Nga një arkipelag finlandez në një liqen të qetë në Shqipëri, ekspertët tanë të udhëtimeve kanë zbuluar plazhe të bukura, qytete të gjalla dhe vende të egra atmosferike, shkruan “The Guardian”.
Tingujt dhe pamjet e Liqenit të Ohrit, Shqipëri
Udhëtimi ynë i verës 2023 na çoi në një turne në Shqipëri.
Tirana na pëlqeu shumë, Berati dhe Gjirokastra historike na magjepsi por ne u relaksuam pranë plazhit të Himarës.
Lini i vogël në rajonin e Korçës, në Shqipërinë lindore, ishte ndoshta vendbanimi më i vjetër i banuar në Evropë, që daton 6000 vjet para Krishtit, ai që pushtoi plotësisht zemrat tona.
Akomodimi ynë në brigjet e liqenit të Ohrit ofronte pamje të mahnitshme.
Ushqime të shijshme të gatuara në shtëpi, duke përfshirë troftën e shijshme të restorantit të Ohrit të kapur nga pronari, e cila shërbehej në tarracën me pamje nga liqeni nga ku dëgjoheshin tingujt e një kori bretkosash të zhurmshme.
Revista e përditshme britanike “The Guardian” e ka renditur Shqipërinë mes tete vendeve më të bukura natyrore të zbuluara në vitin 2023.
1-Ishulli Tove Jansson, Finlandë 2- Liqeni i Ohrit, Shqipëri 3-Wrocław, Poloni 4- Tbilisi, Gjeorgji 5-Galicia, Spanjë 6- Volos, Greqi 7-Essaouira, Marok 8- Lake District, Angli / KultPlus.com
“Miss Universe Albania 2020”, Paula Mehmetukaj, po bën të ndjehet bukuria shqiptare në nivel ndërkombëtar. Ajo ka arritur të “pushtojë” Stambollin si imazhi zyrtar i kompanisë ndërkombëtare Tarik Ediz për vitin 2024.
Që nga kurorëzimi i saj si “Miss Universe Albania”, Paula Mehmetukaj ka vazhduar të pushtojë skenat ndërkombëtare me elegancën dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm.
Fotot dhe videot e saj për fushatën e Tarik Ediz kanë “pushtuar” billboardet e Stambollit, duke sjellë një shkëlqim të veçantë për bukurinë shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Paula Mehmetukaj vazhdon të jetë fryma e projekteve të suksesshme dhe shkrepjeve artistike, duke e bërë të qartë se ajo është shumë më shumë se një fituese e “Miss Universe Albania”.
Por përtej këtyre projekteve të suksesshme dhe shkrepjeve artistike të fotografit të mirënjohur Endrit Mërtiri, përditshmëria e Paulës është e mbushur dhe me shumë angazhime të tjera.
Si pjesë e Kongresit Rinor Kombëtar, ajo kontribuon në rritjen dhe fuqizimin e zërit të rinisë shqiptare në kongreset evropiane dhe ndërkombëtare.
Paula Mehmetukaj po shfaqet si një shembull frymëzues i suksesit dhe përkushtimit, duke treguar se e bukura dhe modelingu janë jo vetëm një pasion, por edhe një pjesë e pandarë e jetës së saj të përditshme./atsh/ KultPlus.com
Në laboratorin e Konservimit e Restaurimit në Muzeun Ikonografik “Onufri” në Berat përgjatë muajit dhjetor përfundoi ndërhyrja restauruese e ikonës “Shën Gjergji dhe Shën Dhimitri” pjesë e fondit ikonografik në Muzeun “Onufri”.
Ikona është vepër e fundit të shek.XIX nga autor anonim me dim. 27 x 60 cm. Skena e cila është kompozuar horizontalisht, paraqet imazhin e dy shenjtorëve mbi kuaj.
Majtas është paraqitur Shën Gjergji i hipur mbi kalin e bardhë duke goditur me heshtë dragoin, kurse djathtas paraqitet Shën Dhimitri i hipur mbi kalin e kuq i cili ka goditur me heshtë ushtarin pagan të shtrirë para tij.
Të dyja figurat, triumfuese, janë kompozuar bukur brenda një peizazhi. E gjithë ikona spikat për larminë e ngjyrave dhe një frymë gati moderne në artin ikonografik të kohës.
Ngjyra, të cilat morën jetë falë ndërhyrjes restauruese të specialistit restaurator Erion Lezi e që së shpejti do të jenë në dispozicion të vizitorëve në hapësirat e Muzeut të Ikonografisë “Onufri”. / KultPlus.com
Një tjetër yll i Kosovës në operistikën botërore ishte e ftuar sot nga kryeministri Edi Rama në episodin e 14-të të Sezonit 2 të Podkastit “Flasim”.
Sopranoja Elbenita Kajtazi, e lindur në Mitrovicë, studioi në Akademinë e Muzikës të Mitrovicës dhe është diplomuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, duke bërë debutimin e saj me Orkestrën Filarmonike të Kosovës në vitin 2009.
Kajtazi tregon se kontaktin me këngën e ka pasur gjatë periudhës së luftës, kur ka kënduar në heshtje për t’u larguar nga realiteti i luftës.
Ajo u shpreh se sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho ishte për të drita që e udhëhoqi drejt karrierës në operan botërore.
“Ndjehem shumë me fat se kam takuar njerëzit e duhur në momentet e duhura”, tha Kajtazi.
Elbenita Kajtazi ka fituar disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. / KultPlus.com
Sopranoja Vita Guhelli do të bëj promovimin e albumit të saj “Romanca shqiptare”, sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Albumi i Guhellit përmban gjithsej shtatë këngë, si: Elegji- Gjon Kapedani, Fryn Veri- Endri Sina, Këngë-Vasil Tole, N’mes dashurive- Tonin Zadea, Këto këngë t’i këndo- Dhora Leka, Mbrëmje në bregdet- Limos Dizdari, dhe Bylbyli- Limoz Dizdari.
Për krijimin e këtij albumi kontribuan: Piano- Agron Shijaku, Violinë- Shkodran & Gentian Aliu, Violë- Entela Qarkagjia, Violonçelo- Arian Zherka, ReKorDStudio- Drinor Zymberi, RedMedia- Burim Kraniqi, dhe Realizimi në CD- Eurolindi.
Promovimi i këtij projekti është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ky promovim i albumit të solistes Guhelli do të bëhet 16 dhjetor KultPlus Caffe Gallery, në ora 18:00./KultPlus.com
Bashkimi Evropian njoftoi të premten zhbllokimin e rreth 5.5 miliardë dollarëve ndihmë për Poloninë, pjesë e një totali prej rreth 65 miliardë. Blloku evropian e bllokoi këtë ndihmë gjatë qeverisjes së mëparshme polake, mes shqetësimeve për respektimin e sundimit të ligjit.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi zhbllokimin e fondeve të premten në një konferencë shtypi në Bruksel së bashku me kryeministrin polak Donald Tusk ndërsa merrnin pjesë në takimin e nivelit të lartë të Këshillit Evropian.
Kryeministri Tusk i quajti fondet “një dhuratë për Krishtlindje”.
“Nuk është një dhuratë e vogël … këto janë fonde shumë të rëndësishme që do të përdoren për të forcuar pavarësinë tonë të energjisë”, tha ai, duke iu referuar nevojës së Polonisë për t’u larguar nga varësia nga karburanti që e marrin nga Rusia.
Paratë u zhbllokuan si pjesë e programit të BE-së për të eliminuar varësinë nga karburantet ruse dhe lëndët djegëse fosile në përgjithësi, si pjesë e tranzicionit të gjelbër të BE-së.
Por zhbllokimi i ndihmës që është pjesë e programit të BE-së për rikuperimin nga pandemia e COVID-19 varet nga heqja dorë nga reforma gjyqësore që Polonia e bëri nën udhëheqjen e Partisë Ligj dhe Drejtësi të krahut të djathtë, e cila mori pushtetin më 2015. Zyrtarët e BE-së thanë se ato reforma dobësuan gjyqësorin e vendit dhe nuk arriti të përmbushë standardet demokratike të bllokut.
Në një intervistë me agjencinë e lajmeve ‘Reuters’, zoti Tusk, qeveria e të cilit u betua të mërkurën, tha se legjislacioni për të ndryshuar reformat e mëparshme është në fuqi dhe ai ishte i bindur se mund ta përshpejtonte procesin.
Zonja Von der Leyen të premten përgëzoi veprimet që Kryeministri Tusk dhe qeveria e tij kishin ndërmarrë deri më tani, duke thënë se ajo shpresonte që çështjet të zgjidheshin shpejt.
“Për një kohë shumë të gjatë, shqetësimet rreth sundimit të ligjit na kanë penguar për të ndihmuar Poloninë të modernizojë ekonominë e saj dhe ta kthejë atë në një ekonomi të gjelber dhe dixhitale”, tha zonja von der Leyen.
Zoti Donald Tusk u zgjodh për herë të parë kryeministër në vitin 2007 dhe u largua nga Polonia për t’u bërë president i Këshillit Evropian nga viti 2014 deri më 2019. Më pas u kthye në Varshavë për të udhëhequr sërish partinë e tij Platforma Qytetare dhe për të sfiduar me sukses partinë e krahut të djathtë në pushtet, Ligj dhe Drejtësi në zgjedhjet e tetorit./VOA/ KultPlus.com
Reshje të dendura bore kanë mbuluar zonën malore në Brezovicë.
Sot, nga atje bëhet e ditur për gjendjen e rënduar ku dhe rekomandohet që mos të vizitohet qendra e skijimit.
Po ashtu, në njoftimin e Brezovica.info bëhet e ditur se deri më tani bora ka arritur në 1 metër, ndërsa është pastruar vetëm një rrugë.
“Pas reshjeve të mëdha të borës në qendrën e skijimit në Brezovicë është shumë keq. Ka 1 metër borë, vetëm një korsi e rrugës është pastruar, parkingu është i bllokuar. Rekomandim që komuniteti i skijimit të mos vijë sot në Brezovicë”, thuhet ndër njoftim.
Ndryshe, ekipi i Shoqatës së Kosovës për Kërkim Shpëtimi mbrëmë është detyruar të intervenojë në qendrën e skijimit, pasi njëri nga vizitorët ka pësuar arrest kardiak. Të njëjtit i është mundësuar transporti deri në autoambulancën e cila kishte vështirësi për të arritur në vendin e ngjarjes./ KultPlus.com
Gjermania beson se mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së është vendimtare në kufizimin e imigracionit të parregullt. Prandaj, ajo zgjat kontrollet në kufirin me Zvicrën deri të paktën më 15 mars 2024. Kufijtë gjermanë me Poloninë dhe Republikën Çeke gjithashtu preken.
Për të luftuar edhe më fort kundër krimit të lidhur me kontrabandën e emigrantëve dhe për të kufizuar migrimin e parregullt, kontrollet do të vazhdojnë dhe i janë njoftuar Komisionit Evropian, njoftoi të premten Ministria e Brendshme gjermane.
Berlini vendosi kontrolle kufitare me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën në tetor, për shkak të rritjes së madhe të numrit të refugjatëve në Gjermani. Kjo masë është zgjatur disa herë, shkruan RTS.
Numri i hyrjeve të paautorizuara në Gjermani ra me 60%, nga më shumë se 20,000 në tetor në 7,300 hyrje të paautorizuara në nëntor. “Masat tona janë efektive”, tha ministrja e Brendshme, Nancy Faeser.
Kontrollet e brendshme të kufirit midis Gjermanisë dhe Austrisë, të cilat tashmë kanë filluar në vjeshtën e vitit 2015, aktualisht zgjasin deri më 11 maj 2024.
Kontrollet kufitare në fakt nuk parashikohen brenda zonës Shengen dhe duhet të njoftohen në Bruksel. Nëse janë vetëm disa ditë, është e mundur të bëhet me një njoftim të shkurtër, por kjo mundësi përfundon pas dy muajsh, pra të premten 15 dhjetor në rastin e Gjermanisë, përcjell albinfo.ch. / KultPlus.com
Faik Konica është një prej figurave më interesante të letërsisë shqiptare. Ky njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.
Më poshtë po ju sjellim disa nga thëniet më briliante të tij:
1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).
2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).
3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).
4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).
5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).
6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).
7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).
9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).
12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).
13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).
14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).
15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).
16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).
17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).
18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).
19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).
20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).
21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).
22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).
26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).
27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).
28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).
29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).
30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).
31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).
32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).
33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).
34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).
35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).
36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).
37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).
38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).
39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).
40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).
41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).
42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).
43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).
44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).
45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).
46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).
47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).
48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).
49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).
50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151). / KultPlus.com
Në ambientet e Piramidës në Tiranë ka ngritur siparin edicioni i shtatë i “Balkan Film Market”, duke sjellë këtë vit 150 kineastë dhe producentë nga Europa.
Drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative në bashkinë e Tiranës, Jonid Jorgji shprehet se kryeqyteti shqiptar është kthyer në kryeqendrën e kinematografisë së rajonit.
Ai theksoi se ky event do të bëjë bashkë producentë dhe kineastë nga shumë vende të Europës, duke hapur rrugë të reja bashkëpunimi me artistët shqiptarë.
“Unë vij nga një gjeneratë e viteve ‘90 ku jeta filmike ose jeta e kinematografike e Tiranës ka qenë pothuajse e vakët, pothuajse zero. Në kinema pothuajse nuk ishin fare, ato që kishim nuk prodhonin gjëra artistike, përkundrazi. Filma që xhiroheshin në Tiranë ishin gjithnjë e më të pakët. Filmat e huaj ose produksionet e huaja që xhiroheshin në Tiranë atë kohë ishin zero. Sot që jam para jush jam shumë i lumtur që jo vetëm kemi krijuar Agjencinë e Filmit në Tiranë, kemi sjellë në Tiranë rreth 17 produksione të ndryshme filmike europiane, por sot përveç festivalit dhe filmave që çdo ditë po shtohen, e kemi kthyer Tiranën në një kryeqendrën për kinematografinë e rajonit. Sot mes jush janë producentë të njohur jo vetëm nga Europa, të cilët vijnë në Tiranë për të lidhur bashkëpunime me njëri-tjetrin, por dhe me produktet e rajonit”, deklaroi Jorgji.
Regjisori Ilir Butka u shpreh se “Balkan Film Market”, është një mundësi e shkëlqyer për artistët shqiptarë për t’u ballafaquar me producentët e huaj.
“Shqipëria është pjesë e një rajoni, është një rajon i pasur, i ndryshëm, i suksesshëm në aktivitetet që bën me mungesa të theksuara ndoshta financiare, por me pasuri të jashtëzakonshme artistike dhe energji dhe pozitivitet që rrezaton. Këto projekte, këta njerëz, kanë nevojë që të ballafaqohen nëpërmjet këtyre eventeve me producentët më të mirë të botës, ata që shpesh i takojmë në Kanë, në Berlin, në Venecia, të takojmë producentë të cilët duan të krijojnë dhe të bashkëpunojnë me Ballkanin. Këtë gjë duam të bëjmë dhe i kemi ftuar këtu”, tha Butka.
Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi deklaroi se ky institucion ka vendosur një vëmendje të veçantë tek arti dhe kultura.
Seferi nënvizoi se “Balkan Film Market” është një urë lidhëse më shumë mes artit dhe qytetit.
“Jam zemër plot që në emër dhe të bashkisë Tiranë të falënderoj organizatorët për këtë edicion të shtatë. Është një nyje lidhëse midis artit, midis qytetit, midis të bukurës, midis rinisë, midis eksperiencave që do mbahet gjatë këtyre ditëve në Tiranë. Është një event shumë i dashur për kryeqytetin tonë gjatë këtyre ditëve, “Balkan Film Market”. Bëhet shumë në këtë qytet për promovimin e artit, për promovimin e kulturës”, deklaroi nënkryetari i bashkisë, Andi Seferi.
Përpos oportunitetit për ekspertët e fushës, nëpërmjet marketit Tirana do të shndërrohet në një pikë strategjike takimi për prodhuesit e filmit, që do ta njohin më nga afër kryeqytetin, duke e parë edhe nga këndvështrimi i një lokacioni të mundshëm për xhirime.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me emocione, kisha ‘Shën Ndou’ në Prishtinë u bë mbrëmë dëshmitare e një ngjarjeje të jashtëzakonshme. Koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës, i drejtuar nga dirigjenti i njohur Rafet Rudi, shënoi jo vetëm 20-vjetorin e themelimit të këtij institucioni të rëndësishëm, por edhe pervjetorët e dy kompozitorëve shqiptarë të shquar, Zeqirja Ballata dhe Mehdi Menxhiqi, shkruan KultPlus.
Me një prezencë të madhe të publikut dhe akustikës së mrekullueshme të kishës, koncerti ktheu ambientin në një sallë magjike. Me një program që përfshiu vepra të kompozitorëve si Lauridsen, Sandstrom, Matsushita, Whitacre e vetë Rudi, me shumë pasion e virtuozitet dirigjenti udhëhoqi një udhëtim muzikor emocionues.
Ky koncert gjithashtu shënoi përmbylljen e një viti të suksesshëm kalendarik të Korit të Filharmonisë së Kosovës.
Momenti kulminant i mbremjës erdhi me ekzekutimin e veprës së Rafet Rudit, “Concerto Fantasy”, nën interpretimin e pashoq të violinistes Sihana Badivuku dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës. Kjo vepër e rivënë në skenë pas 11-viteve, krijoi një harmoni të paharrueshme mes instrumenteve dhe zërit.
E ky koncert, u përmbyll me një duartrokitje disa minutëshe, si një mirënjohje për gjithë këtë spektakël që muzikantët ofruan e në veçanti, për maestron Rafet Rudi.
Përveç që u vu në skenë vepra ‘Concerto – Fantasy’, ky koncert risolli në skenë dirigjentin e mirënjohur, Rafet Rudi, i cili edhe pse ka katër vite që nuk është dirigjent permanent i Korit të Filharmonisë së Kosovës, vlerëson potencialin e këtij institucioni të marrë ndër vite, e në veçanti koncertin e sotëm.
“Ky koncert ishte në një farë mënyre ngërthen në vete edhe një lloj retrospective të disa vepravetë rëndësishme që ne kemi kënduR dhjetë vite më parë e kështu, por ishte edhe shënim në përvjetor të dy kompozitorëve tanë shumë të rëndësishëm Zeqira Ballatës dhe Mehni Menxhiqit. Domthënë është sajuar në atë mënyrë që të përmbushë disa momente të rëndësishme historike të korit, po edhe të krijimtarisë tonë muzikore”, tha për KultPlus, dirigjenti Rafet Rudi.
Violinistja Sihana Badivuku ka thënë se vepra ‘Concerto – Fantasy’ është njëra ndër më kapitalet shqiptare për violinë, duke shtuar se e ka shumë për zemër.
“Për mua kjo vepër është një ndër veprat më kapitale shqiptare për violinë dhe kor dhe është një ndër veprat që i kam më në zemër të kompozitorit dhe dirigjentit Rafet Rudi. Me kompozitorin Rafet Rudi kam bashkëpunim të frytshëm që nga mosha 13-vjeçare kur për herë të parë kam performuar Rondo-n nga sonata për violinë dhe piano më pas ‘Fantasia in SI’ po ashtu për violinë dhe piano, vepra e parë që ka dedikuar kompozitori për mua”, thotë ajo.
Fantasia Concertante që u dha si premierë 11 vite më parë. Kjo vepër i ofron violinistit hapësirë për eksplorim të timbrit të tingullit të violinës, frazave dramatike ‘recitativo’ në Sul G, shprehje improvizative të pasazheve virtuoze dhe kolorit në dialogjet e violinës me dy solistët dhe korin.
“Në koncert sonte, falë atmosferës magjike që u krijua nga akustika e kishës katolike dhe energjisë së ngrohtë të publikut u realizua në mënyrë të veçantë dhe unike, pjekuri artistike e me një koncept më ndryshe dhe risi që lindën spontanisht gjatë performancës. Kjo vepër ka hyrë në histori dhe është vulë kombëtare e literaturës violinistike me ansambël e që duhet të performohet edhe nga solistë të tjerë të gjeneratave të reja dhe ta përfaqësojë Kosovën me këtë thesar artistik të krijimtarisë së profesor Rudit. Me shumë shumë dinjitet ndihem krenare që këtë vepër ma ka dedikuar mua personalisht.”, ka thënë Badivuku.
Ndërkohë, sopranoja Arta Jashari tregoi se ishte një kënaqësi e madhe ta përmbyllin vitin me një koncert të pasur repertor dhe kuruar me kujdes nga profesori Rafet Rudi.
“Këtë vit e permbyllëm me një koncert të pasur në repertor dhe kuruar me kujdes nga profesori dhe dirigjenti Rafet Rudi, me të cilin dhe kemi nisë shumica prej nesh në Korin Profesinal të Filharmonisë së Kosovës rrugëtimin tonë koral. Personalisht ishte kënaqësi të performonim vepra të cilat për mua janë shumë të dashura meqë personalisht më pëlqen shumë muzika korale dhe i dëgjoj ato nga kore të ndryshme nëpër botë, mendoj që kemi qenë mirë të përgatitur si rezultat i përkushtimit të punës së profesor Rudit. Ishte një vit përplot me paraqitje tonat për të cilat jam shumë krenare që i kemi realizuar me sukses”, tha Jashari
Në këtë koncert që kishte bërë bashkë shumë arsye për të festuar u shqua edhe baritoni Shaban Behramaj, i cili u shpreh për KultPlus se ishte një natë shumë e veçantë për të.
“Sonte ishte një natë e veçantë, një emocion më ndryshe nga koncertet tjera të kalendarit artistik të Korit të Filharmonisë, sepse përveç që ishte një koncert i fundvitit ishte edhe 20 vjetori i themelimit të Korit të Filharmonisë. Unë tashmë i kam mbushur plot 12 vjet pjesë e këtij institucioni, duke qenë pjesë e shumë koncerteve brenda dhe jashtë vendit, shumë të arritura e suksese, e përfaqësime dinjitoze, dhe mbrëmë u ndjeva shumë krenar për veten dhe të gjithë kolegët e Korit që tashmë për mua janë si familje”, u shpreh Behramaj.
Ai e veçoi këtë natë sikurse gjithë të tjerat, duke thënë se është përgjegjësi e madhe të jetë solist i mbrëmjes, megjithatë edhe një nder i madh.
“Profesor Rudi mbrëmë ishte prapë bashkë me ne, mbas një pauze, me korin të cilin ai e udhëheqi për vite me radhe duke i dhënë një nivel shumë të lartë artistik si dhe duke aplikuar gjithëmonë një program me kërkesa të mëdha ashtu si i ka hije një kori profesional. Kisha nderin të jem edhe njëri nga solistët e mbrëmjes duke i shtuar përgjegjësinë vetes, por gjithmonë me kënaqësi të interpretoj vepra që brenda vetes kanë jo vetëm muzikën por edhe frymën teatrale”, shtoi ai.
Behramaj uron që vitet e ardhshme ta gjejnë Filharmoninë në kushte më të mira të punës, me një sallë adekuate koncertale dhe që ata, si artistë, të ndjehen më rehat edhe në prapaskena por edhe në interpretime, dhe të ndihen të vlerësuar e me dinjitet në ato përmasa që i meritojnë./KultPlus.com
Ylli i Milanit, Kosovare Asllani, ka treguar se qysh kur i ka pasur 17 vjet, ka thënë që do të bëhet futbollistja më e mirë në botë.
Kjo, kur e kanë quajtur “Zllatane”, duke e krahasuar kështu atë si lojtare të kombëtares suedeze me Zllatan Ibrahimoviqin, një superyll lazdran i këtij shteti, që ka prejardhje nga Bosnja e Ballkanit.
“Po, gjithmonë kanë dashur të ma ngjesin këtë emër, vetëm se mua nuk është që ma ka ndier shumë. Për mua ka qenë krejt pozitive vetëm se unë nuk kam dashur. Unë jam Kosovare Asllani edhe mjafton” ka thënë ajo në një intervistë ekskluzive me Naile Dema Selmani, për emisionin “Prijmë” të Klan Kosova.
“Gjithmonë ka qenë më shumë presion për mua, por unë kur kam qenë e re, në të parën intervistë që kam dhënë kur kam qenë në Suedi, si 17 vjeçe kam thënë se unë dua të bëhem lojtarja më e mirë në botë. Këtë e kam dashur, ka qenë ëndrra ime, nuk kam frikësuar ta them këtë”.
Asllani ka qenë e para vajzë ”me tjetër ‘background’ të Kombëtarja e Suedisë”. /KultPlus.com
Unioni Evropian i Xhudos ka qëndruar për vizitë në qendrën stërvitore në Pejë, ku ka zhvilluar një intervistë me trajnerin Driton Kuka për përgatitjet për Kampionatin Evropian që do të mbahet nesër në Prishtinë.
Kuka, mes tjerash ka thënë se nuk është mësuar që të jetë në shtëpi para një ngjarje të tillë.
“Sigurisht që jam më nervoz se zakonisht. Nuk jam mësuar të jem në shtëpi një ditë para një gare të rëndësishme. Dhe familja ime nuk është mësuar me të… Atletët dhe trajnerët e mi dinë të më marrin kur jam i stresuar. Është diçka e re në shtëpi – për anëtarët e familjes sime”, ka thënë Kuka për EJU.
EJU shkruan se stërvitja zgjat pak më pak se 90 minuta, pa shumë sforcim. Një alarm i telefonit celular bie në mënyrë të përsëritur, duke sinjalizuar përfundimin e një stërvitjeje.
12 atletë janë në tapet, plus tre trajnerë përreth. Driton Kuka i ka duart të lidhura, vështrimi i përqendruar.
Ai jep komandat. Herë pas here ndërhyn ndihmëstrajnerja Majlinda Kelmendi, kampione olimpike, botërore dhe evropiane. Përndryshe, ajo është e qetë.
“Ata kanë arritur shumë, nxënësit e Kukës, vitet e fundit – që nga pavarësia në 2008. Titulli i parë i Kampionatit Botëror, pastaj titulli i Kampionatit Evropian në 2013 dhe 2014, fitorja e parë olimpike në 2016, të dyja nga Majlinda Kelmendi (-52), e cila tani mbështet mësuesin e saj në punën e saj trajnuese”, shkroi EJU.
Distria Krasniqi (-48) dhe Nora Gjakova (-57) ndoqën shembullin në Tokio – me dy medalje të arta olimpike.
Dhe Laura Fazliu (-63), 23-vjeçare, ka fituar edhe titullin e klasit botëror si nr. 2 në renditjen e IJF-së dhe fituese e Masters. Jo keq për një vend me një popullsi prej vetëm dy milionësh.
“Tash është koha edhe për një tjetër sefte: Kampionati Evropian i Hapur, që do të zhvillohet në Prishtinën, të shtunën duke filluar nga ora 10:30, (finalja nga ora 17:00). Kosova është nikoqire e ngjarjes për herë të parë. Dy kategori janë në program (një për femra/-57 dhe meshkuj/73)”.
41 atletë nga 27 kombe do të garojnë për çmime që arrijnë në 300,000 euro. Dy fituesit do të marrin secili nga 55,000 euro.
“Shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë në turneun e së shtunës”, thotë Driton Kuka.
“Ne gjithashtu duam të bëjmë një paraqitje sa më të mirë që të jetë e mundur si organizatorë. Ne duam të perceptohemi si mikpritës dhe të sjellshëm. Ne duam të lëmë përshtypjen më të mirë”.
“Si trajner, natyrisht që dua të shoh rezultate të mira nga sportistët tanë. Do të isha shumë i lumtur me një medalje para tifozëve tanë. Ne jemi Kosova, një vend i vogël”, tha Kuka. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ku ishte prezente dhe drejtoresha për Evropën jugore dhe qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Colleen Hyland.
Sipas komunikatës së presidencës, në takim Osmani dhe Hovenier kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
“Në takim, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend, si dhe u fol për format konkrete të avancimit të partneritetit e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatë.
Së fundmi, Osmani në një deklarim për mediat ndërkombëtare, tha se Serbia planifikon sulme të reja, derisa ajo vazhdon të ketë kontakt të vazhdueshëm me Ambasadorin Amerikan. /KultPlus.com
Kryeministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, përmes një njoftimi në “Facebook” ka falënderuar deputët që miratuan përfundimisht Projekt-ligjin për Artin dhe Kulturën, shkruan KultPlus.
Sipas Çekut, ky është dokumenti më i rëndësishëm i reformës më të thellë kulturore në vend.
“Mbështetja e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe partnerëve të koalicionit ka qenë e palëkundur. Mirënjohje të veçantë për deputetin Ardian Gola, kryetarin e Komisionit parlamentar për arsim dhe kulturë dhe anëtarët tjerë të komisionit”, ka shkruar Çeku në “Facebook”.
Nga kjo refromë premtohen më shumë mundësi për veprimtari artistike, shërbime kulturore, edukim artistik, zhvillim të audiencave, mirëqenie ekonomike për artistin. /KultPlus.com
Care for Kosovo Kids në bashkëpunim me organizatën Klubin Alpin Prishtina kanë befasuar fëmijët në Klinikën e Pediatrisë, shkruan KultPlus.
Superheronjtë e preferuar të fëmijëve pushtuan skenën e kësaj klinike, pasi aplinistët u lëshuan nga dritaret për të disponuar pacientët e vegjël.
Kjo ngjarje mban një vend të veçantë pasi synon ngritjen e vetëdijes dhe fondeve për terapinë e nevojshme për fëmijët që luftojnë kancerin në Departamentin e Hemato-Onkologjisë Pediatrike në QKUK.
Kjo është bërë tanimë një ngjarje tradicionale në vitet e fundit. /KultPlus.com
Po ti cili je? pyeta shiun që zbriste ëmbël, Dhe, çudi të thuhet, m’u përgjigj, e përkthej si vijon: jam Poema e Tokës, tha zëri i shiut, përjetë ngrihem e pakuptueshme nga vendi e deti i padepërtueshëm, lart drejt qiellit, nga ku, në formë fluturake ndryshuar tërësisht, por ende e njëjta, zbres për të lag toka të thara skeletike, shpërfaqjet e pafundme të pluhurit të botës, dhe atë në to, që pa mua do të ish vetëm farë, latente,e palindur; dhe përherë, ditë e natë, i kthej jetë, vetë origjinës sime, e bëj të pastër, e qendis; (Sepse kënga, e dalë nga vendi i saj i lindjes, pas plotësimit, bredharake, i intereson asaj ose jo, kthehet në kohë me dashuri.)
Walter Elias Disney vdiq më 15 dhjetor të 1966. Ishte një animator, producent filmash dhe sipërmarrës amerikan.
Një pionier i industrisë amerikane të animacionit, ai prezantoi disa zhvillime në prodhimin e filmave vizatimorë. Si producent filmash, ai mban rekordin për shumicën e çmimeve Oscar të fituara dhe nominimet nga një individ, duke fituar 22 Oscar nga 59 nominime.
Ai u nderua me dy çmime speciale Golden Globe dhe një Emmy Award, ndër të tjera nderime. Disa nga filmat e tij janë përfshirë në Regjistrin Kombëtar të Filmit nga Biblioteka e Kongresit dhe gjithashtu janë cilësuar si disa nga filmat më të mirë ndonjëherë nga Instituti Amerikan i Filmit. Disney ishte personi i parë që u nominua për Academy Awards në gjashtë kategori të ndryshme.
I lindur në Çikago në vitin 1901, Disney zhvilloi një interes të hershëm për vizatimin. Ai mori klasa arti si djalë dhe mori një punë si ilustrues komercial në moshën 18-vjeçare.
Më pas u transferua në Kaliforni në fillim të viteve 1920 dhe ngriti Studion Disney Brothers me vëllain e tij Roy. Me Ub Iwerks, ai zhvilloi personazhin Mickey Mouse në 1928, suksesi i tij i parë shumë popullor; ai gjithashtu dha zërin për krijimin e tij në vitet e para.
Ndërsa studioja u rrit, ai u bë më aventurier, duke prezantuar tinguj të sinkronizuar, Technicolor me tre shirita me ngjyra të plota, filma vizatimorë me metrazh të gjatë dhe zhvillime teknike në kamera. Rezultatet, të parë në tipare të tilla si Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhët (1937), Pinocchio, Fantasia (të dyja 1940), Dumbo (1941) dhe Bambi (1942), çuan më tej zhvillimin e filmit të animuar.
Filma të rinj të animuar dhe live-aksion pasuan pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë filmin e suksesshëm kritikisht Hirushja (1950), Bukuroshja e Fjetur (1959) dhe Mary Poppins (1964), i fundit prej të cilëve mori pesë çmime Oscar. /KultPlus.com
Faik Konica është një prej figurave më interesante të letërsisë shqiptare. Ky njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.
Më poshtë po ju sjellim disa nga thëniet më briliante të tij:
1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).
2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).
3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).
4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).
5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).
6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).
7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).
9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).
12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).
13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).
14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).
15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).
16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).
17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).
18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).
19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).
20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).
21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).
22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).
26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).
27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).
28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).
29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).
30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).
31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).
32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).
33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).
34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).
35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).
36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).
37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).
38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).
39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).
40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).
41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).
42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).
43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).
44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).
45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).
46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).
47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).
48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).
49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).
50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151). / KultPlus.com
Si flasim për humbjen? Si flasim, si mendojmë dhe si e përfaqësojmë humbjen kolektive? Humbjen që përfshinë jo vetëm individët, por komunitetet e tëra?
Që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej, në masë të madhe është shkruar dhe diskutuar për mënyrat e kujtesës së krimeve të shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër, një sërë metodologjish dhe qasjesh u zhvilluan për t’i adresuar shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, nëpër gjeografi të ndryshme, ku luftërat e kryera ishin të pabarabarta për nga natyra, dhe shkaktuan humbjen e shumë jetëve të pafajshme; shpesh jetëve të grave dhe të fëmijëve.
Muzetë dhe vendet e kujtesës u krijuan si hapësira që e bëjnë të dukshme agjencinë e viktimave dhe të të mbijetuarve; hapësira të rrëfimeve individuale, të tragjedive dhe të traumave të luftës. Hapësirat e tilla shërbyen fillimisht si hapësira të kujtesës, si hapësira për të mos harruar. Së dyti, ato shërbyen si hapësira të sigurta ku shpalosen rrëfimet e luftës. Dhe së fundi, këto hapësira na bëjnë të mundur, neve shikuesve (vështruesve), të bëhemi dëshmitarë të rrëfimeve të luftës. Për shkak të këtyre hapësirave të krijuara, ngjarjet, të vërtetat dhe rrëfimet e traumës kolektive, bëhen të dukshme, në mënyrë që kujtesa për të kaluarën, për rrëfimet të cilat i dëshmojmë, të bëhen më të shtresuara dhe më të nuancuara.
Ekspozita “Bebëzat e Mallit” zë fill në hulumtimin e jashtëzakonshëm empirik, të botuar nga forumZFD si libër me titullin “Fëmijëri të Rrëmbyera”. Hulumtimi ndërtohet nga intervista dhe fotografi të dymbëdhjetë familjeve, dhjetë prej të cilave kanë humbur një apo më shumë fëmijë gjatë luftës së vitit 1999, ose menjëherë pas, në rrethana që ndërlidhen me luftën. Dy nga rrëfimet janë të dy fëmijëve që e kanë humbur njërin prind në luftë, ndërsa nga dymbëdhjetë rrëfimet, dy prej tyre janë të familjeve të komunitetit serb dhe dy të atij rom. Disa nga këta individë janë akoma të pagjetur.
Intervistat në hulumtim e përçojnë një tingull të drejtpërdrejt në mënyrën se si tregohen rrëfimet. Ato janë të gjalla, të sinqerta dhe fliten në një gjuhë që është e qartë dhe efektive. Për më tepër, është gjuhë që flet për pozitën socio-ekonomike të këtyre familjeve, duke e bërë gjuhën shënjues tejet efektiv të kontekstit kulturor, social dhe ekonomik të të intervistuarve.
Në intervista, janë tri elemente që duket se rishfaqen. Këto elemente duket se funksionojnë si mekanizma për ballafaqimin me traumën e humbjes së fëmijës apo të anëtarit të familjes, dhe të traumës së luftës në përgjithësi. Elementi i parë janë ëndrrat që kanë anëtarët e familjes (zakonisht nëna) me fëmijën apo familjarin e humbur. Në të shumtën e rasteve fëmija në ëndërr është i lumtur, i gëzuar dhe në rehati. Elementi i dytë është përtërirja e emrave të fëmijëve të vrarë te fëmijët e lindur më vonë, si formë kujtese. Dhe së fundi, është elementi i potencialit të paplotësuar të fëmijës së humbur, shpesh i artikuluar me ton tejet superlativ përmes së cilit prindërit e përshkruajnë fëmijën. Të trija këto elemente duket se funksionojnë si mënyrë e ruajtjes së kujtimit dhe si veprime, thuajse rituale, me të cilat familjet gjejnë ngushëllim dhe kërkojnë të bëjnë paqe me humbjen e fëmijës, apo të anëtarit të familjes.
Këto elemente janë baza tematike e kësaj ekspozite, që duket se funksionojnë si mënyra për të integruar emocionalisht dhe psikologjikisht atë çfarë u ka ndodhur, dhe si mënyra për t’u ballafaquar me ngjarjet që familjet i kanë përjetuar.
Fotografitë në ekspozitë funksionojnë si dokumentim të rrëfimeve të këtyre familjeve. Ato gjithashtu tregojnë se si familjet i ruajnë kujtimet për më të dashurit e tyre, duke ruajtur veshje, fotografi të vjetra dhe objekte të ndryshme, që i mbajnë gjallë kujtimet për ta. Shumë shtëpi krijojnë hapësira kujtese, ku vendosen fotografitë e familjarëve të vrarë ose të zhdukur me dhunë, duke krijuar në njëfarë mënyre memoriale brenda shtëpive të tyre.
T’i kthehemi pyetjes sonë fillestare; si flasim për humbjen kolektive? Ndoshta, hapi i parë është ofrimi i hapësirave ku këto rrëfime mund të tregohen. Hapësira ku mund të ndodhë dialogu; hapësira të dukshmërisë dhe hapësira ku këto kujtime materializohen dhe vihen në dispozicion për të gjithë. Këto rrëfime duhet të tregohen dhe të dëshmohen nga të gjithë ne, në mënyrë që të bëhen pjesë të vetëdijes dhe kujtesës sonë kolektive.
Ekspozita “Bebëzat e Mallit” e ka marrë titullin nga një poezi dhe libër me të njëjtin titull të poetit modern shqiptar të shekullit të 20-të, Enver Gjerqekut, i njohur për sonetet dhe poezitë e tij romantike, e lirike./KultPlus.com
Produksioni i ri “Arrëthyesi”, që do të vijë në skenën e TKOB, për të parën herë në Shqipëri do të jetë e mundur të ndiqet edhe nga njerëzit me shikim të kufizuar, nëpërmjet audio-përshkrimit. Shfaqja do të jepet për 3 net radhë, por përshkrimi zanor do të ndodhë gjatë premierës së shfaqjes, më 22 dhjetor.
Për njerëzit me shikim të kufizuar hyrja në sallë behët 50 minuta para nisjes së shfaqjes. Gjatë kësaj kohe përshkruesi do të ndajë më shumë detaje nga historia e mrekullueshme e “Arrëthyesit”. Gjithashtu do të realizohet një tour i cili do t’iu mundësojë një kuptim më të thellë të “Arrëthyesit”. Ndërsa do të dëgjojnë përshkrimin e skenës, personat me shikim të kufizuar do të kenë mundësinë të prekin edhe disa pjesë të kostumeve dhe do të njihen me detaje nga historia dhe personazhet.
Biletat për përformancën me audio-përshkrim janë falas për personat e pajisur me librezën e Statusit të të Verbërit dhe shoqëruesit e tyre.
Përshkrimi zanor në kohë reale, bëhet i mundur falë bashkëpunimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me United Nations Association Albania si pjesë e Programit “Art nexus programme”.
Folësi është specializuar në interpretimin vizual të shfaqjes i cili sjell në jetë përformancën në sytë e mendjes, me përshkrime të gjalla të lëvizjes së balerinëve si dhe aksionit dhe dramës që ndodh në skenë.
“Arrethyesi” është emblema e shfaqjeve të fundvitit pasi është materializimi i magjisë që përcjellin festat./atsh/KultPlus.com
Një seri e re dokumentarësh për jetën e Aleksandrit të Madh po vjen në Netflix. Sipas njoftimit zyrtar të platformës së transmetimit, produksioni do të shfaqet premierë më 31 janar 2024.
Pjesa më e madhe e xhirimeve u zhvillua në shtator 2022 në Marok. Protagonistët janë Mido Hamada, i cili do të luajë rolin e mbretit Darius, ndërsa Buck Braithwaite do të interpretojë Aleksandrin e Madh.
Seriali do të përfshijë gjithsej gjashtë episode. Tony Mitchell, i cili më parë ka punuar në “The Baxter’s” dhe “The Bible”, është producenti.
Sipas përmbledhjes: “Duke kombinuar intervistat e ekspertëve me riprodhimet bindëse, ky dokumentar eksploron jetën e Aleksandrit të Madh dhe pushtimin e tij të Perandorisë Persiane.”/KultPlus.com
Posa ka dalë në qarkullim numri i tretë (i fundit për këtë vit) i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një ligjëratë të Pol Valerit me titullin”Fjalë për poezinë”.
Ndërkaq, në rubrikën e prozës botohen tregimet: “Rrokopylli” i Eqrem Bashës, “N’degë t’qarrit’ i Xhavit Beqirit, “Joan Filipi, autor-kult” i Azem Qazimit, ”Ëndërruar në gurë” i nobelistit Jon Frosse, “Përdorimi i përditshëm” i Alice Walker, “ Tetori im fashist” i Elio Vitotrini-t dhe “Merimanga” e Jan Jensen –it.
Në rubrikën e poezisë me nga një cikël poezish prezentohen Shaip Beqiri, Gazmend Krasniqi, Sulejman Dërmaku dhe Arsim Kajtazi. Në numër të revistës me një intervistë vjen shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur Sabri Hamiti.
Rubrika e kritikës fillon me tekstin studimor të Ilir Brecës “Për ty të heshtunit asht lavd”, për vazhduar me “Imazhi poetik” të Muhamet Kërveshit, “Letërsia e ekzilit: Poema romantike arbëreshe” të Serafina Lajçit, “La cour et la ville” të Erich Auerbach-it dhe “Zani i poezisë ndë kuvendime njerëzore” të Mishael Oaleshott-it.
Në rubrikën Recensione janë prezentuar librat: “Forestina” e Kujtim Shalës, “Muzika e amullt”e Primo Shllakut, “Lakorja e ik’sit” e Eqrem Bashës, “Sëmundje dhe perëndi” e Gëzim Aliut dhe “Muzeu i mërzisë” e Shaip Beqirit.
Autorë të recensioneve janë: Gentiana Bajrami, Bujar Meholli, Halim Halimi, Rrezarta Morina dhe Leonora Hajra.
Përkthyesit që kontribuun në këtë numër të revistës janë: Alket Çani, Gëzim Aliu, Erion Karabolli, Ilir Breca, Arben Idrizi, Alfred Beka dhe Kujtim Mani. / KultPlus.com