Grupi i njohur shqiptar “Elita 5” erdhën në tregun shqiptar në fillim të viteve të 90-ta, duke mbetur kështu ndër grupet më të njohura e më të dëgjuara në vendet shqipfolëse, shkruan KultPlus.
Njihen për tekstet e vecanta, ku përmes tyre i këndonin dashurisë, mallit, jetës etj.
Ndryshe, grupi Elita 5 ndër vite kanë sjellë hitet si “Al Kapone”, “Çmendem”, “Çka më ka syri”, “E urrej shiun” e shumë të tjera.
Në vijim, KultPlus ju sjell “Shiu vetëm ty të lagë”, një këngë që ishte dhe vazhdon të mbetet shumë e dashur për publikun shqiptarë e sidomos për adhuruesit e grupit.
Bashkangjitur gjeni videon e këngës./ KultPlus.com
Ministria e Rinisë po vazhdon mbështetjen e organizatave joqeveritare që për mision kanë ngritjen e kapaciteteve të të rinjve në fusha të caktuara.
OJQ “BSC Kosovo” po zbaton projektin “Ndërmarrësi, Inovacione dhe Digjital Marketing” përmes të cilit pjesëmarrësit po mësojnë më shumë rreth përpilimit dhe zhvillimit të një plani biznesi, në fokus të veçantë planin e marketingut për ndërmarrjet e reja. / KultPlus.com
Gjetjet e para të studimit të fizibilitetit drejt Menaxhimit të Integruar të Qendrës Historike të Prishtinës, janë duke u diskutuar nga përfaqësues të MKRS-së dhe MMPHI, Kuvendit të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe OJQ-ve.
Anëtarët e grupit punues po shqyrtojnë analizën mbi gjendjen aktuale të Qendrës nga perspektiva e strukturës urbane, kornizës ligjore dhe kufijve të qendrës historike.
Projekti “Studimi i fizibilitetit dhe plani i menaxhimit për qendrën historike të Prishtinës” synon të integrojë trashëgiminë kulturore në një zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës për të ardhmen e kryeqytetit.
Ai financohet nga MKRS dhe mbështetet nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë. / KultPlus.com
Daut Berisha, mjeshtri i pikturës me një karrierë mbresëlënëse në kryeqendrën botërore të artit, vdiq të hënën e kësaj jave në Prishtinë, ku erdhi së voni, kur iu rëndua gjendja shëndetësore. Ishte 76 vjeç. U varros të mërkurën po në Prishtinë. Kanë qenë familjarët e tij të afërt që e kanë konfirmuar lajmin.
Shkrimtari dhe studiuesi Sabri Hamiti e ka përkujtuar mikun e tij nëpërmjet një poezie të cilën e keni rastin ta lexoni më poshtë:
ZÍ PËR PIKTORIN E MADH E MIKUN E MADH, DAUT BERISHA (1946-2023)
DAUT BERISHA
Ti punëtor i përkohshëm në Paris Me kokë e mjekërr E me këmishë të zezë,
Nga vendlindja bart pezmin Me të cilin zonjave ua prish gjumin E u fal ëndrra të rënda,
Pëlhurat i shtin rrotull nëpër derë E i nxjerr të mëdha sa vetja nëpër dritare Duke trembur stolitë e mureve,
Ky shekull yni s’është i pakufi Dhe ne s’do të jemi gjithherë Pos gjurmëve të lëna nga Vetja në Botë,
Nesër do të shihemi si një Pëlhurë Në të gjitha gjuhët e botës, Libër i hapur i shpirtit e durimit
Të falem për heshtjen e prishur!
(Nga libri poetik “Trungu ilir”, 1979) / KultPlus.com
Daut Berisha, mjeshtri i pikturës me një karrierë mbresëlënëse në kryeqendrën botërore të artit, vdiq të hënën e kësaj jave në Prishtinë, ku erdhi së voni, kur iu rëndua gjendja shëndetësore. Ishte 76 vjeç. U varros të mërkurën po në Prishtinë. Kanë qenë familjarët e tij të afërt që e kanë konfirmuar lajmin.
Daut Berisha u lind më 1946 në Pejë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në Paris. Prej vitit 1973 mori pjesë në ekspozita të përbashkëta më piktorët francezë, sidomos në “Grande Palais” dhe në galerinë “Ires Clert” të Parisit.
“Ekspozoi në Paris (1977, 1979), Mont la Jolie (1979), Nansye (1982) Vale de Bravo, Meksikë (1982), Los Angeles (SHBA)”, shkruhet në biografinë e tij në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”.
Njeriu, portreti qe kryefjalë e vepër së tij. Siç shkruan kritiku Rexhep Goçi, botën reale dhe joreale të njeriut, Daut Berisha në pikturat e tij i ktheu në formësim artistik, herë si dritë fizike dhe herë si rrëfim shpirtëror.
“Në fillim artin e tij e përcolli simbolika e trajtave dhe më vonë pasuria e ngjyrave. Veprat e tij gjenden në shumë koleksione private, galeri e muze”, ka shkruar Goçi. / KultPlus.com
Sot shënohen plot 141 vite nga lindja e shkrimtares së njohur, Virginia Woolf, shkruan KultPlus.
Adeline Virginia Woolf ishte një shkrimtare angleze, e konsideruar si një nga autoret më të rëndësishme moderniste të shekullit të 20-të dhe një pioniere në përdorimin e rrjedhës së ndërgjegjes si një mjet tregimi.
Woolf lindi në një familje të pasur në South Kensington, Londër. Nga viti 1897 deri në 1901, ajo studioi klasikët dhe historinë dhe ra në kontakt me reformatorët e hershëm të arsimit të lartë të grave dhe lëvizjes për të drejtat e grave.
E inkurajuar nga babai i saj, Woolf filloi të shkruante profesionalisht në vitin 1900. Pas vdekjes së babait të saj në 1904, familja Stephen u zhvendos nga Kensington në Bloomsbury ku së bashku me miqtë intelektualë të vëllezërve, ata formuan grupin artistik dhe letrar Bloomsbury. Në vitin 1912, ajo u martua me Leonard Woolf, dhe në 1917, çifti themeloi Hogarth Press, i cili botoi një pjesë të madhe të punës së saj. Ata morën me qira një shtëpi në Sussex dhe u transferuan atje përgjithmonë në vitin 1940. Woolf gjithashtu kishte marrëdhënie romantike me gra, duke përfshirë Vita Sackville-West, e cila gjithashtu botoi librat e saj përmes Hogarth Press. Të dyja letërsia e grave u frymëzua nga marrëdhënia e tyre, e cila zgjati deri në vdekjen e Woolf.
Gjatë periudhës ndërmjet luftërave, Woolf ishte një pjesë e rëndësishme e shoqërisë letrare dhe artistike të Londrës. Në vitin 1915, ajo botoi romanin e saj të parë, ‘The Voyage Out’, përmes shtëpisë botuese të gjysmëvëllait të saj, Gerald Duckworth and Company. Veprat e saj më të njohura përfshijnë romanet: Mrs Dalloway (1925), To the Lighthouse (1927) dhe Orlando (1928). Ajo është gjithashtu e njohur për esetë e saj, duke përfshirë: A Room of One’s Own (1929). Woolf u bë një nga subjektet kryesore të lëvizjes së kritikës feministe të viteve 1970 dhe veprat e saj që atëherë kanë marrë shumë vëmendje dhe komente të përhapura për “feminizmin frymëzues”. Veprat e saj janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë. Një pjesë e madhe e letërsisë i kushtohet jetës dhe veprës së saj dhe ajo ka qenë subjekt i dramave, romaneve dhe filmave. Woolf përkujtohet sot nga statujat, shoqëritë kushtuar punës së saj dhe një ndërtesë në Universitetin e Londrës.
Gjatë gjithë jetës së saj, Woolf ishte i shqetësuar nga sëmundja e saj mendore. Ajo u institucionalizua disa herë dhe tentoi vetëvrasjen të paktën dy herë. Sipas Dalsimer (2004) sëmundja e saj karakterizohej nga simptoma që sot do të diagnostikoheshin si çrregullim bipolar, për të cilin nuk kishte asnjë ndërhyrje efektive gjatë jetës së saj. Në vitin 1941, në moshën 59-vjeçare, Woolf vdiq duke u mbytur në lumin Ouse në Lewes.
“Nuk ndjej asgjë për ty Leonard. Siç ta kam shprehur më parë edhe në formë brutale unë nuk kam kurrfarë tërheqje fizike nga ty. Edhe kur më puthe një ditë më parë, nuk ndjeva asgjë. Isha si gur.”
Kështu i shkruante ajo të shoqit të ardhshëm pas propozimit të tij të dytë, kjo në një periudhë disa vjeçare ku asnjëherë Virxhiniës nuk i kishte shkuar në mendje se ai do ta priste aq gjatë dhe do ta propozonte sërish. Vetëm herën e tretë ajo pranoi të martohet me të.
Edhe sot letërkëmbimet e tyre dashurore janë objekt leximi e diskutimi. Po ashtu vetëvrasja e shkrimtares që ka një fund të makthshëm.
Ajo u takua për herë të parë me Leonard Woolf, përgjatë një vizite tek i vëllai. Ishte viti 1900 kur ai vendosi të njihte këtë grua pas disa letrave me Lytton Stachey, mikun e tij, të cilit Virxhinia i kishte refuzuar propozimin për martesë. Ja çfarë i shkruante Leonard Woolf-it teksa ky i fundit punonte në Seilon: “Ajo është gruaja e vetme në botë me një mendje të ndritur. Është një mrekulli që duhet të ekzistojë. Martohu me të.”
Një dasëm e vogël me pak të pranishëm do të zhvillohej të shtunën e 10 gushtit 1912.
Por jeta e Virxhinias nuk qe aspak e qetë. Krizat nervore që në moshën 22 vjeçare do ta mundoni njëra pas tjetrës prej vdekjes së nënës dhe motrës. Ndërsa vetëm pak vjet më vonë vjen edhe vdekja e të atit.
Lufta e saj me jetën dhe depresionin nuk do të reshtte deri më 28 mars të vitit 1941, ku vendosi t’i jepte fund jetës. Jo shumë larg shtëpisë, në lumin Ouse shkrimtarja vendosi të vetëvritet duke u mbytur në lumë pasi mbush xhepat me gurë. Gurë të rëndë si lotët dhe heshtja e saj.
Në mantelin e Virxhinias disa javë më vonë, Leonardi zbuloi këtë letër:
”I dashur!
Jam e sigurt që po çmendemi përsëri. E ndiej senuk mund të përjetojmë dot përsëri një tjetër çast të tmerrshëm si ato. Dhe këtë herë nuk do të shërohem. Filloj të dëgjoj zëra dhe nuk mund të përqëndrohem. Kështu që po bëj atë që më duket se është gjëja më e mirë për të bërë.
Ti më dhe maksimumin e lumturisë. Ke qenë në çdo rast ai që askush tjetër s’do të kish qenë ndonjëherë për mua. Nuk mendoj se dy njerëz do të kishin qenë më të lumtur nga ne deri sa erdhi kjo sëmundje e tmerrshme. Nuk mund të luftoj më. E di që po ta shkatërroj jetën, se pa mua ti mund të ecësh përpara. Dhe do ta bësh, e di.
E sheh, as këtë letër nuk e shkruaj dot si duhet. Nuk arrij të lexoj. Ajo që dua të të them është se të detyrohem gjithë lumturinë e jetës. Ti ke qënë tërësisht i duruar me mua dhe jashtëzakonisht i mirë.
Dua ta them – të gjithë e dinë. Nëse dikush do mund të më shpëtonte, ky do të kishe qenë ti. Tashmë gjithçka më ka humbur, veç sigurisë për mirësinë tënde. Nuk mund të vazhdoj duke ta shkatërruar jetën.
Nuk mendoj se dy njerëz mund të jenë më të lumtur, nga sa kemi qenë ne të dy.” / KultPlus.com
Sot në 85 vjetorin e lindjes përkujtohet këngëtarja amerikane, Etta James, shkruan KultPlus.
Veç muzikës dhe zërit të mrekullueshëm, emocioneve që u fali mijëra fansave, jeta e saj u shoqërua nga alkooli dhe droga, që shpesh i rrezikuan jetën, por dhe vendosën disa herë përballë me ligjin.
James nisi karrierën në vitin 1950, kur ishte vetëm 14 vjeç me këngën “The Creolettes”, kënduar bashkë me dy këngëtare të tjera. Suksesi i vërtetë i saj mbërriti në vitin 1961, me “At Last”, një këngë blues për të ardhur më pas tek “Tell Mama”, një këngë tepër e famshme që u riprodhua në vitet në vazhdim nga shumë artistë të tjerë.
Etta James fitoi 4 Grammy Award, 17 çmime për Muzikën Blues dhe ishte përfshirë në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 1993. Një prej këngëve të saj më të famshme është “At Last”.
Vdiq në moshën 74-vjeçare. Këngëtarja vdiq në një spital në Kaliforni, ku ishte shtruar prej disa ditësh pasi u diagnostikua me leukemi në fillim të vitit 2011. James do të mbahet mend për këngët e saj soul, rhythm ‘n’ blues dhe jazz.
Zëri i fuqishëm, tokësor i James e mbylli hendekun mes ritmit dhe rock and roll. Ajo fitoi gjashtë çmime Grammy dhe 17 çmime Blues Music. Ajo u fut në Hall of Fame Rock and Roll në vitin 1993, në Blues Hall of Fame në vitin 2001 dhe në Grammy Hall of Fame në të dyja vitet 1999 dhe 2008. Revista Rolling Stone e renditi James numrin 22 në listën e 100 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe numrin 62 në listën e 100 artistëve më të mëdhenj.
Më poshtë KultPlus ua sjell interpretimin e këngës ‘At least’ në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 1993./ KultPlus.com
Alicia Augello Cook e njohur profesionalisht si Alicia Keys, është një këngëtare, kompozitore, pianiste dhe aktore amerikane. Ajo sot feston ditëlindjen e saj të 42-të.
Këngëtarja e famshme Alicia Keys pati dhuruar një performancë të jashtëzakonshme në Grammy më 2019, të cilën sot po e sjellim në vëmendje.
Krahas kësaj, ajo pati moderuar mbrëmjen e edicionit të 61-të të ceremonisë Grammy Awards, duke u bërë gruaja e parë që e udhëheqë Grammy-n.
Ajo për 15 herë radhazi ka fituar çmime Grammy, ndërsa ka mahnitur publikun duke kënduar këngë të dekadave të ndryshme, përfshirë atë të Lauryn Hill’s “Doo Wop (That Thing)”, të Roberta Flack’s “Killing Me Softly With His Song” dhe të Kings of Leon’s “Use Somebody.”
Ajo që e bëri edhe më interesante performancën e saj ishte fakti që jo vetëm këndoi, por njëkohësisht luajti edhe në piano, madje në dy njëkohësisht./ KultPlus.com
Sekretariati i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në Tiranë (RYCO) i ka kërkuar Qeverisë së Serbisë që ta ndërrojë përfaqësuesin rinor të saj në Bordin Drejtues, pasi Jagosh Stojanoviq publikoi një fotografi me një flamurin “s’ka dorëzim”, ku harta e Kosovës ishte mbuluar me flamurin e Serbisë.
“Pas përpjekjeve joformale për të gjetur një zgjidhje javën e kaluar, Sekretariati i RYCO-s ka ftuar zyrtarisht Qeverinë e Serbisë të reagojë dhe të zëvendësojë me efekt të menjëhershëm përfaqësuesin rinor në Bordin Drejtues z. Jagoš Stojanovic. Emërimi i kontestuar i Stojanovic për përfaqësues rinor dhe fotografia kontraverse që ai postoi në mediat sociale janë kundër vlerave thelbësore të RYCO-s dhe nxisin gjuhën e urrejtjes, nga e cila distancohet Sekretariati i RYCO”, thuhet në njoftimin e RYCO-s në Tiranë.
Fotografia e publikuar nga Stojanoviq në Instagram
Kjo zyrë alarmon se Stojanoviq ka cenuar vlerat e ndërtimit të paqes nga një përfaqëssues i Bordit Drejtues të RYCO-s.
“Kjo është thënë edhe në letrën dërguar ministrit serb të Turizmit dhe Rinisë, z. Husein Memiqć, duke thënë gjithashtu se Sekretariati i RYCO-s nuk mund të pranojë kur vlerat tona të ndërtimit të paqes dhe pajtimit cenohen, aq më tepër nga një përfaqësues rinor në Bordin tonë Drejtues. Theksuam se edhe kjo situatë ka treguar se sa e rëndësishme është përmirësimi i procesit të përzgjedhjes së përfaqësuesit rinor në të ardhmen, në mënyrë që të kemi një mekanizëm të unifikuar dhe transparent të pranueshëm si për qeveritë ashtu edhe për të rinjtë”.
Zyra në Tiranë citon statutin e RYCO-s që thotë se përfaqësuesit e të rinjve në Bordin Drejtues zgjidhen ekskluzivisht nga Palët Kontraktuese dhe Sekretariati i RYCO-s nuk ka juridiksion në këtë proces.
Neni 16/3 thotë: “Çdo Palë Kontraktuese do të zgjedhë një përfaqësues të të rinjve duke përdorur mekanizmat e veta në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe demokratike dhe në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile që merret me rininë”.
Në fund të njoftimit thuhet se “Që nga viti 2017, RYCO ka punuar në të gjithë rajonin me të rinj nga të gjitha prapravijat në promovimin e paqes, mirëkuptimit të ndërsjellë, tolerancës dhe respektit, të cilat janë vlerat në të cilat ne besojmë fuqishëm dhe që drejtojnë punën tonë të përditshme. RYCO do të mbetet e përkushtuar për të kundërshtuar të gjitha format e veprimit që nxisin urrejtjen dhe jotolerancën midis të rinjve në Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojë të promovojë frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal”. /Express/ KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një ditë me kuratorin”, me nxënësit e gjimnazit “Mihal Grameno”.
Kuratori i pavijonit u foli nxënësve rreth objekteve të pavijonit të persekutimit komunist.
Kjo veprimtari synon bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe të larta. Kuratorët e Muzeut Historik Kombëtar, organizojnë orë të hapura, ku i flasin brezit të ri për punën e tyre të përditshme dhe ndajnë njohuritë e tyre mbi një temë të caktuar.
“Një ditë me kuratorin” synon të përforcojë bashkëpunimin e muzeut me publikun e gjerë, të rrisë ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore, të evidentojë rolin e kuratorit të një muzeu, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën./atsh/ KultPlus.com
Në syrin tënd ka hyrë arratia që u ep udhë pyjeve: duke u vllazëruar me çdocilin vështrim tëndin ai mbufat sythin, sythin e zi. Përgjatë gjithë gjerësisë së qiellit u shtri qepalla e kësaj pranvere. Përgjatë gjithë gjatësisë së qepallës tendoset qielli, dhe poshtë, nën strehën e sythit pas plorit ecën i Paraamëshueshmi, ecën Zoti. O, ndjeje si kërcet tehu, si cijat duke u prerë pas të gurëzuarit, të qashtrit, të stërlashtit lot.
Numëro bajmet Mblidhe gjithë vrerin e pagjumësisë tënde Dhe shpallmë llogarinë:
Memzi hape sytë ndaj të gdhirë Në orët kur askush nuk të sheh, Vështrimin tënd pata kërkuar Dhe mendimet e tua të fshehta të vesës Në shtëmbat e mia të vagullta Mblodha
Aty ti përftove Emrin tënd të vërtetë; Vetvetja jote u bëre. Fjala ime rrahu me çekiç Arkitraun e heshtjes tënde Dhe tek ti flatroi; Duke dhënë shpirt në rrugë, ty për supesh të përqafi, Dhe ju të vetëm brodhët përmes natës.
Tirana International Film Festival ka hapur thirrjen për aplikim në konkursin ku do të përzgjidhen pjesëmarrësit e TIFF 2023. Afati i aplikimit përfundon në 23 maj 2023.
Konkursi për skenarin ka të bëjë me dorëzimin e skenarëve origjinalë për filma të shkurtër, fiksion apo të animuar, si dhe forma të tjera skenarësh të shkurtër të të gjitha zhanreve (maksimumi 20 faqe), përmes platformës online FilmFreeway.
Ky konkurs nuk synon të gjykojë skenarin më të mirë, por siguron vlerësimin nga partnerët e festivalit, producentë e distributorë të skenarit më të mirë që mund të prodhohet prej tyre. Gjithashtu, shton së tepërmi mundësitë për distribucion të suksesshëm në festivalet më të njohura ndërkombëtare të filmave të shkurtër.
Partnerët e TIFF do të vlerësojnë skenarët fitues me çmimin e distribucionit të “MAILUKI Films” dhe me mundësinë e nënshkrimit të një kontrate prodhimi apo distribucioni.
Nga 84 skenarët e aplikuar në Screenplay ContesTIFF 2022 fituesit ishin: “P” i Stelios Koupetoris nga Greqia dhe “In Your Hands” i Carlo Liberatore nga Italia.
PREMIERE Film Award shkoi për “Among the Living” i Joe Zalias nga Mbretëria e Bashkuar.
Fituesit e Screenplay ContesTIFF 2023 do të shpallen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të TIFF-it në datën 29 shtator 2023.
Të premten, më fillim nga ora 19:00 në Kino Armata mbahet koncerti i Orkestrës Frymore të Prizrenit.
Përmbajtja e koncertit: Musa Piperku, Leonard Deda, Jusuf Gërvalla, Simon Gjoni, Johann Sebastian Bach, Astor Piazzolla, Mark Ronson, Jon Bon Jovi, Pharell Williams.
Dirigjent: Edon RAMADANI
Orkestra Frymore Prizreni është orkestra e parë frymore që është krijuar në qytetin e Prizrenit dhe përbëhet nga muzikantë profesionist nga e tërë Kosova. Ajo është formuar nga vullneti dhe dëshira për të krijuar një orkestër me anë të së cilës i ofrojnë publikut një cilësi më të lartë artistike dhe më të veçantë nga të tjerat.
Është themeluar në vitin 2020 në Prizren, dhe ka për qëllim të fuqizojë marrëdhëniet me komunitete të ndryshme përmes koncerteve dhe projekteve kulturore. Repertuari i orkestrës përmbanë krijime të kompozitorëve botëror dhe vendas të stileve të ndryshme muzikore.
Justin Bieber ka shitur pjesën e tij të të drejtave për muzikën e tij te Hipgnosis Songs Capital për 200 milionë dollarë. Firma tani zotëron aksionet e yllit të popit në disa nga hitet më të mëdha të viteve të fundit, duke përfshirë “Baby” dhe “Sorry”.
Bieber, një nga artistët më të shitur të shekullit të 21-të, i bashkohet një grupi në rritje artistësh që kanë fituar para në katalogët e tyre.
Lëvizja do të thotë që Hipgnosis do të marrë një pagesë sa herë që një këngë që ata zotërojnë luhet në publik.
Kompania, një sipërmarrje prej 1 miliard dollarësh midis gjigantit financiar Blackstone dhe British Hipgnosis Song Management, fitoi të drejtat e autorit të publikimit të Bieber për katalogun e tij të pasëm prej 290 këngësh. Kjo përfshin të gjithë muzikën e tij të lëshuar para 31 dhjetorit 2021 dhe pjesën e shkrimtarit të tij.
Të drejtat e artistit të yllit për regjistrimet e tij kryesore u fituan gjithashtu në marrëveshje.
Hipgnosis nuk i ka bërë të ditur kushtet e marrëveshjes, por një burim i tha agjencisë së lajmeve AFP se kishte vlerë rreth 200 milionë dollarë.
Artistët po shesin gjithnjë e më shumë aksione në punën e tyre për fondet e muzikës, duke përfshirë Justin Timberlake dhe Shakira, të cilët gjithashtu kanë lidhur marrëveshje me Hipgnosis.
Por trendi është më i zakonshëm tek artistët më të vjetër. Në dy vitet e fundit, legjendat e muzikës Bob Dylan dhe Bruce Springsteen i shitën të dy të drejtat e katalogut tek Sony./KultPlus.com
Ekspozitat e çelura nga grupimi i piktorëve “Artistët e Plein Air” kanë arritur në edicionin e tyre të 8-të.
Ekspozita është çelur mbrëmë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur të peizazhit në Shqipëri.
Anëtarët e kësaj shoqate, edhe pse secili me individualitetin e tij krijues që ndjehet për nga këndvështrimi, mjetet shprehëse si dhe nga dashuria për natyrën, janë mbledhur së bashku për të sjellë këtë ekspozitë të veçantë, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.
Në “Plein Air 8” marrin pjesë piktorët Agim Kadillari, Agron Polovina, Buron Kaceli, Kujtim Buza, Pashk Përvathi, Sadik Kasa, Sefedin Stafa, Vangjo Vasili, Xheneta Kadillari e Zaim Elezi. Ata do të ekspozojnë secili nga 4 peizazhe të punuara përgjatë vitit 2022./atsh/ KultPlus.com
Të vëzhgosh lumin prej kohe dhe uji Të kujtosh se koha është një tjetër lum. Për të ditur se ne humbim si lum Dhe fytyrat tona zhduken si uji. Të ndjesh se zgjimi është një tjetër ëndërr Se ëndrra e paëndërr është vetë vdekja Se mishi jonë i friguar është vdekja E çdo natë, që ne e quajmë ëndërr. Të shikosh në çdo ditë dhe vit një simbol Të ditëve të njeriut dhe viteve, Dhe të konvertosh zemërimin e viteve Në muzikë, në zë dhe në një simbol. Të shikosh tek vdekja ëndrrën, tek perëndimi i artë trishtimin – e tillë është poezia E varfër dhe e pavdekshme është. Poezia, Që kthehet herë si lindje e herë si perëndimi. Ndonjëherë muzgu ka një fytyrë Që na sheh nga thellësia e një pasqyre. Arti duhet të jetë kjo lloj pasqyre, Që ne na e zbulon fytyrën. Ata thonë se Uliksi, i lodhur nga mrekullitë, Qau me dashuri kur iu shfaq Itaka, E përvuajtur dhe e gjelbër. Arti është Itaka, Një përjetësi e gjelbër, jo mrekullitë. Ai është gjithashtu si lumi pafund, që rrjedh e rri dhe është pasqyrë e njëjtë te Heraklitit të ndryshueshëm, i cili është i njëjtë dhe prapë ngjan një tjetër, si lumi pafund./ KultPlus.com
Kompozitori amerikan, John Williams bëri histori në Oscars gjatë një nominimi të shpallur sot për partiturën e Steven Spielberg “The Fabelmans“.
Në moshën 90-vjeçare, Williams është tani personi më i vjetër që është nominuar për një çmim Oscar, një rekord që më parë e mbanin tre persona të cilët ishin nominuar në moshën 89-vjeçare, kostumografja e “Ma Rainey’s Black Bottom“, Ann Roth; skenaristi i “Call Me by Your Name“, James Ivory; dhe regjisorja e “Faces Places” Agnès Varda.
Nëse Williams fiton, ai do të bëhet fituesi më i vjetër në të gjitha kategoritë e Oscar. Ivory, i cili fitoi Oscar për skenarin e përshtatur për “Call Me by Your Name” në 2018, aktualisht mban rekordin në moshën 89 vjeçare; Williams pritet të mbushë 91 vjeç deri më 12 mars, data e ceremonisë së këtij viti.
Williams, i cili u nominua për një çmim Oscar për herë të 53-të, është personi i gjallë me më shumë nominime për Oscar. Ai është gjithashtu personi i dytë më i nominuar në historinë e Oscars, pas Walt Disney, me 59 nominime, dhe i vetmi person që është nominuar ndonjëherë për një Oscar në shtatë dekada të ndryshme.
Williams dhe Spielberg, të cilët u takuan në vitin 1972, kanë punuar së bashku për më shumë se 50 vjet./KultPlus.com
Një ekip ndërkombëtar studiuesish kanë zbuluar pesë meteorë të rinj në Antarktidë, duke përfshirë një nga më të mëdhenjtë të gjetur ndonjëherë në kontinent. Meteori i rrallë është sa një pjepër por peshon 7.7 kilogramë dhe është dërguar në Institutin Mbretëror të Shkencave të Natyrës në Bruksel.
Maria Valdes, një shkencëtare hulumtuese në Muzeun Field të Historisë Natyrore të Çikagos dhe Universitetin e Çikagos, e cila ishte pjesë e ekipit ndërkombëtar të ekspeditës, ka mbajtur disa nga materialet për analizën e saj. Zona e fokusit të Valdes është kozmokimia.
Kjo “gjerësisht do të thotë se ne përdorim meteoritët për të studiuar origjinën dhe evolucionin e sistemit diellor përmes metodave kimike”, tha ajo për CNN. Ajo do të marrë mostrat dhe do të përdorë acide të forta për t’i tretur ato përpara se të përdorë procesin kimia e kalibruar për të izoluar elementët që përbëjnë shkëmbin.
“Më pas mund të filloj të mendoj për origjinën e këtij shkëmbi, si evoluoi me kalimin e kohës, nga cili lloj trupi prind erdhi dhe ku në sistemin diellor u formua ai trup prind,” tha Valdes. “Këto janë pyetjet e mëdha që ne përpiqemi t’i adresojmë.“/abcnews.al/ KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë vijon të mbetet një prej atraksioneve kulturore dhe historike më të vizituara në kryeqytet.
Në 2022 ky muze mirëpriti 55,306 vizitorë. Shifrat e vizitorëve janë bërë të ditura në një postim në rrjetet sociale të Muzeut Historik Kombëtar.
Muzeu bën të ditur se, “gjatë 2022 numri i vizitorëve ishte 55,306, ose 230% më shumë vizitorë në total në krahasim me vitin 2021, ku numri i tyre ishte 16,757. Në krahasim me vitin 2020 është 893% më shumë vizitorë, ku numri i tyre ishte 5,571”.
Gjatë këtij viti në muze janë organizuar edhe veprimtari përkujtimore për historinë e vendit, si dhe konferenca të mirëfillta shkencore.
Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.
Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit), si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve./atsh/ KultPlus.com
Në shenjë të 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë së shkrimtarit Ibrahim Kadriu, Shtëpia Botuese “Faik Konica” ka botuar kompletin me dhjetë vepra të shkrimtarit Kadriu, për të cilën do të organizohet edhe një mbrëmje letrare në KultPlus Caffe Gallery.
“Kohë e varur në litar”, “Kroi i ilaçit”, “Kalorësi i Karadakut”, “Në vajhall”, “Kapërcimi i ujit të madh”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Varri i shitur në Damask” dhe “Ata dy të burgjeve”, janë titujt e librave, për të cilat do të flasin Anton Berisha, Nazmi Rrahmani, Elvi Sidheri dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu. Ejani dhe bëhuni pjesë e kësaj mbrëmje të veçantë letrare, mbrëmje që do të shoqërohet edhe me tinguj të muzikës dhe me verë. Kjo mbrëmje mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.
Mbrëmja letrare me Ibrahim Kadriun do të fillojë në ora 19:00 në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, të mërkurën më 25 janar./ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka prezantuar në rrjetet sociale një tjetër përfitues të Bonusit të Rijetësimit.
“Bonusi i Rijetësimit ka mbërritur edhe në Kaninë, ku Kujtim Hamzaraj, falë kësaj mbështetjeje po restauron shtëpinë, të cilën do ua trashëgojë pasardhësve, si gjyshërit ia trashëguan atij”, shkruan ministrja Margariti.
Pronari i banesës që po restaurohet tha se shtëpia ishte shumë e vjetër, rreth 200-vjeçare. Herën e fundit ajo ishte restauruar në vitet ’83-’84, por tashmë duheshin bërë sërish rregullime, sidomos në pjesën e çatisë që pikonte.
Kujtim Hamzaraj falënderoi Ministrinë e Kulturës për ndihmën pasi vetë e kishte të pamundur të kryente restaurimet e nevojshme.
Nga fondi prej 100 milionë lekësh i Bonusit të Rijetësimit, përfituan 40 aplikantë. Kjo nismë e Ministrisë së Kulturës do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2023, me një buxhet më të madh
Përkujtohet sot ditëlindja e 88-të e aktorit Skënder Sallaku, “Artist i Popullit” i ndarë nga jeta shkurtin e vitit 2014.
Artisti Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 25 janar 1935. Që në fëmijëri të hershme ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin e humorit. Njëkohësisht Sallaku me të njëjtin pasion iu përkushtua edhe sportit të mundjes klasike, ku koleksionoi edhe titullin “Kampion Kombëtar”.
Aftësitë e tij sportive do t’i shërbenin edhe në skenë, pasi në vitin 1956 ai u emërua si aktori i parë akrobat pranë Teatrit të Estradës dhe Varietesë së Tiranës, duke u bërë pjesë e trupës profesioniste të atij institucioni. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fizkulturës ai ndoqi edhe një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit.
Karriera e artistit zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, ku falë aftësive të tij të shkëlqyera plastike, pantomimike etj., interpretoi në më tepër se 1000 role në skenë dhe ekran, të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë.
Disa nga interpretimet e tij më të njohura janë në shfaqjet: “Gaz dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” e shumë e shumë të tjera. Ndërkohë ai luajti edhe në ekranizimin e materialeve komike si në filmat: “Kur hiqen Maskat”, “Estrada në ekran”, etj., ku ai gjithashtu do të tregonte nivele të larta interpretimi. Për këto arsye artisti Skënder Sallaku gjatë karrierës u vlerësua me shumë çmime si: “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”.
Artisti Skënder Sallaku u nda nga jeta më 11 shkurt 2014 në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme prej së cilës ai vuajti për disa vite, por megjithatë gjente forcën të angazhohej dhe të ishte aktiv me mënyrën e tij, që ishte shkrimi i materialeve komike. /ata/ KultPlus.com
Më 25 janar 1925, lindi Eleni Qirici, balerina e parë, aktorja dhe akrobatja shqiptare, e cila debutoi me sukses të madh në skenat e Evropës, Australisë dhe Shteteve të Bashkuara te Amerikës, shkruan KultPlus.
Karriera e saj filloi në një moshë mjaft të re. Gjatë turit të saj të parë në Itali ajo bëri disa shfaqje sensacionale ku morën pjesë personalitetet më të larta dhe familja mbretërore. Fama që ajo fitoi gjatë këtij turneu, i dha asaj kontratën e dytë në Francë, që u konsiderua si qendër e artit botëror.
Eleni Qirici është personi i parë që shkoi dhe shkëlqeu në Hollywood, duke u bërë e njohur në mbarë Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1938, së bashku me prindërit e saj, ajo erdhi në Shqipëri ku dha disa shfaqje në Korçë, Tiranë dhe vende të tjera. Për më tepër ajo është koreografja e parë që organizoi trupën e parë shqiptare të baletit.
Nuk kish si të ndodhte ndryshe, Elena Qirici bijë e dy bashkëshortëve artistë, domosdoshmërish do të ecte në rrugën e prindërve, aq më tepër që ende foshnje, ishte përkundur në gjumë, qe zgjuar mëngjeseve e lodruar gjatë ditës nën tingujt e kitarës e të këngëve, që aq mrekullisht i luanin dhe i këndonin enkas për të bijën, çifti Vasil e Rudi Qirici. Fill pas këtij suksesi, prindërit e saj menduan, që në këtë rast shkollimi për vajzën e tyre ishte më se i domosdoshëm. Dhe kështu një vit më pas më 1936, Elena nis studimet në Vjenë. / KultPlus.com