Shërbimi i ri i Apple lexon libra me zë dixhital

Pa njoftime të mëdha dhe me një përditësim të platformës së saj e-book, Apple ka prezantuar një shërbim që lejon çdo autor të lexojë punën e tij me një zë dixhital, bazuar në inteligjencën artificiale.

Në këtë mënyrë, edhe autorë të pavarur mund të publikojnë libra audio, duke përdorur “tregimin dixhital” të ofruar nga Apple.

“Tregimi dixhital i “Apple Books” bashkon teknologjinë e përparuar të tekstit në të folur me punën e palodhur të ekipeve të gjuhëtarëve, specialistëve të sigurimit të cilësisë dhe inxhinierëve audio për të prodhuar libra audio me cilësi të lartë nga një skedar e-book,” shpjegon kompania.

“Zërat tanë dixhitalë janë krijuar dhe optimizuar për zhanre specifike. Ne fillojmë me fiction dhe romane dhe, për momentin, po pranojmë propozime për leximin e librave elektronikë për këto zhanre”, thekson kompania.

The Guardian raporton se muajt e fundit Apple ka kontaktuar disa botues në lidhje me projektin, duke shpjeguar se ”dëshiron të përballojë kostot e prodhimit, me shkrimtarët që do të merrnin honorare nga shitjet”.

Për momentin, rrëfimi është i disponueshëm në anglisht, në katër versione: Madison, Jackson, Helena dhe Mitchell. Mund të kërkoni për libra audio të disponueshëm duke shtypur “narration dixhital” në kutinë e kërkimit të aplikacionit Libra./ KultPlus.com

Xhieldo Hyseni, fitues i garës së 74-të të këngëtarëve të rinj të AsLiCo-së për vitin 2023

Baritoni shqiptar Xhieldo Hyseni ka triumfuar në garën e 74-të të këngëtarëve të rinj të AsLiCo-së për vitin 2023, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur tenori Ramë Lahaj përmes një postimi në Facebook.

Në vijim mund të gjeni postimin e Lahajt:

Jemi tejmase të gëzuar të ju njoftojmë që Xhieldo Hyseni është fitimtari i garës së 74-të të këngëtarëve të rinj të AsLiCo-së për vitin 2023! Xhieldo është zgjedhur të performoi rolin e Sarastro të veprës së Mozartit “Die Zauberflöte” në Opera kryesore të Lombardisë, dhe ne nuk mund të mos jemi tej mase krenarë.

Gara AsLiCo është një garë tejet e çmuar që ka lançuar karriera të shumë këngëtarëve të talentuar të operas.

Ishim shumë të emocionuar që kishim Xhieldon, Rovena Xhelilin si dhe Bledar Domin pjesëmarrës në garën e këtij viti. Përfshirja e tyre u bë e mundur nga Fondacioni Rame Lahaj, fondacion i cili në mënyrë aktive ka përkrahur talentë të jashtëzakonshëm në ngritje, të Festivalit RLIOF.

Urime, Xhieldo! Me padurim presim të shohim çfarë ka rezervuar e ardhura për talentin që ke./ KultPlus.com

Restaurim tërësor i Urës së Kurcajt në Krujë

Në urën e Kurcajt e shekullit XVIII, e vendosur në grykën mbi lumin Zezë në Krujë, monument kulture i kategorisë I po vijojnë punimet për restaurimin e saj.

Drejtori i Institutit Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Eugen Kallfani tha për ATSH-në se “kjo urë është një nga monumentet më interesante në gjininë e veprave të rëndësishme inxhinerike”.

Sipas tij, me gjithë vështirësinë e terrenit dhe kompleksitetin e ndërhyrjes, ky monument po restaurohet tërësisht.

“Punimet përfshijnë restaurimin e çarjeve, ndërhyrje konsoliduese në muraturë, plotësimin e një pjese të rrëzuar të monumentit, hapjen e një dritareje shkarkuese të mbyllur gabimisht para shumë vitesh, konsolidim dhe restaurim të harkut duke parashikuar aplikim të tirantave inoksidabël prej çeliku, pastrimin e bimësisë, fugatim të muraturës etj”, tha Kallfani.

Kreu i IKTK-së bëri të ditur se ndërhyrja përfshin gjithashtu realizimin e shkallareve me mur guri për të mundësuar zbritjen në pjesën e poshtme dhe realizimin e mbrojtjes lumore për parandalimin e impaktit të drejtpërdrejtë, që mund të ketë rrjedha e ujit në raste prurjesh gjatë sezonit të shirave.

Kjo urë është një tjetër sit që do të restaurohet nga programi EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës.

Ura e Kurcajt është ndërtim i shekullit XVIII. Ajo i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë sipas këtij itinerari: Tiranë-Zall Herr-Rradhesh-Mukaj-Buronjë-Kurçaj-Barkanesh-Krujë. Në faqet ballore ura është e punuar me gurë pllakë të zinj vendosur shtrirë, ndërsa kalldrëmi është i bërë me breza, tip shkallësh./atsh/ KultPlus.com

Ukraina sanksionon dhjetëra artistë të njohur rusë

Ukraina ka vendosur dhjetëra artistë rusë dhe figura të tjera publike në një listë sanksionesh, përfshirë emra të njohur nga bota e operës, filmit dhe muzikës pop.

Një nga emrat më të njohur në dekretin e publikuar të shtunën nga Zyra e Presidentit të Ukrainës është ai i këngëtares operistike me qendër në Vjenë, Anna Netrebko, e cila është vënë nën kritika se ka qenë shumë afër Kremlinit dhe jo shumë kritike ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Netrebko dhe 118 persona të tjerë – përfshirë tre shtetas ukrainas – do të kenë të ngrirë çdo pasuri në Ukrainë.

Lista e sanksioneve përfshin gjithashtu yllin e popit rus Philipp Kirkorov dhe aktorin dhe regjisorin Nikita Mikhalkov, fitues i çmimeve nga festivalet e filmit si Kana dhe Venecia.

Mediat ukrainase raportuan gjithashtu se presidenti Volodymyr Zelensky u hoqi nënshtetësinë 13 anëtarëve të klerit të Kishës Ortodokse të Ukrainës në fund të dhjetorit.

Nuk dihet saktësisht se cilët janë ata.

Kisha Ortodokse e Ukrainës ka pasur tradicionalisht lidhje të ngushta me Rusinë dhe u shkëput plotësisht nga Moska vetëm pasi filloi pushtimi rus shkurtin e kaluar.

Kievi i sheh lidhjet e kishës me Rusinë si një kërcënim për sigurinë e vendit./KultPlus.com

‘Syni s’e sheh synin matanë hundës, zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës’

Tregim nga Anton Pashku

Syni s’e sheh synin matanë hundës,

zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës

(Thuhej dikur në Has)

1.

Qetësinë, befas, e zhdavariti rrokullisja e një guri.

2.

Mbasi guri theu qafën teposhtë malit, Dila e Marisë desh të çohej për të parë ku i kishte delet dhe a mos ishin trembur, por therra e murrizit, që iu ngul pardje kur shkoi ta kthejë një qengj që kish mbetur mbrapa grigjës, – e theri në thembër, e cila po i mblidhte qelb. E këputi dhembja e fortë: përsëri u shtri nën qarr. Ballin ia rimuan djersët. U zbeh. Mbylli sytë

Gjëja e fundit që pa Dila, para se t’i lëshonte këlkatëset, ishte qielli i gjerë ding me bashka të reve që, përtueshëm, udhëtonin dikah…

3.

S’i ndahej dhembja. Therra e therte pajada. Iu duk se do të mbetej përgjithmonë aty, nën qarrin plak. Se nuk do të mund të çohej kurrë për t’i prekur kryet në krahoshën e varur në rremin e një dege të qarrit më të moçëm, më krahëhapur, më majëlartë se asnjë qarr tjetër në këto anë.

“O zot”, mendoi, “a e di kush sa asht i vjetër ky qarr – dhetë, njizet, njiqind apo, ndoshta, pesëqind vjet?”

4.

Kur nxente dielli, qarri lëshonte një hije të gjerë e të rrasët që ta flladiste shpirtin. Aty mund të shtrohej sofra për nja, mos i thashin rrenë, njëzet e katër burra, njëzet e katër cuba. Dhe ndoshta përnjëmend, mendoi kjo tashti. janë ulur ndonjëherë aq burra të dheut, aq cuba të malit – ku e di ti se jo! Por, megjithatë, s’kishte parë a dëgjuar kurrë se në hijen e qarrit të saj të dashur të kishin hëngër e pirë njëzet e katër burra, njëzet e katër cuba me mustaqe vesh më vesh – ku e di ti se po!

5.

Të gjithë e quanin Qarri i Dragonit. “Njâ të kemi!” i thoshin gjyshja e nëna. “Mo’ atje, se t’shiton zana!”

6.

Gjyshja e nëna na i k’in pas kallëzuar se moti, aq moti sa askush i gjallë nuk e dinte kur, një Drangua kishte pas rënë në dashuri me Zanën, shtatselvinë e katundit të tyre.

Mirëpo që në djep, në djepin me kaptell të shkruar me brisk për mrekulli.

Drangonin na e ki’n pa’ fejuar me një tjetër. E tjetrën, të cilën kurrë s’e kishte parë, s’ia donte se s’ia donte zemra.

Po dhe Zanën që në djep në djepin që përkundte gjyshja gjithmonë në zi, na e ki’n pa’ fejuar me një tjetër. E tjetrin, të cilin kurrë s’e kishte parë, s’ia donte se s’ia donte zemra.

Kur ki’n pa’ marë vesh, vrer i zi na ish bërë babai i Zanës, mullan plot qelb e gjak të keq na ish bërë babai i Drangonit, kurse një ditë prej ditësh, Zana e Drangoni ki’n pas bërë fjalët për të ikur në mal – tinëz. Dhe ata ki’n ikur – tinëz. Dhe te qarri na i ki’n pas parë pëllumbat e zogjtë krahëshkruar – të lumtur. Pëllumbat e zogjtë, mbasandej, kishin fshikur krahët në ajrin e pastër të qiellit të kthjellët si loti, dhe ki’n fluturuar gjithë ditën e lume përmbi katund për t’u kallëzuar njerëzve se Zana e dashka Drangonin – si ara e shkrumuar shiun. Por, askush s’i dëgj’onte.

Se katër burra, katër rrotela të kërleshur, babai i Zanës, babai i të fejuarit të Zanës, babai i Drangonit, babai i së fejuares së Drangonit haheshin. E kishin shkrehur: përshesh të bëheshin.

Dhe pëllumbat e zogjtë krahëshkruar u trembën nga krisma e martinave, plasja e kobureve, tymi i zi i barotit; tymi i zi i luftës fis me fis flaka përlau shtatë copë katunde.

E u kthyen pëllumbat e zogjtë, e i kallëzuan Zanës e Drangonit për çdo gjë që kishin parë. Zana e Drangoni ishin pikëlluar shumë, dhe ki’n thirrur pëllumbat e zogjtë e ki’n thënë:

“Amanet, o more pëllumba! Amanet, o more zogj! Kur t’na shihni se jemi shtri njani pranë tjetrit, ejani dhe ngjyeni nga nji pupël në gjakun e varrëve tona dhe shkoni e i lëshoni katund m’katund, shtëpi m’shtëpi. .. ”

Një qyqe e ngratë pat kukatur tri herë midis dy degëve të një lisi shumë të thatë.

7.

Vashës që rrinte nën qarr, Dilës së Marisë, iu duk se ishte shtrirë mu në vendin, ku, Zana e Drangoni, kishin ndërruar jetë. Zemrën ia kaploi një nderim fort i thellë. Bile, luajti pakëz vendit, ashtu si luante edhe babai i saj kur përmendej emri i pajtorit të oxhakut të tyre.

8.

Heshtte.

9.

Tinëz, ngadalë, e zuri dëshprimi. Kurrnjëherë s’i ishte dukur vetja më e vetmuar, më e ngratë, se tashti. Çdo kush e kish harruar – iu duk. Iu bë se s’kishte njeri të lemë që mendonte për të. E, pra, aq shumë dëshironte që të mendonte dikush për të.

10.

E mori gjogu i ëndrrave, i cili, si duhia, e çoi në trok drejt njëfarë vendi të panjohur, në një copë toke në midisdisit të detit. Eu, po kjo ishte njajo toka e çuditshme, për të cilën i kish kallëzuar Delia i Ndreut, i Ndre Delisë. Ç’mos i kish kallëzuar:

atje, në atë farë toke të bukur, të cilën e kishte parë kur kish qenë në “ushtrinë e detit”, dielli nxen gjithë ditën e lume

kurse nata, nata s’është natë, si këtu

– hëna, sa një kallamboçe e çerepit, del nga deti dhe zdritë tokën midis ujit të njelmtë, të cilit s’i dihet skaji.

“A kurrë s’bie shi?”

“Bie, por nuk asht si ky i yni, që t’ban gozhdar!”

“Po thue?”

“Jo, për këta dy sy! Tekembrama, do ta shohësh… ”

“Kush … unë?!”

“Ti”.

“Unë?!”

“Unë e ti”.

“Bashkë?!”

“Pojzi”.

“Po a je ti në mend? A s’e ditke hiq se m’kanë dhanë?!”

“Si s’e ditkam, moj Dilë … “

“Ani edhe ty ta kanë zanë nji tjetër!”

Delia i Ndreut, i Ndre Delisë, e kish shikuar drejt në sy, të cilët Dila, prej turpit, i kish paluar. Delia, mbasandej, ia kish kapur krahun dhe ia kish shtrënguar aq fort, sa Dila s’pat duruar pa i thënë:

“Uf, djalë, djalë … ç’je tu’ ba kështu?”

“Mos u tremb, moj Dila e Marisë, mos u tremb!” kish thënë Delia i Ndreut, i Ndre Delisë. “Mos u tremb, ani që deti asht i gjanë e i fellë!, Do të dalim matanë dhe do të mbërrijmë në tokën në midisdisit të tij”.

Dila pa se Delia ish burrë që s’i vetëtonte ashkja e syrit.

11.

Dëgjoi shushurimën e gjetheve, që zuri t’i fërkonte një erë e lehtë, e cila sillte pika shiu të ftohtë. Çeli sytë: qielli ish ndrysur në të katër anët. U çua, mezi u çua: pa delet e tubuara në një rogë – krejt të frikësuara nga murmurimat dhe vetëtimat. I ndolli, dhe ato u nisen mbas Diles së Marisë që ecte duke shqepuar, që mbahej me të vështirë: therra në thembër e therte pajada. Kurse mali ushtonte. Nëpër ushtimën e tij të mnershme iu bë se dëgjoi një zë njeriu, i cili e thërriste. U ndal. Delet ikën para saj dhe, me krye teposhtë, tretën në shtegun e ngushtë dredha-dredha që shpjente në katund. Mbeti vetëm. Pa kur një si tojë e zjarrtë; tojë rrufeje, u rrek për ta zdritur malin. U dëgjua një murmurimë e hatashme; si me dorë, diçka e preku në zemër dhe e lëshoi për dhé. Mbasi u rrëzua, mendoi se e vrau rrufeja.

“E pata!” tha dhe zuri të priste për të vdekur. Priste. Por, ama, nuk vdiste. Bile, si në kllapi, diktoi se dikush po e bante. Ngutshëm.

“Aman, o zot, ty t’kofsha true, a m’kallëzon – kah je tu’ m’çue?”

 “Kah deti. .. Në midisdisit të detit… ”

“Ani me therrë në thembër?”

“S’asht gja therra… Therrën do ta qërojë deti… ”

“Aman, o zot. .. ”

“O, s’jam zoti, s’jam, moj Dila e Marisë, po jam Delia i Ndreut, i Ndre Delisë!”

Një kalë i bardhë, ama më i bardhë se korja e borës, që sall zjarr nuk villte prej gojës, kaptoi Brinjën e Lisit të Gjatë dhe doli e treti në Bjeshkë të Lagamirit…

12.

Bash kur kafexhiu po ia thoshte me zë . të ulët “po bjen shiu sixhim-sixhim, ç’po i qet vegshit bytha tym”, në kafenenë e vogël të katundit – krejt i përlloçur e me shpirt në fyt, – u rras Biba i Lleshit, Llesh Bibajt.

“N’kambë, sokola!” bërtiti. “N’kambë, bre trima me fletë, se për qiell e për dhé na u nxi ftyra për jetë!… A s’pasket ndie?… Nji Drangue, nji thi karathi, na e muer Dilën nëpër shi… “Turr mbas meje!” tha Biba i Lleshit, i Llesh Bibajt dhe turravrap e theu qafën përjasht.

Kurse Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt, tha:

“Çudë, çudë e madhe!”

“Hë, çka polli?” pyeti Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt.

“S’e di hiq, bre burrë i dheut, pse njani sy nuk e sheh tjetrin?”

“Dihet, he burrë!” ia kthei Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt. “Fajin ma të madh e ka hunda!”

“Hunda e ka fajin, pojzi!” ia priti Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt. “E di, por s’po di ç’duhet t’bajmë me këtë hundë?”

Qershor, 1959./KultPlus.com

Muzeu i Luvrit do të kufizojë numrin e vizitorëve në ditë

Muzeu i Luvrit në Paris, muzeu më i vizituar në botë, tani do të kufizojë numrin e vizitorëve ditorë në 30,000 “për të mundësuar një vizitë të rehatshme dhe për të siguruar kushte optimale pune për stafin e muzeut”, raporton Artnews.

Përpara pandemisë, Luvri mund të mirëpresë deri në 45,000 vizitorë çdo ditë. Kur Luvri u rihap pas bllokimit në korrik 2020 pas një mbylljeje 16-javore, ai nuk e kufizoi zyrtarisht kapacitetin, megjithëse pjesëmarrja e tij ishte në rënie për shkak të pandemisë së vazhdueshme dhe kufizimeve të udhëtimit ndërkombëtar.

Muzeu në heshtje mori vendimin për të kufizuar vizitorët e tij të përditshëm në qershor të vitit 2022.

Luvri njoftoi ndryshimin zyrtar në numrin e vizitorëve ditorë në shpalljen e shifrave të tij zyrtare të frekuentimit për vitin 2022. Vitin e kaluar, ai mirëpriti 7.8 milionë vizitorë, 120 për qind më shumë nga shifrat e vitit 2021, por ende 19 për qind më pak nga kulmi i tij prej 9.6 milionë në 2019.

Sipas muzeut, kufizimet e udhëtimit vazhduan të ndikojnë në tremujorin e parë të frekuentimit të tij, por rritja e frekuentimit në tre tremujorët e fundit “ilustron një prirje shumë pozitive”.

Me këtë ndryshim, Luvri, i cili mbyllet çdo të martë dhe në tri festa publike, mund të mirëpresë maksimumi 9.3 milionë vizitorë në vitin 2023. 

Nga 7.8 milionë që vizituan Luvrin në vitin 2022, 30 për qind ishin francezë dhe 70 për qind ishin vizitorë të huaj, me vizitorë nga SHBA që përfaqësonin 18 për qind./ KultPlus.com

Avatar thyen sërish rekord, hyn në listen e 10 filmave më të shikuar të të gjithë kohërave

“Avatar: Way of water”, ka tejkaluar 1.5 milionë dollar dhe ka bërë histori.

James Cameron shton një tjetër hit të madh global në repertorin e tij pasi ‘Avatar 2’ madje e kaloi ‘Top Gun: Maverick’ si filmi më i suksesshëm komercial i vitit 2022.

Sipas raporteve të huaja, Avatari do të vazhdojë të shfaqet pafundësisht në kinema, pasi frekuentimi i njerëzve është vazhdimisht në rritje.

Filmi hyri në Top 10 të filmave më të suksesshëm komercial të të gjitha kohërave, duke justifikuar besimin që Disney i dha Cameron-it, me koston e lartë të prodhimit që ishte diskutuar disa herë. Tani, Avatar jo vetëm që është bërë fitimprurës, por po thyen rekordet njëri pas tjetrit.

Sipas Deadline, pritet të kalojë “Avengers” të Marvel dhe të ngjitet në vendin e 9-të në arkat e të gjitha kohërave në mbarë botën. /abcnews.al/ KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Oh’ i Anton Pashkut

Në 86-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Anton Pashku, KultPlus ua sjell një fragment nga romani i tij ‘Oh’:

Ajo vuri buzën në gaz. Ai, prap, vazhdoi të kërkonte me shikim nëpër mal. Edhe njëherë tha:

“A thue, ku do të jetë ?”

“A mos të ka humbë gja?”

“Gjithmonë po më humb nga nji.”

“E ç’asht ajo që po të humb?”

“Paj, kurrë nuk i po i kam bashkë të gjitha delet. Gjithmonë po me humb nga nji. Qe, edhe tash më ka humbë nji. S’e din, s’ka llugë ku nuk kam lypë. A thue, kah do të ketë vojtë e bekuemja?”

“Ndoshta në ndonji zguer lisi! ” – ndërhyna papritmas.

“Mos u mahnit!” – tha ajo dhe, sigurisht tue dashtë mos me e lanë plakun ma me kthye, shtoi me nguti: “ke, plak, shumë dele?”

“Unë e di se i kam njiqind, por sa herë më dalin nandëdhetenandë. Giithmonë mungon nji dele. Qe, tash mungon larëza. Sa herë që humb kjo larëza, mue më bien kambët tue e kërkue nëpër mal. Aty e sheh, aty s’e sheh! Aty asht bashkë me të tjerat, aty humb si shurra e pulës!”

“Por, ty po të humbkan të tjerat, tue lypë larëzën!”

“Humbin, ç’me ba!”

“Po ç’ban kur e gjen larëzën e të tjerat të humbin nëpër mal?”

“I lypi.”

“A i gjen?”

“Paj… hëm… i gjej.”

“Të njiqindtat?”

“Eh, – tha plaku-jo.”

“Po?”

“Të nandëdhetenandtat.”

“Eu, po ty prap po t’u dashka t’i qepesh malit për me gjetë të njiqindtën!”

“Ani.”

“Dhe ti i qepesh malit?”

“I qepem, pra.”

“Vazhdimisht?”

“Gati për ditë.”

“Tashë, gjithmonë më mungon nji.”

“Po ti gjithmonë i paske, në të vërtetë, vetëm nandëdhetenandë!”

“Ani.”

“Ti kurrë nuk i paske njiqind!” – tha ajo. “Nuk e di pse po u lodhke aq shumë tue kërkue nëpër skutat e malit?”

“Pse gjithmonë më mungon nji dhe unë due ta gjej.”

“E kur e gjen, prap mbetesh pa nji!”

“Mbetem. Por, ani. Përsëri dal me e gjetë… Tekembramja , mue më pëlqen të kërkoj; mali asht aq i egër dhe i butë, aq i vrazhdë dhe i bukur.”

“Mal ma!” -thash unë tue u gojisë.

Plaku tash heshtte; më shitonte me sytë e tij të vegjël, buza e poshtme i dridhej, më dukej se edhe mustaku i luente dhe mue, për çudi, tash më vinte keq pse i thashë: “Mal ma!” Po, megjithëkëtë, nuk tha gjë. Vetëm se rrotulloi sytë kah mali, mandej u kollit dhe shikimin e paloi në pyramidën e saj, që ishte në ndërtim e sipër. Më erdhi mirë thuese prej zemrës më ra diçka e pashpjegueshme që më randonte në ato çaste, kur ajo i dha fund heshtjes:

“E, ç’ban ti kur kërkon nëpër mal?”

“Eci.”

“Dhe?”

“Eci dhe futem nëpër lluga.”

“Futesh dhe … ?”

“Futem nëpër zguer; kërkoj. Dal. Eci, hajt bir, nëpër mal.”

“Hajt bir, dhe … ?

“Ndigjoj malin. Ndigjoj turrecin.”

“E ndigjon, dhe … ?”

“Kurrë, – tha plaku, – turreci nuk më ka mundë, kurrë.”

“Kurrë, dhe … ?”

“Dhe eci.”

“Ecën?”

“Nganjiherë za thue, por gohem dhe eci, hajt bir. Mali, ky

mali im, asht i bukur.”

“I bukur, dhe … ?’

“Do të ishte edhe ma i shpeshtë, edhe ma i bukur, sikur të mos jipte bishta për sakica.-

“Hëm, për sakica dhe …?”

“Dhe? Grithem, përgjakem aty-këtu, tue përshkue nëpër mal, ku dëgjohet aulina e ndonji qeni dhe ulurima e ndonji ujku. Mirëpo unë eci, hajt bir, prej lluge në llugë, prej zgueri në zguer, prej lisi në lis.

“Pre lisi në lis, dhe … ?”

“Ndalern dikur.”

“Dikur, dhe….. ?”

“Sodis.”

“Malin, dhe…?”

“Kërkoj të njiqindën me shkrim”

“A e sheh?”

“Pai, nganjiherë e shoh, por më humb para sysh, kur kujtoj se e kam krejt afër. Nuk më lëshon zemra: vazhdoj t’a kërkoj. Dhe prapë, grrithem, përgjakem tue u përshkue nëpër mal.”

“Dhe?”

“Eci”

“Dhe?”

“Ndalem, dikur,”

“Ndalesh dhe…”

“Ulem kur lodhem.”

“E?”

“Rri dhe njehi pikat e vesës në fijet e barit. Pikat e vesës janë.të bukura. Mbesin të bukura edhe mbasi avullohen. Mbasi të avullohen, ndoshta na duken se qenë ma të bukura se ishin. A s’asht kështu?”

“Ndoshta -tha ajo,- po kur s’ka vesë?

“Kur s’ka vesë rri dhe kujtohem.”

“Dhe?”

“Mendoj për barkën.”

“Për çfarë barke?”

“S’kam shumë barka. Çdokush e ka nga nji. Edhe unë e kam nji.”

“Nji barkë!”

“Po, nji barkë që rri mes ujit. Ajo nuk mbytet, as nuk mbytet kurrë”

“Kurrë?”

“Kurrë.”

“As kur çohen valët e mëdha?”

“As kur çohen valët e mëdha sa bjeshka.”

“As kur bie shi?”

“As kur bie shi katërdhetë ditë në katërdhetë net.”

“As kur fryn?”

“As kur fryn duhia që shkul lisat e prapton latitë.”

” A fryn në këto anë?”

“Shpesh janë shkulitë lisat e praptue çatitë. Jo rrallë janë shkulë pemët posa kanë lidhë.”

“E barka ka shpëtue?”

“Barka ka qëndrue mbi valë. Kur asht thye ndonji bri i saj, ai bri asht zavendësue me nji prej lisave të shkulun.”

“Kjo qenka nji barkë e fortë.”

“Rrin dhe kurrë s’praptohet në ujë.”

“A e din sa asht e vjetër?”

“Askush nuk e mba mend kur asht punue. Mue ma ka lanë gjyshi.”

“Askush?”

“Ndoshta gjyshi i gjyshit… nuk e di.”

Ajo për nji çast heshti; shikoi piramidën e saj në ndërtim e sipër, piramidën prej rane, e ledhatoi me dorën e majtë dhe pyeti:

“A të duket e bukur kjo barkë?”

“Kur asht plot, duket fort e bukur. Duket, si me të thanë, duket nga bregu i ujit duket, si me thanë, duket si çiftelia. Luen mbi valë. Përkundet si zonjë… Luen mbi valët që sulen kah ajo, por ajo s’jau ven veshin. Luen. Dhe valët trenohen kur e shohin tue luejtë. Sulen kah ajo, por s’i bajnë gja. Ajo vazhdon me luejtë, barka -çifteli vazhdon me luejtë dhe prej saj përhapen tingujt, të cilët përpiqet me i gëlltitë zhumhuri i valëve. Shumë tinguj mbyten në zhumhurin e valëve, aty pranë barkë-çifteli. Disa të tjerë kërcejnë prej valës në valë dhe mbërrijnë deri në breg të ujit. Aty prap nisin të shumohen. Bahen aq shumë, sa nuk mund t’i njehë askush. Shkrihen në njani-tjetrin. Dalin prej njani-tjetrit. Kangë. Po, tash e dëgjoj nji kangë, që çan mjegullën para syve të mi. Çahet mjegulla. Shoh nji rriskë qiell dhe nji vetull mali. Qielli asht i murrmë, ajo vetull mali asht gjithashtu e murrmë. Dridhet ajo vetull mali, ulet ajo vetull mali. Tash e shoh tue u rrokulllsë qerrja e diellit. Qerrja e diellit rrokulliset me zhurmë e poterë. Zhurma e potera e qerres së diellit, që në rrokullisje e sipër thyhet e bahet copë-copë, mbyt çdo za: nuk ndihet shushurima e malit, zogjtë gurëzohen, hutini shikon lakuriqët e natës që fluturojnë në pikë të ditës, shikon dhe copat e qerres së diellit. Mugë. Në mugë shoh dy hije. Ecin ngadalë, drejt njani-tjetrit. Afrohen. Nuk flasin; kuptohen në heshtje. Shikojnë qerren e diellit, copat e saj para kambëve të tyne. Afrohet edhe nji hije. Edhe ky shikon copat e qerres së diellit. Që të tre marrin nga nji copë të qerres së diellit dhe e puthin. Mandej kthejnë kryet kah hutini që shikojnë lakuriqët e natës, të cilët fluturojnë në pikë të ditës. Kurse skaj tyne, filloj të shoh hije të tjera, që nuk ndalen, por vazhdojnë përpara; kalojnë pranë copave të qerres së diellit të rrokullisun, kur e ul ajo vetull mali dhe shkojnë në heshtje, njani pas tjetrit. Hijet. Shkojnë. Kryeulun. Të thuesh, nuk e çojnë kryet as kur pijnë ujë nga brojcat. Asgja nuk pipëtin. Ndëgjohet vetëm zhabllima e hapave të hijeve, që shkojnë kryeulun. Kurse hija e parë thotë: “Po shkojnë, ore breuk.”, ndërsa hija tjetër ia pret: “Po, ore desidat, po.”Hija e tretë vetëm dëgjon e nuk thotë gja; edhe ma tutje shikon vargun e hijeve që kalojnë skaj tij e copave të qeres së diellit. Shikon edhe hutinin që shikon lakuriqët e natës, të cilët dalin e fluturojnë në pikë të ditës. Mandej kthehen, hija e parë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet dhe këqyr hijen e tretë, mandej kthehen, hija e tretë kthehet dhe këqyr hijen e dytë, mandej kthehet, hija e dytë kthehet dhe këqye hijen e parë; në sytë e të tretëve ecin hijet, ecën vargu i hijeve që kalojnë skaj tyne. Ecin, hijet ecin. Dhe vetëm copat e qerres së diellit, para kambëve të tyne, nuk ecin. Kanë mbetë aty; nuk lëvizin. E këta shikojnë ato copa: qerrja e diellit nuk mund të ecë. Tash, nuk ecin as sytë e tyne.

——————————————————————

Ky fragment sjell dialogun ndërmjet Asaj (vashës) dhe Bariut, përmes të cilit arrihet shkallëzimi i rrëfimit drejt thellësive ilire. Biseda zhvillohet rreth numrit të deleve: bariu ankohet se i mungon gjithmonë një dele. Ndërsa ai gjithmonë nuk pushon së kërkuari pyllit të dendur, si në një udhëtim të pandërprerë. Gjithçka, edhe biseda, edhe rrëfimi për ngjarjen zhvillohen në një terren simbolik.: Humbja është e përhershme; kërkimi është i përhershëm. Toni ironikotragjik e bën më të prekshme, më të afërt në kohë dhe më intriguese idenë kryesore. Eu, po ty prap t’u dashka t’i qepesh malit për me gjetë të njiqindën! Ani. Dhe ti i qepesh malit? I qepem pra. Vazhdimisht? Personazhi i bariut i afrohet figurës së Sizifit të dënuar përjetësisht, që me një shkëmb në krah t’i ngjitet malit dhe të rrokulliset poshtë për t’u ngjitur përsëri. Gjithashtu ky personazh përafron me personazhet absurdë të letërsisë bashkëkohore veçse i vendosur në një terren vendas. E njëjta ide shfaqet më pas me barkën që luhatet përjetësisht mes ujit dhe me kullën prej rëre. / KultPlus.com

Dashuri e vështirë

Poezi nga Luis Garcia Montero

Kush e di në më ka parë ajo ndonjëherë kështu,
kush e di në më ka parë ndonjëherë njeri, kaq përtokë,
kaq të ftohtë në këtë kënd. Por era
kujtoi se unë isha gur
dhe trupin tim donte të shpërbënte.

Po të mundja të të takoja,
kushedi në do mund të takohemi ndonjëherë, unë do të di
të sqarohem me ty.

Por klubet e hapur dhe të mbyllur,
rrugët netëve dhe ditëve,
stacionet pa njerëz,
lagjet e tëra me banorët e tyre, dritat,
telefonat, hapat dhe ky kënd,
nuk dinë gjë, se ku je ti.

Dhe kur era kërkon të shkatërrojë
më kërkon te porta e shtëpisë tënde.

Unë ia përsëris edhe erës,
po qe se do mundem të të takoj,
po qe se ti më shfaqesh, unë do të di
të sqarohem me ty. /KultPlus.com

Muzeu i Ikonografisë “Onufri” një nga ndalesat kryesore të vizitorëve

Muzeu i Ikonografisë ‘Onufri’ në lagjen Kala të Beratit është një nga ndalesat kryesore të vizitorëve e turistëve nga e gjithë bota, që në çdo stinë të vitit.

Edhe ky muze si shumë institucione të ngjashme jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë botën, po rimëkëmbet nga pasojat e pandemisë.

Përgjegjësi i sektorit në këtë muze Arjan Prifti thotë se më në fund vizitorët po shtohen dhe shifrat po i afrohen periudhës së para pandemisë.

“Gjatë ne viti janë mbi 40 mijë vizitore, nga të cilët 8800 online. Vijnë nga lindja kryesisht polakët, cekët kemi humbje të Ukrainës dhe ruseve. Belgët, holandezët, gjermanët, francezët etj, operojnë nëpërmjet agjencive turistike. Shqiptarët vijnë në fundjavë, nxënës dhe festat e fundvitit ditët e para të janarit”- tregon Arjan Prifti, përgjegjës sektori.

Në oborrin e muzeut në kishën e rindërtuar në vitin 1797 ka vizitorë të besimeve të ndryshme, sic janë këta turistë nga Tetova

Vizitorët  mund ta prenotojnë online biletën ndërsa në brendësi të muzeut mund të njihen me veprat e ekspozuara me anë të një shërbimi audio në dhjetëra gjuhë të botës

Koleksioni  i ekspozuar përbëhet nga 173 objekte, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, të cilat i përkasin piktorëve ikonografë shqiptarë që krijuan në shekujt XIV – XX si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku e të tjerë. Top Channel /KultPlus.com

Përkujtohet në 43-vjetorin e vdekjes kleriku Ernest Çoba

Më 8 janar 1980 vdiq Imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës, Kryetar i Kishës Katolike të Shqipërisë.

Çoba lindi në 1913-n në Laç (Vau i Dejës) dhe arsimimin e kreu pranë Kolegjit Saverian dhe Seminarit Papnor në Shkodër. Në vitin 1936 u shugurua meshtar dhe gradualisht iu besuan detyra të rëndësishme nga Kisha Katolike. Fillimisht shërbeu si mësues i besimit në Seminarin Papnor deri më 1946, më pas në Arkidioqezën e Shkodrës, në vazhdim si sekretar i përgjithshëm i Kryesisë së Kishës Katolike Shqiptare.

Në vitet më të vështira të Kishës Katolike (1956), pas shkëputjes së varësisë nga Vatikani, u emërua në krye të saj.

Ipeshkëv Zef Simoni dëshmon se Imzot Ernest Çoba do të dënohej me akuzën se kishte ruajtur marrëdhënie të fshehta me Selinë e Shenjtë (Vatikanin) përmes Legatës Italiane në Tiranë, me anë të së motrës dhe me këtë pretendim do të dënohej me 25 vjet heqje lirie, me konfiskimin e pasurisë dhe me heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot fotografi (me dy pamje) të Imzot Ernest Çobës, vizatim i tij i  punuar me laps, kërkesë për takim drejtuar ish-kryetarit të Këshillit të Ministrave, Ramiz Alia, si edhe fragmente nga dispenca e nënshkruar prej tij, e titulluar “Katekizmi i mësimit të krishtenë”. /atsh /KultPlus.com

“E dua Kosovën gjer në dhimbje, se është Shqipëri’

Shkruan: Petro Marko

Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektojnë si shkrimtar e si luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë.

Kjo dashuri për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë.

Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932.

Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën.

Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë.

* * *

Po gjatë viteve ’70 më erdhën në shtëpi Esat Mekuli, Hasan Mekuli, pastaj Ali Aliu, me të cilin shkova edhe në fshat, Rexhep Qosja e të tjerë. Kur ishte këtu Esat Mekuli dhe të tjerët, flisnim për kulturën tonë dhe ata më pyetën nëse unë kisha ndonjë mendim për zhvillimin e kulturës në Kosovë. Folëm e folëm, pastaj unë shfaqa mendimin se edhe gjuha letrare e Kosovës duhet të unifikohet me gjuhën tonë letrare. Më vonë erdhi këtu Ali Aliu dhe vendosi që të bënte një biografi për mua. E shpura në fshat, te shtëpia ime. Ai u mahnit me bukuritë e natyrës bregdetare dhe më tha: “Tani e kuptoj pse shkruan në mënyrë çapkëne poetike plot ngjyra dhe me një horizont të gjerë.” Ai shkroi librin “Krijuesi dhe koha” për jetën e veprimtarinë time letrare dhe me atë punë mbrojti doktoratën.

* * *

Në Kosovë, nën redaktimin e Ali Aliut, u botuan nëntë vepra të miat, në një kohë kur këtu në Shqipëri as që përmendje gjëkundi emri im si krijues. Në Kosovë jam më i njohur se këtu, falë punës së madhe që ka bërë shtypi dhe kritika. Edhe “La Rousse” i Francës (më 1969) më kishte vënë si shkrimtar shqiptar, që kam shkruar “Hasta la vista” e vepra të tjera, kurse këtu as që guxonin të vinin emrin tim në ndonjë botim shkollor. Urdhri që të mos përmendej emri im si shkrimtar në asnjë gazetë, revistë ose mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve, kishte ardhur nga lart. Unë isha një shkrimtar i mallkuar në vendin tim, ku me sa munda luftova, punova dhe shkrova si gazetar, si poet, si shkrimtar, si përkthyes i një pjese të mirë të poetëve latino-amerikanë. Kurse në Kosovë janë ribotuar veprat, si: “Hasta la vista” (botimi i katërt), që ka një parathënie të mrekullueshme të Rexhep Qoses, “Shpella e piratëve” për lexime letrare në shkollë.

* * *

Për mua në Kosovë krijimtaria artistike është shumë më përpara se krijimtaria jonë e realizmit socialist. Me gjithë shtypjen serbe dhe masat e rrepta që janë marrë e merren kundër njerëzve të artit në Kosovë, aty arti i çdo gjinie, mund ta them me plot gojën, është më i pasur se arti ynë i persekutuar dhe i kanalizuar.

Nuk më harrohet një episod: Ishte muaji i letërsisë që bëhej në çdo tetor (se në tetor ka lindur Enver Hoxha) dhe unë u caktova me dy shokë të shkonim në Berat. Aty, në mbrëmjen letrare që u bë në kombinatin e tekstileve, bënin shumë pyetje, midis të cilave dhe këtë: “Cili është shkrimtari më i mirë i Shqipërisë?” Dhe një shok nga të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve që ishte me ne, iu përgjigj: “Shkrimtari më i madh i Shqipërisë është Enver Hoxha.”

* * *

Unë mendoja dikur se veprat më të mira të letërsisë shqiptare janë shkruar në të gjitha kohët jashtë Shqipërisë: Noli, Konica, Çajupi, Naimi, Asdreni, Lasgushi, si dhe gjithë kosovarët e shquar krijimet e tyre më të mira i kanë bërë larg Atdheut! Është e vërtetë se Fishta, Mjeda, Ali Asllani, Migjeni e të tjerë kanë krijuar këtu, po kishin qenë shumë herë jashtë Atdheut nëpër Europë ose për studime, ose për të punuar… Kjo ishte një dukuri që shumë herë diskutohej nga Branko Merxhani me Odhise Paskalin, me Tajar Zavalanin e letrarë të tjerë. Shumica e veprave që janë themeli i kulturës sonë, janë shkruar jashtë Shqipërisë.

Po të kishin lindur e jetuar këtu Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Bekim Fehmiu e të tjerë, talenti i tyre do të ishte vrarë, ashtu siç u vra talenti dhe jeta e shumë e shumë bijve të talentuar të kësaj Shqipërie, që mbijetoi në këto vite në dallgët e historisë…

* * *

Shikoj Safon time, artiste, për mua jashtëzakonisht e talentuar, e cila ka punuar e punon akoma për të mbajtur shtëpinë. Dhe kujtoj ëndrrat e saj për udhëtime, për tablotë, për ngjyrat, për idetë, për ekspozitat. Nuk u realizua kurrë ëndrra e saj për të vizituar Luvrin, galerinë e famshme të artit në Firence, që ishin aq afër dhe që ia kisha premtuar kur u njohëm! Shikoj të dy fëmijët e mi, të dy artistë. Dhe mendoj: Si iku kjo jetë kështu?!

* * *

Kam marrë shumë letra nga lexues të thjeshtë, nga studentë, nga njerëz të artit e të kulturës dhe nga familjarët e heronjve dhe luftëtarëve të Spanjës. Tek unë në Shqipëri erdhën të më takonin: Mahiri, i vëllai i Xhemal Kadës, Luljeta, e bija e Emrush Myftarit, një djalë i mrekullueshëm kosovar, i cili u kthye gjallë nga lufta e Spanjës dhe e gjeti vdekjen në Kosovë nga dora e serbit Milladin. Mahir Kada më telefonoi e më njoftoi se kishte dalë në treg seria e plotë e veprave të mia në Kosovë dhe se duhej të shkoja atje për të marrë shpërblimin që më takonte si shkrimtar, kurse unë në telefon iu përgjigja: “Asnjë shpërblim nuk pranoj, por ato që më takojnë do t’i vini në shërbim të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës me emrin e Asim Vokshit që po ndërtoni.”

Kjo dashuri vëllazërore e lindur ngaqë ne ishim shqiptarë, megjithëse na ndante një kufi i egër, ishte lidhja e gjakut tonë të hershëm dhe i atij që u derdh në Luftën Antifashiste të Spanjës.

* * *

Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektojnë si shkrimtar e si luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë deri më sot. Mbeti një ëndërr. Këtë dëshirë e kam shfaqur me të gjithë kosovarët. Për çudi, për mua kufiri ishte i papërcaktueshëm. Edhe kjo është një nga dhimbjet e mia.

E dua Kosovën gjer në dhimbje, se është Shqipëri!

‘Libri është zemra që rreh në kraharorin e njeriut’

Pse lexojmë? Për Franz Kafkën, libri është “sëpata për liqenin e ngrirë brenda nesh”.

“Ne mendojmë se duhet të lexojmë vetëm librat që na lëndojnë. Zot i madh, librat që na bëjnë të lumtur janë ata që mund t’i shkruajmë vetë nëse është e nevojshme. Por ne kemi nevojë për libra që na hidhërojnë thellë, që na godasin si fatkeqësi, si vdekja e dikujt që e kemi dashur më shumë se veten. Libri është sëpata për liqenin e grirë brenda nesh. Ky është mendimi im”.

Për Carl Sagan, libri është prova se njerëzit janë të aftë për gjëra të magjishme, pasi libri na lejon të udhëtojmë në kohë e vende të ndryshme.

Por gati një gjysmë mijëvjeçari më parë, Galileo Galilei (shkurt 1564–janar 1642), një nga iluminuesit më të mëdhenj në histori, bëri një vëzhgim të ngjashëm mbi fuqinë e leximit, mbi aftësinë e leximit për të mbushur mendjen dhe shpirtin e njerëzve me idenë e fuqive të mbinatyrshme, si udhëtimi në kohë dhe telepatia.

“Çfarë mendjeje sublime pati ai që gjeti mënyrën për të komunikuar mendimet e tij më të thella; për të folur me njerëz në kohë e vende të ndryshme; për të folur me ata që nuk kanë lindur ende e që mbase nuk do të lindin edhe për mijëra vite të tjera. Dhe me çfarë thjeshtësie! Të marrim një moment dhe të admirojmë këtë shpikje të madhe të njerëzimit”. / KultPlus.com

Galileo Galilei, babai i Astronomisë moderne dhe një kampion i metodës shkencore

Galileo Galilei ishte një shkencëtar dhe astronom italian i cili konsiderohet si një nga baballarët e astronomisë moderne vëzhguese. I lindur në Piza në vitin 1564, ai filloi karrierën e tij si matematikan dhe fizikant, por ishte puna e tij në astronomi që pati ndikimin më të madh në botën shkencore, shkruan KultPlus.

Galileo ishte një nga shkencëtarët e parë që përdori një teleskop për të studiuar yjet dhe vëzhgimet e tij revolucionarizuan të kuptuarit tonë për universin. Ai zbuloi se Toka nuk ishte qendra e universit, siç besohej në atë kohë, por një nga shumë planetët që rrotullohen rreth diellit. Ky model heliocentrik i sistemit diellor ishte një largim rrënjësor nga besimet tradicionale dhe ndezi një revolucion shkencor që ndryshoi mënyrën se si ne e shohim botën.

Përveç punës së tij në astronomi, Galileo dha një kontribut të rëndësishëm në fushat e fizikës dhe matematikës, dhe ai vlerësohet me zhvillimin e metodës shkencore. Ai ishte një avokat i ashpër për përdorimin e provave empirike në kërkimin shkencor, dhe mendimi i tij inovativ dhe eksperimentimi rigoroz ndihmuan në formësimin e qasjes moderne shkencore.

Galileo ishte gjithashtu një figurë e diskutueshme dhe pikëpamjet e tij mbi natyrën e universit shpesh e vënë atë në kundërshtim me Kishën Katolike.

Pavarësisht kësaj, ai mbetet një figurë e nderuar në historinë e shkencës dhe kontributet e tij vazhdojnë të njehen edhe sot. /KultPlus.com

“…e mos dysho në vete mos dysho kot, se copëzat e tua t’kanë ba ça je ti” (VIDEO)

Kënga “Copëzat” e Vlashent Satës flet për copëzat, ato pjesë që na karakterizojnë gjithsecilin dhe na bëjnë më të ndjeshëm, por që shpesh duam ti fshehim, shkruan KultPlus.

Sipas kantautorit  “…Të gjithë ne, por sidomos vajzat, janë edhe më shumë nën presion në shoqërinë e sotme, si duken, a janë të pranuara, si duhet të sillen…

Më poshtë, KultPlus iu sjellë tekstin e kësaj kënge dhe videoklipin:

Sa fillon dita, e shikon dritën, prap ftyren tande e mblon
Mbrapa jastekut, vij un me t’zgju.
M’largon dhe mu,
deri sa vjen vet.
Me sy mbyllur m’përqafon,
trupat tonë bashkon.
Ma fort m’shtrëngon ti.

Sa herë t’shikoj n’sy qeshesh ti si dielli ma i ngrohtë
e plotë, e vogla ime, e plotë je e madhe sa nje Botë,
e mos dysho në vete mos dysho kot,
se copëzat e tua t’kanë ba ça je ti
se copëzat e tua t’kanë ba kush je ti, sot.

Ecën tuj kcy je krejt si fmi
ban gjithë njerzit n’rrugë kokën m’e kthy
t’tanë don me i gzu kjo t’lumturon
dhe nqs brenda teje asgjë nuk shkon, e je trishtu
gjen ti dritën, trishtimin me e shu, me ndriçu, ti.

E di s’asht’ e lehtë, me ba sot besim n’njerëz, merret për dobsi në t’vërtete
normal që ke frikë me m’tregu ti për vete, me m’tregu ti dobsitë.
Veç dije n’zemrën time mundesh me pushu
se t’tana copëzat e tua,
ty
ti
du.

Sa herë t’shikoj n’sy qeshesh ti si dielli ma i ngrohtë
e plotë, e vogla ime, e plotë je e madhe sa nje Botë,
e mos dysho në vete mos dysho kot,
se copëzat e tua t’kanë ba kush je ti, sot.

Sa herë t’shikoj n’sy qeshesh ti si dielli ma i ngrohtë
e plotë, e vogla ime, e plotë je e madhe sa nje Botë,
e mos dysho në vete mos dysho në ne kot,
se copëzat e tua ti ruj unë
se copëzat e tua ti ruj unë,
sot. /KultPlus.com

Historia e gjeniut Stephen Hawking dhe gruas që e mbajti në jetë

Sot janë shënuar 81 vjet nga lindja e fizikantit të njohur, Stephen Hawking.

Në vitin 1985, gruaja e tij refuzoi idenë e mjekëve se makineria që e mban gjallë duhej të fikej, se nuk kishte më shanse për të jetuar. Në atë kohë, Hawking ndodhej në koma në spitalin e Gjenevës.

Fizikanti, kozmologu dhe autori i teorisë angleze konsiderohet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj dhe puna e tij ka ndikuar në mësimet e relativitetit të përgjithshëm dhe mekanikës kuantike.

Që nga viti 1963, Hawking ka vuajtur nga një sëmundje e njohur si ‘skleroza laterale amyotrophic’, ose ALS. Në atë kohë mjekët i dhanë vetëm dy vjet kohë jetë. Në fakt kjo sëmundje i merr jetën njerëzve brenda 5 viteve, por ai është njeriu që sfidoi doktorët dhe veten tij. Që pas deklaratës së mjekëtve ai ka jetuar 50 vjet më shumë.

Në vitin 1985, gruaja e tij refuzoi idenë e mjekëve se makineria që e mban gjallë duhej të fikej, se nuk kishte më shanse për të jetuar. Në atë kohë, Hawking ndodhej në koma në spitalin e Gjenevës. Ndërkohë që në një dokumentar të vitit 2013, ai tha: Mjekët menduan se kisha shkuar aq larg me mendje sa nuk mund të kthehesha më në tokë, në realitet dhe kështu i kërkuan Jane-it t’i fiknin makinën.

Por Jane nuk pranoi dhe këmbënguli që ai të kthehej në Kembrixh. Hawking tregon se terapia intensive ishte periudha më e keqe e jetës së tij. Sëmundja e ka lënë të paaftë të flasë dhe ka nevojë për kujdes të përhershëm, por kjo nuk e ka penguar që të vazhdojë punën në lidhje me shkencën.

Në vitin 1988 botoi ​​librin “Një histori e shkurtër e kohës”, e cila që atëherë u kthye në best seller, me 10 milion kopje të shitura në mbarë botën. Gjithashtu, Hawking u kthye në një model frymëzuar për njerëzit me aftësi të kufizuara anembanë globit, ku në një fjalim me rastin e hapjes së Lojërave Paraolimpike në Londër, në vitin 2012, i bëri njerëzit të qajnë e të kuptojnë sa e rëndësishme është jeta./filozofia.al / KultPlus.com

KFOR-i refuzon kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtrisë në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se KFOR-i e ka refuzuar kërkesën e tyre për kthimin e 1 mijë ushtarëve serbë në Kosovë.

Vuçiq thotë se në letër thuhet se KFOR-i “po vëzhgon me kujdes se çfarë po ndodh në veri”.

“Por ata nuk iu referuan një pjese të rezolutës, pasi nuk kanë të drejtë ta refuzojnë atë kërkesë. Ata iu referuan normës normative për të ruajtur rendin dhe ligjin. Ata bënë një gabim tjetër. Një herë kërkuan nga autoritetet në Beograd që të ekstradojnë Millosheviqin në Vidovdan, kështu këtë herë treguan në prag të Krishtlindjeve. Në prag të Krishtlindjes, nëse marrim përgjigje negative, e dimë që nuk është rastësi”, tha Vuçiq për Pink, raporton RTS, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë, Serbia kishte kërkuar kthim të forcave ushtarake në Kosovë, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, me pretekstin për t’i mbrojtur pjesëtarët e komunitetit serb. /KultPlus.com

Ndikimi i përjetshëm i David Bowie, një vështrim në karrierën dhe punën e muzikantit ikonik

David Bowie ishte një muzikant dhe aktor britanik i njohur për punën e tij inovative dhe eklektike në industrinë e muzikës. I lindur më 8 janar në 1947, ai filloi karrierën e tij si muzikant në vitet 1960 dhe shpejt fitoi një reputacion për përzierjen e tij unike të rrokut, popit dhe shfaqjeve teatrale, shkruan KultPlus.

Gjatë karrierës së tij, Bowie lansoi mbi 25 albume dhe shiti mbi 140 milionë disqe në mbarë botën, duke e bërë atë një nga artistët më të shitur të të gjitha kohërave. Ai ishte gjithashtu një pionier i lëvizjes glam rock, dhe prania e tij në skenë dhe zëri i veçantë ndihmuan në formësimin e pamjes dhe tingullit të muzikës popullore në vitet 1970.

Përveç karrierës së tij të suksesshme muzikore, Bowie luajti gjithashtu në filma dhe produksione të shumta skenike, duke përfshirë filmat “Labyrinth” dhe “The Man Who Fell to Earth”, dhe muzikalin e Broadway “The Elephant Man”. Ai ishte gjithashtu një artist i talentuar pamor, dhe pikturat dhe skulpturat e tij u ekspozuan në galeri në mbarë botën.

Megjithë arritjet e tij të shumta, Bowie mbeti një figurë modeste dhe enigmatike, duke dhënë rrallë intervista apo duke diskutuar për jetën e tij personale. Ai ishte i njohur për rishpikjen e tij të vazhdueshme dhe aftësinë për t’u përshtatur me tendencat e reja muzikore, dhe ndikimi i tij në kulturën popullore dhe industrinë e muzikës vazhdon të ndihet edhe sot.

David Bowie vdiq në vitin 2016 në moshën 69-vjeçare, por muzika dhe trashëgimia e tij jetojnë përmes fansave të tij të shumtë të përkushtuar dhe ndikimit të qëndrueshëm që ai pati në botën e muzikës dhe argëtimit. /KultPlus.com

Flamuri shqiptar në Metropolitan Opera, Ermonela Jaho: Ndjehesha sikurse të isha në shtëpi

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho ka performuar në Metropolitan Opera në New York.

Jaho ka risjellë Violetën, në veprën e famshme të Giuseppe Verdit, Traviata, personazhin që e ka ngjitur në skenat më të mëdha botërore, përkrah tenorit Ismael Jordi dhe baritonit Amartuvshin Enkhbat.

Jaho ka ndarë në rrjetet sociale një detaj që i ka dhuruar edhe më shumë emocione gjatë shfaqjes në New York.

Një flamur shqiptar teksa publiku duartroket performancën e saj e ka bërë të ndihet edhe më pranë Shqipërisë.

“Publiku i Metropolitanit gjithmonë më bën të ndihem si në shtëpinë time, por kur shikon një flamur shqiptar, ajo ndjenjë dyfishohet. Kushdo që valëviti atë flamur, të falënderoj që më solle një pjesë të zemrës time”, thekson Jaho.

Ermonela Jaho ka performuar në shumë opera të botës, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, ParisChamps Elysees-Teatro San Carlo di Napoli, Opera Kompania e Filadelfias, Opera de Marsejë, Arena di Verona, Teatro Verdi di Trieste, Teatro La Fenice,Teatri Capitoul de Toulouse, etj. Ka interpretuar në teatrot “Aligheri”, Ravena, “Piçolo”, Scala-Milano dhe në shumë skena të tjera botërore./atsh /KultPlus.com

Anton Pashku dhe kitara

Nga Anton Pashku

Zemra ime vallëzon vetëm atëherë kur dëgjon titrimin e telave të kitarës. Vetëm shpatat e zërit të saj mund ta copëtojnë brengën dhe t´ua falin flatrave të harresës. Po, vetëm kitara, kjo kitarë që rri përpara meje e varur aty në mur, mundet.

Edhe pse tash vrik jam mësuar të luaj me telat e saj, kitara ime lëshon zëra që, duke u ngatërruar ndërmjet vete, krijojnë jone, për mua shumë të hareshme. Vetëm për mua! Them vetëm për mua, sepse tingujt e saj janë shumë të çuditshëm. Nuk mund t´i kuptojë, ose nuk do t´i kuptojë, gjithkush: qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë.

Si tash më kujtohet vaji i vashës, që m´u lut t´ia këndoj një këngë. Pranova. Mora kitaren në duar. U ula pranë dritares, duke shikuar në qiellin e natës, i cili, nëpër dritaren time, dukej katërkëndësh me fillim, por pa fund. Pëlqeva telat dhe gishtat e mi zunë të luajnë nëpër to. Tingujt e kitarës përcillnin fjalët e këngës për Hënën e dashuruar në një yll që tradhtoi Diellin, i cili, zemëruar pamasë, shkreu që ta shëmtojë përgjithmonë fytyrën e Pabesës.
-Pse t´u mbush mendja ta këndosh këtë këngë?-pyeti ajo dhe sytë ia mbytën bulzat e lotëve që i gufonin pajada.
Rrudha krahët. Rrudha edhe ballin. Nuk dita ç´t´i them. Dita, por diçka më lidhi në fyt.

-Po pse, pse po loton?-dëgjova pyetjen mbasi doli prej gojës sime.
-Si…pse?!-tha ajo duke u munduar për t´i ndalë lotët, që i rridhnin nëpër faqe.
-Si, të lutem, si ka mundur Dielli të bëhet aq mizor…
-Mizor?!
-Po, po!-tha ajo—Si ka mundur të bëhet aq mizor ndaj Hënës, e cila për çdo mbrëmje del për ta stolisur lumin tonë me shtyllën e artë të rrezeve të veta?
-Shtylla e artë e Hënës?
-S´është e Hënës.
-Po e kujt është?
-Fol sa të duash, por ti s´je duke prekur telin e solit?
-Unë?
-Ti, pra. Të Pabesës…-thashë dhe u ndala. Mendimin, që desha t´ia them asaj, e përtypa në heshtje.
Më shikonte. Pesha e shikimit të saj, që më kaploi, ishte tepër e rëndë. Ishte e rëndë sa s´bëhet.
-Mirë, mirë!-thashë.
Preka telat e kitarës sime. U krijuan tinguj që s´kishin lidhje me njëri tjetrin.

-A di çka,-tha ajo,-ta lëmë Hënën.
-Ta lëmë, nëse na lë.
-Mos u tall!
-Nuk po tallem.
-Atëherë, pra, jipja këngës për sumllën e djersës!
-Për sumllën e djersës, pa të cilën nuk mbin as therra për gardhiqe?
-Po, ke të drejtë.
-S´dua!
-Pse?
-S´dua t´ia them asaj kënge, sepse është e dhimbshme.
-Ani që është e dhimbshme, ani.
-Por ti s´e merr vesh!
-Si nuk e marr vesh!-tha ajo.-Vëllaut tim të vogël ia shoh sumllën e djersës sa herë që mundohet ta gënjejë nënën…
-Eh…-thashë unë.
Një e qeshur, për mua fare e pakuptimtë, shpërtheu në gojën e saj. Ishte aq therrëse dhe e padurueshme, sa mua më hypi gjaku në krye.

Shikova nëpër dritare: m´u duk se një yll kishte zbritur dhe tashti ishte mu përpara syve të mi. Çova dorën dhe mora hov: desha ta thej kitarën në njërën këmbë të atij ylli. Por, sjellja shkoi kot: ylli ishte larg, atje lart duke hequr valle me shokët e vet.
-Ha, ha,ha!-dëgjohej e qeshura e saj.
Mora kitaren. Drodha një tel. I thashë:
-Për ty, për lëkurën tënde pa asnjë pore!
Ndali të qeshurit. Më shikoi me ballë të mrrolur. Drodha të gjashtë tela e i thashë:
-Për ty, për ty që m´je tingull i pazëshëm!
-Paska tinguj të pazëshëm?
-Ja, paska!
Brofi në këmbë. Bëri një hap dhe u ndal përpara meje.
-Shiko veten, o i mjerë!-tha ajo.
-O gjuetar i ëndrrave, a s´po sheh se je krejt lakuriq!
-Unë?

-Ti, ti…A s´po sheh se ke mbetur lakuriq?…A s´po sheh se kitara të solli në këtë ditë të zezë?…Hidhe atë kitarë e mos rri kështu lakuriq, se do të bëhesh gazi i botës…
Zonjusha Vulë lëvizi vendit. Megjithatë, shtrëngova kitarën. Kitara u dalldis. Kurse ajo u mrrol edhe më shumë. Dikur fluturoi jashtë, duke mbyllur derën me forcë.
Mbeta vetëm unë, kitara dhe tingujt e saj magjikë që përpiqeshin për ta zhdavaritur rrapëllimën e derës së mbyllur…

Shkurt, 1957 / KultPlus.com

Elvis Presley një nga figurat më të rëndësishme kulturore të shekullit të 20-të

Sot janë mbushur 87 vjet nga lindja e Elvis Presley, shkruan KultPlus.

Elvis Presley ka lindur më 8 janar 1935 në Tupleo, dhe ka vdekur më 16 gusht 1977 në Memphis, në moshën 42 vjeçare.

Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet edhe si “Mbreti i Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”. Mbreti i muzikës rock&roll, sex simboli, mashkull me të cilin çdo femër ka dashur të ishte, me vite ka luftuar nga varësia. Vitin e fundit të jetës së tij, ai është shoqëruar me mjekët, duke pasur parasysh se kishte probleme të mëdha me mëlçinë, zemër, sistemin e tretjës etj, dhe e gjithë kjo si pasojë e përdorimit të drogës. Karrierën e tij, Elvis e kishte filluar në vitin 1954. Zbuluesi i talentit të tij ishte themeluesi i Sun Records, Sam Phillips. Elvis kishte ardhur në studio për të kënduar një këngë për ditëlindjen e nënës së tij.

Pak kohë pas kësaj, ai ka realizuar singlin “That’s All Right” i cili menjëherë është bërë hit. Ai ka marr pjesë në shumë emisione televizive dhe në radio, kurse mënyra e vallëzimit dhe lëvizjet e tij shumë shpejt janë bërë mjaft tërheqëse tek gjinia femrore. Për herë të parë ka debutuar në film në vitin 1956, në filmin “Love Me Tender”. Ai ishte këngëtari i parë, koncerti i së cilit (Aloha from Haëaii në 1973) është transmetuar në më shumë se 40 shtete të botës. Ai ka qenë 14 herë i nominuar për çmimin Grammy, dhe ka fituar tri çmime Grammy për vepër jetësore.

Falë suksesit të madh, Elvis ka fituar miliona, ka shpenzuar shumë, dhe për këtë arsyeje pak para vdekjes kishte bankrotuar. Trashëgimtarja e pasurisë së tij ishte Lisa Marie Prestley./KultPlus.com

86 vjet nga lindja e shkrimtarit Anton Pashku

Më 8 janar të vitit 1937, lindi shkrimtari Anton Pashku, shkruan KultPlus.

Sot është 86 vjetori i lindjes së këtij shkrimtari me emrin e të cili lidhet letërsia bashkëkohore shqiptare.

Bënte pjesë në brezin që hodhi themelet e prozës shqiptare në letërsinë shqipe në Kosovë, së bashku me Adem Demaçin dhe Ramadan Rexhepin.

Anton Pashku është autor pa paramodel në letërsinë shqipe, por njëkohësisht është vetë model specifik, thyes e konsolidues i traditës letrare shqipe. Anton Pashku, specifikisht, është ndër të parët shkrimtarë të letrave bashkëkohore shqipe, i cili veçohet për trajtimin e temave të vogla, rrëfimin prej perspektivave të ndryshme, observimet psikonarrative, shpërfilljen e normave të zakonshme të shkrimit letrar.

Anton Pashku vdiq më 31 tetor të vitit 1995, ndërsa la pas vetës shumë tregime, drama e romane të cilat i mbetën lexuesit shqiptarë më shumë se një kujtim nga shkrimtari i madh./KultPlus.com

Në rrugë

Poezi nga Azem Shkreli

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah më tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?

Jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve,
jam ba lot e kangë,
jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun
majë gurit.

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë ku sosin
fijet e këputuna t’kësaj kange?

Jam ba pre shitimi i syve zjarr,
jam ba bekim e namë,
jam ba zog e re n’krah t’agsholeve t’bardha?

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah m’tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?! /KultPlus.com

Para 413 vjetësh Galileo zbuloi hënat e Jupiterit

Më 7 janar 1610, astronomi italian Galileo Galilei zbuloi, duke përdorur një teleskop shtëpiak, katër hëna që rrotulloheshin rreth planetit Jupiter.

Duke parë atë që ai mendonte se ishin një grup yjesh, ai kuptoi se objektet dukeshin se lëviznin në një model të rregullt. Këto objekte lëviznin në “drejtimin e gabuar”, sipas kuptimit të natyrës në atë kohë. Pas disa javësh, Galileo përcaktoi se ai nuk po vëzhgonte yje, por objekte në orbitë rreth Jupiterit. Sot, katër satelitët më të mëdhenj të Jupiterit – Io, Europa, Ganymede dhe Callisto – quhen Hënat e Galilesë për nder të zbuluesit të tyre.

Zbulimi i Galileos dha prova për të kuptuarit kopernikan të universit (besimi se toka rrotullohet çdo ditë rreth boshtit të saj dhe planetët rrotullohen në orbita rreth diellit), përcjell Klankosova.tv

Kjo ishte ideja se gjithçka që ekzistonte në të vërtetë nuk lëvizte rreth Tokës. Zbulimet e tij çuan në zhvillimin e astronomisë moderne. /KultPlus.com