Bill Clinton dhe Madeleine Albright vizitojnë Kosovën në 20 vjetorin e çlirimit

Në përvjetorin e 20-të të çlirimit dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë pritet të marrin pjesë personalitete të ndryshme nga e gjithë bota.

Sipas burimeve të Indeksonline në këtë përvjetor jubilar do të marrë pjesë edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Bill Clinton.

Gjatë vitit 1999 ShBA në krye me ish-Presidentin Clinton kanë qenë akterët kryesor në vendimin për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga Aleanca Veriatlantike NATO që atëbotë udhëhiqej nga gjenerali i famshëm amerikan Wesley Clark.

Përveç ish-Presidentit Clinton në ditën e çlirimit të Kosovës më 12 qershor pritet të jetë edhe ish sekretarja e ShBA-së Madeline Albright.

Në kohën e intervenimit dhe të çlirimit të Kosovës, zonja Albright ishte sekretare e shtetit dhe zyrtarja kryesore amerikane që i dha shtytje fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Kjo është hera e katërt që Bill Clinton po e viziton Kosovën,ish-Presidenti Amerikan për herë të fundit e kishte vizituar Kosovën para 10 viteve, më 1 nëntor 2009 ku ishte pritur në mënyrë madhështore nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

Po atë ditë ishte përuruar edhe shtatorja e tij në bulevardin Bill Clinton në kryeqytetin e Kosovës.

Dita e dytë e festivalit “Mirëdita, dobar dan” i kushtohet të pagjeturve, shoqërohet edhe me protesta

Alberina Haxhijaj

Dita e dytë e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i cili po mbahet në Beograd, i është kushtuar të pagjeturve. Fillimisht vëmendjen e të pranishëmve e morën 10 rrëfimet e familjeve të të pagjeturve të cilat janë shtypur në librin me 164 faqe të titulluar “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”. Pas librit vëmendjen e pjesëmarrësve të festivalit e mori historia e Ferdonijes, gruas e cila humbi katër fëmijë dhe burrin gjatë luftës në Kosovës.

Gjatë shfaqjes së filmit “Ferdonija”, një grup protestuesish u mblodhën para Dorcol Platz, vendit ku po mbahej festivali dhe tentuan që të kalonin kordonin e vendosur nga policia. Për shkaqe sigurie pjesëmarrësve ju është kërkuar që të qëndronin brenda edhe pas përfundimit të filmit,  derisa protestuesit u shpërndanë. “Ambiciet e mia nuk kanë qenë politike dhe nuk janë politike”, theksoi regjisorja e filmit Shkurte Dauti para shfaqjes së filmit.

Dauti së bashku me regjisorin Gazmend Bajri sjellin 24 orë nga jeta e Ferdonije Qerkezit e cila tregon sesi më 27 mars 1999, forcat policore serbe para syve të saj iu morën burri dhe katër djemtë. Nje nga momentet prekëse të këtij filmi  është biseda e Ferdonijës me varret e anëtarëve të familjes së saj. Aty janë pesë varre, në dy prej të cilëve prehen mbetjet mortore (Artanit – djali i madh dhe Edmondit – djali i vogël), dhe tri varret e tjera që janë të zbrazta. Dauti, theksoi se filmi dëshiron që të potencojë fuqinë që ka Ferdonija për ti bërë ballë një dhimbje kaq të madhe.

“Ajo që më ka shty është që me e kuptu qysh një nanë mundet me e përballu këtë ankth duke mos e ditë ku i ka katër djem dhe burrin. Ndërkohë janë bo 20 vite dhe akoma nuk mundet me e përmbyllë dhimbjen” u shpreh ajo.

Përgjatë 30 minutave Ferdonija tregon si ishte jeta e saj para luftës, momentet e vështira gjatë luftës dhe ato pas luftës në mesin e të cilave është edhe lufta e saj me vëllezërit e bashkëshortit të saj të cilët dëshirojnë që t’ia marrin tokën dhe shtëpinë. Rrëfimi i Ferdonijës është i ngjashëm me rrëfimet në librin “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, botuar nga forumZFD në Kosovë dhe Integra, i cili u promovua në Beograd. Edhe personazheve të intervistuar në libër ju mungon dikush nga familja e tyre, 20 vite pas luftës disa nga familjaret e tyre akoma figurojnë të zhdukur.

Fetije Mirenës, një nga të intervistuarat tregon sesi mbrëmja e 21 prillit të viti 1999, në Fushë Kosovë zbarkon nga treni një grup paramilitar të ardhur nga Serbia të veshur zi. Të armatosur dhe të maskuar, ata ju hyjnë shtëpive në të cilat jetojnë pjesëtarë të ndryshëm nga familja e gjerë Mirena, nga të cilët tubojnë 16 burra, vëllezër, djem axhallarësh dhe bijtë e të tyre.  E mbetur me katër fëmijë, rrëfimi i Fetije Mirenës, shoqes së Nezirit të rrëmbyer atë ditë, erdhi përmes aktores Kaltrinë  Zeneli. Sipas dokumenteve që i ka marrë Fetija, burri i saj ka qenë i vrarë me shtatë plumba. Trupi i Nezirit është gjet në vitin 2006, ndërsa në dhjetor të vitit 2017 familjarëve ju është dorëzu edhe një pjesë e krahut mirëpo trupit të tij akoma i mungojnë disa pjesë.

“Momentet e fundit bashkë, s’më heken prej mendsh, e kom pasë nji pite me spinaq – e hiç s’kom merak mo me qitë kurrë – e pata qitë për drekë, hongrëm, po apet tha: “O Zot, fort jom untu”. Thashë vec p’e mjeli lopën, e po hina po hamë darkë. Qet’ muhabet të fundit e kena bo n’oborr me ta. Kur jena hi mrena, mo aty nuk m’kujtohen fjalët e ti. E nuk mujti me hangar bukë ma qatë natë. Kurrë nuk muj prej asaj dite, vec i qes për hatër t’fëmijëve pitet me spinaq se m’ka metë zhig që nuk e ka hangar atë bukë t’fundit n’shpi t’vet”, është një pjesë nga rrëfimi i Fetijës të cilën e lexoi për të pranishmit aktorja Kaltrinë Zeneli.

Para botimit të këtij libri me 7 rrëfime nga familjet shqiptare dhe 3 nga familje serbe, në Kosovë në hollin e Kuvendit, në shkurt, u hap ekspozita ku 1mijë e 653 çelësa kanë qëndruar të varur si portretizim i asaj se çështja e të pagjeturve në Kosovë akoma rrinë pezull. Ndërsa në muret e të dy anëve të hollit ishin ngjitur në mur fotografitë e të intervistuarve të realizuara nga Atdhe Mulla dhe disa nga fjalët e tyre të cilat shprehin edhe dhembjen që ata kanë.

Këto fotografi dhe këto copëza të rrëfimeve të kthyera në një video-instalacion u përdorën edhe gjatë një koncerti të Filharmonisë së Kosovës, në muajin mars. Ato shfaqeshin në ekranin e vendosur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, prapa instrumentistëve të cilët atë koncert ua kushtuan pikërisht të pagjeturve dhe familjarëve të tyre.

Korab Krasniqi nga organizata ZFD theksoi se procesi i punës së tyre deri të ky libër ka filluar në vitin 2018 me idenë që çështjen e personave të pagjetur me e fut në diskursin publik duke  shfrytëzuar metodën hulumtuese ‘Oral History’

“Si proces të intervistimit kemi provu me i marrë historitë e tyre jetësore duke filluar nga fëmijëria deri në momentin kur fillon lufta . Te pjesa e luftës jemi fokusuar pak më shumë”, theksoi ai. Ndërsa tregoi tutje se të intervistuarit, pavarësisht se janë të dy etnive të ndryshme ata kanë të njëjtin problem.

“Këtë libër e kemi pa si një instrument të mirë për avokimin e të drejtave të familjeve. Unë kam pas problem me bo dallime në kuptimin e prapavijës  etnike sepse të gjitha këto familje jetojnë me të njëjtin ankth, sepse këto familje nuk kanë lënë derë pa trokitur dhe përfundimisht duket se këto familje kanë fillu me e humb shpresën”, theksoi ai.

E pranishme në promovimin ishte edhe Marijana Toma, historiane nga Serbia. Ajo vlerësoi punën e bërë për botimin e këtij libri.

“Ne viktimat i kujtojmë me statistika dhe ato bëhen pjesë të numrave, mirëpo pas çdo viktime është një tregim një dëshmi për fatin e atij personi dhe historia gojore e cila si metodë historike është e re na jep mundësi e madhe që ta ruajmë kujtesën e viktimave veçanërisht kur të bëhet fjalë për të pagjeturit. Ajo na jep më shumë mundësi që të përmbledhim deklarata që përdorën në procesin e ballafaqimit me të kaluarën duke filluar nga dëshmia në gjykatë ku dëshmitarët dhe viktima duhet të fokusohen mbi momentin e zhdukjes apo vrasjes. Ne këtu kemi mundësi që të mësojmë për viktimën si ishte ai/ajo, si ka jetuar dhe si e kujtojnë familjarët prandaj historia gojore nuk është vetëm metoda me të cilët ruajmë kujtimet ajo është një lloj memoriali memorial, i cili i përkushtohet viktimës”, tha ajo.

Historiania Toma po ashtu kritikoi edhe qeverinë serbe e cila sipas saj nuk është duke bërë mjaftueshëm.

“Lidhur me konfliktet e armatosura në Kosovë mbi 1 mijë e 600 persona janë regjistruar si të pa gjetur, në mes të tyre janë edhe serbët edhe romët edhe shqiptarë. Ajo që është problem, një nga gjërat ku shihet sa nuk kujdeset Serbia në lidhje më këtë çështje të të pagjeturve, të zhdukurve është korniza ligjore me të cilët rregullohen të drejtat e familje të të pagjeturve dhe Serbia nuk e ka atë lidh. Po ashtu nëse i krahasojmë atë me vendet e tjera në rajon situata në Serbi është me problematike”, tha ajo duke theksuar se i vetmi ligj i cili trajton të drejtat e familje  është ai i cili rregullohet me ligjin për invalidët, civilët e luftës i miratuar gjatë regjimit të Sllbodan Millosheviqi.

Sot në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan”do të mbahet debati dhe promovimi i antologjisë së dramës bashkëkohore nga Kosova “One flew over Kosovo theater” dhe shfaqja “Kreolët e Ballkanit”./ KultPlus.com

Foto e rrallë, si jetonte elita shqiptare 80 vjet më parë

Alfred Peza ka postuar  një  foto të rrallë, ku tregon detaje nga jetesa elitare e gati një shekulli më parë.

Mes luksit plot finesë dhe standardeve të larta kulturore, krahas fotos, Peza shkruan: “Si jetonte elita shqiptare 80 vjet më parë. Kjo foto është shkrepur më 1940, në banesën e familjes Suma, një nga më të njohurat e qytetit të Shkodrës”.

Postimi i plotë

Si jetonte elita shqiptare 80 vjet më parë

Kjo foto është shkrepur më 1940, në banesën e familjes Suma, një nga më të njohurat e qytetit të Shkodrës. Oxhaku i shkëlqyer që ndodhet në qendër të kësaj pamje tregon shijet e holla artistike, fuqinë ekonomike dhe standardin e lartë kulturor të elitës shqiptare të kohës.

Në të majtë, shfaqet njëri nga pinjollët e familjes Suma i cili sipas fotografit italian Giuseppe Massani (djathtas) ushtronte në atë kohë, profesionin e Noterit në qytetin më të madh të Shqipërisë së veriut.

Gjurma e parë e kësaj familje është zbuluar në një dokument të vjetër qe fliste për një baron me emrin Demetrius Summa, që kishte jetuar rreth 700 vjet më parë, në vitin 1331, e që njihej si sundimtari i Shirqit.

Disa prej banesave të vjetra e karakteristike të familjeve më në zë të aristokracisë shkodrane, janë ende në këmbë, por me kalimin e moteve e kanë humbur shkëlqimin e tyre të dikurshëm.

Ndërsa shumë prej prej orendive të tyre unikale, pjesë e inventarit të objekteve të trashëgimisë së kulturës shqiptare, ose kanë humbur nga koha, ose janë grabitur, shkatërruar dhe trafikuar.

“Beli, Blerta dhe Balena Blu” premierë në Gjilan

Me 1 qershor, ora 11:00, vjen premiera dhe shfaqja më e re për fëmijë “Beli, Blerta dhe Balena Blu”, me koncept dhe regji nga Burim Baftiu ku luajnë Safete Mustafa dhe Gëzim Bucolli, shkruan KultPlus.

Shfaqja është e bazuar në tregimet dhe përvojat e fëmijëve dhe vjen në një format të jashtëzakonshëm dhe shumë aktual.

Beli, një “gejmer” / “youtube-r” ose lojtar i pasionuar dhe i fiksuar pas lojërave elektronike, bie viktimë e Balenës Blu dhe fillon të mungojë edhe në shkollë nga frika prej saj. 
Blerta, shoqja e tij më e ngushtë, kupton këtë gjë dhe fillon t’i ndihmojë atij ta mposhtë frikën dhe ta rikthejë në shkollë.
Një tregim fantastik, një lojë e jashtëzakonshme dhe më e rëndësishmja – një leksion ose edukim për të gjithë fëmijët.

Kjo shfaqje prezantohet në Teatrin Profesionist të Gjilanit./KultPlus.com

Shkolla Verore më e mirë për fëmijë në Kosovë sjell program super-atraktiv këtë verë

Anglia Summer School është programi më atraktivë veror në Kosovë për fëmijë të moshave 5-17 vjec. Qëllimi i #AngliaSummerSchool është gjuha angleze përmes aktiviteteve praktike dhe në lëvizje.

Komunikim bëhet vetëm në Gjuhën Angleze me PROFESORË NDËRKOMBËTAR!

Anglia Summer School organizohet në 7 qytete të Kosovës duke përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Ferizajin, Gjakovën, Pejën, Gjilanin dhe Mitrovicën.

  • Eksperimente shkencore praktike ne kimi dhe fizike;
  • Klasa te Gatimit;
  • Climbing (Ngjitje profesionale)
  • Kayak dhe stand-Up Paddle
  • KAMPING – Mbijetesa në natyrë;
  • Klasë profesionale e notit;

Në përfundim të Shkollës Verore fëmijët do të pajisen me Certifikata Ndërkombëtare nga Anglia Network Europe.

Për më shumë #informata rreth Shkollës Verore 2019 ju lutem klikoni këtu: https://bit.ly/2JniFoM apo ne 044166173!

Ylfete Fanaj pritet të bëhet kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit

Me kushtin që të zgjidhet nga Parlamenti i Kantonit, do të jetë kryetare e presidumit të Parlamentit për vitin 2020-2021.  Me këtë, ajo do të bëhet zyrtarisht politikania më e lartë e Kantonit të Lucernit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate (SP) në Parlamentin e Kantonit të Lucernit ka nominuar kryetaren e tij të deritashme, Ylfete Fanaj, për presidiumin e këtij Parlamenti në vitin 2019-2020, shkruan zentralplus.ch. Ndërsa në vend të saj, shef i grupit parlamentar nga 10 qershori bëhet Matrcel Budmiger, citohet një komunikatë e presidiumit të Parlamentit.

Zgjedhjet për presidium mbahen më 17 qershor, transmeton albinfo.ch. Kështu, Ylfete Fanaj, me kushtin që të zgjidhet nga Parlamenti i Kantonit, do të jetë kryetare e presidumit të Parlamentit për vitin 2020-2021.  Me këtë, ajo do të bëhet zyrtarisht politikania më e lartë e Kantonit të Lucernit.

“Gëzohem të përfaqësoj anën urbane dhe kozmopolite të kantonit tonë”, ka thënë Ylfete Fanaj me këtë rast.

Politikania me rrënjë kosovare që nga viti 2011 përfaqëson qytetin e Lucernit në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Në zgjedhjet kantonale të këtij viti (2019)  ajo është rizgjedhur me rezultatin më të mirë nga të gjitha partitë sa i takon qytetit të Lucernit.

Para zgjedhjes në nivel kantoni, Fanaj ka qenë nga viti 2007 deri në vitin 2011 anëtare e Asamblesë së qytetit të Lucernit dhe kështu ajo tashmë ka prapa vetes 12 vjet përvojë në punë parlamentare.

Vetëm pak ditë më parë ajo është nominuar për deputete në Parlamentin Federal të Zvicrës, në zgjedhjet që mbahen më 20 tetor 2019.
Ylfete Fanaj është politikania me rrënjë shqiptare që deri tash ka arritur më së larti në politikën zvicerane./albinfo.ch

Ky është shqiptari që ka qenë pjesë e misionit të parë në hënë “Apollo 11”

Wilson Kokalari nga Gjirokastra ka qenë shqiptari i parë që ka marrë pjesë në misionin e rëndësishëm “Apollo 11”.

Kokalari ka lindur në Shqipëri, por në moshën 1-vjeçare ka emigruar në Amerikë. Ai ka shkruar udhëzuesin që ndihmoi astronautët e “Apollo 11” që të zbrisnin anijen kozmike në tokë në mënyrë të sigurt.

Si inxhinier, Wilson Kokalari luajti një rol të rëndësishëm në misionin Apollo 11. Ai ndihmoi në koordinimin e zbritjes së Apollo 11, por gjithashtu shkroi edhe udhëzuesin që ndihmoi astronautët e Apollo 11 të zbrisnin anijen e tyre kozmike. Fotoja tregon qendrën e komandës të NASA-s në momentin e nisjes”, shkruhet në faqen e Ambasades Amerikane. /KultPlus.com

Maks Velo: Mendoja se kisha shokë artistë, por ata ishin përbindësha!

Arkitekti dhe artisti i njohur Maks Velo akuzoi kolegët e tij artistë, të cilët e kishin raportuar në Sigurimin e Shtetit gjatë kohës së diktaturës. Velo e cilësoi Lidhjen e Shkrimtarëve një qendër të ish-Sigurimit të Shtetit, ku analizoheshin dhe kontrolloheshin të gjitha punimet artistike qoftë në letërsi, ashtu dhe në artet e tjera. Dhe ishin, sipas Velos, po artistët e Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilët bënin analiza artistike dhe ideologjike të veprave artistike të kërkuara nga Sigurimi i Shtetit.

Duke cituar një emër të përveçëm, Llambi Blido, Maks Velo tha se ai kishte bërë 27 denoncime, të cilat i ka hedhur poshtë dhe Sigurimi i Shtetit si të pavërtetuara. Ai akuzon Edison Gjergon apo Safo Markon, të cilët edhe ishin të goditur nga Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunonin me të. Me trishtim dhe aspak optimist për të ardhmen, Maks Velo shprehet se nuk po i ndahet përndjekja dhe në ditët tona. Velo tregon se pasi i kanë marrë shtëpinë e gjyshërve në Dardhë të Korçës, e kanë penguar të shkojë në fshatin e të parëve, madje duke e kërcënuar. Duke denoncuar edhe nivelin aktual në arte, Velo kërkon veting si ai i gjyqtarëve, edhe për artistët. Por dëshpërimin më të madh arkitekti e lidh dhe me Teatrin Kombëtar. Sipas tij, vendimi për të prishur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar një Teatër të ri bashkë me një kompleks kullash, Maks Velo e cilëson korrupsion të pastër. “Të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme”, shprehet Velo.

Maks Velo

Libri është i rëndësishëm për disa arsye. Unë kam vite që e them se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka qenë një tmerr. Kur e thosha këtë, të gjithë më dilnin kundër. Tani kur lexon librin, e kupton që kjo është e vërteta. Po ashtu dhe ai dokumenti që doli dje te “Panorama” për Fadil Paçramin, ekspertizën që kishte bërë Dalan Shapllo dhe Llazar Siliqi për dramat e Fadil Paçramit. Po si mund të futësh në burg një dramaturg meqenëse personazhet thonë këto gjëra?! Që kur ka lindur drama e deri më sot, meqenëse personazhet mund të thonë disa gjëra, duhet të futet çdo dramaturg në burg?! Nuk futet piktori në burg pse nuk të pëlqen piktura e tij. Kjo ishte Lidhja e Shkrimtarëve, ky ishte Dritëroi. Duhet ta kemi të qartë. Dritëroi po të ishte i drejtë, duhet të kishte dhënë dorëheqjen, duhet të ishte larguar.

Ai i dinte të gjitha. Ekspertizat e gjyqit për artistët janë bërë nga Lidhja. Lidhja e Shkrimtarëve nuk duhet të ishte qendër e Sigurimit të Shtetit, kur ajo merrte në analizë dhe kontrollonte të gjithë artistët. Si është e mundur që Llambi Blido ka bërë 27 denoncime dhe duke gënjyer madje, sepse vetë Sigurimi i Shtetit thotë: “Këto informacione që na jep Llambi, nuk na vërtetohen nga anë të tjera”. Ose i jep Llambit çantën që të vijë te studioja ime dhe Llambi do jepte informacione dhe njëkohësisht do jepej informacioni dhe nga çanta që të vërtetonin se kush gënjente. Unë nuk arrij ta kuptoj. Thonë në një vend në dosje, se si është e mundur që Maksi i beson akoma. Po si mund të mos i besoj unë një piktori, një artisti?! Çfarë bëja unë? Unë nuk thosha, do vras Enver Hoxhën! Të shohësh një libër për Pikason me vizatime, nuk është krim.

Sigurisht që janë implikuar shumë njerëz. Për Edisonin (Gjergon) më ka ardhur keq, nuk e besoja se Edisoni bënte raporte. Unë Edisonin e njihja që ishte natyrë e dobët, por në fakt e doja. Më erdhi keq kur lëshoi ato deklarata dhe u ndamë keq në Spaç. Megjithatë, kjo është një gjë e trishtuar, por ne duhet ta analizojmë sepse ka rrezik që kjo histori të na rikthehet në forma të tjera. Dëgjova vajzën e Llambit, që thotë se “babai im ka qenë burri i mirë dhe Maksi nuk di çfarë flet…”.

Si nuk i vjen turp që nxjerr nga goja këto fjalë?! Mua m’u shkatërrua e gjithë familja, babai vdiq i tmerruar, vëllain e hoqën nga kirurg, që ishte kirurg i shkëlqyer në Vlorë, motra shkoi në çmendinë. Çfarë njerëzish janë këta xhanëm?! Çfarë shpirt krimineli kemi?! Nuk arrij ta kuptoj! Si na ka bërë kështu ajo çadra e Urdoglusë?!

Unë mendoja se kisha shokë, kisha artistë rreth vetes, ata ishin përbindësha. Unë vajta të ngushëlloj Safo Markon, se i kishin arrestuar djalin, ajo më raportonte mua te Sigurimi. Nejse, megjithatë mendoj se nuk kemi ndryshuar shumë, po ata artistë janë, vetëm se tani e bëjnë në forma të tjera. Tani nuk të fusin dot në burg, por bllokojnë Galerinë. Tani kemi vetëm një piktor të madh që e cakton dikushi, të tjerë nuk ekzistojnë. Nejse!

Unë mendoj se në jetë kam bërë në mënyrë instiktive detyrën time dhe detyra ime është të krijoj. Sigurisht që jam shumë i trishtuar për këtë ecuri të jetës sime. Në fshatin Dardhë, më kanë marrë shtëpinë e gjyshit e të babait, aty ka lindur babai, ka lindur vëllai, dardharë. Dhe kush e bëri, do thoni ju? Teodor Laço, Koço Çomi, që Maksi të mos vijë në Dardhë. Më dolën me sëpatë në rrugë dhe kur, tani në 2018-n.

Sot është tjetër gjë, nuk të çojnë te Sigurimi i Shtetit, por të dalin me sëpatë. Shko nëpër gjykata po deshe që të gjesh të drejtën tënde. Kam 15 vjet që shkoj gjykatave dhe asgjë. Mesa duket, kështu do ta mbaroj jetën. Kisha gjithë dëshirën për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur. Sepse problemi është se artistët tanë janë injorantë dhe kur injoranca bashkohet me ligësinë bëhet një eksploziv. Ti nuk i çan dot. Ne po bëjmë vetingun e gjykatës dhe të gjithë po shohim që nuk ka ngjarë në historinë e njerëzimit që një trupë gjyqësore të jetë e tillë. Të dalë gjykatësi të thotë: “Më hodhën 210 mijë euro në dasmë!” Tjetri thotë: “Fitova 50 mijë euro në bixhoz”. Vetingu për gjyqtarët ishte i vonuar, por unë këmbëngul se duhet bërë vetingu dhe për artistët. Sepse vjedhin pa turp dhe nuk bëhet diferenca e atij që vërtet bën një gjë origjinale dhe me atë që vjedh në mënyrë të sofistikuar. Dhe kështu nuk ecet përpara. Do na duhet një kohë shumë e gjatë që gjërat të ndryshojnë. Unë jam shumë pesimist, pesimizëm që ma ka shtuar dhe kjo çështja e Teatrit. Korrupsion më të pastër se me Teatrin nuk ka, të ndërtosh kulla në këtë mënyrë në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, është e turpshme. / Intervistë e mëhershme

Arti si ndëshkim

Blerton Gashi

        Maks Velo përfaqëson një figurë komplekse të një intelektuali, piktori, studiuesi, shkrimtari e analisti i cili në artin e tij pasqyroi artin modern evropian. Ai u bë bartës i ndikimeve evropiane çka bëri që të etiketohej nga pushteti i atëhershëm si kundërshtarë i parimeve të pushtetit dhe si armik i partisë.

        Për këtë krijimtari të tij ai u kritikua rëndë dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie(1978). Jetën brenda katër mureve, prapa grilave ai do ta përshkruajë në shkrimet e tij të mëvonshme( lirohet me 1986 dy vjet para kryerjes së dënimit) Pikërisht në librin  e tij më të ri “ Jetë paralele” të përgatitur nga Alda Bardhyli na vjen me dokumente e dosje sekrete të përndjekjes, hetimeve e deri te dënimi që i bëri pushteti i atëhershëm komunist, dosje këto hetimore të sigurimit të shtetit, organ i pushtetit që kontrollonte çdo gjë dhe çdo kënd që tentonte të sillte frymë ndryshe në kundërshtim me parimet e realizmit socialist.

        Në këto dosje ishte edhe Maks Velo me rrëfimet  e tij mbi ngjarjet e raportuara që vijnë të përfshira në ato 106 dokumente të sigurimit të shtetit. Kjo dosje mbi artistin e shkrimtarin , Maks Velo ndoshta mund të paraqitet si biografi mjaft e mirë e autorit e realizuar nga ata që donin ta ekzekutonin. Nga fillimi i këtyre dokumenteve e deri në fund shohim ngjarje e njerëz që krijuan historinë e artit shqiptar nën pushtetin komunist.

    Libri jo rastësisht titullohet ngjashëm  me librin e Plutarkut.  “ Jetë paralele”, kështu titullohej edhe libri i Plutarkut, libër në të cilin  janë një seri biografish të njerëzve të famshëm, të organizuar së bashku për të ndriçuar virtytet ose dështimet e tyre të përbashkëta morale, ndoshta të shkruara në fillim të shekullit të dytë pas Krishtit.

       Në jetë paralele përfshihen dokumente sekrete ngjarjet të sigurimit të shtetit nga fillimi deri në burgim secili dokument ka autorin e vet.

        Mijëra njerëz të përndjekur politik kanë dëshmuar për jetën dhe pasojat që iu ka  shkaktuar mendimi ndryshe në pushtetin e atëhershëm. Prapa grilave çdo gjë është reale, njerëz të vuajtur që lëshojnë pasthirrma dhimbjeje, malli dhe brenge por të gjitha këto sot na vijnë vetëm si dokumente. Dhe, edhe pse dokumenti si dokument  na ofron vetëm një komunikim indiferent dhe pa emocione, në këto dokumente përballemi me një dramacitet të skajshëm.

      Kjo përmbledhje e dokumenteve përbrenda të cilëve gjendet edhe dosja e Maks Velos, ku përgatitet dhe vuloset edhe dënimi i tij, brenda tyre kemi, përmendje, shkresa me urdhra, njoftime, përgjime , marrje në pyetje, raportime, shënime si dhe vendime gjyqësore. Brenda këtyre 106 dokumenteve, shihen masat represive të shtetit përkatësisht Sigurimit të këtij shtetit.

      Tek “ Jetë paralele” shohim se si aparatura e shtetit me bashkëpunëtorët e shumtë kanë kontrolluar shoqërinë, duke mos kursyer as artistë e as  shkrimtarë që donin të shfaqnin diçka ndryshe nëpërmjet artit. Ata kryenin persekutime shtypëse të rrepta që i jepnin efikasitet pushtetit për t’i mbajtur dhe realizuar qëllimet e veta, dhe çdo kush që tentonte te paraqiste diçka ndryshe nga realizmi socialist ajo merrej si propagandë ndaj pushtetit dhe pushteti reagonte nëpërmjet Sigurimit të vet, i cili nuk e kurseu as Maks Velon.

        Këtu paraqiten individ të ndryshëm që nga etja për pushtet ose inatet profesionale thurnin komplote dhe drejtonin  njerëzit e Sigurimit të shtetit. Shihet një shtet me një llupë të madhe që sheh dhe kontrollon çdo gjë brenda tij, për të mbajtur gjallë idealet e partisë. Libri hedh pikëpyetje të shumta edhe mbi disa figura të mëdha qofshin ata artist apo shkrimtar, afërsitë e tyre me pushtetin duke u parë si bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit madje edhe brenda përbrenda lidhjes së shkrimtarëve. Interesant është ballafaqimi i individit mënyra se si ai e sheh rrezikun që ai vet e krijoi në masën e gjerë , ky libër po ashtu na jep mundësi për të gjurmuar në mes lirisë dhe vullnetit të individit dhe imponimit që vjen nga pushteti. Ky libër na orienton kah morali si ide , si ndikues i madh në qëndrime. Por ku është ideja e ku është njeriu? Kush duhet të kërkoj falje?

          Velo thotë se Arti pa moral është anije e mbytur ne liman. Detyra e parë dhe më e lartë e artit është edukimi moral. Popujt perëndimor i ka edukuar feja dhe arti. Botimi i këtyre dokumenteve si proces gjyqësor kundër tij  është hap drejt një debati në lidhje me artin dhe kulturën e zhvilluar në kohën e pushtetit komunist. Këto dokumente tregojnë qëndresën e një artisti ndaj ideologjisë së kohës në kushtet e një represioni totalitar, ai arriti ta qoj më lart kulturën shqiptare edhe në këto rrethana të egra të diktaturës komuniste, më kohën e së cilës doli edhe ky artist i madh . 

Familja Kokalari shpëtoi Enver Hoxhën nga zjarri, i njëjti persekutoi mbi 20 vetë nga fisi i Kokalarëve

Evi Kokalari ka folur mbrëmë në emisionin Opinion për familjen Kokalari, duke shpjeguar në detaje vuajtjet e kësaj familje nga regjimi komunist, përcjellë KultPlus.

Ajo ka treguar një detaj jo të njohur për publikun shqiptar, familja Kokalari dhe ajo e Enver Hoxhës kishin jetuar afër njëra tjetrës, dhe sipas saj, njëherë kishte rënë zjarri në shtëpinë e Enver Hoxhës, derisa ky i fundit ishte foshnjë në djep.

Dhe pikërisht një nga familjarët Kokalari kishte hyrë nëpër zjarr që të shpëtonte këtë foshnjë, që të nesërmen u shndërrua në diktatorin  më të madh të periudhës së komunizmit. Ai, përpos Musine Kokalarit që e dënoi me mbi 20 vite burg, e internoi dhe nga një intelektuale e shndërroi në një pastruese, ai nga kjo familje, pushkatoi, internoi më shumë se 20 persona. Për më shumë ndiqeni videon./KultPlus.com

PriFest hap thirrjen për Green Film Project III

Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFest, këtë vit do të organizojë edicionin e tretë të Green Film Project, projekt ky i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe aktivizmin tek të rinjët për rëndësinë e mjedisit, me fokus impaktin që ka shoqëria në kualitetin e ajrit përgjatë tërë vitit.

Green Film Project është program me karakter garues me temë mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që këtë vit do të jetë me fokus të veҫant në cilësinë e ajrit.

PriFest, ju fton që të merrni pjesë në edicionin e III të Green Film Project për të sjellur para publikut të PriFest idetë tuaja kreative, në formë të filmit të shkurtër dokumentar apo fiktiv, që trajtojnë ajrin.

Reflektimet tuaja për ajrin, njohuritë apo kurioziteti rreth ajrit, gjetjet tuaja arkivore ose ato të dokumentuara rishtazi, idetë inovative ose ato poetike, secila arsye logjike apo emocionale që do t’u inspironte për ta zgjedhë filmin si mjet për tregimin tuaj, mund ta shfaqni në Green Film Project.

Drejtoresha e Festivalit PriFest Vjosa Berisha shprehet e kënaqur që ky aktivitet do të vazhdojë të jetë pjesë e PriFest:

“ – Vetëdijësimi i të rinjve lidhur me mbrojtjen e ambientit dhe dhënja e informatave për këtë problematikë është shumë e rëndësishme, andaj për ne si festival, marrë parasysh se kemi mundësi dhe hapsirë që të informojmë publikun lidhur me këtë ҫështje, e bëjmë këtë gjë me shumë përgjegjësi dhe kënaqësi. Mënyra se si e kemi realizuar në të kaluarën ka qenë shumë e përshtatshme sepse përmes garës janë stimuluar të rinjët që të kyҫen dhe të realizojnë idetë e tyre. Në këtë mënyrë do të vazhdojmë të punojmë edhe këtë vit.”

Ndërsa, të drejtë pjesëmarrje kanë:                                                                                    

–          Të gjithë të rinjtë moshës 16 vjeç.

–          Pjesëmarrësit nuk kanë nevojë të kenë ndonjë përgatitje paraprake si filmbërës. Mjafton të kenë idenë dhe dëshirën për të prodhuar një film

–          Filmat mund të xhirohen me çfarëdo mjeti xhirues: kamera, smartphone, ipad, etj.

–          Kohëzgjatja e filmit nga 30 sekonda deri në 3 minuta

–          Projekti është i hapur deri më datë 1 korrik.

–          Filmat e përfunduar duhet të ngarkohen në linkun e ndarë enkas për Green Film Project në www.prifest.org

–          Pjesëmarrësit poashtu duhet të plotësojnë formën e aplikacionit me të dhënat e tyre që do të ndodhet në ëebfaqen e PriFest prifest.org

–          Pjesëmarrësit në garë mund të ndajnë edhe një promo të vogël të filmit 10 sekonda të cilën mund ta promovojnë në Instagram me hashtag #GreenFilmProject2019 #PriFest #millenniumfoundationks.

–          Të drejtë aplikimi kanë vetëm shtetsati Kosovar.

Nga të gjitha aplikimet, 10 filma do të përzgjidhen nga selektorët e festivalit për t`u shfaqur në PriFest 11 në njërën nga netët e festivalit në datat 16-21 korrik. Ndërkohë juria ndërkombëtare do të përzgjedh edhe filmin më të mirë të Green Film Project. Autori i filmit më të mirë do të fitojë si shpërblim një kamerë profesionale dhe Pllaketën e Hyjneshës së Gjelbër.

Edicionet e kaluara të Green Film Project, kanë nxitur interesim të jashtëzakonshëm tek të rinjtë kosovarë, të cilët nëpërmjet filmit kanë arritur edhe të mësojnë më shumë rreth mbrojtjes së mjedisit.

PriFest këtë vit mbahet më datë 16-21 korrik.

       Miqësi. Përgjithmonë. PriFest

“Mirëdita, dobar dan” prezantoi dhimbjen shqiptare në Beograd

Alberina Haxhijaj

Çdo vit festivali “Mirëdita, dobar dan” tregon se ka një mundësi bashkëpunim në mes të Serbisë dhe Kosovës. Arti është universal të paktën gjatë ditëve sa zgjatë ky festival i cili këtë vit shënon edicionin e tij të 6-të, shkruan KultPlus.

Në kohën kur marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Kosovës janë në nivelin më të ulët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit, artistët dhe përfaqësuesit e shoqërisë po arrijnë që të komunikojnë me njëri-tjetrin duke u fokusuar në shkëmbimet kulturore, por njëkohësisht duke diskutuar edhe të kaluarën por me vizion drejt një të ardhme stabile për të dy vendet. Qëllimi i këtij festivali tashmë është bërë i qartë.

Festivali synon që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë e theksoi edhe Fiona Jelici, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në hapje të festivalit.

Fiona Jelici, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi)

“Misioni i këtij festival është shkëmbimi kulturor dhe artistik në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Është një mundësi që qytetarët e Beogradit ti njohin muzikantët, aktorët, dhe artistët, përfaqësues të artit modern dhe të skenës letrare në Kosovë. Sidoqoftë “Mirëdita, dobar dan!” Është më shumë se kaq është një hap drejt stabilitetit të dialogut dhe bashkëpunimit në mes të dy popujve”, tha ajo duke ju kërkuar të pranishmëve që të mbajnë një minutë heshtje për dramaturgun Petrit Imami, i cili ndërroi jetë më 20 maj.

Mirëpo barrierat që këto shtete kanë mes veti vërehen akoma në këtë festival. Pjesëmarrësit nga Kosova janë të parët të cilët e vërejnë këtë,  gjersa kontrollohen në pikëkalimin kufitar Merdare, nga policia e Serbisë,  nëse ata kanë simbole të shtetit të Kosovës të cilat nuk lejohen që të hyjnë në Serbi. Mirëpo ata besojnë në qëllimin e festivalit, dhe kjo e bënë gjithë punën më të lehtë, sidomos për faktin se miqtë e tyre në Serbi edhe këtë vit, si viteve të kaluara u bëjnë ballë protestuesve serbë të cilët janë kundër këtij festival.

“Kosova zemra e Serbisë”, “Shqiptarët nuk kanë kulturë për të dëshmuar” janë disa nga pohimet që kanë bërë disa protestues edhe ditën e djeshme në hapje të festivalit gjatë protestës së organizuar.

Zërat e protestuesve dhe thirrjet e tyre anti-shqiptare,  gjersa mbajnë fotografi të cilat sipas tyre shfaqin krimet që shqiptarët kanë bërë ndaj serbëve bëhen edhe më të mëdha kur fjalën në hapje të festivalit e marrin shqiptarët. Por, sipas Kushtrim Koliqit, nga organizata jo-qeveritare Integra nga Kosova i gjithë mundi për organizimin e këtij festivalit ia vlen.

Kushtim Koliqi – Integra

“Është shumë e vështirë të organizosh një festival por është edhe më e vështirë të organizosh një festival të tillë i cili organizohet në një ambient shumë toksik për shkak të marrëdhënieve politike në mes të dy vendeve. Dëshiroja që të falënderoj të gjithë që besojnë në festival, në idenë e tij, në ne dhe siç mund ta shihni edhe ata që duan të na bllokojnë nuk mund të na ndalojnë, sepse besojmë në vlerat e festivalit dhe kjo është e rëndësishme”, tha ai.

Vlerat që ka ky festival dhe mundësitë që ofron për bashkëpunim kulturor i theksoi edhe drejtoresha e organizatës Iniciativa Qytetare nga Serbia, Maja Stojanovic.

“Nuk është qeveria ajo që e sjellë stabilitetin, jemi ne përfaqësues të Shoqërisë Civile nga të dy vendet, të rinjtë nga Kosova dhe Serbia, kjo skenë kulturore dha një shansë për të bashkëpunuar që do të sjellë stabilitet, kjo është çfarë stabiliteti nënkupton dhe ky stabilitet do të jetë diçka që do të vazhdojë edhe me tej”, theksoi ajo.

Maja StojanovicIniciativa Qytetare (Serbi)

Hapja e festivalit e bëri video-instalacionin “Le të bëjmë dashuri” nga artisti Shkumbin Tafilaj. Në ekranin i cili ishte i shtrirë në tokë vëreheshin shkrime nomade,  ndërsa herë pas herë shfaqeshin fjalët “Le të bëjmë dashuri” në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe. Ekrani ishte i rrethuar me dhe, dhe sipas artistit Tafilaj, e gjithë vepra është e bazuar në historinë e të dy vendeve.

 “Ajo që është shumë e rëndësishme është që të jetohet në paqe me dashuri dhe me respekt për njëri tjetrin dhe ky ishte motivi mbi veprën. Pastaj, vepra është zhvilluar në këtë koncept si videoinsatalacion i cili hyn në kategorinë e veprave post moderne përfshinë detaje shumë të rëndësishme të historisë sonë. Dheu, sjellë tokën e që është një mallkim për të dy palët pasi që synojmë territoret e njëri-tjetrit duke harruar që territori mund të shfrytëzohet e të jetohet edhe përmes një platforme tjetër që mundet me qenë dashuria e jo lufta”, theksoi Tafilaj, vepra e të cilit si detaj solli për publikun edhe alfabetin e Elbasanit.

Dita e parë e festivalit u përmbyll me shfaqjen e filmit “Nëntor i ftohtë” të regjisori Ismet Sijarina. Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Prezantimi i këtij filmi u përcjellë me duartrokitje të shumta nga publiku të cilat e befasuan edhe vet regjisorin. “Nuk e  prisja këtë”, tha Sijarina gjersa tregoi tutje se ka pasur dëshirë që të tregojë atë që ka ndodhur para fillimit të luftës, pasi që shumë pak në kinematografinë shqiptare i kushtohet vëmendje kësaj periudhe dhe më shumë viteve 98-99.

“Filmi jonë siç e patë është për fillimin e viteve të 90-ta. Është një histori e pa treguar të cilën menduan që duhet për ta ndarë edhe me të tjerët. Siç e patë kemi dashur që fundin ta lemë të hapur pasi që filmi nuk përfundon në fund të tij, ai nuk përfundon as kur ne të dalim nga salla pasi që kemi dashur që publiku të flasë për filmin dhe për atë se çfarë ka mundur që të ndodh edhe kur të dal nga salla në mënyrë që ata të mund të bëhen pjesë e filmit. Në të vërtetë as unë si regjisor nuk e di se çfarë ka ndodhur me Fadilin, por ka mundur që ti ndodh çdo gjë, ishin kohë të këqija”, theksoi ai.

Akori Fatmir Spahi (majtas) dhe regjisori Ismet Sijarina (djathtas)

Sonte në natën e dytë duke filluar nga ora 18:00 do të mbahet debati dhe promovimi i librit “ Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, ndërsa në ora 20:00 do të shfaqet filmi “Ferdonia”./ KultPlus.com

“Mirëdita, dobar dan” shoqërohet me protesta, Milica Djurdjevic i dërgon porosi Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt

Është gati të nisë Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që mbahet tash e sa vite mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe këtë vit, organizatorët e këtij festivali nuk janë pritur mirë nga protestat që po mbahen në Beograd, shkruan KultPlus.

Policia është duke i penguar protestuesit, mirëpo protesta po vazhdon të mbahet edhe më tej.

Milica Djurdjevic, e cila është edhe organizatore e kësaj proteste ka thënë për KultPlus se kanë ardhur me këtë protestë që të pengojnë këtë festival që ka për qëllim që të prezantojë kulturën e pavarur të një shteti, që sipas saj nuk ekziston.

“Mirëdita dobar dan që disa vite promovon shtetin e pavarur të Kosovës, shtet i cili nuk ekziston dhe po falsifikon historinë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë më tutje se në Beograd po mbahet ky festival, përdeirsa serbët e Kosovës maltretohen në lokale të ndryshme të Kosovës.

“Ne nuk e kemi problem që këtu të prezantohet kultura e Shqipërisë, por jo kultura e shqiptarëve të shtetit të Kosovës. Për këtë jemi ngritur sot”, ka thënë ajo, duke  dërguar nëpërmmjet kësaj proteste edhe një mesazh për liderët e Kosovës.  

“Ne i dërgojmë mesazh Thacit dhe Haradinajt që kurrë nuk do të lejojmë një Shqipëri të Madhe dhe pa kufi,  ashtu sikurse që kanë deklaruar ata. Poashtu nuk do të lejojmë që në Beograd të manifestohet për një Shqipëri të Madhe”, ka thënë ajo.

Krejt në fund ajo ka thënë se organizatorët e këtij festivali po i ruan policia, organizatë që ka fituar donacione qindra mijëra euro, por, sipas saj, të njëjtën siguri nuk e ofrojnë Policia e Kosovës për qytetarët serb./KultPlus.com

Kosovare Asllanit i ngrihet statujë në Suedi

Kosovare Asllanit i është ndërtuar në statujë në Suedi në shenjë nderimi për arritjet në botën e futbollit.

Futbollistja që luan për klubin e Linkopings FC dhe mbrojn ngjyrat e shtetit suedez, ka pohuar se kjo është ndër rastet e para që i bëhet një nderim i tillë një femre që merret me sport.

“WOW. Jam jashtëzakonisht shumë krenare të jem ndër femrat e para futbolliste që nderohet me një statujë në Suedi”, shkroi fillimisht shqiptarja.

Me iniciativë të ‘Football Forevher’, e nisur nga Coca-Cola dhe nga Federata Suedeze e Futbollit, ne dëshirojmë të theksojmë rëndësinë e dukshmërisë në rritje për lojtare femra”.

“Bashkë mund të krijojmë barazi gjinore në futbollin suedez. Bashkë shkruajmë historinë”, ka shkruar futbollistja shqiptare në llogarinë personale në Facebook.

Pos asaj, edhe tri futbollisteve të tjera i janë ngritur statujat – Caroline Seger, Hedvig Lindahl dhe Nilla Fischer./KultPlus.com

Taramelja e të tjerë janë në moshën kur edhe mund të gënjehen me karamele, por janë mjaftueshëm të rritur për të kuptuar se çfarë dëmi do u bëhet në dinjitet

Nga Enton Palushi

Para disa kohësh, këngëtari i njohur, Ed Sheeran bëri një video me disa fëmijë të varfër gjatë një vizite në Liberi. Ai personalisht u ndje shumë i prekur nga gjendja e mjeruar e tyre dhe u angazhua se do i vendoste në një hotel derisa të gjendej një zgjidhje.

Por nëse mendoni se shumëkush u ndje mirë për veprimin që bëri këngëtari, do gaboheni thellë.

Ajo që pasoi ndaj tij ishte një fushatë e tërë me kritika, të udhëhequra nga mediat dhe aktivistët e shoqërisë civilë, të cilët e akuzonin atë për ‘vullneturizëm’ apo për ‘turizëm me varfërinë’. Kritika më e rëndë ndaj tij? Po bën ‘porno me varfërinë’.

Të njëjtën valë reagimesh nga politika, mediat dhe shoqëria civile e kam parë edhe para pak javësh kur një gazetare e njohur britanike bëri thuajse të njëjtën gjë. Vala e qëndrimeve ishte thjesht befasuese.

Një pyetje që të lind në të tilla raste është se si ia ka dalë një shoqëri të krijojë ‘antitrupat’ e nevojshëm për të ndaluar të tilla shfaqje turpi, që së pari, lëndojnë dinjitetin njerëzor dhe mbi të gjitha nuk i japin zgjidhje problemit të varfërisë?

Arsyeja është e thjeshtë: sepse e kanë hequr më parë mbi shpinë këtë problem, në vitet 1980 kur ishte edhe ‘epoka e artë e fushatave të bamirësisë’. Një shpërthim me pamje fëmijësh të kequshqyer u bë kaq problem, sa ishin mediat të parat që nxituan të vendosin disa standarde dhe vija të kuqe, duke e quajtur të papërshtatshëm përdorimin e imazheve për të gjeneruar audiencë, të ardhura monetare apo përfitime politike.

Aq e rreptë u tregua media në këtë drejtim, sa besojeni apo jo, edhe një film i suksesshëm si ‘Slumdog Millionaire’ etiketohet si ‘porno me varfërinë’.

***

Ndërsa në Perëndim janë vendosur disa kufij, në Shqipëri e ke të vështirë të hapësh televizorin apo celularin sepse të vërshon një ‘lumë’ me imazhe që janë thjesht ‘porno me varfërinë’. Për të shpjeguar termin, “porno me varfërinë është çdo medium, i shkruar, i fotografuar apo i filmuar që shfrytëzon gjendjen e të varfërve për të krijuar simpatinë e nevojshme që të shiten gazetat, të rritet shikueshmëria, të shtohen klikimet apo të mbushen kutitë e votimit dhe arkat e bamirësisë për një kauzë të caktuar”.

Kritikët thonë se ‘pornoja me varfërinë’ i kthen njerëzit në objekte për hir të argëtimit të një audience të caktuar. E di që ky është një debat shumë i gjerë, por shfrytëzimi i qenieve njerëzore, qoftë për trafik seksual, qoftë edhe për përdorim mediatik, sërish shfrytëzim mbetet.

Emily Roenigk, një eksperte e kësaj fushe, thotë se janë pesë arsye se përse ‘pornoja me varfërinë’ fuqizon personin e gabuar.

Së pari, për shkak se pornoja me varfërinë e keqprezanton varfërinë, që në thelb është një problem kompleks, si rezultat i problemeve individuale dhe sistematike.

E dyta, sepse ‘pornoja me varfërinë’ çon në bamirësi, jo në aktivizëm. Ajo i bën njerëzit donatorë, por jo avokatë, duke mos e kuptuar dhe trajtuar në thelb problemin e varfërisë.

E treta, sepse ‘pornoja me varfërinë’ i keqprezanton të varfrit, duke krijuar stereotipe ndaj tyre.

E katërta, sepse ‘pornoja me varfërinë’ thjesht u hedh ‘hi’ syve atyre që ndihmojnë dhe atyre që janë ndihmuar. Kjo për shkak se ajo i kthen subjektet e saj në objekte, duke i zhveshur nga përbërësit kryesore të jetës njerëzore- pavarësia, autonomia dhe potenciali i pakufizuar.

E pesta, dhe më e frikshmja, ‘pornoja me varfërinë’ funksionon shumë mirë. Është thuajse e pamundur që të diskutosh për këtë temë, kur e di që shumica e njerëzve nuk shohin asnjë problem te ndihma që i jepet një fëmije.

***

Por pyetja themelore që lind është nëse ia vlen që të përdorësh ‘pornon me varfërinë’? A nuk është shfrytëzim njerëzor edhe kjo situatë për të kënaqur sërish disa instinkte bazë të njeriut?

Ka plot metoda për të ndihmuar të varfrit dhe personat në nevojë pa pasur nevojë që të zhvishen nga dinjiteti njerëzor personat që dalin në ekran. Vërtet ndjeni se duhet të dhuroni? Mblidhini ato para dhe shpërndajini nëpër komunitetet e varfra pa zhurmë mediatike. Doni që të lini një gjurmë? Jepini gaz duke ndarë pasurinë që keni. Por jo! Nuk e bëni dot sepse ju duhet audiencë, ju duhen klikime, ju duhen fonde, ju duhen kredite politike. Vërtet Taramelja e të tjerë janë në moshën kur edhe mund të gënjehen me karamele, por janë mjaftueshëm të rritur për të kuptuar se çfarë dëmi do u bëhet në dinjitet, një dëm që nuk do riparohet teksa rriten, por vetëm sa do shtohet. Lexoni ndonjë libër psikologjie ose merrni ndonjë konsulent të kësaj fushe për hir të Zotit përpara se të mbushni ekranet me të tilla pamje.

Kini pak mëshirë për ata njerëz që po përdorni për hir të një kauze që në dukje duket e mirë. Nëse vërtet nuk e keni kuptuar se çfarë po bëni, të paktën shihni se çfarë kanë bërë vendet e zhvilluara, ku dinjiteti njerëzor është në qendër të gjithçkaje. Kuptojeni se ka një arsye pse i kanë vënë kapak kësaj historie dhe nuk lejojnë asnjë flluskë të ‘pornos me varfërinë’ të shpëtojë lehtësisht në ajër.

Bëjeni për hir të profesionit, për hir të atyre fëmijëve dhe të dramave që po mbillni pa e kuptuar. Bëni të paktën atë që nuk do doni ta bënte askush me fëmijën tuaj, që e ruani si sytë e ballit nga çdo përdorim mediatik.

***

Kurse për ty, politikanin që përdridhet sa herë ka përpara një fëmijë, të cilin e sheh si mundësi për kredo politike, ka vetëm një mesazh: koha do e tregojë se kjo që po bën ka synim epshin e votat, por nëse do të bësh diçka të mirë, mos përdor më kurrë fëmijët.

Sa kohë nuk e ke bërë vendin më të drejtë dhe më të barabartë, sa kohë nuk e ke përmirësuar ekonominë dhe situatën sociale që të mos prodhohen të tilla imazhe, sa kohë nuk e ke bërë qytetin më të mirë për të vegjlit, mos merr rolin e korbit që kërkon të përdorë edhe qeniet më të pafajshme dhe më të dëlira në botë.

Detyra jote është vetëm një: të përmirësosh sistemin për të gjithë, sidomos për fëmijët që janë e ardhmja. Gjithçka tjetër është porno, thjesht porno. Porno e varfërisë!/27/al

Audienca dhe trajnerët e America’s Got Talent në lot, i verbri fiton Golden Buzzer në këtë garë të madhe

Kodi Lee ka rrëmbyer zemrat e katër trajnerëve por edhe gjithë audiencës në America’s Got Talent, i cili këndoi dhe luajti në piano, përcjellë KultPlus.

I verbër dhe me autizëm, Kodi Lee mrekulloi trajnerët e kësaj gare. Emocionet që i dha për të pranishmit, bënë që katër trajnerët por edhe audienca të shpërthejnë në lot.

Por si rezultat, ai mori Golden Buzzer, që e dërgon drejt e në finale. KultPlus ju sjellë interpretimin e tij që solli emocione të shumta edhe në rrjete sociale./KultPlus.com

Ja disa thënie të ndritura nga Arbër Xhaferi

Që nga vitet e rinisë sime më është bërë zakon të shkruaj e të mbledh thënie të mençura të njerëzve të shquar. Ky huq nuk më është ndarë edhe sot e kësaj dite. Shkrimtarë, filozofë, artistë, politikanë kanë shqiptuar në momente të caktuara thënie që kanë mbetur të pashlyera për shekuj me radhë. Midis politikanëve shqiptarë më ka tërhequr dhe kam ndjekur me shumë vëmendje Arbën Xhaferrin, të cilin e kam veçuar nga politikanët e tjerë për vizionin dhe mençurinë e tij të spikatur, thotë Fatmir Shehu.

Në vijim po ju përcjell disa nga shprehjet e tij, të cilat mendoj se ruajnë një aktualitet të gjithëkohshëm.
– Me që jetojmë në një botë, kohë të ndërveprimit të kulturave kombëtare, duhet konstatuar se shqiptareve u mungon kryesorja: propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar.
– Në historinë politike shqiptare nuk ekziston, të paktën një broshurë propagandistike drejtuar kundër popujve të tjerë.
– Një popull që humb besimin te të gjitha autoritetet, siç ndodh me shqiptarët, e vë në dyshim qënien e vet, humb vetëbesimin, rezistencën ndaj asimilimit, kështu që përbuzja e vetvetes shoqërohet me adhurimin e tjetrit.
– Albanofobia manifestohet si grekofili, italofili, turkofili, sllavofili etj…
– Mjeshtëria që formon ose e deformon vetëdijen quhet propagandë.
– Shpeshherë më e vërtetë se e vërteta bëhet gënjeshtra, fjalët që paketohen bukur, sipas rregullave të propagandës.
– Anarkia është pasoja më e hidhur e lirisë, e demokracisë së keqpërdorur.
– Nuk thuhet më se çdo mysliman është terrorist, por çdo terrorist është mysliman.
– Për të qenë të përçarë duhet të jenë të barabartë.
– Kushti i parë që një besim fetar të shndërrohet në religjion është: ndarja e shtetit, politikës prej fesë; pra respektimi i parimit të shekullarizmit.
– Disa analistë thonë se ideja e krijimit të Maqedonisë ka qenë vllahe, nga që vetëm kjo popullatë protoballkanike, nuk arriti të krijojë shtetin e vet.
– Faktori ndërkombëtar me vonesë do ta kuptojë gabimin, kur lejoi që luftërat në hapësirat jugosllave të përfundojnë pa emërimin e fajtorit.
– Serbët nuk e pranojnë argumentin e arsyes, prandaj dhe sillen në mënyrë arrogante.
– Autoritet jugosllave heshtazi e zbatonin marrëveshjen e fshehtë jugosllavo-turke, ngjashëm me atë turko-greke të Lozanës, për pastrimin etnik përmes shpërnguljeve masive të popullatës.
– Çdo njeri bën përpjekje që të largohet nga dimensioni i inferioritetit.
– Duhet lexuar për shkak se duhet kuptuar më mirë pse jetojmë, pse kemi ardhur në këtë botë, pse ndodhin fenomene të ndryshme dhe, mbi të gjitha, për të fisnikëruar veten dhe shoqërinë ku jetojmë.
– Gjuha standarde duke mbrojtur vetveten, mbron dhe kombin.
– Luajaliteti ndaj kombit është më e madhe se ndaj shtetit.
– Në dallim nga shqiptarët, serbët, por jo vetëm ata, më se një shekull hartojnë projekte, elaborate të studiuara mirë se si t’i shfarosim shqiptarët, t’i dëbojmë nga vendlindja, t’ua njollosim imazhin, t’u ngjisin bishta, të nxisin përçarjet e brendshme, t’i korruptojnë përfaqësuesit, prijësit e tyre etj.
– Në mes botës perëndimore dhe lindore ekziston një relacion i çuditshëm i këmbimit: perëndimi eksporton në lindje ideologji (dikur komunizmin sot demokracinë); ndërkaq nga lindja pranon religjionin.
– Çdo komb ka thesarin e vet të urtësive, rrjedhimisht dhe populli shqiptar.
– Çdo shoqëri ka heronj dhe oportunistë, flijues dhe utilitaristë. Gjithmonë oportunistët përpiqen të konsumojnë atë që kanë siguruar heronjtë.
– Grekët kanë vënë zapt mbi periudhën antike, sllavët mbi periudhën mesjetare, turqit për pjesën tjetër, ndërkaq qenia shqiptare, gjithnjë e më shumë po merr trajtën e një të sëmuri paraplegjik, që nuk arrin të lëviz gjymtyrët qafë e tëposhtë.
– Kur religjionet e suspendojnë hyjnoren, atëhere zëri i këmbanës ose i muezinit, përjetohet si shpallje e luftës…
– Luftrat që përfundojnë pa fajtor, kurrë nuk përfundojnë as me paqe.
– Mjerisht, demokracia vetvetiu nuk e sjell lirinë, por liria hap shtegun për paraqitjen e demokracisë.
– Në rininë time, të qenit shqiptar shoqërohej gjithnjë me ndjenjën e prestigjit.
– Një popull shndërrohet në komb kur patriotizmi nuk është më çështje individuale, por çështje institucionale.
– Pluralizmi ka krijuar terren të përshtatshëm për relativizim të gjithçkaje.
– Serbët, por edhe të tjerët, i urrejnë shqiptarët për shkak të krenarisë së tyre.
– Si çdo njeri që synon të ketë një të kaluar të fisme, ashtu dhe çdo popull kërkon të ketë një të kaluar të lavdishme.
– Tipari kryesor i qytetërimit perëndimor, është dyshimi si metodë e zbulimit të së vërtetës, ndërkaq tipari kryesor i qytetërimit lindor është besimi i paluajtshëm ndaj autoritetit.
– Shqiptarët i kanë dhënë kontribut të madh pavarësisë së Greqisë, i kanë dhënë njerëz të shquar, politikanë, ushtarakë, shkencëtarë, krijues etj.
– Në politikë me rëndësi parësore është mjeshtëria e zgjedhjes së prioriteteve.
– Autonomia iu dha Kosovës për shkak të shqiptarëve e jo për shkak të serbëve.
– Një pjesë e madhe e popullit grek ka prejardhje shqiptare.
– Shpesh herë, paqja peshon si vlerë më shumë se interesat e tjera.
– Shteti i parë Serb është formuar në Rashkë dhe jo në Kosovë.
– Sot, në Kosovë dhe në vise, nuk mund të gjesh as 1% të shqiptarëve që janë pro serbë.
– Grekët, që nga koha antike e deri në ditët e sotme, kanë bashkëjetuar me shqiptarët duke u përzier me ta në vazhdimësi.
– Individi dhe komuniteti që nuk kultivon nevojën për pendesë, nuk arrin t’i korrigjojë gabimet.
– Maqedonia s’ka të ardhme, kështu siç po shkon.
– Popujt e Ballkanit vuajnë nga një strabizëm etno-politik që i bën të shohin shtrembër njëri –tjetrin.
– Propanganda serbe është mjeshtërore dhe nuk ka skrupuj moralë.
– Një VIP ( Very Important Person) nuk mund të pranojë lehtë të bëhet NIP (Non Important Person).

Ja çfarë thoshte Arbën Xhaferi për shqiptarët?

Xhaferi i cili ishte njëri prej mendimtarëve të rrallë të trevave shqiptare i përgjigjet historisë dhe dilemave shqiptare për lëvizjet e mendimit ose çfarë shoqëroi ndryshimet e mëdha në Evropë nga lëvizjet kulturore në epoka.

Në hapësirat shqiptare vlojnë nismat, ato individuale, grupore ose institucionale. Brenda një hapësire të vogël shfaqen ide diametralisht të kundërta, si në përmbajtje, ashtu edhe në formë. Bashkëjetojnë stile të ndryshme, klasikja me post-modernen, folklorizmi me modernen, naivizmi me surealizmin, manierizmi oriental me inovacionizmin oksidental, kiçi me estetizmin etj. Kjo dëshmon se kultura jonë ende nuk është e konsoliduar. Kulturologu, politikani dhe mendimtari Arbën Xhaferi në këtë intervistë ekskluzive për “Standard” për herë të parë merr në shqyrtim dilemat e lëvizjeve tona mendore dhe kulturore përballë epokave.

Ndërsa shprehet për një lidhje organike me lëvizjet politike se ne “sot e kësaj dite nuk kuptojmë rëndësinë e gjithanshme të idesë së shtetit ligjor, standardit për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, domosdoshmërinë për verifikim shkencor të gjitha ideve që janë në funksion të organizimit shoqëror, nxitjen e hulumtimit të fenomeneve dhe përfundimisht rëndësinë e ndarjes së shtetit prej religjionit”.

E vetmja lëvizje sipas Xhaferit, par exelence ka qenë neoshqiptarizmi i viteve ‘30, që e konsideron lëvizje politike që synonte ta ndryshonte, ta korrigjonte kodin qytetërues të shqiptarëve, ta evropianizonte atë. Kjo ide bëri ndryshimin e strukturës mendore të njeriut… Dhe sa për çështjen e globalizmit sot, ideologu thotë se “instaloi rregullat në tregun e përgjithshëm që përfundimisht i rrënoi, jo vetëm ëndrrat romantike, por edhe konceptet për artin”.

A jeni të mendimit se në Shqipëri përveç neoshqiptarizmit nuk ka lulëzuar ndonjë lëvizje tjetër kulturore që të shkundë psikikën e shqiptarëve?

Në hapësirat shqiptare vlojnë iniciativat, ato individuale, grupore ose institucionale. Brenda një hapësire të vogël shfaqen ide diametralisht të kundërta si në përmbajtje, ashtu edhe në formë. Bashkëjetojnë stile të ndryshme, klasikja me post-modernen, folklorizmi me modernen, naivizmi me surealizmin, manierizmi oriental me inovacionizmin oksidental, kiçi me estetizmin etj. Kjo dëshmon se kultura jonë ende nuk është e konsoliduar. Edhe në shoqëritë tjera ka antagonizma të tillë, iniciativa vend e pavend, por megjithatë dihet çka është tendencë kryesore qoftë në politikë, kulturë, apo në mënyrën e zhvillimit të biznesit. Popujt që kanë traditë të qëndrueshme kulturore kanë arritur t’u bëjnë ballë huazimeve pa kriter, kështu që kancona italiane apo shansona franceze arritën t’i bënin ballë muzikës rok.
Në shoqëritë perëndimore ndryshimet janë dinamike, veçmas në fushën e krijimtarisë, por megjithatë vlerat nuk relativizohen, pa marrë parasysh statusin, vlerën e një vepre në treg.

Korrigjimi i vlerësimeve të gabuara bëhet shpejt. Van Gogu ishte shumë i varfër, ngaqë nuk arriti të shiste asnjërën nga veprat e tij, por pas vdekjes së tij ato morën çmime marramendëse.
Neoshqiptarizmi u shqua më shumë se lëvizjet e tjera, për shkak se si nocion arriti të ngërthente në vete pikësynimet kryesore kulturore, por edhe politike, ekonomike të shqiptarëve. Madje do të thosha se neoshqiptarizmi ishte, par exelence, lëvizje politike, që synonte ta ndryshonte, ta korrigjonte kodin qytetërues të shqiptarëve, ta evropianizonte atë. Kjo ide, ndryshimi i strukturës mendore të njeriut, në shekullin XIX dhe XX ishte shumë e përhapur. Rrënjët e një kërkese të tillë duhet kërkuar në periudhën e Rilindjes (Renesansës), pastaj te Rusoi, Gëteja, Marksi dhe Niçeja, i cili, pasi e shpalli Zotin të vdekur, e përuroi mbinjeriun, krijesën që mund të ekzistojë edhe pa Zotin. Në Rusinë komuniste, po ashtu u eksperimentua me idenë e krijimit të njeriut të ri sovjetik, por kjo ide nuk ishte aq naive sa idetë e mendimtarëve të mirëfilltë që përpiqeshin t’i zgjidhin problemet e thella shoqërore me teoritë e ashtuquajtura të dezalienimit. Njeriu i ri sovjetik nuk u identifikua me nocionin rus, për shkak të strategjisë së asimilimit të efektshëm dhe të pahetueshëm. Njeriu i ri nuk ishte as rus, as lituanez, as gjeorgjian, as kazak, turkmen, kirgiz, por sovjet që, në fakt, i kishte të gjitha tiparet e rusit, gjuhën, kulturën në përgjithësi.
Nga të gjitha këto përsiatje, vetëm neoshqiptarizmi ishte ide reale, e dëlirë, pa atë pretenciozitet, megalomani dhe djallëzi të teorive të tjera të asaj kohe. Derisa të tjerët synonin ta sovjetizonin, ta serbizonin, ta hispanizonin Evropën, shqiptarët kërkonin ta evropianizonin veten. Ky është një dallim strategjik.

Natyrisht ka pasur edhe lëvizje të tjera kulturore, por shumica prej tyre kishin karakter individual dhe ishin në funksion të bartjes së vlerave dhe tendencave që ekzistonin në katedra të ndryshme të universiteteve të huaja ku studionin shqiptarët. Mirëpo ato nuk u shndërruan në lëvizje, pos nëse nga ky kategorizim e përjashtojmë periudhën e komunizmit, kur krijimtaria varej kryekëput nga dogmat që i pati imponuar ideologjia komuniste.

A kemi pasur truall, flasim edhe para kohës së diktaturës, që vendi ynë të prodhojë elitë intelektuale, që të përcjellë rrymat kulturore evropiane?

Gjithsesi. Vetëm në fushën e krijimtarisë statusi shoqëror nuk çon kandar. Dhuruesi i talentit, atë e ka ndarë në mënyrë të barabartë në të gjitha shtresat shoqërore dhe popuj, pa marrë parasysh madhësinë e tyre. Madje popujt e vegjël zakonisht janë më të motivuar që të merren me krijimtari letrare, figurative, muzikore sesa me hulumtime shkencore.
Tanimë janë krijuar kushte elementare politike, ekonomike dhe profesionale që krijuesit shqiptarë, duke i përcjellë rrymat e ndryshme kulturore, të dallojnë tendencën kryesore nga ato anësore dhe të krijojnë vepra të nivelit evropian. Këto maja, në disa fusha që tani janë arritur.
Është një thënie që i vishet regjisorit Orson Uells, i cili vlerëson se krijimtaria artistike nuk varet gjithaq nga çfarësia e sistemi shoqëror. Zviceranët, punëtorë të zellshëm dhe të disiplinuar, thotë ai, në pesë shekujt e kaluar kanë prodhuar vetëm orën precize, ndërkaq italianët anarkikë, të zhurmshëm, skandalozë, komplotistë, hedonistë kanë krijuar vepra kulmore artistike në të gjitha fushat e kulturës. Për Bodlerin arti është lulja e së keqes. Shpeshherë e keqja, vuajtja, rreziku, nënçmimi janë motive më të fuqishme për krijimtari sesa mirëqenia, ahengu, siguria, vardisja… Për këto shkaqe besoj se krijimtaria artistike është shans për popujt e vegjël, pra edhe për shqiptarët që t’i afirmojnë vlerat kombëtare.

Pse tek ne, ashtu si edhe mentaliteti që zapton Ballkanin, gjithmonë nxitojmë për të arritur dhe kurrë nuk jemi në kohë me Evropën?

Për shkak se pjesa dërmuese e ballkanasve nuk e njohin Evropën, por e paragjykojnë atë. Mosnjohja e Evropës është pasojë e paragjykimeve më të ulëta, më arrogante, të tipit “kurva plakë” apo kontinent i degjeneruar etj. Por jo vetëm kaq. Shqiptarët, ndonëse nuk kanë distancë nga Evropa, megjithatë, edhe ato vlera që i njohin, nuk i trajtojnë seriozisht, si diçka fondamentale për një shoqëri moderne. Jemi të prirë ta pranojmë formën, pa obligime ndaj përmbajtjes. E duam hedonizmin evropian, por jo stoicizmin, përkushtimin ndaj punës, seriozitetin e tyre, respektimin e ligjit. Gjenetika, origjina apo gjeografia nuk janë përcaktues të mjaftueshëm të identitetit evropian, por sistemi i vlerave. Zhvillimi politik, ekonomik dhe qytetërues i Evropës ka një parahistori të gjatë dhe nuk është aspak rastësi. Dokumenti i parë që ngushton hapësirën e sovranit (mbretit) dhe që paralajmëron konceptin e shtetit ligjor, parakushtit për zhvillim të shoqërisë, Magna Carta Libertatum, u hartua më 15.6.1215. Ky ishte dokumenti i parë që e kufizoi pushtetin absolut të mbretit (John Laclandit, Gjonit Patokë) dhe krijoi kushte për përhapjen e idesë, të standardit kushtetues që garanton mbrojtjen e drejtave dhe lirive e njeriut. Ky dokument ka rëndësi historike, ngaqë e hapi shtegun për humanizim të shoqërisë. Kjo ndodhi shekuj më parë.

Po ashtu nuk kuptohet drejt se hulumtimi shkencor ishte shumë i hershëm dhe aspak i rastësishëm që, nga ana tjetër, duke tentuar t’i verifikojë të vërtetat në librat e shenjtë hapi shtegun për konceptet shekullare, për ndarje të kishës, religjionit nga shteti, të vërtetave shkencore nga dogmat. Këto ndryshime, lufta kundër obskurantizmit mesjetar, kërkonin njerëz me guxim të jashtëzakonshëm, që adhuronin të vërtetën më shumë sesa që frikësoheshin nga pasojat e demaskimit të dogmave, që e mposhtnin frikën falë përkushtimit për ta zbuluar dhe kumtuar të vërtetën.
Në Evropë, që nga fillimi ndodhi përplasja ndërmjet doktrinës së krishterë të mëshirës, të mosdhunës dhe mendësisë luftarake, protofashiste të evropianëve. Kjo përplasje që krijonte situatë konfliktuale u zgjidh duke lejuar luftën (dhunën) kundër jo krishterëve (kryqëzatat) dhe kundër shpirtrave të ligë(inkuizicioni).

Evropa, vazhdimisht arrin të gjejë zgjidhje për problemet që krijojnë pengesa për zhvillim të mëtejmë të shoqërisë, që s’mund të thuhet për qytetërimet e tjera. Bie fjala, pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane detyrimisht humbi funksionin edhe institucioni që krijonte unitet në botën islame, kalifi, kalifati. Ky institucion ngërthente në vete dy funksione kryesore, atë të prijësit politik dhe atë të prijësit fetar. Mungesa e një institucioni, e një strukture hierarkike fetare, krijon hapësirë për voluntarizëm, për anarki, ku çdokush mund të marrë vendime në emër të myslimanëve të botës. Edhe sa kohë do të vazhdojë ky konfuzion, askush nuk di. Mungojnë energjitë ndërmarrëse, guximi që përmes hulumtimit të verifikohen vlerat e traditës, që në fakt nuk janë vlera, por kotësi që kanë depërtuar dhe shtresuar me shekuj. Kjo mungesë e ndërmarrësisë, kjo përtaci ka depërtuar edhe në kulturën tonë.

Evropa me guxim ec përpara duke rrënuar barrierat ataviste, tabu temat që e bllokojnë trurin, ajo me vendosmëri i zëvendëson idetë e vjetra pengesëtare me ide të reja që në fakt është fshehtësia se si krijohet historia e vërtetë.
Pra, ne sot e kësaj dite nuk kuptojmë rëndësinë e gjithanshme të idesë së shtetit ligjor, standardit për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, domosdoshmërinë për verifikim shkencor të gjitha ideve që janë në funksion të organizimit shoqëror, nxitjen e hulumtimit të fenomeneve dhe përfundimisht rëndësinë e ndarjes së shtetit prej religjionit. Sot në të gjitha shtetet e Ballkanit, politikanët kërkojnë ndihmën e faktorit religjioz për legjitimimin e tyre politik, moral dhe partiak. Kjo gjithsesi nuk ndodh në shtetet evropiane.
Në kuadër të kulturës evropiane, këto vlera, pa të cilat nuk mund të funksionojë një shtet modern, janë të njohura me shekuj dhe ne, nëse dëshirojmë të jemi evropianë, duhet para së gjithash t’i pranojmë, t’i interiorizojmë këto standarde në sistemin tonë të vlerave.

A mund të studiohet si lëvizje kulturore revolucioni kulturor që shpalli diktatura pra “soc-realizmi”?

Lëvizjet kulturore fitojnë peshë nëse pas tyre qëndron një mekanizëm i fuqishëm financiar dhe politik, pra shteti. Në botën perëndimore këtë çështje i rregullon tregu, sistemi kompleks i menaxherëve, mecenëve, producentëve dhe krijuesve. Në shtetet e kampit socialist, lëvizjet e ndryshme kulturore organizoheshin, financoheshin dhe kontrolloheshin prej shtetit. Kjo lëvizje në Bashkimin Sovjetik mori emrin Proletkult (Organizata Proletare Kulturore dhe Iluministe). Kjo lëvizje do të duhej të krijonte, siç u tha, Njeriun e Ri, të virtytshëm sovjetik. Sipas doktrinës komuniste, çdo veprimtari krijuese duhet të ketë mesazh konstruktiv, mision edukativ, ideologjikisht utilitar. Një mori krijuesish të mëdhenj, duke filluar prej regjisorit antologjik Ajnzejshtajnit, letrarëve, Gorkit, Sholohovit, Aragonit, kompozitorit Hans Eisleri, e deri te piktori B. Vladimirov u vënë në shërbim të formësimit të lëvizjes kulturore që mori emrin “Realizëm socialist” e cila përcaktoi standardin që vepra artistike nuk mund të jetë në funksion të vetvetes (L’art pour l’artisme), por në shërbim të popullit, pra të ketë funksion edukativ shoqëror. Në skulpturë, madje u përurua vlera e pestë estetike-heroikja: çdo luftëtar, punëtor merrte dimensione markante, ashtu si i ka hije Njeriut të Ri Sovjetik.
Por, problemi nuk qëndron këtu, ngaqë edhe në SHBA shkruhen romane edukative, xhirohen një varg filmash edukativë që, pa dyshim, kanë ndikim pozitiv shoqëror. Problemi qëndron te doktrina, dogma e NJËSHIT, të parit në shtet: një ideologji, një udhëheqës, një stil, një shkrimtar, një kompozitor, një poet, një skulptor shtetëror, i cili në mënyrë të denjë i mishëron në krijimtarinë e tij përcaktimet e artit socialist. Pra, dallimi ndërmjet sistemit komunist të vlerave dhe atij demokratik, variacionesh të ndryshme, qëndron te parimi i diversitetit: i pari atë e percepton si rrezik, ndërkaq i dyti si kusht, pa të cilin nuk mund të funksionojë liria, sistemi në tërësi.

Çfarë duhet të kuptojmë sot me lëvizje kulturore? A mund të flitet për të njëjtat kushte shpërthimi siç ndodhën ato të shekullit XIX-XX?

Dy luftërat botërore, tragjedinë që shkaktuan ato, zbulimi i krimeve masive të ndodhura në sistemet komuniste, terrorizmi, zgjerimi i vlerave të shoqërisë së konsumit, shkatërrimi i ambientit dhe përfundimisht globalizmi disi e ngulfatën optimizmin e mendimtarëve të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX. Dëshpërimi e zëvendësoi utopinë. Kjo dukuri, ky dyshim në progresin e pandalshëm u përhap sidomos në sistemet, u thënçim komuniste. Këtë klimë dëshpëruese, defetiste dhe të pashpresë e përshkruan në mënyrë gjeniale shkrimtari polak, nobelisti Çesllav Millosh (Czeslaw Milosz – 1911-2004), në veprën “Mendja e robëruar” (1962).

Sidomos globalizmi instaloi rregullat në tregun e përgjithshëm që përfundimisht i rrënoi, jo vetëm ëndrrat romantike, por edhe konceptet mbi artin. Në këtë treg të përbindshëm që vlon nga ofertat, nivelesh kulmore, pjesa dërmuese e krijuesve të ish-kampit socialist nuk dinë si të sillen, si të adaptohen. Ata jo vetëm që humbën statusin shoqëror, integritetin dhe autoritetin, por edhe besimin në krijimtarinë e tyre. Në këtë klimë u fik edhe zjarri për lëvizje kulturore.

Në të gjitha fushat e artit, thuhet se artistët shqiptarë kanë përcjellë vetëm frymën e rrymave dhe asnjëherë nuk kemi pasur pozicionim të mirëfilltë të një rryme të caktuar. A ndani të njëjtin mendim dhe pse të ketë ndodhur kjo?
Arti, krijimtaria në përgjithësi zhvillohet në mënyrë interaktive (ndërvepruese) në kohë dhe hapësirë. Është e natyrshme që krijuesit e mëdhenj të ndikojnë te të vegjlit, por ndodh edhe e kundërta, që të mëdhenjtë të ndikohen nga të vegjlit ose të panjohurit. Bie fjala portretet e Modilianit janë të ndikuara nga afresket ortodokse, ashtu si një fazë e krijimtarisë së Pikasos nga maskat afrikane. Nga aspekti teorik nuk mund të përjashtohet mundësia që një krijues i madh botëror të jetë i ndikuar nga një krijues shqiptar. Por, ajo kryesorja, e vërteta e madhe, nuk mund të fshihet. Qytetërimi perëndimor është hulumtues, inovativ, që me guxim ec përpara, kërkon përgjigje për pyetjet më shqetësuese të çfarëdo natyre, ndërkaq ai lindor është statik, konservativ që petrifikon (ngurtëson) një mënyrë të jetesës, një stil të krijimtarisë që quhet manierizëm. Tradita, folklori janë forma, produkte të një mendësie, të një stili që refuzon ndryshimin, përkatësisht hapjen e horizontit për këndshikime, botëkuptime të reja që e frikësojnë njeriun e pa mësuar me ndryshimet e vazhdueshme. Shqiptarët, ose janë shumë modern, ose shumë konservativë. Kemi letrarë të mëdhenj, këngëtarë të shkëlqyeshëm operistikë, aktorë të shkëlqyeshëm etj., mirëpo ende nuk arrijmë, bie fjala, të lirohemi nga modelet anakronike të varrimit ose të dasmës.

Qytetërimi perëndimor parapëlqen përsosmërinë, ndërkaq ai lindor tradicionalen. Ndërtimi i piramidave dëshmon për përpjekjet e njeriut të asaj kohe që ta ndalë kohën, ta pengojë ndryshimin, ta përjetësojë të tashmen e tij. Ky është një përcaktim i brendshëm që e parapëlqen statiken, mosndryshimin. Këto tipare fondamentale nuk mund të ndryshohen brenda një nate. Në këtë fazë, jo vetëm shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të mëdhenj janë në fazën e “mimesisit”, të imitimit të koncepteve dhe metodave perëndimore në çdo sferë të veprimtarisë shoqërore, prej zgjedhjeve politike e deri te krijimtaria. Këto forma, mënyra të jetesës, këto standarde, qytetërimi perëndimor ka krijuar për t’i plotësuar nevojat e veta, ndërkaq ne i kopjojmë këto forma të krijimtarisë dhe veprimit politik që t’i ngjasojmë modelit që e idealizojmë. Fazën e mimesisit do ta tejkalojmë vetëm kur këto standarde nuk do t’i perceptojmë si të huaja, por natyrshëm do të jetojmë me to.

A i nevojitet ende sot mendimit – për ta ndryshuar, apo shkëputur nga e kaluara – nënshkrimi i manifesteve, ku shpallen idetë?

Një mendimtar ose krijues i mirëfilltë nuk bën diskriminimin ndërmjet se kaluarës, së sotmes dhe të ardhmes. Në fushën e krijimtarisë moda nuk është kategori që vetvetiu ka konotacion pozitiv, veçmas nëse tema e debatit është krijimtaria artistike. Veprat e Fidias, Eskilit, Shekspirit, Molierit, Dostojevskit, Markesit apo Gynter Grasit sot e gjithë ditën janë të patejkalueshme. Të gjithë këta kanë arritur majat e krijimtarisë pa marrë parasysh se cilës rrymë i takojnë. Disa vlera të së kaluarës janë të patejkalueshme, prandaj në këtë klimë të dëshpërimit nga lëvizjet kulturore, manifestet apo pamfletet nuk mund të ndryshojnë situatën. Mendoj se këto energji, këto shpresa se situata mund të ndryshohet me manifestime u shpenzua me demonstratat e vitit 1968 në botë, kur Sartri, i entuziazmuar nga energjia e këtyre protestave, u përpoq ta jepte kontributin e tij, por mbeti vetëm, i dëshpëruar përjetësisht. Kapitalizmi liberal i shteri këto energji, këtë optimizëm revolucionar.

Megjithatë, krijimtaria është e magjishme dhe qëndron mbi çdo kanon që përpiqen të imponojnë teoricienët, për të kuptuar një vepër artistike. Por, veprat artistike, sidomos ato figurative, nuk mund të vlerësohen me kategori diskursive. Shpeshherë kritika e një vepre artistike, sidomos nëse autori i kritikës është i njohur, në vend që të zbulojë vlerën e një vepre e mallkon atë me një formulim, kategorizim diskursiv që e përdor për ta kuptuar ai vetë një vepër figurative. Pastaj ai formulim bëhet bashkudhëtar i një vepre figurative, që pengon lirshëm të soditet piktura, grafika, skulptura apo instalacioni.

Çfarë e ndryshon sot një komb?

Globalizmi, varfëria, mosfunksionimi i shtetit, i ligjit, relativizmi etik, huazimet, ndikimet nga jashtë që depërtojnë përmes fesë, korrupsioni, krimi i organizuar, dëshpërimi nga cilësia e jetesës, niveli i ulët i cilësisë së krijimtarisë, përçarjet si pasojë e polarizimit politik, vegjetimi si mënyrë e vetme e jetës pa ideale etj. janë faktorë që ndikojnë në ndryshimin e identitetit të një kombi. Deri vonë shqiptarët ishin të perceptuar nga të tjetër si njerëz të ndershëm, me kodeks të qartë moral, por tani ata kanë humbur këtë imazh dhe perceptohen si popull që është i dhënë vetëm pas të mirave materiale. Në një takim me një misionar protestant që gjatë kohës punon në Shqipëri, pyetjes sime të drejtpërdrejtë lidhur me vlerësimin e tij për karakterin e shqiptarit, ai, pa u thelluar mirë që dëshmon se vlerësimin e kishte të pjekur, më tha: Janë të dhënë pas të mirave materiale. Por, është për të habitur se nocioni “alban” te popujt e qytetëruar ka një domethënie sublime…

A besoni në riciklimin e jetës dhe për këtë arsye ndoshta edhe në hipotezën se është e kotë të ndryshosh botën – kujtoj këtu një karikaturë britanike që jep simbolikisht ciklimin e veprimeve të njeriut, që në fund kthehet në pozicionin fillestar. Por, ama, stadet kalojnë.
Çdo qytetërim përpiqet të gjejë përgjigje për arsyen e jetës, për absurdin si pasojë e pamundësisë për të gjetur shpjegime qetësuese për lindjen, jetën, vdekjen, çdo qytetërim përpiqet të gjejë shpjegime për tërësinë, por as që ka arritur as që do të arrijë. Ashtu si bota shtazore që funksion përmes instinkteve dhe s’arrin dot të mendojë, të gjykojë si njeriu, ashtu edhe njeriu nuk arrin dot të gjejë përgjigje për çështjet metafizike. Qytetërimet marrin hov kur pretendojnë se kanë gjetur përgjigje për këto mistere dhe fillojnë ta humbin vitalitetin kur banalizohen ato përgjigje. Qytetërimi perëndimor është përpjekur që të japë përgjigje për këto pyetje duke analizuar qenien e njeriut. Për disa filozofë, qenia dhe kuptimi i jetës është puna (homo faber), për disa të tjerë loja (homo ludens), ndërkaq për postfrojdistin Markuze – erotika. Disa popuj të tjerë nuk kridhen fare në këto dilema. Ata ende nuk janë të ndriçuar dhe ushqimin shpirtëror e marrin nga brenda, si fëmija përmes kërthizës, përmes zakoneve dhe ritualeve. Ata nuk dinë pse kanë ardhur në këtë botë dhe natyrisht s’dinë si ta jetojnë jetën, pos në përputhje me traditën, me rregullat që janë përcaktuar kushedi kur, kushedi nga kush dhe kushedi pse.

A është atdhedashuria, jo si nacionalizëm, që të nxit për rebelizëm – e për pasojë dhe krijimin e atij kushti paraprak për lindjen e një lëvizjeje të fuqishme kulturore?

Sa është njeriu egoist, po aq është altruist, sa është mizantrop, po aq është filantrop, sa është individualist po aq është qenie shoqërore, sa është i motivuar nga egoja po aq në të ndikon superegoja. Shpeshherë misioni shoqëror e suspendon tiparet e tjera të personalitetit të njeriut, shpeshherë idealet shoqërore, drejtësia, zbulimi i të vërtetës, atdhedashuria, nacionalizmi, konceptet morale, frika nga izolimi, aq shumë e motivojnë njeriun sa që ai arrin ta mundë instinktin e mbijetesës.
Çdo individ dhe çdo grup shoqëror kanë ndjenjën e fortë individuale dhe shoqërore për të qenë të barabartë me të tjerët, të respektuar. Këtë ndjenjë për barazi, Platoni e quajti “thimos”. Pra, thimosi e vë në veprim njeriun që t’u kundërvihet faktorëve që e përbuzin, e nënshtrojnë, e cenojnë integritetin e tij individual apo shoqëror. Pjesa diskursive, racionale e thimosit është nacionalizmi. Ai mund të jetë arrogant, brutal, çnjerëzor, por mund të jetë i drejtë, fisnik, i moralshëm që krijon kohezion në shoqëri, i motivon njerëzit për liri, krijimtari, për ndërveprim me të tjerët për tejkalim të vështirësive, për angazhim të vullnetshëm shoqëror, për funksionimin më të gjerë të parimeve të etike, e plotëson nevojën e thellë të individit për përkatësi një grupi shoqëror. Ata që verbërisht janë kundër nacionalizmit dhe ofrojnë zëvendësimin e tij me përkatësi ndaj grupimeve tjera, harrojnë faktin se vetëm nacionalizmi krijon mekanizma të qëndrueshëm, shtetin, që mbron dhe kultivon vlera me të cilat identifikohet një njeri.

Janë absurde dhe kundërthënëse tezat që pohojnë se më parë ndjenja nacionale nuk paska ekzistuar, si dhe tezat se ndjenjat e sotme nacionale qenkan anakronizëm. Por, askush nuk mund të mohojë faktin se popujt që kanë krijuar më herët shtetin e tyre janë më të përparuar sesa popujt që nuk kanë arritur ta realizojnë këtë qëllim, ose faktin se shtetet nacionale janë imune ndaj faktorëve shpërbërës. Një popull që nuk arrin të krijojë shtetin nacional, një kohë të gjatë do t’i angazhojë kapacitet për këtë qëllim dhe shumë aspekte të tjera që e bëjnë jetën e njeriut interesante do të lihen pas dore, përfshi këtu edhe angazhimin kulturor. Si pasojë e gjithë kësaj është shthurja e elitës, ikja e trurit në shtete të tjera. Aty ku nacionalizmi ka qenë ideal frymëzues, aty zhvillimi është i pandalshëm, aty madje më lehtë ndërtohet shteti funksional ligjor dhe aty ku nacionalizmi është i rrejshëm, i keqpërdorur për qëllime të tjera shfaqen procese degjeneruese që e komprometojnë atë.

Si mund të shkulet ndryshe e kaluara, ajo pjesë e mentalitetit që e lë shoqërinë pas pa ndriçimin e së ardhmes, vizionin?

Mendoj se çdo gjë është e lidhur me vetëdijen e njeriut, me vlerësimet e tija të ngjarjeve, të proceseve, të rolit të personaliteteve, të trashëgimisë, të huazimeve etj. Të qenit gjatë kohë nën sundimin e huaj ka ndikuar që të interiorizohen (të brendësohen) huazimet nga kulturat e tjera, duke filluar nga kostumet e deri te sintaksa, struktura e gjuhës. Këto depërtime të huazimeve, shpesh bëhen pjesë e identitetit të një populli sa që ato nuk njihen më si element i huaj. Bie fjala, në Tiranë, në epiqendrën e kulturës shqiptare, dimitë (çitjanet, kulet) ende paraqiten si pjesë e traditës kombëtare ose disa këngëtarë të ndikuar nga mënyra e këndimit të ilahive, janë të bindur se ai këndim, ato këngë janë reprezentë të denjë të traditës sonë muzikore ose kapuçat me dantella, të ngjashme me ato të popujve të lindjes së mesme, çifutëve, arabëve, pakistanezëve, tashmë, për një segment të popullit shqiptar, janë bërë pjesë e identitetit të tyre. Është krejtësisht e qartë se huazimet nuk mund të ndalen me urdhra, si në të kaluarën, të tashmen ose të ardhmen, mirëpo diçka tjetër duhet të merret parasysh: huazimi i muzikës rok apo rep nuk mund të relativizohet me atë të ilahive, ngaqë këto të fundit paraqiten si pjesë tipizuese e traditës sonë, origjinës sonë, ashtu si blu-xhinsat që nuk mund të krahasohen me kapuçat-dantellë që sot perceptohen si element të traditës. Çdokush sot di se muzika rok apo blu-xhinsat janë huazime, por shumë pak veta dinë se ilahitë, një pjesë e madhe e muzikës sonë popullore, si dhe dimitë, sofra, të ulurit këmbëkryq etj. janë po ashtu huazime, madje edhe më të rrezikshme, ngaqë trajtohen si fondament i kulturës dhe i identitetit tonë kombëtar.

Disa shtete formohen si pasojë e idealeve etnike, të cilat bëhen kombëtare pas formimit të shtetit, disa mbi baza të interesit politik, strategjik etj. Këto të fundit e formojnë shtetin pastaj e formësojnë identitetin kombëtar, si SHBA-të bie fjala. Është absurde që në një shtet që është ngritur mbi interesin etnik, të përthahet segmenti kulturor, përkatësisht, bërthama e identitetit kombëtar, faktori që e nxiti procesin e formimit të shtetit kombëtar.
S’ka nevojë të shkulet e kaluara për të pasur vizion për të ardhmen, por duhet në mënyrë kritike të ndriçohen përkatësitë, me mjeshtri të gdhendet guri i diamantit ose të ndahet, të paktën në planin e vetëdijes kombëtare, shapi prej sheqerit. Çdo popull i civilizuar e ka bërë këtë.

Energjia jonë, ballkanike, mesdhetare, çfarë mund të bëjë tjetër veç mbajtjes lidhur pas kompleksit dhe krijimit të miteve – a mund të jenë këto arsye pse Ballkani është në qerthull gjithnjë dhe nuk ecën përpara…
Vetvetiu asgjë të keqe nuk vjen nga mitet, por nga instrumentalizimi i tyre për interesa hegjemoniste nacionaliste, nga keqpërdorimi i tyre politik që krijon vuajtje dhe tragjedi te popujt e tjerë. Sot këta popuj keqpërdorues abuzojnë edhe me fetë, konkretisht me krishterimin, njësoj si me mitet. Duke paraqitur veten si të krishterë të devotshëm, abuzuesit kërkojnë, në fakt, licencën për dënim të popujve të tjerë me përkatësi tjetër fetare. Shembulli tipik i abuzimit të këtillë është Maqedonia. Kryeministri aktual, Gruevski, në mënyrë brutale i instrumentalizon këta faktorë, mitin dhe besimin fetar: e përvetëson idenë e prejardhjes antike të maqedonasve dhe në çdo kënd të qyteteve mëton të ndërtojë përmendore për personalitetet e antikës. Krahas kësaj, ai, duke shfrytëzuar buxhetin shtetëror, që sipas Kushtetutës duhet të jetë shekullar, paralajmëron ndërtimin e kishave, katedraleve, jo për ideale, por që të provokojë komunitetin mysliman që të pozicionohet në istikamet fetare. Kështu, ai një luftë të humbur politike dhe etnike e bart në terrenin mitik dhe fetar, me shpresë që të dalë fitues.
Në dallim nga popujt e tjerë të Ballkanit, vetëm shqiptarët nuk thirren në fikcione, në mite dhe Zot, ngaqë kauza e tyre është vetvetiu reale dhe se ka gjasa të natyrshme të realizohet. Në këtë rrafsh çështja dhe kultura shqiptare dallon nga ato të popujve të tjerë të Ballkanit. Kauza jonë është reale…

Dikur në vitet ‘20-‘30 shqiptarët në Itali, Bukuresht, Sofje, Egjipt etj. ngritën vatra kulturore dhe “detyruan” autoritetet e vendeve për ta njohur gjuhën shqipe, ashtu dhe kulturën – sot nuk ndihet më kjo ndjeshmëri. Ndërkohë që vendi ynë është bërë han me 100 porta, jashtë njohja ka humbur kuptimin e saj fillestar, si lëvizje, ç’tregon ky barometër?

Në gjuhën latine ekziston një sentencë që mund ta shpjegojë këtë dilemë: “Quius lingua eius regio” (E kujt është gjuha i atij është territori). Italia, Bukureshti, Sofja, Egjipti, unë do të shtoja edhe Shqipëria nuk frikësohen nga gjuhët e pakicave të papërfillshme…

Dhe së fundi, a vlen më mendimi shqiptar, praktikisht, për të artikuluar interesat kombëtare?

Mendimet, çfarëdo qofshin, ato modifikohen, në varësi nga rrethanat. Vlerësoj se mendimi shqiptar zhvillohet gjithnjë e më shumë dhe do të jetë në funksion të çështjes kombëtare. Unë e shoh atë gjeneratë dhe fuqinë e motivacionit, të argumenteve të tyre./Intervistë e publikuar në vitin 2014.

Prishtina. Kosovo 30 th October 2005 Arben Xhaferi is talking to the jurnalist during interview that he gave to Gazeta Express.

Buzëqeshja e bukur e pranverës së mjegullt !!!

Nga Flora Nikolla

Në qarkullin e një dite, kam kënaqësinë të bisedoj, të komunikoj pse jo dhe të shihem virtualisht me shqiptarë të suksesit kudo ata jetojnë në botën  e sotme të globalizimit.

Një bisedë e shkurtër në WhatsApp, një lajm që më vjen në rrjetet sociale, një përshëndetje e shpejtë në messenger, pastaj dhe email-e të gjatë ku tregohet jeta e tyre, një falenderim dhe një buzëqeshje, një diskutim i zgjatur mbi projektin ku i ke ftuar të jenë, pastaj pyetje që duan ose edhe nuk duan përgjigje, pastaj puna që duhet të bësh për projektin e shpallur, një kafe më një  shqiptar të ardhur nga larg…, pastaj …, pastaj  ti kupton se dita ka fluturuar plot me ngjarje , tregime, reagime pozitive dhe negative.

Muzgu të ka trokitur në dritare dhe ti duhet të nxitosh të përmbushësh pikat e punëve të përcaktuara në nisje të ditës, apo edhe të shkosh në tregun më të afërt për më të domosdoshmet blerje.

E gjitha është një durim vetmitar sa  dhe i zhurmshëm mbi të cilin, unë kaloj ditët dhe netët e mia.

Janë ditët e netët që kaloj me njerëzit që kam zgjedhur të punoj, janë heronjtë mi,  janë njerëzit që dua  t’ua  tregoj me rrëfimet e tyre vendit tim,  njerëzve, qeverive, familjeve të tyre, miqve, atyre vetë sa janë të vlefshëm, dhe se pëballë kësaj vlere, duhen nderuar  edhe përballë heshtjes që ka !!!

Këtë në fakt  dua ta them zë-lartë,  me dëshirën e madhe që një ditë të jenë pjesë e jetës sonë  shqiptare më kontributin e tyre njerëzor , intelektual ,shqiptar .

Ky është misioni im që lindi si një dëshirë ndaj vlerës që e kam adhuruar që në fëmijërinë time të hershme  e që tash u bë misioni i ditëve , netëve dhe i jetës sime.

Ja si  edhe këtë herë me Ekspozitën e suksesit të gruas  shqiptare në botë, kur nuk di sa herë gjatë ditës ndihem e ngazëlluer, kur një klik më fton  të hapë adresën e  email-it, kur  brenda tij, është fotoja  e një jete,  e cila  dëshëron që ta rikthej në vendin saj me dinjitetin e një zonje të vërtetë .

Albanian Excellence, është vetëm një qëndër modeste në dukje, por që këmbëngul fort të njihen vlerat, jeta, forca, vitaliteti, rritja e tyre profesionale, larg në një jetë ndryshe nga kjo që rrjedh e ndodh këtu nga ne.

Ndonjëherë  unë besoj se, Albanian Excellence, ka marrë përsipër me një këmbëngulje bese, t’i ketë më pranë Atdheut , bijtë e saj  të ikur.

Këtu nuk bëhët fjalë për patetizëm !!!  Jo !!! Absolutisht jo !!!

Këtu bëhet fjalë për atë sistem vlerash që ne duhet të pohojmë se, këtë sistem duhet ta ridimensionojmë, ta kultivojmë e ta risjellim me forcën e saj në Shqipëri.

Sepse në fund të fundit, ju pyes: a nuk janë këto iniciativa që na ofrojnë më shumë ne shqiptarët këtej dhe andej kufirit ?

A nuk ndijmojnë, që shqiptarët  kudo janë,  të kenë kohën, dreqi ta hajë, ta kthejnë kokën nga vendi i tyre ?

Pastaj, më thoni a ka më bukur se, kur  të nderon, të respekton vendi  yt pavarësisht se, kush e je , çfare ke arritur, e ku jeton  ?

Unë shoh dëshirë e vullnet të mirë tek të gjithë miqtë e Albanian Excellence. Këtë vullnet shoh tek zonjat që flas e ju tregoj për këtë aktivitet  i cili  në mënyrë simbolike, vlerëson të gjitha Zonjat panshqiptare që dinë të vlerësojnë veten , familjen dhe vendin e tyre kudo janë.

Një zonjë e nderuar shqiptare në  Bruksel, dha një mesazh aq njerezor ne Facebook,  nga një tren ku kishte hypur mëngjësin e një të hëne .

Ajo u tha  miqve të saj belgë dhe jo vetëm: “Sot do të realizojë një foto me ekipin  e cila do të jetë në Ekspozitën  që Albanian Excellence  do organizojë me gratë  e suksesit 2019 që do të hapet në kryeqytetin shqiptar në Tiranë “!!!

Fije të tëra që lidhen më njëra tjerën… pavarësisht qetësisë në dukje … !!!

Nje mekanizëm i paduksëm që lëviz  dhe vibron jetë njërëzish më qëllimin e mirë që t’i bashkojë e të jenë së bashku në vendin apo me bashkëkombësit e tyre , një mekanizëm që e njeh për më mirë vendin tonë në botë përmes këtyrë  shqiptarëve të ikur , por që kërkon me zemër të madhe t’i rikthejë me krenarinë e fituar në vendin e tyre !!!

Eshtë një mekanizëm që i bën të vlefshëm shqiptarët në  vendin e tyre, dhe  si përmbyllje tregon vlefshmërinë tonë si komb.

Kështu është edhe Ekspozita e Grave të suksesit shqiptar-121 jetë në 121 foto.

Në këto ditë shiu të një pranverë që vonon të mbërrijë, të ditëve me një shi, që nuk dihet kur nis e kur pushon, ja kështu në këto ditë shiu gjëmëmadh,  kur politika grindet  më shumë se sa retë e këtij shiu të pabesë,  unë ndiej, ngazëllimin e  bukur  kur shoh  fotot e Zonjave shqiptare të realizuara mbi një ide të përbashkët : personalitet njerëzor dhe profesional !!!

Them se  në këto ditë të lodhura pranvere, ky grup zonjash simbol dhe përfaqësuese e disa mijëra zonjash shqiptare të suksesit kudo jetojnë, janë sfida e bukur e dilemës së një vendi Ballkanik, që troshitet e lind për t’u troshitur periodikisht me fajtorë që as denohen por edhe as ikin !!!

Them se 121 gratë se bashku, janë  janë shpirti i zbutur që duhet të kemi mes nesh aq të lodhur nga intrigat e shpirti i vockël e meskin plot lodhje për veten por shumë  për gjindjen që e rrethon !!!

Them, shpresoj e dua që kjo ngjaje e madhe  të jetë një buzëqeshje e bukur e kësaj pranvere të mjegullt nga retë !!!

Në fakt e besoj !!!

Po Ju ???

FTESË PUBLIKE PËR PROJEKTET E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR OJQ DHE INDIVIDË PËR VITIN 2019

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/Departamenti i Trashëgimisë Kulturore i fton organizatat e regjistruara si OJQ (sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asocimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar diaspora), si dhe Individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e Trashëgimisë Kulturore që të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet-idetë me karakter:

  • QASJA E INTEGRUAR NË TRASHËGIMINË KULTURORE,

DREJT ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM

  • PËRFSHIRJA E TRASHËGIMISË KULTURORE NË

PLANET ZHVILLIMORE;

  • PROMOVIMI I TRASHËGIMISË KULTURORE
  • EDUKIMI, AFTËSIMI DHE PJESËMARRJA AKTIVE NË

MBROJTJEN E TRASHËGIMISË KULTURORE;

2.  OJQ-të dhe Individët, në përputhje me këtë ftesë publike mund të aplikojnë me projektet/programet e tyre për promovimin e  Trashëgimisë Kulturore, në fushën e Trashëgimisë së Arkitekturore, Arkeologjike, të Luajtshme, Shpirtërore, Audio – Vizuale, Menaxhimit te Integruar dhe Turizmit Kulturorë.

3.  Vlera totale e planifikuar e ftesës është  100,000.00 mijë euro.

  • Shuma minimale e mbështetjes financiare për OJQ-të që mund të alokohet për çdo projekt është 1,000.00 Euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është  8,000.00 Euro.
  • Shuma minimale e mbështetjes financiare për Individë që mund të alokohet për çdo projekt është 500.00 Euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është  5,000.00 Euro.

4.  Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është  15 ditë pune dhe përfundon me datën                14 Qershor 2019.

5.  Kriteret e përgjithshme për OJQ-të:

Për t’u kualifikuar për mbështetje financiare publike, aplikuesit duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme minimale të përcaktuara me dispozitat në vijim:

  • të jenë të regjistruar si OJQ sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asociimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar diaspora;
  • të jenë të pajisur me numër fiskal sipas kërkesave të legjislacionit tatimor të Republikës së Kosovës, përkatësisht dokumentacionin ekuivalent sipas legjislacionit të shtetit përkatës për OJQ-në e huaj;
  • të kenë kryer të gjitha detyrimet nga mbështetja financiare paraprake, nëse kanë përfituar nga burimet publike të financimit;
  • të mos kenë pranuar mjete nga burime tjera të financimit për të njëjtat aktivitete; dhe
  • të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit, përkatësisht përfaqësuesve/udhëheqësit të aplikuesit dhe organizatës buxhetore apo institucionit publik, siç parashihet me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.
  • Vertetimin që OJQ-ja nuk ka obligime tatimore (nga ATK).

6. Kriteret e përgjithshme për Individët:

  • të kenë kryer të gjitha detyrimet nga mbështetja financiare paraprake, nëse kanë përfituar nga burimet publike të financimit;
  • të mos kenë pranuar mjete nga burime tjera të financimit për të njëjtat aktivitete; dhe
  • të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit, përkatësisht përfaqësuesve/udhëheqësit të aplikuesit dhe organizatës buxhetore apo institucionit publik, siç parashihet me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

Në rast të dështimit për të përmbushur ndonjërin nga kriteret specifike, aplikacioni do të konsiderohet i pa kompletuar dhe si i tillë nuk do të kualifikohet për mbështetje financiare.

7. Kriteret e vlerësimit:

Me rastin e vlerësimit të projekt-propozimeve, Komisioni do të vlerësojë me sa vijon:

  • a posedon OJQ-ja, respektivisht Individi, kapacitete profesionale për të kryer aktivitetet e planifikuara të projektit /programit (a kanë aftësitë e duhura dhe aftësitë për zbatimin e projektit, si dhe njohuri në lidhje me çështjet që trajtohen në këtë ftesë)
  • a posedojnë kapacitete të menaxhimit të mjaftueshme OJQ-ja (duke përfshirë personelin, pajisjet për të udhëhequr me projektin)?
  • a është i përcaktuar ekipi i projektit dhe detyrimet e anëtarëve të ekipit?
  • sa relevant është projekt-propozimi për qëllimet dhe fushat të ftesës publike (a ndërlidhet projekti me aktivitetet e parapara  me politikat e fushës, të cilat i mbulon ftesa publike?
  • a janë objektivat e projektit/programit të përcaktuara në mënyrë të qartë dhe realisht të arritshme?
  • a janë aktivitetet e projektit / programit të qarta, të arsyeshme, të kuptueshme dhe të zbatueshme?
  • a janë kostot e projektit/programit reale në lidhje me rezultatet specifike dhe kohëzgjatjen e pritshme të projektit?
  • a janë kostot e projektit në përputhje me aktivitetet e planifikuara të projektit/programit?

OJQ-të dhe Individët mund të aplikojnë me më së shumti  (1) projekt në kuadër të kësaj ftese publike.  Periudha e zbatimit të projektit është më së largu deri me 31 dhjetor 2019.

Të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë OJQ-të dhe Individët që dëshmojnë se programi i tyre i punës është i fokusuar në fushën e promovimit të kulturës. OJQ-të dhe Individët duhet po ashtu të kenë kryer transaksionet financiare në mënyrë transparente sipas legjislaconit në fuqi, në përputhje me rregullat e kontabilitetit, si dhe të kenë përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj ofruesit të mbështetjes financiare dhe të gjithë ofruesve tjerë të mbështetjes financiare publike.

Para nënshkrimit të kontratës, OJQ dhe Individi duhet të paraqesin prova se personi përgjegjës (menaxheri) në OJQ , respektivisht Individi ka zgjidhur çdo çështje të hapur rreth pagesës së kontributeve dhe tatimeve të papaguara, nëse është e aplikueshme.

Propozimet do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilat së bashku me Udhëzimet për Aplikantët, janë në dispozicion në web-faqen e MKRS-së: www.mkrs-ks.org.

Dokumentet e kompletuara duhet të dërgohen personalisht  ose me postë, në adresën e mëposhtme:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Sheshi Nëna Terezë; Zyra e Arkivës, Nr. 22; 10000, Prishtinë, Republika e Kosovës

Procesi i pranimit, hapjes dhe shqyrtimit të aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve, kontraktimi, dhënia e fondeve, koha dhe mënyra e parashtrimit të ankesave, trajtimi i dokumenteve dhe kalendari tregues i zbatimit të ftesës është i detajuar në Udhëzimet për aplikuesit.

Do të konsiderohen për mbështetje financiare vetëm projektet që janë pranuar brenda afatit të paraparë me këtë ftesë publike, të cilat i përmbushin plotësisht kushtet e përcaktuara të ftesës publike.

Të gjitha çështjet që lidhen me ftesën publike mund të sqarohen vetëm në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: [email protected]

Loja me alteregon

Albulena Krasniqi

Romani “Dushkaja”, i autorit Jusuf Buxhovi, është ndërlidhje paralele tematike ndërmjet historiografisë dhe anës shpirtërore. Këto dy çështje janë emblema e këtij romani bashkëkohës. Prozën e karakterizon narratori i gjithëdijshëm, i cili ngjarjen e rrëfen me procedim realist, duke specifikuar kështu vendin(atelien), ndjenjat e piktorit, e deri te konteksti kohor historik.

Në qendër të romanit kemi piktorin, një intelektual që është vazhdimisht në luftë me trazimin e brendshëm shpirtëror,shkaktuar kështu nga gjendja kritike, politike e vendit të tij. Vend ky, i dhënë me emër simbolizues në vepër : “Dushkaja”, që si titull, mund të merret si një toponim, metaforë, apo alegori, nëpërmjet së cilës autori mjeshtërisht paraqet edhe historinë e vendit në depresion. Periudha e vështirë në të cilën ky vend ndodhet, pasqyrohet mjaft mirë nga frazat e shumta në vepër.

“Po kameleonët?…Si ta zunë udhën kur ata me përshtatjen në përputhje me rrethanat nuk shqetësojnë kënd?…Shmangin ngatërresat e panevojshme, ndonjëherë edhe luftërat,madje..Me të tillë Dushkaja e harruar është plot e përplot…Janë hijeshia e saj…

Ata janë pjesë e mashtrimit më të madh me të cilin ndeshet bota.”

Në një botë pushtuar nga krimi, vrasësit me pagesë, si dhe ndërrimi i përhershëm i ushtrive, në luftërat pa mbarim, gjeneralët e pasluftës dhe komandantët e vetëshpallur, të cilët rrënojnë konceptin e lirisë, si dhe cubat, që me një fjalë nënkupton, tradhtarët e kombit.

Të gjitha këto dukuri, të ndodhura në “Dushkajën e harruar të mbushur me ferra e murriza”, vend, i cili në zemrën e piktorit, cilësohet i pastër,i pafajshëm.

Dialogu në vepër, zhvillohet ndërmjet piktorit, me “zërin”. Ky i fundit, është personazh fiktiv, që simbolizon ndërdijen e piktorit, e që ne lirisht mund të themi, se personazhi i veprës ndahet në dysh, pra, krijon alteregon e tij, duke e liruar nga vetja përbindëshin e mbyllur, gjatë gjashtëdhjetë viteve karrierë, si në agoni. Duke vendosur kështu, që ta lë të frymojë, dhe të lëvizë,e t’i kushtëzojë lojën “cicmic”, e cila artistit i shërben për të sfiduar veten në relacion me veten. Shoqërimi nga ky personazh, vjen në fillim të veprës, e qëndron deri në fund të saj, për ti shtuar kështu dramacitetin analizës së veprave artistike, si dhe shqetësimit krijues.

Kthimi në retrospektiv, ngarkon thellë psiken e piktorit, dhe loja që nga sytë e tij shihej si konceptim i luftës në relacion me zërin, përderisa vendos gurët në dërrasën e cicmicit, dilemat e veprimit të tij  zgjasin dhe janë çdoherë ndërmjet triumfuesit ose humbësit, por që loja, duhet patjetër të luhet, kusht ky, që i rikujtohej nga kundërshtari pa formë!

 Autori, nëpërmjet figurës së alegorisë, pasqyron qëndrueshmërinë e njeriut shqiptar, edhe përkundër dhunës e tmerrit të përjetuar. Pra, natyrisht, ky roman duhet të kuptohet më thellë, e jo në kuptimin sipërfaqësor të tij. Loja që detyrimisht luhet, figuron gjendjen e intelektualit shqiptar, i cili është pre e aparaturës shtetërore, e cila dhunon psiken dhe fizikun e atyre që nuk janë të gatshëm për bashkëpunim.

“Horri,horri!…Je mospërfillës!…Je kryengritës si gjithë soji i poshtër i krijuesve!…për këtë do ta paguash!… Mbas atyre çirrmave pashë grushtin e tij si mu afrua te hunda…Një unazë e madhe shkëlqente e gatshme të më qëllonte.”

Gjaku si element i  përdorur tejmase në vepër, shtron përpara historinë e një vendi, ku gjaku si njollë famëkeqe, ka ndjekur përherë popullin shqiptar. Dhe këtë periudhë kohore, e cila jepet numerikisht në vepër, përshkon periudhën afro një shekullore.

Ndërsa shkronjën A, piktori e vendoste në fundin e çdo vepre të tij, duke treguar kështu, se krijuesi ndodhej përsëri në fillim, ani pse e përfundon atë, njëkohësisht duke përshkruar kështu edhe natyrën e tij të padefinuar.

Ndryshimet e shpeshta të temperaturës trupore të artistit, ngërthejnë kuptimin alegorik, për gjendjen dëshpëruese individualo-kolektive të popullit tonë.

Buxhovi, kërkon dritën e lirisë, për popullin e Dushkajës, dhe mëkëmbjen e saj, nga e kaluara e errët historike, si dhe kërkon të fshihen gjurmët e së tashmes, të përfaqësuara nga motivet kameleonase.

Ky roman, ndërlidh mjaft mirë elementin historik me atë letrar, duke na dhuruar kështu realitetin e Kosovës së pasluftës, përmes gjuhës metaforike të autorit mjeshtër./KultPlus.com

“Dedicación”, albumi i parë në kitarë klasike nga Elvis & Gjulian Guitar Duo

Elvis e Gjulian Bytyqi kanë sjellë albumin e parë në kitarë klasike të quajtur “Dedication”, shkruan KultPlus.

Ky emërtim i këtij albumi ka edhe një ndjesi tjetër për Elvisin dhe Gjulianin, pasi që pikërisht këtë album ia kanë dedikuar babait të tyre Nijazi Bytyqit, i cili edhe i ka njoftuar me botën e muzikës.

“Ky album është fryt i punës, studimeve dhe sakrificave tona shumë vjeçare. Përveq vlerës së saj të madhe kulturore, ky album poashtu ka vlerë të madhe historike në fushën e kitarës klasike, pasi që është albumi i parë muzikës klasike kitaristike në Republikën e Kosovës, dhe si e tillë është shumë domethënëse për zhvillimin historik të kitarës klasike në Kosovë, prezentimin e saj jashtë shtetit, si dhe promovimin e vlerave kulturore të Kosovës nëpër botë”, kanë njoftuar kitaristët shqiptarë.

Producentë të këtij albumi janë Armend Xhaferi dhe Pëllumb Ballata , nga studio “HOMEBASESOUND” në Prishtinë, kurse Nok Selmani ka realizuar fotografitë në studio.

Kitaristët shqiptarë kanë njoftuar se albumi së shpejti do të del në shitje në pika të caktuara në Kosovë, sikurse që do të jetë e disponueshme edhe në platformat:  Spotify, Deezer, ITunes, Youtube music, Amazon mp3, etj./KultPlus.com

“Sfinga e gjallë”e Blerta Neziraj kërkon drejtësi për të vrarët politik

Alberina Haxhijaj

Regjisorja Blerta Neziraj, shfaqjet e të cilës publiku është mësuar që ti shoh nëpër skenat e pavarura të teatrove në Prishtinë, mbrëmë, është paraqitur për herë të parë si regjisore edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Neziraj përmes shfaqjes “Sfinga e gjallë” dëshmoi se do të ketë një jetë të gjatë si regjisore në skenën e TKK-së, shkruan KultPlus.

Shfaqja me regji të Blerta Neziraj, jetësoi dramën e shkruar nga shkrimtari Rexhep Qosja. Një tekst goxha i guximshëm i cili është në funksion të idesë dhe jo të personazheve, i shkruar në vitit e 70-ta e që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe. Po aq i guximshëm është edhe koncepti regjisorial dhe rimodifikimi që i është bërë kësaj drame.

“Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë. “Vrasjet politike” janë në fokus të kësaj shfaqje e cila sjellë gjendjen absurde të politikës në Kosovë. Sipas Qosjes koncepti regjisorial i regjisores Blerta Neziraj e ka pasuruar dramën e tij.

“Këtë vepër e kam shkruar në vitin 1972-1973. Këtu kjo dramë e imja është pasuruar shumë më shumë, është shumë më e pasur sesa ka qenë atëherë kur e kam shkruar. Jam shumë i kënaqur me regjisoren, shumë e zonja dhe shume krijuese, po ashtu edhe me aktorët”, tha ai.

Rreth 20 vite larg nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje ‘politke’ të bëra pas luftës nuk janë zbardhur. Mirëpo 20 vite pas, përmes teatrit kjo shfaqje ngre zërin në kërkim të drejtësisë dhe u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës. Sipas regjisores Neziraj, i takon asaj si regjisore që teatrin, vendit të cilit edhe i takon ta kthejë në një platformë ku mund të zhvillohen diskutime të tilla.

“Kur nuk ka stabilitet politik në një vend, mendoj që ne si artistë ish dashtë me bo thirrje për drejtësi dhe me ju dhënë zë viktimave. Siç edhe e patë, kjo shfaqje ju dedikohet këtyre të vrarëve, familjarëve të tyre, ju jepet një zë tjetër. Teatri është i gjallë, ndodhë një herë dhe nuk përsëritët më, pavarësisht pse është shfaqja e njëjtë. Në thelb teatri për mua është politikë. Për shkak të gjendjes tonë, mendoj që si artiste për të bërë protestë nuk duhet të shkojmë në rrugë domosdoshmërisht,  po mundem të kryej punën time këtu në skenë”, theksoi ajo.

Për më shumë se dy muaj i gjithë ekipi i kësaj shfaqje kanë shkëmbyer ide. Sjelljet e tyre kanë bërë që drama e Qosjes të vjen para publikut e “ri-vizituar’ me shkrime e citate goditëse, po të Rexhep Qosjes, por edhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës. Përtej kësaj, e veçanta e kësaj shfaqje është se krijon edhe një rrafsh real. Çdo mbrëmje nga një anëtar i familjes së vrarë do të sjellë në kuadër të shfaqjes rrëfimin e tyre. Në premierën e shfaqjes, rrëfimin sesi e kanë vrarë babën e saj (Xhemajl Mustafën), e solli Beriana Mustafa.

“Imagjinoje veç një gjë, me jetu për 19 vjet, 20 vjet me një pikëpyetje në kry. Kush e boni? Çdo ditë, çdo sekondë të jetës sate, herë më shumë e herë me pak. Pra me një intensitet të ndryshëm në kry me qarkullu pyetja: kush e boni, pse? Me i shiku njerëzit me dyshim për 20 vjet, mos e boni aj e mos e boni ky, e gjyqësia mos me e pas guximin se është e dirigjume prej politikës me e thonë veç një fjalë, me shku me e arrestu dikon për vrasjen e Xhemajlit e për vrasjet e shumë të tjerëve, kjo ndodh veç në Kosovë”, janë fjalët e Beriana Mustafës, pas të cilës fillon përsëri loja e aktorëve me fjalët “Shteti nuk vret vetëm me plumba” nga aktori Adrian Morina.

Xhemajl Mustafa (ka lindur më 23 gusht 1953 – vdiq me 23 nëntor 2000). Ishte gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i Presidentit Historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova dhe anëtar i LDK-së. U vra mizorisht në Prishtinë në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan. Sipas regjisores, pikërisht kjo pjesë e shfaqjes ka qenë shumë e rëndësishme pasi që ajo ka dashur që të sjellë një moment real.

“Në teatër e ndërtojmë një rrafsh tjetër fiktiv me të cilin shumë shpesh dalim prej sallës edhe vazhdojmë me muhabete të rëndomta pasi që nuk e prekim thelbin e asaj se çka realisht ka ndodh. Për mua ka qenë me të vërtetë e rëndësishme me e pas një moment real për shkak se po flasim për një situatë e cila na përket neve edhe po shpresoj që këto vrasje sa më shpejt kanë me u zgjidhë”, theksoi ajo.

Në anën tjetër regjisori dhe kritiku, Fadil Hysaj theksoi për KultPlus se nëse teatri nuk ka guxim me e fol të vërtetën nuk ka arsye me ekzistu. Sipas tij, kjo shfaqje në shumë aspekte e sfidon një realitet edhe historik edhe politik edhe i kyç artistët në një tematikë për të cilën mjerisht ata s’kanë guxuar deri sot me u shpreh në mënyrë kaq shokuese, me një guxim artistik dhe intelektual.

“Mendoj që në çfarëdo aspekti trajtimi i një temë e cila është e ndrydhur me vit, për të cilët shqiptarët flasin por jo në jetën publike, mendoj që e gjithë ajo energji e akumuluar për këto 20 vite e merr një trajtim artistik, vërtet superior, të jashtëzakonshëm, shokues në kuptimin edhe politik edhe artistik. Mendoj që ky lloj teatri i bënë një nder Kosovës, krijon shpresë që ky vend ka të ardhme pasi që po vjen një brez që guxon me fol, me vepru, me u ballafaqu edhe me të kaluarën çfarëdo qoftë ajo dhe sidomos me të vërtetën. Nuk ka kërkush monopol të vërtetës, sidomos në kuptimin e trajtimit artistik ekziston gjithmonë liria krijuese, kreative që e lejon artistin me shku deri në pakufi, po gjithmonë me një synim, të vihet në pah nëse kurrgjë tjetër e vërteta emocionale. Mendoj që kjo shfaqje, Rexhep Qosjen e kthen në një dimension të ri, i jep një vitalitet të ri, mendoj që është një lloj binomi, Rexhep Qosja dhe Blerta Neziraj”, tha ai.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati, Dukagjin Podrimaj. Aktori Adrian Morina u shpreh se ka qenë kënaqësi që kanë pasur për bazë të kësaj shfaqje tekstin e shkrimtarit të njohur Rexhep Qosja. Morina beson që përmes kësaj shfaqje ata kanë arritur që të hapin një debat në lidhje me vrasje politike të bëra në Kosovën e pasluftës.

“Nëse kisha dashtë me veçu diçka te ky teatër i angazhuar, të ky teatër politik që e kam shumë për zemër, është që më vjen mirë që ma në fund pas 20 viteve,  në qoftë  se politika nuk ka mbërri me fol, nëse drejtësia nuk ka mbërri më fol, për të gjitha vrasjet që kanë ndodh pas luftës – kemi marrë guximin që përmes teatrit apo duke e shfrytëzuar teatrin si një mjet me komuniku me publikun dhe me i thonë ato që janë”, u shpreh ai.

Repriza e parë e shfaqje “Sfinga e gjallë” do të jetë sonte duke filluar nga ora 21:00 në TKK./ KultPlus.com

Letërsia filobiblike sipas studimit “Testamenti” të Sabri Hamitit

Teuta Hoxha Morina

Studiuesi Sabri Hamiti shquhet për studimet e tij në fushën e letërsisë shqipe, por edhe për shkrimet në lëminë e kritikës letrare. Një qasje studimore përmbledhëse me shkrime kritike për letërsinë shqipe është libri “Testamenti[1] i këtij autori. Ky studim ndahet në tri pjesë: lirika shqipe, leksione, testamenti. Ne do të merremi më shumë me pjesën e fundit të këtij libri, pra me pjesën e tretë testamentin, me ҫ`rast autori në fjalë paraqet fazat kryesore të zhvillimit të letërsisë shqipe. Fillimisht, duhet të theksojmë se letërsia shqipe ka katër periudha të zhvillimit të saj: letërsia e vjetër shqipe (shek. XVI-XVIII), letërsa e rilindjes apo romantizmi shqiptar (shek. XIX-XX), letërsia moderne shqipe që zhvillohet ndërmjet dy luftërave botërore, më saktësisht gjatë viteve 1912-1945, si dhe letërsia bashkëkohore shqipe që nis pas vitit 1945 e vazhdon deri më sot. Ndërkaq, Letërsia e vjetër shqipe përfshin katër faza zhvillimore: I. letërsinë filobiblike, II. letërsinë e bejtexhinjëve, III. letërsinë e Voskopojës, IV. humanizmin shqiptar.

Letërsia filobiblike

            Kjo fazë e letërsisë së vjetër shqipe shënon një kthesë identitare dhe kulturore, për shkak se paraqiten zhvillime të mëdha në fushën e letrave shqipe, përkatësisht kemi shkrimet e para të dokumentuara në gjuhën shqipe gjatë shekujve XVI-XVII. Pikësynimi i filobiblikëve ishin librat me karakter fetar (biblik), meqë vetë emërtimi filobiblike, me prejardhje nga greqishtja ka kuptimin dritë mbi Biblën. Mirëpo, përveҫ botimit të librave fetarë, për filobiblikët shihej si e domosdoshme të përktheheshin tekstet fetare, me qëllim që të përhapnin dijen për fenë, njëkohësisht të përmbushnin nevojat e shumë besimtarëve të asaj kohe.

            Sipas S.Hamitit (2018:241), kundërreformacioni shënonte programin e kishës universale të Romës, parashihej që interpretimet fetare të bëheshin nëpërmjet gjuhëve kombëtare. Zhvillimi i gjuhëve kombëtare përdorej si mjet për të mbajtur popujt më afër katolicizmit-kishës. Gjithashtu, kjo reformë paraqiste betejë mendore kundër luterizmit dhe islamizmit në vendet ku këto lëvizje rrezikonin katolicizmin. Si rrjedhim i këtyre rrethanave me karakter religjioz, pati ndikime edhe për fushën letrare- letërsinë. Ndonëse u shkrua kryesisht letërsi e klerit katolik, e cila u zhvillua në rrethin e Shkodrës dhe te arbërshët gjatë shekujve XVI- XVIII. Megjithëkëtë, letërsia që u shkrua nga filobiblikët, përveҫ tematikave religjioze (fetare), kulturore biblike, u plotësua edhe me elemente historike për popullin shqiptar. Po ashtu, kishin shkruar edhe libra jofetarë të tipit të fjalorëve, si dhe ishin shfaqur përpjekjet e para për mbledhjen e folklorit (folkloristikën). S.Hamiti[2], lidhur me shkrimet e letërsisë filobiblike vlerëson se “shkrimet filobiblike janë shkrime me karakter identitar që ndërlidhen edhe me nivelin e shqipes së tyre, si gjuhë e formuar kishtare në konceptet themelore, e mbështetur në fjalor me frymën e jetës material të shqiptarëve.” Pra, duke qenë se kemi të bëjmë me shkrime të zotëruara nga karakteri doktrinar i krishterë, kryeisht me tematikë e kulturë biblike, aty- këtu të plotësuara me elemente historike, marrin cilësimin  e karakterizimin e letërsisë filobiblike.

            Si përfaqësues i letërsisë filobiblike është Jul Variboba, i cili shkroi librin “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” (1566), pastaj kemi Lekë Matrëngën, me librin e tij “E mbësuame e kërshterë” (1592), brenda të cilit është shkruar një poezi katër vargëshe që merret si poezia e parë në shqip. Gjatë kësaj periudhe janë edhe veprat e para të botuara në gjuhën shqipe: “Meshari” (1555) Gjon Buzuku, “Doktrina e Kërshtenë” (1618), “Rituali roman” (1621), “Pasëqyra e t`rrëfyemit” (1621) të Pjetër Budit, “Cuneus prophetarum” (Çeta e profetëve) e vitit 1685 e Pjetër Bogdanit, si dhe dy veprat e Frang Bardhit  “Dictionarium latino-epiroticum” (Fjalori latinisht-shqip) i vitit 1635, “Skënderbeu” (1636), e cila është provë argumentuese e historike për kujtesën shqiptare; njëherit vazhdimësi e librit themeltar të letërsisë dokumentare dhe identitare shqiptare “Historia e Skënderbeut “ shkruar nga Marin Barleti gjatë viteve 1508-1510.[3]

            Veprat e lartshënuara krijojnë një lëvizje mendore dhe një ndërgjegje kulturore, ndërkaq autorët e këtyre veprave krijojnë një periudhë të shkrimit të gjuhës e letërsisë shqipe. S.Hamiti[4], këto vepra filobiblike i konsideron si përpjekje për të hartuar letërsi origjinale. Prandaj, autorët e tyre të letërsisë së vjetër shqipe të shekujve XVI-XVII, përkatësisht filobiblikët shquhen si protagonistë kulturorë e shoqërorë, (edhe si prijës e udhëheqësh rebelimesh: Bud, Bogdani). Kurse, në nivelin e autorësisë krijuese dallohen si përkthyes: Buzuku e Matrënga, e të nivelit hartues të shkrimeve origjinale janë: Bardhi, Budi e Bogdani.

Sipas S.Hamitit[5], shkrimtaria e tyre kalon nëpër nivelet e shkrimit doktrinar fetar, në atë dokumentar historik, si dhe në atë filozofik e letrar. Sipas tij, bazuar nag pikëvështrimi letrar poezitë e Budit janë indikative (dëftore), me ndërthurje tregimtare dhe mbështetje në gjuhën e folur- popullore, ndërsa poezitë e Bogdanit kanë brenda ndërgjegjen e formës letrare dhe mbështeten në ligjërimin alegorik e simbolik. Ndërkaq, shkrimet filologjike e historike të Frang Bardhit kanë disiplinën e provave, të diskutimeve e të natyrës vërtetuese- shkencore. Këta autorë janë krijues të një periudhe të parë të letërsisë shqipe sipas Çabejt, referuar nga studimi i S.Hamitit.[6]

Çeta e profetëve(Cuneus prophetarum) e Pjetër Bogdanit

Bogdani i përket grupit të filobiblikëve që krijuan shkrime origjinale, i cili shkroi edhe poezi simbolike dhe alegorike. Vepra, me të cilën përfaqëson shkrimet origjinale, njëkohësisht edhe përfaqësuese e korpusit të tij është    Çeta e profetëve”e botuar në vitin 1685 në Padovë të Italisë, pas shumë pengesave nga Vatikani, madje ishte ndaluar në vitin 1675.

            Kjo vepër i përkushtohet kardinalit Barbarigo dhe ndahet në dy pjesë: e para flet për krijimin e botës, profetëve dhe sibilave, kurse pjesa e dytë flet mbi jetën e Jezu Krishtit- jetën, vdekjen dhe ringjalljen e tij. Vepra në fjalë është libri i pare original në shqip dhe njëri ndër më rigorozët deri më sot sa i përket strukturës tekstore, shkruar në dy shtylla, në dy gjuhë: shqip-italisht. Qysh në parathënien e veprës Bogdani shpreh qëllimin e tij kryesor; shkrimin e gjuhës shqipe dhe teksti i tij ka mbështetje filozofike, elemente tregimtare në prozë, ndërsa poezitë I klasifikohen në tri grupe: poezi të krijimit, të sibilave dhe të përkushtimit.

            Sipas S.Hamitit[7], me këtë vepër Bogdani, të cilën e cilëson kanonike, provon e jep argument të burimeve kishtare, filozofike e poetike. Referencat poetike i merr nga letërsia e vjetër greke (Homeri), latine (Virgjili), kurse referencat filozofike te filozofi antik (Aristoteli) e te filozofi i krishterë (Augustini). Sipas tij, kjo prove dhe argumentim i shkrimit kanonik-katolik e cilëson Bogdanin si njohës të mirëfilltë të botës dhe prodhues të tekstit autorial që përfshin tri nivele: doktrinar, njohës e poetik. Këtë teori e dëshmon edhe praktikisht me strukturën e veprës, veҫanërisht me pjesën e parë. Pas shkallës së parë mbi krijimin e Njeriut, shkallës së dytë- krijimin e Qiellit, shkallës së tretë- krijimin e zbulimin e profecive, si dhe shkalla e katërt është e tërë bota poetike e Bogdanit që lidhet me shkallët paraprake. Bogdani, duke trajtuar procesin e krijimit hyjnor dhe duke artikuluar (nyjëtuar) procedurën e ligjërimit hyjnor e vë veten në shkallën e sprovimit të rëndë të identifikimit të Krishtit Hyj e të Poetit. Kështu, ai gjen figurën e mesme kalimtare të Sibilave, me të cilat mund të identifikohet me status të krijuesit e të moralitetit: si thënës e pasthënës me status të kërkimit të shenjtnisë në botën e njeriut të pastër e të drejtë- të vërtetë. Në fakt, Kankët e Sibilave mbyllin strukturën e doktrinës, për të hapur strukturën e re- Një Jetë të Njeriut (Jezuesit) që parathotë doktrinën e re.

            Si përfundim, veprën “Çeta e Profetëve” me titullin original “Cuneus prophetarum”të Pjetër Bogdanit, studiuesi S.Hamiti[8] e paraqet si traktat teologjik e filozofik, si kryevepër të letërsisë shqipe filobiblike, të cilën autori e shkroi në tri gjuhë: shqip, italisht e latinisht. Studimi i trigjuhësisë së tij paraqet hyrjen thelbësore të studimit të strukturës së veprës dhe ideologjisë së Bogdanit.


[1] Botuar nga ASHAK, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, më 25 tetor 2018

[2] Po aty, fq.241

[3] Po aty, fq.249

[4] Po aty, fq.342

[5] Po aty, fq.342

[6] Po aty, fq.342

[7] Po aty, fq.17

[8] Po aty, fq.250,251