Ndalohet shfaqja e filmave shqiptarë në Bujanovc, Çeku: Ky është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar apo se mund të ndryshojë

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar me rastin e ndalimit të shfaqjes së dy filmave shqiptarë në Shtëpinë e Kulturës në Bujanovc, nga autoritetet serbe, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook Çeku ka thënë se një akt i tillë, i cili u ndëmorr një ditë para shfaqjes së filmave, me motivin që filmi është me aktorë shqiptarë dhe që është mbështetetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas tij më e pakta që mund të emërohet është mosdurim nacional.

Ministri më tutje ka thënë se politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar apo mund të ndryshojë.

Postimi i plotë i ministrit Hajrulla Çeku në facebook:

I paprecedent dhe i papranueshëm rasti i mbrëmshëm në Komunën e Bujanocit, ku u ndalua shfaqja e dy filmave në Shtëpinë e Kulturës.

Një ditë para shfaqjes së filmave, policia e Serbisë i merr në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave.

Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës.

Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional. E për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë.

Pikërisht politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar, apo se mund të ndryshojë.

Ky projekt ishte njëri nga 78 projektet që Qeveria jonë i mbështeti financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar. Projekte këto që bartnin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin, avancimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës./KultPlus.com