Edhe logoja e re për 10 vjetorin e pavarësisë e ngjashme me një logo tjetër

Edhe logoja e re e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës duket e ngjashme me logon e Bashkimit Demokratik për Integrim të publikuar për Kongresin Tematik që është mbajtur më 2015.

Numri një dhe gjashtë yjet janë krejtësisht të njëjta në të dyja logot, veçse asaj të dhjetëvjetorit të Pavarësisë i është shtuar edhe një zero si dhe harta e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Logoja e parë e publikuar nga Presidenti Hashim Thaçi është anuluar ditë më parë, poashtu për shkak të ngjashmërive me një logo tjetër që gjendej në Gjermani. Pas ankesave të shumta ishte anuluar ajo logo për tu përzgjedhur logoja që është aktuale.


Dua Lipa është këngëtarja më e nominuar në Brit Awards 2018!

Dua Lipa është zyrtarisht këngëtarja më e nominuar në çmimet muzikore BRIT AWARDS 2018

Nominimet të cilat u bënë publike pak minuta më parë, tregojnë se Dua Lipa është e nominuar në gjithsej pesë kategori, shkruan KultPlus.

Lipa, një këngëtare tanimë e njohur gjithandej me hitet “New Rules” dhe “IDGAF”, është nominuar në kategoritë: artistja më e mirë femër, artistja më e mirë debutuese, kënga më e mirë me “New Rules”, albumi më i mirë anglez dhe videoklipi më i mirë anglez.

Në kategorinë e albumit më të mirë ajo garon edhe krahas Ed Sheeran, ndërsa në kategorinë e artistes më të mirë femër është krahas Paloma Faith, Jessie Ware, Kate Tempest dhe Laura Marling.

Çmimet Brit Awards do të ndahen me 21 shkurt në 02 Arena në Londër.

Këtu i gjeni të gjitha nominimet dhe shkrimin e The Guardian për Dua Lipën. / KultPlus.com

Elina Duni zbulon datat e koncerteve në Evropë

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare Elina Duni ka publikuar itinerarin e koncerteve të saj që do t’i mbajë gjatë muajve të ardhshëm.

“Disa solo koncerte për të na mbajtur ngrohtë deri në fund të janarit”, ka shkruar Duni në Facebook.

Koncertin e parë do ta mbajë në Romë të Italisë më 19 janar, për të vazhduar më pas në Zvicër e Francë. / KultPlus.com

Medalja artistike “Gherg Kastrioti a Skanderbegu – Mbret i Shcipërisë”, e gdhendur nga skulptori Heinrich Kautsch

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Janar 2018

Në veprën me titull “L’Albania” të Vico Mantegazza, botuar në vitin 1912, në Romë, nga shtëpia botuese “Bontempelli e Invernizzi”, gjejmë në faqen n°17, një portret të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mundësuar nëpërmjet medaljes artistike të skulptorit Heinrich Kautsch.

Pavarësisht se viti i lindjes (1404) dhe i vdekjes (1467) së heroit tonë kombëtar janë të gabuar, Aurenc Bebja, në mirënjohje të punës së skulptorit Kautsch dhe me anë të blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, sjell këtë dokument për publikun shqiptar:

Shtëpia që ndërtoj

Poezi nga Jusuf Gërvalla

në një skutë do të ketë më shumë dritë
në tjetrën vend për shtratin dhe minjtë
një derë do ta ketë për në rrugën kryesore
një tjetër për kopshtin me lule të bardha
një verandë do ta ketë me një fuçi druri portokalli
do ta llogarisë këndin e diellit mbi dritare

2.
do të ketë aty pak trosha buke do të zihet çaji
një komë e shtruar në mesore do gazeta dite
do të vë portretin e një dashurie në dhomën e pritjes
do të më vijnë shokë e do të më vijnë prindër
s’do të ketë kurtina të larme në dritare
dhe krejt dyert e drurit do t’o ngjyej
me bojë plepi e gjethesh me të gjelbër
e do të kthej për çdo mbrëmje aty

Lokali i një shqiptari ofron kafe falas për inat të Donald Trump (FOTO)

Një emigrant shqiptar ka tërhequr vëmendjen e medieve amerikane. “Washington Post” shkruan se pronari shqiptar i një bari ofron kafe falas për të gjithë haitianët, salvardorianët dhe afrikanët pas deklaratës së Presidentit Trump se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të pranojnë emigrantë nga “vende halesh”. Shqiptari mirëpret më një filxhan kafeje falas edhe norvegjezët për të cilët presidenti ka shprehur dashamirësi.

“Emigrantët vijnë këtu për të shtuar diversitetin dhe për ta bërë Amerikën atë që është –thotë Gjergj Dollani. 40-vjeçari është pronar i “Cafe Chocolat”, lokal i hapur 4 muaj më parë në Washington.

“Unë besoj te Amerika” – tha Dollani që tregon se ka mbërritur në SHBA në vitin 1994 me programin e Lotarisë. Në atë kohë sipas tij Shqipëria sapo kishte dalë nga blloku komunist. Shqiptari ka marrë një diplomë nga Universiteti i Illinois duke u bërë çokolatier. Jetoi 1 vit në Francë të merrte zanatin.

“Prindërit e mi deshën një jetë më të mirë dhe morën rrezikun. Kjo është shtëpia jonë tani. Unë kam kaluar më shumë kohë këtu se sa në Shqipëri” – tha Dollani.

First free coffee from @cafechocolatdc #freecoffeeforhaïti

A post shared by @ astrideal02 on

Ai këmbëngul se emigrantët krijojnë vende pune. Punëtori i tij është Marco Santos,23-vjeç nga Honduras. Ka mbërritur në SHBA kur ishte 5-vjeç. Trump kërkon që t’ia heqë të drejtën e nënshtetësisë ndërsa pritet që vendimin ta marrë kongresi. Ndërkohë një gjykatë u ka dhënë të drejta të punojnë dhe jetojnë fëmijëve të emigrantëve të paligjshëm.

“Im atë më solli këtu që të kem një shans më të mirë, por tani mund të më kthejnë pas” – thotë Santos. Ndërkohë që zhvillohet intervista vjen një haitian dhe merr një kafe falas. ©marrë nga Washington Post, përgatiti lapsi.al / KULTPLUS.COM

Presidenti kërkon propozime për personalitete që meritojnë dekorimin me Medaljen e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore do të nderojë personalitete të ndryshme me Medaljen Presidenciale Jubilare për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

Duke pasur personalitete të shumta, si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, që kanë kontribuar për pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë gjatë dekadës së parë të pavarësisë, presidenti Thaçi i fton institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët, që të kontribuojnë me propozimet e tyre për personalitetet që vlerësojnë se duhet të dekorohen me këtë medalje.

Të gjithë ata që duan të kontribuojnë me propozime, luten që ato t’i arsyetojnë dhe dërgojnë në adresën e Komisionit Vlerësues për Dekorata: [email protected];

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Medaljen Presidenciale Jubilare për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë do ta ndajë gjatë tërë këtij viti. / KultPlus.com

13 janar 1963, premiera e baletit ‘Halili dhe Hajria’

Data 13 janar e vitit 1963 ishte historike.

Po këtë ditë u dha premiera e Baletit të njohur “Halili dhe Hajria, baleti i parë shqiptar që hapi siparin e baleteve tjera kombëtare që do të pasonin më vonë.

Baleti u vu në skenë nga kompozitori Tish Daija dhe baletmaestër Panajot Kanaçi. Dirigjent Mustafa Krantja. Solistët e baletit ishin Ganimet Vendresha, Xhemil Simixhiu, Miltiadh Papa, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Estref Shaqiri, Albert Janku dhe Engjell Tershana.

Halili dhe Hajria është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar.

Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj.
Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi.

Drama “Halili dhe Hajria” është shkruar në vitin 1949 nga Kolë Jakova. Ajo pasqyron trimërinë e luftëtarëve të Malësisë së Madhe në ndeshje me pushtuesit turq, në shekullin XVIII. / KultPlus.com

Portret i rrallë dhe i panjohur më parë i Gjergj Kastriot Skënderbeut

Studiuesi dhe profesori i Universitetit të Prishtinës – Jahja Drançolli, ka publikuar në faqen e tij në Facebook një portret të rrallë të Gjergj Kastriot Skënderbeut zbuluar në një botim në Hungari, përgatitur nga një autori serb.

Portreti i rrallë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut mendohet se është botuar nga fillimet e shekullit XIX, por nuk dihet koha e saktë e realizimit të tij.

Postimi i studiuesit Jahja Drançolli

Portreti në fjalë pothuajse fare i panjohur për historiografinë tonë është një riprodhim i zbuluar në biografinë e parë të shkruar në sërbishtën e vjetër, e cila i kushtohet heroit tonë kombëtar. Tërheqë vëmendjen, sidomos titulli mbret që i atribuoet heroit tonë dhe origjina arbërore e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Origjinë kjo që nuk është kontestuar asnjëherë nga qarqet intelektuale serbe të asaj kohe.

Në këtë kontekst duhet vënë re se, përpjekjet për serbizimin e Heroit nisën të zënë fill nga historiani Garashanin (1844) dhe pasuesit e tij të shkollës antropologjike, të cilët përpiqeshin për ta fikur çdo dritë, jo vetëm nga historia e jonë e lavdishme. Libri është botuar në Pesch të Hungarisë më 1828! / KultPlus.com

Mbahen homazhe për mjeshtrin Rexhep Çeliku

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar janë zhvilluar sot homazhet në nder të solistit të parë dhe koreografit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Rexhep Çeliku.

Mjeshtri i valles shqiptare u nda nga jeta dje për shkak të një sëmundje të rëndë.

I pranishëm në homazhe ishte edhe Presidenti Ilir Meta, i cili e dekoroi Çelikun vetëm pesë ditë më parë me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Meta u shpreh se Çeliku e mundi sëmundjen kur dy muaj më parë hipi në skenë dhe ngriti peshë shumë zemra me rastin e 60 vjetorit të Ansamblit Kombëtar.

“Luftoi me një sëmundje të poshtër të cilin ai e mundi kur dy muaj më parë hipi në skenë me rastin e 60 vjetorit të Ansamblit. Ky njeri kishte tre vjet që luftoi me sëmundjen. Aty e mundi sëmundjen në emër të dashurisë për vendin dhe artin. Ai do të jetë burim frymëzimi për artistët tanë më të rinj sepse skena jonë do ta ndjejë gjatë mungesën e tij”, tha Meta.

Më tej Kreu i Shtetit shtoi se për Rexhep Çelikun ka “vetëm përjetësi dhe do të jetë gjithmonë në mendjen dhe zemrën tonë”.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me vlerësimin që Presidenti i Republikës, i bëri pikërisht Rexhep Çelikut vetëm pak ditë më parë, duke i dhënë Dekoratën “Nderi i Kombit” dhe si e kujton atë moment Presidenti Meta u përgjigj: “Mund t’ju përmend një moment si kanë reaguar dje shqiptarët e Kroacisë, kur kanë mësuar këtë lajm tronditës dhe jam i bindur se të gjithë shqiptarët jo vetëm janë tronditur, por edhe janë përlotur, pasi nuk ka akt dhe nuk ka fjalë të mjaftueshme për të vlerësuar atë që për më shumë se 40 vite Rexhep Çeliku ka bërë për Shqipërinë, ka bërë për kombin shqiptar, ka bërë për shqiptarët kudo ku kanë jetuar, të cilët i ka ngritur peshë, i ka frymëzuar dhe i ka bërë krenarë që janë shqiptarë.

Më tej Kreu i Shtetit shtoi se për Rexhep Çelikun ka “vetëm përjetësi dhe do të jetë gjithmonë në mendjen dhe zemrën tonë”.

Kurvës që më mori poezitë

Poezi nga Charles BUKOWSKI

Ndonjë thotë se duhet te ruhemi nga brerja e ndërgjegjes për
poezinë.
Me mbetë i shkëputur, dhe ndonjë shkak them, duhet të jetë,
Por pash zotin,
dymbëdhjetë poezi m’i përlave, dhe unë s’kam as kopjet, more dhe vizatimet e mija, më të mirat;
si pra, do më shqyesh edhe mua si ato?
Pse s’more paret e mija, kështu bëhet
kur heq brekët, i flak në një qoshe,
tjetër herë merrmë krahun e majtë a një pesëdhjetshe,
por jo poezitë e mija:
Nuk jam Shekspiri,
por ndonjëherë, thjesht
më të mirë nuk ka, abstrakt a ndryshe qoftë,
gjithmonë do të ketë pare, kurva dhe pijanecë,
deri kur bomba e fundit të bjerë.
Por si tha Zoti,
duke ndenjur ashtu në qef të vet
e shoh, paskam bërë plot poetë,
por pak, shumë pak
poezi.

© shqipërimi MAKS RAKIPAJ

STACION hapë konkurs për artistët e interesuar në shoqëritë pas konflikteve

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në bashkëpunim me University of the Arts London (UAL), ofron mundësinë për dy artistë ose grupe artistësh që të krijojnë një vepër arti në kuadër të temës të projektit hulumtues që shqyrton potencialin e arteve për të kontribuar pozitivisht në shoqëritë pas konflikteve.

Dy projekte do të përkrahen në Kosovë.

Natyra e veprave është tërësisht e hapur dhe mund të ketë çfarëdo lloj forme, përfshirë skulpturën, filmin, performancin, artet e bukura dhe fotografinë.

Propozimet që nxisin ose përfshijnë angazhim shoqëror apo janë të përfshira në pjesëmarrje ose bashkëpunim me një komunitet apo mes disa komuniteteve janë veçanërisht të mirëseardhura.

Honorari për veprën do të jetë 3000 Euro, përfshirë këtu edhe shpenzimet e realizimit. Projekti do të zhvillohet gjatë periudhës shkurt – maj 2018 me qëllim të ekspozimit të veprës finale, varësisht nga natyra e veprës, në ekspozita që do të organizohen në vitin 2018 në Sarajevë, Prishtinë dhe Londër.

Projekt propozimi për këtë konkurs do të vlerësohet nga juria e përbërë nga Dr. Paul Loëe, University of the Arts London (UAL), Dr. Milena Michalski, Kings College, Albert Heta – Stacion Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Erëmirë Krasniqi, Oral History Kosovo, dhe Nebojša Milikić, REX Cultural Center, Beograd.

Projekt propozimet duhet të përmbajnë më së shumti 1000 fjalë dhe të dërgohen ne gjuhën angleze së bashku me CV – të e artistëve në email adresën: [email protected].

Konkursi është i hapur deri me datën 23 shkurt 2018.

Konteksti i projekteve artistike

Projekti është një element i veçuar i një hulumtimi që kërkon të krijojë, dizajnojë dhe implementojë një seri të intervenimeve artistike në vendet e ish-Jugosllavisë.

Çdo intervenim do të përfshijë angazhimin e një artisti apo grupi artistësh që të realizojnë intervenimin në formë të veprës artistike. Intervenimet do të hulumtojnë se si praktika të ndryshme artistike do të mund të ndikojnë në perceptimet e grupeve brenda rajonit. Çdo intervenim do të vlerësohet duke matur ndikimin e tyre tek artistët dhe pjesëmarrësit e përfshirë në krijimin e veprave si dhe tek publiku i përcaktuar ose publiku i gjerë. Duke trajtuar procesin artistik të shfaqur dhe projektin artistik si model, kur nuk mund të parashikohet çfarë ndikimi do të ketë vepra, hulumtimi fokusohet edhe në dokumentimin dhe zënien e procesit kreativ artistik, reagimin e komunitetit ndaj intervenimit artistik dhe veprën finale si rezultat.

Duke përdorur metoda kualitative dhe pjesëmarrëse, hulumtimi është i ndarë në dy fusha.

Hulumtimi mbi procesin krijues artistik dhe ethosin artistik – intervistimi i artistit, dokumentimi vizual dhe botimet artistike – me qëllim të tentimit të zënies dhe dokumentimit të shfaqjes së kualitetit të procesit artistik për publikun jo – artistik (shembull publiku që tenton të kuptojë dhe përcaktojë në mënyrë kuantitative procesin kreativ).

Hulumtimi mbi reagimin e komunitetit ndaj veprave artistike. Veprat do të instalohen brenda hapësirave muzeale, ndërkaq publiku përgjigjet duke u vlerësuar përmes pyetësorëve dhe fokus grupeve.

Ky projekt zhvillohet si pjesë e projektit hulumtues AHRC që hulumton konceptet dhe praktikat e pajtimit si dhe potencialin e rolit të arteve dhe praktikave artistike në aktivitetet e pajtimit. Projekti hulumtues ka filluar në janar të vitit 2017 dhe do të përfundoj në dhjetor të vitit 2018. UAL është duke realizuar hulumtimin mbi potencialin e arteve për të kontribuar pozitivisht në shoqëritë e post konfliktit. Hulumtimi do të përfshijë angazhimin e artistëve për disa intervenime artistike që më pas do të vlerësohen mbi ndikimin që kanë pasur.

Art and Reconciliation është një projekt hulumtues inovativ dhe ndër-disiplinor bashkëpunues që përfshin King’s College në Londër (Studimet e Luftës), the London School of Economics (Qeverisja) dhe Universiteti i Arteve në Londër ( Kolegji për Komunikim), [Project Team] dhe bashkëpunime të nivelit jo akademik në fushën e dizajnit, prodhimit dhe dërgesës përmes angazhimit të artistëve nga mediume të ndryshme që të kriojnë dhe zhvillojnë praktikat artistike dhe artifakte.

Ky projekt ndër – disiplonor kombinon historinë, metodologjitë për zgjidhjen e konflikteve, praktikat artistike dhe kreative si dhe shkencat sociale kualitative dhe kuantiative. Ekipi i ekspertëve hulutues përfshin Dr. Rachel Kerr dhe Professor James Goë nga Department of Ëar Studies at King’s College London, Dr. Denisa Kostovicova, Department of Government, London School of Economics, dhe Dr. Paul Loëe nga London College of Communication, University of the Arts in London.

Për më tepër, projekti përfshinë artisten në rezidencë, Dr. Milena Michalski që do të punojë së afërmi me partnerët nga OJQ-të dhe institucionet e artit dhe kulturës që të formësoj dhe dizajnoj projektin, produkcionin dhe shfaqjen e projektit.

Hulumtimi financohet përmes skemës për grante të mëdha themeluar nga Arts and Humanities Research Council (AHRC), përmes Conflict Theme of the Partnership for Conflict, Crime and Security Research (PaCCS) si dhe përmes Global Challenges Research Fund (GCRF). / KultPlus.com

Aktorja Eliza Dushku është ngacmuar seksualisht kur ishte 12 vjeçe

Aktorja shqiptare Eliza Dushku është një tjetër emër i njohur që ka qenë e ngacmuar seksualisht.

Eliza vetë ka treguar se në moshën 12-të vjeçare ka qenë e ngacmuar gjatë xhirimeve të filmit “True Lies”, nga Joel Kramer.

Tregimi i Elizës është i tmerrshëm. Ajo thotë se edhe sot, 25 vite pasi ka ndodhur ngjarja, e kujton saktë mënyrën se si Kramer e ka mbajtur në prehrin e tij, se si ai ka insistuar që ajo të shkojë në dhomën e tij të hotelit, dhe se si ai është sjellë në mënyrë të mirë me prindërit e saj, që ata t`ia besojnë vajzën atij.

“Hollivudi ka qenë i mirë me mua por Hollivudi ka dështuar të më mbrojë si një aktore e vogël, aktore fëmijë asokohe. Nëpër vite, fansat më kanë treguar se si rolet e mia në filma i kanë ndihmuar ata të jenë dikush në jetë” tregon Eliza në rrjetin e saj social Facebook, aty ku edhe ka treguar rrëfimin e saj.

https://www.youtube.com/watch?v=JY-Ql7zQFK4

Joel Kramer ka qenë përgjegjës për sigurinë e Elizës gjatë xhirimit të filmit “True Lies”, me aktoren në një moshë shumë të re.

Eliza thotë se ka ardhur në përfundim që tani ta bëjë të ditur ngacmimin që i ka ndodhur kur ka qenë e vogël, pasi sheh se edhe koleget e saj po e bëjnë të njëjtën gjë.

“Kjo do të më sjellë një qetësim në shpirt, dhe fundin e një stuhie në jetën time” ka shkruar mes tjerash Eliza Dushku, një aktore e njohur në Hollivud. / KultPlus.com

Në kujtim të Muslim Mulliqit

Në kujtim të Muslim Mulliqit

PËRKUJTIM ME RASTIN E 20 VJETORIT TË VDEKJES SË BARDIT TË PIKTURËS SHQIPTARE AKADEMIK MUSIM MULLIQI.

Shkruan: Prof. Dr. Hivzi Muharremi

Me 13 janar të vitit 2018 mbushen 20 vjet nga ndarja fizike e krijuesit, piktorit, pedagogut, akademikut Muslim Mulliqi, doajenit të pikturës shqiptare. Muslim Mulliqi, padyshim, emri më i njohur i Arteve pamore si në Kosovë poashtu edhe në trevat tjera ku jetojnë dhe krijojnë artistet. Deri në frymën e fundit të jetës i mbeti besnik pikturës me motive dhe imazhe nga nënqielli kosovar, duke filluar nga cikli i Kullave, “Hamajve”, e deri te “Pushtimi i hapësirave të reja” të cilët e ngritën krijuesin në njërin ndër prijetarët e parë në shpërfaqjen e refleksioneve të para të artit modern që nga vitet e shtatëdhjeta.

Dita e 13 janarit për bardin e pikturës ishte ditë e kobshme, ditë kur dashamirët e artit-pikturës së tij, miqtë, kolegët e tij dhe pjesa më vitale e shoqërisë, studentët, që aq shumë i admironte, mbeten pa pedagogun, pa kolosin e pikturës shqiptare. Emri i tij jo vetëm që u bë sinonim për frymën e drejtimit ekspresionit në artet pamore të trevave shqiptare por veprat e ekspozuara në të gjitha qendrat e ish Jugosllavisë, në evenimentet më të rëndësishme siç kanë qenë: Bienali i pikturës, Trineli i vizatimit, Sallonet pranverore, vjeshtore dhe në shumë manifestime të tjera tematike e konceptuale. Në të gjitha këto ekspozita ishin të ekspozuara veprat e piktorit i cili me talentin dhe frymën ekspresive jo vetëm që e mahniti dashamirët dhe kritikët e artit, por, ishte edhe laureat i shpërblimeve nga këto ekspozita dhe krahas emrave nga qendrat jashtë shqiptare emri i tij u bë sinonim i pikturës kosovare, ndërsa nga kritikët e artit u vlerësuar si ekspresionist i denjë i kullave dhe portreteve dukagjinase… Pra, për një kohë shumë të shkurtër, por me një opus shumë të vëllimshme ndikoi në zhvillimin dhe afirmimin e artit kosovar, pa veprat e të cilit nuk mund as të paramendohet një zhvillim drejtë tendencave moderne. Apo sic është shpreh piktori, bashkëkolegu i tij Prof. Rexhep Ferri në një shkrim të shkurtër eseistik për monografinë: Muslim Mulliqi, Jeta dhe krijimtaria Artistike shkruar nga autori Dr. Hivzi Muharremi, 2000. Ai në mes të tjerash shkruan: “ Muslim Mulliqi ishte piktor më me ndikim nga të gjithë ne që filluam jetën e arteve në Kosovë. Ndikimi do të ndihet edhe në gjeneratat e ardhshme.

Pa veprën e Muslim Mulliqit nuk mund të paramendohet arti modern shqiptar. Dyzet e pesë vjet ishte në rrjedhat e ngjarjeve krijuese. Ishte Klasik dhe modern”.
Pra, në këtë dikitomi edhe mund të mbarshtrohen ciklet duke filluar me tematikë sociale, “Hamajët”, Sharraxhinjët”. Në të gjitha këto vepra, portrete shtrohen drama e njeriut, vuajtjet, thyerjet shpirtërore, çrregullimet e brendshme, etjet dhe dëshirat. Pastaj fillon me ciklin “Kullat e Dukagjinit”, “Portretet” e deri të cikli i “Pushtimit të hapësirave të Reja”…

I lindur në Gjakovë. Shkollën e mesme të Arteve Aplikative akoma të papërfunduar në Pejë, ku si nxënës i vitit të tretë aplikon në Akademinë e Arteve në Beograd, pas provimit pranues pranohet nga ana e Komisionit profesional vlerësohet si kandidati më i suksesshëm ndër kandidatë të tjerë. Është një moment shumë interesant të cilin ma ka rrëfyer Muslimi gjatë qëndrimit tim në studion e tij në vitet e nëntëdhjeta ku çdo të dytën ditë të javës kam vajtur për grumbullimin e materialeve për realizimin e monografisë së parë në Kosovë për një artist i përmasave evropiane siç ishte Muslim Mulliqi.

Rrëfimin e fillon me këto fjalë për jetëshkrimin e tij monografik për drejtorin e Shkollës së Mesme në Pejë i cili ishte shumë i vrazhdë dhe cinik, sa që Akademisë së Beogradit ju kishte drejtuar se gjoja Muslimi ishte nxënës i vitit të tretë dhe ishte bursist i Gjakovës, sipas mendimit të tij djallëzor ai nuk kishte të drejtë të konkurronte : “ Kur hyra në zyrë, rrëfen Muslimi, ai m’u drejtua me këto fjalë: “Ku je ti” – a e dinë sa ditë ke munguar nga procesi i rregullt mësimor”. Unë i përgjigjem rrëfen Muslimi: Kam qenë në Beograd, në provim pranues në Akademinë e Arteve Figurative”, Ai, më shtron përsëri pyetje: “Hë? Po çfarë ke bërë në provim? – gjithnjë me ironi. I përgjigjem: “A nuk e dini Ju se unë jam pranuar?! Atëherë, atë çast ngrihet në këmbë, i zgjatë të dy duart dhe ma uron pranimin në Akademi, duke më thënë: Ja tash uluni dhe mund të fillojmë të komunikojmë në kushte të njëjta”. Në këto kushte dhe rrethane fillon jetëshkrimi i bardit të pikturës shqiptare, të cilit edhe kundërshtarët më të mëdhenj ja kanë pranuar aftësitë dhe talentin që e posedonte për pikturë. Pra, talenti i tij që nga ajo kohë shpërfaq në elementin e ngjyrës dhe vizatimit me c’rast kjo dikitomi do reflekton në veprat e mëvonshme e sidomos pas kryerjes së Akademisë së Arteve dhe studimeve postdiplomike. Akademinë e Arteve dhe studimet pasdiplomike i mbaroi në Beograd. Me kthimin e tij në Kosovë në vitin 1961 fillojë një kapitull i ri, fillojë me aktivitete kulturore e veçanërisht kontributi i tij u pa në hapjen e Degës së artit figurativ pranë Shkollës së Lartë pedagogjike ndërsa në vitin 1973 në themelimin e Akademisë së Arteve Figurative. Në vitin 1974 Mulliqi zgjidhet Profesor inordinar dhe Dekani i parë i Akademisë së Arteve Figurative. Pas dy viteve e hap Fakultetin e muzikës e më vonë edhe atë të Artit dramatik. Pra, nisma e tij fillon me institucionet arsimore e në vijimësi vazhdon me ato artistike: Është themeluesi i Kolonisë së parë të artisteve në Deçan, i quajtur “Kolonia e Decanit” e cila aktivitetin e vet profesional e ka vazhduar deri në vitet e nëntëdhjeta. Pastaj është themelues i Shoqatës së Artistë Figurativ të Kosovës (SHAFK), Kontributi i tij është shpërfaq edhe në hapjen e Galerisë së Arteve në kompleksin e Pallatit të Rinisë e në shumë institucioneve të tjera kulturore.

Që të kemi një pasqyrë të qartë me fillet e krijimtarisë artistike të Mulliqit, na del sheshazi ndërgjegjësimi i njëmendtë nëpër kohë, hapësirë e periudha të ndryshme të frymëzimeve racionale, mbase edhe të natyrës sonë ekzistenciale. Që në fillim këto flasin me gjuhën e trajtësimit të autorit në faza të ndryshme. Pikërisht ky konglomerat krijues i frymëzimeve bën që krijimtaria artistike e Muliqit të ndahet e të zhvillohet në tri faza, të cilat dhe karakterizohen nga fryma dhe tendencat zhvillimore të vet piktorit. Këto merren si etapa të pjekurisë e të prodhueshmërisë së tij, ndërsa parësore për kohët nëpër të cilat krijoi janë stili dhe motivet që përbëjnë një dokumentacion të çmueshëm për të sotmen dhe të nesërmen.

Intermexo: për kullat një përkujtim
Muslim Mulliqi sikurse edhe shumë poet e shkrimtarë tonë të mirënjohur, do të thurë legjenda të shumta për kullat dukagjinase, ku do t’i bëhen tipare karakteristike për njohjen dhe identifikimin e popullit shqiptar autokton, i cili që nga ekzistimi luftoi për mbrojtjen e territoreve etnike. Gjatë shekujve kjo etni u ballafaqua me tronditje. Therje… Vdekje… Sharje e fyerje… Ndaj edhe kulla qëndron si ky popull, fuqishëm përballë çdo furtune dhe ruan gjakun e njomë të etërve dhe bijve, si amanet për nderin dhe mikpritjen. Është sinonim i qëndresës, i bujarisë dhe i fjalë burrave të mjedisit tonë. Sinonim i filozofisë shqiptare. Kulla si objekt arkitektonik i bëhet lajtmotiv gati për çdo kompozim. Prandaj askush tjetër, deri më sot, nuk e ka pikturuar Kullën më me afsh dhe më devocion se sa piktori Muslim Muliqi. Është shkrirë me tërë qenien e vet në burimin e Kullës simbol. Ngjyra e kuqe sikur na flet për vrullin e brendshëm që ka. Ato flasin dhe gjallojnë me gjuhën e kuqe të gjakut të derdhur ndër shekuj. Përmbajtja arkitektonike e këtyre kullave ka shprehur lojën figurative, të cilën piktori nuk e ka anasjellë pikë për pikë në telajo, por në bazë të kujtesës dhe të mbresave që janë reflektuar në shpirtin e tij. Pa dyshim se nga tablotë e shumta të kullave duhet veçuar: Kullë e harruar, Kulla të Junikut, kulla e Halilit, Halili pranë Kulle, etj. Me këtë ritëm, në vijimësi realizohen kompozimet deri në ciklin e fundit të fazës së tretë të krijimtarisë artistike. Fazë e cila e pasqyron tërë opusin e begatë të krijuesit.

Muslim Mulliqi ndërroi jetë në moshën 64 vjeçare (1998), kur ishte në vlugun e krijimtarisë, në kohën kur e tërë popullata shqiptare përjetoi një katrahurë, ishte një kohë kur e tërë Kosova fillojë të boshatiset, një kohë e mosfunksionimit të institucioneve. Pra, në këto kohë dhe rrethana, themeluesi i shumë institucioneve kulturore e arsimore, deri në momentin e fundit ishte aktiv. Por, vdekja ja ndërpreu vrullin energjik të krijuesit pikërisht, kur tërë qenien e vetë e shkriu për atë që më së shumti e deshi, artin dhe profesionin e pedagogut. Mendoj, që kolosi i pikturës Muslim Mulliqi për 20 Vjetorin e ndërrimit të jetës e ka merituar një organizim më solemn dhe më dinjitoz të prezantimit të personalitetit të tij si pedagog themelues i Akademisë së Arteve dhe krijues i mirëfilltë i artit kosovarë, nga ana e institucioneve të kulturës, po ashtu edhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Andaj, në këtë përvjetor kujtimi, secili prej nesh duhet t’i përkulet Atij, artit dhe koloritit të ngjyrave…si komb që hapëron në tokën dhe artin e tij… / KultPlus.com

Dalin emrat e pretendentëve për çmimet e Akademisë së Shkencave në Shqipëri

Juria e çmimeve shkencore kombëtare që akordohen nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e mbledhur me 11 janar, pasi u njoh me dosjet e aplikuesve në konkursin e çmimeve shkencore kombëtare për vitin 2017, ka përzgjedhur emrat e pjesëmarrësve në konkursin për çmimet shkencore kombëtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Për vitin 2017 pretendentët janë:

PËR ÇMIMIN “EQREM ÇABEJ”

Kujtim Kapllani, Rami Memushaj, Androkli Kostallari – Vepra, vëll. I-V, 2383 faqe (2016, 2017)
Kolec Topalli, Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, 1984 faqe ( 2017).
Enver Bytyçi, Sistemet dhe institucionet e krahasuara të qeverisjes 578 faqe (2017).
Astrit Bishqemi, Bibliografi e kritikës letrare për fëmijë, 728 faqe (2017)

PËR ÇMIMIN “PETRIT RADOVICKA”

Nazim Gruda & Andrea Shundi, Hortikultura: vështrim enciklopedik, 2017, 846 fq

PËR ÇMIMIN E KËRKUESIT TË RI MË TË SUKSESSHËM

Alban Tartari, Marrëdhëniet me publikun, 2017, 368 fq.
Laura Smaqi, Kaleidoskop (Studime letrare), 2017, 255 fq.
Behar Haziri, Kultura politike e Kosovës, 2017, 280 fq.
Elvin Gjevori, Kin state non-interventionism: Albania and regional stability in the Ëestern Balkans, 2017, artikull online.
Danja Hobdari, Regjimi juridik i pronës dhe trashëgimisë në Shqipëri, 2017,312 fq.
A.A. Novik, Ju. V. Bucatskaja, D. E. Ermolin, A. S. Dugushin, M. S. Morozov (grup autorësh), Ekspedita në lumin Azov – Gjuha dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës, vëll. I, II , 2016, 1600 fq.
Saimir S. Shatku, Trajtimi i kontratës sportive në kuadër të lëvizjes së lirë në të drejtën europiane, 2017, 163 fq.
Ermir Kadija, Parandalimi, kontrolli dhe trajtimi i infeksioneve bakteriale, 2017, 61 fq.
Xhaklina Cani, Karakterizimi eksperimental i naftave bruto të Shqipërisë dhe simulimi kompjuterik, 2017, 274 fq.

Juria përbëhet nga: Kryetar Akademiku Muzafer Korkuti dhe anëtarët Akademik i Asociuar Gjovalin Shkurtaj, Akademik Edi Pinguli, Akademike e Asociuar Aurela Anastasi, Akademik Floran Vila, Akademik Dhimitër Haxhimihali, Geron Kamberi, Ermal Elezi, Prof. Dr. Adrian Civici, Prof. Dr. Andrea Maliqari, Sokol Gjoka, Prof. Enver Hysa dhe Andi Rrëmbeci

Për çmimin e karrierës akademike ajo do të shprehet me vendim tjetër. / KultPlus.com

Dua Lipa shpjegon domethënien e videoklipit ‘IDGAF’

Në mëngjesin e sotëm, videoklipi i Dua Lipës “IDGAF” numëron rreth 5 milionë klikime, duke qenë kënga #5 në trending në Youtube.

“Sa i përket videoklipit, ana jote e fortë dhe ana jote më e dobët bashkohen, për të kuptuar se dashuria ndaj vetes dhe vetëbesimi do të ndihmojnë në tejkalimin e çdo sfide” ka treguar vetë Dua Lipa për IDOLATOR.

Videoklipi i vajzës nga Prishtina ka qenë i shumëpritur pasi “New Rules” theu çdo rekord dhe pritje.

“Në videoklip patëm dëshirë të tregojmë sensin e fuqisë përtej një konteksti të ndarjes nga një i dashur” ka treguar regjisori i videoklipit, Henry Scholfield për IDOLATOR.

Madje, në një pikë të videoklipit njëra DUA e puth tjetrën në ballë, ndoshta pika më kulmore e videos që tregon edhe shpalosjen e dashurisë ndaj vetes, pranimit ndaj vetes me çdo kusht. / KultPlus.com

Dves ​

Poezi e shkruar nga Erenestina Gjergji Halili

I kena do sy t’mbĺyllun për qilĺ e do sy t’hâpun për tokë,
i kena do fjalë, qi s’dimë m’i thânë e i lâmë,
i kena do sende, qi duem me i bâ e turpi na i zadetë,

E kena gojën mbùshun n’ujë e zemrën pagure gjys’bosh.

Hej njerì, ç’ka â puna jote?!
Kur iu fale dreqit e tërhjeke kâmbën rr’shqan?
Tash duhet m’u kthy n’Babel,
m’ju falë Atij qi s’bzân, m’i marrë fjalt’ qi lâmë.

E n’mujshim me e terë shpirtin e lagun,
prej gjys’boshit t’pagures tanë.

Ç’kà â puna jote njérì?!

Ergin Oda dhe Linda Halimi, së shpejti në një koncert në New York

Po e paramendojmë se si do të tingëllojë muzika kur bashkohen zërat e Linda Halimit dhe Ergin Odës.

Ergini dhe Linda së fundi kanë postuar një fotografi nga një organizim privat ku ata kanë kënduar së bashku.

Për KultPlus, Ergini – një bariton i njohur i cili prej kohësh jeton në Amerikë, ka treguar se bashkë me Linda Halimin do të jenë shumë shpejt në një koncert në Nju Jork të Amerikës.

“Po, një koncert do të realizohet në Nju Jork. Aty unë dhe Linda do të prezantohemi, në një koncert që do të organizohet nga fotografi Fadil Berisha. Kemi realizuar edhe një sesion fotografish bashkë, megjithatë nuk është se kemi incizuar ndonjë këngë bashkë. Është e mundur që do të interpretojmë një duet së bashku” ka treguar Oda.

https://www.youtube.com/watch?v=Ou63WBII2qk

Detajet e tjera janë lënë të fshehura për momentin, por diçka e mirë po pritet pasi edhe Linda edhe Ergini ka kohë që jetojnë në Amerikë dhe atje po e vazhdojnë karrierën e tyre.

Linda Halimin e kemi parë edhe si pjesëmarrëse të disa festivaleve në Kosovë e Shqipëri, ndërsa ajo shkëlqen edhe në këndimin e notave klasike. / KultPlus.com

Bekim Fehmiu dhe Fernando Rey, një çast bisede në xhirime (FOTO)

Filmi i vitit 1970, bëri bashkë mes tjerash edhe Bekim Fehmiun dhe Fernando Rey.

“The Adventurers” me regji nga Harold Robbins, sjellë historinë e një djali i cili futet në rolin e një ‘playboy’, por i rreptë dhe agresiv pasi ka parë motrën dhe nënën e tij duke u vrarë nga trupat qeveritare në Cortoguay.

Bekim Fehmiu aktori legjendar shqiptar që depërtoi edhe në Hollivud, luan në këtë film afër me Fernando Rey.
Rey vjen në rolin e Jaime Xenos, i afërt i Daksit – rolin e të cilit e luan Bekim Fehmiu.

Në këtë fotografi, dyshja shihet në një skenë gjatë xhirimeve të filmit të famshëm, i cili arriti fitime prej 8 milionë dollarësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, shkruan KultPlus.

Filmi është i bazuar në jetën e diplomatit dominikan Porfirio Rubirosa.

Rey ka qenë aktor i njohur spanjoll, i cili ndërroi jetë në vitin 1994. “The Adventurers” numërohet si një prej filmave më të mirë ku ka luajtur Bekim Fehmiu dhe tentimi i tij më i mirë për kinematografinë jashtë kontinentit evropian. / KultPlus.com

Hapet thirrja për audicion për filmin ‘Emily K’

Është hapur thirrja për audicion për filmin “Emily K”.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike në Shqipëri ndërsa është projekt filmik i metrazhit të gjatë.

Audicioni bëhet për katër role:
1- Emily K.- aktore ,mosha (25-35 vjeç)
2- Yllka- aktore , mosha (55-60 vjeç)
3- Oni- djalë i vogël,mosha (5 vjeç)
4- Roberti- aktor,mosha (30-35 vjeç)

Të gjithë të interesuarit janë të lutur të dërgojnë CV e tyre, përmbledhjen e punëve dhe fotot në
[email protected].

Regjisore e filmit është Ajola Daja. Filmi ka qenë njëri ndër të selektuarit e PITCH BALKAN në Tiranë, që u mbajt në tetor të vitit të kaluar. / KultPlus.com

Shqiponja me krah’ e pëndë

Poezi e shkruar nga Sejmen Gjokoli

( elegji për të madhin e valles shqipe e mikun tim të shpirtit, Rexhep Çeliku )

1.
Iku ylli valles shqipe,
Shqiponja në fluturim,
Iku burri me lezete,
Ra një lis i vendit tim.
2.
Iku nuri skenës, iku,
Nur’ i valles shkrepëtimë,
Iku ay që i printe,
Si bajrak e vetëtimë.
3.
Iku i pari gjerdanit,
Korifeu me shkëlqime,
Iku simboli valltarit,
Shqiponja në fluturime.
4.
U shua si meteori,
Ylli valles gjëmim rëndë,
Dhe ashtu në valle mbeti,
Shqiponjë me krah’ e pëndë.

“Zotin askush asnjëherë s’e ka parë. Në e daçim tjetrin, Zoti është në mesin tonë”

E dimë që erdhëm në jetë nga vdekja, sepse i duam sivëllezërit: ai që nuk e do të afërmin, është i dënuar me vdekje (Sipas Joanit, III, 14).
Ai që është i kamur në këtë botë dhe e sheh sivëllanë në nevojë, por i vë kyçin zemrës, si bëka fole në shpirtin e tij dashuria e Zotit? (III,17).

Fëmijët e mi! Le ta duam tjetrin jo me fjalë e mburrka, por me shpirt e me duart plot (III, 18).

Dashuria është nga Zoti dhe kush e ka në shpirt dashurinë, ai lind nga Zoti dhe e njeh Zotin (IV,7).
Kush s’e do tjetrin, nuk njeh Zotin, sepse Zoti është dashuria (IV, 8).
Zotin askush asnjëherë s’e ka parë. Në e daçim tjetrin, Zoti është në mesin tonë (IV, 12).
Zoti është dashuria dhe ai që rron në dashuri, rron me Zotin, Zoti është brenda (IV; 16).

Ai që thotë se e do Zotin, por e urren sivëllanë, është gënjeshtar, sepse tek nuk do sivëllanë, që e sheh me sy, si mund ta dojë Zotin, të cilin nuk e sheh? (IV, 20).

E njëjta pjesë gjendet në librin “Vdekja e Ivan Iliçit” nga Leon Tolstoi. / KultPlus.com

Haruki Murakami dhe pylli i tij norvegjez

Sot është datëlindja e një prej shkrimtarëve më të mirë të kohës sonë, Haruki Murakami.

Japonezi është një narrator i mrekullueshëm i cili ka shkruar “Pylli Norvegjez”, “After the Quake”, “E dashuria ime Sputnik”, dhe libra të tjerë që kanë shëtitur botën dhe janë përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Haruki është shkrimtari i dashurisë, i rinisë, i adoleshentëve, i tërmeteve, i tregimeve, i metrove, i muzikës jazz, i historive që nuk plaken kurrë, shkruan KultPlus.

Ja shembull disa prej frazave më të mira nga libri “Pylli Norvegjez”, apo në anglisht “Norwegian Wood”.

“Asnjë e vërtetë nuk mund ta shërojë dhimbjen të cilën e ndjejmë kur e humbasim dikë që e kemi dashur. S’ka të vërtetë, s’ka sinqeritet, s’ka forcë, s’ka mirësi që mund ta shërojë atë dhimbje. E gjitha që mund të bëjmë është të shohim përmes saj deri në fund dhe të mësojmë diçka prej saj, por ajo që do ta mësojmë nuk do të na ndihmojë në përballjen me dhimbjen tjetër, e cila vjen tek ne pa paralajmërim.”

“Nuk më intereson se çfarë do të bësh me mua, por vetëm nuk dua të më lëndosh. Tashmë kam pasur mjaftueshëm lëndime në jetën time. Më shumë se mjaftueshëm. Tani dua të jem e lumtur.”

“Nuk është se ne nuk përshtateshim. Ne thjeshtë skishim asgjë për të thënë.”
– Haruki Murakami, “Norwegian Wood”

( Toru, një student i urtë dhe serioz para kohe, jeton në Tokio dhe i është kushtuar Naokos, një vajze të bukur por tepër melankolike, por ndjenja e tyre e përbashkët ndikohet nga vdekja tragjike e shokut të tyre më të ngushtë para disa vjetësh. Toru fillon të mësohet me jetën e universitetit, me izolimin dhe vetminë që gjen atje, por për Naokon presionet dhe përgjegjësitë e jetës janë të padurueshme. Teksa ajo tërhiqet gjithnjë e më thellë në botën e saj të brendshme, Toru e gjen veten duke i kërkuar ndihmë njerëzve përreth dhe tërhiqet nga një vajzë e re me një pavarësi të paepur dhe pa paragjykime seksuale. Ky libër është një përzierje madhore e muzikës, emocioneve dhe erosit. )

HAVEIT – recetë për kryeministrin Haradinaj

Në fillim është receta:

1 enë me miell
Kanuni i Lekë Dukagjinit
1 palë doreza
1 t`hollues
10 unaza për secilin gisht të duarve
1 shkrepsë
Plin për pjekjen e Kanunit derisa masa të shndërrohet në lëngun e zi.

Me shumë finesë, Kanuni zihet. Puna e grupit artistik HAVEIT me titullin ‘Tager’ bëhet këtë fillimvit më aktuale kur kujtojmë Kanunin.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është një produkt moral, ligjor, shoqëror i cili gëzon respekt dhe hapësirë në shoqërinë kosovare. Produktet morale e ligjore të cilat e shtypin gruan duhet të gatuhen e hidhen jo veç për 8 Mars por për çdo ditë.

Dhe vajzat e HAVEIT po e gatuajnë e po e bëjnë copë copë Kanunin edhe kur këtë performancë ia dedikojnë kryeministrit Ramush Haradinaj.

Haradinaj njihet për ‘funksionalizimin’ e rregullave kanunore në disa raste. Në vitin 2015-të, Ramush Haradinaj – i njëjti që para disa javësh shkaktoi skandal pasi e rriti rrogën e tij në 3 mijë euro, kërcënoi me Kanun Murat Mehën. Në dhjetor të vitit 2017-të, Haradinaj tha se duke u thirrur në Kanun ai gjuan me armë nëpër oda, aty ku kërkohet e ku ka arsye për festë, shkruan KultPlus.

“Tag Kryeministrit” thotë përshkrimi i punës nga HAVEIT, që thumbon jo pak kësaj here Haradinajn.

HAVEIT gjithmonë ka dalë kundër politikave të Kanunit të cilat e kanë degraduar pozitën e gruas në shoqëri, e për më tepër, kanë shtypur çdo dritë dhe shkëndijë se gjinia femërore do të mund të ketë jetë me të mirë ndonjëherë. c

Kur vjen puna tek Ramush Haradinaj, jo pak njerëz në rrjete sociale i drejtohen atij me “Kanuni”, ndoshta sot personi që më së shumti e implementon normat e vjetra shqiptare, në kontekstin aktual.

TAGER është realizuar me 8 mars të vitit 2015-të, me rastin e festës së gruas. / KultPlus.com