Kurti: Në Rio morëm një medalje, në Tokio 2, të fillojë puna që në Paris të marrim 3 e më shumë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para publikut të mbledhur në sheshin e Prishtinës për kampionet olimpike të Kosovës.

Kurti ka thënë se puna e madhe që kanë bërë kampionet janë motivim për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai ka pasur fjalë të mëdha edhe për kampionen e parë në histori të Kosovës, Majlinda Kelmendi.

“Mirmbrëma dhe urime të gjithëvë. Le t’iu urojmë mirëseardhja skuadrës sonë olimpike me një duartrokitje të madhe e të fuqishme sepse kanë bërë historinë në Tokio. Edhe pse Majlinda nuk mori medalje të artë në Tokio ajo ka marrë zemrat tona. Me përkushtimin e saj ajo ka hapur rrugën për atletët tonë që të ëndërrojnë më shumë e të synojnë më lartë. Ajo i solli Kosovës medaljen e parë të artë duke u bërë simbol i shpresës, duke na thënë që është gjithçka e mundur. Kampione në tatami, e kampione në jetë”, ka thënë ai.

Ai nuk e ka lënë pa thënë fjalë të mëdha edhe për kampionet e ‘Tokio 2020’, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe nuk e ka lënë pa lavdëruar punën e trajnerit Driton Kuka.

“Në olimpiadën e parë në Rio, Majlinda solli medaljen e artë. Në Tokio morrëm dy medalje të arta. Një duartrokitje të madhe për këto kampione. Medaljet e arta aq sa kërkojnë talent, kërkojnë edhe punë e përkushtim. Kërkojnë taktiktë e strategji të përsosur. Trajneri që na ka dhënë zemër të gjithëve. Ai është trajneri i artë Driton Kuka. Tri medalje të arta nga tri gra, kjo fjali me 7 fjalë duhet të mjaftojë për të fituar çdo medalje për barazi gjinore. Falemnderit vajzave, falemnderit trajnerit. Në Rio morëm 1 medalje, në Tokio 2. Le të fillojnë përgatitjet që në Paris të marrim 3 e më shumë medalje. Ju faleminderit të gjithëve. KOSOVA është e ARTË”, përfundoi ai. / KultPlus.com

Peshëngritësi Erkand Qerimaj siguron vendin e parë në kategorinë B të peshës 81 kg në Lojërat Olimpike

Peshëngritësi shqiptar, Erkand Qerimaj ka siguruar vendin e parë në kategorinë B të peshës 81 kg për meshkuj në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, përcjellë KultPlus.

Ai ka shkëlqyer në të treja provat në shkëputje ku më e mira ishte në 157 kg, ndërsa ka arritur të ngrejë 181 kg në shtytje, duke çuar në një total prej 338 kg në dygarësh.

Në përfundim të renditjes së përgjithshme në disiplinën 81 kg në peshëngritje për meshkuj, peshëngritësi Qerimaj zuri vendin e 9 nga 14 peshëngritës të kategorisë së tij në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Kampioni Erkand Qerimaj sot gjatë garës kishte edhe mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i cili shoqërohej nga presidenti i KOKSH, FidelYlli dhe sekretari përgjithshëm, Stavri Bello, shefi i misionit dhe anëtarë të tjerë të delegacionit Olimpik shqiptar. / KultPlus.com

Atleti Musa Hajdari, të shtunën nis garën në Lojërat Olimpike

Atleti kosovar do të garojë në “Tokyo 2020” të shtunën në mesnatë me kohën lokale të Kosovës, përcjellë KultPlus.

Musa Hajdari synon të lërë gjurmë në Lojëra Olimpike. Atleti kosovar është njëri prej 11 garuesve që po e përfaqësojnë vendin tonë në “Tokyo 2020”.

33 vjeçari do ta ketë rastin e tij të shtunën, kur do të garojë në disiplinën vrapim 800 metra.

Gara e tij do të fillojë në orën 02:00 pas mesnate me kohën lokale të Kosovës dhe do të mbahet në Stadiumin Olimpik të Tokios.

Hajdari do të mundohet të bëjë paraqitje sa më të mirë në këtë garë, ku konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe. Për atletin e Roganës, kjo është hera e dytë që merr pjesë në Olimpiadë, pas asaj të “Rio 2016”.

Hajdari është njëri nga pesë garuesit e Kosovës që po merr pjesë në “Tokyo 2020” me ftesë. Ai ka arritur në Japoni disa ditë më parë, ku ka ushtruar nën urdhrat e trajnerit Zijadin Kryeziu. Hajdari është garuesi i parafundit i Kosovës që paraqitet në “Tokyo 2020”.  / KultPlus.com

Briken Calja fantastik në stilin e shtytjes, një kg larg medaljes dhe historisë

Përfundon garimi i Briken Caljes në ‘Tokio 2020’. Peshëngritësi shqiptar zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, duke u renditur në vend të katërt në Olimpiadë.

31-vjeçari e mbylli me 151 kg të ngritura në stilin e shkëputjes në Lojërat Olimpike të Tokios. Vendi i shtatë për Caljen në shkëputje, teksa ka bërë shumë më mirë në stilin e shtytjes.

Calja çoi 184 kg në tentativën e parë, ndërsa dështoi në të dytën me 188 kg. Fantastike prova e tretë e peshëngritësit nga Elbasani, i cili ia doli të çojë 190 kg.

Sportisti e mbylli dygarëshin me 341 kg të ngritura, duke u renditur në vend të katërt në dygarësh. Vetëm 1 kg ishte Calja larg medaljes së bronztë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani nga Tokio: Distria Krasniqi i dha Kosovës nderin më të madh jetësor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga Tokio është shprehur e ngazëllyer për medaljen e artë që xhudistja Distria Krasniqi fitoi sot në Lojërat Olimpike që po mbahen në Japoni.

Osmani tha se Distria Krasniqi i dha Kosovës nderin më të madh jetësor.

“Distria Krasniqi i dha Kosovës nderin më të madh jetësor i dha medaljen e artë olimpike. Jam e bindur që të gjitha vajzat në Kosovë e kanë kuptuar se asgjë s’mund t’i ndalë për të shënuar suksese”, u shpreh Presidentja Osmani për RTK-në

Ajo ka falenderuar sportistët kosovarë që po e bëjnë të mundur shkëlqimin e Kosovës ndërkombëtarisht.

“Dua t’i falenderoj nga thellësia e zemrës për këtë nder që po ia bëjnë shtetit të Kosovës, duke siguruar që shteti i Kosovës të shkëlqejë ndërkombtarisht”, u shpreh ajo. / KultPlus.com

Kuka: Dy të arta në dy Olimpiada, rezultati më i madh që ka mundur të arrijë sporti kosovar

Trajneri i Kosovës në Xhudo, Driton Kuka ka thënë se dy Medalje të Arta në dy Olimpiada, për Kosovën është rezultati më i madh që ka mundur të arrihet në sport.

Kuka ka thënë për KTV-në se shpreson që edhe xhudistët e tjerë të sjellin medalje për Kosovën ndonëse tashmë janë të relaksuar si ekip pas fitores së Distria Krasniqi në kategorinë deri në 48 kilogram, transmeton KultPlus.

“Fjalët kanë mbetur pak në atë brendinë time dhe nuk po dalin. Kam pritur medalje prej Distrisë por Medalja e Artë ka qenë diçka e madhe. Më duket se në fillim të luftës, në dy minutat e para ajo vetëkënaqësia e ka nxënë pak Distrinë dhe mandej pas minutës së dytë ka ardhur në terren të vetin, dhe në momentin kur xhudistja japoneze ka pritur shumë, e kam pasur një ndjesi që po vjen momenti i gjuajtjes, një moment i cili për mua është i jashtëzakonshëm sepse në dy Olimpiadat, dy medalje të arta është rezultati më i madh që ka mundur të arrihet në sport”, ka thënë Kuka në një prononcim për KTV-në nga Tokio. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti për Krasniqin: Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh, me zemer jam me ju në Tokio

Pas fitores së Krasniqit në gjysmëfinale ku xhudistja kosovare mposhti Urantsetseg Munkhat të Mongolisë duke fituar medaljen Olimpike, tani ajo ka arritur të fitojë medaljen e Artë, raporton KultPlus.

Krasniqi fitoi në finale kundër japonezes Funa Tonaki.

Për fitoren e Krasniqit ka shkruar edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili përmes një statusi në faqen zyrtare në Facebook, është shprehur falenderues për ekipin nga Kosova, që siç ka theksuar ai, po e bëjnë krenar secilin prej nesh.

”DISTRIA E ARTË
Në garën e parë në Lojërat Olimpike, Kosova fiton medaljen e artë.
Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh. Me zemër jam me ju në Tokio”
, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

‘Jam kosovar, pra jam shqiptar, Zot e krenar’

Poezi nga Mitrush Kuteli

Kënga e parë: Qëndrimi

Jam kosovar
pra jam shqiptar:
Zot e krenar,
– Zot e bujar
mbi këtë Dhe
q’e e kam si fe;

E kam Vatan!
e kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brezi,
që gjithëmon!

Ti shkja thërret,
ti shkja bërtet,-
gjer lart në retë;
se jam barbar.

Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.

Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri;
Kur nga një det në tjatrin det
Isha zot vet!

Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri!

Kënga e dytë: Durimi

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që vogëli.

Jam si më sheh
e si më njeh;
kësulë-bardh e krye-lidh,
krye-lidh me një shami,
me tri shami;
për trimëri!

Jam eshtër-madh,
i vrazhdë jam
e bojalli-
jam’ plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
-Si s’ka njeri-
Për drejtësi
e për Liri!

Si gjithë Asimët
e gjith Qerimët
e Vendit tim.

Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që vogëli;
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët
dhe gllavnikët.

ma vranë,
Se urdhër dha Vojvodi
e Krali- vetë;
Të vritet.
Se ishte Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!

Dhe tokën që kisha nga Baba
nga Gjyshi
– rrënjë pas rrënje-
prej qindra vjet,
prej mijra vjet!
ma muarr. Ah!
ma muarr Vatanin
q’e desha si xhanin!

Ma muarr
me armë në duar,
– me gjak nëpër duar-
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok,
u bënë shokë;
si sorrat!
për kërmë!

Oborrin ma muarr
gjer në shtëpi
dhe ngrehnë për vete shtëpi
në sytë e mi!

Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot;
mbeta pa dhe,
– bujk pa dhe,
bari pa kope-
këtu,
në dherin tim.

Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…
……………………………
Po shpresa s’m’u vyshk! Durova,
durova,-
Sa nuk duron njeri,
as perëndi!

Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i Kombit tim.

Më dhanë armë të vras
vëllanë
sipas kanunit
të gjakut…,
Po s’desha!
Dhe në e bëra,
ma falni;
Se jam gjaknxehtë.

Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej!
Se vetëm andej
paska për ne
-Popull pa zot-
vend boll…

Po malli i Tokës s’më la,
po malli i Fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.

Dhe mbeta këtu,
i huaj,
– si qen!-
në vendin tim,
të Babës tim…

Mbeta raja,
ndënë raja
si për hata;

në uri
në qesëndi,
në skllavëri
të shkjaut të zi.

Më thanë të ik n’Allbani,
– Vatan i ri
i Kombit tim-
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.

Po dot nga toka s’u ndava,
Dhe mbeta të jem,
ku jam
e ku do të jem!

Më thanë të shkoj në sheher
të shkjaut të madh
me sharrën më krah,
me kryet përdhe,
jaban
e beter;
portë më portë
derë më derë
i mjerë
e zemër- sterrë;
për një kotherrë
bukë,

Po malli i Vendit s’më la
e mbeta këtu,
raja
ndënë raja
të ha
një bukë- zeher
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres!
një tjatër mëngjes.

E dit për dit,
e net pas net,
e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjash;
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!

Po prita
dhe prita
të vijë dhe për mua
dita!

Tani,
tani,
Liri!

Kënga e tretë: Sulmi

Ta shemba shkjah kufinë
që ngrite ti
në Vendin tim
e përmbi varr
të Babës tim.

Ta shemba
ta dogja;
me zjarrin e shpirtit
të vojtjes
dhe të urrejtjes.

Me zemërim
me vrull të madh,
e bubullim
që s’ka mbarim.

Se vjete ti më çave
më ndave
më vrave!
armik- lugat!
armik- xhelat!

Ti bëre azape:- s’u tremba,
Ti ngrite kufire me gjemba
fortesa ti ngrite;
t’i shemba!

Tani,
tani!
atje ku ti
o Mal i Zi!
ngrite kufi
që ndanin
e çanin
vëllazëri;
Hej!

sot!
shkon,
e valon
parmenda!

T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjurma t’u zhduk
si në ujë.

Ta shemba armik kufinë
-derë burgu-
dhe është tani
si ish!
-si do të jetë;-
përjetë;
Lëndinë!

Kënga e katërt: Ndërtimi

I bje arës mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të Babës tim,
të Birit tim;
sot e përpjet,
jetë pas jet!

Dhe ndje qysh flet
me zë të qet
im Atë vet
nga balta posht;

Të mbroni Dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam…

Të mbroni Dhenë
që e ushqe’
dhe sot si dje;
me kurmin tim…

Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot-
po kurrë lot!
as sot, as mot!….

Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!

Jam eshtër-madh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.

Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
më rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj….
Të pash të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhandërma.

Desha të qaj e s’qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot.
pa asnjë lot, pa asnjë lot.

Dhe prita sot të derdh një lot.

Kënga e pestë: Qëndrimi

Tani,
tani,
unë jam gati!
të vdes që sot-
se rroj përmot;
mbytyr me gjak
por jo me lot,
për këtë Dhe
që e kam si fe
e përmbi fe.
E kam Vatan!
E kam Atdhe!

Hej!
po buças me zë kaba
sa të dëgjohet në qiell la
sa të dëgjojë fund e krej
kush gjak shqiptari ka në dej.

Shaban- vëlla!
Destan- baba!
Hej!

Komb i lirë kosovar,
ti komb shqiptar,
ti Zot krenar
ti djalëri- ti pleqëri
bëju gati!
Bëhu gati
për vrull të ri;
ta djegësh botën
ta bësh hi;
për Liri!
Për Shqipëri!

Tani
tani!
-O Mal i Zi-
ja un,
ja ti!
Po un- jo ti,
se jam këtu kur s’kish njeri
dhe as kufi
as fqinjëri…

Un jam këtu kur Mal i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati-
Sa mban e gjitha Shqehëri,
Ish Iliri!
Kur nga një det në tjatrin det
isha Zot vet!

Se jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën – fushë
e malin mal.

Un jam këtu
e do të jem
– dem baba dem-
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri!

1943. / KultPlus.com

Hapen zyrtarisht Lojërat Olimpike, parakalon ekipi i Shqipërisë

Lojërat Olimpike “Tokio 2020” edhe zyrtarisht kanë nisur, me ceremoninë hapëse që po mbahet në stadiumin olimpik të Tokios.

Tashmë ka nisur prezantimi i ekipeve olimpike në “Tokio 2020”.

I pari që parakaloi në ceremoninë hapëse ishte ekipi i Greqisë. Ndërsa, pas Greqisë, radhën e pati ekipi olimpik i refugjatëve dhe pastaj Islanda, transmeton KultPlus.

Tashmë edhe ekipi olimpik i Shqipërisë ka parakaluar në ceremoninë e Lojërave Olimpike.

Luiza Gega dhe Briken Çalaj ishin bartës të flamurit shqiptar në këtë ceremoni. Shqipëria në Lojërat Olimpike prezantohet me tetë sportistë.

Në mesin e shteteve pjesëmarrëse, është edhe Kosova që po paraqitet për herën e dytë në Lojërat Olimpike pas debutimit në vitin 2016.

Kosova në këtë ngjarje po prezantohet me 11 sportistë, prej të cilëve gjashtë janë me normë olimpike derisa pesë të tjerët me ftesa. Medalistja e artë olimpike, Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova do ta bartin flamurin e Kosovës në këtë ceremoni.

Derisa ka nisur ceremonia hapëse, protestuesit anti-Olimpiadë janë mbledhur para stadiumit olimpik dhe po i vazhdojnë protestat e tyre edhe gjatë ceremonisë të Lojërave Olimpike.

Protestuesit kanë kritikuar qeverinë japoneze që sipas tyre po i jep përparësi Olimpiadës para shëndetit të popullit të saj.

Spektatorët janë ndaluar që të jenë të pranishëm në të gjitha ngjarjet sportive që do të mbahen në zonën e Tokios, me audiencë të kufizuar që lejohet në disa zona periferike.

Rreth 23 për qind të popullsisë prej më shumë se 120 milionë banorësh është vaksinuar plotësisht në Japonisë.

Megjithatë, numri i infeksioneve javën e shkuar po rritet vazhdimisht, me Tokion që regjistroi 1979 raste të enjten. / KultPlus.com

“Tokio 2020” tashmë ka një heroinë: Ajo mposhti leukeminë, qau pasi u kualifikua dhe tani synon medalje

Notarja japoneze, Rikako Ike u bë heroina e Lojërave Olimpike në Tokio shumë kohë para fillimit të kësaj gare.

Kjo japoneze arriti të kualifikohej në “Tokio 2020”, dy vjet pasi u diagnostifikua me leukemi.

“Nuk e prisja fare këtë, kisha shumë më pak vetëbesim se sa pesë vjet më parë”, tha 20-vjeçarja pasi fitoi normën olimpike.

Rikako Ike

Ajo notoi në stafetë, 4 x 400 dhe e përfundoi garën për 57.77 sekonda.

Kur e arriti qëllimin, përqafoi rivalët e saj dhe qau.

Ndryshe, Ike tani synon medalje në “Tokio 2020”./FrontOnline/ KultPlus.com

Lojërat Olimpike në Tokio do të mbahen vitin e ardhshëm “me apo pa COVID”

Lojërat Olimpike në Tokio do të mbahen vitin e ardhshëm “me apo pa COVID”, ka thënë zëvendës-presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

John Coates e ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve AFP se Lojërat Olimpike do të nisin më 23 korrik të vitit të ardhshëm, duke i quajtur “Lojëra që kanë pushtuar Covidin”.

Fillimisht ishin paraparë të organizohen në korrik të vitit 2020, por u shtynë shkaku i pandemisë COVID-19.

IOC-ja më herët ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të Lojërave Olimpike përtej vitit 2021.

“Këto Lojëra do të jenë Lojërat që kanë pushtuar COVIDIn, drita në fund të tunelit”, ka thënë Coates.

Shtëpia e tmerrit hapet në Tokio

Është një tmerr i vërtetë, por i tillë që ofron edhe distancë.

Zombit sulmojnë automjetin dhe pështyjnë gjak në xhama. Mirëpo vizitorët e këtij atraksioni të veçantë ndihen të sigurt, ngase nuk do të mundë të infektohen prej krijesave të përgjakura, as me koronavirus.

Kompania që e hapi këtë shtëpi, të cilën vizitorët e frekuentojnë vetëm me automjete, te kjo ide erdhi pasi mendoi se si të kishte punë në kohë pandemie.

“Kemi nisur këtë lloj të lojës, sepse nuk mund t’u afroheshim klientëve tanë. Por distanca u shkurtua mes nesh tani, kur na mbron vetëm një xham i veturës. Është më afër se dikur”, ka thënë përgjegjësi i shtëpisë së frikshme.

Ndryshe prej shtëpive të frikës, nëpër të cilat mysafirët ikin të tmerruar, këtu ata janë të mbyllur në veturat e tyre dhe nuk mund t’u ikin tmerreve gjatë performancës prej 13 minutash.

E për më tepër, aty nuk ekziston asnjë mënyrë për kontakt mes njerëzve, dhe kësisoj edhe eliminohet mundësia e bartjes së virusit. / KultPlus.com

“Art për të vjedhur”, një galeri në Tokio i fton hajnat

Një galeri në Tokjo të Japonisë hapi ekspozitë për të shfaqur punime të artistëve të ndryshëm, por këtë herë më një koncept tërësisht të ri.

Pas orës 12 kur të mbyllej ekspozita, vizitorët mund të “vidhnin” veprat e artit, në ekspozitën e quajtur “Art për t’u vjedhur”.

Disa orë pas mbylljes së galerisë, shumë njerëz u paraqitën me dëshirë të vjedhin ndonjë copë arti. Stacioni policor ishte afër, por policët intervenuan vetëm për të kontrolluar turmën, sepse të gjitha veprat nga ekspozita, ishin për t’u dhënë, apo “vjedhur”, shkruan AFP.

Kjo ngjarje sipas organizatorëve ishte një eksperiment, për të afruar marrëdhënien në mes artistit dhe vizitorit në një galeri.

Në fillim u parapa si një ngjarje e vogël e cila mund të tërheqë ndonjë “vjedhje” të fshehur, por fjala u shpërnda nëpër mediat sociale dhe në fund ishin rreth 200 njerëz afër galerisë që po shpresonin të rrëmbenin ndonjë pjesë arti, transmeton KOHA.

“Hajnave” u tha se mund ta rrëmbenin galerinë pas mesnate, por turma ishte aq e madhe sa që rrëmbimi nisi një orë përpara, dhe ekspozita e cila duhej të zgjaste 10 ditë, u zbraz për më pak se 10 minuta.

Edhe pasi që u zbraz galeria, vazhdonin të arrinin hajnat potencial, ndërsa stacioni policor aty afër dërgoi policë për të shpërndarë turmën.

“Jeni duke e bllokuar rrugën!”, bërtitën policët.

Organizatorët pastaj u takuan edhe me policinë, për të qartësuar situatën.

Në fund doli që “hajnat” kishin qenë të mirë dhe nuk kishin bërë probleme.