Don Kishotët

Poezi nga Kostas Karjotaqis. Përktheu nga origjinali: Romeo Çollaku.

Don Kishotët ecin para dhe nuk shohin dot
më larg heshtës ku varin si flamur Idealin.
Ëndërrimtarë dritëshkurtër, më as një pikë lot
nuk u ka mbetur që sharjet e ndyra t’i falin.

Pengohen tek Arsyeja, pengohen te të tjerët,
hiqen zvarrë mes rrugës, të kalbur në dru, të tallur,
kurse Sançoja ua pret: < po a s’të thashë një herë?>,
ata: < sillmë kalin, Sanço!>, për bëma përmallur.

Në më lejoftë Servantesi – të tillë i kam parë
këta kalorës të Ëndrrës, në një jetë të mekur,
me sytë e lëngëzuar e me çehren e vrarë,
dhe, sapo zbresin nga kali, çdo shpresë u ka vdekur.

I kam parë si të shkalluar, mbrapa nga gjithë bota,
mbretër të hijshëm të një mbretërie n’askund,
teksa një plagë të purpurt që luftërash të kota
e patën marrë, para gjindjes e rrëfejnë në fund!

Jugosllavia këtë verë i prezantohet qytetarëve në Nju Jork (FOTO)

Duke filluar me 15 korrik, në Muzeun e Artit Modert në Nju Jork – MoMA, do të hapet ekspozita që i kushtohet arkitekturës jugosllave në mes të viteve 1948-1980.

Arkitektura utopike, ajo brutaliste dhe llojet tjera do të jenë pjesë e kësaj ekspozite, kësisoj për të prezantuar para botës ndërtesat që asokohe u ndërtuan në këtë pjesë të Evropës, në forma të ndryshme.

Puna e arkitektëve socialistë dhe arkitektura pas luftës vjen në këtë ekspozitë.

Ja këtu po i sjellim disa prej objekteve dhe monumenteve që mund të përfshihen në këtë ekspozitë.
Shembull, Josip Broz Tito pati kërkuar që në vitet 60-të e 70-të të ndërtoheshin ndërtesa që e nderonin guximin jugosllav gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këto monumente të bukura, sot edhe të lëna në harresë, megjithatë reflektojnë guxim dhe fuqi – fuqinë e një shteti që në fakt më nuk ekziston, që dikur u quajt Jugosllavi.

Nga Prishtina, pjesë e ekspozitës do të jetë Biblioteka Kombëtare e Kosovës, një ndërtesë e bukur me 99 kupola sipër saj.

Ndërtesa e Partisë Komuniste Bullgare poashtu mund të përfshihet në këtë ekspozitë. Një ndërtesë unike e quajtur Buzludzha, ajo është ndërtuar në vitin 1981.

Ndërsa në Zagreb mund të gjejmë një ndërtesë tjetër të vecantë. MAMUTICA, kur u ndërtua fillimisht mirëpriti rreth 5000 persona brenda saj. Madje, një serial televiziv në Kroaci – me emrin e njëjtë Mamutica, transmetohet që nga viti 2008 dhe ku tregohen krime të ndryshme rreth dhe brenda kompleksit banesor.

‘Kthehu’ e Eliza Hoxhës, në versionin e Elita Ziberit (VIDEO)

Këngëtarja e re Elita Ziberi njihet për “cover”-et e shumtë me anë të të cilëve i ka rikthyer tek publiku disa nga këngët e vjetra shqipe, shkruan KultPlus.

Elita sjellë versionet e saj të këngëve të njohura.

Ajo në fillim të këtij viti ka realizuar versionin e saj të një prej këngëve më të njohura të këngëtares Eliza Hoxha.

Pasi ka dëgjuar këtë version të këngës “Kthehu”, Eliza Hoxha e ka shpërndarë edhe miqtë e saj në Facebook ndërkohë ka falënderuar Elitën dhe të gjithë ata që përmes kësaj forme po e mbajnë gjallë muzikën e saj.

KultPlus ju sjellë videon e këtij interpretimi nga Elita, e cila është vajza e Arif Ziberit, solistit të grupit ELITA 5. / KultPlus.com

Muzeu i Kosovës apelon për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe kërkon integrimin e tyre në shoqëri

Për të promovuar kujdesin ndaj fëmijëve me autizëm, Muzeu i Kosovës, në bashkëpunim me Fondacionin “Ibrahim Kodra” dhe me iniciativë të drejtoreshës artistike znj. Maria Pacolli, gjatë muajit prill, do të zhvillojnë punëtori kreative me qëllim të fuqizimit të këtyre fëmijëve dhe sensibilizimit të opinionit.

Dita Botërore e Autizmit, 2 prilli, është caktuar nga OKB-ja me rezolutën 62/139 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës rreth këtij fati njerëzor.

Andaj, mbrëmja e 2 prillit, Muzeun e Kosovës, e gjeti të ndriçuar në të kaltërt, duke u bërë pjesë e fushatës botërore “autism speaks, me moton “Unë kam botën time, është e hapur edhe për ju”.

Mbi 16,000 ndërtesa në mbarë botën do të ndriçojnë dritën e tyre blu, duke nënvizuar mbështetjen e tyre për komunitetin e autizmit, ndër to janë:
Muzeu i Kosovës – Prishtinë, Kosovë
Empire State Building – Nju York
Niagara Falls – Kanada
Cristo Redentor – Rio de Janeiro, Brazil
Salla e Crystalt – Baku, Azerbajxhani
Kalaja e Osakës – Japoni
Ura e Nelson Mandelës – Afrika e Jugut
Princes Palace – Monako
Taipei 101 Tower – Taipei City, Tajvan
Piramidat e Madhe – Egjipt
Ndërtesa e vjetër e Parlamentit – Australi
La Basilica de Sagrada Familia – Barcelona, Spanjë

Për komunitetin, mënyren e organizimit, mënyren e kontributit dhe udhëzimet e
nevojshme, qytetari i Kosovës mund të informohet, më shumë në http://www.autizmi-ks.net

Vladani nga Gjilani dhe vrasja e tij nga fashistët e Serbisë

Vladan Popovic lindi në vitin 1898 në Gjilan. Gjilani asokohe ishte pjesë e Jugosllavisë, sikur tërë territori i Kosovës.

Ai lindi nga prindër ortodoksë ndërsa u largua më pas për në Francë ku morri diplomën e juridikut.
Kur u kthye në Jugosllavi, punoi si avokat në Beograd dhe u martua, për të pasur më pas një fryt të dashurisë, vajzën e tij.

Gruaja e tij ndërron jetë në vitin 1933 ndërsa ai bashkë me vajzën e tij katërvjeçare mbesin kësisoj të vetmuar në udhëtimin e tyre jetësor. Vladani po e vazhdonte karrierën e tij juridike edhe jashtë Jugosllavisë. Këtu edhe u lidh me Anxhelikën, një doktoreshë sllovene që do ta ndryshonte jetën e tij, dhe bashkë me të e me vajzën e tij jetuan në Beograd.

Kur lufta filloi në Evropë në shtatorin e vitit 1939, Jugosllavia e shpalli veten neutrale.

Më vonë, në vitin 1940, gjermanët filluan ta bombardonin Beogradin dhe u futën në qytet gjashtë ditë më vonë. Vladani po punonte në Beograd dhe po ndihmonte partizanët me shërbime mjekësore. Anxhelika po punonte në Beograd, në pjesën qëndrore.

Në mars të vitit 1943, gati pas dy viteve qëkur Vladani po punonte me rezistencën, u kap në Kuçevo nga fashistët lokalë serb. Për dy ditë u torturua por nuk e dha asnjë informacion.

Me 16 mars 1943, Vladani ndërroi jetë në Kuçevo të Serbisë, për shkak të problemeve me mushkëritë. / KultPlus.com

Historia e marrë nga United States Holocaust Museum Memorial

Propozojmë librat që duhet të lexohen gjatë muajit prill

Muaji prill veç sa ka nisur.

Jo që ky muaj ka dicka më të vecantë se të tjerët, por është një muaj ideal për të lexuar dicka. Hulumtim, dokument i vjetër, ri-lexim i këndshëm, një histori e guximit njerëzor, gjithcka do të jetë e mirëseardhur për lexim gjatë 30 ditëve të këtij muaji.

Po propozojmë kështu disa vepra dhe lexime që mund të bëhen gjatë muajit prill, me shpresën që do ti ndihmojmë lexuesit tanë të koncentrohen dhe të vendosin për një shfletim që na pasuron mendjen e shpirtin.

BASTARDJA E STAMBOLLIT – ELIF SHAFAK
Një libër fantastik i cili ballafaqon dy familje mes vete, me Turqinë, Amerikën dhe Armeninë si shtete ku personazhet udhëtojnë në kërkim të vetes dhe familjarëve. Asya Kazançi dhe Armanoush Tchakhmakhchian janë dy vajza të reja që e gjejnë një shoqëri për lakmi. Shkrimtarja e librit, Elif Shafak, gati sa nuk morri burg për këtë libër. Libri përngjan shumë me mentalitetin shqiptar, prandaj me një lexim secili mund të bëjë lehtë krahasime me shqiptarët. Libri është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, ndërsa në origjinal është “The Bastard of Istanbul”.

FISET SHQIPTARE – HISTORIA, SHOQËRIA DHE KULTURA – ROBERT ELSIE
Robert Elsie, një prej albanologëve më të mirë, ka lënë pas vetes një trashëgimi të madhe të librave dhe hulumtimeve rreth shqipes e shqiptarëve. Gjatë muajit prill, mund të lexoni librin e tij rreth fiseve shqiptare. Libri hulumton 69 fise shqiptare, analizon kulturën dhe gjuhën e tyre, adetet, legjendat dhe historitë e tyre. Libri ju ndihmon të njihni më mirë shqiptarët dhe fiset shqiptare në Mal të Zi, në Shqipëri e në Kosovë.

INTERVISTË ME VETVETEN – PETRO MARKO
Libri “Intervistë me vetveten” i Petro Markos, u botua fillimisht në vitin 2000, pothuajse një dekadë mbas vdekjes së shkrimtarit. Është ndër librat që jehonën e ka të vazhdueshme, pikërisht për një dëshmi autentike, dramatike, për profilin e njeriut-shkrimtar, për atë qenësi vlerash të njeriut të letrave, i cili komunikoi dramatikisht me kolegët, me lexuesit. Libri i Petro Markos është një formë interesante për të shkruar për veten, por njëkohësisht edhe për të tjerët. Në rrëfimin e shkrimtarit ngjarjet zhvendosen siç zhvendosen pamjet e një filmi. Shkrimtari ka rrëfyer për ato gjëra ku i dhembte më tepër, aty ku shpirti i vlonte më shumë.

ALKIMISTI – PAULO COELHO
Ky është një nga romanet më të suksesshme të Paolo Coelhos dhe një prej librave më të shitur në botë përgjatë këtij shekulli. Briliant në rrëfim, magjik dhe i thjeshtë në mënyrën sesi komunikon me lexuesin. Është një gjetje fantastike për dhurata për të dashurit apo miqt tuaj. Alkimisti nuk duhet humbur. Santiago udhëton nëpër piramidat e Egjiptit pasi ka ëndërruar se atje do të gjejë një thesar. Ai dashurohet në Fatiman. “Kur dëshiron dicka, i tëri universi bashkohet për të të ndihmuar drejt realizimit” është një pjesë e librit, që në fakt cilësohet si pjesa bazë e tij. / KultPlus.com

Zbulohet radhitja e Eugent Bushpepës në natën e parë të performancave në Eurovizion

Eugent Bushpepa do të këndojë i treti në gjysmëfinalen e parë të Eurovizionit këtë vit.

Sot ka dalë kësisoj radhitja përfundimtare e dy gjysmëfinaleve të Festivalit Evropian të Muzikës.
Bushpepa, me datë 8 maj, në Portugali do të këndojë i treti.

Numri 3 nuk është më i miri pasi preferohen këngët që këndohen kah fundi i natës, por vokali i Bushpepës premton shumë dhe ai do të angazhohet që të dallohet nga këngëtarët tjerë.

Gjysmëfinalja e parë është “gjysmëfinalja e nxehtë” e këtij Eurovizioni. 19 këngë do të garojnë, ndërsa vetëm 10 prej tyre do të futen në finale, shkruan KultPlus.

Azerbejxhani do ta hapë natën, ndërsa Qiproja do të këndojë e fundit. Në natën e parë, krahas Eugentit do të garojë edhe Eleni Foureira – për Qipron, një shqiptare tjetër në këtë Eurovizion.

Në gjysmëfinalen e dytë, me 10 maj, mbrëmja hapet me Alexander Rybak nga Novergjia dhe përfundon me këngën nga Ukraina. / KultPlus.com

‘Asgjë Sikur Dielli’ sonte në Rockuzinë

Asgjë Sikur Dielli është grup i njohur muzikor kudo ku ka shqiptarë.

Asgjë Sikur Dielli është bendi më aktiv i muzikës alternative në Kosovë. Përmes teksteve me metafora provokative, kryesisht me tema nga refleksi i jetës sociale dhe me një stil më të thellë, djemtë e grupit kanë krijuar një atmosferë autentike muzikore, duke arritur kështu që të bëhen shembull tipik i muzikës alternative kosovare.

Grupi u krijua kah mesi i të ’90-tave, kur Alban Nimani (vokalist) dhe Bujar Hundozi (kitarë) u takuan dhe vendosën që të punojnë së bashku.

Grupi sonte do të performojë në ROCKUZINË në kryeqytet. Mbrëmja fillon në ora 21:00

Kandidatët për drejtor të Teatrit Kombëtar merren në pyetje

Kandidatët për drejtor të Teatrit Kombëtar kanë kaluar para bordit të shqyrtimit të platformave për drejtorin e ri të Teatrin Kombëtar ngritur nga Ministria e Kulturës.

Ema Andra, Genci Fuga, Laert Vasili dhe Hervin Çuli janë pyetur mbi mënyrën sesi ata do të drejtojnë TK në rast se do të zgjidhen në krye të këtij institucioni.

Kështu, zyrtarisht Hervin Çuli ka hedhur kandidaturën për një mandat të dytë në krye të Teatrit Kombëtar. Edhe pse platformat e propozuara nga secili nuk janë bërë publike, ato tashmë janë parashtruar në Ministri dhe pritet që shumë shpejt të bëhet përzgjedhja e kandidatit që do të drejtojë teatrin kombëtar në katër vitet e ardhshme.

Zgjedhja e drejtorit të ri të Teatrit, bëhet në një moment delikat të një përplasjeje publike mes Ministrisë dhe artistëve të këtij instucioni të cilët janë ndarë në qëndrime të ndryshme mbi shembjen apo jo të teatrit dhe ngritjes së një teatri të ri. Qëndrimet e kandidatëve për drejtor të bëra publike kanë qenë për një teatër të ri, çka shkon në sinkron me qëllimet e Ministrisë së Kulturës.

Zbulohen finalistët për Shqipërinë në Eurovizionin e instrumentistëve

Radio Televizioni Shqiptar sot ka zbuluar emrat e gjysmëfinalistëve të garës “Albania Young Musicians”.

Këta gjysmëfinalistë kanë fituar kësisoj një biletë dhe secili është afër përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovizionin për instrumentistë, që këtë vit mbahet në Edinburg.

Këta katërmbëdhjetë muzikantë do të luajnë pjesë të ndryshme muzikore në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të RTSH-së.

Emrat e gjysmëfinalistëve janë:
o Aleks Shameti
o Dejon Bendaj
o Eni Maqellari
o Erald Shamku
o Filippo Jakova
o Grigor Ylli
o Iva Zurbo
o Jonathan Verkuj
o Klaudio Zoto
o Laura Llozi
o Laura Sulaj
o Noel Shutina
o Rejsi Prosi
o Tedi Tola

Vetëm gjashtë prej këtyre instrumentistëve do të vazhdojnë garën më tutje, shkruan KultPlus.
Edicioni i 19-të i konkursit “Eurovision Young Musicians” do të zhvillohet ne Edinburg nga data 18 deri më 23 gusht 2018.

Në këtë edicion marrin pjesë 18 shtete, numri më i lartë i përfaqësimit që prej vitit 2006.
Shqipëria prezantohet për herë të parë në këtë ngjarje të madhe të Eurovizionit, me instrumentistin që do të shpallet më i miri në garë, në koncertin gala “Albanian Young Musicians”. / KultPlus.com

Pranvera Hoxha dhe Visar Kuqi bashkojnë muzikalitetin në Festivalin DAM

Alberina Haxhijaj

Pianistja Pranvera Hoxha ka sjellë mbrëmë, në kuadër të edicionit të 13-të të Festivalit DAM, një program të bukur pianistik, e që brenda tij barti mesazhin e sivjetshëm të këtij festivali.

Ajo duke zgjedhur kompozitorët spanjollë solli krijime të kompozuara gjatë Luftës së Parë Botërore, e që nuk dëgjohen shpesh në Prishtinë. Në dy vepra muzikore pianistja Hoxha u shoqërua nga violinisti Visar Kuçi. Kjo dyshe solli një interpretim mjaft të matur të veprave të kompozitorit Pablo De Sarasate, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, shkruan KultPlus.

Pianistja Pranvera Hoxha tregoi për KultPlus se e vlerëson shumë faktin se Festivali DAM vazhdon të u japë hapësirë artistëve të rinj dhe atyre në formim.
“E veçanta e këtij recitali është se unë kam përzgjedhur me luajt vetëm muzikë spanjolle nga dy kompozitorë: Enrique Granados dhe Manuel De Falla. Kjo është e veçantë pasi zakonisht ne instrumentistët kur mbajmë koncerte recitale jemi mësuar të sjellim vepra nga epoka të ndryshme të historisë muzikore. Në këtë rast të gjitha vepra janë kompozuar nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Kjo është lidhur shumë bukur edhe me temën që e ka në këtë edicion Festivali DAM”, tha Hoxha.

Festivali DAM këtë edicion do të sjellë vepra që për burim inspirimi kanë pasur luftën ose janë krijuar gjatë luftërave. Ky koncept vjen si thirrje për paqe në kohën kur ka shumë vatra lufte në botë dhe në kohën kur pavarësisht se Kosova ka kaluar një luftë dy dekada më parë, qytetarët e saj vazhdojnë t’i bartin pasojat në forma e manifestime të ndryshme. Për DAM-in këtë vit, paqja duhet të mbizotërojë përgjithmonë.

“Një pjesë e konsiderueshme e veprave që unë kam luajtur janë kompozuar pikërisht gjatë Luftës së Parë Botërore. Për njerëzit besoj që kjo ka qenë interesant edhe për arsye se kjo muzikë luhet shumë pak te ne, këtë e kam vënë re edhe si pedagoge e muzikës. Prandaj përmes këtij recitali përveç që i kam argëtuar njerëzit me muzikën spanjolle kam sjellë edhe më shumë informacion për këto vepra”, tregoi pianistja Pranvera Hoxha.

Gjatë këtij recitali u luajtën edhe dy vepra të kompozitorit Pablo De Sarasate. Për të sjellë këto pjesë pianistes Pranvera Hoxha iu bashkangjit në skenë edhe violinisti Visar Kuçi.
“DAM-i është një prej festivale më të mira që i kemi dhe që gjithmonë sjellë risi dhe njerëz shumë të veçantë kështu që është shumë e rëndësishme që ky festival të vazhdojë. Unë edhe nëse nuk kam marrë pjesë me performanca kam marrë pjesë më forma të ndryshme në këtë festival edhe pse zakonisht luaj diçka, si sonte ku u paraqita me dy pika si mysafir. Më pëlqen që edhe sivjet ka shumë laramani dhe netët janë të ndryshme, komplet prej njëra-tjetrës, dhe pres me padurim që t’i dëgjoj këto koncerte”, u shpreh ai për KultPlus. / KultPlus.com

Taksa e Rrugës së Kombit, kosovarët braktisin bregdetin e Durrësit

Taksa e vendosur për Rrugën e Kombit ka zemëruar kosovarët, të cilët janë turistët më patriotë të vendit tonë dhe kryesisht të bregdetit Adriatik.

Dje, në ditën e dytë të aplikimit të kësaj takse në tunelin e Thirrës në Kukës, e cila përkoi me fundjavën e fundit të marsit, që u shoqërua me diell e temperatura të larta në plazhin e Durrësit, numri i kosovarëve të mbërritur është në minimumin e tyre historik. Burime nga agjencitë turistike dje bënë me dije se autobusët e nisur nga qytete të ndryshme të Kosovës kanë mbërritur bosh në Durrës, ndërkohë që pritej fluks për shkak të motit të mirë. “Zemërimi i kosovarëve është i madh”, thanë shoferët e autobusëve të Kosovës, të cilët kanë paguar taksën e hyrjes 11 euro e 30 cent në kufi. “Me 19 veta nga 51 që duhet të vinin, kaq erdhën nga Gjilani këtë mëngjes. Populli është indinjuar, pasi taksa është vënë vetëm për të bllokuar kosovarët dhe kuksianët që të mos vijnë në Tiranë e në Durrës. Kjo është shumë e rëndë”, u shprehën shoferët nga Kosova. Ndërkohë që apeli i çdo biznesi në plazhin e Durrësit, duke nisur që nga hotelet e deri tek subjektet e vegla sezonalë është që qeveria shqiptare duhet të rishikojë taksën e vendosur në Rrugën e Kombit. Sipas operatorëve turistikë, vendosja e kësaj takse në këtë segment është shumë e shtrenjtë dhe frenon ardhjen e pushuesve. Sipas tyre, nëse pushuesit nga Kosova nuk do të vijnë në plazh, subjektet e plazhit falimentojnë të gjithë.

REAGIMI I KOSOVARËVE
“Unë kam një qebaptore këtu në plazh. Nëse nuk vijnë pushuesit nga Kosova, ne të gjithë falimentojmë. I mbyllim dhe ikim të gjithë nga plazhi”, tha një grua. Dy të rinj nga Kosova, Muhamed Bajrami, i cili ka përfunduar ekonomikun në Padova dhe inxhinieri Mustafa Pashtriku, po ktheheshin për në Prishtinë, pas një jave që qëndruan në Durrës në një seminar. Ashtu si të gjithë kosovarët, edhe dy të rinjtë janë të mërzitur nga vendosja e taksës për qytetarët dhe biznesin në mënyrë të njëanshme në Rrugën e Kombit nga qeveria shqiptare. “Kostoja 10 euro për një veturë të Kosovës vajtje-ardhje, është po aq e shtrenjtë sa për banorët e Kukësit, sepse Shqipëria dhe Kosova kanë pagat më ulëta në rajon si në sektorin privat, ashtu edhe për administratën publike. Biznesi ka rritje kostosh me vendosjen e taksave të tilla të pastudiuara nga ana e qeverisë shqiptare. Këto taksa kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e familjeve të Kosovës dhe pritet të frenojnë jo pak ardhjen e kosovarëve në Durrës. Konkurrenca është e lartë, ndaj kjo ka indinjuar të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët do të kërkojnë të gjejnë vende të tjera më të lira për të pushuar”, thanë dy të rinjtë nga Kosova.

Sipas tyre, taksa vendosen për mirëmbajtjen e rrugës, por është me çmime të papërballueshme për popullsinë shqiptare në të dy kahet e kufirit. Ndaj është e domosdoshme rishikimi i vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit. Ndërkaq, drejtues mjetesh pohuan se shumica e familjeve të Kosovës kanë paga që variojnë nga 200 deri në 350 euro në muaj. Sipas tyre, 10 euro taksë veture aq sa shpenzojnë për karburantin të vijnë nga Kosova në Durrës konsiderohet e lartë dhe e tepërt për Rrugën e Kombit, e cila u ndërtua të bashkojë e jo të ndajë popullin shqiptar në dy pjesë. “Një taksë e tillë kaq e shtrenjtë nuk është as në Gjermani, që ka kosto jetese të pakrahasueshme për popullin shqiptar të Kosovës dhe Shqipërisë. Taksa të ulet, në të kundërt Shqipëria do të braktiset nga vëllezërit e saj matanë kufirit. Dhe kur njerëzit ikin, zor se kthehen më në atë vend”, deklaruan ata.

GSH / KultPlus.com

DAM Festivali mirëpret muzikantët nga Peja, me misionin për promovimin e të rinjve

Alberina Haxhijaj

Festivali DAM po vazhdon të jetë një platformë për promovimin e artistëve të rinj e veçanërisht studentëve. Në edicionin e 13-të të tij, ky festival mirëpriti për herë të parë studentët e Fakultetit të Arteve nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, shkruan KultPlus.

Studentët e këtij fakulteti u paraqitën mbrëmë me vepra të ndryshme në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Muzikëdashësit të cilët ishin të pranishëm në këtë koncert patën rastin që të dëgjojnë edhe një program të bukur e të larmishëm muzikor, i cili erdhi përmes Korit të Fakultetit të Arteve në Pejë.

Programi i tyre ishte fokusuar te kompozitorët e shekullit të fundit, duke tentuar edhe ruajtjen e veprave të kompozitorëve shqiptarë. Kori interpretoi për herë të parë edhe veprën “Vendlindja” të kompozitorit Valton Beqiri, kompozuar posaçërisht për këtë kor, i cili u shoqërua me piano nga Besim Qorri. Dirigjenti i korit, Hysen Nimani, tregoi për KultPlus se Fakulteti i Arteve e po ashtu edhe kori kanë dëshirë që të jetë edhe në vitet e ardhshme pjesë e Festivalit DAM.

“Ja vlen organizimi i festivaleve të tilla për ruajtjen por edhe ngritjen e cilësisë në muzikë. Pjesëmarrja këtu është kënaqësi për ne dhe shpresojmë që tani e tutje të jemi pjesëmarrës të rregullt. Është shumë e rëndësishme përfshirja e të rinjve, madje ata marrin edhe përvoja nga instrumentistët e huaj që janë pjesë e festivalit e që vijnë prej shteteve të ndryshme. Vlen të theksohet se puna më e mirë është kjo, shkëmbimi i informatave, eksperiencave dhe përvojave në mes të instrumentistëve”, tha ai.

Nga Fakulteti i Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë janë paraqitur edhe studentët Frederik Gjokaj (saksofon), Agon Daka (saksofon), Endrit Rexhepi (saksofon), Lavdim Elezi (saksofon), Erion Kryeziu (saksofon), Kosovar Arifaj (klarinetë), Erblina Bajrami (flaut), Valon Kryeziu (klarinetë), Rexhep Karaqi (piano) dhe Entela Demi (flaut).

Entela Demi, studente e vitit të tretë në Fakultetin e Arteve, solli mbrëmë me flaut “Fantazinë Hungareze” të kompozitorit Franz Doppler, dhe u shpreh e lumtur për mundësinë që po u jepet të rinjve për të qene pjesë e festivaleve që mbahen në Kosovë.

“Është hera e parë që po marrim pjesë në DAM në kuadër të fakultetit, ndjehem shumë mirë që na është dhënë kjo mundësi. Kjo pjesëmarrje do të na shërbejë në të ardhmen si muzikantë të rinj. Ka shumë rëndësi edhe paraqitja në një festival siç është DAM-i, dhe në të cilin marrin pjesë edhe artistë nga të gjitha vendet evropiane si dhe nga Kosova”, tha për KultPlus Entela Demi, e cila tashmë është mësuar me publikun, pasi emri i saj ka figuruar shumë herë si fituese në gara të ndryshme.

Sonte do të performojë “Vienna World Orchestra” duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Në kuadër të festivalit sonte vjen Përplasje III – me pjesëmarrjen e Rina Kaçinarit, Golnar Shahyar, Paul Dangl, Jorg Mikula, Mahan Mirarab, Ariel Ramirez, Simon Schellnegger dhe Efe Turumtay. / KultPlus.com

Bedrie Ashiku, shkodranja që u torturua e internua nga xhelatët komunistë

Një copëz nga historia rrënqethëse e burgosjes dhe internimit të grave e vajzave të Shkodrës, në vitet e para të represionit komunist

Tortura ndaj vajzave dhe gave të Shkodrës, në vitet e para të respresionit komunist, është një dosje e zezë që meriton vëmëndje specifike. Bedrije Ashiku ishte një prej grave të Shkodrës që u torturua, u burgos dhe më pas u internua. Fritz Radovani, përcjell copëza të histoisë së zonjës Bedrie Ashiku, të rrëfyera nga bashkëkohës të saj. Ai na sjell në vëmëndje konviktin “Malet tona” në Shkoder i cili ishte kthyer në hetuesi. Ishte pranë spitalit të Shkodres, në fund të rrugës së Shtëpisë së Kulturës dhe se konvikti i kthyer në hetuesi, iu duhej afër spitalit. Radovani shpjegon, mbështetur në rrëfimët e vuajtësve në ato biruca famëkeqe, se hetuesit kriminel nuk kishin interes të mbyllnin dosjet tri ditët e para të torturave, prandaj iu duhej afer spitali. Pastrimet e zyreve i banin me vajzat ose gratë e arrestuara që nuk ishin aq pak ndër ato qeli.

“Në Shkoder kam pasë fatin me njoh Martirin Loro Vata, i cili ka jetue deri në vitin 1999, dhe prej Tij mësova ngjarje të sakta që ishin të varrosuna në thëmelet e atij konvikti…

Në vitin 1946, pak ditë mbas arrestimit Loro Vata dergohet në hetuesinë “Malet tona”. Aty merrej në pyetje nga një katil i njohun i hetuesisë, Fadil Kapisyzi. Edhe qelia ku ishte i pranguem Loro, ishte pranë dhomës ku Fadili, merrte në pyetje të arrestuemit.

Shpesh terroristët masakronin nga dy vetë bashkë. Një natë Fadili kishte marrë në zyre të vet edhe një monster si veten Dul Rrjollin, dhe po torturonin një nga Klerikët Katolik” shkruan Radovani, i cili i mbështet rrëfimet në dokumente zyrtare të marra nga arkivat e shtetit komunist.

Historia e Bedrie Ashikut

“Ishin ditët e para të Dhjetorit 1946. Aty nga ora 8 e mjesit Duli kishte hapë një qeli aty pranë Loros, ku ishte e prangueme zonja Bedrije Ashikja, motra e Ahmet Ashikës, rreth moshës 24 vjeç, së ciles i kishin pushkatue Burrin, dhe kerkonin me e dënue edhe këte. Flitej se Fadili kishte një lidhje të largët kushrinije me Bedrijen, dhe per këte arsye ai shpesh e merrte Bedrijen me pastrue dhomat e hetuesisë… Pak minuta mbasi Bedrija po pastronte dhomen e Fadilit, u ndigjue një virrmë e fortë, që u këput pa u kuptue pse…

Nuk vonoi pak kohë dhe mërrijti Dul Rrjolli, i cili mbasi e pyeti: “Pse e preke thesin, a të thashë, se mbas derës mos pastro… moj e poshter…” dhe vazhdoi, tue terhjekë rrëshanë Bedrijen, dhe tue e sha me fjalorin e njohun të tyne, derisa e holli në qeli… Mërrijti aty edhe Fadili, dhe vazhdoi edhe ai si Duli. Në fund e porositi: “Guxo e tregoi kujt se shka ke pa, se edhe ty do të kalbi në një gropë me te, moj ..!”

Atë natë ishe i sigurtë se na pergjojnë, tha Loro, prandej, as nuk i dhashë Bedrijes fare sinjal per me marrë vesht shka ngjau atëditë, në zyren e Fadilit…

Të nesermen heret më zgjoi vetë Bedrija: “Loro, a e di shka ka ngja dje në zyre të hetues Fadilit?” – Unë, i pergjegja jo! Po në të vertetë, gjatë natës, veshtrova nga oborri dhe, aty nga e vona, disa roje hapne një gropë, dhe hollen aty një thes ngjyrë kafe të mbyllët mu tek qerrshija brinjë murit të hetuesisë… Kuptova se dikush kishte vdekë në tortura!

Bedrija i kishte tregue, se gjatë torturave me korrent elektrik, Fadilit dhe Dulit u ka mbetë i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë e kishin ba si thes në zhgunin e vet. Unë pa dijtë gja, tue pastrue mbasdere, kur e pashë vrrita dhe më ka ra të fikët… Ka ardhë Duli dhe më ka hjedhë ujë, e kam ardhë në vete. Gjithë diten jam qenë e tmerrueme, as nuk më ka kalue buka… Një tmerr me e pa Fratin ashtu!!

E mbytja e At Bernardin Palaj në torturë, vazhdon mos me e shkrue si kje e verteta!

At Bernardini nuk ka vdekë as nga telat e ndryshkin as nga tetanozi! Ate e keni mbytë!

Sigurisht, kjo jo, per të gjithë!

Heroina Bedrije Ashikja, mbasi bani shumë vjetë burg, nuk i mjaftoi komunistëve vuejtja e Saj sa e sa vjeçare, duhej interrnue fatzeza në Hajmel… Ishte thirrë nga Sigurimi per me “deponue” per Imzot Ernesto Çoben, në një mbledhje të lagjes së Saj, se: “Ishte pa nga dritaria e Mark Berishës, karrshi Kishës së Madhe, ku shpesh aty shkonte edhe Xhemal Dini dhe Angjelin Kumrija, me “ndonjë agjent” tjeter, dhe survejonin kush hyn e del në Argjipeshkvijë… Një mbasdreke kishin pa edhe Bedrije Ashikën, që nuk mohonte se asht kenë tek Imzot Ernesto Çoba. Sigurimi i kerkonte Asaj me deponue tjera fakte që nuk ishin asnjë të verteta. Bedrija ua preu shkurt: “Këto që thoni ju, kerkoni atje ku jeni mësue, po jo tek unë, mbasi unë kam shkue me i lypë ndihmë 1000 lekë (të vjetra), se nuk kishe pare as me marrë buken, dhe Imzot Çoba mi ka dhanë. Tashti, ju kerkoni që unë “edhe ti shpifem Atij, që më bani nder… A jeni në vete ju, që e kerkoni këte?!”

Në mbledhjen e lagjes zonja Bedrije nuk u mjaftue me aq sa i tha në zyren e Sigurimit, po me një guxim të paharrueshëm, Ajo ua perplasi per surrat veprat dhe moralin e tyne, me të cilët, ata kanë shkatrrue Shkodren dhe Rininë e Saj…

Fatkeqsisht, zonja Bedrije Ashikja e mbylli jeten me një smundje të randë “harrese”, që ndoshta, shpesh asht edhe per t’ Ua pasë zili Atyne fatzezëve që sakrikuen aq shumë!”, shkruar nga Fritz Radovani, Melbourn, SHBA.

Shënim: Prej vitesh, studiuesi Fritz Radovani, ka një kontribut të çmuar në botimet e historive që rrëfejnë krimet e komunizmit në Shqipëri.

KUJTO.AL

Eugent Bushpepa këndon ‘Mall’ fuqishëm në skenën e The Voice Kids (VIDEO)

Mbrëmë ai ka dhënë paraqitjen e fuqishme të këngës e cila në më pak se dy muaj do të na përfaqësojë në Eurovizion.

Eugent Bushpepa mbrëmë ka goditur notat e larta duke e sjellë për herë të parë këngën “Mall” në një televizion shqiptar, live, pas triumfit në Festivalin e Këngës.

Bushpepa ka qenë i ftuar mbrëmë në The Voice of Albania ku e ka sjellë këngën “Mall”.

Kënga është e fuqishme dhe i tillë është edhe vokali i Gentit.

Eugenti me këngën “Mall” do të ngjitet në skenën e Eurovizionit me datë 8 maj, ndërsa nëse kualifikohet për në finale, do të këndojë edhe me 12 maj.

Kjo performancë e tij e mbrëmshme është komentuar pozitivisht, marrë parasysh fuqinë e performancës së Gentit të
cilit zëri i buron lehtësisht por është i thellë dhe unik në përmbajtje. / KultPlus.com

RomArchive, platforma për të dokumentuar kulturën rome nëpër Evropë

Do të jetë një platformë e cila do të sjellë para lexuesit hartën kulturore të komunitetit rom në Evropë.

Fotografi, intervista dhe histori të suksesit të ciganëve do të vijnë në RomArchive, një platformë që nga tetori i këtij viti do të dokumentojë historinë rome në kontinentin tonë.

Rahim Burham, shembull, është një regjisor maqedon me prejardhje rome. Për të nuk ka shumë informacione online, pos që ka themeluar teatrin rom “Pralipe” në Shkup.

Për këtë mungesë informacionesh, kjo platformë do të angazhohet në hulumtim e prezantim, shkruan KultPlus.

Ideja është e moçme, e vitit 2012-të, dhe lindi gjatë punimeve për Memorialin e të vrarëve në Holokaust, me prejardhje rome dhe Sinti.

“Kemi nevojë për një platformë ku paraqitet kultura jonë dhe emrat tanë kryesorë” tregojnë dy ideatoret – Isabel Raabe dhe Franziska Sauerbrey.

Për momentin, 150 persona nga 15 shtete po punojnë në RomArchive. Në platformën online momentalisht mund të gjeni intervista, të dhëna mbi emrat më të njohur të kulturës rome në Evropë, ndikimin e tyre në kulturën e gjerë, zhvillimi i muzikës dhe feminizmit rome dhe aspekte tjera. / KultPlus.com

“Komunizmi e demokracia janë krejt dy shejtana të kundërt”

“— Kurrgjâ nuk po na thue Pater Gjon, — tha persëri plaku. — Komunizmi e demokracia janë krejt dy shejtana të kundërt dhe nuk mund aviten kurr bashkë. Hori e pasaniku jeton veç me fitue, ndërsa komunizmi asht si ai djalli që kur rrin pa punë çohet e rrahë e mbytë femijët e vet. Mjerisht ne na ka perfshî ky e na do të vuejm deri te na lshojë. Ky nuk na lshon, por deri të vijë nji tjetër me e hjekë qafet…”

Atë Zef Pllumi, “Rrno për me tregue”

Rrno vetëm për me tregue është një libër i At Zef Pllumit i botuar në Tiranë në vitin 2001 nga shtëpia botuese Hylli i Dritës. Titulli në fjalë është vëllimi i tretë i Rrno vetëm për me tregue. Vëllimi i parë është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997. Redaktori i librit, sikundër edhe në dy vëllimet e para, është Aurel Plasari.

Kërkohen 80 satelitë për Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venedik

Në kuadër të zhvillimit të Pavilionit të Kosovës dhe prezantimit të tij në Bienalen e 16-të Arkitekturës në Venedik, me kurator Eliza Hoxhën, bëhet thirrje për kontribut për mbledhjen e 80 satelitëve (d=95cm) që do të ekspozohen gjatë muajve MAJ-NËNTOR 2018.

Ky është një kontribut në homazh të viteve të 90-ta për të gjithë qytetarët që dhanë hapësirat e tyre për hir të zhvillimit të edukimit, kulturës, artit në Prishtinë. Satelitët do të personalizohen me emrat e personave që do t’i dhurojnë ato.

Afati i përfundimit të thirrjes: 10 Maj.

Kosova kësisoj do të jetë pjesëmarrëse në Bienalen e Arkitekturës në Venedik, aty ku shtetet nga mbarë bota mblidhen për të sfiduar arkitekturën në forma të ndryshme. / KultPlus.com

U promovua në Prizren romani ‘Psycho’ nga Ilir Muharremi

Sot, në hapësirat e Kolegjit Fama në Prizren u promovua romani “Psycho” i autorit Ilir Muharremi.

Për veprën foli profesori Eqerem Zenelaj i cili e vlerësoi lartë veprën e Muharremit duke i këshilluar studentët të lexojnë më shumë.

Ndërsa, Mensur Bytyqi – drejtor i librarisë “Pena” në Prizren foli fjalë miradije për romanin:
“Ky roman është shkruar me mbi vetëdije, është shumë psikologjik dhe rrëfen për një realitet të pa trajtuar në Kosovë dhe më gjerë”, shtoi mes tjerash Bytyqi, shkruan KultPlus.

Ndërsa, vet autori Muharremi tha pak fjalë rreth librit që tanimë ka marrë vëmendjen e lexuesit shqiptar.

“Jam i lumtur për këtë vepër e cila çdo ditë po gjen lexuesin e vet, shpresoj të promovohet edhe në gjeografitë ndërkombëtare” shtoi Muharremi.

Ky roman rrëfen për erotikën, kanibalizmin, dëshpërimin, psikopatinë, çmendurinë, vrasjet, dhunën, tema këto të ndërthurura në roman në formë interesante. / KultPlus.com

‘Nëse s’ke qarë, sytë e tu s’mund të jenë të bukur’ dhe porositë tjera nga Sophia Loren

Çdo fazë e jetës ka dështimet dhe të bukurat e veta!

Në moshën tridhjetë vjeçare je i ri dhe i pasigurt, dyzet je i fortë dhe shpesh i lodhur, pesëdhjetë je i mençur e ndoshta edhe disi melankolik.

Dhe kur mbërrin në pragun e të tetëdhjetave, me raste të kap dëshira t’ia nisësh së gjithës nga e para.

Lind sërish nëpër kujtime dhe dashurohesh me të ardhmen.

Kjo është vetëm një nga thëniet e Sophia Loren, femrës plot pushtet në kinematografi, një prej aktoreve më të dashura e të njohura në botë.

Në vijim, ju njohim me disa nga shprehjet e saj më të bukura, që janë pjesë e frazeologjisë botërore, duke frymëzuar miliona femra…

Kur ti je nënë, ti vërtetë nuk je vetëm në mendimet e tua. Një nëne i duhet të mendojë dy herë. Një herë për veten dhe një herë për fëmijën e saj.

Veshja e një femre duhet të jetë si një gardh telash me gjemba: që t’i shërbejë qëllimit pa e penguar shikimin.
Një grua mund të duket më mirë, nëse ndihet mirë nën lëkurën e saj. Këtu nuk hyjnë as fustani e as tualeti, por mënyra se si shkëlqen.

Ka një burim i pashterrshëm rinie: është mendja jote, talenti yt, krijimet që ti sjell në jetën tënde dhe jetët e njerëzve që ti do. Kur ti mëson ta shfrytëzosh këtë burim, ti vërtet e ke mundur moshën.
Duhet ta gëzosh jetën. Gjithmonë të jesh me njerëz që i pëlqen, njerëz me të cilët ke bisedë të këndshme. Ka kaq shumë gjëra pozitive për të cilat të mendosh.

Nëse nuk ke qarë, sytë e tu nuk mund të jenë të bukur.

Gabimet janë pjesë e haraçeve që paguhen për një jetë sa më të plotë.
Duhet të jesh e lindur një sex symbol. Përndryshe nuk bëhesh dot. Nëse ke lindur me këtë cilësi, atëherë do ta kesh edhe kur të jesh 100 vjeçe.

Pas kaq vitesh, unë jam prapë jam e përfshirë në procesin e vetëzbulimit. Ishte më mirë ta shfrytëzoja jetën dhe të bëja gabime se të bëj një jetë të sigurt.
Seksi është si të lash fytyrën – diçka që do ta bësh, sepse duhet bërë. Seksi pa dashuri është absolutisht qesharak. Seksi pason dashurinë, asnjëherë nuk e paraprin.
Shumë njerëz mendojnë se i dëshirojnë gjërat, por ata nuk kanë vërtet forcën, disiplinën. Ata janë të dobët. Unë mendoj se njeriu arrin çfarë do, nëse ai e do vërtet shumë.

Kurrë nuk jam përpjekur t’i errësoj kujtimet e së shkuarës, edhe kur ato janë tejet të dhimbshme. Gjithçka që përjeton, të ndihmon që të jesh njeriu që je.

Për të përparur në profesion, kërkohet shumë besim tek vetja. Prandaj disa njerëz, me talent mediokër, por me shtysa të brendshme të fuqishme, shkojnë shumë më përpara se njerëz me talent të madh.

Nuk gjen kënaqësi në punë, nëse nuk e bën punën që dëshiron.