqëse të Ukrainës, e përshkruan angazhimin e akademik Kelmendit, ndër veprimtaritë aktive në këtë drejtim, sikur shkruan ai: “Jeton Kelmendi, kontribuoi në mbështetjen tonë ushtarake, lëvizjen vullnetare, mbrojtjen e informacionit dhe bashkëpunimin kulturor”. Chystiak i bën dhe një biografi Kelmendit duke shtuar, – “Pasi mori arsimin e lartë (specializimin në Marrëdhënie Ndërkombëtare) në Universitetin e Prishtinës, ai mbrojti një disertacion doktorature për Sigurinë Evropiane në Universitetin e Brukselit dhe që nga ajo kohë, ndërsa ishte në detyrën e mësimdhënies, drejton gjithashtu Shtëpinë Botuese me emrin “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë e Bruksel dhe krijon e ruan komunikimin e botimin nga shkrimet në gjuhën shqipe, gati me të gjitha gjuhët e botës. Merr pjesë në punën e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg, Akademitë Evropiane të Shkencave, Arteve dhe Letërsisë në Paris dhe në organizata të tjera. Ka qenë vazhdimisht i nominuar për çmimin Nobel në letërsi. Mori njohje ndërkombëtare si poet, i përkthyer në 37 gjuhë dhe i nderuar me një sërë çmimesh prestigjioze, duke përfshirë për edicionin ukrainas “Në krye të kohës” (2012) – Çmimin Ndërkombëtar Nikolai Gogol “Triumph” dhe për të, veprimtari e rëndësishme shkencore dhe artistike, duke përfshirë shpërndarjen e letërsisë ukrainase jashtë vendit – një zgjedhje e një anëtari të huaj të Akademisë së Shkencave të Ukrainës. Ndër shembujt e fundit të një miqësie të tillë është thirrja për të mbështetur Ukrainën në sesionin e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg më 2 korrik dhe për t’iu bashkuar lëvizjes vullnetare përmes organizatave ndërkombëtare gazetareske. Tani po përgatit një sërë projektesh botuese në mbështetje të Ukrainës, duke përfshirë antologjinë e poezisë ukrainase në shqip.

Chystiak e pranon me kënaqësi se Kosova luan një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen ndërkombëtare të Ukrainës, dhe shton më tej se, “më vjen mirë që Parlamenti ukrainas më në fund po përgatit një projekt për njohjen e Republikës së Kosovës, që të forcojmë më tej lidhjet tona për të mirën e të dy shteteve për një të ardhme të përbashkët evropiane.” / KultPlus.com

Lëshohet në qarkullim pulla postare “Shtëpitë shkolla”

Posta e Kosovës, sot ka lëshuar në qarkullim të jashtëzakonshëm emisionin e pullës postare me titull “Shtëpitë shkolla”, përcjellë KultPlus.

Sivjet u mbushën plot 30 vjet nga dita e themelimit të Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri“, e cila pati rolin ministror mbi funksionimin e sistemit të pavarur të arsimit të Kosovës, pasi që policia serbe rrethoi shkollat, duke mos lejuar mësimdhënësit dhe nxënësit të hyjnë në ndërtesa.

Mësimdhënësit shqiptarë kishin refuzuar të jepnin mësim me kurrikulën e re serbe, kështu që shteti pushtues i shkarkoi ata nga puna. Drejtorët shqiptarë të shkollave u zëvendësuan më drejtorë serbë. Nxënësit dhe studentët shqiptarë – 400,000 gjithsej – nuk shkuan në shkollë deri në janar 1992.

Për mbijetesën e arsimit shqip në Kosovë, familjet patriotike arsimdashëse hapën 3,200 shtëpitë e tyre, bodrume dhe garazhe private, që u shndërruan në shkolla të improvizuara për strehimin e mbi 100,000 nxënës të shkollave të mesme dhe studentë shqiptarë.

Filatelia e Postës së Kosovës, përmes imazhit të pullës postare, nderon dhe kujton të gjithë arsimtarët, drejtorët e shkollave, pronarët e shtëpive dhe hapësirave për mësimdhënie, prindërit e gjeneratave të viteve 90-ta, nxënësit për kontributin, qëndresën dhe sakrificën e tyre në ruajtjen dhe mbrojtjen e substancës së arsimit shqip dhe të identitetit kombëtar. / KultPlus.com

Një person vdes nga uria çdo 4 sekonda

Një person besohet se vdes nga uria çdo katër sekonda, kanë paralajmëruar mbi 200 organizata joqeveritare të martën, duke bërë thirrje për marrje të vendimeve në gjithë botën “për t’i dhënë fund spirales së krizës globale të urisë”.

Në një letër të hapur, të adresuar për liderët botërorë që mblidhen në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, 238 organizata nga 75 shtete, duke përfshirë, Oxfam, Save the Children dhe Plan International, kanë shprehur zemërim për nivelet e larta të urisë në botë.

“Rreth 345 milionë njerëz janë duke u përballur me uri të rëndë, shifrat janë rritur më shumë se dyfish prej vitit 2019”, kanë thënë organizatat përmes një deklarate.

“Pavarësisht premtimeve nga liderët botërorë se nuk do të lejojnë më kurrë uri në shekullin XXI, kriza e urisë është ende prezente në Somali. Rreth botës, 50 milionë njerëz janë në prag të urisë në 45 shtete”, kanë thënë ato.

Duke përmendur se rreth 19.700 njerëz vlerësohet se vdesin çdo ditë si pasojë e urisë, organizatat joqeveritare kanë thënë se kjo shifër nënkupton se një person vdes çdo katër sekonda.

“Është turp që me gjithë këtë teknologji në bujqësi, dhe teknika tjera, sot po flasim për uri në shekullin 21”, ka thënë Mohanna Ahmed Ali Eljabaly, nga njëra prej organizatave që kanë nënshkruar deklaratën.

“Nuk ka të bëjë vetëm me një shtet, apo një kontinent, dhe uria kurrë nuk ka qenë arsyeja e vetme. Kjo situatë flet për padrejtësinë e gjithë njerëzimit”, ka thënë ai.

Ndër vendet që përballen më së shumti me uri janë: Somalia, Haiti, Xhibuti, Kenia, Nigeri, Afganistani, Guatemala, Madagaskari dhe Burkina Faso. / KultPlus.com

Filmi më i shikuar në botë Avatar po rikthehet në ekranet e Cineplexx!

Filmi me i shikuar i të gjitha kohërave, Avatar po rikthehet ne kinema. Më 22 shtator do të keni mundësi ta përjetoni për herë të parë në Kosovë në teknologjinë 3D në te dy lokacionet e Cineplexx, Prishtinë dhe Prizren.

Regjisori i filmit, James Cameron thot se rikthimi i Avatar në kinema është mënyra se si ishte e menduar të shihej ky film. Ai e kupton se ka shumë njerëz që e kanë shikuar filmin vetëm përmes televizionit dhe shpjegon se ata fansa nuk e kanë parë vërtet derisa ta shohin në ekranin e madh. Avatar është padyshim një nga filmat më të këndshëm vizualisht të publikuar ndonjëherë. Planeti i Pandorës është i mbushur me ngjyra të gjalla dhe peizazhe mahnitëse me një botë të detajuar në të cilën fansat mezi presin t’i shikojnë përsëri.

Që nga debutimi i tij, Avatar ka lënë një ndikim masiv në botën e filmit, duke u bërë filmi me fitimet më të larta të të gjitha kohërave, si dhe një nga më të shpejtë për të kaluar kufirin e 2 miliardë dollarëve. Në çmimet e Akademisë 2009, ai u vlerësua për arritjet e tij në teknologji dhe inovacion, duke fituar Regjinë Arti më të Mirë, Kinematografinë më të Mirë dhe Efektet Vizuale më të Mira.

19/02/2019 SOCIEDAD CULTURA FOX

Duke dalë ndoshta në kohën perfekte, dy muaj përpara premierës së Avatar: The Way of Water, rishfaqja e Avatarit do të shërbejë si një rifreskim për fansat dhe do t’u mundësojë të sapoardhurve të përjetojnë të dy filmat në kinema.

Biletat per rishfaqjen e Avatar më 22 shtator mund t’i bleni përmes aplikacaionit CineplexxKS apo në kinema duke filluar nga ora 15:30. Oraret mund t’i shikoni këtu. / KultPlus.com

Dhjetë momentet që do të kujtohen gjatë nga funerali i Mbretëreshës Elizabeth

Funerali i Mbretëreshës Elizabeth ishte një nga ngjarjet më të ndjekura në histori. Mbi 250,000 njerëz kaluan në Westminster Hall për t’i bërë homazhe Mbretëreshë. Shifrat i bëri të ditura sekretarja britanike e Kulturës.

Ndërsa, gjatë ceremonisë, fotografët dhe mediat ishin në dispozicion për kapur momentet e duhura, të cilat kanë pushtuar rrjetin.

Më poshtë, do t’ju sjellim 10 nga momentet më të përfolura gjatë ceremonisë së funeralit, që janë bërë virale kudo dhe do të kujtohen gjatë nga të gjithë:

Lotët e Princeshës Charlotte në Windsor

Edhe pse në moshë shumë të vogël, Princesha Charlotte duket se ia doli të menaxhonte një ngjarje kaq të rëndë emocionalisht. Gjatë gjithë ceremonisë, ajo vetëm një herë “u kap” të qante, kur procesioni me arkivolin e gjyshes së saj mbërriti në Wellington Arch.

Këshillat e Princeshës Charlotte për Princin George

Vajza 7-vjeçare e Princit William dhe Kate Middleton u kap gjithashtu në një moment të dytë të shumëpërfolur pasi ishte ajo që në një moment duhej të këshillonte vëllain e saj të madh, Princin George, se si të zbatonte protokollin mbretëror.

“Duhet të përkulesh,” i tha Princesha Charlotte vëllait të saj ndërsa arkivoli i Mbretëreshës Elizabeth kaloi pas ceremonisë në Westminster Abbey.

Joe Biden priti në radhë dhe u vendos në rreshtin e 14-të të ulëseve

Edhe pse ndoshta njeriu më i fuqishëm në planet për shkak të pozicionit të tij, Joe Biden nuk u trajtua në atë mënyrë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth pasi protokolli dhe orari ishte për të gjithë njëlloj.

Joe Biden fillimisht, pasi ngeci në trafikun e Londrës dhe mbërriti me vonesë në Westminster Abbey, iu desh të priste në radhë në hyrje derisa ata që ishin planifikuar të mbërrinin përpara tij të zinin vendet e tyre.

Princi William dhe Princi Harry, u sollën si dy të panjohur në një funeral

Nipërit e Mbretëreshës Elizabeth ishin kryefjala në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth pas marrëdhënieve të trazuara mes tyre, veçanërisht pas martesës së Harry-t me Meghan Markle.

William dhe Harry gjatë gjithë funeralit të Mbretëreshës Elizabeth, megjithëse nuk ishin në distancë, pasi kushëriri i tyre Peter Phillips nuk ishte mes tyre, siç ndodhi në funeralin e Dukës së Edinburgut prillin e kaluar, ata shmangën çdo ndërveprim. Sytë e tyre nuk u takuan kurrë, duke mbajtur një distancë të sigurt mes tyre.

https://www.youtube.com/watch?v=5M-JraewjRU

Emocioni i Mbretit Charles
Megjithatë, personi tek i cili të gjithë kishin kthyer vëmendjen e tyre ishte Mbreti Charles III, pasi ai tani do të zërë vendin e Mbretëreshës Elizabeth e cila mbretëroi për 70 vjet.
Monarku i ri i Mbretërisë së Bashkuar, edhe pse në pjesën më të madhe të funeralit të Mbretëreshës Elizabeth ishte i vrenjtur dhe i përmbajtur, megjithatë, kishte raste kur ai nuk i mbante dot lotët për t’i thënë lamtumirë nënës së tij të dashur.

Gajdja që shënoi fundin

Lamtumira e fundit e Mbretëreshës Elizabeth dhe fundi përfundimtar i ceremonisë madhështore që zgjati gjithsej 12 orë u shënua të hënën mbrëma nga zhurma e gajdeve të drejtuara nga muzikanti personal i monarkes, Paul Burns, i cili performoi një këngë prekëse ndërsa arkivoli i Mbretëreshës Elizabeth ul në Kështjellën e Shën Gjergjit.

https://www.youtube.com/watch?v=fXIrbchBwqI

Meghan Markle dhe Kate Middleton

Dy nuset e Mbretëreshës Elizabeth ishin disa herë në qendër të vëmendjes gjatë funeralit të monarkes, pasi mënyra se si ato sillen dhe ndikojnë në jetën e Princit William dhe Princit Harry shpesh kanë pushtuar informacionin e mediave britanike.

Lëvizja e Meghan Markle për të fshirë lotët e saj teksa shihte arkivolin e Mbretëreshës duke u larguar nga Westminster Abbey ka shkaktuar një mori komentesh kryesisht negative për gruan e Princit Harry.

Në të kundërt, lëvizjet e Kate Middleton gjatë gjithë ceremonisë ishin subjekt i komenteve pozitive pasi Princesha e Uellsit zgjodhi një kombinim elegant të zi, duke zgjedhur ta bashkonte atë me një palë vathë dhe një varëse me perla të trefishtë që ishte pjesë e koleksionit të bizhuterive të Mbretëreshës Elizabeth.

Qentë e dashur dhe “lamtumira” nga kali i Mbretëreshës Elizabeth

Marrëdhënia e Mbretëreshës Elizabeth me qentë e sja dhe kalërimi ka qenë i njohur për shumë vite dhe kjo është arsyeja pse ata kishin një kapitull të veçantë në funeral.

Surprizën e madhe e ka bërë “Emma”, “bukuroshja e zezë” e preferuar e mbretëreshës, e cila është shfaqur në rezidencën e fundit të Elizabeth, në Kështjellën Windsor.

Merimanga që gjeti një vend në arkivol

Një merimangë që u pa nga përdoruesit e mediave sociale duke ecur në shënimin e lënë nga mbreti Charles lart arkivolit bëri xhiron e rrjetit.

“Merimangën më të famshme në botë”, ka qenë komenti i një përdoruesi të rrjeteve sociale ndërsa mediat britanike nuk kanë mundur të mos komentojnë ngjarjen konkrete.

Koristi i vogël që “i dha të gjitha”

Një djalë me flokë kafe, anëtar i korit, i cili recitoi himne në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth, ra në sy edhe në rrjetet sociale.

“Djali flokëkuq nga kori më vodhi zemrën me seriozitetin e tij ”, ka shkruar një përdorues i rrjeteve sociale. Të tjerë folën për një “super-yll” ndërsa kishte nga ata që flisnin për një “shfaqje teatrale”./ abcnews / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=fLQCAO2zgrs

U mbajt manifestimi letrar “Takimet e Dom Mikelit”, temë kryesore shpirti arbëresh

Ndër aktivitetet e rëndësishme tradicionale kulturore që organizohen në Kosovë është manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” që organizohet në Stubëll të Vitisë.

Këtë vit temë kryesore e trajtesave akademike, shkencore e kulturore ishte shpirti arbëresh, si një vlerë identitare që na bashkon të gjithëve. Gjithashtu në vazhdimësi të manifestimit u mbajt edhe ora letrare “Agim Ramadani”.

Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shumta nga jeta politike, shkencore, kulturore e fetare. Ndër ta, ministri Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Ipeshkvi Dodë Gjergji, studiues nga Italia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Me kumtesat shkencore, në manifestim folën: Domenico Morelli nga organizata “Hora e Arbëreshëvet” nga Italia; Lekë Sokoli nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës; Asllan Hamiti nga Universiteti “Shën Kirili e Metodi”, Shkup; Erenestina Gjergji-Halili nga Universiteti i Tiranës dhe Merxhan Avdyli nga Universiteti “Kadri Zeka”, Gjilan.

Ndërsa ora letrare u hap nga poeti Agim Gjakova, për të vazhduar me ligjëruesit dhe poetët tjerë që pasuruan manifestimin. Po ashtu me dy këngë arbëreshe para publikut performoi këngëtarja Teuta Pango.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ndër të tjera, ministri Çeku vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Dom Mikelit, emrin e të cilit e mban manifestimi.

“Këto takime, ky manifestim, është një konfirmim që ne bashkërisht po punojmë për të kultivuar identitetin tonë shqiptar. Ne si institucione në bashkëpunim me të gjithë, do të vazhdojmë të mbështesim organizime si këto që kultivojnë dhe dokumentojnë kontributin dhe jetën e figurave tona më të ndritshme të kombit”, u shpreh ministri.

Kjo ngjarje që mbahet që prej vitit 1990, organizohet nga Shoqata Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi”. / KultPlus.com

Parku Kombëtar i Llogorasë, destinacioni i mbi 110 mijë turistëve

Parku Kombëtar i Llogorasë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës, është një ndër atraksionet turistike më të vizituara në vend.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë tha sot për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-gusht ky park u vizitua nga 110 087 turistë, nga të cilët 15 674 të huaj dhe 94 413 vendas”.

Sipas ADZM Vlorë, turistët  përveç shtigjeve që ndodhen në këtë park, kanë vizituar edhe qendrën e vizitorëve të parkut kombëtar Llogora, ku janë njohur me historinë e këtij parku.

Gjatë ditës së djeshme ky park mirëpriti një grup botanistësh të huaj, të cilët nën koordinimin e AdZM Vlorë, u njohën me vlerat natyrore të parkut si edhe ndoqën nga afër shtegun e Qafës së Thellë, e cila përbëhet nga prezenca e lartë e llojeve endemike dhe subendemike.

Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.

Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit. Në këtë territor shtrihen disa fshatra turistikë si Palasa, Dhërmiu, Vunoi etj., që gjatë stinës së verës janë të populluar nga turistët vendas e të huaj.

Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore e dimërore si ngjitje në lartësi, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por edhe për sporte ajrore, ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive. /atsh / KultPlus.com

Ky është varri i Isa Boletinit në Podgoricë, vetëm disa ditë pas vrasjes

Në janar të 1916-s, ushtritë austro-hungareze po depërtonin në territorin malazez. Më 20 janar 1916 malazezët vendosin të transferojnë kosovarët në Podgoricë. Ndërsa austro-hungarezët avanconin, tri ditë më vonë do të ndodhte tragjedia.

Më poshtë po citojmë kujtimet e Tafil Boletinit, nip i Isait, i vetmi i shpëtuar nga masakra:

“…Ndërkohë kasneci lajmëronte: Pushtet ma s’ka, gjithkushi nëpër shpija. Ushtria austriake asht hi në qytet. Gjandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Llazareviç me dy batalione gjandarë. Ky kriminel i njoftun, po me këta gjandarë që quheshin ‘krillash’ (me krah), ka pasë me tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë. Këtë xhelat populli i atyne anëve e njef me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare…

Të gjitha kryqet e rrugëve Savo i kishte xanë me patrulla të forta. Me nja 80 gjandarë kishte zanë pusi në të dy anët e urës së Ribnicës jo larg kishës katolike e karshi prefekturës… në ato moment mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifesh gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë komandon: Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë s’ia kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhetçes.

E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isa, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bomëbn që ia pat marrë Niko gjandarit…

Mbrenda pak minutave tragjedia mbaroi. U vra Isa vetë i tetë:

1. Isa Boletini, vjeç 51.

2. Halili, i biri, vjeç 24.

3. Seidi, i biri, vjeç 18, student në Vjenë.

4. Jonuzi, nipi, vjeç 26.

5. Halili, nipi, vjeç 24.

6. Hajdar Selim Radisheva, kunat i axhës dhe dhandërr, vjeç 30.

7. Idris Bislimi, nipi i Hajdarit, vjeç 18.

8. Misin Niman Bala nga Isniqi, kushëri, vjeç 26. / KultPlus.com

Ikona e kinematografisë, Sophia Loren feston sot 88 vjetorin e lindjes

Sophia Loren lindi më 20 shtator 1934 në Romë, Itali. Është një aktore e filmit dhe teatrit dhe fituese e çmimit Oskar.

Në 1962, ajo fitoi çmimin e Akademisë për aktoren më të mirë për rolin e saj në “Dy Gratë”, duke u bërë kështu aktorja e parë që fitoi një Çmimi Akademie për një performancë jo-anglisht-folëse. Loren ka fituar 50 çmime ndërkombëtare, duke përfshirë dy Oskar, pesë Golden Globe Awards, një Grammy Award dhe çmimin BAFTA.

Filmat e saj të tjerë janë: Krenaria dhe Pasioni (1957), Lundër e banuar (1958), El DC (1961), Rënia e Perandorisë Romake (1964), Njeriu i La Mancha (1972), Cassandra (1976), interpretojnë -à-Porter (1994), Burrat Grumpier të Vjetër (1995), dhe “Nëntë” (2009).

Në 1999, Sophia Loren ishte listuar nga Instituti i Filmit Amerikan në Vite AFI’s 100. Nga 100 Yjet si një nga 25 femrat e ekranit amerikane, legjendat e të gjitha kohërave. Në 2002, ajo u nderua nga Fondacioni italiane Kombëtar Amerikan (NIAF) në përvjetorin e saj vjetor Gala.

Fëmijëria e Loren

Loren u lind si Sofia Villani Scicolone në Romë, e bija e Romilda Villani (1914-1991) dhe Riccardo Scicolone, një inxhinier ndërtimi. Scicolone (babai) refuzoi të martohet me Villani (nënën), duke lënë atë, një mësuese që aspiron piano dhe aktore, pa mbështetje. Megjithatë, prindërit e Loren e kishte një fëmijë tjetër së bashku, Maria, motra e saj, lindur në 1937. Romilda, Loren dhe Maria jetuan në Pozzuoli, afër Napolit, me gjyshen me qëllim që të mbijetojnë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Pozzuoli ishte një objektiv i shpeshtë bombardimeve të aleatëve. Gjatë një bastisje, Loren vrapoi për strehim, ajo u godit nga një predhë. Më pas, familja lëvizi në Napoli me kushte të vështira ekonomike.

Karriera brilante e Sophia Loren ka bërë që aktorja të kthehet në ikonën dhe idhullin e miliona fansave në mbarë botën. E njohur për dhjetëra role të suksesshme, Loren dëshmoi edhe një herë në moshën 86 vjeçare që është një yll i pashoq teksa aktroi në filmin e realizuar nga djali i saj Edoardo Ponti.

Në këtë film ikona italiane tregoi edhe një herë se talenti i saj është po aq i rrallë sa edhe bukuria e saj. Aktorja e famshme është e njohur gjithashtu edhe për thëniet që ka përdorur gjatë karrierës së saj, shprehje të cilat janë marrë si muzë për miliona dashamirës të saj. / KultPlus.com

SOPHIA LOREN, late 1950s

Presidentja Osmani njofton për lansimin e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja Osmani njofton për lansimin e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në Kosovë më 22-23 tetor.

Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Prishtinë do të organizohet edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), më 22-23 tetor 2022.

Me temën “Ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme”, ky forum ndërkombëtar ka për qëllim të reflektojë mbi sukseset dhe sfidat e kësaj axhende 22 vite pas miratimit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën për të njohur e promovuar aftësitë e grave dhe vajzave për të kontribuar në mënyrë aktive e përmbajtësore në procese të paqes dhe sigurisë.

Ky edicion i parë i Forumit do t’i dedikohet trashëgimisë së ish-sekretares së SHBA-ve, Madeleine Albright. Forumi do të sjellë në Kosovë liderë nga rajoni dhe bota, akademikë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, e personalitete përgjegjëse për zbatimin e kësaj axhende.

Organizimi i këtij Forumi ndërkombëtar është një ndër zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci. Forumi synon të përçojë qartë mesazhin se paqja dhe siguria e grave janë shtyllat qendrore të vizionit të Kosovës për paqe të qëndrueshme në nivel vendor, rajonal dhe global.

Forumi GPS do të zhvillohet në një kohë kur paqja, liria dhe siguria po sulmohen në zemër të Evropës, teksa gratë e vajzat sërish janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Forumi do të fokusohet në “Ndërtimin e aleancave për paqe të qëndrueshme” dhe do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mësimeve të nxjerra nga përvojat e vendeve pjesëmarrëse, zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të balancuara gjinore, si dhe hartimin e kornizave të reja të veprimit në vazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme të arkitekturës së sigurisë dhe paqes në Evropë e më gjerë.

Në këtë frymë, Forumi do të promovojë një rol më të fuqishëm për gratë në të gjitha fushat e jetës dhe posaçërisht drejt avancimit të Axhendës GPS.

Forumi organizohet në bashkëpunim me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla Schwarz, si dhe mbështetet nga partnerë lokal e ndërkombëtar.

PËR ÇËSHTJE TË AKREDITIMIT: Forumi do të jetë i hapur për mediat vendore, rajonale e ndërkombëtare. Të gjitha informatat, përfshirë akreditimin medial, do të publikohen në javët në vazhdim. / KultPlus.com