Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë, nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë! Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças, Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka! Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe, gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit, ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit! Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri, dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!
Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet; hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve; Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole, ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!
Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion, ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”! Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’ gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’ dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’, në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!
Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur, ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur; dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’, ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar! Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh, kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!
E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde, mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde. Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh, të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!
Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet! Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!
Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe, më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!” Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët, sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët! As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet… Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!
Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira, ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira! Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri: te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar, dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’ Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!
Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe, dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe… kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar, nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!
Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera… Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve, koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!
Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut, fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut! Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri, mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri, dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura, kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!
Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë, bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë… Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë. Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!
Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë, ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj, nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!
A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’ nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror, ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur, Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!/KultPlus.com
Konkursi kombëtar “Gjuha jonë sa e mirë“, nismë e Radio Televizionit Shqiptar në bashkëpunim me MAS, çel sot premierën, ekskluzivisht në ekranin e RTSH Shkollë.
Me pjesëmarrjen e 52 shkollave nga e gjithë Shqipëria, ky rrugëtim i të rinjve të klasave të nënta, përballë njëri tjetrit, premton jo vetëm njohuri të reja por edhe argëtim e zbavitje.
Të parët në garë, plot emocione dhe të vendosur për të përfaqësuar denjësisht qytetet e tyre, vijnë shkollat 9 vjeçare: “Gjergj Kastrioti”, Lezhë; “Branko Kadia”, Shkodër ;”Migjeni” Pukë-Fushë Arrëz dhe “ALI Podrimja”, Tropojë
“Gjuha jonë sa e mirë”, nga sot, vjen çdo të martë dhe të enjte 17:00 në RTSH Shkollë/ KultPlus.com
Boksierja e Kosovës Donjeta Sadiku me një video mesazh i është drejtuar Qeverisë së Indisë që të rishqyrtojë vendimin për dhëninen e vizës për pjesëmarrje në garat e boksit, ku sipas saj, i është bërë e padrejtë, shkruan KultPlus.
Ajo ka bërë thirrje që ti bashkohen edhe të tjerët në këtë thirrje publike.
Më poshtë është videoja e Donjeta Sadikut./ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) e Kosovës ka organizuar ceremoni për dhënien e shpërblimit shtetëror për boksieren Donjeta Sadiku (foto) e cila fitoi medalje të bronztë në Kampionatin Botëror të Boksit të Femrave që u mbajt në Stamboll. ( Erkin Keçi – Anadolu Agency )
I pyetur për vendndodhjen e pikturave, ai thotë: “Ishin falsifikime, i shita 150 euro në pazarin e plaçkave”. Ai nuk ka zbuluar bashkëpunëtorin e tij, shtetas shqiptar.
Në tetor 2020, pati ndodhur një vjedhje në Weinfelden në Thurgau. Dy persona kishin hyrë në një vilë dhe po kërkonin sende me vlerë, transmeton albinfo.ch. Por puna nuk shkoi siç ishte planifikuar: pronari i shtëpisë u kthye për habi, në shtëpi.
Ata pasataj kanë vepruar me shpejtësi dhe e kanë mbërthyer 80-vjeçarin. Siç shkruan “Thurgauer Zeitung”, njëri prej të dyve ka kërcënuar pronarin. Nëse nuk do të tregonte se ku i ruante pikturat e Pikasos, ai do t’i priste veshin.
Pasi gjetën atë që kërkonin, të dy u larguan nga shtëpia, duke e lënë pronarin të lidhur. Grabitësit vodhën sende me vlerë prej 75,000 CHF.
Njëri nga të dy, me shtetësi të dyfishtë kosovare dhe serbe, tani ndodhet para Gjykatës së Qarkut Weinfelden. Ai qe arrestuar në një tjetër vjedhje në dhjetor të vitit 2021, përcjell albinfo.ch. Një gjurmë e ADN-së kishte vërtetuar përfshirjen e tij në vjedhjen e pikturave të Pikasos.
Në gjykatë ai pranoi se kishte hyrë në vilë. Por ai e kishte bërë këtë nga nevoja: kishte humbur kursimet duke luajtur poker dhe nuk dinte si të udhëtonte për në atdheun e tij.
“Ne kishim frikë për jetën tonë sepse kishte armë të shumta në atë shtëpi,” thotë ai. Prandaj ai dhe shoku i tij e kishin lidhur plakun. Ai nuk dëshiron të tregojë emrin e kolegut të tij shqiptar, përndryshe do të vritej.
I pyetur për vendndodhjen e pikturave, 37-vjeçari pohon: “Ishin falsifikime, i shita 150 euro në pazarin e plaçkave”.
Por gjykata nuk është bindur nga deklaratat e tij. Kështu, ai u dënua me katër vjet e gjysmë burg efektiv. Kosovarit gjithashtu i është shqiptuar masa e dëbimit nga vendi për dhjetë vjet, transmeton albinfo.ch. Ai duhet të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore dhe 25680 franga të tjera./albinfo.ch
“Veshët më zhurmojnë vazhdimisht, ditë e natë. Mund të them se bëj vërtet një jetë vetmitare. Prej gati 2 vjetësh kam shmangur çdo lloj shoqërie, pasi nuk u them dot njerëzve se jam i shurdhër. Nëse do të ushtroja ndonjë profesion tjetër do të ishte më e lehtë. Por me profesionin tim kjo është një fjali e tmerrshme!”.
Ishte 29 qershori vitit 1801 dhe Ludwig van Beethoven ishte përtokë me moralin. “Për t’ju dhënë një ide për këtë shurdhim të çuditshëm, do t’ju them se në teatër detyrohem të ulem pikërisht pranë orkestrës për të kuptuar aktorët. Tonet e larta të instrumenteve dhe të këngëtarëve, nëse janë pak më larg, nuk i dëgjoj më”- i shkruante përmes një letre nga Vjena mjekut Franz Wegeler, miku i viteve të rinisë në Bon.
“Gjatë diskutimeve është për t’u habitur që ka njerëz që nuk e kanë vënë re kurrë shurdhërinë time. Duke pasur parasysh reputacionin tim si njeri mendjemadh, shumëkush më cilëson si të tillë dhe jo si një njeri që nuk dëgjon. Ndonjëherë mezi dëgjoj dikë që flet me zë të ulët. Unë i perceptoj tingujt, por jo fjalët; e megjithatë nuk duroj kur dikush bërtet. Se çfarë do të ndodhë tani, këtë e di vetëm Zoti”- shton më tej ai.
Për të tjerat nuk mund të ankohej. “Kompozimet më garantojnë shumë të ardhura, dhe mund të them se marr më shumë porosi sesa mund të arrij t’i kryej. Për më tepër, për çdo vepër mund të llogaris 6 apo 7 botues, ose edhe më shumë nëse dua. Ata nuk debatojnë më me mua. Unë caktoj një çmim dhe ata bëjnë pagesën.
Nëse shoh një mik në vështirësi, dhe gjendja e financave nuk më lejon që ta ndihmoj në moment, më mjafton të ulem në tryezë të kompozojmë diçka, dhe kështu jam gjendje ta ndihmoj. Jetoj i zhytur në muzikën time dhe sapo e përfundoj një pjesë, nis të kompozoj një tjetër. Me ritmin që kompozoj tani, nxjerr shpesh 3 ose 4 vepra në të njëjtën kohë. Por ai demoni xheloz, shëndeti im i keq, më ka penguar shumë në punët e mia”.
Dhimbje të forta barku, kapsllëk, diarre… Një sfilitje e vazhdueshme. Ndaj artisti iu nënshtrua trajtimeve që i sugjeruan mjekët, ilaçe, masazhe tek veshësh me çaj dhe vajra të ndryshme, banjot në lumin Danub…. Por që të gjitha më kot. Vit pas viti, shëndeti i tij po vinte duke u përkeqësuar.
“Testamenti i Heiligenstadt dhe fletoret e bisedave të Ludwig van Beethoven”, është përkthyer në italisht për “Einaudi” nga muzikologu Sandro Cappelletto, tashmë autor i një biografie të kompozitorit të madh. Ai rindërton hap pas hapi tragjedinë e madhe të jetës së kompozitorit.
Sepse siç shprehej dikur poeti i famshëm italian Giacomo Leopardi (vetë me aftësi të kufizuara) “aftësitë e mrekullueshme që fitojnë të shurdhërit, të verbërit, të lindur apo paaftësuar gjatë jetës, janë një tjetër provë e madhe se sa shumë janë aftësitë tona dhe ato të të gjallëve burojnë nga rrethanat dhe zakonet; dhe sa e zhvilluar, e modifikueshme, e urtë, e palodhshme, e përputhshme është natyra njerëzore” duke fituar “thellësinë e të menduarit, në mësimin e muzikës dhe praktikimin dhe kompozimin e saj”.
Dhunti të jashtëzakonshme do të thoshte edhe Papa Françesku, nga “arkivoli ku ishin mbyllur”, por me çmimin e vështirësive, poshtërimeve dhe dhimbjeve. “Syzet që mbante Beethoven për shkak të miopisë i vareshin vazhdimisht nga hunda” shkroi Gerhard vonBreuning, mjek dhe djali i një miku të fëmijërisë së Beethoven.
Xhepat e palltos i rëndonin gjithmonë, sepse përveç shamisë që varej shpesh në njërën anë, ai mbante në to një fletore të palosur për notat muzikore, dhe një fletore së bashku me një laps për të komunikuar me miqtë dhe të njohurit që takonte por edhe një bori akustike.
Duke mos e humbur shpresën ai i shkroi sërish mikut të tij Wegeler në lidhje me studimet e shkencëtarit bolonjez Luigi Galvani, i cili kishte studiuar organet e dëgjimit të zogjve dhe mundësinë e shërimit të shurdhim përmes tkurrjes së një muskuli të stimuluar nga rryma elektrike.
“Quhen ndryshe edhe mrekullitë e galvanizmit, ju si mendoni? Një mjek në Berlin më tha se kishte parë një djalë shurdhmemec të rifitonte dëgjimin. Po ashtu një burrë që kishte 7 vjet që nuk dëgjonte…” A ishte vërtet e mundur? Në fakt ishin ëndrra të ndaluara.
I tillë ishte fati i tij: i izoluar në heshtje. Një vetmi e prishur vetëm nga momentet e pushimit, si pas takimit me Giulietta Guicciardi, 17-vjeçares që i kishte dhënë disa mësime pianoje në vitin 1801 dhe i kishte kushtuar sonatën “Al chiaro di luna”.
“Tani jeta ime është bërë më e këndshme sepse unë takoj më shumë njerëz. Nuk e imagjinon dot ndjesinë e zbrazëtisë dhe trishtimit që më ka shoqëruar këto 2 vitet e fundit. Dëgjimi i dobët me përndiqte gjithandej si fantazme, ndaj u distancova nga njerëzit. Mund të ju jem dukur një mizantrop, dhe unë jam në fakt paksa i tillë, dhe këtë ndryshim e ka sjellë një vajzë e dashur, simpatike, që më do dhe që unë e dua. Këto janë të vetmet momente të lumtura në 2 vitet e fundit, dhe është hera e parë që ndjej se martesa mund ta bëjë të lumtur njeriun. Mjerisht ajo nuk i përket shtresës sime shoqërore…”.
Ajo ishte fisnike, ai jo. Pra ai ishte një i burgosur i shurdhimit, i paragjykimeve, i dyshimeve se mos ishte sëmurë edhe nga tuberkulozi… Derisa ndjeu një ide që i gumëzhinte në kokë, së cilës do t’i kthehej disa herë. Dhe e përshkroi atë në “Testamentin e Heiligenstadt” të vitit 1802 drejtuar dy vëllezërve Karl dhe Johan.
Ai u gjet vetëm pas vdekjes së tij, 25 pesë vjet më vonë. 892 fjalë të shkruara me sa duket me një frymë, me 48 presje, 21 pikëpresje dhe asnjë pikë. Aty një gjeni kaq i brishtë dhe i palumtur shprehej: “Është e pamundur që unë të kem lehtësim në shoqërinë e njerëzve. As bisedat e nivelit e lartë, as zbulimet e ndërsjella. Unë mund ta frekuentoj shoqërinë e tyre vetëm kur e kërkojnë nevojat më urgjente. Jam i detyruar të jetoj si një mërgimtar. Nëse i afrohem një shoqërie njerëzish përjetoj ankth të tmerrshëm, pasi kam frikë të ekspozohem ndaj rrezikut të zbulimit të gjendjes time.
Kështu ka qenë edhe gjatë këtyre 6 muajve të fundit që kalova në fshat, duke ndjekur këshillën për ta kursyer sa më shumë dëgjimin, që ma dha mjeku im i mençur, e cila e ka përmbushur prirjen time të tanishme natyrore. Edhe pse ndonjëherë i prekur nga dëshira për shoqëri jam shtyrë që ta frekuentoj atë, por çfarë poshtërimi nëse dikush afër meje dëgjonte tingullin e largët të një flauti, dhe unë nuk dëgjoja asgjë.
Apo nëse dikush dëgjonte një bari të këndonte, dhe unë sërish nuk dëgjoja asgjë. Këto episode më zhysnin në dëshpërim. Isha në prag të vetëvrasjes. Por ishte vetëm arti që më mbajti në jetë. M’u duk e pamundur të largohesha nga kjo botë, para se të kisha realizuar plotësisht atë që ndihesha i aftë të bëja. Kështu e zgjata këtë jetë të mjerë…”. / “Corriere della Sera” – Bota.al / KultPlus.com
I ndaluar në vitin 1930, ai fitoi 4 Oscar në 2023. Fabula e filmit “All Quiet on the Western Front” bazohet në bestsellerin e vitit 1928 me të njëjtin emër nga romancieri gjerman Erich Maria Remarck dhe u karakterizua nga momenti i parë që u publikua në Netflix, një nga filmat më të mirë kundër luftës të realizuar ndonjëherë.
Në çmimet e 95-të të Akademisë Oscar, filmi mori 9 çmime, për filmin më të mirë, skenarin e adaptuar, muzikë, kinematografi, skenografi, film në gjuhë të huaj, efekte vizuale, tingull, flokë dhe grim. Filmi fitoi Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj, kinematografi, skenografi dhe muzikë.
Historia tregon rrëfimin tronditës të një ushtari gjerman 17-vjeçar në Frontin Perëndimor të Luftës së Parë Botërore dhe sesi euforia fillestare e luftës kthehet në dëshpërim dhe frikë ndërsa ushtarët luftojnë për jetën e tyre dhe njëri-tjetrin në llogore.
Filmi i vitit 1930
Filmi u drejtua nga Lewis Milestone dhe luajti Lew Ayres, Louis Vollheim dhe John Ray. Versioni origjinal i filmit i vitit 1930 i bazuar në librin ishte i ndaluar në Gjermani në atë kohë. Në dhjetor të të njëjtit vit, Salla Mozart në Berlin priti një shfaqje të dytë të filmit, ndërkohë që romani ishte bërë tashmë një bestseller ndërkombëtar.
Por kur filloi filmi, lideri nazist dhe një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të Adolf Hitlerit, Joseph Goebbels, dërgoi një grup ekstremistësh në sallë, duke përhapur panik. Duke iu referuar ngjarjes në ditarin e tij më vonë, Goebbels shkroi: “Brenda dhjetë minutash, kinemaja dukej si një azil të çmendurish”.
Fuqia në rritje e partisë naziste dhe Këshilli i Lartë i Censurës i Gjermanisë e ndaloi filmin. Dobësia njerëzore e treguar nga ushtarët gjermanë në film ishte diçka me të cilën nazistët nuk ishin dakord, pasi ata e karakterizuan librin si jopatriotik. Ekziston gjithashtu një teori që nazistët besonin se autori gjerman Erich Maria Remarque ishte hebre.
Remarque u largua nga Gjermania një ditë pasi Hitleri erdhi në pushtet në janar 1933. Mëria e nazistëve ndaj shkrimtarit nuk u ndal me kaq, pasi ata kapën në mënyrë tragjike dhe ia prenë kokën motrës së tij Ilfriede Solz.
Më shumë se 10 vjet pas përfundimit të luftës, Remarque kujtoi shfaqjen e ndërprerë të filmit, duke shkruar për grupin që kishte sulmuar sallën:”Asnjë prej tyre nuk ishte më i madh se 20 vjeç, asnjëri prej tyre nuk e dinte se 10 vjet më vonë, ata do të ishin në një luftë dhe shumica prej tyre do të kishin vdekur para se të arrinin të 30-at.”
Filmi i vitit 2022
“All Quiet on the Western Front ” u publikua në Netflix më 28 tetor 2022. Regjisor është Edward Berger me përvojë, duke pretenduar për filmin Oscarin e parë të karrierës së tij.
Felix Kammerer, Albrecht Siuk, Daniel Brühl, Sebastian Hulk, Aaron Hilmer, Edin Hasanovich dhe David Strizov japin interpretimet e tyre më të mira në një film që është një kujtesë e fuqishme e tmerreve të luftës dhe kostos njerëzore të konfliktit, duke paralajmëruar gjithashtu rreziqet e fashizmit dhe rëndësisë së rezistencës ndaj urrejtjes dhe shtypjes.
93 vjet më vonë, historia arriti t’i tregojë të gjithë botës dhe të fitojë çmimet Oscar./Gazeta Tema / KultPlus.com
Dita e Verës erdhi hareshëm sot në kryeqytet dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) nuk ngurroi t’i bashkohej festës.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Promovimit të Qytetit, bashkia Tiranë, DPA-ja ka prezantuar një ekspozitë fotografike, e cila shpalos pamje nga festimet e zhvilluara në Tiranë me rastin e Ditës së Verës dhe të festave të ndryshme.
Në shesh, në pikëtakimin e organizimeve të shumta për këtë ditë festive, dashamirës të artit dhe të kulturës, si edhe qytetarë të shumtë, patën mundësinë të vrojtonin imazhe nga kryeqyteti, nga aktivitete shoqërore (mbjellje fidanësh), nga zhvillimi i karnavale të vitit 1922, nga festime të ndryshme me veshje tradicionale, si edhe nga lojërat e mbajtura.
Mes të pranishmëve, gjendej edhe muzikanti Rik Buneci, i biri i një prej protagonistëve të fotove të përzgjedhura, Stavri Bunecit.
Ky aktivitet vjen në kuadër të angazhimit të pandërprerë të DPA-së në promovimin e pasurisë dokumentare dhe fotografike të kombit. /atsh / KultPlus.com
Sot bëhen pesë vite prej se Stephen Hawking, një prej fizikanëve më të njohur në botë, dha frymën e fundit. Ai vdiq në moshën 76-vjeçare në shtëpinë e tij në Cambridge.
Anglezi ishte i njohur për punën e tij me vrimat e zeza dhe relativitetin, po ashtu ka shkruar disa libra të njohur shkencor duke përfshirë “Një histori e shkurtër e kohës”.
Në moshën 22-vjeçare mjekët i kishin dhënë vetëm disa vite jetë, pasi u diagnostikua me një sëmundje të rrallë nervore. Sëmundja e la atë në karrocë me rrota dhe po thuajse të pa aftë për të folur.
Hawking gradualisht kishte humbur përdorimin e dorës së tij, dhe me 2005 ai filloi të kontrollojë pajisjen e tij të komunikimit me lëvizjet e muskujve të faqeve, me një normë prej rreth 15 fjalë për minutë.
Stephen William Hawking, u lind më 8 janar të vitit 1942 në Oksford, Britani e Madhe dhe ishte një prej fizikanëve teorik më te njohur në botë.
Ai ishte astrofizikan dhe që nga viti 1979 pronar i katedrës lukasiane dhe profesor matematike në Universitetin e Kembrixhit, detyrë që mbahej dikur nga Isak Njutoni. / KultPlus.com
Ish-kryeministrja britanike Theresa May do të publikojë një libër lidhur me abuzimin me pushtetin, në një seri skandalesh politike, sipas raporteve.
Deputetja konservatore thuhet se do të përshkruajë në libër edhe fatkeqësitë në Hillsborough dhe Grenfell Tower, si dhe rastin Daniel Morgan në një publikim të ardhshëm letrar.
May ishte në detyrë në kohën e zjarrit në Grenfell dhe ishte e përfshirë në krijimin e një paneli për të shqyrtuar vrasjen e pazbardhur të Morganit, ndërsa ajo shërbente si sekretare e Brendshme në 2013.
Libri është blerë nga kompania botuese ”Headline” dhe është planifikuar të botohet në vjeshtë, sipas ”The Bookseller”.
I titulluar ”Abuzimi i Pushtetit” (”The Abuse of Power”), ai përshkruhet si “një ekspozim i zjarrtë i padrejtësisë dhe një thirrje e fortë për të ushtruar pushtetin për të mirën më të madhe”.
Në përmbledhjen e librit thuhet se “si kryeministre për tre vjet dhe sekretare e Brendshme për gjashtë vjet, Theresa May u përball me një sërë çështjesh në të cilat shpërdorimi i pushtetit çoi në rezultate shkatërruese për individët dhe dëmtoi ndjeshëm reputacionin dhe besimin në institucionet publike dhe politikanët”.
“Nga tragjeditë e Hillsborough dhe Grenfell, tek çështja Daniel Morgan dhe skandalet parlamentare, të fuqishmit zgjodhën vazhdimisht të përdorin pushtetin e tyre jo në interes të të pafuqishmëve, por për t’i shërbyer vetes ose për të mbrojtur organizatën të cilës i përkisnin”, shtohet në të.
Ish-kryeministrja argumenton për një rishikim radikal në mënyrën se si i qasemi politikës dhe jetës publike.
May thotë se “kur qëndrova në shkallët e Nr. 10 si kryeministër për herë të parë, tregova vendosmërinë time për të luftuar padrejtësitë dhe për të qeverisur jo për të fuqishmit, por për njerëzit. Gjatë periudhës sime në qeverisje, kam parë institucionet publike duke abuzuar me pushtetin e tyre duke kërkuar të mbrohen përballë sfidave në vend që të kërkojnë të vërtetën”.
“Këto ishin organet, detyra e të cilëve ishte të mbronin publikun, por ata kërkuan të mbroheshin”, thekson ajo.
“Demokracia jonë varet nga besimi i njerëzve në institucionet e tyre publike dhe politikanët. Jam e kënaqur… që po botoj këtë libër që tregon se si ky besim është gërryer me kalimin e kohës dhe pse duhet të veprojmë”, shton May./ atsh / KultPlus.com
Në kuadër të projektit për hartimin e Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës, do të mbahet takim me qytetarët dhe njëherit do të hapet një ekspozitë, ka njoftuar MKRS, përcjell KultPlus.
Takimi me qytetarët ka për synim identifikimin e shënjuesve të rëndësishëm në qytet, në lagjen tuaj dhe në komunitetin tuaj.
Ekspozita e fotografive do të shpërfaqë zhvillimin e qytetit ndër vite, shpërndarjen hapësinore në bazë të funksioneve të rëndësishme për kohën dhe marrëdhënien e njerëzve me mjedisin fizik.
Takimi dhe ekspozita do të jenë të hapura për të gjithë, të hënën me 20 mars 2023, nga ora 10:00 deri në orën 17:00, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, në Prishtinë.
Ky projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës. / KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas, ngjarje kjo që konsiderohet ndër më të rëndësishmet të vitit në këto 10 vitet e fundit.
KultPlus ju sjell fjalimin e plotë të presidentes:
E nderuar Ambasadore Soderberg,
E nderuar Zeinah Salahi, udhëheqëse e USAID-it,
E nderuara znj. Stocker, udhëheqëse e Swiss Development Corporation,
E nderuar zëvendëskryeministre,
Të nderuara deputete,
Të nderuar kryetarë komunash,
Shumë të dashura vajza e gra dhe të gjithë ju të pranishëm sot,
Ju faleminderit për ftesën, për një prej ngjarjeve më të rëndësishme të vitit në këto 10 vitet e fundit, sepse gjithnjë është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jemi pjesë e Javës së Gruas, dhe natyrisht këtu është momenti që t’i falënderojmë ato që e filluan këtë ngjarje, Grupin e Grave Deputete, të cilat të inspiruara nga ikona e lirisë dhe pavarësisë sonë, zonja Madeleine Albright, ecën përpara drejt fuqizimit të grave dhe vajzave dhe përgjatë këtij rrugëtimi vazhdimisht kishim mbështetjen e NDI, kështu që faleminderit edhe një herë!
Instituti Demokratik Kombëtar të cilin të gjithë e njohim si NDI sot shënon një kapitull të rëndësishëm në historinë e veprimit dhe punës në Republikën e Kosovës. Ky është një vit jubilar për një prej ngjarjeve më të rëndësishme vjetore në vendin tonë. U bënë 10 vite me Javën e Gruas; ngjarje kjo e cila ka vlera të çmuara për kontributin e pashembullt në avancimin e pozitës së gruas dhe promovimin e barazisë gjinore në jetën publike në vend. Për punën e palodhshme, për ambicien dhe përkushtimin e pashoq, Ambasadores Soderberg, stafit të NDI, Grupit të Grave Deputete por të gjithë atyre të tjerëve që kontribuuan ndër vite, u jemi vërtet shumë mirënjohës.
Të nderuar të pranishëm,
Diversiteti, barazia dhe gjithëpërfshirja qëndrojnë në themelet e një demokracie që frymon me shpirtin e barazisë. Duke u nisur nga këto premisa dhe duke punuar për t’i jetësuar ato ne i rrisim gjasat për t’u afruar gjithnjë e më afër ndërtimit të një demokracie të qëndrueshme.
Por në qendër të çdo veprimi është aktivizmi qytetar – janë vet qytetarët. Pra, demokracia është një rezultat i angazhimit të gjithmbarshëm shoqëror. Nëse tentojmë ta zbërthejmë në copëza, demokracia është një tërësi e veprave individuale të cilat kontribuojnë në ndërtimin e së mirës kolektive dhe e cila me mbështetjen e duhur institucionale arrin të përkthehet në promovim të vazhdueshëm të vlerave demokratike, e që përfundimisht rezulton pastaj me fuqizimin e demokracisë së gjithmbarshme.
Gratë dhe burrat e Kosovës, vajzat dhe djemtë tanë, qytetarët tanë, duke ndjekur idealet e tyre i kanë dhënë kah historisë së vendit tonë dhe kanë krijuar bazamentin që ka mundësuar ndryshimet. Ata i kanë dhënë krah demokracisë.
Prandaj, çdo përpjekje për avancim të demokracisë mund të jetë e suksesshme vetëm kur të fuqizohet zëri i qytetarëve – i të gjithëve, pa dallim. I grave dhe burrave, pa dallim.
Më pastaj institucionet e kanë për detyrë të ofrojnë mbështetjen, resurset, por edhe orientimin strategjik, të cilat krijojnë infrastrukturën e nevojshme siç është institucionalizimi pra i veprave individuale. Dhe ky vullnet, ky përkushtim, ekziston sot më shumë se kurrë.
Nëse duam demokraci të fortë, atëherë kemi nevojë për qytetarë të fuqizuar. Kur qytetarëve u krijohen mundësitë për pjesëmarrje e angazhim, niveli i përgjegjshmërisë së institucioneve fillon e rritet gjithnjë me shumë, shtohet transparenca dhe rritet llogaridhënia.
Angazhimi i gjithsecilit prej jush në këtë sallë sjell avantazh shtesë në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të mëtejmë të demokracisë. Sepse, realisht, demokracia nuk është kurrë një projekt i përfunduar. Ajo kërkon të mirëmbahet, të kultivohet e të fuqizohet vazhdimisht.
Një demokraci e mirëfilltë është një demokraci që kontribuon në mënyrë aktive për përmirësimin dhe avancimin e pozitës së gruas në një shoqëri. Një demokraci e shëndosh është një demokraci që frymon mbi parimin e jetësimit të barazisë gjinore.
Edhe pse Republika jonë është vetëm 15 vjeçare, qytetarët tanë e kanë dëshmuar ndër vite se e kuptojnë rëndësinë esenciale të përfshirjes së gruas në jetën institucionale e publike. Në 15 vite rrugëtim, Kosova mbetet vendi lider në rajon dhe më gjerë me dy gra presidente në historinë e saj të re; me një përbërje parlamentare që shkon përtej kuotës gjinore; me një qeveri ku gratë janë më të përfaqësuara dhe kanë zë më të fuqishëm se kurrë më parë; por mbi të gjitha, Kosova është sot vendi që e ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar gjithnjë e më shumë barazinë gjinore në vend.
Realiteti është se angazhimi, fatkeqësisht, nuk është i njëtrajtshëm. Institucionet të caktuara punojnë me intensitet më të lartë e disa e kanë marrë dukshëm më shtruar këtë çështje. Por, çdo ditë e më shumë po bëhet gjithnjë e më qartë se kur gratë udhëheqin; kur grave u dëgjohet zëri; kur gratë përfshihen në politikbërje dhe vendimmarrje; rezultatet janë konkrete e progresi është i pashmangshëm.
Por, sukseset në kryeqendër nuk duhet të vënë nën hije nevojën për angazhim të shtuar për shtrirje të barazisë e gjithpërfshirjes në çdo cep të Kosovës. Ne duhet të mobilizohemi që mos të lejojmë të ngërthehemi nga kurthi i vetëkënaqësisë. Sidomos jo, kur në vendin tonë ende vriten gratë. Sepse, ka ende shumë punë për të bërë përtej përfaqësimit të grave në vendimmarrje në nivel qendror, duke filluar nga fuqizimi i tyre në nivel lokal, e duke vazhduar tek eliminimi i çdo padrejtësie e pabarazie që ato ballafaqohen qoftë në shtëpi, në punë, në rrugë apo edhe në hapësirën digjitale.
Në këto 10 vite të Javës së Gruas, NDI ka arritur të prekë jetët e shumë grave e vajzave të cilat nuk kanë pasur mundësinë për të qenë pjesë e diskutimeve, grupeve punuese, e lërë më të jenë pjesë e vendimmarrjes. Shumë nga ato janë sot në mesin tonë. Ato po e udhëheqin ndryshimin, ato janë vet ndryshimi. Edhe unë kam filluar nga radha e fundit atje ku jeni sot ulur, pastaj në vitin e dytë jam ulur pak më afër, në vitin e tretë më afër dhe sot flas si Presidente e Republikës. Pas disa vitesh, ju që jeni ulur atje në fund do të jeni këtu, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Javës së Gruas në vend timin.
Mirëpo, nuk mund të mos përmend edhe punën e shkëlqyer edhe të shumë partnerëve të tjerë vendor e ndërkombëtar, të organizatave të shoqërisë civile në vend, por edhe të politikbërësve të shumtë në institucionet publike. Puna e të gjithëve ka rezultuar me fuqizim dhe gjithpërfshirje.
Por, duhet të kemi kujdes të shtuar e të sigurohemi që rrethet tona të zgjerohen gjithnjë e më shumë, përtej kësaj salle. Është obligim i yni që mundësitë që na u krijuan neve me përkrahjen e njëra-tjetrës, me përkrahjen e organizatave vendore e ndërkombëtare të zgjerohen në mënyrë që t’ua garantojmë edhe shumë vajzave e grave të tjera të cilat ndihen të izoluara dhe ende përballen me pabarazi.
Mjafton vetëm një zgjatje e dorës në raste të caktuara dhe ai moment shndërrohet në një avalansh që ka fuqinë të transformoj jetë e komunitete të tëra. Prandaj, në misionin tonë për garantim të barazisë gjinore, nuk ka ditë pushimi, sepse barazia gjinore duhet të jetë mision i çdoditshëm.
Të nderuar të pranishëm,
Në këto kohë të pasigurive të mëdha, shohim tendenca gjithnjë e në rritje për të sulmuar vlerat demokratike – ato vlera mbi të cilat janë ndërtuar dhe frymojnë shoqëritë tona.
Por, përderisa në qendër të angazhimit tonë i vendosim qytetarët, angazhimin për përmirësimin e jetës së tyre, garantimin e lirive të tyre, dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, busulla jonë morale dhe politike do të na orientoj përherë në drejtimin e duhur.
E kur këto përpjekje i shoqërojmë me përkushtimin për të avancuar barazinë, gjithpërfshirjen dhe diverzitetin, rezultati final është përherë më shumë demokraci. Demokraci e drejtë. Demokraci për të gjithë. Demokraci e qëndrueshme.
Sot, në Ministrinë e Kulturës, u mbajt ceremonia për ndarjen e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për letërsi për vitin 2022.
Juria profesionale e kryesuar nga Osman Gashi dhe me anëtarët Bardh Rugova, Rrahman Paçarizi, Gëzim Aliu dhe Azem Deliu, pasi i lexoi dhe i vlerësoi veprat dhe nominimet e pranuara në konkurs, vendosi:
Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Azem Shkreli” t’i ndahet Zejnullah Rrahmanit.
Çmimi për Veprën më të mirë në Prozë “Anton Pashku” t’i ndahet Veli Karahodës për romanin “Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit”.
Çmimi për Veprën me të mirë në Poezi “Ali Podrimja” t’i ndahet Sabit Bajraktarit për librin “ NOAH”.
Çmimi për vepër më të mirë në kritikë dhe estetikë “Ibrahim Rugova” t’i ndahet Haqif Mulliqit për veprën “Henrik Ibsen – fryma e parë e modernes”.
Çmimi për vepër më të mirë të përkthyer nga gjuha e huaj ne gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjeter Bogdani” t’i ndahet Meliza Krasniqit për përkthimin e veprës “Arti i fiksionit” të David Lodge.Këto çmime u jepen personaliteteve të shquara për arritjet profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e tyre në avancimin e letërsisë. / KultPlus.com
Sot, në orët e para të mëngjesit ju vu flaka Gjimnazit të vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj. Për këtë vepër ka reaguar ministri i kulturës, Hajrullah Çeku, duke e quajtur krim, shkruan KultPlus.
Kjo ndodhi vetëm një javë pasi MKRS kishte nënshkruar kontratën për restaurimin e këtij gjimnazi dhe vetëm një ditë pasi kishin nisur punimet.
Çeku është shprehur se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
“Kontratën për restaurimin e gjimnazit të vjetër e patëm nënshkruar javën e kaluar. Dje kanë nisur punimet, ndërsa sot në orët e para të mëngjesit ia vunë flakën. Ky është krim. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
Gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali’ në Ferizaj do të restaurohet, i pëlqeu apo jo keqbërësve. Trashëgimia jonë kulturore është më e rëndësishme se interesat tuaja të ngushta. Metodat e porositë mafioze nuk na ndalin”, shkruan Çeku. / KultPlus.com
Kina duket se e ka lënë pas pandeminë edhe pse ishte vendi ku shpërtheu Covid-19 dhe humbën jetën milionë njerëz në të gjithë botën. Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë tre vjet më parë, vendi aziatik do të rifillojë lëshimin e vizave për turistët e huaj.
Lehtësimi i kufizimeve erdhi pasi Pekini u tërhoq nga politika “zero-Covid” dhe shpalli fitoren ndaj virusit. Grupet turistike nga Hong Kongu dhe Macau do lejohen të hyjnë pa viza dhe zyrat konsullore jashtë Kinës do të rifillojnë shqyrtimin e aplikimeve për viza.
Qytetarët kinezë do të lejohen të udhëtojnë me grupe turistike në 60 vend, nga 20 që ishin më parë. / KultPlus.com
Sot shënohet një datë e rëndësishme në botën e shkencës. Për 144 vjet më parë në Ulm të Gjermanisë lindi një nga shkencëtarët më të njohur në historinë e njerëzimit, Albert Ajnshtajni, shkruan KultPlus.
Ai ishte një fizikan teorik i shquar që kontribuoi me teori të rëndësishme dhe zbulime në fusha si mekanika kuantike, relativiteti i përgjithshëm dhe atomi.
Edukimi i tij filloi në Zvicër, ku u diplomua në një shkollë të mesme teknike. Në vitin 1896 ai u transferua në Zürich për të studiuar fizikën dhe matematikën në Universitetin e Zürichut. Këtu ai u takua me një grua të quajtur Mileva Marić, me të cilën u martua në vitin 1903.
Në vitin 1905 Aijshtajni publikoi tre artikuj shkencorë të rëndësishëm që ndryshuan kuptimin e fizikës së epokës. Këto ishin “Teoria e Relativitetit Speciale”, “Teoria e Efektit Fotoelektrik” dhe “Teoria e Lëvizjes Browniane”. Ky vit është quajtur edhe “Viti i Mirakujve të Albert Ajnshtajnit”.
Në vitin 1915 Ajnshtajni publikoi “Teorinë e Relativitetit të Përgjithshëm”, e cila ndryshoi mënyrën si kuptohet graviteti dhe gjithashtu e ktheu Ajnshtajnin në një yll të shkencës së epokës. Për këtë kontribut, ai fitoi çmimin Nobel për fizikë në vitin 1921.
Megjithëse Ajnshtajni vazhdoi të kontribuojë në shkencë, ai gjithashtu kishte një interes të madh në politikë dhe paqe botërore. Ai ishte një pacifist i fortë dhe luftoi kundër armatimeve dhe luftimeve në mbarë botën. Ai gjithashtu ishte një mbështetës i së drejtës së zgjedhjes së lirë dhe ngriti zërin për të drejtat civile.
Ndërkaq, Ajnshtajni vdiq në vitin 1955 në Prinston, New Jersey, SHBA. Megjithëse Aijshtajni nuk është më mes nesh, trashëgimia e tij shkencore dhe humanitare mbetet një burim frymëzimi për gjeneratat e ardhshme. / KultPlus.com
Zona e Steblevës në Librazhd, si pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë dhe atraksion turistik në çdo stinë.
Kjo zonë, gjatë këtyre ditëve marsi, është mbuluar nga dëbora ku vizitorë të shumtë e kanë zgjedhur atë si destinacionin e fundjavës.
Parku Kombëtar Shebenik- Jabllanicë shtrihet në verilindje të vendit tonë dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, kullotat, tokat bujqësore etj.
Në këtë park turistët kanë mundësi të shijojnë liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.
Moratoriumi i gjuetisë ka bërë që edhe kafshët e egra të shtohen për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone./ atsh / KultPlus.com
Eshtrat e një aristokrati romak janë zbuluar nga arkeologët në Anglinë veriore.
Skeleti i një gruaje të paidentifikuar, që besohet të jetë më shumë se 1000 vjeç, u gjet në një arkivol të plumbit në një varrezë në qytetin e Leeds vitin e kaluar.
Eshtrat e 62 personave u gërmuan në vendin arkeologjik të panjohur më parë pranë Garforth. Burra, gra dhe 23 fëmijë u groposën në vendin e zbuluar nga një ekip arkeologësh, shkruan BBc, transmeton Klankosova.tv.
Të vdekurit mendohet se përfshijnë njerëz nga epoka e vonë romake dhe e hershme saksone, pasi zakonet e varrimit të të dy epokave u gjetën në varre, sipas një njoftimi për shtyp të botuar nga Këshilli i Qytetit të Leeds këtë të hëne.
David Hunter, arkeologu kryesor me Shërbimet e Përbashkëta të West Yorkshire, i tha CNN të hënën se zbulimi doli pasi një sipërmarrës i ndërtimeve urbane paraqiti një kërkesë për leje ndërtimi në këshill.
“Sigurisht që morëm më shumë nga sa paguam”, tha Hunter për CNN.
Ai tha se ekipi i tij kishte arsye të besonte se vendi mund të ishte me interes arkeologjik, pasi ata kishin gjetur përbërje romake dhe anglo-saksone aty pranë në gërmimet e mëparshme.
Dëshmitë e praktikave të varrimit të gjetura në vend mund të tregojnë besimet e hershme të krishtera, së bashku me varrimin sakson, tha ekipi. Ata gjetën gjithashtu sende personale si thika dhe qeramikë.
Duke e përshkruar arkivolin e plumbit si “shumë të rrallë”, Hunter tha: “Fleta e plumbit është rreshtimi i një arkivoli më të madh prej druri, kështu që është një trup romak me status shumë të lartë”.
Arkivoli gjithashtu përmbante copa bizhuteri të cilat përforcuan dyshimet e ekipit për personin e varrosur brenda.
Arkeologët besojnë se varrezat 1600-vjeçare mund t’i ndihmojnë ata të kuptojnë tranzicionin e rëndësishëm dhe kryesisht të padokumentuar midis rënies së Perandorisë Romake rreth vitit 400 dhe krijimit të mbretërive të mëvonshme anglo-saksone. / KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës vitin 2023 e ka shpallur si viti i Rexho Mulliqit, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, ku përgjatë gjithë sezonit do të fokusojë programin e saj nga veprimtaria e kompozitorit të mirënjohur shqiptar, përcjell KultPlus.
Si pikënisje e këtij viti artistik në nderim të Mulliqit, Filharmonia e Kosovës organizon koncert të premten mbrëma prej orës 20:00 ku interpretohet muzikë artistike.
Në rolin e solistit rikthehet koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës Visar Kuçi, i cili do të luaj “Koncert për violinë nr. 1” nga Prokofievi.
Pjesa e parë e koncertit është rezervuar për prezantimin tradicional të pianistëve të rinj në bashkëpunim me Dam Festival dhe International Piano Competition “Pianisti i Ri”-“The Young Pianist”-Kosovo, këtë herë me fituesen e çmimit “Pianisti i Ri 2022”, Vesa Berisha e cila do të luaj kohën e parë të “Koncertit për piano nr. 3” nga Beethoveni.
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të drejtohet nga mjeshtri francez-zviceran Antoine Marguier. / KultPlus.com
Pllakat e gramafonit janë shitur më tepër se disqet kompakte (CD) në Shtetet e Bashkuara, për herë të parë prej vitit 1987, sipas një raporti të ri.
Sipas Shoqatës për Industrinë e Incizimeve në SHBA, më 2022, në territorin amerikan janë shitur 41 milionë pllaka të gramafonit – në vlerë të 1.2 miliard dollarëve – në krahasim me 33 milionë CD, në vlerë të 484 milionë dollarëve.
Viti 2022 ka qenë i 16-i me radhë kur është shënuar rritje e fitimeve në blerjen e kopjeve fizike të incizimeve.
Në raportin e Shoqatës për Industrinë e Incizimeve, është thënë se shitjet janë rritur sidomos pas vitit 2021, kur bota ka nisur të ringjallet pas pandemisë së koronavirusit.
Kopjet fizike të projekteve muzikore kanë vazhduar të performojnë më mirë sesa shkarkimet në platformat digjitale, ka gjetur raporti, sipas së cilit shkarkimet kanë shënuar rënie për 20 për qind.
Këto shifra përbëjnë kontrast të vërejtshëm me popullaritetin që u është dhënë shkarkimeve digjale më 2012, kur 43 për qind e fitimeve të industrisë muzikore është gjeneruar prej tyre.
Shefi i Shoqatës për Industrinë e Incizimeve, Mitch Glazier, ka thënë se shitjet rekorde të pllakave të gramafonit vitin e kaluar, demonstrojnë se ato po “çimentojnë rolin e tyre në tregun modern të muzikës”.
“Adhuruesit e muzikës duket se nuk po mund të ngopen me kualitetin e lartë të zërit dhe lidhjen me artistët që mundëson pllaka e gramafonit”, ka thënë mes tjerash Glazier, për një medium amerikan./ REL / KultPlus.com
Flija konsiderohet si një nga ushqimet autentike shqiptare, që besohet se daton qysh nga koha ilire, dhe korrespondon me 14 marsin, ditën e verës.
Supozohet se flija si ushqim ka filluar të përgatitet më 14 mars që në disa krahina të Shqipërisë konsiderohet si Dita e Verës, si sakrificë për perëndinë e Diellit, pasi edhe vetë mënyra e përgatitjes simbolizon formën e rrezeve të Diellit, shkruan KultPlus.
Flija përndryshe vazhdon të kryesojë listën e shujtave dhe ushqimeve në sektorin e kulinarisë edhe sot, dhe konsiderohet si mbretëresha e kuzhinës shqiptare. Kjo lloj lidhshmërie e diellit, ditës së verës, ushqimit autentik shqiptar, flisë, dhe perëndisë të ngacmon imagjinatën dhe të bën kurioz nëse vërtetë shqiptarët janë populli më i vjetër në botë. / KultPlus.com
Donjeta Sadiku ka mbetur përfundimisht pa pjesëmarrje në Kampionat Botëror.
Boksieres kosovare iu shua një ëndërr pasi synonte të fitonte medalje në këtë garë prestigjioze.
Boksieria nga Gollaku u pajis me vizë nga India vetëm dje pasdite, por që kjo ishte e pamjaftueshme për faktin se Qeveria indiane vendosi kushte të papranueshme.
Siç njofton Federata e Boksit të Kosovës për “Gazetën Express”, indianët i lëshuan vizat dje, por me kushtin që nuk u pranua nga pala kosovare, e cila u konsultua dhe u koordinua me autoritetet kosovare.
Më saktësisht, boksieres më të mirë kosovare iu vu kusht që të paraqitej në Botërorin e Indisë pa simbole shtetërore dhe, nëse eventualisht e fiton ndonjë medalje, të mos e ketë mundësinë ta dëgjojë dhe shijojë himnin shtetëror e as të mos shfaqet flamuri apo simbolet tjera.
Pra, këto kushte ishin të papranueshme pasi Donjeta synonte të garonte pa kushte, njëjtë si shtetet tjera të botës në Botërorin që do të fillojë të mërkurën.
Me këtë rast, Donjeta mbeti e shkatërruar pasi kjo është hera e tretë që s’po mundet të marrë pjesë në Botërorët që po mbahen në shtetin indian.
Në dy herët e para nuk ia doli të pajisej me vizë, ndërsa në herën e tretë indianët lëshuan pe pjesërisht, po jo mjaftueshëm.
Padrejtësitë ndaj sportistëve kosovarë vazhdojnë të jenë prezente, përkundër faktit se shteti ynë është i pavarur qe 15 vjet, shkruan “Gazeta Express”.
Donjeta Sadiku kishte potencial t’i sillte Kosovës medalje nga Botërori i boksit pasi në Botërorin dhe në Evropianin e fundit ajo kishte fituar medalje të bronzta.
Federata e Boksit të Kosovës ka paralajmëruar se do të ankohet në Indinë për kushtet dhe pabarazinë që e shfaqi, duke e lënë jashtë një garuese që kishte ushtruar gjatë dhe kishte derdhur shumë djersë për të marrë pjesë në garën më të madhe të boksit. /Gazeta Express / KultPlus.com
“Gjatë fundjavës do të shkoj në fshat për t’u shkëputur paksa nga rutina!”. Ky është një refren i zakonshëm i njerëzve që të lodhur nga jeta e përditshme në qytet, synojnë të kalojnë disa ditë në natyrë si një mjet shpëtimi. Dhe të gjithë e dimë se kjo gjë funksionon.
Mjaftojnë disa ditë të kaluara në fshat dhe mund t’i rikthehemi jetës tonë urbane me “bateritë” tona të rimbushura. Përqendrimi absolut i njerëzve në zonat urbane po rritet më shpejt se sa dëshirohej dikur. Aktualisht, më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytete, dhe kjo përqindje pritet të vazhdojë të rritet.
Vlerësohet se deri në vitin 2050, 7 nga 10 njerëz në botë do të jetojnë në zonat urbane. Shumë prej nesh do të kalojnë deri në 90 për qind të jetës sonë brenda ndërtesave. Jeta në qytet ka avantazhet e veta, por ajo përbën gjithashtu një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin tonë mendor.
Në fakt, çrregullimet e humorit, ankthi dhe depresioni janë deri në 56 për qind më të zakonshme në mjediset urbane sesa në ato rurale. Në trurin e njeriut ekziston një mekanizëm që e lejon natyrën të ndryshojë perceptimin tonë mbi gjërat. Ai quhet Amigdala, dhe ky ndikim është zbuluar në një studim të disa viteve më parë.
Në situata stresuese, Amigdala aktivizohet më shumë tek banorët e qytetit sesa tek njerëzit që jetojnë në zonat rurale. Amigdala është rajoni i sistemit nervor përgjegjës për kontrollin e emocioneve dhe ndjenjave. Dhe kjo i jep një pozicion të privilegjuar, që e lejon atë të krijojë lidhje me shumë pjesë të ndryshme të trurit.
Një nga këto rajone është lobi frontal, gjë që shpjegon edhe arsyen pse Amigdala merr pjesë në frenimin e sjelljes dhe vendimmarrjes. Ajo është e përfshirë edhe në aktivitete të tjera si kontrolli i të ngrënit (është përgjegjës për ndjenjën e ngopjes), menaxhimin e frikës dhe stresit, strukturimin e kujtimeve, rregullimin e sjelljes seksuale dhe kontrollin i agresionit.
Thelbi i frikës është mbijetesa, dhe kjo pjesë e trurit na ndihmon të mbijetojmë duke shmangur situatat e rrezikshme, sepse e rishikon vazhdimisht informacionin e dhënë nga shqisat tona, duke zbuluar menjëherë se çfarë mund të ndikojë në mbijetesën tonë (qoftë reale apo jo).
Pasi identifikohet kërcënimi, ajo zhvillon një përgjigje që na largon nga rreziku dhe rrit gjasat tona për të mbijetuar. Ne mund të ndërhyjmë në Amigdalë për ta ndihmuar atë të shmangë ankthin dhe stresin. Kjo është e mundur të bëhet me ilaçe, ndonëse shkenca na ofron edhe një mundësi tjetër më të lirë dhe më të thjeshtë: kontaktin me natyrën.
Një studim i fundit ka treguar se ekspozimi i përsëritur ndaj mjediseve natyrore, ka një efekt pozitiv në aktivitetin e Amigdalës. Njerëzit në kontakt të shpeshtë me natyrën, paraqesin më pak aktivitet në Amigdalën e tyre gjatë situatave stresuese. Prandaj, bashkëveprimi me mjedisin, është një mënyrë për të përmirësuar shëndetin mendor.
Japonezët kanë një fjalë për të “shinrin–yoku” (dush në pyll). Shumë studime të tjera kanë mbërritur në të njëjtin përfundim. Ato tregojnë se kontakti me natyrën e rrit ndjenjën tonë të lumturisë dhe e redukton ankthin mendor, pasi ky kontakt i redukton emocionet negative dhe stresin.
Por po ashtu na jep një kapacitet më të madh për të menaxhuar detyrat e përditshme, duke e përmirësuar aftësinë e të ashtuquajturës “memorie e punës”, e cila na lejon të ruajmë përkohësisht informacionin në tru. Kësaj duhet t’i shtojmë përmirësimin e funksionit të atësive njohëse – vëmendje, kujtesë, orientim – si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët, me përfitime në aspektin e imagjinatës, kreativitetit dhe performancës në shkollë.
Një avantazh tjetër i kalimit të disa orëve në fshat, është se është një aktivitet që mund të bëhet vetëm. Njerëzit që ecin vetëm në natyrë janë më pak të prirur ndaj depresionit dhe stresit. Si çdo trajtim i mirë, kontakti me natyrën kërkon gjithashtu dozën e duhur.
Duhet të kalojmë të paktën gjysmë ore në natyrë në javë për të ndjerë përfitimet e shëndetit mendor. Pra ekspozimi ndaj natyrës e ul aktivitetin e Amigdalës, dhe ka efekte të dobishme në rajonet e trurit të lidhura me stresin. Kjo sugjeron që shëtitja në zona rurale zbut efektet e dëmshme të jetës së qytetit.
Nga ana tjetër, ajo vepron potencialisht si një masë parandaluese kundër zhvillimit të disa çrregullimeve mendore. Largimi nga qyteti në kërkim të pemëve dhe ajrit të pastër në zonat rurale, nuk është gjithmonë një mundësi që e kanë të gjithë. Në këtë kuptim, ne kemi një armik: zgjerimin masiv dhe të pakontrolluar të qyteteve, sidomos kur planifikimi urban nuk përfshin sipërfaqe të mëdha të gjelbra.
Por edhe nëse përfshihen zona të tilla, nuk kanë shumë dobi nëse ato janë për qëllime dekorative, pra duke mos marrë parasysh përfitimet që këto mund të kenë këto zona për gjendjen psikologjike të banorëve të qytetit. Ndikimi i hapësirave të gjelbra urbane në shëndetin mendor ka qenë objekt studimi prej vitesh.
Shumë ekspertë theksojnë nevojën e përfshirjes së elementeve natyrore në projektet e qytetit tonë, duke marrë parasysh përfitimet e shumta që sjellin ato në psikikën tonë. Ndërsa presim që qytetet tona të bëhen më të gjelbra, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të kujdesemi shumë për mjedisin tonë natyror. Është për të mirën tonë: nuk duhet ta zemërojmë Amigdalën. / “The Conversation” – Bota.al / KultPlus.com
Mbi 100 aktivitete me muzikë, art, lojëra dhe argëtim do të zhvillohen gjatë gjithë ditës së sotme në Tiranë me rastin e “Ditës së Verës”.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj fton qytetarët të bëhen pjesë e aktiviteteve të shumta, që do të jenë të shtrira në zona të ndryshme të kryeqytetit, për t’iu mundësuar qytetarëve sa më shumë lojëra, argëtim, dhe hapësira festive.
Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh festive për të gjitha grup moshat, të cilat nisin që në orët e para të ditës dhe do të përfundojnë vonë pas mesnate.
Për të garantuar mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve dhe për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë qetësisht, bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, ka marrë të gjitha masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve, ku është planifikuar zhvillimi i aktiviteteve.
Policia njofton kufizimin e qarkullimit të automjeteve për mbarëvajtjen e aktiviteteve të organizuara nga bashkia e Tiranës në kuadër të Ditës së Verës në datë 13 Mars 2023 nga ora 07:00 deri në datë 14 Mars 2023 orën 18:00, në sheshin “Nënë Tereza”.
Kufizimin e qarkullimit të automjeteve për mbarëvajtjen e aktiviteteve të organizuara nga bashkia e Tiranës në kuadër të Ditës së Verës në datë 14 Mars 2023 nga ora 08:00 deri në orën 16:00, në segmentet: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ministria e Brendshme deri në fillim të “Ish Hotel Dajti”
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga ura e ish Hotel Dajtit deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri në kryqëzimin me rrugën “Gjergj Filipi”
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi me rrugën “Gjergj Filipi” dhe gjithë sheshi “Nënë Tereza”
Segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzim i Gjykatës së Lartë me dalje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Rruga “Ibrahim Rugova” nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri në kryqëzimin me Bulevardi “Bajram Curri “.
Kufizimin e qarkullimit të automjeteve për mbarëvajtjen e aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës në kuadër të Ditës së Verës në datë 13 Mars 2023 nga ora 12:00 deri në datën 14 Mars 2023 në orën 23:00, në rrugën “Ibrahim Rugova”.
Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet sipas planit të lëvizjes më poshtë:
– Në rrugët “Lek Dukagjini”, rruga “Ibrahim Rugova”, rruga “Abdyl “Papa Gjon Pali II”, në Bulevardin “Zhan D’ Ark dhe Bulevardin “Bajram Curri”.
Për segmentin e rrugës “Myslym Shyri” nga kryqëzimi i Gjykatës së Lartë me drejtim dalje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit” drejtim i detyruar djathtas.
Itenerari i lëvizjes së mjeteve të linjave urbane do të vazhdojë lëvizjen si më poshtë:
Të gjitha linjat që kalojnë në rrugën “Abdi Toptani” të devijojnë në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit” me drejtim bulevardin “Bajram Curri.
Linja “Tirana e Re” do të devijojë tek sheshi “Willson” dhe tek Bulevardi “Zogu I”. /atsh / KultPlus.com
Shkrimtari, gazetari dhe publicisti Eduardo Galeano i cili ishte i njohur me krijimet e tij fillimisht në Spanjë, e më pas i përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës, shumë shpesh ka pasë deklarata të fuqishme, të cilat përkojnë edhe me ditët e sotme.
Ndërsa KultPlus ju sjell këtë deklaratë të famshme të Galeanos, që ka të bëjë me vdekjet, dasmat, dukjen e diturinë.
‘Jetojmë në një botë ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri, ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria. Jetojmë në kulturën e ambalazhit, e cila e urren përmbajtjen.’/ KultPlus.com