Banka e Shqipërisë ka publikuar sot, foto të 2 monedhave numizmatike prej argjendi, në përkujtim të Ditës së Europës.
Në vitin 2001, për të nderuar përpjekjet dhe aspiratat e vendit tonë në rrugën drejt familjes së përbashkët evropiane, Banka e Shqipërisë ka prodhuar 2 monedha numizmatike prej argjendi, me temën “Integrimi i Shqipërisë në Europë”.
Dita e Europës, e mbajtur çdo vit më 9 Maj, është caktuar nga Bashkimi Europian për të festuar paqen, prosperitetin dhe unitetin e arritur brenda Europës.
Data shënon përvjetorin e deklaratës historike të Schuman-it. Në vitin 1950, në një fjalim të mbajtur në Paris, Robert Schuman, ministri i Jashtëm francez, shpalosi idenë e tij për një formë të re bashkëpunimi politik në Europë, e cila do të shmangte luftën mes kombeve të saj. Vizioni i tij ishte krijimi i një institucioni europian që do të bashkonte dhe menaxhonte prodhimin e qymyrit dhe çelikut.
Traktati që krijoi një organizëm të tillë (Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut) u nënshkrua vetëm një vit më vonë, më 18 prill 1951, në Paris. Propozimi i Schuman-it konsiderohet të jetë gjeneza e atij që ne sot e njohim si Bashkimi Europian. / atsh/ KultPlus.com
Tre libra Harry Potter të botimit të parë priten të nxirren në ankand këtë muaj me një çmim fillestar prej 18,000 paundë.
Një mësuese ishte ajo që i zbuloi librat, pasi ishin hedhur në këndin e librave të dhuruar në shkollën e saj në Buckinghamshire, transmeton KultPlus.
Ata përfshijnë një kopertinë të rrallë të botimit të parë të librit ‘Harry Potter dhe guri filozofik’.
3 librat e zbuluar janë pjesë të 500 botimeve të para të shtypura në botë. Ankandi do të mbahet online nga firma ‘Hansons Auctioneers’ në 21 maj. / KultPlus.com
A m’premton? Ditën qi të mos më duesh ma, ma thuej…. Çastin kur të mos e ndish me m’puth ma thuej… Flokun e parë qi t’mos e krehsh për mue ma thuej… edhe buzët e kuqe alli, kur ti lyesh për tjetërkend a kjoftë për inat tem’ Ma thuej…
A m’premton qi kur t’ikësh, për së dyti s’ke me u kthy? se zemna e vogel sa nji guralec s’duron dy t’vrame…
Të premten, në orën 12.00, në Vatikan, Papës iu dorëzua Çmimi Karli i Madh. Ishin të pranishëm kryetari i Parlamentit Europian, Martin Schultz; kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, kancelarja gjermane, Angela Merkel e shumë personalitete tjera.
Çmimi, me të cilin qyteti Aachen nderon çdo vit personalitete të dalluara për rolin e tyre në mbrojtje të vlerave, iu dorëzua Papës Françesku për angazhimin e tij në ndërtimin e Europës së paqes, themeluar mbi vlerat e përbashkëta, me porta të hapura për popujt e kontinentet e tjera. Kohët e fundit patën jehonë të thellë fjalët fuqimisht kritike, shqiptuar nga Ati i Shenjtë Bergoglio për kushtet në të cilat jetojnë refugjatët, në Kontinentin e vjetër.
Me këtë rast, Papa Françesku u drejtoi të pranishmëve këtë fjalim, sa akademik, aq edhe programatik, që prek problemet kyçe të Evropës:
Miq të Ndritur,
ju uroj nga zemra mirëseardhjen e ju falënderoj për praninë tuaj. U shpreh mirënjohjen time posaçërisht zotërinjve Marcel Philipp, Jürgen Linden, Martin Schultz, Jean-Claude Juncker e Donald Tusk për fjalët e mira. Dëshiroj ta kujtoj përsëri dëshirën time për t’ia dhuruar Europës këtë çmim të rëndësishëm, me të cilin nderohem: prandaj nuk po bëjmë një gjest kremtues, por po shfrytëzojmë rastin për t’i uruar së bashku Kontinentit të dashur një hov të ri e të guximshëm.
Fryma krijuese, gjenia, aftësia për t’u ringritur përsëri në këmbë e për të dalë nga kufizimet e veta, janë pjesë e pandarë e shpirtit të Europës. Në shekullin e kaluar ajo i dha njerëzimit dëshminë se gjithçka mund të fillohej nga e para: pas viteve të ndeshjeve tragjike, të cilat arritën kulmin me luftën më të tmerrshme që mbahet mend, zu fill, për hir të Zotit, një risi e pashembullt në histori. Hiri i gërmadhave nuk mundi ta shuajë shpresën, as kërkimin e tjetrit, që ndezën në zemrën e Etërve themelues, projektin evropian. Ata hodhën themelet e kështjellës së paqes, një ndërtese të ngritur nga Shtete, të cilat nuk u bashkuan me detyrim, por zgjodhën lirisht rrugën e së mirës, duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga ndeshja. Evropa, pas shumë përçarjesh, gjeti, më në fund, vetveten e nisi të ndërtojë shtëpinë e vet.
Kjo “familje popujsh”(1), që më pas u bë lavdërueshëm më e gjerë, kohët e fundit duket se po i ndjen më pak të vetat muret e shtëpisë së përbashkët, të ngritura nganjëherë duke u larguar nga projekti i ndritur arkitektuar nga Etërit. Ajo atmosferë risie, ajo dëshirë e zjarrtë për të ndërtuar bashkimin, duket sikur vijojnë të shuhen: ne, bijtë e kësaj ëndrre, tundohemi t’i nënshtrohemi egoizmit tonë, duke shikuar leverdinë e duke menduar të ngremë gjerdhe të veçanta. Gjithsesi jam i bindur se dorëzimi para vështirësive e kapitja nuk kanë të bëjnë me shpirtin e Evropës e se edhe vështirësitë mund të bëhen nxitëse të fuqishme të unitetit”. (2)
Në Parlamentin europian ia lejova vetes ta quaja Europën gjyshe. U thashë Eurodeputetëve se në të katër anët thellohet përshtypja e një Europe të lodhur, të plakur, shterpë, pa gjallëri, ku idealet e mëdha që e frymëzuan, e kanë humbur tashmë forcën e tyre tërheqëse; një Europe në rënie, që duket sikur e ka humbur aftësinë e saj krijuese. Një Europe, që tundohet më shumë për të siguruar e për të sunduar hapësira, sesa për të përftuar procese përfshirëse e shndërruese; një Europe, e cila po rrëmon llogore, në vend që të parapëlqejë aksione që nxisin gjallërimin e shoqërisë; gjallërim i aftë për t’i përfshirë e për t’i vënë në lëvizje të gjithë aktorët shoqërorë (grupe e individë) në kërkim të rrugëzgjidhjeve të reja për problemet aktuale, që sjellin fryte në ngjarje të rëndësishme historike: një Europe që, larg mbrojtjes së hapësirave, bëhet nënë e lind procese (krh Esort, ap. Evangelii Gaudium, 223).
Ç’të gjeti kështu, Europë humanistike, paladine e të drejtave të njeriut, e demokracisë, e lirisë? Ç’të gjeti Europë, tokë poetësh, filozofësh, artistësh, muzikantësh, letrarësh? Ç’të gjeti kështu, Europë, nënë popujsh e kombesh, nënë burrash trima e grash të dëlira, që ditën ta mbrojnë dinjitetin e vëllezërve e të japin edhe jetën për të?
Shkrimtari Elie Wiesel, që shpëtoi i gjallë nga kampet naziste të shfarosjes, thoshte se sot është themelore të realizohet “transfuzioni i kujtesës”. Është e nevojshme “të kujtojmë”, të largohemi për një çast nga e sotmja, për të dëgjuar zërat e paraardhësve. Kujtesa jo vetëm që do të ndihmojë të mos biem më të njëjtat gabime të së kaluarës (khs. Nxitje. Ap. Evangelii gaudium, 108), por do të na krijojë mundësinë t’i shfrytëzojmë fitoret, të cilat i ndihmuan popujt tanë t’i kapërcejnë me guxim udhëkryqet e historisë, që u dolën përpara. Transfuzioni i kujtesës na çliron nga prirja aktuale, shpesh më tërheqëse, për të ndërtuar me nxitim mbi rërën lëvizëse të rezultateve të menjëhershme, që mund të prodhojnë një rentë politike të lehtë, të shpejtë e jetëshkurtër, por që nuk mund ta sigurojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor” (ibid, 224).
Për këtë qellim na bën mirë t’i kujtojmë Etërit themelues të Europës. Ata ditën të kërkojnë udhë alternative, inovative, në rrethana të vështira, në një kontinent të plagosur rëndë nga lufta. Ata u trimëruan jo vetëm ta ëndërrojnë idenë e Europës, por edhe guxuan t’i ndryshonin rrënjësisht modelet, që shkaktonin dhunë e rrënim. Guxuan të kërkojnë rrugëzgjidhje të shumanëshme për problemet, që pak nga pak po bëheshin të përbashkëta.
Robert Schuman, në atë që shumëkush e shikon si akt i lindjes së Bashkësisë së parë evropiane, pati thënë: “Europa nuk bëhet me një goditje të vetme, as përmes ndërtimit në tërësi; ajo do të bëhet përmes realizimeve konkrete, krijuese të solidaritetit të vërtetë”.(3) Pikërisht tani, në këtë botën tonë të copëtuar e të plagosur, duhet të rikthehemi tek ky solidaritet konkret, tek e njëjta bujari konkrete, që pasoi luftën e dytë botërore, sepse – pati vijuar Schuman – “paqja botërore nuk mund të mbrohet, pa përpjekje krijuese, në lartësinë e rreziqeve, që e kërcënojnë”.(4) Projekteve të Etërve themelues, kasnecë të paqes e profetë të ardhmërisë, nuk u ka kaluar koha; na frymëzojnë, sot më shumë se kurrë, për të ndërtuar ura e për të shembur mure. Duket sikur na drejtojnë një ftesë të ngutshme që të mos kënaqemi me ndërhyrje kozmetike e as me kompromise dredharake për të korrigjuar ndonjë traktat, por për të vënë trimërisht baza të reja, të rrënjosura thellë; siç pohonte Alcide De Gasperi “të gjithë njëlloj, të nxitur nga shqetësimi për të mirën e përbashkët të atdheut tonë europian, Atdheut tonë Europës” të nisim pa frikë “një punë konstruktive, që kërkon të gjitha përpjekjet tona durimtare e gjithë bashkëpunimin tonë afatgjatë.” (5)
Ky transfuzion i kujtesës na krijon mundësi të frymëzohemi nga e kaluara, për të përballuar me guxim kuadrin e ndërlikuar shumëpolar të ditëve tona, duke pranuar me vendosmëri sfidën për ta “rishikuar” idenë e Europës. Një Europe, të aftë për të nxjerrë në dritë humanizmin e ri, të bazuar mbi tri aftësi: aftësinë për të integruar, aftësinë për të dialoguar dhe aftësinë për të krijuar. /drita.info/ KultPlus.com
Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.
Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.
Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.
Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. / KultPlus.com
Ju dhe macja juaj mund të ndihmoni të shpëtoni kinematë! “Festivali i Filmit të Maceve në karantinë” do të grumbullojë para për rreth 100 kinema në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada: kontributorët mund të shkojnë në uebsajtet e tyre apo në Rowhousecinema.com dhe të blejnë një biletë, e cila i lejon që të shikojnë një film nga shtëpia me 19 qershor.
Madje mund të bëhen pjesë e konkursit duke ngarkuar video të maces së tyre. Pjesëmarrësit mund të fitojnë dhe një çmim me para në përmbyllje të këtij festivali kaq të veçantë filmi, transmeton KultPlus.
Ndërkohë, Larry King, Ellen Burstyn, Marion Ross dhe Tommy Chong janë mes figurave publike që marrin pjesë në rubrikën “Njoftime nga Karantina”, një seri videosh online në YouTube që nisi muajin e kaluar, që tregojnë se si të moshuarit po e përballojnë krizën e COVID-19.
Ata nxisin ndjekësit të kontrollojnë të dashurit e moshuar përmes video-konferencave, duke regjistruar bisedat se si po ia kalojnë në karantinë. / KultPlus.com
Maks Velo është një nga autorët që, si rrallëkush e kuptoi se krijimi letrar e artistik, në rastin e tij letërsia e piktura, pavarësisht se në ç’kushte lindën, janë në rradhë të parë art. Si e tillë, dëshmia e tij është e një vlere të dyfishtë.
Maks Velo, piktor dhe shkrimtar, ka qenë një i burgosur politik i mirëfilltë. Diktaturat komuniste kanë qenë mjeshtre të vërteta për të ngatërruar, kur ua lypte nevoja, shkaqet e dënimit të njerëzve. Shpesh qëllonte që kundërshtarë politikë të gegjimit binin në burg të fajësuar si njerëz me vese, imoralë, kumarxhinj ose vjedhës, ose e kundërta, të tillët, shpalleshin si të burgosur politikë. Në të dy rastet qëllimi ishte i qartë: çnderimi.
Makina vepronte në dy kahje: zhvlerësimi i vetë idesë së rebelimit politik në rastin e dytë.
Maks Velo ishe ndër të rrallët që u dënua drejtpërdrejt për artin dhe për mendimet e tij. Denimi i tij ishte gjithashtu i veçantë për arsye se ai u dënua bashkërisht prej shtetit diktatorial dhe prej Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, pra prej kolegëve xhelozë të tij. / KultPlus.com
Një film që flet edhe në shqip është shfaqur mbrëmë premierë në televizionin e parë gjerman ARD, dhe atë zviceran SFR. Bëhet fjalë për filmin serik “Der Zürich Krimi- Bochert und der tote im see”, shkruan KultPlus.
Në film bëhet fjalë për shqiptarët, për bizneset, traditat, konfliktet dhe luftën e policisë zvicerane kundër mafias shqiptare atje. Përveç që filmi bart një histori që sillet rreth shqiptarëve, në brendësi ka edhe një aktorë shqiptar. Ilir Rexhepi, aktori i cili ka një numër të konsiderueshëm të roleve në filma e seriale në Gjermani, në një intervistë për KultPlus ka shpalosur më shumë detaje rreth filmit dhe rolit të tij aty.
Seriali filmik është realizuar nga Graf Film Produktion dhe Mia Film për televizionin e parë gjerman ARD, ndërsa transmetohet në shumë televizione të ndryshme europiane duke pasur një shikueshmëri të lartë.
KultPlus: Jeni bërë pjesë e filmit serik “Der Zürich Krimi…” në Gjermani i cili mbrëmë pati premierën televizive, fillimisht na trego si erdhët deri te ky bashkëpunim ?
Ilir Rexhepi: Meqenëse u bënë shumë vite që unë veproj si aktor në Gjermani, edhe ky rol rrjedh nga bashkëpunimet kolegiale dhe nga angjentët e mi këtu. Si zakonisht, pas kontakteve tona me Produksionin filmik dhe regjisorin mu më është besuar ky rol.
KultPlus: Filmi bën fjalë për mafian shqiptare të cilët janë në përndjekje të policisë zvicerane, kjo nuk është hera e parë që bëhet film e ku shqiptarët paraqiten si mafiozë, si jeni ndjerë kur e keni kuptuar se për çfarë bën fjalë filmi ?
Ilir Rexhepi: Po zakonisht shumica e filmave të mbrëmjes që prodhohen për televizionet e këtushme shtetërore si ARD, ZDF, WDR etj. përmbajnë skanarë të ndryshëm krimi, prandaj filmat apo seritë e përzgjedhura javore titullohen si psh. “Të ejtën Krimi” etj. Kësaj radhe në këtë pjesë ngjarja zhvillohet për disa shqiptarë, për biznese, tradita, dashuri dhe konflikte brenda disa grupeve të ashtuquajtura si “mafia-s shqiptare”. Këtu flitet për figura protagoniste dhe antagoniste shqiptare, prandaj shqiptarët në role të filmit paraqiten edhe të mirë – në këtë ngjarje filmike të zhanrit dramë-krimi.
Ta marrim shembull njërin nga filmat më të mirë në kinematografinë botërore “The Godfather” nga regjisori Francis Ford Coppola ku rrëfehej për mafian italiane, film i ka thyer të gjitha rekordet por edhe i ka bërë italianet edhe më prezentë në artin e kinematografisë botërore. Prandaj, filma të tillë të nivelit të lartë kinomatografik, pavarësisht skenarëve mendoj që do ishin pozitiv edhe për ne.
KultPlus: Mendon që shqiptarët shihen si mafia në vendet evropiane apo ky perceptim ka ndërruar dhe nuk qëndron?
Ilir Rexhepi: Mendoj se për dallim ndoshta nga kohërat e mëhershme, shqiptarët shihen tani për të mirë, njerëz familjarë, punëtor me biznese të suksesshme në këto vende Evropiane. Filmat flasin për ngjarje dhe personazhe, pavarësisht çfarë nacionaliteti kanë ato.
KultPlus: Në këtë film gjithçka sillet rreth shqiptarëve, po gjuha shqipe a përdorët në film, nëse po jeni ju apo ndonjë aktorë tjetër që flisni shqip ?
Ilir Rexhepi: Ka disa fjalë që fliten në gjuhën shqipe, kam pasur dëshirë të flisja edhe unë por jo, unë luaj vetëm në gjuhën gjermane.
KultPlus: Cili është roli juaj në këtë film serik ?
Ilir FRexhepi: Roli im përshkruan një shqiptar që jeton në Zvicër i quajtur Zef Leka, personazh ky që ndërlidhet me ngjarjen e grupit të një rrjeti mafioz, njëri nga bosët e tyre që luftojnë për t´i mbajtur rrjetet dhe bizneset e tyre në kontroll.
KultPlus: Cilat ishin komentet e regjisorit apo aktorëve për shqiptarët, prapa kamerave ?
Ilir Rexhepi: Ishte kënaqësi e madhe për mua të dëgjoj aq mirë për shqiptarët në Zvicër, isha i vetmi shqiptar brenda një ekipi aq të madh filmi aty. Zviceranët dhe ekipi i filmit flisnin shumë mirë për shqiptarët atje, ishin krenarë për ta, sidomos për sport por edhe konsideroheshin pjesë e rëndësishme dhe e suksesshme mes popullit zviceran. Prandaj, u gëzohesha shumë dhe e kam thënë disa herë, shqiptarët janë faktor shumë i rëndësishëm dhe i mirë në Zvicër dhe kjo është për çdo lëvdatë!
KultPlus: Sa seri do ti ketë filmi ?
Ilir Rexhepi: Ky serial filmit realizohet nga viti 2016 dhe do të vazhdojë edhe më tutje.
KultPlus: Si është të bashkëpunosh me produksione të tilla, ku dihet që janë shumë profesional dhe përbëhen nga ekipe të mëdha ?
Ilir Rexhepi: Po tashmë mbas një përvoje gjashtëvjeçare pune me produksione filmike këndej, konsideroj se është më i lehtë bashkëpunimin profesional me ekipe të mëdha filmi. Gjithçka është e parapërgatitur në nivel profesional që aktori të ndjehet mirë dhe i privilegjuar sipas kontratës me produksionet filmike.
KultPlus: Sa beson në suksesin e këtij filmi serik ?
Ilir Rexhepi: Mbrëmë është mirëpritur pjesa në të cilin unë kam luajtur, ka pasur një shikueshmëri prej 7.14 milion në Gjermani. Mendoj se në reprizat e shumta në televizione të ndryshme do të jetë gjithashtu i shikuar. Sot lexova një shkrim kritik në media, ku shquhej për qasje tjetër dramatike të kësaj pjese duke përfshirë edhe lojën e aktorëve në nivel të lartë.
KultPlus: Na trego për projektet tjera në të cilat jeni i angazhuar për momentin apo që priten në të ardhmen ?
Ilir Rexhepi: Para dy muajve kam përfunduar xhirimet për “Sankt Maik”, një serialin televiziv i zhanrit Komedi-dramatike që realizohet për televizionin gjerman RTL. Ishte knaqësi të punojë me njërin nga Produksionet më të mëdha gjermane siq është „UFA FICTION“ por edhe me kolegë të mirënjohur si Daniel Donskoy, Bettina Burchard, Vincent Krüger, Marie Burchard etj. Regjinë e këtij cikli do ta bëjë regjisori i mirënjohur Markus Sehr, i njohur nga Kinofilmat „Eine Insel namens Udo“, „Die kleinen und die Bösen“ etj. Xhirime janë bërë kryesisht në qytetin e Kölnit me rrethinë. Gjithashtu këtij viti kam luajtur në radiodramën “Solo für Kruske” të realizuar për Radiotelevizionin gjerman WDR me regji të Thomas Werne. / KultPlus.com
Letra e dashnisë së Frida Kahlo për të dashtunin e saj Josè Bartoli
Përshtati në shqip Arjola Zadrima
Për ty kam rifillue me jetu, me pikturu, me kenë e lumtun, me hangër ma mirë për me kenë e fortë, që ti të më gjesh ma të bukur, pak a shumë siç isha para do kohëve […]
I jemi Bartoli-Jose-Giuseppe-…deshta me të thanë që e gjithë qënia jeme asht e hapun për ty.
Qysh se jam dashunu me ty, gjithçka ka ndryshue dhe asht përplot me bukuri.
Due me ti dhanë ngjyrat ma të bukura, due me të puthë. Kishe dashtë me pa prej syve tuej, me ndigjue me veshët tuej, me ndje me lëkurën tande, me puthë me gojën tande.
Më të pa prej poshtë, due me kenë hija jote, lindun prej thembrës të kamës tande, e cila shtrihet përgjatë tokës ku ti ecë. Due me kenë uji që të lan, drita që të jep formë, kishe dashtë që substanca jeme të ishte substanca jote, due me të shoqnue, me të ndihmue,me të dashtë dhe në të qeshunën tande me gjetë gëzimin tem.
Nse ndonjiherë vuen kishe dashtë me të mbushë me butësi në mënyrë që të ndjehesh ma mirë. Kur të kesh nevojë për mue, ke me më gjetë gjithnji pranë vetes.
Më fal nëse të gjitha këto që të shkruej të duken marrëzi, por unë mendoj se në dashni nuk ka as inteligjencë as marrëzi, dashnia asht si një aromë, si rrymë, si shi.
A e din, qielli jem, ti derdhë shi mbi mue dhe unë si toka të përpij. / KultPlus.com
“Një antologji e vogël e jetës” dhe “Një antologji e vogël e vdekjes” janë dy libra që vijnë në kohën kur jeta dhe vdekja, që prej Luftës së Dytë Botërore, 75 vjet më parë, e deri më sot, nuk kanë qenë ndonjëherë më afër, apo bashkudhëtare të njëra-tjetrës.
Të dy këto antologji mbajnë firmën e autorit Stefan Çapaliku dhe përbëhen nga koleksione tekstesh të përzgjedhura me kujdes dhe prej një kohe të gjatë.
Në përmbajtje janë të ndryshme, por në numër faqesh, format dhe dizajn janë identikë, shkruan oranews.
Ato janë dy libra xhepi që mund të ecin dhe lexohen bashkë.
Nga klasikët Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni, Ashta, Zorba, Çefa, e Prenushi etj, tek satira e Tef Palushit e Tano Banushit, librat në fjalë vijnë edhe me foto të rralla dhe ilustrime të mrekullueshme të realizuara nga mjeshtri Gjergj Spathari.
“S’ka mort pa gaz dhe s’ka dasmë pa vaj”, është kjo një shprehje që më së miri simbolizon edhe dy antologjitë, por edhe kohën që po na shoqëron. / KultPlus.com
Njerëzit në të gjithë botën kanë shijuar pamje mahnitëse të “Super-hënës” së këtij muaji, kur Hëna shfaqet më e madhe dhe më e ndritshme.
Fenomeni ndodh kur sateliti qiellor arrin pikën më të afërt me Tokën – dhe është në anën e kundërt të Tokës me diellin, përcjell Telegrafi.
Super-hëna e këtij muaji – e treta dhe e fundit e vitit – njihet si “Hëna e Luleve” për shkak të shfaqjes së saj në pranverë. /Frontonline/ KultPlus.com
Hëna e Luleve siluetoi dy çiklistë pranë Salgotarjan në Hungari.
Hëna e plotë u pa në mënyrë dramatike mbi Chesterton Windmill në Warwickshire
Dhjetra njerëz u mblodhën në Primrose Hill të Londrës për të parë Hënën
Supermoonja fotografuar sipër një xhamie në Stamboll, Turqi…
… dhe në Dublin të Irlandës.
Kulla e një ushtaraku në afërsi të Ruhama në Izrael
Supermona e kuqe ngrihet pas malit Vesuvius në qytetin italian të Napolit …
Ariana Grande dhe Justin Bieber kanë lansuar sot këngën e parë të përbashkët, të quajtur “Stuck with U”, dhe të gjitha fitimet do t’u shkojnë fëmijëve të punonjësve në vijën e parë të luftës ndaj pandemisë COVID-19, ka raportuar revista Female First, transmeton KultPlus.
Ariana tha se është shumë e lumtur që kënga e parë e përbashkët me Bieberin shkon për një kauzë të tillë.
Vetëm disa orë para lansimit të këngës, ajo shkroi në faqen e saj në Instagram: “Nuk mund të shprehem se sa e lumtur jam, kemi pritur aq gjatë për ta bërë këtë këngë. Ky moment është shumë domethënës dhe jam e lumtur se kemi mundur të japim zërin tonë për një projekt të tillë dhe bashkëpunimi ka qenë aq përmbushësh, dhe e dua këtë këngë aq shumë. E kam zemrën plot dhe ju dua shumë” ka shkruar ajo.
E pas lansimit të këngës, u deklarua edhe Justin.
“Kënga dhe video ‘Stuck with U’ janë publikuar sot, me mikeshën time të mrekullueshme Ariana Grande. Të gjitha fitimet do të shkojnë për një kauzë të mirë. Araina je e mrekullueshme. Jam i lumtur që më në fund e bëmë”, ka shkruar Bieber në rrjetet sociale.
Pop yjet herën e fundit që punuan bashkë ishte gjatë performancës së Arianas në Coachella, vitin e kaluar.
Gjithashtu ata patën një duet në hitin “Sorry” të Justinit, në vitin 2015. / KultPlus.com
Maks Velo nuk është përcjellë në banesën e fundit me një ceremoni të veçantë, siç e meriton për kontributin e tij, kjo për shkak të situatës së COVID-19, për këtë arsye Ministria e Kulturës, organizoi një ceremoni nderimi, pati një kërkesë për qytetarët.
Kushdo që donte të nderonte figurën e Velos të sillte një buqetë me lule ose një kurorë në ambientet e Ministrisë, më pas varrimi do të bëhet në Tufinë.
I pranishëm në ceremoninë e varrimit ishte edhe kryebashkiaku Erion Veliaj i cili ka bërë me dije se shtëpia e arkitektit dhe piktorit të njohur, Maks Velo do të bëhet shtëpi muze.
“Është një lamtumirë e jashtëzakonshme. Ai mendonte kurrë se do ribënim kinemanë në Laprakë, por për shkak të karantinës s’u bë. Shumë prej atyre që vrapojnë tek liqeni se dinë që bisketat janë të Maksit. Do bëjmë shtëpinë e tij muze. Do bëjmë një inventar të veprës dhe do ja kthejmë me dinjitet veprën e tij në një muze dhe memorium”, tha Veliaj
Maks Velo vdiq dje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasi vuante nga anemia e theksuar. / KultPlus.com
Partia Socialdemokrate në sheshin Skendërbeu në Prishtinë ka shënuar një aktivitet që lidhet me deklaratën e ministrit në detyrë të Financave, Besnik Bislimi.
PSD-ja ka ironizuar me deklaratën e ministrit Bislimi, i cili pak ditë më parë tha se gjatë periudhës së fundit, përmes aplikimeve për Pakon Emergjente, është rritur numri i punëtorëve e, sipas tij, ka rënë shkalla e papunësisë si kurrë më parë në Kosovë.
Zyrtarja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë para mediave se Kosova tash ka “një zbulues epokal të Ekonomisë” dhe se çmimi Nobel “tash do ta mbajë emrin çmimin Besnik Bislimi për Ekonomi”.
“Çka po dallon ky ministër me ministrat e kaluar, është se ky po numëron vetëm punëtorët me kontrata. Po i shtin në formulë dhe po e ul papunësinë, duke i futur punëtorët që veçse kanë ekzistuar”, ka thënë Kuçi. /Express/ KultPlus.com
Maks Velo, shkrimtari, piktori e arkitekti i njohur shqiptar, humbi jetën ditën e djeshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasi vuante nga anemia e theksuar.
Maks Velo la pas vetes një veprimtari të bujshme, e cila do të jetojë gjatë duke bërë kështu që kjo figurë mos të harrohet asnjëherë në historinë e artit shqiptar dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.
Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.
Për të nderuar figurën e tij, KultPlus ju sjell një thënie shumë të njohur të Velos.
‘Bëjeni jetën tuaj të ndershme deri në fund’ / KultPlus.com
Armand Vokshi, kreu i shoqatës së arkitektëve të Shqipërisë pasi i dha lamtumirën e fundit arkitektit dhe publicitete Maks Velo, deklaroi se me të ishte takuar para dy muajsh.
Në një prononcim për gazetarët, Vokshi ndau me publikun planet që kishte Velo sa i takon aktiviteteve të tij, siç ishte një espozitë në Prishtinë, e cila tashmë ngeli përgjysmë. Po ashtu Vokshi pohoi se vepra që la pas Velo është aq e pasur, sa që edhe shtëpia e tij mund të kthehet në një ekspozitë dhe të shndërrohet në mini-muze.
“Ishte një humbje e madhe për Shqipërinë, për Tiranën. Maksi e meriton që t’i ndërtohet një muze. Në art, në arkitekturë. Shtëpia e tij është një muze i vogël, që të kthehet në një ekspozitë. Ndoshta kur të kalojë dhimbja, mund të bëhet kjo gjë. E kam takuar në një konferencë të huaj. Ai i mahniti të pranishmit atje në konferencë. Ne pasi i dhamë vjet çmimin, i bëmë dhe një ekspozitë për pikturën. Ai po punonte për një ekspozitë në Prishtinë. Por ne do ta vazhdojmë projektin. Madje kur morëm lajmin dje, ishim duke diskutuar për këtë gjë. Kam qenë që para 2 muajsh në kontakt me të. Por nuk e dija që ishte kaq rëndë.”, tha ai. / BalkanWeb / KultPlus.com
Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri njofton se në lagunën e Nartës në Vlorë është hasur një shpend i rrallë. Siç transmeton gazeta Shqip, studiuesit kanë fotografuar si asnjë herë më parë në Shqipëri grupe shtegtare të çafkës së purpurt.
Vrojtime shumë interesante vijnë sërish nga zona e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Studiuesit tanë kanë hasur këtë vit, si asnjëherë më parë në dijeninë tonë, grupe shtegtare të çafkës së purpurt (Ardea purpurea) – thonë ekspertët.
Ky lloj është përgjithësisht tepër i ndrojtur dhe kërkon hapësira shumë të qeta dhe që ofrojnë mundësi të mira për t’u fshehur dhe ushqyer. Pa dyshim, edhe pse shumë të vogla, këto hapësira mund të gjenden ende në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe fakti i vëzhgimit të çafkës së purpurt e vërteton këtë.
Ky lloj aktualisht nuk folezon në vendin tonë por shpresojmë që kjo të ndodhë së shpejti; Vjosë-Narta ofron habitate të përshtatshme që ky lloj të zgjedhë për të ngritur foletë e tij.
Por nëse planet për zhvillimin e infrastrukturës gri në brendësi të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë vazhdojnë të pandryshuara nga autoritetet përkatëse, qetësia në këtë Zonë të Mbrojtur do të zhduket dhe gjasat që kjo çafkë e mrekullueshme të folezojë këtu në të ardhmen do të reduktohen në mënyrë të ndjeshme. / KultPlus.com
Shkrimtari i njohur Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij Elena, kanë shprehur ngushëllimet e tyre nga Parisi pas ndarjes nga jeta të arkitektit dhe piktorit të njohur Maks Velo.
Në mesazhin e tyre ata shprehen: “Nuk ishte e lehtë lamtumira me ty Maks Velo. Emri yt do të kërkonte gjithmonë kujtesën. Dhe do ta kishte gjithmonë atë, të qartë e të ndritshme ashtu siç ishte imazhi yt kur te kishim mes nesh. Helena dhe Ismail Kadare”.
Kadare ka pasur një miqësi të hershme me Velon. Në parathënien e librit “Jetë paralele”, flitet për historinë e një pikture të Maks Velos që mundi t’i shpëtojë sekuestrimit apo djegies, pasi u ruajt me kujdes nga familja Kadare.
Kadarenjtë e fshehën në dhomën e gjumit. Ky është një rast unikal në historinë e vendeve komuniste kur një shkrimtar ndihmon një artist duke i fshehur pikturat. / Shekulli / KultPlus.com
Këngëtari i njohur i muzikës rap, Ty, ka vdekur si pasojë e koronavirusit, ka njoftuar BBC-ja të premten.
47-vjeçari, emri i vërtetë i të cilit është Benedict Chijioke, ishte prekur nga COVID-19 kohë më parë dhe ishte vendosur në komë artificiale për të ndihmuar trupin e tij të merrte mjekimin e duhur, në një klinikë në Londër.
Pasi doli nga terapia intensive u vlerësua se gjendja shëndetësore e këngëtarit Ty, u përmirësua, por të enjten mbrëma, stafi i tij njoftoi se vdiq.
Këngëtari me origjinë nigeriane, me emrin Benedict Chijioke, më 2004 ishte nominuar për çmimin “Mercury” me albumin e tij “Upwards”, së bashku me Amy Winehouse, The Street dhe Franz Ferdinand. / KultPlus.com
Eugent Bushpepa, këngëtari shqiptar i cili me zërin e tij të fuqishëm, shumë shpejt bëri për vete miliona fansa nga Shqipëria dhe më gjerë, shkruan KultPlus.
Në Eurovisionin e vitit 2018, ai përfaqësonte Shqipërinë, me këngën ‘Mall’, një zë dhe një këngë që historia e Eurovisionit do ta mbajë mend për shumë gjatë.
Sot, kur gjysmëfinalja e këtij edicioni shënon dy vjet, KultPlus ju rikujton performancën e mahnitshme të Bushpepës. Një performancë që mahniti publikun shqiptar e atë ndërkombëtar. / KultPlus.com
Ahmet Brahimajt duhet t’i njihet merita historike për ringjalljen e Ansamblit të Baletit pas luftës. Ai e rikrijoi atë nga etapat fillestare shkollore deri te një asnambël homogjen që tashmë funksionon si një familje e shëndoshë ku respektohet dhe vlerësohet secili. Synimi i Ahmet Brahimajt ishte të krijonte një ansambël të qendrueshem i cili do të mbijetonte edhe në kohën kur ai më nuk do të jetë në mesin e tyre.
Ahmet Brahimaj ka meritë të jashtëzakonshme edhe në kultivimin e një publiku që e do dhe e vlerëson baletin . Ai e kishte një listë të gjatë të miqve të baletit të cilët personalisht i ftonte me telefon para çdo premiere pas të cilës gjithçka frymonte në atmosferë festive kulturore.
Nuk arriti ta fitojë vetëm një betejë, atë me politikanët të cilët u mundua shumë t’i bënte aleat të projektit të tij me shpresë se do të kishte së paku një sallë të denjë për ushtrime e prova për balerinët e tij, të cilët ka dy dekada që vazhdojnë të punojnë në një bodrum me lagështi në Teatrin Kombëtar.
Mund të jetonte më gjatë që të realizonte edhe këtë pjesë të ëndrrës së tij që “fëmijët e tij fluturues” të kishin një qerdhe më të denjë për artin e tyre … I paharruar ndër breza qoftë emri yt, mik i brezit që besonte ne fuqinë e artit. / KultPlus.com
Liderët në gjithë Evropën janë duke shënuar 75-vjetorin e Ditës e Çlirimit të Evropës, teksa pjesa më e madhe e kontinentit përballet me izolim për shkak të koronavirusit.
Mbretëria e Bashkuar do të mbajë heshtje për dy minuta, për të ndjekur më pas një adresim të Mbretëreshës Elizabeta II.
Ceremoni të mbyllura do të mbahen edhe nga liderë të Francës dhe Gjermanisë, ndonëse grumbullimet publike janë të ndaluara.
Më 8 maj të vitit 1945, forcat britanike dhe aleatët kanë miratuar zyrtarisht dorëzimin e pakusht të forcave naziste të Gjermanisë, pas gati gjashtë vjetëve të luftës.
Për të shënuar këtë ditë, presidenti francez Emmanuel Macron do të dërgojë një kurorë lulesh te varri i një ushtari të panjohur në Paris.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të udhëheqë një ceremoni në Memorialin e Luftës në qendër të Gjermanisë.
Në Berlin, punëtorëve u është dhënë ditë e pashembullt pushimi, ndonëse kështu nuk ka ndodhur në pjesën tjetër të vendeve.
Festime të ngjashme për Ditën e Çlirimit do të mbahen më 9 maj në disa ish-shtete sovjetike, përfshirë, Rusinë, Ukrainën dhe Bjellorusinë. / KultPlus.com