Publicisti i njohur shqiptar Dervish Hima u arrestua sepse gjatë një fjalimi tha se shqiptarët dhe turqit janë dy popuj të ndryshëm

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Prill 2020

“Le Soir” ka botuar, të enjten e 24 shtatorit 1908, në ballinë, një shkrim në lidhje me arrestimin e Dervish Himës, patriotit dhe publicistit të njohur shqiptar, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Arrestimi i Dervish Himës, kryeredaktorit të gazetës shqiptare “L’Albanie” ka shkaktuar kudo një përshtypje të hidhur.

Ky arrestim konsiderohet si një lëvizje e gabuar që vështirë se mund të dakordohet me liritë kushtetuese për të cilat partia xhonturke pretendon se është pionere.

Dervish Hima u arrestua për mbajtjen e një fjalimi, me rastin e një banketi të shtruar për nder të tij, në të cilin tha se shqiptarët dhe turqit janë dy popuj të ndryshëm.

Këto fjalë dhe disa pasazhe në një broshurë të botuar nga ai, ku u kërkonte shqiptarëve të zgjoheshin për një jetë të re kombëtare, janë cilësuar si tradhti e lartë.

Arrestimi i autorit u urdhërua me nxitjen e komitetit lokal xhonturk në Shkodër, por dyshojmë se komiteti qendror është i gatshëm ta dënojë.

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-soir-1908-publicisti-i-njohur-shqiptar-dervish-hima-u-arrestua-sepse-gjate-nje-fjalimi-tha-se-shqiptaret-dhe-turqit-jane-dy-popuj-te-ndryshem/.

Dua Lipa nuk e kishte vënë re ngjashmërinë mes këngës “Break My Heart” dhe hitit të dikurshëm “Need You Tonight”

Këngëtarja 24-vjeçare, Dua Lipa, e kishte kuptuar se kënga “Break My Heart” nga albumi “Future Nostalgia”, kishte ngjashmëri me hitin e grupit “INXS” me titull “Need You Tonight”, vetëm pas realizimit të saj.

Kështu, Lipa ka vendosur t’i jap merita grupit të njohur Australian në albumin e saj, ngase nuk ka dashur të paditet për plagjiaturë, transmeton Koha.

Ajo gjithashtu ka thënë se ngjashmëria mes melodisë së këngëve nuk ka qenë e qëllimshme.

E pyetur nëse këngëtarja i ka dhënë merita grupit në albumin e saj, Lipa tha: “Kur ishin në studio duke incizuar nuk kemi vënë ngjashmëri të melodisë së ‘Break My Hart’ me ndonjë këngë tjetër. Thjeshtë na pëlqyen ata tinguj, dhe duke qenë se ndiheshim tejet të entuziazmuar ishim fokusuar vetëm në punën tonë dhe realizmin e këngës. Por, pasi e dëgjuam atë e vërejtëm një ngjashmëri me dy këngëve. Njerëzit të cilët e mbikëqyrin muzikën e grupit ‘INXS’ ishin shumë të sjellshëm, dhe atyre iu pëlqeu shumë kënga jonë kështu që arritëm lehtë marrëveshje për t’i ndarë merita bendit në këtë projekt. Gjithashtu nuk donim të paditeshim për plagjiaturë. Por në të njëjtën kohë, tingujt e ‘Break My Heart’ të sjellin një lloj nostalgjie për muzikën e së kaluarës, dhe ky ka qenë qëllimi ynë nga fillimi.”

Kur vjen puna te përzgjedhja e këngëve që do t’i përfshinte në albumin e dytë muzikor, Dua Lipa, ka thënë se i ka zgjedhur këngët të cilat ka mundur ta imagjinojë veten duke i performuar live, nëpër koncerte dhe festivale të ndryshme.

Shkruan nobelistja: Druaj se virusi po na rikthen edhe një frikë tjetër të vjetër: pabarazinë

Shkrimtarja e çmimit Nobel, Olga Tokarczuk, reflekton për gjendjen që ka kapluar mbarë botën. Një shkrim, sa optimist, aq edhe goditës, i cili prek plagë të hershme të njerëzimit, të cilat, me sa duket, në kohë të tilla, evidentohen edhe më shumë. Koncepti i “tjetrit, të huajit, pabarazia, shovinizmi, krizat në familje, paaftësia e BE-së”, krijojnë mozaikun e një krize të madhe, me të cilën duhet të përballemi. Por, si gjithmonë, paradoksi është aty. Kjo kohë po na ndihmon t’i kthehemi së brendshmes, UNIT tonë. Ndoshta prej kohësh e kishim braktisur veten dhe karantinimi mund të na ndihmojë të rindërtojmë veten, pa u ndikuar nga të tjerët.

“Nga dritarja ime, unë mund të shoh një dru mani të bardhë dhe një pemë, me të cilën jam magjepsur. Këto janë arsyet pse vendosa të jetoj këtu. Përmes manit, dhjetëra familje shpendësh, përfitojnë frutat e ëmbla e të shëndetshme, gjatë periudhës së pranverës dhe verës. Momentalisht druri i saj është pa gjethe, kështu që më bie në sy një rrugë e qetë, e cila rrallë përshkohet nga njerëzit, të cilët duan të shkojnë në park. Moti në Vroclav është pothuajse veror, me një diell verbues, qiellin blu, ajrin e pastër. Sot, teksa isha duke nxjerrë shëtitje qenin tim, një buf më nguli sytë. Me sa duket, kafshët ashtu si njerëzit, presin me padurim të shohin atë se çfarë do të ndodhë më tutje.

Për një kohë të gjatë kam ndier se përtej dritares sime ka kaq shumë jetë, kaq shumë botë. Një botë e madhe, e shpejtë, e zhurmshme. Ndaj nuk po përjetoj asnjë traumë nga izolimi. Nuk e kam aspak të vështirë të mos shikoj njerëz. Nuk më vjen keq që kinematë janë mbyllur. Po ashtu, jam plotësisht indiferente ndaj qendrave tregtare të mbyllura. Sigurisht, më vjen keq për ata njerëz që kanë humbur punën e tyre. Kur më duhej të përballesha në fillim me karantinimin, ndjeva një lehtësim. Shumë njerëz janë ndier njëlloj, edhe pse kanë turp ta pranojnë. Natyra ime e mbyllur, introverte, po ndihej e mbytur dhe e abuzuar nga ekstrovertët hiperaktivë dhe kështu e kish braktisur veten e saj, duke u tjetërsuar.

Vëzhgoj fqinjin tim nga dritarja, një avokat i mbingarkuar me punë, të cilin pak ditë më parë e pashë duke shkuar për në punë veshur me mantelin e sallës së gjyqit. Por, tashmë, i veshur me rroba krejt të thjeshta shtëpie, punon kopshtin e tij. Duket se po vendos gjërat në rregull. Shikoj disa të rinj që nxjerrin shëtitje një qen të vjetër, i cili qysh nga dimri i shkuar, ecën me vështirësi. Ata e shoqërojnë qenin me një ritëm të ngadaltë. Shikoj kamionin që mbledh mbeturinat. Ai po thyen rekord me shpejtësinë e mbledhjes së tyre.

Jeta vazhdon, veçse me një ritëm tjetër. Rregullova raftin, duke nxjerrë gazetat e lexuara për t’i futur në koshin e riciklimit. Vendosa lule. Mora biçikletën nga dyqani i riparimit të biçikletave. Kam shijuar procesin e të gatuarit.

Kujtimet nga fëmijëria rikthehen tek unë. Kishte kaq shumë kohë të lirë atëherë, sa mund ta shpenzoje pa kriter, mund ta vrisje duke qëndruar me orë të tëra në dritare, duke vrojtuar milingonat, ose thjesht shtrirë nën një tavolinë, duke imagjinuar se ishe brenda një arke. Sigurisht, edhe duke lexuar enciklopedi.

A nuk tregon ky karantinim që ne i jemi rikthyer ritmit tonë normal të jetës? Nuk është e vërtetë që virusi ka prishur ritmin dhe normën, por anasjelltas. A nuk ju duket anormale bota para se të vinte virusi?

Në fund të fundit, virusi na ka kujtuar ato gjëra që ne ia kemi mohuar vetes: faktin që jemi krijesa delikate, të përbëra nga një material shumë i brishtë. Që jemi të vdekshëm, të përkohshëm. Që nuk jemi të ndarë nga pjesa tjetër e botës, nuk jemi të përjashtuar, por që bota është një lloj rrjeti, në të cilin të gjithë jemi të lidhur me njëri-tjetrin, përmes fillit të padukshëm të varësisë dhe ndikimit. Pa marrë parasysh sa larg janë vendet nga kemi origjinën, cilën gjuhë flasim, apo çfarë ngjyre ka lëkura jonë, ne po përballemi me të njëjtën sëmundje, me të njëjtat frikëra, po vdesim nga e njëjta sëmundje.

Na ka bërë të kuptojmë që nuk ka rëndësi sa të dobët e vunerabël ndihemi përballë rrezikut, sepse jemi të rrethuar nga njerëz që janë akoma më të dobët se ne, të cilët e konsiderojnë jetësore ndihmën tonë. Ky virus na ka kujtuar brishtësinë e prindërve dhe gjyshërve tanë. Sa shumë kujdes dhe nevojë kanë ata për ne. Po na bën me dije për lëvizjet tona të pakontrolluara, që po e fundosnin botën. Dhe mbi të gjitha, po na bën t’i drejtojmë vetes pyetjen, të cilën rrallë kemi pasur kurajën t’ia bëjmë: Çfarë po vazhdojmë të kërkojmë?

Frika nga të sëmurët na kujton folenë tonë, në të cilën ndihemi të sigurt. Në një situatë të tillë, edhe ata që udhëtojnë pa pushim, kërkojnë të qëndrojnë në shtëpinë e tyre. Në të njëjtën kohë, të vërteta të frikshme po zbulohen. Po shikojmë sa i dobët po tregohet në praktikë Bashkimi Europian (BE). Nuk po bën gjë tjetër veçse po delegon vendime. Shovinizmi i vjetër është rikthyer, duke u kthyer edhe një herë te ndarja “e jona” dhe “e huaja”, me pak fjalë ajo për të cilën kemi luftuar dekadat e shkuara, me shpresën se nuk do t’i formatonte më kurrë mendjet tona. Frika nga virusi i ka bërë të mendojnë se “i huaji” e ka fajin, ai duhet fajësuar. Virusi është “nga një vend tjetër, përveçse nga vendi ynë”. Të gjithë ata që po kthehen në Poloni, konsiderohen të dyshuar. Virusi po na kujton se kufijtë ekzistojnë.

Druaj se virusi po na rikthen edhe një frikë tjetër të vjetër: pabarazinë. Ndërsa disa prej nesh po fluturojnë me avionë privatë drejt shtëpive në ishuj, për të kaluar karantinimin, disa të tjerë po qëndrojnë në qytete për të punuar. Akoma më keq, ata që po rrezikojnë jetën e tyre, duke punuar në farmaci, ushqimore apo spitale. Disa po bëjnë shumë para e disa të tjerë po humbasin gjithçka kanë. Kriza që do të pasojë do të minojë parimet tona. Shumë shtete nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë. Kjo do t’i detyrojë të nxjerrin urdhra të reja, siç ndodh rëndom pas krizave.

Ne po qëndrojmë në shtëpi, po lexojmë libra, po shohim televizor, por, në të vërtetë, jemi duke përgatitur veten për një betejë, për një realitet të ri që as nuk mund ta imagjinojmë, duke bindur veten se asgjë nuk do të jetë njësoj. Gjendja e karantinës së detyrueshme, e mbledhjes së familjes në shtëpi, mund të na bëjë të vetëdijshëm për gjërat që nuk kemi dëshirë t’i pranojmë: se familja jonë po na varfëron, se fijet që mbanin të lidhur martesën tonë janë shtendosur me kohë. Fëmijët tanë do të dalin nga karantina të varur nga interneti dhe shumë prej nesh do të jenë të vetëdijshëm për pakuptimësinë dhe kotësinë e rrethanave në të cilat gjendemi. Po sikur të rritet numri i vrasjeve, i vetëvrasjeve, i depresionit, i sëmundjeve mendore?

Para syve tanë, ndotja po zhduket nga paradigma e qytetërimit, që na ka shoqëruar gjatë dyqind viteve të fundit: që ne jemi mjeshtrat e krijimit, që mund të bëjmë gjithçka, që bota na përket e gjitha ne. Një kohë e re po afrohet.”

Shkrimtarja është e njohur për lexuesin shqiptar, përmes romanit “Shtërgjet”, sjellë në shqip nga “Albas”/ “Shtërgjet” përbëhet nga një mozaik karakteresh në një lëvizje të pandërprerë. Duket se bota moderne lëviz në mënyrë të çoroditur dhe kaosi duket se është i gjithëpranishëm, jo vetëm ngaqë është copëtuar itinerari i lëvizjes, por edhe ngaqë vetë subjekti i lëvizjes është copëtuar. Kështu, në këtë libër pleksen lëvizje gjithfarësh, njerëzish të njohur a të panjohur, personazhesh historike a të trilluar, njerëzish a mumiesh, trupash të shëndetshëm a trupash të gjymtuar, trupash të plotë a pjesësh të tyre. Duket sikur është shkërmoqur gjithçka e që kjo lëvizje e çoroditur të mund të ngrihet në dinjitetin e një udhëtimi, apo edhe më tej, të një pelegrinazhi, ajo duhet disiplinuar. Cila është kjo disiplinë? Sprova e autores lidhet pikërisht me gjetjen e kësaj disipline. Kjo disiplinë kërkohet duke u mbështetur në gjithfarë pandehmash, duke hulumtuar fillimisht brenda porteve dhe aeroporteve; brenda ritualeve të udhëtarëve nëpër hotele; brenda traumave të njerëzve gjatë një itinerari; duke hulumtuar brenda shkencës së psikologjisë përmes së ashtuquajturës “psikologji e udhëtimit”, a brenda shkencës së anatomisë përmes zbulimeve të saj, si për shembull zbulimi i “pejzës së Akilit”, apo metodave për konservimin e trupave. Megjithëkëtë, duket se autorja evidenton që premisa kryesore e kësaj sprove mbetet emërtimi i vendstacioneve. Kështu, ky libër, në një mënyrë tejet origjinale rrëfimi na përcjell vështirësinë e disiplinimit të lëvizjes së njeriut përmes emërtimit të vendstacioneve në rrugëtimin e tij. Vetëm kështu, lëvizja do të meritojë të quhet rrugëtim, ose më mirë akoma, pelegrinazh. Përktheu: Parajsa Shtini / KultPlus.com

Burimi: https://www.newyorker.com/books/page-turner/a-new-world-through-my-window?

JLo paditet me 150 mijë dollarë gjobë, për postimin e fotografisë së saj në Instagram

Publikimi i një fotografie të vet, do t’i kushtojë Jennifer Lopezit me 150,000 dollarë, shkruajnë mediat e huaja.

Sipas E!News, ndaj J.Lo u paraqit një kërkesë-padi lidhur me postimin e një fotografie në Instagram. Sipas dokumenteve, fotoja është postuar më 22 qershor të vitit 2017.

Në foto, shfaqet personazhi Harlee (Jennifer) në filmin “Shades of Blue”.

Pra, e drejta e kësaj fotografie i takon Steve Sands, i cili tashmë kërkon 150,000 dollarë për shkelje të së drejtës së autorit.

Bazuar në atë se çfarë është shkruar në padi, J.Lo dhe kompania e saj e produksionit nuk kanë marrë leje për ta postuar. / KultPlus.com

Dhurohet për të prekurit me COVID-19 ventilatori që mbajti në jetë fizikanin Stephen Hawking

Ventilatori që mbajti në jetë fizikanin Stephen Hawking i është dhuruar një spitali në Cambridge për të ndihmuar në përballimin e pandemisë. Kontribute të tilla janë të rëndësishme në këtë moment për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzore.

Ventilatori që ndihmoi fizikanin Stephen Hawking gjatë momenteve të vështira me shëndetin, do t’i dhurohet spitalit “Royal Papworth Hospital” për të trajtuar pacientët e prekur nga koronovirusi.

Vajza e fizikanit, i cili vuante nga sëmundja e neuroneve motorike, siç transmeton oranews njoftimin, tha se ky dhurim vjen në shenjë falënderimi për kujdesin e veçantë që ky spital tregoi për babain e saj.

“Si një pacient i ventiluar, ky spital ka qenë tepër i rëndësishëm për babanë tim dhe e ka ndihmuar atë në disa periudha shumë të vështira. Ne e kuptuam që ai do të ishte në pararojë të epidemisë Covid-19 dhe u lidhëm me disa nga miqtë tanë të vjetër atje për të pyetur nëse mund të ndihmonim. Pasi babai ynë vdiq, ne u kthyem të gjitha pajisjet mjekësore që ai përdori që i përkisnin NHS, por kishte disa sende që ai kishte blerë vetë. Tani ne po i kalojmë ato tek Shërbimi Kombëtar i Shëndetit me shpresën se ata do të ndihmojnë në luftën kundër Covid-19”, tha ajo.

Spitali Royal Papworth është zgjeruar në ambiente me dyfishin e madhësisë së tij për shkak të rritjes së numrit të shtrimeve nga koronavirusi. Pavarësisht furnizimeve shtesë me ventilatorë, spitali shtoi pajisjen e dhuruar nga familja Hawking në flotën e tij. / KultPlus.com

“Gruaja ime ka një të metë të vogël në të folur: herë pas here ndalon të marrë frymë”


James Francis Durante lindi në New York City. Ai ishte më i riu nga katër fëmijët e lindur nga Rosa (Lentino) dhe Bartolomeo Durante, të dy ishin emigrantë nga Salerno, Itali.

Durante ishte një këngëtar, pianist, komedian dhe aktor amerikan. Fjalimi i tij dallues dhe i “zhveshur”, theksi i gjuhës komike, këngët me ndikim në xhaz dhe hunda e spikatur e ndihmuan atë të bëhet një nga personalitetet më të njohura të Amerikës së viteve 1920 deri në vitet ’70. Ai shpesh e përmendte hundën e tij si schnozzola (hundë e madhe), dhe fjala u bë nofka e tij.

KultPlus sot ju sjell një thënie të njohur të Durante: Gruaja ime ka një të metë të vogël në të folur: herë pas here ndalon të marrë frymë. / KultPlus.com

Ty kurrë s’t’kam dasht’

Poezi nga Agon Rexhepi.

Ty kurrë s’t’kam dasht’
Dije!
Mos u mburr me dashninë tem
t’cilën kurrë s’e pate
e as kurrë s’ki me pas.

Ty kurrë s’t’kam dasht.’
E kam dasht’ idenë
që ti
mundesh me i plotësu zbraztinat
e zemrës tem
e jetës tem.
Ama ty,
ty kurrë s’t’kam dasht’


E kam dasht’
fuqinë tande me m’shti me kesh
e me m’ba me besu që t’du.
E kam dasht’
çdo moment që bashkë e kemi kalu
Ama ty,
Ty kurrë s’t’kam dasht’

I kam dasht’
mëngjeset
t’cilat të perqafuem na kanë gjet çdo herë.
I kam dasht’
shëtitje tona t’gjata në qytetin tand
I kam dasht’
çajat qe buzet tona i kanë përvëlu
I kam dasht’
ndërtesat e nalta prej të cilave
bashkë qytetin e kemi vrojtu
e kemi fol për të ardhmen
për
“të ardhmen tonë”

Ama ty,
Ty kurrë  s’t’kam dasht’

E kam dasht’
Ftyrën tande
e sytë e tu t’bukur.
I kam dasht’ krahtë e tu
dhe rehatinë që ata krahë ma kanë fal
kur fort m’kanë shtrëngu
Ama ty,
Ty kurrë  s’t’kam dasht’

Kam dasht’
shumëçka rreth teje
ama ty,
Ty kurrë s’t’kam dasht’

Gucci fillon punën nën rregulla të rrepta sanitare

Laboratori i lëkurës për këpucët famoze Gucci në Firence, ka hapur dyert pas një muaji bllokimi në sigurinë maksimale për punonjësit, shpjegon kompania.

“Rihapja bëhet në bazë të dispozitave aktuale dhe pas një marrëveshje të arritur me sindikatat për forcimin e Protokollit të Sigurisë së 15 Marsit të kaluar, falë edhe këshillave të virologut Roberto Burioni të Universitetit Vita-Salute San Raffaele të Milanos”.

Rifillimi i aktiviteteve në qendrën e zejtarisë së 37,000 metër katror u inagurua saktësisht dy vjet më parë, ku krijohen produktet Gucci të së ardhmes të krijuara nga Alessandro Michele, tani për tani do të ketë një numër të kufizuar rreth 10%, që përkon pak a shumë me 100 punëtorë.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm ne morëm vendimin për rihapjen e prototipit të ArtLab, në marrëveshje me organizatat sindikale dhe garantimin e nivelit maksimal të sigurisë dhe me të gjitha masat e nevojshme, të përcaktuara me ndihma e shkencëtarëve me ekspertizë të provuar”, shpjegon Marco Bizzarri, President dhe CEO i Gucci. /atsh/ KultPlus.com

Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit drejt fundit, Kumbaro: Teatri do jetë një yll i vërtetë

E nisën në vitin 2015 dhe pas një pune të madhe tashmë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Shqipëri është pothuajse gati. Ky rikonstruksion tërësor e ka shndërruar atë në një ambient funksional dhe tejet modern ku artistët shumë shpejt do të hyjnë në ambientet e rinovuar si, salla provash, dhoma studimi, gardëroba, ambiente për ekspozita e aktivitete të tjera, shkruan KultPlus.

Duke u konsideruar si investimi më i madh i qeverisë së Shqipërisë, për ish ministren e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaron kjo është një ëndërr e bërë realitet.

Përmes një statusi në Facebook, ajo ka ndarë disa fotografi nga pamja e re që ka marrë Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit duke u shprehur se puna 5 vjeçare tashmë është drejt fundit.

Ku është postimi i plotë i Kumbaros:

“Kur nje enderr😇 behet realitet…
Mes shume puneve e projekteve, nga njera ide ne tjetren, dhe nga njera veshtiresi ne tjetren, ka nje projekt qe une e kam shume per zemer – i ngjan disi punes se Sizifit, me dallimin se ne fund projekti po del ne drite, se puna s’te le asnjehere ne balte sikur nami te behet:
👉🏻 Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor❗️
👉🏻 e nisem ne 2015, kur askush s’e besonte, kur shumekush e anatemonte, kur dikush tjeter e minonte, e megjithate Skuadra e Kultures nuk e ndali asnje dite punen.
👉🏻Jane shume njerez per te cilet do te flas nje here tjeter e me te cilet, me shume pasion edhe besim, kemi punuar, jemi zene, jemi trembur, por prape kemi vazhduar kete projekt te komplikuar por po aq edhe unikal, po s’jemi ndalur.
👉🏻Puna 5 vjeçare sot eshte drejt fundit.
👉🏻Teatri do te jete nje yll 🌟 i vertete! Une bashke me ju te gjithe, do te jemi shume te lumtur kur te ulemi ne keto poltrone per te ndjekur yjet tona te skenes, qe kane qene bashkepunetore te shkelqyer te kesaj pune dhe qe bene te mundur qe per 3 vite rresht Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit, te beje teater pa pasur teater.
Them se kemi arsye te jemi krenare🙌🏻.” / KultPlus.com

Google së shpejti do të jetë edhe kartë pagesash

Kompania Google është duke zhvilluar kartën e saj të debitit, si ‘fizike’ ashtu edhe ‘virtuale, e cila do të jetë rivalja e Apple Card.

Sipas burimeve të kompanisë karta do të mbështetet në sistemin e pagesave ‘mobile’ të Google Pay, dhe gjithashtu do të ishte pjesë e partnerit bankar. Midis këtyre institucioneve do të ishin Citi e Stanford Federal Credit Union.

Karta do të ishte e përdorshme për pagesa në dyqane, në internet dhe përmes smartfonëve. Për ta mbështetur atë do të kishte një aplikacion, të zhvilluar gjithmonë nga Google, për të monitoruar blerjet, kontrolluar bilancin dhe bllokuar llogarinë në rast nevoje/ANSA/ KultPlus.com

Klosi: Kemi mundësitë që sektori i turizmit ta mbajë ekonominë të mos gjunjëzohet

Ministrii i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se kemi të gjitha shanset që sektori i turizmit ta mbajë ekonominë të mos gjunjëzohet në kushtet e pandemisë COVID-19.

Klosi theksoi se ka shumë interes për të bërë turizëm në Shqipëri dhe për shkak të masave të marra për të luftuar COVID-19.

Duke marrë skenarin sikur mos hapen kufijtë, Klosi tha se “nëse ndodh do të ketë më tepër rregulla për turizmin e brendshëm, por nëse do vazhdojë kriza kaq e fort padyshim do ketë humbje të mëdha, por mendoj shumë për të filluar hotelerinë pa strukturat e mëdha ndihmëse, por duke  krijuar atraksion brenda hotelit do kemi mundësi të bëjmë turizëm por të mos fitojmë shumë”.

“Ajo që dua shumë që ky sektorë të mos goditet aq shumë sa të gjunjëzohet dhe unë mendoj se nuk do të gjunjëzohet. Në 2019 35% e eksportit shqiptar ka ardhur nga turizmi, pra para të reja që futen në ekonomi. Dhe ne i kemi të gjitha shanse që ky sektor ta mbaje ekonominë të mos gjunjëzohet”, tha ai.

Në lidhje me hapjen e turizmit, Klosi në qoftë se nuk do të kishim menaxhuar në mënyrë të shtrënguar krizën, sot nuk do bëhej  biseda për turizmin dhe këtë bisedë nuk do ta bëje dot në Itali kur dihet gjithë bota është super e infektuar. Debati është kur do fillojnë masat lehtësuese. Ka turistë që luten të bëjnë marrëveshje më 30 maj, por problemi është a e bëjmë dot. Në qoftë se ne  bëjmë diçka të zgjuar vazhdojmë aty ku jemi, përpiqemi të karikojmë fort këtë lloj biznesi. Ne do të bëjmë gjera që të jemi reaktiv, ne duhet të veprojmë”, u shpreh Klosi.

Klosi shton se “ne kemi kapacitete për të pritur turistë, por problemi është se nuk dimë datën e hapjes”. /atsh/ KultPlus.com

“Dita e Tokës” sivjet pa ndonjë aktivitet

50 vite më parë, më 22 prill të vitit 1970, veprimtarë dhe shtete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, organizuan një mbrëmje vallëzimi për nder të planetit tonë dhe e quajtën ”Dita e Tokës”.

Kështu, për të parën herë, ngrihej shqetësimi për problemet e mjedisit. Në Avenunë e Pestë të New Yorkut me këtë rast u zhvillua një paradë dy-orëshe.

Me këtë rast, më tepër se 10 milionë nxënësve të shkollave amerikane iu dhanë orë të veçanta mësimi për mjedisin, ku theksohej rëndësia e mbrojtjes së mjedisit; edhe Kongresi Amerikan i pezulloi punimet, në mënyrë që anëtarët e tij të të mund të merrnin pjesë në veprimtaritë e organizuara në shtetet përkatëse me rastin e Ditës së Tokës.

Po atë ditë, rreth 10 mijë vetë u mblodhën në lëndinën përpara Monumentit të Washingtonit në kryeqytetin amerikan, për t’i bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë hapa më të fuqishëm në drejtim të mbrojtjes së mjedisit. Që nga viti 1970, kur filloi për herë të parë të festohet Dita e Tokës, ajo vazhdon të festohet çdo vit në vende të ndryshme të botës me aktivete të ndryshme.

Lëvizjen për Mbrojtjen e Mjedisit e përkrahin njerëz nga të gjithë shtresat e popullsisë: mësues, studentë, artistë, politikanë dhe qytetarë të thjeshtë.

Ajo që filloi në vitin 1979 thjesht si një lëvizje për mbrojtjen e ujit, ajrit dhe burimeve të tjera natyrore, sot është zgjeruar dhe ka marrë përmasat e një rryme të përgjithshme, që përkrahet nga të gjithë.

Por në dallim prej viteve të kaluara kur për nder të kësaj dite organizoheshim aktivitete të ndryshme sensibilizuese, këtë vit për shkak të pandemisë COVID-19 nuk do të ketë ndonjë aktivitet. / KultPlus.com

Nisi një turne nëpër botë, çifti britanik bllokohet në Prizren nga koronavirusi

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” ka publikuar historinë interesante të një çifti britanik, të cilët kishin nisur një turne të gjatë, ndërsa kanë ngelur në Kosovë, për shkak të koronavirusit.

Skocezi Mike Elm dhe partnerja e tij Rosie Watson, të cilët po udhëtojnë nga Evropa në Azi, për të rritur ndërgjegjësimin për ndryshimin e klimës, janë bllokuar në Kosovë për më shumë se një muaj për shkak të mbylljes së kufijve, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Elm dhe Watson lejohen të dalin për 90 minuta çdo ditë për të marrë sende thelbësore në qytetin perëndimor të Prizrenit dhe madje intervista e tyre me Reuters duhej të aprovohej nga autoritetet e Kosovës.

“Jam jashtëzakonisht me fat në vendin ku përfundova, është një qytet i bukur,” i tha Elm Reuters-it.

Ai tha se po ashtu ndihet mirë që është bashkë me bashkëshorten dhe kështu kanë si të kalojnë edhe kohën së bashku.

Elm, një 32-vjeçar nga Edinburghu, kishte planifikuar të pedalonte biçikletën e tij 10 000 kilometra nga Austria në Mongoli në dy vjet, por ka bërë vetëm 3000 kilometra deri në Kosovë.

Çifti nisën udhëtimin e tyre vitin e kaluar nga shtëpitë e tyre në Anglinë veriore. Ata thonë se kanë parë gjëra të bukura në Europën Lindore.

Artistët botëror i përgjigjen pandemisë COVID-19, artistët tonë i përgjigjen me peizazhe

Shkruan: Ilir Muharremi

Arti është metaforë shpirtërore, meteor estetik, galaksi e pafund ngjyrash dhe nuancash e tonesh, det idesh, zbukurim asbtrakt që i nënshtorhet imagjinatës dhe idesë e që bëhet i kënaqshëm duke u marr me të vërtetën dhe të pavërtetën, jo- ekzistente. Jeta jonë reale e çastit është burim frymëzimi magjik e shpirtëror për artin, është materie e ashpër të cilën arti e përpunon, çëndisë, rimodelon në mënyrën formale të vet. Ndaj fakteve që na ofron situata jetësore arti është shpesh indiferent sepse pranon përmes barrierës së shtruar ndaj jetës vetëm atë anën e bukur të një stili të ri të trajtuar drejt përsosjes. Nëse jeta arrinë ta merr artin atëherë arti përfundon drejt greminës e nga kjo nuk guxojmë të vuajmë sot në këtë kohë pandemie, mortje e cila na ka pllakosur të gjithëve. Arti ka për detyrë të na zbukuron çastet e lodhjes, monotonisë përmes artistëve tonë të cilët nga peizazhet, natyrat e qeta, stilit të tyre personal nuk mund të ikin. Artistë, rrënoni këtë kolerë me brushë, ngjyrë, telajo, art konceptual sepse jeta shpirtërore e personale po ju rrëmben juve dhe artin. Ikni nga gremina e mortjes individuale, shpërndajeni shpirtin tuaj çastit duke kënaqur popullin. E këtë po e bëjnë artistët botëror të cilët po i revanzhohen koronavirusit me vepra interesante artistike. Mos u merrni me shambllone, nënshtrojuni çastit tranzit momental, zgjohuni nga gjumi klasik, krijoni në kohën e tashme siç po krijojnë artistët botëror. Dilni nga atelietë, vriteni koronavirusin pa maskë kirugjike sepse kirurg jeni ju artistë. Shërues dhe vrasës të mortjes.

Arti e merr jetën si pjesë të materias të tij të ashpër, e rikrijon dhe e rimodelon atë në forma të reja, është krejt indiferent ndaj fakteve, shpikjeve, imagjinatave, ëndrrave, dhe mban ndërmjet vetes dhe realitetit barrierën e padepërtueshme të stilit të bukur, apo të trajtimit zbukurues dhe të përsosur. Hapi tjetër është kur Jeta merr anën e epërme dhe e drejton Artin drejt humbëtirës. Ky është rrënimi i vërtetë, dhe prej kësaj ne po vuajmë sot.

Vepër arti për dezinfektimin e duarve

Çdo ditë ti i pastron duart, mirëpo nuk e ke vërejt shkëndijën e shkumëzuar të shamponit dhe fluskat ngjyrë floureshente që të janë vërshuar në shuplakat e dorës. Buzëqeshja shpalos harmonin e dhëmbëve dhe ndjenjat festojnë nga akulli i pastërtisë. Koronavirusi është bërë më i bezdizshëm se zgjeba e tash dhjetë herë në ditë duart i pastron, para mortjes i laje tri herë dhe identifikoheshe si pederas, e tash që i patron dhjetë herë në ditë? “Lani duar tuaja” është vepër e artistët Sara Shakeel e cila pas çdo larjes së duarve artistes ja kthen një buzëqeshje në fytyrë dhe e zhytë poshtë membranës së trurit aty te kujtesa. Pse artistëtë tonë nuk e shohin si të rëndësishme veprën e artit pastrimin e duarve? Arti ka për qëllim të futet gjithkund dhe të na edukoj.

Dashuri në kohën e koronavirusit

Trupi dhe shpirti ndjejnë ëmbëlsinë, çiltërsinë, parajsën dhe përhumbjen. Dashuria vjen nga dora e Zotit, shtrydh zemrat dhe ja dimë vlerën humbjes. “DASHURI në vitin 2020” vepër nga artistja Giulia Rosa. Ajo përfaqëson dashurinë në kohën e koronavirusit. Dy të dashuruar puthen me njëri-tjetrin, të mbrojtur nga maska kirurgjikale. Lëngun e pështymës nuk mund ta shijojnë, gjuha nuk mund të rrokulliset brenda gojës, e as buza e poshtme nuk mund ta ndjej atë kafshimin epshor. Epshi është falso e dëshira origjinale, ndërsa fantazia surreale. Ata janë dashnorët modern. Artisti bashkëkohor çelë sytë njerzimit, e përfaqëson atë, e bën të ndjehet mirë, të ëndërroj nga karantina monotone. As kolera mesjetare e as ndonjë virus nuk u bë pengesë për dy të dashuruar sinqerisht, andaj artistja këtë e shprehë në formë më të pastër, më të sinqertë, më optimiste, përtej gjembave, përtej dhembjeve. Nga ky ferr i strukur vuajtja shuhet dhe është e paaftë sepse këta dy po dashurohen. “Dashuria është një ndjenjë që nuk mund të shpjegohet! Është Zoti i të gjithë natyrës! Është një ndjenjë e hidhur dhe e ëmbël njëkohësisht! Dashuria! Një përbindësh i bukur që është e pamundur ta kuptojmë! Zot, që në mes të gjithë gjembave që na shpojnë e na shkaktojnë dhembje, ti shtron kaq shumë trëndafila në rrugën ku ecim, dhe pa të cilën ekzistenca dhe vdekja nuk do të kishin më dallime e do të ishin një!” – Xhakomo Kazanova

Art me letër higjienike kundër koronavirusit

Artistët botëror nuk ndalojnë së krijuari kundër koronavirusit. Nga imagjinata pajtojnë idenë me materien, paraqesin idenë të kthyer në materie dhe materien të lartësuar në ide. Ata të dy sytë i mbajnë hapur, syrin e jashtëm i cili vështron dritën dhe shkëlqimin monoton, panikë, kaos dhe ai sy mbyllet sepse reagon syri i brendshëm. “Panikë”, vepër nga një letër toaleti e artistit CB Hoyo, është ekspozuar. Njerëzit rëndom krijon panikë ndaj letrave higjienike dhe është krijuar vargan njerzish të cilët presin të blejnë letër toaleti e që mendja e artisti nuk mund ta përcepton pse njerzit duhet të presin në radhë për ta fshirë bythen. Panikë, klithmë, stres krijojnë njerzit në këtë kohë pandemie e paniku sjell kaos ndërsa arti proteston kundër kësaj e ky është qëllimi i artit.

Artikulli më i shitur është letra për ta fshirë bythen. Arti lufton me të shëmtuarën për hirë të së bukurës sepse nocioni i artistikes dhe i së bukurës paraqesin nocion të përbashkët të një fryme. Bukuria është shumë e thjeshtë ajo gjendet në personalen duke prekur globalen dhe aktualen, ndërsa e keqe është ajo e neveritshme.

Iku çehoviani i funit…

Shkruan: Halil Matoshi

Iku çehoviani i funit…

(ni essay i vogël për ni art të madh)

1.
Tom & Jerry janë heronjtë tanë të përjetshëm, me të cilët fëmijtë e gjysmës së dytë të shekullit 20 e kanë bâ vajin dhe gazin e parë dhe tashma miliona nga ta kanë ikë nga kjo botë.
Në skenën e luftës që “Klauzevitzi” i animacionit e shfaqte sy botës, (që nga viti 1940) askush nuk vdes, se luftarët bien e çohen deri në sfidën e re, por madje edhe mas artilerisë së rânë, vjen armëpushimi, idila e pajtimit, prap acarimi, intriga, kurthi e megjithatë, ajo arenë reflekton lojë&dashtuni!?
Sepse, drama gjithnjë ka një shthurje çehoviane: Lotë e heqamë, por para se me ra perdja, të gjithë luftarët mbesin gjallë!?

2.
Jemi rritë me Tom & Jerry, që kur baba, në vitet ‘70 bleu ni televizor të markës sllovene ‘Gorenje’ bardh-zi, “me llama” që thojshim dhe që për dreq, prishej zakonisht në prag të Vitit të Ri!?
Geine Deitch me lojë e ka laku realitetin, kur maca e shpisë nuk âsht gjithmonë e zellshme në detyrë dhe Jerry nuk âsht gjithnjë ai tipi i bezdisshëm që na i ngrit nervat, por dytë janë thjesht lojtarë, që në ‘cartoon’ na kënaqin me dromcat e tyne komike pa na detyru që të ndërhyjmë, për t’i ndjekur nga dhoma jonë!?

3.
Nga krijuesi i dashtunisë dhe urrejtjës eternale, përmes dy personazheve emblematik të shekullit 20, dhe i përballjës me luftën e ashpër për hapësirë, qoftë në glob apo në vrimat e djathit, Geine Deitch, kam mësu se jo gjithmonë mbretnon ligji i të fortit dhe jo gjithmonë fiton i madhi, në këtë botë jo gjithnjë dashamirëse!?
Theatri i tij, tu e shfaqë me vija, realitetin, në “cartoon”, e çuditshme, ka shkaktu të qeshuna vend ankthit dhe empati edhe për “personazhet negative”, duke e shfaqë transformimin e botës sonë nga mik-anmik, nga ajo bota moniste bardh-zi, në atë të pluralitetit të ngjyrave, sikur televizorët tanë të viteve ‘70 krahasu me ‘plazmat’ e dekadës së dytë të shekullit 21.

4.
Do të vazhdojmë të shtrihemi në kanape e të qeshim me dy musteqokët tu, hokatar, Maestro, pa i dhânë tagër as politikës as religjionit dhe as “të gjelbërtëve” dhe shoqatave që mbrojnē kafshët, e performojnë me peliqe, veshë e mâthë me lëkurat e ‘wildword’.

I dashur atdhe

Poezi nga Asdreni

Me vite jam larguar,
i dashur Atdhe,
por nuk të kam harruar,
se shumë i ëmbël je.

Kjo zemra më këndon
për ty, o Shqipëri,
por prapë më lëngon,
se je në varfëri.

Të fala të dërgoj,
këndej ku jam Atdhe,
gjithnjë po të kujtoj,
se birin tënd më ke.

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Ferma e kafshëve

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Libri i Orwellit, “Ferma e kafshëve” mbahet si një nga alegoritë më të mira politike të shkruara ndonjëherë. Shkrimi përmes alegorisë është shkrim edhe i këndshëm edhe sfidues, ngase kërkon shumë vëmendje gjatë leximit, e madje edhe gjurmim më të thellë të asaj që lexohet. Platoni shkruante në mënyrë alegorike tek “Alegoria e shpelles”, Kafka poashtu në mënyrë alegorike fliste tek “Metamorfoza”, e shumë alegori të tjera.

Por ku qëndron e veçanta e librit të Orwellit në krahasim me alegoritë ose metaforat e tjera? Gjuha e Orwellit është gjuhë e thjeshtë, tejet e kuptueshme, me një fjalë libër për të gjithë. Orwellin mund të e lexojnë dhe kuptojnë njerëz të profileve të ndryshme, të përgatitjes profesionale të ndryshme, të moshave të ndryshme. Kushdo që e lexon Orwellin e kupton se është alegori dhe nuk bëhet fjalë për fermë të kafshëve në kuptimin bukfal.

Në qendër të trajtimit të librit është pushteti, ushtrimi i tij, dhe mirëmbajtja e tij. Të flasësh thjeshtë për pushtetin nuk është aspak gjë e lehtë, në kuptimin e asaj që t’u ikim interpretimeve të komplikuara filozofike për fenomenin në fjalë.

Kant: Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë

“Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë.”

“Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes.”

“Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit.”

“Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai i papërpunuar dhe i egër.”

“Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve.”

“Një veprim, për të qenë moralisht i denjë, duhet të bëhet nga përgjegjësia.”

“Rregullat e lumturisë: diçka për të bërë, dikë për ta dashuruar dhe diçka për të shpresuar.”

“Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet.”

Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit.

“Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë.”

“Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua.”

“Miq të njerëzimit, mos ia mohoni arsyes privilegjin e të qenët guri i fundit i krahasimit me të vërtetën.”

“Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën.”

“E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyeja.”

“Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj?”

“Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë.”

“Nga një dru i shtrembër si ky nga është bërë njeriu, asgjë e drejtë nuk mund të krijohet.”

“Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit.”

“Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër.”

“Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë.”

“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë.”

“Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën.”

“Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur.”

“Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder.”

“Shkenca është dije e organizuar; mençuria është jetë e organizuar.”

– Imannuel Kant

Alber Kamy: “Nuk mund të ketë dashuri për jetën, pa dëshpërim për jetën.”

“Në mes të dimrit e kuptova, se brenda meje ishte një verë e pamposhtur. Dhe kjo më bënë të lumtur, sepse thuhet që pavarësisht se sa fort shtyen bota kundër teje, brenda teje, ekziston diçka edhe më e fortë – diçka më e mirë, që e kthen atë prapa.”

“Gjithmonë shko shumë larg sepse atje do ta gjesh të vërtetën.”

“Nuk mund të ketë dashuri për jetën, pa dëshpërim për jetën.”

“Njeriu është gjithmonë viktimë e të vërtetave të tij. Kur njëherë ai i pranon ato, ai nuk mund ta liroj veten nga to.”

“Ta kërkosh atë që është e vërtetë nuk do të thotë ta kërkosh atë që është e dëshirueshme.”

Intervista me Isa Boletinin: “Kurrë nuk do t’i dorëzoj pushkën dhe kamën time”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Prill 2020

“Le Temps” ka botuar, të shtunën e 29 qershorit 1911, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me një intervistë të zhvilluar asokohe me patriotin dhe luftëtarin e shquar shqiptar, Isa Boletinin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Na shkruajnë nga Shkupi :

Shefi i famshëm shqiptar Isa Boletini, për të cilin autoritetet turke besonin se e kishin shkëputur nga kryengritja, e la Sokolicën pak ditë më parë, dhe u tërhoq sërish, i armatosur, me tridhjetë prej të afërmeve dhe shokëve të tij, në kodrat e pyllëzuara, që ndodhen afërsisht dy orë me kalë nga Mitrovica.

Ata që e pyetën mbi arsyet e vendimit të tij të ri, Isa Boletini thuhet se u është përgjigjur :

U ktheva në Shqipëri disa muaj më parë i vendosur për të zbatuar të gjitha aspektet e ligjit.

Pata shpresë se qeveria, nga ana e saj, do të bënte çdo përpjekje për të përmbushur kërkesat kombëtare të vëllezërve të mi, jo vetëm të atyre që ende luftojnë në kufirin turko-malazez, por edhe kërkesat e popullsisë urbane dhe rurale të Shqipërisë Veriore që kërkon edhe emërimin e zyrtarëve shqiptarë, adoptimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, shërbimin ushtarak të shqiptarëve në krahinën e tyre, me pak fjalë, privilegje të kërkuara nga vetë kushtet e ekzistencës së racës shqiptar. Asnjë nga këto nuk na është mundësuar.

Amnistia perandorake dhe disa koncesione që pasuan dëshmuan se ishin të pamjaftueshme në të gjithë Shqipërinë. Prandaj jemi betuar, ne shqiptarët, të mbajmë këtë qëndrim derisa të na plotësohen dëshirat tona.

I pyetur nëse ai synon t’ua dorëzojë armët autoriteteve, Isa Boletini është përgjigjur :

Kurrë nuk do të dorëzoj pushkën dhe kamën (thikën) time. Shokët dhe të afërmit e mi do të bëjnë të njëjtën gjë.

Shefi shqiptar aktualisht qëndron i tërhequr por në gatishmëri. Ai shprehet se do të veprojë vetëm kur situata të jetë e nevojshme.

Thuhet se pothuajse çdo ditë emisarë nga autoritetet e Mitrovicës vijnë tek ai për t’i kërkuar që të kthehet në fshatin e tij.

Qeveria ka vendosur të dërgojë pesë batalione për të shkatërruar bandat që infektojnë rajonin nga Gjakova në Pejë. Shqiptarët e Gjakovës armatosen shumë; kontrabandistë të shumtë kalojnë armë në sasi të mëdha nëpërmjet kufirit serb, sepse pushkët shiten tani në Shqipëri për 20-30 lira turke.

Kolera sapo është përhapur midis trupave në Shqipëri; dje ka pasur 14 raste dhe 12 vdekje.

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania),: https://www.darsiani.com/la-gazette/le-temps-1911-intervista-me-shefin-e-famshem-shqiptar-isa-boletinin-ne-kodrat-e-pyllezuara-kurre-nuk-do-t-i-dorezoj-pushken-dhe-kamen-time/. / KultPlus.com

Sukses i madh në Olimpiadën Matematike Evropiane, Era Syla fiton Medaljen e Bronztë

Nxënësja Era Syla fiton Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020, shkruan KultPlus.com

“Përfundoi me sukses Olimpiada Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020. Ekipi i Kosovës në këtë olimpiadë prestigjioze fitoi një Medalje të Bronztë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Shoqatës së Matematikantëve të Kosovës.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Nxënësja Era Syla fiton Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020

Përfundoi me sukses Olimpiada Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020. Ekipi i Kosovës në këtë olimpiadë prestigjioze fitoi një Medalje të Bronztë.

EGMO është gara më e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e evropës dhe shumica e vendeve jashtë Evropës marrin pjesë në cilësinë e mysafirëve, të përfaqësuara nga nxënëset më të mira të matematikës. Ky është viti i parë që Kosova merr pjesë në këtë olimpiadë prestigjioze. EGMO është kampionati evropian i matematikës për nxënëset e shkollave të mesme. Prandaj, arritja e Erës është vërtet e jashtëzakonshme.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e uron dhe e përgëzon nxënësen Era Syla për suksesin e arritur dhe për përfaqësim të denjë të shtetit të Kosovës në këtë olimpiadë prestigjioze!

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës,
Prishtinë,
më 21.04.2020″

Kosova s’ka se si ta luftojë dezinformimin në kohën e pandemisë

Që nga shfaqja e rasteve të para të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë, më 13 mars, ka pasur shtim të lajmeve të rreme dhe dezinfomatave.

Përmbajtje të tilla, si për zanafillën e përhapjes së virusit dhe deri te zbulimi i vaksinës, kanë qenë të përditshme në rrjete sociale.

Ato kanë marrë pëlqime dhe shpërndarje të shumta nga audienca shqipfolëse.

Përveçse përmbajtja ka qenë e paverifikuar, shpeshherë lajme të tilla kanë ndikuar në përhapjen e panikut.

Disa vende të botës kanë krijuar mekanizma për luftimin e lajmeve të rreme në kohën e pandemisë së koronavirusit të ri, por në Kosovë përveç bazës ligjore që rregullon në një masë sanksionet për shpërndarjen e informacioneve të pavërteta nuk ka një mekanizëm adekuat.

Selatin Kllokoqi nga organizata “Democracy Plus” vitin e kaluar ka hartuar një analizë që trajton sanksionet ligjore për personat dhe mediumet që përhapin lajme të rreme ku, sipas tij, ka rezultuar se nuk është e mjaftueshme baza aktuale ligjore.

“Ekziston baza ligjore, por siç duket nuk është e mjaftueshme, sepse gjatë këtyre ditëve apo gjatë këtyre javëve nuk kam dëgjuar ende që ka ndodhur ndonjë rast që ka shkuar në gjykatë për shpërndarje të lajmeve të rreme apo panikut, përkundër faktit se kemi pasur shumë të tilla. Mendoj që edhe te ne në një situatë më të mirë pasi të kalojë kjo pandemi dhe të kemi një qeveri funksionale duhet të merren masa që ligjet që e rregullojnë këtë çështje të adoptohen edhe më mirë në mënyrë që mos ta kemi këtë vërshim të përditshëm të lajmeve të rreme”.

Shpërndarja e propagandës që nxit urrejtje dhe kryerjen e veprave penale është e dënueshme me Kodin Penal në Kosovë, ndërsa ndjekja në rastet penale kryhet në dy forma – me paraqitjen e rastit nga pala e dëmtuar, por edhe nga vetë prokuroria.

Mekanizmi tjetër i parandalimit të lajmeve të rreme zhvillohet përmes kontesteve civile, sipas Ligjit mbi Shpifjen dhe Fyerjen.

Ky ligj e përcakton që autori i lajmit është përgjegjës për shpërndarjen e informacionit, të cilin ai e ka ditur se është i pavërtetë ose është dashur ta dijë se është i pavërtetë.

Ky rregullim ligjor nuk është i mjaftueshëm për të luftuar keqinformimin në kohën e pandemisë së koronavirusit, thotë juristi Kushtrim Palushi.

“Problematika e lajmeve të rreme është pa mbulueshmëri ligjore dhe në këtë mënyrë personat të cilët merren me këtë fenomen janë rrjedhimisht pa kontroll. Do të thotë ata mund të veprojnë të lirë pa u frikuar se dikush, ndonjë ‘watchdog’ ose ndonjë institucion përgjegjës është duke i mbikëqyrur. Në këtë aspekt, atëherë lind nevoja që kjo problematikë të rregullohet, nëse jo me një ligj të veçantë, atëherë të rregullohet me akte nënligjore si nga ana e Komisionit të Pavarur për Media, po ashtu nga ana e Këshillit për Media të Shkruara”, thotë Palushi për Radion Evropa e Lirë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se keqinformimi dhe lajmet e rreme kanë ndikim të madh te qytetarët, sidomos tani kur janë të izoluar si pasojë e masave të ndërmarra nga institucionet në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Përmbajtje të tilla të rrejshme që kanë qarkulluar në rrjete sociale janë denoncuar në polici, konfirmon Faik Hoti, drejtor i Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Përmes një komunikimi ditor dhe transparent është arritur që të bindet pjesa më e madhe e popullatës që informatat burimore lidhur me Covid-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] t’i marrin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Përkundër ngarkesave të mëdha, një numër i lajmeve të rrejshme dhe raportimeve me dezinformata dhe të pavërteta janë denoncuar në mekanizmat për siguri kibernetike e privatësi dhe institucionet e sigurisë duke u nisur nga fakti që dezinformatat në situata të emergjencave të shëndetit publik paraqesin edhe rrezikim të sigurisë kombëtare”.

Hoti thotë se Ministria e Shëndetësisë që nga fillimi ka krijuar një plan për informim i cili, sipas tij, ka pasur efekt pasi qytetarët në masë të madhe po informohen rreth koronavirusit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Edukimi medial në shkolla si zgjidhje e problemit

Të sfiduar nga përhapja e lajmeve të rreme dhe dezinfomatave, disa vende evropiane prej vitesh kanë të integruar edukimin medial në shkolla.

Futja e kësaj lënde në shkollat e Kosovës mund të jetë një zgjidhje për të edukuar popullatën për përmbajtjen që lexon, thotë Alban Zeneli, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

“Kjo problematikë bëhet edhe më e madhe në rastin e Kosovës, për shkak se shoqëria nuk është e përgatitur. Ne nuk kemi një shkollim publik i cili ofron edhe edukim për media, sepse kjo do të ndihmonte në përgatitjen e shoqërisë për këtë problematikë. Pra, thjesht, njerëzit do ta refuzonin përmbajtjen e rreme dhe nuk do të jepeshin shumë pas senzacionit nëse do t’i kishin informatat paraprake nga shkollimi i tyre”.

Në kuadër të Policisë së Kosovës prej vitesh ekziston një njësit i specializuar kundër krimeve kibernetike, por ky njësit kryesisht merret me krime të natyrave të ndryshme dhe që lidhen me vepra të rënda penale.

Që nga shpallja e pandemisë së koronavirusit, institucione të ndryshme kanë bërë thirrje që qytetarët të informohen nga media dhe burimet kredibile në fushën e shëndetit, siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë./ REL

Ricky Gervais dëshiron ta udhëheqë ceremoninë “Oscar”

Komediani britanik kontrovers, Ricky Gervais, në të kaluarën e ka prezantuar ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “Glob i Artë”, në vitet 2010, 2011, 2012, 2016 dhe 2020, por tani ai e pranon se do t’i pëlqente ta sfidojë veten në rolin e prezantuesit të ceremonisë më të rëndësishme në kinematografi, atë “Oscar”.

Por kushti i vetëm i tij për ta pranuar një përgjegjësi të tillë është, nëse Akademia e Artit dhe Shkencave do t’i jepte liri të plotë në këtë detyrë, transmeton Koha.

I pyetur nga revista “GQ Hype” nëse ndonjëherë do t’i pëlqente ta prezantoj ceremoninë “Oscar”, Gervais tha: “Po, por ata nuk do të ma kërkojnë kurrë një gjë të tillë. Sepse unë nuk do të pranoja ta prezantoja këtë ceremoni në mënyrën e tyre. Por, nëse do të më thoshin se mund të them çfarë të dua dhe do të kem liri të plotë në kryerjen e kësaj detyre, atëherë do të ishte një ofertë tunduese për mua. Dhe pavarësisht se e di që gjërat nuk do të shkonin mirë, sepse jam i bindur që do të ndodhte kështu, prapë do ta pranoja këtë detyrë.”

Edhe pse 58-vjeçari, Gervais, në të kaluarën është kritikuar për humorin e tij të ashpër gjatë prezantimit të ceremonisë “Globi i Artë”, ai e pranon se i ka pëlqyer rikthimi në rolin e prezantuesit edhe sivjet, duke thënë gjithashtu se mendon që kjo ishte performance e tij më e mirë deri më tani.

Sidoqoftë, aktori e ka zbuluar faktin se shakatë e tij të shkruara për këtë ceremoni, ishin dashur të aprovohen nga një avokat, para se ai të dilte në skenë për ta udhëhequr këtë ngjarje. / KultPlus.com