Piktura e serbit për shqiptarët roje në Egjipt, shitje rekord në ankandin e Londrës

Piktura e njohur me titull “Dy rojet shqiptare para portës”, që paraqet dy roje shqiptare në Egjipt, një nga kryeveprat e piktorit serb të shekullit të XIX, Paja Jovanoviq, është shitur në Londër.

Piktura është shitur në ankandin e famshëm të artit, “Sotheby’s”, duke filluar nga shifra e 150 mijë stërlinave deri në shifrën përfundimtare të afro gjysmë milioni stërlinash, duke e bërë atë pikturën më të shtrenjtë të këtij piktori, shkruan Tch.

Paja Jovanoviq ka rreth 8 tablo me tematika shqiptare dhe njihet si “orientalisti” më i madh serb. Jovanoviq ka udhëtuar disa herë në Shqipëri, duke qëndruar në Shkodër për t’u njohur me kostumet kombëtare shqiptare, ku thuhet se krijoi një miqësi të fortë me piktorin e shquar të Rilindjes Kombëtare, Kol Idromenon.

Ai ka qëndruar në mesin e shqiptarëve, që nga Mali i Zi e deri në Egjipt, e njihet si një ndër piktorët e rrallë që ka nxjerrë me ngjyra në pëlhurë madhështinë dhe krenarinë e shqiptarit, së bashku me rrobat karakteristike.

Ndër pikturat me tematikë shqiptare janë “Përgatitja e nuses shqiptare”, “Mësimi i shpatës”, “Vallja e shpatave”, “Vajza me çifteli”, “Dredhja e duhanit”, “Shqiptari duke pushuar”, etj.

Edhe pse nuk dihet blerësi, media serbe ka kritikuar ashpër qeverinë që nuk investon në blerjen e këtyre veprave për Muzeun e tyre Kombëtar. Ndërkohë që në Shqipëri, asnjë nga këto piktura nuk është pronë e fondit të artit, apo ndonjë koleksionisti shqiptar. / KultPlus.com

Kjo është prova e parë e Eugent Bushpepës në Eurovizion

Kjo ka qenë sot prova e parë e Eugent Bushpepës në Eurovizion.

Kënga “Mall” është sjellë në skenën e Eurovizionit në provën e saj të parë. Shqipëria këtë vit është konkurrente e fortë dhe Eugenti me zërin e tij të fuqishëm synon finalen e datës 12 maj.

Pritet të shohim reagimet e fansave rreth kësaj prove të parë të Eugentit.

Eugenti do të këndojë në Eurovizion me 8 maj, në gjysmëfinalen e parë në të cilën dukshëm janë të gjitha këngët e mira të këtij viti, prandaj edhe konkurrenca është më e vështirë.

https://www.youtube.com/watch?v=9lNyEDWk3Pc

Ikja

Poezi nga Sibel Halimi.

Kur dola nga streha jonë
I dashuri im
Mora së pari veten
hijen e braktisa
E lash aty
Të ulur në divanin e së shkuarës
Një sy lash në sirtar
Kur mora Dostojevksin e Hessen

Në atelie lash një dorë
Që mban një fije shpresë
Varur rrinte në përditshmërinë
Që e kishte gllabëruar koha e hapësira

Në dhomë gjumi lash sytë hapë përgjithmonë
E në jastëk ëndrrat që kurrë s’u bënë realitet

Në dhomën e vajzës
Lash veten shtrirë
Rritën dhe këngën për të tashmen e të ardhmen

Në pasqyrë, i dashur
Lash shikim tim të përlotur
E gishtërinjtë të mpirë
Rrëshqasin rrëmbimbthi mes flokësh

Si uragan
Në korridor, i dashur
Lash një qafore që më përkujton ty
Një unazë që më jep premtim
Një gurë të çmuar për të na ruajtur ty e mu

Tavolinën e punës ku e rrita qenien
Të vetmen e mora bashkë me këmishën vjollcë e këpucët e kuqe…

Publikohet albumi ‘Partir’ nga Elina Duni (VIDEO)

Këngëtarja Elina Duni, pas dy viteve punë ka lansuar kësisoj me 27 prill projektin e saj të radhës muzikor – ‘Partir’.

Duni, një artiste e kompletuar, ka lansuar projektin me disa këngë brenda tij, përfshirë “Amara Terra Mia”, “Vaj si Kenka” – një këngë tradicionale shqipe nga Maqedonia, “Meu Amor”, “Vishnja” dhe melodi të tjera të bukura që rrjedhin prej zërit të veçantë të Elinës.

Nga dje albumin mund ta bleni kudo në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Elina Duni mbetet ndër zërat më të mirë shqiptarë në botën e muzikës jazz. Ajo ka qenë disa herë me koncerte edhe në Prishtinë.

‘Partir’ kësisoj është projekti i radhës i cili e sjellë Elinën edhe më afër shqiptarëve dhe kulturës e muzikës shqipe, pasi brenda albumit janë përfshirë këngë të trevave të ndryshme shqiptare. / KultPlus.com

Rita Ora në Holandë e kujton me emocione artistin Avicii (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Rita Ora e ka kujtuar në një mënyrë të veçantë kolegun e saj, Avicii, i cili javën e kaluar ndërroi jetë.

Rita e cila ka bashkëpunuar me artistin suedez në disa projekte, e ka kujtuar Aviciin në një festival në Holandë derisa ka kërkuar nga publiku 1 minut heshtje.

“Është e vështirë ta këndoj këtë këngë pasi nuk e kam kënduar asnjëherë që nga vdekja e Avicii, dhe dua të gjithë të këndoni bashkë me mua” ka thënë Rita Ora derisa ka kënduar “Lonely Together” në skenë.

“Ky djalë ma ka ndryshuar jetën. Ai ka qenë një shok i mirë për mua” ka thënë Rita për Tim Bergling, artisti 28 vjeçar i cili ndërroi jetë javën e kaluar.

538Koningsdag Festival e mirëpriti artisten shqiptare në një performancë të zjarrtë. / KultPlus.com

E verdhë

Odiseas Elitis / Përkthyer nga Romeo Çollaku.

Ca vajza të korithta qëmenatë hodhën zëra
Fishekzjarre e ngjyra që jehonin
Në kishëzën e largët të zefirit…
Hya a bam! Pa ç’u derdh era nga kambanat
Dhe gjithë deti larg hya e bam! hya e bam!
Po baret me kambana çmendurake…

Dhe ato ikën tani lakuriq nga mesi e lart
Me kashtore të gjëra thimba të kërmëzta naze kallëze
Të prirur me një flutur mbi gjirin e djathtë trimoshin
Tri katër gjashtëmbëdhjetë tetëdhjetë a njëqind
Shkojnë e grinden me fëmijët e tokës kësaj konteshe bari
Djegin sanë shkrijnë flori temjanisin me pjalm
Krokujsh parzmin e tokës aq sa ajo tanimë fërgëllon
Lajthitet eteri nga breshëri kanarinash dhe veton parashtur
Vlon me squfur në breg me kallama në fushë..

Vajzani mos! Me ç’ zemër do t’ia thonë bilbilat këngës!
Mos! Me ç’shtjellë uji do harlisen pjergullat!
Si e nxëka qiellin një guaskë e trëndafiltë
Si mund të parandjehet vajzani drita nga sytë tuaj!

Dokumentari i Alketa Xhafa Mripës shfaqet në Sidnej

Filmi “Mendoj për ty” u shfaq dje pasdite në Qendrën e Kongresit në Sidnej, Australi, një dokumentar ky që merret kryesisht me çështjen e pazgjidhur të viktimave të dhunës seksuale, të kryer gjatë luftës në Kosovë.

Filmi kryesisht në gjuhën shqipe (me titra në gjuhën angleze) po shfaqet gjithandej botës (në të paktën dymbëdhjetë shtete deri më tani).

Artistja në qendër të filmit, Alketa Mripa-Xhafa së bashku me producentët Anna Di Lellio (një sociologe dhe një konsulente e mëparshme në misionin e OKB-së në Kosovë) dhe tashmë ish-Presidenten Atifete Jahjafa, në vitin 2014 kanë themeluar Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.

Sot në panel, Presidentes Jahjaga iu bashkua Ambasadori i Republikës së Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari. Aty u diskutua për sfidat morale, politike e historike me të cilat Kosova përballet në mënyrë që të rregullojë dhe riadresojë dhunën seksuale shumë të përhapur shkaktuar kundrejt grave dhe vajzave gjatë luftës në vitet e ‘90-ta nga serbët dhe forcat ushtarake të udhëhequra nga serbët.

Rreth njëzetmijë gra dhe vajza shqiptare të Kosovës iu nënshtruan përdhunimit sistematik gjatë luftës së Kosovës. Një temë që e shqyrtoj në librin tim në Kapitullin 2 te “Brezat dhe Refugjatët”, nga historianët që merren me luftërat e suksesioneve të viteve 1990-të, përdhunimi shihet në masë të madhe si një armë që është rezultat i drejtpërdrejtë i spastrimit etnik.

Përdhunimi si një armë e luftës është metodë shumë e vjetër që shërben për të dermoalizuar popullatën armike dhe për të minuar lidhjet kulturore, shoqërore e fetare midis këtyre komuniteteve.

Por gjatë luftës në ish-Jugosllavi, përdhunimi mori formë të veçantë dhe është një fenomen i ri për shkak se është kryer në mënyrë të koordinuar dhe sistematike.

Larg nga imazhi i një ushtrie ruse që kërkonte saktë hakmarrje për popullsinë e saj të nënshtruar nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore, ose ato të garnizonëve romakë të udhëhequr nga Cezari që me sa duket po plaçkitnin rrugën e tyre nëpër Gal, kampet e “përdhunimeve” dhe “fabrikat” u orkestruan dhe u vendosën në konfliktet në Ballkan me qëllim të qartë të “edukimit” të bashkësive etnike armike.

“Mendoj për Ty” dokumenton donacionin e 5000 veshjeve nga gratë (dhe disa burra) nëpër gjithë Kosovën. Veshjet pastaj shfaqen në një instalim të madh artistik në stadiumin e futbollit të Prishtina.

Kiçmari, duke prezantuar filmin, u tha të pranishmëve: “Mënyra më e lartë e dhunës çnjerëzore ishte abuzimi i grave [gjatë luftës]”. Duke themeluar iniciativa shtetërore të riintegrimit dhe rehabilitimit për gratë që vuanin nga dhuna seksuale e përjetuar gjatë luftës, Jahjaga si Presidente luajti rol kryesor në ngritjen e vëmendjes ndaj kësaj çështjeje brenda dhe jashtë vendit. Ajo ka drejtuar “një agjendë për të kapërcyer stigmën e dhunës seksuale, duke krijuar infrastrukturë për të mbijetuarit në mënyrë që të iu garantohen të drejtat”, tha Kiçmari.

Kur Presidentja Jahjaga mori detyrën u përball me një sfidë të madhe për të ndërtuar të ardhmen për viktimat për shkak se siç u shpreh ajo “shumica e autorëve të krimit mbetën të lirë”.

Ndërkohë, shtoi ajo, viktimat mbetën “të heshtura nga shoqëria jonë dhe nga sistemi ynë”.

Si Presidente, “vendosa të veprojë. Pra, në mars 2014, kam themeluar Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale”.

“Ishte koha kur bëmë një angazhim kombëtar për të thyer heshtjen”.

Instalacioni artistik “Mendoj për Ty” na kujton urtësisht se lëvizja #metoo nuk është vetëm për atë që po ndodh në Hollywood. Sot ekzistojnë praktika të vazhdueshme historike dhe të rrënjosura të dhunës seksuale në mbarë botën, pasojat e të cilave ndjehen dhe jetojnë ende, por normalizohen dhe institucionalizohen.

Dhuna e tmerrshme seksuale e kryer në një kontekst lufte, është njohur relativisht vonë në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe atë vetëm që nga Lufta e Bosnjës.

******

Shkruan: Robert Carr. Carr është hulumtues në Universitetin e Sidnejit Perëndimor. Ai doktoroi me temën: “Refugjatët kosovarë: Përvoja e ofrimit të strehimit të përkohshëm të sigurt në Australi”.

Sonte, koncert në ‘Prenk Jakova’ në Gjakovë

Kori dhe klasa kamertale e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë do të mbajnë sonte koncert, shkruan KultPlus.

Në mbrëmjen e cila do të sjellë vepra të kompozitorëve si Gjini, Garcia, Raminsh, Kuffner, Horicht dhe Briogg, do të paraqiten edhe sopranoja Anita Kërhani ndërsa në piano do të jetë Melos Buza.

Dirigjenti i kësaj mbrëmje do të jetë Hajrullah Syla si dhe Eranda Meka e cila është nxënëse e shkollës.

Koncerti do të mbahet në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com

Standard: Shqipëria, destinacioni më i mirë për udhëtim vitin tjetër

Kryeministri i Shqipërisë – Edi Rama, e ka nisur ditën me një lajm teksa ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook artikullin e revistës britanike e cila e renditë Shqipërinë të parën ndër vendet që duhen vizituar.

“Mirëmëngjesi dhe me këtë artikull të revistës britanike ‘EveningStandard’ që e renditë Shqipërinë të parën në 12 vendet që duhen vizituar sa më parë, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

Në raportin më të fundit të konkurrueshmërisë së turizmit në Forumin Ekonomik Botëror, sipas prestigjiozes britanike, u analizuan 136 vende për aftësinë e tyre për të qenë një destinacion i mirë turistik.

“Shqipëria u ngrit për tetë vende në raportin më të fundit, që do të thotë se është një destinacion emocionues për turistët. Ndërsa gjersa jeni aty sigurohuni që do të vizitoni Rivierën Shqiptare dhe Gjirokastrën, ‘qytetin e gurit’ dhe vendet tjera atraktive”, thuhet në artikullin i cili krah Shqipërisë radhitë Japoninë, Gabon, Indinë, Perunë, Vietnamin, Meksikën, Algjerinë dhe disa shtete tjera. / KultPlus.com

My Art Guides, mbi shtëpitë private dhe arsimin e viteve të vështira në Kosovë

My Art Guides, që shërben si udhëzues thelbësor për të eksploruar botën moderne të artit bashkëkohor, ka realizuar një artikull edhe për Pavijonin e Kosovës në këtë edicion të Bienales së Arkitekturës në Venecia.
Shkrimi fillon me konceptin e Pavijonit të Kosovës, e që rrotullohet rreth idesë së “shtëpisë” si kompensim për qytetin.

“Përgjatë viteve të ’90-ta shqiptarët e Kosovës u përjashtuan nga të gjitha aktivitetet e jetës institucionale publike për shkak të situatës politike dhe konflikteve në ish-Jugosllavi. Si pasojë e kësaj shqiptarët e Kosovës krijuan sistemin paralel të institucioneve publike nëpër shtëpitë private në zonat periferike të qytetit”, shkruan My Art Guides.

Aty tutje tregohet se hapësira e Pavijonit me titull “Qyteti është kudo” është një shtëpi gjithmonë në ndërtimin e sipër e disi e papërfunduar për shkak të këtyre funksioneve të reja publike shtesë. Aty pjesa e brendshme përfaqëson edhe atë të jashtmen në të njëjtën kohë.

“E gjithë jeta publike e shqiptarëve gjatë viteve ’90 për 10 vjet u sigurua në këto hapësira private të hapura nga shqiptarët e Kosovës për përdorime publike. Shtëpia u bë një metaforë për qytetin – ishte një hapësirë publike / shkollë / galeri / spital / dyqan / kafene dhe një shtëpi në të njëjtën kohë”.

“Pra, pjesa e brendshme është një dhomë dhe në të njëjtën kohë një hapësirë / institucion publik. Hapësira e rrethuar nga pasqyrat krijon një efekt të hapësirës dhe hapjes së zgjeruar si një metaforë e lirisë psikologjike, por jo fizike si e tillë, pasi që pasqyra është ende një pengesë fizike dhe e kundërta, ju jeni atje, por nuk jeni aty, ju jeni të lirë brenda, por ende të ngujuar”, është shkruar në My Art Guides.

Kuratore e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut për Arkitekturë, me titull “Qyteti është kudo”, është Eliza Hoxha ndërsa komisionere Jehona Shyti. / KultPlus.com

Pasioni

Poezi nga Cristina Peri Rossi / Shqip: Bajram Karabolli

Dolëm prej dashurisë
si nga një katastrofë ajrore
Kishim humbur rrobat
Letrat
mua më mungonte një dhëmb
ty kuptimi i kohës

A thua qenkësh një vit i gjatë sa një shekull
apo një shekull i shkurtër sa një ditë?
Prej mobileve
prej shtëpisë
vetëm gjëra të bëra copë:
gota foto libra te shfletuara…

Ishim të mbijetuarit
e një vithisjeje
e një vullkani
e ujërave të tërbuara
dhe ndahemi me ndjenjën e mugët
të të mbijetuarit
megjithëse nuk e dimë pse.

Ermal Meta: Vitin tjetër tërhiqem nga muzika, dua vetëm pushime

“Një fëmijëri e ndërlikuar në Shqipëri. Adriatiku për t’u kaluar dhe përvojat e para duke luajtur muzikë në bare. Më pas si solist dhe autor i mbi 300 këngëve arriti të gjejë suksesin. Pasi fitoi Sanremon, jeta e tij “dyfishohet”, përmes disqeve të shitura dhe koncerteve. Se cila do të ishte rruga e tij ai e ka ditur gjithmonë qartë. “Emri im është Ermal Meta dhe dua të hem një yll rroku”. Kështu i është prezantuar në moshën 14-vjeçare mësueses, në ditën e parë të shkollës së mesme. Ai sapo kishte mbërritur në Bari nga Shqipëria. Në vetëm 3 muaj mësoi italishten, “një gjuhë plot kurthe”. Sot ai është në qendër të vëmendjes, por ka nevojë të ‘zhduket’”. Kështu e nis Vanity Fair Italia shkrimin për këngëtarin shqiptar, fitues të Sanremos, Ermal Meta.

Ai thotë se herë pas here duhet një pushim, dhe vitin tjetër nuk ka koncerte, por udhëtime.

“Gjithçka është dyfishuar krahasuar me vitin e shkuar. Ndërveprimet në rrjetet sociale, disqet e shitura. Mendova se i kisha lodhur njerëzit, pas tre vitesh. Duhet heshtja herë pas here: vitin e ardhshëm nuk ka koncerte, 2019 do të jetë një vit pushimi. Kam nevojë të çlodhem pak, të udhëtoj. Më pëlqen të shkoj në Indi: të shkruaja një roman të frymëzuar nga ato vende. Dua të marr me qira një “bed&breakfast” në Islandë, një dhomë me piano, vetëm për të shkruar. Pastaj dua të shkoj në Amerikë, nga bregu në breg me makinë, me vëllain tim. E ndoshta dhe në Japoni, dhe disku im i ardhshëm do të frymëzohet nga tinguj oriental”, rrëfen Meta.

Ermali gjatë kësaj interviste tregon për jetën e vështirë në Shqipëri, për fillimin jo më të lehtë në Itali dhe sakrificat e nënës së për të. Ndërsa për Shqipërinë, Ermali thotë se kthehet herë pas here, dhe e merr malli të dëgjojë gjuhën mëmë.

“Isha egoist se nuk dita të fsheh dëshirat”

“Më kujtohet një episod i moshës 20-vjeçare që më bëri të qaj për një javë. Doja me çdo kusht një tastierë, por nuk kisha para per ta blerë, e aq më pak t’ia kërkoja nënës që punonte aq shumë. Një ditë kur kthehem në shtëpi motra ime hap derën duke buzëqeshur dhe më thotë që të shkoj në dhomë. Dhe tastiera ishte atje. Nëna ime kishte marrë hua për të ma blerë. Për disa ditë nuk e përdorja, u ndjeva fajtor. Po mendoja ta riktheja, mendova me vete se jam treguar shumë egoist dhe nuk kisha arritur të fshihja dëshirat e mia.
E ëma besonte shumë te Ermali.
“Ajo ishte violiniste e jashtëzakonshme, por në Itali nuk mundi të punonte si muzikante. Ajo u detyrua që të ndihmojë të sëmurët në spital”.
Ermali është single
Kisha një histori që zgjati 9 vite e gjysmë me Silvian, tashmë nuk jemi më bashkë, por datajet na përkasin vetëm ne. Tani jam i përqëndruar vetëm te muzika, nuk kam asnjë mënyrë dhe dëshirë për të bërë diçka tjetër.
Vajza ideale për Ermalin?
Më ndikon aspekti fizik, por pas tij duhet të jetë një personalitet i fortë. Kam dobësi pvr vajzat argëtuese. Nëse nuk stimulohem nga këndvështrimi intelektual dhe emocional më bie interesi. Sa per aventura kam pasur shumë.
Koncepti i tij për dashurinë
Nuk e kuptoj shumë. Gjëja më e rëndësishme është që së pari të jesh mik e të duash, vetëm atëherë mund të ndërtosh diccka. Nuk duro xhelozinë. Nuk jam xheloz dhe nuk më pëlqen ta vuaj xhelozinë.

Nesër mbahet prova e parë e Eugent Bushpepës në skenën e Eurovizionit

Eugent Bushpepa nesër do të realizojë provën e tij të parë në skenën e Eurovizionit.

Data 29 prill shënon ditën e parë të provave për Eurovizionin që mbahet javën tjetër.

Me fillim në ora 11:20 – Eugenti i cili përfaqëson Shqipërinë këtë vit do të ngjitet në skenë për të provuar emocionin e parë.

Provat kanë rëndësi të madhe pasi tregojnë realitetin e këngëve dhe juritë kanë interesim të madh për provat gjenerale.

Nesër, pos Eugentit në skenë për provë ngjiten edhe këngëtarët nga Azerbajxhani, Lituania, Izraeli, Estonia, Bullgaria, Islanda, Belgjika, Çekia dhe Bjellorusia.

Prova e dytë do të jetë ajo e 3 majit, për Eugentin dhe këngën e tij “Mall”. / KultPlus.com

Një pritje e gjatë, e ëmbël e zjarrtë
Ca hapa trokasin si zemër këtë natë
Unë ndjek ritmin e saj
Dy duar që zgjaten përpijnë në ngrohtësi
Ky mall që të djeg nuk njeh kufi as largësi

Si më magji hëna shikimet përpin
Më sjell vegimin tënd

Lot i patharë ndriçojë këtë natë
Sonte kumbo prej shpirtit pa fjalë
Vetëm një çast dhimbja të më ndalë

Ky lot i patharë një ditë do shterojë
Nga puthjet e zjarrta që ëndërroi
Në atë çast dhimbja do ndalojë

Dua të hesht në këtë natë i shtrirë në këtë shtrat
Ku ëndrrat hyjnore shërojnë çdo plagë
Të shoh portretin e saj
Momentet kalojnë, sekondat nuk falin
Orët pasojnë por ndjenjën se ndalin, jo

Si më magji hëna shikimet përpin
Sytë tanë puqën sërish edhe pse është fantazi
Jetën do ta fal ty

Lot i patharë ndriçojë këtë natë
Sonte kumbo prej shpirtit pa fjalë
Vetëm një çast dhimbja të më ndalë

Ky lot i patharë një ditë do shterojë
Nga puthjet e zjarrta që ëndërroi
Në atë çast dhimbja do ndalojë

Do ndalojë

Parlamenti

Xhevahir Spahiu

Atje brenda,
pas mureve të trasha,
pas mureve të rënda,
atje brenda,
thonë natën e varrosnin,
thonë ditën e përsosnin,
sa shpresa,
sa ëndërra,
atje brenda.
Atje brenda?
Një mëngjes u gdhinë të tmerruar,
panë se vetveten e kishin harruar
dhe nisën vetveten
nga gjumi
ta zgjonin,
ta miklonin,
të kërkonin:
kush vila, kush plazhe, kush paga të larta,
kush blloqe të reja, avione, parajsa,
duart dhe këmbët
si në ethe i shtrinin.

Cili nga këta këngëtarë do të mbajë koncert gjatë verës në Tiranë?

Kjo verë pritet që të jetë vërtetë e nxehtë, jo vetëm sa i takon temperaturave, por edhe aktiviteteve të shumta që janë planifikuar të organizohen në Tiranë.

Kryebashkiaku i Tiranës – Erion Veliaj ka postuar në Instagram një sondazh ku qytetarët mund të zgjedhin se cilin këngëtar dëshirojnë që të ndjekin live këtë verë në kryeqytet.

Po propozohet Rita Ora, Ermal Meta, Martin Garrix, Daddy Yankee dhe Alan Walker.

Secili prej emrave gëzon famë në Tiranë prandaj po shikohet mundësia që njëri nga këta artistë të vijë gjatë verës në Tiranë për një koncert gjigant.

“Po i afrohemi 3 viteve pune intensive ne bashkinë e Tiranës dhe po mendojmë për një stinë festive të paparë në kryeqytet këtë verë! Kë do donit të kishim? Voto më poshtë dhe vendos vetë me kë do të festosh”, – shkruan Veliaj. / KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e ‘Cirkut Fluturues’ me regji nga Fatos Berisha

Pas një rrugëtimi 22 ditësh, duke përshkuar po të njejtën rrugë të protagonistëve të filmit që bazohet në ngjarje të vërtete, ka mbyllur me sukses xhirimet filmi I metrazhit të gjatë, bashkëprodhim Kosovë-Shqiperi “Cirku Fluturues” në regji të Fatos Berishës dhe me producente Vjosa Berishën.

Në 22 ditët e xhirimit të ndara në 4 javë ku një javë kaloi në Kosovë, një në Ulqin dhe dy javë në Shkodër dhe Tiranë, ky film përshkoi një udhëtim jo të lehtë me xhirime në shumë lokacione, kastë të madhe aktorësh dhe me një ekip filmi mjaft të madh.

Skenari, autor i të cilit është poashtu Fatos Berisha i cili e përjetoi këtë ngjarje në realitet, dikton shpesh skena të vështira, lëvizje të mëdha lokacionesh, numër të madh figurantësh dhe shumë të papritura për 4 protagonistët në role kryesore, bëri që 22 ditët e xhirimit mos të jenë fare të lehta në realizim por disiplina në punë dhe shkathtësia regjisoriale e Berishës si dhe ekipi regjisorial që kishte rreth vetes mundësuan që xhirimet të kryhen në kohë rekord pa asnjë vonesë dhe me suksesin maksimal marrë parasysh kushtet në të cilat u punua.

Regjisori Fatos Berisha ndihet I emocionuar por edhe I lumtur lidhur me punën e realizuar:

“- Është bërë një punë e madhe, me shumë mund dhe pasion për filmin nga gjithë ekipi, gjysma e punës është kryer tani na pret gjysma tjetër deri në përfundimin e plotë. Falenderoj të gjithë ata që morën pjesë dhe ndihmuan projektin.”

Shpëtim Selmani, njëri nga katër aktorët në rolet kryesore e përshkroi përvojën e tij pothuajse të parë në film, në këtë mënyrë: “- Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Cirkut Futurues, një rrëfim i mrekullueshëm për ca njerëz që kishin ëndrrat dhe në këtë mënyrë kishin kuptim si qenie njerëzore përderisa sot fatkeqësisht duket sikur jemi në kërkim të të dyjave. Jam i lumtur poashtu që jam pjesë e një rrëfimi ku i thurret himn entuziazmit dhe pasqyron një periudhë të rëndësishme në formësimin e identitetit tonë kulturor, social dhe historik.”

Producentja e filmit Vjosa Berisha lidhur me ditët e kaluara në shesh xhirimi u shpreh: – “Jam jashtëzakonisht e kënaqur me ecurinë e kësaj faze të prodhimit të filmit sepse kemi arritur me të vërtetë që në kohë rekord të mbyllim xhirimet e një produksioni aspak të lehtë për kushtet që I kemi në dispozicion. Unë isha me ekipin cdo ditë në shesh xhirimi për të ofruar përkrahjen time të plotë sepse desha të përjetoj cdo moment pasi ky film është shumë domethënës për mua.

Lëvizja e filmit sic e dikton skenari në shumë lokacione për të arritur dinamikën e përjetimit të ngjarjes që ka ndodhur në të vërtetë, vendosja e ngjarjes në vitet e ’90ta tani kur zhvillimi i qyteteve tona e sidomos Prishtinës dhe Tiranës ka bërë që ato të ndërrojnë pothuajse komplet pamjen e dikurshme, por dhe historia e cila sado qe na bën për të qeshur me gjithë atë cfarë ju ndodh personazheve na kthen edhe në një periudhë të rëndë emocionalisht që e kemi përjetuar vet ne në vitet e ‘90ta, të gjitha këto e bëjnë filmin sa të vështirë për realizim aq edhe të dashur dhe të vecantë për vet ne si gjeneratë që e kemi përjetuar këtë periudhë para pak vitesh.

Mirëpo me një kastë aktorësh të mrekullueshme dhe me një ekip të përkushtuar, e patjetër me një punë shumë sistematike dhe mjeshtri të vecantë që ka regjisori që njëherit e bën edhe më të lehtë punën për shkak të pozitivitetit që rrezaton në punë, ne me të vërtetë arritëm të mbyllim pjesën më të vështirë edhe me një buxhet mjaft të limituar për atë cfarë dikton ky film. Jam shumë mirënjohëse përkrahësve të filmit dhe të gjithë atyre që na ndihmuan edhe gjatë xhirimeve, sigurisht dy qendrat kinematografike Kosovë dhe Shqipëri, por edhe Bashkia Tiranë së bashku me Kryebashkiakun Erion Veliaj që na konfirmuan një përkrahje financiare mu gjatë xhirimeve.

Ka edhe shumë përkrahës të tjerë në cdo vend ku ishim dhe ne I falenderojmë jashtë mase e nuk do ti harrojmë, por vlen të përmendet patjetër edhe Komuna e Ulqinit që ka bërë cmos që cdo gjë të rrjedh në mënyrën më të mirë duke mos kursyer edhe përkrahjen në aspektin e mikpritjes së ekipit dhe sigurimin e kushteve maksimale gjatë qëndrimit tonë atje. Jemi falenderues ndaj të gjithëve Prishtina, Tirana Shkodra dhe Ulqini, ju falenderojmë pa fund që na ofruat ndihmën tuaj që të ndjehemi mirë, si në shtëpinë tonë dhe të mund të kryejmë punën tonë. Poashtu një falenderim I vecantë për të gjithe ekipin, nga asistentat e produksionit që ishin të palodhur në cdo moment e deri tek I gjithe ekipi I filmit që ishin shumë profesional dhe të përkushtuar përfshirë këtu menaxherin e produksionit, drejtorin e fotografisë regjisorin dhe kastin e madh të mbi 40 aktorëve nga të gjitha trojet shqiptare që morën pjesë në film në role të ndryshme. Krejt në fund ata që marrin dedikimin tim janë edhe katër aktorët kryesor, Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Mucaj dhe Shpëtim Selmani të cilët i qëndruan stoikisht këtij udhëtimi të gjatë duke qenë prezent në xhirime cdo ditë për 22 ditë rradhazi dhe duke vazhduar të jenë të buzëqeshur dhe me disponim të mirë në vazhdimësi, të disiplinuar e duke dhënë maksiumin që cdo skenë të shkojë ashtu si duhet.

Krejt në fund jam e sigurt që ky film do të sjell shumë momente komike për publikun por njëkohësisht edhe emocion e dhimbje, mund të them që në vete Cirku Fluturues është ndërtuar me shumë dashuri dhe jam e sigurt se do t’a rrezatojë këtë emocion kudo.”

Përvec katër aktorëve në rolet kryesore, rolet dytësore u kanë takuar një numri të aktorëve më të njohur të skenës shqiptare: Refet Abazi, Shkumbin Istrefi, Luan Jaha, Vedat Bajrami, Armond Morina, Romir Zalla, Ilir Prapashtica, Rita Gjeka, Bislim Mucaj, Dibran Tahiri dhe Fisnik Ademi, ndërkohë një prezencë speciale në rol dytësor kishte edhe aktori i njohur boshnjak i cili jeton dhe vepron në Londër, Velibor Topic, i njohur për rolet e tij në Robin Hood, Kingdom of Heaven, etj.

Premiera e filmit pritet të jetë në fillim të vitit 2019 kur filmi mund të fillojë rrugëtimin e tij nëpër festivale të ndryshme. / KultPlus.com

Mari Antuaneta, jeta e gruas që e joshi Stefan Cvajgun

Një nga rrëfimet më të bukura për Mari Antuanetën është bërë nga shkrimtari I njohur Stefan Cvajg. Biografinë e librit të tij për Mari-Antuanetën, i cila u kurorëzua mbretëreshë e Francës në moshën 15-vjeçare, Stefan Cvajgu e bazoi në dokumentet e korrespondencës së Mari-Antuanetës me nënën e saj.

Cvajgu analizon pikërisht kiminë e shpirtit të kësaj gruaje, që nga kënaqësitë e saj intime e deri në vuajtjen e saj publike. Mari-Antuaneta kishte lindur si princeshë e Austrisë. Ajo u martua me mbretin Luigj XVI, si rrjedhojë e makinacioneve politike të familjeve monarke të asaj kohe. Mbreti Luigj XVI kishte një karakter të dobët dhe të pavendosur.

Ai gjithashtu nuk mund të përmbushte detyrimet bashkëshortore, për shkak të paaftësisë së tij fiziologjike. Që të lehtësonte ankthin e saj të brendshëm, Mari-Antuaneta zgjodhi një jetesë ekstravagante dhe të trazuar, duke e kaluar kohën në lojërat e fatit dhe duke bërë shpenzime të bujshme e të pafundme, por më në fund gjithçka i doli kundër.

Sidoqoftë, gjatë viteve të fundit të jetës, Mari-Antuaneta ndryshoi sjelljen e saj të mëparshme ekstravagante dhe të padurueshme, duke u bërë këmbëngulëse e guximtare dhe me një përpjekje të admirueshme për të mbrojtur dinjitetin e saj, e përqafoi vdekjen me qetësi të plotë. / KultPlus.com

Me performancën e dy koreve nga Peja u përmbyll POST DAM 2018 në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Festivali DAM, mbrëmë është rikthyer në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare për të sjellë mbrëmjen e titulluar “Përtej” në kuadër të Post DAM 2018. Mbrëmja solli interpretime të fuqishme dhe atraktive të dy koreve nga Peja – Korit të shkollës së Mesme të Muzikës “Halit Kasapolli” dhe Korit “Siparantum”, shkruan KultPlus.

Mbrëmja filloi me veprën “The Lion Sleeps Tonight” nga Kori i Shkollës së Mesme të Muzikës e që numëron vetëm gjashtë koncerte recitale deri më tani. Mirëpo, duartrokitjet që morën nga publiku në Prishtinë, shërbenin si dëshmi se puna e tyre është mjaft premtuese. Faktin se ky ka qenë një fillim i vështirë për korin, nuk e mohon as dirigjenti Memli Kelmendi.

“Ka qenë një punë mjaft e vështirë në fillim për arsye se personalisht menzi që kam arritur ta bashkoj muzikën dy-zërshe, e pas një kohe me punë dhe me vullnetin e nxënësve kemi ardhur edhe te muzika katër-zërshe. Deri sot me Shkollën e Mesme të muzikës kemi mbajtur gjashtë koncerte recitale, me korin akapella e që nuk është punë e lehtë”, tha ai për KultPlus.

Vepra e gjashtë “Lux Aurumque” nga Eric Whitacre solli në skenë dy koret për të interpretuar së bashku në koncertin i cili ndryshe erdhi si mbrëmje “POST DAM”. Ndërsa pjesa e dytë e kësaj mbrëmje i takoi Korit “Siparantum”, kor ky i cili shënoi dy vite punë pikërisht në kuadër të festivalit DAM, në të cilin vitin e kaluar pati edhe debutimin si kor.

Dirigjenti dhe themeluesi i korit Siparantum, Memli Kelmendi, tregoi për Kultplus se ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë për anëtarët e korit, të cilët njihen nga publiku për lëvizjet në skenë dhe efektet e tjera që përdorin gjatë interpretimit.

“Kur vendosa që të formoj Korin ‘Siparantum’ ideja ka qenë që të sjellim diçka më ndryshe dhe të krijojmë një natyrë krejtësisht tjetër e që nuk jemi mësuar ta shohim në Kosovë. Sigurisht kjo është një risi dhe jo çdokujt mund ti pëlqejë ky stil mirëpo mendoj që kjo e afron publikun dhe i jep një qasje krejtësisht tjetër”, tha ai.

Kori “Siparantum” solli gjashtë vepra, në mesin e të cilave ishte edhe vepra premierë e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj. Kompozitori Aliçkaj tregoi për KultPlus se veprën “Siparantum” e ka shkruar katër muaj më parë pikërisht për këtë kor.
“E kam përdoru emërtimin e korit ‘Siparantum’ dhe vetëm me këtë fjalë e kam krijuar veprën. Jam munduar që në vepër të shpreh stilet e kohës, të shekullit XX dhe XXI, mirëpo ajo është edhe një gërshetim i folklorit tonë burimor, jo i cituar po i krijuar nga unë. Këto motivet tona jam munduar që ti shpreh në mënyrën sa më profesionale. Po ashtu në këtë vepër jam munduar që të ketë edhe elemente moderne, si dhe një pjesë ka të bëjë me muzikën e renesancës të shekullit XVI. Pra vepra i ka disa stile në të dhe mund të themi së është polistilistike”, tha ai për KultPlus.
Tutje ai tha se ai është munduar që në vepër të sjellë efekte të ndryshme të tingujve, të zërave të njerëzve duke e bërë veprën më atraktive për publikun. Kështu në vepër është një pjesë ritmike, mjaft atraktive, një pjesë me efekte dhe një pjesë që në aspektin harmonik është shprehur shumë mirë, pastaj përsëri repriza, pra për nga forma mund të quhet një ABA.

Kjo vepër por edhe disa pjesë të tjera nga ky koncert, e që u shoqëruan herë pas here edhe me piano dhe violinë, e ku nuk munguan as solistët , do të luhen nga kori edhe gjatë pjesëmarrjes në festivalin ndërkombëtar të koreve botërore “Nancy voix du monde”, festival i cili mbahet nga 9-13 Maj në Nancy të Francës, ku Kosova paraqitet për herë të parë.
Me këtë koncert që shërbeu si epilog i edicionit të 13-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” u përmbyll edhe një edicion i suksesshëm. / KultPlus.com

Grupi ABBA po rikthehet në muzikë

ABBA ka regjistruar muzikë për herë të parë pas 35 vitesh, ata këtë e kanë bërë të ditur për faqen suedeze të Afton Bladet, përcjellë KultPlus.

Ky bashkim ka rezultuar në dy këngë të reja dhe njëra prej tyre “I Still Have Faith In You” do të performohet nga kopjet digjitale për një produksion të veçantë për NBC dhe BBC që pritet të transmetohet në dhjetor.

“Të katërtit mendonim se, pas rreth 35 vjetësh, mund të ishte kënaqësi të bashkoheshim përsëri dhe të shkonim në studiot e regjistrimit. Dhe ne e bëmë këtë. Ishte sikur të kishte kaluar një kohë shumë e shkurtër dhe sikur të ishim larguar vetëm për pushime”, kanë treguar ata.
Vetëm dy ditë më parë, fantast ishin të gëzuar ta dëgjonin lajmin se grupi ABBA po rikthehet, por ata nuk do të jenë personat që do këndojnë apo vallëzojnë.

Anëtarët e grupit do të kenë pamjen ashtu siç e kishin në kulmin e karrierës së tyre në vitin 1979, në saje të pajisjeve të teknologjisë së lartë.

Këngëtarja Björn Ulvaeus, 72, zbuloi lajmin e koncerteve gjatë një fjalimi në Bruksel. Shfaqja dy-orëshe pritet të transmetohet nga BBC në Britani. Ndërsa, një turne botëror është planifikuar në vitin 2019 ose 2020, gjë që mund të sjellë të ardhura të mëdha në shitjet e biletave, sipas Times.

Ekspertët e Silicon Valley po përdorin video të vjetra për të replikuar se si grupi kërcenin, visheshin dhe këndonin në mënyrë që kopjet digjitale të programohen për të risjellë hite si Waterloo, Mamma Mia dhe Dancing Queen.

Grupi shiti më shumë se 400 milionë albume, por nuk kanë perfomuar që nga viti 1986, përveç në një festë private në vitin 2016.
Nëse kjo do jetë e suksesshme, teknologjia do ta lejojë grupin të mbajë koncert kudo në botë pa qenë të famshmit të pranishëm.

Ja si visheshin të rinjtë e një shekulli më parë

Bota ka ndryshuar shumë në hapësirën e një shekulli të vetëm dhe veshja e të rinjve nuk ka bërë përjashtim.

Fotot që do të shihni më poshtë janë marrë në vende të ndryshme në mbarë botën gjatë fillimit të shekullit XX. Hidhini një sy shumëllojshmërisë së veshjeve të ndryshme që kanë qenë trend vetëm 100 vjet më parë.

Historia e Verterit sonte vjen në teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj

Shfaqja teatrore për të rinj – “Verteri”, e shkruar nga Johann Wolfgang Goethe, vjen sonte nga ora 20:00 si premierë në teatrin “Adriana” të Ferizajt, nga regjisori gjerman Stefan Schletter.

Ky produksion teatror është bashkëpunim në mes të Teatrit “Adriana” në Ferizaj, Teatrit Pfalzbau të Ludwigshafen në Gjermani dhe Qendrës Multimedia në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në shfaqje janë angazhuar aktorët Jajush Ramadani, Milot Salihu e Edona Berisha Bekteshi. Skenografinë dhe kostumet do t’i realizojë Nora Jentzsch. Kushtrim Shemsedini do të jetë përgjegjës për muzikën.

“Sa i lumtur jam që nuk jam më”- kështu fillon novella e Johann Goethe-s “Vuajtjet e Djaloshit Verter”.
Edhe pse e shkruar në shekullin e 18-të nga Goethe, historia që tregohet aty, edhe sot reflekton nevojën themelore të çdo gjenerate të re për t’u çliruar.

Verteri udhëhiqet nga pasioni për liri absolute. Ai e jeton jetën pa ndonjë barrë apo ndonjë obligim për të kaluarën dhe vlerat tradicionale. Ai ndjek emocionet e tij, dhe në takim të pare bie në dashuri me Loten.
Lote, një vajzë e re dhe e bukur që kujdeset për vëllezërit e motrat e saj pas vdekjes së nënës së tyre, është e fejuar me Albertin, një njeri i durueshëm dhe shumë i respektueshëm. Përkundër të gjitha pengesave dhe arsyeve, Verteri ndjek rrugën e dashurisë ndaj Lotes, gjithnjë deri sa nuk gjen një fund tragjik.

“Ne dëshironim të gjenim një temë univerzale që paraqet më shumë ngjashmëri se sa ndryshime në një botë të globalizuar. Dashuria është tema më universale që ne mundëm të gjenim për të rinjtë. Ajo është pa kufij dhe pa kohë”, ka thënë regjisori Schletter.

Përpos në Kosovë, shfaqja do të jepet edhe në Maqedoni, Gjermani e Shqipëri. Repriza e parë e shfaqjes do të jepet më 28.04.2018, në ora 2:00 në teatrin “Adriana” të Ferizajt. / KultPlus.com

Elia Zaharia, aktore tek ‘Vetëvrasësi’ i Nikolai Erdman

Elia Zaharia do të interpretojë këtë fundjavë në skenën e Teatrit “Andon Zako Cajupi” të Korçës, në veprën e Nikolai Erdman “Vetëvrasësi” nën regjinë e Sulejman Rushitit.

Po çfarë është në qëndër të kësaj vepre? Një i ri, i papunë, Semyon, beson se përgjigja ndaj problemeve të tij është të mësojë të luajë tuba. Megjithatë, plani i tij dështon dhe ai mendon vetëvrasje. Fqinji i tij, Aleksandër Petroviç, vendos të fitojë para nga mjerimi i Semyon, duke shfrytëzuar vetëvrasjen e tij për disa ofertues. Këta ofertues kanë planifikuar të shfrytëzojnë vdekjen e Semyon-it në avancimin e çështjes së tyre individuale.

Inteligjenca, e përfaqësuar nga Aristarku, është i pari që i afrohet atij. Nga kjo pikë, Semyon e gjen veten, duke u manipuluar nga njerëz të ndryshëm që përfaqësojnë botën e biznesit, artet, punëtorët, romancat etj. Gjatë rrjedhës së shfaqjes, secili personazh zbulon anën më të keqe të personalitetit të tyre, me efekt humorist. “Vetëvrasësi” u përkthye për herë të parë në anglisht nga Peter Tegel dhe u shfaq nga kompania Royal Shakespeare në The Other Place, Stratford, më 13 qershor 1979. Prodhimi u drejtua nga Ron Daniels dhe roli kryesor i Semyon Semyonovitch luhej nga Roger Rees. Ajo u vendos për herë të parë në Broadëay më 9 tetor 1980 në Playhouse ANTA (tani i quajtur Ëilson Theatre August) dhe u mbyll më 30 nëntor 1980 pas 60 shfaqjeve.

Bashkëpunimi më i mirë i Erdman me Meyerhold ishte “The Suicide (1928)” e njohur universalisht si një nga veprat më të mira të shkruara gjatë periudhës sovjetike. Veprimi bazohet në temën e vetëvrasjes së falsifikuar, e cila ishte futur në literaturën ruse nga Aleksandër Sukhovo-Kobylin në “Vdekjen e Tarelkinit” (1869) dhe u eksplorua nga Leo Tolstoy në “The Living Corpse” (1900). Në role të tjera intepretojnë Neritan Licaj, Olta Gixhari . “Vetëvrasësi” është një shfaqje e vitit 1928 nga dramaturgu rus Nikolai Erdman. Performanca e tij u ndalua gjatë epokës staliniste dhe u prodhua vetëm në Rusi disa vjet pas vdekjes së shkrimtarit të saj. Sot ajo konsiderohet si një nga dramat më të mira, që ka dalë nga Rusia komuniste. Edhe më parë në skenën e teatrit në Shqipëri Rushiti është vlerësuar me veprat e tij. Kjo premierë pas skenës së Korçës do të vijë dhe në skenën e teatrit në Tiranë.Vepra do të ngjitet në skenë në datat 28-29-30 prill dhe 1-12-13-14 maj.

Rikthimi i fuqishëm i Visar Mulliqit, përqafim me kujtimet e fëmijërisë

Alberina Haxhijaj

Artisti Visar Mulliqi që nga viti 2011 nuk ka ekspozuar në Prishtinë ndërsa pas shtatë viteve ai është rikthyer për të sjellë një ekspozitë e cila lidhet me elemente tradicionale.

Ekspozita e tij “100% Origjinal”, u hap mbrëmë në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.

Të gjitha punimet që u prezantuan në këtë rikthim artistik ë Mulliqit lidhen me traditën shqiptare dhe kujtimet të cilat artisti i ka nga fëmijëria. Përmes kësaj ekspozite ai solli Kosovën ashtu siç e kujton, gjatë vizitave të ndryshme së bashku me prindërit e tij, gjersa është i vetëdijshëm për ndryshimet që ka pësuar Kosova në aspektin e arkitekturës dhe në fushat tjera të jetës. Sipas tij ngjyrat e ndezura dhe energjia të cilat e japin këto ngjyra, gjenden akoma të pranishme në peizazhin e Kosovës.

“Punimet e mia, panoramat apo peizazhet janë realizuar në Kosovë, vende të cilat i kam vizituar kur kam qenë i vogël, së bashku me prindër. Prandaj e kam quajtur ekspozitën “100% Origjinal” pasi që jam i këtij vendi dhe këtu shfaqet identiteti im, puna ime e pa marrë askund”, thekson artisti për KultPlus.

Në këtë ekspozitë e cila ka rreth 30 piktura, të pranishmit patën mundësi që të shikonin edhe një cikël të vogël, në të cilin mund të vëreheshin kasolle të vjetra, të marra përsëri nga kujtimet e fëmijërisë. Ndërsa tema e gjithë kësaj ekspozite i shërben artistit si pikënisje për zhvillimin e artit të tij.
“Ngjyrat e ndezura janë shumë me rëndësi sepse Kosova i ka ngjyrat e ndezura sidomos në vjeshtë dhe në pranverë. Kjo mundet me u pa nëpër Kosovë, në punime kam krijuar edhe një lloj stoicizmi të cilin unë gjithmonë e bëj. Këtu gjithmonë ka më pak lëvizje, ato fortunat e ndryshme, por stoik ka me qenë populli jonë dhe njerëzit që jetojnë këtu, diçka që shihet edhe në punime”, tha ai për KultPlus duke shtuar se gjërat kanë ndryshuar ndër vite mirëpo kjo është Kosova që ai e ka në nëndijen e tij.

Kuratori i kësaj ekspozite – Zeni Ballazhi, konsideron se në krijimtarinë e piktorit paraqitet një pikturë ekspresioniste figurative e dimensioneve të ndryshme me një fuqi emocionale.

“Pikturat e Visar Mulliqit plotësojnë lidhshmërinë tek njëra-tjetra, sigurojnë një dimension ekspresionist, e që ngritë shikueshmërinë dhe kënaqësinë tek publiku. Këto piktura për nga vlerat e tyre, justifikojnë plotësisht interesimin dhe vlerësimin e lartë të profesionistëve dhe artdashësve të shumtë si dhe nga vetë piktori i cili i koncepton si “100% origjinale”, është shprehur ai.

Për artistin Brane Kovic, piktori është i pranishëm fuqishëm në jetën kulturore të mjedisit të tij dhe i frymëzuar nga një traditë e caktuar ekspresioniste. Një ndër përfaqësuesit tjerë të shquar, ishte babai i tij Muslim Mulliqi.

“Nga regjistrat e ndryshëm të ofruar në tryezë dhe vepra të piktorit, Visar Mulliqi na zbulon imagjinatën e tij të veçantë, që rezulton nga një studim i thellë në një mjedis në të cilin është formuar dhe prej nga ka trashëguar”, është shprehur ai.

Artisti pritet që të hapë një ekspozitë tjetër në Prishtinë, në janar të vitit të ardhshëm. Ndërsa kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 10 maj në Galerinë e Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com