Anibar fillon programin më të ri, Akademinë e Animacionit Anibar

Anibar, organizata e cila lindi pas formimit të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, i cili në Gusht të këtij viti përfundoi edicionin e tetë si një prej edicioneve më të suksesshme të festivalit, këto ditë po e fillon programin më të ri të organizatës – Akademinë e Animacionit Anibar.

Ky program është i pari në Kosovë që do të shërbejë për aftësim e të rinjëve në fushën e filmit të animuar, dhe do të funksionojë në qytetin e Pejës, në hapësirat e Anibar në Kinemanë Jusuf Gërvalla.
Akademia e Animacionit Anibar ka për qëllim ofrimin e një programi të edukimit për ndërtimin e gjeneratës së re të animatorëve nga Kosova, duke i ekspozuar të rinjtë ndaj filmit të animuar si një formë e artit. Në animacion, krijuesit kanë liri të pakufizuar në eksplorimin e kulturave të ndryshme, të shprehjes së mendimeve dhe ideve, kombinimin e anës vizuale e kreative me tregimin. Ky program do të shërbejë si program ekstra kurikular për nxënësit e shkollave të mesme në qytetin e Pejës, e veçanërisht shkollën e mesme të arteve në Pejë.

Prej muajit Nëntor do të fillojë funksionalizimi i Akademisë së Animacionit Anibar. Programi është i dizajnuar për t’i dhënë nxënësve aftësi bazike mbi filmin e animuar gjatë një periudhe fillestare prej tre muajve sa do të zgjas programi për grupin e parë të nxënësve. Gjatë kësaj kohe nxënësit do të kenë mundësi që të marrin aftësi të avancuara në tri teknikat tradicionale të animacionit që janë Rotoscope Animation, Puppet Animation (stop motion) dhe Cutout Animation (stop motion). Si produkt i fundit pas përfundimit të programit, do të dalin filma të shkurtër të animuar. Akademia e Animacionit planifikon të vazhdojë me plan të punës përgjatë vitit me 3 programe tremujore brenda një viti. Ligjëratat do të mbahen nga tutorë vendor dhe ndërkombëtar të cilët janë profesionistë në fushën e animacionit.

Në procesin e krijimit të animacionit puna do të jetë grupore, duke kaluar në fazat e krijimit të një filmi të animuar si krijimi i storyboard (skenarit), dizajnimi i karaktereve, dizajnimi i skenave dhe prapavisë, animimi edhe fotografimi i karaktereve, editimi dhe produksioni i filmit.

Përveç tjerash nxënësit do te kenë mundësi për të mësuar edhe mbi historinë e animacionit për animatorë të ndryshëm, kamera digjitale, software të animacionit, software për montazh, dhe editim të zërit. / KultPlus.com

Këto janë fotografitë fituese në konkursin ‘Colours of Albania’ (FOTO)

Shqipëria e paraqitur në fotografitë e shkrepura nga njerëzit e zakonshëm ishte në qendër të nismës “Ngjyrat e Shqipërisë”, e cila është kthyer në një traditë të përvitshme.

Kjo nisëm është një formë e re për të promovuar Shqipërinë, duke ndërthurur diplomacinë me dixhitalizimin, rininë me promovimin e vendit, risinë me të vjetrën.

Në eventin përmbyllës të kësaj nisme në mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministri Ditmir Bushati u ndal tek rëndësia e aktivitetit, që sipas tij, sjell një Shqipëri reale dhe plot jetë.

“Po të shohësh rubrikat e lajmeve nëpër media, ligjëratat në Kuvend, morinë e emisioneve me fjalë kuturu dhe po ta vendosësh atë çka përcillet nëpërmjet tyre, përballë fotografive të “Ngjyrave të Shqipërisë”, duket sikur jeton në dy realitete përjashtuese”, nënvizoi Bushati.

Për ministrin Bushati, një imazh flet sa një mijë fjalë, ndaj dhe “fotografitë e shkrepura nga njerëzit e zakonshëm, shqiptarë apo të huaj, flasin më qartë se sa sherrnajat për efikasitetin e programit të Rilindjes Urbane”.

Për ambasadorin norvegjez në Kosovë, Per Strand Sjaastad “perceptimet kanë shumë rëndësi dhe ky është thelbi i #ColoursofAlbania. Diplomacia sot nuk është vetëm betejë për të përmirësuar gjendjen tonë materiale dhe zhvillimin, por shpesh është të ndryshojmë perceptimet, narrativat dhe idetë tona, të cilat mund të krijojnë mundësi, rritje ekonomike, bashkëpunim dhe progres”.

Për Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, #ColoursofAlbania është një aktivitet për pasaportën diplomatike më të rëndësishme që ka Shqipëria, atë që ka pasur dhe do të ketë e që nuk ia prek dot askush, që është diplomacia kulturore.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nënvizoi se ngjyrat e logos janë ngjyrat e një Shqipërie të gatshme të zhvillohet në fusha të ndryshme në mënyrë të qëndrueshme, për turizëm të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës dhe një mjedis që shkon së bashku me bukuritë e pamatshme të Shqipërisë.

Në këtë edicion krahas fotografive nga vende të njohura si Thethi, Dhërmiu, Valbona gjejmë edhe fotografi nga vende më pak të njohura, por me bukuri po aq mahnitëse si Vermoshi, Kanionet e Erzenit, fushat e Mallakastrës, Banjat e Bënjës, apo Shkopeti.

Deri tani hashtagu #ColoursofAlbania është përdorur 23 mijë herë.

Ministria për Evropën e Punët e Jashtme ka organizuar çdo vit ekspozitën shëtitëse me fotot më të mira nga “Ngjyrat e Shqipërisë”. Deri tani këto ekspozita janë mbajtur në SHBA (Uashington, Boston, Nju Jork), Belgjikë, Francë, Gjermani, Kinë, Hungari, Holandë, Poloni dhe do të vazhdojnë me shtrirjen e ekspozitave shoqëruese edhe në vende të tjera që përbëjnë interes për vendin tonë.

Motoja e këtij edicioni “Guxo e zgjidh shtegun më pak të rrahur” është një varg i huazuar nga një poemë e Robert Frost-it dhe u zgjodh për t’iu referuar, ndër të tjera, edhe rritjes së interesit të të huajve për vendin tonë. / KultPlus.com

Shkrimtari grek Dino Koubatis i dedikon libër poetit Ali Podrimja

“Ali Podrimja, in memoriam” është libri që shkrimtari grek Dino Koubatis i dedikon poetit kosovar Ali Podrimës.

Në promovimin e librit në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ishin të pranishëm autori i librit Dino Koubatis, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi si dhe miq e artdashës.

Dino Koubatis në promovimin e librit tha se,”Ali Podrima ishte një mik i shtrenjtë dhe vdekja e tij ishte si një humbje ndërkombëtare”. Koubati tha se, ”kur mori përsipër të bënte një vepër për të, nuk mendoi të shkruante diçka të thjeshtë, por të bënte një studim të thelluar dhe analizë krahasuese për veprën e tij”,tha shkrimtari.

Dorian Koçi drejtori i muzeut tha se ,“fjala shqipe kish dy dekada që përmes artit të Podrimës fluturonte në qiejt evropianë për të rrëfyer bukuritë dhe tragjeditë e një kombi të vogël që vuante nën një regjim kolonial në fund të shekullit të dritës në mes të Evropës”, tha mes të tjerash Koçi .

Ai gjithashtu shtoi se ,” arti i vërtetë përmes poemave të Podrimës i kanë dhënë atij një emër të merituar në panteonin e letrave shqip”,përfundoi Koçi.

Gjatë promovimit foli dhe botuesi Muhamet Kurti, i cili vlerësoi lart gjithë krijimtarinë e poetit Podrimja. Por në një parantezë të tij, botuesi nga Gjakova duke iu drejtuar Pandeli Majkos me fjalët “vëllain që e duam shumë” tha se: kur politika vjen te kultura do të thotë që i kemi punët mirë.

Për profesor Përparim Kabon, është shumë interesant fakti që një poet nga Greqia shkruan për një poet nga Kosova, dhe sipas tij, është pikërisht një njeri si Dinos Koubatis që me veprën e tij kapërcen pengesat të cilat politika i ngre në kufijtë e Ballkanit.

Gjithashtu poeti dhe prozatori Pandeli Koçi gjithashtu do ta cilësonte Ali Podrimën si një shpirt rebel, dhe në mbylljen e fjalës preferoi ta bënte me disa vargje të tij.

Ali Podrimja jo rrallë herë është cilësuar si poet me një talent të rrallë, i paparashikueshëm e për më tepër jokonvencional. Promovimi i librit “Ali Podrimja in Memoriam” u mbyll me dhënien e autografeve nga ana e poetit grek Dinos Koubatis./ KultPlus.com

‘Lirindja’ ka hapur thirrjen për shkrime për numrin e ardhshëm

Lirindja #5 // Thirrje për shkrime

Që prej numrit të parë të Lirindjes kemi shprehë dëshirën tonë për me kriju nji hapësinë ku shkrimtarët, e sidomos ata të pabotum, e gjejnë mundësinë me u shprehë, edhe mrrijnë me ra në dialog me njani tjetrin.

Jemi shumë të gzume me interesimin që asht shfaqë për numrin tonë të fundit të botuem në prill i cili ka përmbajtë vetem tregime të shkurtra. Bisedat me përkrahësit dhe kontribuesit e zinës na kanë ba të qartë nevojën urgjente për hapësina letrare në Kosovë dhe për këtë arsye kemi vendosë që me e fokusu edhe numrin e ardhshëm ekskluzivisht në letërsi.

Andaj bëjmë thirrjen e pestë me radhë për shkrime për numrin e ardhshëm të zinës Lirindja. Dërgoni shkrimet (tregime te shkurtra, poezi, ese letrare) që kishit pasë qejf me i pa si pjesë të këtij numri direkt në faqen tonë në Facebook Lirindjaose te [email protected] deri më 30 nëntor 2017.
– #Lirindja

Ilustrimi nga Rina Krasniqi

Shqiptarja që mund ta përfaqësojë Greqinë në Eurovizion (VIDEO)

Ajo është ndër këngëtaret më të njohura në Greqi. Përpos faktit se disa herë e ka fshehur origjinën e saj shqiptare, Eleni Foureira megjithatë është një shqiptare e cila për vite me radhë jeton në Greqi, atje ku ka karrierë të bujshme në muzikë.

“Eurovizioni është një tregim i dhimbshëm megjithatë” ka thënë ajo kur ka folur në një radio greke dhe kur është pyetur nëse do të donte të përfaqësonte shtetin grek në Eurovizion.

“Ka një arsye pse unë deri sot nuk kam kënduar në Eurovizion. Ka shumë pak mundësi që unë të përzgjidhem për ta përfaqësuar Greqinë, dhe shansat për të aplikuar janë tepër tepër të vogla” ka thënë Foureira në këtë intervistë, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=JvZCoMpj4A0

Në vitin 2013-të, Foureira ka performuar bashkë me këngëtaren fituese të Eurovizionit 2004, Ruslana, ndërsa vitin e kaluar ajo pati shprehur dëshirë të merrte pjesë në Eurovizionin që u mbajt në Stokholm të Suedisë.

Deri me 27 tetor, këngëtarët nga Greqia mund të aplikojnë për ta përfaqësuar shtetin e tyre në garën evropiane të muzikës – Eurovizion. Greqia e ka fituar festivalin në vitin 2005, kur Elena Paparizou këndoi këngën “My Number One”, ndërsa shteti mbetet si një ndër më aktivët dhe një nga ato shtete që gjithmonë pozicionohet mirë në Eurovizion. / KultPlus.com

Minj të balsamosur vijnë në Galerinë e Arteve

Artistja austriake Deborah Sengl prezantohet në Galerinë Kombëtare të Arteve me ekspozitën “Ditët e fundit të njerëzimit“. Nën kurimin e Günther Oberhollenzer, kjo ekspozitë është ndërtuar në formën e një metafore. E bazuar dhe frymëzuar nga vepra me të njëjtin titull të autorit të njohur Karl Kraus, i cili i dedikoi këtë dramë shkatërrimit që la pas Lufta e Parë botërore, artistja Sengl ka zëvendësuar personazhet njerëzore me minj të balsamosur.

Në ekspozitë ndodhen edhe 3 piktura e 39 vizatime. “Për mua është një moment shumë i veçantë, sepse është kurorëzimi i një viti të tërë pune në fushën e kulturës këtu në Tiranë , pas disa koncerteve dhe aktiviteteve të rëndësishme. Kurorëzimi i këtij bashkëpunimi kulturor është pikërisht kjo ekspozitë. Ekspozita është e bazuar në veprën e Karl Kraus, është një nga autorët më të mprehtë dhe të fuqishëm austriak edhe pse për fat të keq në Shqipëri nuk është i njohur dhe aq shumë. Shpresoj që kjo mungesë të kompensohet në të ardhmen dhe veprat e tij të përkthehen edhe në gjuhën shqipe“, do të shprehej gjatë konferencës për shtyp ambasadori i Austrisë në Tiranë Johann Sattler. “Ka qenë dëshira e madhe e zotit Ambasador i cili ka bërë shumë për promovimin e artit austriak në Shqipëri. E falënderoj shkëlqesinë e tij që i hapi rrugën këtij bashkëpunimi. Ekspozita ka 39 skulptura me kafshë të balsamosura, 3 piktura dhe 39 vizatime. Ajo i mundëson publikut shqiptar për herë të parë një njohje me ciklin me te njohur te kësaj artisteje deri me tani Ditët e fundit të njerëzimit që merr frymëzimin nga drama e njohur e shkrimtarit dhe satiristit të njohur austriak Karl Kraus”, u shpreh drejtori i Galerisë Artan Shabani. Kuratori i ekspozitës, theksoi se gjuha kryesore e këtij arti është satira përmes së cilës Sengl denoncon dhe kritikon sjelljet negative të njerëzve dhe vetë shoqërisë: “Jam shumë i lumtur të jem këtu. Galeria Kombëtare na ka pritur mrekullisht në këtë bashkëpunim. Në këtë ekspozitë Deborah ka bashkuar elementë nga historia dhe letërsia dhe i ka sjellë ato në këto vepra. Ajo i realizon ato me një formë satire të cilën e përdor kundër padrejtësive, kundër ngjarjeve që prodhon normaliteti i një kohe lufte. Satira e saj është shumë e fuqishme”, tha Oberhollenzer.

Ndërsa autorja Deborah Sengl shpjegoi se metafora e saj përmes minjve të ballcamosur i është nje mesazh i drejtpërdrejt për vetë njerëzit: “Fillimisht kur nisa të krijoja, as vetë nuk e njihja mirë veprën e Karl Kraus, por fuqia e saj më trembi. Dukej sikur do ta rijetëzoja në artin tim, do të inskenoja atë që kisha lexuar. Unë përdor kafshët si metaforë, por kritikat që dua të shpreh shkojnë për njerzit, për atë që ne ndërtojmë pa arsye”, tha ajo. Për Deborah Sengl minjtë janë zgjedhur si një metaforë shumë e goditur për shkak të paraqitjes tematike.

“Ne njerëzit kemi një raport të dyzuar me minjtë se nga njëra anë kemi neveri, i kemi frikë sepse jetojnë nëpër kanale, janë krijesa të pista e të neveritshme nga ana tjetër nuk bëjmë dot pa ta. I përdorim ata në eksperimente mjekësore e kozmetike për shkak të ngjashmërisë gjenetike që ata kanë me njerëzit. Nëse do të citoja këtu autorin e veprës, ai ka thënë se për të njerëzimi është një laborator i madh eksperimental. Nga njëra ana minjtë jetojnë masivisht siç jetojnë njerëzit në tokë, por kur bëhet fjalë për elementët jetësor të tyre, ata bëhen tërësisht egoist dhe në këtë pikë ngjasojnë shumë me ne. Ngjyra e bardhë për mua simbolizon pastërtinë. Ka vetëm një mi të zi i cili simbolizon autorin e dramës e cila më ka frymëzuar. Ne të gjithë jemi disi fajtorë për gjërat, të gjithë jemi si minj të bardhë, të gjithë nga pak fajtor për gjërat negative që ndodhin” , tha Sengl. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri e 25 Nëntor. / KultPlus.com

Instituti Albanologjik solli tryezë shkencore mbi problemet në letërsinë shqipe

Për problemet e veçanta të cilat i dalin përpara shkencës dhe letërsisë, sot në Institutin Albanologjik është organizuar një tryezë shkencore në të cilën kanë referuar Arben Hoxha nga Instituti Albanologjik, Muharrem Jakupi nga Universiteti “Aleksandër Mojsiu” në Durrës, Sali Bytyçi nga Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe Kristaq Jorgo nga Universiteti i Tiranës.

Fadil Graiqevci, shef i Degës së Letërsisë në Institutin Albanologjik, tregoi për disa problemet që paraqiten në shkencën e letërsisë po ashtu si dhe shkencat e tjera.

“Kohëve të fundit kemi shumë vepra, shumë krijues që shkruajnë në të folmen e zonave të ndryshme ku flitet shqipja andaj sot ndeshemi me shumë probleme në vërshimin e dijeve teorike letrare të krijimit të metodave të ndryshme të cilat nuk dihet a e ndihmojnë apo e ngatërrojnë lexuesin për të kuptuar mesazhin e veprës”, tha Grajqevci.

Arben Hoxha nga Instituti Albanologjik, në anën tjetër, paraqiti kumtesën e tij me titull “Gjendja e arsyes vetrefleksive e shkencës letrare shqiptare”, ku sipas tij ndryshimet socio-politike që solli fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI ishin sfiduese për mendimin shkencor letrar për qëllimet dhe mjetet njohëse të shkencës letrare.
“Marrëdhënia ontologjike njohëse midis shkencës dhe letërsisë si objekt të refleksionit të saj bazohet në tri shtylla në idenë për veten, në idenë jo vetëm për veten e shkencës por edhe të vetes tonë si subjekt njohës i cili mishërohet me shkencën letrare. Duhet te jenë tri shtylla: në idenë për veten, për të vërtetën dhe interesin njohës”, ka thënë Hoxha, shkruan KultPlus.

Ndërsa Muharrem Jakupi nga Universiteti “Aleksandër Mojsiu” nga Durrësi, ngriti disa çështje konkrete ku tregoi për artikuj dhe studime të natyrës shkencore ku nuk njihen as teoria as letërsia. Ai mes tjerash tregoi se po bie një kambanë e alarmit për atë çfarë po prodhojmë, me ç’rast edhe prezantoi analizimin që i ka bërë programit të letërsisë në shkollën e gjimnazit në Shqipëri.

“Unë kam shkruar shumë herë dhe e kam marrë me shumë seriozitet analizën e programit të letërsisë së shkollave të mesme: programet e letërsisë që kanë qenë nga 2008 deri në 2014-ën synonin ta vinin lëndën e letërsisë në funksion të aftësimit të nxënësve në pesë aftësi, mes tyre të lexuarit, të shkruarit e të dëgjuarit, aftësi që janë si për shkollë të shurdhmemecëve. Unë reagova me një letër te ministri dhe kryeministri dhe u bënë disa programe të reja që e vunë letërsinë përsëri në rend të kompetencës. Por ështe e tmerrshme kur e mendon se këto programe janë hartuar nga akademikë dhe shkencëtarë të albanologjisë”, tregoi Jakupi.

Sali Bytyçi nga Instituti Albanologjik solli kumtesën për “Pseudoteoritë dhe pseudomonografitë” dhe tregoi se në fushën e shkencave albanologjike në dekadën e fundit janë shfaqur si kurrë më parë fenomene negative si plagjiatura, pseudoteoritë, se në mungesë të një kodi etik bartësit e këtyre prirjeve devijante antishkencore veprojnë lirisht sepse ata jo rrallë kanë pozita të larta në poste drejtuese, jo vetëm në ato shkencore por edhe ato politike.

Sipas Kristaq Jorgos nga Universiteti i Tiranës, problemi themelor në fushën e studimit të letërsisë shqipe me të cilin ka lindur studimi i letërsisë shqipe që e ndjekë që nga fillesat deri më sot është vështirësia e vendosjes së një raporti të drejtë e të duhur midis individuales me pjesën, gjininë, qarkun letrar me të tërën.
“Sa i takon raportit të individuales me pjesën, zotëron në një pjesë të mirë të traditës e letërsisë shqipe shpesh individualja. Sa i takon raportit të letërsisë shqipe me të gjithëmbarshmen, letërsia në raportin rajonal dhe kontinental është e vonuar dhe e prapambetur me procesin e letërsive të mëdha botërore. Pika e katërt është sundimi i kaosit mbi rendin është vështirësia për identifikimin e ligjësive të procesit letrar shqiptar”, u shpreh Kristaq Jorgo. G.H / KultPlus.com

‘Njeriu i ri’ në socializëm, sipas Enver Hoxhës (FOTO)

Nga Dr. Ermir Hoxha

Njeriu i ri, jehonë e figurës së mbinjeriut të Niçes, në realizmin socialist ndërtohet me kujdes nga “inxhinierët” e Makinës së Propagandës, i përkufizuar me qartë tek njeriu i punës, si shpirti i vërtetë i ndërtimit të “parajsës” së premtuar, ai patjetër që gëzon formate të ndryshme në vendet reciproke, apo siç shprehet Mircan: “Pavarësisht dallimeve mes varianteve kombëtare të tij, ku kryesore janë intensiteti propagandistik dhe riprodhimi i shumëfishtë ikonografik-realizmi socialist ngre në piedestal punën dhe drejtpërsëdrejti apo tërrthortazi, atë pushtet që vë punën dhunshëm në shërbim të vetes. Ndërkaq, në realitetin artistik shqiptar, deri në fillim të viteve ’50, figura e punëtorit, element esencial i tablove me temë pune, kishte “vuajtur” ato paqartësi strukturore, që vuante gati çdo temë tjetër.

Figura e gruas

Nis kështu edhe figura e gruas të zërë në art pozicionin e saj, ashtu si dhe në shoqëri, aq sa tablotë e realizuara me këtë temë, janë pothuajse të njëjta në numër, si për burra dhe për gra. Ajo që zë qendrën e tablosë në ara, uzina, fabrika e kantiere, ndërsa vizualisht paraqitet gati gjithnjë me uniformën e punës, pranë tornos, në fusha apo duke transportuar llaç.

Ato janë të reja, të shëndetshme, me fizik të lidhur, shpatulla të gjera e flokë të mbledhura nën shami. Të zhytura në vrullin revolucionar, shpesh ato paraqesin një sharmë tejet modest, pasi elementët minimalë të sensualitetit femëror, në to reduktohen në minimum, duke i shndërruar në krijesat e reja të revolucionit socialist: gra-punëtore-asensuale.

Figura e gruas së re propagandohet masivisht, si një dëshmi e forcës së imponimit të shtetit në ndërgjegjen e shoqërisë, ndërsa tek ajo nuk ka vend për dyshime morale të asnjë lloji, pasi si thoshte shprehja: “…degjenerimi moral është një hap larg degjenerimit politik”.

Njeriut të ri

E pas punëtorit femër apo mashkull, në skemën streiotipale të figurës së Njeriut të ri do të shtohej natyrshëm dhe nënprodukti i tyre, familja dhe fëmijët e shëndetshëm e të lumtur shqiptarë. Vet Enver Hoxha në tekstet e shumta të botuara kryesisht në vitet ’60-’80, i dedikon mjaft hapësirë familjes së re shqiptare. Ndërsa, në kushtetutën e vitit 1978 sanksionon: “Martesa dhe familja… (vihen) nën kujdesin e mbrojtjen e shtetit dhe të shoqërisë… (ndërsa) prindërit përgjigjen për mirërritjen dhe për edukimin komunist të fëmijëve”.

Në planifikimin dhe rimodelimin strukturor të shoqërisë, familja ruante një pozicion kyç, por si bërthamë e projektimit të idealeve më të larta morale e ideologjike, ajo duhej të distancohej nga familja patriarkale/fisnorë e para luftës… Pozicioni i gruas pa dyshim që mbetej ai më delikati, por me kujdesin e veçantë shtetëror ajo fitoi ngadalë pozicione në hierarkinë familjare, tashmë bazuar në dashurinë dhe respektin”.

Ardit Gjebrea prezanton moderatorët e Festivalit Kënga Magjike

Ardit Gjebrea, personazh i përfolur këto ditë për faktin e një skandali që ndodhi në emisionin të cilin ai e prodhon dhe e moderon, ka prezantuar edhe bashkë-moderatorët e tij në Festivalin Kënga Magjike.

Të parët janë Bes Kallaku dhe Erion Isai ndërsa krahas këtyre emrave dhe vetë Gjebresë, do të vijnë edhe Nevina Shtylla e Arjola Shehu, shkruan KultPlus.


Nevina Shtylla


Arjola Shehu

Kallaku është aktor shqiptar derisa Erion Isai është poashtu aktor i njohur për paraqitjet e tij në spektaklin Portokalli në Top Channel. Nevina Shtylla është aktore dhe fotomodele derisa Arjola Shehu është prezantuese e disa emisioneve në Shqipëri.


Bes Kallaku


Erion Isai

Tanimë ka nisur prezantimi i këngëve që këtë vit janë pjesëmarrëse në Festivalin Kënga Magjike, e ky prezantim po ndodhë në emisionin E Diela Shqiptare, çdo të diele në Tv Klan. / KultPlus.com

Monologu i një gruaje

Poezi e shkruar nga NATASHA LAKO.

Me cilët sy të të shihja dashuri,
Me cilët sy?

Ishin vite të rëndë,
Duvaku na ngatërrohej në këmbë.

Kishim shumë për të hedhur,
Kishim shumë për të ngritur,
Ashtu si nga errësira,
çohet e papritur.

Prandaj zgjodhëm agimin,
Kohën që ndan gjithçka –
Me dritën e tij
Krijuam sytë tanë.

Fituesi i Eurovizionit momentalisht jeton me zemër artificiale

Fituesi i Eurovizionit të këtij viti, këngëtari Salvador Sobral, po vazhdon të jetë në gjendje kritike.

Këngëtari momentalisht po jeton me një zemër artificiale, siç shkruan El Pais, derisa të sigurohet një zemër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndodhur transplantimi.

Zemra e tanishme i mundëson atij një qarkullim normal të gjakut dhe kësisoj ai mund të mbijetojë për një kohë të gjatë, shkruan KultPlus.

E tërë Portugalia është në ethe për djalin e ri i cili është kthyer në një hit shtetëror pasi i solli Portugalisë të parën fitore në Eurovizion. / KultPlus.com

Grupi Metallica me flamurin shqiptar (FOTO)

Grupi më i famshëm i muzikës Heavy Metal Metallica ka pozuar me një flamur shqiptar gjatë ditëve të turit të tyre të fundit në Britani.

Fotoja është kërkuar dhe realizuar nga një djalë shqiptar që jeton prej vitesh në Londër. I njohur në rrjetet sociale si një prej fansave të zjarrtë shqiptar të Metallica.

Djali i quajtur Ervin Gjonaj, që në profilin e tij në rrjetet sociale mban mbiemrin e liderit dhe vokalistit të grupit Metallica, ka shfrytëzuar këtë moment për të shpalosur flamurin, ndërkohë që si dhuratë për Metallica, më saktë një dhuratë për ditëlindjen e Robert Trujillo, basistit të grupit, ishte një fanellë e kombëtare shqiptare të futbollit.

Ndërkohë në koncertin e mbrëmshëm në Londër Metallica kanë përshëndetur të gjithë fansat shqiptarë që ishin në koncert, madje në fund Lats Ulrich, bateristi ka përshëndetur me flamurin shqiptar.

Arta Dobroshi, 100 për qind vetvetja dhe pasioni për astronominë

Arbër Selmani
Fotografitë: Fahredin Spahija

Rolet e saj ndër vite kanë treguar se ajo e tejkalon edhe veten, edhe aktrimin, fushën ku thotë se gjithmonë ndihet mirë dhe ku secilin personazh e jeton në momentin kur regjisori kërkon që kamerat të aktivizohen.

Arta Dobroshi megjithatë, në një ditë me re dhe të vranët të kryeqytetit, ka zgjedhur të flasë për veten dhe për idenë e të qenit vetvetja, secili prej nesh, pak më larg aktrimit dhe fjalimeve rreth të qenit aktore e suksesshme apo sfidave për të arritur diçka në jetë.

Dobroshi ka qenë sonte e ftuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, që para audiencës të flasë në një bisedë më relaksuese, me titullin “Be you” ose Je ti. Ajo foli në ndërtesën të cilën e ka bashkëthemeluar gjyshja e saj. Ajo thotë se ndoshta ka qenë e shkruar që kësisoj, ajo spontanisht të jetë e pranishme me fjalimin e saj, që erdhi jo pak si një ligjëratë rreth të qenit vetja.

Një aktore, por qind për qind vetvetja dhe prezente në rolet e saj.

“Momenti kur kamera shkon ‘action’ unë jam 100 për qind rehat. Ndoshta për këtë arsye më ka tërhequr aktrimi, sepse duhesh me qenë prezent në atë moment 100 % dhe mos me mendu asgjë tjetër. Para roleve të mia unë shkruaj biografi, bëj hulumtime, dhe jam prezente në jetën të cilën e luaj, sepse nuk ke kohë me mendu për asgjë tjetër” tregon Arta Dobroshi.
Para një audience të cilëve u interesoi më shumë aspekti i të qenit vetja te një aktore e cila e ka dëshmuar veten kur para disa vitesh parakaloi në tepihun e Festivalin e Filmit në Kanë, Arta në prapavijë pati një fotografi nga gjithësia, e realizuar nga Bill Anders në vitin 1968, në misionin e Apollo 8. Kjo, jo krejt e rastësishme.

“Kur e shoh këtë fotografi, e shoh botën nga një tjetër perspektivë. Dhe përnjëherë, ndihem ndryshe sepse e kuptoj sa e vogël është bota, sa ndryshe, e ne jemi të gjithë bashkë” tregon Dobroshi.

Bill Anders dhe Arta Dobroshi i lidhë e bukura, gjithësia, por edhe perceptimi për jetën. Anders i ka parë fjalimet e Artës dhe se si ajo i qaset botës dhe vetes duke lidhur hapësirën e eterit dhe emocionin njerëzor, e Arta ka parë një film të tij, dhe kësisoj dyshen e ka lidhur e njëjta frekuencë e mendimeve. Lidhja me astronautët filloi kur Arta morri pjesë në një program të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me ç`rast udhëtoi për në Amerikë dhe u njoftua me këtë fushë goxha ndryshe prej aktrimit.

“Anders më pas më ka treguar se si unë e kam ndihmuar atë me mendu se nuk duhet me shku deri në orbitë, gjithësi, që me pasë një perspektivë të përgjithshme” tregon aktorja Arta Dobroshi në këtë bisedë me fansat e saj në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Arta Dobroshi dhe “Be You” erdhi si bashkëpunim mes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, American Corner dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Dobroshi u pyet edhe për vështirësitë të cilat i hasin të rinjtë e të rejat nga Kosova që synojnë të bëhen aktorë e të kenë një karrierë në aktrim.

“Mos i mendoni kushtet gjithmonë, atë çka ta don ty zemra dhe ajo që është ëndrra jote, është e vërtetë, në të kundërtën nuk kishte me ekzistu” i është përgjigjur Arta Dobroshi një prej pyetjeve të audiencës.
Dobroshi është 37 vjeçare ndërsa ka qenë e nominuar për aktoren më të mirë në Çmimet Evropiane të Filmit. Ajo ka qenë edhe anëtare e jurisë në edicionin e 59-të të Festivalit të Filmit në Berlin. / KultPlus.com

Tirana, qyteti më “cool” i Europës?

Media spanjolle traveler.es, i ka kushtuar një artikull kryeqytetit shqiptar, Tiranës duke e cilësuar si kryeqytetin më “cool” të Europës.

Kryeministri Rama ka postuar shkrimin e plotë në Facebook, duke uruar një ditë të mbarë.

TIRANA, QYTETI MË “COOL” I EUROPËS?

Për titullin qyteti më “cool” i Europës ka shumë pretendentë seriozë. Barcelona, Brukseli, Birmingham-i. Por, të gjitha këto duhet t’ia lënë vendin një tjetër kryeqyteti në listë, Tiranës.
Ju duket e çuditshme? Atëherë tregohu i vëmendshëm! Tirana është jo vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, është gjithashtu edhe qendra e saj nevralgjike, aty ku e kaluara, e tashmja dhe kryesisht e ardhmja e këtij kombi që po rilind, përplasen në një vorbull historie, trafiku dhe arti.

Pas zgjimit nga thundra e diktaturës komuniste në vitet ’90, Tirana u shndërrua në një qytet krahëhapur për ata që e vizitojnë. Mes relikeve otomane, italiane dhe politike, Tirana zbulohet në një rrugë bulevardesh rrethuar nga minare, murale socialiste dhe vepra arkitektonike, që ngjallin kureshtje, të cilat nuk i gjen në asnjë vend tjetër.

Magjia e veçantë e saj merr përmasa edhe më të mëdha në çdo perëndim dielli, me zhurmimin e shëtitjes së mbrëmjes në një version shqiptar të “passeggiata-s”, që në ditët e sotme më tepër shenjon fillimin e një nate të paharrueshme, se sa fundin e një dite të zakonshme. Gjithçka, me veçantinë karakteristike shqiptare, e cila do të të bëjë të kuptosh se je duke zbuluar një nga sekretet e ruajtura më mirë në Europë.

Çdo gjë rrotullohet rreth sheshit “Skënderbej”. Faktori “cool” i Tiranës fokusohet tek zona e Bllokut, shumë pranë qendrës së qytetit dhe sheshit “Skënderbej”, ku gjendet Teatri i Operas dhe i Baletit dhe Galeria Kombëtare. Dikur kjo zonë ishte e rezervuar për elitën politike të Shqipërisë dhe hyrja ishte e ndaluar për pjesën tjetër të njerëzve. Me rënien e diktaturës në 1991, Blloku u shfaq për herë të parë para shqiptarëve dhe duke e parë tani, mund ta përfytyrojmë reagimin e tyre.

Me një ndërthurje rrugësh të gjera, vilash dhe hapësirash të gjelbra, Blloku nuk i largohet shumë stilit arkitektonik tradicional komunist. Me baret, restorantet dhe dyqanet të cilat do të zbehnin edhe 5th Avenue në Nju Jork, Blloku do të bën të pyesësh sërish veten për çdo përshtypje që mund të kesh krijuar mbi Tiranën.

Dhe duke qenë se përmendëm baret… bëhu gati, sepse Tirana ka bare me shumicë. Në përgjithësi Ballkani është një rajon i cili i parapëlqen shumë daljet në kafene përgjatë ditës dhe Shqipëria nuk ngelet pas.

Çoko, një bar në një vilë të vjetër të rikonstruktuar në mes të Bllokut, për një moment të krijon përshtypjen sikur ndodhesh në Paris. Nëse preferon një mjedis më autokton, Komiteti të çon detyrimisht, përmes dekorit dhe menusë tipike shqiptare, në epokën e regjimit komunist. Të pëlqen tarraca? Shko në Lincoln Garden Café, por kujdes se mos e kalon gjithë ditën në kopshtin e tij plot me pemë.

Nëse je i dashuruar pas ushqimit apo thjesht të pëlqen të hash, kuzhina tradicionale shqiptare është tipike mesdhetare; shumë peshk, shumë perime. Megjithatë, nëse kërkon diçka me pak më shumë zjarre artificialë gastrononomike, Tirana është vendi më i mirë për ta gjetur.

Për të bërë një prezantim të kuzhinën shqiptare, vetëm disa restorante mund të rekomandohen njësoj si “Era” dhe kjo jo pa një arsye. Ky restorant klasik në Bllok parapëlqehet si nga vendasit, edhe nga të huajt. Mos i humb qoftet e Korçës që gatuhen aty (plot me salcë), të cilat janë më të mira nëse i shoqëron me raki kumbulle, produkt vendas!

Nëse ke ardhur në Shqipëri për të marrë me vete edhe pak histori, kalo nga Hola Restorant. Ndoshta nuk do të provoni “paella”-n më të mirë në botë (ose po), por gjithsesi përvoja do të jetë unike. Shefi, Francisco, të pret tek dera i buzëqeshur dhe me shumë mundësi do t’ju tregojë historinë se si u bë finalist në MasterChef Albania. Për të mos u humbur!

– Lisbon revisited ( 1926 )

Poezi e shkruar nga FERNANDO PESSOA / Përktheu Lisandri Kola.

Asgja nuk më lidh me asgja.
Due pesëdhetë gjana në të njejten kohë.
I dishruem me nji ankth urie mishi
ajo çka nuk di se çka asht-
përfundimisht e papërcaktuemja…
Flej i shqetësuem, dhe jetoj në nji gjumë të shqetësuem
të atij që flen i shqetësuem, gjysmë në andërr.

M’i kanë mbyllë tana dyert abstrakte dhe të nevojshme.
I kanë ulë tendat prej mbrendë të çdo hipoteze, që do të kisha mujtë me pá prej rruge.
Nuk asht në rruginën e gjetun numri i derës që më kanë dhanë.

U zgjova në të njejten jetë, me të cilën më kishte zanë gjumi.
Der ushtritë e mia të andrrueme janë shpartallue.
Der andrrat e mia janë ndie të rreme në të kênunit t’ andrrueme.
Der edhe jeta vetëm e dëshirueme më lodh; der kjo jetë…

Kuptoj me intervale të shkëputuna;
shkruej me intervale lodhjet;
dhe deri nji mërzi e mërzisë më hedh në plazh.
Nuk e di cili fat apo e ardhme do të ndeshet me ankthin tim pa timon;
nuk e di cilët ishuj të Jugut të pamujtun më presin anijenbytun;
apo cilat palma letërsie do të më japin të paktën nji varg.
Jo, nuk e di as këtë, as atë tjetrën, as kurrgja…

Dhe në fund të shpirtit tim, ku andrroj atë që andrrova
në fushat e tejme të frymës, ku jetoj pa shkak
( e kaluemja asht nji mjegull e natyrshme me lot të rremë),
nëpër rrugë, nëpër shtigje të pyjeve të largta
ku kam paramendue të kênunit tim,
ikin të shkatërruem, të mbetunit e fundit
e përhitjes finale,
ushtritë e mia të andrrueme, të shpartallueme për pa ekzistue,
kohortat e mia ende për të ekzistue, cungue nga Zoti.

Prapë të shoh qytet i fëminisë sime, frikshëm i tretun…
Qytet i trishtë dhe i gëzuem, qè tek u ktheva me andrrue…

Unë? Po a jam i njejti që ka jetue këtu, që asht kthye këtu,
dhe që këtu asht kthye për me u kthye, dhe për me u rikthye,
dhe prapë për me u rikthye?
O a jemi, të gjithë Unët që kam qenë këtu apo kanë qenë,
nji seri entesh- të mëdhaja lidhun nga nji fill- kujtesë,
nji seri andrrash për mue për dikend jashtë meje?

Prapë të shoh, me zemër ma të largtë dhe shpirtin ma pak timin.
Prapë të shoh- Lisbonë dhe Tago, dhe gjithçka-,

udhëtar i kotë prej teje dhe prej meje,
i huej këtu si gjithkund, rastsor në jetë si në shpirt,
fantazmë e arratisun në krypë kujtimesh,
në zhurmën e mijve dhe të tavolinave që brehen
në kështjellën e mallkueme të t’detyruemit me jetue…

Miriam Cani përlotet në emisionin e Rudina Magjistarit

Miriam Cani ka kohë që i mungon ekranit, kjo pasi që nga momenti që solli në jetë vogëlushen Ameli, vendosi t’i përkushtohej tërësisht rritjes së saj. Megjithatë sot këngëtarja ka bërë daljen e saj të parë publike, duke u shfaqur tek “Rudina”.

Në bashkëbisedim me Rudina Magjistarin këngëtarja është emocionuar dhe përlotur në studio në momentin që moderatorja e ka pyetur për humbjen e nënës, të cilën e konsideron një shembull që e ndjekë çdo ditë në edukimin e vogëlushes së saj.

“Çdo nënë është një shembull për t’u ndjekur. Po, ne ngjajmë shumë. Ajo i dedikonte gjithë jetën e saj familjes. Unë jam miks i të dyve, mamit dhe babit. Këtij të fundit i ngjaj në karakter dhe iniciativë pasi mami ishte më e përkushtuar ndaj familjes“,- është shprehur Miriami e përlotur duke shtuar se në jetë asaj i është dashur të mbijetojë edhe me dhimbjen e humbjes së parakohshme të nënës së saj.

Miriami ka premtuar se së shpejti do të sjellë edhe projekte muzikore, pasi pas ardhjes në jetë të Amelit ajo është frymëzuar për të bërë muzikë të mirë.

Facebook është tundimi permanent i humbjes së kontrollit

GILMAN BAKALLI
Facebook është tundimi permanent i humbjes së kontrollit. Është një proced i pandërprerë i rrëzimit të pazhurmshëm të të gjithë skrupujve dhe kufizimeve. Kush futet brenda tij me bindjen e palëkundur se do të miqësohet vetëm me ata që njeh mirë, vetëm me miqtë e tij të vërtetë të jetës së përditshme, larg e afër, kush betohet se nuk do të postojë kurrë asgjë private, që nuk do të postojë foto personale, do të vërë re se gradualisht, të gjitha parimet e tij do të rrëzohen një nga një. Do të vërejë se askund tjetër, më tepër se në facebook, është më e kollajtë të heqësh dorë nga parimet. Facebook është tundimi permanent i humbjes së kontrollit. Tinëzisht, por në mënyrë efikase ama.

Në Jena të Gjermanisë, simpozium për të kujtuar Robert Elsie

Shoqëria Gjermano – Shqiptare dhe Instituti i Studimeve Sllave dhe atyre të Kaukazit të Universitetit Friedrich-Scher-Universität në Jena të Gjermanisë do të organizojnë një Simpozium për të përkujtuar albanologun e njohur Robert Elsie.

Elsie ndërroi jetë në fillim të këtij muaji.

Simpoziumi “Gjuha Shqipe: E kaluara, e tashmja, e ardhmja” vjen me 10 dhe 11 nëntor në Universitetin e Jenës, shkruan KultPlus.

Ditën e parë të simpoziumit, Thede Kahl do të flasë mbi temën – Pse shqipja është kaq fascinuese? , ndërsa dytën e dytë vazhdohet me kumtesat e Wilfried Fiedler, Michael Schmidt-Neke, Muhamet Idrizit, Vëllaznim Hazirit, Henry Ludëig dhe Lumnije Jusufit.

Temat tjera të cilat janë në qendër të diskutimit në simpozium janë gjuha shqipe si gjuhë amtare, gjuha shqipe si mjet për krijimin e një identiteti apo edhe rëndësia e rinisë shqiptare e cila jeton momentalisht në Gjermani.

Elsie ka lindur në Kanada ndërsa ka vdekur në Gjermani. Ai ka punuar në Bon të Gjermanisë ndërsa një pjesë të mirë të jetës e ka kaluar në këtë shtet. Elsie mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon dhe nga 2002 deri 2013 për Tribunalin e Hagës. / KultPlus.com

Pashë rrugës një grua që po qante heshtur

Poezi e shkruar nga Shkëlqim Çela

Pashë rrugës një grua që po qante heshtur
si oaz mu duk mollzë e saj
në atë trotuar betoni
me pemë të sapothara
dhe pluhur marsi;
kaq, se më pas ajo
do nxjerrë rruspa ekskavatorësh
të prishë akuaduktet,
qyngjet nëntokësorë të lotëve,
do thajë pelikanët e muzgut,
kënetën e bukur
në jukun e shamive të buta mbytur,
do shtrojë argjilë e pluhur hëne të vdekur,
një talk të heshtur, të pafjalë,
pudër jupiteri me urinë dhe etjen
e tharjes globale.

Andreja Pejiq nga Bosnja, e para modele transgjinore e Ford Models

Andreja Pejiq, një djalë nga Bosnja por i cili prej vitesh jeton në Angli, i lindur djalë por sot një grua e rritur dhe e bukur është modelja e parë trasngjinore që ka nënshkruar kontratë me Ford Models.

Pejiq në vitin 2015-të modelonte edhe veshjet për meshkuj, edhe veshjet për femra, në kampanjën e njohur nga Make Up For Ever.

Ajo është paraqitur edhe në një videoklip të David Bowie, – “The Stars”, krahas emrave si Tilda Swinton e Iselin Steiro, shkruan KultPlus.

Pejiq është vetëm 26 vjeçare, ndërsa ka lindur në Tuzla të Bosnjës, me 28 gusht 1991.

Pejiq ka kohë që po futet në botën e aktivizmit për personat transgjinorë. Në fund të vitit 2013-të, Pejiq e kaloi me sukses edhe operimin për ndërrimin e seksit. / KultPlus.com

Teoria e dashurisë e Ajnshtajnit shitet për 1.3 milion euro

Në një ankand janë shitur për gjithsej 1.32 milionë euro dorëshkrimet e Ajnshtajnit.

Dy dorëshkrime shkencore, që quhen edhe si sekreti i lumturisë së Ajnshtajnit, në fillim u mendua se do të shiteshin jo më shumë se 10 mijë euro, shkruan KultPlus.

Dorëshkrimi është i vitit 1922 ndërsa në mes tjerash, Ajnshtajn shkruan se suksesi i lumturisë është një jetë e qetë, dhe jo një jetë pa pushim dhe në kërkim të suksesit.

Roni Grosz, përgjegjës i arkivit më të madh për Ajnshtajnin në Universitetin Hebre në Jerusalem, tregon se këto dokumente nuk kanë vlerë të madhe shkencore por tregojnë shumë për gjendjen emocionale dhe mendimet e Ajnshntajnit.

Albert Einstein ishte një fizikant i cili llogaritet si një nga shkencëtarët më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai përcaktoi teorinë e relativitetit dhe dha shumë kontribute në fushat e mekanikës kuantike, mekanikës statistikore dhe kozmologjisë. Në vitin 1921 fitoi çmimin Nobel për fizikë për shpjegimin e efektit fotoelektrik dhe për shërbimin në fushën e “fizikës teorike”.

Gjithashtu Albert Ajnshtajn njihet si njeriu më i mençur në botë dhe gjeniu i shekullit XXI.

Ajnshtajni vdiq në Princeton, New Jersey, SHBA më 18 prill, 1955, në moshën 76 vjeçare. / KultPlus.com

Shyti: Jemi në anën e aktorëve, por nuk lejojmë ultimatume!

Jehona Shyti, shefe e kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ka deklaruar për emisionin “Express”, se me prioritet janë duke e trajtuar kërkesën e aktorëve rezidentë të TKK-së për rritje të pagave.

Shyti, duke komentuar kërkesën e aktorëve rezidentë se pagat e tyre duhet të jenë në nivel me ato të profesorëve universitarë, shtoi se një kërkesë e tillë nuk mund të realizohet, mirëpo ngritje e pagave do të bëhet në bazë të mundësive të buxhetit të Ministrisë së Kulturës.

“Ministri Gashi, pas takimit me anëtarët e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, është shprehur se kërkesa e tyre për ngritje të pagave është legjitime dhe do të koordinohemi për rritjen e tyre. Duhet shikuar buxhetin se sa lejon që të realizohet një çështje e tillë, por jo sa kërkojnë aktorët rezident”, ka thënë ajo.

Aktorët rezidentë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, i kanë dhënë ultimatum Ministrisë së Kulturës, se nëse kërkesa e tyre nuk realizohet deri këtë të premte, atëherë do ta anulojnë repertorin artistik të TKK-së.

“I ftojmë mos të bëjnë presione të panevojshme, kjo çështje duhet zgjidhur përmes dialogut edhe është e padrejtë të merren masa të tilla nga ana e aktorëve rezident. Nuk e kemi ndërmend t’i nënshtrohemi presionit, mirëpo jemi pro kërkesës së tyre. Pa dashur që të nënvlerësohet puna e askujt, por një nga problemet kryesore është zgjidhja e statusit të aktorëve”, ka deklaruar Shyti.

Shyti tutje deklaroi se aktorët rezidentë nuk janë shërbyes civilë por marrin paga si kategori e veçantë, duke shtuar se ata meritojnë paga të dinjitetshme.

Malësia e Madhe, destinacion për turizmin e Gjelbër dhe të Bardhë (FOTO)

Është krahinë në veriun e Shqipërisë ku bëjnë pjesë disa fshatra të thella malore në lartësi të Shkodrës, që nisin nga Vraka-Gril e deri në Han të Hotit.

Janë disa fshatra që frekuentohen nga turistët në të katër stinët e vitit si Razma, Boga,Reçi e deri sipër në Lëpushë të Kelmendit.

Në verë mund të shfrytëzohen plazhet ujore si ato të Grilit e Grizhës e deri te turizmi i gjelbër apo i peizazhit dhe ai i bardhë, ose i borës që kap zonat e mbi Shkodrës, Razma, Boga, Zona e Recit, Lepusha, Vermoshi, Selca, Granazhdoli dhe Fush-Zeza, që tani në vjeshtë servirin një peizazh tepër tërheqës dhe mbreslënës, ku mjaft vizitorë ngjiten në këto lartësi dhe e shijojnë atë.

Së shpejti në këto lartësi do të duken turistët e borës dhe të aventurës së lartësive.

Por, në këtë krahinë zhvillohet edhe turizmi Historiko-kulturor.

Ky turizëm ze një vend të rëndësishëm në gjithë hapësirën turistike të Malësë së Madhe. Etnografia e veshjeve të zonës është një befasi mëvete.

Studiuesi i kulturave Ballkanike,Hungarezi Kornidez, që vizitoi këtë krahinë në vitet 1753-1754 është shprehur se: “As palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e grave malësore”.

Guidat e sotme turistike,që e kanë kthyer në një biznes professional punën e tyre,dinë ti drejtojnë vizitorët vendas apo turistët e huaj në mjedise tepër të veçanta për tu parë edhe në këto zona të thella.

Një mrekulli natyrore e kësaj zone janë dhe Plantacionet me Gështenja të Reçit,ku vizitori njihet me historikun e tyre, mënyrën e shfrytëzimit sot dhe sigurisht, emocionohet me peizazhin vjeshtor.

Malësia e Madhe mund të vizitohet në çdo stinë të vitit.

Këngëtarja shqiptare këndon këngën “Baresha” në Itali (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Hersi Matmuja ka zgjedhur ta këndojë këngën “Baresha” nga Nexhmije Pagarusha në një prej paraqitjeve të saj.

Në një koncert në Itali, Matmuja – e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion para disa vitesh, ajo zgjodhi të sjellë në versionin e saj këngën e vështirë shqipe.

Matmuja është e shkolluar në Itali dhe shihet se kur vjen puna te notat akute klasike, ajo nuk ka asnjë problem, shkruan KultPlus.

“Baresha” mbetet ndër këngët vokalisht më të vështira për tu performuar, të cilën para disa vitesh e krijoi Rexho Mulliqi për ta sjellë në jetë zëri i Nexhmije Pagarushës.

https://www.youtube.com/watch?v=kGSIqFTbdLE&feature=youtu.be

Hersi Matmuja është këngëtare shqiptare e cila morri pjesë në Eurovizion në vitin 2014-të me këngën “One Nights Anger”, por nuk arriti të kualifikohej për në finale. / KultPlus.com