Veprat e famshme të Salvador Dalít të cilat e shndërruan në ikonë të artit (FOTO)

Përderisa artisti i njohur, Salvador Dalí ia mbylli sytë jetës në mëngjesin e 23 janarit të vitit 1989, veprat e tij mbetën pas për të përçuar një dritë artistike, shkruan KultPlus.

I njohur për frymën e tij surrealiste, pikturat e Dalít padyshim që sot janë kthyer në ikonë të epokës së rëndësishme të historisë së artit pamor.

Veprat e tij shprehin një shumëdimensionalitet të formës, mendimit, idesë, mesazhit e revoltës që ai përfaqësonte në qenien e tij.

Salvador Dalí, shkrepëtiu në ritmin e kohës dhe mbeti i pavdekshëm nëpërmjet brushave të tij, e që KultPlus ua sjell veprat më të njohura të tij:

Kitara, nga Peja në Paris

Nga Visar Zhiti

E magjepsi kitara dhe pastaj ai magjepsi botën me kitarën e tij.

E kisha parë në një koncert, dikur si në një ëndërr, si në një ankth, thuaj, se ishte diktaturë dhe unë përndiqesha. Më përshfaqet ai muzg skene, kitaristi si në një ujëvarë drite dhe pastaj terr gjithandej. Çuditërisht tingujt e kitarës si vezullime të yllta i ndjej ende…

Dhe mësova se ai, djaloshi nga Peja, kishte fituar një çmim të parë në një Konkurs Kombëtar si solist dhe kishte shkuar nga Kosova (atëherë në Jugosllavi) për master në Itali dhe pastaj vazhdoi studimet për kitarë në Paris, ku dhe jeton dhe bota e njeh si kitarist francez.

Maestro Ehat Musa ka dhënë koncerte gjithkund, në skenat e famshme nga Nju Jorku e në Moskë, edhe si solist me orkestra të mëdha simfonike. Repertori i tij, mund të lexosh se përfshin vepra të J.S. Bach, Heitor Villa-Lobos, Powell, Reis, Brower dhe Tamez, etj, etj.

Por unë e pashë në Tiranë, kur ishin ato, “vitet e liberalizmit” siç u quajtën, që më pas do të dënoheshin dhe do të burgoseshin artistë, këngëtarë, muzikantë, shkrimtarë, etj, ndërsa mua më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia.

– Është ndër më të mirët në botë në kitarën e drurit, – më bëhet se i dëgjoj dhe tani ato që thoshin për Ehat Musën.

Në Pallatin e Sportit do të jepej koncerti i Prishtinës. Duartrokitje të shumta, por dhe me druajtjen se mos po i vëzhgonte Sigurimi i shtetit. Po si mund të duroje, aty ishin këngëtaret Nexhmie Pagarusha, Liljana Çavolli, Luan Hajra, Bashkim Paçuku, Esat Bicuri, etj, i dija emrat e tyre, i dëgjoja në Radio-Prishtina, kur isha mësues në një fshat të largët të Kukësit, ndërsa në gjyq do të më akuzonin pse kisha dëgjuar një radio revizioniste, titiste…

– Fliste shqip, – u mbrojta unë në gjyq.

Këngëtari Sabri Fejzullahu e tronditi publikun me fjalët e këngës së tij, një poezi dashurie e Asdrenit, por që u dha kuptim tjetër, ashtu m’u duk: “Eja, se po s’erdhe, do të vij…”. Mos ia tha Shqipërisë?

Kitaristi Ehat Musa, shkëlqeu. I ri, virtuoz modern, dora mbi tastierë si një hënë në muzg, dridheshin gishtërinjtë si tufa rrezesh… të prera… e ndjeja.

Unë ika bashkë me vitet, kohët ndryshuan dhe ne me kohën, u shemb Muri i Berlinit dhe e pabesueshmja, ra perandoria komuniste… në kujtesën time u kthyen copëza poezish e këngësh, tinguj të artë kitare, që binin si yje.

-Mos ik, – më tha një pasdite në Milano piktori i famshëm Ibrahim Kodra, vjen një miku im nga Parisi…

Ishte ai, kitaristi Ehat Musa. Erdhi nga ëndrra, nga ankth i dikurshëm për mua. Ia thashë. Ai dëgjonte bukur. Sa i përzemërt! Portret artisti, gjithë njerëzí. I tregova që e kisha parë në koncertin në Tiranë, krejt rastësisht gjeta biletë, po endesha rrugës andej se mos shikoja artistët nga Kosova, kur të zbrisnin nga autobusi, kur një i panjohur m’u afrua, ndoshta e kuptoi pikëllimin tim dhe dëshirën time dhe më tha: “A doni një biletë?”. U lumturova. E ku gjendeshin ato, sidomos unë që vija nga provinca e persekutimeve në Tiranë. Mos ma kishe dërguar Ti? Buzëqeshi. Pastaj i fola aventurshëm për nje muzikant tjetër të madh, që kishte qenë në burg, mësuesin dhe bashkëqytetarin tim Fotaq Filipeu. Por unë dua ta njoh patjetër, – më tha me zë të lartë…

I tregova dhe për kitarën e Vaçe Zelës në burg, e kishte në Spaç bashkëvuajtësi Gëzim Çela, ia solla e ëma, do një kitarë djali në burg, i kishte thënë ajo këngëtares se famshme, kur ishin takuar në rrugë, ishin shoqe, po ku t’ia gjej, kishte psherëtirë. Dhe Vaçja i dha të sajën. Pas revoltës të të burgosurve në Spaç, policia kërkonte kitarën, ishte e ndaluar. Të burgosurit e fshehën dhe mundën ta nxjerrin gjallë nga burgu…

– Është dhe kjo kitarë që keni Ju në dorë, Maestro! – do t’i thosha miqësisht Ehat Musês, kur të shkoja në Paris.

– Mbase, pse jo…

Shëtisja afër Katedrales ”Notre Dame”, në çdo stol më dukej se ishte ulur nga një Viktor Hugo, kështu shkruajta në një poezi timen, pashë piktorin Zamir Mati, pranë tij regjisori Pirro Mani, t’ju bëj një portret, dëgjova… u bashkova me ta, shkuam për një kafe në Lagjen Latine, Pirro Mani merrej me xhirime, një film i Liri Begesë, do t’i shihja disa skena shumë herë në rrugë, se ktheheshin deri sa t’u dukej mirë kineastëve dhe atë mbrëmje a në një mbrëmje tjetër, në një lokal afër “Moulin Rouge”, ulur pranë banakut, në mes kishim të mrekullueshmin Ehat Musa. Vazhdonte biseda e mbetur përgjysmë. Maestroja para mesnatës porositi nga dy birra të tjera për secilin, pse kaq shumë? Sepse pas pak minutash, pas mesnate, birrat do të shtrenjtoheshin ndjeshëm. Maestroja kishte dhe humor fin. Qeshëm dhe e kaluam hareshëm si mes miqsh.

Do të shkoja ta vizitoja dhe në vilën e tij në rrethinë të Parisit. Ndejtëm në kopshtin e blertë, bisedonim nën drurë me qelqet e verës ndër duar, Zonja franceze e Ehat Musës fliste shqip…

U ndjeva si në shtëpi. Ç’imazhe me dritë në albumin e kujtesës!

Mund të rrish pak me dikë, ashtu e do fati, por e ndjen shumë. Mjafton një fjalë a një rresht i shkruar, që të të mbushë një bosh të gjithë. Po kur ai është pentagram dhe notat muzikore duken si zogj mbi tela? Mos i trembni!…

Kitara e Ehat Musës kumbon, nisi aty me burimet plot shkulme të bardha në Pejën e Tij, ku shpërthen Drini ynë dhe ecën dhe ecën dhe kitara e tij zmadhohet, zmadhohet, bëhet sa Tour Eiffel në Parisin plot drita.

E dëgjoni? Kërkojeni! Ka magjepsjen e rinisë… /HEJZA/ KultPlus.com

Filmat më të njohur nga kineasti, Dhimitër Anagnosti

Kineasti i mirënjohur, Dhimitër Anagnosti, feston 87 vjetorin e lindjes, ai është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike.

Disa prej filmave të tij më të njohur janë të renditur më poshtë:

Gjoleka, djali i Abazit (2006) Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989) Përrallë nga e kaluara (1987) Gurët e shtëpisë sime (1985) Kujtime nga Gjirokastra (1983) Vëllezër dhe shokë (1982) Në shtëpinë tonë (1979) Monumenti (1977) Lulëkuqet mbi mure (1976) Kur hiqen maskat (1975) Cuca e maleve (1974) Përjetësi (1974) Motive nga dita e diel (1973) Malet me blerim mbuluar (1971) Parafabrikatet (1970) Plagë të vjetra (1968) Duel i heshtur (1967) Komisari i dritës (1966) Njeriu kurrë nuk vdes (1961). / KultPlus.com

Isa Boletini

Poezi nga Sabri Hamiti

Fliste. Flitshin. I ndëgjonte,
Isa me sy plot mall
Maste largësitë e Dheut.

Me gishta të trashë
Shkruante hartën e re
Në dheun e kuq të udhës,
Isa me sy të përmalluar
Maste largësitë e At-Dheut.

Tymi le të dalë në Llap
Kur nën lisa bie dushku
Të çohet flakë përnjëherë
Në Kaçanik, në Carralevë.
Isa me sy të përmallshëm
Shihte udhët që ngjiteshin.

Flaka nis zihet e rritet
Kur dushku bie ndër Lisa
Zjarri e djeg mustakun
Në sy ziente lotin Isa
E vargu i shtruar me plisa
E zdrit udhën në një.

Isa me sy të përmallshëm
Maste gjerësitë e Dheut
Këmbët ngulte në Gur
Kur shkelte në Flamë-Urë
I drejtë si një Flamur
E tirrte mallin Isa
Në flakë digjej shtëpia
Kur dushku bie nën Lisa
E rruga shtrohet me plisa
Me gisht krijonte hartën
Po gishti pikonte gjak.

Nuk herret mali me shpatë
Nuk shkelet deti me kalë
Nuk shuhet malli me valë
Në udhën e shkretë në natë.
Kur shkeli në Flamë-Urë
I drejtë si një Flamur.

Një dorë në zemër një në flakë
E shkundi malin fryu fushat.
Masha ia mati shtatin!
Kur tha se vdiq keq tjerr fatin,
Me lot me rrenat e Dheut
Mat gjerësinë e At-Dheut. / KultPlus.com

‘Ditë e Kuqe’ me regji të Besim Ugzmajlit pritet të shfaqet në disa platforma, ndër to edhe Netflix

Filmi me regji të Besim Ugzmajlit “Ditë e Kuqe” pritet që së shpejti të shfaqet edhe në televizione e platforma të ndryshme televizive në të gjithë botën, përfshirë këtu edhe platformën Netflix, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë regjisori, nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

“Shumë të lumtur me ju njoftu se filmi ynë Ditë e Kuqe | Red Day, do të shfaqet në televizone e platforma të ndryshme televizive në të gjithë botën.

Figurina Films dhe 7Palmsentertainment kanë lidhur marrëveshje distribuimi, ku potencialisht filmi do të shfaqet ne platformat – klientë të 7Palmsentertainment: arte, Netflix, HBOmax, primevideo, googleplay, redbox, etj”, ka shkruar ai.

Përpjekja e jashtëzakonshme e një gruaje dhe vajzës së saj për të zënë vend në një shoqëri të kontaminuar patriarkale, përpjekja për të marë atë që ato meritojnë dhe kërkojnë me çdo kusht, persona të mveshur me pushtet që veçse fuqizojnë sfidat dhe vështirësitë e këtyre dy personazheve paraqiten te filmi “Ditë e Kuqe”. / KultPlus.com

Së shpejti ekspozita ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi” në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës organizon edicionin e 14 të ekspozitës ndërkombëtare Çmimi “Muslim Mulliqi” 2022, me koncept kuratorial nga Christian Mosar (Luksemburg) dhe Raimund Stecker (Dusseldorf).

Artistët pjesëmarrës janë: Bianca Baierl, Artan Balaj, Heinz Baumüller. Ralf Fritz Berger, Ben Greber & Bram Kuypers, Jojo Gronostay, Clegg & Guttmann, Avdi Hajdari, Driton Hajredini, Bardh-I (rafet) Jonuzi-T, Majlinda Kelmendi, Filip Markiewicz, Faton Mazreku, Agron Mulliqi, Pasha Rafiy, Yvonne Roeb, Titus Schade, Eric Schumacher, Junior Toscanelli, Gan Erdene Tsend, Laureta Vogliqi, Kristin Wenzel, Qazim Xhylani, Alket Zeqiri, dhe Lulzim Zeqiri.

Artisti/ja fitues/e për Çmimin “Muslim Mulliqi” do të përzgjidhet në hapje të ekspozitës. Ekspozita do të hapet me datë 01 shkurt duke filluar nga ora 19:00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 shkurt 2023. / KultPlus.com

Presidentja Osmani pritet nga Papa Françesku: E falënderova për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani sot ka udhëtuar për vizitë në Shtetin e Vatikanit. Ajo është pritur në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë, përcjell KultPlus.

“Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”, ka shkruar Osmani.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

E lumtur të pritesha në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë.

Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë. Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi.

Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore./ KultPlus.com

Dhimitër Anagnosti, kineasti i mirënjohur feston sot 87-vjetorin

Kineasti i mirënjohur, Dhimitër Anagnosti, feston 87 vjetorin e lindjes, ai është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

I vetmi regjisor shqiptar që ka patur guximin të meditojë publikisht mbi rolin e vet si kineast brenda propagandës së realizimit socialist, Dhimitër Anagnosti është njëkohësisht ndër ata që më pak se kushdo kanë qenë pjesë e kësaj propagande.

Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).

Në 12 pril 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”. Mban titulllin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

Jusuf Buxhovi pas pranimit në AMH, në mision kundër gënjeshtrave të historiografisë serbe (VIDEO)

Jusuf Buxhovi sot ka qenë mysafir në emisionin e mëngjesit në RTK, ku ka folur për rëndësinë e pranimit të tij në Asociacionin Amerikan të Historianëve që u bë e ditur javën e kaluar.

Sipas Buxhovit, me anëtarësimin në të, do të mundet më lehtë t’u jepet përgjigje gënjeshtrave të historiografisë serbe për shumë ngjarje, e sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe shqiptarët.

Ky asociacion, sqaroi Buxhovi, organizon shumë simpoziume, me të cilat janë të lidhura institucione të larta amerikane, dhe tashmë i janë kërkuar dy punime shkencore për gjashtë muajt e parë.

Tema e parë që ka marrë përsipër historiani kosovar janë gënjeshtrat rreth të ashtuquajturit Shtet Mesjetar Serb, i cili nuk ka ekzistuar dhe që po i bëhet barrë edhe politikës, kosovare, rajonale e botërore dhe tema e dytë, është për gënjeshtrat e Kishës Ortodokse Serbe rreth pronësisë së saj dhe krishterizmit ortodoks në Kosovë, probleme me të cilat Kosova po ballafaqohet edhe nga pakoja e Ahtisarit, me të cilën pronësia e krishterizmit i është dhënë kësaj kishe, gjë që nuk do të kalojë pa pasoja.

Intervista e Jusuf Buxhovit në këtë link:

/pressonline/ KultPlus.com

Yjet nderojnë këngëtaren Lisa Marie Presley

Një shërbim përkujtimor publik është mbajtur për Lisa Marie Presley pas vdekjes së saj në moshën 54-vjeçare.

Fytyra të famshme, përfshirë Dukeshën e Jorkut, morën pjesë në shërbimin, i cili u zhvillua në rezidencën e babait të saj Graceland në Memphis, Tennessee të dielën.

Këngëtarja amerikane, e cila ishte fëmija i vetëm i Elvis Presleyt, vdiq më 12 janar, disa orë pasi u dërgua në spital.

Lisa Marie është varrosur në Graceland pranë djalit të saj Benjamin Keough, i cili vdiq në vitin 2020.

Turmat e personave që kishin ardhur për ngushëllime u fotografuan duke mbajtur fotografitë e Lisa Marie pasi anëtarët e publikut u ftuan të merrnin pjesë në shërbim.

Nëna e saj, Priscilla Presley, falënderoi të gjithë që erdhën për të nderuar vajzën e saj ndërsa ajo qëndronte në skenë.

Ajo lexoi gjithashtu një poezi të shkruar nga mbesa e saj Harper – një nga tre vajzat e Lisa Marie – e cila thoshte: “Mamaja ishte ikona ime, modeli im, superheroi im dhe shumë më tepër”.

Elvisi dhe anëtarët e tjerë të familjes Presley janë varrosur gjithashtu në Graceland./21Media/ KultPlus.com

Gra në katror

Poezi nga Antonia Storace

Ka gra…
por ka edhe gra që janë vërtet gra.
Janë ato që s’duhet të rrekesh t’i kuptosh,
sepse do të qe luftë e humbur qysh në nisje.

Duhet t’i përfshish dhe kaq.
Duhet t’i kapësh e t’i puthësh
të mos u lesh kohë të mendohen.

Duhet t’i këputësh në mes,
me një përqafim marramendës
dhe do të dinë frikërat e tyre të rrëfejnë
një herë të vetme
duke pëshpëritur me zë të ulët.

Sepse turpërohen të rrëfejnë dobësitë e tyre dhe,
pasi t’i kenë rrëfyer, hanë veten me dhëmbë,
-në një agoni të ngadalshme dhe të heshtur –
sepse duke të rrëfyer pikat e dobta, duke u shfaqur njerëzore,
si femra të lehta dhe të etura për atë dreq çasti,
sepse druhen se do t’u kthesh krahët e të largohesh.

Prandaj rroki dhe dashuroji.
duaji edhe të veshura, edhe të pa trukuara,
sepse për t’u xhveshur u vjen ndoresh të gjithave.

Duaji të pambrojtura dhe pa zbukurime,
sepse nuk ta merr mendja sa sy femrash
mund të gjejnë mbrojtje pas një makiazhi.
Duaji të përgjumura, të shpupurisura,
paksa të mbufatura nga gjumi.

Duaji dhe dije që nuk kanë nevojë për këtë,
sepse janë të zonjat e vetes.
Por pikërisht për këtë,
do të dinë të të duan
si askush më parë të ka dashur.

Shqipëroi: Maksim Rakipaj / KultPlus.com

Salvador Dalí, një gjeni që arriti të na magjepste me ‘çmenduritë’ e tij

Megjithëse ai ishte i mendimit se: “I vetmi ndryshim midis një të çmenduri dhe meje, është që unë nuk jam i çmendur”, bëri një jetë ku, “Të vetmen gjë, për të cilën bota nuk do ta ketë asnjëherë mjaftueshëm, është ekzagjerimi.” Gjithsesi ai mbeti një i “çmendur” që arriti të na magjepste me “çmenduritë” e tij krijuese. Ishte zëri më i buçimshëm i penelit të surrealizmit. Erdhi për të bërë epokë dhe vetë epoka mori emrin e tij. U shndërrua një nga personazhet më të spikatur të shekullit XX.

Në mëngjesin e 23 janarit 1989, duke dëgjuar muzikën e tij të preferuar, gjëmimim Wagner-ian, “Tristani dhe Izolda”, zemra e Salvador Dalí ndalon së rrahuri, në moshën 84-vjeçare. Do të shuhej kështu të gjallët e një gjeniu. Thyehet një prej majave që ngërthehej ngulmues përnga lartësitë më të epërme të tablosë. Shuhet për mbetur i vezullimtë në gjithçka që sendërgjoi ai solemnitet krijues. Ngriti dhe shkallmoi për të rindërtuar rishtaz gjithçka nga fillimi, gjithçka nga tharmi i atij shpirti të epur shpengimit e çatrafilisjes.

Ai ishte dhe mbetet një artist shumëdimensional dhe një njeri i padeshifrueshëm, me një jetë larushitëse, dengur gjer në buzë me çmosgjë. Në vërshimin e rrëmetshëm, jeta dhe peneli krijuan më shumë se një vepër të tjetërllojtë, ngjizën dhe na kumtuan një njeri si ai, një prurje galaktike e shkasit për befasi.

Testamentin e tij krijues e përbëjnë plot 1648 piktura, mbivensoi këtij mali kanavacash, libra të ilustruar, dizenjime të skenave dhe kostumeve për teatër, gjithashtu një numër të madh vizatimesh, duzina skulpturash, dhe projekte të tjerë, përfshirë këtu dhe një film vizatimor për Disney.

Por ajo që gjithnjë intrigon është jeta e artistit të këtyre përmasave, e cila shpërfaqet në librin “Jeta ime e fshehtë”.

Nga çfarë ai ka shkruar për veten

Në kolegj vazhdoja të isha një student me vlerësime të mjaftueshme. Të gjithë e këshillonin tim atë të më lejonte të bëhesha piktor. Zoti Nunjes, i bindur në mënyrë absolute për talentin tim, këmbëngulte më shumë nga të gjithë, por babai nuk lëshonte pe dhe nuk donte të bënte asnjë ndryshim. Ai nuk donte që unë të bëhesha piktor. Megjithatë, bënte gjithçka që varej prej tij që t’i zhvillonte prirjet e mia: më blinte libra, revista dhe të gjitha veglat e materialet e nevojshme.

– Do ta vendosim gjithçka, kur të marrë dëftesën e pjekurisë, – thoshte ai.

Sa për vete, unë e kisha vendosur me kohë! Ndërkohë nuk lexoja, por i kapërdija librat e bibliotekës së babait. Gjatë dy vjetëve i lexova të gjitha deri në një. “Fjalori filozofik” i Volterit më bëri një përshtypje të jashtëzakonshme, kurse “Kështu foli Zarathustra” mendoj se unë mund ta shkruaja më mirë. Mësuesi im më i mirë u bë Kanti, nga i cili nuk mora vesh asnjë gjë, por kjo më mbushte me krenari e kënaqësi. Më pëlqente të endesha nëpër labirintet e arsyetimeve të tij, të cilat bënin jehonë brenda meje me një muzikë hyjnore. Njeriu që kishte shkruar të tillë libra të rëndësishëm, mund të ishte vetëm një engjëll dhe asgjë tjetër! Pasioni im për librat, të cilët nuk i kuptoja, e kishte burimin tek etja e madhe shpirtërore. Ashtu siç ndodh me fëmijët, të cilët kur kanë mungesë kalciumi në organizëm shtyhen të hanë gëlqeren e suvasë së mureve, pikërisht ashtu edhe shpirti im kishte nevojë për ata imperativë kategorikë, që unë i përtypja e i ripërtypja në ato vite, por pa i kapërdirë. Por, befas, një herë arrita t’i kapërdija! Deriçka u hap dhe unë e kuptova gjithçka. Nga Kanti kalova te Spinoza dhe u tërhoqa prej tij. Gjithçka që përthitha u bë më pas baza e kërkimeve të mia të mëvonshme metodike dhe logjike. E fillova leximin e filozofisë me të qeshur dhe e përfundova me të qarë. Atë që nuk mundën ta bënin romanet dhe shfaqjet teatrore, u krye atë ditë kur unë zbulova përcaktimin lëbyrës të dijeve aprioritare. Edhe sot e kësaj dite, kur nuk interesohem më për filozofinë e pastër, shembujt që sjell Kanti, teksa flet për arsyetimin praktik, më bëjnë të më dalin lot nga sytë.

Mbrëmjeve, një nga profesorët e kolegjit zhvillonte filozofi sipas dëshirës dhe unë, pa e bërë dy, u regjistrova në të. Atë pranverë ne jetuam veçanërisht shkëlqyeshëm dhe mësimet zhvilloheshin sipas Platonit, në ajër të pastër, poshtë pishës së rrethuar nga myshku. Ndihmëse të profesorit ishin shumë vajza. Unë nuk njihesha me to dhe të gjitha më dukeshin të lezetshme. Gjithsesi unë zgjodha njërën. Vështrimet tona u kryqëzuan. Edhe ajo më zgjodhi mua. Kjo gjë qe aq e dukshme, saqë ne, pa e biseduar qysh përpara, u ngritëm dhe dolëm. Ndjenja që na kishte kapluar ishte aq e fuqishme, saqë nuk folëm asnjë fjalë, vetëm se i përshpejtuam hapat, ia nisëm vrapit si të çmendur dhe mbërritëm deri në majën e kodrës, ndërsa pas kodrës shtrihej një fushë e gjerë, me një udhë midis dy arave me grurë. Vajza më hidhte më të rrallë ndonjë vështrim të zjarrtë, sikur të donte të më nxiste dhe dihaste pa qenë në gjendje të shqiptonte asnjë fjalë. Ndërsa unë munda vetëm t’i thosha:

– Këtu!

Ajo ra në tokë, e shtrirë në të gjithë gjatësinë e saj dhe, befas, m’u duk shumë e rritur, pak më e madhe nga sa e mendoja unë. Ajo ishte shumë e bardhë, me gjoks të bukur dhe, kur e përqafova, e ndjeva se si ata lëviznin poshtë mbajtëseve, si dy qenie të gjalla. Unë e putha gjatë në buzë dhe kur ato u hapën paksa, u ngjesha me gojë te dhëmbët e saj aq fort, saqë ndjeva dhembje. Ajo kishte rrufë të fortë dhe prandaj në dorë mbante një shami të vogël, me të cilën fshinte hundët, aq sa ajo ishte njomur e gjitha. Unë nuk kisha shami me vete që t’ia jepja, prandaj dhe nuk dija çfarë të bëja. Ajo teshtinte shpesh dhe piklat e qurrave dilnin herë pas here nga vrimat e hundëve të saj, kështu që ajo, e zënë ngushtë, kthente kokën dhe teshtinte në palat e fustanit. Unë desha ta puthja edhe një herë, që t’i tregoja se nuk më vinte ndot, gjë që ishte e vërtetë, piklat e lëngshme e të tejdukshme të saj rridhnin njëlloj si lot. Dhe unë harroja që ajo ishte me rrufë, por kujtoja se qante.

– Unë ty nuk të dashuroj, – i thashë për ta ngushëlluar. – Unë, në përgjithësi nuk mundem t’i dashuroj femrat. Kam për të qenë gjithmonë i vetëm… Kur unë ngrita kokën, ajo më pa me një zhgënjim të hidhur.

– Pra, nuk do të shihemi?

Duke e ndihmuar të çohej, e qetësova.

– Nesër, patjetër. Edhe pesë vjet të tjera. Por asnjë ditë më tepër.

I tillë qe plani pesëvjeçar. Dhe me të vërtetë, ajo u bë dashnorja ime përgjatë pesë vjetëve, me përjashtim të pushimeve verore, që unë i kaloja në Kadakes. Gjatë gjithë asaj kohe, ajo ruajti njëfarë besnikërie mistike ndaj meje. Takohesha me të vetëm mbrëmjeve, në kohë të përshtatshme për mua. Ndërsa, kur unë doja të rrija vetëm, i dërgoja asaj një pusullë nëpërmjet ndonjë djali të rrugicës. Ky idil pesëvjeçar më lejoi të vija në punë të gjitha rezervat e ndjeshmërisë së shthurur. Në fillim atë e lidha fort pas vetes. Pastaj, në mënyrë cinike, përcaktova shpeshtësinë e takimeve tona, temat e bisedave, mashtrimet e mia, për sajimin e të cilave unë isha mjeshtër. Ndikimi im tek ajo rritej çdo ditë e më shumë. Ajo ishte një joshje mashtruese metodike, rrethim, shfarosje dhe vrasje. Mjaftonte që unë ta ndieja se kishim arritur deri te “pika”, deri te kufiri, dhe filloja, aty për aty, të kërkoja viktima. A nuk ishte ajo që ma përsëriste vazhdimisht, deri në fund, se ishte gati të vdiste për mua? Epo, mirë, ta shohim nëse ishte vërtet ashtu apo jo! Atyre që mendojnë se suksesi im në këtë pasion ka të bëjë me vetitë e mia prej Don Zhuani, mund t’u them se midis meje dhe asaj vajzës, përgjatë pesë vjetëve, nuk ndodhi gjë prej gjëje. Unë e puthja atë në buzë, ledhatoja gjoksin e saj dhe e vështroja në sy. Kjo ishte e gjitha. Ndjesia e pavlefshmërisë së saj nuk kishte dyshim që e kishte burimin te dita e parë e takimit tonë, për shkak të rrufës së saj të bezdisshme. Ajo ishte e etur ta përligjte veten në sytë e mi dhe sa më i ftohtë tregohesha unë, aq më shumë i nxitej asaj dashuria dhe i shtohej etja për një dashuri gjithnjë e më të hollë në ndjenja, e më të veçantë, gjë kjo që e shtynte në kriza nervore. Pas asaj përvoje, dashuria e paplotësuar ishte për mua jermi më i madh në mitologjinë e ndjenjave. Vetminë time nuk e turbullonte asgjë, madje unë mund t’i pranoja “parimet e mia të veprimeve lirike” si diçka të bukur nga forma estetike. Isha i bindur se të dashuroja ashtu siç adhuroja Galoçkën time, Dulita Redivivën timen, ishte diçka krejt tjetër, domethënë shfarosje e plotë e të gjitha ndjenjave. Dashnorja ime, përkundrazi, më shërbente si shenjë, objekt për goditje.

***

…Një herë në darkë, i kapluar nga përfytyrimet e mia, ndjeva duart e dikujt të më preknin në sup. Brofa në këmbë, u mbyta me pështymën time dhe, i përskuqur në fytyrë, u kollita. E njoha sakaq se djali që rrinte përpara meje ishte Buçakasi. Ai ishte më i madh se unë dhe ia kishin vënë këtë nofkë, që në gjuhën katalanase donte të thoshte “xhep”, për shkak të veshjes së tij të habitshme me një numër të madh xhepash. Ai ishte më simpatik se të tjerët, prandaj edhe më kishte tërhequr vëmendjen, por nuk guxoja ta vështroja veçse vjedhurazi. Sa herë që takoja sytë me të, unë ngrija. Nuk kishte dyshim që kisha rënë në dashuri me të, ndryshe nuk ka se si shpjegohet pse e humbisja fare toruan në prani të tij dhe pse ai zinte vend aq të lartë në ëndërrimet e mia, atje ku nuk mundja ta ngatërroja me Galoçkën, ose me ndonjë person tjetër. Nuk po e dëgjoja se çfarë po më thoshte Buçakasi. Isha gati të më binte të fikët, në veshë kisha një zhurmë të lehtë, që më pengonte të dalloja tingujt e botës së jashtme. Por Buçakasi u bë njëherë e përgjithmonë shoku im më i ngushtë dhe, sa herë që përshëndeteshim për t’u ndarë, e puthnim gjatë njëri-tjetrin në buzë.

Jeta ime, duke qenë në luftë të vazhdueshme për konsolidimin e personalitetit, në çdo kohë ishte një novelë mbi fitoren e “Unit” tim, ndërkohë që njerëzit përreth meje ishin në kompromis të plotë me atë vdekje. Unë nuk pranoja të hyja në ujdi me të. KultPlus.com

Me ‘besa-besë’ para 124 viteve filloi Lidhja e Pejës

Në fund të shekullit 19-të tokat e banuara me shqiptarë u vunë përsëri në rrezik kur fqinjët ballkanikë të shqiptarëve filluan aktivisht të ndeshen për të marrë pjesë nga territori i Maqedonisë, kontest që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike. Territori i Kontestueshëm përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare. Patriotët shqiptar filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896.

Takimi i parë u mbajt në mars 1897 në Gjakovë kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt edhe një takim tjetër në Pejë ku morën pjesë 500 veta pas së cilës Stambolli intervenoi dhe shpërndau Besëlidhjen. Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.

Edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, në një shkrim në facebook ka thënë se Lidhja e Pejës bashkoi shqiptarët para 121 vitesh, për të ruajtur territorin të cilin e synonin armiqtë.

“Nderojmë të gjithë ata që morën pjesë në këtë kuvend kombëtar, e veçanërisht prijësin e tyre Haxhi Zekë Biberin. Lidhja e Pejës, ndikoi në ruajtjen dhe formësimin e mëtutjeshëm të ndjenjës kombëtare tek të gjithë shqiptarët. Le të shërbejë bashkimi i mendjeve dhe forcave në Pejë, edhe për politikën e sotme, kur bashkimi për temat e mëdha e të rëndësishme, është i domosdoshëm”, përfundon Haradinaj.

Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi. Lidhja e re shqiptare u krijua pas një pune të madhe përgatitore, organizative e politike, që atdhetarët shqiptarë brenda vendit, të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe shoqëritë patriotike jashtë atdheut, sidomos ato të Bukureshtit dhe Komiteti Shqiptar i Stambollit bënë në fundin e vitit 1898 dhe në janar të vitit 1899.

Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjera të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Vuçiternë, në Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar lidhjen. Këto mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, tregojnë se organizatorët e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve, myslimanë, katolikë e ortodoksë. Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, të Dibrës, të Prishtinës, të Pazarit të Ri, si edhe të Shqipërisë së Jugut , kërkonin që të thirrej sa më shpejt kuvendi që po përgatitej pë r organizimin e shqiptarëve në një lidhje të përgjithshme, transmeton kosovapress.

Në këtë periudhë përgatitore udhëheqësit e lëvizjes shqiptare përcaktuan edhe programin e këtij kuvendi, i cili, i përpunuar tanimë që në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe në memorandumet shqiptare të viteve 1896-1898 përmbante dy çështje themelore: ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe formimin e një Shqipërie autonome, ku të përfshiheshin të katër vilajetet shqiptare.

Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën pjesë përfaqësues të parisë dhe të popullsisë së vilajetit të Kosovës, si dhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu u shpall formimi i lidhjes së re shqiptare që, sipas shembullit të Lidhjes të Prizrenit të vitit 1878, u quajt Lidhja e Pejës. Kryetar i Kuvendit dhe i Komitetit drejtues të Lidhjes u zgjodh Haxhi Zeka.

Kuvendi i zhvilloi punimet e tij në formën e mbledhjeve të ngushta, ku merrnin pjesë një numër i vogël delegatësh, ose duke organizuar tubime të gjera, me 450-500 pjesëmarrës, përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë së vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve të tjera shqiptare. Ndërsa 36 delegatët, që gëzonin të drejtën e votës, vinin nga qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve turke, nëpunës të administratës lokale, çifligarë të mëdhenj, nëpunës të lartë, klerikë etj.

Midis tyre ishin Haxhi Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali pashë Draga nga Rozhaja, Ismail Haki pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati nga Senica etj.Përveç 36 delegatëve të vilajetit të Kosovës, që kanë vënë nënshkrimet e tyre në vendimet e Kuvendit të Pejës, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të tjera shqiptare, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar i shquar i kësaj treve.

Mjaft delegatë nga qytetet e vilajetit të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, që nuk mundën të shkonin në Kuvendin e Pejës për shkak të pengesave që u nxorën autoritetet osmane, i kumtuan Kuvendit se i miratojnë vendimet e tij dhe se ruajnë të drejtën për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare. Kuvendi i janarit të vitit 1899 u quajt nga organizatorët e tij si një tubim i parë, paraprak, i cili do të pasohej nga një kuvend ose kongres më i përgjithshëm shqiptar.

Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishin Rezoluta (Kararnameja) prej 11 pikash dhe Akti i Besës prej 12 pikash, që u miratuan në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kuvendit më 28 janar dhe u shpallën publikisht më 29 janar 1899.Në vendimet e Kuvendit u shpall formimi i Lidhjes ose, sikurse quhej në Rezolutë, i Ittifakut dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve.

Lidhja shihej si një organizatë e përgjithshme dhe unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Për të arritur këtë bashkim u vendos që të ndaloheshin gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta si për këto, ashtu edhe për veprimet e tjera që cenonin rendin publik.

Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Kuvendi e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar gjithë shqiptarët në rast se atdheu sulmohej nga cilado anë qoftë dhe veçanërisht në rast se sulmoheshin këto vilajete, që shtetet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha i përfshinin në të ashtuquajturën Maqedoni.

Në rast lufte ishte vendosur të bëhej një ndarje e tillë e forcave shqiptare, që do të mbronin atdheun: ato të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë verilindorë kundër Serbisë, forcat e Pejës, të Plavës dhe të Shkodrës kufirin me Malin e Zi dhe ato të vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) do t’i kundërviheshin Greqisë.

Por në luftën për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë ishte e interesuar edhe Porta e Lartë, që përpiqej të ruante paprekshmërinë e Perandorisë Osmane. Atdhetarët shqiptarë përfituan nga ky interesim i Stambollit, për ta organizuar, nëpërmjet një veprimtarie legale, popullin dhe për ta bashkuar në një lidhje të re, e cila mori përsipër mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare. Prandaj me frazat “për besnikërinë ndaj sulltanit”, “për gatishmërinë për të jetuar në suazat e pushtetit të tij”, që përfshiheshin në hyrjen e Rezolutës së Kuvendit të Pejës, drejtuesit e Lidhjes nuk kishin aspak ndërmend të përjetësonin sundimin osman në Shqipëri, por të shprehnin synimet e tyre për të mbrojtur paprekshmërinë territoriale të Shqipërisë, për të mos lejuar që ajo të kalonte nga sundimi osman, i cili ishte në kalbëzim e sipër dhe po shkonte dita-ditës drejt fundit, nën një robëri të re edhe më të rrezikshme të shteteve ballkanike ose të ndonjë prej fuqive evropiane.

Në Rezolutën e Kuvendit të Pejës bëhej një dallim i përcaktuar qartë ndërmjet Perandorisë Osmane, “shtetit osman” dhe “atdheut të shqiptarëve”, Shqipërisë. Forcat vullnetare të Lidhjes, siç thuhej në këtë dokument, do të përdoreshin pikërisht për mbrojtjen e “atdheut të shqiptarëve”, “në rast të një sulmi mbi Maqedoninë (ku shtetet ballkanike përfshinin edhe vilajetet shqiptare të Kosovës e të Manastirit) dhe mbi atdheun tonë”.

Shprehja e besnikërisë së Kuvendit ndaj fesë islame, që përfshihej gjithashtu në Rezolutë, ishte padyshim rrjedhojë e ndikimit te popullsia myslimane shqiptare e fesë islame. Nuk mund të mohohet ndikimi negativ që një deklaratë e tillë ushtronte në përpjekjet për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, aq më shumë kur edhe qeveria e sulltanit nxiste fanatizmin mysliman për t’i përçarë shqiptarët. Megjithatë, këto shprehje nuk cenonin përmbajtjen themelore të Rezolutës, që mishëronte synimin e atdhetarëve për të bashkuar, nën drejtimin e Lidhjes, gjithë shqiptarët, myslimanë e të krishterë.

Prandaj edhe shtypi shqiptar i kohës e sidomos revista “Albania” e Faik Konicës, duke kundërshtuar pikëpamjet e atyre që synonin ta paraqitnin Kuvendin e Pejës si një “kongres fetar mysliman”, e quajti atë “një asamble kombëtare, që u mbajt në Shqipëri, ku u diskutua në gjuhën shqipe rreth mjeteve për mbrojtjen e truallit shqiptar, që kishte një karakter me të vërtetë kombëtar dhe do të sillte si rrjedhojë forcimin e idesë së atdheut shqiptar”. Në Kuvendin e Pejës, sidomos në mbledhjet e tij të fshehta, ashtu siç ishte parashikuar, u diskutua edhe çështja e autonomisë së Shqipërisë. U arrit në përfundimin që Lidhja të kërkonte autonominë dhe, si masë e parë drejt saj, do të ishte emërimi i Haxhi Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë, që të vendosej një administratë e veçantë kombëtare dhe të formohej një ushtri shqiptare nën sovranitetin e sulltanit.

Por, nga njëra anë rreziku i jashtëm, që kërcënonte tërësinë e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër prania në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etj., që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi.

Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre, parashikonte zbatimin e masave të tilla, të cilat do të çonin gradualisht në vendosjen e një statusi autonom për katër vilajetet shqiptare.

Në Rezolutë parashikohej që Lidhja ta shtrinte veprimtarinë e vet në vilajetet shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, ku do të formoheshin komitetet e saj. Organizimi i Lidhjes si një institucion shqiptar, me komitetet e pajtimit dhe të sigurimit që u ngritën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, shprehte synimet e shqiptarëve për një administrim autonom, veçanërisht për të arritur vetë bashkimin kombëtar dhe për të organizuar mbrojtjen e atdheut. Rëndësi të veçantë kishte krijimi nga ana e Lidhjes i ushtrisë shqiptare, në radhët e së cilës menjëherë pas Kuvendit hynë më shumë se 15 mijë vullnetarë. Njësi të tilla vullnetare ushtarake, të përbëra nga mijëra veta, u vendos të formoheshin edhe në kuvendet e tubimet, që u mbajtën në vilajetet e në sanxhakët e tjerë shqiptarë. U vendos që komandantët e të gjitha trupave ushtarake në Shqipëri dhe në krahinat kufitare të ishin shqiptar ë.

Në Rezolutën e Kuvendit u kërkua gjithashtu që të përqendroheshin në duart e komiteteve të Lidhjes kompetenca të tilla të organeve lokale qeveritare, si lufta kundër hakmarrjes, pajtimi i gjaqeve, ndalimi i keqbërjeve, sigurimi i qetësisë publike, dënimi i atyre që do të kryenin veprime dhune mbi qytetarët, duke përfshirë edhe nëpunësit turq që do të shtypnin popullin e do të bënin padrejtësi. Komitetet e Lidhjes do të merrnin përsipër të mbronin të drejtat e gjithë banorëve të Shqipërisë, pa dallim feje dhe krahine. Në këto kërkesa të Rezolutës shprehej haptazi synimi i Lidhjes për të përqendruar pushtetin shtetëror në duart e komiteteve të saj.

Konsulli austriak në Shkodër, Ippen, duke parë në vendimet e Kuvendit të Pejës aspiratat autonomiste të shqiptarëve, vetëm katër ditë pas përfundimit të punimeve të tij i shkruante Vjenës se ato janë të ngjashme me kërkesat e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe se mbështeten në të njëjtin program.

Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Pejës nuk përbën aktin e vetëm të saj. Po më 29 janar 1899, në ditën kur ky Kuvend mbylli punimet dhe shpalli vendimet e tij, një Komitet Ekzekutiv Shqiptar me qendër në Bukuresht, që ishte në dijeni të punimeve të Kuvendit të Pejës e bashkëpunonte me organizatorët e tij, botoi në gjuhën turke thirrjen “Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën!”. Thirrja ishte hartuar nga Dervish Hima. Titulli i thirrjes, koha kur u publikua dhe përmbajtja e saj dëshmojnë se ajo ishte hartuar posaçërisht për Kuvendin e Pejës dhe përbënte në vetvete një dokument programatik të Lidhjes së re.

Ideja qendrore që zotëron në këtë dokument është ajo e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, nën drejtimin e Lidhjes ose të Besa-Besës. “Ajo që do ta shpëtojë kombin dhe atdheun tonë, – thuhet në thirrje, – është bashkimi, një Besëlidhje e përgjithshme, një Besa-Besë”. Shtrohej si kërkesë kryesore shtrirja e Lidhjes në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, “të cilët formojnë vendin që quhet Shqipëri”, kërkohej bashkimi i tyre nën drejtimin e Lidhjes, thirrja e një Kuvendi të Përgjithshëm ose e një Pleqësie, që do të miratonte një statut (rregullore) a një kushtetute të veçantë për administrimin e vilajeteve të bashkuara. Zbatimi i këtyre kërkesave do të çonte në formimin e një njësie të vetme territoriale-administrative shqiptare, të qeverisur nga vetë shqiptarët, ndërsa Lidhja do të kthehej në një organizatë të përgjiths hme, e veshur me atribute shtetërore. Ndër masat më të para dhe më të domosdoshme për kombin, që duhej të përmbushte Lidhja Shqiptare, ishte edhe hapja e shkollave shqipe dhe mbyllja e shkollave të huaja, “që qenë shndërruar në fole intrigash”, formimi i ushtrisë shqiptare ose i një garde kombëtare, pajtimi i gjaqeve, zhvillimi i bujqësisë, i transportit etj.

Zbatimi nga Lidhja i kërkesave të tilla do të çonte dora-dorës në përmbushjen e programit themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në ruajtjen e tërësisë së territoreve shqiptare dhe në bashkimin e tyre në një shtet autonom.

Megjithëse Kuvendi i Pejës i kaloi caqet e “lejuara” (shfaqi synimet e shqiptarëve për vetëqeverisjen e vendit), Porta e Lartë në ditët e para pas formimit të Lidhjes nuk guxoi të dilte haptazi kundër saj dhe nuk mori masa të menjëhershme ushtarake për shtypjen e saj. Ky qëndrim diktohej, padyshim, nga interesimi i Stambollit për mobilizimin e forcave ushtarake shqiptare në luftën kundër rrezikut të një sulmi nga jashtë mbi Turqinë Evropiane. Porta ishte e detyruar të vepronte përkohësisht kështu edhe për shkak se nuk ishte në gjendje ta shtypte menjëherë Lidhjen që mbështetej te shqiptarët e armatosur.

Por pak ditë pas mbledhjes së Pejës, me shtrirjen e komiteteve të saj në qytete të tjera dhe me zgjerimin e me thellimin e veprimtarisë së tyre kombëtare, kontradiktat e Portës së Lartë me shqiptarët u acaruan dhe ajo ndryshoi qëndrimin ndaj Lidhjes. Duke qenë edhe nën trysninë e Rusisë e të Austro-Hungarisë, që shikonin te lëvizja shqiptare një rrezik për prishjen e status quo-së në Ballkan, qeveria e sulltanit nxori një varg urdhëresash për t’i çarmatosur shqiptarët dhe për të asgjësuar Lidhjen. Qysh në shkurt të vitit 1899, sulltani urdhëroi valinjtë e Shkodrës e të Kosovës, që të mos lejonin në të ardhmen asnjë mbledhje të shqiptarëve dhe të ndalonin çdo orvatje të Lidhjes për të organizuar kuvendet e saj.

Në fazën e parë sulltani, për të paralizuar Lidhjen, në vend të forcës ushtarake përdori politikën e përçarjes, duke nxitur kundër saj disa nga përfaqësuesit e parisë konservatore me prirje turkomane. Porta u mbështet sidomos te Riza bej Kryeziu, i cili që në fillim i ishte kundërvënë Lidhjes. Por qëndresa e shqiptarëve bëri që të dështonin këto orvatje të para të Portës së Lartë.

Në vjeshtën e vitit 1899 lëvizja kombëtare, e udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Pejës, hyri në një fazë të re, filloi lufta kundër administratës osmane në tërësi për të vendosur një administratë shqiptare. Kjo luftë u gërshetua me qëndresën e armatosur të masave kundër përpjekjeve të Portës së Lartë për të shpërndarë komitetet e Lidhjes dhe për të rivendosur autoritetin e organeve shtetërore osmane në viset ku qeveriste Lidhja. Sado që kjo qëndresë nuk u shtri në mbarë Shqipërinë, ajo ishte një përpjekje për të përmbushur programin e Lidhjes dhe të lëvizjes kombëtare në tërësi, për formimin e një Shqipërie autonome.

Vatër kryesore e kësaj lëvizjeje u bë sanxhaku i Dibrës. Në shtator të vitit 1899 Porta e Lartë ndërmori këtu një varg masash, siç ishte rivendosja e gjykatave osmane, të suprimuara nga Lidhja etj., që kishin për qëllim të zhvishnin Komitetin e Dibrës nga kompetencat shtetërore dhe ta asgjësonin atë përfundimisht. Këto masa shtypëse të qeverisë u bënë shkak për shpërthimin e kryengritjes popullore, të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes për Dibrën. Më 17 tetor mijëra malësorë zbritën nga fshatrat dhe u bashkuan me popullsinë qytetare të Dibrës e të qendrave të tjera të këtij sanxhaku. Kryengritësit dëbuan nëpunësit osmanë, izoluan mytesarifin dhe shtinë në dorë postë-telegrafën. Përveç Selim Rusit, Nurçe Pustinës dhe drejtuesve të tjerë të Komitetit, me organizimin e qëndresës së armatosur në këtë sanxhak merrej edhe Hamdi Ohri, i cili sapo ishte liruar nga internimi pas kërkesës këmbëngulëse të Lidhje s. Për katër muaj me radhë, nga fundi i tetorit 1899 e deri në janar 1900, pushteti faktik në sanxhakun e Dibrës u përqendrua në duart e shqiptarëve, të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes, ndërsa qeverisë dhe autoriteteve lokale nuk u mbeti asnjë fuqi.

Më 6 nëntor, në emër të Komitetit Arsimor Shqiptar të Dibrës, që vepronte si organ i Lidhjes Shqiptare, iu dërgua sulltanit një promemorje, në të cilën kërkohej të themeloheshin shkolla shqipe në këtë sanxhak. Promemorja qe nënshkruar nga Shyqri Çoku (nipi i Iljaz pashë Dibrës), Hamdi Ohri dhe nga atdhetarë të tjerë, gjithsej 31 veta.

Meqë edhe kjo kërkesë nuk u miratua nga qeveria, më 8 dhjetor kryengritësit rifilluan veprimet e tyre, sulmuan selitë e administratës lokale, dëbuan ushtritë osmane nga qyteti ose e izoluan atë në kazerma. Në Dibër u përqendruan edhe 1 500 shqiptarë të armatosur, që zbritën nga Malësia e Dibrës së Poshtme, nga Mati, nga Luma e nga Selishta.

Duke marrë zemër nga lëvizja kryengritëse në Kosovë, që po në këtë kohë përfshiu Prishtinën, Pejën, Gjakovën e Drenicën, popullsia e Dibrës i zgjeroi veprimet e saj. Në javën e parë të dhjetorit këtu qenë grumbulluar 3 000-3 500 kryengritës, që shtinë në dorë thuajse të gjitha lagjet e qytetit. Sulltani u detyrua t’u bënte lëshime kryengritësve dibranë, të tërhiqte nëpunësit e gjykatave osmane dhe të njihte pushtetin gjyqësor të vendosur nga Lidhja, ndërsa në shkurt pushoi edhe mytesarifin e sanxhakut të Dibrës.

Në një kohë me qëndresën kundërosmane atdhetarët dibranë Selim Rusi, Hamdi Ohri, Halit Bërzeshta etj., në bashkëpunim me Haxhi Zekën, vijuan përpjekjet për të zgjatur afatin e Lidhjes, për të forcuar pushtetin e saj në këtë sanxhak dhe për të thirrur një Kuvend të Përgjithshëm. Por, për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane, përpjekjet që u bënë në nëntor të vitit 1899 për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme të Lidhjes në sanxhakun e Dibrës nuk dhanë rezultat.

Më 16 shkurt, pa marrë ende fund kryengritja e Dibrës, atdhetarët kosovarë, të drejtuar nga Idriz Gjakova, një nga atdhetarët më me ndikim në këtë trevë, organizuan një manifestim të fuqishëm në Shkup, që u kthye në një kryengritje të armatosur. Kryengritësit kërkuan pushimin e valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz pashës, të kryetarit të bashkisë dhe të funksionarëve të tjerë të administratës osmane në Shkup. Atdhetarët shqiptarë synonin ta kthenin Shkupin, kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në vatër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në tërësi dhe nëpërmjet kryengritjes që organizuan në këtë qytet të përmbushnin kërkesat autonomiste të saj. Për këtë qëllim u formua edhe Komiteti i Shkupit, që doli nga gjiri i kryengritjes dhe që merrej me udhëheqjen e saj. Kryengritësit e Shkupit, si edhe të viseve të tjera të Shqipërisë, shtruan si kërkesë themelore autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit .

Në fillim të marsit në Shkup u mblodhën 2 000 shqiptarë të armatosur, që iu kundërvunë ushtrive osmane, të cilat mbronin selitë e administratës lokale. Me kryengritësit shqiptarë u bashkua edhe popullsia sllavo-maqedonase e Shkupit. Pushimi nga sulltani më 13 mars të vitit 1900 i valiut të Kosovës, Mehmet Hafiz pashës, ndonëse përbënte një fitore të kryengritësve kosovarë, nuk mund të sillte përmbushjen e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare.

Porta e Lartë, megjithëse kishte shpallur amnistinë, arrestoi më 18 mars udhëheqësit e kryengritjes së Shkupit, Idriz Gjakovën, Haxhi Raufin e të tjerë, që u dërguan në Bitlis. Këto masa u bënë shkak për një manifestim tjetër, që u organizua më 20 mars, në të cilin morën pjesë 3 000 veta; ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të Idriz Gjakovës dhe udhëheqësve të tjerë të kryengritjes. Manifestimet që shpërthyen në Shkup në mars të vitit 1900, vijuan pa ndërprerje deri në vjeshtën e atij viti.

Në ditët e fundit të shkurtit dhe në fillim të marsit qëndresa kundër administratës osmane u shtri në Mitrovicë e në krahinën e Drenicës. Në krye të kësaj lëvizjeje ishte vënë Komiteti i pajtimit, i Lidhjes Shqiptare për Mitrovicën e për Drenicën. Po në fundin e shkurtit dhe në fillim të marsit ndodhën përleshje të armatosura në rrethet e Prishtinës, ku qindra kryengritës, që kishin zbritur nga Çiçavica, u përleshën në hyrje të qytetit me trupat osmane. Populli kërkonte largimin e mytesarifit dhe të funksionarëve të tjerë osmanë nga Prishtina.

Lëvizja përfshiu edhe sanxhakun e Prizrenit, ku popullsia myslimane e katolike ngriti krye duke kërkuar gjithashtu largimin e mytesarifit e të nëpunësve të tjerë. Në Prizren u rimëkëmb Besa dhe u vendos të mbahej një tubim i përgjithshëm për të konsoliduar Lidhjen Shqiptare.

Masat shtypëse të Portës së Lartë dhe futja e një shtese të re të taksave u bënë shkak që të shpërthente (në mars të vitit 1900) lëvizja kundërosmane në Mitrovicë, në Senicë dhe në Pazarin e Ri, e cila vijoi deri në verën e atij viti, kur mori formën e një kryengritjeje të armatosur. Në korrik-gusht shpërtheu kryengritja në Pejë e në Gjakovë, që e detyroi qeverinë të pushonte mytesarifin e sanxhakut të Pejës.

Në qershor Porta e Lartë hodhi ushtri të shumta, të komanduara nga Shemsi Pasha, të cilat kaluan përmes Shkupit në Mitrovicë dhe prej andej në Pazar të Ri e në Senicë. Vetëm në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës u përqendruan 14 batalione ushtarësh, 8 000 kalorës e 36 topa, që shtypën me egërsi kryengritjen në Senicë e në Pazarin e Ri. U arrestuan, u burgosën dhe u internuan 573 udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në këtë trevë. Masat shtypëse të Shemsi Pashës shkaktuan zgjerimin e lëvizjes së armatosur në Pazarin e Ri. Në peticionin që iu dërgua sulltanit, në fundin e gushtit të vitit 1900, me nënshkrimet e 2 000 kryengritësve të Pazarit të Ri, kërkohej lirimi i të burgosurve politikë dhe largimi i funksionarëve të administratës osmane.

Në verën e këtij viti shpërthyen konfliktet e armatosura në kazanë e Gjilanit, në jug të Prishtinës; u forcua qëndresa kundërosmane në Shkup, në Ferizaj, në Mitrovicë, në Mat, në Dibër e në vende të tjera të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit.

Në këto rrethana, sulltani u detyrua të largonte nga vilajeti i Kosovës Shemsi Pashën, të pushonte mytesarifin e Pazarit të Ri dhe të hiqte shtesën e taksës në të gjithë sanxhakët e Kosovës. Megjithatë, konfliktet e shqiptarëve me autoritetet osmane në vilajetin e Kosovës vazhduan deri në shtatorin e vitit 1900.Në pranverën e vitit 1900, duke përfituar nga gjendja e krijuar pas shpërthimit të kryengritjeve në Dibër e në Kosovë, Haxhi Zeka bëri një përpjekje të re për të mbledhur një kuvend tjetër shqiptar, ku të kërkohej autonomia e Shqipërisë. Për këtë, qysh në mars të vitit 1900, ai shkoi në Dibër, ku idetë e Lidhjes ishin ende të fuqishme. Në bisedimet që u zhvilluan në Dibër u arrit në përfundimin që Besa të vendosej për një kohë të gjatë, të paktën për një periudhë pesëvjeçare. Në fundin e prillit Haxhi Zeka arriti të mbajë në Fushë-Kosovë, afër Prishtinës mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Tetovës, të Gjilanit, të Rozhajës, të Shkodrës, të Hasit, të Gjakovës, të Dibrës, të Senicës e të Pazarit të Ri. Këtu u diskutuan çështjet që kishin të bënin me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe u vendos të thirrej Kuvendi i ri i Përgjithshëm, që do të mbahej në Prizren ose në ndonjë qytet tjetër.

Por edhe këtë herë atdhetarët shqiptarë nuk mundën të mblidhnin Kuvendin e Përgjithshëm, për shkak të pengesave që nxori valiu i Kosovës, Reshat Pasha. Edhe sulltani, kur mësoi se Kuvendi do të parashtronte kërkesa kombëtare, urdhëroi valinjtë e Shqipërisë që të mos e lejonin mbajtjen e tij. Po kështu dështuan edhe përpjekjet, që atdhetarët dibranë bënë, në muajt prill-qershor të vitit 1900, për të përforcuar dhe për të zgjeruar Lidhjen Shqiptare.

Qeveria e sulltanit, e nxitur edhe nga Fuqitë e Mëdha, të cilat qenë çliruar nga lëvizja maqedone, që tanimë kishte rënë, kundërshtoi çdo kërkesë të shqiptarëve dhe kaloi në sulm të hapur kundër lëvizjes kombëtare në Shqipëri. Në shtator të vitit 1900 Porta e Lartë vetëm kundër vilajetit të Kosovës hodhi 40 mijë ushtarë. Goditjen kryesore Stambolli e drejtoi kundër qëndresës popullore në Shkup, Tetovë, Dibër, Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë e në qendra të tjera. Për shtypjen e kryengritjes në Shkup u ngarkua komandanti i sapoemëruar i xhandarmërisë së kryeqendrës së vilajetit, Mehmet Pasha.

Pas përleshjeve që u bënë në Shkup më 15 shtator, komanda e ushtrisë osmane arrestoi edhe 30 veprimtarë të tjerë të lëvizjes shqiptare. Në nëntor u arrestua një nga udhëheqësit e kryengritjes së Shkupit, Haxhi Raufi, me 22 pasues të tij. Terrori dhe arrestimet në Shkup vazhduan deri në fundin e vitit 1900.Nga Shkupi Mehmet pasha u drejtua për në Tetovë dhe prej andej në Dibër, ku mori gjithashtu masa të ashpra për shtypjen e qëndresës popullore dhe për shpërndarjen e komiteteve të Lidhjes. Për të shtypur kryengritjen në qytetet e Kosovës, sulltani dërgoi përsëri Shemsi Pashën, i cili në krye të ushtrive të shumta osmane, gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1900, goditi në fillim kryengritësit e Prizrenit dhe shpërndau Komitetin e Lidhjes së këtij sanxhaku.

Prej këtej Shemsi Pasha u hodh në Prishtinë, në Pejë, në Gjakovë, në Mitrovicë e në qendra të tjera. Për të vendosur “rendin dhe qetësinë” ai shtypi lëvizjen shqiptare kudo ku shkeli. Këto masa, krahas disa lëshimeve të pjesshme që iu bënë kryengritësve dhe krahas dhuratave e posteve që iu dhanë krerëve konservatorë e turkomanë, përmirësuan përkohësisht pozitat e Perandorisë Osmane në vilajetet e Kosovës e të Manastirit.

Në këto kushte Lidhja e Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi pësuan humbje të rënda, që çuan në rënien e tyre dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë.

Në fundin e vitit 1900 Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë. / KultPlus.com

Prishtina, qentë dhe saksofoni

Poezi nga Ibrahim Berisha

Endacakë në terr e dritë nëpër melodinë
Romantike të saksofonit, me frymën e fundit
Janë këtu por nuk duhet patjetër.
Aroma e blinjve dhe statujat pasi edhe pa ato
Asgjë nuk ndodhë, ja që
As shpirti i zogjve të humbur
Nuk shkon askund, asfalti po kështu.
Në pritje ndoshta ndjehen të lumtur
Mes njerëzve që nuk thonë asgjë, sepse janë
Të gjallë, gjithmonë rastësisht përjashta.
Mund edhe të mos kuptojnë më në fund
Nuk u bëhet vonë asnjëherë, edhe kur
Një tjetër melodinë e violinës dalëngadalë
Kurdo që zhduket nuk përfundon plotësisht. / KultPlus.com

U17 bëhet kombëtarja e parë në volejboll që kalon në raundin e dytë kualifikues

Vashat e Kombëtares U17 në volejboll, pas tri fitoreve radhazi të arritura në CEV Kualifikimet e Kampionatit Evropian U17, kanë arritur ta zënë pozitën e pestë, e cila e dërgon tutje në raundin e dytë kualifikues.

Nga 7 shtete pjesëmarrëse, në raundin e dytë kualifikohen Turqia, Bullgaria, Rumania, Greqia e Kosova.

Garat e raundit të dytë kualifikues zhvillohen nga 20-23 prill 2023 dhe mbetet të shihet cili vend do të jetë organizator dhe çfarë kundështarë do të ketë.

Ky është moment historik, meqë Kosova U17 bëhet Kombëtarja e parë në volejboll që kalon një fazë më tutje. / KultPlus.com

Astronomët ngrenë alarmin: Yjet po zhduken me shpejtësi

Astronomët paralajmërojnë se yjet po zhduken nga qielli para syve tanë.

Një studim i ri tregon se qielli po bëhet deri në 10 për qind më i ndritshëm çdo vit. Për shkak të kësaj, një numër i madh i yjeve që dikur ishin të dukshëm tani janë të fshehur.

Ndotja nga drita që zvogëlon dukshmërinë e yjeve po rritet shumë më shpejt nga sa prisnin shkencëtarët, edhe përkundër përpjekjeve për ta kufizuar atë. Ndotja nga drita mund të ketë pasoja drastike, jo vetëm për dukshmërinë e qiellit të natës, por edhe për mjedisin, me ndikime negative në sistemet biologjike të kafshëve dhe njerëzve.

Studimi analizoi më shumë se 50 mijë vëzhgime nga shkencëtarët në mbarë botën, të marra midis viteve 2011 dhe 2022. Qëllimi i studimit ishte të kuptonte plotësisht shkallën e problemit të “shkëlqimit të qiellit”, ose dritës difuze të qiellit gjatë natës që ndodh për shkak të njeriut që shkakton ndotje, shkruan independent.

Deri më tani, ndryshimet në shkëlqimin e qiellit janë dokumentuar dobët, sepse nuk ka asnjë mënyrë për të mbledhur informacione nga e gjithë bota. Për ta zgjidhur këtë, shkencëtarët përdorën informacionin e shkarkuar nga një aplikacion që gjen informacione nga pjesë të ndryshme të botës dhe i mbledh ato.

Ky informacion mund të përdoret për të mbledhur të dhëna më “shumë se sa syri i lirë”, e cila mat ndriçimin minimal që duhet të ketë një objekt në qiell për t’u parë. Ndërsa qielli i natës shkëlqen nga ndotja, këto objekte duhet të bëhen më të ndritshme për t’u parë.

Matjet tregojnë se shkëlqimi i qiellit rritet me 9.6 për qind çdo vit. Vlerësimet e mëparshme të mbledhura nga satelitët sugjeruan se shkëlqimi po rritet me vetëm 2 për qind në baza vjetore.

Në përfundimin e tyre, studiuesit theksojnë rëndësinë e shkencëtarëve qytetarë në sigurimin e të dhënave. Ata gjithashtu u bëjnë thirrje politikëbërësve që të përdorin siç duhet të dhënat e publikuara, duke vënë në dukje se përpjekjet ekzistuese për të kufizuar problemin e ndotjes nga drita nuk e kanë parandaluar përkeqësimin e problemit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani fillon vizitën e saj në Vatikan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje udhëtoi për vizitë në Shtetin e Vatikanit dhe në Itali.

Osmani, së bashku me zotërinë e parë, Prindon Sadriu dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla do të pritet në audiencë nga Papa Françesku.

Presidentja do të ketë takim edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin si dhe do të realizohen edhe një sërë takimesh e aktivitete të tjera.

Gjatë qëndrimit në Romë, Osmani do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të cilin do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit bilateral si dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej. / KultPlus.com

Para 107 viteve, heroi Isa Boletini u vra në Podgoricë

Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.

Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.

Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. / KultPlus.com

“Unë jam një pesimist për shkak të inteligjencës, ndërsa optimist për shkak të vullnetit”


– Antonio Gramsci

“Unë jam një pesimist për shkak të inteligjencës, ndërsa optimist për shkak të vullnetit.”

“Qëllimi i modernitetit është të jetohet një jetë pa iluzione por në të njejtën kohë të mos zhgënjehemi.”

“Krizat qëndrojn pikërisht në faktin kur e vjetra është duke vdekur përderisa e reja nuk mund të lind.”

“Të gjithë njerëzit janë intelektual, por jo të gjithë njerëzit e kanë shoqëri rolin e intelektualit.”

“Unë jetoj, unë jam një partizan. Kjo është aryseja se përse i urrej ata që nuk marrin anë; i urrej ata që janë indiferentë.” / KultPlus.com

Kur Lord Byron i shkruante nga Shqipëria nënës së tij Catherine Gordon Byron

Në motin 1800 vjershëtori ingliz, Byroni shëtite Sinisin’ e Ballkanit nga e cila dërgonte letra t’interesaçme shtëpisë dhe miqve të tij n’Angli. Këtu më poshtë po përkthejmë një letër të tillë, të cilën vjershëtori i madh e ka dërguar nga Shqipëria dhe flet me simpathi të madhe për Shqipërinë dhe për bijtë e saj.

Prevezë: 12 Vjesht’ e tretë 1809
Zonjës Byron,
Po bëhet një kohë e gjatë që gjëndem në Turqi; qyteti nga i cili u shkruaj qënndron buzë Adriatikut, por unë e pash më mirë këtë provincë shqipëtare kur vizitova pashanë.
Nga nisia Malta u-nisa me 24 vjesht’ e parë me vaporin luftëtar Marimanga” , dhe pas tetë ditësh hariva në Prevezë. Që këtej barita edhe 150 mila brënda në Shqipëri, për në Tepelenë, ku gjëndet pallati i Lartësis’  së Tij, dhe ndënja tri ditë. Pasha quhet Ali, dhe është i njohur si njeri me virtytete të larta. Ay qeverisë tëre Shqipërinë dhe një pjesë të Maqedhonisë. I biri i tij Veli pasha për të cilin më dha disa letra me rëndësi, qeveris Morenë, dhe është shum’ i dëgjuar n’ Egjyptë. Me një fjalë pashai është një nga njerëzit më të dëgjuar të Imperatorisë otomane.

Kur arriva në Janinë kryeqytet’ i Shqipërisë –mësova se Ali pasha ish me ushtërin’ e tij n’Iliri, ku kish rrethuar Ibrahim pashanë, në fortesën e Beratit.  Ay kish dëgjuar se në vendin e tij kish ardhur një ingliz prej soji të madh dhe i kish dhënë urdhër qeveritarit të Janinës që të përkujdeset për mua dhe të më japë ç’më duhet pa kërkuar as një pesësh’ që t’i jap dhurata robërve m’u dha lejë po që të paguanja gjëkafshë në shtëpinë ku isha, nuk m’u dha lejë. Kisha të drejtë të kaloj kuajt’ e pashajt, kështu i kaluar vizitova pallatet e pashajt dhe të nipërve të tij. Këta janë shumë të bukur, dhe të stolisurë me kadifera të mëndafshta. Malet dhe përgjithësisht, vendi këtu ka një bukuri natyrale shumë të madhe, gjër më sot s’e kam parë me no një vent tjatrë.

Pas nëntë ditësh udhëtimi hariva në Tepelenë. Udhëtimi ynë u-ndalua shumë nga shirrat e dëndur që binin.

Asnjë herë nuk’dot’haroj bukurin’ e madhe q’u çfaq përpara syve të mij kur hyra në Tepelenë, në ora pesë të mbrëmauret në perendim të diellit. Ajo bukuri më kujtoj përshkrimin q’i jep Walter Scott-i, Kastelit të Branksomit në vjershën e tij “Këngët e fundit” me tërë feodolizmën e saj.

Shqiptarët (me kostumin’ e tyre të bukur) i cili formohet prej një fustanelle të bardhë, anteri të qëndisur me sërme dhe jelek prej kadifeje të kuqe të qëndisur me gajtane të mendafshtë, kobure dhe jataganë me mill të argjentë etj…më pëlqejnë shumë.

Mua më shpunë në një dhomë të bukur dhe sekrtetari i vezirit ardhi të më pyesë për gjëndjen t’ime.

Të nesërmet vizitova Ali pashanë. Ky qe veshur me uniformën zyrtare prej gjenerali, ngjeshur rreth mesit një shpatë të bukur etj.etj…Veziri më priti në një dhomë shumë të bukur, të shtruar me mermer, në mes të cilës ridhte një shatervan. Dhoma qe e stolisur me “kanape”të shtruara me mendafsh. Pashaj më priti duke u-ngritur më këmbë, e cila tregon shënjë nderi, dhe më ftoj që të ri n’anën e djathtë të tij.

Gjithënjë kam si terxhuman një grek, po këtu u hasa me shkronjesin  e Ali pashajt Femlario i cili dinte ca latinisht dhe ky më shërbeu për t’u marrë vesh me pashanë. Pyetja e parë që më bëri ish; pse e kam lëne atdheun t’im kaq i ri (këtu njerëzia smundin të kuptojnë se si njeriu mund t’udhëtoj pas deshirës së ti),Pashaj më tha se konsulli ingliz, kapiteni Leek e kish lajmëruar për ardhjen time dhe kish thënë se jam nga një familje e dëgjuar; ky m’u lut t’u dërgoj ngjatjetimet e tij dhe unë po u-u çojë nga emri i Ali pashajt. Më tha se mbeti shumë i kënaqur nga sjelljet e mija dhe m’u lut që sa kohë të gjëndem në vëndin’ e tij ta shikoj atë posi një atë dhe ay mua posi bir.\

Dhe me të vërtëtë, ay sillesh posi një atë, më dërgonte t’ëmbëla, pemë etj.dhe m’u lut që të vinja shpesh mbrëmandent dhe të bisedonim bashkë.

So pashë të mbeturat e qytetit të vjetër Akcium ku Antoni humbi botën. Më tutje duken gërmadhat e qytetit Nikopol, i cili u godit prej imperatorit August si kujtim të fitimit të tij.

Mbase i dua shumë shqiptarët, këta nuk janë të gjithë myslimanë; një pjesë e madhe janë të krishterë, po, përgjithësisht Shqiptarët nuk’ i japin rëndësi fesë, dhe kjo nuk lot nonjë rol për të prishur zakonet kombëtare që kanë. Këta janë ushtarët e parë t’ ushtrisë otomane. Kur udhëtomnja fjeta dy net në një dobojë dhe me të vërtetë po u-them se as më nonjë vënt tjatrë nuk’kam hasur ushtarë më të sjellër se këta me gjith që kam qenë në garnizonet e Maltës dhe të Gibraltarit dhe që kam parë shumë ushtëri të ndryshme si spanjollë, francezë, sicillianë dhe anglikanë. Këtu nuk m’u voth asgjë dhe u ftuash nga ushtarët shqiptarë që të ha dhe të pi bashkë me ta.

Para një jave, nje kryetar shqiptar më mori në shtëpi të tij dhe pasi na dha të tëra sa na duheshin për të ngrënë e për të pirë, mua dhe, mua dhe të pasësëve t’im që janë: një shërbëtor, një grek, dy nga Athina dhe miku im Z.Hobhaus, nuk deshte të marë as një pesësh, për të gjitha ato, përvec se një fletëzë kartë, në të cilën t’i thoasha që mbeta i kënaqur nga pritja e tij, po unë nuk desha që pa paguar gjë të dilnja nga ay njeriu i mirë, dhe kur u luta që të pranonte ca pak të holla ay m’u përgjegj: “Jo, unë dua që të më duani, jo të më paguani”.

Çudi në këtë vent të hollat s’paskan fare vleftë; Kur isha në kryeqytet(Janinë) pas urdhërit të pashajt nuk’pagova asgjë me gjithë që kisha me vethe 16 kuaj dhe 6-7 shpirt.

Pas ca ditësh do të nisem për në Athinë që të mësoj greqishten e re, e cila ka një ndryshim të madh nga e vjetra, me gjithë që të dyja një emrë kanë dhe një gjuhë janë !….

                                                                                          Biri juaj i dashur

                                                                                                            LORD BYRON

SHËNIM:  Kjo letër që Lord Byroni i kishte dërguar nënës së tij para 207 vjetësh, ishte botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në vitin 1914  në revistën “Kalendari Kombiar” që në atë kohë botohej në Sofje të Bullgarisë. 

Kjo letër e poetit  të madh Lord Byron u ribotua në gazetën “Dielli”më 25 Nëntor të vitit 1964. Editori i kësaj gazete Dr. Athanas Gegaj botonte dhe ribotonte vazhdimisht letra e shkrime me permbajtje intelektuale. Editori nuk kishte bërë asnjë ndryshim të asaj letre botuar fillimisht në “Kalendarin Kombiar”.

Edhe ne iu permbajtëm drejtëshkrimit të asaj kohe.  / KultPlus.com

Kryevepra e një Maestro, krijimi i Logos së Operas së Kosovës nga Berin Hasi

Uranik Emini

Berin Hasi, artisti i mirënjohur që qëndron pas logos së re mahnitëse të institucionit më të ri kulturor të Kosovës, Opera e Kosovës, së fundi në një intervistë me KultPlus, ka shpalosur procesin krijues dhe sfidat pas kryeveprës së tij të fundit, shkruan KultPlus.

Nga koncepti fillestar deri në ekzekutimin përfundimtar, Hasi i merr lexuesit në një rrugëtim të shprehjes artistike dhe rëndësisë kulturore, duke shfaqur vizionin dhe përkushtimin unik të tij në krijimin e një simboli që përfaqëson vetë thelbin e trashëgimisë artistike të Kosovës.

Derisa Berin Hasi filloi punën e tij për logon e Operas së Kosovës, ai e dinte se kishte një detyrë të vështirë përpara. Jo vetëm që ishte ngarkuar të krijonte një simbol që do të përfaqësonte një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend, por ai gjithashtu donte të siguronte që logoja të ishte unike, reflektuese e trashëgimisë artistike të Kosovës dhe kuptimplotë për popullin e saj.

Ndërsa u fut më thellë në projekt, Hasi u përball me një sërë sfidash. Një nga më të mëdhenjtë ishte gjetja e një mënyre për të balancuar traditën dhe modernitetin në logo. Ai donte të krijonte diçka që të ishte bashkëkohore dhe e përjetshme, që do të rezononte me audiencën e të gjitha moshave. Ai gjithashtu luftoi me gjetjen e ngjyrave dhe imazheve të duhura që do të përfaqësonin më së miri operën dhe misionin e saj.

Pavarësisht këtyre vështirësive, Hasi qëndroi i përkushtuar vizionit të tij. Ai vazhdoi të eksperimentonte me dizajne dhe ide të ndryshme, duke e rafinuar dhe modifikuar konceptin e tij derisa krijoi diçka që e ndjeu se e kapi vërtet frymën e Operës së Kosovës. Ajo është sa moderne dhe e përjetshme, dhe rrëmben në mënyrë të përkryer energjinë dhe pasionin e Operës së Kosovës.

KultPlus: Si ka qenë procesi i krijimit të logos për Operën e Kosovës?

Berin Hasi: Sipas meje secili dizajner duhet ta ketë procesin e vet personal ose mënyrën ku gjatë viteve që punon në çfarëdo projekti e pasuron veten me teknika të ndryshme që t’i ndihmojë pikërisht vetes në të ardhmen dhe me arrit në një rezultat që duhet të jetë funksional në fund. Në raste kur një logo e një brendi është ekzistues, atëherë duhet së pari të analizohet logone vjetër për me pa se pse dizajneri i kaluar i ka vendosur ato rregulla. Edhe pse duhet të krijohet identiteti i ri, baza është te logoja e vjetër. Por në këtë rast, si Opera e Kosovës, e cila nuk ka pas logo më herët, atëherë procesi shkon nga zero. D.m.th. krijohet një bazë e re ku mundemi me i nxjerrë disa keywords, të cilat na duhen për të fuqizuar atë logo apo storje. Pra, procesi në fillim është që të definohen disa pika, siç janë: fryma, shija, ndjenja, mesazhi, estetika/dukja, përdorimi internal, përdorimi external etj… Nëse janë këto pika të definuara, duke i testuar vizualisht atëherë na ndihmon që të dijmë sa më saktë se cili simbol apo zgjidhje është më e përafërt me atë që po e kërkojmë për të qenë logoja apo tipografia.

KultPlus: A mund të na tregoni për frymëzimin e dizajnit të logos së Operas së Kosovës?

Berin Hasi: Të gjitha logot që i kam krijuar gjatë karrierës sime, duhet të fillojnë prej bërthamës zero. Për atë arsyje edhe logoja e Operas së Kosovës është nisur prej “Neumeve”, të cilat janë përdorur në mesjetë për t’i shënuar meloditë njëzëreshe gregoriane. Në këtë mënyrë ne i krijojmë vetes elemente me të cilat mund të krijohen pastaj vizuelete të cilat na duhen gjatë përdorimit të identitetit. Në momentin që i shumëzojmë ato (neumet) krijohen elementet e reja. Pra, frymëzimi kryesor është prej Neumeve.

KultPlus: A mund të na thoni më shumë për ndonjë teknikë, material apo element specifik që ke përdorur për të krijuar logon e Operës së Kosovës?

Berin Hasi: Teknike specifik nuk ka, por esenca ka qenë me arrit me kriju disa forma, kur ju e shihni në rastin e parë, me e marr një ndjenjë që logoja është në lëvizje, ose tingujt janë të gjallë edhe pse është statike. Këtë më së miri do ta quaja si teknika “Berinski”.

KultPlus: Si e pasqyron logoja e Operës së Kosovës misionin dhe vlerat e institucionit?

Berin Hasi: Detyra jonë ka qenë me i kriju gjërat nga fillimi. Juria na ka njoftuar që të kemi origjinalitet, nivel estetik dhe kreativ, përdorim të simbolit “neum” në krijim vizual të frekuencës akustike, pasqyrim artistik i veprimtarisë së Operas së Kosovës, përdorimi i një fonti të ri origjinal nga autori, janë disa nga arsyet që i pasqyrojnë misionin dhe vlerat e institucionit.

KultPlus: Si është përgjigjur publiku për logon e re të Operës së Kosovës?

Berin Hasi: Komente dhe përgjigjje ka pasur nga disa kategori, nëse mund t’i quaj kështu. Zakonisht, sipas meje, publiku ndahet në disa pjesë: 1. Ata/ato që ja dojnë të mirën e Kosovës pa marr parasysh kush e ka dizajnuar logon, dhe janë të mirë informuar se si duhet të jetë një logo e fuqishme, e vlerësuar më pas për ta pasur vendin ku duhet. 2. Ata/ato që e dinë kush është dizenjatori dhe e njohin procesin e punës që dominon këtë aktivitet, edhe pa e parë logon, mund ta pëlqejnë vetëm përmes një shpjegimi.  

3. Ata/ato qe e  dinë kush është dizajneri por nuk e dëshirojnë një person (konkurrenca) ndoshta edhe kta e dojnë Kosovën, por nuk mund ta shohin dikë tjetër duke fituar, e harrojnë më pas pjesën që e Kosovës por e shikojnë vetëm personalen. Duke harruar që unë gjithmonë e jap më të mirën nga veten, sidomos për Kosovën.

4. Ka pasur kritika, ku disa qëndrojnë nëse është për të mirën e Kosovës, sipas meje, po ashtu ka pasur kritika ku harrohet përsëri që të mendohet për të mirën e institucionit, por kritikohet vetëm sa me thonë që po kritikoj, e në atë rast shihet nga kilometra që është e fuqishme apo jo. Gjithashtu, është kritikuar edhe tipografia, lloji i shkrimit dhe pozicionimet e saj. Por, po të kisha punuar tipografinë shumë thjesht, sikurse e punojnë shumica, unë nuk e kam bërë. Kam përdorur atë, sepse kryen disa funksione në të njëjtën kohë që është e pamundur me i ra dikujt në mend me përdor në këtë formë. Por, mund të them që përgjigjet kryesisht kanë qenë pozitive, kur po them pozitive, janë seriozisht pozitive dhe me vend. Sepse është një frymë e re të cilën Opera e Kosovës e ka në logo, jo vetëm në Kosovë por në mbarë botën e logove, nëse i krahason.

KultPlus: Me çfarë sfidash u përballet gjatë dizajnit të logos?

Berin Hasi: Në momentin që unë e marr për detyrë që të krijoj një logo, qoftë ajo edhe për një biznes apo stemë familjare, sfidën kryesore e kam të krijoj diçka të re, e cila nuk ka ekzistuar më herët. P.sh në logon e Operës i kam krijuar shkronjat që janë të lexueshme mjaftueshëm, serifet në shkronja i ndihmojnë në përshpejtimin me leximin e tyre dhe mrekullia është se mundesh me i lexu edhe vertikalisht, ku nëse i sheh shkronja të gjitha zanoret janë mbi njëra tjetrën. Nëse i lexon ato, automatikisht je brenda operës duke kënduar apo duke u bërë gati për këndim.

Një sfidë tjetër ishte nëse marrim një logo me më shumë detaje, a mund të aplikohet në çfarëdo aspekti që na nevojitet. Si në çdo projekt që krijohet nga unë, para se ta propozoja, kam lënë një ligj personal, që ka të bëjë me testimin! Logoja e Operës së Kosovës, nëse është e punuar nga mjeshtrit e duhur, atëherë mund të aplikohet në çdo material deri në përmasat minimale 17mm 3 të testuara nga unë personalisht, qoftë në print, gravurë, lazer etj.

KultPlus: Si krahasohet logoja e Operas së Kosovës me logot e tjera në botën e operës, nëse i keni parë sado pak?

Berin Hasi: Pika e parë që duhet bërë është analiza ime për të gjitha logot e tjera ekzistuese të operës, sigurisht që pashë jo pak por shumë analiza! Shumica e tyre janë të vjetra, ka edhe të reja, të ndërlikuara dhe shumë të vështira. Nëse dëshironi ta krahasoni logon e Operës së Kosovës me të gjitha logot e tjera, është krejt ndryshe. Logoja jonë e Operës së Kosovës i ka të gjitha logot e botës brenda saj. Njëkohësisht e pastër jo e pastër, e kuptueshme jo e kuptueshme, e komplikuar jo e komplikuar. Për disa sekonda mund të jetë e paqartë, por pasi ta shihni mirë e shikoni edhe veçantinë e saj të vërtet.

KultPlus: Si e paraqet logoja e Operas së Kosovës kulturën dhe identitetin e Kosovës?

Berin Hasi: Për ketë pjesë nuk kam shumë fjalë, kultura dhe identiteti ynë është NEWBORN. Është logo e re për nga pamja por shume përpara botes. Ne nuk kemi shumë identitet, nëse e marrim Kosovën si shembull, sepse jemi duke e krijuar atë prej fillimit, që 2 dekada deri më tani. Besoj që edhe një dekadë tjetër mjafton me pa se si e kemi krijuar atë. Perveç meje ka shume të tjerë që së bashku me ta do të shihet  rezultati ynë.

KultPlus: Si e shihni evoluimin e logos së Operas së Kosovës në të ardhmen?

Berin Hasi: Elementet grafike dhe koncepti brenda identitetit se si është krijuar ka të bëjë me evoluim konstant. Shembull: e kemi simbolin kryesor si bazë dhe forma e saj në lëvizje është kryesorja, por në çdo moment apo nevojë, i njëjti simbol mund të lëviz dhe ta ndryshoj formën duke e pasur të njëjtën bazë. Të gjitha këto, përfshihen në bren udhëzues të cilin e kemi krijuar. Me një fjalë, evoluimin e saj e shoh si të pavdekshme.

Si përfundim, logoja e re e Operës së Kosovës, e dizenjuar nga artisti i talentuar Berin Hasi, është një përfaqësim i vërtetë i misionit të institucionit dhe trashëgimisë së pasur kulturore të vendit. Logoja e Operas së Kosovës është një kryevepër dhe Berin Hasi është maestro që qëndron pas saj. /KultPlus.com

Enis Abdullahu

Antonio Gramshi, intelektuali i gjithanshëm që nuk e mohoi origjinën shqiptare

Antonio Gramshi, arbëreshi intelektual erudit me kulturë të gjithanshme, renditet krahas Romen Rolanit, Emil Ludvigut, Pol Eluarit, Lui Aragonit, Pikasos, Zhan Sartrit, Bertolt Brehtit e të mjaft personaliteteve të tjerë të shquar të kohës.

U nda nga jeta pikërisht me 27 prill të vitit 1937. Arbëreshi Gramshi ishte një nga figurat më të rëndësishme të politikës dhe të kulturës në Itali.

Ai ka shkruar 54 volume me shkrime filozofike, sociale, estetike etj. Ndër to shquhen “Rilindja”, “Shkrimet politike”, Materializmi historik”, “Intelektualët”, “Elementët e politikës”, etj.

Personaliteti i Gramshit ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve.  Ai ka dhënë kontribut me vlerë edhe në trajtimin e një varg çështjesh teorike të letërsisë dhe të artit në përgjithësi.

Kujtdo që i është dhënë mundësia të udhëtojë nëpër Itali, është e pamundur që të mos jetë përballur ne dyqanet e shitjes së librit me emrin e Antonio Gramshit, të këtij njeriu të madh italian me prejardhje shqiptare, që nderohet dhe respektohet shumë sot në mbarë Italinë për gjestin e tij të madh, për të sakrifikuar jetën në emër të njerëzve të thjeshtë. Që tek mbiemri “Gramshi” ai tek çdo shqiptar zgjon një ndjenjë disi të veçantë, atë të një qyteti në Shqipërinë e mesme, të një fshati në Skrapar nga është edhe kryerakitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasëmi, të një fshati tjetër në Myzeqe apo të një batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese të partizanëve të Mehmet Shehut.

Në Itali Gramshi vlerësohet si simboli i luftëtarit për drejtësi shoqërore, si simboli i italianëve të thjeshtë dhe i luftëtarit të rezistencës kundër fashizmit. Ai luftoi për të shembur përgjithmonë kufirin e urrejtjes midis njerëzve e urrejtjes midis njerëzve. Muzgu shpirtëror dhe fizik i tij filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit të vitit 1926, kur u arrestua nga fashistët me cilësinë e deputetit të parlamentit italian, e me cilësinë e demokratit të shquar dhe të progresistit poliedrik. Ky muzg i errët filloi atë mbrëmje të ftohtë, ku provoi lagështirën dhe neverinë e tmerrshme të qelive të burgjeve të Rexhina Çelit, të Turit në Bari, të Milanos, të Ustikes etj, duke u ballafaquar kështu jo vetëm me vuajtjet, me sëmundjen dhe të këqijat, por edhe me forcën e karakterit të vet. Kur u burgos, ishte deputet dhe sekretar i Përgjithshëm i PK Italiane, shok i vjetër idealesh me Palmiro Toliatin, me Luixhi Longon etj./KultPlus.com

“Avatar: The Way of Water” filmi i gjashtë në histori që tejkalon 2 miliardë dollarë

Pas gjashtë javësh publikim, vazhdimi i suksesshëm i James Cameron “Avatar: The Way of Water” ka tejkaluar 2 miliardë dollarë në shitjet globale të biletave.

Është filmi i gjashtë në histori që kapërcen momentin historik, duke iu bashkuar një klubi ekskluziv “Avengers: Endgame”, “Titanic”, “Star Wars: The Force Awakens” dhe ” Avengers: Infinity War.”

Cameron është përgjegjës për tre nga gjashtë filmat me fitimet më të larta të të gjitha kohërave. Ai është gjithashtu regjisori i vetëm me tre filma që ka kaluar 2 miliardë dollarë.

Veçanërisht, “The Way of Water” ka arritur zyrtarisht qëllimin e lartë që Cameron i vendosi vetes përpara publikimit të filmit.

Ai tha se “Avatar 2” duhet të bëhet një nga tre ose katër filmat më fitues të të gjitha kohërave./pressonline/ KultPlus.com

Rama: Ura e madhe e Kukësit mbi Drin, realizohet plotësisht deri në pranverë

Ura e madhe e Kukësit mbi Drin, pjesë e rrugës së Kombit pritet të realizohet plotësisht deri në pranverë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të punimeve në këtë urë, teksa bëri të ditur se, kjo urë ka një arkitekturë e strukturë të veçantë prej çeliku varur në 310 metër gjatësi.

Ura e re e Kukësit do të ketë dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa gjatësia e saj do të jetë konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme.

Ura e Madhe e Kukësit do të bashkojë brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit.

Ajo do të zëvendësojë urën e vjetër ekzistuese që ka më shumë se 45 vite që mban ‘mbi supe’ me mijëra mjete përgjatë viteve. / KultPlus.com