Nëntë muaj pasi kullat u rrëzuan, Lucas Foglia vizitoi lagjet e ndryshme të Nju Jorkut me kamerën e tij.
Fotografi Foglia thotë: ‘Kështu më kujtohet New York City në vitin 2002. Isha 19 vjeç dhe sapo isha shpërngulur në Manhattan nga ferma e familjes sime në Long Island. Ishte vera e parë pas sulmeve të 11 shtatorit.”, transmeton KultPlus.
Ai paraqiti përmes fotove ‘qytetin që po shërohej … por me plagë’.
Më poshtë mund të gjen fotografitë që ai i realizoi gjatë asaj kohe:
Lucas FogliaLucas FogliaLucas FogliaLucas FogliaLucas FogliaLucas Foglia
Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se familjet e viktimave të 11 do të kenë drejëtsi, teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për faktin se gjyqet e atyre që qëndrojnë pas sulmeve, janë ende të bllokuara në Guantanamo.
“Ne po punojmë për këtë”, tha presidenti amerikan.
“21 vjet më vonë, ne mbajmë të gjallë kujtimin e jetëve të çmuara që na u vodhën në Ground Zero, Shanksville dhe Pentagon. Jill dhe unë jemi pranë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre dhe ende po vuajnë. Nuk do ta harrojmë kurrë ”, shkroi Biden në Twitter me rastin e 21 vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit.
Presidenti do të jetë në përkujtimin e sulmeve në Pentagon, ku do të mbahet një minutë heshtje rreth orës 9.37, ora e rrëzimit të Boeing 757 të American Airlines. Të 64 pasagjerët në aeroplan vdiqën nga përplasja, duke përfshirë terroristët dhe 125 persona që ndodheshin në ndërtesën e Departamentit të Mbrojtjes./ KultPlus.com
Mbretëresha ndërroi jetë tre ditë më parë në moshën 96-vjeçare. Dashur padashur, ajo është bërë pjesë e kulturës pop. Ajo ka qenë shumë herë në qendër të modës pasi veshjet që ka zgjedhur për daljet e saj publike kanë pasur gjithmonë një nuancë të theksuar për t’u dalluar nga turma. Kjo është arsyeja pse asaj iu dha një titull tjetër, ai i “Mbretëreshës së ylberit”. Në pjesën e “look-ut” gjërat ishin disi më të thjeshta.
Flokët e saj kaçurrela kafe të prera ishin stili i saj stoik. Ndërsa rritej, ajo mbajti të njëjtin prerje flokësh, duke i lënë të zbardhen. Vetë ajo përvetësonte një grim të caktuar me nuanca të qeta dhe patjetër pa ekzagjerime. Megjithatë, ka pasur disa raste kur asaj i pëlqente të provonte nuanca të theksuara të buzëkuqit.
Lilibet kishte dashuri për buzëkuqët dhe kjo ishte diçka që mund ta dalloje lehtësisht. Edhe në paraqitjet e saj të fundit, ajo u kap nga kamera duke ribërë buzëkuqin, një nga zakonet e saj të preferuara publike. Edhe ndoshta pjesa më interesante ishte se përputhej me veshjet e saj shumëngjyrëshe. Më poshtë janë 11 nga momentet e saj më ikonike të bukurisë.
Në maj të vitit 1944 në moshën 18-vjeçare me flokët e saj kaçurrela.
Me një kapele kashte shpalli dashurinë për aksesorët e flokëve.
Në vitin 1954, Mbretëresha Elizabeth në një paraqitje të saj me një model flokësh që do të shfaqej në tapetin e kuq. Flokët e saj kaçurrela janë të tërhequr mbrapsht, ndërsa ajo mban një kordele mbresëlënëse.
Me vetulla të forta.
Gjatë turneut mbretëror në Australi në 1956 me buzëkuq të errët ngjyrë të kuqe.
Buzëkuq i kuq dhe një model flokësh mbresëlënës në Suedi në 1956.
Një nga veshjet e përshtatshme të Mbretëreshës Elizabeth në 1982.
Dikush mund të thotë se ajo ishte një profesioniste edhe në kombinimin e ngjyrave. Në vitin 2007 me një veshje jeshile dhe buzëkuq të shndritshëm.
Trendi “Babushka” para se të ishte cool. Krahas veshjeve shumëngjyrëshe, mbretëreshës Elizabeth i pëlqente veçanërisht shamia. E shoqëruar gjithmonë me buzëkuqin e saj të preferuar si në vitin në 2015.
Ajo nuk u nda me buzëkuqin e saj të preferuar të kuq as në mesazhin e Krishtlindjes në 2021, gjatë karantinimit.
Roza e nxehtë në të mirën e saj. Në një nga paraqitjet e saj të fundit në 2022, Mbretëresha Elizabeth jo vetëm përqafoi trendin e sezonit, por tregoi se çfarë do të thotë një pamje e duhur njëngjyrëshe./abcnews.al./ KultPlus.com.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, krahas presidentëve të shteteve të rajonit do të marrë pjesë në takimin e 11-të të procesit Bërdo-Brione.
Sipas presidencës, thuhet se temat të cilat do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashkërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog.
“Presidentja Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Takimi i Procesit Bërdo-Brione do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni nën udhëheqjen e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq. /KultPlus.com
Mbretëresha Elizabeth II ka lënë një letër sekrete që mbahet brenda një kasaforte në ndërtesën historike të Mbretëreshës Victoria të Australisë.
Sipas burimeve, letra nuk duhet të hapet për 63 vjet të tjera, ndërsa ka 36 vjet që mbahet aty.
Letra është shkruar nga Mbretëresha në nëntor 1986 gjatë një vizite shtetërore në Sidnei. Gjithashtu janë dhënë udhëzime të qarta se kur përmbajtja e letrës duhet të zbulohet për publikun.
Në letrën e shkruar nga Mbretëresha drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Sidneit, Australi thuhet: “Përshëndetje. Në një ditë të përshtatshme të zgjedhur nga ju në vitin 2085, ju lutemi hapni këtë zarf dhe përcillni tek qytetarët e Sidneit mesazhin tim për ta.”
Ndërtesa në të cilën ruhet kasaforta u përurua në 1898 për t’i bërë nderime Mbretëreshës Victoria në jubileun e saj të Diamantit.
Monarku britanik mbetet kreu i shtetit në Australi. Në vitin 1999, vendi pati një referendum për të vendosur nëse donte të bëhej republikë.
Megjithatë, 54% e popullsisë në atë kohë mbajti anën e Mbretëreshës duke vendosur që të mbetet kreu i shtetit. Për rrjedhojë, posti i kreut të shtetit të Mbretëreshës mbeti i pashfuqizuar, shkruan Daily Mail.
Mbretëresha e ndjerë vizitoi për herë të parë Australinë në vitin 1954. Ajo ishte monarkja e parë në fuqi që vizitoi vendin. Në total, Mbretëresha Elizabeth II e ka vizituar Australinë 16 herë. /KultPlus.com
Ushtria e Ukrainës thotë se forcat e saj kanë rimarrë mbi 3,000 km katrorë (1,158 milje katrore) gjatë një kundërofensive të shpejtë në Ukrainën lindore, përcjell KultPlus.
Përparimi i jashtëzakonshëm, nëse konfirmohet, do të thotë se forcat e Kievit kanë trefishuar tokat e tyre të deklaruara në pak më shumë se 48 orë.
Të enjten në mbrëmje, Presidenti Zelensky e vuri shifrën në 1000 km katrorë dhe më pas 2000 km katrorë të shtunën në mbrëmje.
BBC nuk mund të verifikojë shifrat ukrainase dhe gazetarëve iu është mohuar qasja në vijat e frontit.
Ministria ruse e mbrojtjes konfirmoi tërheqjen e forcave të saj nga vetë Izyum dhe Kupiansk, gjë që tha se do t’i lejonte forcat e saj “të rigrupohen” në territorin e mbajtur nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Ministria ruse konfirmoi gjithashtu tërheqjen e trupave nga një qytet i tretë kyç, Balaklya, në mënyrë që të “forcojë përpjekjet” në frontin e Donetsk. Forcat ukrainase hynë në qytet të premten. /KultPlus.com
Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë ku rrinë kujtimi, brenga zemra dhe heshtja vetë, posi pëllumba letrat degdisen që me natë. I ndiej tek flatrojnë për në shtegtim të gjatë.
Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra, plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.
Letra, pusulla, fjalë: që nisen në hapësirë, ëndrra ende pa çelur, mendime ende pa gdhirë, të gjitha marrin rrugën drejt vatrës e drejt pragut, si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj. Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen, aty u zverdhën faqet, aty germat u shuhen, aty humbasin radhët.
Ku mallet derdhur qenë, aty jep shpirt gëzimi. Pasi cepat u brenë,aty rropaten thellë (ç’varrezë e llahtarshme!) hem ndjenjat e kaluara, hem dashuritë e tashme
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Po kur të shkruaj unë do dridhet kallamari: do skuqet bojë e zezë, me flakërima zjarri. Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia: do shkruaj gjaku im gjithë gulç nga dashuria
Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur, me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur. Si zog që për fole qiell- ajër do të ketë, mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë. Do mbetesh ti e zhveshur tek dridhesh me ngadalë, e gatshme ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.
Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Një letër dje kam parë sesi mbeti pa zot, mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot. Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënë tregojnë: që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.
Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim ërmimn’ e letrës sate tamam si një gjëmim. Dhe mos e marsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër. /KultPlus.com
Si duket ne ende edhe sot ,nuk kemi arritë me kuptu rëndësinë e madhe të bashkimit të principatave arbërore,respektivisht të kryefisnorëve e fisnorëve nga kryezoti arbëror Gjergj Kastrioti në Kuvendin e Lezhës të 2.Marsit të vitit 1444.
Ky ishte shembulli i parë në atë kohë se si duhej të bashkoheshin popujt e Europës,kur dihet se shumë popuj të Europës ishin në luftra të brendshme dhe të ndarë në egoizmin e tyre ,gjë që edhe kjo ndarje e tyre dhe mosbashkimi në luftën kundër pushtuesit otoman, e bëri armikun të përparonte drejtë popujve të Europës.
Gjeniu arbëror me shembullin e tij të bashkimit në Kuvendin e Lezhës i tregoj popujve të Europës së kjo është e vemtja rrugë e cila i sjellë Europës fitoren kundër armikut otoman dhe e vetmja rrugë që i nderon të gjithë si princat, mbretërit dhe vetë popujt europian.
Ai kudo si në letërkëmbime, si në tryeza, si në fjalime publike ku mbante kudo ku udhëtonte jashtë vendit të tij ,i jepte Europës idenë e bashkimit,të udhës së dritës, të fitores dhe të mirës së përbashkët të popujve të asaj kohe ,të cilët ishin tanimë të rrezikuar nga armiku që i zgjeronte territoret e pushtuar në mënyrë të pamëshirshme dhe pa kursyer asgjë.
Vetëm pas vdekjes së kryezotit,gjeniut,vizionarit e ideatorit të bashkimit Gjergj Kastriotit, popujt dhe princat e mbretërit europian e kuptuan rëndësinë e bashkimit, dhe mbrojtjes së qenjes identitare dhe civilizimit të përbashkët.
Prandaj edhe një nga historianët dhe autorët gjerman shkruar në një kronik të vitit 1688 nxorri këto fjalë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit:
Ndërsa mendoj, në këtë çorganizim të madh të krishterëve(shënim im- Europës), dhe gjithnjë e më shumë mbi Gjermaninë që e kanë gllabëruar flakët e luftës së brëndshme, dëgjoj Skënderbeun trim të thërrasë nga varri:
„Dëgjoni o princa të krishterë gjerman,
jini të etur për virtyte!
Nëse doni të jeni zotërues të fuqishëm,
bëni vepra heroike.
Pse po e luftoni veten(njëri-tjetrin);
Nuk sjellin lavdi fitore të tilla,
Por, më mirë të luftoni kundër armikut…“
Kjo thirrje me gojën e Gjergj Kastriotit edhe pas vdekjes së tij ,nga autori për popullin e vetë gjerman i cili ishte në krizë,në ndarjeve dhe egoizma e pasione të brendshme në atë kohë, tregon se sa figur diellore ,vizionare, heroike,përbashkuese dhe gjeniale ishte kryezoti ynë arbëror Gjergj Kastrioti.
Kur unë shkojë në biblioteka dhe arkiva dhe shohë se si historia e jetës dhe veprave të arbërorit tonë të madh ka pushtuar arkivat ,bibliotekat dhe kudo i vlerësuar dhe si figurë që merret shembull mbikohor ,atëherë i them vetes sa i bekuar që jam nga gjaku i Gjergj Kastriotit, sa me vlerë është kombi im po t’ia dinte rëndësinë dhe vlerën qa ka patur dhe që ka edhe sot ky burrështeti,ky gjeni ,e gjeneral i të gjitha kohërave, ky vizionar,ky ideator i bashkimit dhe i të mirës së përbashkët të Arbërisë dhe Europës. /KultPlus.com
“Marisë i erdhën prindërit atë natë. E shikonin se si dergjej si një kufomë pranë syve të tyre dhe nuk ka gjë më të rëndë se prindi ta shikojë fëmijën e tij të varur nga droga. Por edhe unë kisha shumë probleme. Herë pas here dëgjoja një zhurmë të çuditshme dhe nuk arrija ta kuptoja se çfarë ishte. I shikoja edhe pacientë përreth, ishin ca pleq që thithin faqet brenda gojës dhe lëshonin ca kërcitje të çuditshme me gjuhë. Ata nuk më vinin re mua, sepse nga dhimbjet kishin humbur në mendimet e tyre. E pashë edhe një të vdekur të shtrirë afër tyre, por ajo nuk kishte aspak rëndësi. Unë e mbaja shikimin te prindërit e Marisë dhe nuk doja që ata të më vërenin. Isha fshehur dhe arrija vetëm t’i dëgjoja, duke i vjedhur me sy. Këtu e kuptova sa shumë e doja Marinë. Nga ky shkak zemra ime pomponte gjak vetëm për Marinë. “Të dua! E di që ke probleme. E di që je e thyer. Zot, po të lutem, mos e thyej vajzën time!”, ishin fjalët e nënës së Marisë. Babi i saj qëndronte mbrapa dhe e gërryente veten për brenda, për çudi asnjë pikë loti nuk rrodhi nga sytë e tij. Dukej si burrë i fortë që i qëndron stoik dhembjes. U ula në korridor, e mbështeta kokën për muri. Ndieja një dëshpërim të papërshkruar. Kurrë më keq nuk jam ndierë, veçse në kohën e luftës së Kosovës…” /KultPlus.com
Muajin e ardhshëm, aktori i njohur Jim Belushi, me origjinë shqiptare, do të udhëtojë drejt Tiranës, shkruan KultPlus.
Në një takim me biznesmenë të huaj në Tiranë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi lajmin dhe vuri në dukje se kjo është një kohë e shkëlqyer për të vizituar kryeqytetin shqiptar.
“Tirana është këtë vit Kryeqyteti Europian i Rinisë. Është një moment i shkëlqyer për të ardhur në Tiranë. Kemi patur mbi 1 mijë aktivitete kulturore artisitke. Ne sapo organizuam Festivalin e Dua Lipës në Tiranë, Rita Ora kishte koncertin e saj po ashtu. Muajin e ardhshëm do vijë edhe Jim Belushi në Shqipëri. Edhe ai i është shqiptar”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se aktivitetet e shumta të qytetit kanë gjeneruar një energji të këndshme që është e perceptueshme për të gjithë ata që e vizitojnë.
“Ne ndoshta nuk jemi vend aq i madh si disa të tjerë, por jemi origjinalë. Jemi një vend i bukur, me energji pozitive. Çdo qytet mund të ndryshojë, çdo shoqëri mund të ndryshojë, çdo vend mund të ndryshojë, por që qytetet të ndryshojnë duhet vendosmëri, disiplinë dhe një dozë e madhe kreativiteti”, u shpreh Veliaj.
Biznesmenët u mblodhën nga YPA Albania, një grup prej mbi 28 000 drejtuesish që mblidhen çdo vit për të zhvilluar dhe përmirësuar sektorin e biznesit. /KultPlus.com
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë vazhdon të zgjojë interesin e turistëve vendas dhe të huaj.
Sipas statistikave të vizitueshmërisë, në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë numri i vizitorëve ka ardhur në rritje gjatë 2022.
Muaji gusht i vitit 2022 shënoi një rritje prej 30 % të numrit të vizitorëve krahasuar me muajin gusht të vitit 2019.
Konkretisht në gusht të këtij viti muzeu u vizitua nga 1541 vizitorë, ndërsa në gushtin e vitit të kaluar nga 1185 vizitorë.
Sipas MKAM, vizitueshmëria në muze përgjatë këtij viti ka treguar rritjen më të madhe përgjatë gjithë viteve të funksionimit.
I konsideruar si një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë, ai hapi dyert në vitin 1980 dhe iu nënshtrua restaurimit në vitin 2016.
Në godinën e re të muzeut janë ekspozuar rreth 400 ikona nga të cilat 250 ikona i prezantohen publikut për herë të parë.
Mënyra e ekspozimit vjen në një frymë bashkëkohore me një rend kronologjik të zhvillimit të mjeshtërisë ikonografike në Shqipëri. Prezantimi i trashëgimisë së Artit Mesjetar të rikthen në gjenezën e mistikes dhe ritualeve të shenjta.
Eksponatet dhe fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare, që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pasbizantine. Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre etj, janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara./atsh/ /KultPlus.com
Pse ujë pa hije, gjithë ky ujë Në kashtën e frymëmarrjes? Aromë e ngrirë në copa të murit, baltë A jemi më të mëdhenj se zogjtë e pavërejtur? Rrënjë e ngulur në peshë boshllëku Ti a je mungesë e dëshmuar? Apo, kush jemi ne? Dyshim i mbathur me potkonj kuajsh Në lamën e kalbur
Dele e zezë e fjalë pa zë Apo, kush jemi ne? Nuk ndryshon asgjë Edhe nëse jemi errësirë e djegur Në pambukun e dorës. Shiko më mirë: A jemi ende Lojë shpirtzbehtë në sytë e dhomës? Shiko ende më mirë. Nuk kuptoj pse nuk përgjigjesh Insektet e mbajnë në duar të thara Ditët e ardhme
Nëse është dikush pas shpinës së shtëpisë Të kujt janë hapat bojëqielli? Prandaj mos pyet: Pse nuk jemi zemër e tokës, apo Mëkatet pak para se të qajnë Të kujt janë? /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe zv.ambasadoren e SHBA-së, Alyson Grunder, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 shtatorit 2001 në SHBA.
Osmani tha se ndajnë dhimbjen me popullin amerian për mbi 3 mijë jetë të humbura.
“Më 11 shtator 2001, shtetasit amerikan, qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishin në një ndër sulmet terroriste më të tmerrshme në historinë e njerëzimit, por atë ditë nuk u atakua vetëm, u atakuam të gjithë ne që besojmë po në të njëjtat vlera, në vlerat e lirisë dhe demokracisë”, tha ajo, duke shtuar se që nga ajo ditë Kosova iu ka bashkuar çdo ditë ka qëndruar me popullin amerikan, duke bashkuar forcat në mbrojtja të këtyre vlerave dhe luftim të terrorizmit. /KultPlus.com
Shtetet e Bashkuara por edhe mbarë bota përkujtojnë sot 21-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001.
Për këtë ngjarje ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Postimi i plotë:
“Pak më shumë se dy vjet kishin kaluar nga çlirimi i Kosovës. Ende nuk i kishim pastruar mirë rrënojat e luftës dhe aroma e shkrumbit akoma ndjehej nga shtëpitë e djegura.
Amerika po sulmohej! Një vrull ndjenjash të përziera mes frikës, zemërimit dhe pafuqisë për t’i dalë në ndihmë vendit që ndali gjenocidin dhe na ndihmoi të fitonim lirinë, përcillnin pamjet apokaliptike të rrëzimit të rrokaqiejve binjakë në New York dhe të shkatërrimit të një pjese të Pentagonit, në afërsi të kryeqytetit amerikan, Washington, D.C.
Pavarësisht se sa vite kalojnë, mjafton të përmendim datën 11 shtator dhe ne kthehemi mënjëherë në atë ditë të errët.
Sot kujtojmë për të mos i harruar kurrë gati 3 mijë jetë të bukura, nga më shumë se 90 shtete, që u morën mizorisht.
Ata që sulmuan shpresuan që përmes frikës dhe terrorit ta dobësonin, por ShBA-të qëndruan këmbëngulëse dhe dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan të themeluar mbi besimin se të gjithë janë të krijuar të lirë dhe të barabartë.
Ne sot bashkëndjejmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së bashku do të sigurohemi që terrorizmi dhe ligësia nuk do të triumfojnë kurrë”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Ai hodhi kafe Në filxhan Hodhi qumësht Në filxhanin e kafesë I hodhi sheqer Kafes me qumësht Me lugën e vogel E përzjeu E piu kafen Dhe vuri filxhanin mbi tavolinë Pa më folur Ndezi një cigare Bëri rrathë Me atë tym Shkundi hirin Në taketuke Pa më folur Pa më shikuar U ngrit Vuri kapelen në kokë Veshi xhaketën e shiut Sepse binte shi Dhe doli jashtë Nëpër shi Pa një fjalë Pa më shikuar Dhe unë Futa kokën Mes duarve Dhe qava /KultPlus.com
Sulmi terrorist i kryer nga Al Kaeda kundër kullave binjake të Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork, më 11 shtator të vitit 2001, ndryshoi përgjithnjë jo vetëm qiellin e një nga qyteteve më dinamikë në botë, por të gjithë kombin amerikan si dhe vendet e tjera aleate.
Në 21 vitet e fundit, vendi ku ishin kullat binjake ka ndryshuar vazhdimisht, duke u kthyer në një memorial për 2977 personave me kombësi jo vetëm amerikane, por nga e gjithë bota të cilët humbën jetën nga sulmet.
Ky sulm bëri që të krijohet Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Akti Patriotik dhe zyra për Përforcimin e Doganës dhe Emigrimit. /tch/KultPlus.com
Shtetet e Bashkuara por edhe mbarë bota përkujtojnë sot 21-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001.
Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyese islamistë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.
Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore.
Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona.
Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme. / KultPlus.com
Një nga pritoritetet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është përmirësimi i infrastrukturës fizike për të rinjtë, sportistët, artistët tanë në gjithë Kosovën. Renovim i objekteve ekzistuese dhe fillim të projekteve aty ku ka mungesë. Objekte kulturore të mirëfillta, me program e funksionale, qendra rinore që u ofrojnë të rinjve hapësira rekreative e natyrisht hapësira të dinjitetshme sportive.
Për këtë qëllim ministri Çeku po zhvillon takime me kryetarë të komunave në gjithë vendin, ku po diskutojnë për projektet që kanë vite që janë zvarritur po ashtu zhvillimin e projekteve të reja.
Të premten u takua me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Filluan me diskutim për Palestrën e Sportit në Zahaq. U dakorduan që pas tejzgjatjes, procesi aktual duhet të përmbyllet, të bëhet vlerësimi i gjendjes në terren dhe të vazhdohet me shpallje të tenderimit për operator të ri në mënyrë që projekti të përfundojë.
Një tjetër projekt që ka zgjatur me vite është ai i Palestrës së Sporteve në Loxhë, ku gjithashtu kanë stagnuar punimet. Komuna njoftoi se kanë ndërprerë kontratën dhe do të punojnë drejt vlerësimit të punëve të mbetura dhe verifikimit të pagesave të fundit, në mënyrë që të hapet mundësia e përfundimit e funksionalizimit me proces të ri.
U fol gjithashtu për stadiumin e qytetit. U pajtuam që të bëhet studim i fizibilitetit për stadium të ri dhe të shqyrtohet kapaciteti që nevojitet në aspektin teknik, ekonomik e operacional duke marrë parasysh edhe stadiumet tjera të kategorive të ndryshme në territorin e Kosovës. Të sigurohemi që të vlerësohet më pas projekti ekzistues dhe të rishikohet sipas analizave më terren në mënyrë që kur të fillojnë punimet të mos hasim në probleme, siç ka ndodhur deri tani.
Fusha ndihmëse në Raushiq është një tjetër projekt që gjithashtu u përcoll me probleme. Komuna njoftoi që shpronësimi i pronave që i kanë penguar punimet është përfunduar, tani MKRS do të vazhdojë procesin me angazhim të plotë drejt zgjidhjes më të mirë.
Ministri Çeku e njoftoi edhe me punët që janë përfunduar dhe ato që ende janë në proces në fushën e trashëgimisë kulturore.
Kanë përfunduar ndërhyrjet emergjente në shtëpinë e Qehajve ndërsa po vazhdojnë në kullën e Sheremetit dhe dyqanin e Musa Goranit.
Ministri Çeku propozoi disa projekte potenciale.
Një shtëpi të shahut. Investimin ta bëjë MKRS e Komuna të sigurojë lokacionin. Po ashtu një poligon të shigjetarisë, ku komuna u zotua ta sigurojë lokacionin sipas kritereve të nevojshme.
U diskutua gjithashtu për mbylljen e fushave të tenisit për t’u funksionalizuar gjatë dimrit, bashkë me të gjitha instalimet e duhura.
Kryetari Muhaxheri po ashtu u njoftua për dy programet nacionale që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, ai i artit në shkolla dhe i sportit në shkolla, programe këto që do të zbatohen në të gjithë vendin. U shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë në zbatimin e tyre. /KultPlus.com
Me 9 shtator përfundoj edicioni 12 i Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etno Fest.
Për shtatë ditë me radhë, publiku i shumtë, artistë, dashamirë të artit, mediat e shumta paten rastin të shijojnë vepra të shumta arti nga piktorë, skulptorë grafistë, artistë të mozaikut, fotografi, eksponate etnografike, kostumografi…
Në skenat e bukura të etnokompleksit u luajtën shfaqje të shumta teatrore, baleti dhe dansi, performanca të shumta muzikore tradicionale, operistike e deri te muzika kontemporane; debate, promovime librash, performanca poetike, filma dokumentarë…Dhe pas programeve zyrtare, publiku pati mundësi të shijojë muzikë qejfi e ushqime tradicionale deri në orët e vona.
Synimi ynë ishte që përmes kësaj shumësie programore të bartim deri te publiku një ngrohtësi dashnije të ndezur me simbolikën e qiriut në zgorin e përendeshës Afërditë, me zjarret e ndezura nëpër oxhaqet e shumta të etno kompleksit në Kukaj.
Besojmë se kemi arrijtur të bartim mesazhin sublim të këtij edicioni, se në këto kohë të liga më shumë se çdo gjë na duhet dashnija.
Në mbyllje të edicionit Juria profesionale në përbërje: Zana Hoxha kryetare dhe Ilir Harxhi e Dylaver Kryeziu, anëtarë ndanë 14 çmime për të nominuarit në kategoritë: shfaqje teatrore, performanca kontemporane dhe performanca etno muzikore.
I. Në kategorinë e shfaqjeve teatrore u ndanë shtatë çmime:
1.Çmimi special i Etno Festit: Bajrush Mjakut për rolin e tij në shfaqjen “Fuego” nga Teatri Adriana Abdullahu dhe “Sythi”.
2.Çmimi i karierës: Bajrush Mjakut për veprimtarinë e tij të bujshme teatrore të çmuar edhe në përmasa ndërkombëtare.
3.Regjia më e mirë: Kushtrim Koliqit për shfaqjen “Babai dhe Babai” nga “Integra”.
4.Aktorja më e mirë: llire Vinca, Shfaqja “Babai dhe Babai” nga “Integra”.
5.Aktori më i mirë: Bujar Ahmeti, Shfaqja “Babai dhe Babai” nga “Integra”.
6.Shfaqja më e mire: Shfaqja “Babai dhe Babai” nga “Integra”.
7.Skenografi më i mire: Bekim Korça për shfaqjen “Burrneshat” nga Teatri I Gjilanit.
II. Në kategorinë e performancave kontemporene dhe etno performancave u ndanë shtatë çmime:
1. Performanca më e mirë: duetit të balerinëve Fatmir Smani dhe Mergime Morina nga baleti ” Romeo e Xhulieta” i Baletit Kombëtar të Kosovës.
2.Etnopermormanca më e mire: Etno ansambli ” Malsori” nga Gjonaj i Hasit.
3.Etnoansambli më i mirë: “Kuvendi i Zallë – Dardhe” nga Dibra, (Shqipëri).
4.Valltarja më e mirë: Albana Ademi nga “Anamorava”, Viti.
5.Vallëtari më i mirë: Binjakët Bledon e Bleart Krasniqi nga “Shqipet e Drenicës”, Drenas.
6.Këngëtari më i mirë: Edmon Përnezha nga ansambli “Kuvendi Zall Dardhë”, Dibër.
7.Këndimi me i mire: Kori i Fëmijëve dhe Grave “Okarina” Prishtinë. /KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar mbretin Charles II për ngjitjen në fronin e Mbretërisë së Bashkuar, shkruan KultPlus.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani ka thënë se është mirënjohëse për përkushtimin e Madhërisë së Tij në aleancën Kosovë-Britani e Bashkuar.
“Urime të përzemërta mbretit Charles III për ngjitjen në fron.
Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e Madhërisë së Tij ndaj aleancës Kosovë-Mbretërinë e Bashkuar, siç u konfirmua gjatë vizitës së tij në vitin 2016. Ne kemi besim se lidhjet tona do të vazhdojnë të forcohen nën sundimin e tij”, thuhet në postimin e Osmanit. /KultPlus.com
Funerali shtetëror i Mbretëreshës Elizabeth II do të mbahet të hënën më 19 shtator në Westminster Abbey.
Kisha historike është vendi ku mbretërit dhe mbretëreshat e Britanisë kurorëzohen, dhe ku Mbretëresha Elizabeth II u martua me Princin Philip në vitin 1947.
Krerë shtetesh nga e gjithë bota do të ftohen të bashkohen me anëtarët e familjes mbretërore për të kujtuar jetën dhe shërbimin e Mbretëreshës.
Në shërbim pritet të marrin pjesë edhe politikanë të lartë të Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-kryeministra.
Shërbimi ka të ngjarë të kryhet nga dekani i Westminster-it David Hoyle, me kryepeshkopin e Canterbury-t Justin Welby duke mbajtur predikimin.
Udhëtimi i fundit i Mbretëreshës do të fillojë nesër me arkivolin e saj që do të mbahet nga rojtarët e saj Balmoral, ndërsa stafi i saj do ta çojë atë me një makinë funerali në Edinburg.
Do të jetë funerali i parë shtetëror që shumë prej britanikësh do ta kenë parë, më i fundit që është Winston Churchill në vitin 1965.
Publiku do të jetë në gjendje të bëjë nderimet e veta kur arkivoli i Mbretëreshës do të jetë në Katedralen e Shën Giles në Edinburg dhe më pas për katër ditë të plota në Westminster Hall në Londër.
Mbreti Charles do të duhet gjithashtu të kryejë një sërë angazhimesh – si dhe duke marrë pjesë në zinë për nënën e tij në Skoci, ai do të shkojë gjithashtu për të takuar udhëheqës politikë dhe qytetarë në Irlandën e Veriut dhe Uells.
Në ditët para funeralit të nënës së tij, Mbreti Charles III dhe gruaja e tij, Mbretëresha Camilla, do të udhëtojnë në Skoci, Irlandë Veriore dhe Uells.
Ndalesa e parë do të jetë Skocia, ku ata do të vizitojnë parlamentin skocez dhe do t’i bashkohen një vigjilje në kujtim të mbretëreshës.
Të martën, çifti mbretëror do të udhëtojë me avion në Belfast dhe do të vizitojë Kalanë Hillsborough, ku do të shohin një ekspozitë mbi lidhjen e gjatë të Mbretëreshës me Irlandën e Veriut.
Ata gjithashtu do të marrin pjesë në një shërbim në kujtim të Mbretëreshës dhe do të marrin një mesazh ngushëllimi të udhëhequr nga kryetari i Asamblesë së Irlandës së Veriut.
Pas kthimit në Londër, ku do të jenë dëshmitarë të mbërritjes së arkivolit të Mbretëreshës Elizabeth II, çifti do të udhëtojë të premten drejt Uellsit, raporton BBC. /KultPlus.com
Shfaqja ‘Babai dhe Babai’ ka arritur të fitojë katër çmime kryesore në festivalin “Etno Fest”, shkruan KultPlus
Katër çmimet kryesore janë:
– Shfaqja më e mirë – Regjia më e mirë, Kushtrim Koliqi – Aktorja më e mirë, Ilire Vinca – Aktori më i mirë, Bujar Ahmeti
Me tekstin “Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi, Integra ka realizuar një tjetër projekt teatror i cili në një mënyrë të jashtëzakonshme e trajton çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Me një ndërthurje mahnitëse mes trajtimit të kësaj çështjeje nga aspekti i “të pagjeturve” dhe nga aspekti i atyre që ata lanë pas, kjo shfaqje na sjell jetën dhe sfidat e një familje normale e të zakonshme, të paktën në dukje. /KultPlus.com
Regjisori i ‘Bones and All’ Luca Guadagnino dhe ylli Taylor Russell gjithashtu marrin çmimet kryesore teksa juria e Julianne Moore kurorëzon dokumentarin e Laura Poitras si më të mirën e festivalit.
Dokumentari i mirënjohur i regjisores amerikane Laura Poitras mbi fotografin Nan Goldin, është shfaqur si fituesja surprizë e Luanit të Artë në Festivalin e Filmit në Venecia.
Gjithashtu, Cate Blanchett, Colin Farrell, Luca Guadagnino dhe Martin McDonagh gjithashtu kanë marrë çmimet kryesore nga juria e Julianne Moore. /KultPlus.com
Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës thellojnë bashkëpunimin mes tyre për hartimin e politikave dhe strategjive të zhvillimit të të dy vendeve.
Në kuadër të bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademiku Anastas Angjeli dhe akademiku i asociuar Adrian Civici zhvilluan një takim në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës me akademik Isa Mustafën, ish-kryeministër i Kosovës dhe Besnik Krasniqi, anëtar korrespodent i AShAK, gjatë të cilit u diskutua rreth punës për implementimin e disa projekteve dhe iniciativave të përbashkëta, të përfshira në programin e veprimtarive mes dy Akademive tona.
Veçanërisht, për fillimin e punës dhe përgatitjeve për zhvillimin e një konference të përbashkët midis dy Akademive të Shkencave, dedikuar sfidave të zhvillimit dhe bashkëpunimeve ekonomike dhe tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Qëllimi i këtij studimi dhe i kësaj konference është ballafaqimi me sfidat e zhvillimit ekonomik e kopmlementaritetit ndërmjet dy ekonomive, zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik të të dy vendeve tona, si dhe orientimin e projekteve madhore të zhvillimi për tërheqjen e financimeve dhe investimeve të huaja direkte.
Gjithashtu u diskutua që në planet dhe aktivitetet e dy Akademive, bazuar në programin e përbashkët të tyre, të fillojë puna edhe për dy projektet e tjera, ato për bashkëpunimin për studimin e burimeve energjetike dhe eficiencën e përdorimit të tyre, kaq të domosdoshme në kushtet aktuale, si dhe një studim për gjendjen dhe kontributin e mendimit ekonomik në Shqipëri dhe Kosovë, për hartimin e politikave dhe strategjive të zhvillimit të të dy vendeve./atsh /KultPlus.com