Dua Lipa dhe Rita Ora nominohen në çmimet gjermane ECHO Awards

Nesër në Gjermani do të mbahen ECHO AWARDS.

Çmimet prestigjioze muzikore ndahen nga Deutsche Phono-Akademie.

Për tu bërë më e bukur kjo ceremoni, duhet përmendur se Dua Lipa dhe Rita Ora janë nominuar që të dyja në të njëjtën kategori.

Dy shqiptaret do të konkurrojnë me Pink, Camila Cabello dhe Taylor Swift në kategorinë e International Rock/Pop Female Artist, shkruan KultPlus.

Rita Ora si duket do të performojë poashtu në këtë ndarje të çmimeve, ndërsa emrat tjerë që do të performojnë në ceremoni janë edhe Luis Fonsi, Jason Derulo, Mark Foster e Kylie Minogue. / KultPlus.com

Agim Ramadani: Unë po e shoh lirinë, tash edhe me vdekë s’më mbetet peng asgjë

Sot janë bërë 19 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

KultPlus sot ju sjellë një pjesë të bisedës mes heroit Agim Ramadani drejtuar bashkëshortes së tij Shukrije Ramadanit, vetëm pak ditë para rënies së tij, më 24 mars 1999.

“Unë po e shoh lirinë dhe po ta uroj që tani! Tash edhe me vdekë, s’më mbetet peng asgjë, ngaqë po e ndjej zërin e lirisë. Më dhimbsesh që s’je këtu ta shohësh qiellin e përflakur dhe të kuptosh sa ngjyra të bukura ka liria”, i kishte thënë Agim Ramadani gruas. / KultPlus.com

Puthja në mes të Belmondo dhe Anna Karina, posteri zyrtar i Festivalit të Kanës

Festivali i Filmit të Kanës ka zgjedhur që për edicionin e tij të 71-të të nderojë filmin “Pierrot le fou”, të regjisorit Jean-Luc Godard.

Në qendër të posterit zyrtar të këtij edicioni është aktori Jean-Paul Belmondo dhe Anna Karina, përcjellë KultPlus.com

Në posterin me tone të kaltërta dhe të verdha, Jean-Paul Belmondo dhe Anna Karina nga veturat e tyre zgjaten për të puthur njëri-tjetrin. Ky imazh është marrë nga një skenë e filmit “Pierrot le fou”. Godard ishte nderuar në vitin 2014 në Kanë me çmimin e jurisë.

Festivali i Kanës do të hapet më 8 maj, me aktorin dhe drejtorin Edouard Baer si mikpritës të festivalit dhe me aktoren australiane Cate Blanchett si presidente të jurisë.

Lista e filmave që do të jenë pjesë e festivalit do të publikohet të enjten në konferencën për media në Paris, shkruan culturebox.

Në vitin 2017 posteri i përdorur nga festivali ku shfaqej aktorja Claudia Cardinale kishte ngjallur kritika për ndërhyrjet në fotografi. / KultPlus.com

Kërkohet futja e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat e Zvicrës

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, është takuar me Manuele Tornare, deputetin e Parlamentit Federal Zviceran.

Gashi i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko me Tornaren kanë diskutuar projektet e Universitetit Popullor Shqiptar në lokalet e të cilit u mbajt edhe takimi, në veçanti futjen e mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër si program integral i kurikulës së shkollave në Zvicër, njofton kumtesa minsitrore, transmeton Koha.net.

“Në udhëtimet që kemi pas deri tani, na u ka dhënë mesazhi se në të gjitha shtetet ku mësimi i gjuhës shqipe është institucionalizuar, aty ka pjesëmarrje më të madhe të fëmijëve në këto shkolla. Kërkojmë nga ju që të diskutoni këtë çështje me ministrin Federal dhe kantonal, që kjo të bëhet edhe në Zvicër, ashtu që mësimi i gjuhës shqipe të jetë pjesë e programit institucional të Zvicrës”, tha Gashi.

Deputeti Tornare premtoi se këtë do ta diskutojë me ministrin përkatës, ndërsa informoi dy ministrat edhe për punën dhe ndihmën që shteti zviceran i ka dhënë Kosovës.

“Ne respektojmë kërkesën për vetëvendosjen e popujve dhe pavarësinë e tyre në rastet kur ajo është e drejtë dhe e justifikuar sikurse në rastin e Kosovës”, tha Tornare.

Ministrat Gashi dhe Majko po ashtu takuan edhe kryetarin e Odës Ekonomike Zvicerano – Kosovare, Stephan Sarkany si dhe një grup të investitorëve potencial, me të cilët diskutuan projekte konkrete dhe vizita të përbashkëta të investitorëve nga Zvicra dhe Franca në Kosovë dhe Shqipëri në fushat e shëndetësisë dhe aftësimit profesional.

Antigona Nimani, Vera e Faik Hima, shqiptarët që ‘ngacmuan’ Beogradin (VIDEO)

Më 28 nëntor 1966, filloi së emituari programi në gjuhen shqipe, në TV e Beogradit, një herë në javë, nga gjysmë ore.

Nga ai ekip i vogël krijuesish, u krijua edhe Televizioni i Prishtinës, me shumë të tjerë, që do të inkuadrohen më vonë.

Spikerët e parë në TV ishin Antigona Nimani, Faik Hima dhe Vera Gjevori Hima.

Antigona Nimani është marrë me emisionin “Pasqyra televizive”.

Pasqyra televizive 1966-1973 është programi informativ në gjuhën shqipe prodhimi i RTB – redaksia në gjuhën shqipe. Emitimi i programit filloi nga data 29 nëntor 1966 nga studio e TV Beogradit. Përgatitja dhe xhirimi i materialeve bëhej asokohe në Kosovë.


Antigona Nimani, Vera Hima dhe Faik Hima.


Vera Hima

Në vitin 1966, pas Plenumit IV të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ku u dënua politika antishqiptare e Rankoviqit, u formua redaksia shqipe e TV Beogradit me këta entuziastë: Gjeto Leka – gazetar-redaktor, Faik Hima folës, Ekrem Kryeziu gazetar-folës e pastaj edhe regjisor, Antigona Nimani – realizatore dhe folëse, Mitalip Çoça xhirues-gazetar dhe Bejto Jusufi ndriçues që përgatisnin emisionin e parë në gjuhën shqipe të titulluar “Pasqyra televizive”, më vonë ju bashkëngjitën Masar Murtezai si redaktor përgjegjës, Vera Gjevori-Hima si folëse, Sytki Imami përkthyes e lektor, organizator Shaip Bejta. Deri në vitin 1965 janë xhiruar 2977 tituj. Nga 2977 tituj në periudhën 1945 – 1965, në Kosovë dhe për Kosovën janë xhiruar 29 filma, 26 dokumentarë dhe 3 filma artistikë. / KultPlus.com


Vera Hima

Historia e hidhur e familjes së Eqrem bej Vlorës

Ministër i Jashtëm, Ministër i Kulturës, Ministër i Tokave të Lirueme, ambasador i Shqipërisë në Londër dhe në Athinë, sekretar i Përgjithshëm i Prind Wied-it, Eqrem bej Vlora ishte jo vetëm shtetar, por edhe një mendimtar, studiues, poliglot. Por ato që mori nga jeta ishin vuajtje nga më të mëdhatë. Nga 1944-ta, deri në 1964-tën kur vdiq, nuk e pa familjen. Gruan dhe dy vajzat ia persekutuan. Gjithë historia e familjes së tij, ekzili i hidhur, persekutimi dhe deri te vdekja e vajzës së dytë, Ajnisha që ndërroi jetë më 24 mars, duke u bërë e fundit e familjes që pa me sytë e saj të gjithë kalvarin e këtyre vuajtjeve.

Nga Roland Qafoku

Mes të qenit shtetar dhe kontribuues i jashtëzakonshëm i këtij shteti, në armik të popullit shqiptar. Nga një erudit dhe poliglot, në një vuajtës të madh. Nga një hero i patriotizmit dhe i bashkimit kombëtar, në tradhtar. Eqrem bej Vlora është simbolika sesa lehtë shteti shqiptar i ka poshtëruar shtetarët e vet. Drejtuesit e regjimit komunist e quanin kriminel të luftës duke e vënë në listën e gjatë të atyre që “i kishin larë duart me gjak”. Por çfarë krimi bëri Eqrem bej Vlora, që u quajt i tillë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e dha më mirë se askush tjetër studiuesi Artan Shkreli, kur tha se “nuk mund të quhet Eqrem bej Vlora kolaboracionist, sepse as nuk vrau e as nuk përndoqi kënd. Ai ishte ministër i qeverisë shqiptare. Po edhe unë po të jetoja në atë kohë do bëhesha ministër”. Por etiketimi ishte pak për Eqrem bej Vlorën. Jeta e tij për 20 vjet në ekzil e vuajtja dhe persekutimi i familjes që la në Shqipëri është dhimbja e madhe e asaj drame të madhe që ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit komunist. E bija e tij, Ajnisha Vlora, që ndërroi jetë më 24 mars të këtij viti ishte e fundit nga ajo që la pas Eqrem beu, i cili pa me sytë të gjitha vuajtjet dhe për të, vuajtja më e madhe ishte se pas 11 muajsh që erdhi në jetë, nuk e pa kurrë babanë e vet.

Marsi i tersit për familjen Vlora

Më 26 mars 2014, në Rinas mbërritën nga Vjena eshtrat e Eqrem bej Vlorës. E bija, Ajnisha Vlora ishte njeriu i parë që preku arkivolin dhe fotoja e fiksuar me dorën e saj te arkivoli bëri xhiron e medias në Shqipëri. Shumë kishte vuajtur kjo grua, por ky ishte momenti më i prekshëm dhe dukej si finalja e të gjitha dhimbjeve. Sapo makina që mbante arkivolin u afrua nga pista në godinën e aeroportit, Ajnisha Vlora u afrua e para. Një punëtor zbuloi arkivolin dhe Ajnishaja pa të shkruar në të emrin “Eqrem bej Vlora, 1885-1964”. Vendosi pëllëmbën e dorës ku shkruhej emri, e përkëdheli atë sikur ta kishte gjallë të atin dhe pamja e saj në fytyrë është e papërshkrueshme. Nuk i kishte lotët çurg, por vetëm të lagur. Nuk kishte qarje me zë dhe “oi”, por fytyra kishte një shtrëngim muskujsh, që ndjenin dhimbje. Më shumë ishte shpirti i saj që qante. As lotët dhe as fjalët nuk ishin me vend. Dhe ai portreti i Ajnishasë i fiksuar në foto është më simboliku, kur dhimbja dhe malli bëhen bashkë. Më 24 mars 2018, Ajnisha Vlora ndërroi jetë në shtëpinë e saj në Vlorë. Dhe duket sikur marsi ka qenë fati i keq i familjes. Edhe vetë Eqrem bej Vlora vdiq në muajin mars. Më 30 të këtij muaji të vitit 1964, ai ndërroi jetë në Vjenë. Vetë Ajnisha lindi në mars.

Eqrem Vlora, mërgimi i hidhur i beut

Eqrem Bej Vlora ishte përfaqësuesi më tipik i familjes së madhe të Vlorjave. Djali i Syrja Vlorës, ai ishte një nga më të pasurit por edhe më të diturit dhe më të arsimuarit e kohës. I ati i tij, Syrja Vlora ishte djali i xhaxhait të Ismail Qemalit dhe marrëdhënia e tyre kishte uljet dhe ngritjet e veta. Ngritje se ishin një gjak dhe pjesë të familjes së madhe të Vlorajve, që kishte nxjerrë figurat më të ndritura deri vezir i madh. Ulja e tyre lidhej me faktin e një rivaliteti se cili ishte më i rëndësishëm dhe cili do mbeste në histori. Janë të njohura përpjekjet e Syrja Vlorës për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe i biri, Eqrem bej Vlora mbështeti në çdo kohë të atin. Por as Syrja Beu dhe as i biri nuk e kaluan lehtë atë që Ismail Qemali bëri më 28 nëntor 1912. Të bindur që ishin ata dhe vetëm ata “pronarë” të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nuk e panë me sy të mirë këtë akt të kushëririt. Ky moment lidhet edhe me një ngjarje tjetër, ku pakënaqësia dhe xhelozia e Syrja Vlorës u pa në vitin 1905 kur Ismail Qemali mbërriti në Vlorë dhe turma e madhe e njerëzve e pritëm me një entuziazëm të madh. Për ta respektuar mes ovacioneve të mëdha mikun e tyre, turma e vlonjatëve që kishin dalë ta prisnin në skelë ia hoqi karrocën kuajve dhe e ngritën atë mbi supe, ndërkohë që Ismail Qemali ishte brenda karrocës. Në gazetën “Albania” të asaj kohe shkruhej: Syrja Vlora nuk u kënaq nga pamja, kur vlonjatët e ngritën Ismail beun në krah. Syrjai tha:

“E çka ky kushëriri im që vlonjatët e ngrejnë në krah! Ç’të mirë shikojnë te ai? Pale ka edhe para borxh”.

Rasti i dytë ishte ditën e madhe të Shqipërisë kur Ismail Qemal Vlora shpalli pavarësinë. Pikërisht atë ditë, Syrja Vlora shkoi në Shkodër, ndërsa Eqrem beu ishte në Himarë. Në librin e tij “Kujtime”, Eqrem beu tregon se një fshatar shkoi te ai në Himarë dhe i tha që e kërkonte Ismail Qemali se po shpallte pavarësinë. Dhe përgjigjja e Eqrem bej Vlorës ishte: “Nuk mund të vij, se jam duke luftuar kundër grekëve në Himarë”. Duket si një justifikim jo i hollë ky i Eqrem bej Vlorës. Për të mos vënë në dyshim aftësisë e tij me armë, sepse dijet e tij nuk mund të vihen në diskutim, Eqremi këtu ka bërë një gabim historik. Ai ishte zgjedhur jo vetëm delegat i Kuvendit që do shpallte pavarësinë e Shqipërisë, po edhe zgjedhur si zëvendëspresident i pleqësisë. Por ai nuk shkoi kurrë në këtë Kuvend dhe nuk hodhi as firmën në aktin e Pavarësisë. Pikërisht në këtë ditë të madhe atij i doli një punë.

Në fakt, në të gjitha kujtimet ai shprehej respekt dhe vlerësim për Ismail Qemalin, por duket që lë shumë gjëra pa i treguar. Edhe karriera politike e Eqrem bej Vlorës nuk ka patur pikë takimi dhe nuk ka qenë e lidhur me aktivitetin e Ismail Beut. Kulmin e të gjithë marrëdhënieve ishte te prishja e sarajeve të Vlorajve. Hëna Këlcyra, njeriu i vetëm që ishte prezent, kur Eqrem beu vdiq në Vjenë, më shumë se një herë se sarajet i ka prishur Eqrem beu, sepse ishte shumë i mërzitur kur pa se mes pjesëtarëve të familjes Vlora nisi grindja për dhomat që u takonin. Dhe kështu, ai i shkatërroi vetë sarajet.

Mërgimi i hidhur i Eqrem beut

Më 28 gusht të vitit 1944 për Eqrem bej Vlorën ishte dita e fundit e punës si Ministër i Jashtëm. Qeveria e Ibrahim Biçakut ra dhe gjermanët që ishin në Tiranë, po organizoheshin për t’u larguar. Ndërkohë, që forcat partizane po përgatiteshin për të sulmuar kryeqytetin për ta çliruar, Eqrem bej Vlora mendoi të largohej nga Shqipëria. Ishte një vendim që sot pas kaq shumë dekadash mund të mendohet me qetësi, por në ato moment çdo sekondë ishte luks. Hëna Këlcyra kujton se veprimi i parë që i shkoi ndër mend Eqrem beut ishte të shkonte te familja e tij, i cili jetonte aty ku sot është godina e ambasadës së Vatikanit në hyrje të Rrugës së Durrësit. Ajo vilë ishte pronë e Eqrem bej Libohovës, të cilin Eqrem bej Vlora e kishte baxhanak. Ai ia kishte lënë për të jetuar Eqrem bej Vlorës sa të dëshironte. Kur Eqrem beu shkoi të shtëpia ishte i bindur, që jo vetëm do ikte menjëherë nga shtëpia dhe nga Shqipëria, por do merrte me vete edhe gruan Hadijen dhe dy vajzat Lejlan dhe Ajnishanë. Sapo hyri në vilë, vajzat iu qepën të atit me të puthura si fëmija për babanë. Aty Eqremi menjëherë ndryshoi mendim. Udhëtimi do ishte i vështirë për vajzat. Për Lejlën 12-vjeçare, por Ajnishaja vetëm 11-muajshe udhëtimi do ishte një torturë e vërtetë dhe në këtë moment i tha bashkëshortes Hadijes:

“Hadije, unë po iki jashtë. Do kthehem shumë shpejt. Do vi tu marrë juve. Tani po iki vetëm më mirë. Është rrugë e vështirë”.

Që nga ky moment, Eqrem beu nuk e pa më me sy familjen. As Lejlën që e donte aq shumë e as Ajnishanë që e puthte fshehtas Lejlës. Xhelozia e motrës së madhe për motrën vogël ishte e tillë, që i kishte kërkuar të atit të mos e puthe asnjëherë atë. I ati “kishte pranuar” kërkesën e vajzës, i bindur që një ditë do ta kuptonte vetë. Por kjo ditë nuk erdhi kurrë dhe jeta e Eqrem bej Vlorës u shoqërua me një brengë të madhe. Për afro 20 vjet, Eqrem beu jetoi jashtë vendit sa në Itali, Gjermani, Austri dhe Francë pa e parë familjen me sy dhe pa e ditur fatin e saj. Që nga 28 gushti 1944 deri më 29 mars 1964, jeta e tij ishte pa vlerë. Në fund të këtij kalvari të hidhur të mërgimit, ai u stacionua në Vjenë në familjen e Ali Këlcyrës. Brenga e mungesës së familjes ishte aq e madhe sa vdiq me këtë brengë në zemër. Ishte tamam si fraza që ka shkruar në kujtimet e tij: “U bëra top i fatit tim”. Dhe vërtet. Eqrem bej Vlora u bë për herë të fundit top i fatit të tij të keq.

Përndjekja e Ajnishasë dhe e familjes

Hëna Këlcyra tregon se Hadija kishte një peng mbi pengjet, që nuk u largua me Eqremin atë 28 gusht të vitit 1944. Por edhe pas këtij moment pati disa raste që ajo mund të largohej. Vetë Ajnishaja tregon se i ati kishte dërguar deri anije për t’i marrë, por nuk ishte e thënë.

“Na hëngri pasuria. Nëse nuk do mendoja për pasurinë, do kisha ikur. Por gjithnjë mendoja si t’i la shtëpitë, tokat dhe pronat?”

Por Eqrem beu në librin e tij me kujtimet, kishte përkufizuar shqiptarët nëpërmjet një proverbi turk: “Në Turqi ruaj kokën, në Rumani ruaj gruan, në Shqipëri ruaj pasurinë”.

Në fakt, me të kishin ndodhur të gjitha. Familjen ia persekutuan. gruan ia internuan në Bathore dhe Kavajë e pikërisht ajo vrionisja e arsimuar dhe e bukur e detyruan të punonte në arë. Vajza Lejla vdiq në 1970 me brengë të madhe se nuk e pa me sy të atin. Hadija vdiq me shumë brengën e madhe në zemër. Vajza e dytë, Ajnishaja ishte vuajtësja e fundit. Ajo nuk u la të shkollohej e futën në punë në bujqësi dhe jeta e saj u kthye në ferr. Më 24 mars, Ajnishaja ndërroi jetë. Ishte e fundit pjesëtare e familjes së Eqrem bej Vlorës që pa me sytë e saj, ndjeu në kurrizin e saj të gjitha vuajtjet dhe persekutimet e familjes. E megjithatë, kjo grua kurrë nuk u ankua dhe kurrë nuk u hakmor. Këtu qëndronte fuqia e saj dhe e familjes së Eqrem bej Vlorës.

Adrien, mos mbaj inat

Poezi nga Jacques Prevert.

Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
Topin e borës
që ma ke hedhur
në Chamonix
dimrin e kaluar
e kam ruajtur
Eshtë mbi oxhak
pranë kurorës së nuses
e gjora nëna ime jetëshkurtër
që vdiq e vrarë
nga i ndjeri im atë
që vdiq në gijotinë
një mëngjes të trishtë dimri
apo pranvere…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
e kam pasur gabim e pranoj
kam ndenjur vite të tëra
pa hyrë
në shtëpi
Por ta kam fshehur gjithmonë
që isha në burg !
Kam pasur gabime e pranoj
shpesh rrihja qenin
por të doja shumë !…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
Edhe fije kashte
qenushin tënd të vogël
që ka ngordhur
javën e kaluar
e kam ruajtur !
Eshtë në frigorifer
dhe kur e hap nganjëherë
për të marrë një birrë
e shoh kafshën e gjorë të pajetë
dhe kjo më dëshpëron !
E pra jam unë që e kam bërë
një mbrëmje për të kaluar kohën
duke të pritur ty…
Adrien mos mbaj inat !
kthehu !
Nga kulla Saint-Jacques
jam hedhur poshtë
pardje
dhe kam vdekur
për ty
Dje më kanë varrosur
në një varrezë shumë të bukur
dhe mendoja për ty
Dhe sonte jam rikthyer
në apartamentin
ku ti shëtisje lakuriq
në kohën që isha e gjallë
dhe po të pres…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
Kam pasur gabime e pranoj
kam ndenjur vite të tëra
pa hyrë në shtëpi
Por gjithmonë ta kam fshehur
që isha në burg !
Kam pasur gabime, e pranoj
shpesh rrihja qenin
por të doja shumë !…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !

S’jam një çikë nga Dragobia

Nga Alma Nikolli

Përditë e më shumë vajzat e gratë luftojnë të quhen feministe. Shpesh debatojnë me njëra-tjetrën mbi kuptimin e këtij termi. Çfarë e bën një vajzë a grua feministe dhe a është kjo një gjë e mirë? Preferoj të pyes dhe të mos kthej përgjigjie.

Feministet sot i shoh nëpër studio televizive, jo të gjitha. Ndonjëra parkon makinën e blerë nga burri jashtë televizionit dhe me keqardhje flet për realitetin e një vajze në fshat që e nis ditën në 5 të mëngjesit dhe e mbyll me kureshtjen se çfarë do të ndodhë në serinë e ardhshme të telenovelës.
Të tjera feministe vrapojnë nëpër konferenca. Kanë organizata jofitimprurëse fitimprurëse dhe i llogarisin femrat në përqindje. Kaq % dhunë, kaq % varfëri, kaq% shypje dhe ja ku dolën të ardhurat edhe për fustanin e konferencës së radhës. Në jo pak raste këto konferenciere feministe drejtojnë një staf vajzash e grash të dhunuara sistematikisht psikologjikisht.

Në kohë të ndryshme feminizmi ka marrë ngjyra të ndryshme. Gratë kanë luftuar për të votuar, për të firmosur, për të drejtuar, për të bërë një tatuazh, për dashur, për t’i dhënë makinës, për të dalë në jetë nate… por edhe për të kënduar…

Fatime Sokoli ka luftuar për të kënduar. Feministja më absolute e kohës së vet. Tashmë për të këndojnë burrat, e kanë përjetësuar duke e quajtur “çikë burrneshë nga Dragobia”.

https://www.youtube.com/watch?v=qx4K9FV1kDs

Nuk dua të ndalem tek edhe “çikë edhe burrneshë”.
E para çikë tropojane që luftoi për emancipimin e femrës shqiptare. Ajo luftoi me zërin e saj. Vetëm duke bërë atë që duam shumë përpos vështirësive të kohës, arrijmë të lehtësojmë rrugën e kujdo që po kërkon guxim. Fatimja nuk tha: “Vajza dilni këndoni, jetoni, kërkoni”, Fatimja këndoi përkundrejt paragjykimeve të fshatit, por edhe të familjes së saj.

Kur jetoi dhe nisi të këndojë Fatimja, gratë në Malësi nuk guxonin të krihnin flokët në sy të burrave. Nuk hanin me ta në një sofër dhe nuk i përshëndesnin dot me kokën lart në udhë. Ajo këndoi në odat e burrave, të atyre burrave që për pak kohë harruan fjalët ofenduese që patën thënë për të në fillim.
Shumëkujt mund t’i duket e çuditshme të gjendet një pikëtakim mes feminizmit dhe Fatimes. Ndoshta, ngaqë feminizmi shihet si një farë “shpikje”, sidomos moderne që lidhet me rebelizëm në veshje, në shije muzikore apo frymëzime joshqiptare.
Çfarë është pra feminizmi? Feminizmi është edhe me qenë një çikë nga Dragobia që i tha babait e të vëllait “dua të këndoj”, kur një Malësi e tërë do ta tregonte me gisht. Unë nuk jam një çikë nga Dragobia. Me keqardhje e them, ama as feministe-konferenciere, me qejf e pranoj. Kollaj të luftosh në beteja të fituara.

Vërma emrin tim

E shkruar nga Flora Brovina.

Nëse më njeh – e di emrin tim
ka emrin e fluturimit
nëse e di emrin tim mos më thirr fluturim
Nëse më ke parë – e di kush jam
i kam krihet e thëllëzës
nëse e di kush jam mos më thërrit thëllëzë

Nëse ke dëgjuar këngën time – e di si këndoj
vëlla e kam bilbilin
nëse e di si këndoj këngën mos ma ndal

Nëse lotët i urren – e di se unë nuk qaj
qyqen nuk e kam fis
nëse e di se nuk qaj mos më thuaj se nuk ndjej

Nesër mbrëma, Ornela Vorpsi sjellë ‘Providence’ në Tiranë (FOTO)

Ornela Vorpsi, një personazh i njohur i kulturës shqiptare jashtë kufijve, do të vijë për herë të parë me një ekspozitë personale në Tiranë.

Më 11 prill artistja do të ekspozojë në COD Qendrën për Hapje dhe Dialog, ekspozitën e titulluar “Providence”. E njohur për stilin e saj ndryshe, imazhet e sjella në këtë ekspozitë janë krijime që sjellin profilin e një artisteje të angazhuar. Vorpsi do jetë e pranishme dhe në serinë e takimeve “Letërsia dhe qyteti” më 10 prill ora 18.30, përballë dy gazetareve Alda Bardhyli dhe Beti Njuma, ku për herë të parë do të bëjë një rrëfim mbi karrierën e saj të ndarë mes letërsisë dhe pikturës.

E lindur në Tiranë më vitin 1968, Vorpsi ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë për të vijuar më pas në Akademinë Brera në Itali për pikturë. Më 1997 ajo udhëtoi drejt Parisit ku pas studimeve në Paris VIII, nisi të botonte dhe librat e saj të parë në gjuhën italiane e së fundmi në frëngjisht.. Monografia e saj e parë fotografike “Nothing Obvious”, botuar nga “Scalo”, është një nga ata libra që përcaktoi vendin e saj në fotografinë bashkëkohore në shoqërinë e Richard Billingham-it, Ray Laugh-it dhe Martin Parr-it.

“Nothing Obvious” është një libër me portrete femërore dhe autoportrete. Në shumicën e imazheve gruaja është parë e vetmuar, në hapësira të zbrazëta. Megjithatë imazhet nuk janë pa njëfarë sensualiteti, ato provokojnë më së shumti mendimet e përvojave të së kaluarës. Nëse “Asgjë e pakuptimtë” është pjesa më e rëndësishme deri tani në karrierën e Vorpsit si fotografe, një tjetër sfidë ka prekur së fundi Vorpsi, letërsinë. Romani i saj “Vendi ku nuk vdes kurrë”, i shkruar në italisht, është botuar në Francë nga shtëpia e njohur botuese “Actes Sud”, “Dora që nuk e kafshon”, “Dashuri e çmendur”, “Udhëtim rreth nënës” (2015) është botuar në frëngjisht nga “Nottetempo” etj. / KultPlus.com

Rritet numri i vizitorëve në mrekullinë e quajtur Butrint

Monumentet e kulturës po dëshmojnë çdo ditë e më shumë që janë asete me vlerë historike dhe kulturore e vizitorët e shumtë që i shohin dhe i vlerësojnë janë ”miqtë” e tyre të përhershëm.

Në pritje të sezonit të ri turistik, monumentet e kulturës në vendin tonë janë gati për të pritur turistët për vizita të denja kjo dhe fal angazhimit të strukturave për mirëmbajtjen e tyre.

Një ndër vendet që po mrekullon turistët e huaj është Butrinti, qyteti që mbijetoi me ekzistencën e tij që nga krijimi në shekullin VIII para Krishtit.

Në pritje të sezonit turistik, vetëm në dy muajt e parë të vitit 2018, qytetin antik e kanë vizituar 2753 turistë. Ndërsa përgatitjet për sezonin parashikojnë një bum turistësh që çdo vit e më shumë janë në rritje.

Butrinti mendohet t’i ketë fillimet e tij në shekullin VIII para Krishtit, me vendosjen aty të tregtarëve të Korfuzit. Ky është qyteti që lidhet më shumë me legjendën e Eneas.

Në vitin 551 u sulmua nga barbarët. Historia që pasoi deri në shekullin e X, ashtu si ndodhi me shumë porte mesdhetare, mbetet mister. Më vonë u bë një port i rëndësishëm për lidhjen e Venecias me Bizantin. Për shumë kohë edhe në Mesjetë, ishte në duart e venecianëve, të cilët mbronin kufirin lindor të kanalit të Korfuzit.

Qyteti i Butrintit është i madh dhe kompleks, me rrënoja nga periudha të ndryshme.

Duke marrë në të djathtë dhe duke ndjekur rrugicat e ngushta, mbërrin në rrënojat që i përkasin banjos romane dhe një kulle veneciane dhe pastaj një seksion tjetër muresh që datojnë në shekullin e IV, pas Krishtit. Pas pothuaj 400 metrave të tjerë, të shfaqen rrënojat e një qendre të krishterë kulti dhe pastaj një pishinë në formën e kryqit që mund të ketë qenë pjesë e kishës mesjetare.

Në të djathtë të hyrjes sheh një pamje shumë të këndshme të zgjerimit të kanalit që më pas të çon tek liqeni. Më pas vazhdon një seksion tjetër, tepër i gjatë i mureve të jashtëm, edhe këto i përkasin antikitetit të mëvonshëm, ndërsa një shëtitje në pyllin e dendur në veri të ishullit është me të vërtetë tepër e këndshme. Në të majtë, ndërsa afrohet fundi i kësaj rrugice, shihen muret e një bazilike mesjetare afër pikës ku bashkohen muret lidhëse të fortifikime të jashtme.

Butrinti, mbetet një ekspozitë e hapur e vlerave historiko-kulturore për këdo që e viziton.

Ndiqeni Israel Calling, koncertin artistik me këngët e Eurovizionit 2018

Pas pak minutash do të fillojë Israel Calling – një organizim që i paraprinë Eurovizionit të madh muzikor.

Mbrëmja sonte mbahet në Izrael dhe disa prej këngëve të Eurovizionit do të paraqiten para publikut.
Koncerti mbahet në Tel Aviv dhe fillon pas pak minutash.

Këngëtarët nga Azerbajxhani, Armenia, Australia, Belgjika, Letonia, Izraeli, Serbia, Sllovenia dhe shtete tjera do të ngjiten në skenë.

Vlen të ceket se në këtë koncert mungojnë këngëtarët shqiptarë këtë vit në Eurovizion, për tri shtete. As Eleni Foureira për Qipron, as Eugent Bushpepa për Shqipërinë dhe as Ermal Meta për Italinë nuk do të kenë mundësi të këndojnë sonte në këtë mundësi të mirë për të promovuar projektet e tyre muzikore. / KultPlus.com

Arta Dobroshi, aktorja kryesore në filmin ‘Stray’

Filmi “Stray” ku rolin kryesor si Grace e ka aktorja shqiptare Arta Dobroshi do të ketë premierën në festivalin prestigjoz Moscow International Film Festival.

Filmi “Stray” i regjisorit Dustin Feneley tashmë ka thyer një rekord në Zelandën e Re. Ky film është filmi i parë i këtij shteti që konkurron në festivalin e dytë më të vjetër në botë, Festivalin e Filmit Ndërkombëtar në Moskë të Rusisë.

Premiera e këtij filmi në kuadër të festivalit do të bëhet në fund të prillit. Regjisori Dustin Feneley kishte dëshirën për të realizuar një film të metrazhit të gjatë që në vitin 2008, mirëpo vetëm në vitin 2012 ai filloi që të fokusohej në tekst ndërsa në vitin 2015 ai kishte draftin final të skenarit. Viti 2016 solli edhe xhirimet e para të filmit “Stray”.

Filmi sjellë në fokus dy personazhe të cilët krijojnë një marrëdhënie intime. Që të dy për arsye të ndryshme kanë
humbur disi vendin në shoqëritë që u takonin. E kaluara nuk i definon ata. Përkundër kësaj ata i dhurojnë njëri-tjetrit mundësinë të ecin përpara, shkruan KultPlus.

Arta Dobroshi dhe Kieran Charnock kanë marrë përsipër të mishërohen me rolin. Arta kësisoj po e bën një rikthim të fuqishëm në kinematografinë botërore, pasi preku skenat e mëdha të filmit me disa projekte të rëndësishme filmike ndërkombëtare.

Në një peizazh të ftohtë dhe të largët, dy të panjohur, një i ri dhe një grua, gjejnë ngushëllim në njëri-tjetrin ndërsa luftojnë për të riparuar të kaluarën e tyre të thyer.

“Stray” është një dramë për dy njerëz të huaj, të cilët, nëpërmjet lidhjes së tyre të rastësishme, në fund të fundit gjejnë forcë dhe mundësi për shpëtim.

Filmi 104 minutësh, i vendosur në stinën e dimrit në Alpet mahnitëse jugore të Zelandës së Re, u xhirua kryesisht në Central Otago.

Pikërisht kjo histori e ka shtyrë regjisorin që të këtë besim në film dhe e ka bërë edhe që të kërkojë ndihmë nga njerëzit për të mledhur të holla për realizimin e filmit. Kështu ai ka arritur që të mbledhë 125 mijë dollarë nga donacionet që kanë bërë njerëzit.

“Stray” do të ketë premierën më 21 prill në Moscow International Film Festival.

Kujtojmë që Arta Dobroshi me filmin “Heshtja e Lornës” depërtoi në Festivalin e Kanës. Filmi morri çmimin e skenarit më të mirë në Kanë në vitin 2008. Ajo ka marrë edhe nominim për aktoren më të mirë në Çmimet Evropiane të Filmit dhe ka fituar çmimin Barbara Tipple Best Actress Award për rolin e saj në filmin “Three Worlds”. / KultPlus.com

Veshjet e ushtarëve të Ali Pashë Tepelenës

Dorian Koçi

Qëndrimi ndaj figurës së Ali Pashë Tepelenës, nuk u ka shpëtuar dhe shqetësimeve gjeostrategjike të kohës. Që në gjallje të tij Ali Pashë Tepelena u pa si një “despot oriental” tipik nga udhëtarët evropianë qofshin turistë kulturorë apo dhe përfaqësues diplomatikë. Rrjedhimisht si i tillë nën influencën e rrymës së Filo-Helenizmit që ishte shumë prezent në atë kohë dhe në kundërshtim me çfarë shprehte popullsia greke, ai konsiderohej si dhunues e shtypës të asaj ç’kishë mbetur nga Greqia e Lashtë.

Natyrisht këto sentimente melodramatike shërbenin dhe si një mbulojë për të mbuluar frikën që shkaktonte kontrolli vërtet i frikshëm i Aliut mbi Greqinë kontinentale, Adriatikun dhe Egjeun. Ky kontroll strategjik bëhej akoma dhe më i padëshirueshëm nga Fuqitë e Mëdha nëse krijohej shteti i pavarur i Ali Pashë Tepelenës, i cili sipas të gjitha gjasave ashtu si pashallëku i Janinës do të dominohej nga elita fisnike dhe ushtarake shqiptare. Nga gjiri i kësaj elitë fisnike ushtarake kishin dalë së ushtarët më të mirë të Perandorisë Osmane.

Gjatë shekujve të mëparshëm popullsia shqiptare në përgjithësi kishte qenë një element force në perandori. Ndaj të gjitha Fuqitë e Mëdha që Aliu hyri në marrëdhënie diplomatike u përpoqën ta përdornin në kundërshtitë që kishin me njëra-tjetrën në rajon, por kurrë nuk i dhanë mbështetjen e duhur diplomatike për të shpallur pavarësinë. Veshja e ushtarit shqiptar të kohës së Ali pashë Tepelenës ishte një kombinim midis petkave të lehta dhe fustanellës.

Kjo e fundit u mbajt edhe në uniformën e Regjimentit “Gjuajtësit e Orientit” të formuar në Ishujt Jonianë në 1807. Regjimenti “Gjuajtësit e Orientit” ishte një regjiment i formuar kryesisht nga suliotët dhe nga shqiptarët e tjerë nga kontinenti që ofronin shërbimin tradicional të mercenarisë por edhe kishin braktisur vendet e tyre si rezultat i armiqësive që kishin pasur me pushtetin e centralizuar të Ali Pashë Tepelenës.

Fustanella shqiptare, e cila duke qenë më shumë e pëlqyer mes popullsive të Ballkanit u imitua më shumë nga popujt e tjerë më të largët. Me këtë veshje disa udhëtarë të huaj në XVIII-XIX vërejnë se ishin të veshur truprojat e oborreve princërore të Moldavisë, të Vllahisë në Bukuresht. Gjithashtu Major William Martin Leak, përfaqësues i Anglisë në Janinë, që kishte pasur mundësinë para Bajronit ti vizitonte këto zona, kishte shkruajtur që në 1805: Veshja shqiptare po bëhet përditë e më e zakonshme, si në More edhe në pjesët e tjera të Greqisë në këtë të fundit për shkak edhe të rritjes së madhe të fuqisë shqiptare.

Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se ajo turke ose greke”. Të gjitha këto dëshmi hedhin dritë mbi influencën dhe “ekspansionin” etnografik nëse mund ta quajmë kështu të shqiptarëve që duke qenë elita ushtarake e Pashallëkut të Janinës, përveçse zakoneve dhe mjeshtërive të tyre të luftimit u kishin imponuar nga ana estetike dhe veshjen e tyre kombëtare popullsive të tjera në Ballkan.

10 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Ekspozita ‘Skënderbeu në letërsi’ erdhi sot në Bibliotekën ‘Pjetër Bogdani’ (FOTO)

Gili Hoxhaj

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u shënua hapja e edicionit të 16-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”.
Pas ceremonisë hapëse të këtij edicioni, vizitorët e Bibliotekës u ngjitën për tek Holli i Bibliotekës për të parë nga afër ekspozitën “Skënderbeu në letërsi” e cila erdhi në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

I gjithë muri ishte mbushur me gravurë nga autorë e botime të ndryshme. Ndërsa poshtë xhamit ishin vendosur përplot botime, fragmente botimesh e poezi për Gjergj Kastriot- Skënderbeun. Atyre u printe vepra e njohur e Marin Barletit, e titulluar “Historia e Skënderbeut”.

Persida Asllani – drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, falënderoi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për bashkëpunimin duke cilësuar rëndësinë e bashkëpunimit të këtyre dy institucioneve që sjellin në mënyrë të qëndrueshme kulturën e librin dhe marrëdhëniet që ndërtohen duke e njohur njëri-tjetrin dhe duke konsoliduar kulturën e përbashkët.

Ajo tutje shtoi se nuk ka përfaqësues më të mirë se figura e Skënderbeut që të jetë përfaqësuesja më e denjë në kontekstin e vitit kulturor dhe mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot- Skënderbeut.

“Figura e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut si një simbol i të përbashkëtës sonë të madhe, një e përbashkët që qysh në fillimin e parë të punës që ne i kushtuam përgatitjes së kësaj ekspozite na vërtetoi që çdo shfletim i fletëve të librit apo i imazheve që do të përzgjidhnim, do ta kishte këtë frymëzim të përbashkët që figura e Skënderbeut ka dhënë gjithmonë jo vetëm në hapësirën kulturore shqiptare por në gjithë hapësirën kulturore evropiane dhe botërore”, u shpreh Asllani sot.

Ky edicion i “Java e Bibliotekës në Kosovë” organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ambasadën e SHBA-së e ndërsa do të zgjasë deri më 14 prill. / KultPlus.com

Sabri Hamiti vjen me libër për At Zef Pllumin

Jeta e At Zef Pllumit tashmë mund të lexohet në një libër. Studiuesi Sabri Hamiti prej kohësh ka nisur të hulumtojë, jetën e një prej simboleve të mbijetesës komuniste, për ta sjellë të plotë në një libër.

Esetë për veprën e Át Zef Pllumit, të renditura në dhjetë kapituj, përbënin librin tim “Zef Pllumi”, që doli për herë të parë te botuesi “Albas” i Tiranës, në vitin 2013, thotë Hamiti. Sipas tij, ato ishin ese që merreshin me karakterizimin e shkrimtarisë së tij, interpretimin e veprave të veçanta të kategorive shkrimore të ndryshme, cilësimin e ligjëratës së tij letrare, duke synuar në fund edhe sistematizimin strukturor të ideve të autorit, të gjitha të shkruara pas shkuarjes së Át Zef Pllumit në amshim.

“Pata thënë edhe atëherë që ky libër mbetej i pambaruar, i papërfunduar. Dhe këtij mendimi i mbetem besnik edhe tash për dy arsye. Vepra e Pllumit frymëzon për lexime të reja e të përsëritura.

Po ashtu, vepra e Pllumit ende nuk është botuar e tëra, ka ende dorëshkrime. Tashmë janë dhe tri ese të reja që merren me tri vepra të tjera të autorit: “Poemë antiepike” (2001), “Para nji mijë vjetve” (2003) dhe “Dhetë vjet liri” (2017) që në trajtë të dy kapitujve të fundit, i shtohen strukturës së librit në formatin e parë. Si një tërësi e re, e plotësuar, tani kjo vepër mund të konsiderohet botim i dytë i plotësuar.

Nuk di nëse do të kem kohën dhe fatin që një ditë këtij libri të kem mundësi t’i shtoj qoftë edhe një kapitull tjetër. Më mban shpresa, përderisa nuk e kam harruar konstatimin e thënë: kryeveprat e Át Zef Pllumit do të lexohen e rilexohen”, thotë Hamiti. / KultPlus.com

‘Mbrëmja e maturës’ në Akordet e Kosovës të vitit 1971 (VIDEO)

Një incizim i Luan Hajrës në vitin 1971 është ajo që do të na bëjë ditën më të mirë.

Këngëtari Luan Hajra kujtohet për veçantinë e zërit të tij ndër vite.

Në këtë video që del për herë të parë në Youtube nga Musa Doroci, Hajra këndon “Mbrëmja e maturës”, në Akordet e Kosovës në vitin 1971, shoqëruar nga Orkestra, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=HxKSC6pS4Ak&feature=youtu.be

Videoja, si shumë të tjera gjatë këtyre viteve, është transmetuar në Televizionin e Prishtinës.

Luan Hajra ndër vite ka sjellë hite të cilat na rrëmbejnë në nostalgji. “Na ka qu Dudia letër” apo “Arabella” janë disa prej këngëve që sot mbajnë vulën dhe emrin e Luan Hajrës. / KultPlus.com

‘Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqyptarit asht shqyptaria!’

E shkruar nga Pashko Vasa.

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,

Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,

E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?

Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!

Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,

Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.

A do të jetë Rita Ora në qershor në Tiranë?

Në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Rita Ora dhuroi një spektakël të paharrueshëm në sheshin e Prishtinës.

Por, bukuroshja nuk ngopet nga publiku shqiptar!

Televizioni Klan i Shqipërisë ka zbuluar ekskluzivisht befasinë që ylli me origjinë shqiptare po planifikon prej pak kohësh.

Rita Ora ka pranuar të rikthehet pas 6 vitesh në një koncert madhështor në Tiranë, në datën 3 qershor, shkruan sot “Koha jone”.

Po të kemi parasysh se ylli i skenave ndërkombëtare është ftuar të këndojë në një ngjarje të organizuar nga Bashkia e Tiranës, mendohet se koncerti do të jetë i hapur, pra pa pagesë.

Nga ana tjetër, vetë artistja ka treguar se është shumë bujare kur i duhet të bëjë biznes me bashkatdhetarët e saj. Mjafton të kujtojmë se ajo performoi pa pagesë në dy përvjetorët e pavarësisë, si të 100-vjetorit të Shqipërisë, ashtu edhe në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Rita Ora nuk do të jetë e vetmja shqiptare që do të ndalojë gjithë angazhimet për një koncert pranë fansave më të zjarrtë.

Sikur t`ishim zonja

“Sikur t`ishim zonja hijerënda, do të duhej në pikë të mëngjesit me i la këmbët e patriarkatit. Sikur t`ishim zonja, do të duhej që kanatën me e mbushë me ujë e me e nxehë me t`keqtit e shpirtit. Sikur t`ishim zonja, ishte dashtë që natën mos me bo za, me u shtirë të lumtura, me u përbi prej dhimbjeve e me i thanë vetes që kjo është ajo çka meritojmë. Sikur t`ishim zonja siç shoqnia i kërkon, ish dashtë me i rrotullu sytë e me i pranu shuplakat e burrit sikur me qenë bombonjerë e zakonshme. Sikur t`ishim zonja, ish dashtë me gatu shpesh, me mbushë barkun leshatuk të mjeranëve që i kemi për burra, që na kanë pronësu kaherë.

Sikur t`ishim zonja, ish dashtë me u alivanos e me pshty qelb. Sikur t`ishim zonja qysh e lyp rendi i keq shoqnor, ish dashtë me vjellë para vjehrrave, para oborrit që nuk e fshin kush pos neve, para miletit që kërkon të drejtat për neve, e ne jemi veç të humbuna në humnerën që nuk po nis të na pëlqejë, kurrë. Sikur t`ishim zonja të lartësuara, do të duhej me u bo gati për pjellën e fëmijës tjetër, e tjetër, e tjetër, e mos me pasë kurrë ditë me bismilah. Sikur t`ishim gra në trajtën që e lypë konaku, ish dashtë mos me tregu kurrë buzëqeshje e me mendu që e drejta jote përfundon kur i qel sytë. Sikur t`ishim zonja qysh lypin burrat tanë, do të duhej me u rujt prej leximit, prej dy fjalëve që janë të shkrume jo kundër nesh. Sikur t`ishim zonja të vërteta, qysh e lyp katuni e qyteti ku jetojmë, do të duhej me u shkarravitë, me dalë te stani e me mallku ditëlindje e lindje, me u bo ecejake e me provu me mendu një kohë ma të mirë. Sikur t`ishim zonja, ish dashtë me shku janari e dhjetori tuj e pritë tjetrin janar e tjetrin dhjetor e kurrë njiherë asnjërin t`lumtun, po veq me qenë grua që t`marrin për t`lajthitun. Kështu qysh jemi, na ka sosë vetmia.

Po shyqyr, zonja nuk jemi. Jo zonja të këtij soji, jo zonja që traktatin me kokëulësinë e nënshkrujnë ditën kur palojnë duart. Zonja nuk jemi, e as fuqi punëtore që duhet të marteve me vajtu, të mërkureve me shajt Zotin e të enjteve prapë me nisë mëngjesin tmerrshëm. Zonja, për neve, është term i kotë edhe i vrazhdë. Sikur t`ishim zonja, do të ishim thes për boks prej botës grrithëse. Macat i kemi në shtëpi. Sikur t`ishim zonja, do të ishim kësisoj siç jemi, trupa të pafjalshëm që kanë shumë fjalë brenda. Dhe kujt i plas të jetë zonjë e standardeve të sotme. Zonjat si këto sot nuk duhet të ekzistojnë. Zonja, për të cilat askush nuk është krenare, fjalëmirat nuk na gjinden kurrë. Sikur të ishim të zonjat e këtij rendi, do të ishim veç statuja që prapë na kthejnë në burra. Hajde po ndërrojmë, hajde po kundërshtojmë së qeni zonja të bukura para kamerave e knej zemërplasta se kjo shoqëri na shkërdhen trurin nga forma në formë. Jemi zonjat perfekte për një qoshe shpije. Burrat janë arkitektët tanë, ende. Duhet të mos jemi më zonjat e tyre. Zonjat e tyre jemi, siç duan vetë ata”.

A.Selmani –

Gratë shqiptare që kanë bërë histori

KUSHE MICJA ka hapur shkollën e parë femërore në Shkodër, në 1862.

SEVASTI QIRIAZI ka hapur shkollën në 1881 në Korçë.

PERSEFONI TRENI ishte drejtuesja e parë e një shkolle për vajza, në Pogradec në 1917.

URANI RAMBO hapi shkollën e parë femërore në Gjirokastër në 1920, dhe në 1923 bëri kërkesën në konferencat e grave që meshkuj e femra të shkolloheshin së bashku.

HAJRIJE KRAJA mësuesja e parë në një shkollë shtetërore, në Shkodër në 1920. Kanë thyer tabu dhe të gjitha vajzat që u regjistruan në shkollat e para të hapura nga zonjat e lartpërmendura.

POLIKSENI LUARASI nxënësja e parë e regjistruar në një shkollë djemsh, në Korçë në 7 mars 1887.

PARASHQEVI QIRIAZI ka organizuar shoqatën e parë të gruas, në Korçë në vitin 1909, e së bashku me Sevastinë, kanë botuar të parën revistë për gratë, “Ylli i Mëngjesit” në Boston në 15 janar 1917. Këto motra të famshme hapën dhe të parën shkollë të mesme për femra në Kamëz, Institutin Kiriaz, në vitin 1922.

IKBAL ÇIKA femra e parë gazetare shqiptare dhe e para pronare femër (botuese) e revistës ekonomike-letrare “Java” në 1937.

ELENI QIRICI, femra e parë shqiptare qe aktroi në Holivud,

Natyrisht që kanë thyer tabu të gjitha gratë e vajzat që guxuan të shkruanin e të botonin në shtypin e kohës, si Motrat Qiriazi, Kaliopi Plasari, Afërdita Erbapi, Emine Toptani, Shaqe Çoba, Urani Rumbo, Ikbal Çika, Marigo e Fereniqi Pozio, Musine Kokalari, Selfixhe Broja, Xhemalije Gjylbegu, Luçije Serreqi, Ollga Pëllumbi etj.

(Nga Fjalori Enciklopedik i Gruas Shqiptare” dr. Zenepe Dibra) / Albumi Akordet s

Ekspertët anglezë dhe shqiptarë studiojnë situatën në Kalanë e Gjirokastrës

Një monument si Kalaja e Gjirokastrës, ka patur problematika të shumta për shkak të mungesës së projekteve të cilat të mund t’i japin zgjidhje konkrete çarjes së mureve.

Për këtë, institucionet përkatëse dhe ministria e Kulturës kanë ngritur një grup pune të përbërë nga ekspertë ndërinstitucionalë, me qëllimi vlerësimin dhe marrjen e masave të nevojshme për situatën emergjente në Kalanë e Gjirokastrës.

Projekti mbi të cilin po punohet nga ekspertët, do të mund të sigurojë qëndrueshmërinë e strukturës së terrenit mbi të cilin ngrihet Kalaja si dhe qëndrueshmërinë e strukturës së objektit, duke ruajtur vlerat monumentale e kulturore të tij.

Projekti multidisiplinar do të përfshijë studimin gjeologjik dhe inxhinierik, studimin sizmologjik, studimin mjedisor, studimin inxhinierik të strukturës së monumentit dhe studimin arkitektonik për restaurimin e monumentit.n

Puna do të nisë menjëherë me fazën e parë, në të cilën të gjithë grupet e punës, pas një studimi të situatës në terren do të mund të prezantojnë termat e referencës, për të vijuar më tej me fazat e tjera.

Aktualisht në Gjirokastër, ekspertët anglezë nga “ArupGroup”, janë duke realizuar një studim të situatës të cilët shumë shpejt do të publikojnë rezultatet përkatëse.

Dhërmiu, këtë sezon turistik me shëtitore të re

Pushuesit vendas e të huaj që do të zgjedhin Dhërmiun këtë sezon turistik, do të gjejnë të përfunduar shëtitoren në këtë fshat me një bukuri madhështore, të bregdetit jonian.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se “me një investim të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB) dhe të realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kjo shëtitore do të përfundojë para muajit qershor të këtij viti, në mënyrë që të vihet në dispozicion të pushuesve”.

Sipas tij, ky investim së bashku me projektin për kthimin si fshatra historikë të Dhërmiut dhe Vunoit, si dhe shëtitoren e Jalës, kap shifrën e rreth 7-8 milionë euro.

Goro tha se, kjo shëtitore do ta transformojë plazhin e Dhërmiut në një destinacion akoma më të kërkuar nga turistët.

Shëtitorja do të jetë akoma më shumë atraktive për turistët e huaj, që ende se kanë eksploruar Shqipërinë.

Dhërmiu i shtrirë buzë detit Jon, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta, ka një bukuri madhështore. Dhërmiu gjendet në fund të një plazhi më tepër se pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon në një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tre lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit.

Fshati i Dhërmiut ndodhet 52 km në jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti, Tirana. Nga ana administrative, Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës.

Artistja Marina Abramoviq do ta elektrizojë veten

Artistja serbe Marina Abramoviq ka gjetur inspirimin e saj të radhës artistik.

Në vitin 2020, në Royal Academy of Arts në Londër, ajo do të tentojë ta elektrizojë veten me fuqinë 1 milion voltësh, për të copëtuar në dysh një qiri me fuqinë e saj.

Ajo po punon me kompaninë Factum Arte të cilët po e përgatisin një makinë e cila do ta shokojë atë dhe energjinë e saj trupore.

“Nëse gjithcka është vënë në rregull, fuqia e elektricitetit që vjen nga gishtat do ta vendosë një qiri një metër larg jush. Është inspirim sikur në shekullin 19 kur volti përdorej për fotografi të printuara” tregojnë nga Factum Arte.

Për më tepër, artistja e njohur 71 vjeçare e cila jeton në Nju Jork do ta krijojë edhe një tavolinë afër saj dhe një fontanë. Ajo thotë se dëshiron që nga secila pjesë e trupit të saj të dalë gjak.

Kjo do të jetë hera e parë në 250 vite që në Royal Academy of Arts një grua vjen me ekspozitë retrospektive të të gjitha punëve të jetës së saj. / KultPlus.com