Dhjetë vite nga vdekja e Amy Winehouse, lista me 20 këngët më të mira të saj

Foto: Rob Verhost

Këtë javë mbushen 10 vite nga vdekja e këngëtares së njohur, Amy Winehouse.

Në 10 vjetorin e vdekjes së saj, rizbuloni këngët më të mira të diskografisë së Winehouse, ku thyerja e zemrës dhe zemërimi përzihen me zgjuarsinë dhe gëzimin. 20 këngët më të mira të Amy Winehouse:

20. Addicted (2006) 19. Our Day Will Come (2011) 18. Help Yourself (2003) 17. I Heard Love Is Blind (2003) 16. Wake Up Alone (2006) 15. Round Midnight (2003) 14. Stronger Than Me (2003) 13. Just Friends (2006) 12. Fuck Me Pumps (2003) 11. Body and Soul (2011) 10. Me and Mr Jones (2006) 9. In My Bed (2003) 8. Between the Cheats (2011) 7. Valerie (2007) 6. What Is It About Men? (2003) 5. Tears Dry On Their Own (2006) 4. Rehab (2006) 3. You Know I’m No Good (2006) 2. Back to Black (2006) 1. Love Is a Losing Game (2006)./KultPlus.com

@Rob Verhost

Kitaristi Eric Clapton refuzon të luajë ne vendet ku kërkohet prova e vaksinimit


Foto: Getty Images

Kitaristi Eric Clapton ka deklaruar se nuk do të performojë në asnjë vend, ku u kërkohet pjesëmarrësve të tregojnë provat e vaksinimit kundër Covid-19.

Në një përgjigje pas njoftimit të qeverisë se do të kërkohen pasaportat e vaksinimit për të hyrë në klubet e natës dhe vendet e tjera deri në fund të shtatorit, muzikanti ka lëshuar një deklaratë duke thënë se ai nuk do të luajë në “asnjë skenë ku diskriminohet audienca”, transmeton KutlPlus.

“Në qoftë se nuk do t’u lejohet të gjithëve të marrin pjesë, unë rezervoj të drejtën për të anuluar shfaqjen.” Clapton e ndau deklaratën përmes llogarisë në Telegram të arkitektit italian dhe skeptikut, Covid Robin Monotti. Në maj, Clapton ndau përvojat e tij negative pasi mori vaksinën AstraZeneca përmes llogarisë së Monotti në Telegram, duke pretenduar se kishte përjetuar reagime “të ashpra” që e bënë atë ta pyeste veten se a do të ishte në gjendje të luante përsëri kitarë./KultPlus.com

@Getty Images

Nesër do të përurohet shtatorja e Fadil Vokrrit

Të premten, në ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, do të organizohet ceremonia zyrtare e përurimit të shtatores së Fadil Vokrrit, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se ceremonia e përurimit të shtatores organizohet në ditëlindjen e 61-të të Legjendës së futbollit të Kosovës.

I pranishëm pritet të jetë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe personalitete tjera të institucioneve dhe të sportit.

Në fund të kësaj ceremonie, FFK-ja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka organizuar një turne futbolli ku do të marrin pjesë futbollistët veteranë të Llapit, Prishtinës, të Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë./ KultPlus.com

Pamje: Miu futet në kuvend, deputeti hip me gjunjë në karrige nga frika (VIDEO)

Pamje qesharake vijnë nga kuvendi rajonal i Andaluzisë në Spanjë. Ka mjaftuar lëvizja e një miu në sallë që deputetë e deputete të fillojnë të ngrihen e të ikin të tmerruar.

Në momentin kur merret vesh se në sallë po lëviz një mi, udhëheqësja e seancës në mënyrë instinktive e mbyll gojën me dorë, ndonëse kishte maskë në fytyrë.

Pak sekonda më pas, një deputete shihet duke ikur me vrap, ndërsa një deputet i vendos dy gjunjët në ulëse për të mos prekur në dysheme nga frika, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, duket se një deputete nuk kishte frikë nga brejtësi, sepse ajo nuk u ngrit nga karrigia dhe dukej se po habitej me panikun e kolegëve.

Dua Lipa bën histori me albumin “Future Nostalgia”

Foto: Jordan Strauss/AP

Dua Lipa vazhdon të mbetet një ndër këngëtaret më të dëgjuara në të gjithë botën. Krahas shumë vlerësimeve, albumi “Future Nostalgia” vazhdon të korrë një sukses të jashtëzakonshëm.

Albumi i vlerësua si më i dëgjuari në kategorinë e femrave vitin e kaluar në Spotify. Por së fundmi, është bërë albumi i parë i një artisteje që për gjashtë muaj me radhë ka qëndruar në listën e 10-es më të mirë në Billboard 200.

Ishte Mike Adam, që e bëri me dije lajmin. “’Future Nostalgia’ nga Dua Lipa është albumi i parë nga një artiste femër që qëndroi gjashtë muaj në top 10-shen e më të mirave në ‘Billboard 200’ këtë dekadë. Urime Dua Lipa”, shkroi Adam./ KultPlus.com

@Jordan Strauss/AP

“Nuk jam ndjerë kurrë kaq e fuqishme”, Andie MacDowell flet pas paraqitjes me flokët e thinjura

Foto: Getty Images

Andie MacDowell shkaktoi senzacion në Festivalin e Filmit në Kanë në fillim të këtij muaji. Kur aktorja 63-vjeçare, modelja dhe nëna e tre fëmijëve doli në tapetin e kuq në premierën e filmit Annette, fijet gri në flokët e saj morën gjithë vëmendjen.

Gjatë karantinës, pas shumë vitesh lodhje me idenë për t’i ngjyrosur flokët kaçurrela, MacDowell vendosi t’i vë në pah flokët e saj me disa fije të thinjura. Për MacDowell, lënia pas e një tabuje të vjetër dhe përqafimi i idesë për rritjen e flokëve të thinjura shënon fillimin e një kapitulli të ri emocionues në jetën dhe karrierën e saj.

Aktorja thotë se asaj nuk i intereson se çfarë do të thotë dikush tjetër për këtë, transmeton KultPlus. “Në fillim të karantinës, flokët e mi filluan të rriteshin dhe sa herë që fëmijët e mi më shihnin, ata më thoshin se dukesha keq me flokët e mi gri. Kur i lidhja lart, gjithçka që mund të shihje ishte kripë dhe piper, ajo e cila jam edhe une, e dini, e errët dhe e argjendtë”, thotë MacDowell për Vogue.

MacDowell thotë se ndonëse në fillim është ndjerë keq, tani ajo ndihet shumë rehat me këtë ndryshim në pamjen e saj. “Sapo e bëra, ishte thjesht aq e qartë për mua që tiparet e mia kishin të drejtë sepse unë kurrë nuk jam ndjerë kaq e fuqishme. Ndihem më e sinqertë. Ndihem sikur nuk pretendoj. Ndihem sikur po përqafohem aty ku jam. Ndihem vërtet rehat. Thjesht ndjehem sikur më përshtatet”, shton tutje aktorja./KultPlus.com

Tre vjet pa Bekim Lumin, ‘Multimedia’ e sjell me librin “Engjëlli blu”

“Engjëlli blu” është libri me poezi nga Bekim Lumi, e që do të prezantohet nga Qendra Multimedia, shkruan KultPlus.

Libri vjen në përvjetorin e tretë  të vdekjes së Lumit, e që do të promovohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ngjarje kjo që do të mbahet më 30 korrik, prej orës 19:00.

Jeton Neziraj, drejtori i Qendrës Multimedia  me paralajmërimin e këtij promovimi ka përzgjedhë edhe një poezi të Lumit, të cilën po e ndajmë me lexuesit e KultPlus.

Testament

jo ditën e vdekjes
mbi rrasë të vorrit
ma shkrueni ditën
që u mërgova./ KultPlus.com

Tre filma të Kosovës, pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë

Tre filmat kosovarë, “Në kërkim të Venerës”, “Luaneshat e Kodrës” dhe “Pa vend”, do të jenë pjesë e Festivalit ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë që do të mbahet më 13 gusht të këtij viti.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se tre filmat kosovarë do të jenë pjesë e konkurencës zyrtare në këtë festival, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, ‘Luaneshat e Kodrës’ dhe ‘Pa vend’ ishin filmat e parë nga Kosova që shfaqën premierat në Festivalin e Kanës.

“Në kërkim të Venerës, Luaneshet e Kodrës dhe Pa vend në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës Tre filmat nga Kosova, ‘Në kërkim të Venerës’ me regji nga Norika Sefa, ‘Luaneshat e Kodrës’ me regji nga Luana Bajrami dhe ‘Pa vend’ me regji nga Samir Karahoda, do të jenë pjesë e konkurencës zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës. ‘Në kërkim të Venerës’ kishte premierën në Rotetardam ku fitoi çmimin Special të Jurisë; ndërsa ‘Luaneshat e Kodrës’ dhe ‘Pa vend’ ishin filmat e parë nga Kosova që shfaqën premierat në Festivalin e Kanës, në programin ‘Director’s Fortnight’ dhe në kategorinë kryesore. Kjo do të jetë prezencë e madhe e filmbërësve tanë, ku vitin e kaluar Kosova rrëmbeu zemrën e Sarajevës me filmin ‘Exil’ të regjisorit Visar Morina. Tre filmat janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës”, thuhet në njoftimin e QKK-së./KultPlus.com

“Mrika”, opera e parë shqiptare dhe historia e shkopit të artë

Opera e parë shqiptare “Mrika” e kompozitorit të shquar shqiptar Prenk Jakova (1917–1969) me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi, u shfaq më 1 dhjetor të viti 1958 në Teatrin Migjeni të Shkodrës.

Ishte opera më katër akte dhe e vënë në skene nga regjisori Andrea Skanjeti. Këtë vepër që ishte një proces krejtësisht i ri, në të gjithë veprimtarinë e tij krijuese, Prenk Jakova e pasuroi me këngë, valle, pjesë korale, arie, duke e bërë atë një operë kombëtare.

Puna për operën filloi në vitin 1956. Me një punë këmbëngulëse e vullnet të fortë, Prenk Jakova fillon të hedhë në partiturë notat e muzikës që kishte në imagjinatën e vet. Të gjitha punimet mbasi i kalonte në piano, çdo pasdreke deri natën vonë, i konsideronte të përfunduara.

Kompozitori ishte shumë i vendosur dhe këmbëngulës për ta çuar punën deri në fund, ashtu siç e kishte programuar ai vetë. Në maj të vitit 1958, filloi puna për vënien në skenë të operës “Mrika”.

Provat bëheshin herë në shtëpinë e kulturës (më vonë, filarmonia e qytetit) herë në teatrin “Migjeni”, teksa më 27 nëntor bëhet prova gjenerale. Ndërsa, më 1 dhjetor 1958, u dha shfaqja e operës që pati një sukses të madh.

Drama muzikore u vu me sukses të plotë nga trupa e Shkodrës. Suksesi ishte jo vetëm për kompozitorin, por edhe për libretistin Llazar Siliqi, regjisorin Andrea Skanjeti, këngëtarët, korin, valltarët dhe orkestrën.

Kur Prenk Jakova zuri vend në podin e vet të dirigjimit, para orkestrës, i veshur me një kostum jeshil i errtë, me një paraqitje elegante. Pesë minuta para se të fillonte flautisti i parë Tish Hila, që ishte njëkohësisht edhe argjendar, i dhuron Prenkës një shkop të artë si dhuratë nga orkestra, me të cilin do të dirigjonte Prenk Jakova operën atë natë.

Ngjarjet e operës “Mrika” zhvillohen në vitet 50-të dhe në to, përshkruhet jeta e një vajzë mirditore dhe e familjes së saj. Aria e Mrikës, “dielli ka perendue”, ka një ton lirik dhe shume tërheqës, po ashtu edhe aria e aktit të dytë “Oh! Ç’janë këto trazime” është po aq e bukur, tërheqëse dhe me shumë elemente lirike dhe dramatike, ashtu si e gjithë muzika që kompozitori ia ka përshtatur vendit të ngjarjes, dialektit të të folurit, veshjes dhe botëkuptimit.

Për herë të parë, opera “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova, u interpretua nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, më 26 nëntor 1959. Kjo foto e rrallë, e nxjerrë nga arkiva e TKOBAP, na risjell të gjallë interpretimin e Marie Krajës, në rolin e Mrikës dhe Ibrahim Tukiçin, në rolin e Dodës./KultPlus.com

Mosmarrëveshjet mes udhëheqësve nigerianë rrezikojnë kthimn e bronzeve të Beninit

Foto: Getty images

Një mosmarrëveshje midis udhëheqësve nigerianë mund të rrezikojë planet për kthimin e disa prej artefakteve më të famshme të Afrikës, bronzet e Beninit, të cilat u plaçkitën gjatë epokës koloniale dhe që tani ruhen kryesisht në muzetë perëndimore, siç raporton shkrimtari Barnaby Phillips.

Bronzet, mijëra skulptura metali dhe gdhendje në fildish, iu morën mbretërisë së Afrikës Perëndimore të Beninit ( sot Edo Shteti në Nigerinë jugore), nga një forcë ushtarake britanike në vitin 1897, transmeton KultPlus.

Në Evropë bukuria dhe sofistikimi i tyre shkaktoi një ndjesi të menjëhershme dhe ato vlerësohen gjerësisht si ndër veprat më të mëdha artistike të Afrikës. Në vitet e fundit, përderisa qeveritë evropiane janë nën presion për të shlyer krimet e epokës koloniale, disa kanë folur për dëshirën e tyre për të kthyer artefakte të plaçkitura gjatë asaj periudhe.

Në prill qeveria gjermane tha se dëshironte të kthente qindra bronze të Beninit. Edhe disa muze në Mbretërinë e Bashkuar kanë bërë njoftime të ngjashme. Kthimi i bronzeve të Beninit në Nigeri do të shënonte një moment të jashtëzakonshëm në historinë post-koloniale të Afrikës dhe është një perspektivë që duket më e mundshme tani sesa në çdo kohë që nga viti 1897.

Por kur mbreti i Beninit, Ewuare II, thirri “të gjithë njerëzit me qëllime të mira” në një takim urgjent në kryeqytetin Edo Benin City në fillim të këtij muaji, nuk u cilësua festë. Qindra njerëz iu përgjigjën thirrjes së mbretit dhe u mblodhën në pallatin e tij, të veshur me rroba të bukura, duke kënduar lavdërimet e tij. Ewuare II, stërnipi i Oba-s i cili u rrëzua nga Britanikët në vitin 1897, paralajmëroi një përpjekje që ai e quan “grup artificial” që po synon të “devijojë” kthimin e Bronzave. Ky grup, Trusti i Restaurimit të Trashëgimisë (LRT) kishte edhe mbështetjen e Guvernatorit të Shtetit Edo Godwin Obaseki dhe kishte planifikuar të vendoste Bronzet në një Muze të Artit Afrikan Perëndimor. “Destinacioni i duhur dhe i vetëm i ligjshëm” për bronzet do të ishte një “Muzeu Mbretëror i Beninit”, tha ai, i vendosur brenda ambienteve të pallatit të tij.

Ai këmbënguli se bronzet duhej të ktheheshin nga ishin marrë dhe se ai ishte “kujdestari i të gjithë trashëgimisë kulturore të Mbretërisë së Beninit”. Argumenti i mbretit është bindës, por në mënyrë të çuditshme, djali i tij dhe trashëgimtari i caktuar, princi i kurorës Ezelekhae Ewuare, mori pjesë në mbledhjet e bordit të LRT-së për të cilat ai pretendon se nuk di asgjë. Edhe Komisioni Kombëtar i Nigerisë për Muzeumet dhe Monumentet, që përfaqëson qeverinë federale thotë se nuk di asgjë për këtë plan. Muzeu Britanik ka nënshkruar një marrëveshje me LRT për një projekt arkeologjik në Benin City. Qeveria gjermane po diskuton të bëjë të njëjtën gjë, për financimin e një ndërtese për të strehuar fillimisht bronzet e kthyera./KultPlus.com

Bëri shaka me Holokaustin, shkarkohet drejtori i ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike

Drejtori i shfaqjes së ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike është shkarkuar, një ditë para se të mbahet kjo ngjarje.

Së fundi janë përhapur pamjet e Kentaro Kobayashi të vitit 1990 në të cilën ai shfaqet duke bërë shaka me Holokaustin, transmeton KultPlus.

Shefi Olimpik i Japonisë Seiko Hashimoto tha se videoja përqesh “faktet e dhimbshme të historisë”. Shkarkimi i Kobayashi është i fundit në një varg skandalesh që goditën Lojërat Olimpike. Që nga fillimi i vitit, janë sharkuar tre persona.

Në fillim të kësaj jave, një kompozitor u largua nga ekipi pasi doli se ai kishte ngacmuar shokët e klasës me aftësi të kufizuara në shkollë. Në mars, shefi krijues i Olimpiadës, Hiroshi Sasaki u shkarkua pasi sugjeroi që komediani i njohur, Naomi Watanabe mund të paraqitej si një “Olimpig”. Më pas ai kërkoi falje.

Në shkurt, Yoshiro Mori u detyrua të heqë dorë nga posti i kryetarit të komitetit organizues pasi bëri vërejtje për gratë që u kritikuan si “të papërshtatshme”. Z. Mori citohet të ketë thënë se gratë flisnin shumë dhe se takimet me shumë drejtoresha të bordeve do të “merrnin shumë kohë” Skandali i fundit sheh ish-aktorin e humorit z. Kobayashi të kritikohet ashpër për një skicë që ai interpretoi 23 vjet më parë, në të cilën ai dhe një tjetër humorist pretenduan të ishin argëtuesit e fëmijëve. Në skicë z. Kobayashi i drejtohet kolegut të tij, duke iu referuar disa kukullave prej letre, duke thënë se ato janë “ato nga ajo kohë që ju thatë ‘le të luajmë Holokaustin”, sipas agjensisë së lajmeve AFP. “Çdo person, sado krijues, nuk ka të drejtë të tallet me viktimat e gjenocidit nazist,” tha Rabini Abraham Cooper, nga trupi kërkimor i Holokaustit me qendër në SH.B.A. Simon Wiesenthal Center./KultPlus.com

Kosova po bëhet me institucionin e Operës dhe Baletit të Kosovës, në vitin e ardhshëm me program vjetor operistik

Prej periudhës së pasluftës, parti të ndryshme politike të Kosovës kanë pas një premtim të njëjtë sa i përket fushës së kulturës, ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit të Kosovës, premtime që janë bartë prej zgjedhjeve në zgjedhje, herë parlamentare e herë lokale, duke mos përjashtuar edhe gurthemelin e këtij objekti afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, hapjes së tenderëve për projekte ideore, që kanë pas kosto të larta, e deri te zvogëlimi i këtij projekti, prej objektit të Operës së Baletit dhe Kosovës, në kalim të një salle koncertale, që po mendohet të ndërtohet në ish objektin “Gërmia”, në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Por me udhëheqjen e Qeverisë Kurti, duket se kanë ndryshuar gjërat sa i përket kësaj qasje, pasi që, kjo Qeveri duket të mos e këtë prioritet ndërtimin e objektit, para asaj të themelimit të këtij institucioni.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e udhëhequr nga Hajrulla Çeku ka iniciuar themelimin e këtij institucioni, propozim që edhe është miratuar nga Qeveria e Kosovës, e që pritet të kalojë edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Opera fillimisht është koncept i veçantë Evropian i interdisciplinaritetit në kulturë, ku bëhen bashkë të gjitha artet, kështu që kërkesat fillestare duhet të jenë të natyrës strukturore, të organizimit të institucionit të përgatitjes së trupave të ndryshme artistike, të zhvillimit të strukturës administrative etj. Ndërsa godina është aspekt dytësor, i rëndësishëm por dytësor, sidomos në shekullin 21”, kanë thënë zyrtarët e MKRS-së, në pyetjet e KultPlus, në lidhje me themelimin e këtij institucionin.

Se prej sa anëtareve do të jetë kjo trupë, duke përfshirë ata artistik, por edhe pjesën përcjellëse, zyrtarë të MKRS kanë thënë se pas miratimit të këtij propozimi nga ana e Qeverisë së Kosovës, pritet të themelohet komisioni iniciues që harton statutin e institucionit që përcakton edhe organogramin në bazë të legjislacionit në fuqi. “Ku do të vendosen edhe elementet tjera që ndërlidhen, përfshirë këtu edhe emrin. Qëllimi është që të jenë sa më efikas dhe profesional”, është thënë në përgjigjet e MKRS-së.

Poashtu për ngritjen e një institucioni të tillë, ende nuk është e qartë se çfarë buxheti do të jetë i mjaftueshëm, dhe sipas zyrtarëve të MKRS-së, një planifikim i tillë do të vjen kur të funksionalizohet institucioni, dhe buxheti do të përgatitet në bazë të kërkesave të planit vjetor.

Ndërkohë, deri sa po shënohen hapat e parë të themelimit të institucionit të Operës dhe Baletit të Kosovës, ende nuk dihet se pas funksionalizimit se ku do të vendoset kjo trupë, por se kur do të shijohet shfaqja e parë operistike, zyrtarë të MKRS-së kanë thënë se në proces të funksionalizimit, në vitin e ardhshëm, institucioni në bazë të planit vjetor do të ofroj për publikun kosovar programin operistik./ KultPlus.com

“Tokio 2020” tashmë ka një heroinë: Ajo mposhti leukeminë, qau pasi u kualifikua dhe tani synon medalje

Notarja japoneze, Rikako Ike u bë heroina e Lojërave Olimpike në Tokio shumë kohë para fillimit të kësaj gare.

Kjo japoneze arriti të kualifikohej në “Tokio 2020”, dy vjet pasi u diagnostifikua me leukemi.

“Nuk e prisja fare këtë, kisha shumë më pak vetëbesim se sa pesë vjet më parë”, tha 20-vjeçarja pasi fitoi normën olimpike.

Rikako Ike

Ajo notoi në stafetë, 4 x 400 dhe e përfundoi garën për 57.77 sekonda.

Kur e arriti qëllimin, përqafoi rivalët e saj dhe qau.

Ndryshe, Ike tani synon medalje në “Tokio 2020”./FrontOnline/ KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëtoi për në Japoni, merr pjesë në ceremoninë e Lojërave Olimpike

Presidentja Osmani udhëtoi për në Japoni për pjesëmarrje në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Tokio 2020 si dhe për takime bilaterale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Japoni, ku krahas shumë liderëve të tjerë botërorë do të jetë prezente në hapjen e Lojërave Olimpike Tokio 2020. Ajo poashtu, gjatë ditëve në vijim, do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të shtetit japonez. Kosova do të përfaqësohet me 11 sportistë në Lojërat Olimpike Tokio, ndërkaq Presidentja Osmani do t`i mbështesë ata nga afër.

Ajo ka përgëzuar sportistët kosovarë, duke uruar që secili nga ta të triumfojë në disiplinat përkatëse sportive.

Gjatë qëndrimit në Tokio, Presidentja Osmani së bashku me liderë të tjerë botërorë do të pritet nga Perandori Naruhito. Teksa në kuadër të takimeve bilaterale, zonja Osmani do të realizojë takime me kryeministrin e Japonisë, Yoshihide Suga, ministrin e jashtëm Toshimitsu Motegi, me përfaqësues të organizatave ekonomike e tregtare si dhe me përfaqësues të tjerë shtetëror./ KultPlus.com

Njeriu që bashkoi emrin e Skënderbeut me emrin e Skënderajt

Blerim Latifi

Burri që shihni në fotografi është Kadri Sinamati nga Kukësi, bashkë me familjen e tij, e cila gjatë regjimit komunist u persekutua deri në përmasa tragjike.Sinamati në vitin 1941 u emërua sekretar i nënprefekturës së Drenicës, e cila funksiononte si pjesë e Prefekturës së Pejës. Me të marrë detyrën, Kadri Sinamati, pati një ide: T’i ndryshohej emri qytezës. Emri “Serbicë” ishte emër i imponuar nga sundimi i serb dhe meqë ky sundim kishte marrë fund, tani duhej gjetur një emër që do të reflektonte historinë dhe identitetin kombëtar të popullatës së Drenicës.

Po, cili emër meritonte të përzgjidhej?

Në ato vite, si pasojë e ndikimit të historiografisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe të ideologjisë monarkiste të Zogut, në mesin e shqiptarëve, Skënderbeu ishte figura më e vlerësuar historike.

Kjo figurë u shkonte përshtati si nacionalistëve shqiptarë, ashtu edhe autoriteteve italiane, për shkak se raportet politike në mes shqiptarëve dhe italianëve, nën regjimin e Musolinit, shiheshin edhe si ringjallje e raporteve dhe aleancave që kishte pasur dikur Skënderbeu me shtetet italiane mesjetare, Venedikun, Napolin dhe Shtetin e Papatit. Në funksion të këtij perceptimi pragmatik politik, në vitin 1940, në Romë, u vendos shtatorja e Skënderbeut dhe një shesh mori emrin “Piazza Skanderbeg”. Inaugurimin e sheshit e bëri vetë Benito Musolini. Sheshi, edhe sot, ka të njëjtin emër dhe shtatorja e Skënderbeut përbën një nga atraksionet turistike për turistët që udhëtojnë në Romë.

Në kontekstin e këtij valorizimi të madh që i bëhej Skënderbeut në vitet e pushtetit italian, Sinamati nuk e kishte të vështirë të gjejë emrin e duhur për qytezën e vogël në zemër të Drenicës. Dhe emri që ai kishte në mendje ishte Skënderaj. Si nacionalist që ishte, Sinamati nuk dëshironte që emri të kishte prapashtesën turke “beg” dhe të quhej Skënderbeg, por prapashtesën “aj” të gegnishtes, me të cilën emri merrte formën Skënderaj. Ideja për emrin e ri të qytezës, iu propozua qeverisë së Tiranës, e cila e miratoi menjëherë dhe më 28 nëntor të vitit 1942, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në qytezën që tani quhej Skënderaj, u ngrit për herë të parë flamuri kombëtar shqiptar./ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi nisi provat për shfaqjen e saj “Salzburger Festspiele dhe Salzburg Festival”

Mësohet se sopranoja e talentuar Elbenita Kajtazi, ka nisur provat për shfaqjen e saj të radhës.

Artistja shqiptare do të marrë pjesë në dy koncerte “Salzburger Festspiele | Salzburg Festival”, të cilat mbahen më 24 dhe 25 korrik 2021 në Austri.

“Ndjehem jashtëzakonisht e lumtur që jam pjesë e këtij festivali, në mesin e emrave botërorë që do këndojnë këtë edicion. Ju faleminderit shumë për përkrahjen!”, – shkruan Kajtazi në rrjete sociale. /Albinfo.ch/ KultPlus.com

Liqeni i Ohrit, muzeu i fosileve të gjalla

Shkruan: Jesicca Beatmen, BBC

Nën sipërfaqen e tij të mjegullt, Liqeni i Ohrit në Evropën Jugore është liqeni më i dendur i biodiversitetit në botë. Tani, peshkatarët po ndihmojnë në shpëtimin e “fosileve të saj të gjalla” nga zhdukja. Është rreth orës 8 të mëngjesit dhe ka një freski në ajër ndërsa shikoj nëpër horizontin e mjegullt të Liqenit të Ohrit, i cili ndodhet në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Një grup varkash të vogla prej druri peshkimi, të pikturuara me ngjyra të theksuara, ngadalë rriten ndërsa lëvizin drejt bregut, transmeton KultPlus. Njëra ngrihet pranë meje, ku një plak me një kapak bejsbolli të goditur po pret të blejë ngarkesën e peshkatarit. Peshkatarët dalin në liqen çdo mëngjes, duke filluar në 4 të mëngjesit, për të kapur troftën e Ohrit – e njohur në brigjet e saj shqiptare si “koran”.

Është një specie që ekziston vetëm në këtë liqen dhe është shumë e kërkuar në të gjithë rajonin falë mishit të saj të shijshëm rozë të lehtë, i cili zakonisht piqet në skarë. Ajo ka qenë e njohur këtu që nga koha e Mesjetës. Problemi është se ky popullaritet tani po kërcënon ekzistencën e kësaj specie. Në vitet 1990, kapja vjetore e liqenit ishte më shumë se 120 ton. Nga 2012-2018, mesatarisht ishte 61 ton. “Tridhjetë vjet më parë, ne mund të dilnim me rreth pesë linja dhe të kapnim 30 kg ”thotë Roland Bicja, një peshkatar nga Lin, një fshat piktoresk, i mbushur me lule të egra, folezuar në anën shqiptare të bregut të liqenit. “Tani, ne vendosëm 100 grepa dhe mezi kapim 3 kg .” Çdo familje këtu ka një histori të gjatë në peshkim, dhe secila shtëpi ka anijen e vet. Babai dhe gjyshi i Bicjes ishin të dy peshkatarë dhe ai e përshkruan daljen në liqen çdo mëngjes si një përvojë pothuajse shpirtërore: “Kur jam në anije, është sikur babai im është akoma atje me mua.” Por Bicja dhe kolegët e tij e dinë se ata janë në një situatë të pasigurt. Ata kanë nevojë të kapin troftën e Ohrit për mirëqenien e tyre ekonomike, por nëse e kapin shumë, mund të mos mbetet më troftë në liqen- dhe nuk do të mbetet asnjë mjet jetese për shumë njerëz që punojnë në liqen. Kjo është arsyeja pse ai dhe bashkëfshatarët e tij tani janë pjesë e një projekti që synon të rimbushë liqenin me troftë të Ohrit, duke i mbajtur peshkatarët të punësuar.

Nga dhjetori deri në mars, kur peshku po pjell, peshkimet tregtare janë të ndaluara në liqen. Në vend të kësaj, peshkatarët paguhen për të kapur troftën, për të korrur spermën pa vrarë peshqit dhe për të fekonduar vezët artificialisht. Këto më pas çohen në një çelës lokal, ku çelin dhe rriten për 10 muaj. Peshkatarët më vonë paguhen për t’i lëshuar përsëri në ujë. Është një zgjidhje mjedisore dhe shoqërore për një problem me të cilin përballen komunitetet e peshkimit të ujërave të ëmbla në të gjithë globin. Ohri është një nga liqenet më të vjetër në botë dhe mendohet të jetë formuar midis katër dhe 10 milionë vjet më parë. Ujërat e saj në të gjelbër e blu janë të rrethuara nga male të mbuluara me dëborë, dhe qytete dhe fshatra të shumtë që janë shtrirë në brigjet e tij, nga pala shqiptare dhe maqedonase…/KultPlus.com

UNESCO nesër vendos për statusin e rajonit të Ohrit

Nesër komiteti i UNESCO-s do të vendosë për statusin e rajonit të Ohrit, përkatësisht për propozimin që të vendoset në listën e trashëgimive botërore që janë në rrezik.

Pritet të ketë edhe përfaqësues të organizatës joqeveritare “OhridSOS”, të cilët mbajnë qëndrimin se deri tani është bërë shum pak sa i përket rekomandimeve dhe se bartja eventuale në listën e zezë do t’i sjellë vetëm mirë rajonit.

“Nuk kuptohen vlerat e së mirës. Ka zbatim të dobët të ligjeve dhe përfshirje jo të mjaftueshme të shoqërisë civile. Shumë nga vendimet dhe rekomandimet e Komitetit, gjatë gjashtë viteve nuk janë zbatuar, disa janë zbatuar pjesërisht dhe jomjaftueshëm, ndërsa disa të tjerë aspak nuk janë adresuar”, thuhet në kumtesën e UNESCO-s.

Ndryshe, mundësia që rajoni i Ohrit të vendoset në listën e trashëgimive botërore në rrezik për herë të fundit u shqyrtua në korrik të vitit 2019./ KultPlus.com

Shqipëria do të parakalojë e 12-ta në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike

Shqipëria do të parakalojë në vendin e 12-të në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike, e cila do të nisë në orën 13:00 shqiptare. Në Rio 2016, kuqezinjtë ishin të katërtit, teksa zbritja më poshtë në paradë vjen bazuar në alfabetin japonez. Flamuri shqiptar do të shfaqet në stadiumin Olimpik të Tokios pas atij të Arubës dhe përpara Armenisë.

Sipas traditës, e para në Olimpiadë do të marshojë Greqia, e ndjekur nga ekipi i refugjatëve dhe atletët rusë që garojnë nën flamurin e komitetit olimpik, pas përjashtimit të vendit prej skandalit të dopingut.

Si vend organizator, Japonia del e fundit në paradë, ndërsa përpara tyre do të jenë Franca dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat do të mirëpresin Lojërat në Paris 2024 dhe Los Angelos 2028. Në ceremoninë hapëse në Tokio pritet të jenë të pranishëm mbi 11 mijë atletë nga 206 shtete të ndryshme./ KultPlus.com

Netflix po synon të përfshijë edhe video-lojëra për përdoruesit

Foto: Getty images

Netflix ka konfirmuar se do të përfshijë lojëra video-lojëra për të gjithë përdoruesit, pa asnjë kosto shtesë. Në një letër drejtuar investitorëve, thuhej se ishte në fazat e hershme përfshirja e video-lojërave për përdoruesit e Netflix, transmeton KultPlus.

“Është koha e duhur për të mësuar më shumë rreth asaj se si anëtarët tanë vlerësojnë lojërat,” u tha të martën. Kompania me bazë në Kaliforni tha se pret të regjistrojë 3.5 milion klientë të rinj në tre muaj deri në fund të shtatorit. “Covid ka ndikuar në rritjen e numrit të përdoruesve (rritje më e lartë në vitin 2020, rritje më e ngadaltë këtë vit), e cila po funksionon në rrugën e vet,” u tha në regjistrimin e fundit financiar të Netflix./KultPlus.com

Në Australi rikthehen masat e izolimit, do të qëndrojnë për shtatë ditë nëpër shtëpi

Më shumë se 13 milionë australianë – rreth gjysma e popullsisë – janë në izolim, pas rritjes së kufizimeve, si pasojë e përhapjes së variantit Delta të koronavirusit.

Australia Jugore, territor me 1.7 milion banorë, i është bashkuar Viktorias dhe disa pjesëve të Uellsit të Ri Jugor, duke fuqizuar masën e izolimit të martën.

Banorët e kësaj zone do të qëndrojnë për shtatë ditë nëpër shtëpi, pas identifikimit të pesë infektimeve.

Zemërimi është duke u rritur në këtë vend rreth strategjisë së izolimit, pasi dy qytetet më të mëdha, Sidnej dhe Melbërn po përballen me paqartësi rreth asaj se kur do të hapen.

Deri së fundmi, Australia është lavdëruar për strategjinë e mbylljes së kufijve, programeve të karantinës dhe izolimeve të shpejta.

Prej fillimit të pandemisë, ky vend ka regjistruar më pak se 1,000 viktima me koronavirus.

Mirëpo shpërthimet e reja me variantin Delta, kanë krijuar sfida të reja, si dhe kanë vënë në pah shkallën e ulët të vaksinimit në këtë vend./ radio evropa e lire/ KultPlus.com

Dua Lipa në mesin yjeve me veshjen më me stil

Midis ceremonisë përmbyllëse të Festivalit të Filmit në Kanë, galasë amFAR dhe premierave personale të shfaqjeve të shumta televizive, ditët e fundit personazhet e njohura kanë pasur mjaft arsye për t’u veshur bukur.

Vogue cilësoi Dua Lipan si një ndër personazhet më me stil të veshur këtë javë, transmeton KultPlus. “Ju mund të mos i keni vërejtur makinat garuese në miniaturë që mbulonin kostumin e Kazablankës që Dua Lipa kishte veshur gjatë pushimeve në Meksikë. Thekjet që i dhanë pastelës së saj ndanin një energji të lehtë që Lipa e shfaqi në fotografitë e saj”- thuhet në shkrimin e revistës amerikane. Në mesin e yjeve të veshur me stil ishin edhe Timothée Chalamet, Zendaya, Charlotte Lawrence, Liya Kebede, Mati Diop, Lorde, Tilda Swinton, Gemma Chan dhe Noemie Merlant./KultPlus.com

Kur do të flasësh o Ali Podrimja

Një poezi e njohur e Ali Podrimjes, dhe ndër më të pëlqyerat edhe të vetë shkrimtarit, është “Kur do të flasësh o Ali Podrimja”. Poezia është shkruar në vitin 1990, një vit i cili ishte dëshmitar i ndryshimeve në sistemin jugosllav dhe fillimit të vuajtjes për shqiptarët në këtë sistem.

Në shuplakë fiket ylli
na shikon në sy dhe përbihesh
shpinën pa na kthyer asnjëherë o ali podrimja

Rri atje nën qiellin e ftohtë dhe hesht me vjet
beson ende
në njeri

E emri të falsifikohet
mbiemri nënshkrimi datëlindja
emir i nënës i babait i vendlindjes i të parit
përrallat fëmijërore vallet lodrat
heronjtë këngët vajet kremtet

Mbi gjuhën tënde të lashtë mbi fisin
shqirren
dhe derdhen përronj të zez

E ti hesht o ali podrimja
beson ende
në njeri

Në hone të errta në bodrume mesjetare
elaborate emërtime të çuditshme rrënime
mallkime
lehje ndjekje kyçje
gjueti e egër

Ndizen fiken qirinj erë temjani pikojnë fjaët
trupat rezervati
nën sjetull të fatit dheun marrin fëmijët
Gruaja end e shkreh pëlhurën
në Kullë letre
Mbi kokë zgjatet hija sorrat korbat qiellit
kaçurrelat e verdha kreh
me një grusht dhé në gji
nisesh larg larg

Në Evropën mondane je albanais
arbëresh në Itali në Greqi arvanitas
arnaut në Turqi hamdurlah
në Amerikë mish konservash
e asgjë tjetër
e asgjë tjetër

Kushedi sa gjuhë flet zoti yt
E ti hesht o ali podrimja
beson ende
në njeri
Por por
kur do të flasësh o burrë i dheut
apo më parë duhet të lindësh
Kulmin tënd ç’e mbulojnë myshqet

Ali Podrimja./ KultPlus.com

Pse numërohen mjellmat në pallatin mbretëror në Britani? (VIDEO)

Zyrtarët mbretëror po bëjnë një punë të pazakontë. Ata po numërojnë mjellmat në lumin Temza të cilat janë në pronësi të mbretëreshës britanike Elizabeth.

E gjithë kjo po bëhet në kuadër të ceremonisë “Swan Upping”, ceremoni kjo që daton që nga shekulli i 12-të.

Përpos për përgatitje, ekipet nën shërbimin e mbretëreshës numërimin po e bëjnë edhe për regjistrimin vjetor të zogjve, pasi në vitin 2020 nuk u bë regjistrimi për shkak të koronavirusit, shkruan Reuters, transmeton KlanKosova.tv.

Kultivimi i këtyre shpezëve të rralla për shumë shekuj kishte një qëllim tjetër. Sipas David Barber, punonjës i pallatit mbretëror mjellmat kohë më parë ishin vetëm ushqim shumë i rëndësishëm që shërbehej nëpër vente të veccanta. Por, sot rritja e mjellmave ka të bëjë e gjitha me ruajtjen dhe edukimin.

Ceremonia “Swan Upping” daton 800 vjet më parë kur kurora angleze pretendoi për herë të parë pronësinë e të gjithë mjellmave memece, të cilat kanë qafë të gjatë të lakuar, sqepa portokalli dhe pendë të bardha.

Në këtë ceremoni çdo vit apelohet që të kenë kujdes në ruajtjen e këtyre specieve të rralla, ndërsa dënojnë ashpër vrasjen e tyre të pakujdesshme vetëm për gjah.

Në linkun më poshtë shihni videon nga numërimi i mjellmave:

https://www.reuters.com/business/environment/uks-swan-uppers-take-thames-check-queens-birds-2021-07-20/