Rita Ora flet për Kosovën gjatë paraqitjes në festivalin e filmit në Venecia

Këngëtarja kosovare, Rita Ora, e ka prezentuar edhe një herë si është më së miri Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia të Italisë.

Ajo ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve DVF të themeluar nga stilistja Diane von Furstenberg e cila i dallon gratë e jashtëzakonshme që janë të përkushtuara për të transformuar jetën e grave të tjera.

Gjatë fjalimit të saj ka thënë se ka qenë një ëndërr e kahershme e saj që të punojë me fëmijët në Kosovë dhe t’i motivojë ata.

“Kam shkuar në vendin tim Prishtinë shumë herë, për t’u dhënë fëmijëve tanë platforma shumë të sigurta, posaçërisht për mua ajo personalisht çfarë dëshiroja të bëja për ata është që t’i vendos  në një hapësirë kreative”, ka thënë Ora derisa e ka prezentuar këtë çmim.

Gjithashtu, ka thënë se si ambasadore e bënë këtë punë për 10 dhjetë duke ndihmuar të tjerët./KultPlus.com

Harry për vdekjen e Princeshës Diana: Humba nënën në moshë të re, traumën nuk e kam ndarë me askënd

Përmes dokumentarit të tij të ri Heart of Invictus, i cilin u shfaq premierë në Netflix, Princi Harry zbuloi se si e përjetoi traumën e vdekjes së nënës së tij, Princeshës Diana.

Në ekran gjatë rrëfimit të Princit Harry u shfaqën imazhe të tij duke parë lulet që ishin lënë për nder të nënës së tij në Pallatin Kensington.

“Humbja e nënës sime në një moshë kaq të re, traumën që pata, nuk e kuptova kurrë. Asnjëherë nuk e kam diskutuar, nuk kam folur në të vërtetë për të dhe e kam ndrydhur si shumica e të rinjve. Por kur doli, më shqetësoi. Unë thashë: “Çfarë po ndodh këtu?” Po ndjeja gjithçka në vend që të mpihesha”.

Vdekja e Dianës tronditi të gjithë botën

Diana, Princesha e Uellsit, vdiq në një aksident me makinë në Paris më 31 gusht 1997. Djemtë e saj, Princi William dhe Princi Harry ishin përkatësisht 15 dhe 12 vjeç kur humbën nënën e tyre.

Princi Harry pretendoi se ai nuk kishte mbështetje rreth tij pas vdekjes së saj. “Beteja më e madhe për mua ishin njerëzit”, tha ai. “Askush rreth meje nuk mund të më ndihmonte vërtet. Nuk kisha mbështetje, personat apo ekspertët që të më këshillonin të kuptoja se çfarë po më ndodhte në të vërtetë.”

“Fatkeqësisht, si shumica prej nesh, hera e parë që mendoni me të vërtetë për të rikuperuar veten është kur jeni shtrirë në dysheme në pozicionin e fetusit”./KultPlus.com

Taylor Swift njofton se filmi i koncertit ‘Eras Tour’ do të shfaqet në Amerikën Veriore

Taylor Swift këngëtarja që me turneun e saj është duke thyer rekorde ka njoftuar për publikimin e një filmi të koncertit Eras Tour në kinematë në Amerikën Veriore.

Kjo u bë e ditur sot pasi që Swift publikoi në Instagram trailerin e plotë të filmit, shkruan Dailymail, transmeton Klankosova.

“Turne Eras ka qenë përvoja më kuptimplotë e jetës sime deri më tani dhe jam e lumtur t’ju them se do të vijë së shpejti në ekranin e madh”, ka shkruar ai.

Taylor tha që nga data 13 tetor të gjithë të interesuarit do të kenë mundësi ta shohin filmin e koncertit ne kinematë e Amerikës Veriore./KultPlus.com

MKRS-ja nis procedurat për restaurimin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se sot është mbajtur takimi i përbashkët me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vartëse të trashëgimisë kulturore të MKRS-së për të diskutuar ndërmarrjen e hapave për mbrojtje të Muzeut të Muzikës në Gjakovë që është djegur dje.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të MKRS-së:

Institucionet përgjegjëse të Trashëgimisë Kulturore kanë ndërmarrë masat e nevojshme që “Taphanja” në Çarshinë e madhe në Gjakovë – monument i mbrojtur i destinuar rishtazi për Muze të Muzikës, i cili është kapluar nga zjarri ditën e djeshme më datë 30.08.2023, të mbrohet nga rreziku i mëtejmë.

Ringritja e kësaj ndërtese tradicionale është realizuar para mbi një dekade me fonde të MKRS-së, si pronë publike e Komunës së Gjakovës. Lidhur me gjendjen dhe evitimin e rreziqeve nga kanosjet evidente të kësaj ndërtese me status “Aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje”, në muajin prill 2023, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore (ITK) ka realizuar inspektimin dhe ka dhënë rekomandimet për masat që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse. Në kuadër të buxhetit për investime kapitale, MKRS ka ndarë buxhet për ndërhyrje restauruese në këtë monument.

Sa i përket incidentit që ka ndodhur dje nga zjarri, janë ndërmarrë masat nga Policia, si organ kompetent. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (QRTK) Gjakovë ka dalë në terren menjëherë pas marrjes së lajmit, ku kanë qenë të pranishëm edhe zjarrfikësit si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Sot, më datë 31.08.2023, është mbajtur takim i përbashkët me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vartëse të trashëgimisë kulturore të MKRS-së për të diskutuar ndërmarrjen e hapave për mbrojtje të monumentit.

Janë një varg masash që autoritetet përkatëse janë dakorduar që të ndërmerren, si: zbatimi i masave emergjente, vlerësimi i dëmeve, procedimi i shpejtë për ndërhyrje dhe implementimi i punëve për konservimin, restaurimin dhe funksionalizimin e ndërtesës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të angazhohet me institucionet përgjegjëse të sigurisë që të identifikohet arsyeja e zjarrit dhe të ndërmerren masat ligjore. Në të njëjtën kohë, apelojmë tek qytetarët për respektim vlerësim dhe kujdes të shtuar ndaj monumenteve të trashëgimisë kulturore si pasuri e përbashkët e shoqërisë./KultPlus.com

11 herët kur Lady Diana ishte muza e bukurisë së verës (FOTO)

Fotografitë: Tim Graham

Prirja e saj për vijë blu mbi sy dhe hijet e krijuara nga dielli tregojnë se Diana, princesha e Uellsit e donte verën po aq sa ne të tjerët. Veshjet e saj të pushimeve u bënë ikonike, si rrobat e banjos me imazhe kafshësh ku ajo paraqitet duke u zhytur nga një jaht, meten të paharrueshme. Ajo gjithashtu vazhdon të mbetet një frymëzim për paraqitjet plot stil në një mot të nxehtë.

Flokët e theksuara në mënyrë të patëmetë, në ngjyrë të artë, ishin një nga pamjet më dashura për t’u parë në verë (dhe dimër). Ajo gjithashtu dinte t’i jepte shkëlqim dhe një pamje natyrale buzëve, vijë mbi sy në ngjyrë kafe dhe lëkurë të freskët, transmeton KultPlus.

Diana ishte modeste, por rrezatuese, me një shkëlqim nga i cili të gjithë mund të merrnim disa mësime bukurie. Më poshtë mund të shihni 11 herët kur ajo ishte muza e fundit e verës. / KultPlus.com

Himni i bukurisë

Poezi nga Sharl Bodeler

Bie prej qiellit a ngrihesh prej humnerës së thellë,
O Bukuri! Shiki yt hyjnor dhe i djallëzuar,

Krimin me mirësinë ngatërruar, përherë na e ndjell,

Duke i ngjarë aq shumë shijes së verës së bekuar.

Sytë e tu strehojnë çdo perëndim dhe aurorë;
E si një natë e stuhishme parfume shpërndajnë;
Pthjet e tua janë melhem, goja jote një amforë,
Që i bën trima vogëlushët e heronjtë të qajnë.

Gurgullon honeve të zi a yjeve të zjarrtë digjesh?
Fati i magjepsur të ngjitet pas fundeve si një qen;
Ti gjithcka në botë sundon e askujt s’i përgjigjesh,
E kudo, rastësisht, gjëmën dhe harenë shpërthen.

Bukuri, ti marshon mes kufomave që ke përçmuar;
Nga xhevahirët e tu, Tmerri nuk ka më pak magji,
E Krimi, mes gjithë stringëllave të tua më i çmuar,
Mbi barkun tënd, krenarisht vallëzon plot dashuri.

Flutura e natës e verbuar pas teje, të vjen afër, qiri,
Fërfëllin, ndizet e thotë: I bekuar qofsh pishtar!
I dashuruari ethshëm përkulet mbi të dashurën e tij,
Si ai i plagosuri për vdekje përkëdhel të tijin varr.

S’ka rëndësi nëse Parajsën apo Ferrin ke për nënë,
O Bukuri! Mostër e frikshme, e paanë, e lindur e lirë!
Vallë buzëqeshja jote, syri yt, këmba, hapur ma lënë
Portën, për atë pafundësi kurrë të njohur aq mirë?

S’ka rëndësi je Djall apo Zot! Ëngjëll a Sirenë të jesh,
S’ka rëndësi nëse zanë me sy kadife që xixëllojnë butë,
O parfum, ritëm, kthjelltësi, o e vetmja ime mbretëreshë!
Bën universin më pak të shpifur, më pak të rëndë çdo minut’./KultPlus.com

Veliera ‘Sea Cloud’ me 55 turistë të huaj viziton Durrësin

Në kalatën nr.5 të Portit të Durrësit u ankorua sot veliera luksoze  “Sea Cloud”, e cila mbërrin për herë të tretë që nga fillimi i këtij sezoni turistik.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se ka marrë masat për krijimin e kushteve normale gjatë qëndrimit ditor të velierës në port.

Kjo anije ka nisur lundrimet turistike në vitin 2012. Me velierën kanë mbërritur në Durrës 55 turistë amerikanë, ndërsa nuk mungojnë edhe turistë nga Ekuadori, Gjermania e Kroacia.

Veliera luksoze ka një personel prej 58 personash.

Nga të dhënat e agjencisë pritëse, veliera vjen në Durrës nga Kotori (Mali i Zi) dhe rreth orës 17.00 të ditës së sotme do të lundrojë drejt Porto Palermos (Shqipëri)./KultPlus.com

Rinisin punimet në shtëpinë e kulturës ‘Ukë Bytyçi’ në Suharekë

Ministri Hajrulla Çeku dhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, vizituan sot shtëpinë e kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë, ku pas disa viteve stagnim, kanë rinisur punët.

Me investimin e MKRS-së në vlerë prej 2.7 milionë euro, projekti parasheh hapësira të reja të projektuara për të shërbyer si një qendër vitale dhe platformë e përshtatshme për artistët dhe artdashësit e rajonit, për të ndarë dhe zhvilluar interesat e tyre në fushën e kulturës.

Përtej hapësirës fizike, qendra do të inkurajojë bashkëpunimin, kreativitetin dhe ndërveprimin ndërmjet komunitetit./KultPlus.com

Gara e vrapimit malor ‘High Scardus Ultra Trail’ kthehet në Prizren më 2 shtator 2023

Përjetoni aventurën e pakrahasueshme të vrapimit të shtigjeve në malet e Sharrit, në malet mahnitëse rreth Prizrenit dhe shtigjet ndërkufitare nga Bregu i Diellit, Tetovë (Maqedoni të Veriut) deri në Prizren (Kosovë). Ngjarja ka 3 gara (22km, 52km, 70km) dhe është e vetme që është e certifikuar nga UTMB Index dhe ITRA në Kosovë.

Lidhni dhe shtrengoni mirë patikat dhe përgatituni për një sfidë malore pasi që edicioni i dytë i ngjarjes së vrapimit në shtigje High Scardus Ultra (HSU) kthehet më 2 shtator 2023. Kjo ngjarje emocionuese premton të testojë aftësitë e vrapuesve të të gjitha kategorive, duke ofruar 3 gara të përshtatshme për të gjithë nivelet e vrapuesve/eve.

High Scardus Ultra ka filluar të marr epitetin si një ngjarje kryesore e vrapimit malor dhe edicioni i këtij viti pritet të tërheqë vrapues të shumtë vendor, por sidomos ndërkombëtar. Me sfondin e maleve piktoreske të Sharrit, pjesëmarrësit do të nisin një udhëtim që do të testojë aftësitë e tyre fizike dhe mendore, duke i dërguar ata/ato në terrene të thepisura, të rrethuara nga bukuritë mahnitëse natyrore, liqene akullnajore dhe majat epike.

High Scardus Ultra, edhe këtë vit, vjen me tri gara të veçanta për cdo nivel të vrapuesve:

1. Bear Trail (22 km me 1,200 m ngjitje): Një pikënisje e përsosur për ata që janë të rinj në vrapimin në shtigje ose që kërkojnë një sfidë më të shkurtër por gjallëruese.

2. Eagle Trail (52 km me 2,900 m ngjitje): E projektuar për vrapues mesatar, kjo kategori paraqet një përzierje të ekuilibruar të distancës dhe lartësisë, duke premtuar një sfidë të kënaqshme.

3. High Scardus Ultra (70 km me afro 4,200 m ngjitje): Pika kryesore e ngjarjes, kjo garë ndërkufitare nga Bregu i Diellit, Tetovë, Maqedonia e Veriut deri në Prizren, Kosovë është një provë e vërtetë e forcës dhe elasticitetit.

Pjesëmarrësit do të përshkojnë një gamë të larmishme peizazhesh, nga pyjet e harlisur deri tek ngjitjet sfiduese, të gjitha duke festuar frymën e unitetit midis dy vendeve.

Drejtoresha e garës Uta Ibrahimi – alpinistja e njohur kosovare aktualisht në ekspeditë për t’i ngjitur të 14 majat më të larta në botë (ka ngjitur 11 nga 14) – shprehu entuziazmin e saj për ngjarjen, duke thënë: “Përgatitjet për High Scardus Ultra po shkojnë jashtëzakonisht mirë. Jemi të emocionuar kur shohim një pjesëmarrje mbresëlënëse të vrapuesve të elitës ndërkombëtare, ku secili/a do të sjellë pasionin e vet unik në këtë vrapim të veçantë malor. Ekipi është duke punuar cdo ditë për të siguruar që çdo detaj të jetë në rregull. Ne jemi duke punuar me sponsorët tanë – Red Bull, Black Yak, PPSE, 2U, dhe më shumë dhe partnerët tjerë si Shoqata Bjeshkatare “Sharri” nga Prizreni, Shërbimi i Kërkimit dhe Shpëtimit Malor i Kosovës, Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Parku Nacional Sharr (Kosovë dhe Maqedoni) – për të mirëpritur pjesëmarrësit për një eksperiencë të paharrueshme.”

Këtë vit garën presin ta fillojnë 156 vrapues nga 20 shtete të botës, ndër to: Italia, Greqia, Qipro, Gjermania, Kroacia, Suedia, Zvicra, etj.

High Scardus Ultra gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit, miqësisë dhe unitetit ndërkufitar. Ngjarja inkurajon pjesëmarrësit të lidhen me vrapuesit e tjerë dhe të krijojnë kujtime të qëndrueshme që i tejkalojnë kufijtë gjeografikë.

Ngjarja organizohet nga Fondacioni Utalaya dhe organizata TREX nga Maqedonia Veriore – të cilët tashmë organizojnë garat më prestigjioze të vrapimit në shtigje në vendin e tyre të respektuar.

Garat përfudnojnë në Sheshin e Lidhjes se Prizrenit në Prizren, ku fillimisht është e organizuar ceremonia e ndarjes së shpërbileve kryesore, dhe me pas prej orës 20:00 kemi organizuar ndjejë me muzikë nga DjFatti në Kinemanë Lumbardhi./KultPlus.com

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës në New York me shfaqjen ‘Shtegtimi’

New York-u është destinacioni i radhës i ‘Shtegtim’ të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, Fatmir Smani dhe Aulonë Nuhiu, kanë udhëtuar për herë të parë në Amerikë, për ta prezantuar para publikut amerikan, shfaqjen “Shtegtimi” me koreografi nga Antonio Fini, në kuadër të Festivalit “Fini Dance Festival & Awards”

Sot, me datë 31 gusht, nga ora 20:00 balerinët e Kosovës do t’i japin ngjyrime të veçanta skenës së teatrit “Alvin Ailey American Dance Theater”, në Manhattan të New York-ut.

Kujtojmë që premiera e shfaqjes ‘Shtegtimi’ u dha në Itali në korrik të këtij viti, në turneun një javor të trupës së Baletit Kombëtar./KultPlus.com

Sharl Bodler dhe “Lulet e së Keqes”, kur poezia shkonte në bankën e të akuzuarve

Nga Albert Vataj

Bota e artit njeh shumë raste kur shpura e hakërruar e zemëratës puritane ka djegur me zjare e përndjekur me anatemë kryevepra dhe dishepuj. Bota krejt është ngjethur para këtyre gardianëve të moralit, por artistët kanë treguar me vepër dhe aktin sublim të krijimit t’i bëjnë ballë kësaj stuhie rrapëllitëse, një prej tyre ishte edhe Sharl Bodler.  Kryevepra e tij, “Lulet e së Keqes” u çua në bankën e të akuzuarve dhe u ndëshkua. Dënimi për përdorim fjalori të turpshëm si edhe fyerje të moralit publik i shkaktoi vëllimit poetik “Lulet e së Keqes” dhe autorit ë saj Sharl Bodler një  goditje anatemuese.

Poeti Arthur Rimbaud thoshte për Bodlerin se “… ai qe vetë Perëndia!”, ndërkohë që gjykatësit e Napoleonit të III-të shihin te ai vetë Djallin dhe e dënuan të hiqte prej vëllimit “Lulet e së Keqes, gjashtë poezi, nënë akuzën se ato paraqisnin pamje të turpshme e fjalor të ndyrë, të cilat fyenin rendë moralin shoqëror. Pas kësaj, vetë Bodleri këmbënguli, protestoi duke kërkuar që libri, duhej gjykuar në tërësinë e tij dhe, jo në poezi të veçanta, se blasfemitë i drejtoheshin qiellit e jo Zotit, por më kot …

Në fakt, procesi ndaj përmbledhjes së famshme “Lulet e së Keqes”, një nga kryeveprat e poezisë franceze dhe botërore, kish nisur dhjetë ditë pas botimit të tij të parë i cili doli në 1.300 ekzemplarë. Pikërisht më 5 korrik 1857, në një artikulli të gazetës “Le Figaro”, ndër të tjera, shkruhej se: “… është e palejueshme që, një person si autori i librit, i cili i ka kaluar të tridhjetat, të shkruajë një vepër të tillë monstruoze … Ka momente madje, kur mund të dyshohet edhe për vetë gjendjen e tij mendore…

Kurrë s’kemi parë kaq shumë puthje e kafshime gjoksesh, kaq shumë demonë, djaj, kufoma, mace e krimba … Ky libër është një spital i hapur për çdo lloj idiotësie e fëlliqësie të shpirtit njerëzor“.

Pas kësaj, Ministria e Brendëshme e hodhi librin në gjyq, ndërkohë, gazeta “Le Figaro” e vazhdoi edhe më tej fushatën kundër Bodlerit. Dhjetë ditë pas procesit, Viktor Hugo, që prej ishullit Guernesey ku ndodhej në egzil, në një letër drejtuar Bodlerit, ndër të tjera i shkruante:

Më 1924 botuesit, të cilët kishin edhe të drejtën e autorit, publikuan për herë të parë edhe poezitë e dënuara, por libri u hoq përsëri nga qarkullimi. Vetëm 92 vjet më pas, më 31 maj 1949, Gjykata e Kasacionit në Paris e anuloi vendimin e procesit të zhvilluar më 1857, duke rehabilituar kështu për herë të parë dhe përfundimisht, të gjashtë Poezitë e Mallkuara. Nga 1864 deri më1865 gjashtë poema të vogla në prozë shfaqen në “Le Figaro” nën titullin “Le spleen de Paris”, ndjekur nga dy në “La Vieparisienne”, tre në “L’Artiste”. Në Belgjikë, ku shkon për t’u kuruar, një revistë i publikon poemën në prozë “Qentë e mirë”. Ndërsa më 1866 botohen 23 poezi të reja nën titullin “Mbeturinat”. Në fund të marsit Bodleri goditet nga një paralizë që i heq mundësinë për të folur. Dhe më 1867 pas transportit nga Belgjika, në një shtëpi mjekimi në Paris, Bodleri nuk jep shpresa për përmirësim dhe vdes më 31 Gusht pas një paralize që i rrëmbeu edhe fizikun edhe gojën.

Nje rrefim per shpresat, enderrat, deshtimet dhe te keqen.  Lulet e se keqes tentojne te nxjerrin ekstraktin e se mires nga e keqja, bukurine nga fuqia malifike. Ndryshe nga letersia e meparshme qe merrte gjerat e bukra si pikenisje per te shkruar, Bodler deshiron qe paradokset dhe dualizmat te behen teme ate vepres se tij. Bodler ka thene se detyra e tij eshte te nxjerre te bukuren nga e keqja. Ne vellim ka kundervenie ndermjet kategorise estetike te se bukures qe ka per simbol lulet, dhe kategorise morale te se keqes qe ka per simbol satanin.

Modernizmi qendron ne faktin se Bodler, ndryshe nga autoret klasike te cilet shkruajne per te bukuren si nje kategori sublime dhe te pacenueshme, shkruan per te duke e pare ne nje kendveshtrim te ri : Letersia duhet te evokoje edhe per anen absurde dhe paradoksale te jetes dhe te bukurise.

Tituli jep disa shtresa kuptimore qe jane :

Ato qe  e kane burimin te e keqja qe mbizoteron ne bote

Lule te semura, qe semurin dhe ato qe I mbajne ere

Lule qe kane lulezuar ne shpirtra te vdekur, qe I kane rrenjet tek fatkeqesite  e poetit.

Ato tregojne te bukuren e se keqes, dhe te bukuren ne te keq.

Bodler eshte poet I spleen-it dhe ideales perballe njera tjetres. Spleen-I I referohet nje gjendjeje merzie, te serte , me sakte cdo gje e keqe qe ka lidhje me boten : vdekja, vrasja, vetmia, deshperimi. Ne te kundert, idealja eshte transhendetja e spleen-it, aty ku ekziston dashuria dhe ndjenjat jane te shfaqura gjer ne ekstaze. Idelja arrihet nepermjet nje shkeputjeje nga realiteti nepermjet veres, opiumit, udhetimit, pasionit. Ajo nenkupton nje gjendje ku koha dhe vdekja s’kane vend. Ai pergjithesisht I referohet pasionit per te shfaqur kete ekstazi te ndjenjave, por papritur ne kete dualitet spleen-I shfaqet befas dhe spontanisht. Autori eshte gjithnje ne frike prej vdekjes, mbytjes se shpirtit te tij dhe mosrealizmit.

Pamjet pariziene ai I sheh dhe si mahnitese , me horizonte  blu dhe simbole te tjera te tilla, por dhe si nje mit qe vazhdon ne ditet e somte. Parisi po ndryshon, koha po ndryshon. Ai niset qe nga antikiteti me figuren e Andromakes, dhe me simbole te tjera te se kaluares per te treguar se Parisi ka qene me I bukur dhe vlerat e tij do te ruhen nese vete qyteti ruhet I pandryshuar.

Femra tek Bodler eshte objekt kryesor mbartes I simbolizmit. Ajo eshte nje ndermjetese e dy gjendjeve kontrastuese te siperpermendura. Ndersa ai rreshket duart ne floket e saj per te marre idealen, papritur e ndal dashurine duke menduar se nje dite kjo femer do te vdese, do te dekompozohet dhe do te puthe krimbat ne vendin e tij, dhe spleeni vjen…Femra sipas tij eshte nje engjell qe te fal kenaqesi, por dhe nje djall, burim I se keqes, eshte qenia qe na I mbush enderrat me terrin me te madh e me driten me te madhe. Puthja e saj eshte helmuese, dhe dashuria e saj e con jo afer zotit, por me afer Satanit.

Simbolika e udhetimit ka te beje me rrugen e nejriut ne jete, linden dhe zhgenjimin nga realiteti, lindjen e spleen-it, dehjen me vere dhe opium, tundimin nga djalli, deshperimin dhe revolten e njeriut te vrare dhe se fundmi vdekjen e tij, pajtimin e fundit me veten dhe boten.Simbolika e Bodlerit synn perjetesine : Arti eshte I gjate, por koha eshte e shkurter”

Poetika e Bodler-it evokon gjithashtu per vdekjen.Nje mundesi per dashuri mund te kthehet ne pikenisjen e vdekjes. Koha eshte armiku me I madh I njeriut , shtaza qe ka jete njeriu. Vampire, femra mostra . Vecimi I tij nga shoqeria, sidomos ajo e Parisit ku pozicionohet ngjarja, e con poetin ne nje vetmi te mterrshme, ne te cilen urohet te vije vdekja sa me shpejt.

Persa i perket anes demoniake te vepres, Bodler sugjeron se njeriu dhe veprimet e tij kontrollohen nga Satani, dhe njeriu eshte thjesht nje mekanizem I tij, nje loder, nje monster me e nevertishme se cdo gje tjeter.

Se fundmi, elemente horror dhe fantastike e shoqerojne poezine e tij, nisur nga macet e zeza , ne krimba etj ejt.Ai ka ndikim nga poetika e Edgar Poe, dhe ne nje far emenyre I perdor per te treguar se  cfare gjendjeje tmerri dhe te frikshme arrin te krijoje Spleen-I ne mendjen dhe psikologjine njerezore./ KultPlus.com

26 vjet nga vdekja e princeshës Diana

Princeshë Diana është një nga personazhet më të përfolura të familjes mbretërore, edhe pse sot ajo nuk jeton. Si sot 26 vjet më parë lajmi i vdekjes së saj tronditi botën. Ajo vdiq në moshën 36-vjeçare, në një aksident rrugor në Paris, së bashku me të dashurin e saj Dodi Fayed dhe shoferin e tyre.

Diana vinte nga një familje fisnike dhe kishte një pasion të jashtëzakonshëm për baletin dhe pianon dhe gjithashtu adhuronte sportin më atletik, notin.

Historia e saj me Princ Charles nisi kur ajo ishte vetëm 16 vjeç. Që në takimin e parë Charles-i ishte magjepsur nga ajo, por mosha e Dianës mbetej një problem për dashurinë e tyre. Por historia do të vazhdonte vite më vonë dhe në vitin 1981 Diana dhe Charles kurorëzuan dashurinë e tyre me një ceremoni madhështore, që u ndoq nga 750 milionë njerëz nga e gjithë bota.

Ajo jo vetën që u bë pjesë e familjes mbetërore, por hyri në zemrën e të gjithë anglezëve. Bujare, e çiltër, humane dhe e palodhur, këto fjalë e identifikojë atë. Diana nuk ishte thjesht bashkëshortja e një princ, ajo arriti të tregonte vlerat që mbarte dhe të adhurohej nga e gjithë bota. Ajo ishte gjithmonë pranë popullit të saj, në të mirë dhe në të keqe dhe sot nga anglezët quhet “Princesha e Popullit”.

Diana dhe Charles sollën në jetë dy fëmijë, William dhe Harry-n, por përralla e tyre e dashurisë mbaroi. Ajo u divorcua nga Princ Charles në vitin 1996, por sërish ajo vazhdoi t’i shërbente popullit të saj.

Jo vetëm që e adhuronin, Diana ishte e rrethuar nga shumë njerëz që e kishin zili për bukurinë, zgjuarsinë dhe jetën e saj që i ngjante një skenari të një filmi.

Ajo e jetoi jetën plot pasion, por në 23 gusht të vitit 1997 erdhi fundi i jetës së saj. Ajo u përfshi në një aksident rrugor në tunelin në rrugën Pont de l’Alma,Paris, së bashku me të dashurin e saj, miliarderi Dodi Fayed. Dodi she shoferi vdiqën menjëherë pas aksidentit, ndërsa Diana u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve ajo nuk arriti të shpëtonte. Mjekët konfirmuan vdekjen e saj rreth orës 4 të mëngjesit, ndërsa dëshmitarët treguan se“ O zot cfarë ka ndodhur” ishte fjala e fundit e Dianës.

Trupi i saj u dërgua në Londër nga dy motrat Lady Sarah McCorquodale dhe Lady Jane Felloëesdhe Princi i Wellsit. Ajo u varros me 6 shtator 1997, një varrim që u transmetua drejtpërdrejt në shumë media ndërkombëtare, ndërsa 3 milionë njerëz ishin të pranishëm në varrimin e saj.

Vdekja e saj u shoqërua me shumë mistere, hipoteza, aludime dhe dokumentarë, por edhe sot pas 24 vitesh nuk dihet se çfarë ndodhi me saktësi atë natë në Paris. Diana sot nuk jeton, por gjithmonë do të ngelet si Princesha më e dashur në histori, si edhe një nga gratë më të vlerësuara në botë./ KultPlus.com

 ‘E mirë e mbarë klasa jonë e parë’ (VIDEO)

Për shumë fëmijë, nesër fillon dita e parë e shkollës, përcjell KultPlus.

E për t’i uruar të gjithë filloristëve një fillimvit të mbarë, KultPlus ua sjell një këngë dhe muzikë të përzgjedhur me plot shije.

Me fjalë inkurajuse ky është ‘Marshi i klasës së parë’ vepër kjo e kantautorit Agron Hajdari i njohur dhe si InorgA.

Teksti dhe muzika Agron Hajdari, Orkestrimi, Bahri Zariqi, Flauta, Lule Ballata./KultPlus.com

Nis ekspedita arkeologjike në Antigone

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër sjell lajmin e mirë të fillimit të një ekspedite arkeologjike në Antigone.

“Ditë emocionuese në Antigonenë e historisë dhe bukurive të mëdha”, shkruan DRTK Gjirokastër në rrjetet sociale.

Ekipi i udhëhequr nga Prof.Dr.Roberto Perna dhe Dr.Sabina Veseli, nisi ekspeditën arkeologjike duke eksploruar thellësinë e historisë përmes gërmimeve arkeologjike në gjithë territorin e Parkut Arkeologjik, Hadrianopoli dhe vendbanimet e Luginës së Drinos.

Përveçse një aventurë e bukur që do na shoqërojë për disa javë ndërsa ekspolorojmë nëntokën, kjo eksperiencë do na kthejë pas në kohë për të zbuluar artfaktet që kanë qënë të mbuluara me shekuj./KultPlus.com

Pak yje në hapjen e Festivalit të Filmit në Venecia

Në hapjen e Festivalit të 80-të të Filmit në Venecia dje në mbrëmje morën pjesë më pak yje të kinematografisë, për shkak të grevës së Hollivudit.

Përveç anëtarëve të jurisë, ku përfshihen regjisori amerikan Damien Chazelle, regjisorja e Zelandës së Re, Jane Campion dhe regjisori irlandez, Martin McDonagh, në tapet shkelën kryesisht të famshëm dhe politikanë italianë.

Aktorja italiane, Caterina Murino, kryesuesja e festivalit, i mirëpriti të ftuarit në ceremoninë e hapjes.

“Një përshëndetje e ngrohtë dhe mbështetëse për ata që nuk janë këtu me ne, sepse janë të zënë duke mbrojtur vlerën intelektuale dhe ekonomike të punës së tyre”, tha Murino.

“Ata na kujtojnë se krijimi artistik është prerogativë e grave dhe burrave të pasionuar dhe të talentuar, dhe se puna jonë nuk mund t’i delegohet algoritmeve dhe inteligjencës artificiale”, theksoi ajo.

Më shumë se 11 000 skenaristë të bashkuar kanë qenë në grevë në SHBA, që nga fillimi i majit.

Dhjetëra mijëra anëtarë të sindikatës së aktorëve SAG-AFTRA kanë qenë gjithashtu në grevë që nga mesi i korrikut.

Të dy sindikatat po kërkojnë pagesa të përmirësuara dhe mbrojtje kundër përdorimit të inteligjencës artificiale.

Regjisorja italiane Liliana Cavani, 90 vjeçe, u nderua me çmimin “Luani i Artë”, të cilës iu dorëzua nga aktorja britanike Charlotte Rampling, që luajti rolin kryesor në filmin e Cavanit të vitit 1974 “The Night Porter”.

“Unë jam gruaja e parë që merr këtë çmim dhe mendoj se kjo nuk është e drejtë”, tha Cavani.

“Ka skenariste dhe regjisore që punojnë, të cilat ndoshta punojnë dhe në të njëjtin nivel me burrat. Besoj se festivali duhet ta marrë parasysh këtë dhe se gratë mund të bëjnë filma gjithashtu”, tha ajo.

Festivali u hap me filmin “Comandante” të regjisorit italian, Edoardo De Angelis.

Ai tregon historinë e një komandanti të nëndetëses në Luftën e Dytë Botërore, i cili merr një vendim të guximshëm për një udhëtim në Atlantik.

“Comandante” është një nga 23 filmat që konkurrojnë për çmimin kryesor të festivalit, “Luani i Artë”, i cili do të jepet më 9 shtator.

Në garë është i përfaqësuar edhe regjisori gjerman, Timm Kroeger.

Premiera e filmit të tij “Theory of Everything” do të shfaqet më 3 shtator. /atsh / KultPlus.com

Duo Sihana & Zana Badivuku sonte me koncert recital ne Francë

Duo Sihana & Zana Badivuku (violinë & piano ) në kuadër të festivalit “Musique en vignes” drejtuar nga Eric & Celine Lesage sonte do të performojnë vepra të kompozitorëve botërorë (Mozart, Clara Schumann, Sarasate ) dhe vepra të kompozitorëve shqiptarë (nga Kosova dhe Shqipëria) Rafet Rudi, Valton Beqiri, Drinor Zymberi dhe Aleksandër Peçi.

“Kënaqësi ti prezantojmë veprat e mirënjohura te kompozitorëve tanë dhe njëherit të ja përkushtojmë këtë koncert babait tonë violinistit Hysen Badivukut”, Shprehen Sihana dhe Zana Badivuku.

Koncerti i radhës në kuadër të këtij festivali më datën 3 shtator do të performojnë artistët tanë Sihana Badivuku ,violinë dhe Blerim Grubi ,violë me artistet franceze Bertrand Giraud, piano Celine Lesage, violinë dhe Clarisse Lesage, violonçel me veprat : Dvorak pianokuarteti op.81 dhe duetet për violinë dhe violë të Valton Beqirit dhe Kreshnik Aliçkaj.

Info rreth festivalit : www.musique-en-vigness.com / KultPlus.com

Taso me ekspozitë vetjake në Wismar të Gjermanisë

Piktori i mirënjohur shqiptar Anastas Kostandini, ka çelur një ekspozitë vetjake, në Wismar të Gjermanisë, të titulluar “Një piktor nga Pogradeci, viziton Wismar-in”. Ekspozita ka gjetur jehonë edhe në mediet gjermane, mes të cilëve Wismar TV, në kronikën e të cilit thuhej se, ekspozita e veçantë do të zbukurojë muret e Muzeut Historik Schabbell, deri më 15 tetor.

Në tekstin shoqërues të ekspozitës kuratorja ka shkruar: “Ekspozita në Wismar tregon një prerje tërthore të punës së tij me piktura vaji dhe grafika. Shikuesi fiton njohuri për peizazhin shqiptar, jetën dhe punën e njerëzve në fshat dhe në impiantet industriale. Por gjithashtu nuk mungojnë natyrat e qeta, peizazhet e qytetit si edhe autoportrete të artistit. Gjithashtu një pamje e portit të Wismar-it, të cilën artisti e fotografoi gjatë një vizite në 2014-ën.”

Anastas Kostandini i njohur me emrin e artit Taso, lindi më 29 korrik 1954 në Pogradec, ku jeton e punon sot e kësaj dite. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, për art monumental në 1978 dhe njihet si njëri prej autorëve të mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar./ atsh / KultPlus.com

Rita Ora shfaqet e veshur kuq e zi në Festivalin e Filmit në Venecia

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, bëri një hyrje madhështore në Festivalin e Filmit në Venecia të enjten. 

32 vjeçarja hodhi duart në ajër, ndërsa stilisti i saj e fotografoi teksa mbërriti me një varkë, e veshur me fustan kuq e zi.

Rita, e cila është e martuar me regjisorin Taika Waititi, dukej madhështore teksa po zbriste në varkë. 

Festivali i 80-të Ndërkombëtar i Filmit në Venecia organizohet nga La Biennale di Venezia dhe drejtohet nga Alberto Barbera. / KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit “Karma”

Xhirimet e filmit “Karma” të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves me skear dhe regji të Esat Fejzës dhe producente Edona Keçmezi, kanë përfunduar me datë 30 gusht.

Xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Karma” kanë filluar nga data 05.08.2023 dhe kanë zgjatur deri më 30.08.2023, konkretisht 18 ditë xhirime brenda kësaj periudhe.

Filmi “KARMA” është i zhanrit Dramedy, tregim për Tre dështak të cilët tentojnë ta mashtrojnë fatin e tyre duke e provokuar atë. Protagonisti “Dako” me planin e tij të krisur është shpresa e vetme e dy shokëve të tij dembelë dhe të papunë. Nga veprimet e tyre të ndryshme gjatë rrugëtimit, të gjitha personazhet ndëshkohen ose shpërblehen.

Filmi flet për ligjin univerzal të shkakut dhe pasojës, ku çdo veprim që bëjmë në rezultat na sjell një kundërveprim, pasojë – ndëshkim ose shpërblim. / KultPlus.com

Amnesty International: Kosova po dështon t’i mbrojë viktimat e dhunës në familje

Autoritetet e Kosovës po dështojnë ndaj viktimave të dhunës në familje, thuhet në një raport të publikuar sot nga “Amnesty International”.

Në raportin “Nga letra në praktikë: Kosova duhet t’i mbajë zotimet ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje”, tregon si të mbijetuarat e dhunës në familje, “përballen me shumë pengesa në sigurimin e mbrojtjes, qasjes në drejtësi dhe mbështetje”.

“Autoritetet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm në luftimin e dhunës në familje dhe të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarave dhe adresimin e prioriteteve të tyre”, është thënë në raport.

Në raport është vlerësuar qenësore që autoritetet e Kosovës të përfshijnë të mbijetuarat e dhunës në familje në të gjitha proceset vendimmarrëse që kanë ndikim te to”.

“Të mbijetuarat e dhunës në familje në Kosovë përballen me pengesa në të gjitha drejtimet kur përpiqen të largohen nga situatat abuzive. Përgjigjja e autoriteteve përqendrohet shumë në ndjekje penale. Në fakt, pothuajse të gjitha të mbijetuarat detyrohen të raportojnë dhunën në polici për të pasur qasje në strehimore. Njëherësh, nuk po bëhet mjaftueshëm për t’i mbështetur të mbijetuarat të jetojnë jetë të pavarur larg abuzimit. Të mbijetuarat nga grupet e margjinalizuara po ashtu po lihen në harresë”, ka thënë Lauren Aarons, zëvendësdrejtoreshë e programit dhe udhëheqëse e ekipit për gjininë.

Amnesty International ka gjetur zbrazëti të shumta në mbështetjen shtetërore që ofrohet për të mbijetuarat e dhunës në familje si dhe mungesë të veprimeve për përfshirjen e tyre në procese vendimmarrëse, që ka shkundur themelin e të drejtave të tyre. Këto zbrazëti përfshijnë pengesa në kompensim, në realizimin e të drejtave tjera ligjore si alimentacioni, si dhe shërbime joadekuate për të mbështetur të mbijetuarat pas largimit nga strehimorja.

“Të mbijetuarat po ashtu kanë treguar për paragjykime të dëmshme nga zyrtarët policorë, punëtorët socialë të mbingarkuar me punë, mbrojtës të viktimave të padobishëm apo që mungojnë dhe mungesë të informatave për të drejtat e tyre apo për mjetet dhe asistencën në dispozicion. Të mbijetuarat nga minoritet etnike si nga komunitetet serb, rom, ashkali, egjiptian nga Kosova, dhe të mbijetuarit/at LGBTI përballen me pengesa shtesë për shkak të formave të diskriminimit ndërthurës me të cilat përballen”, thuhet në raport.

Në raport është thënë se nëse “të mbijetuarat tentojnë të largohen nga situatat abuzive, atëherë në rastin më të mirë marrin mbrojtje fillestare dhe mbështetje afatshkurtëre”.

“Autoritet e Kosovës janë zotuar t’i vendosin të mbijetuarat në qendër të përgjigjes së tyre ndaj dhunës në familje. Tani ata duhet ta shndërrojnë këtë zotim në veprim. Kjo do të thotë ndarjen e burimeve të mjaftueshme, por po ashtu edhe dëgjimin e të mbijetuarave dhe atyre që punojnë me to, për zhvillimin e përgjigjeve gjithëpërfshirëse që respektojnë të drejtat e të mbijetuarave,” ka thënë Aarons.

Një e mbijetuar e dhunës në familje nga Prishtina, identiteti i të cilës nuk është zbuluar, i ka thënë Amnesty International se institucionet e Kosovës duhet t’i informojnë gratë se e kanë derën e hapur dhe mbështetjen e shtetit, “ende pa ndodhë ndonjë gjë”.

“S’ki nevojë me u brengosë për fëmijë, s’ki nevojë me u brengosë për ku ke me shku… edhe nëse nuk të mbështetë familja, edhe nëse s’munesh me u kthy te shpia e babës, institucionet kanë me të mbështetë”, ka thënë viktima.

Kosova është tronditur nga një varg i rasteve të femicidit viteve të fundit. Si kundërpërgjigje ndaj këtyre vrasjeve, u mbajtën protesta me të cilat kërkohej drejtësi, dëmshpërblim, si dhe dënime në përputhje me ashpërsinë e veprës penale.

Me 14 mars 2021, Sebahate Morina u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Gjykata Kushtetuese më vonë konstatoi se autoritetet shtetërore dështuan ta mbronin Morinën, duke ia shkelur asaj të drejtën në jetë.

Më 4 gusht 2023, burrat përgjegjës për vrasjen brutale të 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht 2021 morën dënimet. Dardan Krivaqës iu dha dënimi me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, Arbër Sejdiut iu dha dënimi 15 vite burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

“Njerëzit në Kosovë po dalin në rrugë për të kërkuar që të veprohet për të parandaluar vrasjen e më shumë grave. Autoritetet e Kosovës kanë një mundësi të artë ta bëjnë ndryshimin: t’i dëgjojnë të mbijetuarat dhe protestueset, të cilat i kanë zgjidhjet, dhe t’i mbajnë zotimet e tyre ligjore me veprime konkrete të nevojshme për ta t’i dhënë fund dhunës ndaj grave,” ka thënë Aarons. / KultPlus.com

Kulla e Mic Sokolit në Bujan të Tropojës, një vlerë e madhe historik

Në kuadër të nismës “Njih trashëgiminë”, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, prezanton një tjetër monument kulture me rëndësi të veçantë. Ajo është Kulla e Mic Sokolit, Monument Kulture, Kategoria l ( e shpallur në vitin 1974).

Kulla e Mic Sokolit gjendet në fshatin Bujan të Tropojës.

Ndërtimi i saj daton në shek. XVIII. Është një banesë tradicionale trekatëshe prej guri, që përfaqëson arkitekturën e kullave të Malësisë së Gjakovës.

Kati përdhes ka shërbyer si vend magazinimi dhe për mbajtjen e kafshëve, ndërsa katet e sipërme janë përdorur për banim.

Banesa ka një vlerë të madhe historike, për shkak se në kujtesen historike ajo lidhet me personalitetin e Mic Sokolit, një patriot i shquar dhe një udhëheqës gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit./ atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim Kongresistin Mike Turner

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Kongresistin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës.

Raportet me SHBA-të, Presidentja Osmani i ka cilësuar strategjike edhe ekzistenciale, ndaj  ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen ndër vite, të cilën ai ia ka dhënë Kosovës në rrugën e shtetndërtimit.

Presidentja Osmani ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-ve.

“Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në takim me kongresistin Tuner, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.

Në raport me bashkëpunimin me SHBA-të, Presidentja Osmani potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë.  Kësisoj, Presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e SHBA-ve është esenciale.

Mëtej, Presidentja Osmani përmendi faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të SHBA-ve në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.

Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces. Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Ajo ripotencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. / KultPlus.com

Salla Koncertale dhe Muzeu i Artit të Kryeqytetit po bëhen realitet

Salla Koncertale dhe Muzeu i Artit të Kryeqytetit po bëhen realitet, kështu ka njoftuar sot i pari i Prishtinës, Përparim Rama.

Sipas Ramës, tashmë po hidhen hapat e parë për krijimin e dy hapësirave të rëndësishme kulturore të Kryeqytetit, Sallën Koncertale e Muzeun e Artit.

“Jam shumë i lumtur që po hedhim hapat e parë për krijimin e dy hapësirave të rëndësishme kulturore të Kryeqytetit, Sallën Koncertale e Muzeun e Artit. Gjatë takimit me arkitektin e njohur botëror, Kengo Kuma, diskutuam detajet e fundit për realizimin e këtij projekti tjetër të madh drejt transformimit të Prishtinës’, shprehet Rama.

Gjithashtu është bërë e ditur se arkitektura unike e ndërtesës ikonë të Kryeqytetit, do të ruhet tërësisht si pjesë e trashëgimisë sonë. Por në të njëjtën kohë do të krijohetë një Sallë Koncertale e Muze të Artit super modern.

“Ne po realizojmë një kërkesë të kahmotshme të artistëve tanë, që të kenë një ambient të përshtatshëm ku do të mund të shprehin artin e tyre, në kushte shumë më të favorshme, ashtu siç do të bëjnë artistët me renome botërore.

E kam premtuar dhe po e bëj realitet”, thotë Rama. /KultPlus.com

Nesër hapet në GKK ekspozita e parë retrospektive e artistes Lumturi Blloshmi

“Lumturi Blloshmi. Nga e para” është ekspozita e parë retrospektivë e artistes Lumturi Blloshmi (1944–2020) në Kosovë dhe gjithashtu ekspozita pasuese e prezantimit të saj të suksesshëm në Bienalen e 59-të Venecias si pjesë e pavijonit shqiptar në vitin 2022.

Galeria Kombëtare e Kosovës do të mirëpres këtë retrospektiv të zgjeruar që përfshin një pjesë domethënëse të krijimtarisë së saj më shumë se gjysëm-shekullore. Ekspozita synon të prezantojë dhe ri-pozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në kontekstin e historisë së artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ekspozita përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga vitet ’60-të deri në vitet ‘2000-jë, dhe përfshin autoportrete, peizazhe, portrete, kompozime në pikturë, fotografi e instalacione që flasin për thelbin estetik dhe realitetin personal të Blloshmit, po aq sa flasin dhe për kontekstin specifik politik dhe social në të cilin u krijuan.

Si pothuajse të gjithë artistët e brezit të saj, Lumturi Blloshmi pikturoi deri në fund të viteve ‘80-të e kufizuar nga metoda e realizmit socialist. Megjithatë, pas viteve ’90 ajo ishte një nga të paktët artistë të brezit të saj që arriti të ripozicionojë dhe transformojë me sukses veten dhe veprën e saj deri në fund të jetës. Veprat e Lumturi Blloshmit në pikturë, fotografi, instalacion dhe performancë karakterizohen nga ironia dhe reflektojnë e tejkalojnë realitetit në të cilin ajo Komunikatë për media Prishtinë, 22 gusht, 2023 jetoi. Personaliteti i saj dinamik i ushqyer nga filozofia, poezia, ndjesorja dhe shpirtërorja, i kanë dhënë formë një veprimtarie artistike tejet unike.

Duke prezantuar vepra të paekspozuara më parë, ekspozita ka për qëllim të sjellë pranë publikut veprimtarinë shumë-përmasore dhe metamorfozën idividuale të Blloshmit. Paraqitja e ekspozitës gjurmon trajektoren e saj artistike në rend kronologjik, duke nxjerrë në pah temat kryesore: kontekstin individual përmes përvojave personale të Blloshmit që janë bërë frymëzimi kryesor për autoportretet e shumta; kontekstin shqiptar të cilin ajo e analizoi, komentoi dhe e përcolli sistematikisht qoftë përmes peizazheve të viteve ‘1980, Eksodit të viteve ‘1990 apo tranzicionit politik të viteve ‘2000; dhe në fund konteksti universal si një interesim për aspektet filozofike dhe shpirtërore të cilat i trajtojnë veprat e viteve të fundit. Kontekstet që ushqyen praktikën e saj artistike zbulojnë gjithashtu sesi Blloshmi nëpërmjet imagjinatës dhe eksperimetimit, rikrijon në vazhdimësi figurën në mediume të ndryshme për të sjellë atë që ajo e quan “një univers të veçantë e të prekshëm”. Praktika artistike mbresëlënëse, biografia e jashtëzakonshme dhe personaliteti i fuqishëm e bëjnë Blloshmin një vlerë unike dhe shenjuese për artin bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar. Për shkak të disa kufizimeve (e shurdhër që në moshën pesë vjeçare, e shtypur nga regjimi komunist për arsye politike, grua në një fushë të dominuar nga meshkujt) nuk ju dha vlersimi i merituar gjatë jetës së saj.

Ekspozita synon të hedhë dritë mbi veprën dhe jetën e saj, të cilat ende nuk janë hulumtuar, shfaqur dhe kontekstualizuar plotësisht.

Kuruar nga Adela Demetja, hapja e ekspozitës bëhet ditën e premte, 01 shtator, prej orës 19:00 deri 21:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Biografi

Lumturi Blloshmi (1944–2020) lindi dhe jetoi në Tiranë. Babai i Blloshimit ishte oficer i Qeverisë së Mbretit Zog I dhe u ekzekutua nga komunistët kur Lumturia ishte vetëm dy muajshe. Kur ishte pesë vjeç ajo humbi dëgjimin pas një infeksioni me meningjit. Blloshmi u diplomua në Degën e Pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1968. Në vitin 1973 bëhet pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve por nga viti 1974 deri në 1984 i hiqet leja krijuese duke mos e lejuar të ekspozojë dhe vazhdojë praktikën e saj krijuese. Pas diplomimit Blloshmi punoi si puntore offseti në shtypshkronjën Mihal Duri; më pas punoi si redaktore dhe ilustruese në shtëpinë botuese të librit shkollor deri në vitin 1989. Deri në vitin 2004 punoi në disa institucione, ndër të cilat në Galerintë Kombëtare e Arteve dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë.

Ekspozitën e saj të parë vetjake ajo e çeli në vitin 1988 në Berat. Pas viteve ’90-të ajo shquhet si një nga artistet më të mira bashkëkohore në artin pamor shqiptar. Praktika e saj mes artit modern dhe atij bashkëkohor është një sintezë e instalacionit, fotografisë, vizatimit dhe pikturës. Disa nga veprat e saj janë përfshirë në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Punimet e saj janë shfaqur ndër të tjera në ekspozita në grup dhe vetjake në institucione të tilla si: Muzeu i Artit, Chelsea, Nju Jork; Galeria Komunale e Arteve, Bydgoszcz, Poloni; Bienalja e Aleksandrisë për Vendet e Mesdheut, Aleksandri, Egjipt; Galeria Kombëtare e Arteve e Shqipërisë; Galeria Kombëtare e Arteve e Kosovës. Ajo ishte artista e parë grua që Komunikatë për media Prishtinë, 22 gusht, 2023 përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias në edicionin e 59-të. Blloshmi ndërroi jetë më 27 Nëntor 2020 si pasojë e një infeksioni me Covid-19. Adela Demetja është kuratore dhe autore e lindur në vitin 1984 në Tiranë, Shqipëri. Ajo, kreu studimet Master në “Kurim dhe Kritikë Arti” në Städelschule dhe Universitetin Goethe, Frankfurt/Main, Gjermani. Ajo është drejtoreshë e Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, institucion i pavarur i artit, të cilin e themeloi në vitin 2010. Si kuratore e pavarur ka organizuar dhe kuruar ekspozita të shumta ndërkombëtare, ndër të tjera në institucione si Galeria Kombëtare e Arteve Tiranë; Galeria Kombëtare e Kosovës; Teatri Maxim Gorki Berlin; Instituti për Artin Bashkëkohor, Portland, USA; Bienalja D-0 Ark Underground, Konjic; Fusha e Veprimit, Kodra Selanik; Lothringer 13, Kunsthalle Mynih; Villa Romana, Firence; Haus am Lützowplatz, Berlin. Në vitin 2022 ajo ishte kuratore e Pavjonit Shqiptar në Bienalen e 59-të të Venecias duke prezantuar veprën e artistes Lumturi Blloshmi. Ajo jeton mes Frankfurt/Main dhe Tiranës. Kuratore: Adela Demetja Regjisor: Tin Dirdamal Artisti i mediave interaktive: Alexander Walmsley Arkitekte e ekspozitës: Dea Buza / Apparatstudio Dizajni: Joreld Dhamo / Parallel Studio./ KultPlus.com