151 vite nga lindja e Sotir Koleas, hartuesi i 5 fjalorëve, ai i gjuhës shqipe ende i pabotuar

Sotir Kolea ishte leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928.

Lindi në Berat, më 4 shtator 1872. Kreu gjimnazin në gjuhën greke në Manastir. Më 1896 punoi si mësues i gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar të Kavallës.

Më 1911 u zgjodh sekretar i shoqatës “Bashkimi” në Egjipt. Mori pjesë në dërgatën e Londrës bashkë me Rasih bej Dinon dhe Mehmet bej Konicën. Organizoi tok me Faik Konicën Kongresin e Triestes, në Austro-Hungari në periudhën 27 shkurt – 6 mars 1913.

Më 1915, drejtoi në gjuhën frënge gazetën “L’Albanie” në Lozanë të Zvicrës.

Më 29 qershor, 1919 i drejtoi poetit italian D’Anuncio, një promemorie, ku i bën thirrje ndërgjegjes së poetit dhe artistit që të pengojë etjen pushtuese të Italisë. Mori pjesë në Konferencën e Paqes, po me të kuptuar mosmarrëveshjet e mëdha të forcave të ndryshme politike shqiptarë mes tyre, vendos t’i kushtohet jetës private. Në një letër drejtuar mikut të tij, Mit’hat Frashërit shprehet se: “Kam frikë se do na mbetet zakon në këtë të lumtur Shqipëri se gjithë qeveritë që shkuan gjer më sot, hëngrën, pinë, lanë duart e dolën”.

Në 20 dhjetor 1927 me një letër, Mit’hat Frashëri i njofton i pari vendimin e Këshillit të Ministrave, që emëronte Sotir Kolean drejtor të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Në vitet 1928-1945 kontribuoi në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare. Është meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta kombëtare të Bibliotekës Kombëtare si drejtor. Nga 4 000 që ishte numri i librave në Bibliotekën Kombëtare në janar 1928 kur mori detyrën dhe deri në vitin 1937, kur doli në pension, Kolea shtoi fondin e librit me 14 000 tituj të rinj, botoi periodikë të shumtë vjetorë mbi veprimtarinë e bibliotekës me përshkrimet përkatëse bibliografike të shumë veprave me interes për studime. Kolea ka merita te veçanta për mbledhjen e dokumenteve të rëndësishme me vlera historike, ndër te cilat, prezantimi i parë për dorëshkrimin e Kostë Beratit, historisë së origjinës së flamurit kombëtar të ngritur në Vlorë në 28 Nëntor 1912, zbuloi dhe mblodhi dokumente për Skënderbeun, të dhëna bibliografike për Shtjefën Gjeçovin, Jani Vruhon, Jani Vreton, Fan Nolin, Shirokën etj., fondet që janë sot pasuri kombëtare falë punës së tij. Kolea bëri mjaft kërkime në biblioteka të huaja për dokumente me vlera historike dhe kulturore për Shqipërinë. Nën kujdesin e tij, Muzeu Kombëtar u bë qendra ku nisën të grumbulloheshin objekte të vjetra historike dhe ai vetë, një ndër luftëtarët më të vendosur për mbrojtjen e tyre nga arkeologët e huaj, që morën jo pak vlera dhe zbulime arkeologjike në Butrint, Apolloni, Lezhë, Shkodër e gjetkë. Më 1937 Sotir Kolea doli në pension dhe koha për të mori kuptimin e punës për organizimin, përpunimin, botimin e gjithë kërkimeve dhe studimeve të nisura që në rini ndaj vendoset në Elbasan, qytet ku jetonin një grup studiuesish të njohur të gjuhës, si: Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Lef Nosi, Kristo Floqi etj. Me 8 prill 1940 u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare me kryetar Ernest Koliqin ku qenë grumbulluar intelektualë të shquar si P. Anton Harapi, Eqerem Çabej etj.

Puna më e madhe, më e plotë studimore e tij mbetet hartimi i 5 fjalorëve, ku më kryesori ai i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund të jetës duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frënge. Gjatë 30 viteve punoi për hartimin e fjalorit Shqip-Frëngjisht, një për orientalizmat, që janë jo të pakta në gjuhën shqipe. Nga 1909 në Aleksandri dhe deri në 1915 në Lozanë, Kolea hartoi fjalorin Shqip-Greqisht, me 68.963 fjalë, që gjendet si dorëshkrim, një tjetër për shqip-turqisht, etj. Studiues me disiplinë të fortë pune, ka lënë fjalorin e botanikës, veç dorëshkrimeve me studime për etnografinë, zbulimin e Butrintit, toponomastikën e Shqipërisë, etj. Kontributi i Koleas ka peshën e vet të madhe në zhvillimin e disiplinave shkencore shqiptare si leksikografi, folkloristikë, shkencave të natyrës etj. Të gjitha në dorëshkrime të shumta, që ndodhen sot në arkivin e Shtetit në fondin “Kolea”, një nga më të mëdhenjtë, që është përdorur nga shumë studiues. / KultPlus.com

NASA: Ekuipazhi prej katër astronautësh kthehet në Tokë

Pas gjashtë muajsh në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), dy astronautë amerikanë, një rus dhe një astronaut i Emirateve të Bashkuara Arabe u kthyen të sigurt në Tokë, deklaroi NASA.

“Crew-6” në bordin e anijes kozmike Dragon Endeavour të SpaceX u ul në brigjet e Floridës pak pas orës 00:15 pasi u kthye nga ISS.

Ekuipazhi, i cili u nis nga Toka në mars, përbëhet nga amerikanët Stephen Bowen dhe Warren Hoburg, rusi Andrey Fedyaev dhe Sulltan al-Niyadi nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Me largimin e kuartetit, ekuipazhi i stacionit u kthye në shtatë pasi misioni i NASA-s SpaceX Crew-7, misioni i shtatë komercial i rrotullimit të ekuipazhit për agjencinë hapësinore amerikane, arriti në postin hapësinor më 27 gusht./ atsh / KultPlus.com

Dostojevski: Besoj se përkufizimi më i mirë për njeriun është: dykëmbësh mosmirënjohës

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
/ KultPlus.com

Presidentja Osmani u prit në takim nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka filluar vizitën dy ditore shtetërore në Shqipëri me ç`rast është pritur me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti Bajram Begaj.

Në takim me Presidentin Begaj, Presidentja Osmani ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha etapat e përpjekjeve për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

Presidentja Osmani ka shtuar nevojën e rritjes së koordinimit të vazhdueshëm dhe paraprak  në politikën e jashtme në raport me interesat e të dy shteteve, por edhe të rajonit e me gjerë.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike historike, kulturore dhe kombëtare, lidhje kjo e fortë dhe e pathyeshme. Përballë sfidave, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, duke u fokusuar në qëllimin tonë madhor: integrimin e shteteve tona në familjen euroatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar ta fuqizojë pozicionin e saj ndërkombëtar, duke shtyrë më tej synimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Prandaj, në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Shqipërisë.

“Kjo sfidë kërkon përkushtim dhe veprime të sinkronizuara për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Si në të kaluarën, presim që Shqipëria të jetë zëri ynë në vendet dhe forumet ku ende nuk jemi pjesë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja përmendi anëtarësimin në Këshillin e Evropës, NATO, BE, por edhe organizata të tjera ndërkombëtare. “Anëtarësimi i Kosovës në NATO si synim afatgjatë dhe përfshirja sa më parë në Programin e Partneritetit për Paqe te NATO-s janë garanci për paqe dhe siguri në rajon dhe kontinentin tonë. Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë e në veçanti në Kosovë”, theksoi Presidentja Osmani.

Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani theksoi se Kosova, përkundër sfidimit të hapur në rrafshin e sigurisë dhe institucional nga Serbia, ajo vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, si dy shtete të pavarura dhe fqinje. Sipas Presidentes Osmani rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Ilirët dhe etnogjeneza kroate

-Miško Erak: “Ilirski krugovi života“ (Rrathët e jetës ilire), boti „Školska Knjiga“, Zagreb, 2021, faqe 357.

Jusuf Buxhovi

Etnogjeneza e kroatëve është e lidhur me Ilirët. Këtë përfundim sjell libri i Mishko Erakut “Ilirski krugovi zivota” (Rrathët e jetës ilire), duke u përqendruar te mbretëria e Ardëve (nga shekulli IV para erës sonë deri te shekulli I i erës sonë), ajo e Doarsëve, e Autoriatëve, Dalmatëve dhe e Gencit. Autori Erak, këtë vlerësim e mbështet mbi faktet arkeologjike, siç i quan ai Gradinat (fortifikata guri – katër sosh) në hapësirën e Plinit, Ploçe dhe Neretvës së poshtme. Me shumë ilustrime, skica dhe artefakte, Erak bën përpjekje që të paraqesë pikëpjekjen e mbretërisë së Ardëve me Doarsët, Autoriatët po edhe me atë të Dalmatëve në një hapësirë jetësrore çfarë ishte ajo e lumit Neretva për në Adriatik si strehë jetike e fiseve të njohura ilire, ku ato kanë ndërtuar fuqinë e tyre ekonomike dhe politike të lidhur ngushtë me ambientin që lidh hinterlandin me detin, e prej nga kalonin rrugët e furnizimeve me mallra veçmas me krip deti. Pjesa e Ploçës dhe e Neretvës së poshtme është mbikëqyrur nga mbretëria e Ardëve, por bazuar në dy gradinat (qytet-fortesa në pjesën e epërme në drejtim të Mostarit, që u takonin mbretërisë së fuqishme Doarse), gradina e Ardëve në hyrje të Plinit, ka qenë strategjike, ngaqë ka mbikëqyrë hyrjet nga toka për në det, të një rëndësie të madhe për tri mbretëritë ilire në këtë hapësirë. Duke elaboruar artiktektonisht infrastrukturën e këtyre qyteteve të fortifikuara si dhe lidhjet e tyre rrugove (ujore dhe tokësore), nxirret përfundimin se ato ishin qendra të rëndësishme ekonomike, kulturore dhe ushtarake. Si të tilla zgjuan apetitet e romakëve për t’i pushtuar, meqë nëpërmes rrugëve ujore dhe atyre tokëlsore mundësohej depërtimi në pjesën qendrore, atë perëndimore dhe lindore të Ilirikut, që mundësonte shtrirje perandorake.

Por, ajo që bie në sy në këtë libër, është përpjekja e autorit që të rishqyrtojë raportet historike dhe etnike të kroatëve me ilirët, me ç’rast nxjerrët përfundimi se kroatët gjenetikisht, kulturalisht dhe etnikisht janë të lidhur me ilirët dhe fare pak me sllavët. Me këtë rast rikonfirmohet qëndrimi i historianit të njohur kroat Mate Suviq që thotë se populli kroat mbështetet mbi substratin ilir. Kjo ilustrohet me të dhëna nga studimet më të reja gjenetike nga disa institute të njohura amerikane, nga analizat e të cilave del se në Kroaci, bazuar në faktorin Y-Haplogrup, (gjen që tregon vjetërsinë prej mbi 10 mijë vitesh),50 % e popullatës, lidhet me këtë faktor, i cili mbështetet edhe nga faktori 12a1. Ndërsa 25% e popullatës, lidhet me origjinën prej një mijë vitesh, e përafërt me dyndjet sllave në Ilirik. Këto të dhëna përmbysin qëndrimet e historiografisë së shekullit XIX (kryesisht të shkollës sllaviste vieneze) e cila faktorin ilir thuajse e përjashton nga origjina kroate, duke e ndërlidhur atë tërësisht me atë sllave. Autori, thekson se eliminimin i ilirizmit dhe të “Lëvizjes ilire” lidhet me shkaqe politike të krijuara nga aneksimi i Bosnjes dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria, me ç’rast është zëvendësuar me “Lëvizjen sllave”, si platformë e re e jugosllavizmit, mbi të cilln do të krijohet edhe shteti jugosllav pas luftës së parë botërore. Sipas Erakut, eliminimi i “Lëvizjs kroate” dhe zëvendësimi i saj me “Lëvizje sllave”, ishte një veprim antihistorik dhe antishkencor, meqë origjinën kroate anbllok e zhvendosi në kuadër të familjes sllave, gjë që nuk përkon me realitetin. Me këtë rast, duke u mbështetur mbi qytetërimin e zhvilluar ilir në Dallmaci, Bosnje dhe Sllavoni, autori kërkon që Akadia e Shkencave Kroate të rikthejë vëmendjen kah trashëgimia e pasur materiale dhe shpirtërore ilire në Kroaci në mënyrë që të rishqyrtojë lidhjet etnike dhe kulturore me të si pjesë e qytetërimit antik. Qëndrimi që të rikthehet lidhja kroate me ilirët nuk është i ri. Në shekullin XVIII ishte dominues tek studiuesit kroatë në kuadër të perandorisë Austro-hungareze. Jugosllavizmi i Shtrosmajerit si dhe Jugosllavia e Versajes bashkë me atë të AVNOJ-it, e margjinalizoi apo e hoqi fare, duke u lidhur me sllavët. Mbas shpalljes së shtetit kroat, historiografia kroate ka filluar t’i kthehet tezës së origjinës ilire. Akademia e Shkencave të Kroacisë, gjatë dhjetë viteve të fundit, ka iniciuar projekte që mbështesin këtë tezë, edhe pse e ka të vështirë ngaqë mbi njëqind vjet jugosllavizmi i ndikuar nga politika hegjemoniste serbomadhe, politikisht ka luftuar çfarëdo përpjekje të tillë.

Krahas kësaj përpjekje të historiografisë kroate që të rishqyrtohen lidhjet gjenetike, etnike dhe kulturore me Ilirët, libri i Mishko Erakut, është me interes edhe për historiografinë shqiptare, meqë fokusimi i tij te fortifikimet ilire në pjesën e Ploçës deri te Neretva e poshtme, nxjerr në pah një pjesë të rëndësishme nga mozaikut ilir i shtrirë në një hapësirë të gjerë euro-aziatike, ku etnia shqiptare, në pjesën e tri mbretërive të dikurshme antike: Dardanisë, Maqedonisë dhe Epirit, ruan vazhdimësinë historike të etnisë së vet. / KultPlus.com

EBC vjen me zbritjen e madhe vetëm një ditore në blerjet online

Në muajin shtator të këtij viti, EBC ka vendosur të ofrojë zbritjen e madhe -30% në të gjithë artikujt vetëm për blerje online dhe vetëm më datën 4 shtator.


EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend, e njohur për origjinalitet dhe e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 9 pika zyrtare dhe online të brendeve më të njohura ndërkombëtare.
Në platformën për blerje online: www.ebc.shop ju mund të realizoni blerjen nga të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. /KultPlus.com
• EBC Cosmetics

Arkeologët zbulojnë vendbanim të madh gjatë gërmimeve në Peru

Vendbanimi, i zbuluar në rajonin Cajamarca të Perusë veriore, i përket kulturës Wari dhe daton nga shekulli 7 deri në 13 para erës së re.

Arkeologët që kryejnë gërmime në Peru kanë zbuluar një vendbanim të madh parahispanik, ku grupe të ndryshme etnike jetonin së bashku, raporton Anadolu.

Vendbanimi, i zbuluar në rajonin Cajamarca të Perusë veriore, i përket kulturës Wari dhe daton nga shekulli 7 deri në 13 para erës së re.

Në një deklaratë, Projekti i Hetimit Arkeologjik (PIA) tha se zbulimi, i cili zë 24 hektarë, përfshinte dy dhoma varrimi me një ndërtim të përpunuar nëntokësor.

Shinya Watanabe, një nga drejtorët e projektit, në një deklaratë tha se gjatë gërmimeve arkeologjike kanë gjetur copa qeramike, enë ceremoniale, instrumente frymore qeramike, armë të ndryshme dhe gjurmë që pasqyrojnë tradita të ndryshme.

Judith Padilla, drejtore kulturore e Qendrës Cajamarca, tha se ata kanë bërë përparim të rëndësishëm drejt mësimit të së kaluarës së Perusë.

“Për të kuptuar praktikat aktuale, është e nevojshme të hetohen mënyra e jetesës dhe ritualet e shoqërive antike që jetojnë në tokën peruane. Ne duam të zbulojmë sistemin sociopolitik të kulturës së Cajamarcas dhe marrëdhëniet e saj me Perandorinë Wari”, tha Padilla./ AA/ KultPlus.com

Kryengritja e Përgjithshme shqiptare ndaj Perandorisë Osmane

Më 4 shtator 1912, u zhvillua Kryengritja e Përgjithshme shqiptare ndaj Perandorisë Osmane.

Kryengritja e armatosur u udhëhoq nga Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri etj. Pas përfundimit me sukses të kësaj kryengritjeje, Porta e Lartë e Stambollit u detyrua të ulej në bisedime dhe të plotësonte kushtet e palës shqiptare, ku më kryesorja do të ishte Shpallja e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) sjell foto të vendimit mbi masat e marra nga qeveria mbas studimit të kërkesave që parësia shqiptare i ka bërë Portës, për dhënien e lejeve për mbajtje arme, hapjen e shkollave shqipe, amnisti për pjesëmarrësit në kryengritje etj. Gjithashtu DPA sjell një foto historike të Ismailit Qemalit dhe Hasan Prishtinës. / atsh / KultPlus.com

Festivali i Këngës në RTSH, nisin përgatitjet për edicionin e 62-të

Kanë nisur përgatitjet e para për eventin më të rëndësishëm të muzikës së lehtë shqiptare, Festivalin e 62-të të këngës në RTSH. Në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar ka filluar transmetimi i spotit përmes të cilit ftohen për tu bërë pjesë e aplikimeve këgëtarët, kompozitorët dhe tekstshkruesit që të marrin pjesë në fazën e parë të edicionit të 62-të të Festivalit të Këngës , i cili vjen çdo fundvit përmes valëve të transmetuesit publik.

Këtë vit është prezantuar logoja e festivalit dhe gjithashtu adresa e e-mailit.

Ashtu si çdo vit, aplikuesi duhet të garantojë origjinalitetin e krijimit muzikor dhe duhet të dorëzojë në e-mailin zyrtar të këtij festivali këngën e plotë, orkestralen bashkë me zërat shoqërues, instrumentalen e  kengës, tekstin, si dhe emrat e autorëve. Kënga nuk duhet të jete e gjate më shumë se 4 minuta.

Kërkohet që emrat e autorëve të këngës konkuruese të shoqërohen me një fotografi të artistit apo grupit performues, me biografinë e tyre, si dhe një numer kontakti apo e-maili.

Të gjitha këngët konkuruese, pasi të pranohen, do të kalojnë në një fazë seleksionuese nga një komision i përcaktuar nga bordi i festivalit.

Të gjitha të rejat më të fundit nga festivaliti do të keni mundesi ti ndiqni në rrjetet sociale të Fest- 62 dhe RTSH./ rtsh / KultPlus.com

Revolucioni i fotografisë

Më 4 shtator 1888, George Eastman, mori patentën për aparatin e tij fotografik, Kodak, i cili revolucionarizoi fotografinë.

Aparati fotografik Kodak ishte si një kuti e vogël që mund të mbahej në dorë. Ai zëvendësoi aparatet e mëdha komplekse, që përdoreshin nga shumë fotografë profesionistë. Ajo që e dallonte aparatin e ri të zotit Eastman ishte zhvillimi i filmit të përkulshëm në letër.

Ky film zëvendësonte pllakat e pavolitshme fotografike prej xhami, të cilat duhet të zhvilloheshin menjëherë pasi ishin ekspozuar.

Kurse pronari i aparatit të ri Kodak mund të bënte 100 fotografi dhe pastaj ia dërgonte aparatin pa i hequr filmin, fabrikës Eastman në Rochester të shtetit të Nju Jorkut.

Teknikët përpunonin filmin, stamponin fotografitë dhe pastaj ia kthenin të zotit bashkë me aparatin, të cilit i futnin një film të ri. Motoja e kompanisë ishte: “Ju shtypni butonin, pjesën tjetër të punës e bëjmë ne”. / KultPlus.com

25 vjet nga themelimi i Google, korporata më e suksesshme në internet

Google Inc., (Google.com) u themelua më 4 shtator në vitin 1998 nga Larry Page dhe Sergey Brin të cilët zhvilluan pjesën programore të motorit të tanishëm të kërkimit Google.

Pas suksesit të madh të arritur me motorin e kërkimit kjo korporatë bëri globalizimin gjuhësor të programit të vet si dhe filloi ofrimin e shumë shërbimeve të tjera brenda aktivitetit kryesor, dmth. ofrimin e mundësisë për gjetjen e shpejtë të informacioneve.

Google Inc. (NASDAQ:GOOG) tani është korporata më e suksesshme në internet me $1.919 miliardë të paraqitura në çerekun fundit të vitit më 31 dhjetor 2005, me një rritje prej 86%, krahasuar me çerekun e njejtë të vitit 2004.

Kjo korporatë ka përdorur me shumë sukses elementet e marketing miksit duke u bërë kështu konkurente e Microsoft Inc. i cili për një kohë të gjatë konsiderohej i pathyeshëm.

Në tetor të vitit 2006 Google bleu video portalin YouTube për 1,6 milliardë dollarë amerikan. / KultPlus.com

“BuzzFeed”: Shqipëria mes destinacioneve të konsideruara perla të fshehura

Nëse po planifikoni arratisjen tuaj të ardhshme ndërkombëtare, do të përballeni me një nga vendimet më sfiduese. Ka kaq shumë vende të pazbuluara për të parë. Dhe, ndërsa vendet e mëdha turistike, si Greqia, Tokio apo Parisi janë të njohura për një arsye, ndoshta ju jeni duke kërkuar për diçka më të panjohur!, shkruan në një artikull Hannah Loewentheil të botuar në të përditshmen amerikane “BuzzFeed”.

Kështu që, shfletova r/travel dhe rendita një sërë destinacionesh më pak të njohura, por të mahnitshme, në vend të pikave turistike më trendi për pushime.

Mes 27 destinacioneve të konsideruara si “Perla të fshehura”, “BuzzFeed” ka renditur edhe Shqipërinë, si vendin ku ofrohen plazhe të bukura, ushqime të shijshme dhe mjaft të lira dhe shumë xhevahirë për të eksploruar.

Në vend të Greqisë, shkoni në SHQIPËRI

E vendosur në Evropën Jugore, pikërisht përtej detit nga Italia, Shqipëria kufizohet në jug me Kroacinë dhe në veri me Greqinë. Dhe, është me të vërtetë vendi më i bukur ku mund të shkoni për pushime.

Plazhet me rërë të bardhë në pjesën jugore të vijës bregdetare të vendit, janë një parajsë e vërtetë. Uji është i ngrohtë dhe i kripur, dhe tepër blu.

Nëse jeni një alpinist, do t’ju duhet të shkoni në veri të vendit.

Pamjet malore këtu rivalizojnë Alpet, me panorama mahnitëse dhe fshatra të mahnitshëm.

Ecja nga Thethi në Valbonë është një nga shëtitjet më të njohura ditore, me bujtina të vogla ku mund të qëndroni në të dy skajet.

Shumë nga ushqimet që do të gjeni në restorante janë bërë nga përbërës vendas, shpesh organikë.

Qytetet bregdetare kanë të gjitha produkte deti tepër të freskëta, të cilat zakonisht kapen në mëngjes.

Një nga vaktet më të zakonshme në restorante këtu është peshku i pjekur në skarë me perime dhe patate të skuqura, ose kallamar i pjekur në skarë me limon.

Qyteti bregdetar i Sarandës është një mekë për pushuesit italianë dhe udhëtarët që kërkojnë një vend të lirë për të qëndruar për pak kohë.

Ka shumë bare dhe lokale buzë detit që janë të hapura gjatë gjithë natës, dhe plazhe të bukura për t’u çlodhur gjatë ditës.

Nëse ju pëlqen t’i merrni gjërat pak më ngadalë, ngjituni në qytetet e vogla në male.

Këtu do të gjeni bujtina komode të vendosura në mënyrë të përkryer pranë shtigjeve të ecjes dhe ujëvarave.

Vizitoni Syrin e Kaltër tepër të pastër pranë Sarandës, ose ujëvarat e akullta pranë Beratit.

Çdo qytet që vizitoni do të ketë një lloj fortese lart në një kodër që thjesht pret për t’u ngjitur dhe eksploruar.

Udhëtimi dy orë me traget në liqenin e Komanit është magjik.

Ju kaloni nëpër kanale të ngushta të rrethuara nga kodra dhe shkëmbinj të gjelbër dhe përfundoni në një fshat të bukur e të izoluar.

Burimet e nxehta të Benjës pranë Përmetit janë një sfidë për t’u arritur, por ia vlen.

Sigurisht, plazhet dhe moti i ngrohtë janë të shkëlqyera. Por, malet shqiptare lulëzojnë në dimër, ku mund të bëni ski dhe ecni në këmbë ose thjesht të uleni pranë zjarrit dhe të shijoni pamjet.

Shtoni Shqipërinë në listën tuaj përpara se të jetë vonë. /atsh / KultPlus.com

Arsye mos kërkoni

Jose Saramago

Mos më kërkoni arsyet, nuk i kam,     
ose do t’i jap me bollëk: ne e dimë.
Arsyet janë fjalë të lindura të gjitha
nga mitet prej të cilave mësojmë.

Mos kërkoni arsyet për të kuptuar
forcën e baticës që më mbush gjoksin,
të ndodhurit keq në botë dhe në këtë ligj:
ligjin s’e kam bërë unë, botën s’e pranoj.

Mos kërkoni arsyet, as të falurat.
Sipas meje të dashuruarit dhe të rrënuarit:
kur nata është e gjatë arrin agimi
i pranverës që do të dojë të lindë

Përktheu: Faslli Haliti. / KultPlus.com

Momenti kur Irena Papas i kishte thënë Bekim Fehmiut: Jam me prejardhje shqiptare

Irena Papas është aktore me famë botërore. Në rininë e saj ishte shndërruar në një sensacion kinematografik, duke shënuar shumë suksese me role në filma të shumtë, por ajo që e bën më të veçantë për shqiptarët ishte roli i saj në filmin “Odiseu”, ku kishte luajtur bashkë me aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu, shkruan KultPlus.

Bekim Fehmiu njohjen me Irena Papas e ka shkruar në librin e tij me dy pjesë “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” , ku edhe ka ndarë detaje me lexuesit edhe për pjesën kur kanë diskutuar për prejardhjen e Irena Papas, që sipas këtij libri, Papas e kishte konfirmuar se ajo ka prejardhje shqiptare.

KultPlus ju sjell këtë pjesë nga libri i Bekim Fehmiut./ KultPlus.com

Ekspozita humanitare: Një punim për Nënë Terezën 18 mijë euro (VIDEO)

Diku u shfaqë në formë skulpture. Në disa punime tjera, figura e Nënës Terezë, u pikturuaa.

Ani se zhanret e artit në këto 32 vepra janë të ndryshme, ato u ekspozuan të dielën në katedralen e kryeqytetit me një qëllim – me paratë e mbledhura nga shitja e tyre do t’u ndihmohet  grave të margjinalizuara, në ditët që i takojnë humanistes.

Vlera e këtyre punimeve nis nga 200 euro e shkon deri në 18 mijë, njofton Klan Kosova./KultPlus.com

Filmi ‘Si Në Vaj’ shpallet fitues në dy kategori në Gässli Film Festival në Basel

Filmi ‘Si Në Vaj’ i regjisores Aulona Selmani është shpallur fitues në dy kategori, në festivalin Gässli Film Festival në Basel, shkruan KultPlus.

Filmi ka fituar në çmimin ‘SRG Regjisorja më e mirë’ që i është dhënë Aulona Selmanit dhe çmimin ‘Çmimi i Publikut’.

Përmes një postimi në facebook, regjisorja Aulona Selmani ka bërë të ditur se çmimet e fituara në  Festivalin e Filmit në Basel ia dedikon nënës së saj dhe aktorëve të cilët pumuan në realizimin e filmit

“Çmimin e parë i‘a dedikova mamit tim kurse çmimin e dytë ekipit dhe aktoreve që punuan për t‘a realizuar këtë film.

Ju falemnderit të gjithëve që keni votuar për çmimin e publikut!”/KultPlus.com

Turistët italianë zbulojnë Shqipërinë mes mijëra paragjykimeve të lashta

Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë janë të rrënjosura thellë në historinë e imperializmit dhe kolonializmit italian në Mesdhe.

“Zbulimi i Shqipërisë. Shqiptarët sipas masmedias”, i botuar ne 1995 tregon se si imazhi i shqiptarëve në Itali kushtëzohej fort nga stereotipet, për shkak të mbylljes së vendit në kohën e komunizmit, shkruan në një artikull Fabio Bego të botuar në revistën italiane “Left”.

Vëmendja mediatike që turizmi italian ka pasur në Shqipëri së fundmi zbulon aktualitetin e librit, pasi paragjykimet ndaj shqiptarëve vazhdojnë ende, pavarësisht se regjimi komunist ka mbi 30 vjet që ka marrë fund.

Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë janë të rrënjosura thellë në historinë e imperializmit dhe kolonializmit italian në Mesdhe.

Në fund të shekullit të IX, elitat politike të Italisë synonin të aneksonin territoret shqiptare pranë bregut të Adriatikut që ishin pjesë e Perandorisë Osmane.

Disa diplomatë, studiues dhe gazetarë italianë vizituan rajonin midis shekujve IX-XX.

Udhëtimet e tyre u bënë burimet kryesore të informacionit për shqiptarët dhe përdoren edhe sot si burime historike.

Duke mos njohur as gjuhën dhe as kulturën vendase, përshtypjet e udhëtarëve ishin kontradiktore dhe të kushtëzuara nga paragjykimet

Perëndimorët i shihnin vendet e Ballkanit si një vend kalimi midis Evropës së qytetëruar dhe Lindjes barbare.

Shqiptarët cilësoheshin si një popull i egër dhe me tendencë kriminale që jetonin të ndarë në “fise” dhe që nuk mund të qytetëroheshin pa mbështetjen e Italisë.

Këto argumente u përdorën për të justifikuar aneksimin italian të Shqipërisë së Jugut pas shpërthimit të Luftës së Madhe dhe pushtimit të të gjithë vendit në prill 1939, në prag të konfliktit të ri botëror.

Interesi turistik në Shqipëri lindi kur u fillua të mendohej për territoret “shqiptare” si zotërime të ardhshme italiane.

Udhëtarë si Antonio Baldacci, Arturo Galanti, Pio Biondoli, Vico Mantegazza e shumë të tjerë e treguan Shqipërinë si një destinacion për gjuetarët, adhuruesit e natyrës dhe alpinizmin.

Ata gjithashtu dhanë përshkrime të veshjeve dhe aspekteve fizike të grave dhe burrave, të cilat shërbyen për të nxitur kureshtjen dhe imagjinatën erotike të lexuesve, gjithashtu me funksion eugjenik.

Guidat turistike janë produkt i procesit të zbutjes dhe përfshirjes së mjediseve “të tjera” dhe “ekzotike” në imagjinatën perandorake.

” L’Adriatico orientale da Venezia a Corfù”, botuar nga Giuseppe Marcotti në 1899, nxjerr në pah trashëgiminë arkitekturore dhe kulturore të dominimit romak dhe venecian, të cilat konsideroheshin nga shumë udhëtarë italianë si periudhat e vetme në të cilat trevat shqiptare kishin pasur paqe dhe prosperitet.

I njëjti objektiv u tregua edhe në vepra të tjera më të përpunuara që u botuan në dekadat në vijim si “L’Albania Antica” (1924), nga Luigi Maria Ugolini, financuar nga bordi turistik italian dhe “L’Albania” (1940), botuar nga shoqata italiane turistike.

Opinionet, konceptet dhe kategoritë e origjinës koloniale janë ende të përhapura në shoqërinë bashkëkohore pasi, me përjashtim të studiuesve individualë, një reflektim sistematik mbi efektet afatgjata të kolonializmit nuk është ndërmarrë kurrë.

Përkundrazi, vërejmë se si figurat institucionale vlerësojnë kolonializmin italian duke e konsideruar atë një faktor qytetërimi dhe për rrjedhojë duke përdorur të njëjtat argumente që ishin në modë në periudhën liberale dhe fashiste.

Nuk është e pazakontë të lexosh artikuj dhe libra të kohëve të fundit që i referohen “Albania una e mille” të Indro Montanelli i botuar në vitin 1939, si një burim i besueshëm, pavarësisht se libri është shkruar për të justifikuar aneksimin italian të shtetit fqinj.

Trashëgimia e ideologjisë koloniale kushtëzon edhe politikën aktuale të jashtme italiane, e cila e sheh Shqipërinë dhe Ballkanin si një zonë të zgjerimit ekonomik.

Italia është partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë.

Në Shqipëri ka mbi dy mijë kompani italiane, disa prej të cilave operojnë në sektorë kyç si banka, ndërtimi dhe energjia.

Zyra e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ka selinë në Tiranë.

Shumica e fondeve në dispozicion të agjencisë shpenzohen për projekte që zhvillohen në Shqipëri.

Ekonomia shqiptare tashmë është e lidhur fort me atë italiane.

Megjithatë, qeveria italiane po u kërkon kompanive të investojnë më shumë në vendin fqinj.

Në përputhje me këto direktiva, ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanché shkoi në Tiranë në fillim të gushtit për të bindur homologen e saj Mirela Kumbaro që t’u japë operatorëve italianë më shumë mundësi biznesi.

Vëmendja aktuale që shtypi italian i ka kushtuar turizmit italian në Shqipëri nuk rrjedh drejtpërdrejt nga marrëdhëniet italo-shqiptare, por nga çështje të tjera.

Fushata mediatike u popullarizua nga “La Repubblica”, e cila e përshkroi Shqipërinë si një “zgjidhjen e duhur” për italianët që nuk mund të përballojnë pushimet vendin e tyre pasi kushtojnë shumë.

Qëllimi i gazetës nuk ishte të lavdëronte Shqipërinë e cila paraqitet si një destinacion me kosto të ulët, por të kritikonte qeverinë dhe në veçanti ministrin Santanché se nuk i kishte vlerësuar vendndodhjet italiane.

Kryeministri Edi Rama ua vodhi të gjithëve pamjen duke publikuar më 8 gusht një foto të anijes shqiptare “Vlora” të ngarkuar me emigrantë që mbërrinin në bregdetin italian në verën e vitit 1991.

Udhëtimi i anijes “Vlora’ është i famshëm për mënyrën se si u trajtuan mijëra persona në bord nga autoritetet italiane.

Emigrantët u sollën brenda stadiumit të vjetër në Bari, ku u lanë në diell për ditë të tëra pa akses adekuat në ujë dhe ushqime.

Ishte një nga faqet e këqija të tranzicionit shqiptar që tregoi papërgatitjen dhe racizmin e institucioneve italiane.

“Trollaggio” ishte e dobishme për Ramën për të tërhequr vëmendjen e gazetave italiane të cilave u jepte intervista të bollshme.

Në “Libero” Edi Rama e quajti Melonin “tigër” të politikës dhe Shqipërinë si “Itali e vogël”.

Duke e barazuar vendin që ai qeveriste me një shtojcë të shtetit fqinj, duke mbështetur kështu planet për zgjerim që mbeten ende në diplomacinë italiane, ishte një mënyrë për të promovuar turizmin për atë pjesë të popullsisë që shfaq me krenari paragjykimet e saj ndaj shqiptarëve.

Kthimi te paragjykimet klasike është mirëpritur nga njerëz të cilët, ashtu si guvernatori Toti, janë ndjerë të indinjuar nga ideja se Shqipëria mund të krahasohet me Italinë, e cila, nga pikëpamja e saj eurocentrike, duket se ka “përqindjen më të lartë të trashëgimisë kulturore në botë“.

Pavarësisht orientimit politik, shtypi kombëtar nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk përfaqëson pjesë të mëdha të shoqërisë bashkëkohore.

Duke qenë se rrëfimi i Shqipërisë u është besuar njerëzve që e njohin atë përmes filtrave të ideologjisë koloniale, ai do të rizbulohet ciklikisht përmes dinamikës relacionale dhe kategorive përshkruese të shekullit të IX. /atsh/KultPlus.com

97 vite nga lindja e aktores Irene Papas

Sot janë bërë 97 vite nga lindja e aktores së famshme, Irene Papas.

Irene Papas ka qenë një aktore dhe këngëtare greke, aktive në më shumë se 70 filma gjatë karrierës së saj pesëdhjetë vjeçare. Ajo është e njohur në rolet përkrah Bekim Fehmiut si mbretëresha e Itakës Penelopa në filmin Odisea (L’Odissea) (1968) dhe me Anthony Quinn në filmin “Zorba the Greek” (1964) në petkun e vejushës së bukur.

E lindur si Irene Lelekou, artistja e famshme greke në fshatin e Chiliomodit në rrethinat e Korintit. E ëma, Eleni Prevezanou ishte arsimtare dhe i ati me gjasë shqiptar, Stavros Lelekos , jepte mësim dramaturgji klasike në shkollën Sofikós të Korinthit. Vetë aktorja në një intervistë, e pyetur se përse ishte kaq ezmere, është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Ajo ishte ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare ose gjysmëshqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”. Talentin e Irenës e zbuloi Elia Kazan.

Irena aktroi Helenën e Trojes, së bashku me Katharine Hepburn. Aktroi edhe femra të tjera nga Mitologjia greke, si Klitemnesten në filmin Ifigenija, Elekten në Elektri, Antigonen në Antigona, etj.

Ka luajtur edhe rolin e mbretëresha Katarina Aragonska në filmin Anne of the Thousand Days , pastaj në filmin Muhamedi, i dërguari i Perëndisë.

Ndërsa filmat më të njohur të saj janë Zorba the Greek dhe Z.

Papas ishte gruaja e Alkisa Papasit dhe e dashura e Marlona Brandos./KultPlus.com

Rikthehen gërmimet arkeologjike në Bushat dhe Koman të Shqipërisë

Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka njoftuar për rikthimin e gërmimeve arkeologjike në Bushat dhe Koman. Gërmimet po mbahen nga Instituti i Arkeologjisë dhe Universiteti i Varshavës në Poloni, nën drejtimin e Saimir Shpuzës dhe Piotr Dyczek.

“Pas ekspeditave të para, gjatë të cilave u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit, që krijuan një hartë më të qartë të shtrirjes së tij, gërmimet janë përqendruar në qytetin e mesëm dhe të sipërm, që mendohet të jetë ndërtuar në shek. III p.e.s., për të zbuluar organizimin e brendshëm të urbanistikës, planimetrinë e ndërtimeve të qytetit dhe rolin e tyre”, ka njoftuar Ministria e Shqipërisë.

Ky proces i gërmimeve daton nga viti 2010, si përpjekje për të shpërfaqur pasuritë kulturore të këtij vendbanimi mesjetar për vizitorët./rtk/KultPlus.com

Nesër shkrimtarit Ismail Kadare i dorëzohet dekreti i nënshtetësisë së Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot për në Shqipëri për një vizitë shtetërore dyditore.

Në kuadër të qëndrimit të saj atje, presidentja Osmani në një ceremoni do t’ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit të njohur me famë botërore, Ismail Kadaresë, transmeton klankosova.tv.

Më 1 gusht të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëtoi për vizitë shtetërore në Shqipëri

Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, z.Bajram Begaj, Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë shtetërore dy ditore në Shqipëri gjatë së cilës do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Presidenti Begaj. Përveç takimit tête à tête, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione.

Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje Presidenti Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për Presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova. Presidentja do të shoqërohet nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, i cili gjatë ditës do të vijojë me agjendë të përbashkët me Zonjën e Parë të Shqipërisë, Armanda Begaj.

Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Pas takimit, Presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Kryeministri Rama. Presidentja poashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Lindita Nikolla.

Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë. Poashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.

Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidentja Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

Agjenda do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidentes do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri.

Në Durrës ndërkaq, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit./KultPlus.com

Figura e Nënë Terezës në mbi 30 vepra arti të ekspozuara në Prishtinë

Në Prishtinë është hapur ekspozita kushtuar Nënë Terezës ku janë të ekspozuara mbi 30 vepra të pikturës, skulpturës dhe grafikës.

Në ekspozitën ku marrin pjesë mbi 20 artistë, organizatorja Elona Ndrecaj tha se qëllimi është që në ditët e Nënë Terezës të bëjnë vepra humane duke shitur këto piktura dhe me të hollat e fituara do të mbështetën gratë e margjinalizuara.

Ndër emrat e artistëve të shumtë që janë të vendosur mbi këto vepra janë Kadrush Ramaj, Sabri Behramaj, Genc Ibrahimi, Anton Krasniqi, Esat Vella dhe shumë të tjerë, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

Ekspozita është hapur për publikun nga ora 13:00 deri në 17:00, ndërsa do të bëhet edhe shitja e disa librave kushtuar Nënë Terezës, mjete këto që do të përdoren për të njëjtin qëllim./KlanKosova/KultPlus.com

Ekspozita retrospektive e Lumturi Blloshmi në Prishtinë, një udhëtim në universin e saj artistik

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e së premtes, Galeria Kombëtare e Kosovës, mori tjetër pamje e imazh me hapjen e ekspozitës ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’, si një rikthim të një pune më shumë se 50-vjeçare që artistja Blloshmi la pas vetës, e që u soll në Prishtinë nga kuratorja Adela Medetja, shkruan KultPlus.

Ekspozita ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’ vjen në Prishtinë pas prezantimit të suksesshëm në Bienalen e 59-të të Venecias. Nderkaq, në Prishtinë, kjo ekspozitë retrospektive ofroi një prezantim më të detajuar dhe të zgjeruar të veprave të kësaj artiste të shquar shqiptare, duke zbuluar historinë e krijimtarisë së saj më shumë se gjysëm-shekullore.

Ekspozita erdhi si një udhëtim kronologjik në jetën artistike të Lumturi Blloshmi dhe përfshin një gamë të gjerë të punëve të saj. Në ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’ u prezantuan autoportrete, peizazhe, portrete, kompozime në pikturë, fotografi, dhe instalacione që shpërndahen në mënyrë koherentë nëpër galeri.

Kuratorja e ekspozitës, Adela Demetja, tha para të pranishmëve se për dallim nga Bienalja e Venecias, ekspozita në Prishtinë prezantohet një punë edhe më e detajuar e artistes Blloshmi, nga ato të viteve 1962 deri më 2018.

“Kësaj here, në këtë ekspozitë ne sjellim retrospektivën më të madhe të artistes deri më sot, dhe jam shumë e lumtur që këtë retrospektivë ajo do ta ketë për herë të parë në Prishtinë dhe në Galerinë Kombëtare këtu, e para, sepse e dëshironte vetë Lumturia këtë gjë ngaqë ishte shumë e lidhur me Kosovën dhe është ndjerë shumë e vlerësuar në Kosovë atëherë kur është ekspozuar. Sigurisht, shumë nga ne Lumturinë e kanë njohur personalisht, gjithashtu dhe një pjesë të krijimtarisë së saj, por thellësinë e punës së Lumes që është shtrirë për më shumë se 50 vjet ndoshta askush nga ne nuk ka pasur mundësinë ta shohë më përpara”, u shpreh Demetja, duke shtuar më tutje se karakteri i fortë i Blloshmit dhe gjithmonë largpamës e bëri atë një artiste eksperimentale dhe që shumë shpesh ishte një ose dy hapa para kohës së saj.

Në hapjen e ekspozitës ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’ ishte i pranishëm edhe nipi i Lumturi Blloshmit, Ervin Blloshmi, i cili u shpreh falënderues dhe mirënjohës për secilin që ka punuar për të sjellë këto vepra në Prishtinë.

“Adela si një studiuese dhe admiruese e krijimtarisë së Lumturisë e bëri përsëri të mundur që veprat e saj të shijohen nga publiku i gjerë dhe ka bërë një punë fantastike. Unë si trashëgimtar dhe përkujdesës i krijimtarisë së saj do t’u jem gjithmonë mirënjohës për punën dhe djersën që ka futur i gjithë ekipi në organizimin e kësaj ekspozite. Fuqia që Lumturi Blloshmi kishte të paketuar në vetvete ishte si një forcë e mbinatyrshme, ajo kurrë nuk e vuri në pikëpyetje ekzistencën e saj si artiste, egoja pa të cilën nuk mund të arrihet asnjë gjë, nuk e tradhëtoi kurrë atë, vepra e saj paraqet realitetin në një sinqeritet lakuriq nëpërmjet simbolizmit, ekspresionizmit dhe dialektikës artistike, mjeshtëria e trajtimit të materialeve qëndron krah për krah me konceptualitetin për të transmetuar një goditje emocionale që konfirmohet nga shikuesit dhe admiruesit e artit të saj”, u shpreh Blloshmi në vijim.

Ndërkaq, për shumë vite Lumturi Blloshmi u krahasua me Frida Kahlon. Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.

Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt). Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, Neë York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”./KultPlus.com