Dikur një mësues la takim me disa nga nxënësit e tij të mëparshëm për të mësuar se si po ia çonin ata me jetën e tyre, ai kishte kohë pa i takuar ata dhe mendoi se duhet t’i takonte për të folur mbi jetën.
I pari tha se nuk po ia çonte dhe aq mirë, sepse po haste nëpër vështirësi për t’u ngritur në pozitë në punën që bënte. I dyti tha se një miku i tij kishte blerë një makinë të mirë, ndërsa ai ndihej keq që nuk kishte të ardhura të blinte edhe vetë një makinë të tillë. Ndërsa në karrigen tjetër ishte ulur një vajzë, e cila u shpreh se dëshironte të ndiqte një master shkencor në administrim biznesi në mënyrë që njerëzit ta merrnin më seriozisht kur kërkonte punë, por nuk ia kishte dalë dot mbanë.
Pastaj profesori ia ktheu: “Dukeni të gjithë të stresuar. Si thoni sikur të bëjmë pak pushim, të marrim disa kafe dhe ta vazhdojmë diskutimin tonë?”.
Nxënësit e tij ranë dakord dhe ai solli në tavolinë kafenë dhe disa filxhanë çaji. Disa ishin të thjeshtë, ndërsa disa të tjerë më të bukur.
Nxënësit zgjodhën tri filxhanët e mëdhenj dhe të bukur.
Mësuesi e vuri re këtë gjë dhe u tha: “Ju të tre zgjodhët filxhanët më të bukur dhe më të shtrenjtë, duke i lënë mënjanë filxhanët e thjeshtë.
Është normale për ju të kërkoni më të mirën për veten tuaj, si dhe zgjidhjen më të mirë për problemet dhe streset tuaja.
Mirëpo, duhet të kuptonit diçka. Ju dëshironit kafenë, jo bukurinë e filxhanit dhe një filxhan i bukur nuk ia shton gjë shijen kafesë. Por vëmendja juaj u drejtua drejt bukurisë së jashtme, në vend të kuptimit të brendshëm.
Jeta është si një kafe. Puna, paratë dhe pozita jonë në shoqëri përfaqësohen nga filxhanët. Këto janë thjesht përbërës, tek të cilët ne bazohemi për të jetuar jetën tonë.
Mirëpo cilësia e filxhanit nuk e ndryshon dhe as e përcakton cilësinë e jetës që ne jetojmë. Ndonjëherë ne përqendrohemi kaq shumë tek puna, paratë dhe pozita jonë në shoqëri, saqë harrojmë se çfarë ka më tepër rëndësi: Harrojmë esencën, kafenë. Pra, harrojmë të jetojmë jetën.
Duhet të mbajmë në mendje gjithmonë se njerëzit e suksesshëm jo gjithmonë janë të lumtur, por njerëzit e lumtur janë gjithmonë të suksesshëm. / KultPlus.com
“Sa më lart që ngjitemi, aq më të vegjël u dukemi atyre që nuk mund të fluturojnë”
“Unë jam një pyll dhe një natë pemësh të errëta: por ai që nuk ka frikë nga errësira ime, do të gjejë grumbuj me trëndafila nën selvitë e mia”.
“Duhet të jesh gati që të digjesh në flakën tënde; si mund të ringrihesh, nëse nuk je bërë më parë hi”?
“Heshtja është më keq, të gjithë të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese”.
“Njeriu i vetmuar ia shtrin dorën shumë shpejt, kujtdo që takon”.
“Ti e shpërblen mësuesin shumë keq, nëse mbetesh përjetë një nxënës”.
“Ka më shumë urtësi në trupin tënd, se sa në filozofinë tënde më të thellë”.
“Dhe një herë që zgjohesh, do të mbetesh zgjuar përjetësisht”.
“Por armiku më i keq që mund të takosh do të jetë gjithmonë vetja jote; ti rri në pritje për veten tënde, në shpella dhe pyje. I vetmuar, ti do të shkosh rrugës drejt vetes tënde! dhe rruga jote kalon nga vetja jote, dhe përtej shtatë djajve të tu! Ti do të jesh një heretik për veten tënde dhe shtrigan dhe fallxhor dhe budalla dhe dyshues dhe mëkatar dhe i lig. Duhet të jesh gati të djegësh veten tënde në flakën tënde: si mund të bëhesh i ri, nëse nuk bëhesh më parë hi?”
“Por me njeriun është njësoj si me pemën. Sa më shumë që kërkon të ngrihet lart dhe drejt dritës, aq më shumë rrënjët e tij e tërheqin poshtë, në tokë, drejt errësirës, thellësisë – të keqes”.
“Duhet të jesh një det, që të presësh një rrëke të ndotur e të mos bëhesh pis”.
“Ai që ngjitet në malet më të larta, qesh me të gjithë tragjeditë, të vërteta dhe të pavërteta”.
“Nga të gjithë gjërat që janë shkruar, më pëlqejnë ato që njeriu i ka shkruar me gjakun e vet” /KultPlus.com
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar për një investim të madh në Kosovë, shkruan KultPlus.
Më poshtë po sjellim njoftimin e plotë të këtij institucioni.
Industria gjermane e autotekstileve për inovacion dhe transformim në Kosovë vjen me biznesin e parë Munda Kosova sh.p.k.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, priti sot në takim përfaqësuesit e biznesit gjerman “MUNDA, MENTOR UND AUNDE”, të saporegjistruar pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, si biznes i ri “Munda Kosova”, z. Peter Bolten, pronar i Aunde, Ëildo Ëeyer, pronar i Mentor, Kai Mauxel, drejtor i Munda-së, dhe Kushtrim Grainca, menaxher i Industrisë Inxhinjerike.
Kompania Munda, merret me zhvillimin dhe prodhimin e tapicerive dhe tekstileve për industrinë e automobileve.
Investimi i kompanisë Munda në Kosovë përveç 200 vendeve të reja të punës do të sjell edhe përvoja në fushën e tekstileve teknike me njohuritë e teknologjisë së ndriçimit të bazuar në LED. Një teknologji e re kjo që krijon mundësi krejtësisht inovative.
Ministrja Hajdari i njoftoi përfaqësuesit e Munda-së për lehtësirat që i kanë ndërmarrë përmes plotësimit të legjislacionit që ndihmon qasjen e investitorëve në Republikën e Kosovës.
Ndërsa përfaqësuesit e Munda-së, u shprehën të kënaqur dhe njoftuan se gjatë viteve në vijim planifikojnë të zgjerojnë biznesin edhe më shumë, me produkte tjera dhe të krijojnë partneritete me bizneset dhe ndërmarrësit vendor të cilat do të kontriubojnë në transformimin e industrisë së Kosovës./ KultPlus.com
Manifestimi mbarëpopullor “Nata e Zjarreve” ka nisë më ndezjen e flakadanëve, për të vazhduar me një koncert të madh, e që shënon edhe përmbylljen e manifestimit që shënon Epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe heroizmit të Komandantit Adem Jashari, shkruan KultPlus.
Prej 5, 6 dhe 7 janë shënuar shumë aktivitete në 25 vjetorin e rënies heroike të Jasharëve. / KultPlus.com
Sot, KultPlus sjell një rrëfim tejet emocionues që tregon rëndësinë dhe vlerën e madhe të mësuesit.
Një zotëri i ri në moshë takon një të moshuar.
– A më mbani mënd?
– Jo.
– Kam qenë nxënësi juaj.
– Çfarë bëni; Me çfarë merreni?
-U bëra dhe unë mësues, ia kthen djaloshi.
-Si e sheh veten, je i mirë në punën që bën?
-E vërteta është se po. Ju më frymëzuat dhe doja t’ju ngjaj.
I çuditur zotëria i moshuar, pyet të mësojë se çfarë ishte ajo që i mbeti në mëndje dhe e frymëzoi kaq shumë saqë donte të bëhej dhe ai mësues. Dhe ish nxënësi i tij i shpjegoi historinë e mëposhtme.
-Një ditë një shok klase- që ishte dhe shoku im i ngushtë, erdhi në klasë dhe më tregoi një orë të re shumë të bukur. Nuk i rezistova dot tundimit dhe në një çast ia vodha orën. Pas pak, kuptoi se ora mungonte nga xhepi i tij dhe menjëherë lajmëroi mësuesin që jepte mësim në atë orë në klasë, dhe ishit ju.
Ju, pra, iu drejtuat klasës dhe thatë:
-Ora e një shokut tuaj të klasës u vodh gjatë mësimit. Kushdo që e ka vjedhur, i lutem ta kthej menjëherë.
-Më erdhi kaq shumë turp nga ideja e poshtërimit para klasës, saqë nuk guxova të zbulohesha. Pastaj ju mbyllët derën, na the të gjithëve të qëndrojmë në këmbë dhe se do kontrolloje të gjithë xhepat tanë derisa ta gjeje. Por vurët një kusht: se të gjithë ne duhet të lidhnim sytë për të mos parë fajtorin. Dhe kështu ndodhi. Kur arritët tek mua, e gjetët në xhepin tim dhe e morët. Por, ju vazhduat kërkimin dhe në xhepat e të tjerëve dhe kur mbaruat, na the:” tani mundeni ti hapni sytë, ora u gjend.” Nuk e zbuluat kurrë emrin tim para klasës dhe as nuk ma përmende kurrë këtë ndodhi. Prisja të më injoronit, të më poshtëronit, të më përjashtonit, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Atë ditë shpëtuat dinjitetin tim përgjithmonë. Ajo ditë ishte dita më e turpshme e gjithë jetës time dhe me mënyrën tuaj më dhatë një mësim. E kujtuat ngjarjen z. Mësues?
-Po, duke të dëgjuar, i kujtova të gjitha. Por ekziston diçka që nuk më kujtohet dhe ajo je ti, sepse edhe unë i kisha sytë të mbyllur kur po i kontrolloja të gjithëve!!
Morali: Nëse duhet të poshtërosh dikë para syve të të gjithë shokëve të tij të klasës për ta dënuar, atëherë vetëm mësues nuk quhesh, thjesht, nuk je. Të tillë mësues kanë prekur shpirtëra dhe mbeten në zemrat dhe kujtesën e nxënësve.
Shqipëruar nga M. Sota
Foto e Robert Doisneau, L’information scolaire, Paris 1956./ KultPlus.com
Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet, e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande! Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij.
Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët. – Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis… Ndoshta, ndoshta… Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin. / KultPlus.com
Djellza Azemi, Anjesa Dellova, Anita Mucolli, Kelly Tissot dhe jpp janë artistët që do të prezantohen me veprat e tyre në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekspozitë kjo që do të hapet më 10 mars, në ora 19:00, shkruan KultPlus.
“Duke sjell së bashku artiste që punojnë me media dhe disiplina të ndryshme, ekspozita trajton konceptin e hapësirës dhe kohës, gjuhës dhe lidhjeve ndërnjerëzore si dhe shtëpisë krahas ritualeve dhe kujtesës”, thuhet në njoftimin e GKK-së, e që për kurator të kësaj ekspozite ka Shkëlqim Qestaj.
Kjo ekspozitë do të rri e hapur deri më 2 prill të këtij viti, ndërkohë në ceremoninë hapëse të ekspozitës do të jenë të pranishëm edhe artistët edhe kuratori i kësaj ekspozite./ KultPlus.com
Një nga shembujt më të bukur të kësaj mirënjohjeje vjen nga Albert Camus, njeriu me dhuntinë e miqësive të rralla, që e kaloi jetën duke mësuar si të jetonte me një qëllim dhe duke kërkuar kuptimin e lumturisë dhe dashurisë.
Kur Camus nuk ishte as një vjeç, i ati u vra në betejë gjatë LIB. Ai dhe i vëllai u rritën nga një mama analfabete, pothuajse e shurdhër dhe një gjyshe despotike, kushte ku nuk mund të pretendohej një e ardhme e ndritur, por si provë e asaj që mund të ndodhë kur arsimi nxit potencialin më të mirë të një njeriu duke fisnikëruar shpirtin, një mësues, Louis Germaine, pa te Albert-i i ri diçka të veçantë dhe ndërmori detyrën për të nxjerrë një thelb të konsoliduar dhe një qëllim nga ai djalë, detyra e çdo mentori të mirë. Nën krahët e mësuesit të tij, Camus i i hodhi poshtë letrat e errëta që i kishin ngecur në duar dhe filloi të shndërrohej në gjeniun e ardhshëm që të gjithë e njohim.
Tridhjetë vjet më vonë, Camus u bë njeriu i dytë më i ri në botë që kishte fituar çmimin Nobel, që iu dha për “seriozitetin e sinqertë” të punës së tij, që “ndriçon problemet e koshencës së njeriut.” Pak ditë pasi kishte marrë vlerësimin më të lartë të njerëzimit, Camus bëri të njohur ndikimin e mësuesit të tij në një letër të mahnitshme, që është përfshirë në faqet e fundit të librit të tij “The First Man”.
19 nëntor, 1957
I dashur Zoti Germain,
Po i lë emocionet e forta të këtyre ditëve të qetohen pak para se t’ju flas nga thellësia e zemrës sime. Mua, sapo më kanë dhënë një nderim shumë të madh, që as e kisha kërkuar dhe as isha përpjekur ta merrja, por kur e mora vesh lajmin, mendimi im i parë, pas mamasë sime, ishit ju. Pa ju, pa dorën plot dashuri që ju i zgjatët atij djali të vogël të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, asgjë nga të gjitha këto, nuk do kishte ndodhur. Unë nuk para bëj shumë nga këto lloj falënderimesh, por të paktën ky më jep mundësinë t’ju tregoj çfarë keni qenë dhe çfarë ende jeni për mua dhe t’ju siguroj që përpjekjet tuaja, puna juaj dhe zemra bujare që vutë në të, jeton ende te një prej nxënësve të vegjël, i cili, pavarësisht që kanë kaluar shumë vite, nuk ka ndaluar kurrë së qeni nxënësi juaj mirënjohës. Ju përqafoj me gjithë zemrën time. / KultPlus.com
Cineplexx organizon eventin “Woman’s Day” për nder të Ditës së Gruas ku ka bërë një super-ofertë me filmat më të shikuar në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren.
Më 8 Mars, Cineplexx ka përgaditur një ofertë ku për vetëm 5.90€ mund të merrni një L Popcorn, 2 pije 0.5l dhe çokollatë Oreo. Gjithashtu për çdo biletë që e bleni me kartelë VISA, do ta merrni një biletë tjetër FALAS! Kjo ofertë vlen vetëm për blerjet fizike dhe në të gjithë filmat të cilët janë në program gjatë kësaj dite.
Disa nga filmat që ju sugjerojmë që t’i shikoni për Ditën e Gruas janë:
Maybe I Do Romancë/Komedi
Michelle dhe Allen kanë arritur pikën në marrëdhënien e tyre për të hedhur hapat e ardhshëm drejt martesës. Duke menduar se është një ide e mirë për të ftuar prindërit e tyre që më në fund të takohen, ata shtrojnë një darkë dhe e bëjnë atë një çështje familjare. Për habinë e të gjithëve, lidhja merr një kuptim krejtësisht të ri pasi prindërit tashmë e njohin njëri-tjetrin shumë mirë — ata kanë tradhtuar bashkëshortët e tyre për muaj të tërë… me njëri-tjetrin. Të bllokuar në këtë situatë të pasigurt, ata përpiqen t’i fshehin fëmijët e tyre nga kjo ndërsa përballen kokë më kokë me të dashuruarit e bashkëshortëve të tyre.
Magic Mike’s Last Dance Romancë/Komedi
Mike Lane del në skenë edhe një herë kur një marrëveshje biznesi që dështoi e le atë pa para dhe duke u bërë banakier në Florida. Duke shpresuar për një turmë të fundit, Majk shkon në Londer me një socialiste të pasur, e cila e josh atë me një ofertë qe ai nuk mund ta refuzojë — dhe nje axhendë krejt të sajën. Me çdo gjë duke shkuar mirë, ai shpejt e gjen vetën duke u përpjekur ta krijojë një lisë të re të nxehtë të kërcimtarëve të talentuar. Aktori kryesor në këtë film është Channing Tatum.
Adnan Kafazi Aksion/Komedi
Adnan Kafazi është pjesa e tretë e filmave ‘Zonjusha’ dhe ‘Diamanti’. Në barin e tyre në Meksikë, banda, Vuça, Bulli, Zagi dhe Lina po kalojnë kohën më të mirë të jetës pasi kanë shitur një diamant 7 milionë dollarësh. Brenda dy viteve të mungesës se tyre, në vendlindje, shfaqet një bos i ri i krimit Adnan Kafazi, i cili ka marre udheheqjen. Banda vendos te kthehet ne Kosove mirëpo ata e kuptojnë se Adnani është shumë më i forte se ata dhe menyra e vjetër e luftimit të gangstëreve nuk do të funksionojë.
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, www.cineplexx.com. Biletat mund t’i bleni direkt në kinema prej orës 15:30./ KultPlus.com
E cili prind, sot nuk do të kishte dashur t’i drejtohej mësuesit të fëmijës së tij, ashtu si Abraham Lincoln mësuesit të të birit. Prandaj, meqë sot është dita e parë e vitit të ri shkollor, kjo letër ia vlen të lexohet sërish, të paktën nga prindërit dhe mësuesit.
Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, e dinte vlerën e dijes dhe të mësuarit në jetë. Për këtë, ai kishte vendosur që mësuesit të djalit të tij, t’i shkruante në formë përkujtimi rreth mënyrës se si duhet trajtuar një fëmijë i vogël. Lincoln i kishte renditur mësuesit të djalit të tij, pikërisht në ditën e parë të shkollës, një sërë arsyesh e mësimesh të arta të cilat dëshironte që djali i tij t’i mësonte nga mësuesi.
Lexoni më poshtë letrën e Abraham Lincoln të shkruar në vitin 1830:
Mësues i nderuar,
Djali im sot e fillon shkollën.
Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.
Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.
Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.
Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.
Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.
Atij do t‘i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.
Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.
Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.
Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.
Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.
Mësojeni po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.
Mësojeni se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.
Mësojeni t’i përqeshë cinikët.
Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.
Mësojeni të këtë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara.
Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.
Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshitë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.
Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.
Lejojeni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të ketë durimin për të qenë trim.
Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në zotin. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im”.
U promovua fillimisht në Prishtinë në muajin nëntor të vitit 2022, romani “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, deri më sot ka pasur një rrugëtim tejet të suksesshëm, me promovime në vende të ndryshme e kritika tejet të mira nga lexuesit që po vazhdojnë t’i japin vëmendjen e merituar, shkruan KultPlus.
Por, suksesi i librit duket se do të ketë një rrugë më të gjatë. Sapo është dhënë lajmi se romani i shkrimtarit kosovar, Ag Apolloni, është nominuar për çmimin e Bashkimit Evropian për letërsi.
Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL) njeh shkrimtarët e rinj të letërsisë nga Bashkimi Evropian dhe më gjerë. Duke angazhuar 41 vendet pjesëmarrëse në programin e Evropës Krijuese të Bashkimit Evropian, Çmimi feston 41 talente të reja të shquara letrare përgjatë një cikli prej tre vitesh.
Fituesi i Çmimit EUPL 2023 dhe pesë përmendjet speciale do të zbulohen më 28 prill, gjatë ceremonisë së shpalljes në Panairin e Librit në Leipzig në Gjermani.
Të gjithë autorët e nominuar do të promovohen vazhdimisht në një skenë evropiane, duke synuar të arrijnë një audiencë më të gjerë dhe ndërkombëtare, si dhe të lidhen me lexuesit përtej kufijve të tyre kombëtarë dhe gjuhësorë.
EUPL organizohet nga një konsorcium shoqatash që përbëhet nga Federata e Botuesve Evropianë (FEP) dhe Federata Evropiane dhe Ndërkombëtare e Librashitësve (EIBF), me mbështetjen e Programit të Evropës Krijuese të Bashkimit Evropian
“Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, është një vepër që nuk është një roman dokumentar, por as një përrallë e pastër.
Sipas Apollonit, ky roman flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një histori dashurie dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.
“Romani është ndërtuar si një shëtitje filozofike nëpër një botë sa reale, aq edhe përrallore. Ky nuk është roman dokumentar, as përrallë e pastër”, thotë Apolloni. / KultPlus.com
Dizajneri britanik Sir Paul Smith i ka dhënë “një gjallëri të re” veprave të artistit Pablo Picasso në një ekspozitë që ai drejtoi në Muzeun Picasso të Parisit.
Bashkëpunimi i stilistit 76-vjeçar me muzeun vjen pasi institucioni shënon 50 vjetorin e vdekjes së artistit franko-spanjoll.
I njohur për dizajnet ikonë shumëngjyrëshe si vijat dhe majmunët e tij, Smith konceptoi sfonde me modele dhe tekstura që të kujtojnë veprat e Picasso-s, duke i bërë ato të shfaqen në një mënyrë moderne dhe lozonjare.
Pjatat e gjalla qeramike të artistit të lindur në Malaga janë të vendosura kundër pjatave industriale të bardha, ndërsa vepra të njohura nga periudha e kubizmit të Picasso si “Portreti i Dora Maar” dhe “Busti i gruas me kapelë me vija” varen nga muret me vija vertikale me blu dhe tonet e verdha që shkojnë me pikturat.
“Ideja ishte që thjesht të përpiqeshim ta tregonim veprën kudo që të ishte e mundur, në grupe kubizmi, periudha blu ose kronologjikisht në disa raste, dhe më pas t’i jepnim një frymë të re.”
Ekspozita u zhvillua gjatë katër viteve të fundit, me Smith duke marrë frymëzim nga koleksioni i Muzeut Picasso prej rreth 200 mijë pjesë.
“Unë mendoj se është një ekspozitë mjaft optimiste dhe të sjell një lumturi. Është shumë ngjyrëshe. Mendoj se të shohësh një ekspozitë të një artisti që ndërroi jetë para 50 vitesh dhe të emocionohesh edhe këto ditë, është me të vërtetë diçka e bukur.”
Ekspozita do të zgjasë nga 7 Marsi deri më 27 Gusht dhe përmban 152 piktura, skulptura dhe kolazhe të Picasso-s. / Klan News / KultPlus.com
Është hapur ekspozita “Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri” në Muzeun Kombëtar të Kosovës, në të cilën për një javë do të qëndrojnë 200 fotografi që flasin për qëndresën heroike të familjes Jashari dhe sakrificën më sublime të saj.
Pasardhësi i familjes Jashari, Bekimi, tha se populli shqiptar ka vuajtur shumë për liri, derisa shtoi se shteti duhet të bëjë shumë më shumë se kaq dhe ta përjetësojë historinë me fakte për brezat e tjerë.
“Kjo ekspozitë sot është ngjarje e veçantë, është një histori që gjeneratat, përveç gjeneratës tonë, në veçanti kanë nevojë gjeneratat e reja për të parë dhe për t’u njoftuar dhe të mësohen me se atë çfarë ka ndodhur në vendin tonë. Populli ynë ka vuajtur shumë në veçanti populli shqiptar tashmë në shtetin e Kosovës, të ndarë padrejtësisht ashtu siç e tregon historia. Shteti duhet të bëjë shumë më shumë se kaq, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të kontraktuar e të ndihmuar, dhe t’i mbështetë njerëzit e vullnetit të mirë apo organizatat e ndryshme që të mbledhin sa më shumë fakte dhe dëshmi, më së pari për fëmijët tanë që t’i shohin dhe ta mësojnë se çfarë ka ndodhur me shekuj rresht në Kosovën tonë… Në të gjitha trevat tona, në të gjithë fshatrat ka pasur përjetime të ndryshme, por që deshi fati që me kurorëzimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendi të çlirohet… Ne që kemi mbetur gjallë e kemi për obligim dhe detyrim të punojmë pareshtur për ta bërë Kosovën ashtu siç e deshën dëshmorët tanë, ashtu siç e deshën ata që një jetë të tërë ia kushtuan këtij vendi, lirisë tonë”, u shpreh Jashari.
E autori i ekspozitës së sotme, Sadik Krasniqi tha se kjo ekspozitë përmban mbi 200 fotografi, dhe përmes tyre arrihet tu sjellë historinë prej së afërmi vizitorëve, shkruan rtv21.
“Ekspozitë e cila e kujton dhe i sjellë nga afër vizitorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë që të njihen së afërmi me atë se çfarë ka ndodhur para 25 vitesh. Rënia e Jasharajve, është një akt jashtëzakonisht sublim, i rrallë edhe i veçantë, unë e quaj dhe rast unik në historinë botërore. Në rastin e familjes Jashari, në të gjitha organizatat dhe skemat politike ushtarake populli u mobilizua, pra ndikoi pozitivisht, u forcua dhe u konsolidua Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar e ktheu mendjen nga Kosova dhe si rezultat i kësaj ngjarje u fokusuan dhe mediat ndërkombëtare, u fokusua dhe diplomacia, dhe si rezultat i mëpasshëm i gjakut të derdhur ishte edhe intervenimi i NATO-s në Kosovë. Ekspozita përmban mbi 200 fotografi që flasin për dimensione të ndryshme të familjes”, tha Krasniqi.
Për të parë nga afër ekspozitën në Muzeun e Kombëtar të Kosovës kishin ardhur edhe qytetarë.
Një ekspozitë të tillë e kishte mirëpritur edhe Adem Nika.
Besoj që kjo është një ditë e madhe, një ditë që prezanton të gjithë luftën, sakrificën, organizimit të komandantit Adem Jashari, dhe familjes së tij. Ky është një sinonim i të gjithë brezave qe vijnë sepse kështu duhet të punohet, veprohet, kështu duhet të luftohet për lirinë e atdheut. I kam të freskëta kujtimet sidomos të sulmit të dytë që ishte në janar…Ky organizim është shumë i rëndësishëm është obligim dhe detyrim i të gjithë institucioneve posaçërisht i muzeut të Kosovës, këtu mundet njeriu të shoh shumë fotografi, shumë mjete të cilat i kanë përdorur në luftë gjatë veprimit të tij”, tha ai.
“Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri”, e cila është hapur për nder të Epopesë së lavdishme të UÇK-së do të qëndrojë e hapur për shtatë ditë, ku qytetarët do të mund të shohin përmes fotografive qëndresën heroike të familjes Jashari. / KultPlus.com
Codex Atlanticus i Leonardo da Vinçit ka qenë gjithmonë, për studiuesit, një ndërmarrje pothuajse e pamundur për shkak të pafundësisë së informacionit në një sekuencë kaotike në mbi 1100 fletë ose mbi 2200 faqe. Këto fletë zbulojnë gjenialitetin e Leonardos, i cili regjistroi mendime dhe memorandume, shënime shpenzimesh, vizatime makinerish dhe zgjidhje teknike, reflektime mbi fenomenet natyrore. Dhe gjithashtu skica të fytyrave dhe peizazheve, vizatime anatomike apo evokime të fakteve personale.
Së fundi, për të kapërcyer vështirësitë e dukshme që kanë penguar deri më tani konsultimin e Kodeksit të Atlantikut, Laboratori Multimedial i Muzeut Galileo në Firence ka zhvilluar një platformë të re IT që strehon një bibliotekë digjitale të gjeneratës së re: Leonardo//thek@.
Falë bashkëpunimit të krijuar me Royal Collection Trust, përfshirja në Leonardo//thek@ e riprodhimeve digjitale të fletëve të ruajtura në Bibliotekën Mbretërore të Windsor dhe e informacionit të krijuar për secilën prej tyre nga më shumë se dy shekuj kërkimi është në një fazë të avancuar.
Pasi të përfundojë puna, platforma digjitale do të lejojë aksesin, veçmas dhe në mënyrë të integruar, në gjendjen aktuale të njohurive mbi burimet mbresëlënëse vinciane të Bibliotekws Ambrosiane dhe Royal Collection.
Studiuesit do të mund të ndërveprojnë me platformën digjitale duke depozituar vëzhgime, komente, korrigjime të propozuara, përditësime bibliografike etj., duke kontribuar kështu edhe në përditësimin e vazhdueshëm të saj.
Së fundi, integrimi i dy arkivave të reja të rëndësishme është i pashmangshëm. I pari përmban imazhet digjitale të të gjithë Codex Atlanticus, i cili do të vërë në dispozicion informacion të saktë mbi filigranët e pranishëm në fletët e Kodikut dhe mbi strukturën e materialit të letrave individuale; e dyta, do të bëjë të mundur shikimin e mbi 6000 pllakave fotografike të bëra midis fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të njëzetë në funksion të krijimit të faksimileve të para të shtypura të dorëshkrimeve të Leonardos./ a2cnn / KultPlus.com
Louis Vuitton zgjodhi muzeun e famshëm d’Orsay për prezantimin e koleksionit vjeshtë-dimër, si pjesë e javës së modës në Paris. Në një pasarelë të zezë që evokonte rrugët e Parisit, parakaluan veshje me stil lozonjar e krijime skulpturore.
Duke eksploruar nocionet e stilit francez, Nicolas Ghesquiere, drejtori artistik i koleksionit për femra, luajti me volumin e veshjeve dhe efektet vizuale; përfshirë çizme që dukeshin si këpucë me çorape, apo pallto që ngjasonin me trikot.
Pjesë e koleksionit ishin edhe pantallonat e shkurtra Bermuda, fustanet me bust të gjerë dhe prerje të ngushta në mes dhe veshje me rruaza vezulluese.
Gjatë sfilatës në sfond, dëgjohej zhurmë rruge, ndërsa mbyllja u bë me zhurmën e hapave që jepnin përshtypjen e modeleve të padukshme që ecnin në pasarelë; efekt i krijuar nga artisti Nicolas Becker. Java e modës në Paris, e cila përfshin disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë, nga Dior, Saint Laurent, Valentino e Chanel, mbyllet më 7 mars. / a2cnn / KultPlus.com
Arkeologët kanë zbuluar një statujë të ngjashme me Sfinksin dhe mbetjet e një faltoreje në një tempull të lashtë në Egjiptin jugor.
Artefaktet u gjetën pranë tempullit Hathor, një nga vendet e lashta më të ruajtura në Egjipt.
Sfinksi gëlqeror me “fytyrën e tij të buzëqeshur dhe dy gropëza” mendohet se përfaqëson perandorin romak Klaudi. Është shumë më i vogël se Sfinksi i famshëm në Piramidat e Gizës, i cili është 20 metra i lartë.
Artefaktet u gjetën brenda një varri me dy nivele në tempullin e Dendera në provincën Qena, 450 km në jug të kryeqytetit të Kajros.
Arkeologët do të studiojnë shenjat në pllakën e gurit, të cilat mund të zbulojnë më shumë informacion mbi identitetin e statujës.
Krahas Sfinksit “të gdhendur bukur dhe me saktësi”, arkeologët gjetën gjithashtu një pllakë guri të epokës romake me mbishkrime demotike dhe hieroglife.
Faltorja gëlqerore përfshin një platformë me dy shtresa dhe një pellg me tulla balte të epokës bizantine.
Disa ekspertë i shohin këto zbulime nga qeveria egjiptiane si një mënyrë për të tërhequr më shumë turistë, për të ringjallur industrinë e saj të turizmit mes një krize të rëndë ekonomike në Egjipt./abcnews.al / KultPlus.com
Vilhelm Vidi lindi në Noi Vid të Gjermanisë më 26 mars 1876 dhe ishte djali i dytë i princit Adolf Maksimilian Karl Vid. U martua me Sofinë, princeshë e Shënburg-Valdenburgut.
Në tetor 1913, Fuqitë e Mëdha i paraqitën Vidit propozimin për të marrë fronin shqiptar. Ai dha pëlqimin për këtë ofertë më 3 nëntor 1913. Një delegacion shqiptar i kryesuar nga Esad Pashë Toptani shkoi në Gjermani për t’i ofruar atij fronin në emër të shqiptarëve.
Më 7 mars 1914, Princ Vidi me oborrin e tij zbriti në Durrës. Ai nuk arriti të qëndronte gjatë në krye të fronit mbretëror shqiptar, për shkak të kryengritjes së shqiptarëve kundër tij si dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Më 3 shtator 1914, Princ Vidi u largua nga Shqipëria së bashku me familjen me anijen “Misurata”. Ai u angazhua si oficer i ushtrisë gjermane në këtë luftë. Pas përfundimit të luftës, së bashku me familjen e tij jetoi fillimisht në Tirol e më pas në Mynih. Më 1925 u vendos në Rumani në pronat e princeshës Sofia. Lidhur me Princ Vidin, Fan Noli ka shkruar: “Princ Vidi mund të kritikohet vetëm pse s’qe në gjendje të bënte mrekullira”.
Vilhelm Vid vdiq në Predeal të Rumanisë më 18 prill 1945. / KultPlus.com
Në prillin e vitit të kaluar, një kosovar i është drejtuar Aeroportit të Mynihut në Gjermani përmes një postimi në Twitter.
Ai kishte publikuar një hartë nga Aeroporti ku Kosova ishte pjesë e Serbisë. Duke i kujtuar Aeroportit se Gjermania e ka njohur Kosovës dhe është përkrahëse e saj, u ka kërkuar që ta ndërrojnë atë hartë.
Nga profili zyrtar i Aeroportit i ishin përgjigjur kosovarit, duke i thënë se do ta trajtojnë këtë çështje, shkruan Gazeta Express.
“Faleminderit për sugjerimin. Ne do ta përcjellim kërkesën tënde në departamentin përkatës”.
Dje i njëjti person e ka postuar fotografinë e hartës, ku shihet se kërkesa e tij është marrë parasysh. Tani harta në Aeroportin e Mynihut është rregulluar, dhe Kosova aty është ndaras prej vendeve fqinje. / KultPlus.com
Hello @MUC_Airport 👋🏻 , can you please update your maps here, it seems they are a little bit outdated. Your country 🇩🇪 has recognise the Republic of Kosovo and is a very strong partner of 🇽🇰 so it would be very nice to see our map also there . pic.twitter.com/tyBdLBKeMV
SHBA-ja ka sistemin më të avancuar dhe inovativ të arsimit të lartë në botë. Ndërsa sa herë mendojmë për universitetet innovative, mendja gjithmonë na shkon tek Harvard, MIT apo Stanford. Por sipas rangimeve të universiteteve më inovative të realizuar nga revista ‘US News & World Report’, Universiteti Shtetëror i Arizonës (Arizona State University) është renditur në vendin e parë për tetë vite radhazi!
Universitetet zgjidhen bazuar në atë se kush ka bërë përmirësimet më inovative ndaj kurrikulës, stafit akademik, studentëve, jetës në kampus, teknologjisë dhe kampusit.
Vetëm vitin e kaluar, Universiteti Shtetëror i Arizonës ka zbatuar Iniciativën LIFT për të adresuar pabarazitë në akademi, ka rishpikur edukimin online për studentët në shkencat natyrore dhe ka ndihmuar në nisjen e Iniciativës së Ekonomisë së Re për të sjellë vende të reja pune me paga të larta në shtetin e Arizonës dhe për të rritur autputin ekonomik të shtetit.
“Për dy dekada, Universiteti Shtetëror i Arizonës ka projektuar, ndërtuar dhe rishpikur veten si një lider në inovacion,” tha Presidenti i ASU, Michael M. Crow. “Ne kemi testuar dhe zbatuar mënyra të reja në mësimnxënie, mësimdhënie dhe kërkim shkencor – të gjitha me qëllim të demonstrimit të përkushtimit tonë ndaj përsosmërisë, gjithpërfshirjës dhe ndikimit – dhe jam thellësisht mirënjohës për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë sukses”.
ASU rangohet në vendin 121 në SHBA, ndërsa rangohet në vendin e 23 për Biznes, 29 për Infermieri dhe 33 për Inxhinieri, me fokus në Inxhinieri kompjuterike.
Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.
Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejt për mësuesit.
Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.
• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. • Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. • Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën. • Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura. • Mos jini kategorikë. • Gjithçka shikojeni me sy kritik. • Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe. • Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta • Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. • Mos bëni asnjë punë shkel e shko. • Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. • Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. • Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë. • Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore…. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mësueseve dhe mësuesve ua ka uruar 7 Marsin.
Presidentja Osmani ka thënë se mësueset e mësuesit tanë janë dëshmuar në kohë shumë të vështira, ndaj ata janë heronj të dijes.
Në vijim gjeni të plotë urimin e Presidentes Osmani:
136- vjet më parë, në Korçë nisi punën mësonjëtorja e parë shqipe, e cila trasoi rrugën e arsimit shqip gjithandej, duke luajtur rol qenësor në formimin e vetëdijes kombëtare që prej Rilindjes Kombëtare. Mësuese e mësues tanë janë dëshmuar në kohë shumë të vështira, ndaj ata janë heronj të dijes. Ata nuk janë vetëm persona që japin dituri, por edhe mentorë, udhëzues dhe burim frymëzimi. Në këtë ditë, të gjithë jemi mirënjohës për kontributin e çmuar të tyre në formësimin e të ardhmes sonë. Arsimi cilësor është bazamenti i një shteti dhe shoqërie të suksesshme! Mësuese e mësues të dashur, urime 7 Marsi! / KultPlus.com
Sot, më 7 mars, Kosova dhe shumë shqiptarë nëpër botë po kujtojnë një prej figurave më legjendare të historisë së tyre: Adem Jasharin.
Adem Jashari ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës, në Kosovë dhe ra dëshmorë më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë Sulmit në Prekaz. Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.
Së bashku me vëllain e tij Hamzën, Adem Jashari ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore–ushtarake serbe, të cilët më vonë e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Adem Jashari ra heroikisht së bashku me 58 anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikat në historinë e luftërave. Ai njihet si “Komandanti Legjendar i UÇK-së”. Urdhëri “Hero i Kosovës” iu dha atij në vitin 2008 nga Kryeministri i Kosovës.
Jeta dhe Vepra Patriotike
Adem Jashari lindi në një familje me tradita patriotike. Ishte djali i tretë i mësuesit Shaban Jashari. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike e përfundoi në qytetin e Skënderajit. Adem Jashari gjithmonë ishte i vetëdijshëm se vetëm krisma e pushkës do ta çlironte Kosovën nga okupimi serbo-sllav. Rrallëherë e shihje pa armë. Ai ishte rritur në frymën e trimërisë, heroizmit dhe atdhedashurisë, nga e cila ia kishte mbjellur heroizmin babai i tij Shabani. Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri sipas marrëveshjes së autoriteteve kosovare me Ramiz Alinë, për t’u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup luftëtarësh të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy. Familjen Jashari e luftuan forcat serbosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-kuonë. Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve të tij kundër Forcave Federale Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991. Shtëpia e Jasharajve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Adem Jashari sëbashku me shokët e tij, e thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe policisë. Shtëpia e Adem Jasharit në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale jugosllave më 22 janar të vitit 1998. Sulmi u përballua përsëri me sukses.
Sulmi mbi Prekaz
Sulmi i parë ndaj Familjes Jashari
Më 30 dhjetor 1991, forca të mëdha policore serbe, të mbështetura edhe nga forcat ushtarake jugosllave, rrethuan shtëpinë e Shaban Jasharit në Prekaz. Sigurimi Shtetëror Serb ishte në dijeni për arritjen e këtyre luftëtarëve në Prekaz. Në Kullë ndodheshin: Adem Jashari, me vëllezërit Rifatin dhe Hamzën dhe me bashkëluftëtarët, Sahit Jashari, Fadil Kodra e me trima të tjerë të Kodrajve e të Lushtakëve të Prekazit. Përleshja kishte zgjatur prej mëngjesit e deri në orën 15:00 të asaj dite. Trimave të lirisë u kishin shkuar në ndihmë qindra liridashës të tjerë, në mesin e tyre edhe daja i Adem Jasharit, Osman Geci, nga Llausha. Meqenëse bërthamës çlirimtare, në krye të së cilës ishte Adem Jashari, po i arrinin përforcime nga të gjitha anët, forcat serbe u detyruan të tërhiqen. Ato e kishin kuptuar se luftëtarët e lirisë po i mbanin armët për të luftuar kundër tyre. Prej 30 dhjetorit të vitit 1991, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij nuk e ndërprenë luftën e armatosur kundër pushtuesit serb, deri në çlirimin e Kosovës. Ai edhe ishte i zgjedhuri i trimave dhe asnjë nga shokët nuk e kishte vënë në dyshim asnjëherë pozitën e tij të prijësit. Adem Jashari tashmë ishte bërë komandant legjitim i formacioneve ushtarake çlirimtare, që më vonë do të quhen UÇK-ja. Ai ishte në dijeni paraprakisht për të gjitha aksionet që ishin kryer kundër forcave serbe në Kosovë, që prej vitit 1991 deri më 1998. Në shumicën e këtyre aksioneve ai kishte marrë pjesë edhe vetë. Gjatë periudhës së viteve 1991-1994, vetëm në Skënderaj e në Drenas, në këto aksione janë vrarë dhjetëra policë. Ndërsa më 23 mars të vitit 1993, me urdhërin e komandantit Adem Jashari, në udhëkryqin e hekurudhës në Drenas, është sulmuar automjeti i policisë serbe, me ç’rast janë vrarë 5 dhe janë plagosur 6 policë serbë. Këtë aksion e kishin kryer Sami Lushtaku, Ilaz Kodra dhe Rafet Rama. Gjatë viteve të veprimtarisë ilegale guerile, Adem Jashari ka koordinuar pothuajse të gjitha aksionet që kanë ndodhur, jo vetëm në Drenicë, por në mbarë Kosovën. Në vjeshtë të vitit 1994, Shërbimi Sekret Serb zë në befasi dhe e arreston njërin prej bashkëveprimtarëve të Adem Jasharit, Besim Ramën nga Prekazi. Në procesin gjyqësorë të organizuar kundër tij, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i dënoi prej 6 deri në 20 vjet burg: Adem Jasharin, Besim Ramën, Ilaz Kodrën, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Nuredin Lushtakun, Sami Lushtakun, Sahit Jasharin, ldriz Asllanin, Ali Jonuzin dhe Jakup Nurën. Adem Jashari u dënua me 20 vjet burg në mungesë. Për aktivitetin luftarak, qëllimin e Adem Jasharit dhe të bërthamës së tij çlirimtare, e dinin edhe politikanët pacifistë shqipfolës, të cilët këto zhvillime i përcillnin me skepticizëm dhe mosbesim. Kishte edhe raste kur aktiviteti i tij interpretohej me dubioza të liga dhe me kualifikime antikombëtare. Prania e grupeve të armatosura ilegale në Kosovë, në gjysmën e dytë të viteve 90-ta, shkaktoi konfuzione të caktuara në rrjedhat politike. Të gjithë kryeparët e partive politike pacifiste, pa dallim, u distancuan nga aktiviteti ushtarak i këtyre grupeve çlirimtare të udhëhequra nga Adem Jashari dhe konfirmuan para faktorit ndërkombëtar, si alternativë të vetme, lëvizjen pacifiste.
Përleshja e parë frontale në Rrezallë të Re
Më 25 nëntor 1997, policia serbe kishte pësuar disfatë në Lagjen Binakaj të Vojnikut, në përpjekje për ta arrestuar luftëtarin Abedin Sokol Rexha. Të nesërmen, më 26 nëntor, forca të shumta të policisë ishin nisur në relacionin Skënderaj-Llaushë-Rrezallë e Re. Në vendin e quajtut Klisyra, në drejtim të Turiqecit, kishte zënë pritë komandanti Adem Jashari me njëzet luftëtarët e tij. Atë ditë, forcat serbe, në këtë pritë, u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u linte shteg për t’i akorduar veprimet luftarake. Forcave policore u kishte shkuar në ndihmë një helikopter ushtarak, i cili vërtitej mbi vendbetejë. Piloti nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skënderajt, forcat serbe qëllojnë shkollën e fshatit Llaushë, me ç’rast merr plagë vdekjeje mësuesi Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha. Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet botërisht humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet po ashtu fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës. Shtypi zyrtar i Beogradit propagandonte me të madhe se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës dhë nga ato islamike. Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetmë për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternativ të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe në Dukagjin.
Rrethimi i Tretë i Kullës së Jasharëve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 Mars 1998
Kulla dhe shtëpia e Adem Jasharit, të shkatërruara gjatë Sulmit në Prekaz
Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Serbe dhe forcat policore serbe. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar me 100 policë serbë. Sulmi zgjati 3 ditë dhe 2 netë.
Forcat Serbe filluan sulmin pa asnjë paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat e automatikëve dhe mitralozëve. Nga një shtëpi, policia serbe qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjërë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për 52 orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.
Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej 58 persona janë vrarë, në mesin e tyre 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm vajza e vogël e familjes, Besarta Jashari, e cila asokohe ishte vetëm 11 vjeçare.
Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëroi për 62 policë serbë të vrarë në Prekaz.
Pas mbarimit të Luftës
Memoriali “Adem Jashari” në Prekaz, Kosovë
Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë. Kështu shumë prej tyre veshën bluza me fotografinë e tij pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj të dielën, më 17 shkurt të vitit 2008. Mbishkrimi në bluzat ishte ″Bac u kry”, duke iu referuar shprehjes së përdorur gjatë homazheve në varrin e tij me rastin e shpalljes së pavarësisë, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së Adem Jasharit. / KultPlus.com
Aktivitetet për shënimin e përvjetorit të 25-të të kësaj ngjarjeje historike që nisi më 5 mars, do të përfundojnë sot.
Në ditën e tretë të Epopesë, dhe e fundit, me 7 mars, duke filluar nga ora 18:00, fillon ndezja e flakadanëve në Kosovë, duke vazhduar me manifestimin “Nata e Zjarreve” në Prekaz që shënon edhe përmbylljen e manifestimit gjithëpopullor, Epopesë së UÇK-së.
“Nata e Zjarreve’, do të mbahet edhe në Prishtinë. Ky është viti i dytë që Kryeqyteti e shënon Epopenë e UCK-së, për të vazhduar kështu traditën e përkujtimit të luftës dhe sakrificës së njerëzve tanë për liri”, njofton Komuna e Prishtinës.
Ndryshe dje dhe pardje me aktivitete u shënua 25 vjetori i rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.
Në përvjetorin të 25-të të kësaj ngjarjeje historike, u mbajt parada e FSK-së, ku Kuadratet e Ushtrisë së Kosovës u rreshtuan në nderim të ,,Epopesë së UÇK-së”. Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UÇK-Së, nderime pranë Obeliskut të Lirisë, si simbol i nderimit të epopesë së UÇK-së, bënë ushtarakët, komandantja supreme, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.
Kurse dje Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur seancë në shënim të ‘Epopesë së UÇK-së, si dhe u mbajt një Akademi Përkujtimore./ KultPlus.com