Ka vdekur sot Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologia dhe historiania e shquar kosovare, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës të cilët njëherit edhe kanë njoftuar për detajet rreth varrimit të të ndjerës.
“Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë opinionin se më 17 janar 2023 ndërroi jetë akademike Edi Shukriu, një emër i njohur dhe i çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare”, thuhet në njoftim.
ASHAK tutje kanë bërë të ditur se varrimi i së ndjerës do të bëhet më datë 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Ndërsa, mbledhja komemorative do të mbahet gjithashtu më datë 18 janar, në mjediset e ASHAK-ut në orën 11:00 dhe homazhet do të bëhen nga ora 12:00-13:00. / KultPlus.com
Ka vdekur sot Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologia dhe historiania e shquar kosovare.
Lajmi për vdekjes e Edit është pritur me reagime të shumta.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet e saj për vdekjes e Akademikes Edi Shukriu duke thënë së vdekja e Edit është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare, pasi ajo ishte një emër i çmuar në fushën e arkeologjisë e të historisë, fusha në të cilat ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme.
“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesoreshë Edi Shukriut, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesoreshë shumëvjeçare e Universitetit të Prishtinës, si dhe veprimtare e shquar politike dhe inistiucionale.
Ndarja nga jeta e Edi Shukriut është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare, pasi ajo ishte një emër i çmuar në fushën e arkeologjisë e të historisë, fusha në të cilat ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Duke qenë ndër arkeologet e para shqiptare, ajo i vuri themelet e dijeve arkeologjike në Kosovë, së cilave ua kushtoi pothuajse tërë jetën, duke themeluar e drejtuar institucione e projekte të ndryshme kërkimore e shkencore. Njeri me vokacion të theksuar poetik, prof. Shukriu është e njohur edhe në fushën e letërsisë. Ajo na i ka lënë trashëgim disa vepra poetike.
Në këto çaste të vështira, bashkëndjej me familjen, miqtë e kolegët e saj.
I përjetshëm kujtimi për Edin!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Presidentes Osmani. / KultPlus.com
Bullgaria ka nisur një aksion mbarëkombëtar kundër migracionit të paligjshëm dhe trafikantëve të qenieve njerëzore, njoftoi të hënën ministri i Brendshëm, Ivan Demerdzhiev.
“Drejtoria e Përgjithshme për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Policia Kufitare kanë raportuar tashmë operacione të suksesshme”, tha Demerdzhiev.
“Disa grupe të mëdha të trafikimit të migrantëve janë goditur tashmë. Operacioni do të vazhdojë në ditët në vijim në Turqi si dhe në Bullgari”, tha ai.
Sipas ministrit, operacione të ngjashme janë planifikuar edhe në bashkëpunim me Greqinë.
“Ndërveprimi është e vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur krimit ndërkufitar”, shtoi Demerdzhiev.
“Puna e përbashkët dhe partneriteti janë mënyra e vetme për të mbrojtur popullin dhe interesat e Bullgarisë”, shkroi në Twitter prokurori i përgjithshëm, Ivan Geshev.
Geshev falënderoi prokurorët dhe hetuesit anembanë Bullgarisë, udhëheqjen e Ministrisë së Brendshme dhe qindra oficerë policie për punën e mirë që kanë bërë në organizimin e fushatës dhe për ndërveprimin e tyre profesional. /atsh / KultPlus.com
Ka vdekur Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologja dhe historiania e shquar nga Prizreni. Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Edi Shukriu u lind në Prizren më 22 tetor 1950 nga prindërit Margarita (Gita) Mjeda-Shukriu dhe Muhamed Shukriu. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Prizren, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Magjistroi në Universitetin e Beogradit (1979) dhe titullin Doktor i Shkencave Historike e mori në Universitetin e Prishtinës (1990). Është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe. Ishte Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK, 2009-2012).
Është arkeologja e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi Sonte zemra ime feston (1972). Anëtare e PEN qendrës së Kosovës (2004-) dhe nënkryetare e saj (2009-), anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1973). Ishte shkencëtare vizituese në Universitetin e Harvardit. Mori pjesë në International Writing Program 2005, University of Iowa, USA (2005). Përfaqësohet në antologjitë e autorëve shqiptarë e të huaj.
Deputete e Kuvendit të Kosovës (1992-1998, 2002-2004), Bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës–UNMIK (2000-2001), Kryetare e Komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës (2001-2004). Nënkryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës (2004 – 2013). Ishte themeluese e Forumit të Gruas të LDK (1990) dhe kryetare e saj (1995-2000), si dhe organizatore dhe lidere e demonstratave të shumta të grave kundër regjimit serb.
Në dhjetor të vitit 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa nga viti 2013 anëtare e Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve.
– Çmimi letrar “Beqir Musliu”, Ars Clubi “Beqir Musliu” (2019).
– Çmimi për Veprimtari Jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanica”, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (2017).
– Çmimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën poetike “Nënqielli’ (1990).
Varrimi i të ndjerës do të bëhet më datë 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Mbledhja komemorative do të mbahet gjithashtu më 18 janar, në mjediset e ASHAK-ut në ora 11:00, ndërsa homazhet do të bëhen nga ora 12:00 – 13:00. / KultPlus.com
Shqiptarët përkujtojnë këtë janar, 555 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
Në kujtesë të kësaj dite, nxënës të shkollave të mesme, me rezultate të shkëlqyera dhe pjesëmarrës të olimpiadave në lëndën e historisë u mblodhën sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, në një bashkëbisedim mbi figurën simbol të qëndresës së kombit shqiptar, Skënderbeun.
Kryeministri Edi Rama iu bashkua këtij bashkëbisedimi, të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, me pjesëmarrjen edhe të studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Aurel Plasari, i cili dhuroi për nxënësit veprën e tij “Skënderbeu një histori politike”.
“Duke u munduar që të bënim diçka të veçantë në vigjiljen e një date shumë të rëndësishme për historinë tonë, por edhe të një përvjetori të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, asgjë nuk mund të gjendej, sesa të bëhesha unë kumbari i një bashkëbisedimi mes nxënësve më të mirë të historisë së kryeqytetit dhe Aurel Plasarit”, u shpreh Rama.
Kryeministri vuri në dukje se, “historia është e destinuar të rishkruhet dhe të rilexohet, në kohë të ndryshme, në kontekste të ndryshme, nga këndvështrime që sigurisht diktohen edhe nga faktet e reja që dalin ose nga mënyra të reja të të lexuarit të të njëjtave fakteve dhe me siguri, një ditë do të kemi një rilexim tjetër të historisë së Skënderbeut. Por për sa kohë, ne kemi në dispozicion sot çfarë është shkruar, mendoj se libri që keni në dorë është një ndihmesë e madhe që na vë në dispozicion, jo vetëm një këndvështrim të ri, por edhe një përmbledhje që nuk e gjejmë, tek asnjë nga autorët e mëparshëm, kjo pasi edhe burimet janë pasuruar”.
“Më 17 janar është dita e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që është një burim i gjallë frymëzimi, reflektimi, diskutimi të vazhdueshëm për të gjithë”, theksoi Rama, ndërsa vlerësoi librin e Plasarit si një vepër me rëndësi për historinë tonë.
“Por për sa kohë kemi në dispozicion sot për çfarë është shkruar, libri që keni në dorë është një ndihmesë e çmuar me një këndvështrim të ri dhe një përmbledhje që nuk e gjejmë tek asnjë nga autorët e mëparshëm, pasi edhe burimet janë shtuar”, u shpreh Rama.
Mbështetur në fakte dhe në ato çka ka shkruar Fan Noli, Plasari vlerësoi figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, si një histori politike.
“ I njohur më së shumti si “Skënderbe”, Gjergj Kastrioti është imponuar tanimë në historinë e Shqipërisë si figurë “heroi kombëtar”, madje si “simbol” i identitetit të shqiptarëve arbër dhe i qëndresës dhe i luftërave të tyre, në nivelin e informacionit enciklopedik botëror. Si i tillë është vlerësuar ai veçanërisht prej një filoni të historiografisë evropiane që e zë fillin te tradita humanisto-iluministe”, theksoi Plasari. / KultPlus.com
17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve.
Edhe pse kanë kaluar 41 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht me ta.
Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova.
Atentati ka ndodhur derisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë pre tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit. Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur.
Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që drejtuesit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.
Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.
Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë:”Ka qenë UDB-ja”.
Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.
Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”, shkruan KP. Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite.
Gjatë kësaj kohe shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjashme./ KultPlus.com
Sot bëhen 555 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Skënderbeu gjithmonë e nënshkroi veten si Zot i Arbërisë, dhe nuk pretendoi tituj të tjerë përveç tij në dokumentet zyrtare.
Një anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për njëzet vitet e ardhshme.
Ai u ngrit sipas gradave, duke kulminuar në emërimin si sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Në vitin 1443, ai braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modriçit. Në vitin 1444, ai u emërua prijës i Lidhjes së Lezhës, që konsolidoi fisnikërinë në atë që sot është Shqipëri.
Përkundër vlerës së tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë se sa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10,000 anëtarëshe e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara. Gjë për të cilën u admirua. / KultPlus.com
Ndërsa Amerika po nderon trashëgiminë e Martin Luther King Jr, ekspertët thonë se lufta e tij kundër varfërisë dhe pabarazisë është ende po aq e rëndësishme sa ishte edhe gjatë lëvizjes amerikane për të drejtat civile, sipas BBC.
Më poshtë janë renditur 10 fakte pak të njohura për jetën dhe trashëgiminë e Martin Luther King, Jr.
Fjalimi “Unë kam një ëndërr” ishte i improvizuar
Në gjysmë të fjalimit të tij në 1963, këngëtarja e ungjillit Mahalia Jackson bërtiti, “Thuaju atyre për ëndrrën, Martin!”
Thirrja e nxiti Martin Luther King, Jr. t’i drejtohej një predikimi të mëparshëm që ai kishte mbajtur, ku ai përshkroi një version të ëndrrës amerikane që ishte i barabartë dhe i arritshëm për të gjithë qytetarët.
“Unë kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre. Unë kam një ëndërr sot,” tha Martin Luther King.
Ky moment, më vonë do të bëhej i njohur si fjalimi “Unë kam një ëndërr”.
“Dhe ka ende punë për të bërë për të përmbushur me të vërtetë ëndrrën e Martin Luther King për barazi”, tha Lerone Martin.
“Ëndrra e tij për barazinë është kryesisht amerikane”, tha Lerone Martin, drejtoreshë e Institutit të Kërkimit dhe Edukimit, Martin Luther King Jr, në Universitetin Stanford.
Pavarësisht gjithë përçmimeve që duroi, ai bëri një punë të mrekullueshme duke u përpjekur vazhdimisht të tregonte se si përpjekjet e tij ishin në përputhje me idealet amerikane.
Emri i tij i lindjes ishte Michael King
Ai lindi më 15 janar 1929, dhe mori emrin e babait të tij, Michael King. Por, gjashtë vjet më vonë, babai i tij vizitoi Gjermaninë dhe mësoi për Martin Luther, udhëheqësin e reformimit protestant.
Thuhej se ai ishte aq i frymëzuar sa u kthye në shtëpi dhe ndryshoi zyrtarisht emrin e tij dhe të djalit të tij të madh në Martin Luther King.
King vendosi në kolegj të bëhej predikues
Në vitin 1944, Martin Luther King, Jr u pranua në Kolegjin Morehouse në moshën 15-vjeçare. Brezat e familjes King ishin diplomuar nga kolegji prestigjioz historikisht për njerëzit me ngjyrë, kryesisht meshkuj, në Atlanta, Georgia.
Sipas Institutit King, udhëheqësi i ardhshëm i të drejtave civile thuhej se kishte qenë një student “i zakonshëm”, por gjatë shkollimit të tij në Morehouse u zgjua pasioni i tij për barazinë sociale dhe politike duke e frymëzuar atë të bëhej predikues.
Ai u arrestua më shumë se 25 herë
“Në 13 vitet e tij si udhëheqës i të drejtave civile, King u arrestua 30 herë, kryesisht për shkelje te ligjeve dhe shkelje të protestave civile”, sipas King Center.
Ai u arrestua në tetor 1960 pas një proteste në një dyqan në Atlanta dhe u mbajt në burgun shtetëror të Xhorxhias. Ai i shkroi bashkëshortes së tij, Coretta, nga burgu duke thënë se shpresonte se “vuajtjet e tepërta që po i vinin tani familjes së tij do të shërbenin në një farë mënyre për ta bërë Atlantën një qytet më të mirë, Gjeorgjinë një shtet më të mirë, dhe Amerikën një vend më të mirë”.
Ai shkroi pesë libra
Sipas Qendrës King, ai shkroi pesë libra gjatë jetës së tij dhe botoi koleksione të shumta të letrave dhe predikimeve të tij.
Libri i tij i vitit 1964, “Pse nuk mund të presim”, rrëfente ngjarjet që çuan në fushatën historike të Birminghamit, Alabama, për t’i dhënë fund dallimeve.
Ai ishte një “Trekkie” (një fans i serialit televiziv fantastiko-shkencor “Star Trek”)
Nichelle Nichols, e njohur si Lt Nyota Ohura, në “Star Trek”, u prezantua me fansin e saj më të madh, Martin Luther King, Jr.
Nichols kishte dhënë dorëheqjen nga roli i saj në “Star” Trek, disa ditë më parë. Ata u takuan në një ceremoni çmimesh. Por, kur ajo e informoi King se kishte në plan të largohej nga seriali, ajo i tha Fondacionit të Akademisë së Televizionit se King ishte i bindur se ajo nuk mund ta braktiste rolin e saj ikonik.
Ai i mbijetoi atentateve
Në shtator të vitit 1958, një grua me sëmundje mendore iu afrua King teksa ai nënshkruante kopjet e librit të tij më të fundit, “Hapi drejt lirisë”, në Harlem. Gruaja, pasi verifikoi se ai ishte vërtet Martin Luther King, e goditi me një teh.
Pasi mësoi se gruaja ishte me sëmundje mendore, King tha: “Unë nuk mbaj asnjë inat kundrejt saj”, dhe në vend të kësaj ai bëri thirrje që ajo të merrte trajtimin e duhur.
Nëna e King, Alberta gjithashtu u vra
Më 30 qershor 1974, gjashtë vjet pas vrasjes së King, një i ri 23-vjeçar qëlloi dhe vrau nënën e King, Alberta Williams King ndërsa ajo po luante në organo gjatë një shërbimi në Kishën Baptiste Ebenezer.
Familja King pagoi për lindjen e Julia Roberts
Në një intervistë me Gayle King që u bë virale së fundmi, aktorja Julia Roberts konfirmoi një fakt pak të njohur për ditën e saj të lindjes.
“Familja King pagoi faturat e mia në spital”, tha ajo, duke shtuar se familjet Roberts dhe King u bënë të afërta sepse prindërit e saj mirëpritën fëmijët e King në shkollën e tyre të aktrimit në Atlanta.
Kur unë linda dhe familja ime nuk mund të përballonte faturat e spitalit, King dhe bashkëshortja e tij, Coretta, na ndihmuan financiarisht”, tha Roberts.
Ai ishte vetëm 39 vjeç kur u vra
King ishte vetëm 39 vjeç kur u vra më 4 prill 1968. Për më pak se 13 vjet në sytë e publikut ai bëri fushatë për të drejtat civile dhe barazinë racore.
Por, sipas King Center, në një kohë shumë të shkurtër, Martin Luther King, Jr. ishte në gjendje të sillte më shumë progres drejt barazisë racore në SHBA, krahasuar me 350 vitet e mëparshme./ KultPlus.com
Nga natyra mbresëlënëse, arkitektura unike e deri te jeta e shfrenuar e natës. Të gjitha këto i ofrojnë disa nga ishujt më të famshëm të Europës si Ibiza, Mykonos, Santorini etj. Mirëpo krahas tyre, ka shumë ishuj në kontinentin e vjetër që mund t’u dhurojnë turistëve arratisje fantastikedrejt natyrës.
Po rendisim më poshtë disa nga ishujt më të bukur në Europë, nga ku mund të largoheni nga pothuajse gjithçka…
1. Schiermonnikoog, Holandë
Holanda është më e njohur për kanalet, digat dhe fushat me tulipanë. Por një nga vendet më të bukura është dhe ishulli Schiermonnikoog, i vendosur në brigjet veriore të Holandës. Shtëpia e vetëm 950 njerëzve dhe një qytet i vetmuar, Schier, siç e quajnë vendasit ishullin e tyre, është një park kombëtar, i mbuluar me duna dhe pyje dhe me disa nga plazhet më të paprekura të Evropës.
Vizitorët nuk kanë shumë alternativa për t’u argëtuar, por mund të kalojnë kohën e tyre në plazhet me rërë të bardhë, të marrin mësime surfing apo të enden me biçikletë nëpër shtigjet e vetmuara të ishullit.
2. Heimaey, Vestmannaeyjar, Islandë
Shtëpia e llojeve të ndryshme të shpendëve, ishulli Heimaey në Vestmannaeyjar duket si i dalë nga një libër përrallash. Me shkëmbinj të veshur me bimë të gjelbra, plazhe me rërë të zezë dhe shpella të shumta përgjatë bregut të thyer.
Një shpërthim vullkanik në Heimaey në vitin 1973 mbuloi zonën me 200 milionë tonë hi dhe lavë, por për mrekulli u raportua vetëm një vdekje. Sot, mbretëron paqja e plotë, me shtigje të izoluara dhe pamje mahnitëse të oqeanit.
3. Ishulli Flores, Azores, Portugali
Një nga ishujt më të largët të kontinentit është ishulli Flores. Një ëndërr e vërtetë për adhuruesit e natyrës. Liqenet blu, shpatet e gjelbra, luginat, ujëvarat dhe burimet termale në ishullin vullkanik, e bëjnë këtë vend një parajsë të vërtetë për 3400 banorët vendas dhe turistët.
“Në këtë ishull keni ndjesinë se jeni në një botë tjetër. Pa ndotje, pa stres, pa zhurmë”, thotë Gabriela Silva, 69 vjeç, e cila ka lindur në Flores dhe jeton në ishull. “Deti blu është aq i pastër, saqë kur zhytesh përjeton ndjesinë e të qenit në shtëpinë e perëndive”, shton ajo.
Ishulli Flores, Portugali
4. Naustholmen, Norvegji
Vizitorët duhet të fluturojnë fillimisht në Norvegji dhe më pas të vazhdojnë udhëtimin më në veri për të arritur në këtë ishull privat. Ishulli ka vetëm tri shtëpi që mirëpret turistë, ndaj numri i atyre që shkojnë është i paktë. Kush ka fatin të pushojë në këtë ishull, mund të shijojë plazhet apo të flejë gjatë natës në një shtat që përkundet, rrethuar nga heshtja dhe bukuria e këtij vendi të largët
5. Tiree, Skoci
Ishulli Tiree nganjëherë konsiderohet edhe si Havai i Veriut, kjo për shkak të klimës së butë, ajrit të pastër dhe plazheve me rërë të bardhë. Festivali vjetor i muzikës Tiree tërheq deri në 2000 pjesëmarrës çdo korrik për të shijuar muzikën popullore skoceze, por edhe për të eksploruar pyjet dhe shtigjet e pashkelura të ishullit.
6. Arkipelagu Berlengas, Portugali
Një nga destinacionet më befasuese të Portugalisë është dhe arkipelagu Berlengas, mbrojtur nga UNESCO. I njohur më së shumti për Fortesën São João Baptista, një kështjellë e viteve 1600, që sot është shndërruar në bujtinë për vizitorët. Gjithsesi, ishujt në këtë arkipelag kanë kampingje të shumta të hapura gjatë verës, ku vizitorët mund të qëndrojnë gjatë natës dhe të vëzhgojnë Rrugën e Qumështit.
Peizazhi është i thatë, por i bukur, ndërsa pamja e Oqeanit Atlantik që përplaset rreth ishujve është mbresëlënëse. Arkipelagu është një nga vendet më të mira për zhytje në Portugali, falë rrymave dhe klimës së ndikuar nga Oqeani Atlantik dhe Mesdheu.
7. Alicudi, Siçili, Itali
“Është ishulli më i egër në Siçili. Ata ende përdorin gomarë për të transportuar mallra në Alicudi. Nëse jeni duke kërkuar për vend ku të arratiseni, është perfekti”, thotë siçiliani, Francesco Curione. Maja vullkanike e Alicudi ngrihet nga Deti Tirren duke i dhënë peizazhit një efekt dramatik, rrethuar nga anije peshkimi shumëngjyrëshe që lundrojnë përgjatë vijës bregdetare.
Në këtë vend nuk ka makina dhe as hotele, por mund të qëndroni në shtëpitë vendase. Gjithsej ishulli ka vetëm 100 banorë, kështu që gjetja e një vendi të qetë është shumë e thjeshtë. Sa më lart të ngjiteni përgjatë shkallëve prej guri lave, aq më e thellë është heshtja dhe ikja…
8. Skyros, Greqi
Ishujt grekë si Santorini dhe Mykonos janë gjithmonë plot me turistë gjatë muajve të verës. Për një përvojë më të izoluar në ishujt grekë, mund të vendoseni në ishullin Skyros. Një nga 24 ishujt në zinxhirin kryesisht të pabanuar të ishujve veriperëndimor në Detin Egje. Ishulli ofron plazhe të virgjra për t’u eksploruar, një kështjellë bizantine dhe një natyrë me specie të rralla.
Skyros, Greqi
9. Fasta Åland, Finlandë
Në Gjirin e Bothnias midis Suedisë dhe Finlandës, arkipelagu Åland ka më shumë se 6500 ishuj, nga të cilët vetëm 60 janë të banuar. Fasta Åland është ishulli më i madh në arkipelag dhe një vend ideal për eksplorime. Shëtitje me biçikletë, lëvizje me traget në ishujt e tjerë të afërt ose thjesht çlodhje në një sauna me pamje nga deti.
10. Ishulli Rathlin, Irlanda e Veriut
I shtrirë në brigjet e Irlandës së Veriut është shtëpia e vetëm 150 banorëve, por e mijëra zogjve dhe fokave gri. Një nga gjërat më interesante për t’u bërë në ishull është zhytja nën ujë për të eksploruar një numër të madh anijesh të mbytura gjatë Luftës së Parë Botërore./A2CNN/ KultPlus.com
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvilloi eventin “In memoriam – Xhevdet Ferri”.
Ky event erdhi në nderim të kujtimit të aktorit të mirënjohur shqiptar, Xhevdet Ferri, i cili u nda nga jeta më 16 janar 2020.
Në ceremoninë përkujtimore u ekspozuan fotografi nga krijimtaria e tij artistike, duke mbledhur familjarë, miq dhe artistë të ndryshëm, nën muzikalitetin e një kuarteti muzikor, në mjedisin e hollit protokollar.
“Xhoda”, sikurse e thërrisnin miqtë dhe kolegët, gjatë karrierës së tij artistike interpretoi rreth 30 role në teatër dhe kinema, por ishte pikërisht kjo e fundit ajo që e konsolidoi figurën e tij në sytë e publikut shqiptar. / KultPlus.com
Topa të rinj ju lutem! Pas basketbollit (Vallëzimi i fundit), futbollit (Gjithçka ose asgjë), Formula 1 (Ngit për të mbijetuar) dhe unionit të regbit (Ekipi i Zelandës se Re), tenisi është sporti më i fundit që trajtohet në serine e dokumentarëve mbi këtë fushë.
“Break Point” (Pika e thyerjes), 5 episodet e para të të cilit po transmetohen këtë javë në Netflix, përshkruan përpjekjet e sfidantëve të rinj në klasifikimin e ATP, teksa përpiqen të rrëzojnë nga podiumi Rafael Nadal, Serena Uilliams dhe të mëdhenjtë e tjerë të këtij sporti gjatë vitit 2022.
Ashtu si dokumentarët “The Last Dance” dhe “Drive to Survive”, seriali përdor rrëfimet personale të redaktuara në mënyrë të shkëlqyer për të tërhequr tifozë të rinj në këtë sport. Pjesa e parë e “Break Point” ka të bëjë me turnetë “Australian Opens dhe “French Opens”, ndërsa pjesa e dytë, që pritet të transmetohet këtë verë, do të zhvillohet në “Wimbledon” dhe “US Open”, gjithnjë nëse kjo seri ndjek të njëjtën formulë si “Drive to Survive”.
“Një mision i pamundur”, 1994
Tragjikomedia që na dha frazën e pavdekshme “A nuk më pëlqen kjo!”, e thënë nga trajneri i kombëtares së Anglisë Graham Tejlor pas dështimit për t’u kualifikuar për në botërorin e vitit 1994. Tejlor pranoi që ta bënte dokumentarin, përpara se të vendosej fati i ekipit të tij.
Në kohën kur arbitri nuk nxori me karton të kuq mbrojtësin holandez Ronald Kuman në një ndeshje jetike si ajo, mori fund çdo lloj vetëpërmbajtje. Tejlor drejtoi gishtin nga anësoridhe tha: ”Arbitri sapo më ka shkarkuar nga detyra. Faleminderit për këtë, apo jo?”.
“Kur ne ishim mbretër”, 1996
Duke ri-treguar ndeshjen epike të boksit vitit 1974 midis Muhamed Ali dhe Xhorxh Foreman, ky film fitues i çmimit Oskar i ka të gjitha:konstrastet e mëdha midis karizmatikut Ali dhe një Foreman të heshtur, para publikut të zjarrtë në Mobutu të Zaires, dhe nën rritmet e muzikëslive nga Xhejms Braun dhe B.B King, dhe komentet dinamike të Xhorxh Plimpton, Spajk Lidhe Norman Mailerit. Plimpton e ngre një ndeshje të jashtëzakonshme në nivele të mbinatyrshme, duke gulçuar ”Demoni e mbërtheu!”,teksa rrjedha e ndeshjes po kthehejkundër Foreman.
“Të jetosh me Luanët”, 1999
Rrëfimi bruto i turneut fitimtar të Luanëve Britanikë dhe Irlandezë në kampionatin botëror të regbit Afrikën e Jugut në vitin 1997, i përket një epoke kur qasja në media ishte shumë e lirshme. Fjalimet para ndeshjes janë tronditëse. Trajneri Ian Mekgihan shkëmben një gotë uiski me Sajmon Shou i veshur si Fredi Merkuri. “Ai dokumentar pati një ndikim të madh tek unë. Më bëri të dashurohesha me regbin”- thotë Paul O’Konel, që ishte kapiteni i ekipit anglez në vitin 2009.
“Zjarri në Babiloni”, 2010
Evolucioni i ekipit të bejsbollit Inditë Perëndimore në SHBA gjatë viteve të 1970, është subjekti i filmit dokumentar të Stiven Rajlit. Kapiteni i kësaj skuadre, Klajv Lloid, e organizon sulmin me ritëm, dhe në bashkëpunim me goditjen e famshme të Viv Riçards, do të sillte një periudhë dominimi të ekipit të tij deri në vitet 1980. Rajli paraqet intervistën famëkeqe në të cilën kapiteni i Inglend, Toni Greig, kur u pyet për Inditë Perëndimore, tha: “Unë kam ndërmend…që t’i bëj ata të hanë dhe!”. Ai u pendua për atë deklaratë.
“Sena”, 2010
Filmi i Asif Kapadias mbi ish-pilotin e Formula 1 Ajrton Sena, lindi një nën–zhanër dokumentarësh, ku shmangen komentet nga figurat më të rëndësishme të kohës dhe vëmendja përqendrohet më shumë tek pamjet origjinale të garave të tij. Është një mënyrë e fuqishme dhe origjinale për të rrëfyer historinë e të riut brazilian që e fitoi 3 herë kampionatin botëror të F1, dhe që vdiq kur makina e tij u përplas me një mur gjatë Çmimit të Madh të San Marinos në vitin 1994.
“Ikarus”, 2017
Dy filma të jashtëzakonshëm dokumentarë. Në të parin, regjisori Brajan Fogel investigon çështjen e përdorimit të dopingut në një garë çiklizmi amatore, duke rekrutuar shkencëtarin rus Grigori Rodçenkov për ta ndihmuar atë të marrë droga të ndaluara por pa dalë pozitiv në teste.
Në këtë mënyrë ai zbulon një histori shumë më të madhe dhe më të bujshme, pasi Rodçenkov zbulon se mbikëqyr një program dopingu të sponsorizuar nga shteti në Rusi. Është një thriller që flet hapur mbi gjërat që përmbajnë kërcënime me vdekje dhe pasoja të tjera të rënda. Denoncimi i guximshëm i Rodçenkov ishte i rëndësishëm në ndalimin e sportistëve rusë nga Lojërat Olimpike Verore të vitit 2016 dhe Lojërat Olimpike Dimërore të 2018-ës.
“Vetëm”, 2018
Në qershorin e vitit 2017, Aleks Honold tentoi ngjitjen e parë ‘free solo” (i pa shoqëruar dhe pa asnjë pajisje) në El Capitan, një shkëmb 2300 metra graniti i lartë në Parkun Kombëtar Josemit në SHBA. Një gabimi vetëm do t’i shkaktonte vdekjen e sigurt. Edhe nëse e dini që në fillim që Honold pati sukses në atë nismë, filmi dokumentar fitues i çmimit Oskar është shumë emocionues dhe plot tension.
Ekipi i Brohoritëseve 2020-2022
Kërkojmë ndjesë për mungesën e grave të sportit në këtë listë. Arsyeja e thjeshtë është se për to nuk ka shumë dokumentarë vërtet të mrekullueshëm për to. Shpresojmë që kjo të ndryshojë, duke pasur parasysh rritjen e madhe të futbollit të femrave, regbit dhe kriketit në veçanti.
Deri atëhere mund të ndiqni historinë emocionuese të ekipit brohoritës “Bulldogs” të Kolegjit Navarro nga Korsika, Teksas. Të trajnuara nga një grua frymëzuese në Monica Aldama, vajzat kalojnë një sërë sfidash për t’u bërë ekipi më i mirë, në atë që është shndërruar në një sport miliarda dollarësh.
“Vallëzimi i fundit”, 2020
Është seriali që vendosi standartin për dokumentarët sportiv të “Netflix”. Në të kemi një përshkrim shumë interesant të sezonit të fundit të basketbollistit të famshëm amerikan Majkëll Xhordan me ekipin e viteve 1990, Chicago Bulls, disa herë fitues i kampionatit NBA. Edhe fillestarët në këtë sport ishin të magjepsur nga saga e Skoit Pajpen, Denis Rodman dhe Xhordan, konkurrenca midis të cilëve ishte aq ekstreme saqë ai sajonte grindje me lojtarët kundërshtarë për të motivuar veten.
“McEnroe”, 2022
Një portret i Xhon Mekenro,të cilit i mungon servilizmi që shihet tek shumë dokumentarë sportivë. Ka shumë vlerësime, disa prej tyre nga vetë protagonisti, jo për modestinë e rreme, por që është e zbutur nga vetëdije për të metat e tij. “Unë jam lojtari më i madh që ka luajtur ndonjëherë në këtë sport” -thotë ai për kulmin e tij në mesin e viteve 1980.
“Pse nuk dukej kaq e jashtëzakonshme?”- pyet ai. Kjo dhe zemërimi i tij famëkeq janë të lidhura me babain e frikshëm të lojtarit. Në mesin e të intervistuarve për këtë dokumentar përfshihen Bjorn Borg, daljen në pension të parakohshëm të të cilit Mekenro e quan një “tragjedi absolute”, por edhe gruas së tij të dytë, Pati Smith, e cila mendon se ai ka spektrin autik. Megjithatë, ka vetëm një yll, dhe ai është i sinqertë, mendjemprehtë dhe jashtëzakonisht i pëlqyeshëm. /bota.al/ KultPlus.com
Sonte shinat u derdhën si ujna lehonash që s’janë të zojat me i rezistue britmës. Diku u ndez nji far e buzët u hapen paksa sa me zhvirgjënue natën e zhugatun prej trille semaforësh.
Sonte shinat u derdhën si ujna lehonash tue m’ba qull hijen, që saora u zhba … shtëllunga dëshirash m’kapin përflokësh, teksa thithi deri n’amshim cigaren. Sonte shinat u derdhën si ujna lehonash por per mue askush s’u kujtue, ndaj shtërngova me dhambë bishtin e kallun t’vetimës e u bana gati me lindë s’parit… / KultPlus.com
Vetë ka qenë fajtuer, njikohsisht âsht dashunue në dy vajza. Në Lulen dhe n’Afërditën. Dhe nuk ka dijtë cilën don mâ tepër.
Të dyja i ka dashtë njisoj: shum.
Lulja e Afërdita kanë qenë në nji klasë me tê. Ato kanë qenë shoqe të mira ndërmjet vedi. Sikurse mund të jenë vajzat derisa mos të futet në mes ndonji mashkull. Këto të dyja kanë qenë para nji rreziku të tillë. Me u prishë njena me tjetrën. Mos me folë.
Por ai nuk ishte i vendosun. Nuk mundte me i përqëndrue ndjenjat vetëm në njenën. Nuk ia mbërrinte kurrsesi me e dashtë vetëm “gjysën”.
Lulja âsht “gjysa” e Afërditës, mendonte ai. Dhe Afërdita “gjysa” e asaj. E unë si mund ta due vetëm njenën , kur të dyja, vetëm të dyja janë – nji. Le të jetë cilado prej tyne: Lulja ose Afërdita. Por, të dyja më nji.
Megjithatê, e dinte se zgjidhje tjetër nuk ka: ose njena, ose tjetra. Me të dyja, si dëshironte ai, njikohsisht nuk mund të vejë kunorë. Ose Lulen ose Afërditën. Mirëpo, cilën?
Përkah natyra, ato ndryshojshin shum njena prej tjetrës. Dhe âsht çudi e madhe se si mund të shkojshin bashkë, kur aq pak përkojshin ndërmjet veti.
Kurdoherë e gatshme me qeshë me zâ, “prej zemre”, me u mahitë, me këcye, me luejtë, me u gjindë në shoqni të mashkujve, me qenë e lirë me ata, me i ngacmue ngapak, Lulja ishte mjaft vajzë e llastueme. Por edhe e bukur. Zeshkane. Me sy të zi, të thellë. Sy – “si të dreqit”, i kanë thanë. Sy sherr.
Afërdita, përkundra, ka qenë disi e mbyllun në vete. Ka pasë njifarë krenarije në të mbajtun dhe në të paraqitun. “Ka zotnillëk Afërdita” – flitshin për tê shokët e klasës. “Edhe pse nuk âsht aq e bukur sa Sysherrja”.
Ajo ka qenë e matun. E zgjuet. Inteligjente. Ka lexue shum. Dhe intresohej për gjana mâ thellë. Lulja i merrte sipërfaqsisht. “Jeta âsht e shkurtë” – ka qenë maksima e saj. “Nga jeta duhet grabitë sa mâ shum. Nuk kemi shum kohë me filozofue!” Mandej – qeshte. Sidomos me sytë sherr.
Ai e donte të qeshunën e saj, por respektonte pamasë matunin e Afërditës; i pëlqente natyra e çelun e Lules, por adhuronte krenarin dhe qëndrimin e Afërditës; ishte dashunue tepër n’ata sy sherr, por lakmonte inteligjencën e Afërditës, zgjuetsin e saj.
Me dashtë vetëm Lulen, mendonte ai, kurr nuk ia fali vetit gabimin pse kam lëshue Afërditën. E me dashunue Afërditën, si mund të harrohet Lulja? Me ata sy të saj? Plot shend e gëzim. Rini. Ajo bukuri!
Bashkë kanë shkue në shetina. Që ë tre. Bashkë kanë dalë në korzo, në mbramje. Bashkë kanë shkue në kino. Çdo film e kanë shique sëbashku.
Deri në maturë.
Mandej, nji ditë. Lulja e Afërdita i kanë thanë”:
“Na fal, por sot mbasdite nuk do të shkojmë në kino. Jemi të thirruna te nji shoqe.”
At mbasdite ka shkue vetëm në kino.
Në kino ka pá Lulen dhe Afërditën.
Krah-për-krah me dy mashkuj të pashëm.
(Nga përmbledhja “Vija e vrragë”, 1966)/ KultPlus.com
Xhevdet Ferri, aktori i mirënjohur shqiptar vdiq nga një sëmundje e rëndë në moshën 59-vjeçare.
Xhevdet Ferri, lindi në Durrës, më 26 nëntor 1960. Ai ishte bashkëshorti i aktores Rozeta Ferri me të cilën ka luajtur në shumë filma si ‘’Dhe vjen një ditë’’,’’ Vitet e pritjes,Gjoleka’’ djali i Abazit,etj.
Filmi i tij i parë ka qenë kur ai ishte akoma një student. Më pas ai zhvilloi një karrierë të gjatë artistike. Disa prej filmave në të cila aktori ka luajtur do t’i gjeni më poshtë bashkëngjitur dhe rolin e tij.
Në kërkim të kujt – (2009) ….Prokurori
Gjallë – Alive! (2009) …Zefi
Time of the Comet (2007) …. babai Anjezes
Gjoleka, djali i Abazit (2006) …shoferi kamionit
Saimir – (2004) …Edmond
Dasma e Sakos – (1998) …Sako
Loin des barbares – (1994) …refugjat
Vitet e pritjes – (1990) …Gjoni
Treni niset në shtatë pa pesë – (1988) …Martini
Përrallë nga e kaluara – (1987)…Trimi
Dhe vjen një ditë – (1986) …..Gori
Hije që mbeten pas – (1985) …Agron Shkaba
Vendimi – (1984) ….Sadriu
Fushë e blertë fushë e kuqe – (1984) …Petriti
Besa e kuqe – (1982) …Pali
Era e ngrohtë e thellësive – (1982)
Gjurmë në kaltërsi – (1981 )…Astriti
Sketerre 43 – (1980) …Arjani
Vëllezër dhe shokë – (1980 )…Marko. / KultPlus.com
ka muej qi fletorja më ka mbetë shprazët falë dritës qi ti e derdh përqark meje. s’më duhet gja lapsi, qi kotet ngeshëm pa pikëllim.
s’asht kurrgja ma mirë se me jetue nji jetë pa rrëfime qi s’lypë me shkrue për m’i dhanë kuptim — kur t’më soset ymri, le të thonë gjindja se e hupën nji njeri të lumtun ndonëse asnjani s’din se sa i lumtun jam kanë.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e nderimit të ambasadorit William G. Walker, me titullin e “Kalorësit të Urdhërit të Flumurit” të akorduar nga Presidenti Begaj.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook” Basha shkruan se ndjehet i lumtur që ishte pjesë e ceremonisë dhe ka theksuar që shqiptarët i janë mirënjohës dhe me fat që ka kanë miq të tillë si ambasadori Walker.
Teksa ka rikujtuar masakrën e Reçakut, Basha u shpreh se Walker u shndërrua në zërin e vërtetave të dhimbshme të Kosovës në kohët më të vështira.
Postimi i Bashës:
I lumtur të isha pjesë e ceremonisë së nderimit të Ambasadorit William G. Walker, me një nga titujt më të lartë të Republikës së Shqipërisë, atë të “Kalorësit të Urdhërit të Flamurit” akorduar nga Presidenti i Republikës.
Ne shqiptarët jemi përjetë mirënjohës dhe me fat që kemi miq të tillë si Ambasadori Walker.
Duke e cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, ai u shndërrua në zërin e të vërtetave të dhimbshme të Kosovës në kohët më të vështira, çka solli ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar për krimet dhe spastrimin etnik që po kryente regjimi i Milosheviçit në Kosovë.
E ndërsa përpjekjet për të barazuar viktimën me agresorin vazhdojnë nga politika e Beogradit, Ambasadori Walker mbetet zëri i fuqishëm i së vërtetës, i masakrave dhe genocidit mbi popullin e pafajshëm të Kosovës dhe një mik i vyer që vazhdon ti gjendet pranë asaj dhe shqiptarëve kudo ku janë./ KultPlus.com
Jashar Rexhepagiqi lindi në Plavë më 16 janar 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beran dhe në Pejë. Grupin e lëndëve pedagogjike e studioi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku diplomoi në vitin 1953.
Gradën doktor shkence e mori në vitin 1965 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku mbrojti me sukses tezën “Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”.
Ushtroi detyra të ndryshme në shkolla dhe në arsim: profesor i Shkollës Normale dhe Gjimnazit në Prizren, profesor e drejtor i Shkollës Normale të Prishtinës, këshilltar pedagogjik për shkolla të mesme i Pleqësisë së Arsimit të KAKM, ligjërues dhe profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, kurse nga viti 1962 punoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Në këtë institucion, profesor i rregullt, veproi deri më 1990, kur u pensionua.
Që nga themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, gjegjësisht të ASHAK është anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Pos detyrës së sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, dy herë qe sekretar i Përgjithshëm i Akademisë dhe në dy mandate nënkryetar i ASHAK. Rexhepagiqi ka marrë pjesë në kongrese, në simpoziume, në tryeza të rrumbullakta dhe në tubime të tjera shkencore e profesionale të pedagogëve në vend dhe jashtë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore ka mbajtur referate ose kumtesa: në Pragë, Moskë, Jenë, Ankara, Mahaçkalla, Tiranë, Teheran (dy herë), Prishtinë, Sarajevë, Novi-Sad. Ka bashkëpunon në afro njëzet revista e fletore pedagogjike e të tjera. Ai ka qenë redaktor i Buletinit të Fakultetit Filozofik të Prishitnës, redaktor i revistës shkencor Studime të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK dhe redaktor i Vjetarit të ASHAK, anëtar i Këshillit redaktues të bibliotekës “Pedagogë bashkëkohor”, anëtar i Këshillit redaktues të Enciklopedisë pedagogjike I, II, kryetar i Këshillit botues të revistës shkencore Përparimi e të tjera.
Ai u morr me historinë e përgjithshme të pedagogjisë, me historinë nacionale të pedagogjisë, veçanërisht me historinë e shkollave e të arsimit në Kosovë, pastaj me pedagogjinë teorike e komparative, me didaktikën, me pedagogjinë shkollore e familjare dhe me metodologjinë e gjurmimeve pedagogjike dhe albanistike. Është përqendruar në gjurmime iranologjike në këto treva të Ballkanit. Është marrë edhe me poezi (5 libra të poezisë) dhe me kritikën shkencore e letrare. Është autor i mbi njëzet librave dhe i më se 360 punimeve shkencore e profesionale. Gjatë hulumtimit botoi disa vepra monografike, një numër të konsiderueshëm të studimeve, disa tekste shkollore, shqyrtime të shumta, artikuj, ese kritikë dhe kontribute të tjera. Është bashkautor i një varg projektesh shkencore dhe udhëheqës i disa prej tyre. Laureat për punën shkencore, pedagogjike e shoqërore, pos të tjerash, i Shpërblimit të Dhjetorit të KSA të Kosovës për punë shkencore dhe për rezultate në pedagogji (1972). Është bartës i Urdhrit të Punës me Kurorë të Artë (1980) dhe i Urdhrit të Republikës me Kurorë të Argjendtë (1988). / KultPlus.com
Mendon se do të lë anash, i dashur? Më njeh më shumë se kaq, ti, mendon se do të të lija, pasi në gjunjë të kesh rënë? Këtë nuk do ta bëja! Edhe nëse do që sall ti të më shohësh, të jap të drejtë.
Oh, kur je duke mërdhirë pranë teje do jem, ngrohtë të të mbaj.
Kur je jashtë, i dashur, dhe askund s’ke ku të futesh do të tregoj se je më i mirë nga sa mund ta marrësh me mend. Kur i humbur fillikat je duke baritur, dhe nuk mund të kthehesh përsëri, i ëmbli im, unë pas teje do rend do të gjej dhe do të sjell në shtëpi…
Dhe nëse do të qash, unë jam këtu për t’i tharë lotët tu; dhe përgjithmonë, i dashur, rehat do të jesh…
Mendon se anash do të lë? ti, më njeh më shumë se kaq; a mendon se do të të lija, pasi në gjunjë të kesh rënë? Nuk do e bëja këtë!
Oh, kur je duke mërdhirë, do të jem pranë teje ngrohtë të të mbaj. Oh, dhe kur i pafuqishëm të ndihesh, do të jem aty në anën tënde, i dashur.
Përktheu: Bujar Meholli
(Sadè Adu, është këngëtare angleze me origjinë nigeriane. Fitoi shumë çmime, dhe u bë e njohur kudo nëpër botë me paraqitjet e saj. Konsiderohet si njëra nga artistet më të suksesshme britanike në histori. Zhanret në të cilat ajo performon, janë: soul, xhaz, e pop). / KultPlus.com
Identifikimi i një objekti me kaq rëndësi për kombin shqiptar, nuk është një ngjarje e zakonshme. Ajo meriton një vëmendje të veçantë për nga rëndësia dhe unikaliteti që ajo mbart në vetvete.
Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithçka.
Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” më 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e 10 shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë të njeriut të madh.
Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte grykën e pushkës.
Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar.
Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar, atëherë i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.
Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.
Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora 10:00. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.
Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.
Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.
Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.
Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.
“MBRETNIJA SHQIPTQRE
PREFEKTURA MBRETNORE
VLONЁ
Nr. 172
Vlonë me 21. Kallnuer. 1933
P.T.
Ministris Arsimit
Tiranë
Këtu ngjitun kemi nderin me ju paraqit process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes në dorëzim të Flamurit që asht ngritun për të parën herë në Vlonë, prej Patriotit Ismail Qemalit.
Gjithashtu në pako të veҫantë dhe po me këtë shkresë dërgohet edhe Flamuri në fjalë.
Shtojmë se me gjithëse Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur asht ngritur për të parën herë në ndërtesën Qeveritare më dorën Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur asht ngritur me të vërtet me 28 Nanduer 1912, por jo në ndërtesën Qeveritare, por në Zyren e doganave në Vlonë.
Lutemi me na njoftue marrjen në dorëzim.
Prefekti
Nepravishta”
Shkruar me dorë:
“T’i dërgohet ky
flamur Bibliotekës”
Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:
“asht këtu në bibliotekën t’onë”
28/10/33
Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:
“Marrë në dorëim me 29-X-933”.
Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:
“PROCES-VERBAL
Sot më 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rastin e transferimit të eshtravet të shénjtorit të Kombit të ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina në Pemendoren kujtimore të ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqësis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arsimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësisë dhe të Prefektit të Vlonës Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri i të ndjerit Ismail Qemal për kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonës Flamurin Kombëtar të cilin më 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti në qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumë shekujsh rrobnije.
Këtë Flamur të shenjtë Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit të Arsimit Shk. tij Z. Hil Mosi për ta depozituar në Muzeun Kombëtar në Tirané.
Për sa ma naltë u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënshkruem prej të gjithëve qe përmenden ma sipër.
Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.
“ MINISTRI E ARSIMIT
Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.
Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë
Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.
Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.
Ministr’i Arsimit, Mirash Ivanaj (firma)
Nisur me 6/XI/1933”
Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.
Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.
“M.A.
Nri 402/749
Flamuri i Vlorësë
Mënistërijës’ së Arësimitë
Q y t e t
Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:
Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.
Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë, 9 Vjesht’ e Tretë 1933 / Drejtori (Firma dhe vula )
Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa
e jonë Nri C. 208”
Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.
“Flamuri i Vlorës”
Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:
flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).
Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.
Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.
Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta ndonjë ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.
Tiranë, 10 shkurt 1936”
Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:
Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:
“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.
Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë: “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.
Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.
Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:
një verbal me ditë 28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’ vënë duarëtë:
Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,
Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,
Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,
Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.
Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë Muzejës’ Kombëtare është muu ay që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.
një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë të Vlorësë.
Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:
flamurin’ që i udorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.
qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.
mbë t’ ularguarë nga Vlora Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.
ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.
kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.
gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.
edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.
Tiranë, 10 Shkurt 1936”
Më poshtë, majtas, është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.
Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtr i kaluan Instituit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj ketyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.
Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.
Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!
Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.
Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit./Ariola Prifti /Frederik Stamati/ KultPlus.com
Në Foto: Kortezhi duke u ngjitur për në Kaninë 12 shkurt 1919.Në foto: Ceremonia e rivarrimit, Sheshi i Flamurit, Vlorë më 28 Nëntor 1932.Në foto: Flamuri sot
Kritikët nderuan me çmime filmat dhe shfaqjet e preferuara televizive, në natën që njihet si ndarja e çmimeve të kritikës, në edicionin e 28-të. Kjo ishte mbrëmje e jashtëzakonshme për filmin dramë “Everything everywhere all at once” që rrëmbeu çmimet më të mira të kritikës, përfshirë dramën më të mirë, regjinë më të mirë e aktorin më të mirë joprotagonist, Ke Huy Quan.
Cate Blanchett u shpall në “Critics Choise Auard” si aktorja më e mirë femër për rolin e saj në filmin “Tar”, ndërsa Brendan Fraser u vlerësua si aktori më i mirë mashkull për rolin në filmin “The Whale.”Better Call Saul” triumfoi për nga bota e televizionit, me 3 çmime, atë të serialit më të mirë dramatik dhe aktorin më të mirë mashkull për Bob Odenkirk.
“Abbott Elementary” edhe nga kritikët u cilësua si seriali më i mirë komedi. Me çmimin e karrierës u vlerësua Jeff Bridges, në nder të punës së tij për 7 dekada si aktor. / KultPlus.com
Los Angeles Lakers ka pësuar humbje me një pikë diferencë ndaj Philadelphia 76ers me rezultatin 113:112.
Në këtë ndeshje, fantastik ishte LeBron James, por as paraqitja e tij e mirë nuk ndihmoi për triumf.
James ishte i pandalshëm me double-double prej 35 pikëve, 10 asistimeve e tetë kërcimeve, shkruan Gazeta Express.
Basketbollisti amerikan edhe pse në moshë të shtyrë po tregon formë jashtëzakonisht të mirë dhe me pikët e shënuara ndaj 76ers, James ka kaluar shifrën e 38 mijë pikëve në sezon të rregullt në NBA.
I pari është legjenda Kareem Abdul-Jabar me 38,387 pikë të shënuara në sezon të rregullt në NBA.
Yllit të Lakers i kanë mbetur edhe disa ndeshje vetëm për ta thyer rekordin dhe të mbetet në historinë e NBA për një kohë të gjatë si koshashënuesi më i mirë.
Përveç këtij takimi, u zhvilluan edhe katër të tjerë. Portland fitoi ndaj Dallasit 140:123. Denveri fitoi për tre pikë ndaj Orlandos, Sacramento fitoi 132:119 San Antonios, si dhe Brooklyn Netes Oklahoma 102:112. /KultPlus.com