“Gjithçka pranon shqiptari, veç suksesin e tjetrit jo”



Nga Çun Lajçi

E sheh djalosh?
Thojshe jam kopil, e s’ka stërkopil që ma kalon!
Paska paska!
Por ti paske harrua, se ata s’janë kopila, po bastarda, që s’mërztën, pse i këpusin rrajtë e veta!
Ata janë bimë kopile, që bijnë nga dy fara t’zeza, që e thajnë trungun e vet, e n’fund e hanë vetvetën!
E sheh djalosh?
S’me besove kur t’thashë se Zgatavelli asht evlia, kumar me dreqin e kuq, që ka hy brenda lëkurës tij, dhe i kallxon krejt kush çka mendon, e çka ka me mendua nesër, e mendimet i kanë njisoj si Krroçja që tapallon, si Prontomafia, që i rrinë gaditun!
Ky veç për vetën nuk din, se dreqi i kuq s’i kalxon, n’cilin kërsh ka me ia thye qafën!
Kur t’thashë, edhe bubërreci ka me t’u dashtë, sa do që i vogël asht, s’me besove!
Kur t’thashë, qafën duhesh me pasë me rrudha, si unë, për me hi n’jarm e me ngreh parmendën vetëm, mendove se kam luejt.
Jo djalosh, arën me lavrua e mos me t’dalë s’krrajat përjashta, e me i ruejt mos me i hangër sorrat, s’mundesh!
Pushteti s’asht arë, me vllaqitë si t’duesh e kur t’duesh!
Ti s’u shkrove profesorave tu, me t’kallxua si me ecë tehut t’thikës pa u pre!
Unë po!
I shkrova Azem Shkrelit, i thashë kallxom, Zoti a asht, a s’asht shqiptar, sa s’ka ardhë vendimi i Kushtetuesës, e ai ma ktheu: Jo, asht i Zgatavellit, m’tha!
Eh, thoshte Fishta, dredhë djallit kjo shqiptaria!
Gjithçka pranon shqiptari, veç suksesin e tjetrit jo!
Jo, ai e vret n’shpirt.
Gruen ta falë, e suksesin s’ta pranon!
Tash duro djalosh, deri t’rrezitë dielli mirë e mirë, e blini t’lulëzon, e me lulet e tij, t’ia thurish nji kunorë Dardanisë, që mos t’i thahet ma kurrë!

Dardani, 2.05.2020 / KultPlus.com

Shqiptari shpallet ndër kuzhinierët më të mirë në Francë

I riu shqiptar, Armand Hasanpapaj, i cili prej vitesh ushtron profesionin e kuzhinierit në Francë, është shpallur si një nga më të mirët e gastronomisë franceze.

Armandi ka qenë pjesë e shumë konkurseve në fushën e kulinarisë, ku dhe është vlerësuar me disa çmime. Ndër recetat e preferuara të kuzhinierit janë edhe disa prej gatimeve shqiptare dhe se ai tani është një nga kuzhinierët më premtues në Francë

Së fundmi, ai u rendit i katërti në finalen e “Objectif Top Chef”, e cila mbahet në Francë ku konkurrenca ishte e madhe, mirëpo, profesionaliteti i të riut shqiptar i ka habitur jurinë dhe se tani më ai po cilësohet si nga më të mirët edhe nga mediat franceze, transmeton albinfo.ch.

Gazetat e njohura franceze si: Le Progres, Le Magazine Independante De La Region Lyonnaise kanë shkruar artikuj të veçantë për të riun shqiptar, Armand Hasanpapaj si dhe historinë e tij.

“I armatosur me një vendosmëri të palëkundur dhe një aftësi mbresëlënëse pune, Armand tani njëqind për qind po investon në pasionin e tij si kuzhinier. Ajo që ai pëlqen, madje edhe obsesion në lidhje me gatimin është krijimtari dhe përsosja e tij në përgatitjen e ushqimeve. Ai ndërton çdo pllakë si një pikturë”, shkruajnë mediat franceze për të.

Duhet theksuar se Armandi është me origjinë nga Tropoja, por ka jetuar në Tiranë, ku kishte nisur profesionin e valltarit. Prej 8 vitesh ai jeton në Francë, ku nisi edhe shkollën e kuzhinës. Shtysë për këtë, veç pasionit të tij për gatimin u bë nëna e Armandit e cila në Shqipëri ka qenë pastiçerie. Kështu ai ndoqi zanatin e së ëmës dhe me shumë sukses.

Ani pse i ri në moshë, me profesionalitetin dhe dashurinë që ka për ushqimet, sidomos ato franceze, iu bë e mundur që ai të punojë me Chefs më të mëdhenj me bazë Lyon: si Mathieu Viannay, Fabrice Moya, Régis Marcon. Rigoroz, etj, transmeton albinfo.ch. / KultPlus.com

“E dashur vetja ime, pavarësisht nga plagët që mban brenda, nuk je viktimë, je një e mbijetuar”

Kjo letër është për ty, që shumë shpesh mendon se nuk je në lartësinë e duhur.

E dashur “vetja ime”, po të shkruaj, sepse e kisha të nevojshme të të thoja kaq shumë gjëra.

E di që jeta nuk ka qenë aspak e lehtë për ty kohët e fundit, kjo më shkakton shumë dhimbje, por ke luftuar dhe ke arritur të qëndrosh në këmbë.

Për mirë ose për keq gjithçka ndodh për një arsye, një ditë do të shohësh se dhimbjet, deluzionet dhe plagët do të kenë kuptim. Mos ji e ashpër me veten, jam krenare për gjithçka që ke bërë dhe për atë që ti je sot.

Merr frymë, çlirohu nga ankthi i të gjitha pritshmërive, pranoji gjërat ashtu siç janë dhe jetën ashtu siç është. Ji e durueshme, beso te vetja, je në vendin e saktë që duhet të jesh.

Mos lejo që të mundesh nga ndonjë gjë ose nga ndokush, dhe kur dikush të bën keq, mos e merr shumë personale, sepse në realitet, problemin e kanë vetëm me veten e tyre.

Mëso të falësh, t’i lësh gjërat në të kaluarën.

Pranoji gabimet tuaja sepse janë ato që të bëjnë të ndryshme, të veçantë dhe unike; ti je e përsosur ashtu siç je.

Pra, shumë herë ke menduar se ke gabuar, por jo.

Pavarësisht nga plagët që mban brenda, nuk je viktimë, je një e mbijetuar. Ti je më e fortë se sa mendon, bota është përpjekur të të thyejë, por ti nuk e ke lejuar atë t’ia dalë, ji krenare për këtë.

Mos harro të mbështetesh në forcën tënde, mos kërko ndihmë nga të tjerët për të gjetur lumturinë tënde. Ti nuk ke nevojë të jesh gruaja apo e dashura e dikujt që të ndihesh e plotë, qëndro në qetësi ndërsa pret për dashurinë.

Edhe nëse nuk e ke gjetur akoma, kjo nuk do të thotë që ti nuk meriton të duhesh.

Por, para se të duash dikë, mëso të duash veten.

Ji bujare me miqtë, familjen dhe të afërmit. Më premto se do të bësh gjithçka për t’i dhënë kuptim jetës tënde, pa hequr dorë kurrë nga ëndrrat e tua.

Mos lejo askënd të të pengojë dhe rrethoje veten vetëm me njerëz që të mbështesin dhe të duan. Gjatë rrugëtimin tënd shumë njerëz do të largohen nga ti ose do t’i lësh ata, do të mësosh ta pranosh me qetësi sepse duhej të shkonin.

Edhe kushdo që të ka zhgënjyer ose tradhtuar, mbajeni mend atë për atë që ju mësoi.

Falënderoi ata që kanë mbetur, plotësoji boshllëqet e lëna nga ata që u larguan, falëndero veten siç unë po bëj me ty tani:

Faleminderit për gjithçka që ke qenë, çfarë je dhe çfarë do të bëhesh. / KultPlus.com

Deri më 1878, Sanxhaku i Nishit quhej Shqipëri

   

Cila është e vërteta për prejardhjen kombëtare, të hulumtuesit Atanasije Urosheviqit. Françeskanët në ato rrethana, nuk patën mundësi ta përcillnin gjendjen e popullatës katolike shqiptare në ato anë, madje as në anën veriore të fshatrave shqiptare që shtriheshin në veri të Peshterit afër Janjevës. Duhet theksuar se popullata shqiptare e zonës së Vrajës, Leskocit, Artanës dhe qyteteve tjera veriore e kishte përballuar për disa shekuj presionin e ashpër të Perandorisë Osmane, për myslimanizim të plotë deri në vitet 1843/44.

Ushtria e rregullt e sulltanit, që u dërgua në trojet shqiptare, ndërmerrte masa çnjerëzore, dhe bënte presion shumë të madh, ndaj kriptokatolikëve shqiptarë në Shqipërinë veriore, me qëllim që ta rriste zhvillimin e procesit të islamizimit të popullatës shqiptare.

Se popullata shqiptare e kësaj zone, me shekuj e kishte ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën e lashtë dardane, dëshmohet edhe prej studiuesve të huaj, që i vizituan viset tona gjatë asaj periudhe.

Për ruajtjen e objekteve të kultit, ndërtimin e kishave arbërore, si dhe përballimin e islamizimit deri në gjysmën e shekullit të XIX, kanë shkruar më vonë edhe disa studiues serbë. Atanasije Urosheviçi, gjatë studimeve të tij dhe hulumtimeve në terren, ofron të dhëna edhe për islamizimin e vonshëm të familjeve shqiptare në Malësinë e Galabit.

Siç shihet edhe nga hulumtimet e tij, në kohën kur ai i ka bërë, në brezin e katërt familjet shqiptare të kësaj treve ishin të krishtera.

Për islamizimin e vonë të tyre shkruan edhe Urosheviçi, andaj ne e shkëputëm një faqe nga libri i tij.


Siç shihet edhe nga shkrimet e Urosheviçit vërehet se paraardhësit e familjeve shqiptare të islamizuara në këto anë, shkonin deri te brezi i katërt, për të dëshmuar besimin e krishterë. Sot kjo dëshmi vërtetohet fare lehtë se shkon deri në brezin e gjashtë.

Nga këto të dhëna kuptojmë se deri në këtë periudhë, popullata shqiptare ju bëri ballë, të gjitha sulmeve dhe projekteve osmane e ruse, për ta ndërruar fenë.

Edhe pse kësaj kryengritje në veri i printe kleri mysliman, nga ngjarjet e zhvilluara të kohës, mësojmë se kryengritjen e armatosur e përkrahën të gjithë shqiptarët katolik dhe ortodoksë të kësaj ane, duke u solidarizuar me vëllezërit e tyre mysliman.

Popullata shqiptare ortodokse që u serbizua, në gjysmën ë dytë të shekullit XIX, dhe gjatë shekullit XX, me ndikimin e politikës dhe kishës ortodokse serbe, i përvetësuan të gjitha objektet e kultit, dhe përmes procesit të konservimit e restaurimit, me qëllim të falsifikimit të historisë së tyre, u dëmtuan.

Këtë e dëshmojnë edhe disa autor serbë, të cilët kanë lënë shënime për kishën shqiptare në qytetin e Leskocit. Ata shkruajnë për ndërhyrjen në freskat e kishës së Leskocit që ishte konservuar në vitin 1693, kur të gjitha freskat, mbishkrimet dhe fotografitë u ndryshuan në vitin 1902 dhe rreth vitit 1930, nga padituria për mos kuptimin e tekstit origjinal. Krejt këto kishin ndodhur pasi që këto punë u lanë në dorë të një të riu rusë, shkruanin serbët.


Dëshmi të shkruara nga autorët serbë, për ndërhyrjen e rusëve për të falsifikuar kishën shqiptare në Leskoc.

Nga kjo e dhënë kuptojmë se rusët që nga mesi i shekullit XVII, veprimin e tyre e kishin shndërruar në platformë politike dhe ushtarake, që të zhdukin çdo gjurmë të shqiptarëve në trevat ilire. Shërbimet sekrete ruse gjatë gjithë kësaj kohe punuan për formimin e shteteve sllave dhe shtetin grek në tokat ilire.

Dëshmi që Rusia e planifikonte zgjerimin e Bullgarisë në trojet shqiptare e sidomos në Anamoravë dhe lumin e sotëm Vardar.

Nga teksti lart kuptojmë se Rusia prej vitit 1877, me të gjitha shërbimet e veta sekrete kishte punuar që ta formonte Bullgarinë e madhe, e cila do të shtrihej në territoret e Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë së sotme. Një Bullgari të tille e dëshironte Rusia për çështje strategjike në Ballkan.

Se popullata e Leskocit deri në krizën lindore ishte me popullatë shqiptare, i kemi edhe të dhënat që i kanë botuar vet serbët për vizitën e bërë qytetit nga Georg Von Hahn në vitin 1858. Mes tjerash Hahn për qytetin shkruan se ishte me shtëpi të bukura, por ajo që i kishte lënë shumë përshtypje ishte shtëpia e Ismajl Pashës. Shtëpia e Ismajl Pashës në Leskoc dhe shtëpia e Mahmut Begollit në Pejë, janë më të njohurat në tërë Shqipërinë. Pra siç shihet në ato vite e deri në vitin 1878, tërë Sanxhaku i Nishit quhej Shqipëri, madje edhe vet serbët e quanin Arnautlluk (Shqipëri).

Dëshmi e shkruar nga Georg Von Hahn, për arkitekturën popullore shqiptare, dhe se Leskoci në ato vite konsiderohej si qytet shqiptar.

Shqiptarët e këtij rajoni, ishin të njohur si tregtar të zotët dhe ndërtues të mirë të objekteve të banimit. Shtëpitë e bejlerëve shqiptar të ndërtuara në Krushec, Leskoc dhe Vrajë sot ruhen si objektet ma arkitekturën më të zhvilluar gjatë shekullit XVIII e XIX, dhe janë shndërruar si muze të këtyre qyteteve.

Të gjitha këto argumente shtesë janë dëshmi tjera se popullata që jetonte në mes të Leskocit-Prishtinës dhe Shkupit ishte shqiptare e besimit ortodoks, katolik dhe mysliman, andaj bazuar edhe në të dhënat për biografinë e familjes së Urosheviçit na shtynë të mendojmë se me qëllim është fshehur origjina e saj shqiptare.

Nga të gjitha burimet e përmbledhura për origjinën e familjes së Urosheviçit shtohet edhe një pyetje logjike: Si është e mundur që Atanasije Urosheviç të shkruaj për origjinën familjare gati të krejt popullatës së Kosovës e mos të lë shënime të sakta për origjinën e familjes së vet! A thua ky e dinte mirë se familja e tij nuk kishte pasur origjinë serbe, por që me dhunë ishte serbizuar si shumë familje të tjera?!

Të dalim prapë në temë rreth familjes së ngushte të Urosheviçit. Bazuar në burimet e shkruara, babai i tij quhej Kosta, ndërsa e ëma quhej Mara. Mara ishte bijë e familjes së Qamil Agës, familje që kishte prona dhe shtëpi të bukur në qytetin e Vushtrrisë.

Tani të mësojmë se kush ishte familja Qamili në qytetin e Vushtrrisë.

Për qytetin e Vushtrrisë kemi të dhëna se gjatë vizitës që i bëri në mesin e shekullit XVII, udhëpërshkruesi turk Evlija Çelebiu, shkruan se në këtë qytet flitet gjuha shqipe dhe ajo osmane, ndërsa nuk fliten gjuhët sllave. Kjo e dhënë na njofton për të kuptuar se në atë kohë nuk kishte popullatë sllave në këtë qytet, madje Çelebiu këtë trevë e quante Albani (Shqipëri).

Nga burimet historike mësojmë se si në shumë qytete ashtu edhe në qytetin e Vushtrrisë, gjatë shekullit XIX, për ortodoksët, ishin hapur shkolla serbe me lejen e P. Osmane. Një numër i ortodoksëve që kishin vijuar mësimet në shkollën serbe të këtij qyteti, me kohë u serbizuan. Nga shkolla serbe e Vushtrrisë, të brumosur me nacionalizëm serbë, dolën edhe disa vojvodë serbë që bënë krime të mëdha ndaj popullatës shqiptare në fillim të shekullit XX e sidomos gjatë luftërave ballkanike.

Pasi në qytetin e Gjilanit nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe, edhe Urosheviçi, shkollën fillore e kreu në gjuhen serbe në qytetin e tij të lindjes.

Pas mbarimit të shkollës fillore në vitin 1910, e vazhdoi shkollën e mesme turke në qytetin e Prishtinës.

Lufta e Parë Ballkanike e gjeti atë në klasën e dytë në shkollën e mesme turke. Pasi ndërpritet mësimi në shkollën turke, ai kthehet në qytetin e tij të lindjes.

Mbishkrimi në objektin e shkollës serbë në Prishtinë në vitin 1959, dhe faksimile për faqet përmbledhëse të librit shkollor të Kosovës, i vitit 1884 në Prishtinë.

Urosheviç, në vitet shkollore 1913/14, i vazhdon mësimet në shkollën e mesme serbe në Shkup. Ai në Shkup u regjistrua në klasën e dytë dhe e mbaroi me sukses. Për shkak të Luftës së Parë Botërore, ai detyrohet të ndërpresë mësimet dhe të kthehet në familje. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ai e vazhdoi shkollimin në Shkup, ku shkollën e mesme e mbaroi në vitin 1922 dhe u regjistrua në Fakultetin Filozofik në këtë qytet, në degën Gjeografi dhe Etnologji. Ai i mbaroi studimet me 1926, dhe më pas ishte asistent i paspecifikuar në këtë fakultet; Më 1927 (pasi mbaroi shërbimin e tij ushtarak), ai u zgjodh asistent në të njëjtin fakultet, ku mori doktoratën në 1929. Gjatë viteve tridhjeta të shekullit XX, nuk kemi ndonjë të dhënë për aktivitetet e tij, por sipas të gjitha gjasave, aktivitetet e tij ishin punë profesionale, me të cilat ishte ngarkuar nga pushteti. Siç shihet ai gjatë Mbretërisë Serbo-Kroate –Sllovene, kishte marrë edhe gradë ushtarake, sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte oficer rezervë i ushtrisë së Mbretërisë, dhe arrestohet nga gjermanët, i cili lirohet me 10 prill të vitit 1945./ Vijon / Shkruan: Qazim Namani / KultPlus.com

Kompozitori: Artistët në kushte mizerable, politikanët gdhihen miliarderë, pa punuar një ditë!

Kompozitori Enver Shëngjergji rrëfen angazhimin e tij në muzikën e lehtë shqiptare. Artisti ndalet dhe tek problematikat, që shqetësojnë sot muzikantët shqiptarë.

Pasioni dhe dëshira e tij për të qenë pranë publikut na bën të mendojmë, se Enver Shëngjergji ndonëse ka më shumë se 40 vjet krijimtari në muzikën e lehtë shqiptare, nuk është shkëputur asnjëherë prej saj. Për “ReportTV” artisti u rikthehet bashkëpunimeve të para, me këngëtarët Naim Kërçuku, Bashkim Alibali, Marjana Leka apo Alida Hisku, të cilët u kanë dhënë zë këngëve të tij.

 “Nuk është se unë isha i vetmi i talentuar, por ishte edhe fati. Mua fati më bëri që të godasë me këngën e parë, që e ka kënduar Naim Kërçuku “Udhëtuam së bashku”. Ishte koha e aksioneve, kur rinia jetonte, punonte, por dhe dashuronte, prandaj dhe kënga gjeti mëshirim tek brezi i ri”, rrëfen Enver Shëngjergji.

Gjatë dy muajve të pandemisë COVID 19, artisti u rikthye me disa koncerte live në rrjete sociale, me këngët “Vajzat e fshatit tim”, “Mbrëmja e fundit” edhe shumë këngë të tjera, ku mes tyre veçon “Ninullën”, e cila është bërë për të gjitha nënat shqiptare.

 “Periudha e pandemisë më mbushi një boshllëk, që mos ta ndieja veten të vetmuar unë kam bërë disa koncerte. Ndonëse, të gjithë thonë që nënës i dhimbsen të gjithë fëmijët njësoj, por unë mbi ‘Ninullën’ nuk vë asnjë”, shprehet kompozitori.

Shëngjergji na rrëfen edhe atë çka ndodhi me krijimtarinë muzikore, pas viteve ’90

“Të mohosh të renë është nihilizëm, edhe unë këtë se bëj, por ka një gjë, se një e re që lind nëse nuk ka një taban, nuk i reziston kohës, është pa vlerë. Sikundër edhe një popull që nuk njeh prejardhjen e tij, s’mund të quhet shqiptar”, thotë Shëngjergji.

Një tjetër, problematikë e madhe për artistin është edhe mosnjohja e të drejtës së autorit, që për 30 vjet u është mohuar artistëve.

“E drejta e autorit?! Ka disa media që nuk paguajnë, krijimtaria jonë merret, ekzekutohet edhe ne nuk kemi asnjë qindarkë. Unë nuk pres që të marrë këtë, të më rrojnë fëmijët që më kanë ushqyer edhe më kanë paguar ilaçet. Por nuk është e drejtë që një brez si yni të vuaj. Unë thashë, që për vete nuk vuaj, por ka artistë që vuajnë për bukën e gojës. Qeveritarët kanë 30 vjet që vjedhin, çfarë nuk bëjnë, por për këtë të drejtë nuk kanë bërë asnjë gramë, me përjashtim të Albautor, që prej dy vitesh kanë nisur të na japin nga një thërrmijë”, përfundon Shëngjergji. 

Kompozitori përfundon se artistët e rinj nuk duhet të harrojnë gjuhën dhe identitetin shqiptar, të cilat më së miri gjenden në folklorin tonë, ndryshe ata do mbeten vetëm flluska sapuni të përkohshme. / KultPlus.com

Bebe Rexha rrëfen për betejën e prindërve me koronavirusin

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, ka konfirmuar se prindërit e saj kishin koronavirusin.

Në muajin mars, krijuesja e hitit “Meant to be” përmes Twitterit, kishte bërë të ditur se një mik i saj kishte vdekur nga virusi vdekjeprurës dhe kishte kërkuar nga fansat që të mbajnë distancën, si formë e parandalimit të përhapjes së pandemisë.

Në fund të muajit maj, Bebe Rexha, ka bërë të ditur se prindërit e saj ishin të prekur me COVID-19.

“U sëmurën dhe kishin probleme tre javë rresht dhe unë isha pa qejf”, ka thënë këngëtarja për emisionin “Extra”, transmeton KOHA.

30-vjeçarja jeton në Los Angeles ndërsa prindërit në New York. Gjatë emisionit ka pranuar se po mendonte të voziste veturën me qëllim që të jetë me prindërit.

“Mendoja të vozisja krejt kohën që të shkoja të kujdesesha. Ata nuk u pajtuan që të shkoja me vëllain, por në fund u këndellën”, ka thënë Bebe Rexha.

Gjatë izolimit, këngëtarja ka shfrytëzuar kohën për të gatuar dhe për të bërë receta të reja. Mirëpo ka konfirmuar se do të vazhdojë punën muzikore, aty ku e ka lënë.

“Në dy vjetët e fundit kam punuar dhe ndodhi koronavirusi. Çdo gjë është bllokuar. Fansat e mi janë të pakënaqur, por u kam premtuar se do t’ia vlejë. Albumin e ri e dua më shumë se të tjerët”, ka thënë Bebe Rexha. / KultPlus.com

‘Le Matin’ më 1921: Më shumë se një vit pas vrasjes, trupi i Esat Pashës gjendet ende në morg në Paris

Nga Aurenc Bebja

“Le Matin” ka botuar, të martën e 25 tetorit 1921, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me trupin e pajetë të Esat Pashë Toptanit, më shumë se një vit pas vrasjes, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Trupi i Esat Pashës është ende në morg

Kujtojmë ende vdekjen e gjeneralit Esat Pasha, ish-diktatorit të Shqipërisë, i cili, më 13 qershor 1920, u vra me revolver, në rrugën Rivoli, nga një prej bashkatdhetarëve të tij.

Trupi i gjeneralit fatkeq u transportua më pas në hotelin që kishte marrë me qira, Vila Said, dhe mbeti aty dy ditë, i ekspozuar në një katafalik. Pastaj, në pritje të ardhjes së gruas së tij, e cila do të vendoste për datën e varrimit, trupin e gjeneralit shqiptar e dërguan në morgun e qytetit të Parisit.

Por, pasi familja e tij që jeton jashtë vendit nuk e ka kërkuar kurrë trupin e tij, Esat Pasha është akoma duke pritur, midis katër fletëve plumbi dhe katër dërrasave abanozi, në fillim të rrugës Aubervilliers, që ta dërgojnë në shtetin e tij.

Në morg, na deklaruan :

— Ne nuk kemi pse të shqetësohemi për gjeneralin. Ai është në një sallë të ajrosur mirë dhe po presim vetëm një fjalë nga gruaja e tij që ta nisim me tren në destinacion të Shqipërisë. Ne marrim çdo muaj, përmes një banke, 45 franga të parashikuara nga rregullorja për kujdesjen e trupit. Ne nuk kërkojmë më shumë…

— Por, për sa kohë ju mund të mbani arkivolin ?

— Rregullorja nuk parashikon një datë. Ne do ta mbajmë atë për aq kohë sa familja paguan. Dyqind vjet, në qoftë se i pëlqen të paguajë 45 franga gjatë dymbëdhjetë muajve për dy qind herë…

— Po sikur familja të mos paguajë më ?

— Atëherë do ta varrosnim trupin në “transhenë e lirë”…

https://ëëë.darsiani.com/la-gazette/le-matin-1921-me-shume-se-nje-vit-pas-vrasjes-trupi-i-esat-pashes-gjendet-ende-ne-morg-ne-fillim-te-rruges-aubervilliers-ne-paris/

Kryekuzhinierja Fatime Zogiani, punonjësja e ditës: Kontribuoi në shërbimin e shujtave për familjet në nevojë

Komuna e Prishtinës ka shpallur sot punonjësen e ditës. Përmes një postimi në Facebook ata kanë njoftuar që Fatime Zogiani e meriton një gjë të tillë sepse gjatë gjithë periudhës së pandemisë, pa hezitim ka kontribuuar në shërbimin e shujtave të ngrohta për familjet në nevojë, shkruan KultPlus.

“Gjatë periudhës së pandemisë, kryekuzhinierja jonë nga kuzhina qendrore, Fatime Zogiani pa hezitim ka kontribuar në shërbimin e shujtave të ngrohta për familjet dhe individët që kanë nevojë për tu ushqyer. Faleminderit shumë për kontributin e vazhdueshëm edhe gjatë kësaj periudhe.

Të jemi mirënjohës gjithmonë!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Twitter e merr një hap të jashtëzakonshëm: Ia bllokon Presidentit Trump një postim

Twitter ka lajmëruar se kanë bllokuar një postim nga Donald Trump për shkelje të politikave (rregullave) të Twitter-it, më saktësisht “glorifikimin e dhunës bazuar ne kontekste historike të frazës së fundit në postim.

Thuhet se lidhja e këtij postimi (tweet) me dhunën nënkupton që “ekziston mundësia që njerëzit të inspirohen për vepra të ngjashme”.

Postimi i Trump ndër të tjera përmbante fraza si : “banditët” po turpërojnë kujtimin e George Floyd.

Fraza e fundit ne postim thoshte se “grabitjet fillojnë, te shtënat fillojnë”.

Presidenti Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv për kompanitë e mediave sociale

Duke përshkallëzuar luftën e tij me kompanitë e mediave sociale presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten që sfidon mbrojtjen ndaj detyrimeve ligjore që këto kompani kanë për materialet e postuara nga përdoruesit e tyre.

Megjithatë, masa duket se ka të bëjë më shumë me politikën sesa substancën, pasi presidenti kërkon të mbledhë pas vetes mbështetësit e tij pasi ai sulmoi Twitter-in për aplikimin e konceptit të kontrollit të fakteve në dy nga postimet e tij.

Presidenti Trump tha se kontrollet e fakteve ishin “vendime editoriale” nga Tëitter dhe kishin të bënin me një aktivizëm politik.

Ai tha se kjo lëvizje do t’u kushtojë kompanive të mediave sociale mbrojtjen nga paditë për ato që janë postuar në platformat e tyre.

Trump, i cili personalisht mbështetet shumë tek Tëitter-i për të sulmuar armiqtë e tij, ka akuzuar prej kohësh gjigantët e teknologjisë në Silicon Valley që anojnë nga liberalët, se po vënë në shënjestër konservatorët duke i kontrolluar ose duke hequr postimet e tyre. / KultPlus.com

Vdiq njeriu më i moshuar me rekord “Guinness”, jetoi në dy luftërat botërore

Njeriu më i vjetër në botë që jetoi në dy luftërat botërore ka vdekur në moshën 112 vjeçare.

Bob Weighton vdiq pas një beteje të guximshme me kancerin, konfirmoi familja e tij dje pasdite.

Weighton, i cili lindi në vitin 1908, kishte festuar ditëlindjen e tij në mars në shtëpi në Alton, Hampshire.

Ai lindi në Hull, East Yorkshire, jetoi në periudhën e gripit spanjoll, dy luftërat botërore dhe 25 Lojërave Olimpike Verore.

Weighton fitoi Rekordin Botëror Guinness në mars të këtij viti pas vdekjes së burrit japonez Chitetsu Watanabe.

Ai la pas tre fëmijë, 10 nipër e mbesa dhe 25 stërnipër e stërmbesa.

Dumitru Com nescu, nga Rumania, tani është njeriu më i vjetër në botë, me moshë 111 vjeç dhe 202 ditë.

Weighton festoi ditëlindjen e tij të 112-të në mars në fillim të bllokimit, megjithëse ai e festoi vetëm atë për shkak të shpërthimit të Covid-19.

Duke folur në atë kohë, ai tha: “Nuk ka festime për ditëlindjen, të gjitha ato janë anuluar. Unë jam në izolim. Më pëlqen të takoj njerëz të rinj, kështu që nuk ka qenë ideale, por nuk më shqetëson shumë ditëlindja.”

Weighton ishte gjashtë vjeç kur filloi Lufta e Parë Botërore në 1914.

Ai më parë tha: “Mbaj mend ushtarët që marshonin nëpër rrugë dhe sulmet ajrore të Zeppelin. Ne u bombarduam në Hull, si dhe në Londër. Gjatë bastisjeve të para, mbaj mend që u fsheha nën shkallë në korridor.”

Pasi la shkollën, ai ndoqi gjurmët e xhaxhait të tij inxhinier dhe kaloi tre vjet në industrinë e ndërtimit të anijeve në Tyneside.

Ai më parë tha: “Kur dola nga praktika ime nuk pata absolutisht punë”.

Kështu që u bë vullnetar, dha mësim jashtë vendit dhe u bashkua me një program misionar në 1933, duke shkuar të mësonte anglisht në një shkollë djemsh në Tajvan. Pak para se të nisej, ai takoi gruan e tij Agnes. Pasi u martuan katër vjet më vonë në Hong Kong, ata u zhvendosën në Kanada dhe më pas në Amerikë, ku Bob punoi si inxhinier dhe përkthyes para se të transferohej përsëri në Mbretërinë e Bashkuar në 1946.

Tre fëmijët e tyre kanë lindur të gjithë jashtë vendit. David në Tajvan, dhe më pas Peter dhe Dorothy në Kanada gjatë dy viteve në vijim.

Mjerisht, pas 50 vjet martese, Agnes vdiq në 1995 nga një sulm në zemër. / KultPlus.com

Dorën e zgjatur e tremb vetëm fjala

Poezi nga Sarandë B. Rugova

Nën mëshirën e fatit
Nën shpresën e qiellit
Mbi forcën e tokës
Bredhin rrugëve
Ca shpirtëra të ftohtë
Nën kërkim të rrezeve të diellit

Në barrën e shpinës
U rëndojnë bagazhet e vuajtjet
Nuk e di cila është më e rënd
Shtëpia të cilën mbi supe peshon
Apo vuajtjet që në shpirt i vrajnë
Bredhjet nuk kanë fund
Në mbrëmje trenat bëhen strehim
Aty dimrit ku gjejnë ngrohtësinë
Ndërsa verës freskinë

Dora e tyre e zgjatur
me shikimin e tyre të ndrojtur
kërkojnë mëshirë
kërkojnë ndihmë
dhe lusin për dashni,
dashni
dashni

Çdo fjalë e tyre
Çdo heshtje që rënkon
Çdo rrudhë në fytyrë
Flet për jetën e tyre
Dhe jetën tonë
Të gjithë jemi sëbashku në këtë botë
Por disa na ndau pasuria
E disa mëndjemadhësia
Disa pushteti
Disa gurbeti
Ndërsa, disa vetëm disa
I ndau varfëria

Ju lutem një strehë për bredhësit
Një kulm për të pashtëpitë
Një mirësjellje për lypësit
Një shpresë për nevojtarët

Dhe në fund të rrezatoj dielli
Të mbretërojë qetësia
Se njeriu është qenie
Që jeton nga dashnia. /KultPlus.com

Shishja e rrallë e konjakut shitet për më shumë se 118 000 stërlina në ankand

Një shishe me konjak tejet e rrallë, nga “Maison Gautier”, që daton nga shekulli XVIII, u shit sot për më shumë se 118 000 stërlina (131 000 euro) nga Sotheby’s, një rekord në këtë fushë, njoftoi shtëpinë e ankandit.

E quajtur “Vëllai i madh”, ajo është një nga tri shishet e fundit të konjakut “Gautier” 1762 që kanë mbetur deri më sot, si edhe më e madhja.

Sipas Sotheby’s, shishet kanë qenë të trija pronë e së njëjtës familje, për breza me rradhë, që nga fundi i shekullit XIX.

Ashtu si “Vëllai i Madh”, “Vëllai i Vogël” u shit në ankand në Nju Jork, në vitin 2014, ndërsa “Motra e Vogël” ruhet në Muzeun “Gautier, në jugperëndim të Francës./ /ervo/ KultPlus.com

Parku Kombëtar Bredhi i Drenovës, destinacion i vizitueshëm për turizmin familjar dhe sportet e aventurës

Parku Kombëtar Bredhi i Drenovës, një perlë e natyrës në Korçë do të shndërrohet në një destinacion të vizitueshëm për turizmin familjar dhe sportet e aventurës.

Bashkia Korçë, bën të ditur se, ka nisur projektin për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës së nevojshme në këtë park, që e bën më të aksesueshëm nga vizitorët dhe turistët.

“Rehabilitimi i rrugës, sinjalistika, hapësira për piknik, pika e hedhjes me parashutë dhe markimi i shtigjeve për të shëtitur do të realizohen si një bashkëfinancimin i bashkisë Korçë dhe fondeve IPA të Bashkimit Europian për ta kthyer Bozdovecin në një prej zonave natyrore më të frekuentuara për banorët dhe turistët”, thuhet në njoftimin e bashkisë Korçë.

Bredhi i Drenovës është një park kombëtar në Qarkun e Korçës që ka një sipërfaqe prej 1,380 hektarë me një bimësi të veçantë dhe reliev të thyer natyror. /KultPlus.com

Shkrimtarja Mizuho Ota rrëfen për udhëtimin në Shqipëri: Më vjen keq që u ktheva në Japoni

Shkrimtarja japoneze Mizuho Ota e njohur për udhëtimet e saj nëpër botë dhe kulturat e ndryshme, vijon serinë e saj të shkrimeve për Shqipërinë në faqen japoneze te internetit asahi.com.

Pas Sarandës, Mizuho ka shkruar për traditën shqiptare dhe ushqimin shqiptar.

Mizuho shprehet se i ka shijuar shumë qoftet dhe birrat në shesh, ushqim që në Japoni nuk e kishte provuar kurrë.

“Në Shqipëri, të cilën e kam vizituar dy herë deri më tani, më vjen ende keq që u ktheva në Japoni pa realizuar setin e shumëpritur të tre pjesëve të “Qofte dhe birrë në tarracë”. Sa herë që shkoja në treg në Tiranë, shikoja një grup njerëzish që hidhnin mish të pjekur në skarë dhe pinin birrë në orët e para të pasdites. Sidomos nëse një fllad i këndshëm dhe me diell kalonte midis çadrave dhe erën e këndshme të mishit të pjekur në skarë”, shkruan Ota, e cila këtë pjesë e quan “Shesh, qofte, birra” dhe që dëshiron shumë ta provojë në Shqipëri kur të vijë herës tjetër.

Pasi përshkruan me një gjuhë të thjeshtë shijimin e kësaj menyje në Tiranë, Mizuho vendos të bëjë qofte vetë në Japoni.

“Kur u njoha me ambasadorin Teneqexhiu për një punë në fund të vitit të shkuar dhe bisedova për udhëtimin tim në Shqipëri ai më tha: Nëse keni ndonjë pyetje, ju lutem më pyesni në çdo kohë”.

Megjithëse kërkesa ime ishte e papritur, ai u tregua i gatshëm të më mësonte recetën e gruas së tij Elona në Tiranë”, shkruan ajo./atsh/ KultPlus.com

Emerson: Kurrë asgjë e madhe nuk është arritur ndonjëherë pa entuziazëm

“Njëra ndër bekimet e miqësisë së vjetër është se me ta mund të bësh edhe budallallëqe.”

“Ajo që qëndron pas nesh dhe ajo qëndron para nesh janë çështje të vogla në krahasim me atë që qëndron brenda nesh.”

“Nuk ka rëndësi gjatësia e jetës, por thellësia e saj.”

“Në këtë botë është e lehtë të jetosh mbas opinionitë të saj; në vetmi është e lehtë të jetojmë mbas opinionit tonë; mirëpo njeri i madh është ai i cili në mes në turmës, me një ëmbëlsi të përkryer e ruan pavarësinë e vetmisë.”

“Përvetësoje ritmin e natyrës; sekreti i saj është durimi.”

“Kurrë asgjë e madhe nuk është arritur ndonjëherë pa entuziazëm.”

“Njeriu i cekët beson në fat dhe rrethana; njeriu i fortë beson në shkak dhe pasojë.”

“Një hero nuk është më shumë trim se sa një njeri i zakonshëm, mirëpo ai është më trim vetëm 5 minuta më gjatë.”

“Njerëzit nuk duket se po e kuptojnë që opinion i tyre për botën, është gjithashtu një rrëfim për karakterin e tyre.”

“Paqja nuk mund të arrihet përmes dhunës, ajo mund të arrihet vetëm përmes mirëkuptimit.”

“Lakmia është injorancë. Imitimi është vetëvrasje.”

“Mendja, kur njëherë tërhiqet nga një ide e re, ajo kurr më nuk kthehet në dimenzionin e saj të mëparshëm.”

“Asgjë nuk mund t’ua sjell paqen përveç vetes suaj; Asgjë nuk mund t’ua sjell paqen përveç triumfit të parimeve.”

– Ralph Waldo Emerson

Ralph Waldo Emerson (1803-1882), the American poet and essayist, author of English Traits (1856) and Society and Solitude (1872). (Photo by © Hulton-Deutsch Collection/CORBIS/Corbis via Getty Images)

Prizrenasja përfaqëson Zvicrën për çmimin e madh letrar “Bachmann”

Shkrimtarja nga Berna Meral Kureyshi së bashku me Levin Westwermann është pjesë e përfaqësimit zviceran në konkurrencë për çmimin letrar “Bachmann” të këtij viti, shkruan albinfo.ch.

Të kujtojmë: Meral Kureyshi është shkrimtare tashmë e shquar zvicerane, me prejardhje nga Kosova, gjegjësisht pjesëtare e pakicës turke të Prizrenit, qytetit ku është lindur. Ajo ka ardhur në Zvicër në fillim të viteve `90 të shekullit të kaluar, në moshën 10 vjeçare.

Kureyshi shkruan në gjuhën gjermane dhe ka vepra e saj e deritashme letrare i ka siguruar një vend të nderuar në letërisnë që krijohet në Zvicër, shkruan albinfo.ch. Suksesin më të madh e ka arritur me romanin e saj të parë “Elefanten im Garten” (Elefantët në kopësht), të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, nga Enver Robelli, në vitin 2019.

Në vitin 2015 ajo me këtë roman kishte hyrë në rrethin e ngushtë për të fituar çmimin më të madh letrar të Zvicrës. albinfo.ch kishte zhvilluar intervistë të zgjeruar me autoren, në vitin 2015. (https://www.albinfo.ch/me-elefantet-ne-kopsht-nga-prizreni-ne-berne/)

Siç ka njoftuar të enjten transmetuesi publik ORF, fituesja e vitit 2016, Sharon Dodua Otoo do të mbajë fjalimin që hap tradicionalisht ditët e letërsisë në gjuhën gjermane.

“Të gjithë ata nuk mund të vijnë në Klagenfurt në këtë vit të jashtëzakonshëm të konkursit të 44-të, përfshirë dhe jurinë, duhet të zhvillojnë diskutimet e tyre nga distanca, megjithëse live”, thuhet në lajmin e ORF-së.

Cimi “Ingeborg Bachmann” është dhënë që nga viti 1977 në kujtim të shkrimtares Ingeborg Bachmann (1926-1973), të lindur në Klagenfurt, dhe konsiderohet një nga çmimet letrare më të njohura në botën gjermanofolëse, transmeton albinfo.ch. 14 autorë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra marrin pjesë për çdo vit në konkurs.

Për shkak të pandemisë, ditët e letërsisë në gjuhën gjermane tani mbahen në formë dixhitale. Leximet e autorëve janë regjistruar paraprakisht. Sidoqoftë, juria do të diskutojë tekstet drejtpërdrejt. Për këtë qëllim, janë instaluar sistemet e kamerave në zyrat e anëtarëve të jurisë.

Hapja e ditëve të letërsisë në gjuhën gjermane më 17 qershor do të transmetohet në internet, dhe konkursi mund të ndiqet në 3sat në ditët në vijim, transmeton albinfo.ch. Ceremonia e diskutimit përfundimtar dhe ndarjes së çmimeve është planifikuar për të dielën, 21 Qershor, nga 11 e mëngjesit. / KultPlus.com

Pjesë nga fjalimi i famshëm i Gandit “To the women of India”

“Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje; është padrejtësia e mashkullit ndaj femrës. Nëse me forcë nënkuptojmë forcën brutale, atëherë po, është e vërtetë që femra është më pak brutale se mashkulli.

Por, nëse me forcë nënkuptojmë forcën morale, në këtë pikë gruaja është jashtëzakonisht më superiore se mashkulli. A nuk ka ajo intuitë më të madhe? A nuk është ajo më vet-sakrifikuese? A nuk ka ajo forcë më të madhe të rezistencës? A nuk ka ajo guxim më të madh?

Pa gruan, mashkulli nuk do të ishte. Nëse jo-dhuna do të ishte ligji i qënjes tonë, e ardhmja do të ishte me gruan. Kush mund ti bëjë më shumë thirrje zemrës se sa gruaja?

Mahatma Gandhi, pjesë e shkëputur nga fjalimi “To the Women of India”, 4 tetor, 1930

William Arthur Ward: Pedagogu mediokër tregon; pedagogu i mirë shpjegon; pedagogu i shquar frymëzon

“Djalosh, prej atij që ke mësuar të flasësh, përse nuk ke mësuar edhe të heshtësh?”
– Demosteni

“Një mësimdhënës që synon të japë mësim pa i frymëzuar studentët me dëshirën për të mësuar, i ngjan atij që rreh me çekan një hekur të ftohtë.”
– Horace Mann

“Kush guxon të jap mësim, kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari.”
– Dana J. C.

“Arsimimi e bënë një popull të lehtë për t’u udhëhequr, por të vështirë për tu sunduar; të lehtë për t’u qeverisur, por të pamunduar për tu skllavëruar.”
– Henry Peter Brougham

“Akademikët pëlqejnë të japin përfundime, por jo të marrin vendime.”
– Noel Annam

“Nëse i njeh mjetet për të forcuar trupin, për të kalitur vullnetin, për të fisnikëruar zemrën, për të përsosur trurin dhe për të ekuilibruar arsyen, do të thotë se je edukator i vërtetë.”
– Sh. Leturno

“Pedagogu mediokër tregon; pedagogu i mirë shpjegon;  pedagogu i shquar frymëzon.”
– William Arthur Ward

“Njeriu që është i aftë t’i bëjë gjërat e rënda të duken të lehta është edukator.”
– Ralph Waldo Emerson

“Kurrë nuk e harrojmë atë që e mësojmë me kënaqësi.”
– Alfred Mercier

“Është e mundur që dituria të krijoj probleme, por ato nuk mund t’i zgjidhim nëpërmjet paditurisë.”
– Isaac Asimov

Meta vlerëson me titullin “Mjeshtër i Madh”, aktorin Kastriot Çaushi

Presidenti i Republikës ka vlerësuar me Titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e shquar Kastriot Çaushi, i cili ka portretizuar në filmin shqiptar, veç shumë e shumë personazhesh të tjerë historikë, edhe Heroin e Popullit Vasil Laçi.

Motivacioni që shoqëron dhënien e këtij titulli të lartë është: “Për kontributin e shquar në artin skenik dhe në kinematografinë shqiptare, si dhe për edukimin artistik të shumë brezave artistësh të rinj.

I dalluar për nivelin e lartë të interpretimit me profesionalizëm në saje të talentit të tij të veçantë e të spikatur, në krijimin e personazheve të arritur artistikisht dhe të paharruar për publikun shqiptar”.

Në ceremoninë solemne të organizuar në Presidencë, Kreu i Shtetit theksoi se, “kam nderin të dekoroj me titullin Mjeshtër i Madh, një personalitet të shquar të kinematografisë shqiptare, profesor Kastriot Çaushin, ai i cili e portretizoi më së miri figurën e Vasil Laçit, këtij Heroi të Popullit, në filmin ‘Plumba Perandorit’ të regjisorit të shquar Mevlan Shanaj.

‘Më jepni një krehër’ mbetet një nga momentet më ikonike të kinematografisë shqiptare, por edhe më prekëse për publikun shqiptar. Sikurse edhe shumë interpretime të tjera të tij në filmat ‘Apasionata’, ‘Shirat e Vjeshtës’, ‘Nusja dhe Shtetrrethimi, ‘Liri a Vdekje’, ‘Qortimet e Vjeshtës’ e shumë filma të tjerë, të cilët në Shqipërinë e viteve ’80-të frymëzuan brezat e asaj kohe mbi artin e vërtetë, dhe shërbyen si shtysë për shumë të rinj e të reja të ndiqnin rrugën e aktrimit apo artit skenik.

Profesor Kastriot Çaushi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në artin, kinematografinë dhe dramaturgjinë shqiptare.

Në repertorin e tij të pasur shquhen edhe interpretimet teatrale në Teatrin Skampa, Teatrin Kombëtar, dhe Teatrin e Akademisë së Arteve, me role të rëndësishme, përfshirë edhe ato shekspiriane, si në kryeveprat ‘Romeo dhe Zhulieta’ dhe ‘Rikardi i Tretë’.

Profesor Çaushi është i njohur nga publiku shqiptar edhe si prezantues artistik, bashkautor librash mbi aktrimin, dhe prej shumë dekadash ka kontribuar në kultivimin e aktorëve të rinj si pedagog në Akademinë e Arteve, dekan në Fakultetin e Artit Skenik dhe rektor në Universitetin e Arteve, një institucion i arsimit të lartë të cilin ai e ka drejtuar me shumë sukses dhe profesionalizëm”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh se, “krijimi i një marrëdhënie të ngushtë me audiencën është zemra e aktrimit. Kastriot Çaushi ka prekur ndër vite zemrat e shqiptarëve përmes roleve të tij të mrekullueshme, të cilat jo vetëm kanë treguar një mjeshtëri të madhe artistike por kanë transmetuar edhe mesazhe vlerash shoqërore, patriotizmi dhe virtytesh njerëzore, duke krijuar një marrëdhënie të ngushtë me audiencën e disa brezave dhe duke e bërë atë një prej aktorëve më të dashur dhe më popullorë për shqiptarët.

Kinematografia dhe teatri shqiptar kanë nxjerrë ndër vite aktorë të shquar të cilët ia kushtuan jetën e tyre artit dhe publikut. Ne nderojmë e kujtojmë të gjithë artistët, aktorët dhe regjisorët shqiptarë ndër vite, të cilët janë një pasuri e vërtetë dhe e çmuar kombëtare.

I kujtojmë të gjithë ata, sot më shumë se sa kurrë, pasi gjatë këtyre viteve, e sidomos ditëve të fundit, janë parë nga një audiencë jo vetëm shqiptare, duke përjetuar një dramë të vërtetë që ka tronditur të gjithë opinionin ndërkombëtar.

Protagonistë realë të një tragjedie, indiferentizmi dhe përçmimi për fat të keq nga institucionet – të dhunuar në bulevard apo të shoqëruar me pranga në rajonet e Policisë.

‘Vlerësimi universal i artit u përket atyre vendeve dhe atyre epokave që nuk sundohen nga materializmi’, – ka thënë një personalitet i shquar, ndaj edhe sot artistët, aktorët, regjisorët, meritojnë respekt dhe vëmendje maksimale, pasi ata janë shpirti dhe talenti i shoqërisë sonë.

Qytetet e Shqipërisë duhet të kenë më shumë teatro dhe kinema, dhe jo të shkatërrohen edhe ato pak që kemi trashëguar, sepse shoqëria jonë ka një nevojë të madhe për tempuj kulture, që ushqejnë, edukojnë dhe frymëzojnë rininë shqiptare të ndjekë rrugën dhe misionin e artit dhe të njohë trashëgiminë tonë kulturore dhe kombëtare.

Që të rinj e të reja të ecin në gjurmët e artistëve dhe aktorëve të mëdhenj të skenës dhe kinematografisë shqiptare, si Mjeshtri i Madh Kastriot Çaushi dhe një numër i madh personalitetesh të tjera të shquara të kësaj fushe, për të cilët ne do krenohemi gjithmonë, e që do mbeten të paharruar në zemrat dhe kujtimet e të gjithë shqiptarëve”, tha në fjalën e tij Presidenti Meta. Atsh / KultPlus.com

Komuna e Vushtrrisë i ndan titullin “Nderi i Qytetit” të gjithë punëtorëve shëndetësor

Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë sot me vendim unanim i ka ndarë titullin “Nderi i Qytetit”, të gjithë punëtorëve shëndetësor të kujdesit primar në Vushtrri për heroizmin e tyre në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, njofton Komuna e Vushtrrisë.

Ky titull i është ndarë edhe Idriz Asllani, bashkëluftëtarë i komandantit legjendar Adem Jashari. / Klan Kosova / KultPlus.com

Provimi i Maturës Shtetërore do të mbahet më 4 korrik

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar të enjten se Provimi i Maturës Shtetërore do të mbahet më 4 korrik.

“Në dokumentin ‘Informata, udhëzime dhe rregulla për kandidatët (maturantët) – për Provimin e Maturës Shtetërore 2020’, i cili është miratuar nga Komisioni Shtetëror i Maturës, janë elaboruar informacionet dhe shpjegimet përkatëse rreth këtij procesi ku përfshihen: afatet me rëndësi, informatat dhe rregullat e përgjithshme, organizimi kohor për ditën e testimit, rregullat me rastin e futjes në qendrën e testimit, rregullat gjatë marrjes së udhëzimeve për testin, rregullat gjatë testimit, informata dhe udhëzime rreth testit, udhëzime për plotësimin e fletë-përgjigjes, etj”, thuhet në njoftim.

Sipas MASHTI-t, meqë mbajtja e Provimit të Maturës Shtetërore 2020 realizohet në rrethana specifike si rezultat i pandemisë, në këtë dokument janë përfshirë edhe udhëzimet rreth masave parandaluese që lidhen me mbrojtje nga COVID-19.

Shkaku i pandemisë, shkollat në Kosovë janë mbyllur që nga mesi i marsit.

Studentët kërkojnë shtyrjen e vitit të ri akademik shkaku i provimeve të vonuara

Viti i ri akademik 2020/2021 në Universitetin e Prishtinës mund të mos nisë më 1 tetor, ashtu siç e parasheh Statuti i UP-së.

Kjo pasi që Parlamenti Studentor ka drejtuar një kërkesë që fillimi i tij të shtyhet për dy javë. Kërkesa është bërë për shkak se këtë vit mbajtja e provimeve në afatet e qershorit e shtatorit mund të marrë më shumë kohë sesa viteve të kaluara, pasi studentët duhet të ndahen në disa grupe për t’i respektuar masat e distancës sociale.

Sipas kryetarit të Parlamentit studentor, Bledian Geci, kjo shtyrje duhet të bëhet në mënyrë që organizimi i provimeve të mos interferojë me vitin e ri akademik. Ka thënë se presin që Universiteti ta miratojë kërkesën e tyre. Kurse, Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka bërë të ditur për KOHËN se kërkesa për shtyrjen e fillimit të vitit të ri akademik do të trajtohet të premten nga Senati.

Përveç tjerash, pritet të vendoset edhe për hapjen e afatit të provimeve të qershorit dhe mënyrën e mbajtjes së tyre. Koha.net / KultPlus.com

Ku i ke lulediejtë e tu Kosovë

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Ku i ke lulediejtë e tu Kosovë

Pranverës i munguan qengjat
e engjëjt që i bartëm mbi supe
vetëvrasje bënë

kur ra shiu

që njëherë kishte qenë shi

Lulediejtë ku i ke Kosovë

Dhembja për ata që shkuan në parajsë
krushq prej balte na bëri

derisa liria si nuse pret

ta zbret dikush
nga kali i vdekjes

Ku i ke lulediejtë ore lulediejtë ku të mbetën

Kjo tufë resh që si dele mitike i është qepur qiellit
s’pushon së përtypuri

atë trohë fytyrë të trishtë që ka mbetur nga dita
para këmbëve të këtij fëmije që dridhet
nën këmishën e përgjakur që ia fali jeta. / KultPlus.com

Rreziqet e indiferencës – një fjalim i papërsëritshëm nga Elie Wiessel!

Fjalimi i Elie Wiessel i mbajtur në vitin 1999 në Washington DC.

Pesëdhjetë e katër vjet më parë, një djalë i ri hebre nga një qytet i vogël diku në Karpate, u zgjua jo shumë larg vendlindjes së dashur të Gëtes, Wiemar, në një vend të mbuluar tashmë nga turpi i përjetshëm, famëkeqi Buchenwald. Më në fund ishte i lirë, por zemra nuk i gëzonte dhe mendonte se nuk do ta njihte dot më kurrë gëzimin.

I liruar një ditë më parë nga ushtarët amerikanë, ai kujtonte zemërimin e tyre për shkak të asaj që panë në atë vend. Edhe pse nuk e kuptonte gjuhën e tyre, sytë e atyre ushtarëve i thanë atë çfarë donte të dinte: që edhe ata do të kujtonin.

Tani që qëndroj para jush jam plot mirënjohje ndaj popullit amerikan. Jemi në prag të një mijëvjeçari të ri. Çfarë trashëgimie do të na lërë ky shekull që po lëmë pas? Si do të kujtohet në mijëvjeçarin e ri? Sigurisht që do të gjykohet, madje ashpër.

Dështimet e mëdha kanë hedhur një hije të madhe mbi njerëzimin: dy luftëra botërore, dhjetëra luftëra civile, atentatet ndaj udhëheqësve të botës, gjakderdhjet në Kamboxhia, Nigeri, Indi, Pakistan, Ruanda, Kosovë e Sarajevë; Hiroshima dhe sigurisht Holokausti. Kaq shumë dhunë! Kaq shumë indiferencë!

Është vallë e mundur ta shohësh indiferencën si një virtyt? Mos vallë është e domosdoshme ta praktikosh thjesht për të jetuar normalisht, ndërsa bota përreth përjeton trazira? Sigurisht, indiferenca mund të jetë tunduese. Është shumë më e lehtë të shmangësh ashpërsi të tilla. Mbi të gjitha është e lodhshme të përfshihesh në dhimbjen dhe dëshpërimin e dikujt tjetër….

Indiferenca e zvogëlon kaq shumë personin tjetër. Pas portave të errëta të Auschwitz-it, më i tmerrshmi dhe tragjiku ndër kampet naziste, ishin ata që i quanin “muselmanner”; të mbështjellë me ca batanije të grisura, shtriheshin në tokë me sytë drejtuar nga qielli, duke mos e ditur më se kush dhe ku ishin. Nuk ndjenin më dhimbje, uri apo etje; nuk kishin më frikë nga asgjë; ishin të vdekur dhe nuk e dinin akoma.

Të shtyrë nga tradita, disa prej nesh ndjenë se të braktisesh nga njerëzimi nuk është fundi i botës; mendonim se të braktisesh nga Zoti është më keq sesa të ndëshkohesh prej tij. Më mirë një Zot i padrejtë sesa një Zot indiferent. Për ne, të injoroheshim nga Zoti ishte ndëshkim më i ashpër sesa të ishim viktima të zemërimit të tij.

Mund të jetojmë larg Zotit, por jo jashtë tij. Zoti është kudo. Edhe në vuajtje? Po, edhe në vuajtje. Në një farë mënyre, të jesh indiferent ndaj asaj vuajtje është çfarë e bën njeriun jonjerëzor.
Indiferenca është më e rrezikshme se zemërimi dhe urrejtja.

Zemërimi, me raste, mund të jetë kreativ. Dikush shkruan një poemë të mrekullueshme, një simfoni, ose bën diçka speciale për njerëzimin sepse është i zemëruar nga padrejtësitë. Indiferenca nuk është kurrë e tillë. Edhe urrejtja, ndonjëherë, mund të shtyjë në përgjigje. Indiferenca nuk është përgjigje. Indiferenca nuk është fillimi, është fundi. Dhe si e tillë është gjithmonë mike e armikut, sepse i sjell përfitime agresorit, kurrë viktimës, dhimbja e së cilës shumëfishohet kur ndihet e harruar…

Indiferenca nuk është thjeshtë një mëkat, është ndëshkim. Dhe ky është një nga mësimet më të rëndësishme të nxjerra nga shekulli që po lëmë pas. Në vendin nga vij, shoqëria përbëhej nga tri kategori njerëzish: vrasësit, viktimat dhe indiferentët. Gjatë kohërave më të zymta, në kampet e vdekjes, ne ndiheshim të harruar, të braktisur.

Ngushëllimi ynë i vetëm ishte se ato kampe ruheshin mirë, se ishin sekret, se udhëheqësit e botës së lirë nuk e dinin çfarë ndodhte pas atyre gardheve. Nëse do ta dinin, – mendonim, – patjetër që do të lëviznin qiell e tokë për të ndërhyrë. Por më vonë mësuam se bota e dinte…

60 vjet më parë, njëmijë hebrenj që ishin në anije në St. Louis u kthyen mbrapsht. Ajo anije, që ishte në brigjet amerikane, u kthye. Nuk e kuptoj. Presidenti Ruzvelt ishte një njeri i mirë, me zemër të madhe. Ai i kuptonte ata që kishin nevojë për ndihmë. Çarë ndodhi? Pse kjo indiferencë?…

Ndërkohë, në këtë shekull traumatik ka pasur edhe ngjarje të mira: disfata e nazizmit, shembja e komunizmit, rilindja e Izraelit në tokën e paraardhësve…

Shpesh kujtoj atë djalin e vogël nga Karpatet, i cili e ka shoqëruar burrin që jam sot gjatë këtyre viteve të trazuara. Bashkë ne ecim drejt mijëvjeçarit të ri, të mbushur me frikë të thellë dhe shpresa të mëdha. Filozofia.al / KultPlus.com