Fragment nga libri “Jeta ime”, Charlie Chaplin

Gjatë këtyre shëtitjeve nuk më kujtoheshin asnjëherë ato që më thoshte ajo. Isha krejt i ekzaltuar, i bindur se një forcë mistike na ishte afruar dhe se bashkimi ynë ishte rezultat i një afiniteti të paracaktuar. Kisha tre mëngjese që e njihja; tre mëngjese të shkurtra, përpara të cilave pjesa tjetër e ditës nuk ekzistonte deri në mëngjesin pasardhës. Por, mëngjesin e katërt qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo më priti ftohtë, pa entuziazëm dhe nuk pranoi të ma kapte dorën. Unë e qortova për këtë gjë dhe e akuzova me shaka se nuk më donte. Më tha – në fund të fundit, unë jam pesëmbëdhjetë vjeç dhe ju nuk jeni veçse katër vjet më i madh se unë. Unë nuk desha ta kuptoja domethënien e kësaj vërejtjeje. Por, nuk mund të mos e vija re mënyrën me të cilën papritur po më largonte. Vështronte drejt përpara, duke ecur me një hap elegant prej gjimnazisteje, me duart të futura në xhepat e bluzës marinare.

– Me fjalë të tjera, ju nuk më doni me të vërtetë – i thashë. Nuk e di – ma ktheu ajo. Unë mbeta i hutuar. – Në qoftë se nuk e dini, atëherë nuk më doni. Në vend të përgjigjes, ajo vazhdoi të ecte pa thënë asgjë. E shikoni çfarë profeti jam – zura të flisja unë me një ton të lehtë. – Ju kisha thënë se do të pendohesha që u njoha me ju. Provova ta merrja në pyetje për të zbuluar ndjenjat e saj të vërteta në lidhje me mua, por të gjitha pyetjeve ajo iu përgjigj njëlloj: – Nuk e di.

Doni të martoheni me mua? – I thashë më në fund për ta zënë ngushtë. – Unë jam tepër e re. Mirë atëherë, sikur të ishit e detyruar të martoheshit, do të më merrnit mua, apo ndonjë tjetër? Por, ajo nuk donte të angazhohej dhe përsëriste pa pushim të njëjtat fjalë: – Nuk e di… unë ju dua… por… – Por nuk më doni – i thashë unë tërë ankth. Ajo mbeti në heshtje.

Ishte një mëngjes i vrerët, rrugët kishin një pamje të përhime dhe të shëmtuar. E keqja është se kam lejuar t’i çoj gjërat shumë larg – thashë me një zë të ngjirur. Kishim arritur në hyrje të metrosë. “Mendoj se do të bënim mirë të ndaheshim dhe të mos takoheshim më kurrë” – shtova duke pritur se si do të reagonte ajo. Mbeti e ngrysur. – Lamtumirë – u përgjigj ajo. – Më vjen shumë keq.

Kjo ndjesë qe si një goditje që po më jepte në zemër. Kur ajo u zhduk në metro provova një ndjenjë zbrazësie të padurueshme. Ç’kisha bërë? Mos isha treguar tepër brutal? Nuk duhej ta kisha trembur. Isha sjellë si një hajvan i fryrë dhe kisha krijuar një situatë të tillë që tani nuk mund të takohesha më me Hetin pa u bërë qesharak. Ç’duhej të bëja? Më mbetej vetëm të vuaja.

– Charlie Chaplin“Jeta ime”/KultPlus.com

Varg ëndrrash

Poezi nga Bob Dylan, përktheu Edvin Shvarc.

Po mendoja për një varg ëndrrash
ku asgjë nuk del në sipërfaqe,
çdo gjë rri poshtë aty ku plagë ka marrë
dhe ndalet përfundimisht.
Nuk po e vrisja mendjen për ndonjë gjë të veçantë
porsi në një ëndërr, kur dikush zgjohet dhe ulërin.
Asgjë edhe aq e veçantë,
thjesht po mendoja për një varg ëndrrash./KultPlus.com

Si dukej qyteti mesjetar i Sardës në fundshekullin XIX

DRTK Shkodër prezanton një foto të hershme, të fundshekullit të 19-të, në kuadër të rubrikës së kujtesës, “Amarcord”. Fotoja i përket qytetit mesjetar të Sardës, në atë kohë ruajtur në kodrën e Shurdhahut, ku në anën e majtë rridhte lumi Drin. Ajo është shkrepur në 1890 nga diplomati dhe shkrimtarit francez, Alexandre Theodore Degrand (1844-1911) i cili nga viti 1893 deri më 1899 shërbeu si konsull francez në Shkodër.

Degrand ishte veçanërisht i interesuar për historinë e rajonit, në veçanti për parahistorinë dhe antikitetin e tij, dhe vizitoi kështjellat, kishat dhe rrënojat mesjetare, duke vënë në dukje atë që pa dhe çfarë i treguan njerëzit me të cilët fliste.

Dy vjet pas largimit të tij nga Shqipëria, ai botoi “Souvenirs de la Haute-Albanie” (Kujtimet e Shqipërisë së epërme), Paris 1901, një përshkrim i mirë-dokumentuar i Shqipërisë së Veriut të kohës dhe një përshkrim që shoqërohet me shumë fotografi të jashtëzakonshme.

Sot, me ndërtimin e kaskadës se HEC-ve mbi Drin, qyteti mesjetar ruhet në kodrën e kthyer në ishull pas përmbytjes së zonës në vitet `70./KultPlus.com

Prezantohet “unaza inteligjente”, do të monitorojë rrahjet e zemrës dhe problemet me gjumin

Samsung prezantoi një produkt të ri në kategorinë e pajisjeve të veshura.

Unaza Galaxy e Samsung do të jetë një pajisje e veshur me veçori që do të monitorojnë shëndetin e përdoruesit. Këto përfshijnë rrahjet e zemrës dhe problemet me gjumin, ndërsa unaza inteligjente pritet t’u japë përdoruesve një rezultat gatishmërie për ditën e tyre, tha një ekzekutiv i kompanisë për CNBC.

Me pak fjalë, pajisja e re e Samsung ofron kryesisht disa funksione që ekzistojnë tashmë në orët inteligjente, por në një formë më elegante.

Kreu i ekipit të shëndetit dixhital të Samsung, Hon Pak, foli për përpjekjen e parë të kompanisë në unazat inteligjente, si dhe mendimet për një abonim në aplikacionin ‘Samsung Health’ dhe vizionin për një ‘trainer’ të asistuar nga AI.

Ai tha se unaza është e pajisur me sensorë që mund t’i ofrojnë përdoruesit matje të rrahjeve të zemrës, ritmit të frymëmarrjes, sa shumë lëviz gjatë gjumit dhe sa kohë i duhet një personi që të bjerë në gjumë pasi të jetë në shtrat.

Sakaq, shtoi se Galaxy Ring do t’i japë përdoruesit një “rezultat vitaliteti” i cili “mbledh të dhëna rreth gatishmërisë fizike dhe mendore për të parë se sa produktivë mund të jenë”./KultPlus.com

‘Testamenti’, shfaqja rivjen në Teatrin Kombëtar nga e enjtja në të diel

Shfaqja “Testamenti” e Leka Bungos rivjen në Teatrin Kombëtar nga e enjtja në të diel në orën 19:00.

Komedia e zezë, që është vepër e shkruar nga Bungo dhe me regjinë e tij, ka në qendër Kuqon, një personazh që jeton në bunker me mendje të bunkerizuar, ende i lidhur me të kaluarën, por kritik edhe ndaj së tashmes.

Kuqo interpretohet nga aktori i njohur Viktor Zhusti, i cili i jep jetë marrëzisë së Kuqo komunistit që jeton mes dy kohëve, duke vënë në dukje të metat e tyre dhe të shoqërisë.

Kuqo bart misionin e rrëfimtarit e dëshmitarit në një komedi të zezë që na zhvesh nga mitet e keqkuptimet përmes teatrit.

Në katër net, publiku do të mund të ritakojë një vepër shqiptare që shpërfaq Shqipërinë nga viti 1921 deri në vitin 2023 duke përfshirë luftën, pasluftën e demokracisë përmes një karakteri të fandaksur, që bën fluturime pindarike, kritikon, ritakon mënyrën si shkruhet historia, rrëzon mitet e sistemit të kaluar komunist dhe mitet e sistemit demokratik./rtsh/KultPlus.com

Përfundon restaurimi i ikonës së “Ungjillëzimit”, thesar artistik i Onufrit

 Ikona e “Ungjillëzimit”, një thesar artistik, realizuar nga Onufër Qiprioti, i ka shpëtuar degradimit, falë laboratorit të Konservimit & Restaurimit në Muzeun Ikonografik “Onufri”.

Pas një pune disamujore, kryer nga restauratori Erion Lezi, përfundoi ndërhyrja restauruese për ikonën “Ungjillëzimi” vepër e shek XVI – XVII, atribuar Onufër Qipriotit.

Në këtë ikonë që ka funksionuar si Dera e Bukur e ikonostasit të kishës së Kostandinit dhe Helenës në kalanë e Beratit paraqitet skena e Ungjillizimit. Në pjesën e poshtme kryeëngjëlli Gabriel, paraqitet duke lajmëruar virgjëreshën Marie për lindjen e shpëtimtarit ndërsa sipër qëndrojnë profeti Isaia dhe mbreti David.

Ikona edhe pse e restauruar përpara disa dekadash, paraqiste problematika të ndryshme si dëmtim të kornizimit e shtresave përgatitore, dëmtim të pelikulës piktorike kryesisht në gjysmën e poshtme, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme të lëna nga restaurimi i mëparshëm dhe oksidim verniku. Të gjitha këto copëtonin tërësinë e skenës, tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e ikonës si dhe rrezikonin degradimin e saj.

Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e plotë të saj dhe së shpejti do t’i ofrohet e ekspozuar publikut të gjerë të Muzeut “Onufri” të cilët mund të admirojnë më qartë mjeshtërinë dhe finesën e artit të Onufër Qipriotit./KultPlus.com

‘E dashura ime, në mes të urrejtjes zbulova brenda vetes një dashuri të pathyeshme’

Poezi nga Albert Kamy

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara.

– Albert Camus

Armani mbyll “me lule“ Javën e Modës në Milano

Lulet e dimrit janë lajtmotivi i koleksionit të veshjeve për femra të Xhorxho Armanit për periudhën vjeshtë-dimër 2024.

Lulet e stampuara ose të qëndisura në rozë, jeshile apo blu, i shtonin ngjyrat fustaneve, xhaketave, bluzave, çantave e kapeleve ku dominonin bluja e errët dhe e zeza.

E teksa Java e Modës së luksit në Milano u mbyll, ka nisur ajo e Parisit ku stilistja Maria Gracia Kiuri prezantoi koleksionin vjeshtë-dimër për femra, sipas botëkuptimit të saj.

Dominon stili i viteve ’60, me palltot dhe xhaketat e gjata me rripa të rregullt, fustane të shkurtër herë herë me rripa me rruza shkëlqyese, motivet e kuadratëve, e ku dominojnë e zeza, grija apo kafja e zbehtë./KultPlus.com

A model presents a creation from the Giorgio Armani Fall-Winter 2024/2025 collection at Fashion Week in Milan, Italy, February 25, 2024. REUTERS/Claudia Greco

”Apple” heq dorë nga projekti i automjeteve elektrike

Kompania amerikane e teknologjisë ”Apple” ka hequr dorë nga projekti i saj për prodhimin e automjeteve elektrike një dekadë pas fillimit të saj, sipas disa raporteve.

Rreth 2 000 punonjës që punojnë në projekt mund të shpërndahen në departamente të tjera.

”Disa nga punonjësit mund të punojnë në inteligjencën artificiale gjeneruese, sipas një memorandumi të brendshëm”, thuhet në raportet.

”Apple” filloi të punojë në zhvillimin e një automjeti autonom në vitin 2014 nën projektin e automjeteve, të njohur si projekti ”Titan”, duke punësuar inxhinierë të fushës së automobilistikës dhe ekspertë nga kompani të tjera që zhvillojnë automjete elektrike./KultPlus.com

‘Oh se dy sytë m’i kanë verbue, m’i kanë verbue moj kaçurrelat e tu’ (VIDEO)

Shumë nga ata që e kanë dëgjuar këngën “Kaçurrelat”, e kanë përcjellur me mall, nostalgji e madje dhe dhimbje, e cila vjen edhe më e fuqishme kur dihet se kjo këngë buron nga kompozitori shkodran Gac Çun e ka marrë rrjedhën e krijimit derisa ai po qëndronte në burg gjatë kohës së komunizmit, shkruan KultPlus.

Që nga lirimi nga burgimi i kompozitorit Gac Çuni, kënga nuk ka trevë shqiptare që nuk ka udhëtuar, duke e bërë të afërt me publikun e duke ngjallur emocione të forta që kanë zanafillën në një dashuri platonike, që shkon në përshkrimin e himnizimin e pamjes së personit më të dashur.

Një interpretim të rrallë të kësaj këngë e ka sjellë Frederik Ndoci me Alisa Barakun, duke e bërë mesazhin e këngës së tij lehtë të depërtueshëm me një saktësi muzikore mes dy zërave që vijnë si dialog./ KultPlus.com

Poezitë e Rita Petros përkthehen edhe në gjermanisht, organizohet mbrëmja e veçantë për librin ‘Vrima’

Poezitë e Rita Petros edhe përkthehen edhe në gjermanisht.

Një mbrëmje e veçantë është organizuar për botimin e librit “Vrima” të Petros në gjermanisht, ku mblodhi bashkë shumë dashamirës të poezisë, shqiptarë e gjermanë në Shtëpinë e Lessing-ut (tashmë kthyer në një bibliotekë), që ndodhet në një nga lagjet e vjetra  turistike të Berlinit, Nikolaiviertel.

Organizatore e takimit ishte botuesja e Anthea Verlag, Margarita Stein, e cila e hapi mbrëmjen duke e quajtur të veçantë jo vetëm botimin e këtij libri, por dhe praninë e poetes Rita Petro.

Këtë mbrëmje e përshëndeti Ambasadorja e Shqipërisë në Berlin, Zj. Adia Sakiqi, e cila tha se ndonëse në Shqipëri ka mjaft manifestime të mentalitetit patriarkal, gratë e lira  po e sfidojnë atë çdo ditë e më shumë, një prej të cilave është Rita Petro, e cila me artin e saj dhe me praninë mediatike për tema sociale, ka një kontribut të rëndësishëm për emancipimin e shoqërisë shqiptare.

Në takim ishte i pranishëm dhe Ambasadori i  Maqedonisë së Veriut, Z. Ylber Sela, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Kosovës.

Moderimi i aktivitetit u realizua nga pedagogia e Universitetit të Shtutgartit, Loreta Schillock, e cila së bashku me Rita Petron zhvilloi një bashkëbisedim mjaft interesant për të pranishmit mbi lirinë e artistit, raportin e tij me censurën dhe autocensurën, dallimin mes letërsisë dhe asaj me mesazh të hapur feminist etj. Poetja Rita Petro iu përgjigj pyetjeve kureshtare të lexuesve gjermanë e shqiptarë në lidhje me frymëzimin për librin “Vrima”, guximin për ta shprehur hapur erotizmin, lirinë fizike e shpirtërore të gruas për të dashuruar, guximin dhe ashpërsinë ndaj çdo sjelljeje mashkullore autoritare apo vulgare.

Shumë emocione i solli mbrëmjes dhe interpretimi i disa poezive në gjermanisht nga aktorja e mirënjohur dhe e ftuara speciale Ariella Hirshfeld dhe David Jazay. Po kështu, bazuar në vargjet e Rita Petros, Reiner Philipp interpretoi me kitarë këngët e tij.

Përkthimi në gjermanisht u realizua nga David Jazay dhe Sofiana Filipi; ilustrimet e librit nga piktori Artur Alija. Ky botim vjen pas publikimeve të librit “Vrima” në frëngjisht nga L’Harmattan; në rumanisht nga Corint dhe në greqisht nga Saikspirikon./TopChannel/KultPlus.com

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve i kushton të rinjve projektin “Mbresa”

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” ka realizuar një tjetër sesion të punëtorisë “Mbresa”, kësaj radhe me nxënësit e shkollës së gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”.

Punëtoria “Mbresa” është një program edukativ dhe artistik javor i cili përfshin nxënësit e shkollave të mesme. Programi përmban një konkurs në disa gjini artistike: arte pamore, krijim letrar, muzikë dhe risi teknologjike.

Nxënësit vizituan muzeun dhe u ftuan të shprehin përshtypjet e tyre në gjininë artistike që parapëlqejnë.

Disa nga objektivat e punëtorisë “Mbresa” janë: përfshirja, angazhimi, nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në aktivitete krijuese/edukuese, njohja e tyre me regjimin komunist shqiptar si dhe me veprimtarinë represive të Sigurimit të Shtetit, reflektimi rreth kësaj të kaluare, promovimi i talenteve të reja, etj.

Nxënësit pasi vizitojnë muzeun, në bazë të ndjesive të përftuara krijojnë në gjinitë artistike që preferojnë dhe punimet duhet t’i dorëzojnë në muze brenda 15 ditëve nga vizita.

Më pas, ato ekspozohen për rreth 2 javë në rrjetet sociale të Muzeut dhe krijimi që merr më shumë pëlqime vlerësohet me çmim të veçantë. Një juri e përbërë nga specialistë të fushës vlerëson punimet më të mira. Është parashikuar që krijimet më të mira të vlerësohen me një dhuratë simbolike si dhe të bëhen pjesë e një katalogu./KultPlus.com

Gazeta që del vetëm një herë në katër vjet – më 29 shkurt

Sot ka dalë numri i radhës i gazetës së vetme në botë që del një herë në katër vjet, përcjell Klan Kosova.

Edicioni i parë i La Bougie Du Sapeur, apo Qiriu i xhenierit, që tani ka një tirazh prej 200 mijë kopjesh, kishte dalë për herë të parë më 1980, dhe ky është numri i 12-të.

Ideja e një forme të tillë të gazetës kishte ardhur mes disa miqve që donin të qeshnin.

Ajo kushton 4.90 euro dhe gëzon shitje shumë më të mirë se sa kostoja e bërjes së saj.

“Pasi edicioni i parë qe shitur tërësisht brenda dy ditësh, agjentët e lajmeve bërtisnin duke kërkuar më shumë kopje – andaj thamë në rregull, por vetëm një herë në katër vjet”, ka thënë redaktori Jean d’Indy.

“Gazeta ende publikohet nga pak miq. Ne takohemi në një bar dhe hedhim ide teksa pimë. Ne kënaqemi së tepërmi, dhe nëse kënaqet edhe lexuesi, atëherë kjo është qershia mbi tortë”, ka thënë d’Indy për BBC-në.

Gazeta është politikisht jokorrekte, dhe është e organizuar si një gazetë e rregullt, dhe ka seksione të politikës, sportit, punëve të jashtme, arteve, shoubiznesit dhe enigmave, sipas BBC-së./KultPlus.com

“S’kam sharë kurrë asnjë grua”

Krijimtaria e letrare e poetit të shquar Dritëro Agolli është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.

Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’ 60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.

Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë.

Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike.

Larmia e vargjeve të tij është e pafundme, por kemi përzgjedhur sot 5 poezi të Dritëro Agollit, që i kushtohen gruas.

1. GRATË PËR MUA
Kam dashur çdo grua pa masë,

Në rrugë, në dhomë e kuzhinë,

Madje dhe lart në tarracë,

Ku ndejnë rroba e fshijnë.

Në zënka s’kam sharë asnjë grua,

S’kam shkruar keq në asnjë fletë.

Do vdes.

Do flasin gratë për mua:

“Ky ishte poet i vërtetë”.

2. MJELMA
Yt shoq me një çifte një mjelmë vrau në liqen,

Kur dihet se mjelma nuk vritet.

E tmerrshme vërtet, më tutje ç’të them,

Nga bota e çmendur e çfarë nuk pret!

Po mbase e vrau i krekosur, që ti

Si mjelma të dridhesh nga frika.

E dashur, largohu me vrap nga ai

Dhe rrugës mos thuaj as “ika”…

3. I PËRNDJEKURI I DASHURISË

Unë jam i burgosuri yt,

Rroj me prangat që ti m’i ke vënë,

Po çudi, as qelia s’më mbyt

Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,

Unë i putha duart e tua,

Është rast i pashëmbullt ta dish,

Që xhelatin ta puth e ta dua!

I përndjekuri yt erotik,

I përndjekur të mbetet gjithmonë!

Erotik i mirë a i lig,

Hidhmi duart në fyt, torturomë!

Ky burgim sa do zgjasë s’e di:

I përjetshëm do kisha dëshirë,

Veç ti eja më shpesh në qeli,

Të përndjekurit tënd i vjen mirë…

4. NGAHERË NË PRITJE
Sërish të pres të vish:

Na qënka jeta pritje

Në shpirt, në gjak, në mish,

Në gaz e në mërzitje.

Dhe unë e them ta dish:

Sa dukesh ti në derë

Pranvera hyn në shpirt

Dhe shpirti në pranverë.

5. DASHURI E VËSHTIRË

Ti në kanape tani dremit

Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,

Abazhuri mbi qerpikë ndrit

Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:

Jemi dashuruar edhe sharë

Jemi ndarë shpesh në udhëtim,

Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon

Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë

Unë, ndonëse pi dhe mogadon,

Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Të kam pasur ëndërr çast e orë,

Ëndërr të trishtuar dhe të mirë

Po të jem vërtetë një Pitagorë

Ti je teorema më e vështirë…/KultPlus.com

Franca do të inaugurojë fshatin e atletëve për Lojërat Olimpike të Parisit

Fshati i Olimpiadës në Paris, i cili sapo u hap me Presidentin Macron atje, tregon se Franca mund t’i përmbahet planeve të saj edhe kur gjërat bëhen të vështira, përcjell KultPlus.

Parisi dëshiron t’i mbajë gjërat të thjeshta dhe të gjelbra për Lojërat Olimpike.

Fshati, i vendosur në Seine-Saint-Denis, nuk është vetëm për atletët gjatë lojërave. Gjithashtu ka për qëllim të ndihmojë në përmirësimin e zonës, si ndërtimi i një lagjeje të re. Ndërtesat kanë dizajne të lezetshme që tregojnë diversitetin e qyteteve evropiane dhe pas Olimpiadës, shumica e apartamenteve do t’u shiten njerëzve të rregullt.

Ata po bëjnë disa gjëra të rregullta për të qenë miqësore me mjedisin, si riciklimi i ujit dhe përdorimi i trotuareve speciale. Ndërsa përfundojnë dekorimin e fshatit, është si një vështrim i shkurtër se si mund të duken qytetet e ardhshme – vende që janë efikase, të gjelbëruara dhe që i bashkojnë njerëzit. /KultPlus.com

Polifonia, kënga që kapërcen kufijtë gjeografikë e ata kohorë

Arian Shehu, një “Mjeshtër i Madh” i polifonisë, është lideri i grupit “Ergjëria” që fillesat i ka prej vitit 1978, me bashkimin e djemve të rinj të lagjes Dunavat i Parë. DRTK Gjirokastër kujton se ishte pikërisht ai, “marrësi” i cili u bë dhe shtysa kryesore e formimit të grupit të lagjes.

Emrat të cilët iu bashkuan grupit ishin: Mevlut Meleqi, Gëzim Haska, Fatos Haska, Jani Hysi të cilët spikatën si grup i të rinjve në Sheshin e Çerçizit.

Koncertin e parë ky grup i këngës polifonike e mbajti pikërisht në Sheshin e Çerçizit, ku interpretuan këngën “Sado Meleqi”, që më pas dëgjohej në radion e qytetit.

Vitet `80 u shenjuan nga arritjet më të mëdha të këtij grupi, me çmime të para në festivale. Kënga e tyre arriti të dëgjohet edhe përtej detit deri në vitin 1994 ku dhe grupi u nda dhe Arian Shehu krijoi grupin e tij me emrin “Ergjëria”, duke e çuar polifoninë shqiptare në shtete të tjera si Francë, Suedi, Danimarkë, Greqi etj.

Tashmë grupi ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh” dekoruar nga Presidenti i Republikës si dhe në vitin 2023 titulli “Mjeshtër i Madh” për liderin e grupit Arian Shehu i cili me dashurinë për polifoninë iu shërben edhe sot brezave me përkushtim duke besuar se polifonia duhet mbajtur gjallë në breza.

DRTK Gjirokastër shkruan se së fundmi grupi ka marrë ftesë nga shteti francez për të performuar kënget e vjetra të cilat i rezistojnë çdo kohe./KultPlus.com

Aktivitet kushtuar veprës së shkrimtarit Fatos Kongoli

Instituti i Librit dhe Promocionit së bashku me Shtëpine Botuese “Toena”, zhvilluan një takim me shkrimtarin Fatos Kongoli.

Takimi në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, Qëndra ” Sotir Kolea”, u bë në kuadër të aktiviteteve të organizuara në vitin e 80-vjetorit të lindjes të shkrimtarit, gjithashtu i shpallur si viti i gjuhës amtare.

Në takim morën pjesë botues, gazetarë, dashamirës e miq të librit. Të pranishëm ishin edhe nxënës të Gjimnazit “Qemal Stafa”, të cilët diskutuan krahas të ftuarëve të tjerë mbi jehonën e shkrimeve dhe kritikës, së veprave letrare të Fatos Kongolit, në median e shkruar, vendase dhe atë të huaj.

Fatos Kongoli ndau në bibliotekën e rikonstruktuar “Sotir Kolea”, kujtime të bukura nga e krijimtaria e tij. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe Dhimitraq Furxhi nga Drejtoria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore si dhe shkrimtartja e pedagogia Majlinda Rama. /ATSH /KultPlus.com

Historia dhe kuriozitetet e “vitit të brishtë”

Por çfarë është një vit i brishtë?
Është një vit me 366 ditë, kjo e fundit shtohet për të rregulluar shtyrjen e stinëve. Nëse do të mbaheshin gjithmonë 365 ditë, do të mblidhej çdo 4 vjet, një ditë me vonesë.

Rregulli
Ajo e kalendarit gregorian thotë: «Një vit është i brishtë nëse numri i tij mund të pjesëtohet me katër, përjashtim janë vite shekullore, (që janë të përpjesëtueshme me 100,) që nuk mund të përpjestohen me 400”.

Tradita angosaksone
Në botën anglosaksone, viti i brishtë quhet Leap year, d.m.th Viti i kalimit. 29 shkurti është Dita e Shën Patrikut dhe sipas traditës është e vetmja datë në të cilën vajzat, mund t’i kërkojnë të të fejuarit të martohet me do.

Tradita e do që ajo të këtë 12 palë dorashka, një për çdo muaj, për të fshehur dorën pa unazë të vajzës.

Historia
Ishte Jul Cesari që e prezantoi ditën më shumë çdo katër vjet, kjo për të barazuar llogaritë me 6 orët që mbeteshin çdo vit sipas përllogaritjeve të astronomit të tij.

Ishte Papa Gregori XIII që me vendim papnor vendosi në 1582, të eliminonte 3 vite të brishta, kjo sepse ishte parë të spostim përpara, duke shtuar nga një ditë, çdo katër vjet, duke rrezikuar Pashkën.

Vit i brishtë, vit i trishtë
Romakët mendonin se viti i brishtë, ishte dhe vit i trishtë, që sillte epidemi dhe tragjedi të mëdha. Ndërsa të tjerë mendojnë që është dhe viti i balenës, sepse mendohet se balen lind çdo katër vjet. Vitet e brishta përkojnë dhe me realizimin e Olimpiadave.

Të lindurit në 29 shkurt
Mundësia për të lindur në një “vit të brishtë” është 1 në 1,461. Në vitet e zakonshme, të lindurit më 29 shkurt e festojnë ditëlindjen e tyre më 28 shkurt ose më 1 mars, por edhe këtu ka një debat. Disa sugjerojnë se të lindurit përpara mesditës së 29 shkurtit duhet ta festojnë ditëlindjen më datë 28, ndërsa ata që kanë lindur pas mesdite, duhet të festojnë më 1 mars.

Përse femrat u propozojnë meshkujve në një “vit të brishtë”?
“Viti i brishtë” njihet edhe si viti kur femrat mund të marrin guximin për t’u propozuar meshkujve për martesë. Legjenda daton në shekullin e 5-të, kur një murgeshë irlandeze, Shën Bridget u ankua te Shën Patrick se femrat duhet të prisnin shumë deri sa t’u vinte propozimi për martesë. Kështu, Shën Patricku vendosi t’u lejonte femrave të pyesnin ato meshkujt ë çdo katër vite. /KultPlus.com

Rita Ora flet hapur për luftën kundër ankthit

Këngëtarja kosovare me famë botërore Rita Ora, ka dhënë një intervistë në podcasting “Brave New World” ku ka folur për luftën e saj me ankthin.

33-vjeçarja tha se kjo ka qenë një luftë e vazhdueshme që ka arritur ta mbajë nën kontroll përmes kombinimit të metodave tradicionale dhe jokonvencionale.

Qasja e Orës është ndikuar nga Wim Hof, metoda e të cilit janë të njohura për përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik.

Përveç praktikave fizike, ajo vlerëson edhe muzikën si terapi të saj në procesin e shërimit.

Albumi i tretë “U and I” shërben si një testament për udhëtimin e saj duke ofruar njohur për betejat dhe rimëkëmbjen e saj.

Ky rrëfim i artistes është një shtytës i fortë për ata që kanë nevojë të shtojnë kujdesin ndaj vetes dhe nevojës për të kërkuar ndihmë kur është e nevojshme, qoftë përmes terapisë, muzikës apo metodave jokonvencionale të shërimit. / KultPlus.com

“The Liberation War” filmi Hollywoodian për luftën në Kosovë

Përjetimet e kosovarëve të luftës gjatë viteve 1997-1999, por edhe jeta nën represionin serb prej dekadash, janë pasqyruar disa herë edhe në projekte filmike, të cilat portretizime kanë marrë vetëm jehonë lokale apo edhe rajonale.

Në të gjitha këto projekte kinematografike ka munguar popullariteti ndërkombëtarë, qoftë në profesionalizmin e realizimit të filmave apo edhe në pasqyrimin e ngjarjeve reale, apo të paktën ka munguar popullariteti që ka Hollywood në këtë drejtim.

25 vite pas, për herë të parë, historia e kosovarëve dhe shqiptarëve në luftë, do të paraqitet në dimensionin e nevojshëm, atë të artit kulmor e të nivelit ndërkombëtarë.

Fitim Krasniqi këtë histori e kishte menduar prej vitesh, apo thënë më saktë prej kur një pjesë të përjetimeve të luftës i kishte kaluar vet si një i ri nga qyteti i Pejës.

Tani duke qenë ndërmarrës i suksesshëm në New York dhe duke njohur nga afër tregun kinematografik, Krasniqi ka finalizuar etapën e parë, drejt prodhimit të një filmi krejtësisht profesional dhe nën markën e Hollyëood-it për luftën e Kosovës dhe sakrificat e popullit shqiptarë ndër vitë.

“The Liberation War” është projekti i tij i zemrës, për të cilin ka investuar nga pasuria e tij, si producent ekzekutiv dhe i cili ka mbledhë kastë të vërtetë aktorësh, regjisorësh dhe skenaristësh.

Filmi është një dramë, aksion por edhe një histori e dashurisë. Do të zgjasë më shumë se dy orë. Xhirimet do të nisin së shpejti dhe do të realizohen në Kosovë, Shqipëri dhe në New York.

“The liberation war” përshkruan historinë e kosovarëve, para, në dhe pas luftës në Kosovë dhe për personazh kryesor ka dy nxënës të cilët duke qenë në luftë, ndahen, përjetojnë tmerrin dhe pas luftës njëri nga ta e bënë jetën në Kosovë dhe tjetri në ShBA, për t’u takuar sërish, për ta ringjallë edhe njëherë dashurinë dhe mbi të gjitha për një kauzë më të madhe për t’ia shpëtuar jetën njëri tjetrit.

Në gjithë këtë skenar, që fillimisht është shkruar nga Fitim Krasniqi dhe është recensuar nga 4 skenarist të Hollywood-it, paraqitet ngjarjen reale, ato që vërtetë kanë ndodhur në luftë. Pasqyrohen dëbimet e kosovarë, dhunimet e grave, masakrat e lufta e UCK-së dhe periudha e pasluftës.

Filmi që do të ketë një kastë prej më shumë se 15 aktorësh Hollywoodian, do t’u jap hapësirë edhe aktorëve nga vendi. Rreth 40 të tjerë do të angazhohen nga Kosova dhe Shqipëria, të cilëve do t’u jepet mundësia që të promovohen në kinematografinë botërore.
Filmi do të promovojë edhe Kosovën dhe Shqipërinë, ku janë sot dhe historinë të cilën e kanë kaluar.

Deri tani, siç u tha në konferencën për media, investimi është tërësisht privat, por që institucionet e vendit dhe bizneset kanë hapësirë që ta mbeshtesin këtë projekt.

Regjisor i këtij projekti do të jetë Louis Mandylor, një nga regjisorët më të njohur të Hollywood-it me mbi 100 projekte të drejtuara dhe në të cilat ka pas edhe role dhe mbi 13 cmime ndërkombëtare.

Mandylor tha se kur u ofrua për këtë rol, gjëja kryesore që e shtyri ta merrte përsipër ishte pikërisht historia e kosovarëve dhe ajo që kishin përjetuar.

E njëjta arsye e shtyri edhe aktorën Kelly Lynn Reiter që ta pranonte detyrën e producentës dhe aktorës. Ajo në konferencën për media tha se është e privilegjuar të jetë pjesë e këtij projekti.

“The Liberation War” është një projekt milionësh, që do të shfaqet në mbi 60 vende të botës dhe mbi 2400 kinema e teatro.

Filmi mëton të jetë një dritare pasqyrimi i luftës në Kosovë, por edhe një mundësi e promovimit të vendit, vecmas tani kur propaganda serbe dhe ruse kanë arritur që të realizojnë me dhjetëra filma, duke e shtrembëruar historinë e vendit e mbi të gjitha duke tentuar ta ndryshojnë të vërtetën. / KultPlus.com

Miley Cyrus ka një surprizë për fansat e saj

Artistja me famë botërore Miley Cyrus ka surprizuar fansat e saj në postimin e saj të fundit.

Ylli i popit do të publikojë bashkëpunimin me këngëtarin e njohur Pharrell Williams.

Pharrell është i njohur për hitet e tij si “Happy” dhe “Blurred Lines” dhe bashkë me ikonën muzikore Miley Cyrus padyshim që do krijojnë diçka te vecantë.

Fansat po presin me padurim publikimin e këtij bashkëpunimi./ KultPlus.com

FemFest 2024, festivali i arritjeve dhe problemeve të grave shqiptare

Në prag të festës së 8 marsit, po përgatitet FemFest, festivali me në fokus gruan. FemFest 2024 do të mbahet nga data 4-8 mars dhe ky do të jetë edicioni i tretë i këtij festivali.

Sikundër edhe një vit më parë, FemFest është ndërtuar me një platformë shfaqjesh mbresëlënëse, debatesh, e diskutime me fokus gruan.

Pjesë e festivalit do të jenë artiste, aktiviste, shkrimtare, politikane dhe këngëtare të cilat nëpërmjet zhanreve të ndryshme të artit do t’u japin zë edhe problemeve që nuk fliten, apo atyre që nuk dëgjohen. Të ardhurat e mbledhura nga biletat do të shkojnë për 4 bursa studimi për katër studente të Universitetit të Arteve.

I planifikuar të vazhdojë çdo vit, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, festivali synon të ringjallë qëllimin fillestar të 8 marsit: të shënojë arritjet kulturore, politike dhe socio-ekonomike të grave, duke bërë thirrje për arritjen e plotë të të drejtave të tyre.

Ky edicion do të shfaqë 10 shfaqje, si edhe çdo ditë, nuk do të mungojnë rubrikat “FemTalk” e panele të cilat do të moderohen nga figura femërore të rëndësishme të jetës publike në vend./ atsh / KultPlus.com

Vlera Kastrati prezanton videoklipin e këngës “Loti” (VIDEO)

Vlera Kastrati ditëve të fundit ka prezantuar videoklipin e këngës “Loti”, këngë që shpërfaqë dhimbjen e popullit shqiptar që ka kaluar përgjatë luftës.

Kjo këngë, është kënga e tretë e realizuar me videoklip nga tetë këngët e shkruara e të komponuara nga Vlera Kastrati, e të inçizuara në Romë nga Amedeo Tommasi, pianist dhe aranzhues.

“Kjo pikë loti të cilës unë i këndoj, dua të prek çdo dhimbje që ka mbetur në mendjet e zemrat tona. Dhe janë ende aty, të paprekura e të shtypura diku thellë brenda vetes sonë. Ky lot qan për ne. I shpërfaq ndjenjat tona me çiltërsinë e një fëmije. Kjo pikë loti na kërkon t’i shohim e shërojmë dhimbjet. Për mua, mbi të gjitha kjo këngë është një lutje – mos pafshim më kurrë luftë”, ka thënë Kastrati lidhur me mesazhin e kësaj kënge. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës pjesëmarrës në festivalin prestigjioz, promovon vlerat kulturore të vendit tonë

Baleti Kombëtar i Kosovës,  para pak ditësh, ka marrë ftesë për t’u shfaqur në Korenë e Jugut, përkatësisht në Festivalin Botëror të Vallëzimit në qytetin Cheonan.

Baleti Kombëtar i Kosovës, do të paraqitet për herë të parë në Lindjen e Largët, me njërën nga shfaqjet e repertorit të vet në shtator të këtij viti.

Ftesa për pjesëmarrje në këtë festival prestigjioz, dëshmon edhe një herë punën dhe përkushtimin e BKK për të promovuar vlerat kulturore të vendit tonë, gjithandej nëpër botë. / KultPlus.com