Të dielën, akademi dhe ekspozitë në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës

Me rastin 90-vjetorit të nisjes së Shën Nënë Terezës (1910-1997) në Indi dhe 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Ipeshkvia e Kosovës organizon Akademi kulturore – shpirtërore dhe Ekspozitë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut: ekspozitë me dokumente“ (e përgatitur nga studiuesi Dr. Gjon Berisha).

Akademia do të mbahet të dielën, më 26 gusht 2018, ora 19:00 në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Ky event kulturor-shpirtëror organizohet në ditën e lindjes së saj, me të cilën fillojnë ditët tradicionale të Nënë Terezës, që do të zgjasin deri më 5 shtator, në ditën e festës së saj.

PROGRAMI

Këngë: Gjon Gjevalekaj, “Nënës së Mirë” – këndon Adelina Paloja

Poezi:

Nënë Tereza, “Urata për ata që s’dinë të luten” – interpreton Lumnie Sopi
Nënë Tereza, “Lamtumirë” – interpreton Lumnie Sopi
Imzot Dodë Gjergji, Fjalë përshëndetëse

Këngë: Lorenc Antoni/Genc Tokiçi, “Lamtumirë/Valsi hyjnor” – këndon Adelina Paloja

Poezi:

Nënë Tereza, “Urata për shërbim” – interpreton Bislim Muçaj
Nënë Tereza, “S’ka rëndësi” – interpreton Bislim Muçaj
Don Lush Gjergjit, Thirrja e Gonxhe Bojaxhiut dhe nisja e saj për misione në Kalkuta të Indisë

Këngë: Pjetër Gaci, “Për ty atdhe” – këndon Adelina Paloja

Poezi: Ismail Kadare, “Portreti i Skënderbeut” – interpreton Bislim Muçaj

Ekspozitë

Dr. Gjon Berisha, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeut sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut: ekspozitë me dokumente“ (përgatitur nga Gjon Berisha).

Pas vizitës së ekspozitës, pjesëmarrësit do të jenë të ftuar në një koktej rasti në oborrin e Katedrales.

Tomislav Lulzim Perushiq: Në Serbi flitet vetëm për ndarjen e Kosovës

Derisa në Kosovë po debatohet për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshje përfundimtare, juridikisht të obligueshme, sipas studiuesit Tomislav Lulzim Perushiq, në shtetin serb debati po bëhet për diçka tjetër, ndarjen e Kosovës.

Sipas Perushiqit, atje nuk mendojnë se duhet të bëhet korrigjimi i kufijve, porse ndarja e saj.

“Në Serbi nuk flitet për shkëmbimin e territoreve, flitet veç për ndarjen e Kosovës më së shumti, do të thotë marrjen e veriut të Kosovës. Mendoj që shkëmbimi i territoreve është diçka shumë e komplikuar dhe shumë e rrezikshme sepse bëhet një precedent për ndarjen e shteteve, jo veç në rajon por edhe më gjerë. Qeveria e Serbisë, mendoj që ka për qëllim jo tamam me e marrë pjesën e Kosovës sepse bëhet fjalë për një pjesë të vogël, por e kanë për qëllim Bosnjën, ndarjen e Bosnjes dhe të ashtuquajturës ‘Republika Srbska’ që u krijua në 92-ën”, tha ai.

Perushiq, i cili po ndjek ligjëratat e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në Prishtinë, shpreh frikën e tij se me lojërat politike që po bëhen, rrezikon një ‘spastrim i mundshëm etnik’.

“Kosova është Kosovë dhe duhet me e pranu kështu. Duhet me u marrë më shumë me çka ka ndodhë gjatë luftërave, me viktimat e luftës, me të pagjeturit. Krejt këto janë lojëra politike që i bëjnë dëmë jo veç popullit shqiptar por edhe popullit serb, se veriu i Kosovës nuk është i banuar vetëm me serbë, ka edhe shqiptarë aty… Po ashtu, në luginën e Preshevës nuk ka vetëm shqiptarë, ka edhe serbë që jetojnë aty. Kjo do të thosha që edhe një pastrim etnik do të ndodhë nëse shkëmbejnë territoret. Mendoj se shqiptarët e veriut do të largohen me u shpërngul në jugw, serbët e luginës po dojnë me qëndru në Serbi. Mendoj se është shumë e rrezikshme”, thotë ai për KosovaPress.

Shprehja e bindjeve të tij politike, sipas studiuesit të gjuhës shqipe nuk është aq e lehtë në Serbi, pasi që folësi mund të përballet me një mori paragjykimesh.

“Unë nuk foli shumë për politikë me shoqërinë time. Unë e di se me kë mundëm me fol dhe me kë jo, sepse ka shumë njerëz kokëfortë dhe nuk ndryshojnë mendimin… Unë veç iu tregoj se shqiptarët janë njerëz sikurse krejt të tjerët dhe që janë shumë mikpritës. Bile nga përvoja ime, mendoj se shqiptarët kanë më pak paragjykime ndaj njerëzve sesa njerëzit në Serbi”, tregoi ai.

Sipas tij, njohja e ndërsjellët e gjuhëve do të bënte që shqiptarët dhe serbët të komunikonin më shumë mes vete, gjë që gradualisht do të normalizonte raportet mes tyre.

Tomislav Pereshiq është nga Subotica dhe ka raporte shumë të mira me shqiptarët sa që atë e thërrasin me emrin shqip, Lulzim. Ai thotë se një ditë do të shpërngulet në Prishtinë pasi dëshiron të studioj këtu. / KultPlus.com

Nënat që varrosën fëmijët e tyre, Presidenti Meta në Kampin e Tepelenës

Kampi i Tepelenës ruan qindra histori të dhimbshme, por ajo e Drande Jakjas, e cila jetoi edhe gati 70 vjet të tjera pas vdekjes së të birit është nga ato ku zemra kur i dëgjon nxjerr klithma lebetitëse.

Historia e Drandes do të ruhet në shekuj, pasi është një histori makabre, dhimbjeje dhe nderi. Ajo u dekorua dje pas vdekjes nga Presidenti Ilir Meta, pasi ruajti 7 javë pranë vetes trupin e pajetë të të birit në kampin e Tepelenës.

Kreu i Shtetit në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare u ndal në Tepelnë, ku u organizua Dita Muze/Memorial. Në prani të të mbijetuarve apo të të afërmve të viktimave të përndjekjes komuniste, Meta nderoi me Titull për Merita të Veçanta Civile, disa nga simbolet e mbijetesës dhe të dhimbjes. Mes tyre janë tri nëna, që jeta u rezervoi fatin e tmerrshëm, të varrosin e zhvarrosnin me duart e tyre fëmijët e mitur, që vdekja ua mori në kampet e shfarosjes.

Në ceremoninë e zhvilluar dje në mbrëmje në Tepelenë, Presidenti i Republikës dekoroi dy gra malësore, dy gra të forta, që nuk u ndalën për 55 vjet, deri sa rigjetën eshtrat e bijave të tyre të vdekura në Turan të Tepeleës.

Ato janë Gjelë Gjikola dhe Mrikë Gjikola që humbën fëmijët 3-vjeçarë në internim. Fëmijëve iu sigurua një vend prehjeje i identifikueshëm dhe pas gjysmë shekulli, nënat e tyre rifituan të drejtën për ta kujtuar fëmijën njerëzisht. Historia e Drande Jakjas, e dekoruar pas vdekjes, ka rrëqethur këdo që e ka dëgjuar. / Gazeta Shqip / KultPlus.com

‘Ju rrugaça sallahana, vagabonda shakllabana’

(At GJERGJ FISHTA, Gomari i Babatasit, Metamorfoza)

Ju rrugaça sallahana
vagabonda shakllabana
rriçna t’ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t’na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m’do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me ‘i gjysmë setre t’pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me ‘i komçë t’njtitme nën grykë:
pantallonat me “gjyslykë”
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t’tanë gordec e berbalec
pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,
me ‘i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t’gjith njerzisë…
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi “Skandërbeg”,
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n'”smoking”, tash në “bon-jour”
ju, qi dje s’kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m’sahan t’huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m’pash,
edhe besa me “gulash”
me “afishe” e me “sultjash”,
me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
“kosha gjelash” si kubure,

“tarator”, “pilaf me kos”,
“mish me qepe” e “majdanos”
“shish qebap”, “brizholla viçi”,
“kunguj t’mbushum”, “kuzuici”,
“kabuni”- e “mualebi”.
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t’Atdheut
kane ra n’luftë si shqipe t’leta,
kanë shkri gja e shpija t’veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n’vend qi ju me u vu n’konop,
a se brinjt m’jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m’ndo ‘i prrue
për me shtrue ndo ‘i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo ‘i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m’ju si t’ishi ogiça,
për me u pri udhës s’qytetnisë
e me i sjellë t’marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi “shqiptarë” vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo ‘i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s’po e gjeni dot,
nën kambë t’cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m’palc,
pleh i ndytë me u bartun n’shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.

Vera Ora vazhdon angazhimin në kampanjën ‘Bëhu zëri im’

‘Bëhu zëri im’ – është kampanja përmes së cilës synohet përkrahja për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Vera Ora, nëna e këngëtares së njohur Rita Ora, po e vazhdon kësisoj angazhimin e dy grave të fuqishme të familjes për këtë kauzë të veçantë.

Ora kësisoj ka takuar njerëz të fushës duke e vazhduar kësisoj kontributin e Ritës në këtë kampanjë që ndihmon largimin e stigmës.

“Jam e lumtur që po ndaj njohurinë time rreth shëndetit mendor dhe përvojën e kësaj fushe me gratë në Angli” ka shkruar Vera Ora në rrjetin social Facebook.

Ajo është takuar me Sebahate Pacollin, Erëmirë Berishën, Feride Rushitin dhe Chablise Stoner në Prishtinë.

Rita dhe Vera njihen për angazhimin e tyre në adresimin e çështjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës që Serbia bëri në Kosovë. / KultPlus.com

Hashim Thaçi shpenzon mbi 1 mijë euro në çanta

Në gusht të vitit 2011, Zyra e Kryeministrit, Hashim Thaçi, kishte blerë nga “City Computer” pajisje teknologjike mbi 8 mijë euro, mes tjerash edhe 8 çanta të markës ‘Samsonite’ të cilat kanë vlerën mbi 1 mijë euro.

Më saktë, në specifikimin teknik të mallrave, thuhet se Zyra e Thaçit kishte blerë 3 çanta biznesi për dokumente dhe llaptop ‘Samsonite’, secila nga 169 euro, në total 507 euro. 2 çanta krahu për dokumente, secila nga 120 euro që në total bëjnë 240 euro. Si dhe nga një çantë: një çante bagazhi për rrugë 260 euro; një çantë krahu për dokumente dhe llaptop 179 euro; si dhe një tjetër cant bagazhi për rrugë 200 euro, të gjitha të markës ‘Samsonite’, por me specifika të ndryshme, shkruan Kallxo.com.

Këto çanta shkruhet se janë ‘shumë kualitative dhe elegante, si Samsonite ose ekuivalent’.

Të gjitha 8 çantat i kanë kushtuar arkës së shtetit 1 mijë e 386 euro.

Por, veç tyre janë blerë edhe 14 copë telefon ‘Nokia E72’, secili nga 269 euro, që në total i bie 3 mijë e 766 euro.

Është blerë po ashtu një llaptop 999 euro, si dhe tre mbështjellës për llaptop në vlerë 30 euro.

Në total kjo faturë i ka kushtuar kuletës së shtetit 8 mijë e 157 euro.

Kallamoqi s’ka sabër

Anton Çetta ishte njëri ndër intelektualët dhe folkloristët më të shquar në Kosovë. Kontributin më të madh e dha si profesor i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe si punëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Nga viti 1945 ai u morr intenzivisht me mbledhjen e krijimtarisë letrare gojore shqiptare, që u botua në disa vëllime e që paraqet një thesar të trashëgimisë sonë shpirtërore.

KALLAMOQI S’KA SABËR
(Ibërticë,Gollak)

Ni hoxhë,me nifarë tubimi,kish pasë thanë se veç me sabër u bahet ballë të tana punëve.Njani po i thotë:
-Veç ni punë,hoxhë efeni nuk ka sabër.
-Cilla?
-Kallamoqi,kur t’bahet m’u prashitë,s’ka sabër.

Mos u mëso me mua

Mos u mëso me mua.

Mos u mjafto.

Mos më merr për të mireqënë.

Ti e di, unë e dua jetën si e marrë. Mendoj shpesh sa shumë na jep, e sa pak i kthejmë. Ja dua ritmin e çmendur kryeqyteteve të zhurmshme, kaosit njerëzor. Prandaj e dua pasionin human, atë që i bën njerëzit të vrapojë, të realizojë ëndrra, të bëjë të pamundurën të mundur.

Jam tani këtu, mund të mos jem pas pak. Ose, ka akoma më shumë mundësi që ti të ikësh. Kështu që mos u mëso me mua.

Unë jam kaos që ka marrë formë humane për pak kohë. Flas me zë të lartë. Më pëlqen të ulem në rrugë e të qesh derisa të më dhembin brinjët. Më pëlqen të eci në shi. Po po, fiks si një fëmijë. I pabindur madje.

Mbetem në thelb një vajzë e vogël që trembet, se lëndohet kollaj, dhe e mban mend gjatë. Të kujtohet kur të thashë, do e shohim bashkë atë film dhe ti e pe vetëm? U mërzita. Se unë doja ta shihnim bashkë, por nuk ta thashë, se në të njëjtën kohë nuk më pëlqen të jem kaq lehtësisht e prekshme, kështu që shpesh dhimbjen e mbaj për vete. Në mënyrë që askush mos të jetë në gjendje ta përdorë.

Dua shumë herë të të kem pranë, e të të kem mbështetje, por nuk do të ta kërkoj. Kam frikë të mësohem me shpatullën tënde se ti një ditë do ikësh, se kështu ndodh gjithmonë.

Jam e lodhshme unë. Duhet të më ‘bezdisësh’ derisa të bindem që vërtet ke dëshirë të më dëgjosh e të kuptosh ça po ndodh me mua. Sepse e kam aq të vështirë të flas, sa kur nis ta bëj, do të thotë që kam vendosur të të jap versionin më bruto dhe të çiltër të vetes. Atë version që jo rrallëherë ja fsheh dhe vetë vetes.

Nxehem menjëherë. Fjalët më ngecin. Thyhem shpejt. Oh, ti nuk e ke idenë, sa pak duhet që të thyhem copash, se aq e brishtë jam, se aq shumë jepem kur zemra më udhëheq sipas rrahjeve. Nuk harroj pothuajse asgjë. Fal me shumë vështirësi. Sidomos kur merrem për të mireqënë. Jam telash i madh, po të mësohesh me mua, siç e shikon.

Nuk besoj. Pothuajse tek askush dhe askund. Besoj në yje ama, univers e qiell. Betohem e lutem në meteorë. Në fund të çdo dite ngre kokën në qiell dhe gjej domosdo një buzëqeshje për mua, edhe nëse sytë i kam me lot.

Kështu që shpesh do kërkoj ta mbyll ditën me një gjë hedhur krahëve, një gotë verë, dhe sytë në qiell. Nuk i dihet kurrë se kur mund të ndodh magjia. Me dorën tjetër ama, do dua të shtrëngoj dorën tënde.

Sigurisht, duke qënë kaq e vështirë vet, edhe kur dashuroj ndodh shumë rrallë dhe vështirë. Ama, për dashurinë rrezikoj gjithçka. Luaj me jetën si në poker për dashurinë, për ata njerëz që arrijnë të më ndezin dritën në shpirt. Për njerëzit që dua kam dalë edhe mbi frikërat e mia. Kam anashkaluar dobësitë e mia, kam injoruar ditët e mbrapshta. Do jem me ty sa herë të kesh nevojë, edhe në heshtje nëse do duhet. Thjesht do të të mbështes kokën në kurriz sa për të të treguar që jam aty, se për njerëzit që dua unë jam gjithmonë.

Ndodh të rrëzohem dhe mblidhem kruspull. Nëse ndodh që të më shohësh ashtu, do të thotë që ke ardhur shumë afër. Do të thotë që ndërkohë që ty të këshilloj të mos mësohesh me mua, unë tashmë jam mësuar me ty. Do të thotë që ti ke dashur aq shumë që unë të mësohem me ty.

Kështu që, më mëso atëherë të ndërtoj pritshmëri. Më ndihmo ta ndërtoj nga fillimi besimin. Nuk jemi akoma mbi tokë, duhet të kthehemi tek themelet, ato janë shembur komplet.

Kërkon shumë mund e nerva të më durosh, e mbi të gjitha të më kuptosh, andaj mos u mëso me mua!

Ama, nëse do e bësh, nëse vërtet do të jesh aty, mirë se vjen në anën time të botës.

Është ferri vetë. Ti do ta dashurosh!!

© AZ

Sam Smith ndanë me ndjekësit e tij në Instagram këngën e Era Istrefit

Kënga “Bonbon” e këngëtares Era Istrefi është pa diskutim një prej këngëve më të suksesshme shqiptare.

Plot 600 milionë është shifra e klikimeve që kjo këngë numëron në kanalin YouTube.

Kënga “Bonbon” është dëgjuar dhe ka rënë edhe në veshin e shumë personazheve të famshëm ndërkombëtarisht.

Së fundmi, ka qenë këngëtari i famshëm Sam Smith, ai i cili mesa duket ka ngelur i impresionuar nga kjo këngë.

Duket se kjo këngë është ndër më të preferuarat të Samit kohëve të fundit.

Ai ka ndarë me ndjekësit e tij në InstaStory një fotografi, përmes së cilës ka treguar se po dëgjonte këngën “Bonbon” të Istrefit. / KultPlus.com

Kam uri për gojën tënde

Pablo Neruda

Kam uri për gojën tënde, zërin tënd, flokët e tu,
dhe shkoj rrugëve i uritur e i heshtur,
nuk më ngop buka, agimi me ngasje më çorodit,
në kërkim të tingujve të ujshëm të hapave të tu nëpër ditë.

Kam uri për të qeshurën tënde që si lumë rrjedh,
për duart e tua në ngjyrë të grurit të pjekur,
Për të zbehtën e gurtë të thonjve të tu,
Kam uri për lëkurën tënde si bajame e paprekur.

Dua të ha rrufenë e djegur në hijeshinë tënde,
hundën kryeneçe të fytyrës tënde të bukur,
dua të ha hijen fluturake të qerpikut tënd

shkoj e vij i uritur i muzgut nuhatës,
ty duke të kërkuar, në kërkim të zemrës tënde ngrohtësi,
si një pumë që endet në të Kitrates vetmi.

Si e përjetoi Dritëro Agolli sëmundjen e Xhevahir Spahiut?

Në kohën kur poeti Xhevahir Spahiu kaloi një sëmundje jo të lehtë , Dritëroi , me optimizmin që e shquante në çdo situatë sado të vështirë, i shkruante mikut të tij, Xhevos, plot humor:

D: – Si je, o Xhevo? Xhevua qesh.

D: – Jam Dritëroi. Mos u mërzit. Do të të hapet në mendje një vidhë që do ta shpjesh poezinë në një shkallë më të lartë; do të bësh një poezi të çuditshme. Përsëri Xhevua qesh.

D: – Edhe unë u sëmura dhe u shtrova në spital për 11 ditë. Unë e humba jo vetëm mendjen, po edhe këmbët, por m’u hap një vidhë në tru: vidha e të shkruarit aforizma, dmth fjalë të urta. Xhevua qesh dhe thotë: -Ashtu.

D: – Nuk dua të të shqetësoj. Së shpejti do të vij të të vizitoj me helikopter, se këmbët mezi më punojnë.

Letrat me këto shënime janë bërë publike nga e bija Elona Agolli. / KultPlus.com

Kur ndiheni të humbur, meditoni me këto fjalë të Nënës Terezë

Këto fjalë të mençura do t’ju bëjnë që të mos i përqëndroni vlerat tuaja në atë që bëni por në atë se kush jeni.

Nuk është një ndjenjë e pazakontë. Agjenda juaj është e mbushur dhe lista e gjërave që duhet t’i bëni është e pafundme ndërsa ju ndiheni sikur jetës suaj i mungon orientimi, qëllimi dhe nuk ndiheni i plotësuar.

Ju filloni të pyesni veten pse e gjithë puna që bëni nuk e arrin qëllimin që ju e mendonit se do ta arrinte.
Shën Teresa e Kalkutës i shkroi këto fjalë nga perspektiva e Jezusit për të na treguar se ku buron kuptimi i vërtetë i vlerave tona.

“Unë të njoh ty tërësisht, unë di gjithçka për ty. Kam numëruar shumë nga fijet e flokëve tua. Asgjë në jetën tënde nuk është e parëndësishme për mua. Të kam ndjekur ndër vite dhe gjithmonë të kam dashur. E di edhe problemin tënd më të vogël, i di nevojat dhe shqetësimet tua. Dhe po, i di dhe mëkatet tua. Por prapë ta them se të dua dhe jo për atë që ke bërë dhe për atë që nuk e ke bërë, të dua për atë që je, për bukurinë dhe dinjitetin që Ati im të dha ty duke të krijuar ty në imazhin e tij”. / KultPlus.com

‘Kasetofoni jem’, hip hopi tjetër (VIDEO)

Pak kasetofona sot, por dikur kishte më shumë.

Madje, në kulturën e dikurshme edhe brenda muzikës hip hop, “Kasetofoni jem” u bo një hit.

Po e kujtojmë sot hitin e më shumë se dhjetë viteve – “Kasetofoni jem” një këngë që nuk guxon të jetë jashtë historisë së hip hopit të Kosovës.

Da Ligs dhe një numër i madh i artistëve si NR, MC KRESHA, LUMI B e Dj Blunt janë pjesë e videoklipit të këngës së njohur, refren që disa gjenerata në Kosovë nuk e harrojnë.

Po ju lëmë ta shihni videoklipin e këngës “Kasetofoni jem” – hit i një kohe tjetër. / KultPlus.com

Sikur edhe njiherë të kisha mujtë me jetue jetën teme…

Jorge Luis Borges

Sikur edhe njiherë të kisha mujt me jetue jeten teme,
unë do t’isha përpjekë që në jetën e re
me ba ma shumë gabime.
nuk kisha dashë me qenë aq i përsosun,
kisha dashë me qenë ma i qetë.

Kisha dashë me qenë edhe ma i çmendun se ç’isha,
shumë ma pak gjâna i kisha marrë kaq seriozisht.
Nuk do t’kisha rrnue kaq shnetshëm.

Do t’kisha rreziku ma shumë, do t’kisha udhëtu ma shumë,
ma shumë perëndime dielli kisha me vështrue,
ma shumë do t’isha ngjitur maleve, ma shumë do t’kisha notu lumenjve.

Kam qenë njâni prej atyne njerëzve t’mençun,
që çdo minutë të jetës e ka kalue frytshëm;
vërtet unë kam pasë edhe çaste të gëzimit,
por, sikur t’kisha mujt me u kthye prapa edhe njiherë,
do t’kisha ba përpjekje me shijue vetëm çaste t’mira.

Nëse ti ende nuk e din,
vetëm prej tyne përbahet jeta;
vetëm prej çasteve, mos e harro të tashmen!

Sikur edhe njiherë të kisha mujtë me jetue jetën teme,
prej fillimit të pranverës deri në fund të vjeshtës kisha me ec kambzbathun.
Po ashtu kisha me lozun ma shumë me fëmijë,
sikur jetën ta kisha para vetes.
Por, shikoni… i kam 85 vjet, jam plak dhe e di
se së shpejti kam me vdekë.

(Përktheu: Enver Robelli)

‘Ju s’keni fe, e keni bastarduar atë e ndaj feja ju ka flakur’

Nga Fatjon Gjinaj

Bashkëjetesa si fjalë në kontekste të ndryshme ka domethënie të ndryshme. Duke mos qenë qëllimi im zbërthimi i këtij termi në variante të përgjithshme por vetëm për rastin konkret kur artikulohet në kontekstin e përshkrimit si “aset” fetar, dua dhe mendoj të them (e pëderisa dua dhe mendoj edhe po e them), se ky term në rastin konkret është absurd. Është absurd për aq koha sa jo të gjithë bien dakort me diçka e cila është kthyer vendim i formës së prerë për të gjithë pa e ditur të gjithë (më saktë, shumica), se ku fillon dhe ku mbaron bashkëjetesa(?) Kush e shpiku atë(?) Për çfarë(?) A është e ligjshme(?) A është e lumtur ajo e mbi të gjitha a funksionon(?)

Po futem në temë, dhe me që tema duket krejt ndryshe nga ajo sa thashë deri tani po shpjegoj edhe se përse doja ta shmangja temën në hyrje të shkrimit.

E pranoj se nuk është shumë e zakonshme si temë dhe arsyeja është se ne shpesh si njerëz e sidomos si shoqëri (po flas për ne shqiptarët), duke dashur të dukemi gjithmonë si të jashtëzakonshëm harrojmë të zbresim me këmbë në tokë, t’i themi gjërat siç janë, dhe…. t’a marrë e mira të mos i paragjykojmë së paku ata që guxojnë të thonë një të vërtetë të zakonshme.

Çfarë ishe ti mysliman i nderuar përpara se të bëheshe mysliman? Po ti katolik përpara se të bëheshe kristjan? Po ti pagan përpara se të ishe pagan?

Epo, nëse nuk të bën përshtypje se ti je dikush që i ke ndryshuar fetë sa herë kanë ndryshuar stinët e motit; e nëse nuk të bën përshtypje që pardje i luteshe Gjarprit, dje Krishtit e sot Muhamedit, mos të të bëjë përshtypje as ajo që them unë për besimin tënd; për besimin tim dhe për besimin e të gjithëve ne. Thjeshtë ule kokën dhe më dëgjo e kur të pyes përgjigju.

Çfarë më thua për këtë palo femrën me vetëm dy dritat e syve të zbuluara e një copëz gojë që frekuenton lokalet e shtrenjta ku pihet alkool dhe drogë, pale cigare, i zgjat dorën e s’ta jep se ia ndalon feja e kur pa këmbyer dy fjalë vendos njërën këmbë mbi tjetrën, nxjerr paketën e cigareve “Winston”, nxjerr edhe çakmakun për t’i vënë flakën cigarës së varur në buzët e lyera all të kuqe?

Po për atë tjetrën me kryqin sa gjysma e vehdit në qafë gjysma e të cilit i futet midis gjinjve të zbuluar që duket sikur janë gati për të shpërthyer e bërë namin? Madje edhe në rrathët e vathëve i ka të varura dy kryqe që i prekin shpatullat e zhveshura(?)

Për cilën fé më flet ti kur burri i botës (që ma quan veten njeri të perëndisë, me mjekrrën deri tek rripi i pantallonave e brekët deri në gjú), thotë se Gjergji i Kastriotëve na qenka tradhëtar, se Nëna Terëzë një e përdalë, se mëmëdheu ynë na qenkërka arabia? Ai tjetri thotë – vrite vajzën e mos e jep në derë të besimit tjetër?

Për cilën fé më flet ti o i verbër kur ai palo prifti yt rreh foshnjën në pagzimore, ai tjetri abuzon seksualisht me të miturën e të miturin, ai tjetri abuzon me thesarin e kishës?

I cilës fé qenke ti o qyp i nëpërkëmbur, o dele e rruajtur e prerë lëkurësh kur ai Kryegjyshi yt i përbotshëm shkëlqesia e tij është lord e kaluar lordit nga pasuria e vënë?

Për cilën fé po më flet o qyrylyk kur ti beson atë që predikon kryekreu i besimit tënd që shtrohet në dreka e darka me politikanët e korruptuar, me të shkuar e të tashme kriminale, hajdutë të pasurisë kombëtare? Cila fé të frymëzoka ty o botë e mjerë njerëzore që rren gjithë ditën të tjerët, pendohesh, shkon për t’u rr’fy e t’rrejnë…?

Si mund t’a rregullosh ti botën kur ende nuk ke rregulluar veten? Si mund të më flasësh me adhurim për Jezu Krishtin kur unë e di fort mirë se ti je një Judë?

Ose të më flasësh me adhurim për Muhametin kur unë e di fort mirë se ti je një mujshisë?Cilit Zot ke b**** ti që t’i bësh avokatin kur unë mbase jam një i mjerë që e marr nëpër gojë kot? Cili Zot a profet të thotë ty t’a bësh këtë gjë o mjeran?

Po për ç’bashkëjetesë po flet kur ti sapo ke lexuar titullin e këtij shkrimi ke nisur të mendosh se si të më gjuash? Si do bashkëjetokemi ne të dy kur unë mendoj se Muhameti është i dërguari i Allahut dhe më perfekti nga të gjithë e se Jezu Krishti është një kokë-palarë; ose e kundërta, Jezusi është Mesia dhe Muhameti një tregtar hajdut?

Po ju nuk keni fé përderisa mohoni veten, familjen e mbi të gjitha kombin për shkak të mendjes suaj të errët. Ju nuk bashkëjetoni, sepse ju nuk jeni të lirë t’a bëni këtë gjë. Ju jeni të dënuar për të bërë dhe menduar ç’ju thonę të tjerët. Ju nuk bashkëjetoni, ju bashkëvuani dënimin që i keni dhënë vetës në vorbullën e mashtrimit të madh.

Ju s’keni fé, e keni bastarduar atë e ndaj feja ju ka flakur. Ju jeni barbar të besimit tuaj të marrë që mendoni se feja është një mjet. Si mund të doni ju Zotin kur nuk ju plas fare për Shqipërinë! Pse nuk ia kushtoni atdheut sakrificën që ia kushtoni fésë!? Se jeni dështakë ja përse! Nuk doni as njërën as tjetrën më shumë se vetën!

Me Fiça dhe Vespa para Muzeut të Jugosllavisë

Muzeu i Jugosllavisë në Beograd edhe këtë vit do të mbajë ngjarjen “Hanging out with Fiça and Vespa”.

Para Muzeut, për të shtatën herë, me datë 1 shtator të gjithë qytetarët e Serbisë që kanë njërën nga këto vetura të parakalojnë dhe të vijnë tek Muzeu i njohur.

Qëllimi i këtij organizimi është promovimi i trashëgimisë serbe, siç shkruhet në një komunikatë për media.

Fiça – ose më mirë Zastava 750, 600 dhe 850, nisi të prodhohej së pari në Kragujevac të Serbisë. Vespa në anën tjetër është veturë e prodhuar nga Franca.

Në organizim do të ketë muzikë të viteve 70-të e 80-të, kohë kur këto vetura ishin në lulëzimin e tyre edhe në Jugosllavi. / KultPlus.com

‘Unë kam vendosë me jetu çdo ditë si trofe’

Nga Arjola Zadrima

Ato kohë ende nuk e kisha rindërtu botën. Gjithçka ishte pakuptim. Unë ndjehesha e vogël, e pambrojtun, e vetmueme ndonëse shtëpia ishte dëng me njerëz. Kur vijnë për ngushëllim së pari të vrojtojnë çdo cep të shtëpisë , së dyti ti këndojnë të ardhunat simbas oreksit dhe së treti krijojnë një imazh tandin që ta kenë për rrëfenjë. Sapo isha shkundë prej jetës dhe një mori njerëzish më thonin” je e re , ke jetën para” një kategori tjetër thoshte” e ke vendos besoj” ” s’ke çka me ba ky kje fati jot”. Isha e marume , por humbisja mendjen se çka kisha vendosë , fatkeqsisht ende nuk e kam kuptu çka kam vendosë që të gjithë e dinë e unë jo.

Gjithsesi koha kaloi , e unë e rindërtova botën pa tim shoq, por ndeshi shpesh ftyra të shprishuna që kryet u humbon ndër shpatulla kur më shohin. Për nji pjesë të mirë duhet të isha kërrusë, ose tju kishe zgjatë dorën për lëmoshë, osr thjesht të isha zvarritë rrugës pa u pa . Ka boll prej atyne që lirinë e kanë shti në nji çantë të shtrenjtë e më fokusojnë ” my little black dress”, ka prej atyne që ngrehin një totolosh për krahu e nuk e dinë se ai ma luen synin e të shkretat shkojnë sikur të kenë trofe në krah. Ka prej atyne që më njohin mirë , dhe ja njoh mirësinë mbi të gjitha njoh edhe gra prej atyne që jetën e mësuen betejash apo tuj luejtë luftash si Unë.

Unë kam vendosë diçka që nuk e dini , me jetu çdo ditë si trofe.

Mos uroni ‘Kurban Bajrami’ por ‘Bajrami i vogël’!

Mehmet Elezi.

Në faqen e internetit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë njoftohen besimtarët se “dita e parë e Kurban Bajramit është më 21 Gusht 2018”, domethënë nesër. Njësoj në Kosovë, në Maqedoni.

Emri shqip i kësaj dite të shenjtë është Bajrami i Vogël, jo “Kurban Bajrami”.
Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, 2006, thuhet bajrami i madh dhe bajrami i vogël (sipas rregullave të parregullta të drejtshkrimit, me shkronjë të vogël!).
Kështu shkruhet edhe në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe të Dizdarit (2005). Në shtjellimin e fjalës bajram, aty thuhet: “…dy të kremtet kryesore që lusin e festojnë myslimanët. Bajrami i Madh… Bajrami i Vogël… (turqisht kurbán bayram)”.
Në një nga Këngët e Kreshnikëve, mbledhur në Kosovë, cituar prej Dizdarit, janë këto vargje: “Tre dorzanë unë po t’i baj…/ E të tretin: Bajramin e Vogel”.

Edhe në qershor njoftohej për “Fiter Bajramin”. Pse “Fiter Bajrami”?
Në fjalorët e gjuhës shqipe, madje as në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, nuk gjindet kund “Fiter Bajrami”. Është vetëm Bajrami i Madh. Madje as fjala fiter si zë i veçantë nuk është aty. Kjo do të thotë se kjo fjalë s’ka qenë kurrë në gjuhën shqipe. Papritmas thirret sot me e zëvendësue fjalën shqipe!

Sot është Nata e Bajramit. Kështu është quajtur gjithmonë dita në prag të Bajramit. Siç thuhet Nata e Vitit të Ri, Nata e Shën Kollit.
Përsëri në Kalendarin e KMSH shkruhet: “Dita e Arafatit”. Çfarë kupton besimtari shqiptar me Ditën e Arafatit, pse nuk shkruhet Nata e Bajramit, siç i thonë shqiptarët?

Nuk dihet për ç’arsye zyrtarët, politikanët dhe media, kallëzohen aq të zellshëm me zëvendësue shkallë-shkallë edhe skajet (termat) fetare shqip me të tjera jo shqip. Prej padijes?

Të gjithë ata që urojnë me zemër, urime pritshin përherë. Por, ju lutem, shqip.

Pra gëzuar Bajramin e Vogël. Shëndet e mbaresi e Fat për krejt Shqiptarët.

Mehmet ELEZI
20 gusht 1018

‘Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë’

Nga Petrit Ruka.

Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë!
Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.

Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua,
Kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua,
Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.
Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.

Pastaj jemi përqafuar ; “e po unë isha në gjumë “
Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë,
Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.

Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,
Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë,)
Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë
Me dredhi ballkanike që as O.K.B-ëja s’ka parë.

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar
Mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!

Kur në Milano përzihet ‘Allahu Akbar’ me ‘Ave Maria’ (VIDEO)

Harmonia fetare mund të dëshmohet më së miri edhe përmes artit.

Një nga miksimet muzikore më të veçanta ka qenë ai mes “Allahu Akbar” dhe “Ave Marias”.

Kënga është kënduar para 3 vitesh në Milano dhe po e sjellim sot për shkak edhe të festës së Kurban Bajramit.

Rreth 50 mijë të pranishëm ishin në këtë ngjarje në vitin 2015-të. / KultPlus.com

Bebe Rexha dhe Rita Ora shkëmbejnë puthje në VMA’s (FOTO)

Mbrëmë në VMA’s – në ndarjen e çmimeve Video Music Awards nga MTV, dy shqiptaret Rita Ora dhe Bebe Rexha duket se kanë marrë vëmendjen jo vetëm për muzikën e tyre.

Të veshura bukur dhe të veçanta, dy shqiptaret madje në tepihun e kuq edhe kanë shkëmbyer puthje mes vete.
Në sytë e mentalitetit shqiptar, kjo mund të tingëllojë një pamje e ‘rëndë’, por dy këngëtaret e hiteve “Im a mess” apo “Your Song” duken shumë bukur dhe mike të vërteta prej kohësh.

Të dyja mbrëmë kanë qenë pjesë e ceremonisë ku marrin pjesë këngëtarët më të mirë të momentit.

Të dyja këngëtaret madje janë pjesë edhe e këngës “Girls” bashkë me Cardi B dhe Charli XCX. / KultPlus.com

Një dhuratë e kosovarëve për ditëlindjen e Bill Clinton

Ish- presidenti i SHBA-së, Bill Clinton nesër (19 gusht), feston ditëlindjen e 72-të.

Me këtë rastë shoqata “Miqtë e Amerikës”, do të organizojë një ceremoni të festimit, duke filluar nga ora 11:00

“E veçanta e këtij manifestimi, përpos telegramit të urimit që do ti dërgohet Presidetit Clinton është se për nder të kësaj date, në emër të shoqatës e besojmë edhe gjithë popullit shqiptar z.Clinton por edhe zonjës Hillary, dhuratë nga një parë veshje tona nacionale me një mesazh besojmë shumë domethënës.”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Do të ketë edhe tortë e dolli festive për nder të kësaj date.

Aktiviteti zhvillohet në selin e shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Rr. “Lah Nimani”, No-16. Prishtinë. Rrugica lidhet me rrugën e UÇK që shkon nga Komuna e Prishtinës tek “Qafa”. / KultPlus.com

Bebe Rexha do të mbajë koncert në Prishtinë

Përderisa Rita Ora e Dua Lipa mbajtën koncerte në vendlindje, duke performuar para mijëra shqiptarëve, tani është radha e saj.

Këngëtarja Bebe Rexha, që gjithmonë thekson origjinën e saj shqiptare, deri më tani nuk ka qenë asnjëherë në Kosovë për të performuar para mijëra fansave që ka edhe këtu.

Por koha ka ardhur!

Prive ka marrë vesh se Bebe Rexha pritet që të vijë në Prishtinë gjatë muajit tetor dhe ardhjen e saj këtu, e mundëson një bankë komerciale që operon në Kosovë.

Megjithatë, duhet theksuar se ky informacion mbetet ende i pakonfirmuar nga dora e parë, por në ditët në vazhdim do përpiqemi të sjellin detaje të konfirmuara.

Këngëtarja Bebe Rexha nuk ka qenë asnjëherë në Kosovë, ndërsa ka mbajtur një koncert në Tiranë në tetor të vitit. 2016.

Kur Zoti krijoi nënën…

Një herë e një kohë, Zoti i mirë kishte vendosur të krijonte… nënën. Kishte gjashtë ditë që punonte pa reshtur, kur ja aty, u shfaq një engjëll që i tha Krijuesit: “Kjo punë po të bën të humbasësh shumë kohë, e?”

E Ai: “Po, por a e ke lexuar se si do të jetë kjo krijesë? Duhet që me një të puthur të arrijë të shërojë çdo plagë. Me një buzëqeshje të arrijë të shërojë çdo përjetim negativ.

Por gjithashtu, ajo duhet të ketë një dashuri shumë të madhe dhe të ketë gjashtë palë duar.

“Gjashtë palë?!” pyeti engjëlli i habitur. “Gjashtë palë duar nuk janë asgjë në krahasim me sytë. Ajo duhet të ketë tri palë sy.” – i tha Zoti. “Kaq shumë?” e pyeti engjëlli.

“Sigurisht. Një palë sy për të parë dyerve të mbyllura kur fëmijët e saj janë aty brenda, ndonëse e di fare mirë se çfarë po bëjnë. Një palë tjetër pas kokës, për të parë çfarë nuk duhet të shohë, por që duhet të dijë.

Dhe një palë tjetër për t’i thënë me shikim dhe në heshtje të birit që është në ndonjë qorrsokak ngatërresash se e kupton dhe se i do të mirën.

“Zot, shko të pushosh. Nesër është ditë e re…” – i tha engjëlli Zotit duke i fërkuar lehtë shpatullat, por Ai nuk e la të mbarojë. “Nuk mundem. Pothuajse kam mbaruar” – i tha Ai.

Pastaj vazhdoi “Gati harrova. Nëna duhet të ketë edhe diçka tjetër. Duhet të shërohet vetë në qoftë se sëmuret, të mund të punojë 18 orë rresht, të arrijë të përgatisë darkën për gjashtë vetë me vetëm 300 gram mish të grirë dhe të arrijë t’i bëjë dush një fëmije një vjeç.”

Engjëlli iu soll rrotull modelit të nënës dhe duke e vëzhguar me kureshtje bëlbëzoi: “Është tepër e brishtë.”

Zoti e dëgjoi, u kthye nga ai dhe i tha: “Po, por reziston. Ti nuk e di se sa mund të durojë një nënë!” Engjëlli, sërish me atë fytyrën kureshtare pyeti Zotin: “A di të mendojë?” Zoti e pa, buzëqeshi lehtë dhe i tha: “ Jo vetëm di të mendojë, por di të përdorë në mënyrë të shkëlqyer arsyen dhe arrin të bëjë edhe marrëveshje.”

Në këtë pikë engjëlli u përkul mbi modelin e nënës dhe i kaloi gishtin mbi njërën faqe. I shqetësuar i tha Zotit: “Këtu ka rrjedhje”.

Zoti e pa, buzëqeshi njësoj si bën një mësues me nxënësit e shkollës fillore dhe i tha: “Nuk është një rrjedhje, por është një pikë loti.” “E për çfarë shërben?” e pyeti engjëlli.

“Për të shprehur trishtim, hidhërim, dhimbje, vetmi, gëzim dhe lumturi” i tha Zoti. “Ti o Zot je një gjeni” i tha engjëlli me zë të lartë dhe plot gëzim. Me përmallim, Zoti shtoi: “ Engjëll…të të them të drejtën, nuk isha unë që ia vura lotin aty.”

Marrë nga libri “40 Histori në shkretëtirë”- Bruno Ferrero