Blert Morina fiton rastin historik të Kosovës për ndërrim të gjinisë dhe emrit

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë të drejtë Blert Morinës dhe e ka detyruar Agjencinë e Regjistrimit Civil t’ia ndërrojë atij shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumentet e identifikimit

Më 11 dhjetor 2019 është bërë i plotfuqishëm Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin iu dha të drejtë Blert Morinës ta ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente të identifikimit në përputhje me identitetin e tij gjinor.

Morina kishte kërkuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë në prill 2018, që t’i ndërrohet emri nga «Blerta» në «Blert» dhe shënuesi i gjinisë nga gjinia femërore «F», në shënuesin e gjinisë mashkullore «M». Pas përgjigjes refuzuese të Zyrës së Gjendjes Civile dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Morina bëri padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kërkuar që t’i njihet ligjërisht identiteti i tij gjinor.

Paralelisht me padinë e parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Morina kishte ngritur edhe një kërkesë për shqyrtim të kushtetushmërisë të vendimit refuzues të ARC-së në Gjykatën Kushtetuese. Sidoqoftë, kushtetuesja ia kishte hedhur poshtë kërkesën si të parakohshme, me arsyetimin se duhet shterrë mjetet e rregullta juridike para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Ky rast morri vëmendje të madhe nga publiku si rasti i parë publik i një personi transgjinor që kërkon nga shteti i Kosovës t’i njihet ligjerisht identiteti i tij gjinor.

ARC, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore kishte dërguar përgjigje në padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sidoqoftë nuk është paraqitur në asnjërën nga dy seancat gjyqësore të mbajtura në këtë gjykatë.

Komuniteti transgjinor është një ndër grupet shoqërore më të cënuara që jetojnë në Kosovë. Rasti i Blert Morinës ka nxitur zhvillimin e diskursit publik për pranimin shoqëror të personave transgjinor në Kosovë dhe për garantimin e të drejtave të njeriut të mbrojtura me Kushtetutën e Kosovës. / Insajderi.

Munishi: Libër me këngë erotike kemi pas qysh në vitin 1979

Aktorja kosovare Vlora Nikçi ka publikuar së fundi librin me përmbledhje të këngëve popullore erotike, dhe të njëjtin e ka prezantuar si librin e parë të botuar në Kosovë dhe Shqipëri, pasi që e njëjta ka deklaruar se një përmbledhje e tillë nuk ka ekzistuar deri më tashti, shkruan KultPlus.

Po një version tjetër të dokumentuar e sjell Visar Munishi, i cili është etnomuzikolog në Institutin Albanologjik.

Ai nëpërmjet një statusi ka dokumentuar se një libër i tillë me këngë erotike është botuar nga ky institucion qysh në vitin 1979, dhe të njëjtën e ka dokumentuar edhe me fotografi të ballinës së librit.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e tij të plot dhe pa ndërhyrje.

“Pas botimit “PER HERE TE PARE” te kangeve erotike, te “mbledhuna nga nje aktore ne vitin 2019 – 2020, ja edhe nja dy kange te ketij lloji (nga qindra te tjera) te mbledhuna “menjehere pas ketij publikimi te 2020-es”, pra ne vitin 1979, nga Instituti Albanologjik.
Sic mundeni me e pa, pervec botimit te pare te vitit 2020, edhe ne botimin e dyte te vitit 1979 ka *ica… ndoshta jo sa ka qeJf masa, por megjithate ka!
Urime, “per here te pare”, urime!”/KultPlus.com

30 orë ecje për t’i shpëtuar plumbit

Kjo fotografi është e fotografit të njohur Yannis Behrakis ku shihen dy fëmijë nga Kosova, shkruan KultPlus.

Në përshkrimin e Reuters, thuhet se në këtë foto të Yannis Behrakis shihen dy fëmijë të cilët e kanë kaluar kufirin, dhe kanë hyrë në territorin e Shqipërisë.

Poashtu thuhet se për të kaluar kufirin, refugjatëve iu duhej të ecnin në këmbë më shumë se 30 orë. Bëhet fjalë për periudhën e vitit 1999, kur shqiptarët e Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga serbet dhe ecën me orë të tëra për të lëshuar territorin e Kosovës. /KultPlus.com

Sulaj: Kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeut

Është një ndër veprat më të bukura që portretizon heroin e madh kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, dhe këtë vepër, vetë autori Agim Sulaj e mban shumë për zemër, shkruan KultPlus.

Edhe pse jo më pronë e tij, por e koleksionuar brenda Tiranës, për këtë vepër që ishte ekspozuar vite më parë në një ekspozitë të hapur në Tiranë, pikërisht me dedikim për Gjergj Kastriot Skënderbeun, Sulaj ka treguar për emocionet që i ka dhënë kjo vepër, përgjatë realizimit.

“Kam punuar gati një muaj mbi këtë portret, çdo ditë, dhe kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit tonë të përjetshëm”, kishte thënë Sulaj për KultPlus. Ai ka shpjeguar se ky portret është punuar në vaj./KultPlus.com

Më plase krejt, kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë (VIDEO)

“Më plase” nga grupi Marigona është një këngë që ia vlen të kujtohet.

Një tekst i mahnitshëm për gënjeshtrat në një lidhje dashurie, “Më plase” duket më aktuale se kurrë.

Grupi Marigona është një grup muzikor i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës. Vokalist i grupit është Vullnet Sefaja po ashtu nga Mitrovica. Anëtarët e grupit janë ndërruar disa herë, por Vullnet Sefaja ka qenë pjesë e grupit që nga fillimi.

Të flas, e shoh që nuk e dëgjon
Asnjë fjalë që unë them
Dhe nuk e zgjas
Dhëmbët i shtrëngoj dhe përmbahem
Por brenda më dhemb

prej kur t’njoh n’sy ta pash
mashtrimin
e tillë ishe gjithmonë tani e shoh
po i vie fundi përrallës ton është vonë

Më plase krejt
Kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë
Pse s’di të tregosh drejt
Nuk ke nevojë me m ‘rrejt
Nuk e kuptoj
Pse e ndjen këtë nevojë
Tregomë a do mbarojë
Kjo e mallkuar lojë

Shumë gjatë jam bëre i marre pranë teje
Me shpresë se do ndryshosh
Kjo punë e pat’
Vazhdo rrugën tënde dhe provo
Tjetrin ta mashtrosh

Ndoshta shumë shpejt
Mua më harron dhe
Troket në tjetër derë
Do dëgjosh njëjtë
Fjalët që t’i kam thënë, dimër e verë
Shumë herë

Më plase krejt
Kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë
Pse s’di të tregosh drejt
Nuk ke nevojë me m ‘rrejt
Nuk e kuptoj
Pse e ndjen këtë nevojë
Tregomë a do mbarojë
Kjo e mallkuar lojë…/ KultPlus.com

Ramë Lahaj i reagon kryeministrit Rama: “Profeti” paska qu padi për t’zotin e shpisë n’Kosovë

Tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj ka reaguar pas lajmit të fundit se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ngritë padi ndaj kryeministrit të Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj.

KultPlus sjell reagimin e tij të plotë dhe origjinal:

Faqja e zeze

N’ven se Shqipnija me qu padi kundra krimeve te bame ne Kosove e gjenocidin barbar ne dekada nga Serbija, sot nji shortim mes greku e serbi “profeti“ paska qu padi per t’zotin e shpise n’Kosove, vllaun e vet. I mjeri !

Historikisht kombi shqiptar ka pase qakoj qe me bisht ner’ kame, i kan shti hunet fell, sa kan mbrri me permyse sofren e vet per me ja bo qefin e me gzu vrasesin, hasmin t’perbetuem t’vallut t’vet.

Po nuk jemi merzite asihere se luajt gardian qe jeten flijuan neper dekada per ket’ liri t’lame me gjak, na kan lane djem e nipa boll, qe me na e mrbojte torishten prej zagarve te ktij soji. N’funt t’funit, boll i kemi hallet tona me ndamjen e hises se pushtetit, bash si qent e terrbum rreth lekures se kurbanit.

HIJENA T’PUSHTETIT

Zot ruje Shypnin prej shartimit t’kti soji./KultPlus.com

Llogoja e Tiranës dyshohet të jetë plagjiat

Tirana është në prag të festës së 100 vjetorit të kryeqytetit, dhe për këtë festë Bashkia e Tiranës kishte bërë edhe një thirrje për të zgjedhë llogon e këtij përvjetori, shkruan KultPlus.

Rrezeart Galica, dizajneri kosovar ka shpërndarë në facebook një llogo të ngjashme të “Truman”, që sipas Galicës, Karrota e ka përdorë për llogon e Tiranës.

“100 vjet më kopjove me “dashuri”.
Ç’skandal!

“Truman” e ideoi dhe konceptoi Rosie Manning, 2016
https://dribbble.com/rosiemanning/tags/truman”, ka shkruar Galica.

Por vetë udhëheqësi i kompanisë “Karrota”, ka komentuar te Galica, se nuk po din të bëj krahasimin mes plagjiaturës dhe trendit. /KultPlus.com

Fshati që u braktis nga shqiptarët dhe turqit shtjellohet në “Honeyland”, nominohet për Oscar

Akademia e Arteve dhe Shkencave në Shtetet e Bashkuara ka bërë të ditura nominimet e filmave në 24 kategori për çmimet Oscar, për të nderuar përkushtimin e bërë në fushën e filmit më 2019. Në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar në garë është edhe filmi maqedonas “Honeyland”.

Ky film i cili po pretendon çmimin Oscar, në vete thur një histori që sillet rreth shqiptarëve e turqve, ku flet për dy gra të cilat jetojnë në një shtëpi guri, pa energji elektrike dhe pa ujë, por që kujdesen butësisht për bletët.

Ato tregojnë se si kanë mbet të vetme në këtë fshat, pasi që fshati është braktisur nga shqiptarët dhe turqit, që kanë jetuar më herët në këtë pjesë. Në këtë film janë përfshirë Hatixhe dhe Nazife Muratova, të cilat edhe kanë ndarë momentet e tyre.  

Kujtojmë se filmi Joker është nominuar në 11 kategori, duke përfshirë atë për filmin më të mirë, aktorin më të mirë dhe për tetë çmime tjera. Tre filmat tjerë: The Irishman, 1917 dhe Once Upon a Time… in Hollywood, kanë secili nga 10 nominime. Në kategorinë për filmin më të mirë janë nominuar projektet: Ford v. Ferrari, The Irishman, Jojo Rabbit, Joker, Little Women, Marriage Story, 1917, Once Upon a Time … in Hollywood dhe Parasite. Në kategorinë e aktorit më të mirë janë nominuar: Antonio Banderas, për rolin e tij në filmin, Pain and Glory, Leonardo DiCaprio, për rolin në filmin, Once Upon a Time … in Hollywood, më pas Adam Driver në filmin, Marriage Story, Jonathan Pryce, në filmin, The Two Popes, dhe Joaquin Phoenix për rolin që ka në filmin, Joker. Për rolin e aktores më të mirë, në garë për të fituar Oscar janë: Kathy Bates për rolin në filmin, Richard Jewell, Laura Dern në Marriage Story, Scarlett Johansson në filmin, Jojo Rabbit, Florence Pugh për rolin që ka në filmin, Little Women, dhe Margot Robbie, për rolin e saj në filmin, Bombshell. Në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar në garë janë filmat: Corpus Christi, Honeyland, Les Miserables, Pain and Glory dhe Parasite. Edhe këtë vit, sikurse në të kaluarin, çmimet do të ndahen nga aktorët, pasi nuk do të ketë nikoqir. Ceremonia e 92-të e ndarjes së këtyre çmimeve do të mbahet më 9 shkurt në Llos Angjelles në Teatrin Dolby. Kanali televiziv, ABC do ta transmetojë këtë ngjarje, e cila vitin e kaluar është ndjekur nga 29.6 milionë persona/REL / KulPlus.com

Përkthimi, proces i pasurimit të letërsisë

Intervistë me Clare Azzopardi, shkrimtare, përkthyese e letërsisë dhe ligjëruese letërsie në Universitetin Malta Junior College.

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana: Veprat tuaja të shkruara  në gjuhën malteze janë përkthyer në disa gjuhë. Çfarë do të thotë për ju kur vlerësohen, përkthehen dhe pëlqehen tekstet tuaja nga lexuesit e huaj?

Clare Azzopardi: Një libër i përkthyer sjell një rrëfim, personazhe dhe kulturë si të përthyer në pasqyrë. Ai krijon një marrëdhënie në mes të autorit dhe përkthyesit dhe gjithashtu ndërton një dialog të hapur në mes të kulturave dhe gjuhëve. Përkthimi pasuron letërsinë e vendeve dhe ndihmon autorin/përkthyesin të lexoj.

M.: Përveç se jeni autore, keni përkthyer edhe tekste letrare nga anglishtja dhe italishtja  në gjuhën malteze, sa sfidues është ky proces?

C.A.: Natyrisht se është sfiduese, por edhe shpërblyese gjithashtu. Është një shkëputje nga shkrimi, më duhet të them një pushim intensiv dhe përmirësues, si në përjetimin e dy gjendjeve.  Kohët e fundit kam përkthyer vetëm libra për fëmijë (nga gjuha angleze dhe italiane në gjuhën malteze), kryesisht libra me vizatime. Disa prej këtyre librave janë shumë sfiduese për shkak të fjalëve me rimë, pastaj ritmit dhe muzikalitetit të tekstit. Zakonisht janë tekste të shkurtëra, kështu që nëse humbas ritmin këtu dhe aliteracionin atje, shumë lehtë mund të përfundoj në një tingëllim/kuptim mishmash. 

M.: Cilat teknika të përkthimit përdorni?

C.A.: Në veçanti asnjë. Unë kurrë nuk kam studiuar mbi përkthimin, andaj për mua përkthimi është një proces intuitiv, por që nuk do të thotë që nuk bëj ndonjë kërkim/studim. Përkundrazi, duhet të bëjmë kërkime dhe bashkëpunime me përkthyesit e tjerë nëse duam të kemi një përkthim të mirë dhe të besueshëm.

M.: Për aq sa kemi njohuri letërsia shqipe në gjuhën malteze përfaqësohet fare pak, për të mos thënë aspak. A do të thotë kjo se mungon intersimi për letërsië shqipe, apo mungon komunikimi?

C.A.: Me aq sa kam njohuri unë një autor shqiptar ka qenë i ftuar në Festivalin Mediteran të Maltës, por nuk jam e sigurt nëse ndonjë autor maltez ishte ftuar ndonjëherë në Shqipëri. Unë besoj se Immanuel Mifsud ka një libër që është  përkthyer dhe botuar atje, ky është i vetmi që njoh. Nuk them se është mungesë interesimi, më shumë është mungesë njohurishëx dhe mungesë fondesh, ndoshta, e mbi të gjitha mungesë komunikimi. Nuk jam në një pozicion shumë të mirë që të përgjigjem në këtë pyetje. Për një kohë të gjatë kam qenë pjesë e këshillit organizativ të Festivalit Mediteran të Maltës, por tani nuk jam më dhe zgjedhja e autorëve nuk varet nga unë.

M.: Puna juaj letrare është vlerësuar me çmime për shkrim dhe redaktim, sa ju motivojnë vlerësimet e tilla?

C.A.: Po edhe jo. Nuk shkruaj për të marrë çmime. Unë shkruaj sepse dua të shkruaj. Kur vjen ndonjë çmim e mirëpres, por nuk dua të bëjë bujë të madhe për të. Shpërblimet/çmimet më të mira asnjëherë nuk janë titujt, por lexuesit e mi, si të rinjë ashtu edhe të moshuar, të cilat nuk janë më të gjata se disa fjalë ose fjali, të cilat i pranoj me dashuri. 

M.: Duke qenë se shkruani letërsi për fëmijë dhe të rritur, cili është zhanri juaj më i preferuar?

C.A.: Unë shkruaj më shumë për fëmijë. E dua librin me fotografi/ilustrime më shumë se gjithçka. Ndoshta, sepse kjo më jep mundësinë për të bashkëpunuar me ilustrator, kam patur bashkëpunime të mrekullueshme në të kaluarën. Shkrimi për të rritur zgjatë më shumë dhe është më i kërkuar, por unë besoj se është më mirë t`i kultivosh të dyja.

M.: Cili është komunikimi juaj me komunitetin e shkrimtarëve shqiptarë, a keni marrë pjesë ndonjëhere në seminare, konferenca gjuhësore dhe filologjike në Kosovë apo Shqipëri?

C.A.: Jo, ose më sakt jo akoma. Shpresoj të marrë pjesë në të ardhmen. 

Clare Azzopardi, është shkrimtare për fëmijë dhe të rritur. Është udhëheqëse e departamentit të gjuhës malteze në Universitetin Malta Junior College dhe për shumë vite ka qenë anëtare aktive e Inizjamed, një OJQ misioni i së cilës është promovimi i letërsisë në Maltë dhe jashtë. Me Inizjamed, ajo ka qenë bashkëorganizatore e festivaleve dhe punëtorive të letërsisë, shpesh në bashkëpunim me Literature Across Frontiers (LAF). Puna e saj është përkthyer në disa gjuhë dhe ajo është prezantuar në një numër përmbledhjeh përfshirë  Transcript, In Focus, Cúirt Skald, Words Without Borders dhe Novel of the World. Shfaqja e saj L-Interdett Taht is-Sodda (Merlin Publishers) është botuar në gjuhën frënge (Éditions ëThéâtrales) dhe në gjuhën arabe (IACT). Azzopardi ka botuar 2 libra me tregime të shkurta për të rritur, ku të dyja kanë fituar Çmimin Kombëtar të Librit për Letërsi. Përmbledhja e saj e fundit është botuar në gjuhën kroate (VBZ), gjuhën hungareze (Noran Libro) dhe gjuhën arabe (Sefsafa Publishers). Clare Azzopardi ka marrë pjesë në një numër festivalesh dhe më 2015 ajo është përzgjedhur pjesë e Zërave të Rinj të Europës (Europe’s New Voices). Ajo sapo ka publikuar novelën e saj të për të rritur Castillo (Merlin Publishers) dhe momentalisht është duke punuar në novelën e saj të re. Clare Azzopardi është fituese e disa çmimeve në letërsi.

Intervista u shkëput nga libri: Shtegtimi i shqipes në Europë. Autore: Mimoza Hasani Pllana. Botues: OLYMP, Prishtinë, 2019./KultPlus.com

Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotër

Nëse ai vjen pas Konicës apo është një lloj si ai me të vërtetat e hidhura për shqiptarët këtë mund ta gjykoni vetë, por Mid’hat Frashëri i ka renditur disa thënie për shqiptarët, që edhe sot janë po aq aktuale sa dukur.

Ja çfarë thotë Mid’hat Frashëri për shqiptarët:

1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës- të zezë.

7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

12- Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë./KultPlus.com

Fan Noli: Këtu qeni s’njeh të zotin

Noli është nga ato figura komplekse që rrallë mund t’i kuptosh drejtë, pasi gjithmonë ka diçka të fshehur brenda çdo fjale. Në gjithë fjalimet që Noli ka mbajtur, është vlerësuar shumë realiteti që ai shpreh dhe mënyra e mendimit dhe perceptimit të tij.

Ndaj edhe sot do të flasim për një nga fjalimet e tij të mbajtur para Parlamentit të Shqipërisë në vitin 1924, ku tregon për pesë anarkitë që ka Shqipëria. Ja si shprehet ai:

“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve dhe oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve.

Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.

Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”

(Pjesë nga fjalimi i mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924 por që tingëllon njësoj aktual edhe sot)

Albanian Excellence, vitin 2020 e shpall vit të “Zonjat shqiptare që bëjnë botën”

Albanian Excellence shpalli në Nju Xhersi, në një takim me Anëtare të Albanian Excellence në USA, projektin shumë dimensional që do të zhvillojë në vitin 2020, “Zonjat shqiptare që bëjnë botën” projekt që në fakt përbën fazën e tretë të përmbylljes të pikave të përcaktuara në memorandumin e nënshkruar në Manhattan, në shtator të vitit 2016 , “Të jesh grua në shekullin e XXI “ .

Firma e parë në këtë memorandum, ishte hedhur nga presidenti i Republikës së Shqipërisë në atë kohe, zoti Bujar Nishani, gjatë organizimit nga Albanian Excellence të aktivitetit “Zonjat shqiptare në Nju Jork “.

Në prani të Zonjave të pranishme të ftuara nē këtë takim nga Zonja Ana Marky Walsh, pjesë e Albanian Excellence, ku u shpall “ Zonjat shqiptare që bëjnë botën “, pas organizimit me sukses të “Zonjat që bëjnë Shqipërinë në vitin 2018 dhe Zonjat që bëjnë Shqiptarinë në vitin 2019! Po ashtu gjatë këtij takimi shumë miqësor u shpall organizimi gjatë vitit 2020 , i ekspozitës Ndërkombëtare dhe botimi i librit me të njëjtin titull, “ Suksesi i Zonjave shqiptare në botë” që do të zhvillohet në mesin e vitit 2020!

Po ashtu zonjat pjesëmarrëse, ishin dakord me idenë e propozuar për te organizuar në Tiranë, konferencën ndërkombëtare, “Sfidat e integrimit të shqiptarëve në botë ”. Gjithashtu, në kalendarin e vitit 2020 qe po përgatitet në Shqipëri, me zonjat e suksesit mbarëshqiptar, u vendos që do të marrin pjesë edhe zonjat Ana Marky Walsh, Zonja Liljana Gashi, të shpallura Zonja që bëjnë Shqiptarinë në qershor 2018 , si dhe zonjat Shqipe Malushi , Loreta Stamo , Deshira Ahmeti Kërliu, të treja pjesë e librit “ Zonjat shqiptare në Nju Jork” , anëtare nderi të Albanian Excellence. Në qershor të vitit 2018 në shtëpinë e zonjës së nderuar Liljana Gashi, në Paramus , Nju Xhersi nga Albanian Excellence, shpall projekti Zonjat që bëjnë Shqiptarinë si dhe u nënshkrua Peticioni në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, peticion i cili është nënshkruar deri më tani nga 12 mije nënshkrues në të gjithë botën ! Nju Jorku gjithmonë duket se ka qenë një ogur i mirë për Albanian Excellence, ashtu si dhe në këtë vit që sapo ka nisur, ku në një ambient mikëpritës të ofruar nga Zonja Ana Marky Walsh dhe Zonjave të suksesit shqiptar në Nju Jork, Albanian Excellence, shpalli sfidat e saj për vitin 2020, ku me një përformancë është prezantuar sopranoja jonë e mirënjohur Dëshira Ahmeti Kërliu, e cila këndoi “Për ty Atdhe” dhe “Ave Mariá” dhe angazhimi i Zonjave pjesëmarrëse për të qenë së bashku në sfidat e Albanian Excellence!./KultPlus.com

Tafilaj: Më ofruan gjysmë milion dollarë që të mos përkthej veprat “Kosova” të Buxhovit

Ramiz Tafilaj është nga Deçani, por pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në Amerikë. Nga vitet e 70-ta e këndej nuk ka asnjë president amerikan që nuk e ka takuar, e ky i fundit edhe e ka shpërblyer me çmimin për arritje jetësore. Tafilaj tregon për KultPlus se si ka hapur shtëpinë e tij për 100 studentë shqiptarë e të huaj, të cilët i ka ndihmuar me strehim e ushqim përgjatë studimeve. Ai tregon edhe për angazhimin e tij për të ndihmuar komunitetin, sikurse për Shtëpinë Botuese “Jalifat”. Por fillimet e tij në Amerikë nuk e kishin shkëlqimin e viteve të fundit, ai ka treguar në intervistën e dhënë për KultPlus se ka punuar punë të ndryshme për të arritur suksesin e synuar.

Ardianë Pajaziti

Fillimisht ta lë përshtypjen e një hijerëndi, por kjo përshtypje menjëherë rrënohet posa fillon bisedën me të. Ramiz Tafilaj, i cili pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Amerikë sesa në  Deçan, prej nga edhe i ka rrënjët, duket se nuk dëshiron shumë të flasë për jetën e tij mjaftë të frytshme, duke vlerësuar se gjithçka që arrihet me punë, nuk është edhe befasuese, pasi që, sipas tij duhet shumë mund për të arrite sukseset që edhe i synon.

Në një intervistë për KultPlus, përderisa pinim kafe dhe shpalosnim etapa të jetës së Tafilajt, ai tregon se kurrë nuk e kishte menduar që do të përfundonte në Amerikë, pasi si një djalë i ri prej një komune të vogël të Kosovës, ai fillimisht nuk e kishte menduar se do të kalonte përtej Jugosllavisë së atëhershme.

Në vitet e 70-ta, ai kishte vendosur të shkonte që të shkollohej në Zagreb të Kroacisë, ku edhe ka përfunduar studimet e larta. Por përgjatë studimeve, ai kishte takuar një vajzë amerikane, me prejardhje hebreje me të cilën edhe ishte dashuruar.

“Bashkë me Dianën shkuam vetëm që ta vizitonim Amerikën, ishte viti 73/ 74, por nga vizitorë mbetëm në qytetarë rezidentë, ku sot e asaj dite vazhdojmë të jetojmë në Amerikë”, ka thënë Tafilaj për KultPlus, i cili edhe në pamje, në veshje, në zë e në gjestikualcion, sikur kishte marë pak nga pak nga kultura amerikane.

Në Amerikë, kam punuar në fillim edhe si patsrues e si mirëmbajtës i parqeve

Biznesmeni, aktivisti, botuesi dhe filantropi shqiptaro- amerikan i cili ka bërë shumë për komunitetin, por edhe për shqiptarët, vepër për të cilën është nderuar edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, jo këtë jetë e kishte pas në fillet e jetës amerikane.

Për të mbijetuar në Amerikën e zhurmshme, Tafilaj kishte punuar si pastrues, si mirëmbajtës i parqeve dhe të shumë punëve të tjera që paguheshin pak, por të cilat e forconin pak nga pak Tafilajn.

Duke qëndruar i fortë, por edhe me mbështetjen e Dianës, ai arriti të mësoj gjuhën angleze dhe më pas përveshi mëngët  për të studiuar dhe për të bërë më shumë për vete, por edhe për njerëzit që e rrethonin, ku edhe përfundoi shkollimin në Hjuston, ku dalëngadalë edhe të ndërtonte një të ardhme më të sigurt, jo vetëm për vete.

Tafilaj, fillimisht nisi punën si programer, e më pas si konsulent, pasi që vërejti se puna si konsulent sillte te ardhura më të mëdha. Përderisa ky ngritej profesionalisht, Diana, bashkëshortja e tij, si njohëse e gjuhës serbokroate, dalëngadalë kishte filluar të mësonte gjuhën shqipe, dhe jo vetëm gjuhën, pasi që ajo ndërkohë po mësonte edhe kulturën dhe traditën shqiptare, me të cilën fascinohej gjithnjë e më shumë.

Themelues i kompanisë “Superior Computer Services”, Tafilaj përpos që punonte në profesion të tij, ai ndërkohë, me mbëshetje të gruas së tij, po punonte edhe për komunitetin shqiptar.  

Hapa derën e shtëpisë për 100 studentë, përgjatë studimeve të tyre, kam pas rolin e babait

“Ishin vitet e 80-ta dhe unë kisha arrit të jem anëtarë i bordeve të rëndësishme në Amerikë, duke qenë si një njeri me influencë, vëllai im më propozoi që të sillja studentë në Amerikë, dhe të mbështesnim shqiptarët. Atëherë nisa me këtë punë, pa e ditë se do të arrija që nëpër vite do të rrumbullakohet numri i 100 studentëve të cilët i kam futë në shtëpinë time, vetëm që tu ndihmoj qoftë me studime bazë, specializime apo doktoratura”, ka thënë Tafilaj për KultPlus, i cili shtëpinë e tij e hapi jo vetëm për studentët shqiptarë, por edhe studentë të huaj.

Në një formë ai pavetëdijshëm ishte shndërruar si babai i 100 studentëve, i cili shpjegon, se me shumë prej tyre vazhdon të mbajë kontakte edhe sot.

Dhe po ky kontribut ka bërë që presidenti i SHBA-së Donald Trump ta dekorojë me cmimin për arritje jetësore me motovacionin: “Keni shërbyer si model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj kanë forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë”, ishte shkruar në letrën e Trump që kishte dekoruar Tafilajn në fillim të vitit 2019.

“Nuk e kam menduar se këtë kontribut timin dikush po e listonte, dhe kur më erdhi lajmi se presidenti Trump kishte vendosur të më jepte këtë çmim, thjeshtë u befasova. Unë këtë kontribut timin me studentët e kam bërë prej dëshirës që të ndihmoj të huajt në Amerikë, dhe natyrisht, pa mbështetjen e gruas sime nuk ia kisha dalë. Sepse, përpos fjetjes ata kanë pas të siguruar edhe ushqimin dhe gjithçka tjetër që i duhet një të huaji në një shtet”, ka thënë Tafilaj.

Por ai tregon edhe për mënyrën se si ka vepruar me studentët. Ka pas disa rregulla për studentët që kanë shkelur në shtëpinë e tij. Si pikë e parë ai ka kërkuar listën e shokëve, në mënyrë që të dinte se me çfarë rrethi kanë të bëjnë ata studentë, së dyti, nëse kanë pas një punë, ai ka kërkuar nga ta që të dije se sa para fitojnë, dhe e fundit por më e rëndësishmja, ata kanë pas për detyrë, si para kryefamiljarit, që ti sillnin notat me të cilat vlerësoheshin. 

“Ka pas studentë që nuk i kanë pranuar këto rregulla dhe nuk janë futë në shtëpinë time, por ata që kanë pranuar, i kam trajtuar si fëmijë të mi”, ka thënë Tafilaj.

Më ofruan gjysmë milioni dollarë vetëm që të mos përkthej “Kosova” në anglisht, i kam edhe tre emrat e ofertuesve

Duke shërbyer në borde drejtuese të shumë industrive, përfshirë shëndetësinë, bankat dhe arsimin, Tafilaj tregon për KultPlus se përgjatë kohës së qëndrimit të tij në Amerikë, dhe funksionimit të tij në shumë borde, ai ka takuar të gjithë presidentët amerikanë që kanë qenë në krye të shtetit pas viteve të 70-ta, ku gjithnjë ka pas në fokus shërbimin e tij në komunitet.

Dhe përpos ndihmës së studentëve, atij po i rriteshin apetitet për të ndihmuar komunitetin, dhe dashuria tjetër ishte për librin.

“Fillimisht me Avni Spahiun pata biseduar për themelimin e një Shtëpie Botuese, dhe kështu vendosa për themelimin e Shtëpisë Botuese “Jalifat”, që nëse zbërthehet nga mbrapsht del mbiemri Tafilaj. Ishte nevojë për themelimin e një shtëpie botuese, pasi që në atë kohë, në Kosovë vështirë se mund të botoheshin libra. Kam botuar shumë libra, si në Amerikë ashtu edhe në Kosovë”, ka thënë Tafilaj,  po kontributin e tij me këtë shtëpi botuese e vlerëson si qershinë mbi tortë, botimet e veprave të Jusuf Buxhovit.

Ai tregon për KultPlus se kur disa persona kanë kuptuar se kam marë vendimin e botimit të veprave të Buxhovit, bëhet fjalë për librat “Kosova”, ai ka marë një ofertë prej gjysmë milioni dollarë, vetëm që të mos përkthente këto libra në gjuhën angleze.

“Nuk e kam pranuar këtë ofertë, janë edhe emrat e tre njerëzve që më kanë bërë këtë ofertë me këtë shumë”, ka thënë Tafilaj, i cili këtë ofertë e konsideron edhe si kërcënim.

Po Tafilaj tregon se me librat “Kosova” të Buxhovit ka udhëtuar shumë nëpër botë, vetëm me qëllim që të promovojë historinë e popullit shqiptar, duke përfshirë universitete të ndryshme nëpër botë, institucione të rëndësishme, librari e biblioteka.

“Kam dërguar 25 tonë libra të Buxhovit për Amerikë, ky është edhe kuriozitet, sepse të eksportohen libra nga një shtet në shtetin tjetër, nuk di se ka vepruar ndonjë shtëpi tjetër botuese që udhëhiqet nga ndonjë shqiptar”, ka thënë Tafilaj, i cili ka treguar se librin “Kosova” e ka për qëllim ta përkthejë edhe në gjuhën serbe dhe turke, duke theksuar se pikërisht këto dy shtete duhet të lexojnë historinë shqiptare. Tafilaj për fund tregon se librat e Buxhovit i ka shpërndarë edhe për në Kosovë, gjeneralëve që kanë shërbyer në Kosovë, familjeve të ushtarëve që kanë vdekur në Kosovë, por librat i janë dërguar edhe institucioneve të Kosovës, por të njëjtit këto libra nuk i kanë pranuar. Tafilaj poashtu ka treguar se nuk merr pjesë në Panairet e Ballkanit, duke përfshirë edhe atë të Prishtinës, pasi që interesi i tij është që librat e “Jalifat” të kenë një shtrirje më ndërkombëtare.

Ramiz Tafilaj që tashti është angazhuar edhe në shumë kompani të tjera, vazhdon të vizitojë Kosovën e tij bashkë me Dianën, të cilët i gjen gjithmonë aty ku është kultura dhe tradita shqiptare. Ai me një siguri të madhe, përderisa mbyllë bisedën me KultPlus, forcon bindjen se do të punojë edhe më shumë për mbështetjen e shqiptareve, e përderisa ndahet nga ne, ai i zgjatë dorën një djali të ri, kthehet nga unë dhe tregon. “Është student, tash për tash jam babai i tij në Amerikë”. /KultPlus.com

Gjashtëmbëdhjetë vjeçe ‘theu’ kufirin jugosllavo-shqiptar, për nëntë vjet korrespondoi njëmijë letra me familjen

Ferdeze Mujaj Sadiku është një farmaciste shumë e suksesshme në Kosovë. Në vitet e 70-ta ishte arratisur për Shqipëri, atëherë kur kishte vetëm 16 vjet. Tre muaj, familja e saj nga Hogoshti i Kamenicës nuk kishte ditur se nëse vajza e tyre ishte e gjallë apo e vdekur. E për këta tre muaj, Ferdezja, bashkë me tre bashkudhëtarë ishte arrestuar nga ushtria shqiptare. Arratisja, kalimi i kufirit mes ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë, qëndrimi në burg për tre muaj, lejeqëndrimi në Shqipëri, komunikimi i saj me familjen përmes 1 mijë letrave, takimi me nënën pas katër viteve dhe shumëçka tjetër, janë shpalosë ekskluzivisht në intervistën e dhënë për KultPlus, ku Ferdeze Mujaj Sadiku e ka ndarë edhe nëpërmjet lotëve.

Ardianë Pajaziti

“Baba ka me të qu në shkollë në Elbasan”, ishte premtimi i babait të Ferdezes, në njërën nga mbrëmjet në shtëpinë e familjes Mujaj në Hogosht të Kamenicës, ku Ferdezja ishte në atë kohë vetëm gjashtë vjeçe, dhe ishte me temperaturë.

Ajo mbrëmje sikur hapi një dritare të re për Ferdezen, dhe qysh prej asaj kohe, ajo filloi të ëndërronte për Elbasanin, Shqipërinë dhe shqiptarët. Babai i Ferdezes, njëri nga mësuesit e parë të asaj rrethine nuk e kishte pas idenë se një bisedë çasti, mund të zgjonte dashurinë e vajzës së tij të madhe për Shqipërinë.

Emocioni  i Ferdezes, përderisa rrëfente dalëngadalë për krejt përjetimet e saj që kapërcejnë edhe një film, vërehej në sy, në tingullin e fjalëve e në lëvizjet e duarve. Përderisa fliste për Hogoshtin, për moshën e saj të vogël kur edhe kishte dëgjuar për Elbasanin, për rrugëtimin e mëtejmë të Ferdezës që lëvizi në atë kohë edhe kufijtë, shoqëroheshin edhe me lot, që nuk ndaleshin vetëm në bebëzat e syve, por rridhnin pavetëdijshëm në faqet e saj.

65 vjeçja, që është një farmaciste shumë e suksesshme, tregon rrëfimin e saj në intervistën e dhënë për KultPlus, që mund të jetë një ndër përjetimet e rralla që mund të hasë një njeri, sidomos kur bëhet fjalë për moshën e saj të vogël që kishte atëherë.

 “Babai im kishte një dashuri të madhe për Shqipërinë, sikurse të gjithë shqiptarët e Kosovës. Përgjatë një mbrëmje, kur unë isha me grip, babai im ma përmendi Elbasanin”, rrëfente Ferdezja përgjatë takimit, takim që po shpaloste një jetë të tërë të një zemër gruaje, e që zanafillën e kishte qysh në vegjëli.

Dhe si fëmija më i madh i familjes, ajo jo vetëm që po rriste shtatin, por brenda saj po rriste  dashurinë për Shqipërinë, një mollë super e ndaluar për kosovarët. “Dëgjoja tinëzisht radio Tiranën, lexoja letërsi shqiptare, dhe unë çdo ditë ëndërroja atë vend që po më tundte pafundësisht”, tregonte Ferdezja, me një gjuhë të pastër shqipe, që për nga theksi, tashti tingëllon si një zonjë nga Shqipëria, dhe jo nga Kosova.  

Ajo tregon se si duke dëgjuar Radio Tiranën, dashurohej në aksionet rinore që zhvilloheshin në atë kohë në Shqipëri, dhe përmend se i ishte ngulitur në kokë emri i një vajze, që në atë kohë kishte moshën e Ferdezes. Ajo kishte humbur jetën gjatë një aksioni, dhe shteti shqiptar atë kohë e kishte shpallur heroinë. Emri i Shkurte Palvatës ishte bërë si një dritë për Ferdezen, që ta adhuronte edhe më shumë këtë shtet, që vetëm e imagjinonte, por që nuk e kishte idenë më të vogël se si mund të ishte.

Prindërit e dërguan për shkollim në Prishtinë, me çantë të shkollës u arratis në vitet e 70-ta për Shqipëri

Ferdeze Mujaj kishte vijuar shkollimin në Hogosht e Kamenicë, për të vazhduar më pas shkollën e mesme në Prishtinë, në medicinë, ku edhe përfundoi vitin e parë.

Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe, dhe pikërisht në një kohë kur dukej se gjërat kishin marë rrjedhën e tyre, ajo kishte dëgjuar një informatë që e kishte goditur. Tre djem nga fshati i saj kishin vendosur të arratiseshin për Shqipëri, dhe kjo iniciativë e tyre kishte mjaftuar që të niste një rrugëtim të panjohur, por të ngulitur në shpirtin e saj qysh nga vegjëlia.

“Dëgjova se tre bashkëfshatarë të mi donin të arratiseshin për Shqipëri dhe pa menduar dy herë vendosa tu bashkëngjitem”, kujtonte ajo për këtë vendim, që më pas bëri të kalojë shumë peripeci, por asnjëherë t’ia thyente dashurinë për tokën e premtuar.

Me një çantë shkolle, me rrobat e trupit, një fund pak mbi gjunjë dhe me këpucë me taka të ulta, me pak para sa i kishte ndarë familja për qëndrimin e saj në Prishtinë,  Ferdezja ishte nisur për Shqipëri, bashkë me Rexhep Malën, Isa Kastratin e Sami Dërmakun, dhe një rrugëtim të tillë kishte marë vetëm nga dashuria që kishte për Shqipërinë.  

Pse kishte marë këtë vendim që të arratisej dhe që mos ti tregonte asgjë familjes, Ferdezja edhe sot është e bindur se nëse do ti tregonte, ata në asnjë mënyrë nuk do ta lejonin që ta merrte këtë hap. “Babai im më kishte premtuar që të më shkollonte në Shqipëri, por ai kishte menduar se deri sa të rritesha, do të ndryshonin edhe marrëdhëniet mes Jugosllavisë së atëhershme dhe Shqipërisë. Por gjërat ishin keq të bllokuara, dhe mënyra e vetme ishte arratisja, pa ia bërë me dije prindërve”, ka thënë Ferdezja.

 “Në vitin 1970 kemi kaluar kufirin nga Gjakova, atje na informuan për një zonë ku nuk kontrollohej nga ushtarët e ish Jugosllavisë, dhe po në atë pikë kaluam pa na vërejtur, por rruga ishte shumë e vështirë për t’u kaluar, me shkëmbinj e me terren të papërshtatshëm, sa që disa herë jam rrëzuar përgjatë kalimit të kufirit. Duke pas parasysh se isha e veshur me fund e me këpucë me taka, gjendja ime u përkeqësua edhe me lëndime, shenja që i kam edhe sot në këmbë”, rrëfen Ferdezja për rrugëtimin e saj në një mbrëmje shtatori të vitit 1970, udhëtim që kishte zgjatë për shumë orë nëpër pyje ku nuk shihej qielli, dhe që ujë kishin pirë edhe nga prrockat.

Tre muaj burg në burgun e Laçit, familja e saj nuk kishte lënë vend pa e kërkuar

Dhe përderisa kaluan kufirin, brenda territorit të Shqipërisë u takuan me ushtarët shqiptarë, ku burgosën që të katër udhëtarët kosovarë, për ti vendosë fillimisht në Bajram Curr, aty i mbajtën tetë ditë si të burgosur,  e më pas në burgun e Laçit, ku Ferdezja, bashkë me tre bashkëfshatarët e saj u mbajt për tre muaj.

“Ata dëshironin të dinin se pse kemi hyrë në Shqipëri dhe cili ishte qëllimi i arratisjes tonë, kemi pas pyetje çdo ditë nga hetuesit, por tretmani ka qenë i mirë, nuk na ka munguar as ushqimi dhe as kujdesi. Unë isha e ndarë nga djemtë, dhe nuk dija për ta, sikurse që as ata nuk dinin për mua, përgjatë këtyre tre muajve vetëm njëherë na kanë lënë që të takohemi, dhe pas atij takimi më nuk i kam parë. Pas tre muajve hetuesi, më erdhi lajmi se organet e shtetit kishin marë vendim që mua të më lejonin të qëndroja në Shqipëri, por djemtë i kthyen, nuk kemi arritë as të përshëndetemi. I pyeta se çfarë ka ndodhë me tre djemtë, më thanë se nuk mund të japim shpjegime, përpos asaj se mua më ishte dhënë leja e qëndrimit” shpjegon Ferdezja.

 “Shteti ka vendosur që të qëndrosh në Shqipëri” ky ishte vendimi që ia kishin kumtuar dy shtetas të Shqipërisë, vendim që solli qëndrimin e Ferdezes në shtetin të cilin e kishte ëndërruar aq shumë.

“Kërkova që të më dërgonin në Elbasan, se u thash që aty do të shkollohem, po kur kuptuan se unë kam përfunduar një vit të shkollës së mesme të medicinës, dhe në kohën e arratisjes isha në fillim të vitit të dytë, ata më rekomanduan që të më dërgojnë në Vlorë, ku edhe zgjodha farmacinë, sepse profesionin e farmacistes e adhuronte nëna ime. Nuk arrita ta plotësoja dëshirën e babait, të paktën po vija në vend dëshirën e nënës”, shpaloste kujtimet Ferdezja, e cila tregon se si në atë kohë, ishte njoftuar edhe shkolla se kishte ardhur një vajzë nga Kosova, dhe kërshëria e njerëzve që ta takonin ishte shumë e madhe.

Dhe regjistrimi në shkollën e mesme të farmacisë, vendosja në konvikt sillte edhe një hap tjetër. Kishte ardhë momenti që të njoftonte familjen e saj që ishte gjallë. Kishin kaluar tre muaj që ajo nuk kishte asnjë komunikim me familjen, dhe përmes një telegrami, ajo po dërgonte përshëndetje nga Shqipëria.

“Unë jam në Vlorë, jam mirë, mos keni merak për mua”, kaq ishte përshkrimi i telegramit të parë të Ferdezes dërguar për në Hogosht

“Unë jam në Vlorë, jam mirë, mos keni merak për mua”, kaq ishte përshkrimi i telegramit të parë të Ferdezes dërguar për në Hogosht, e cila më vonë kishte mësuar se familja e saj për këta tre muaj e kishte kërkuar në të gjitha anët, dhe kishin pas shumë frikë se nëse i kishte ndodhë më e keqja.

“Edhe familja ime më pas më ktheu telegramin e tyre dhe kuptova se ishin lehtësuar për faktin se kishin kuptuar se jam shëndoshë e mirë, duke më këshilluar që të kem kujdes”, tregonte Ferdezja, e cila shpaloste etapat e jetës së saj, që kishin shumë përjetime, e në anën tjetër, për kohën kur fliste, ajo kishte një moshë jashtëzakonisht të vogël.

Por, nëse kishte shijuar atë Shqipërinë e Radio Tiranës dhe të romaneve që kishte lexuar para se të shkelte këtë tokë, Ferdezja këmbëngulë, se në kohën kur kishte shkuar në Vlorë, në vitet e 70-ta, Shqipëria nuk ishte ajo Shqipëria e viteve të 80-ta, e as e viteve të 90-ta, Shqipëri që e panë shumë kosovarë, por ishte një Shqipëri shumë stabile dhe e sigurt.

“Jetoja në konvikt, më pritën në mënyrën më të jashtëzakonshme, si mësuesit, si nxënëset, isha e vetmja kosovare që kam qenë edhe në shkollë të mesme, por më pas edhe në Universitet. Pastaj, shteti i Shqipërisë më shpërbleu për faktin se si një vajzë e re theu kufirin jugosllavo- shqiptar, dhe më dhuroi 20 mijë lekë të asaj kohe, të cilat kishin vlerën e tri rrogave të një doktori. Edhe në fakultet, përpos bursës, më ndanë 10 mijë lekë, kështu që nuk e kisha problem ekzistencën, më shkolloi shteti shqiptar dhe isha në një rreth shumë të sigurt”, vazhdonte këtë rrëfim Ferdezja, që me vite është jashtëzakonisht i largët, por emocionet e kësaj gruaje, tregonin që këto përjetime janë ende shumë të gjalla brenda saj.

Dhe përderisa vazhdonte jeta e Ferdezes në Shqipëri, ajo më vonë kishte mësuar se në fshatin e saj të lindjes, admirimi për të, rritej dita ditës. Tri vajza të fshatit ishin pagëzuar me emrin Ferdeze, me të cilat komunikon edhe sot nëpërmjet facebook.

Shkollohej, shërbente në akisone të ndryshme dhe dita ditës shndërrohej në një qytetare të Shqipërisë, e cila, duke mos komunikuar me asnjë kosovar, theksi i saj kosovar, dalëngadalë po i linte vend atij të Shqipërisë.

Ajo më pas kishte marrë të drejtën e studimeve, po në drejtimin e farmacisë, ku edhe ishte vendosur në konviktin me numër 18, konvikt ku qëndronin studentë të huaj, pasi në ato vite kur studionte Ferdezja, ajo tregon se kishte shumë shtetas të huaj.

Pas katër viteve takova për herë të parë nënën time, ishte plakur shumë

Dhe në vitin 1974, vjen një emocion i madh, ku Ferdezja katër vite pas arratisjes e përjeton. Nëna e saj, bashkë me vëllain që kishte lindur pas arratisjes së saj për në Shqipëri, kishin marë të drejtën e vizitës në Tiranë.

Ajo, përderisa kujton takimin e saj më nënën dhe vëllain, që pikërisht Ferdezja e kishte pagëzuar me emrin Alban, nuk mbanë lotët dhe kthen kohën dhe emocionin e vitit 1974.

“Takimi i parë me nënën më ka sjell shumë dhimbje, shumë emocion, nuk e harroj as sot. Edhe pse ishte shumë e re, atë kohë vetëm 41 vjeçe, mua më dukej se nëna ime ishte plakur shumë, ishte mbushur me rrudha, thjeshtë iu kishin thelluar rrudhat. Qëndruan një muaj në Tiranë, por asnjëherë nuk i treguam ndjenjat e vërteta, prej frikës që mos po e lëndojmë njëra tjetrën”, vazhdon Ferdezja, e cila shton se vragë të thellë i ka lënë edhe pritja dhe përcjellja e saj në kufi, që pasojat e asaj kohe e rrëqethin edhe sot, sa herë që kalon kufirin me Shqipërinë.

“Kur dola ta prisja nënën dhe vëllain në kufi, kishin ardhur edhe anëtarët e tjerë të familjes, babai, motrat dhe vëllezërit, vetëm që të më shihnin nga distanca. Rregullat e asaj kohe ishin që ti mund vetëm të shikoje, po në asnjë mënyrë që të lëshoje ndonjë zë, apo të bëje me dorë. Thjeshtë shikonim njëri tjetrin ashtu të shtangur, në një distancë diku prej 150 metrave. Thjeshtë isha e mpirë, shihja figura nga larg, e në të njëjtën kohë ishte familja ime”, tregon Ferdezja.

Vizita tjetër e radhës ishte ajo e babait, i cili kishte vizituar vajzën e tij në vitin 1978, dhe kishte qëndruar për 15 ditë. Gjithë atë dashuri që kishte pas për Shqipërinë, përgjatë atyre 15 ditëve, ai as që e kishte ndjerë. Ferdezja tregon se nga frika se çfarë do të ndodhte me të bijën, nëse do të mund të kthehej në Kosovë, e kishin mpirë babain e saj, i cili, më pas i kishte treguar asaj, se asgjë nuk i ishte regjistruar në memorie se si ishte dukur Tirana.

Kërkesën për riatdhesim e bëra në vitin 1978, shpesh mendoja se nëse veç edhe njëherë do të kthehesha, do të puthja tokën e Kosovës

Dhe ndryshimi i kushtetutës në vitin 1974, që ndryshonte situatën edhe në Kosovë, kishte bërë të mundur që Ferdezja të ëndërronte kthimin e saj në vendlindje, Kërkesën për riatdhesim e kishte bërë në vitin 1978, dhe leja për kthimin e saj në Kosovë i ishte aprovuar në vitin 1979.

Nëntë vite distancë kishin bërë që nga një vajzë 16 vjeçe, një vajze të arratisur nga Kosova për në Shqipëri, ta kthente për vendlindjen e saj si 25 vjeçe, por tashti jo si një çapkëne, por një farmaciste e diplomuar.

“U ktheva më 10 qershor të vitit 1979, sa isha në Shqipëri, kisha menduar se kurrë nuk do të mundja ta shihja edhe njëherë Kosovën, dhe shpesh mendoja se nëse veç edhe njëherë do të kthehesha, do të puthja tokën e Kosovës, dhe me të vërtetë ndodhi kthimi. Mbaj mend që kanë dalë mijëra njerëz të më prisnin në fshatin tim dhe fshatrat përreth, të cilët më preknin duart, më përqafonin dhe më puthnin, më shihnin si një heroinë që kisha thyer kufirin e Jugosllavisë me atë të Shqipërisë.

Por jo gjithçka shkoi lehtë, për tre javë rresht asaj i është dashur të lajmërohej për çdo ditë në Sekretariatin e Brendshëm të asaj kohe në Gjilan, dhe pyetjet dhe dhuna psikike që ia kishin bërë, e kishin dërguar edhe deri në vjellje. Ajo kujton që nuk kishte përjetuar dhunë fizike, por psikike po, dhe ata që merrnin në pyetje ishin shqiptarë, por për emrat e tyre nuk dëshiron të flasë.

Ferdezja, për 11 vite punon si farmaciste në Obiliq, vend në të cilin në atë kohë nuk kishte shkuar asnjë farmacist, dhe pikërisht në këtë vend lind edhe dashuria me bashkëshortin e saj, të cilët gëzojnë jetën e tyre me fëmijët dhe nipat e mbesat.

“Bashkëshortin tim e kam pas në klasë, në shkollë të mesme në Prishtinë. Isha e vetmja vajzë, dhe 40 djem. Kur u ktheva, pothuajse të gjithë shokët e shoqet e klasës erdhën e më vizituan, duke përfshirë edhe bashkëshortin tim. Po vizitat e tij u shpeshtuan aq shumë, sa që na dërgoi deri në martesë, ku sot jam nënë e gjyshe shumë e lumtur”, tregon Ferdezja, e cila shpjegon se sa herë që i bie malli për Shqipërinë, bashkëshorti i saj është i gatshëm që ta shoqërojë.

E martuar në një familje të madhe, me tetë vëllezër, ajo thotë se ishte e admiruar nga familja e burrit të saj, dhe se kurrë nuk e kanë trajtuar si grua, por gjithmonë ka bërë ndeja në odën e familjes Sadiku, të cilët dëgjonin rrëfimet për Shqipërinë, nga përvoja e Ferdezes. Me të njëjtën dashuri ka rritur edhe dy fëmijët e saj: Brikenën e Ermalin, ku vajza ka emrin e vajzës së Eqrem Çabejit, që Ferdezja e kishte shoqe gjatë shkollimit të saj në Shqipëri.

Edhe sot e blej bukën e zezë

Përpos gjuhës që edhe tash tingëllon si të jetë nga Shqipëria, Ferdezja ka edhe një ves tjetër, është adhuruese e bukës së zezë, që edhe sot e blen. Poashtu, ajo në vizitat e shpeshta në Shqipëri, vazhdon të vizitojë burgun e Laçit ku qëndroi për tre muaj, postën, ku kishte pas kutinë e saj, nëpërmjet të cilës kishte shkëmbyer një mijë letra, e që nuk e ka asnjë prej tyre, pasi që familja e saj kishte hequr të zitë e ullirit nga pushteti i atëhershëm në Kosovë.

Ajo ka edhe disa shoqe që edhe sot mbanë kontakte. Dhe befasitë për Ferdezen nuk mbarojnë, Shkurte Palvata, vajza heroinë që e kishte magjepsë qysh nga Radio Tirana, ngacmoi këtë vit që po e lëmë pas përsëri Ferdezen. Gjatë pushimit të fundit në Shën Gjin, duke treguar me një çift shqiptar historinë e saj, përderisa kishte treguar edhe për Shkurte Palvatën, rastisi që gruaja me të cilën po ndante rrëfimin, kishte qëlluar të jetë po motra e Shkurtes.

Ferdezja, e cila qysh prej viteve të 90-ta ka farmacinë e saj në Prishtinë, krejt këtë rrugëtim e adreson edhe te mosha e saj e re, sepse, sipas saj, në moshën që ka tashti, një hap i tillë do të ishte shumë i vështirë për tu menduar, por për krejt këtë përvojë jetësore ajo thotë se asnjëherë nuk është penduar, dhe se dashuria për Shqipërinë edhe sot është shumë e madhe./KultPlus.com

Pacolli çon konsull në Tiranë nipin e Sami Lushtakut që e ka të kryer vetëm shkollën fillore

Behgjet Pacolli i ka vënë kapak politizimit të shërbimit diplomatik, nëpërmjet një vendimi që e ka marrë në fund të 2019-s. Ai e ka bërë konsull Festim Lushtakun, nip i Sami Lushtakut.

Festim Lushtaku ka qenë “Asistent administrativ”, në kuadër të stafit konsullor të Kosovës në Stuttgart të Gjermanisë. Ka tre muaj që kur burime të “Kohës Ditore” patën treguar se, ndonëse Lushtaku ka të kryer vetëm shkollimin fillor, Pacolli do që ta bëjë konsull në kryeqytetin e Shqipërisë. Përkitazi me këto informata, gazeta pati dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me kërkesën që ato t’i përcilleshin edhe Lushtakut, por prej tre muajsh nuk janë kthyer përgjigje as nga Ministria dhe as nga Lushtaku.

Vendimi i Pacollit mban datën 2 nëntor 2019, dhe në të parashihet që Lushtaku fillon ta realizojë detyrën në Tiranë që nga 15 nëntori. Por, ky dokument ka shkuar për t’u arkivuar në Ministri tek të premten e shkuar, një muaj e gjysmë pas fillimit të punës nga Lushtaku.

“Me këtë vendim, Festim Lushtaku është emëruar Konsull dhe është caktuar të shërbejë në Konsullatën e përgjithshme në Tiranë. Sipas vendimit, ai do të shërbejë në një mandat 4-vjeçar. Ajo çfarë ka bërë Pacolli, është që pas mandatit nuk ka obligim ta sistemojë në Shërbimin e Jashtëm”, ka treguar ky burim. “Paga bruto e tij do të jetë e barasvlefshme me të Konsullit”.

Sipas këtij burimi, ai do t’i nënshtrohet edhe llupës së inteligjencës.

“Vendimi përcakton që Festim Lushtaku i nënshtrohet procedurave të verifikimit të sigurisë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë”, ka theksuar ky burim.

Emërimi dhe caktimi i Lushtakut në misionin konsullor në Tiranë, është bërë në kundërshtim më ligjet në fuqi, meqë ato parashohin që grada diplomatike e konsullore mund të marrin vetëm ata që suksesshëm kalojnë në Komisionin për Grada dhe Disiplinë dhe që, të paktën, një vit më herët kanë qenë të punësuar në Ministri. Ligji nuk ia njeh të drejtën ministrit që vet, dhe duke shpërfillur komisionin, të ofrojë grada për stafin ose për persona jashtë Ministrisë.

Burime të “Kohës Ditore” patën treguar se, ndonëse Lushtaku ka të kryer vetëm shkollimin fillor, Pacolli do që ta bëjë konsull në kryeqytetin e Shqipërisë

Në profilin e tij në Facebook, Festim Lushtaku ka shumë fotografi me Sami Lushtakun, ish-kryetar i Skenderajt dhe një prej njerëzve me më ndikim në Partinë Demokratike që ka qenë forca më e madhe politike në pushtet që nga 2008-a e deri sivjet.

Sami Lushtaku ka kaluar nëpër disa procese gjyqësore, dhe aktualisht ka statusin e të dyshuarit për krime lufte, për çka është intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Në vizitën për t’u intervistuar në këtë institucion, ishte shoqëruar edhe nga nipi i tij, i cili kishte shpërndarë edhe një foto.

“Me ty axhë!”, ishte shkrimi që ia kishte shoqëruar dy fotografive Festim Lushtaku, e në të cilat shihej Sami Lushtaku tek hynte në ndërtesën e Speciales.

Gazeta ka raportuar në fillim të muajit se Pacolli është akuzuar nga njerëz të institucionit që e drejton se nuk ka reshtur së marri vendime të jashtëligjshme gjatë dy vjetëve dhe se me to e ka politizuar në tërësi Shërbimin e Jashtëm. Hisedar në një numër shkeljesh të njëjtët kanë identifikuar edhe presidentin Hashim Thaçi.

Akuzat janë shprehur në një shkresë 5-faqëshe të Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm, e cila ia ka drejtuar Pacollit, dhe kopjen e njëjtë ua ka përcjellë edhe Zyrës së presidentit, Zyrës së kryeministrit, sekretarit të Kuvendit, Agjencisë Kundër Korrupsionit, Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, si dhe disa autoriteteve të tjera.

Në të është treguar se, jo veç pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, por as pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme Pacolli nuk është përmbajtur nga marrja e vendimeve të jashtëligjshme, nëpërmjet të cilave njerëz të politikës i ka bërë pjesë të misioneve diplomatike.

Sindikata ka konsideruar se, duke u shkelur ligji, janë marrë së paku 26 vendime, qoftë për emërimin e konsujve dhe personelit tjetër diplomatik, qoftë për emërimin e konsujve të përgjithshëm.

“Ju tani si ministër i Punëve të Jashtme në detyrë, gjatë periudhës së dorëheqjes së Qeverisë, nuk keni të ndalur në lëshimin e vendimeve të kundërligjshme, duke emëruar konsuj dhe propozuar konsuj të përgjithshëm te presidenti i Republikës, të cilët nuk janë anëtarë të Shërbimit të Jashtëm në MPJ”, thuhet në letër, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”. /Koha.net

Anri Sala, artisti që futi Shqipërinë në hartë

“Jam buzë Oqeanit Atlantik, është Qendra Botin pas meje. E dini çfarë ka qenë më parë këtu? Ka qenë një hapësirë me garazhe peshku, një asgjë, hiç. Derisa u krijua Qendra Botin, nga Banka Santander, me ndihmën e njërit prej zërave më të rëndësishëm të dizajnit botëror, Renzo Piano. Ai që ka bërë Pompidoun, ai bëri edhe Qendrën Botin. Dhe ka bërë një mrekulli, duke e futur në hartë Santanderin, në hartën e artit bashkëkohor ndërkombëtar”, thotë Anri Sala.

Ekspozita personale që ka sjellë Anri Salën në Qendrën Botin, e ka kthyer në një pikë takimi për galeristët më në zë në botë. Kështu mund të kthehet një qytet, në qytetërim, nëpërmjet artit. Këtë bën arti, të fut në hartë. Anri Sala është i tillë. Është artisti që na futi në hartë, në hartën e artit ndërkombëtar bashkëkohor. Si djali nga Tirana që shkëlqen kudo ekspozon. Si zëri më i rëndësishëm i momentit, ai vjen në një rrëfim të rrallë për emisionin “Shqiptarët e Mrekullueshëm”, në News24.

Rudina Xhunga: Ku jemi tani, te ky tuneli i pazakontë i Qendrës Botin?

Anri Sala: Ky është një tunel në hapësirë, por edhe në kohë, në kuptimin që, në kohë që ne e përshkojmë, tuneli vetëpërshkohet edhe nga këta filma, video që vijnë gjithmonë në çift. Është çifti, ku dy filma kompletojnë njëri-tjetrin. Aktualisht filmi që po shohim quhet “Take Over”, ku është një raport midis Marsejezës dhe Internacionales, por gjithashtu midis një pianisti edhe një pianoje mekanike që luan vetë. Pra është ky tensioni midis dy këngëve që në gjenezë të tyre janë këngë revolucionare, por që interpretohen në mënyra të ndryshme, sipas pozicioneve politike të dëgjuesve. Një francez kur dëgjon Marsejezën, nuk krijon ato ndjesi si një njeri që jeton në Algjeri, Marok, apo vendet që kanë qenë koloni franceze, për ta nuk është më kënga e revolucionit, por mund të jetë himni i atyre që i kanë kolonizuar. Ka një pjesë të historisë së përbashkët, sepse pasi u shkruan fjalët e Internacionales, për 17 vjet nuk kishte muzikë për të, kështu që u luajt me muzikën e Marsejezës. Dhe në momentin kur u vendos se ishte shumë e rëndësishme që të kishte muzikën e vet, sepse filloi të përhapej gjithmonë edhe më shumë, në lëvizjet punëtore, në botë, u pajtua me pagesë një kompozitor që kompozoi muzikën që njohim ne sot të Internacionales. Vetvetiu kanë një kërthizë të përbashkët, por edhe shumë tensione që i ndajnë nga ana tjetër. Është edhe ky momenti që po shohim tani, ku duket raporti, ku në një film pianisti luan Marsejezën, ndërkohë që piano luan Internacionalen. Kurse në anën tjetër është e kundërta.

Rudina Xhunga: Sa kohë t’u deshën për të sjellë këtë ekspozitë?

Anri Sala: Përgatitjet kanë qenë shumë të gjata. Ishte në një formë paksa ndryshe. Pjesën qendrore të ekspozitës, pra puna që quhet “As you go”, që përmbledh tri punë që kanë ekzistuar më përpara: “Ravel, Ravel”, “Take Over”, “If and only if”, e kam shfaqur në Castello di Rivoli, në Itali. Por për këtë hapësirë, ekspozitë e rikompozova raportin koreografik midis filmave.

Ne Torino ishte shumë më i shkurtër. Këtu ti dëgjon një zë që vjen nga afër, në lidhje me një kadencë që vjen nga afër, ndërkohë që i sheh filmat duke iku apo ardhur, që nga larg. Kurse në Torino ti e dëgjoje një film para se ta shihje sepse, duke qenë në dhoma të ndryshme ti nuk e shihje akoma dot një film që vinte nga një dhomë tjetër.

Rudina Xhunga: Edhe kjo më ngacmoi Anri, pjesa e dytë e titullit, “As you go”, (Châteaux en Espagne).

Anri Sala: Natyrisht ka pak humor, por ka edhe një të vërtetë brenda. Châteaux en Espagne është një shprehje franceze që në shqip do të thotë “Kështjella në rërë”. Ndërsa në anglisht, në italisht do të thotë të ndërtosh kështjella në ajër. Ne i ndërtojmë në rërë, ndërsa francezët i ndërtojnë në Spanjë. Është një shprehje shumë e vjetër, ka atë idenë e një projekti që është utopik, por mbase i parealizueshëm. E ëma i thoshte shpesh Charles Baudelaire, që nuk ishte shumë i zoti për shumë gjëra të tjera, por ishte mjeshtër i kështjellave në rërë. Luan pak edhe me idenë e vendit ku jemi. Është një ndërtesë e Renzo Pianos, Centro Botin, që është një hapësirë publike, por që është qendra kulturore, apo muzeu i bankës Santander, që konceptualisht bankat janë pak kështjella rëre. Pra është pak një lojë midis kuptimeve të ndryshme.

Rudina Xhunga: Si është axhenda jote? Unë para një viti u lajmërova që të jem në ekspozitën tënde. Po shikoja El Pais apo gjithë gazetat kryesore spanjolle shkruanin për zërin më të rëndësishëm të artit ndërkombëtar të momentit.

Anri Sala: Një ndër zërat. Vitet e fundit kam pasur shumë ekspozita në muze, diku 3 apo 5 në vit, që është shumë për ta përgatitur. Në rastin e kësaj ekspozite ka pasur më shumë punë, sepse bëra një punë të re. Kjo pjesa e koreografisë mori shumë përgatitje në studio. Ishte përvoje e re, sepse në fakt ishte shumë e vështirë të montoje lëvizjen e filmave në hapësirë, nuk është si të montosh një film tjetër, kërkon një lloj tjetër imagjinate. Aq më shumë që një film do të ikë, do të kalojë përtej murit, do të kalojë nga ana tjetër. Është e pamundur, aq më shumë në kushtet e një studioje, e cila sado e madhe të jetë, nuk mund të jetë aq sa hapësira reale. Kështu që unë krijova një sistem, quhet maping, përdoret një sistem serveri database që ti lëviz filmin mbi mur. Dhe gjithë ekspozitën e bëra në një realitet virtual, hapësirë virtuale. Pra mund ta shihja ekspozitën para se të vija këtu dhe mund ta përmirësoja montazhin sa herë që avancoja në punë. Gerard Kose është një violinist me famë botërore, një nga të paktët për të cilët janë kompozuar pjesë dhe ka një nga violat më të vjetra në botë, diku 1560-vjeçare, nëse nuk gaboj. Unë desha që ai të performonte elegjinë e Stravinskit për Viola, që është një muzikë solo, pa shoqërim, por i shoqëruar nga udhëtimi i kërmillit. Gjatë kësaj kohe kërmilli fillon një udhëtim nga fillimi e deri në fund të harkut të violës. Mënyra sesi e konstruktuam muzikën, apo sesi ai do të ballafaqonte këtë situatë, sesi do të inkurajonte kërmillin në momente lodhjeje, është që gjithsesi kërmilli të këtë arritur në fund të harkut. Pra ka disa përkime të përbashkëta, është udhëtimi i kërmillit, kohëzgjatja e muzikës dhe filmit janë të njëjta. Kërmilli është shumë i ndjeshëm ndaj dritës dhe ne nëpërmjet saj e shtymë në drejtimin që deshëm, drejt errësirës. Kështu që, në momente kur ka shumë pak ndriçim, bëhet shumë e vështirë për të filmuar, sepse duhet të jesh shumë me sensibël me fokusin, ndjekjen e tij.

Rudina Xhunga: El Pais shkruante për ty: “Ai e tregon veten në një mënyrë tjetër, pa politikë”.

Anri Sala: Ishte pjesë e pyetjeve, ishte interesante si nga El Pais ashtu edhe nga El Mundo. E kuptoj si pyetje, por nuk jam dakord. Sepse në botën ku jetojmë kam përshtypjen se njerëzit, gjithnjë edhe më shumë e shohin politikën te përmbajtja. Unë nuk e shoh te përmbajtja, por te struktura, te sintaksa. Për herë të parë kuptova rëndësinë e sintaksës, sepse në atë kohë, t’i thoshe gjërat siç duheshin thënë ishte shumë e kontrolluar përmbajtja sesi do të shprehej brenda normave politikë, pa marrë asnjë risk, pa dalë nga ajo autostrada e kuptimit. Por nga ana tjetër kur dëgjon fjalimet e asaj kohe sot, duken sikur ka diçka që nuk shkon në strukturën e gjuhës, sepse ishte shumë e tkurrur brenda një sistemi që e përdorte politikisht. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rastin e anglishtes, nëse marrim rastin e aksentëve, që gjithmonë tregojnë jo vetëm prejardhjen, por edhe ku je në piramidën shoqërore, sidomos në disa vende më shumë sesa të tjera. Pra aksenti është pjesë e sintaksës, jo e përmbajtjes të komunikimit. Raportet e forcës, ndonjëherë janë të futura më shumë në formë, sesa në përmbajtje. Kështu që në këtë kuptim unë jam interesuar, mua nuk më duket se puna është bërë më pak politike, aq më shumë kur japim rastin e filmit “Take Over”, midis Marsejezës dhe Internacionales. Apo Ravel, Ravel ku është raporti midis dy pianistëve që luajnë të njëjtin koncert, të kompozuar nga Ravel, vetëm për dorën e majtë, pasi kjo ishte kërkuar nga një pianist që humbi dorën e djathtë gjatë Luftës së Parë Botërore. Në atë kohë pati shumë kompozime për dorën e majtë që janë bërë gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, që tregojnë edhe për shumë njerëz që humbën kryesisht dorën e djathtë gjatë luftës në llogore. Ka një lidhje direkte midis ekzistencës së repertorit për dorën e majtë dhe historisë së konflikteve botërore. Nuk është se i jam larguar politikës, por politika ka shkuar nga paraskenë, në prapaskenë. Por në fund të fundit në prapaskenë krijohen gjithë ato gjëra që bëhen të dukshme para perdes. Pra politika ka shkuar nga pozicioni para perdes, në atë pas perdes.

Rudina Xhunga: Nënën tënde e telefonova për ta intervistuar, por nuk pranoi sigurisht. Më tha: “Jo unë nuk jap intervista, nuk kam dhënë asnjëherë”. Pastaj u kujtova që ajo e ka dhënë Intervistën e saj, në punën tënde kryesore. Intervista.

Anri Sala: Po është e vërtetë. Për mua ka qenë një film që është si kërthiza nga ku kanë buruar pastaj shumë punë të tjera dhe vazhdojnë të burojnë.

Rudina Xhunga: Ishe student atëherë?

Anri Sala: Po isha viti i dytë, isha në Paris.

Rudina Xhunga: Kjo është “No window, no cry”. Ka qenë e ekspozuar për herë të parë në Qendrën Pompidou. Por duket në Qendrën Botin, është në vendin e vet. Janë të gjitha dritare që shohin në oqean. Dhe pa dritare nuk ka lot.

Me Anri Salën, në Qendrën Botin, në Santander, në Spanjë, në një ngjarje të mrekullueshme për artin ndërkombëtar dhe shumë krenari për shqiptarët.

Anri Sala: Është interesante për mua, sepse ngaqë është dritare, ka lidhje shumë me transparencën. Ti nuk mban mend xhamin, por pamjen. Në Pompidou, pamja ishte shatërvani i Niki de Saint Phalle, ishte përtokë, në nivelin e rrugës, me njerëzit që kalonin. Ajo që është interesante këtu dhe që më pëlqeu është pozicioni ku ndodhet instrumenti dhe manivela që luan, është fiks niveli i horizontit. Përkon mirë me lartësinë, me katin.

Rudina Xhunga: Kjo është “Jo dritare, jo lot”?

Anri Sala: Po. Është pak në stilin e Bobe Marley, “No women, no cry”, “No window, no cry”.

Ne e nisëm me “As you go”, e cila është pjesa qendrore, dhe anash janë dy kllapat. Është një lloj ruloni që përdorej para 150 vjetësh për të printuar letrat e murit. Dhe unë gjeta dy të tilla që i kam bërë bashkë, me idenë për të krijuar muzikën e këtij takimi, midis dy motiveve, por që janë edhe dy shije të ndryshme, që të lënë të imagjinosh dy interiore të ndryshme, dikur mes dy njerëzve të ndryshëm, që i përzgjodhën ato. Pra është një imazh, që kalon nga një motiv pamor, në një akustik, të zërit. Të dyja këto kllapat kanë atë ndjesinë e rrotullimit, por që luajnë vetë ashtu si boksi i muzikës nga ana tjetër. Por mundon trupi, mungon prania personit që luan. E ndërkohë, gjithë pjesa tjetër e ekspozitës As You Go, është kundërta. Është e mbushur me duar, me praninë e qenies, që luan instrumentet muzikore.

Rudina Xhunga: Shqipen e ke merak, do patjetër që ta thuash ç’mendon, në shqipen e duhur?

Anri Sala: Për mua është e rëndësishme. Nuk mungojnë fjalët. Kam përshtypjen që shumë shpesh, sa herë që flas për artin bashkëkohor, gjithmonë e kam kthyer një a dy herë kur kam qenë në Akademi, apo kur kam bërë prezantim publik, për mua është me rëndësi të gjej fjalët në shqip. Në fakt nuk mungojnë fjalët, por historia e përdorimit të tyre, për kontekste që janë të reja për ne, në Shqipëri, siç është arti bashkëkohor, ku për të shpjeguar një ide, që ka lidhje me këtë, duhet të thuash shumë fjalë bashkë që të krijosh . Dhe jam i bindur që për 20-30 vjet do të flitet më shumë për këto gjëra dhe një fjalë e vetme do të mund të mbajë peshën e të gjithë fjalisë që përdorim. Ndodh edhe në frëngjisht, apo anglisht. Unë natyrisht shprehem më kollaj në shqip sesa në gjuhët e tjera, por kur vjen puna për të folur në intervistë për artin bashkëkohor flas në anglisht apo frëngjisht. Është ndoshta më lehtë, jo se e kam unë vështirë të gjej fjalët në shqip, sepse janë togfjalësha, apo fjali, nocione në anglisht apo frëngjisht që kanë një histori më të vjetër pas tyre.

Mjafton që pak t’i çukitësh ato nocione dhe personi tjetër, dëgjuesi e kupton për çfarë po flet. Është normale që nuk është mungesa e shqipes, por e realitetit përreth këtyre fjalëve që kanë lidhje me kulturën bashkëkohore, e që janë rrugës.

Rudina Xhunga: Kjo godinë është një mrekulli dhe unë po mendoja, sikur gjithë ky qytet rrotullohet rreth kësaj qendre. Kjo ndërtesë ishte jeta e qytetit.

Anri Sala: Po. Mesa kam parë edhe gjatë këtyre ditëve kur kam qenë duke instaluar, është interesante se nuk ka pasur ekspozita hapur, por vetëm koleksioni te kati më poshtë, dhe vijnë shumë njerëz. Pjesën poshtë e frekuentojnë shumë, është një lloj vendi që i tërheq njerëzit.

Rudina Xhunga: Arti mund t’ia dalë. Për shembull përmende Renë, kur ishim te tuneli i filmave. Reja ka krijuar identitet aty, ti nuk thua më: “Do të shkoj te Galeria.”, por “Takohemi te Reja!”. Arrin arti të të sjellë në mënyrën e vet, të pandjerë.

Anri Sala: Janë disa vende arti, arkitektura që janë instrumentale, që kur i vendos në vendin e duhur, krijojnë një lloj akustike, nuk bëhet fjalë vetëm për atë të zërit. Pra krijon një lloj akustike në qytet, në raportin midis njerëzve, kthehet në një lloj koordinate për njerëzit. Është e vërtetë. Reja e pati shumë shpejt këtë mundësi, në Tiranë. Mesa thuhet është një nga këto rastet më flagrante, sesi arkitektura kthehet në një nga instrumentet për të ndryshuar imazhin e qytetit, pra kthehet në një destinacion për ta bërë më të dukshëm përtej banorëve të vet.

Rudina Xhunga: Këtë po mendoja rrugës ndërsa po vija, nga Bilbao në Santander. Një panoramë që nuk e ke të panjohur, e ke parë. Por këto vende janë në hartë, siç ne nuk jemi dot. Ajo që besoj unë në të vërtetë është sesi, qendra të tilla mund t’i ndryshojnë jetën qyteteve.

Anri Sala: Po natyrisht.

Rudina Xhunga: S’di si mund të ndryshohet jeta e atyre që janë brenda në Tiranë, apo në qytetet tonat qe duken të humbura. Çfarë kanë më shumë këta këtu, sesa ne? Është pyetja që i bej vetes?

Anri Sala: Unë kam përshtypjen që këtu e kanë kaluar atë momentin e tranzicionit. Edhe Spanja ka pasur momente që ka kaluar tranzicion, e ka kaluar nga një tjetër lloj diktature, ajo e djathtë, në sistemin demokratik. Por natyrisht është edhe një kulturë tjetër politike e trashëguar që më përpara. Kultura është gjithmonë një nga mënyrat më efikase, në kuptimin total, jo atë ekonomik, janë të lidhura bashkë. Fakti që e nxjerrin një qytet në hartë, e bën qytetin pjesë të udhëtimeve të njerëzve. Këtu në Sandander, për shembull, kanë një lloj konkurrence shumë të madhe me Bilbaon, sepse janë shumë afër. Natyrisht që Bilbao është më i njohur. Por nga ana e programit, që është vërtet bashkëkohor, më shumë bashkëkohor sesa muzeu i Bilbaos, e bën me një lloj networku programesh, që janë edhe në kohën e tyre, por edhe në pararojë me të tashmen.

Rudina Xhunga: Në marrëdhënie me Shqipërinë, je përsëri afër, apo ke më pak kohë tani?

Anri Sala: Jo njëlloj ka qenë, të paktën këto 10 vjetët e fundit. Nuk vij për shumë gjatë, por vij shpesh. Më shumë i kam dhënë avantazh të ardhurit më shpesh, sesa të qëndruarit gjatë. Para një viti isha te Festivali i Resë. Ndihmova me idenë e Resë sesi të vinte kjo strukturë, nga Londra, në Tiranë të qëndronte për ca kohë. Jo nuk më duket fare që jam i shkëputur.

Rudina Xhunga: Si është tani, Tirana e “Dammi i colori”, si është tani, çfarë emri ka tani?

Anri Sala: Ka kaluar në një fazë tjetër, nuk është me te faza e ngjyrave si diçka për sytë. Natyrisht është bërë një qytet më kompleks, me shërbime më komplekse, me probleme që vazhdojnë të jenë komplekse. Por nuk është më ai momenti i aksioneve të forta, radikale. Tani është një qytet ku aksioni është më i shpërndarë, në nivele të ndryshme. Është pjesë e një qyteti që po gjen atë kompleksitetin që i takon.

Rudina Xhunga: Besoj në çdo medie që tregohet për ty, të lidhin me Edi Ramën, profesori, pedagogu, që tani është kryeministri.

Anri Sala: Po është pjesë e fakteve, e shoqërisë, pjesë e të qenit një person që ka qenë i rëndësishëm për mua që herët. Kur ishte pedagog në Akademinë e Arteve, por edhe më përpara, sepse nuk kam qenë direkt student i Edi Ramës, por i Edi Hilës, në Akademi. Por që ka qenë një person shumë i rëndësishëm, sikurse ka qenë edhe një pedagog i rëndësishëm, në atë momentin e hapjes së syve, në ato vitet që të gjithë po nuhasnin se diçka po ndryshonte. Nga ana e diskutimeve, e horizontit, e të qenit prezent, nga mënyra sesi arrinte të fliste për artin, ato pjesët e ndaluara, por në një mënyrë që prapë e bënte të mundur, dhe natyrisht zgjeronte horizontin e studentëve. Dhe këto jo në lidhje vetëm me mua, por edhe me studentë të tjerë.

Rudina Xhunga: Në kohën që ty t’u hapën sytë, ti ju dhe krijimit. Ajo që ndodh në Shqipëri, është se ata që u hapen sytë, duan të ikin.

Anri Sala: Në fund të viteve ’90, nuk ishte krijuar akoma tisi i cinizmit, lodhjes, që gjërat nuk arrihen ndershmërisht, e të tjera, ca të vërteta, e ca të pavërteta. Shpesh janë edhe justifikime për të mos i shkuar deri në fund luftës personale, në lidhje me jetën. Kam përshtypjen se ka pasur shumë energji në fillim fare, por nuk ka pasur mundësi siç janë sot për t’u shprehur artistikisht. Unë mbaj mend videoja e parë që bëra kur isha student, m’u desh të aplikoja te fondacioni Soros, për të pasur një kamera, në përdorim, një ditë. Kështu e kam bërë videon e parë në akademi. Duke ditur që e kisha kamerën vetëm për një ditë dhe do ta xhiroje filmin duke e montuar, sepse nuk i kishim mundësitë e montazhit. Do të thosha që ka shumë mundësi tani, në Tiranë, sesa ka pasur atëherë. Mbase atëherë ishte dëshira për ta bërë një gjë, e cila ishte e ndaluar për një kohë të gjatë, ishte një lloj lirie shprehjeje. Me kalimin e kohës, me tranzicionin, me lodhjen, një pjesë e humbi besimin se edhe kështjellat në ajër, mund të bëhen realitet. Dy-tri vjetët e fundit në Tiranë shoh që ka një skenë gjithmonë e më të artikuluar, artistë që mbështesin njërit-tjetrin.

Nga njëra anë unë nuk mund ta di më mirë se njerëzit që janë atje, po nga ana tjetër distanca është avantazh, të krijon një lloj qartësie që nuk e ke në të përditshme.

Rudina Xhunga: Na e trego pak me ngjyra qytetin tonë!

Anri Sala: Ka filluar të marrë ato tiparet e një skene, të një kurioziteti. Ka të rinj që mendojnë sesi të bëjnë një program ekspozitash brenda një viti, të rinj që lëvizin që shohin Bienalet. Në një farë mënyre kjo po ndihmon që njerëzit edhe kur janë konkurrentë me njëri-tjetrin, sepse çdo vend i vogël e ka pak më problematike konkurrencën, por ajo që shoh unë është konkurrencë që me kalimin e kohës po i tërheq njerëzit për më sipër, ndërkohë që më parë i mbante njerëzit nga poshtë. Këto ndryshime sipas ndjesisë sime po ndodhin këto tre-katër vitet e fundit.

Rudina Xhunga: Kjo është e vërtetë, që njerëzit duke e parë nga jashtë edhe nga larg e ndjejnë më shumë sesa e shikojnë. Ndërsa rutina e përditshme të merr me vete.

Anri Sala: Ndonëse në Shqipëri ka gjëra për të cilat mund të ankohemi, sepse jeta është shumë më e vështirë krahasuar me vendet e tjera, natyrisht varet edhe nga mundësitë e gjithsecilit, por ne e presim edhe të përditshmen më me ngjyra. E kemi pjesë të natyrës sonë, sikurse edhe në vendet afër nesh. Kur shkon në vendet pak më lart. Në Berlin, nuk ka ato pritshmëri njeriu, ka më shumë fokus. Ne për nga natyra jemi më up and doën, do të thoshte psikologu nëse do të shkonim të vizitoheshim të gjithë. Pritshmëritë shumë të mëdha, krijojnë zhgënjime të mëdha.

Rudina Xhunga: Shqipërisë i mungojnë edhe gjërat bazike, nuk i mungon vetëm eksitimi për të jetuar, por edhe mundësia për të jetuar.

Anri Sala: Nuk mendoj se i mungon eksitimi për të jetuar, por mbase ka një mungesë balance midis eksitimit dhe mundësisë.

Rudina Xhunga: Ti i ke gjetur balancat në jetën tënde?

Anri Sala: Kur je në një profesion krijues është më e vështirë për ta ndarë pjesën e punës, të krijimtarisë, të problemeve, të gëzimeve që të krijon nga të njëjtat gjëra, gëzime, probleme, strese në jetë. Nuk është e thënë që i kam zgjidhur këto. Është si t’i thuash dikujt që i ka zgjidhur njëherë e mirë të gjitha balancat midis shqetësimeve dhe gëzimeve. Ndërkohë që është pjesë e jetës edhe nëse nuk i ke zgjidhur akoma, sepse vihet gjithnjë në pikëpyetje një mënyrë sesi e ke zgjidhur diçka përkohësisht, është pjesë e motorëve të brendshëm që vënë në lëvizje ecjen përpara.

Rudina Xhunga: I ke zgjidhur apo jo, Anri Sala e rëndësishme është se ti je njëri prej atyre personazheve që bën krenarë shqiptarët në këtë moment, sepse nuk i përket të kaluarës. Je tani. Njeriu që sa herë që flitet në çdo gazetë të rëndësishme ndërkombëtare, në medie, apo kudo ku vetëm Anri Sala, djali i lindur në Tiranë që kreu Fakultetin e Arteve të bukura dhe pastaj vazhdoi studimet në Francë dhe jeton në Berlin. Të falënderoj gjithmonë që më jep kënaqësinë të të intervistoj.

Anri Sala: Shumë faleminderit! Në fakt gjithë kjo pjesa e problemeve që ne flasim, problemet të lindura brenda një konteksti, me problematika më të mëdha se te vendet e tjera, në rastin tim është kthyer në një mjet, në një vlerë të shtuar, dhe natyrisht në një lloj ndjeshmërie. Antena bën lidhjen midis realiteteve, eksperiencave shumë të ndryshme, që vijnë edhe për arsye historike, politike, sistemesh të ndryshme, që kthehet në një gjë që është më shumë, dhe jo më pak në punën time. Fakti nga jam dhe fakti që është gjithmonë e qartë, nuk është për gjithkënd dhe për mua në radhë të parë është pjesë jo vetëm e një krenarie, përkatësie, por edhe brumit që vazhdon të më gatuajë mua përditë. Vërtet nuk jam në Tiranë gjithë kohën, por mbase duke mos qenë atje, nuk kam atë lodhjen e përditshme dhe i ndjek gjërat me më shumë kureshtje. Ndërkohë që po të kisha qenë brenda kontekstit do të kishte qenë shumë e vështirë për të luftuar atë të përditshme që krijon një lloj kolapsi psikologjik, por që kam përshtypjen se po ndryshon. Gjithmonë e më shumë po tretet dhe po i jep mundësinë njerëzve të dalin nga ky lloj tisi që i ka mbajtur nën.

Rudina Xhunga: Ashtu qoftë, sepse jemi në dhjetor, në fund të një viti, po vjen tjetri. Unë këtë u uroj atyre që na ndjekin. Mbarofshin këto lloj problemesh që na mbajnë brenda, fillofshin të tjera probleme, ato që na nxjerrin në sipërfaqe.

Anri Sala: Qofshin, probleme interesante!

Rudina Xhunga: Paçim probleme interesante! Me këtë urim po e mbyll nga Qendra Botin, në Santander, në Spanjë, e një shqiptari të mrekullueshëm, Anri Sala.

Vlora Çitaku me veshje kombëtare në Shtëpinë e Bardhë (FOTO)

Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në SHBA shumë herë ka prezantuar veshjet shqiptare edhe në misionin diplomatik, shkruan KultPlus.

Edhe kësaj radhe, Çitaku ka përzgjedhur një veshje të tillë, dhe pikërisht për vizitën e saj në Shtëpinë e Bardhë, ku është organizuar pritja vjetore për korin diplomatik.

Për këtë veshje ka njoftuar vetë Çitaku, e cila e ka postuar edhe një fotografi.

“Në pritjen vjetore të organizuar nga Shtëpia e Bardhë për korin diplomatik, me kostumin kombëtar të qëndisur nga Tolinda Gojani Hasani”, ka shkruar Çitaku./KultPlus.com  

Minire Islami Veliu, një nga 21 gratë e titullit “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”

KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.

Minire Islami Veliu është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.

KultPlus, deri më  12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel.

Minire Islami Veliu, mësuese veterane e cila ka dhënë kontributin e saj në zonën e Preshevës dhe në  Prishtinë! Duke qenë një luftëtare e pamposhtur për arsimimin e brezave të rinj dhe çështjes kombëtare, si dhe për emancipimin e femrës shqiptare, dashuria e pafund ndaj fëmijëve në përgjithësi, e ka nxitur të merret me profesionin e edukatores-mësueses. Është nderuar me shumë cmime për kontributin e saj  në zhvillimin e brezit të ri./KultPlus.com  

Julinda Dhame, një nga 21 gratë e titullit “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”

KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.

Julinda Dhame është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.

KultPlus, deri më  12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel.

Julinda Dhame, drejtore e Promovimit të Bashkisë së Tiranës . Prej pese vitesh drejton me sukses, një drejtori që shkon deri tek sinergjia me bashkëqytetarët!

Sepse  Julinda Dhame , është një energji e pashtershme që punon  24 në 24 orë për  qytetin për të qenë gjithmonë plot aktivitete të të gjitha dimensioneve duke i dhënë ritën tjetër kryeqendrës së Shqipërisë ashtu  dhe  të gjitha grupmoshave! /KultPlus.com

“Të gjithë e thërrasin Rexho”, filmi i vetëm shqiptar që mbështetet nga Agjencia e Filmit në Maqedoni

Është filmi i vetëm nga një regjisor shqiptar që është mbështetur nga Agjencia e Filmit në Maqedoni, ku të gjithë të tjerët janë maqedonas, shkruan KultPlus.

“Të gjithë e thërrasin Rexho”, është film i metrazhit të gjatë dhe debutues për regjisorin Ibër Deari, i cili ka shkruar edhe skenarin, bashkë me skenaristin tjetër Artin Selmani.

Ibër Deari ka treguar për KultPlus për emocionet që i ka sjell ky vendim për mbështetjen e filmit të tij, por sipas tij, është shumë herët të flitet për procedurat në vijim.

“Shpresoj që të gjej mbështetje edhe në shtete të tjera”, ka thënë Deari për KultPlus, i cili poashtu ka thënë se deri te vendimi për vendin se ku do të xhirohet dhe se cilët prej aktorëve do të jenë në këtë film, duhet kohë dhe angazhim. /KultPlus.com

Aurita Agushi: Arsimtare e dashur, jo në të gjitha lëndët jam e aftë që t’u ndihmoj fëmijëve të mi

Po afron përfundimi i gjysmë vjetorit të parë në shkollat e Kosovës, dhe ballafaqimi i prindërve me rezultatet e fëmijëve ka bërë që të ngjallë reagime të ndryshme.

Mësimdhënësit kërkojnë që për një sukses më të madh të nxënësve, të kenë edhe bashkëpunimin e prindërve, por edhe prindërit shpesh vlerësojnë që po ngarkohen me punën për të cilën nuk janë të thirrur.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Aurita Agushi, aktore e njohur kosovare, e cila për suksesin dhe mossuksesin e nxënësve, e adreson kryekëput te mësimdhënësit.

KultPlus ju sjell reagimin e saj e cila e ka shfaqë nëpërmjet një statusi, status që ka ngjallë reagime edhe te prindërit e tjerë.

Nëse në një klasë prej 32 nxënëseve, në test vlerësohen vetëm dy nxënës me 5 , dy me 4 dhe 28 tjerë me 3-2 dhe 1, problemi është kryekëput te ti arsimtare e dashun.

P.S
Jo në të gjitha lëndët jam e aftë me i ndihmu fëmijët e mi. Prandaj jeni ju aty, për secilën lëndë nga një mësimdhënës./ KultPlus.com

Teuta Fazliu, një nga 21 gratë e titullit “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”

KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.

Teuta Fazliu është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.

KultPlus, deri më  12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel.

Quhet Teuta Fazliu, vjen nga Bujanoci. Në vitin 2000 shkoi në Kosovë si një 18 vjeçare, nisi  studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filologjik dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ku u shkollua me bursë. E gjithë historia e dhimbshme e sakrificës së jetuarit dhe vepruarit të shqiptarëve e ka motivuar që të mos  ndalet  së mësuari për shqiptarinë.

Nga viti 2005 punon në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit  lokal , ne pozicionin e pestë në këtë Ministri ku dallohet për punën e saj me shumë vullnet . Teuta ishte, kandidate per deputete ne zgjedhjet e fundit me Lëvizjen  Vetvendosje./KultPlus.com  

Autorët shqiptarë në letërsinë austriake

                       

Bisedë me Anton Markun, poet dhe veprimtar për promovimin e letërsisë shqipe në Austri 

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana:  Marrëdhëniet letrare shqiptaro-austriake prej themelimit janë zhvilluar pa shkëputje. Meritë për këtë vazhdimësi janë padyshim shtetasit austriakë, por edhe ata shqiptarë, që kontribuan për promovimin dhe pasurimin e vlerave letrare të letërsisë shqipe, në këtë vend. Kjo trashëgimi e gjerë po vazhdon edhe me punën tuaj, duke qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, si dhe i klubeve letrare shqiptare dhe austriake, pëmes të cilave keni arritur të përktheni për lexuesin austriak një numër të konsiderueshëm të veprave letrare shqipe. A mund të na flisni për trendet dhe binarët e përkthimit të letrave shqipe, prej kohës kur jeni pjesë e kësaj fushe? 

Anton Marku: Të shkruash do të thotë të mendosh, të dialogosh me vetveten, të hysh në thellësi të botës tënde, të komunikosh me të tjerët, të shprehesh për realitetin objektiv dhe atë fiktiv në mënyrë artistike. Personalisht, përpos disa sprovave, ende nuk kam filluar që aktivisht të merrem me përkthime letrare nga gjuha shqipe në atë gjermane dhe anasjelltas. Deri para dy viteve, krijimet e mia, qoftë në prozë apo në poezi, kam tentuar t’i përkthej dhe për shtatë vetë, ndërsa korrigjimet ia kam besuar një autori gjermanofolës, sidomos Peter Paul Wiplinger-it, njërit ndër shkrimtarët më të njohur austriakë, mik i shqiptarëve dhe anëtar nderi i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ (LShKShA). Në dy vitet e fundit kam filluar që të shkruaj direkt në gjuhën gjermane dhe ato shkrime të ndryshme t’i lexoj po në këtë gjuhë para publikut austriak. Në anën tjetër, një pjesë e konsiderueshme e autorëve shqiptarë në Austri në dhjetë vitet e kaluara kanë përkthyer librat e tyre në gjuhën gjermane dhe atë proces e ka bërë të mundur, kryesisht nga Dr. Kurt Gostentschnigg, përkthyes, albanolog, poet dhe njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe. Një përkthyese tjetër, shumë e mirë në Austri, është edhe Adrea Grill.

M.: Në takimet e ndryshme letrare ku ju jeni pjesë, anëtarët e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, të PEN Klubit të Austrisë dhe pjesëmarrës të tjerë prej komunitetit letrar nga vendet e ndryshme (pra në takimet e zakonshme me përfaqësim shumëkombësh dhe shumëkulturor), si vlerësohet letërsia shqipe krahas letërsive të vendeve tjera europiane, çfarë e përafron dhe e dallon?

A.M.: Në njëfarë mënyre autorët shqiptarë kanë sjellë risi në letërsinë austriake, si për nga temat që trajtojnë, stili i shkrimit apo qasja ndaj fjalës së shkruar, si shenjëzim estetik. Kjo dhe është një ndër arsyet kryesore që letërsia shqipe, jo dhe aq e njohur në këtë shtet, po vlerësohet çdo ditë e më shumë, si vlerë e shtuar.Me letërsinë e vendeve tjera europiane atë po e përafrojnë harmonia mes mendimeve, larmia e narracionit, meditimi reflektiv apo mesazhi artistik, por edhe pasuria e figurave stilistike, si metafora, simboli, krahasimi, etj.  Dallimet, kryesisht kanë të bëjnë me faktin se letërsia shqipe që krijohet në diasporë është në një masë të madhe patriotike, politike e me tone melankolike, e cila shumë rrallë ia ka dalë të lirohet nga historia, temat e luftës dhe nostalgjia për ‘‘kohërat e vjetra’’. Ajo ende po ka vështirësi që të transformohet, reformohet dhe përshtatet me trendet dhe kahjet ligjërimore, që sot po ndodhin në letërsinë bashkëkohore, e cila sot shkruhet shkurt, qartë; është më dinamike, më reale, precize, shumëdimensionale, universale, më e hapur, më përparimtare dhe më avangardiste.

M.: Bazuar në përvojën tuaj disavjeçare në funksion të njohjes dhe promovimit të letërsisë shqipe në shtetin austriak, cilët janë autorët shqiptarë më të lexuar?

A.M.: Për fat jo të mirë, jo shumë shkrimtarë shqiptarë janë të përkthyer në gjuhën gjermane dhe të njohur në Austri. Përjashtim bëjnë emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe, si Ismail Kadare, Martin Camaj, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Besnik Mustafaj, Kasëm Trebeshina, Kim Mehmeti, etj. Nga brezi më i ri njihen veprat e Lindita Arapit, Beqë Cufajt, Shaip Beqiri, Jeton Neziraj, Ilir Ferrës, Anila Ëilms, Jeton Kelmendit, etj.  M.: Si qëndrojnë marrëdhëniet tuaja me qendrat e mëdha shqiptare, sa bashkëpunoni me organizatat simotra: institucionet nga Kosova dhe Shqipëria? A.M.: LShKShA është bashkëthemeluese e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKShM), e cila u krijua në vitin 2013 dhe në kuvendin konstituiv, të së cilës  morën pjesë autorë shqiptarë nga 13 shtete të botës. Që nga ajo kohë ne takohemi së paku dy herë në vit: një herë në Gjermani, ku gjendet dhe selia e LKShM dhe gjatë muajit gusht në Kosovë dhe Shqipëri, përgjatë ‘‘Muajit të Mërgatës’’. Deri më tani kemi mbajtur disa orë letrare, përurime librash, konkurse letrare, si dhe kemi botuar disa antologji, ndër të cilat vlen të veçohen ato për Shën Terezën dhe Gjergj KastriotinSkënderbeun. Po ashtu, edhe pse rastësisht, e jo shumë i strukturuar, nuk mungon  bashkëpunimi me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës dhe PEN Klubin e Shqipërisë.

M.: Duke qenë se jeni poet dhe deri tani keni publikuar disa libra me poezi, si dhe jeni përfaqësuar në disa antologji në gjuhën gjermane, si e vlerësoni procesin e përkthimit të poezisë shqipe në gjermanisht; sa është e vështirë dhe e mundur që të ruhet origjinaliteti i poezisë shqipe gjatë përkthimit në gjuhën gjermane?

 A.M.: Procesi i përkthimit në cilëndo gjuhë është sa specifik aq dhe kompleks. Përkthyesi duhet të jetë njohës shumë i mirë i të dy gjuhëve, mundësisht të jetë edhe vet krijues, t’i mbetet besnik sa më shumë që është e mundur orgjinalit, por dhe t’i japë vetes lirinë që të përdorë nuanca dhe variante alternative gjuhësore, që do ta pasuronin veprën, gjithnjë pa rrezikuar që të humbet kuptimi i saj. Konsideroj se një ndër të tillët ishte dhe tashmë i ndjeri Hans-Joachim Lanksch, që ka realizuar përkthime në gjermanisht të shumë autorëve të poezisë shqipe. Ajo çfarë në asnjë rast nuk do të duhej të ndodhte është përkthimi i drejtëpërdrejtë, fjalë për fjalë, i një teksti nga një gjuhë në tjetrën. Edhe mua më ndodh, që të kem përshtypjen se ndonjë nga poezitë e mia të shkruara në gjuhën amtare nuk e kanë fuqinë e njëjtë të shprehjes, estetikën, ngjyrën, tingullin dhe elegancën e njëjtë në gjuhën gjermane. Ajo, që në këto raste bëj është të lëviz apo zhvendos ndonjë fjalë, të shkurtoj apo zgjas ndonjë varg, apo dhe të përdor ndonjë sinonim, në mënyrë që në gjuhën tjetër krijimi të jetë sa më i kuptueshëm për lexuesin.

M.: Meqë janë disa vite që jetoni dhe veproni në Austri, si i vlerësoni marrëdhëniet shiptaro-austriake nga fusha e Albanologjisë dhe Filologjisë? Cilat janë ngjarjet dhe emrat më të spikatur austriakë, që gjatë historisë kontribuan në këto dy fusha për ndërtimin e urave në mes dy kulturave?

A.M.: Albanologët gjermanofolës, sidomos ata nga Austria ishin prijetarë të shkencës së albanologjisë, filluar nga Johannes Georg von Han, Gustav Mayer, Norbert Jokli, Franz Nopsca, Maximilian Lambertz, etj. Që në vitet e hershme të shk XVIII, ata treguan interes të jashtëzakonshëm, për gjuhën dhe kulturën shqipe, duke botuar studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes; kërkime gjuhësore – kulturore historike nga fusha e shqipes. Po ashtu, një numër i madh i albanologëve të shquar shqiptarë, po ashtu studiuan në Austri. Ndër ta, si më të shquarit, dallohen: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Pekmezi, etj. Në lidhje me këtë temë, përmes hulumtimeve dhe shkrimeve të paraqitura në disa të përditshme tona, kontribut të madh është duke dhënë publicisti Hazir Mehmeti, i cili ka vite që jeton në Vjenë.

 M.: A mund të na thoni çfarë jeni duke punuar aktualisht  në funksion të njohjes së letërsisë shqipe nga lexuesi austriak? 

A.M.: Me themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, në vitin 2011, krijuesit shqiptarë në Austri, më në fund arritën të kenë: një adresë të tyre, një emër, një shenjë dalluese, një ‘‘kulm mbi kokë’’, qoftë ai dhe virtual. Lidhja u vu në jetë nga entuziazmi i themeluesve të saj dhe për një periudhë të shkurtër kohore arriti që të identifikojë, anëtarësojë mbi 30 krijues/e nga të gjitha rajonet e Austrisë. Në dy vitet e para të veprimtarisë së saj u organizuan më se 20 orë letrare në gjuhën shqipe, jo vetëm në Vjenë, por dhe në qytetet të tjera, si Linz, Graz, Salzburg, Wiener Neustadt, Baden, Kapfenberg, Knittelfeld, etj. Nga viti 2013 orët letrare, tashmë mbahen në të dy gjuhët, atë shqipe dhe gjermane. Që nga ajo kohë, anëtarët e Lidhjes kanë botuar mbi 40 libra individualë, ndërsa u publikuan edhe dy antologji të përbashkëta, po ashtu në të dy gjuhët ‘‘Illyrcum 1’’ dhe ‘‘Illyricum 2’’. Në anën tjetër u vendosën, u thelluan kontaktet dhe bashkëpunimi me shtëpi botuese, institucione shtetërore, organizata joqveritare, etj. LShKShA qëllim parësor ka promovimiin e kulturës, e sidomos artit dhe letërsisë shqiptare në Austri, si dhe krijimin e urave të miqësisë me autorë vendas dhe të huaj që jetojnë në këtë vend.   Që nga viti 2013 marrim pjesë në manifestimet ‘‘Javët e Integrimit në Vjenë’’ dhe në ‘‘Muajt e Kulturës Shqiptare në Austri’’, madje duke organizuar orë letrare në gjuhën gjermane, e në të cilat ftojmë autorë gjermanofolës dhe me prejardhje të huaj, të cilët jetojnë në këtë shtet mik.

Anton MARKU, u lind më 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore, të mesme dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe, e mbaroi në Gjakovë. Studimet Universitare i përfundoi në Prishtinë, ndërsa në Vjenë përfundoi studimet master në shkencat politike.  Jeton dhe punon në Austri, ku është anëtar i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës ‘‘IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës ‘‘Ëords and Ëorlds‘‘,  i klubit letrar në Vjenë ‘‘Der Kreis’’, i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë, i Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve IËA Bogdani etj. Ka botuar libra me poezi në gjuhën shqipe, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune./KultPlus.com

Mimoza Çaça, një nga 21 gratë e titullit “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”

KultPlus deri më 12 dhjetor kur edhe është Mbrëmja Gala e çmimeve “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të prezantojë çdo ditë nga një grua që do të merr këtë titull në Tiranë.

Mimoza Çaça është një ndër 21 zonjat që do të merr titullin Zonja që bën Shqiptarinë nga Albanian Excellence, shkruan KultPlus.

KultPlus, deri më  12 dhjetor do të prezantojë çdo ditë nga një portret zonje, që do të marrin këto çmime në Gala Mbrëmjen në Tiranë, në Hotel Mak Albanian Hotel.

Mimoza Çaça, administratore e kompanisë Mireli , është një histori e vërtetë suksesi në prodhimin e bulmetit të shijshëm e shumë cilësor . Aktiviteti i cili ka 27 vite në treg, përfshin të gjithë  ciklin nga  grumbullimi i qumështit, konservimi dhe përpunimi, stazhionimi dhe tregtimi i nënprodukteve finale.

Grumbullimi i qumështit bëhet tek 1500 fermerë të ndarë në disa komuna te vendit Mireli ka mbushur 27 vite, plot sakrifica , vështirësi   dhe suksese.

Janë suksese që se Mimoza i lidh ngushtë me familjen dhe përkushtimin që të gjithë  kanë patur  për të shërbyer dhe për ta rritur biznesin çdo  ditë

Tanimë gjërat kanë ndryshuar shumë në të mirë të të gjithë familjes  Çaça! Investimet cilësore  e kanë bërë punën e tyre shumë  më të thjeshtë  dhe prodhimet shumë  më cilësore.

Konsolidimi i biznesit ka kaluar përmes  hapave të vazhdueshëm  investuese në ambientet e zhvillimit të aktivitetit, në  makineri, pajisje dhe linja të tjera prodhimi duke siguruar kapacitete të larta përpunuese dhe produkte të standarteve të larta. Aktiviteti përfshin të gjithë ciklin nga grumbullimi i qumështit, konservimi dhe përounimi, stazhionimi dhe tregtimi i nënprodukteve finale./ KultPlus.com