Ndalohet shfaqja e filmave shqiptarë në Bujanovc, Çeku: Ky është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar apo se mund të ndryshojë

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar me rastin e ndalimit të shfaqjes së dy filmave shqiptarë në Shtëpinë e Kulturës në Bujanovc, nga autoritetet serbe, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook Çeku ka thënë se një akt i tillë, i cili u ndëmorr një ditë para shfaqjes së filmave, me motivin që filmi është me aktorë shqiptarë dhe që është mbështetetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas tij më e pakta që mund të emërohet është mosdurim nacional.

Ministri më tutje ka thënë se politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar apo mund të ndryshojë.

Postimi i plotë i ministrit Hajrulla Çeku në facebook:

I paprecedent dhe i papranueshëm rasti i mbrëmshëm në Komunën e Bujanocit, ku u ndalua shfaqja e dy filmave në Shtëpinë e Kulturës.

Një ditë para shfaqjes së filmave, policia e Serbisë i merr në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave.

Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës.

Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional. E për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë.

Pikërisht politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë.

Ky projekt ishte njëri nga 78 projektet që Qeveria jonë i mbështeti financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar. Projekte këto që bartnin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin, avancimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës./KultPlus.com

Jeta asht fort e bukur për me u dukë e pakuptimtë

Poezi nga Charlie Chaplin
Përshtati në shqip Arjola Zadrima

“Kam falë gabime pothuajse të pafalshme,
jam mundue me zëvëndsue njerëz të pazëvëndsueshëm,
e kam harru persona të paharrueshëm.

Kam veprue impulsivisht,
jam zhgënjye prej njerëzve që nuk e mendoja,
dhe unë kam zhgënjye.

Kam mbajtë ndokënd brenda krahëve
për më e mbrojtë;
Kam ba miq të përjetshëm.

Kam qeshë kur nuk ishte me u qeshë,
kam dashtë e më kanë dashtë,
por edhe jam refuzu.

Më kanë dashtë e s’kam mujtë me i dashtë.
Kam ulëritë e jam hedh përpjetë
për shumë e shumë gëzime.

Kam jetu dashnisht e kam ba premtime
të përjetshme,
ani pse kam djegë zemrën
mija herë.

Kam qa tuj dëgju muzikë,
e tuj pa fotografi.

Kam telefonu dikë veç me ja dëgju zanin.
Dhe tash prapë dashurohem
mbas një buzëqeshje.

Kam kujtu se po vdes prej mallit…e kam pasë frikë, se mos po humbas ndokënd
fort të dashtun,
( që e humba), por mbijetova!
Ende jetoj.
E jeta nuk më lodhë…
as ti nuk duhet me u lodhë.

Jeto! Asht prej mend gja e mirë me luftu me bindje,
me e rrokë jetën ,
e më jetu me pasion,
me humbë me klas, e me fitu tuj guxu,
sepse bota i përket kujt guxon.

Jeta asht fort e bukur për me u dukë e pakuptimtë./ KultPlus.com

Autoritetet në Gjermani kërkojnë heqjen e anglishtes nga shkollat fillore

Presidenti i Shoqatës Gjermane të Mësuesve, Heinz-Peter Meidinger, thotë se mësimet e anglishtes në shkollat fillore duhet të hiqen.

“Ne besojmë se mësimet e anglishtes janë me të vërtetë të domosdoshme dhe se ato mund të zhvendosen, për shembull, në mësimet e leximit”, i tha ai transmetuesit publik gjerman ARD të premten.

“Ne duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje bazave në shkollat fillore – aftësitë e të lexuarit, shkathtësitë e të shkruarit dhe aritmetikën”, vazhdoi ai.

Sfondi i komenteve të tij është performanca e dobët e Gjermanisë në Anketën Ndërkombëtare të Leximit në Shkollën Fillore (IGLU) të paraqitur në maj.

Sondazhi zbuloi se një e katërta e fëmijëve në vitin e katërt në Gjermani nuk mund të lexojnë siç duhet.

Në nivel ndërkombëtar, nxënësit e shkollave fillore në Gjermani performojnë më keq në aftësitë e leximit sesa bashkëmoshatarët e tyre në shumë vende të tjera.

Trendi i arsimit IQB, një seri tjetër e rregullt testesh mes nxënësve të klasës së katërt, tregoi gjithashtu vitin e kaluar se Gjermania ka mbetur mbrapa ndjeshëm në matematikën bazë dhe aftësitë gjermane vitet e fundit.

”Mësimet e anglishtes mund të kenë kuptim në disa shkolla”, tha Meidinger, “por ne kemi gjithashtu klasa ku kemi 70, 80, 90% të fëmijëve me prejardhje migrante që vështirë se kanë njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes”.

”Mësimet e anglishtes”, tha ai, ”po vendosin prioritete të gabuara. Njohuritë se nxënësit e shkollave fillore mësohen ndryshojnë aq shumë sa në shkollat e mesme pothuajse të gjithë duhet të fillojnë përsëri nga e para”.

Meidinger bëri thirrje gjithashtu për më shumë mbështetje parashkollore.

“Dhe sigurisht,” tha ai, “duhet të marrim masa kundër mungesës së mësuesve, përndryshe nuk do ta kapim kurrë problemin”.

Shoqata e shkollës fillore është skeptike në lidhje me shtytjen e Meidinger për të hequr mësimet e anglishtes.

”Propozimi sigurisht që nuk zgjidh asnjë nga sfidat reale”, tha kryetari Edgar Bohn për dpa të premten.

“Shkollat fillore janë të pafinancuara, të mbingarkuara me detyra dhe gjithnjë e më shumë punojnë me staf që nuk është mjaftueshëm i kualifikuar për detyrën specifike dhe sfiduese të mësimdhënies fillestare,” tha ai./ KultPlus.com

Osmani: Lidhja e Prizrenit thirrje për bashkim kombëtar kur po rrezikohej ekzistenca e kombit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit ka thënë se kjo lidhje ishte thirrje për bashkim kombëtar atëherë kur po rrezikohej ekzistenca e kombit shqiptar.

“Lidhja e Prizrenit ishte thirrje për zgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë. Ajo e shprehu qartë qëndrimin e shqiptarëve për shtet të pavarur. Tregoi vetëdije të lartë politike e shtetërore dhe u shndërrua në platformë të fuqishme nacionale”, ka thënë Osmani në manifestimin qendror të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Lidhja e Prizrenit, sipas Osmanit, i bashkoi shqiptarët e katër vilajeteve të atëhershme dhe i artikuloi kumbueshëm qëndrimet politike të komit shqiptar në një moment të rëndë të historisë sonë, ndërkohë që tokat shqiptareve rrezikoheshin të copëtoheshin në mes fqinjësh ballkanik si pasojë e Traktatit të Shën Stefanit dhe atij të Berlinit.

Osmani tha se kjo lidhje ka shërbyer si model për projektet e tjera kombëtare, njofton Klankosova.tv

“Ka shërbyer si model i përhershëm nga ku janë frymëzuar intelektualë, patriotë, dijetarëh e politikanë ku kanë vijuar projekte të tjera përbashkuese të tipit nacional kulturor si ai i viteve 90 për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, vetëdija që e kishte krijuar kjo lidhje janë shndërruar në premisa të përhershme që shërbejnë si burmë frymëzimi./KultPlus.com

Kurti në 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Lidhja na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot

Sot shënohen 145 vjet nga nisja e punimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, përcjell KultPlus.

Në një fjalim në Prizren për shënimin e 10 qershorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se kjo lidhje e bashkon popullin shqiptar sot dhe do ta bashkojë çdo mot.

Në vijim KultPlus ua sjell fjalimin e plotë të tij:

145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Lidhja na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot.

Fjala ime e plotë në manifestimin qendror për shënimin e 10 Qershorit:

Shkëlqesia juaj, Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Shkëlqesia juaj, Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë, dhe zonja e parë, Armanda Begaj,

I nderuari, z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,

I nderuari z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,

E nderuara ministre e Ekonomisë,  znj. Artane Rizvanolli,

I nderuari ministër i Brendshëm, z. Xhelal Sveçla,

E nderuara zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,

Të nderuar përfaqësues të kabinetit qeveritar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Data e 10 qershorit është një ditë që na kthen çdo vit këtu në Prizren, për të kujtuar Lidhjen Shqiptare, e cila u themelua në Prizren pikërisht më 10 qershor 1878, plot 145 vite më parë. Nga ajo ditë deri më sot, duke ecur nëpër etapa të ndryshme të historisë politike të tyre, në vazhdimësi shqiptarët janë kthyer dhe rikthyer me trup dhe me mendje kah Prizreni dhe kah Lidhja, për t’i përtërirë lidhjet e tyre politike mes vete dhe me të tjerët.

Por çfarë ishte kjo lidhje atëherë kur nisi dhe çfarë është ajo sot që po e kujtojmë? Një shekull e gjysmë më parë, Evropa u përballë me një fazë të re të asaj që ishte quajtur Kriza Lindore, e cila përfshinte përgjithësisht luftëra dhe rivalitete mes Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha të Evropës. Mes tyre, ngjashëm sikur dhe sot, veçanërisht problematike ishte Perandoria Ruse, e cila pasi arriti ta mposhte ushtarakisht Perandorinë Osmane, më 1878 i imponoi asaj Traktatin e Shën Stefanit, me anë të të cilit parashiheshin shtete të mëdha pansllave dhe proruse në Ballkan. Të alarmuar nga kjo shtrirje e madhe ndikimi të drejtpërdrejtë rus në gadishull, Britania, Gjermania, Austro-Hungaria, Franca dhe Italia, organizuan një kongres diplomatik në Berlin, ku bashkë me rusët dhe osmanët do ta rishihnin traktatin e tyre.

Më 10 qershor 1878, tre ditë para se të fillonin punimet e këtij kongresi ndërkombëtar në Berlin, duke dashur t’i paraprijnë atij, rreth 300 përfaqësues nga tërë hapësira shqiptare, u mblodhën në Prizren, te xhamia Baraklije fare pranë nga këtu afër, për ta artikuluar vullnetin e tyre politik në sferën ndërkombëtare të kohës, pa dallim krahine e feje. Nga ajo ditë e tutje, ata u organizuan gradualisht në kuadër të një organizate politike të njohur si Lidhja Shqiptare, e cila ngriti edhe komisionet e saj për punë të brendshme dhe të jashtme, si dhe për financa, para se të bënte edhe trupat e saj të armatosura dhe deri te një trup ekzekutive.

Gjatë katër viteve pasuese, Lidhja Shqiptare ishte tejet aktive në njërën anë në mbrojtjen e trevave shqiptare nga dhënia dhe pushtimi i tyre prej shteteve të Ballkanit, si dhe në anën tjetër për angazhimin për avancimin e të drejtave dhe pozitave politike të shqiptarëve në Perandorinë Osmane, me kërkesa dhe synime deri mëvetësi. Betejat e lidhjes me Fuqitë e Mëdha, me shtetet ballkanike dhe me Perandorinë Osmane, vazhduan të ishin po të njëjtat beteja të shqiptarëve edhe në tre dekadat e ardhshme deri më 1912, kur u shpall shteti shqiptar. Andaj, 10 qershori, është në po atë regjistër datash të rëndësishme si 28 nëntori dhe 17 shkurti. 

Prandaj, 10 qershori i vitit 1878, konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik të shqiptarëve, e i cili vazhdon dhe sot. Prandaj, çdo 10 qershor, ne vijmë në Prizren për ta kujtuar Lidhjen tonë nga vendi ku ajo u ngjiz dhe mori jetë pastaj, për t’u shtrirë në krejt hapësirën shqiptare dhe tutje përpara në kohë deri te ne sot.

Prandaj sot i kemi këtu edhe Presidentët e të dyja shteteve tona republikane, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për ta mirëmbajtur linjën drejtuese institucionale të kultivimit të idealeve dhe interesave politike të kombit shqiptar. Prandaj jam dhe vetë këtu, si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të përkujtojë rrënjët politike të qeverimit të shqiptarëve dhe të përforcojë lidhjet e qeverisë tonë me filozofinë politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Sepse ne ende kemi çfarë të mësojmë nga teoritë politike të Sami Frashërit dhe nga praktika diplomatike e Abdyl Frashërit; nga kuvendimet e Ilaz Pashë Dibrës dhe të Ymer Prizrenit si dhe nga organizimi ushtarak i Sulejman Vokshit e Ali Pashë Gucisë. Sepse rruga jonë e sotme, është  rruga e tyre e dikurshme. Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët synonin bashkim forcash dhe avancim politik atëherë, siç duam dhe ne shqiptarët sot. Ne duam menaxhim racional të burimeve ekonomike si dhe ngritje të kapaciteteve sot, siç donin shqiptarët e kohës së Lidhjes atëherë. Me fqinjët ballkanikë përreth, Perandorinë Osmane mbi krye dhe Fuqitë e Mëdha në mes, krerët politikë dhe vetë populli shqiptar i kohës së Lidhjes, mbrojtën territoret dhe interesat e tyre politike atëherë, siç duhet ta bëjmë edhe ne sot.

Me rëndësinë e saj historike dhe politike, Lidhja e Prizrenit na ka bashkuar këtu ne edhe si krerë institucionesh sot, siç i kishte bashkuar Lidhja shqiptarët dhe parinë e tyre atëherë, po këtu. Duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm, për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb evropian. Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth Lidhjes, si mendësi dhe vetëdije politike, mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona, bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë evropianë e amerikanë.

Për këtë, Lidhja na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot!

Ju faleminderit!/KultPlus.com

Komente të shumta raciste, ‘The Little Mermaid’ dështon në Kinë dhe Korenë e Jugut

“The Little Mermaid” ka dështuar në Kinë dhe Korenë e Jugut mes kritikave raciste në disa qarqe mbi aktoren me ngjyrë Halle Bailey si personazhi kryesor Ariel.

Filmi ka fituar vetëm 3.6 milionë dollarë në Kinën kontinentale që nga publikimi më 26 maj, sipas Box Office Mojo. Në Korenë e Jugut, “The Little Mermaid” ka fituar 4.4 milionë dollarë që nga 24 maji.

Pritja e ftohtë erdhi pasi shikuesit në të dy vendet vunë në dyshim zgjedhjen e Bailey-t si yllin e filmit.

Në Shtetet e Bashkuara, vajzat e reja me ngjyrë kanë përshëndetur vendimin e Disney, duke thënë se ndjehen të përfaqësuara në ekranin e madh për shkak të rolit të saj kryesor.

Por në IMDb, filmi dyshohet se ka dështuar për shkak të racizmit, dhe komenteve të shumta negative. Çështja bëri që IMDb javën e kaluar të paralajmërojë për “aktivitet të pazakontë votimi” dhe të ndryshojë mënyrën se si llogarit vlerësimet.

Në Douban, një uebsajt i njohur kinez për rishikimin e filmave, përdoruesit vlerësuan filmin vetëm 5.1 nga 10.

“Përralla me të cilën u rrita ka ndryshuar! Mos shkel mbi kujtimet e mia të dashura të fëmijërisë dhe imazhin e Ariel-it,” shkruante një person.

Diçka e tillë ndodhi edhe në mediat sociale në Korenë e Jugut. Në Japoni, ku filmi nuk ka dalë ende në kinema, por ai është përballur gjithashtu me kritika nga ata që thonë se portretizimi i Ariel-it duket se ndryshon nga ata që mbajnë mend.

Media shtetërore kineze ka nxitur gjithashtu reagime të tilla. Në një editorial të botuar një ditë para debutimit të filmit në Kinë, tabloidi shtetëror Global Times tha se ai “kishte shkaktuar një debat rreth përfaqësimit në argëtim dhe kishte nxjerrë në pah sfidat e përshtatjes së përrallave të dashura tradicionale”./abcnews.al/ KultPlus.com

Edhe unë

Poezi nga Langston Hughes
Përkthimi: Rozafa Kelmendi

Edhe unë, këndoj Amerikë.

Unë jam vëllau i errët,
më dërgojnë të ha në kuzhinë
kur vijnë miqtë.
Por unë qesh,
dhe ha mirë
dhe rritem e bëhem i fortë.

Nesër,
unë do të jem në tryezë
kur vijnë miqtë.
Askush nuk do të guxojë
të më thotë
“Ha në kuzhinë”
pastaj.

Përveç kësaj,
ata do të shohin se sa i bukur jam
dhe do t’u vie turp.

Edhe unë jam Amerikë.

Poezi e botuar në vitin 1926
Autori reciton vargjet:
Artisti: Langston Hughes
Albumi: The Voice of Langston (Zëri i Langston)/KultPlus.com

‘Google’ redukton punën në distancë, parapëlqen bashkëpunimin personal

 Kompania amerikane e teknologjisë ”Google” bëri një njoftim zyrtar që tregon një ndryshim në qëndrimin e saj ndaj punës në distancë, duke iu bashkuar një liste në rritje të kompanive të mëdha të teknologjisë që i kthehen politikave të punës në bashkëpunim.

Shefja e Burimeve Njerëzore të ”Google”, Fiona Cicconi, përshkroi direktivën e re në një memo të brendshme të marrë nga mediat këtë javë, duke theksuar rëndësinë e pranisë në zyrë për nxitjen e lidhjes brenda komunitetit të Google.

Në vijim, kërkesat për punë në distancë do të merren parasysh vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, ku punonjësit jo në distancë pritet të kalojnë tre ditë në javë në zyrë, të monitoruara përmes rrëshqitjeve të distinktivit që mund të ndikojnë në rishikimet e performancës.

Vendimi i kompanive të mëdha të teknologjisë, të cilat zotërojnë burimet dhe mjetet për të lehtësuar punën efektive në distancë, sinjalizon një largim nga miratimi i gjerë i politikave të punës në distancë, të parë gjatë pandemisë.

Këto kompani, të cilat ishin në krye të mundësimit të punës në distancë globalisht, tani duket se kanë ndryshuar besimin e tyre në efikasitetin e saj.

Ky ndryshim përputhet me firmat e tjera të mëdha të teknologjisë që kanë zbatuar së fundmi politika më të rrepta, duke e kthyer në mënyrë efektive mbështetjen e tyre të mëparshme për punën në distancë.

Kompanitë e teknologjisë dikur ishin pioniere në ofrimin e aranzhimeve fleksibël të punës, duke përdorur përfitime joshëse në zyrë për të tërhequr talentet më të mirë.

Megjithatë, kur pandemia goditi SHBA-në, të njëjtat kompani kaluan me shpejtësi në punë në distancë.

Ata u bënë rekrutues aktivë të punonjësve në distancë deri vitin e kaluar, kur liderët e industrisë si ”Apple”, ”Amazon” dhe ”Meta” filluan të zvogëlojnë politikat e tyre të punës në distancë./KultPlus.com

Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës në Manastir

Në vazhdën e një tradite tanimë solide, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (Shkup) dhe me Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe (Manastir) zhvilluan punimet e Konferencës së VII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

Ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave të rrjeteve arkivore kombëtare u bënë bashkë në Manastir për të diskutuar mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm.

Fjala përshëndetëse e konferencës u mbajt nga Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido dhe përfaqësuesi i ASHAK-ut, Hysen Azemi.

Synimi i kësaj konference periodike është lëvrimi i lëmit të arkivistikës si shkencë e posaçme, të mëvetësuar nga historia apo shkenca të tjera të përafërta. Në fokus të kumtesave të mbajtura janë çështjet që mbulojnë arkivat, përgjegjësinë, aksesin në të dhëna, mbrojtjen e të dhënave personale, bashkëpunimin rajonal në fushën e arkivave, trashëgiminë kulturore arkivore, trafikun ilegal të trashëgimisë dokumentare, etikën dhe arkivat, trajnimin arkivor, si dhe turizmin dhe promovimin e arkivave.

Manastiri ishte ndalesa e radhës për edicionin e përvitshëm të Konferencës Mbarëkombëtare të Arkivistikës, që është zhvilluar më herët në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Sarandë, në Tuz dhe në Boletin.

Dita e parë e punimeve të Konferencës u zhvillua më datë 9 qershor, fill pas çeljes së Këndit Arkivor, hapësirës së “binjakëzuar” të Sallës së Studimit në Tiranë.

Ky bashkëpunim i përvitshëm kurorëzohet me botimin e revistës “Arkivat Shqiptare”, e cila përfshin punimet e përgatitura prej kumtuesve. Revista e përbashkët, që është e vetmja në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, ka një origjinë të hershme në botimet e vazhdueshme të institucioneve homologe përgjatë 58 vjetëve të fundit./KultPlus.com

41 457 vizitorë në kalatë historike të Shqipëri

Gjashtëmujori i parë i këtij viti, ka shënuar rritje të fluksit të vizitorëve në kalatë historike të Shqipërisë, që falë restaurimeve të kryera viteve të fundit janë kthyer në atraksione tërheqës për turistët vendas dhe të huaj.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila informoi se për këtë periudhë janë regjistruar 41 457 vizitorë.

Margariti ndau po ashtu në rrjetet sociale shifrat e rritjes së ndjeshme të vizitorëve në kalatë historike gjatë viteve të fundit.

Shifrat e 6-mujorit të parë të këtij viti paraqesin një rritje të ndjeshme të fluksit të vizitorëve krahasuar me vitin 2020 kur kishte vetëm 12 183 vizitorë, ndërkohë që në vitin 2021 kishte 20 756 vizitorë.

Në vitin 2022 kalatë dhe monumentet e tjera të vendit u vizituan nga 24 832 vizitorë./atsh/KultPlus.com

Me premierën e dokumentarit ‘My Worst Enemy‘, sonte mbyllet edicioni i parë i ‘PriDox’

Sonte do të mbahet mbrëmja përmbyllëse e edicionit të parë të ‘PriDox’, javës së filmit të gjatë dokumentar, përcjell KultPlus.

Ceremonia përmbyllëse do të mbahet në Kino Armata nga ora 20:00 ku do të shfaqet filmi ‘My worst Enemy’.

Ndërkaq, ‘PriDox’, i cili këtë vit u mbajt për herë të parë, i dha mundësinë publikut që të shijojë filmat e gjatë dokumentarë nga 6 deri më 10 qershor./KultPlus.com

Romani për Omerin

ROMANI PËR OMERIN

Nga Anita Behrami

(Adil Olluri: “Vdekja e Omerit”, Onufri, Tiranë, 2022)

Romani “Vdekja e Omerit” është romani më i ri i Adil Ollurit, të cilin e botoi në shtëpinë botuese “Onufri”. Romani hapet me një “udhëzim të shkurtër për një këndonjës kureshtar”, apo në vend të parathënies, siç e cilëson vetë autori.
Nga vetë titulli i romanit kuptojmë që aty flitet për vdekjen e një djaloshi, të cilin do ta njohim që në faqet e para të romanit.

Pra, kryetema e romanit është vrasja e një djaloshi, të ri të cilin thuhet se e vranë padrejtësisht dhe qëllimi kryesor i autorit është të zbulojë të vërtetën rreth vdekjes së tij. Prandaj, me një temë të mjaft prekëse lexuesit i bëhet me dije qysh në pjesën e parë të veprës që ata që nuk e ndjejnë dhembjen për këtë vdekje nuk do ta përjetojnë e as kuptojnë veprën.

Romani përfshin të fshehtat, dëshmitë dhe dyshimet rreth rastit, përfoljet dhe hamendësimet që ngjalli ky rast në atë qytet. Përmes ngjarjeve është bërë përpjekje që të krijohet dhe kujtohet imazhi i një të riu që vdes qysh në faqen e parë të librit dhe të babait të tij, i cili vdes në faqen e fundit të librit.

Ky roman shohim se përmban një ngjarje tragjike pasi që hapet dhe mbyllet me dhimbje.
Brenda romanit do të gjejmë personazhe të shumta, të cilët do të dëshmojnë rreth rastit të vrasjes, mirëpo pak nga ta do e thonë të vërtetën.Duke mos qenë roman policor ku zakonisht krimi që ndodh hetohet nga organet e hetimit shtetëror, d.m.th. ata interesohen fund e krye që ta zbardhin rastin, romani i Adil Ollurit anon kah zhanri i romanit psikologjik, ku d.m.th analizohet natyra e krimit dhe kriminelit, analizohet gjendja e tij psikike se çka e ka shtyrë ta kryej veprën me aq gjakftohtësi, pra më pak fjalë analizohen ato tipare, të cilat e shtyjnë njeriun të shndërrohet në vrasës.

Brenda këtij romani jo shumë të gjatë gjejmë ngjarje të kufizuara siç janë, vetë vrasja dhe pastaj hetimi i lënë në gjysmë për shkak kërcënimeve, duke vazhduar kështu me fjalët e njerëzve, të cilët diskutonin vrasjen pa pasur një perceptim të qartë.

Hetuesi brenda romanit nuk kishte arritur t’i gjente përgjigjet ende rreth rastit të vrasjes ,”Kush e vrau Omerin dhe pse” dhe pas kërcënimeve që merr ai heq dorë nga rasti, duke ia lënë kështu të gjitha dëshmitë që kishte mbledhur deri më tani rrëfyesit, i cili i përcjell ato ngjarje në roman.Pra, romani zë fill disa muaj pas vrasjes. Misteri i vdekjes nuk zgjidhet edhe pas dëshmive të shumta edhe pse çdo lexues pëlqen që romani të cilin e lexon ta ketë një fillim të qartë dhe fund të sqarueshëm.

Vrasja e Omerit e trondit të gjithè qytetin pasi që karakteri i Omerit me të cilin na njeh rrëfimtari nuk përputhet me karakterin e dikujt që të vritet papritmas një natë.

Omeri nga miqtë përshkruhet si një djalosh i pashëm i pasur i edukuar dhe i dashur me të gjithë. Pra, në bazë të këtyre virtyteve që autori ia vesh Omerit kuptojmë që ai ishte një djalosh i qetë që qëndron larg problemeve, andaj kjo e bën lexuesin shumë më kureshtar rreth pyetjes se kush dhe pse e vrau Omerin.

Autori na e përshkruan skenën e gjetjes së trupit të Omerit të shtrirë në një rrugicë pa drita në periferi të qytetit përballë një dyqani të vogël. Personi i cili kishte vrarë Omerin vërehet që ka qenë një njeri i ligë, pasi që plumbat që kishte hedhur mbi trupin e Omerit në bark dhe në gjoks, të cilin e rrëzuan në tokë duket se nuk i kishin mjaftuar. Kështu për të arritur qëllimin dhe të sigurohet që ka vdekur e hedhë plumbin final në ballin e Omerit.

I mjaftuan këta tre plumba të saktë që ta shuante një jetë, ai e kishte kryer veprën duke mos iu bërë vonë për frymën që po ndalte. Ai paraqitet si një vrasës gjakftohtë, i cili me siguri do të vazhdonte jetën e tij, sikur mos të kishte bërë gjë.

Numri tre, i cili përsëritet mjaft shumë brenda romanit nuk përdoret pa qëllim në krijimet e këtij autori, pasi që kemi një numër mitik, i cili haset shpesh edhe në letërsinë popullore. Andaj, autori e përdor vazhdimisht këtë numër për të specifikuar si tre dëshmitarë apo tre plumba.
Numri i tre plumbave nuk është karakteristik vetëm e këtij autori, por përmendet edhe te shumë autorë tjerë.

Tek pjesa me nëntitullin “Kush e vrau Omerin” , autori shprehet se kur vritet një i pafajshëm vritet një shoqëri e tërë dhe me këtë varg të vetëm e kuptojmë tundimin e autorit dhe tërë qytetit për këtë vdekje, e cila ngjalli dhimbje në shpirtin e çdo personi që kishte pas fatin ta njihte Omerin.
Por në krahasim me këta njerëz që e donin Omerin do të hasemi edhe me persona që nuk e kishin pëlqyer atë për arsye të ndryshme, ku shumica e këtyre arsyeve ishin pasuria dhe pushteti që kishte babai i Omerit.

Zakonisht kur ndodh një vrasje, aty duhet të ketë dëshmitarë e të dyshuar, pra do të ketë persona në gjendje gatishmërie t’i flasin ato që dinë e ato që kanë parë, mirëpo në rastin e vrasjes të gjithë ata stepeshin nga pak që të flisnin në fillim, për këtë shkak edhe rasti filloi të zbehet, ndërsa njerëzit kishin filluar të mos e përmendin më, pasi që edhe organet e hetimit nuk merreshin më shumë si në fillim me zbulimin e kësaj enigme.
Në fillim theksuam se romani mbyllet me vdekjen e Mujës, babai i Omerit, të cilit i kushtohen po ashtu disa pjesë të romanit. Pas vdekjes së këtij të fundit të vetmit që kujtonin Omerin ishin hetuesi Nehati dhe e ëma e Omerit, e cila i dërgonte lule në varreza.

Përpos pyetjës se kush e vrau Omerin padyshim që do shfaqet edhe pyetja rrjedhëse pas saj se pse e vranë. Autori i veprës ka dashur që ta mbajë kureshtjen e lexuesit aktive gjatë tërë rrëfimit, sepse vazhdimisht gjer në fund jep informacion të ri rreth gjetjes së enigmës.

Disa nga arsyet që dyshohej që se mund të ishte vrarë Omeri ishin shkaqet politike, xhelozia, apo edhe mund të ishte vrarë gabimisht, duke e ngatërruar me dikënd tjetër, mirëpo asnjëra nga këto aludime nuk mund të ishte e saktë.

Vepra përbëhet nga disa pjesë, të cilat cilësohen si kapituj, të cilat të gjitha së bashku krijojnë një kronologji të ngjarjes, por disa nga to mund edhe të qëndrojnë më vete, siç është p.sh pjesa e parafundit që mban nëntitullin “Monologu i Mujës tek varri i Omerit”, pasi aty kuptojmë që babi e vajton të birin e vrarë dhe paraqitet dhimbja e tij.
Ngjarjet ndjekin një rend logjik, mirëpo vërejmë që kemi rast kur autori dëshiron ta shkëpusë lexuesin nga tematika e vdekjes, andaj si digresion e ndërfut tregimin të cilin kinse Omeri student i letërsisë e kishte shkruar që mbante titullin “Gudulisja”

Të dyshuarit, dëshmitarët dhe paragjykuesit

Auori qysh në parathënien e librit na bën me dije që personazhet që flasin në veten e parë janë të huazuara nga materialet dhe shënimet e hetuesit, ndërsa në vetën e tretë flet vetë rrëfimtari.

I dyshuari i parë i vrasjes së Omerit kishte qenë punëtori i kafenesë, ku shkonte Omeri çdo ditë. Ai për shkak xhelozie e kishte kërcënuar edhe me vrasje, andaj ishin ngjallur dyshimet se ai mund ta kishte vrarë atë.

Me anë të të gjitha deklaratave të mbledhura të të dyshuarve, dëshmitarëve, familjarëve, paragjykuesve apo edhe shoqërisë autori na e paraqet karakterin e të gjithë këtyre personazheve, gjendjen psikologjike e emocionale të tyre në bazë të lidhjes së tyre me rastin e vrasjes.

Veçori e personazheve është fakti se si pas deklaratave të tyre të gjithë pësojnë ndryshime psikologjike, apo me pak fjalë ndryshojnë sjellje në krahasim me gjendjen se si kanë qenë më parë. Natyrisht se rrallëherë në botë ndodhin vrasje që nuk i sheh askush, sepse gjithmonë shfaqet dikush që ka parë diçka. Edhe në rasin e Omerit autori na paraqet tre dëshmitarë, të cilët e kishin parë krimin teksa bëhej. Që të tre vrasjen e Omerit e tregojnë në mënyrën e njëjtë, të cilën e kishin parë nga perspektiva të ndryshme.

Elemente të përbashkëta të tre dëshmitarëve e kishin faktin se të gjithë në fillim kan ndjerë frikë që të flasin për rastin pasi që kjo vdekje ishte më e ndjeshme.

Që të tre tregojnë se e kishin parë ftyrën e vrasësit dhe tregojnë se nuk ishte një fytyrë e panjohur për ta. Ai kishte kohë që dukej nëpër qytet dhe në bazë të kësaj kuptojmë se vrasësi kishte qenë duke përcjellur situatën prej kohësh dhe kjo padyshim është njëra nga karakteristikat që e bënte atë vrasës profesionist.

Njëri nga dëshmitarët kishte pohuar që e njihte mire atë dhe se ai disa muaj pas vdekjes së Omerit kishte vdekur nga helmimi. Nuk dihej nëse ai vërtet ishte helmuar rsatësisht dhe kishte marrë dënimin për veprën që kishte kryer apo helmimi i tij kishte ndodhur qëllimisht. Kjo gjë e bënte rastin edhe më të errët.

Aty ku deklaratat e dëshmitarëve e arritin pikën kulminante dhe ku autori arrin ta rrisë akoma kureshjen e lexuesit është momenti ku secili dëshmitar pas deklaratës së tij na shfaqet me një gjendje ndryshe nga ç’kishte qenë.

Dëshmitari i pare, i cili kishte qenë një person mjaft aktiv dhe kishte komentuar për çdo gjë që ndodhte tanimë ishtë më i qetë dhe përgjigjja e tij shumicën e kohë ishte “nuk e di”.

Dëshmitari i dytë ishte zhdukur, duke mos lënë asnjë gjurmë dhe pas një kohe ishte lajmëruar, duke kërkuar të mos e kërkojnë dhe se kjo ikje ishte zgjedhja më e mirë dhe e sigurtë për të.
Dëshmitari i tretë kishte luajtur të çmendurin dhe deklarata e tij në gjyq nuk ishte marrë më parasysh, dhe menjëherë pas pësaj kohe ai prapë ishte kthyer në gjendjen normale.

Pyetja e çdo kujt që lexon romanin padyshim që tashmë është se çfarë iu ndodhi tre dëshmitarëve, çka i dërgoi në atë pikë që të mbyllen në vetvete, a ishte arsye frika e tyre e vetvetishme apo ka ekzistuar diçka më shumë.
Këto janë disa nga pyetjet që autori nuk jep përgjigje përfundimtare, duke i lënë hapësirë lexuesit t’i gjejë përgjigjjet, duke e analizuar situatën në mënyrën e tij.

Krahas njerëzve që flisnin fjalë të mira për Omerin ishin edhe paragjykuesit, të cilët e gjykonin atë për mënyrën e jetesës që bënte, duke e akuzuar atë për përdorim të drogës apo edhe për punë tjera të pahijshme, mirëpo këto akuza i hidhnin poshtë miqtë e Omerit, duke e cilësuar atë si një djalë të edukuar e të shkolluar, i cili e kishte pëlqyer letërsinë.

Paragjykuesin Omerin e akuzonin për lidhje me vajza dhe gra të pandershme, për ngatrresa të ndryshme dhe madje e kishin zili se vrasja e tij diskutohej aq shumë.

Këto deklarata kanë qenë të nevojshme për rrëfyesin që ta shpalos një anë tjetër të kryepersonazhit, atë anë se si e kanë njohur njerëzit e tjerë, dhe këto të dhëna do ta ndihmonin më afër të së vërtetës.

Ngjashmëria e subjektit të romanit me ciklin e kreshnikëve

“Vdekja e Omerit” është një roman që mban të njëjtin titull si një ndër këngët më të njohura të ciklit të kreshnikëve. Është një roman që lexohet në formën e materialeve të hetimit nga vetë rrëfyesi. Ka një teknikë që i përshtatet një romani që rrëfen për një realitet, ku askush nuk guxon ta thotë të vërtetën. Ajo vetëm lexohet mes rreshtash.Titulli na kujtton me ciklin e kreshnikëve, aty ku Omeri i vogël në moshë, por i fuqishëm del në betejë me babain Mujën dhe sulmohet nga një numër i madhë serbësh dhe vritet aty.

Babai e varros në bjeshkë me duart e veta ku më pas ia kumton lajmin së ëmës Ajkunës, e cila kishte qenë kundër qe Omeri të dilte në betejë.
Në atë rast e shohim vajtimin dhe dhembjen e madhe të nënës për birin e vrarë.

Në roman nuk ka asgjë të njëjtë me vdekjen, pasi që Omeri i romanin tonë nuk vdes heroikisht e as babai Muja, i cili vdes disa muaj më vonë. I njëjë është vetëm “vajtimi i Ajkunës”.

Autori brenda romanit ka përfshirë edhe vargjet nga epika legjendare “Ajkuna kjan Omerin”. Ajo shpreh dhembjen për birin e vrarë në betejë, duke mallkuar hënën që iu shua jeta Omerit me vargjet
T’u shkimtë drita ty, o mori hanë-
qi s’ma çove at natë nji fjalë…

                        Mallkue kjosh o mori hanë,
                        qysh me e lane nanë t’pa djalë

Vuajtjet dhe lotët e nënave janë të njëjta si atëherë si sot, andaj autori e kishte parë të duhur që të mos ndryshojë asgjë në vajin e Ajkunës të kamotshme për Omerin e vrarë.Pra, nëna e Omerit në roman gjendet në zërin e një nëne vajtuese me zërin e Ajkunës së legjendave.
Në të dya rastet na paraqitet dhembja e njëjtë e nënës për të birin, e cila edhe pasi të tjerët kishin filluar ta harronin vdekjen e Omerit, ishte nëna ajo e cila e vizitonte akoma varrin e tij duke i dërguar lule.

Vdekja e Omerit te kreshnikët dhe e Omerit te Olluri është konsideruar edhe si mënyrë për të nxjerrë në pah karakteret e personazheve të tjera, p.sh. Muji i Kreshnikëve ka dalë si një burrë, i cili e nxjerrë fëmijën në betejë edhe pse e di se serbët do ta sulmonin, kurse Muji i kohës së autorit del po ashtu një burrë me karakter të fortë e mendjemadh, siç e konsideronin të tjerët pasi si armën e tij më të fortë i kishte paratë. Po ashtu, vdekja e Omerit në roman nxjerrë në pah edhe realitetin e kohës të përmbushur me korrupsion.

Arsye se pse autori vendosë t’i përfshijë pikërisht këto personazhe kreshnike është mbase ai çdo herë ka imagjinuar si mund të jetë Muja i kreshnikëve në një botë më moderne. Muja e Omeri mveshen me karakteristika të reja, ndërsa Ajkuna mbetet një vajtuese e përjetshme e Omerit të kreshnikëve dhe Omerit të Ollurit.

Omeri i kreshnikëve dihej se nga ishte vrarë, mirëpo misteri i vdekjes së Omerit në roman nuk ishte akoma i qartë.

Muja i romanit na kujton në shumë karakteristika me Mujën e kreshnikëve, pasi që të dy dalin si të pushtetshëm dhe të forte, edhe pse në mënyra të ndryshme.

Romani hapet dhe mbyllet me vdekje, por asnjëra heroike përkundër personazheve.

Dhimbja dhe reflektimi i babait pas humbjes së birit

Babai i Omerit luan një rol shumë të rëndësishëm në vdekjen e të birit. Ai paraqitet si një njeri, i cili kishte në dorë gjithë qytetin. Ai hynte e dilte kudo dhe askush nuk i bënte pyetje. Pasuria e tij sa vinte dhe rritej çdo ditë dhe çdo problem e zgjidhte me para. Ai ndjeu një dhembje të madhe për humbjen e birit sa që u dërmua i tëri.

Në fillim të veprës na bëhet e ditur se edhe ky ndërron jetë disa muaj pas Omerit, mirëpo para kësaj autori mundohet të na njohë me karakterin e tij dhe anën tjetër të tij, të cilën se kishin njohur të tjerët. Çdokush e përshkruante atë si një njeri arrogant, i cili se shihte askënd para vetes dhe para parave.

Muja i kishte pasur pesë fëmijë, 4 me gruan e parë dhe Omerin me gruan e dytë.

Përpos pjesës ku Muja shfaqet si njeri i mbushur me mllef për vrasjen e të birit arrijmë të shohim edhe anën e tij të ndjeshme, Mujë si familjar.

Tek pjesa e parafundit të romanit, të titulluar “Monologu i Mujës pranë varrit të Omerit”, ai shfaqet në gjendjen e tij më të rëndë, siç nuk ishte parë kurrë, pra e kishte lëshuar veten dhe nuk kujdesej më për veten. Dhimbja e tij tani kishte arritur kulmin. Ai zhvillon monolog pranë varrit, duke iu drejtuar Omerit sikur ai ta dëgjonte.

Ndjehej fajtor që nuk u treguar baba i denjtë dhe i kërkonte atij të zgjohej e t’i tregonte kush e vrau.
Muja u gjet i vdekur në shtratin e tij disa muaj pas vdekjes së Omerit. Ai duket se nuk e kishte përballuar vdekjen e të birit dhe dhimbja ia kishte mbuluar trupin dhe fjalët e tij të fundit kishin qenë: “Unë jam një i vdekur që ende eci dhe marrë frymë”. Përpjekjet për t’iu përgjigjur pyetjes se kush e vrau Omerin e Ollurit paraqesin një realitet të dhunshëm. Cila është e vërteta rreth këtij misteri duket se mbetet në duart e lexuesve të analizohet dhe secili ta gjejë përgjigjen e vet përmes fakteve që na solli rrëfyesi.

Përgjigjja e shumicës mund të jetë se Omeri u ndëshkua për të bëmat e të atit, për shkak të korrupsionit të asaj kohe. Mendohej se dikush nga armiqtë e Mujës mund ta ketë vrarë Omerin si lloj hakmarrje ndaj tij. Kjo mund të jetë edhe arsyeja se pse babai nuk e përballoi dot atë dhimbje.

Arsyeja se pse autori i jep të gjitha këto dëshmi dhe po ashtu përfshin vrasjen e një njeriut të ligjit në rrëfimin për Omerin është për të shpalosur para botës një ambient të pasigurt për hetimin e së vërtetës.

Omeri vritet dhe dyshime të njëpasnjëshme e mbulojnë vdekjen e tij, misteri akoma vazhdon të mos zgjidhet edhe pas varianteve të shumta për motivet e vrasjes nga të gjithë.

Me anë të këtij romani autori ka pasur qëllim të shpjegojë dhe të jap faktet e mbledhura për të zgjedhur një mister, i cili sa shkonte dhe bëhej më i thellë.

Romani është si një tërësi copëzash të shkurtëra që janë kapituj më vete me tituj paralajmërues. Ajo që i mbetet lexuesit është t’i mbledhë copëzat e këtij rrëfimi dhe ta ndërtojë një përfytyrim të vetin rreth romanit në tërësi.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, që ligjërohet nga prof. dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./KultPlus.com

Mbrëmje e poetëve me Poetët e Simfonisë

Magjia e fjalës poetike, e përcjellur me tingujt e bukur të kitarës, do t’i bashkojë poetët, të hënën, më 12 qershor 2023, në orën 20:00, në restaurantin “Symphony”, në Prishtinë.

Në këtë aktivitet që organizohet për herë të parë, poetët e ftuar do t’i lexojnë poezitë e tyre, pikërisht në vendin ku disa prej krijimeve letrare edhe i kanë shkruar.

Siç dihet, në shumë vende të botës janë të njohura kafene dhe restaurante ku kanë qëndruar shkrimtarë, të cilët pos që janë frymëzuar dhe kanë shkruar në ato ambiente, po kështu kanë kaluar edhe një pjesë të kohës së tyre.

Do të jetë rast i veçantë për poetët dhe pjesëmarrësit e tjerë, për t’i shpalosur çastet e bukura dhe kujtimet e paharruara në mbrëmjen e poetëve në “Symphony”./KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, 77% më shumë vizitorë se majin e kaluar

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë vijon të zgjojë kureshtjen e një numri të lartë vizitorësh, duke u cilësuar si një atraksionet kulturore dhe historike më të vizituara në kryeqytet.

“Në muajin maj muzeu u vizitua nga 9,293 vizitorë në total, ose 77% më shumë vizitorë në total në krahasim me muajin maj të vitit 2022 që kishte 5,245 vizitorë në total”, theksoi Muzeu Historik Kombëtar.

Studentë, vizitorë të huaj dhe vendas janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.

Gjatë vitit 2022 Muzeu Historik u vizitua nga 55 306 vizitorë vendas e të huaj, ose 230% më shumë vizitorë në total në krahasim me vitin 2021, ku numri i tyre ishte 16,757.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.
Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit), si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve./KultPlus.com

89 vjet nga lindja e artistit shqiptar, Sotir Capo

Sotir Capo ka qenë piktor i shquar shqiptar, i cili u nderua me titullin “Artist i merituar”, shkruan KultPlus.

Lindi në qyetin e Beratit në qershor të vitit 1934, ku edhe i mori mësimet e para për të vazhduar studimet në Tiranë pranë Institutit të Lartë të Arteve.

Punoi si skenograf dhe mësues vizatimi, në shkollat tetëvjeçare të Beratit.

Capo është shquar si njëri nga portretistët më të njohur të Shqipërisë. Ai ka punuar portrete të figurave të shquara kombëtare, po ashtu punimet e tij janë zhgjedhur për të qëndruar në hapësirat e institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Pikturat e Capos janë vlerësuar nga shumë kritikë brenda dhe jashtë hapësirave shqiptare.

Në vitin 1979 Capo mori titullin e lartë “Artist i merituar”.

Sotir Capo vdiq në po këtë datë, më 3 mars të vitit 2012 në Filadelfia. / KultPlus.com

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nga këndvështrimi i Mid’hat Frashërit

Mid’hat Frashëri e ka trajtuar më se një herë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në disa këndvështrime: herë nën këqyrjen e filozofisë së historisë, herë nën prizmin e kritikës historike e herë si një parashtesë dokumentare, shkruante Dr. Uran Butka.

1. Nën këqyrjen e filozofisë historike

Filozofi Mid’hat Frashëri ngrihet në përgjithësime historike e filozofike, mbi ngjarjet dhe faktet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Së pari, ai zbulon shkaqet historike të lindjes së Lidhjes Shqiptare:

“Për ta cilësuar këtë lëvizje si ndjenjë kombëtare dhe për ta konkretizuar atë në një koncept të qartë historik,shkruan Mid’hat Frashëri,-u desh tronditja e madhe e luftës ruso – turke e vitit 1877 – 1878 dhe traktatet e Shën Stefanit, që e pasuan atë. Në këto traktate, rajone të tjera të banuara nga shqiptarët ishin caktuar që të zgjeronin Serbinë dhe Malin e Zi ose të krijonin shtetin e ri bullgar. Më vonë ishte i njëjti problem, për t’ia lëshuar Greqisë, së bashku me Thesalinë edhe pjesën jugore të vilajetit të Janinës.

Për Shqipërinë ky ishte fillimi i copëtimit, pranim dhe pasojë e zhbërjes së Perandorisë Osmane, mbasi vetë Shqipëria nuk llogaritej si entitet etnik. Kjo mjaftonte për të reaguar; rreziku ishte tepër i madh dhe tepër i dukshëm: edhe një luftë tjetër fatkeqe për Turqinë dhe Shqipëria do të zhdukej bashkë me perandorinë e krijuar nga pasardhësit e osmanlinjve. Pra, duhej shpëtuar ngarkesa e saj e vogël dhe të mos lihej të tërhiqej nga anija, e cila po fundosej. Goditja u ndje dhe ndodhi reagimi”. (L.Skëndo, Rilindja Shqiptare, Lozanë, 1919) Për pasojë, “përballë rrezikut, që u kanosej, shqiptarët u zgjuan dhe vepruan energjikisht.

Sigurisht, erdhi koha për këtë. Kongresi i Berlinit dhe rreziku i copëtimit. Dhe u organizuan disa mbledhje për të rënë dakord lidhur me masat që duheshin marrë. U mbajtën mbledhje si në veri, edhe në jug dhe qendrat kryesore ishin Preveza, Janina, Shkodra, Prizreni e qendra të tjera të dorës së dytë dhe pak nga pak në të gjithë qytetet. Mbledhjet në veri kishin si synim të drejtpërdrejtë të parandalonin ndarjen nga Shqipëria e Guxisë, Plavës, Nishit, Vranjës dhe Kurshumlijes.

Mbledhjet e jugut duhet të shmangnin rrezikun nga ana e Greqisë”, – argumentonte Mid’hati dhe konkludonte: “Konfliktet që shqiptarët kanë pasur me fqinjët, të cilët kërcënonin bazën e ekzistencës së Shqipërisë, nuk kanë qenë aspak konflikte fetare, as edhe një konflikt i rëndomtë kaçakësh, por rrjedhojë e natyrshme e një lufte midis një populli që dëshiron të jetë i lirë në shtëpinë e vet dhe pushtuesve të panginjur ballkanikë. Shqiptari, para se të jetë katolik, mysliman apo ortodoks, është shqiptar”, thekson ai. (Shqiptarë dhe sllavë, Lozanë, 1919) Midhati zbulon thelbin dhe shfaqjen e përpjekjes së Lidhjes së Prizrenit: “Qëllimi i vërtetë i ndjekur nga Komiteti i Lidhjes ishte ta shpëtonte vendin nga copëtimi, të bënte që të njihej e të pranohej ekzistenca e një Shqipërie dhe e një kombi shqiptar”. Si rrjedhojë, kjo përpjekje nuk ishte lokale apo lëvizje e një prijësi të caktuar, por u kthye në një lëvizje të përgjithshme, në një aspiratë kombëtare dhe këtu qëndron edhe rëndësia e saj kryesore, për në atë kohë dhe për të ardhmen.

“Kushtrimi dhe poterja e zakoneve të vjetra po transformohej në një aksion diplomatik; brenga e thjeshtë dhe instinktive e katundit po merrte formën e një aspirate kombetare dhe patriotike, me një qok më të lartë dhe natyrisht më të largët…

Për shumë njerëz, Lidhja e Prizrenit mund të paraqitet si një prej atyre kryengritjeve që populli ynë e ka pasur kurdoherë në vetijën e tij, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, me Ali Tepelenën dhe Bushatlliun, si edhe më pas tyre. Por ndryshimi qëndron në pikën që në këto lëvizje ishte për shtytkë iniciale aktiviteti i një njeriu të vetëm, duke u mbështetur mbi tendenca lokale të nevojshme prej rrethanave të ditës; këtë radhë iniciativa merrej prej popullit dhe qëllimi ndehej mbi tërë Shqipërinë etnografike, mbi ditën e veprimit, si edhe mbi kohën e ardhme”. (Lidhja e Prizrenit, rev. “Diturija”, 1928) Si filozof i historisë, Mid’hati arsyeton: “Një veprim, një përpjekje, është kurdoherë pjellore, është lindja dhe nisja e një ekzistence së re, edhe në qoftë se nuk rrëfehet sish një rezultat imediat. Në këtë botë, sforcimi për t’arritur një qëllim ka mbase një rëndësi dhe një vleftë më të madhe se nga qëllimi vetë.

Një luftim i sotëm është kapitali i magazinuar për kohën e ardhme, një fuqi e mbetur e gjallë, që ushtrohet në çdo minutë dhe shfaqet me forcë në ditë nevoje. Kështu, Lidhja e Prizrenit, tërë duke pasur si pemë shpëtimin e Shqipërisë, pati edhe fitimin më të madh akoma të përgatiste jetën tonë kombiare, t’u jepte një kuptim të ri aspiratave të popullit. Që nga ajo ditë, vërtet fillon shpresa e një shpëtimi, e një jete më të kuptimtë, në formë të caktuar; që atëherë merr një trajtë të kthjelltë ideja e përfytyruar për fjalën Shqipëri; mbryhen dhe gatuhen aspiratat për një qok të shënuar.

Lokalizma dhe kantonizma i lënë vend patriotizmës; tendencat ndarëse dhe mërgonjëse fillojnë të peshojnë drejt një pike të vetme; krahinat dhe elementet që e kishin kujtuar veten e tyre të ndarë dhe të huaj nga njëri-tjetri, nisën të njësohen e të ndihen solidarë. Me një fjalë, fisi bëhet komb. Shqipëria e kuptoi se më nuk e shpëtonte dot veten e saj pa kërkuar dhe ajo të drejtat në emër të kombësisë, në emër të një mëmëdheu, të një kombi”. (Po aty). Ai çmon si kushtimin e Veriut, ashtu edhe koshiencën e Jugut e mbi të gjitha veprimin e tyre të përbashkët, karakterin e përgjithshëm panshqiptar të Lëvizjes:

“Këtu shfaqet për ne influenca e degës jugore. Në Prizren, populli kompakt dhe me armë në dorë, me ndërgjegje për fuqinë luftarake të tij, i bazonte shpresat mbi forcën e numrit dhe mbi të drejtën e pronës. Jugu, më pak i fortë, po më koshient për të drejtat si racë dhe si komb, vinte në peshë parimet e rinj, që kishin përmbysur sisteme të vjetra. Këtu fillon për ne rëndësia dhe vlera e Lidhjes së Prizrenit dhe këtu nis shërbimi i vërtetë i Abdyl Frashërit. Kjo influencë e delegatit të Jugut u manifestua në një mënyrë më definitive, duke i dhënë lëvizjes një karakter të përbashkët, të përgjithshëm, panshqiptar, duke e nxjerrë nga forma e rivendikimeve lokale për vatanin e vogël, për vilajetin dhe kazanë; tani mendimet dhe kërkesat ishin për Shqipërinë e tërë, për mëmëdhenë, për Jugun, si dhe për Veriun, për myslimanët dhe të krishterët, për çdo çip të truallit dhe për çdo individ, që fliste gjuhën shqipe. Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë dhe kuptohet vetiu se bima e re do të zhvillohej me gjithë ngjyrat e saj: nga e sotmja në të ardhmen ishte një i vetëm çap për t’u bërë. Dhe dita e nesërme zuri të preokuponte Lidhjen dhe degët e saj më tepër se gjendja e keqe e ditës: duhej siguruar jeta e kombit dhe e mëmëdheut, duke e bërë këtë komb dhe këtë mëmëdhe t’u njiheshin të drejtat e tyre, të respektoheshin në një mënyrë baras me të drejtat e atyre popujve, në favor të të cilëve kërkohej të shqyhej trualli shqiptar”.

M.Frashëri mendon se çdo përparim i një populli dhe i një vendi vjen nga idetë e përparuara dhe vullneti për t’i vënë në jetë ato. Nuk është e rastit që Lidhja Shqiptare e Prizrenit lindi e kulmoi thuajse në të njëjtën kohë me Rilindjen tonë Kombëtare, me idetë e saj dhe me veprimtarinë e rilindësve, veçanërisht të Abdyl Frashërit, i cili në fund të vitit 1877 u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (Komiteti i Stambollit), që dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike, që adoptoi edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku Abdyli u shqua si udhëheqës dhe diplomat i shquar i saj.

Midhat Frashëri konkludon se Lëvizja për autonomi e mandej për shkëputje nga Turqia, “kjo mbryjtje e shpirtit dhe e dëshirave të shqiptarëve, krijimi i këtij karakteri të ri, nuk bëhej dot pa një platformë kombëtare siç ishte Rilindja, pa një edukatë këmbëngulëse dhe të gjatë, bazuar mbi stërvitjen morale dhe intelektuale. Edhe një pemë jo më pak e çmueshme e Lidhjes së Prizrenit qe për ne krijimi i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. E harruar, e përbuzur, si një patois, e shikuar jo si një vegël qytetërimi, po mbase si një ndalesë përparimi, shqipja, me themelimin e Shoqërisë së Stambollit, nis të bëhet e gjallë dhe shpirtdhënëse, të jetë një organ për të dhënë ide dhe aspirata, të zgjojë ndjenja dhe të frymëzojë mendime. Ç’shohim sot, ç’presim nga e ardhmja, ç’ kemi të drejtë të kërkojmë nga pritmi, buron nga Shoqëria e të Shtypurit shkronja shqip, lindur nga Lëvizja e Lidhjes së Prizrenit”.

Dhe Mid’hat Frashëri sintetizon: “Pikërisht për këtë arsye, viti 1878 duhet konsideruar si fillimi i rilindjes intelektuale të shqiptarëve, ashtu sikurse ishte fillimi i rilindjes politike Lidhja e Prizrenit”.

2. Në prizmin e kritikës, por edhe të meditimit të tij origjinal

Mid’hati bën një analizë kritike mbi vepra të autorëve shqiptarë e të huaj për Lidhjen e Prizrenit, por jep edhe mendimet, argumentet dhe vlerësimet e tij ndryshe e krejt origjinale.

“Gjer më sot rëndësia e Ligës ka mbetur e panjohur nga shkaku se askush s’e ka studiuar në tërësi të saj; çdo autor e ka parë vetëm mënjanë.
Kështu, për shembull, publicisti Spiridion Gopçeviq, në librin e tij “Oberalbanien und seine Liga” (Leipzig, 1880) e shikon Lidhjen vetëm në përpjekjen për nga ana e detit dhe pothuaj nuk di çfarë ngjau matanë kufirit të malësive. Kjo injorancë e autorit dhe armiqësia e tij për kombin shqiptar (Gopçeviqi është i njohur si një sllav shoven dhe me urrejtjen e tij kundër shqiptarëve) e bëjnë autorin që të mos thotë gjithë sa duhej mbi Lidhjen Patriotike”.( Liga e Prizrenit).

Mid’hati merr në shqyrtim edhe librin “Histori e Shqipërisë” prej K.A. Çekrezit, që ngërthen edhe kapitullin “Formimi i Ligës së Prizrendit”. “Për fat të keq,-shkruan M.Frashëri,-nuk gjejmë dot një lëndë kënaqëse, sado që autori e quan ‘këtë lidhje të besës shqiptare, nisje e lëvizjes së kthjellët kombëtare’, por, pa na thënë ç’janë veprat, ç’kanë qenë aspiratat, ç’rezultate arriti dhe ç’dëshirë e shtynte për të pritmin”. Ai bën një analizë kritike edhe mbi librin e Kristo Dakos mbi Lidhjen e Prizrenit, po ashtu edhe të disa autorëve të tjerë, duke polemizuar me argumente politike, historike dhe filozofike. Ndryshe nga ata studiues që kritikojnë kërkesën për autonomi të Lidhjes apo të atyre që thonë se Lidhja ishte një lëvizje për pavarësi, Mid’hat Frashëri e shikon këtë Lëvizje në kushtet dhe mundësitë e asaj kohe kur ndodhi.

Ai shprehet se së pari Lidhja kishte si qëllim kundërqëndrimin ndaj pretendimeve të fqinjëve, kundërshtimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e tokës shqiptare dhe qenies shqiptare, si rrjedhim i zgjimit të ndjenjës kombëtare.

“Mbi këtë pikë,-thotë Mid’hati,-nis shërbimi i dytë i Lidhjes. Veprimtaria politike e Lidhjes se Prizrenit ndoqi një program për autonominë, që duhej të fillonte me bashkimin administrativ të katër vilajeteve të Turqisë europiane të vjetër (Janina, Manastiri, Shkupi, Shkodra), në një vilajet të vetëm me kryeqendër Manastirin dhe shqipen si gjuhë zyrtare. Bëhet fjalë për krijimin e një atdheu brenda kufijve të vetë etnikë”. Bëjmë të ditur,-thotë Frashëri,-se shqiptarët nuk kanë formuluar kurrë pretendime mbi krahinat e banuara nga grekë dhe sllavë të këtyre vilajeteve. Rivendikimet shqiptare kanë synuar vetëm rrethet e banuara tërësisht prej shqiptarësh). (L.Skendo, Rivendukimet shqiptare, Lozanë 1919).

Me këtë reformë do të bashkohej kombi shqiptar nën një administratë dhe do t’i vihej një kufi Shqipërisë, një kufi i njohur zyrtarisht, i cili në një copëtim tjetër të Turqisë, të mund të shpëtonte të drejtat e kombit të vogël dhe të mëvehtësohej. “Një përpjekje për kombësi, larg zënkave dhe ambicieve personale, një luftë thjesht patriotike për Shqipërinë, për Shqipërinë e bashkuar dhe jo për regjionalizëm, ishte një gjë e pashembullt në historinë e popullit shqiptar”,-thekson M.Frashëri.

Sipas tij: “Autonomia, pa dyshim, me kohë do të përfundonte me independencë”, nënvizon ai. Pra, autonomia si hap të parë i Pavarësisë. Kjo kërkesë dhe kjo frymë e shtoi edhe njëherë akoma mosbesimin dhe shqetësimin e Turqisë, mandej edhe armiqësimin e saj ndaj Lidhjes.

“Sulltan Hamiti dhe njerëzit e tij,-shkruan Mid’hati,-e kishin toleruar e mbrojtur Ligën aq sa të kufizohej në mbrojtjen e kufijve të Turqisë, por kur ky bashkim u zgjat nga Kosova në Prevezë dhe nga Shkodra në Manastir, kur shqiptarët e fuqizuar kërkonin edhe autonominë, atëherë kundërshtimi i Portës së Lartë u zgjua. Mbase dhe këshillat e Rusisë, përpjekjet e Patrikanës Ortodokse s’qenë të huaja në masat që do të merrte Turqia. Sulltan Hamiti donte shkatërrimin e Ligës së Prizrenit. Mentaliteti turk në atë kohë nuk pranonte një ide nacionaliste, një aspiratë të përbashkët dhe një bashkim të shqiptarëve; politika e sulltanit qe bazuar mbi ndarje dhe përçarje.

Shpresa e sundimit ishte ngrehur mbi antagonizmin ndërmjet toskëve dhe gegëve, të krishterëve dhe myslimanëve. Pranonte që malësorët tanë të luftonin për shtëpitë dhe kullotat e tyre, po jo për një entitet moral, që i thonë mëmëdhe” .

Kështu që, “një njeri i zoti, dinak, energjik dhe fare pa skrupull, Dervish Pasha, biri i një prifti bullgar prej Lofshe dhe i blerë, thonë, prej sllavëve, do të shërbente dëshirën e të zotit. Duhej dobësuar më parë Liga së brendshmi dhe kjo nuk do të qe gjë e rëndë”, mandej edhe me forcën e armëve.

“Lidhja pushoi së ekzistuari, veprimtaria e Lidhjes nuk ishte e vetëmjaftueshme, nxjerr mësimet M.Frashëri, – por ajo kishte funksionuar për dy vjet, duke dhënë fizionominë e një administrate autonome, duke krijuar një milici të vogël dhe një buxhet – gjë që është edhe më e rëndësishme – duke krijuar shkakun për të forcuar ndjenjën dhe ndërgjegjen për një nacionalizëm të kristalizuar, duke e kthyer një gjë të vogël e të pandërgjegjshme, në diçka të qartë e të ndërgjegjshme”.

3. Trajtimi i Lidhjes mbi bazën e dokumenteve
M. Frashëri kërkon në arkivat e shteteve të huaja, mbledh dokumente dhe hulumton për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ai u rekomandon edhe studiuesve të tjerë se ku gjenden dhe ku mund të gjenden dokumentet, si te studimi “Lidhja e Prizrenit-Mbledhja e dokumenteve” , “Burime te historisë shqiptare”, 25 vjet më parë” etj. … Për mungesë kohe, nuk po i përmend këto arkiva, por po citoj vetëm dy burime arkivore, që i ka hulumtuar ai vetë: “Autori i këtyre radhëve mundi vetëm të shoshitë koleksionin e gazetës turqisht Terxhuman-i-Shark, që e ka botuar Sami bej Frashëri, vëllai më i vogël i Abdylit në Stamboll, që nga data 10 (22 qershor) 1878 gjer më 24 tetor (5 nëntor 1878); censura turke e ndaloi 20 ditë ditaren. Kjo gazetë, pa dyshim, ka një rëndësi të madhe.

Fakti tjetër që vetë Mid’hati zbuloi në Arkivin e Vjenës Memorandumin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1879, drejtuar Fuqive të Mëdha nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni. Madje, e përktheu atë nga frëngjishtja dhe e botoi te “Kalendari Kombiar” i vitit 1903, nën titullin “25 vjet më parë”, ku edhe nxjerr përfundimet: “Pemët e këtyre lëvizjeve, q’u bënë njëzet e pesë vjet më parë në Shqipëri, janë disa llojesh:

1. E para dhe më e dobishmja ishte që u dëgjua në tërë Shqipërinë që po bëhej një lëvizje kombëtare për shpëtimin e mëmëdheut; veç kësaj, meqenëqë mbledhjet bëheshin në tërë Shqipërinë, një afrim u bë ndërmjet toskëve, gegëve, myslimanëve e të krishterëve; me një fjalë u hapën pak mendjet dhe veprimet e përbashkëta.

2. Do nga telegrafët q’u hoqën, do nga vajtja e të dy të dërguarve n’Evropë, do nga Liga e Prizrenit, u ndalua dhënia e Janinës te Greqia; u ndalua dhe dhënia e Gucisë dhe e Plavës te Mali i Zi, po në vend të këtyre dy krahinave, u dha Ulqini. 3. U dëgjua pak edhe në botën e qytetëruar që paska një Shqipëri, e cila kërkonte të rronte. Këtu hapim një kllapë: kur u poqën të dërguarit e Shqipërisë në Paris me Vadingtonin, ky i pyeti pse nuk duan që të bashkohet Janina me Greqinë, apo u pëlqen të rrojë nën turkun.

“Jo,- u përgjigjën Abdyli me Mehmet Aliun, – nuk na pëlqen turku, po kemi shpresë që dhe ne një ditë të bëhemi më vete dhe të rrojmë si njerëz”. Për këtë, ministri i Francës u shtrëngoi dorën të dy shqiptarëve, duke thënë: “paskëtaj do jem dhe unë më tepër shqiptar se ju!”. Me këtë s’duam të themi se Vadingtoni vdiq shqiptar, po që fjala me mend dhe e drejtë mbetet”.( Lumo Skendo, “Kalendari Kombiar”, 1903)./ KultPlus.com

‘Opera për Liri’, RLIOF zbulon tematikën e edicionit të sivjetëm

Rame Lahaj International Opera Festival ka zbuluar tematikën për edicionin e tretë i cili do të mbahet nga 21 deri më 31 korrik, përcjell KultPlus.

Me tematikën ‘Opera për Liri’, RLIOF do të fokusohet në promovimin e atyre zërave të cilët janë shpesh të margjinalizuar dhe të heshtur e që përdorin operën si mjet për t’u shprehur, për zhvillim dhe fuqizim.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e RLIOF:

Edicioni i tretë i Festivalit RLIOF synon të zhvillojë idenë e përfshirjes së artit operistik si një ndërmjetësues për të promovuar e mbrojtur lirinë, të drejtat e njeriut dhe ato sociale.

Tematika e festivalit këtë vit është “Opera për Liri”. Gjatë këtij edicioni, do të fokusohemi në promovimin e atyre zërave të cilët janë shpesh të margjinalizuar dhe të heshtur e që përdorin operën si mjet për t’u shprehur, për zhvillim dhe fuqizim.

Festivali RLIOF do të trajtojë çështje si: konfliktet ekzistuese, pabarazia gjinore, të drejtat e refugjatëve dhe të drejtat mjedisore./KultPlus.com

Sonte fillon edicioni i 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës ‘MonoAkt’

Sonte, në Kosovë do të fillojë edicioni I 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës ‘MonoAkt’, përcjel KultPlus.

Ceremonia hapëse do të mbahet në Teatrin Dodona nga ora 19:30, ndërkaq nga ora 20:00 do të shfaqet monodrama ‘Arka’.

Ndërkaq festivali ‘MonoAkt’ do të mbahet më 15 qershor, ku çdo ditë do të ketë shfaqje të monodramave nga vende të ndryshme si dhe vizita nëpër trashëgimitë kulturore e natyrore në Kosovë./KultPlus.com

Historia e Lidhjes së Prizrenit

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110.

Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj,të shoqëruara më dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës./ KultPlus.com

Tymi i Kanadasë anulon ngjarjet kulturore në Nju-Jork

Muzetë, galeritë dhe institucionet e tjera kulturore në të gjithë Nju-Jorkun njoftuan për mbyllje dhe shtyrje të ngjarjeve kulturore për shkak të tymit që erdhi si pasojë e zjarreve të egra që shpërthyen në të gjithë Kanadanë.

Të enjten herët në mëngjes, Nju-Jorku dhe qytetet e tjera të Amerikës së Veriut kishin nivelet më të këqija të cilësisë së ajrit në botë, sipas Indeksit të Cilësisë së Ajrit të Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (AQI).

Zyrtarët e qytetit kanë paralajmëruar banorët të qëndrojnë brenda, të mbajnë maska dhe të shmangin ekspozimin afatgjatë ndaj ajrit jashtë, shkruan TAN, transmeton Klankosova.tv.

Muzeu Metropolitan i Artit mbylli kopshtin e tij të njohur sezonal të çatisë të enjten (8 qershor), si dhe kopshtet e tij Met Cloisters, megjithëse hapësirat e brendshme të muzeve mbetën të hapura si zakonisht.

Muzeu Noguchi u mbyll krejtësisht “për shkak të cilësisë së dobët të ajrit” në qytet të enjten.

Muzeu, kushtuar skulptorit japonez amerikan Isamu Noguchi, përmban një kopsht të madh të mbushur me skulptura.

Parku i Skulpturës Socrates në Queens pati një hapje të vonuar përpara se të pranonte publikun të enjten pasdite.

Vepra artistike publike e Charles Gaines në ishullin Guvernors, Moving Chains, u mbyll të mërkurën (7 qershor) dhe të enjten dhe mund të qëndrojë e mbyllur deri në fundjavë nëse kushtet nuk përmirësohen.

Muzeu i Dizajnit Cooper Hewitt Smithsonian u mbyll herët të mërkurën dhe Memoriali i jashtëm i 11 shtatorit u mbyll të enjten, megjithëse muzeu aty pranë mbetet i hapur.

Një ngjarje e artit që u zhvillua siç ishte planifikuar këtë javë ishte gala e përfitimeve vjetore e Muzeut të Artit Modern të Nju Jorkut të martën (6 qershor)./KultPlus.com

“Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative” të Jurgen Habermas po flet shqip nëpërmjet Blerta Ismajlit 

Libri “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative” i autorit Jurgen Habermas  dhe u përkthyer nga Blerta Ismajli është një libër që flet për rrjetet sociale, kulturën politike, kulturën liberale, barazinë sociale, lirinë duke mos iu nënshtruar shtresave kapitale, kritikën ndaj sferës publike, mediatike…, e që për lexuesin kosovar u prezantua edhe nëpërmjet Panairit të Librit në Prishtinë, e që në këtë Panair e ka sjell Shtëpia Botuese “Dukagjini” shkruan KultPlus.

Bekim Baliqi, profesor i Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik, foli për takimin me Habermasin, kontributin e Blertës në përkthimin e këtij libri në gjuhën shqipe, sikurse edhe për përshtatjen e këtij libri. 

“Takimin e parë me Jurgen Habermas e kam pas si student në Universitetin e Vjenës. Leximi i Habermasit në gjermanisht nuk ka qenë aspak i lehtë. Kështu që e përgëzoj Blertën për përgjegjësinë që e ka marrë për përkthim”, ka thënë mes të tjerash Baliqi, i cili e vlerëson se këtë libër tashmë mund ta kenë në bibliotekat e tyre edhe lexuesit shqiptarë.  

Më pas, sipas tij libri i Habermasit ka një rëndësi të madhe për komunikimin, informimin dhe racionalizimin e kohës së sotme.

Kurse përkthyesja e këtij libri, Blerta Ismajli ka treguar qysh në fillim për ndjesinë e përgjegjësisë në raport me këtë libër.

“E kam ndjerë peshën e përgjegjësisë jo vetëm kur e kam përkthyer por edhe kur ka dalë në botim. Kompoziteti i përmbajtjes dhe stili i tij kërkonin një përqendrim të madh”, ka thënë mes tjerash Ismajli, e cila krejt këtë rrugëtim e ka vlerësuar si një sfidë në vete, pasi që në këtë libër ka shumë nocione dhe terem akademike e shkencore.

Kurse shkrimtari Ag Apolloni në këtë promovim libri ka potencuar faktin se lexuesi shqiptar vonë ka filluar të interesohet për librat filozofik. Ndërkohë, duke iu referuar vështirësive të përkthyeses Ismajli gjatë procesit të përkthimit, Apolloni ka potencuar se Blerta ka pas vështirësi në përkthim, por sipas tij lexuesi nuk do të kenë vështirësi në lexim.

“Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative” i Jurgen Habermasit u botua nga Sh.B. “Dukagjini”, dhe sikurse librat e tjerë të prezantuar në këtë panair, edhe y libër mund të merret me çmim më të ultë se në rrethanat e zakonshme./ KultPlus.com

Romani “Rikthimi” i Entela Kasit sjell një përrallë të ndjeshme në Panairin e Librit në Prishtinë

Romani “Rikthimi” i Entela Kasit u promovua në  Panairin  e Librit që po mbahet në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Një libër që shtjellon konfliktet e së shkuarës në aktualitetin botëror. 

Romani “Rikthimi” i botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku” është një libër ku në përmbajtje ka reporterë lufte, shkrimtarë, përkthyes, diplomatë, artistë dhe gazetarë  që shfaqen në mënyrë të pazakonshme në një ekspozitë fotografike si personazhe të saj. Lufta që trashëgohet dhe traumat e saj tashmë janë të rrezikuara të përsëriten. Humbja e lirisë dhe sigurisë së jetës, është një prej çështjeve të këtij romani, ndërsa fati i personazheve është dramatik për arsye të kaosit në të cilin janë të përfshirë dhe që i shoqëron ata prej fillimit. 

Autorja përveç që foli për tematikën, përmbajtjen, formën ndër të tjera vuri në pah edhe një kontribut të madh të shqiptarëve.

“Kam dashur të paraqes një të vërtetë të madhe, e që është shpëtimi i hebrenjve gjatë Holokaustit, shpëtim që e bën shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë por edhe ata të Kosovës”, ka thënë mes të tjerash Kasi.  

Gjithçka që ka ndodhur me Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore si edhe me Ballkanin e mbetur midis Lindjes dhe Perëndimit, rikthehet jo thjesht përmes kujtesës si element i dëshmimit të historive në të cilën personazhet kanë qenë pjesë e ngjarjeve, por edhe përmes ngjarjeve më dramatike të dokumentuara prej tyre. 

“Personazhi Hanna K. është një fotoreportere që prezanton ekspozita për luftën në Kosovë, sikurse edhe për gjenocidin në Bosnjë” shtoi tutje. 

Romani “Rikthimi” i autores Kasi tashmë është përkthyer në shumë gjuhë dhe vazhdon të jetë një libër mjaft i kërkuar./ KultPlus.com

Përnjëherësh

Teksti i këngës ‘All at once’ nga Whitney Houston. Përktheu në shqip A.S

Përnjëherësh
U ndala dhe mendova për një moment
E kuptova
Ti nuk do të kthehesh
Dhe ndjenja më goditi përnjëherësh
Numërova lotët dhe gati një milion të tillë dolën
sytë mu lagën
dhe ëndrrat mu shkatërruan
përnjëherësh

Qëkur të kam takuar
Je i vetmi që e kam dashuruar
dhe nuk mund të të harroj
edhepse më duhet e vetme të vazhdoj

Përnjëherësh
Po lundroj në një det të vetmuar
Që ti të kthehesh te unë, duke shpresuar
Dhe kjo është e vetmja gjë e rëndësishme.

Përnjëherësh
Po lundroj në një det të vetmuar
e kapur për kujtime
më e lënduar nga sa ti mendon
sepse nuk shihet
Përnjëherësh

Përnjëherësh
Shikova përreth dhe të gjeta me një tjetër
në krahët e dikujt tjetër
dhe ëndrrat mu shkatërruan
përnjëherësh
Buzëqeshja që më jepje dikur sot është dielli i dikujt tjetër
të morri ajo
dhe më la mua me kujtime
përnjëherësh./ KultPlus.com

‘Antigone rock’, teatri i Puglias interpreton në teatrin e Gjirokastrës

Teatri Publik i Puglias ka sjellë në skenën e teatrit të Gjirokastrës shfaqjen me një akt “Antigone” me regji të Enzo Toma.

Produksioni frymëzuar nga tragjedia e Sofokliut dhe koreografi nga Elisa Barucchieri ka befasuar me muzikën origjinale, kompozimin e dritës dhe pjesëmarrjen e artistëve të njohur italianë.

Shfaqja, e përshtatur si ndërthurje e situatës gjatë pushtimit nazist të Francës, risjell mitin antik duke e përshtatur atë me situatën historike të atij momenti kur miliona të rinj vdiqën dhe mbetën të pavarrosur.

Tragjedia trajton çështje të diversitetit dhe futet në gjendjen e shumë të rinjve të cilët jetojnë mes pamundësisë për të njohur realitetin dhe konfuzionit të diktuar prej ligjeve morale të njeriut të maturuar të cilat vështirësohen ti respektojnë.

“Kjo shfaqje është një produkt i kompanisë ResExzensa. Frymëzuar nga tragjedia e Sofokliut “Antigona” kjo shfaqje ka në qendër arsyet e politikës dhe të moralit dhe është gjithnjë aktuale duke pasur parasysh konfliktin që ka sot Europa. Shfaqja prezanton një mizanskenë shumë të zhdërvjellët me tre aktorë, tre kërcimtarë dhe dy muzikantë dhe e quajtëm Antigonea Rock sepse është një spektakël që synon t’ju flasë mbi të gjitha të rinjve”.

Shfaqja u mirëprit nga publiku në Gjirokastër dhe ishte pjesë e eventeve kukturore si pjesë e javës së kulturës italiane.

Gjatë gjithë javës janë mbajtur një radhë eventesh kushtuar kulturës italiane. Teatri i Puglias e nisi rrugëtimin nga Tirana dhe do të vijojë edhe me një shfaqje në Fier./Top Channel/ KultPlus.com