Kanadaja do të kërkojë nga Google dhe Meta të paguajnë mediat për lajmet e tyre

Senati i Kanadasë miratoi të enjten një projekt-ligj që do t’u kërkojë Google-s dhe Meta-s të paguajnë mediat për përmbajtjen e lajmeve që ata ndajnë ose ripërdorin në platformat e tyre.

Projektligji, i cili do të bëhet ligj, u miratua në mes të një përplasjeje midis qeverisë së kryeministrit Justin Trudeau dhe gjigantëve të teknologjisë Silicon Valley.

Senati miratoi projektligjin i cili kërkon nga gjigantët e teknologjisë Meta dhe Google që të paguajnë mediat për lajmet që ato postojnë në platformat e tyre.

Ndërkohë Meta në një deklaratë tha se do të zbatojnë ligjin në fjalë. Projektligji do të bëhet ligj pas miratimit mbretëror dhe do të hyjë në fuqi brenda 6 muajve./KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë mozaikun e mahnitshëm në Siri

Studiuesit në Siri kanë prezantuar sot një mozaik të ruajtur çuditërisht të paprekur të epokës romake, ku përshkruhen skena e luftëtarë të Luftës së Centaurëve.

Mozaiku është zbuluar në Rastan në rajonin verior të Homs në gërmimet e nisura ne fillim të vitit dhe daton prej shekullit të 4-rt.

Drejtori arkeologjik i misionit në Rastan, Ammar Musaed tha se mozaiku daton prej kohës bizantine dhe i shtohet një tjetri të gjetur të dëmtuar, nga e njëjta periudhë.

“Skenat nga Lufta e Centaurit njihen dhe në Akropolin e Athinës apo në pocarinë e lashtë greke”.

“Po kjo është hera e parë që i shikojmë në një mozaik. Sipas informacioneve tona lufta e Centaurit nuk është portretizuar në asnjë mozaik në botë”, tha Musaed.

Centaurët kanë qenie mitologjike gjysmë kalë gjysmë njeri që prezantoheshin shpesh në lashtësi. Grekët besohet se i përdornin ato për të përfaqësuar njerëz ose popuj barbarë, ose në raste të veçanta, qenie të dijeve hyjnore. / KultPlus.com

Zelensky nënshkruan ligjin: S’ka libra në rusisht

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nënshkruar një ligj që ndalon importin e librave nga Rusia, duke e konsideruar si një hap tjetër në ndërprerjen e lidhjeve kulturore midis dy vendeve pas pushtimit.

“Unë besoj se ligji është i saktë”, shkroi presidenti ukrainas në aplikacionin Telegram, duke njoftuar se është i ndaluar gjithashtu edhe importi, për qëllime komerciale, të librave të shtypur në Bjellorusi ose në territoret e pushtuara ukrainase.

Të interesuarit tashmë do të duhet të sigurojnë një leje speciale për të importuar libra në gjuhën ruse nga vendet e treta. Zyra e Zelensky tha në Twitter se ligji “do të forcojë mbrojtjen e kulturës dhe hapësirës së informacionit vendas nga propaganda ruse anti-ukrainase”.

Ukraina ka kaluar kohët e fundit një proces “de-rusizimi”, siç e quan ajo, duke argumentuar se është e nevojshme të përmbyset politika shekullore që ajo beson se kishte për qëllim shkatërrimin e identitetit ukrainas. / KultPlus.com

HRN dënon ashpër gjuhën poshtëruese të përdorur nga deputetja Valentina Bunjaku – Rexhepi

Rrjeti i Organizatave për të Drejtat e Njeriut (HRN) dënon ashpër gjuhën poshtëruese të përdorur dje, me datë 22 qershor 2023, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës nga deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi, njëherit dhe anëtare e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

Përgjatë seancës së djeshme, gjatë një diskutimi për financat publike, deputetja e LDK-së, Bunjaku-Rexhepi, me qëllim të nënçmimit të deputetit Adnan Rrustemi, përdor fjalën “magjup” ndaj ti. Gjuha pezhorative e përdorur në Kuvendin e Kosovës dje, shpërfaq një qasje ofenduese, fyese dhe poshtëruese të deputetës ndaj komuniteteve jo-shumicë në Kosovë dhe një qasje e tillë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dëmshme kur bëhet pjesë e diskursit publik nga përfaqësues të popullit.

HRN ka parë me shqetësim edhe mos-reagimin ndaj një gjuhe të tillë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Konjufca dhe deputetëve të tjerë prezent, që në njëfarë mënyre legjitimon një zhargon të tillë në një institucion publik kaq të rëndësishëm.

Për më tepër, praktika të tilla të përdorimit të gjuhës diskriminuese dhe përhapjes së urrejtjes nga foltorja e Kuvendit të Kosovës janë bërë të shpeshta dhe një praktikë e tillë është e rrezikshme dhe ka një efekt afatgjatë në cenimin e dinjitetit dhe integritetit tek komunitetet e margjinalizuara në Kosovë si dhe mund të shkaktojë margjinalizim të mëtejshëm të grupeve ose individëve të caktuar.

HRN i bën thirrje kryeparlamentarit Glauk Konjufca që në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës të dënoj gjuhën diskriminuese të përdorur në Kuvendin e Kosovës, të marr masa administrative ndaj deputetës në fjalë sipas asaj që e përcakton rregullorja e punës së Kuvendit dhe njëkohësisht të bën thirrje për ndërgjegjësim për të gjithë deputetët që të ndalojnë diskriminimin, gjuhën e urrejtjes dhe racizmin ndaj komuniteteve jo-shumicë dhe qytetarëve të Kosovës. / KultPlus.com

Disa nga këngët që u bënë më të famshme se filmat (VIDEO)

facebook sharing button

Në vitin 2017 u festua 20 vjetori i Titanikut, dhe me të edhe lansimi i këngës së Celine Dionit e “My heart will go on”, e që cilësohet si një nga këngët më të rëndësishme të të gjitha kohërave, përcjellë KultPlus.

Kjo këngë bëri që historia e Jack dhe Rose të duket edhe më romantike. Disa janë rritur duke shikuar filma që përcilleshin nga zëri i Whitney Houston, Bruce Springsteen dhe Eminem Në disa raste, këto këngë muzikore tani janë më të famshme sesa filmat në të cilët janë kënduar.

KultPlus po ju sjellës shtatë nga himnet e filmave të dekadave të fundit.

1. Céline Dion, “My Heart Will Go On” Titanic (1997)

Pak këngë kanë suksesin e kësaj këngë që përcolli filmin Titanic, madje sa herë dëgjohet kjo këngë në mendje të dëgjuesve i sjellë skenat e jashtëzakonshme të këtij filmi. Kjo baladë ka shërbyer edhe për mbrëmje të panumërta të vallëzimeve shkollore, dasma, e mbrëmje të tilla. I kënduar nga Céline Dion, kjo këngë mbajti pozitën e parë në mbarë botën, dhe u bë kënga më e shitur e vitit 1998 dhe një nga këngët më të dëgjuara të të gjitha kohërave.

2. Aerosmith, “I Don’t Wanna Miss a Thing” Armageddon (1998)

Kënga “ I don’t wanna miss a thinj”, është një baladë e fuqishme e interpretuar nga grupi amerikan hard rock “Aerosmith” për filmin e vitit 1998 “Armageddon”, që luajti bija e Steven Tyler, Liv Tyler. Pavarësisht nga ndjenjat tuaja rreth Aerosmith, kënga ju kujtoi vazhdimisht se sa e trishtuar ishte filmi. Një veprim i vërtetë, duke pasur parasysh se Ben Affleck ka bërë një punë të shkëlqyeshme. Kënga ka mbajtur pozitën numër një për katër javë nga data 5 deri më 26 shtator 1998. Kënga gjithashtu pati pozitën numër një për disa javë edhe në disa vende të tjera.

3. Eminem, “Lose Yourself” 8 Mile (2002)

Gjashtëmbëdhjetë vite pas faktit, ne ende e kujtojmë filmin “8 Mile” i cili flet për jetën e këngëtarit të njohur Eminem; ai u rrit në një lagje të varfër të Detroit dhe ndoqi ëndrrën e tij tu bërë reper. Filmi mori komente shumë të mira pasi Eminem doli të ishte një aktor i mahnitshëm. Kënga 8 Mile i solli një sukses të jashtëzakonshëm për Eminemin. Ndërsa shitjet e albumeve në përgjithësi ishin në rënie për shkak të çmimeve të larta të CD-ve dhe piraterisë në internet, kjo fonogram dhe albumi i Eminem, The Eminem Show, arritën të shesin miliona kopje. Eminem fitoi çmimin e Akademisë për këngën më të mirë origjinale për këngën”Lose Yourself”.

4. Whitney Houston, “I Will Always Love You” Bodyguard (1992)

Whitney Houston ka kënduar versionin e saj të këngës “I Will Always Love You” për filmin The Bodyguard të vitit 1992. Kënga e saj kaloi 14 javë në krye të tabelës Billboard Hot 100 duke e bërë kështu një nga këngët më të shitura të të gjitha kohërave.Kjo këngë gjithashtu mban rekordin e këngës më të shitur nga një grua në historinë e muzikës. Versioni i Houston i “I Will Always Love You” u rikthye në Listat në vitin 2012 pas vdekjes së saj, duke kryesuar listën e Billboard Hot 100. Kënga është bërë tashmë një himn që këndohet nga shumë këngëtarë të rinj dhe nga shumë artistë të tjerë të rëndësishëm, përfshirë Linda Ronstadt dhe John Doe.

5. R. Kelly, “I believe I can fly” Space Jam (1996)

Kënga “I believe I can Fly” e cila është transmetuar gjatë filmit “Space Jam”, në vitin 1996 mund të konsiderohet kënga më e mirë e R.Kelly. Po ashtu kjo këngë i ka sjellë R.Kelly-t dy çmime Grammy. Kjo këngë e përcjellë ndërveprimin e një lojë basketbolli në hapësirën e famshme nga Looney Tunes dhe Michael Jordan.

6. Coolio, “Gangsta’s Paradise” Dangerous Minds (1995)

Megjithëse Coolio ka publikua një album me të njëjtin emër atë vit, famën më të madhe e mori nga lansimi i këngës “Gangsa’s Paradise” në dramën ku luante Michelle Pfeiffer “Dangerous Minds”, veçanërisht pasi fitoi një MTV Movie Award për Best Rap Video në 1995. Kjo këngë arriti të jetë kënga numër një në 16 shtete (përfshirë SHBA), u emërua këngën nr. 1 në Billboard një vit para se të fitonte çmimin Grammy të vitit 1996 për performancën më të mirë Rap.

7. Lana Del Rey, “Young and Beautful” Great Gatsby (2013)

Kur është fjala për historinë për një njeri të obsesionuar me të kaluarën, është e përshtatshme që Lana Del Rey, një këngëtare me një dëshirë për nostalgji, të japë himnin e këtij filmi. Kënga “Young and Beautful”, e Great Gatsby përmbledh mënyrën e gjetjes së ngushëllimit të personave të cilët kthehen nga lufta – pavarësisht nga trajektoret e tyre dhe realitetet që i kanë larguar ata nga romancat e tyre të gjata. LDR pyet: “A do të më doni edhe mua kur nuk jam më i ri dhe i bukur?”. / KultPlus.com

Kryebashkiaku i parë i pasluftës, i persekutuar nga regjimi komunist

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell sot në kujtesë Ali Bakiun, kryebashkiakun e pare të Tiranës pas luftës.

Më 23 qershor të vitit 1937, është shkrepur kjo foto të cilën e bën publike DPA.

Ali Bakiu lindi më 20 tetor të vitit 1911. Në periudhën e mbretërisë së Ahmet Zogut ishte marrë me tregti dhe kishte kultivuar pasionin e tij për fotografinë.

Më 30 mars 1948, Gjykata Ushtarake e Tiranës e shpalli “fajtor” nën akuzën e “formimit të grupit me tendenca kundra pushtetit dhe për ta rrëzuar këtë me dhunë”, së bashku me Haki Karapicin, Irfan Pustinën dhe Imer Keçin.

Fillimisht, Bakiu u dënua me vdekje dhe me konfiskimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. Mirëpo, një muaj më pas, më 21 prill të po atij viti, duke i mbetur konfiskimit të pasurisë, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake e reduktoi dënimin kapital në burgim të përjetshëm./ atsh / KultPlus.com

‘Wind of Change’, kënga që bëri kthesën e madhe në historinë e muzikës botërore

Scorpions, që në shqip do të thotë “Akrepa”, është nje grup muzikor hard rock dhe metal i rëndë nga Hanoveri i Gjermanisë, që u formua në vitin 1965. Scorpions është një prej grupeve gjermane rok më të njohura në skenen ndërkombëtare.

Këta të fundit arritën famë të madhe me këngët e tyre të mirëpritura nga publiku, ata gjatë viteve të ’80-ta kanë shitur mbi 70 milionë disqe në mbarë botën, përcjell KultPlus.

“Wind of Change” është një nga këngët e tyre më të njohura e cila mori famë të madhe dhe tërhoqi një dashuri të madhe nga publiku.

“Era e ndryshimeve” (Wind of Change) u publikua gjatë vitit 1990.

Teksti i kësaj këngë u kompozua nga Klaus Meine, vokalist, kompozitor dhe instrumentist gjerman, kur Scorpions si grup vizituan Bashkimin Sovjetik, në kohën kur armiqësia midis blloqeve komuniste dhe atyre kapitaliste u qetësua, duke publikuar njëkohësisht shpalljen e reformave socio-ekonomike në shkallë të gjerë në Bashkimin Sovjetik.

Me shitjet e vlerësuara prej 14 milionë kopjesh të shitura në të gjithë botën, “Wind of Change” është një nga këngët më të shitura të të gjitha kohërave.
“Winf of Change” hapet me një hyrje të pastër të kitarës të luajtur nga Matthias Jabs, e cila melodi përcjellet nga një fishkëllimë e lehtë e Klaus Meine.

Teksti i këngës feston glasnostin (që në rusisht do të thotë “hapje dhe transparencë”) në Bashkimin Sovjetik, fundin e Luftës së Ftohtë, dhe flasin për shpresën në një kohë kur kushtet e tensionuara ishin krijuar për shkak të rënies së qeverive të drejtuara nga komunistët midis kombeve të Bllokut Lindor duke filluar në 1989.

Linjat e hapjes i referohen monumenteve të qytetit të Moskës:

“I follow the Moskva
Down to Gorky Park
Listening to the wind of change.”

“Është një histori që shtrihet në të gjitha zhanret muzikore, në kufijtë dhe periudhat e historisë, kështu që ishte e rëndësishme për mua që ju të dëgjoni muzikën, thekset dhe zërat, dhe të gjykoni vetë se kush mund të gënjejë dhe kush po thotë e vërteta, ”shpjegoi Keefe.

Moskva është emri i lumit që kalon nëpër Moskë (si qyteti ashtu edhe lumi emërtohen në mënyrë identike në Rusisht), kurse Gorky Park është një park urban në Moskë i emëruar pas shkrimtarit Maxim Gorky.
Kënga gjithashtu përmban një referencë për balalaika, (një instrument rus me një trup karakteristik trekëndësh prej druri, të zbrazët, qafë të mprehtë dhe tre tela, disi si një kitarë). Balalaika përmendet në rreshtat e mëposhtëm: “Let your balalaika sing, What my guitar wants to say.” / KultPlus.com

Studiuesja Evalda Paci ndan sekretet e ‘Mesharit’ të Buzukut: Jemi në gjurmët e qytetit ku është shtypur

Studiuesja e teksteve të vjetra shqipe Evalda Pacika ndarë disa sekrete nga libri i parë shqip, ‘Meshari’ i Buzukut, i cili u zbulua 2 shekuj pas shkrimit të tij në Bibliotekën e Propaganda Fides, nga ipeshkvi Imzot Gjon Nikollë Kazazi.

“Një libër i tillë, me një model të tillë ku janë ndërthurur disa tekste kishtare. Po të ishte dhe aq konkret do të ishte dhe më mirë për të gjithë ne. Vazhdojmë supozojmë dhe kemi studiues tej Adriatikut që na kanë ndihmuar shumë me indicie, me emra topografësh, me çështjet e shkronjave, tipeve të shkronjave që janë përdorur, por gjithmonë një hap i fundit mbetet për të konkretizuar tamam se ku është shtypur ky libër”, u shpreh ajo në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News.

Më tej, Pacika theksoi se studiuesit janë në gjurmët e zbulimit të vendit ku është shtypur ky libër dhe mendohet se është Venecia.

“Thuhet që është prodhuar në Venecia, po ende nuk e kemi në mënyrë definitive. Ka indicie që vijnë e shtohen, i afrohen një studimi shumë të shumëdëshiruar në traditën e studimeve tona, por mbetet një konfirmim, sado i afërt, është domosdoshmëri”, shtoi ajo./abcnews.al / KultPlus.com

Qindra emigrantë shpëtohen në Ishujt Kanarie

Zyrtarët spanjollë kanë bërë të ditur se të paktën 227 emigrantë u shpëtuan pranë ishujve Kanarie të Spanjës, një ditë pasi u raportua për vdekjen e më shumë se 30 emigrantëve në këtë zonë.

Shërbimet e urgjencës thanë se emigrantët po udhëtonin me gomone pranë ishujve Lanzarote dhe Gran Kanaria në Atlantik.

Një numër prej tyre u dërguan në spital për t’u trajtuar për lëndime joserioze.

Më 22 qershor, dy organizata bamirëse thanë se më shumë se 30 emigrantë mund të jenë mbytur pasi gomonia e tyre u fundos në Gran Kanaria.

Autoritetet spanjolle thanë se ekipet e shpëtimit i gjetën trupat e një të mituri dhe një burri, si dhe shpëtuan edhe 24 persona të tjerë.

Megjithatë, organizatat bamirëse, Walking Borders dhe Alarm Phone, thanë se rreth 60 njerëz kishin qenë në gomonet e fundosura.

Helena Maleno Garzon, nga Walking Borders, tha se 39 persona ishin fundosur, përfshirë katër gra dhe një foshnje. Ndërsa, Alarm Phone tha se 35 persona ishin të zhdukur.

Të dy këto organizata monitorojnë barkat me të cilat udhëtojnë emigrantët dhe komunikojnë me pasagjerët e tyre apo të afërmit e tyre.

Një anije shpëtimi spanjolle, Gardamar Caliope, ishte vetëm rreth një orë larg nga gomonia kur ajo u fundos më 20 qershor, sipas agjencisë spanjolle të lajmeve Efe.

Por, anija nuk e ndihmoi gomonen sepse operacioni ishte marrë përsipër nga zyrtarët marokenë, të cilët dërguan një barkë patrullimi që mbërriti të mërkurën në mëngjes, dhjetë orë pasi ishte gomonia ishte vërejtur nga një aeroplan shpëtues spanjoll, sipas Reuters.

Ministria e Brendshme e Marokut nuk u është përgjigjur pyetjeve të transmetuesit publik britanik BBC lidhur me këtë temë.

Angel Victor Torres, udhëheqësi i rajonit të Ishujve Kanarie, e përshkroi incidentin si një “tragjedi” dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të krijojë një politikë migracioni që “ofron reagim të koordinuar” për çështjen e migrimit.

Edhe pse pranë bregut perëndimor të Afrikës, Ishujt Kanarie janë pjesë e Spanjës dhe shumë emigrantë udhëtojnë nga Afrika në këtë arkipelag me shpresën për të shkuar në Evropën kontinentale.

Rruga e migrimit Afrikë Perëndimore-Atlantik konsiderohet si një nga më vdekjeprurësit në botë. Të paktën 543 migrantë vdiqën ose u zhdukën gjatë udhëtimit në këtë zonë në vitin 2022, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM) të OKB-së.

IOM-ja kishte thënë se 45 anije ishin fundosur atë vit, por kishte shtuar se shifra reale mund të jetë më e madhe sepse të dhënat janë të pakta dhe të paplota.

Shumica e emigrantëve janë nga Maroku, Mali, Senegali, Bregu i Fildishtë dhe pjesë të tjera të Afrikës Sub-Sahariane, sipas IOM-së.

Javën e kaluar, një barkë me qindra emigrantë u fundos në brigjet greke, me të paktën 78 të vdekur. Dyshohet se numri i viktimave është edhe më i madh, pasi që zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se rreth 500 persona janë ende të zhdukur./REL / KultPlus.com

Sot mbahet “Koncerti i miqësisë Tajlandë-Kosovë”

Sot, me fillim nga ora 19:30, mbahet koncerti i miqësisë mes Tajlandës e Kosovës në Qendrën Kulturore Tajlandeze.

Bashkëpunimi në mes të Orkestrës Simfonike Mbretërore të Bangkokut dhe Filharmonisë së Kosovës do të prezantoj potencialin muzikor të Kosovës përpara publikut tajlandez.

Koncerti i së premtes mbrëma do të jetë nikoqir i solistëve dhe interpretuesve të Kosovës, kjo me sopranon Besa Llugiqi e violinisten Sihana Badivuku si soliste, me Visar Kuçin si koncert-mjeshtër në koncertin e dirigjuar prej Toshio Yanagisawas, dirigjent nderi i Filharmonisë së Kosovës. Në këtë koncert do të intepretohen mes tjerësh edhe “Simfonia nr. 2” e Kreshnik Aliçkajt dhe “Baresha” e Rexho Mulliqit (100-vjetori i lindjes). / KultPlus.com

Studim: Këto shtete prijnë me numrin më të madh të lexuesve

BE gjurmon se sa shpenzojnë europianët për letërsinë. Në vitin 2021, mesatarisht, një qytetar i BE-së shpenzoi rreth 1.1% të të ardhurave në gazeta, libra dhe artikuj kancelarie. Por, cili është vendi i BE-së që shpenzon më shumë për libra? Është Sllovakia, dhe me diferencë. Sllovakët shpenzojnë mesatarisht 1.9% të të ardhurave vjetore për gazeta, libra apo artikuj kancelarie. Sllovakia mbetet në krye të klasifikimit në pesë vjetët e fundit dhe, në të vërtetë, ka rënë lehtë nga një nivel i lartë prej 2.1%. Duke zbritur nga 1.9% në 1.2%, vendet europiane që kanë shpenzuar më shumë për libra janë Kroacia, Gjermania, Estonia, Letonia dhe Islanda, përcjell albinfo.ch.

Cili vend renditet i fundit? Në pozicionin e palakmueshëm, vendi me shpenzimet më të ulëta për frymë për letërsinë është Qiproja, me vetëm 0.4%. Megjithatë, Greqia, Rumania, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia nuk janë shumë larg, pasi të gjitha shpenzuan 0.5% në vitin 2021. Humbësi i vërtetë në listë nuk ka paraqitur as shifra në BE, që nga viti 2019. Maqedonia e Veriut i deklaroi shpenzimet e saj për herë të fundit, tre vjet më parë. Në atë kohë, vlera ishte mjerisht vetëm 0.1% e të ardhurave për frymë.

Cili shtet i kushton më shumë kohë leximit? Një gjë është të shpenzosh para për letërsinë. Por, siç thotë shprehja e vjetër “kohë = para”, vlera e vërtetë në jetë është koha jonë.

Pra, cilat janë vendet që më shumë se të gjithë ulen dhe i kushtojnë kohë leximit? Shifrat për këtë pyetje, në të gjithë Europën, janë pak më të vjetra, pasi Anketat e Harmonizuara Europiane të Përdorimit të Kohës (Harmonised European Time Use Surveys), zhvillohen vetëm një herë në dekadë, dhe shifrat e vitit 2020 ende nuk janë publikuar. Megjithatë, zotërojmë të dhëna që lidhen me sondazhet e kryera midis 2008 dhe 2015 në 18 vende europiane.

Në krye të listës për kohën që i kushtohet leximit në ditë është Estonia. Njerëzit nga 20 deri në 74 vjeç, kalojnë rreth 13 minuta në ditë duke lexuar. Kohën e mbi 10 minutave që ia kushtojnë leximit në ditë e kalojnë edhe Finlanda, Polonia dhe Hungaria.

Në fund të klasifikimit renditej Franca, e cila i kushton vetëm dy minuta në ditë leximit. Në një nivel të ngjashëm ishin Rumania, Austria dhe Italia, që shpenzojnë pesë minuta në ditë, duke lexuar. Rezultate të ngjashme shfaqen edhe për popullatat të cilat e konsiderojnë leximin si një aktivitet të cilit duhet t’i kushtojnë kohë: 16.8% e finlandezëve e cilësojnë leximin një “aktivitet i rëndësishëm”, ndjekur nga Polonia, Estonia, Greqia dhe Luksemburgu. Sërish, francezët janë në disavantazh, sa u përket lexuesve. Pavarësisht se janë kombi, që i kanë dhënë botës Volterin, Hygonë, Prustin dhe së fundmi, fituesen e çmimit Nobel këtë vit, Annie Ernaux, vetëm 2.6% e francezëve e konsiderojnë leximin një aktivitet të rëndësishëm në jetën e tyre. / KultPlus.com

Pesë pyetje pa përgjigje për tragjedinë e ”Titan”-it

Pesë pyetje mbeten pa përgjigje pas tragjedisë së ”Titan”-it, mes frikës se trupat mund të mos gjenden kurrë, shkruan James Liveris për britaniken ”The Sun”.

Eksploruesit e vërtetë, Stockton Rush, miliarderi britanik Hamish Harding, Paul-Henri Nargeolet, Shahzada Dawood dhe djali i tij 19-vjeçar Suleman vdiqën të gjithë, pas implozionit të nëndetëses.

Çfarë e shkaktoi shpërthimin?

Një robot gjeti pesë pjesë të mëdha mbeturinash në shtratin e detit, dy milje nën sipërfaqe. Ato përfshinin pjesë të trupit të nëndetëses dhe një kon të pjesës ballore të saj.

Kundëradmirali John Mauger, i Rojës Bregdetare të SHBA, tha se mbeturinat ishin rreth 500 metra nga harku i ”Titanic”-ut dhe “në përputhje me një humbje katastrofike të dhomës së presionit”.

Por, nuk është e qartë se çfarë shkaktoi shpërthimin e anijes, e projektuar posaçërisht për t’i bërë ballë thellësive ekstreme.

Cilat ishin zhurmat e goditjeve?

Të mërkurën, u raportua për tinguj nën ujë gjatë kërkimit për nëndetësen e zhdukur ”Titan”. Në atë kohë, ajo ngjalli shpresa të reja se anëtarët e ekuipazhit mund të kishin sinjalizuar për ndihmë. Kërkuesit pohuan se dëgjuan përplasje në intervale prej 30 minutash ndërsa kërkonin anijen.

Një avion kanadez zbuloi gjithashtu tingujt në zonën ku u zhduk ekuipazhi.

Kapiteni i Rojës Bregdetare të SHBA-së Jamie Frederick më vonë konfirmoi se zhurmat në det të thellë ishin dëgjuar dhe po analizoheshin nga ekspertët e hidrolokatorëve për të përcaktuar nëse ato vinin nga anija 22 metërshe.

Carl Hartsfield, një tjetër ekspert i përfshirë në kërkim, u tha gazetarëve se ishte shumë e vështirë të dallohej se cilat ishin zhurmat. Ai tha se “ne kemi sensorë të shumtë në zonë që marrin të dhënat tek njerëzit më të mirë në botë për këtë punë dhe ia kthejnë këtë ekipit në mënyrë që ata të marrin vendime. Ata duhet të eliminojnë burimet e mundshme të krijuara nga njeriu, përveç ‘Titanic-ut”.

Megjithatë, në konferencën për shtyp, kundëradmirali Mauger tha se nuk duket të ketë ndonjë lidhje midis zhurmave nënujore të zbuluara gjatë misionit të kërkim-shpëtimit dhe vendndodhjes së mbeturinave në fund të detit.

Mbetet e panjohur pra se cilat ishin zhurmat e goditjeve.

Pse pati një vonesë tetëorëshe përpara se të jepej alarmi?

”OceanGate Expeditions” është kritikuar për një vonesë tetëorëshe përpara se të lajmëronte Rojen Bregdetare të SHBA-së se kishte humbur kontaktin me ”Titan”-in.

Anija u zhyt në orën 13:00 GMT, të dielën, rreth 650 kilometra, në juglindje të St John’s, Newfoundland. Por, afërsisht pas një ore e 45 minutash në zbritje, ajo humbi kontaktet.

Megjithatë, kjo gjë nuk u raportua te Roja Bregdetare amerikane deri tetë orë më vonë, në orën 22:40 GMT.

Kathleen Cosnett, një kushërirë e Hamish Harding, tha se ”vonesa prej tetë orësh ishte shumë e gjatë”.

“Është shumë e frikshme. U desh kaq shumë kohë që ata të shkonin për t’i shpëtuar, është shumë kohë e gjatë. Unë do të kisha menduar se tre orë do të ishin minimumi”, shtoi ajo.

”OceanGate” nuk e ka shpjeguar vonesën.

Pse u përdor kjo nëndetëse edhe pse ishin ngritur shqetësimet e sigurisë?

Një seri gabimesh të rëndësishme sigurie u bënë përpara se nëndetësja të zhdukej gjatë udhëtimit për të parë rrënojat e ”Titanic”-ut.

Në një intervistë përpara se anija të humbiste, CEO i ”OceanGate” Stockton Rush – i cili ishte në bord – pohoi se duhet të kishte kufizime për masat paraprake të sigurisë.

Ai i tha CBS se ”në një moment, siguria është thjesht një humbje e pastër”.

“Dua të them, nëse thjesht dëshironi të jeni të sigurt, mos u çoni nga krevati, mos hipni në makinën tuaj, mos bëni asgjë. Në një moment, ju do të ndërmerrni një rrezik, dhe me të vërtetë është një çështje mess rrezikut dhe shpërblimit. Unë mendoj se mund ta bëj këtë po aq të sigurt duke thyer rregullat”, tha ai.

Dhe është zbuluar se ”OceanGate” ishte e përfshirë në një proces të madh gjyqësor për frikën për sigurinë e nëndetëses.

Ish-punonjësi, David Lochridge pretendon se ai u pushua nga puna pasi ngriti shqetësimet dhe kërkoi që të vendoseshin kontrolle më të rrepta sigurie. Dokumentet e gjykatës, të parë nga ”The Sun”, thanë se ai u ankua se anija nuk ishte në gjendje të zbriste në thellësitë ekstreme të nevojshme për të parë rrënojat e ”Titanic”-ut.

Dosjet ligjore tregojnë se ”OceanGate” paditi Lochridge, i cili ishte “përgjegjës për sigurinë e të gjithë ekuipazhit dhe klientëve, për zbulimin e informacionit konfidencial në lidhje me ”Titan”-in.

Megjithatë, Lochridge më pas paraqiti një kundërpadi duke pretenduar se ai ishte shkarkuar gabimisht nga roli i tij për shkak se ishte një sinjalizues për cilësinë dhe sigurinë e anijes. Në nëntor 2018, çështja u zgjidh jashtë gjykatës.

Pse nuk kishte një sinjal pamor sigurie emergjente?

David Pogue, një reporter i CBS Sunday Morning dhe ish-pasagjer i ”Titan”-it, zbuloi se ndërsa anija kishte humbur një herë vitin e kaluar ai vuri në dyshim sistemin e urgjencës së kompanisë. Ai tha se anija nuk kishte një sinjal pamor rreziku – i cili aktivizohet në situata emergjente.

Kur aktivizohet, ai sinjalizon një rrjet mbarëbotëror të Kërkim-Shpëtimit (SAR) i krijuar për të dërguar shpejt shpëtuesit në vendndodhjen e saktë të anijes.

Pogue tha se “kjo nëndetëse nuk ka asnjë lloj fener të tillë”.

“Në ekspeditën time verën e kaluar ata me të vërtetë humbën dhe shtimi i një fener të tillë u diskutua”, përfundon ai./ atsh / KultPlus.com

9 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe kritikut të njohur, Ali Jasiqi

Shkrimtari Ali Jasiqi lindi në Jasiq të Junikut më 1937. Shkollën fillore në Junik e në Deçan. Shkollën Normale e filloi në Gjakovë dhe e kreu në Prishtinë. Në Prishtinë kreu Fakultetin filologjik – gjuhë e letërsi shqipe, shkruan KultPlus.

Ka punuar gazetar në të përditshmen “Rilindja”, kryeredaktor i revistë për kulturë, art e letërsi “Fjala”, drejtor i Njësisë punues të revistave në kuadër të NGBG “Rilindja” dhe kryeredaktori i revistës letrare “Jeta e re”. Ka qenë sekretar dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Me shkrime letrare filloi të merret si nxënës. Në fillim ka shkruar poezi dhe proza, për t’u kushtuar mandej kritikës letrare dhe studimit. Vjershën e parë e botoi në “Zani i rinisë” më 1957.

Ka përgatitur për botim përmbledhjen e tregimeve “Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera“ të Mitrush Kutelit, botuar nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës më 1967, tregimet “Talush Efendia” të Zekeria Rexhës (të nënshkruara me pseudonimin Ramë Zuka), botuan nga “Rilindja” në vitin 1973, përmbledhjen e poezive për fëmijë “Lulet e para” të Fahredin Gunges dhe Bedri Hyses, ka përgatit disa numra tematik të revistës letrare “Jeta e re”, qoftë vetëm apo edhe me bashkëpunëtor etj. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat letrare që botoheshin në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. /KultPlus.com

63 vjet nga lindja e legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit

Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.

Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina  e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.

Fadili i rrethuar nga tifozët

Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri e shpjegon kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në radhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pat ofruar ky ekip ishin shumë të mira, e qe besa edhe “Prishtina”, me transferimin tim tek “Partizani”, nuk është ndarë keq për nga “leku”, kështu që të gjitha komponentët u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të “Partizanit”. Kam kaluar mirë në këtë ekip, mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë kur minatorët e Trepçës, hynë në zgafellë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më kanë ftuar që unë të bëja thirrje, që minatorët të dalin nga zgafella (kjo është hera e parë që këtë po e bëj publike), më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje …”.

Flamurtari – Partizani i Beogradit

Petro Ruci, lojtar i Flamurtarit të Vlorës e kujton kështu atë ndeshje dhe Fadil Vokrrin: “Detyra që na dha trajneri Leonidha Çuri ishte që unë dhe Rrapo Taho të koordinojmë veprimet tona për të ruajtur mirë sulmuesit më të rrezikshëm të Partizanit të Beogradit Milko Gjurovski dhe Fadil Vokrri. Për vetë mënyrën e lojës, që u krijua, më takoi mua të luaj ndaj bashkatdhetarit tim Vokrri. Ai ishte një lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, kërcente shumë në ajër dhe e godiste mjaft mirë topin me kokë. Ai ishte një futbollist mjaft i vështirë për çdo mbrojtje kundërshtare. Si i tillë, ai ishte i vështirë edhe për ne.”

Fadil Vokrri kujton nga këto 2 ndeshje: “Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, ekipi i “Partizanit”, ka qenë shumë i dobët, ku humbëm 2:0. Në Kavajë i kam 30 familje kushëri, babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë më të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes, kanë qenë 2000 tifozë, që më prisnin. Për mua ishte diçka madhështore, me këtë rast dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë Fahredin Jusufin (ish-trajner i Partizanit), i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozëri që më prisnin. Tani kur po flas po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë dikund 1000 fotografi, ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi. Ndërsa sa i përket lojës ““Flamurtari”, me plotë meritë fitoi 2:0″, ndërkaq në ndeshjen e kthimit në Beograd, Fadil Vokrri, shënoi golin e dytë, si dhe në Vokrrin shkaktohet penalltia, “Partizani” udhëheq 2:0, ekipi ynë luan shumë mirë, e po ashtu edhe Fadil Vokrri, njëri ndër lojtarët më të mirë në terren, mirëpo në fund të takimit Sokol Kushta shënoi gol, pastaj portieri i “Flamurtarit”, Arapi, ka qenë në formë shumë të mirë, kështu që “Partizani”, u eliminua nga garat. Humbja e “Partizanit” ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, ku thuhej se si është e mundur që një ekip si “Flamurtari”, ta eliminojë ekipin e “Partizanit” të Beogradit, me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd, u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit”, na destabilizoi në tërësi”.

Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.

Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.

Në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.

Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK.

Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak.

Pas vdekjes së Vokrrit, stadiumi në vitin 2018 u riemërtua nga Stadiumi i Qytetit në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërsa, kujtojmë se sot shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), do të përurohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. / KultPlus.com

Ekspozohet për herë të parë ikona e Shën Nikollës në Muzeun e Artit Mesjetar

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë prezanton ikonën e Shën Nikollës, pjesë e ekspozitës së përkohshme “Piktura bizantine në Shqipëri”. Kjo ikonë ekspozohet për herë të parë për publikun e gjerë.

Origjina e ikonës së Shën Nikollës është nga Kisha e Ristozit, në Mborje, të Korçës. Ikona është pikturuar mbi një panel monolit, të gdhendur në mes në forme govate. Korniza e dalë nga gdhendja është pikturuar në ngjyre të kuqe dhe skarpati me të zezë. Nuk dihet vepër e cilit piktor të kohës është kjo vepër e rrallë.

Shën Nikolla një nga shenjtët me popullorë në Shqipëri nderohet njëlloj nga të dy kishat.

Ai shërbeu si peshkop në Mira, mori pjesë në Këshillin e Parë Ekumenik dhe bëri shumë mrekulli.

Në këtë ikonë që duhet të jetë pikturuar në shek. 14-të, shenjtori paraqitet në pamje frontale deri në mes, i veshur me një fellon të dekoruar me rrathë dhe kryqe dhe një omofor të bardhë mbi supe me kryqe të zinj. Sfondi që mund të ketë qenë argjend ka ngjyrë gri të mbyllur.

Linjat kanë elegancë dhe format evidentohen bukur. Trajtimi është dekorativ dhe pjesët e mishta janë punuar grafikisht me dritë – hije të forta, gati grafike, pa shumë tonalitete. Mbi kafen e errët janë hapur dritat me tone të okrës pa kalime të ndërmjetme tonale. Vizatimi është i thjeshtë dhe linear. / atsh / KultPlus.com

Oscar ndryshon rregullat për filmin më të mirë

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka njoftuar se duke filluar nga viti 2024, produksionet që aspirojnë për një nominim për filmin më të mirë do të duhet të qëndrojnë në kinema për më shumë se një javë. Vendimi nënvizon ndryshimin midis prodhimeve të destinuara për ekranin e madh dhe atyre të krijuara për transmetim.

Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi nga sezoni i ardhshëm, ndërsa sezoni aktual i Oscar-it nuk do të preket.

Për herën e ardhshme, pas javës fillestare, do të duhet të shtohet një tjetër, në dhjetë nga 50 tregjet kryesore amerikane jo më vonë se 45 ditë nga data e debutimit në 2024.

Prodhimet kryesore të Studiove të Hollivudit zakonisht po ndjekin tashmë këtë kalendar. Por jo ato të shërbimeve të transmetimit, filmave të pavarur dhe shpërndarësve të huaj që zakonisht nuk qëndrojnë në kinema në qytetet e mëdha për aq gjatë. / a2cnn / KultPlus.com

Shpërthimi katastrofik i nëndetëses shkaktoi vdekjen e ekuipazhit

Nëndetësja që u zhduk të dielën, pësoi një “shpërthim katastrofik”,  duke vrarë të pesë personat në bord. Konfirmimi u bë nga Admirali i Rojes Bregdetare të SHBA-së, John Mauger, pas gjetjes së mbetjeve të Ocean Gate, pranë Titanikut. Pas ditësh kërkimesh të dëshpëruara një automjet i drejtuar nga distanca gjeti konin e bishtit të Titanit rreth 1600 metra larg harkut të anijes së mbytur.

“Ne besojmë se ekuipazhi i zhytësit tonë ka vdekur,” tha OceanGate në një deklaratë.

Sipas Rojës Bregdetare të Bostonit, rrënojat, gjithsej pesë, janë në përputhje me ‘humbjen dramatike të presionit’.

“Ne do të vazhdojmë të inspektojmë zonën ku u gjetën rrënojat”, sqaroi Roja Bregdetare, duke nënvizuar se ende nuk është e mundur të përcaktohet koha e aksidentit. Do të fillojë çmobilizimi i disa prej personelit të saj kërkimor brenda 24 orëve të ardhshme. Aktualisht ka nëntë anije në zonën e kërkimit.

Në bordin e nëndetëses ndodheshin Hamish Harding, Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleman Daëood, Paul-Henri Nargeolet dhe  CEO i OceanGate  Stockton Rush, të cilët humbën jetën. / a2cnn / KultPlus.com

Jahti 121-vjeçar ku u realizua filmi “Agjenti 007” viziton Sarandën

Saranda vijon të jetë një nga destinacionet kryesore të vendit tonë për ankorimin e jahteve luksoze.

Porti i Sarandës bën të ditur se “një ikonë e vërtetë, jahti velier 121-vjeçar me tre shtylla veliere, Shenandoah of Sark, ka vizituar këto ditë qershori Sarandën dhe është ankoruar në kalatën e jahteve në port”.

Jahti me një gjatësi prej 44 metra dhe 8.17 metra i gjerë, me peshë 300 GT, kombinon pamjen klasike me pajisje moderne për komoditetin maksimal të ofruar në bordin e tij.

I ndërtuar në vitin 1902 në New York, SHBA dhe i rinovuar në 2018-2019, ai u ndërtua për performancë dhe lundrim në distanca të gjata në oqean dhe i ka shëtitur turistët e vet në qoshet më të largëta të botës në kushte ekstreme.

Në këtë jaht është realizuar një nga filmat më të famshëm të Hollywood-it “Agjenti 007”, “Golden Eye” me James Bond.

Nga janari deri në qershor Saranda ka tërhequr një numër të lartë turistësh të huaj, të kanë hyrë me kroçera dhe jahte turistike./ atsh / KultPlus.com

Kësulëkuqja

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Hiç nuk ma mbush mendjen
që një natë dimri duke u kthyer
në shtëpi
asnjëherë s’kemi ecur nëpër borë
me dorën tënde në xhepin tim
që nuk mbaje në kokë një kësulë
të kuqe
dhe çizmet poashtu të kuqe
i kishe

Nuk ka kurrfarë mundësie
që të mos jemi puthur
të mos i kemi ngrohur buzët
e njëri tjetrit me avujt e shpirtit

Nuk ka as edhe pak mundësi
që nuk e kemi gjetur një vend
te ngrohtë
një qiri një shishe verë të kuqe
e të mos kem bërë dashuri

Apo po i bie se më paska marrë malli
për ato që i paskam parë në ëndërr
dikur moti
Unë jam ujk por s`më ha palla
nëse qengji ma turbullon rakinë e rrushit
dhe që më ikin ditët
duke e pritur kësulëkuqen
në mes të rrugës së verbër të jetës./KultPlus.com

Organizim madhështor i Ceremonisë së Diplomimit në Uni Universum International College

Ceremonia e diplomimit është një ngjarje e rëndësishme për studentët e diplomuar, ku ata shpërblehen për përkushtimin dhe punën e vështirë gjatë studimeve të tyre. 

Një ditë shumë e veçantë plot emocion gëzimi dhe hidhërimi që kurorëzon një rrugë të gjatë drejt dijes, pra është fjala për Ditën e Diplomimit dhe më saktësisht në Uni Universum International College.

Uni Universum International College është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian.

Uni Universum International College, institucion që ndër vite ka punuar që të nxjerr kuadro të kualifikuara për tregun e punës, ku njihet si një ndër kolegjet më prestigjioze dhe më i pëlqyeri nga studentët i ka kushtuar vëmendje dhe rëndësi të plotë çdo herë Ditës së Diplomimit ku edhe këtë vit kjo ditë është festuar për suksesin dhe sakrificën përgjatë viteve të studimit të studentëve.

Këtë vit përfunduan me sukses diplomimin gjenerata e gjashtembëdhjetë e studentëve të nivelit bachelor dhe gjenerata e dymbëdhjetë e studentëve të nivelit master.

Po ashtu këtë vit Kolegji Universum ka shtuar dhe numrin e bashkëpunimeve me Universitetet Evropiane si dhe numrin e BURSAVE Ndërkombëtare që do të ofrohen për këtë vit për studentë për shkëmbim në 26 shtete të BE-së.

Dita e fundit e studimeve por fillimi i një rrugëtimi të gjatë për studentët e këtij kolegji!Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram./ KultPlus.com

Veliaj: Arti mural në Tiranë, ftesë për të gjithë ata që na vizitojnë

Arti mural në Tiranë i ka dhënë një pamje të re ndërtesave në kryeqytet, duke zëvendësuar fasadat dhe duke i veshur ato me ngjyra dhe imazhe mjaft domethënëse.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë foto nga disa lagje të Tiranës, të cilat janë transformuar nga veprat e realizuara nga artistë të njohur pjesë e “Mural Fest Tirana”.

Veliaj shkruan se secila nga veprat e artit është një ftesë për të gjithë ata që zgjedhin të vizitojnë Tiranën.

“Tirana po zbukurohet nga arti mural në çdo lagje të qytetit, ku secila vepër arti është ftesë për të gjithë që të na vizitojnë”, u shpreh kryebashkiaku.

Tashmë prej disa vitesh në kryeqytet zhvillohet “Mural Fest Tirana”, e cila është një nismë e Drejtorisë së Dekorit nga bashkia e Tiranës, kuruar nga Shoqata Kulturore VIZart.

Një vjet nga vdekja e poetit Xhevdet Bajraj

Më 22 qershor 2022 ka vdekur poeti i njohur kosovar, Xhevdet Bajraj, shkruan KultPlus.

Xhevdet Bajraj i lindur në vitin 1960, në Republikën e Kosovës, ishte një poet dhe skenarist shqiptar etnik kosovar që ka banuar në Meksikë.

Bajraj iu dha rezidenca në Meksikë si refugjat falë Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve që i ofroi opsionet e Francës, Italisë apo Meksikës. Ai iku nga lufta në Kosovë për një Mexico City më paqësore ku ka banuar me gruan e tij dhe dy fëmijët. / KultPlus.com

22 qershor 1926, hapet ‘Nasional’, kinemaja e parë publike në Tiranë

Më 22 qershor 1926, u përurua Kinema-Teatri “Nasional”, kinemaja e parë publike në  Tiranë. Një vit më parë Hysen Beshiri, Xhuf Koljaka, Alqi Hobdari dhe Ferit Vokopola, themeluan shoqërinë e parë kinematografike në Shqipëri. Këto ishin dy ngjarje të rëndësishme në jetën artistike të vendit.

Në vitet që pasuan, kinema “Nasional” dhe shoqëria kinematografike hapen degët e tyre në Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër, duke u bërë kështu shoqëria më e fuqishme në përzgjedhjen, importin dhe shfaqjen e filmave në Shqipëri shkruan.

Foto kortezi e Albanian Vintage Photography, people, city, culture and history.

Më 22 qershor të vitit 1964 lindi shkrimtari Dan Brown, autor i romanit ‘Kodi i Da Vinçit’

Dan Brown është një nga shkrimtarët më të shitur në ditët tona dhe proza e tij vjen si produkt i gërshetimit të fantazisë, ngjarjeve historike dhe misterit, shkruan KultPlus.

Dan Brown lindi më 22 qershor 1964 në New Hampshire. Është autorë i disa librave të suksesshëm, midis të cilëve renditen Kodi i Da Vinçit dhe Engjëj dhe Djaj. Para se të merrej me shkrimin e librave ai ishte mësues i gjuhës angleze.

Dan Browni jeton dhe shkruan në Massachusetts në SHBA. Ai dhe bashkëshortja e tij (Blythe) janë njohës të mirë të historisë dhe kulturës evropiane. Librat e tij karakterizohen nga tema e zbulimit të aventurave misterike, të bazuara jo gjithmonë në ngjarje dhe personazhe të vërtetë.

Brown është ndër autorët më të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, njëherësh edhe i preferuar nga mijëra lexues. /KultPlus.com