S’jam normal thash dhe s’du me qenë, Se n’normalitet pasion nuk gjen, S’gjen as imagjinatë, s’gjen as çmendi, Madje aty s’gjen as knaqësi…
E unë jam ku është çmendia. Se aty e kam frymëzimin, Aty ku shpirti revoltohet, Nga del zjarri që ndez guximin.
Aty m’gjeni pra nëse m’kërkoni, Te guximi me ëndrru, Te guximi me pasë pasion -e pasion me jetu. Te guximi poetisht me dashtë, -se n’dashni është guximi, Te guximi me e ndal kohën -për sharmin e një shikimi./ KultPlus.com
Në anijen “Vlora”, në mesin e 20 mijë shqiptarëve ishte dhe Kledi Kadiu. 29 vite më parë, ai si të gjithë të tjerët u larguan nga Shqipëria për një jetë më të mirë, drejt Italisë fqinje.
Sot ai është një nga balerinët më të famshëm në Itali, e megjithatë nuk i ka harruar rrënjët prej nga ka ardhur.
Sot, kur bëhen plot 29 vite nga eksodi, Kledi ka rikujtuar copëza nga ai udhëtim drejt vendit të shpresës, por edhe mesazhin që sot i jep vajzës së tij të vogël.
“Kanë kaluar 29 vjet! Për një moment kisha menduar të kthehesha, duke menduar për prindërit, për gjyshen, por ishte shumë vonë! Anija tashmë ishte nisur! Ende e kam erën e sardeleve dhe të qumshti në hundën timë! Era e gjithçka që më ushqeu gjatë udhëtimit. Disa të tjerë, me më pak fat, kishin vetëm sheqer. Mbaj mend shumë mirë se kisha shumë etje. Një ditë, kur ajo të jetë në gjendje të kuptoj, do i tregojë vajzës sime për këtë aventurë në mënyrë që ajo të dijë se nga erdhi babai i saj si ëndërroi për një botë më të mirë”, shkruan Kadiu. / KultPlus.com
Les Fontaines Parfumées kishte hapur portat për fotografin shqiptar Arton Sefa, i cili në një ambient si të përrallave së fundi ka realizuar fotosesionin për Louis Vuitton dhe Vogue të Gjermanisë, shkruan KultPlus.
Të hysh në këtë ambient ku prodhohen parfumet më të njohur botëror, të shijosh nga afër lulet e këtij kopshti, ku të njëjtat lule përdoren për krijimin e aromave më të fuqishme botërore, e që shumëkujt do ti kujtojë momente të rëndësishme të jetës, konsiderohet një eksperiencë e paharruar, por që në të njëjtën kohë me fotografi të vuloset suksesi i këtyre kompanive të mëdha botërore, me modelen emblemë të Lois Vuitton, është vetëm një sukses i radhës i fotografit shqiptar Arton Sefa.
Ai ka treguar për KultPlus për këtë fotosesion, dhe përvojën e tij në Les Fontaines Parfumées që gjendet në Grasse të Francës.
Sefa ka shpjeguar se me modelen Emmy Rappe, ai ka fiksuar fotografi nga kopshti i parfumerisë, që ka pas për qëllim që të tregojë edhe këtë vend magjik se prej ku dalin kaq shumë parfume të njohura. Në të njëjtën kohë ai ka treguar se janë fotografuar edhe proceset e krijimit të këtyre parfumeve, që janë të shtrira nëpër kate të ndryshme të Les Fontaines Parfumées.
““Les Fontaines Parfumées” është një vend që ka një traditë që klientë të shumtë, shkojnë po në këto hapësira të blejnë parfumet e tyre, pikërisht në vendin edhe ku krijohen.
Arton Sefa ka ndarë me lexuesit e KultPlus edhe fotografitë e këtij sesioni që janë realizuar në Grasee të Francës.
Arton Sefa është fotograf i njohur nga Kosova që tashmë e sa vite bashkëpunon me revistat më prestigjioze të botës, dhe përvoja e tij me fotografinë tashmë është shtrirë në shumë vende të botës. / KultPlus.com
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se nëse mbahet mësimi në formë online, atëherë njëri prind do të lirohet nga puna.
“Njëri prind do të lirohet nëse mësimi mbahet online”, ka thënë ai.
Ai e ka arsyetuar këtë me pamundësinë që të vazhdohet mësimi në formë të njëjtë, nëse prindërit nuk ndihmojë fëmijët e tyre me kycjen në rrjet dhe vijimin e mësimit në formë virtuele.
Ai po ashtu thotë se kjo masë do të kërkojë shumë koordinim me sektorët tjerë të qeverisë duke marrë parasysh edhe ekonominë e vendit.
“Çelësat e artistit italo-shqiptar Milot” dëshirojnë të jenë një simbol universal i lirisë kundër sistemit të vështirë politik të shoqërisë bashkëkohore, dhe veçanërisht kundër sistemit internacional të komplikuar burokratik i cili paraqet një kufizim të madh të sistemit ndërkombëtar kapitalist.
Artisti e ka provuar në lëkurën e tij dhimbjen bashkë me të afërmit e familjes, ku kanë qenë të etiketuar, në Shqipërinë komuniste, si “Kulak”, dhe sapo mbërriti në Itali, mbas shume sakrificash kur (ai studionte në Akademinë e Brera në Milano) e gjeti veten duke u përballur me situatën e vështirë të të quajturit “emigrant”.
“Në përpjekjet e mëdha që bëmë çdo ditë, për të realizuar ëndrrat tona, pa dashur, gjejmë shumë barriera, paragjykime dhe mekanizma të një sistemi burokratik, ku është shumë e vështirë të plotësosh ëndrrat tona. Çelësi si objekt, ka qëllimin e “hapjes”, dhe për këtë arsye paraqet mjetin për të gjetur “mënyrën” e duhur për çdo qenie njerëzore”, ka thënë Milot.
Në këtë shoqëri moderne të bombarduar dhe deformuar nga imazhet virtuale, te manipuluara me çdo lloj forme , njeriu detyrohet të mos komunikojë, rrjedhimisht edhe artistët contemporan duhet te “kërkojnë” për një identitet të ri, në përpjekje për t’i bërë njerëzit të reflektojnë e mendojnë për këtë moment te pasigurte që jetojmë sot.
“Çelësi “është thelbi i gjuhës, pragu i komunikimit, një tufë kohe dhe e mitit që na çon atje ku ne do të tregojmë tashmë nga njëra anë të keqën e shoqërisë sonë dhe njëkohësisht aftësinë tonë për të ruajtur, madje edhe në mbledhjen e figurës kontakti teknologjik me rrënjët tona parësore. Konceptualisht ”Çelësi”, një objekt i përditshëm bëhet një mjet për të rimarrë të kaluarën e dikujt me gëzimin e së tashmes për të parë të ardhmen. Dimensioni filozofik i Milotit është përfundimisht një denoncim i vërtetë i rreziqeve të shkaktuara nga humbja e vlerave njerëzore të hipnotizuara nga sistemi shtypës i jetës bashkëkohore, skena e dhimbjes dhe e dhunës, vende të ndotura nga mitologjitë mbizotëruese masive.
Presidenti i Provincës së Avellino , Avv. Domenico Biancardi, e ka ftuar artistin e famshëm shqiptar Milot të realizoje veprën monumentale “Key of Montevergine”, një vepër unike në botë: një skulpturë monumentale me shume se 40 metra, qe do te vendoset në hapësirën e hapur para daljes nga autostrada përballë qytetit te Avellinos si simbol i mirëseardhjes në qytet.
Skulptura do te jete e përhershme në territorin e qytetit të Mercogliano, afër kishës famose shekullore te Montevergine që është simbol i tolerancës në Mesdhe .
Skulptura monumentale e Milotit do të vendoset në hyrjen e qytetit, një rrethrrotullim, rrethi pa fillim ose fund, sikur të simbolizojë rrethin e jetës, një rilindje të një shoqërie të lirë, të hapur për gjithçka dhe të gjithë, të hapur për dialog.
Kjo jo vetëm do të jetë skulptura më e madhe që ka realizuar artisti shqiptar në karrierën e tij artistike, por do të jetë skulptura më e madhe e realizuar në çelik, korten në Evropë, një material që preferon prej shumë vitesh Milot. Në një moment kaq të vështirë për të gjithë botën, artisti dëshiron të japë një mesazh shprese që synon të zgjojë mendimin kolektiv të një shoqërie që kohët e fundit ka humbur vetëvlerësimin.
Çelësi i Montevergine vjen me një mesazh, dëshiron të jetë një “britmë” universale e respektit të ndërsjellë midis njerëzve, në mënyrë që ata të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe të mos ketë më vende të mbyllura dhe të largëta.
Artisti Milot e simbolizon jetën në një mënyrë të thjeshtë, ashtu si mesazhi që ai dëshiron të lëshojë me skulpturën e tij është i thjeshtë:
“Hiqni frikën individuale dhe kolektive që na rrethon, kjo vepër dëshiron të jetë mbi të gjitha një mesazh pozitiv shprese, sepse të gjithë ne kemi të drejtë t’i realizojmë ëndrrat tona, dhe të gjithëve duhet tu garantohet të njëjtat mundësi për te jetuar ne mënyrë dinjitoze “.
Vitet e fundit “çelësi” është bërë një emblemë referimi për Milot, një simbol i të gjitha veprave të tij, si në pikturë ashtu edhe në skulpturë, dhe në instalime të mëdha. Një vepër kaq gjigande, me e madhja realizuar deri tani ne Evropë , jep një mesazh te madh, një emocion shume te forte.
Drejtor artistik i projektit “Key of Mercogliano” është artisti Michele Stanzione.
Skulptura monumentale “ Key of Montevergine”e artistit italo-shqipetar Milot do të realizohet nga “ndërmarrja Metalzurlo”ne Çervinara te Avellinos.
Inaugurimi është caktuar për muajin tetor 2020.
Artisti italo-shqipetar , Alfred Mirashi Milot jeton e punon ne Firenze te Italisë, i diplomuar ne Akademinë e Arteve te bukura ne Brera te Milanos , nga viti 2016 është emëruar profesor ne Universitetin Arte&design ne Jinan , Shandong , Cina
Ne vitin 2020 është emëruar drejtor i Muzeut te artit modern , DODO ne Beijing./ KultPlus.com
“Shteti ynë nuk lindi në mes të qetësisë dhe shëndetit, po lindi me të dhembura e mend dështoi. Duhej pra kujdesi më i madh që të mbahej i gjallë, që të merrte fuqi, që të rritej…
Po, përkundrazi, ky shtet i vogël e i njomë ra në duar aq brutale dhe u përdor aq ashpër, sa edhe një shtet i vjetër dhe i rrënjosur do të ish tronditur sikur të pësonte ato që pëson ay.” Faik Konica Dielli, 28 tetor 1922./ KultPlus.com
Bashkimi i zërave të Hamide Sadikut dhe Qazim Berishës e sjellë këngën e njohur “Moj Hatixhe, moj n`shami t’kuqe”.
Një këngë e njohur në origjinal e Hamide Sadikut, mund të pëlqehet sot por në fakt e paraqet një realitet të hidhur të kohës kur u publikua kënga, rreth viteve 70-të.
Gratë dhe robëria që e përjetonin brenda familjeve të tyre, më pas bënte që ato të martoheshin, shpesh pa dëshirë dhe në një familje tjetër ku nuk kishte dashuri.
Kënga është folklorike dhe mbetet një trashëgimi e muzikës shqiptare, e cila më pas është interpretuar edhe nga të tjerë këngëtarë dhe ka dalë në versione të ndryshme.
Madje, një prej komentuesve tek kënga në Youtube e ka quajtur realitetin e asaj kohe si realitet shtazor. Duke lënë anash rrethanat, Hamide Sadiku dhe Qazim Berisha e kanë shkrirë këtë këngë e cila edhe sot dëgjohet me ëndje dhe pëlqehet nga moshat e ndryshme.
Moj Hatixhe moj n’shami t’kuqe, T’i ngjyn nana moj flokt e kuqe. Flokt e kuqe t’i shitoftë zana, A po t’dhimen-o baba e nana? Baba e nana, moj dy vllaznia, Shkoj te burri po m’merr pleqnia. Shkoj te burri po m’merr pleqnia, Per kanaci po m’rrokin fmija. Per kanaci po m’rrokin fmija, Dy herë n’ditë-e o-do fshi shpia. Dy herë n’ditë-e o-do fshi shpia, Dy herë n’ditë-e do mushë buria. Dy herë n’ditë-e do mushë buria, Máll i kam-moj teshat e mija. Máll i kamo-o teshat me’i veshë, Nuk guxoj pej burrit me keshë. Máll i kam-o teshat e mira, Lypin bukën-o argatshtia. Lypin bukën-o argatshtia, Shumë-e hangrën, iu raftë tërpia! — t’shitoftë zana – mallkim. kanac – pështjellak, përparëse. argatshti – argatët bashkërisht./KultPlus.com
LASGUSH PORADECI, Vepra III, “Shqipja, ditar, korespondence”, përgatitur nga vajzat Kostandina dhe Marie Gusho.
“Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, Lasgushi i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Ne e dinim, e ndjenim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit.
Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll. Kur arkivoli ish vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të. Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar? E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”.
Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”. E kështu kaluan katër vjet deri sa i shkoi pranë më 12 nëntor 1987 për të mos u ndarë më kurrë./ KultPlus.com
Bregdeti shqiptar kohët e fundit është vizituar shpesh nga të “vizitorë” të veçantë pasi të shumtë kanë qenë ata që kanë publikuar video nëpër rrjetet sociale.
Grupe delfinësh i kanë shtuar akoma më shumë bukurinë detit Jon, teksa shoqërojnë me kërcimet e tyre pushuesit që shkojnë me varkë në thellësi.
Në videon e fundit të postuar nga Ledi Shamku duken një tufë delfinësh në Jalë!
“Për të tjerët quhet Shqipëri, për miqtë dëshirë për t’u rikthyer, për ne quhet Shpirt,” shkruan ajo.
Shën Nënë Tereza është thesar i papërsëritshëm, si në mësim e porosi ashtu edhe në veprimtarinë e saj të dashurisë, bamirësisë dhe humanizmit. Për të shpjeguar konceptin e dashurisë së vërtetë, atë dashuri e cila arrin deri në fund, derisa sa dhemb, Shën Nënë Tereza tregon dy ngjarje të bukura dhe unike që i ka përjetuar në jetën e saj, si dëshmi, provë e gjallë si realizohet ajo.
Ngjarja e parë
Unë nuk do ta harroj kurrë, se si dy të rinj para shumë kohësh erdhën në shtëpinë tonë dhe më dhanë një shumë të madhe parash. Unë i pyeta: ‘Ku i keni marrë të gjitha këto para?’. Ata thanë: ‘Ne jemi martuar para dy ditësh. Para se të martohemi, kishim vendosur, që mos të blejmë rroba martese. Ne nuk bëmë dasmë. Paratë e dasmës jua japim Juve.’ Dhe unë e di saktësisht, se ç’do të thotë në vendin tonë, në një familje hindu, të mos blesh rroba martese dhe të mos bësh dasmë. Prandaj i pyeta përsëri: ‘Po, përse? Përse vepruat kështu?’ Ata thanë: ‘Ne e duami njëri-tjetrin aq shumë, sa që gëzimin e dashurisë duami ta ndajmë me njerëzit, të cilëve ju u shërbeni.’ Si e përjetojmë ne gëzimin e dashurisë? Si e përjetojmë ne këtë? Tek japim, derisa dhemb.
Ngjarje e dytë
Para se unë të shkoja në Etiopi, në Kalkutë erdhën disa fëmijë të vegjël tek unë. Ata kishin dëgjuar, se unë do të shkoja atje. Ata kishin ardhur, sepse kishin dëgjuar nga motrat, që fëmijët në Etiopi vuanin shumë. Ata vinin, dhe secili prej tyre jepte diçka, disa edhe ato pak para që kishin. Një djalosh i vogël erdhi tek un dhe më tha: ‘Unë nuk kam asgjë, nuk kam para, thjeshtë nuk kam asgjë. Por, e kam këtë copë çokollate. Dhe ti merre me vete dhe jepua fëmijëve në Etiopi!’ Ky djalosh i vogël dashuronte me shumë dashuri, sepse ai mbase për herë të parë në jetën e vet, mbante një copë çokollate në dorë. Dhe e dha atë. E dha plot gëzim, për ta ndarë me të tjerët, për ta zbutur sadopak dhimbjen e dikujt tjetri në Etiopinë e largët. Kjo do të thotë gëzim i dashurisë: të japësh, derisa të dhemb. I dhembte Krishtit, që na donte neve, sepse ai vdiq në kryq, për të na mësuar neve se si duhet të duami. Kjo është rruga, se si duhet të duami edhe ne: derisa të dhemb.
(Pjesë nga libri: Leo Maasburg, Nënë Tereza. Histori Magjepsëse, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Shkup 2010, f. 88-89.)/ KultPlus.com
Bota është duke punuar me shpejtësi “pandemike” për të finalizuar sa më shpejt të jetë e mundur një vaksinë anti-Covid.
Lajmin e mirë e ka dhënë eksperti i lartë shëndetësor për sëmundjet Infektive në SHBA, Dr. Anthony Fauci.
Ai ka thënë se vaksina kundër COVID-19 do të jetë e sigurt dhe gati në dhjetor të këtij viti, ndërsa për përdorim masiv në muajt e parë të 2021.
“Unë mendoj se ndërsa hyjmë në vitin 2021, ju do të keni një vaksinë që do të ishte e disponueshme për njerëzit në Shtetet e Bashkuara,” tha Fauci për Uashington Post, përcjell albinfo.ch.
Autoritetet federale të shëndetësisë në SHBA po zbatojnë një plan për të prodhuar 300 milionë doza të një vaksine në një afat kohor të shkurtër.
Sipas Faucit, një çerek milion njerëz kanë shprehur interes për të marrë pjesë në studime për vaksinat eksperimentale kundër koronavirusin.
Eksperti theksoi se ka ende shumë pikëpyetje e të panjohura mbi coronavirus. Dhe shpreson të marrë disa përgjigje deri në dhjetor nga një studim ku tregohet se sa shpesh fëmijët infektohen dhe nëse përhapin infeksionin tek të rriturit.
Ai gjithashtu tha se ishte i kënaqur me konferencat e shtypit të fundit të presidentit Donald Trump, duke thënë se Trump po këshillonte njerëzit të mbanin maska dhe të praktikonin distancimin.
Kitaristi i njohur shqiptar do të performojë në festivalin e njohur në Ohër të Maqedonisë, që mbahet tash e sa vjet, shkruan KultPlus.
Petrit Çeku ka njoftuar se do të performojë në këtë festival veprat e kompozitorëve të njohur botëror.
Çeku do të prezantohet më 15 gusht në këtë festival, ku përgjatë viteve janë prezantuar artistë të mëdhenj nga vende të ndryshme të botës./KultPlus.com
Këngëtari i operës italiane Andrea Bocelli ka thënë se është ndjerë “i poshtëruar dhe ofenduar” nga masat bllokuese të vendosura në vend për shkak të koronavirusit.
“Unë nuk mund të largohesha nga shtëpia edhe pse nuk kisha bërë asnjë krim,” tha Bocelli.
Ai gjithashtu pranoi se nuk bindej rregullat e izolimit dhe beson se ashpërsia e pandemisë kishte qenë e ekzagjeruar. Komentet e tij do të befasojnë shumë pasi ai ishte bërë një simbol i unitetit kombëtar në kulmin e izolimit.
Të dielën e Pashkëve, Bocelli këndoi i vetëm në një katedrale të shkretë të Milanos në një shfaqje solo të transmetuar drejtpërdrejtë të quajtur ”Muzikë për Shpresën”.
Bocelli bëri komentet e tij në një konferencë në Senatin e Italisë, ku morën pjesë politikanë të opozitës përfshirë Matteo Salvini, lideri i partisë së ekstremit të djathtë të “Lega Nordit”. Salvini ka sulmuar qeverinë e kryeministrit Giuseppe Conte për trajtimin e krizës shëndetësore në Itali.
Një izolim kombëtar u vendos në Itali në fillim të marsit dhe u lehtësua në faza gjatë muajve në vijim.
Gjatë fjalimit të Bocellit, të cilin ai mbajti në italisht, 61-vjeçari tha se nuk iu bind rregullave të karantinës: sepse nuk mendoja se ishte më mirë ose e më e shëndetshme të qëndroja në shtëpi në moshën time.
“Unë jam në moshë të caktuar dhe kam nevojë për diell dhe vitaminë D, shtoi ai. Bocelli gjithashtu sugjeroi që qytetarët e tjerë duhet të “refuzojnë të ndjekin rregullat”.
Ai tha se kishte menduar se shpërthimi epidemiologjik ishte i ekzagjeruar dhe se ai nuk e njihte njeri në terapi intensive. “Pra, për çfarë ishte gjithë kjo gjullurdi?” pyeti Bocelli.
“Le të refuzojmë të ndjekim këtë rregull. Le të lexojmë libra, të lëvizim, të njohim njëri-tjetrin, të bisedojmë, dialogojmë”, u shpreh këngëtari.
Bocelli, i cili ka dy djem të rritur nga martesa e tij e mëparshme dhe një vajzë me gruan e tij të dytë e cila është dhe menaxherja e tij , Veronica Berti, gjithashtu kritikoi qasjen e qeverisë italiane për rihapjen e shkollave.
“Unë kam një vajzë tetë vjeçare dhe është e paimagjinueshme që këta fëmijë do të duhet të shkojnë në shkollë të ndarë nga një copë peçikllazi dhe të fshehur pas një maske,” tha ai.
“Është e paimagjinueshme që shkollat u mbyllën kaq shpejt dhe me të njëjtën shpejtësi u hapen klubet e natës, ku të rinjtë shkojnë jo për të mësuar, por për të shpërndarë trurin e tyre”.
Bocelli pretendon që komentet e tij ishin “keqkuptuar”, duke shtuar se fondacioni i tij ka ndihmuar shumë njerëz që kanë pasur virusin. Rregullat e izolimit të Italisë tani janë rajonalizuar kryesisht, por maskat në fytyrë janë të detyrueshme në transportin publik dhe në dyqane, dhe distanca sociale prej një metri kërkohet në hapësirat publike.
Teatrot dhe sallat e koncerteve tani mund të rihapin me një maksimum prej 200 spektatorësh për shfaqje të mbyllura dhe me 1.000 spektatorë për shfaqje në natyrë.
Më shumë se 35,000 italianë kanë vdekur nga koronavirusi./BBC/
Për këtë projekt të rëndësishëm, diva e muzikës ka zgjedhur të veshë edhe disa krijime nga stilistë shqiptarë.
Bëhet fjalë për “Kujta & Meri”, me të cilët Beyonce nuk bashkëpunon për herë të parë. Stilistët me anë të një postimi në Instagram kanë treguar se si ishte kjo eksperiencë për ta, ndërkohë që tregojnë edhe “veprën” e tyre dhe si duket artistja me të.
“Aspak i lehtë, por shumë motivues, ka qenë rrugëtimi për krijimin e disa veshjeve të filmit të shkurtër të Beyonce-s “Black is King”. Pamja e divës me “Kujta & Meri” ka qenë, deri tani, perla më e çmuar që kemi prekur dhe krijuar me duart tona të palodhshme. Beyonce ti do të jesh motivimi ynë i pafund në krijimin e artit dhe avancimin e talentit tonë përtej oqeanit. Krijimtaria jonë në shërbimin tënd është dëshmia jonë më e madhe! I adhurojmë njerëzit si ty!“- shkruajnë stilistët shqiptarë./ KultPlus.com
Tirron Mamusha është shpallë kampion i Kosovës në atletikë, në Kampionatin Individual të Kosovës, në distancën 5000m, shkruan KultPlus.
Vetë Tirroni ka thënë se ka qenë sakrificë që në kohë të pandemisë të vazhdojë ushtrimet, duke uruar për ditë më të mira për Kosovën, por në të njëjtën kohë, kampioni Mamusha ka bërë thirrje edhe për kujdes dhe përgjegjshmëri për këtë kohë të vështirë.
Po sjellim më poshtë reagimin e tij të plotë:
ANOTHER WIN 🏆 Sot u mbajte Kampionati Individual i Kosoves, vendi i pare ne distancen 5000m dhe u shpalla kampion i Kosoves per vitin 2020.
Ka qene sakrifice qe ne kohe pandemie te vazhdoje ushtrimet, dhe faleminderoj nga zemra qe ne kete kohe te veshtire prap se prap me ndihmuan: ProVitMobilshop Ari Gjakovë @MENTDental (Dr. Arbnor Cela) Shpatturs
Uroj qe ditet e mira te vijne per vendin tone por ne duhet te tregohemi te pergjegjshem dhe te kujdesshem per veprimet tona.
Britania do të duhet të vendosë në mes kafeneve të hapura ose lejimin e hapjes së shkollave nëse dëshiron të mbajë numrat e infektimeve me koronavirus të ulëta, ka thënë për mediat britanike një anëtar i grupit këshillues për Covid-19 në qeveri.
“Duhet t’i mbyllim disa aktivitete tjera në mënyrë që të mund t’i hapim shkollat. Duhet t’i japim prioritet njërës ose tjetrës. A mendojmë se kafenetë janë më të rëndësishme se sa shkollat?”, tha profesori Graham Medley, i cili është në krye të Grupit Këshillues Shkencor për Emergjenca (SAGE) për BBC-në të shtunën.
Komentet e Medley u bënë një ditë pasi që u panë turma të mëdha nëpër kafene në disa pjesë të Anglisë veriore pavarësisht rritjes së numrit të rasteve dhe kthimit të disa kufizimeve në disa rajone, transmeton KOHA.
Kafenetë u rihapën më 4 korrik në Britani.
“Mendoj se jemi në një situatë ku shumica e njerëzve pajtohen se hapja e shkollave është prioritet për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha Medley.
Të premten kryeministri i Britanisë Boris Johnson tha se do të “shkelë frenën” për fazën e ardhshme të rihapjes si përpjekje për të zvogëluar numrat në rritje të infektimeve me koronavirus.
Kufizime të reja u lajmëruan për Anglinë veriore të enjten mbrëma në përpjekjen për të ndalur përhapjen e Covid-19. Përgjatë shtetit, disa hapësira të cilat duhej të hapeshin të shtunën, përfshirë kazinotë, sportet në hapësira të mbyllura dhe “shërbimet tjera që kanë kontakt të afërt mes njerëzve, do të mbesin të mbyllura deri së paku më 15 gusht”.
Nana sa herë m’i prente flokët binte shi. Vetëm t’i lagte ndjenjat e brendshme të fëmijërisë. Mandej ajo shkonte me bujtë te dajtë. Përnjëherë flokët rriteshin, sikur bari i njomë në kopsht pastaj bëheshin shumë të lumtura.
Derisa kthehej Nana, shokët e mi i numëronin ngjyrat e ylberit dhe më xhelozonin tepër shumë pse sytë e mi kishin ngjyrën më të bukur të ylberit.
Më vonë kthehej edhe Baba nga tregu i Ujmirit. I ngarkuar me lotët e mi mbi supe.Vetëm e vetëm pse nuk më kishte marrë me vete. Ashtu hatërimi zgjati afër nëntë minuta.Derisa m’i lëshoi në të dy duart shumë sheqerka të bardha. Nga gëzimi i papërshkruar fillova vajin.Faqet e kuqe si molla më ndritnin pa fund dhe gjaku më vlonte pandërprerë. Pa ardhur mirë buzëmbrëmja edhe unë filloja t’i numëroja yjet në qiell, aqsa sheqerka shtrëngoja në të dy grushtat.
Çdo natë ëndrrat ishin më të bukura. Edhe kur Nana nuk shkonte me bujtë te dajtë, më merrte malli për fijet e flokëve të prerë me gërsherët me vija të kuqe që kishin shpëtuar pa u bërë shkrumb e hi në Luftën e Kosovës./ KultPlus.com
Kardiologu shqiptar Fahri Beqa, i cili jeton dhe punon prej 12 viteve në Berlin, përmes një postimi në facebook ka reaguar ndaj njoftimeve të IKSHPK në të cilat thuhet se viktimat nga COVID-19 kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Sipas tij kjo nuk është e vërtet, pasi jo të gjithë personat që kanë ndërruar jetë nga ky infeksion kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Ai shtonë se vetëm personalisht ka njohur tre persona që kanë vdekur nga COVID-19 e që s’kanë pasur sëmundje të tjera.
“IKSHP definitivisht duhet t’a largojë nga lajmërimi i përditshëm i rasteve të reja pozitive me Sars-Cov2 dhe të vdekurve nga COVID-19 pjesën e fjalisë ku thuhet “të vdekurit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. Të paktën personalisht i kam njohur 3 persona që kanë vdekur nga COVID-19 dhe nuk e kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese”, thotë Beqa, njofton albinfo.ch.
Beqa thekson se ky veprim tingëllon edhe si relativizim apo arsyetim i vdekjeve. Sipas tij Covid-19 prek të gjitha moshat. Po ashtu të gjithë pacientët me apo pa sëmundje shoqëruese mund të përfundojnë me fatalitet.
“Përveç tjerash kjo tingëllon edhe si relativizim apo arsyetim u vdekjeve. Nga COVID-19 mund të preken dhe mund të vdesin të gjitha moshat dhe të gjithë pacientët me apo sëmundje shoqëruese. Po ashtu edhe mund të shërohen të gjitha moshat dhe pacientët, me apo pa sëmundje shoqëruese. Prandaj nuk është etike e as humane që pacientët me sëmundje shoqëruese të futen automatikisht në kategorinë që ata janë të vetmit që po vdesin nga COVID-19. Sipas statistikave dhe analizave që databazës së të vdekurve në Itali, 28,2% e të vdekurve nuk kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese para pandemisë, dmth kanë qenë plotësisht të shëndoshë”, shprehet ai.
Beqa thotë se me këtë formë të raportimit IKSHPK po ofendon rëndë për viktimën dhe familjen.
“Prandaj kjo pjesë e fjalisë duhet të hiqet, përndryshe shpërndarja e pasaktë e informacioneve për të vdekurit nga një institucion shëndetësor është ofendim i rëndë dhe mund të ketë edhe konsekuenca juridike që mund të inicohen nga familjarët e të vdekurve”, ka shkruar Beqa në Facebook.
Sot në moshën 84 vjeçare ka vdekur Subhi Pasuli, ish-kryetari i SHKA “Agimi” në Prizren.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka vlerësuar se me këtë, Prizreni ka humbur një personalitet të dalluar që ka kontribuar shumë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të qytetit tonë.
“Sot Prizreni ka humbur një personalitet të dalluar që ka kontribuar shumë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të qytetit tonë, z.Subhi Pasuli (1937-2020)”, shkruan Haskuka.
Haskuka thotë se pos punës së tij në zhvillimin ekonomik të qytetit si një ekonomist i dalluar, ai ka qenë edhe aktivist i shquar i jetës kulturore, sportive dhe shoqërore.
“Ndër aktivitetet e shumta në interesin publik ishte edhe detyra e tij si kryetar i SHKA “Agimi” ku shërbeu nga viti 1981 deri në vitin 2001. Më shumë se 20 vite si kryetar në periudhat më të vështira të kombit tonë, ai kontribuoi në sukseset e kësaj shoqërie kulturore dhe artistike. Si mirënjohje për kontributin e tij në sukseset e SHKA “Agimi” ai ishte zgjedhur edhe si “Kryetar Nderi” i kësaj shoqërie. Në emër të qytetarëve të Komunës së Prizrenit dhe në emrin tim personal dua të shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të z.Subhi Pasuli!”, përfundoi Haskuka.
Vdekja e trishtuar endet me shume se hije dje e kurre veshur me dremitjen tone trembur nga shqetesimi jo syte po shpirti nuk fle nje shushuritje gjethesh a zukatje mushkonje tinzare virusi teshtit nen shtroja a lekuren qe kundermon sapun e ngacmone nervat e thare nga grryerja vdekja e dyzuar fle e zgjohet me ne cdo sekond ters ndeze e fike shkrepsen para hunde njeriu tallet me jeten masken lekuren e re…/ KultPlus.com