‘Nëna ime e takoi për herë të parë babain në dhomën e martesës’

“Nëna ime nuk u dërgua kurrë në shkollë. Përderisa tezet e mia u dërguan për një vit apo dy, dërgimi i saj në shkollë nënkuptohej si humbje e forcës punëtore pasi që ajo ishte anëtarja më e zellshme e familjes. Deri në moshën 14 vjeçare ajo kishte mbledhur aq shumë para sa që ka qenë ne gjendje ta blejë një shporet për shtëpinë familjare.

Ajo ishte fëmija i tretë në një familje me shtatë fëmijë. Kur motrat e mia dhe unë e kemi pyetur nënën time se ku dhe si e ka njoftuar babain tim, ajo është përgjigjur, “Në atë moment kur ka hy n ‘dhomën e fjetjes”. E kishin martuar në moshën 17 vjeçare dhe ajo e takoi babain tim për herë të parë kur e dërguan në dhomë në natën e martesës. Madje edhe në ditën e martesës ajo nuk kishte ditur se cili nga burrat do të ishte bashkëshorti i saj”, ky është nja pasazh I shkëputur nga libri Palinë, I këngëtares nga Kosova Fatime Kosumi, ose e njohur me emrin e artit Andrra. Në librin gati autobiografik ajo jep një udhëtim në historinë e saj personale, për të treguar si ka qenë gjendja me femrat në Kosovë.

“U fejua kur i kishte pasë katërmbëdhjetë dhe e kuptoi këtë ditën kur shporeti të cilin e kishte blerë për familjen e saj po transportohej. Tezja e saj ishte në vizitë atë ditë dhe kur nëna kishte arrite në shtëpi të gjithë ia kishin ngulë sytë dhe tezja ia kishte plasë vajit. Duke e pasur të pamundur të kuptojë tensionin emocional i cili po mbizotëronte, nëna kishte pyetur se çka ka ndodhur dhe tezja i kishte treguar, “T’kanë feju!”. Nëna nuk e ka kuptu se çka nënkupton ajo punë, po kjo nuk e ka ndalë tezën e saj nga çirrjet. “Po të isha në vendin tond, nuk ja kisha jep shporetin!”. Nëna ime e kujton këtë sekuencë me humor…”, shkruan Kosumi.

Për të, “procesi i rishikimit të jetës tënde është pa dyshim terapeutik dhe mua më kujtohet si vajzë e vogël kur nëna ime është mundu me na tregu rreth përvojave të saja dhe ndonjëherë kur motrat e mia dhe unë nuk i kushtonim vëmendje ajo thoshte me vete, “Me pasë mësu me shkru, kisha shkru historinë teme.” Në 2014 ajo kishte vendosur të udhëtoj në regjione të ndryshme të Kosovës të hulumtonte dhe dokumentonte rapsodin e kënduar nga gratë e fshatrave, të cilat tregojnë histori jetësore ngjashëm me ato të nënës së saj. Rezultati ishte një dokumentar i shkurtër “Këngë e Defa – Rapsodi i Femrave nga Kosova”. Po ashtu ajo nisi të lexoj librat e Anton Çetës, profesor dhe studiues i folklorit.

Nga viti 1953 deri në 1987 ai kishte botuar 16 libra me folklorin që kishte mbledhur, përfshi këtu edhe përrallat, mitet, baladat, legjendat dhe tekste të këngëve nga të gjitha regjionet shqipfolëse. “Palinë është një përzgjedhje e teksteve që i kam zbuluar në këtë rrugëtim. Ky është vetëm një fragment nga historia e nënës sime dhe i shumë grave rreth e përqark globit të shkëputura nga shkrim-leximi në pamundësi ta shkruajnë historinë e tyre përveçse përmes këngës.”, thotë ajo. Vetëm pak ditë më parë ajo intepretoi këngët e këtij albumin tek Qendra e Artit Tulla në Tiranë. / Gazeta Shqip / KultPlus.com

‘Hani i 2 Robertëve’, vendi ku u rritën gjenerata të ndryshme të artistëve kosovarë (FOTO)

Qyteti satelit – mbijetesa shoqërore dhe kulturore e Shqiptarëve të Kosovës përgjatë viteve ’90-të

Eliza HOXHA

Kultura e kafenesë

Shqiptarët mbijetuan të ’90-tat kulturalisht falë kafenesë. Kafeneja ishte dhoma urbane e shqiptarëve, oaza e shpresës, rebelimit dhe dashurive të reja për vendin, kombin dhe gjuhën, për vetën dhe jetën. Kurrizi, indi i kafeneve te Santeja dhe Qafa ishin boshtet e reja socio-kulturore të shqiptarëve të asaj kohe. Arti I rezistencës si arti I një gjenerate të përjashtuar bëri historinë e vet jo vetëm në aspektin e komunikimit me botën por edhe në sjelljen e një rendi të ri artistik përtej estetikës, një arti provokues dhe dialogues. “Ky art I rezistencës – sipas Maliqit, fillojë të vë në pikëpyetje kuptimin e artit duke adoptuar një qëndrim kritik drejt artit ”të babait” dhe akademizimit të tyre të lumtur dhe jokonfliktuoz”.

Në këtë kontekst Sahatciu thekson se ”gjatë kësaj kohe, një ndjenjë anti-akademizmi e poashtu edhe një formë dhe stil iri i predikimit të artit u zhvillua në një rrymë të re arti të ekspozuar në kafene dhe galeri private siç ishte kafene “Koha”, “Hani i 2 Robertëve”, Galeria “Dodona” etj. Nocionet a asaj se çfarë e konstituon artin filluan të vihen në pikëpyetje pikërisht në këto lloj hapësirash”. “Hani I 2 robertëve” nisi si dëshirë për të kriju një hapësirë shprehëse artistike si alternativë e kohës dhe më pas u shndërrua në mision, duke realizuar mbi 100 ekspozita gjatë asaj kohe, thekson pronari I tij Fadil Dragaj. Aty njohu vetën dhe shpalosi vetën gjenerata e të ’90-tave. Po të mos ishte “Hani” sot shumica e artistëve të njohur që ka Kosova ndoshta nuk do të ishin fare. Kujtojmë gjeneratën e Mehmet Behlulit, Sokol Beqirit, Zake Prelvukaj e deri të Gani Gashi veprat e të cilit u dogjën bashkë me Hanin para përfundimit të luftës. Hani dyjëzoj njëkohësisht hapësirën artistike me atë diplomatike. “Lufta informative dhe diplomatike e Kosovës me botën është bërë në Han”.

Personalitete politike, të medieve dhe artit lokal dhe global që i gjejmë në fotografitë e kujtesës së “Hanit” dhe fletoren e kujtimeve të mbijetuara nga lufta ishin akterët kryesor të proceseve të shtetformimit të Kosovës. Një nga shënimet në fletoren e kujtimeve nga “ The guardian” thotë: Kam dëgjuar për spitale nëntokë dhe lëvizje të ndryshme nën tokë, por nuk kam besuar se ka një galeri kaq të mahnitshme nën tokë. Galeria “Hani I 2 Robertëve” funksionoj si hapësirë vetfinancuese duke e mirëmbajtur veten përmes ushqimit dhe kafesë, pjesë kjo që asnjëherë nuk e morri primatin mbi ushqimin shpirtëror. Përtej artit, Harmonika që lozte këngët shqipe ishte prezente aty ndër vite, e shpesh edhe mësimi dhe provimet e studentëve të Fakultetit të arteve zënin vend aty. Në anën tjetër në 1997 themelimi I Galerisë “Dodona” shënon një hapësirë të re shkëmbimi dhe komunikimi duke u munduar të institucionalizoj lëvizjet e reja të artit dhe ta shtyej debatin përtej korrnizave aktuale politike. Maliqi thekson se “arti Kosovar ka përjetuar çlirimin e tij në Dodonë”.

Përveç ekspozitave të artistëve të kohës dhe ekspozitave kolektive të studentëve ky vit shënon shtyerjen/thyerjen e kufijve përmes artit si platformë komunikimi kundër dhunës dhe mundësi hapjeje për debate të reja pajtimi. Galeria “Dodona” në Prishtinë dhe Qendra për dekontaminim kulturor në Beograd si “institucione alternative kundër regjimit të Millosheviqit” bëjnë hapin e madh, duke realizuar ekspozitën “ Përtej” të artistëve aktual shqiptar: Sokol Beqiri, Maksut Vezgishi, Mehmet Behluli dhe Ilir Bajri (muzikë) në Beograd, përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur. ”Rrethanat e atëhershme të acaruara në Beograd dhe Prishtinë, projektin e bënë edhe më delikat dhe provokativ”. Por a ishte e mundur që këto hapësira sa të dukshme e poaq “sekrete” të mos ishin në shënjestër të sistemit të asaj kohe. Sikurse edhe te shkollat – shtëpi ku me mijëra herë policia kishte atakuar profesorët dhe studentët njësoj ishte edhe presioni ndaj këtyre akterëve. Alisa Maliqi, drejtoresha e galerisë “Dodona”, kujton se sa herë policia kishte frekuentuar aty duke pyetur mbi aktivitetet.

Në anën tjetër, Fadil Dragaj, pronari I Hanit kujton burgosjen e tij në vitin 1997 gjatë ekspozitës së studentëve”salloni I karikaturës” sërish për shkak të parullës së ironizuar “Kosova Republikë” në shqip dhe serbisht-cirilic. Edhe pse I liruar pas një jave për shkak të shumë presioneve publike nuk I kishte shpëtuar syrit të tyre kur me 22 mars 1999, dy ditë para bombardimeve të NATO’s ai ishte plagosur përballë lokalit të tij duke pirë kafe bashkë me miq të artit prej të cilëve kujtojmë aktoren Ardiana Abdullahu e cila humbi jetën atë ditë. “Me krejt sfidat dhe vështirësitë kjo kohë kishte shumë dashni dhe vullnet të mirë mes njerëzve ndër shqiptarë” kujton Maliqi në anën tjetër .

( Eliza Hoxha e ka prezantuar këtë pjesë punimi në konferencën ‘Ballafaqimi me të kaluarën: lëvizjet shoqnore gjatë socializmit dhe viteve ’90’ në Prishtinë, organizuar nga Alter Habitus. ) / KultPlus.com

Fotografitë janë të gjitha nga Arkivi i ‘Hani i 2 Robertëve’

Grupi Ilirët në një incizim të viteve 80-të duke kënduar hitin ‘Kazanova’ (VIDEO)

Grupi muzikor Ilirët dikur gëzonin famë të madhe. I formuar në vitin 1981, Grupi Ilirët kanë sjellë ndër vite këngë të mira dhe hite.

Kënga e parë e grupit është titulluar “Merita” – këngë që edhe sot kujtohet nga gjenerata e cila u rrit me këngët e Ilirëve.

https://www.youtube.com/watch?v=-FoznziU1oo

Një incizim i ri e sjellë grupin duke performuar këngën e njohur “Kazanova”. Incizimi është në Youtube, ndërsa regjistrimi vjen nga Radio Televizioni i Prishtinës.

Në këtë grup me solistin Shemsi Krasniqi – Shemi, kanë parakaluar Agim Berisha, Shkelzen Veseli, Naser Abdullahu, Pren Berisha, Flamur Lokaj, Arben Godanca dhe emra të tjerë. / KultPlus.com

Dy fjalë për përmendoret

Poezi e shkruar nga Shazim Mehmeti.

Nuk bëjmë mirë
që u ngrisim përmendore heronjve

Skulptorët i kemi të dobët
fytyra të shëmtuara gdhendin
sa shumica e njerëzve
frikohen prej shtatoreve.

Më të bukur u duken
manekinët e kombit-
tradhtarët e gjallë
që sillen me elegancë
dhe tërheqin si dilerët
me dioptritë e nuancuara të syzeve

Skulptorët duarvrazhdtë
dhe artin e tyre makabër
do duhej t’i përdornim
për t’u ngritur përmendore tradhtarëve!
Mbase do t’i bënin të shëmtuar
aq të shëmtuar do t’i bënin
sa askush s’do të donte t’u ngjasonte!

Me 20 tetor, Lala Meredith-Vula sjellë ‘Urtësi sot e mot’ në Shkodër

Në Muzeun e Fotografisë ‘Marubi’, me datë 20 tetor do të hapet ekspozita e artistes Lala Meredith Vula.

Fjalët që karakterizojnë ekspozitën e Lala Meredith-Vula në Muzeun Marubi në Shkodër i gjejmë të shkruara mbi një pankartë, në njërën nga fotografitë që artistja shqiptaro-angleze shkrepi në Vranjevc të Prishtinës, më 4 maj 1990. Ato shprehin parimet që udhëheqin një transformim historik delikat brenda një komuniteti. Këto fjalë duket sikur përkojnë me të gjithë punën artistike të Meredith-Vula, e cila na paraqitet si imediate dhe e çdokohshme duke u integruar me proçeset e ngadalshme që kërkojnë një shoqëri të gatshme për të pranuar një ndryshim të tillë si dhe bashkëveprim me tokën, duke përfshirë këtu edhe materialet natyrore që ajo ofron.

Në gusht 1988, katër ditë pas instalimit të ekspozitës së famshme, Freeze me studentët e artit të Goldsmith, Lala Meredith-Vula e la Londrën (qytet ku ishte vendosur në moshën katër vjeçare pas ikjes nga Sarajeva) për të shkuar në fshatrat kosovarë, ku ajo filloi të fotografonte mullarët. Në këto forma agrare, ajo kishte gjetur “kuintesencën e veprës së artit.” E nëse dëshironte të rilidhej me atdheun e saj, një dëshirë e tillë abstrakte duhej të rrënjoset diku thellë në tokë, ashtu si vetë mullarët. Pas tre dekadash dhe qindra fotografish, projekti vazhdon akoma. Por roli i MeredithVula si dëshmitare u transformua kur në vitin 1990, ajo mësoi mbi planet e pajtimit të gjaqeve në rajonin ku kishte fotografuar mullarët.

Duke vënë mënjanë për pak kohë magjepsjen nga skulpturat rurale, ajo e orientoi objektivin e saj drejt qindra njerëzve që grumbulloheshin nën drejtimin e folkloristit dhe studjuesit Anton Çetta (1920-1995), për të përmbyllur në mënyrë ceremoniale, gjakmarrje që kishin vazhduar për shekuj të tërë, duke paralizuar kështu edhe
komunitetet.

Dy seritë më përfaqësuese të Lala Meredith-Vula – Haystacks (Mullarët) dhe Blood Memory (Kujtesë Gjaku)- janë sjellë për të ndërvepruar me hapësirën e Muzeut Marubi. Përzgjedhje fotografish nga këto dy punë janë ekspozuar në Athinë dhe Kassel, në kuadër të ekspozitës ndërkombëtare documenta 14. Megjithatë, ekspozita që po ju paraqesim, përbën një rast unikal për t’i parë të dyja seritë të ekspozuara së bashku. Përtej tyre, një imazh historik- ai i fotografisë së Kel Marubit në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Kalanë e Shkodrës më 19 mars 1914, pjesë e ekspozitës Rroftë! kuruar nga Blerta Hoçia- është përfshirë këtu për të hapur një dialog mes imazheve unike të Meredith-Vula me trashëgiminë e pasur të dinastisë Marubi si dhe me historikun e ekspozitës të këtij muzeu, të themeluar në nderim të tyre.

Bashkëbisedimet e hapura janë shumë të rëndësishme për artin dhe për ndërtimin e ekspozitave. Edi Hila, piktori i mirënjohur shqiptar dhe profesor dashamirës i gjeneratave më të reja të artistëve që kanë studjuar në Akademinë e Arteve të Tiranës, ka komentuar mbi fotografitë e mullarëve të mikes së tij dhe artistes. Sipas Hilës, ata janë: “Një dialog i Lalës me secilin nga mullarët. Ata personifikojnë atë çfarë Lala ka parë dhe atë ç’ka i kanë thënë asaj.” Ndërkohë, pjesëmarrja e Meredith-Vula në documenta 14 si dhe ekspozita e saj në Muzeun Marubi u mundësuan falë këshillave të vyera të Erzen Shkolollit, i cili në rolin e tij si këshilltar kuratorial në documenta 14 ishte i pari që ia prezantoi punën e fotografes, ekipit të kuratorëve të documenta 14. Tani është momenti që bisedat e ndryshme t’jua shtrijmë ju-publikut.

Ekspozita do të hapet në ora 18:45. Një ditë më pas, me 21 tetor, në ora 11:00 do të ketë bashkëbisedim me artisten Lala Meredith-Vula dhe kuratoren Monika Szewczyk. / KultPlus.com

Kënga e Era Istrefit, në toplistën e komunitetit LGBT në Billboard

Era Istrefi ndoshta ende nuk ka reaguar mbi komunitetin LGBT dhe Paradën që sot erdhi si revolucion dhe për herë të parë në Prishtinë, megjithatë në të kaluarën ajo është treguar përkrahëse e dashurisë në çdo formë të sajën.

Kënga e re e Erës, bashkëpunimi “No I Love Yous” është përfshirë shpesh në toplistat e këngëve të cilat lëshohen në Paradat e Komunitetit Gej, Lezbik, Transgjinor e Biseksual. Kësisoj ka ndodhur edhe me Billboard Pride, ku është përfshirë kënga e Erës, shkruan KultPlus.

Billboard e ka përpiluar një listë me këngët e dashura për komunitetin, ku është Era dhe Demi Lovato, Tove Lo, Rae Morris, Nick Jonas e emra të tjerë.

Era në Twitter e ka falënderuar Billboard për këtë përfshirje. / KultPlus.com

Dua Lipa flet për Paradën e Krenarisë në Prishtinë (FOTO)

Edhe Dua Lipa, kënga e së cilës sot u dëgjua në Prishtinë, e ka dashuruar Prishtinën sot në ditën kur ndodhi e para Paradë e Krenarisë e Komunitetit LGBT.

“Kosovo had its first pride parade today in Prishtina. Love is love. Në emër të dashnisë” ka shkruar Dua Lipa në Twitter sot, madje edhe në shqip, jo si zakonisht, shkruan KultPlus.

Sot u mbajt kësisoj e para Paradë e Komunitetit Gay, Lezbik, Transgjinor, Biseksual dhe Interseks në Prishtinë, pa ndonjë incident dhe krejt paqësore, siç është paralajmëruar. Dua Lipa kësisoj tregon se është krenare me Prishtinën dhe me njerëzit e orientimin e tyre seksual të çfarëdoshëm. / KultPlus.com

Balada e Vitit të Ri

Poezi nga Ana Ahmatova / Përktheu: Petraq Kolevica

Dhe hëna e trishtime që lart, përmbi re,
Sheh dhomën, tryezën në qosh.
Mbi të ata gjashtë servile sheh,
Po njëri ndër ta është bosh.

Im shoq e un’ e miqtë përqark
Po presim tok vitin e ri.
Po pse i ndjej gishtat kështu, si në gjak,
Dhe vera më ngjan helm e zi?

I zot’ i shtëpisë ngre brokën përplot
Dhe foli serioz, zemërgjerë:
‘Për tokën e fushës e pij këtë sot,
Ku do të shtrihemi të tërë’.

Po tjetri më pa në sy e pastaj
Ç’mendoi një zot e di pse
Këlthiti: “Të pimë për këngët e saj
Ku rrojmë të gjithë ne’.

I treti që s’dinte asgjë
Se kur shkoi ai nga kjo botë,
Atë ç’po mendoja zuri të thotë:
‘Ne duhet për atë që s’është më
Ta pimë këtë gotë!’

Kur Adelina Ismaili e përkrahte komunitetin LGBT

Këngëtarja Adelina Ismaili, përmes një statusi të gjatë në faqen e saj zyratre në Facebook, para dy vitesh pati treguar se i përkrahë homoseksualët dhe lesbiket. Sipas saj duhet të bëhet dallimi mes homoseksualëve dhe “paderave”.

Kjo deklaratë e saj bëhet më relevante pasi nesër në Prishtinë do të mbahet Parada e Krenarisë e komunitetit LGBT, për herë të parë.

Ky është postimi i këngëtares Ismaili:

Të mos ngatërrojmë gay-të dhe pederat…

Prej se di për vete, kam përkrahur LGBT-të. U kam kushtuar këngë në vitin 2002, dhe kam vazhduar ti përkrah me vepra (fshehtas, natyrisht) e pafund intervista (publikisht, natyrisht) të cilat vazhdojnë të jenë të cenzuruara në medium i cili transmetonte këngë bullagro/sërbe të perkthyera shqip dhe këtë nuk e shohin si rrezik, por e promovojnë si vlerë kulturore shqipe. Sepse kam guxuar dhe i shoh gay-të, lezbiket, biseksualët dhe transeksualët si absolutisht të barabartë me gjithë të tjerët.

Nuk e shoh të domosdoshme të tregoj pse, mjafton një google search (për ata që librin e shohin si dekor vitrinash) të kuptojnë se sa vlera i kanë dhënë njerëzimit. Për mua nuk është frustuese, sa e quditshme që kjo temë është njëfarë teme (gjoja se) taboo në Kosovë. Nejse… Shokët më të mirë në jetë i kam pasur gay.

Të vetmit që e kanë ditur çka është pedikyri, zbardhimi i dhëmbëve, trendet botërore dhe Chanel-i e Versace në Kosovë në vitin 1994.Kam mësuar çka është origjinaliteti, kreativiteti, kualiteti dhe më së shumti individualiteti, nga këta njerëz më shumë sesa nga çdokush tjetër. Edhe kur më janë hidhëruar, më ka impresionuar dinjiteti dhe krenaria e tyre e cila kurr nuk më ka ngacmuar mua, por e kanë kthyer në sukses të tyre.

***

Mbi 13 vite kam treguar pse janë më të sukseshëm, eh pse dikush ka vrapuar në panikë t`i asgjësojë ato intervista e këngë, as nuk e di e as nuk më intereson. Të përkrahësh LGBT nuk është trend. Nuk është diçka që sot e bën, nesër e harron. Secili nga ne mund ta ketë prind, vëlla, djalë, vajzë që është gay, lezbike, biseksual apo transeksual.

Po, janë pjesë e jetës sonë, dhe kanë kontribuar në art më shumë e më mirë se të gjithë ata `far “normalët” që i njoh. Por… të mos ngatërrohen me “pederat e flliqt” dhe “transat e fshehtë” ( fjalën “peder” e përdori vetëm si ofendim për meshkuj shpirt-ndyrë, “trans i fshehtë” për femra mendje-flliqta. Në vazhdim të shkrimit këto qenie do ti përshkruaj si PFF.) Ata janë të rrezikshëm! Edhe ata janë pjesë aktive e shoqërisë sonë.

Zakonisht i hasim si qenie të frustuara, që bejnë jetë të dyfishtë (e më shumë), madje janë të martuar/a e me fëmijë, dhe për qudi zakonisht kanë dashnorë ( kryesisht meshkuj) në qarqet më të rrezikshme të kriminelëve. Ok, unë kurr nuk e kam kuptuar lidhjen emocionale, e posaqerisht atë seksuale mes kriminelëve dhe pederave të flliqt, por ata ekzistojnë. Madje, për fatkeqësi, shpesh janë në qarqet e larta të shoqërisë kosovare.

Eh, ata ju afrohen gjithmonë të parët, ju vardisën deri në shkallën kur nuk mund ti refuzoni (cili njeri refuzon t`ia pastrojë dikush këpucët! ), nëse jeni qenie njerëzore ju ndjeni keqardhje për ta sepse ju ankohen që kanë jetë të mjerë dhe ekzistenca e tyre e tutjeshme varet nga mëshira juaj, por janë mjeshtër të befasive. Janë mazokistë të papërmirësueshëm, por specialiteti i tyre është të sulmojnë femra të arrira, meshkuj të suksesshëm dhe në veqanti i sulmojnë… gay-të! ( sipas formules “Do të gënjej për ty, sepse ti një ditë mund ta tregosh të vërteten për mua” ) .

Ata kthehën në kopjet më qesharake të sadistëvë, nëse ju refuzoni të jeni shoqëri e kriminelëve të tyre. PFF-të ju afrohen butë e butë, por kafshojnë! Nuk arrijnë kurrë të kafshojnë më lart se bötha juaj, por kafshimi është kafshim, dhe ju sigurisht nuk ndjeheni rehat nëse dikush iu sheh duke ecur me një zvarranik të ngjitur përfundi shpindës suaj.

Ata shesin trupin e tyre për parà, shesin jetën e tyre pastaj të çdokuj, kanë një specialtitet të quditshëm të organizojnë përdhunimet grupore të femrave, degradimin seksual të meshkujve dhe fushata çnjerëzore kundër njerëzve që shikojnë punët e veta, në përgjithësi. Pederat e flliqt dhe transat e fshehtë jetojnë në hijën e jetës suaj më së shumti atëherë kur ju nuk e njihni apo keni harruar ekzistencën e tyre. Ata kurrë nuk lodhen duke ju sulmuar, sepse ajo është e vetmja mënyrë që ju mos ta kuptoni kush janë dhe çfarë bëjnë ata. Nëse ndonjëherë e kuptoni, ju do ndjeni keqardhje që keni urryer qenie aq të mjera-mos harroni, jeta e tyre është më e tmerrshme sesa që ju mund ta dëshironi.

Transat fshehtë janë zakonisht qenie të cilat na mashtrojnë që janë femra, i shohim si femra pas moshës së tyrë 18 vjeqare deri kah 45-50, por kujdes… Nejse, kjo temë për transat e fshehtë një herë tjetër… Këto qenie nuk janë LGBT. Hiq, kurr. Janë vetëm pedera të flliqt e transa të fshehtë që sëmundjet e tyre i mbrojnë dhe fshehin duke u futur në gjirin e disa kriminelëve budallenj. Janë mjeshtër në mashtrim, dhe nëse jeni njeri i shëndoshë mentalisht, pa komplekse dhe me një jetë të lumtur, sapo jeni bërë mbreti/mbretëshesha i /e tyre. Të tillë ka shumë në Kosovë (dhe në çdo vend tjetër) por kush janë ata, emrat dhe mbiemrat e tyre, çfarë bejnë, për ketë njëherë tjetër.

Nëse ne, ju, LGBT-të dhe shumica përdhosemipa i bërë askujt keq, pa i ngrënë bukën askuj, pa ngacmuar njeri, pa vjedhur e pa gënjyer, pa asnjë arsye…pse të mos i humbim ca minuta për të ekspozuar pederat e flliqt dhe transat e fshehtë, me shumë arsye?, shkruan Adelina, Transmeton lajmi.net

P.S: Harrova ta shkruaj që pederat e flliqt dhe transat e fshehtë jetojnë/vjedhin nga puna juaj por kurrë nuk e humbin shansin ta quajnë vetën shërbëtorë të Princit… (Mbreti jeni ju në botën e tyre, deshët e s`deshët .)

Në ndonjë shkrim tjetër ose këngë tjetër: Si ti njihni PFF-të dhe si të shpëtoni nga PFF-të.

Adelina Ismaili.

Thethi, bukuria shqiptare në të katër stinët (FOTO)

Në bukuritë e rralla të vendit tonë, futet dhe Thethi.

Kjo luginë e bukur në veri të Shqipërisë pret vizitorë në të katër stinët.

Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në Veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 metra mbi nivelin e detit.

Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh e pyllëzuar dhe e ruajtur mirë nga dëmtimet.

Lugina e Ththit, këto ditë ka rënë pre e “flakëve” vjeshtore.


Natyra e gjelbëruar e luginës është përflakur nga e kuqërremta e gjetheve vjeshtake që bëhen gati të shkëputen nga degët për të shtruar nën këmbët e tyre një qilim vjeshtor.

Peizazhi merr një pamje mahnitëse.

Vjeshta është një tjetër stinë ku Thethi pret vizitorët e peizazhit. Së shpejti aty do të mbretërojë bardhësia e borës për të filluar një tjetër stinë turistike. / KultPlus.com

Rita Ora do të na befasojë në MTV EMA 2017

Këngëtarja shqiptare Rita Ora ka premtuar disa befasi më 12 nëntor, në ceremoninë e MTV Europe Music Award.

Rita, e cila përpos që do të udhëheqë ceremoninë dhe do të sjellë disa performanca, është e nominuar për “Pamjen më të mirë”. Aty ajo garon me Dua Lipën.

“EMA 2017, shihemi më 12 nëntor!!! Udhëheq dhe performoj me një grumbull befasish”, ka shkruar ajo në Instagram. / KultPlus.com

Driton Selmani, me syrin e kaltër në Festivalin e Dritës në Amsterdam

Arbër Selmani

Në shumicën e herëve, zgjohemi në mëngjes me zërin e alarmit dhe të njëjtën procedurë e përsërisim çdo natë, për mëngjesin tjetër.

Gjithçka duket normale deri në pyetjen: sa ndihen të ngujuar në këtë shprehi njerëzit? A po e humbasim esencën e ekzistencës sonë në kohën e këtij lloj komunikimi të ri?
‘Eye to Eye’ vë në dyshim ekzistencën tonë, duke qëndruar si monument për të na lidhur ne-me-ne përsëri, në formën më primare të mundshme – dritën.
Vepra e shpalos veten si një ftesë e hapur për një përvojë sy më sy me mikun e saj të ri – qytetin e Amsterdamit.
Puna e Selmanit do të vendoset në Amstelsluizen, në digat e lumit Amstel të ndërtuara në vitin 1674 dhe të mbrojtura nga UNESCO si trashëgimi kulturore me vlerë te lartë.

Drita që vepra ‘Eye to Eye’ emeton shërben si strehë shpirtërore për vizitorët, Sidoqoftë, kjo do të jetë një platformë që vizitorët të vëzhgojnë më tej dhe të hapin nivele të reja të kuptimit.
Duke qëndruar si vegël për një eksperiencë intime të të menduarit.

Festivali fillon me 20 nëntor e zgjatë deri në janar të vitit tjetër.

Rreth 35 punë artistike do të ekspozohen nga artistët si Ai Weiwei, Peter Vink, Vinny Jones, Helmut Dick, Lidy Six, AlexP, Nick Verstand & Sjoerd Ter Borg, Bas Peeters, Verena Hall, Ben Zamora, Claudia Reh e artistë tjerë

Vepra e artistit Ai Weiwei, ndër artistët më të njohur momentalisht në botë, do jetë e vendosur në paralele me punën e Selmanit në këtë organizim dhe duket se të dyja kanë lidhje dhe janë politikisht të përafërta me njëra tjetrën.

“Është një pjesëmarrje shumë e rëndësishme për mua, ndërsa puna ime është “comissioned work”, ose më mirë të them është më pas pronë e festivalit Amsterdam Light Festival” tregon Selmani, duke mos zbuluar më shumë deri në hapjen e festivalit dhe ekspozimin e punës së tij në këtë edicion tjetër të festivalit.

Ky do të jetë edicioni i gjashtë i festivalit, kësaj radhe me temën e “ekzistencializmit”. Kuratori Lennart Booij tregon se inspirimi për këtë temë si fokus të këtij edicioni vjen si rezultat i panikut e shpesh edhe ankthit që përjeton njerëzimi prej ndryshimeve globale.
Pasi drita ka potencialin të krijojë, të japë formë, të bëjë nxehtësi e të krijojë lidhje, do ti bëjë njerëzit më të vetëdijshëm rreth pozitivitetit brenda ekzistencës së tyre.

Driton Selmani është artist i njohur për punët “Call it fate, Call it Karma!”, “I, Why, Why ?”, “,They say you can’t hold two watermelons in one hand”, “Tell me where I am from?” dhe punë tjera artistike. / KultPlus.com

Kërkohen autorë e eseistë shqiptarë për projektin ‘Reading Balkans 2018’

Asociacioni kulturor KROKODIL nga Beogradi fton edhe artistët shqiptarë dhe ata kosovarë për aplikim në rezidencat letrare të cilat do të zhvillohen në disa qytete të rajonit dhe Ballkanit.

Programi letrar “Reading Balkans 2018” fton shkrimtarët, eseistët, dramaturgët nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Bullgaria, Romania, Serbia, Bosnja e Maqedonia të aplikojnë për rezidencë që nënkupton qëndrim 4 javor në rezidencën specifike, me të gjitha shpenzimet e mbuluara.

Rezidencat do të mbahen në Slloveni, Serbi, Maqedoni, Kroaci, Tiranë, Prishtinë dhe në Sarajevë.
Shkrimtarët që duan të jenë pjesë e rezidencave, kuptohet vetëm njërës prej tyre, duhet të aplikojnë deri me 15 tetor në linkun poshtë, shkruan KultPlus.

Qëndrimi 4 javor nënkupton angazhim në jetën kulturore të qytetit ku realizohet rezidenca, dhe një pushim nga angazhimet në vendin prej nga vjen autori për tu inspiruar më pas nga një qytet tjetër.

21 autorë nga Ballkani do të jenë fitues, dhe gjithsej 21 rezidenca do të realizohen në të gjitha qytetet e lartpërmendura, nga tre autorë për secilin qytet. / KultPlus.com

https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSc8jzVqJAhdKaIiM3ovAlVmCLL-LjNucBVkp7NTnzbV1i5Kjw/viewform

Jo shumë klikime e shikime në javën e parë të lansimit të “No I Love Yous” nga Era Istrefi

Kënga e re e Era Istrefi, e lansuar me datë 29 shtator, në bashkëpunimi me French Montana, duket se ka marrë jo aq shikime e klikime sa pritej në Youtube.

Vetëm 3 milionë shikime kënga i ka marrë në javën e parë derisa ka komentues të cilit thonë se prisnin më shumë. Duke konsideruar klikimet për këngët tjera të Erës, kjo këngë duket se ende nuk ka depërtuar mirë në veshin e fansave të saj.

Bashkëpunimi me French Montana duket një hap i mirë për karrierën e Erës, së cilës i mjaftoi një këngë për tu futur në tregun e hiteve evropiane, madje edhe botërore, me një këngë në gjuhën shqipe.

“No I Love Yous” titullohet kënga ndërsa në videoklip Era vjen si gjithmonë e freskët dhe me një dukje unike prej këngëtareve tjera në estradë. / KultPlus.com

Ti je e mirë, dashuri

Poezi nga Marina Ivanova Cvetajeva / Përktheu: Qazim Shemaj

Dhe e putha djaloshin në kokë,
S’ia gjeta dot buzën, s’e di!
E prapë siç dihet me kohë,
Ti je e mirë, dashuri.

Një çikëz verë të gëzuar
Dhe tej e hedh qyrkun, e flak,
Oh, siç është thënë e shkruar,
I çmendur do ndizesh ti, gjak.

Veç , jo-për kohën që patëm
Dashuria s’u bë dot grua!
Vetë Venera, si mori sëpatën,
Shkrepën ashkla kudo në katua.

Me ferrin me akull e murtajë,
Me dimrin vuri kurorë.
Dashuria dy krahët e saj
I do me çizme të forta për borë.

Pa shih ç ’krijim i adhuruar,
Ti thurma litarin, se ç ’fat,
Dhe ulu sipas përvojës së shkruar
Siç shtrihet vajza në krevat.

Dhe mirupafshim vonë a herët,
Në prapë do shihemi tok,
Kur ne të mësojmë që djemtë
T’i puthim më mir’ se në kokë.

“Kismet”, dokumentari i përbashkët i grave shqiptare dhe serbe

Është një tregim për gratë nga Shqipëria e Serbia, i realizuar nga gra shqiptare e serbe të cilat besojnë se parakusht për progres e për paqe është bashkëpunimi i të rinjve dhe barazia gjinore.

Këto janë dy elemente kryesore të projeksionit filmik “Kismet”, i cili do të shfaqet në Qendrën Kulturore KC Grad në Beograd.

Dokumentari merret me jetën e tetë grave të cilat vijnë nga përvoja të ndryshme, por secila me një element të përbashkët: jetën në një sistem patriarkal, shkruan KultPlus. Sa jemi të njëjtë, sa jemi të ndryshëm? Pse një serb ka dëshirë ta mësojë gjuhën shqipe? Pse një shqiptare do të mund të martohej me një serb? Kush është armiku e kush miku?

A duhet vajzat e reja ta pranojnë “kismetin” e tyre apo duhet të luftojnë për diçka në jetë?
Dokumentari do të shfaqet me datë 11 tetor në ora 20:00, ndërsa është pjesë e projektit “Gratë e Shqipërisë dhe Kosovës: Ne mund t`ia dalim”. / KultPlus.com

Publikohet traileri i filmit norvegjez ‘Gjengangere’, pjesë e tij edhe aktori shqiptar Arben Bala (VIDEO)

Jeta Zymberi

Aktori shqiptar Arben Bala i cili karrierën e tij po e zhvillon në Norvegji, tashmë ka arritur të shndërrohet në një aktor mjaft të pëlqyer atje, kjo pasi ai është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve të famshme, duke arritur tashmë në atë pikë saqë të jetë ndër aktorët më të kërkuar sidomos kur bëhet fjalë për filma aksion, shkruan KultPlus.

Në filma ai e luan pothuajse gjithmonë karakterin e njëjtë. Fizionomia ja imponon që të marr gjithmonë role në filma aksion si “bad guy”.

Një karakter të tillë Bala do ta sjellë edhe në filmin e ri i cili do ta ketë premierën më datë 27 tetor në Norvegji. Bëhet fjalë për filmin ‘Gjengangere’ ku Arbeni luan rolin e një udhëheqësi të mafias shqiptare dhe në film prezantohet si shqiptar.

“Ky është filmi i parë që është realizuar me të burgosur në Norvegji. Është film që paraqet jetën e të burgosurve, sfidat, problemet dhe marrëveshjet që realizohen brenda burgut. Në këtë film jemi tri grupe brenda burgut, grupi i shqiptarëve, ai pakistanez dhe norvegjez dhe secili grup e ka bosin e vet, unë e udhëheq grupin shqiptar. Në këtë burg unë jam një personazh që kam më shumë autoritet dhe të gjithë të rinjtë që vijnë aty paralajmërohen të kenë kujdes nga unë. Emri im në film është Mirush Osmani”, ka treguar aktori Bala për KultPlus.

Tashmë është lansuar edhe traileri i filmit, ku në disa sekuenca shihet edhe aktori shqiptar.

Falë talentit dhe punës së madhe, Arbeni ka arritur të bëhet pjesë e filmave dhe serialeve të njohura norvegjeze si: Reprise, Blodsbånd, Ulvenatten, Dagbok fra baksetet, Mano dhe Lillebror (NRK), Dino e të tjerë. Deri më tani ai ka luajtur 15 filma dhe tani është në xhirime për filmin e 16-të dhe këtu duke mos i përfshirë rolet në teatër. / KultPlus.com

Nëpër të gjitha dyert ti më ike…

Poezi nga Louis Aragon / Përktheu: Anton Papleka

Nëpër të gjitha dyert ti më ike
Në të gjitha shkretëtirat më le

Në agim të kërkova dhe në mesditë të humba
Kudo që vajta ti nuk qe gjëkundi
Kush mund ta përshkruajë Saharanë e një dhome pa ty
Turmën e të dielës ku s’të ngjan askush
Një ditë më të zbrazët se moli që zgjatet në det
Heshtjen ku të thërras e ti nuk më përgjigjesh

Ti më le dhe njëherësh pranë meje ke mbetur
Më le gjithkund më ike nga sytë
Nga zemra e ëndrrave
Më le si një frazë e mbetur përgjysmë
Si një send i hedhur rastësisht si një karrige
Si një vend pushimi në të dalë të verës
Si një kartolinë e harruar në sirtar
Çdo gjest më shkëput nga ti
Si një gjethe që bie nga pema
Vështrimi yt mbi mua të gjorin
Qe një psherëtimë ku unë mungoja
Si nuk t’u dhimbs hija jote që te këmbët rrinte.

Rita Ora po e xhiron videoklipin e saj të ri në Nju Jork (FOTO)

Rita Ora është mbretëreshë e modës. Pos muzikës, shqiptarja është gjithmonë e vendosur dhe e suksesshme edhe në modë.

Ajo po e xhiron videoklipin e ri ndërsa po e bën gati edhe albumin e saj të parë në pesë vite. Ajo është parë në Times Square në Nju Jork por edhe në lokacione tjera, disa herë duke e ndërruar gardërobën, shkruan KultPlus.

Ende nuk janë zbuluar detaje tjera rreth videoklipit. Ka vetëm pak javë qëkur Rita e lansoi videoklipin e saj më të ri por duket se ajo ka plot energji dhe po punon me zell për albumin e saj.

Videoklipi për të cilin ajo po punon do të jetë pjesë e bashkangjitur e njërës prej këngëve të albumit. / KultPlus.com

Mos u dashuro…

Poezi nga MARTHA RIVERA GARRIDO / Përktheu Aida Baro

Mos u dashuro pas një gruaje që lexon,
pas një gruaje fort të ndjeshme,
pas një gruaje që shkruan.
Mos u dashuro pas një gruaje të mençur,
magjistricë, të krisur, të marrë.
Mos u dashuro pas një gruaje që mendon,
që e njeh botën,
e zonja për të marrë krahë.
Pas një gruaje besimplotë në vetvete.
Mos u dashuro pas një gruaje që qesh
a qan tek bën dashuri, që di
të shndërrojë shpirtin e saj në mish,
sidomos pas një gruaje që dashuron poezinë
(ato janë më të rrezikshmet),
a pas një gruaje që mund
të rrijë gjysmë ore para një tabloje e s’jeton dot pa muzikë.
Mos u dashuro pas një gruaje energjike, të hareshme,
të kthjellët, rebele, moskokëçarëse.
Mos të qëlloftë të dashurohesh pas një kësi gruaje,
se kur dashurohesh pas një gruaje të tillë,
në qëndroftë apo jo pranë teje,
në të dashtë apo jo,
një grua të tillë, s’e harron dot më.
Kurrë!

Sonte në Rockuzinë do të performojë BB Poqi dhe Armadillo Band

B.B Poqi ka realizuar shumë këngë dhe shumë albume të cilat u bënë hite të mëdha në rajonin ku flitet shqip.

Këngëtari dhe autori i shumë këngëve, i cili fillimisht formoi bendin “Babillon“ me të cilin i incizoi disa këngë si “Babillon“, “Ti je një iluzion“, “Edhe një natë si kjo“ dhe e fundit “Diku pranë shtëpisë time“, më vonë ai u nda nga bendi dhe vazhdoi karrierën si solo këngëtar dhe herë pas here në bashkëpunim me band-in tjetër “Armadillo Blues Band“.

Sonte BB Poqi do të performojë në Rockuzine bashkë me Armadillo Band duke filluar nga ora 21:00. / KultPlus.com

Zjarr në ndërtesën e Universitetit të Prishtinës

Flakë të mëdha e kanë përshkuar para pak minutave fasadën e jashtme të një objekti të një fakulteti të Universitetit të Prishtinës, afër Institutit Albanologjik.

Ekipet e zjarrfikësve kanë ardhur në vendin e ngjarjes dhe janë duke bërë përpjekje për ta shuar zjarrin, transmeton kallxo.com.

Sipas dëshmitarëve të rastit, nuk ka të lënduar mirëpo vetëm dëme materiale.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ekipet policore dhe zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes.

Sipas saj, sapo e kanë marr informatën në orën 15:20 policia ka dal në vendin e ngjarjes.

“Dëme materiale ka, mirëpo për të lënduar ende nuk është raportuar”, ka thënë Ahmeti.

Në Prishtinë një ekspozitë për Robert Elsie, institucionin e studimeve të gjuhës e kulturës shqipe

Arbër Selmani

Një jetë e tërë kushtuar gjuhës shqipe nuk është pak. Sidomos kur ky përkushtim ka qenë serioz, profesional, me gatishmëri që të studiohet secila skutë e gjuhës shqipe, e kulturës dhe letërsisë së saj, secili tis i vogël që pa dashje mund ti ketë ikur një tjetër studiuesi a dijetari.

Albanologu Robert Elsie ishte i tillë. Bektashinjtë thonë se edhe 40 ditë pas vdekjes, ende i vdekuri është me ne, akoma nuk vdes shpirti i tij. Albanologu që ndërroi jetë para pak ditësh, duke lënë kësisoj disa projekte në gjysmë e disa ekspedita e hulumtime që i nisi e nuk i përfundoi kurrë, u kujtua sot me një ekspozitë dhe me një mbledhje përkujtimore në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës – “Pjetër Bodgani”.

Ata që e lexuan Elsien, të tjerë që do ta lexojnë në të ardhmen, edhe pse jo në numër të kënaqshëm sikundër kur dikush vdes dhe të gjithë bëjmë hov ta nderojmë shpesh në mënyrë artificiale, mund të njoftoheshin në këtë ekspozitë në hollin e Bibliotekës me intervistat, botimet, deklaratat e fuqishme gjithmonë pozitive krahas shqiptarëve nga albanologu britanik. Kopjet e Lahutës së Malësisë të cilën Elsie e përktheu me mund e me zemër, Këngët e Kreshnikëve, poezitë e Ali Podrimës, legjendat dhe mitet shqiptare, të gjitha u shpalosën për publikun.

Në anën tjetër, në mbledhjen përkujtimore, Muhamet Hamiti tregoi edhe njëherë për vlerat e Elsie, për dëshirën e tij për ta afirmuar gjuhën shqipe kudo në botë, shkruan KultPlus.

“Robert Elsie ka punuar në dokumentet themelore të kulturës shqiptare. Për “Lahutën e Malsisë” ai thoshte se është kontributi i parë që gjuha shqipe i dha letërsisë botërore. Sot po e nderojmë figurën e tij, me ikjen e tij të hershme. Me rreth 60-të libra e me artikuj të ndryshëm, në shqip e në anglisht e gjermanisht, ai ka dhënë kontribute të vlefshme diturore, bile edhe për disa vite në Seminarin e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare në Prishtinë” ka treguar mes tjerash Hamiti, i cili e ka njohur Elsie me anë të misionit të tij diplomatik si Ambasador i Kosovës në Londër, ku Elsie e kishte vizituar në ceremoninë e dorëzimit të kredencialeve tek Mbretëresha.
Arsim Canolli e quajti përkthimin e Elsie një përkthim institucional, aspak mekanik, të rastësishëm apo si rezultat i ndonjë kërkese miqësore.

“Përkthimi i tij është përkthim institucional, në sensin e krijimit të një atlasi të trashëgimisë letrare shqiptare dhe asaj shpirtërore. Si linguist i ri, duket se ai u mbërthye menjëherë nga sensi albanologjik dhe kësisoj, në një jetë të tërë kushtuar gjuhës shqipe, ai i dha bibliotekës botërore e cila më shumë ka botime në anglisht, përkthime të autorëve të traditës shqipe dhe përkthime të krijimtarisë popullore, nga Këngët e Kreshnikëve e deri te Këngët e Arbëreshëve” tregon Canolli në këtë mbledhje përkujtimore.

Diku në një intervistë të moçme të Elsie, ai tregon se interesimi i tij për shqipen nisi kur njoftoi disa studentë nga Kosova në një stacion treni në Lucern të Zvicrës. Nga aty, ai vjen e njoftohet për së gjalli më shqiptarët rreth viteve 70-të, e ky do të ishte momenti vendimtar që ai të bëhej një me gjuhën shqipe dhe të provonte ta tejkalonte atë, mjeshtërisht.
Në një tjetër intervistë, ai thotë se dëshiron të jetë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Me datë 10 janar 2001, për Bota Sot ai thotë “Nuk dua më shumë në jetë sesa të shoh Kosovën e lirë, pas kaq shumë viteve të tmerrit”.

Bejtullah Destani, studiues dhe një dorë e djathtë e Elsie në shumë projekte, e pati të vështirë të fliste shumë për punën e Elsie, por tregoi se trashëgimia e tij nuk njeh kufi. Dyshja janë takuar në vitin 1994 dhe kanë bashkëpunuar deri kur Elsie ndërroi jetë.

“Ai ka dashur të shkruante për shumë çështje shqiptare. Më tha se duhet të shkruajmë dicka për Çamërinë, pasi çështja çame është me rëndësi shkaku i vuajtjeve të popullit. “Lahutën e Malësisë” tha që e ka të vështirë ta përkthente por e bëri një gjë të tillë pas disa vitesh, me ndihmën e disa miqve në Nju Jersey. Besoj që shumë shpejt do të botohen edhe veprat tjera të cilat ai i nisi e nuk mundi ti përfundonte” tregoi Destani.
Robert Elsie ndërroi jetë me datë 2 tetor. / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë solli klasicizëm e muzikë moderne në Kishën Shën Ndou

Arbër Selmani

Të gjithë sytë janë të drejtuar kah konstrukti i tij, derisa të njëjtit sy provojnë kontaktin me audiencën, magjinë e Kishës së bukur, unisonin me kolegët e tjera, herë herë kthehen tek fletët në duar ku janë partiturat dhe notat e shkrira, dhe prapë kthehet tek ai. Tek Astrit Pallaska.

Duart e tij, në anën tjetër, janë vetëm përkthimi i veprave që ai do ti dirigjonte për koncertin e mbrëmshëm të Korit të Filharmonisë së Kosovës. Emocione e ndjesi të ndryshme mbrëmë u transmetuan në Kishën Shën Ndou në Prishtinë, me karriget e mbushura e njerëz, nga ky Kor dhe Pallaska si dirigjent.
Nisi me “Locus Iste” nga Bruckner e vazhdoi me Crucifixus nga Antonio Lotti. Nga Eric Ëhitackre, kompozitor i njohur dhe i ri në moshë nga Amerika i njohur për kompozimet e tij për Kor dhe Ansambël e Orkestër, formacioni solli “Sleep”, ndërsa vepra e shqiptarit Drinor Zymberi erdhi fuqishëm e u duartrokit shumë, nën titullin “Shkoni krushqi”.

Kompozitori Drinor Zymberi thotë se koncerti i mbrëmshëm ishte i një dimensioni më të madh dhe se është nevojitur një përgatitje që programi muzikor i tillë të përballohet.
“Për mua ishte ndjenjë e mirë, secili kompozitor frymëzohet me kriju prapë kur sheh një interpretim të veprës së tij nga një Kor si Kori i Filharmonisë së Kosovës. Unë mund të them që ky Kor është model për tërë rajonin për nga interpretimi” tregon Zymberi.

“Shkoni krushqi” erdhi mbrëmë si premierë për prishtinasit, derisa vepra është interpretuar më herët në Maqedoni, në Bullgari në Shqipëri dhe në Kosovë, jo në kryeqytet.

“Ky ishte koncert i një dimensioni tjetër. Ishte një bagazh i ngjeshur i veprave dhe besoj se dirigjenti, me punën e madhe dhe përgatitjet që ta përballojë një program të tillë, në fund ia doli me sukses misionit të tij” tregon Zymberi.

Koncerti i Korit të Filharmonisë së Kosovës kësisoj erdhi mbrëmë me koncertin e parë të sezonit të ri, me vepra të muzikës vokale nga periudha të ndryshme. Një këngë popullore braziliane – “Muie Rendera” nga Carlos Alberto Pinto Fonseca e vijoi programin, deri në veprën kulminante të këtij koncerti “Sunrise Mass” – një meshë simfonike për kor dhe orkestër harqesh e kompozuar nga Ola Gjeilo. Vepra është kompozuar në vitin 2007 ndërsa premiera e saj u dha në Oslo, një vit më vonë. Kompozitori Gjeilo, në intervistat e tij në të kaluarën thotë se konsideron veten si kompozitor simfonik, pasi ai synon gjithmonë zërin orkestral, pa marrë parasysh sa të vogla janë në numër anëtarësh ansamblet që e performojnë punën e tij.

Astrit Pallaska, dirigjenti i natës, në këtë herë të parë të tijën duke dirigjuar Korin e Filharmonisë së Kosovës, pati detyrën e rëndë mbi supe. Duartrokitjet në fund sikur ia konfirmuan suksesin e natës.
“Është punuar me dashuri, me përkushtim e me devotshmëri dhe jam i privilegjuar e i kënaqur për këtë bashkëpunim me institucionin që është kulminacioni i artit muzikor në Kosovë. Ishte hera e parë për publikun dhe shpresoj që edhe ata e kanë pëlqyer. Në pjesën e parë sollëm pak a shumë epoka të ndryshme muzikore, që nga viti 1500 e deri në kohët moderne, ndërsa vazhduam me klasicizëm e me muzikë moderne. Për mua ishte bashkëpunim me Korin e Filharmonisë, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme” tregon Pallaska.

Profesoresha Besa Luzha thotë se koncerti erdhi i përthekuar mirë dhe se Astriti si dirigjent tregoi që premton shumë.

“Astriti ka qenë student i imi ndërsa sot tregoi se ky është një hap i mirë prej një dirigjenti që premton shumë. Zgjedhja e veprave më pëlqeu, duke marrë parasysh që kishte edhe një vepër shqiptare, të cilën kompozitori e kishte punuar mjeshtërisht” tregon Luzha.

“Në mungesë të sallës koncertale megjithatë në Kishë gjithmonë akustika është e mirë dhe të jep përshtypje të ngrohtë” vazhdoi Luzha.
Pallaska, dirigjent i natës, ka lindur në Gjakovë ndërsa në vitin 2004 e ka formuar korin e fëmijëve të qytetit dhe me vite të tëra ishte aktiv me pjesëmarrje të ndryshme bashkë me korin. Mes tjerash, ai është themelues I ansamblit vokal “Za” dhe deri tash ka pasur paraqitje në Maqedoni e në Francë. / KultPlus.com