Piu edhe një gllënjkë kafe me vështrimin përtej xhamave… -Hëm…jetë, jetë në pauza… Ka kohë thua, jeta êshtë e gjatë, ka kohë të bësh dashuri. Natën e mirë do bëjmë nesër… Ka kohë do shkoj herën tjetêr në kinema dhe për kafe, një herë tjetër…dhe një xhiro e premtuar..nesër..
Dhe koha tjetêr ikën dhe mbetet…koha e pritjes… Ikën ditët, javët….vitet…. Dhe koha rrjedh … Rriten fëmijët ti zvogëlohesh… Të gjitha nisin zvogëlohen, mbrëmjet në perëndimin e diellit… dhe ato në shi..
-Fliste pa e pyetur i menduar…. -Përherë i premtoj vetes i premtoj asaj… Një të sotme më të bukur se e djeshmja.. por prap asgjë nuk ndryshoj, të njëjat vazhdoj… Kjo sjellje tani më vë në mendime… të thotē që është e dhimbshme të bësh dikë të besoj. Të pres me shpresë të ndryshosh se do të vazhdosh të jesh gjysma e ëndërruar… -E vështroj pa e ndërprerë thjesht dëgjoj.. -Dhe gruaja mërzitet,fëmijët presin akoma kineman e premtuar. Koha ecën në çdo sekond të saj, ti zvogëlohesh…
Tani çuditesh me veten që dje këto nuk i kuptoje.. Por sot… Sot….është tepër vonē koha nuk të pret. Ndoshta ky është dënimi i saj për ty,, pendesa … Koha ka afatin e saj,,,ne nuk e shikojmë… Hëm …. -Mori frymë thellë dhe vazhdoi sërish… -Dhe ja vjen një ditë ku të gjitha mbarojnë. Jeta…në pauza kohe…Një çast… Mbaron dashuria dhe e dashura, rriten fëmijët ti bëhesh fëmi.. Plaket gruaja dhe ja thinjat tani …. Është vonë për pauza…. Jeta një përplasje qepallash në kohë. Nesër është vonë ,vetëm sot dhe tani.. Por kjo tani,tashmë mbaroi..
Bashkë me të dhe koha ime po mbaron në matêsin e saj po shkasin kokrrat e fundit të rërês.. E di ç’farë miku im? Lëre të djeshmen të iki, por jo të sotmen. Atë jetoje mos gënje veten me nesër.Ka vetëm sot… Jeto kohēn e ndarë në pauza ,fal shpirtin mos e kurse… …… Thuaj të dua, lëre dhe salcën të bjerë mbi këmishën tënde të shtrenjtë. Nuk është fundi i botës të të shikojnë me çudi në restorant për këtë…. Fundi është refuzimi i ndjenjave, mosvlerësimi i kohës atëherë kur duhej… Kaloi jeta në pauza sikur të ishte dje.. Këto shiko miku im mos të pendohesh nesër…. -Mori kapelen e rrumbullakët e rregulloi me gishta rreth kokës. Buzëqeshi më rrahu supet dhe shkiti si hije jashtë….
Baba hapi një gropë të madhe në fund të oborrit. Aty i futi librat dhe dokumentet. Nana po i rrinte te krytë duke i thënë se ato do t’i dëmtojë lagështia. Punë e madhe- tha ai. Nuk garantoj as për vete a do të jem gjallë e po lodhem për libra. T’i shpëtojë fëmijët- tha. O kumt i trishtshëm. Aty e mora vesh se ishim shumë të rrezikuar.
Po duket si varr i hapur rishtas, – tha nana. Ishte kohë kur po flitej për varreza masive. Më shkoi buza në gaz. Ne në oborr e kemi një varrezë masive- varrezë masive librash.
Babës i ishte ngjitur lloqi për kambësh. Po binte shumë shi. Ngjitja e lloqit ishte si ai momenti kur je mërdhirë e në trup e ndinë lagështinë që ta krijon cikli menstrual. Oh çfarë ndjenje është. Ishte shumë shpërfillës ndaj librave dhe me qejf do t’i digjte ato. Këtë do ta bënte sikur të kishte guxim. Tymi ishte shenjë për snajperista. Do ta vrisnin në vend. Gropa ndonëse e vështirë për t’u hapur dukej si zgjidhje më e mirë.
Ishte i përhumbur. Hynte në gropë e dilte pa e ditur, pa e kuptuar se nervoza e kishte mundur. Djersët bashkë me shiun që e kishin bërë qull i shkonin nëpër fytyrë. Sytë e tij të gjelbër e kishin humbur shkëlqimin. Dokumentet që i dukeshin të parëndësishme i shqyente aty për aty. Bërtiste dhe shante më nanë. Por kë. Ato libra i kishte blerë vetë. Dokumentet ishin të shtëpisë, të neve, të gruas së tij, prandaj ku e merrte nevojën për të sharë, për të mallkuar. Kë ta mallkonte, atë që s’e kishte menduar. Pse s’e kishte menduar, a nuk duhet njeriu të mendojë edhe gjëra të tilla. Apo të mendojë, oh votrën e nxehtë, aty ku e ke një grua që e don shumë e që është shumë e mençur, fëmijë të mirë e të dashur. Kjo është idealja. Jo baba nuk është dashur kështu. Nuk është dashur të besosh se jeta është të dëgjuarit rok, të lexuarit libra, rregullimi i oborrit për qejfin tënd, atë oborr që sot je duke e shkatërruar pa e ditur se çfarë je duke bërë.
Në mëngjes po pastronin shtëpinë nga të gjitha librat dhe dokumentet në gjuhën shqipe. Jo të përkthyerat, ato po i linin aty. I kishte kapur panika. Nuk mërziteshin shumë që po e lënin rrëmujën mbrapa. Kur i mbushën thasët e pashë që në tokë po qëndronin Kafka, Shileri, Gëte, Shekspiri, një novelë e Dostojevskit, edhe Odisea e Homerit, më duket kishte mbetur. Nuk jam shumë e sigurt. Të gjitha të shkapërderdhura. Duheshte një orë për t’i sistemuar. Për t’i rënditur më mirë të them. Sepse askush nuk kishte më durim që veprat e një autori t’i rëndiste në një anë e të një tjetri në anën tjetër. Apo që librat të ishin të një formati sepse dreqi e marrtë edhe ato kur vendosën e meritojnë njëfarë hijeshije.
Baba me don shumë. Kur mu afrua mi pa rrathët e zinj nën sy. Isha topitur. Trupi më ishte mpirë, shpirti më lëngonte. Një libër të vetëm s’mund ta mbaja në dorë. Po i rregulloja pa qejf. Ai nuk u mundua shumë. I bëri grumbull ato. Desha t’i pyesja se pse i varrosën. Çfarë kishin. Ku ishte dallimi. Kafka e Dostojevski nuk do t’na rrezikonin?. Pale Dostojevski ishte rus. A e kishin menduar kështu. Kishim në shtëpi ndonjë amerikan- apo amerikanët nuk shkruajnë mirë. Nuk kanë shpirt në të shkruar. Rusët po. Ata janë të tjerë. Vuajtja e tyre është e tjetër natyre. Fije Bari. Ah, kjo po. Titulli- Fije Bari. Autori- Walt Whitman. Amerikan.
Eja, tha Shpirti im, Të tilla vargje për Trupin tim të shkruajmë, (se ne jemi një) W.W.
Jemi një? Jo tani nuk mund të mendoj gjëra të tilla. Nuk mund të mendoj për trupin dhe shpirtin tim. Tani e kam mendjen te varreza. Nëse jemi gjallë a do të mbijnë ato. A do të bëhet bahçja jonë një kopsht më libra. I varrosëm, nuk i mbollëm. Po sikur të diskutohej dhe vendimi për varrosjen e tyre mos t’merrej vetëm nga dy vetë. Pse e merrnin barrën për gjithçka. Pse. S’dua në këto fjali të përdorë as pikëpyetjen. Jo, sepse ishin ata që çdo mëngjes e vënin ekzistencën tonë në pikëpyetje duke bërë gjëra të tilla. Duke hapur varre. Duke i vendosur gjërat me vlerë aty. Para, ari, enë s’di çfarë tjetër. Po të kishin mundësi do të hapnin të tilla gropa për neve. Për ta hequr një barrë. Për t’ mos u çmendur./KultPlus.com
“Koncert Winterromantik“ apo Koncert romantik dimëror” është titulluar koncerti që ka prezantuar dy artiste të suksesshme, pianisten kosovare Lule Elezi dhe mezzosopranon gjermane Brigitte Bergmann e cila është mezzosoprano në Operën gjermane të Berlinit , shkruan KultPlus.
Koncerti që është organizuar nga fondacioni
“Hoeck” dhe u mbajt në Pallatin e Përrallave “Märchenvilla“ në Eberswalde, afër Berlinit ka
prezantuar program të pasur, ku pianistja Elezi luajti gjysmën e
programit vepra solo për piano dhe gjysmën tjetër të programit
e ka shoqëruar në piano mezzosopranon Brigitte Bergmann.
Lule Elezi është prezantuar me me vepra të: L.v. Beethoven, Puçini, Bizet, Camille Saint- Sans, etj…, koncert që është vënë në pah edhe nga mediet gjermane e që është pritur me duartrokitje të gjata.
Lule Elezi do të paraqitet me koncert përgjatë muajit shkurt, në Strasbourg të Francës. E njëjtja është mjaft prezente me koncerte të shumta në Evropë e më gjerë, por paraqitjet më të shpeshta të saj vazhdojnë të jenë në Gjermani./KultPlus.com
Në industrinë shqiptare të modës, një emër që po fiton çdo ditë e më shumë terren është Fjolla Nila.
Së fundmi, punën dhe kreacionet e Fjollës i kemi parë përmes fotografive të mrekullueshme që di t’i bëjë fotografi Endrit Mërtiri i cili përmes bukurosheve Dorina Gegiçi, Alesia Noka, Oriola Marashi ka vënë në pah kreativitetin trendi të Fjollës.
Përveç kësaj, puna e stilistes kosovare u bë e njohur edhe në një treg masiv – atë të Indisë me mbi një miliard banorë. Kreacioni i Fjollës u besua nga aktorja e njohur e Bollywood-it, Aishwaraya Rai.
https://www.instagram.com/p/BtG-7holzTG/
Fustani i punuar nga Fjolla ka qenë më i pëlqyeri i natës duke u cilësuar si më i miri edhe nga mediumet më prestigjioze të Indisë të cilat vunë theksin tek bukuria e aktores së njohur që shpërfaqej më së miri në kreacionin e Nilës./ Insajderi/ KultPlus.com
Të dashura nana, kohë pas kohe unë ju shkruaj duke hequr nga supet petkun e profesionistes, ju drejtohem si nanë, gjyshe e vjehër.
Duke qenë se jam në biseda të përditshme me nana nga Kosova atëherë marr shkas të bëjë apel te masa për probleme të ndryshme.
Janë disa nana që më pyesin se si të i’a bëjnë me edukimin e fëmijëve, si të i’a bëjnë kur ato janë personi i fundit të cilin fëmija duhet ta pyes për diçka .
Unë gjithmonë ju them se profesionalisht nuk kam asnjë komptencë për të folur për gjëra të tilla, është çështje që nuk ka të bëjë me profesionin tim, prandaj sot po ju them këtu atë që unë e mendoj dhe e ndiej.
Nuk ekziston një njeri që ka dhe duhet të ketë më shumë autoritet mbi fëmijën se nana. Është jo normale që një fëmijë të edukohet nga ata që nuk e kanë sjellë në jetë përderisa nana është gjallë e shëndetshme dhe e aftë për ta edukuar.
Unë them se as brenda çiftit nuk duhet të ketë qëndrime të ndryshme që e bëjnë fëmijën të krijoj simpati për një prind më shumë se tjetrin.
Është shumë normale që fëmija ta dojë atë që e lejon të bëjë çka t’i dojë qejfi, prandaj është me rëndësi që të edukohen të gjitha gjeneratat në ketë drejtim dhe të kuptohet qartë se roli jonë si gjyshër është t’i duam e ndonjëherë të kujdesemi për nipat e mbesat tona por asnjëherë të marim rolin e edukuesit duke përjashtuar prindërit e veçanërisht nanën.
Kur nana i thotë JO fëmijët për çkado qoftë ajo duhet të mbetet JO, është shumë me rëndësi që fëmija të rritet duke e ndierë dashurinë por edhe autoritetin e prindërve të vet.
Ajo që nuk kuptoj është që kur nana dëshiron të krijoj autoritet ajo është e keqe, kur fëmija bëhet i paedukuar atëherë nëna është fajtore, prandaj ju lutem të gjithëve edhe bashkëmoshatarëve të mi shijoni ditët e bukura me nipa e mbesa e kuptoni rolin tuaj. Ju jeni aty për të dhënë dashuri e jo për të marrë vendime./ KultPlus.com
Konsiderohet të jetë një ndër festivalet më të rëndësishme në Evropë, dhe pikërisht në këtë festival janë selektuar dy filma të metrazhit të shkurtë nga Kosova, shkruan KultPlus.
Filmat “Ajo” e More Raçës dhe “Në mes” nga Samir
Karahoda janë pjesë e festivalit Tampere Film Festival, që është festival i
kategorisë A.
Edhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku e ka konsideruar sukses të madh këtë pjesëmarrje të filmave të Kosovës në këtë garë të madhe, që mbahet përgjatë muajit mars./KultPlus.com
Musine Kokalari një nga personazhet e njohur të letrave, nuk i ka fshehur emocionet e bukura në letërkëmbime që ka pasur me mikeshat e saj. Një prej tyre është dhe historia me djaloshin italian gjatë kohës së studimeve në Itali. Një nga miket e saj më të mira ishte Selfixhe Ciu, me të cilën ndau kohën e ëndrrave rinore. Shqiponline sjell për herë të parë për lexuesin një letër që Ciu ia ka dërguar Musinesë më 3 shtator 1938-të, dhe një pjesë ku ajo flet për dashurinë platonike mes Musinesë dhe djaloshit izraelit me emrin Pattak.
Durrës plazh, 3 Shtator 1938
Musine e dashur.
Kam ditë që pres ndonjë letër prej teje, tani m’u mbush dhe
po të shkruaj. Besoj të kesh kohë sa për ta lexuar letrën time.
Me shëndet jam mirë, sado që nuk kam ndonjë efekt të dukshëm as edhe në peshë,
por mjafton që nuk ndjej atë dobësi e lodhje që ndjeja më parë. Mbase do ta
kaloj mirë dimrin. Vete me shpresë. Që thua zotrote, sot po përcillnim Shemsinë
pas disa ditëve të kënaqshme që kaluam, sidomos këto ditët e fundit na ka
mbjellur farën e gazit dhe s’mbahemi dot më. U shkulëm së qeshuri. Mbrëmë ishim
në kafe dhe vetëm të qeshurat na detyruan të ngrihemi.
Nuk e di se ç’na kishte hipur. Por malum, i madhi i shtëpisë
mungon, nëna nuk bën fare fjalë, kështu që në familje kemi stabilizuar
Republikë Popullore. S’ka diktator. Vetë zotër e vetë shkopër. Është e para
verë që e kalojmë kaq mirë. Gjithë natën jashtë. Ditën themi
anekdota, të cilat i kam ruajtur mirë t’i përrallisim në udhëtim
e sipër, atëhere do të na duken më të bukura. Në këtë shoqëri të përditshme e
të përnatshme kishim edhe zonjat Plumbi e Gjokoreci; lere se ç’ka vajtur. Që
thua, puna më kryesore është se nga xhepi kemi Shemsinë shumë bujar këtë vit. E
po helbete, njeri me titull. Dje i përcollëm zonjat që na shoqëronin e sot
Shemsinë.
Po mbetemi vetëm dhe kemi për ta ndjerë mungesën e shoqërisë së
tyre të çmuar, po ç’ka, Shemsiu do të vijë ndonjë natë kur të kthehet nga
Shkodra. Dhe zonjat Mila e Ollga besoj që do t’i takoj prapë në Tiranë se më
kanë dhënë adresat. Dje i shkruam një letër Andreas së bashku me Shemsinë, i
cili iu përgjigj urimeve të Vitit të Ri, që i kishte dërguar Andrea dhe të
tjerëve me rradhë. I shkroi një letër që ç’të të them, nuk do ta këndojë dot
rehat. Nga Pavlina kisha një letër të gjatë si dhe një fotografi të sajën dhe
të Irinit. Kasua ka kthyer shumë mirë me shëndet, ka shtuar 4 kile, deshi të
vinte një herë nga dyqani, se i kisha shkruar, po nuk pati rast se u nis
shpejt. Ditarja mbeti edhe një javë akoma për arsye se Lemani akoma s’ka
lindur.
Ne kemi ndërmend të qëndrojmë këtu deri në 15 e pastaj vimë në
Tiranë, ku duhet të bëj ca përgatitje. Deri më datën 20 të ikim me doemos. Si
thua, Musine? Hasua më mori trikon, të faleminderit për leshin. Do të vi në
Tiranë dhe besoj të kalojmë disa ditë të mira aty, apo jo? Do të gjejmë rast të
shëtisim, të bisedojmë, të grindemi dhe të qeshim. Dëgjon? Të qeshim. Sa shumë
ke për të qeshur ti Musine. Po Glikon aty e kam? Sa mirë
do të jetë që të ndodhemi të trea, të shëtisim gjatë dhe të
qeshim së bashku. Po aq më mirë sikur të udhëtonim të treja. Unë besoj që Kason
do ta marr me vete. S’ka njeri më të përshtatshëm. Kështu do të jemi të lirë,
do të bëjmë llogo gjithë rrugës. Fejzia a erdhi? Besoj të jesh mirë. Ç’bëre me
librarinë? Nuk e di si i kaluat festat andej, ne u kënaqëm sidomos me ditën e
paradës. Kohën e kemi të mirë. Pas disa ditëve të këqia filluam përsëri nga
banjat. Po aty si veni? Ka vapë akoma?
Nga Franca kam marrë letra rregullisht si edhe dy tre fotografi.
Është mirë dhe jeton i kënaqur, sepse është i lirë. I dërgoj nganjëherë gazetat
shqipe se i ka kërkuar. Dje i dërgova numra festivali të gazetave që më dërgoi
Kola. Duket se e merr malli ndonjëherë për Shqipërinë e dashur.
E po kur ndodhet larg njeriu e ndjen mallin e vendit. Musine, sa
anekdota të bukura do të të them. Anesë i puth dorën. Fejzies të fala, ashtu
edhe Gliqerisë, e kujtdo tjetër. Nga të gjithë shumë të fala.
Pres ndonjë letër.
Të përqafoj
Selfixhe
Selfixhe Ciu
Tepër të drojtura, gati si ditare, si rrëfime të vetvetes ishin
shkrimet tona të para. Musinea sapo e kish marrë maturën e atë verë, verën e
vitit 1937 e kaluam së bashku në shtëpinë time në plazhin e Durrësit. Unë kisha
filluar të botoj më parë, krejt rastësisht e nxitur nga kushëriri im Shemsi
Totozani, që i lexoi shkrimet dhe më ndihmoi t’i botoj në shtypin e kohës, në
revista e gazeta me pseudonimin Kolombja.
Musinea ende lëkundej, jo se s’kish guxim të botonte, apo
pengohej nga njeri, jo aspak. Në familjen e saj ishin të gjithë të kulturuar
dhe askush nuk e pengonte, po ishte ajo vetë që kërkonte nga vetja. Ajo ishte
shumë kërkuese ndaj vetes.
Në ditarin e saj janë këto shkrime: “Shoku im”, “Ti”, etj. që
janë shkruar në ditët kur Musinea mbushi njëzet vjeç. Shkrimi “Shoku im” është
për një djalosh izraelit me emrin Pattak, mbiemri s’më kujtohet.
Ishte një miqësi e çiltër, dashuri platonike brenda zemrës së
secilit, po që nuk e pohoi askush, asnjëherë. Pattaku ishte një djalë me një
konstrukt atleti, me ballë të gjerë dhe shumë inteligjent. Nuk e di ç’u bë më
vonë. Nuk dëgjova më kurrë të flitej për të, pasi mori maturën. Ishte koha kur
ne lexonim shumë. Diskutonim me zjarr dhe kishim që të gjithë dashuri të
ethshme që Shqipëria jonë e vogël dhe e varfër të përparonte.
Ajo verë e vitit 1937 ka qenë stina jonë e ëndrrave dhe e
fillimit të krijimtarisë së botuar të Musinesë me pseudonimin “MUZA”. Pasi mori
maturën Musinea erdhi tek ne në Durrës. Ecnim me orë të tëra në bregdet.
Shkonim në këmbë deri tek Ura e Dajlanit.
Pastaj ktheheshim në dhomat tona e secila bënte gati shkrimin
për në gazetën “Shtypi”. I dërgonim në adresën e Kolë Berishës dhe mbajtëm që
nga gushti deri në fillim të janarit 1938 me Petro Markon (DEMO KOTI) rubrikën
“Rrymëzime”.
Ajo ishte stina jonë e paharruar. Dhe ëndrra më e madhe për ne
qe, sigurisht, universiteti, ku priste të regjistrohej Musinea.
“Mund të jesh i dashuruar njëherësh me shumë njerëz, dhe për të gjithë të ndjesh të njëjtën dhimbje, pa tradhtuar askënd. Zemra ka më shumë dhoma se një bordello.”
“I dukej aq e bukur, aq ngashnjyese, aq ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, saqë nuk e kuptonte se si askush tjetër nuk prekej si ai nga kënga e kastanjetave që lëshonin takat e saj mbi kalldrëm, se si askujt tjetër nuk i cakërdisej zemra nga psherëtimat e verefit të fustanit të saj dhe se askush tjetër nuk cmendej si ai nga dashuria për fru-frunë e gërshetit të saj, fluturimin e duarve dhe floririn e së qeshurës së saj! Nuk i kishte shpëtuar asnjë lëvizje, asnjë shprehje e karakterit të saj, por nuk guxonte t’i afrohej nga frika se mos e prishte magjepsjen. “
“Kureshtja ishte një nga ato guackat e shumta të dashurisë.”
“Ky qe viti i një dashurie të tallavitur. Ata të dy jetonin vetëm për të menduar për njëri-tjetrin, për të ëndërruar njëri-tjetrin, për të pritur letrat me po aq ankth sa i shkruanin përgjigjet. Por asnjëherë s’u qëlloi, as atë pranverë përcartjesh, të flisnin me gojë. “
“Ai e vari pasqyrën në shtëpi, jo për kornizën e saj të cmuar, por për hapësirën e brendshme që kishte zënë për dy orë rresht nga imazhi i dashur…”
“Kujtesa e zemrës i zhduk kujtimet e këqija dhe mrekullon të mirat dhe pikërisht në sajë të këtij marifeti ne arrijmë ta gëlltisim të kaluarën.”
“Një të diel dhjetori kur trëndafilat ishin bërë tashmë për gërshërë ai pa dallëndyshet që kishin qëndruar mbi kabllot e dritës elektrike që sapo ishte instaluar dhe befas i ra në të se sa kohë kish kaluar.”
“Dashuria ishte dashuri në cdo kohë dhe në cdo vend, por sa më pranë vdekjes të ndodhej aq më e fuqishme bëhej.”
“Më tepër se vdekja ishte jeta ajo që nuk njihte kufij”
“Ai që pret shumë, mund të përfundojë me asgjë”.
Gabriel Garcia Marquez, “Dashuri në kohërat e kolerës”/ filozofia.al
Artistja Arbana Hajredinaj është rritur duke punuar në atelienë e babait të saj, Jakup Haradinaj i cili po ashtu ishte piktor, madje artistja e quan veten “çika e babit” duke ju referuar kështu dashurisë dhe lidhjes së fuqishme që kishte me babin e saj. Që në vegjëli, artistja merrte ngjyrat dhe vizatonte afër tij. Duke e kujtuar atë kohë, ajo thotë se babai i saj këtë praktikë e bënte edhe me një qëllim tjetër, që fëmijët mos të bënin sherre.
Mirëpo, koha e kaluar në atelienë e artistit dhe profesorit, ndikoi edhe tek fëmijët e tjerë të familjes të
cilët po ashtu merren me art.
Kjo atelie mbeti e preferuar edhe për artisten e cila përmes
një video instalacioni solli pamje nga kjo atelie e djegur gjatë luftës, brenda
të cilës ishin ruajtur punime të familjes duke përfshirë këtu edhe vizatimet e
artistes Hajredinaj kur ajo ishte fëmijë.
“Që në fëmijëri asnjë ditë nuk kam menduar diçka tjetër përveç
artit”, thekson artistja, e cila përkundër kësaj dashurie të madhe për artin,
filloi që të studionte për matematikë, pasi që shkolla e vetme e artit në atë
kohë ishte në Pejë dhe familja nuk kishte dëshirë që ajo të studionte në një
qytet tjetër.
“Në vitin 1994, vdiq babi im. Ai atëherë ishte 55 vjeç, dhe unë e ndjeva si nevojë që tw vazhdoj rrugëtimin
e tij, edhe pse vëllezërit e mi merreshin me art, për mua ajo nuk ishte e
mjaftueshme. Prandaj edhe kam aplikuar në pikturë, dhe pas tre viteve më kanë pranuar”, tregon
artistja duke dëshmuar kështu edhe vendosmërinë e saj që të mos dorëzohej.
Pas luftës, Arbana Hajredinaj hap ekspozitën e parë duke
paraqitur para publikut nëntë piktura, përmes të cilave paraqet ngjarjet që i
ka parë dhe ka shkruar për to duke punuar si fotoreportere katër vite para luftës.
Pikturat të cilat kanë tri ngjyra të kuqen, të bardhën dhe të zezën dhe
elemente të ngjitura që njihet si teknika e asamblaxhit, teknikë me të cilën
artistja ka punuar edhe më tutje për një kohë. Lidhja e Arbana Hajredinit me
gazetarinë vazhdoj edhe më tutje duke udhëhequr edhe emisionin ARs, dedikuar
pikërisht artit dhe kulturës në Kosovë.
“Kur jam kthyer mbas luftës me 3 korrik, ditën e nesërme kam
shkuar në fakultet. Fakulteti ishte i thatë dhe unë isha njeriu i parë që kam
hyrë në fakultet, në ndërtesën e vjetër. Të gjitha skulpturat, pikturat dhe
punimet i kam gjetur të hedhura. Ato të kolegeve i kam njohur përmes vijave dhe
ngjyrave. I kam gjetur në bodrum, në oborr dhe i kam mbledhë e i kam vendos
brenda. Po ashtu i kam rregulluar edhe bravat e derës edhe i kam mbyll dyert. Pastaj,
çdo ditë pastaj kam shkuar në fakultet dhe pas një muaji ka ardhur Lulëzimi, një
shok i klasës, ai ishte i dyti, ndërsa pas gjashtë muajve kanë ardhur studentet
e tjerë”, u shpreh artistja.
“Arti është bota ime dhe çka do që ndodh jashtë saj nuk
mundet që të më shkatërroj e as të më përzihet në art”, theksoi artistja gjatë
bisedës së ëmbël me të pranishmit në Galerinë Kombëtare të Kosovës, që erdhi në
kuadër të diskutimeve që po sjellë ekspozita “Perceptime: Burrneshat”
Pas pikturave të para, artistja vazhdon punën e saj duke
sjellë edhe shumë vepra të tjera të cilat u veçuan për karakteristikat e tyre.
Veçojmë këtu punët e saj si: “Askush nuk është perfekt”, një punë e cila filloi
me nxënësit të cilët vendosnin një fletë të bardhë në fytyrë dhe e pikturonin
veten e tyre, për të vazhduar pastaj edhe me vet artisten e cila bëri të
njëjtën gjë. Pikërisht kjo e fundit u shfaq në ekspozitën e fundit në galeri.
“As unë nuk jam përfekte”, është porosia të cilën artistja ka dashur që të lë pas. Apo vepra “Një dhomë pa piktura është e thatë”, të cilën artistja ia ka dedikuar babit të saj dhe shumë punë të tjera. Momentalisht artistja është duke punuar në një punë e cila sjelljet e njerëzve të cilët e kanë rrethuar gjatë përditshmërisë do i sjellë si video-art.
Hajredinaj është nominuar për çmimin e madh për Artin Pamor “The Global Art Awards” e themeluar nga MEACA. Ajo është një ndër 100 artistët botëror të përzgjedhur për këtë çmim. Njihet performance e saj në Tiranë e quajtur “Artisti Lëmoshtar” e shumë ekspozita tjera brenda dhe jashtë vendit si në Bienalen e Arti në Ekuador, Bienalen e Artit në Venedik, në Japoni, Qipro, Turqi e të tjera.
“Krijimtaria ime është personale, intime, dhe nuk mund ta vë
në peshore me artin e dikujt tjetër dhe nuk ka çmim për këtë”, vë në theks
Haradinaj.
Vijon puna në kantierin e rehabilitimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, investimi më i madh në kulturë i qeverisë shqiptare, ku po ndërhyhet pas më shumë se 60 vitesh. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi punimet në TKOB, të cilat tashmë ndodhen në një fazë kulmore. Ministrja Margariti së bashku me ekipin e inxhinierëve dhe drejtuesve të projektit u njoh nga afër me fazat e punës në kantier, me punimet e ndërtimit, punimet strukturore, ku vlen të theksohet ecuria e mirë e punimeve të interierit, por edhe të instalimeve mekanike dhe elektrike. “Shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare në një projekt madhor, projekt i munguar prej 6 dekadash në investime në Art dhe Kulturë. Ky investim, që kap shifrën e 1,5 milard lekëve, synon t’i rikthejë dinjitetin e munguar artistëve. Punimet po vijojnë me ritme intensive. Bazuar në këto ritme pune të kantierit besojmë në një përfundim të këtij projekti në fund të vitit 2019”- u shpreh Margariti.
Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova. Projekti i rehabilitimit synon një Teatër të Operas dhe Baletit tërësisht të modernizuar, ku ndryshojnë të gjitha pajisjet e vjetra mekanike të viteve ‘50 dhe automatizohen krejtësisht në shërbim të publikut edhe të artistëve.
Punimet po vijojnë me ritme intensive ku vlen të përmendim punimet strukturore që janë drejt përfundimit si : Platforma e re e Publikut, ballkonet e reja, sistemi i ri i akustikës, gropa e re e orkestrës, nënskena, etj. Vijon puna edhe në punime të tjera që nga termoizolimi, rritja e vëllimit të godinës, ballkonet e skenës, galeritë e auditorit, sallat e provave me panele të lëvizshme, perdet e lëvizshme, dyshemetë. Përveç fasadës, i gjithë teatri në brendësi do të ndryshojë pamje pas më shumë se 6 dekadash ekzistencë./KultPlus.com
Ashtu si miliona shqiptarë, kam ndjekur me ngazëllim interesimin tuaj për fatin e popullit tim. Si At i shenjtë i kishës së krishterë, ju keni nën vështrimin tuaj gjithë popujt e botës, por ka diçka tepër prekëse, e tepër unikale, në qëndrimin tuaj ndaj kombit të shqiptarëve. Kjo vjen nga fakti se, të veçanta dhe unikale, kanë qenë raportet e këtij kombi me fenë në përgjithësi, e me fenë e krishterë, në veçanti.
Shqipëria e vogël, një nga vendet e para të krishtërimit, do të merrte mbi vete një nga njollat më të rënda të historisë: të ndalonte fenë. Për këtë mëkat të rëndë, një nga më tragjikët, që shkaktoi komunizmi në këtë vend, populli shqiptar, ne të gjithë, kemi pritur ndëshkimin.
Për fat të mirë, kjo turbullirë nuk vazhdoi gjatë dhe Shqipëria po i kthehet prapë zonave të shpirtit prej nga është larguar, duke dëshmuar kështu besimin e vjetër njerëzor se errësira, pavarësisht nga triumfi i përkohshëm, s’mund ta mposhti dritën.
Për fatin e saj të keq, Shqipëria ka qenë gjatë shekujve një fushë ndeshjesh e feve të ndryshme, gjersa u gdhi në shekullin XX, me tri fe. Ishte ky, një nga faktorët kryesorë, që i ndihmoi komunistët për të goditur besimin në përgjithësi. Por, ndërsa u sulën kundër tri feve, zelli kryesor i komunistëve ka qenë drejtuar në radhë të parë kundër krishtërimit katolik, sepse ishte pikërisht ai, që e lidhte këtë vend, me Europën e krishterë.
Tani, e gjithë kjo, i përket një ëndrre të keqe. Por ashtu si pas një lëngate të rëndë, pas shembjes së diktaturës, kanë mbetur shumë brenga e boshësi në shpirtin e këtij populli të lodhur. Si asnjëherë tjetër, ai ka nevojë për besim, purifikim dhe lartësim shpirtëror. Askush më mirë se ju, nuk mund ta kuptojë dhe nuk mund të ndihmojë, për këtë ringjallje shpirtërore.
Kalvari, nëpër të cilën kaloi kombi shqiptar, e ka brenda edhe zinë, por edhe dritën e triumfit. Ndodhën gjëra të tmerrshme, u rroposën në humnerë njerëz dhe ide, por prapë që nga humnera u ngritën të rrëzuarit. Një shkreti e krizë e madhe shpirtërore pushtoi shpirtrat, po mu midis asaj, shkëlqeu fisnikëria njerëzore dhe ndodhën akte të mëdha, të rralla në këtë botë.
Kështu për shembull, gjatë rihapjes së kishave, u përdëllyen e dhanë ndihma myslimanët njësoj si krishterët, kurse djemtë dhe vajzat shqiptare, filluan të mbanin shenjën e kryqit, pavarësisht se cilës feje i përkisnin.
Ka një personazh sublim në historinë e shqiptarëve, i cili mishëron fatin ciklik të Shqipërisë, Ky është Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ashtu si Shqipëria, ai ishte në fillim i krishterë, ashtu si një pjesë e shqiptarëve, ai u kthye përkohësisht në fenë islamike, dhe së fundi, ashtu si një pjesë e shqiptarëve té sotëm, ai u kthye prapë në fenë e Krishtit, për t’u pagëzuar si “atlet i Krishtit” dhe mbrojtës i krishtërimit europian.
Pas kalvarit që kaloi, pas rrugës së kryqit, kombi shqiptar është i përgatitur për ta kthyer në një kështjellë të qytetërimit europian. Ndoshta ky mendim, mund të zgjojë buzëqeshje ironike te dikush, por për shumë të tjerë ai është i natyrshëm, siç janë shpesh të natyrshme faktet që duken paradoksale.
Europa e krishterë është treguar shpesh herë e pavëmendshme ndaj këtij “kombi plangprishës”. Ai ka qenë i ndërgjegjshëm se shpesh e ka merituar një ndëshkim, por jo të asaj shkalle, siç e ka marrë. Sepse, nëse ka merituar ndëshkimin, aq më shumë ka merituar faljen.
Ndërsa shpresojnë se keqkuptimet midis tyre dhe botës janë duke marrë fund, shqiptarët për herë e më tepër i kanë drejtuar sytë nga Ju, Shenjtëria Juaj. Gjysma e tyre, ata që ndodhen brenda kufijve të shtetit Jugosllav, përjetojnë ende skëterrën komuniste.
Me këtë rast, lajmet që vijnë që andej janë të trishtueshme e të frikshme: një masakër e madhe po përgatitet kundër tyre. Në qoftë se ajo nuk ndalohet me kohë, gjaku i derdhur do ta turbullojë për një kohë të gjatë gjumin e njerëzimit mbarë.
Si gjithë shqiptarët, kam shpresë se ju, Shenjtëria Juaj, nuk do të mungoni të drejtoni vëmendjen Tuaj nga ky popull martir. Si gjithë njerëzit, që duan paqen dhe harmoninë në botë, shpresoj se ju do të bëni gjithçka, që ky komb te gjejë më në fund edhe ai paqen dhe qetësinë e tij.
Pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e respektit dhe konsideratës sime më të thellë.”/topkadare
Sikurse që e drejta moderne – pozitive nuk e barazon të
mirën juridike që është rrezikuar të pasurisë me atë të shendetit dhe të jetës
së njeriut, pasi qe jeta e njeriut rangohet në nivelin më të lartë të të mirave
juridike të mbrojtura në secilen kushtetutë dhe kod penal bashkëkohor, ashtu
ishte e definuar parimisht edhe sipas Kanunit te Lekë Dukagjinit (në vazhdim KLD). Prandaj, që në fillim
duhet përmendur parimin kanunor, se dëmi
sipas Nenit 735 te KLD ka
çmim, por jo edhe gjobë. Megjithate
duhet permendur rregullen e N 622 KLD –Varianti i Mirdites, e cila thot se: „Dami bje sherr, ruaju damit“, por edhe
përkundër
kësaj
N 625 KLD përcakton se: dami
sado i madh që të jet, ka çmim, ene jo pushke. Pushka s’asht për
dam“.
E drejta
penale zakonore shqiptare mbronte pronen private dhe atë të
bashkësisë shoqërore. Krimet
kundër pronës ne KLD radhiten në vjedhje, grabitje – pretë dhe dëmtimi.
Definicioni i vjedhjes dhe i grabitjes sipas KLD-së
Vjedhja
ndodhte fshehtas e kryer nga cubi, i cili vjedhte me dorën e vet (§ 768 shkronja a.).
Grabitja
kuptohej marrja haptazi (ball për ball) me forcë e ndonjë send të huaj, dikujt
(§ 768 shkronja h, si dhe § 777 v.).
Vjedhja:
Vjedhja sipas
KLD-së ishte vepra penale kryesore e drejtuar kundër pasurisë.
Subjekti kryesor në një vjedhje, sipas Kanunit
emërtohej cubi (hajni), si dhe simahorët (bashkëpunëtorët), bukedhënësit (ajo shtëpi ku kishin ngrënë ose kishin marrë
bukë hajdutët) si dhe kjori (ai
që fshehte mallin e vjedhur dhe vlente thënia: “baras cubi, baras kjori” § 768 shkronja
d.).
Sipas objektit të mbrojtur ajo mund të
emërtohej si vjedhje e shtëpisë, e vathit të
shtepisë, e carranikut, e kosharit të drithit, të
thyemit e shtegut të oborrit, të
arës,
të
veshtit, e stanit, e veglave bujqësore etj.
Llojet e vjedhjeve
Vjedhjet ndaheshin në: vjedhjet e thjeshta dhe në vjedhjet e rënda.
Vjedhjet e thjeshta (të rëndomta)
konsideroheshin: vjedhja e bagëtisë, e shpezëve,
e veglave bujqësore, e bletës etj. Pra, behejj
fjale zakonisht për vjedhjet
që
kryheshin jashtë murit (gardhit) të
shtepisë.
Vjedhjet e rënda drejtoheshin
kundër pasurisë së
personit por të njejtat veprime e atakonin drejtëperdrejtë
edhe nderin dhe dinjitetin e personit, familjes, fisit, fshatit
ose institucionit të caktuar.
Në
vazhdim do të flitet shkurtimisht për vjedhjen e
shtëpisë, pasi që
konsiderohej si vepër e rëndë penale e vjedhjes. Vjedhja e shtëpisë së huaj, sipas KLD-së
definohej si një e
keqe e kryer nga cubi (hajni),
duke hyrë në shtëpi në mënyrë fshehurazi, të
padukshme, ku ai e hap deren me motiv të
keq ose i shpon
muret, me qëllim që të depertojë brenda për kryerjen e vjedhjes (at
Gjecovi, Shtjefën, KLD, fq. 99). (N 715 KLD VM – vjedhje bile edhe nëse s’hyn cubi brenda).
Ne KLD vlente
parimi se cdo kasollë apo ndërtesë:
një,
dy a shumë katëshe që ka vatër
dhe qet tym, pa marrë parasysh se a është e varfër apo e pasur shtëpia është e paprekshme.
Sipas mënyrës së kryerjes – vjedhja
në
shtëpi karakterizohej për këto
veprime:
Cubi hynte
brenda oborrit pa thirr së pari me emër
të
zotin e shtëpisë,
Edhe
pasi që nuk e shihte (përgjigjej) askush, nuk priste aty ose nuk largohej,
E shtyente apo e qilte derën për të hyrë,
Që vepronte me dashje,
Për të arritur qellimin, që vetes ose personit tjetër t‘i siguroje nje dobi pasurore.
Vjedhja në
tentativë
Vjedhja në tentativë nuk ishte e percaktuar decidivisht
në KLD-në, por megjitahte kishte raste kur flitej për këtë dukuri kriminale. Kështu
p.sh. kur ndokush zihej duke vjedhur bletën, dhe ai pas zbulimit nga pronari, e
kishte lëshuar ate, por per shkak te frikes nga kapja apo goditja me arme, e
kishte lëshuar me furi, bleta të nesëermen për shkak të prishjes së atmosferës
së brendshme, largohej. Gjithashtu, edhe shtazët të cilat ishin të gjetura
duhej të mbaheshin haptas dhe të bëhet me dije secili që të informohet i zoti i
saj.
Veprimet
e zotit të pasurisë në raste in flagranti të cubit
KLD në Nyen 127 paragrafi 912 precizon
se po erdh kush me të vjedhë, edhe e shef tuj t’a zberthye derën, e vrave i ke gjakun. Gjithashtu edhe
paragrafi 913 kategorikisht e ndalon
vrasjen e cubit (hajnit) edhe nëse ai zihet në vendin e kryerjes së krimit,
duke e vjedhur tërë tufen e bagëtisë.
Në rast se ndodhnin vrasje për këto të mira juridike të mbrojtura, asesi nuk
lirohej vrasësi nga gjakmarrja (Ismet, Elezi. E drejta Zakonore Penale Shqiptare,
fq. 110).
Edhe tek vjedhja e tufes së bagetisë në male (stane) sipas KLD-se thuhet, “se nëse bariu vriste cubin tuj vjedhë a tuj
pretue tufën, gjakun e çonte te shpija
e vet, e sa për tufe i mbetej të zotit të saj të interesohet“ (N151
KLD).
Cubi i zbuluar në flagrancë kapej nga i dëmtuari dhe u dorëzohej pleqve, të
cilët vepronin në pajtmim me normat e kanunit.
Konsekuencat
e krimit të vjedhjes
Parimisht konsekuencat e krimit të
vjedhjes ishin dypërnjahja dhe gjoba. Këto veprime të cubit e ngarkonin atë me
fajin e thyerjes së shtëpisë së tjetrit e N
136 e 137 KLD i konsideronte vjedhje. Ndëshkimi mund të bëhej në dy mënyra. Ndëshkimi
bazik (kompenzues) për këtë vepër të vjedhjes së shtëpisë ishte kompenzimi i dëmit
te ajo familje, të ciles i takojnë sendet e humbura pas vizitës së tij kundërkanunore
dy për nji. Ndërsa, ndëshkimi i dytë
shqiptohej për shkak të nderës së marrun. Ky ndëshkim ishte më i rëndë se i
pari dhe mund të kapte shumen prej 500
groshesh gjobe (sa per një vrasje). Pra,
kjo vepër mund tëe kryhej edhe me vetem hyerje a thjesht qelje
te deres së shtepisë pa ftesë (përgjjgjje) të zotit të saj.
– Sipas KLD-se rregull parimore e zgjidhjes së rasteve nga vepra penale e vjedhjes ishte ndëshkimi
i autorit të kësaj vepre në perputhje me 7 paragrafet e Nyes 168 KLD-se, e që kryesisht kërkohej kthimi i vlerës së dyfishtë të sendit apo
pasurisë së vjedhur (Dypërnjahja). Pra, sanksionet për vjedhjen e fshehtë,
ishin të moderuara. Sanksionet për vjedhje të pasurisë rregulloheshin pra, sipas
parimit “dy për një”. “Dy për një”
praktikohej si për bagëti të vogla, poashtu edhe për të mëdha si dhe për sendin
e vjedhur. Cubit mund t’i kërkohej sidoqoftë një pagesë, e cila mund të shkonte
deri në lartësinë e një vrasjeje. “Shpija e thyeme ka 500 grosh gjobë e dy për një të zot“ (nye e 44) – pra e barabartë me një vrasje.
Prandaj,
si rrumbullaksim i kësaj që është thënë deri më tani për demin, i cili është
shkaktuar nëpërmjet vepres penale të vjedhjes, duhet përmendur rregullin e
KLD-së, se “gjaku s’jet për faj, pra
gjaku asht i ran fort: ska kanar me e peshue. Pushka lipet e
fundit, pse rri vjerr mas krahut. E ka radhen pas tjerave. Burr i fort fal“ (N 212 KLD – VM).
Ndëshkimet më te rënda për veprën penale të vjedhjes sipas KLD-së
Ndeshkimet më të rënda aplikoheshin në këto
raste, të cilat konsideroheshin se “nderi
është i marrun“ dhe gjoba e caktonte „faqen
e zezë“.
– Për vjedhjen e sendit, që i takonte mikut (802 KLD),
– Për vjedhjen e pasurisë së institucioneve fetare,
– Për vjedhjen e teshave të gruas,
– Për vjedhjen e dashit – cjapit
me kumbonë (797 KLD),
si dhe
– Për vjedhjen e gjelit (sahati i
te vorfunit).
Në paragrafin 802 KLD definohej se kush vjedh shpin a strajcen e mikut, kanuja e ka caktuar për gjobë „faqen e zezë“, kështu që ky krim do të ndëshkohej me denimin më të rëndë. Kështu p.sh. bie fjala në N 922 të KLD -së thuhej se “mikun e prem, armët e gruen e dhunueme, kanuja
s’i përket“. Prandaj, një ndër ndëshkimet ndaj autorit në këto raste mund të ishte p.sh. leçitja
prej kuvendit (N 723 KLD – VM).
Vjedhja
grabitçare
Per vjedhjen grabitçare nuk flitet decidivisht ne KLD-ne.
Vjedhja grabitçare është më e rrezikshme se vjedhja. Shkalla e rrezikshmëris
përcaktohet edhe duke marr parasysh mënyrën e kryerjes së veprës, mjetet me të
cilën është rrezikuar apo dëmtuar. Prandaj, themi se edhe pse kjo veper penale
nuk definohej ne KLD permenden raste te cilat i takojne deri dikund kesaj
kategorie.
Grabitja
e preja
Grabitçori sipas KLD-së është aj i cili ballas e me perdhuni
i a
merr kuej nji gja për ndoi detyrë, (N 768 h) si dhe N 777 KLD– “Udha e Zotit s’paguan gja”,“Udha e madhe, asht udha e zotit”.
778 KLD – Kanuja s’ban qi të trazohet
kush në shteg të vet. Udha e madhe s’ia ka ndonjë detyrë kuej. N 780 KLD po u
cue kush edhe thei udhen e madhe, tuj i a ndal shtegtarit a kalin a mushkun,
magjarin a ndo’i kambe berri, po s’u vran aty per aty – grabitçari bjen në gjobë
të katundit mbas randsis së fajit e gjan e grabitun do t’ia kthejë të zotit.
Konsekuencat
e krimit të grabitjes
Ne lidhje me grabitjen thuhej se “dami
lahet po nderi nuk lahet”. N 781 KLD – Po u çue kush, e vetem prej
hamendjet, edhe i grabiti kuej a kal, a mushk, a magjar, e se mbrami i del i padetyre i
grabituni, grabitçari
bjen në gjobë të katundit për të thyem të udhës së madhe e të zoti’t do
t’ja kthej gjan a çmimin e ditëve të humbura.
KLD – Varianti i Mirditës – për këtë
situatë të evidentuar nga KLD e at Shtjefën Gjeqovit thoshte se me këto akte cenohet
nderi i burrit Neni 119 paragr 4.
Grabitja me
forcë kuptohej si cënim i nderit. Cenimi i nderit mund te shpaguhej vetem me derdhje gjaku ose me pajtim pas ndërmjetësimit të “dashamirëve të mirë”. KLD VM N 407 Cënimi i nderit nuk
mund të paguhej me kontribute apo sende. Për nderin e marrë nuk kishte dënim.
Ai nuk mund të kompenzohej me gjëra, por vetëm me derdhje gjaku ose me pajtim
pas ndërmjetësimit të “dashamirve të mirë” (§ 597-600 KLD). Për
veprat e tilla kundër nderit dhe dinjitetit të
personit sipas KLD-së autorët e tillë
mund të denoheshin edhe me djegien e shtëpisë.
(I.E. EZPSh, Tiranë, 1983, fq. 237 – 251).
Kishte raste kur personi ndaj të cilit ushtrohej
grabitja të vriste grabitësin
dhe atëherë i ipej
nder e ndihmë katundisht
(KLD VM fq. 280). Në këtë
rast i paguhej gjaku katundisht këtij personi për nderin e
mbrojtur nga grabitçori i vrarë.
Rastet më të rënda të grabitjes
– Grabitja e
gruas- cenim i nderit N 601 shkronja d –
binte në gjak = 6 qese
– Grabitja e qenit të huej N 394 KLD – VM
– Grabitja publikisht e armës së krahut
a të brezit, N 601 shkronja “e”,
Grabitja e armës ndodhte nëse
dikush duhej të dorëzonte armën me forcë ose detyrim. Eshtë interesante se kur
grabitja (e armës) ndodhte publikisht – kjo trajtohej si turpësim i të
grabiturit. Nëkohësisht për atë (që iu ishte grabitur arma) ishte edhe cënim i nderit të tij. Për këtë arsye i
ç’nderuari nuk dilte në publik, derisa ai me gjak e lante “poshtërimin e madh”
që i ishte bërë.
Preja
e grabitjes për qëllime hakmarrjeje –
Preja krijohej nga grabitja. Në rastin e
aktit të grabitjes përvetësohej preja e cila mund të ishte një tufë bagëtish në
mal, në livadhe ose edhe në shtalla.
Thuhej se “pre për detyrë nuk merret” – nëse ndodhte ky veprim e pretari nuk përgjegjej
me kthimin e presë, katundi ose dheu kishin tager me e leçitë”, çmimi ishte 500
grosh gjobë dheut përpos gjasë së zotit.
Përfundim:
Parimisht sipas KLD-së s’lejohej vrasja për vjedhje të thjeshtë, por kjo rregull nuk mund të themi se vlente nganjëherë edhe për vjedhjet e rënda, e sidomos për grabitjet apo edhe rrëmbimet. Pra, vjedhjet e thjeshta ndëshkoheshin sipas rregulles dy për nji, vjedhjet e rënda ndëshkoheshin sipas rregulles dy për nje dhe detyrimin e gjobes ndaj fshatit, ndërsa kur bëhej fjalë për veprat penale të grabitjes ato trajtoheshin si veprat më të rënda penale të drejtuara kundër pronës dhe njëkohsisht edhe nderit e dinjitetit të ndonjë personi, familje, fisi, bajraku apo institucioni fetar. Në këto raste përjashtimisht mund të tolerohej edhe vrasja për mbrojtjen e nderit kundër grabitçorit. Edhe pse mund të krijohej raporti i armiqësisë (hasmërisë) dhe shfaqej mundesia e borgjit të gjakmarrjes, gjaku mund të paguhej në një shumë sa për një vrasje, të cilen e paguante vrasësi – i dëmtuari, familja e tij, apo katundi edhe bajraku, meqë konsiderohej se ky e ka mbrojtur nderin e cenuar nga grabitësi.
Pronarit të
librarisë në Southampton të Anglisë
ia kishin rritur qiranë e objektit që e shfrytëzonte për shitje të librave dhe
atij i duhej që të zhvendoste rreth 2 mijë libra në një objekt tjetër, që ishte
150 metra më larg, përcjellë KultPlus.
Dhe një
thirrje e tij drejtuar komunitetit ka bërë që ti përgjigjen 250 vetë, të cilët
u rreshtuan nga objekti i vjetër në drejtim të atij të riut, ku bartën librat
dorë më dorë brenda vetëm një ore.
Clare Diaper e cila punon në këtë librari këtë përgjigje të komunitetit e ka vlerësuar si një shfaqje të madhe. “Ne bëjmë shumë për komunitetin, dhe me të vërtetë është shumë inkurajuese të shohim këtë vullnet reciprok”, ka thënë ajo. /KultPlus.com
“Shpresojmë që ne të gjithë gjejmë një pjesë të vetes në
karakterin e Alitës dhe të shohim se ne kurrë nuk duhet të heqim dorë nga
beteja jonë kundër padrejtësive të botës”, ka shkruar Dua Lipa mbi personazhin
e Alita, ku kolonë zanore është pikërisht kënga e Dua Lipës.
“Alita: Battle Angel” është film që pritet të thyej shikueshmërinë, duke pas parasysh që për regjisor ka regjisorin e famshëm James Cameron, i njëjti që ka realizuar filmin “Titanic” dhe “Avatar”./KultPlus.com
Bebe Rexha ka treguar publikisht se dëshiron bashkëpunim me tri këngëtaret e njohura shqiptare.
Bebe Rexha përmes një postimi në Twitter, këngëtarja ka bërë të ditur që dëshiron të bashkëpunojë me Rita Orën, Dua Lipën dhe Ava Max.
Dua një bashkëpunim me Dua Lipën, Rita Orën, Ava Max”, ka shkruar Bebe, duke ia shoqëruar edhe ngjyrat kuq e zi.
Ishte Dua Lipa ajo e cila i ka kthyer e para përgjigje Bebes, kështu duke shkruar: Hajde shqipe.
E nuk ka munguar edhe reagimi i këngëtares shqiptare Ava Max e cila e ka përdorur emrin e hitit botëror ‘Lady Magdalene’ për ta bërë këtë.
“Një ‘Lady Marmalade’ e re”, i ka shkruar Ava këngëtares Bebe Rexha pranë postimit.
Kujtojmë se “Lady Marmalade” është një këngë e realizuar nga Bob Crewe dhe Kenny Nolan, e cila për herë të parë u bë e popullarizuar në vitin 1974 nga grupi amerikan i vajzave, “Labelle”.
Bebe Rexha dje përmes një postimi në Twitter ka kërkuar bashkëpunim me tri këngëtaret shqiptare dhe Dua Lipa i ka kthyer përgjigjen epike në gjuhen shqipe.
Këngëtarja Bebe Rexha ka kërkuar bashkëpunim me Dua Lipën, Rita Orën dhe Ava Max.
Dua Lipa duket se e ka mirëpritur këtë kërkesë dhe nëpërmjet Twitterit n i ka shkruar: Hajde shqipe./ KultPlus.com
Foto nga xhirimet e filmit të animuar “Man Wanted”, regji Irida Zhonga, shtëpi kinematografike “FotoKozmos”. Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë./ KultPlus.com
Marie Lasgush Poradeci, vajza e poetit të njohur
Lasgush Poradeci ka shprehë sërish mllefin për padrejtësistë që i janë bërë kësaj
familje.
KultPlus më poshtë ju sjellë reagimin e saj
origjinal.
Ne baba i kujtojme gjithmone fjalet e tua: “Te mos harroni kurre qe jeni vajzat e Lasgush Poradecit”. Dhe sigurisht qe une dhe Kostandina nuk e kemi harruar. ATA na vodhen nje cope te vogel bahce qe e kemi buze liqenit. Ja u dhane te tjereve per biznes. ATA na vodhen te drejten e autorit, asnje liber i yti nuk eshte ne bibliotekat e shkollave. Ata me presione te felliqta na persekutonin ne ato pune qe i mbanim me thonj. Perse? Vetem se ishim vajzat e tua. Dy vajza te lindura nga dashuria. ATA jane turpi i ketij kombi bashke me femijet e tyre qe i kane nga instikti. Te gjithe do shkojne ne ferr bashke me parate e vjedhura dhe mendjet e tyre te kalbura./KultPlus.com
Në kuadër të ekspozitës “Perceptimet: Burrneshat” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, artistja Zake Prelvukaj ka shpalosur rrugëtimin e saj si artiste. Ajo gjithashtu ka diskutuar edhe për veprën e saj “Ofshama”. Vepra e artistes Prelvukaj së bashku me shumë vepra të artistëve të njohura britanike dhe kosovare po ekspozohen në kuadër të ekspozitës “Burrneshat”, shkruan KultPlus.
Babai i artistes Zake Prelvukaj, në kohën kur artistja ishte
akoma fëmijë kishte një aparat përmes të cilit fotografonte momente të ndryshme
familjare. Një fotografi e realizuar nga ajo,
poashtu ka dokumentuar pasionin që artistja ka pasur për artin që në fëmijëri.
Prelvukaj në këtë fotografi shihet e përkulur derisa në tokë ka vizatuar një
shtëpi. Pikërisht me këtë kujtim ajo fillon edhe rrugëtimin e saj për të
pranishmit në Galeri, të interesuar për të dëgjuar tregimin e artistes. Sipas
saj, kjo fotografi dhe pikërisht ai aparat i kanë ndihmuar për të kuptuar
pasionin e saj por edhe rëndësinë që ka dokumentimi i gjërave.
“Baba më ka dashtë shumë, po nuk me ka thonë që me u marr me art se thojke
nuk ka fitim, mbetesh moler. Gjithmonë me ka thonë le të mbetet piktura për ty
si hobi”, tregoi artistja. Ndikuar nga kjo, artistja fillon studimet në juridik, të cilat
më vonë edhe i braktisi, pasi që arti mbeti edhe gjatë asaj kohe pjesë e saj.
“Hyra në Akademi të Arteve dhe pata fatin me qenë te një
pedagog i jashtëzakonshëm, Nysret Salihamixhiq. Ishin kohë shumë të vështira, ku shumë kush ka pasur probleme financiare. Për
me fitu pare për me i ble ngjyrat, shpeshherë ju qepsha pallto njerëzve. Në Akademi
shkoj shumë mirë, e merrsha një
kasetofon të vogël dhe punojsha deri në 1 apo 2 të natës. Kam pas fat që banesen
e kisha shumë afër fakultetit, prandaj qëndroja deri vonë”, theksoi artistja.
Pas kësaj Prelvukaj arriti që të punësohet, mirëpo puna si mësimdhënëse
në kohën kur nxënësit shqiptarë helmoheshin nëpër shkolla nga pushteti serb i
asaj kohe dhe situata e atëhershme në Kosovë filluan të ndikonin edhe në punën
e artistes. Vijat, ngjyrat, çdo gjë në pikturat e saj vinin në pah emocionet e brendshme
që kishte artistja gjatë asaj kohe, e që
fatkeqësisht ishin të përziera, të turbullta dhe aspak të qeta.
“Ato vite kanë qenë shumë të rrezikshme mirëpo prapë dilnim
kafeve shumë. Pikërisht këtu edhe filloj ajo jeta ‘nëntokës’ ku edhe hapet Hani
i dy Robertëve. Definitivit kohë të vështira, prandaj si kam diplomuar i kam
lyp babës me dal prej banese, se edhe ngjyrat ishin të rrezikshme. Madje e kam
marrë edhe makinën e gjyshes që e ka pas
edhe nana për me qepë. Prej pesë rrogave në shpi, atëherë na ka mbet veç njo,
prandaj edhe unë punojsha kartëvizita, reklama e qepsha që me e mbajt veten”,
tregoi ajo.
Sipas saj gjatë kësaj kohë femrat janë detyruar që të bëhen
burrnesha pasi që u është dashur të punojnë, të rezistojnë, të krijojnë, të
gjitha së bashku.
“Fillimisht se kemi ditë a kemi me ekzistu deri nesër, pastaj
si me e bo kafshatën e gojës, sepse si profesor atëherë në Fakultetin e Arteve
nuk na paguanin, dhe e treta ishte si me ekzistu si krijues”, theksoi ajo. Mirëpo,
sipas saj është shumë e rëndësishme që njerëzit të jenë të guximshëm, të
qëndrojnë përkrah të vërtetës dhe të kenë vetëbesim. Pikërisht këto dy virtyte
artistja Prelvukaj beson se janë me të rëndësishmet dhe i nxitë që të mbizotërojnë
edhe të studentët e saj.
Duke biseduar për gratë në Kosovë ajo theksoi se tani ato
janë të njohura, sidomos në kulturë, me
regji, me muzikë, e me art. Mirëpo, sipas saj i vjen keq që shpesh herë gratë janë
ato të cilat mundohen që të shtypin një grua tjetër, diçka të cilën e ka
provuar edhe ajo.
“Më vjen keq që ka gra që shpesh herë ia fshinë një gruas
tjetër emrin. Kam heq shumë keq prej grave, e sidomos pas luftës, të cilat kanë
dashur që nga fundi të arrijnë në kulm. Ato ishin në gjendje që jo vetëm mua,
por secilës grua, përmes politikës t’ia fshijnë emrin. Mirëpo politika shkon
dhe vjen çka mbetet janë faktet dhe krijimtaria. Edhe pse politika edhe tani na
ka shkatërruar edhe në Fakultetin e Arteve dhe gjithkund, ajo do të
tjetërsohet. Gjeneratat e reja, e që janë qytetarë jo vetëm të Kosovës por edhe
të gjithë botës kanë me përparu”, u shpreh ajo. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që gratë të
përkrahin njëra-tjetrën pasi që vlera e artit do të rritet, e sidomos kur muzetë më të mëdha të
interesohen edhe për artin në Ballkan, në mënyrë që të mbulojnë edhe atë
zbrastësi.
Si fëmijë që merrte pjesë në gara të shkollës, pikturonte me
shkumësa në rrugë e madje talentin e saj e përdorte edhe kur qepte, një zanati
të cilit ia pa hajrin dhe i ndihmoi për të fituar para shumë herë. Arti për
Zaken nuk mbetet më vetëm diçka e bukur, mirëpo edhe një formë për të
protestuar dhe për të shfaqur problemet shoqërore.
A mundemi me u mësu njëherë e mirë mos me i përzi njana me
tjetrën këto dy koncepte kaq diametrikisht të kundërta – pra seksin dhe
moralin. Bile qysh edhe po e shihni, me quajt seksin koncept, menjëherë na vjen
fjalia si e panatyrshme, e lëre më koncept filozofik, siç mundemi me iu referu
moralit.
A mundemi me u ndal një ditë e me mendu seriozisht se çka
është njana e çka është tjetra, edhe se pse këto dyja nuk bon kurrqysh me u
ngatërru njana me tjetrën, se dojmë më shku posht.
Horë me ka krejt po vazhdojmë me u ba tu u marr me muhabete të
ulta shtrati, e tu mos lanë vend e hapësirë për gjana ma qenësore e
konstruktive, që kishin me pas vërtetë impakt në jetët tona t’vogla. Në fakt
muhabetet rreth shtratit nuk janë krejt të këqija, e gjeneratat duhen me u eduku
drejt për krejt sa i përket seksualitetit, ama jo tema kryesore e adoleshentëve
me qenë sot, ashtu qysh me ka rastisë me i ndëgju shpesh, se si kur ta mbushin
moshën, kanë me e marrë një grua virgjine, dhe se po të mos qëllojë e tillë, ma
mirë nuk martohen fare.
Khuuuu, unë sinqerisht kam besu që të paktën temën e
virgjërisë e kemi tejkalu dreqi e marrtë. Por jo, ncuk, as që ish rendi i asaj
pune bile, edhe fatkeqësisht kjo nyje e lidhun “Seks/Moral” shekuj
ma përpara, akoma sot po del të jetë shumë e fortë.
Boll ligjerata e Ëork-shope e trajnime për të rinjtë, me
bollëk, kah ta kthejsh kryet, ama besomëni esenca nuk është që të rinjtë t’i
mësojmë se si duhet me qenë politikisht korrekt.
“Gjeneratat e reja mësojnë ta përdorin termin gra e jo femra”.
Hajde de, qenka zbulu uji i nxehtë edhe një herë. Jo, jo, këta fëmijët e
adoleshentë kanë nevojë për seanca terapeutike, e bashkë me terapistin me i
rishiku konceptet për jetën, gjininë e kundërt, marrëdhaniet, e të gjitha me
radhë, sepse një mendësi e tillë nuk ka qenë as e gjyshit tim.
N’shqiptari e besoj në krejt vendet e pazhvillume, relativisht
të prapambetuna apo të sapo dala nga izolimi a diktatura, sporti ma popullor
padyshim janë thashethemet rreth jetëve private e intime të njani-tjetrit,
cilësimet e kategorizimet e ndryshme krejtësisht banale, që sot nuk i dëgjon
vetëm privatisht, por të shfaqen edhe si krytituj në nëpër të gjitha mediumet
me rekorde te lexueshmërisë. “Ish i pamoralshëm, po i ndrrojke partneret”.
(kështu zakonisht nuk thojnë për meshkujt, përkundrazi në shumicën e rasteve
motivohen dhe lëvdohen, përveç kur është në pyetje presidenti, por diçka si “Ish
e pamorlashme e kish lanë burrin për dashnorin, e la te fejumin – marre i
koftë, ish nda prej të dashurit – s’di çka i koftë”. Jo more zotëri ndërrimi i
partnerëve, e lanja e burrit për dashnorin nuk ka të bëjë me moralin, hiq, as
edhe një fije, morali e etika janë krejt koncepte të tjera dhe maten me krejt
të tjera veprime.
Për ma tepër njerëzit me dy gram tru nuk i marrin si kallëpe
të servuara, por i krijojnë dhe i përshtatin ato në bazë të nevojave dhe
përgjegjësive individuale, dhe fakti që ne vazhdojmë akoma edhe sot t’i
kategorizojmë njerëzit, sidomos gratë, jo në bazë të punës, përkushtimit,
çiltërsisë dhe ndershmërisë, por në bazë të sasisë së aktivitetit seksual,
është me të vërtetë tragjedi.
Për që është në gjendje një shoqni e tanë me e rrënu një
personalitet e me çu deri në fund t’greminës, me ia mbyll tana dyert tu e
stigmatizu e linçu, sikur me pas kanë hajni, përdhunuesi, e krimineli ma i madh
veç pse ai ose ajo nuk është dakord, ka ndërruar mendje apo nuk vazhdon me
apliku ma sistemin monogam si të shumicës, këtë e sheh te ne dhe tek shoqëritë
tjera konseravtive si në vendet arabe apo gjetiu, edhe natyrisht aty ku
divorcet kushtojnë miliona, në botën e yjeve.
Për me vizualizu krejt atë çka po du me thanë, po du me fol
pak për përvojën tem të parë dhe ultra traumatike kur kam fillu me exploru me
gjininë e kundërt, ma thotë mendja si krejt adoleshentët normal të botës në
moshën 12 apo 13 vjeçare. Ma thotë edhe sot mendja, e ndoshta kështu diqysh ma
ka thanë edhe atëherë, që gjithçka është e natyrshme me pas dëshirë më ju afru
një djali, me ja kap dorën e me puth në buzë. Po, ama jo në vitin 97-të, jo në
Gjilan, dhe jo në shoqninë tonë.
Unë hala nuk e kam të qartë se sa të paaftë kanë ditë me u
tregu e me keqmenaxhu krejt atë situatë, si prindërit, ashtu edhe
mësimdhanësit, a masnej krejt shoqnia. More unë veç kam dashtë më puthë atë
djalin jo me u martu me të. Po, po, për pak më martuan.
Natyrisht nana nuk e kish leju atë punë kurrë, por në një farë
forme një status të tillë ma veshën diqysh si pa naj diskutim të madh, me demek
unë a e putha filanin? Po. Eh me shnet e bajsha burrin. Se për me i ra pishman
mas naj dite, ose me pas qejf me e ndrru pak shoqninë, ndoshta more veç
thjeshtë me e ndrru mendjen, as që bahet llaf. Kurrën e kurrës. Ti në fakt ke
mujt me i ba krejt këto, edhe me ndrru mendjen edhe me ndrru shijen, qysh pa i
dhanë as pesë pare i kam ba edhe vet, ama çka pason masnej është pak e
gërditshme.
Çka pason masnej është arsyeja e këtij shkrimi, është arsyeja
e shumë zgjedhjeve që i kam ba në jetë, zgjedhje këto që i konsideroj
definitivisht larg ma të mira se drejtimin që e kanë marrë krejt shoqet e
shokët, që edhe sot e kujtoj kënaqësinë që e kanë ndje kur më kanë thirr kurvë
e më kanë lanë vet me u ul në bankë, është arsyeja e të kuptuarit në çfarë
llumi prej shoqërie jetojmë dhe se sa kaq thellësisht na mungon kulturimi.
E kemi këtë qasje kaq t’gabume e kemi qef me i lidhë nyje e me
i ngatërru aq fort njana me tjetrën, aktivitetin seksual me personalitetin e
njeriut, deri ne atë masë sa nuk e marrim vesh ma se për çka jemi tu fol e çka
po dojmë me thanë. I klasifikojmë njerëzit si të denjë apo të pa denjë në bazë
të një kriteri krejtësisht joreal dhe të papranueshëm. I etiketojmë njerëzit
(në veçanti gratë) me gjithëfarë nofkash, e në mënyrat ma të pasjellshme tu
marrë për bazë fakte tepër relative që vijnë si rezultat i disa zgjedhjeve
plotësisht personale e të brendshme, të secilit individ në mesin tonë.
Shpesh edhe kur kjo çashtje na imponohet dhe nuk është
zgjedhje jona, si në rastin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, e edhe
në paqe, ne kemi paftyrësinë t’i mohojmë e ti stigmatiozojmë, për dekada t’i
mbajmë fshehur nëpër biruca e t’i helmojmë çdo ditë si minjtë, se mos
rastësisht po e qesin kryet ,po flasin, po identifikohen, e po na shkon ftyra.
Jau dhifsha ftyrat, sepse një gru e jona duhet me shku ne fund të botës me i
gjet krahët e me ardhë në vend të vetin me e denoncu krimin e kriminelët
haptazi.
Tash kisha dashtë me e shtru problemin pak ma globalisht e me
u mundu me kuptu thelbin edhe rranjët e këtij ngatërrimi. Po kthehemi pak prapa
në kohë e po e shohim se çfarë lloj ndryshimi ka mujt me ndodh përgjatë
zhvillimit të njërzimit, në cilën periudhë të kohës, dhe arsyen pse kemi nisë
me e ba praktikë këtë mënyrë të mendimit. Pse kemi nisë me e sulmu apo me
cilësu njani tjetrin në bazë aktivitetit hormonal, numrit të partnerëve e
koncepteve individuale mbi marrëdhanjet. Në bazë të studimeve të fundit që kam
lexu, njerëzimi ka jetu gogja gjatë në paqe me njëri tjetrin, dhe sipas
antropologëve ata kanë ba një jetë jashtëzakoisht të lumtur, afër natyrës, dhe
nuk kanë qenë të prirun t’i konsiderojnë gjërat për çfarë ne po flasim si
probleme, atëherë kur dashninë dhe aktivitetin seksual e kanë pas mjetin më te
mirë komunikimit. Kuptohet që po flasim për një strukturë krejt të ndryshme
shoqërore, por esenca është që ne bilogjikisht dhe anatomikisht që nga ajo kohë
kemi pësuar ndryshime ekstremisht të vogla. Në fasadë dhe në mënyrën e jetës
kemi ndryshuar totalisht, ama nëna natyrë shpesh na thërret dhe na krijohen
pastaj dilema dhe konfuzitete nga më të ndryshmet. “A jam ajo çfarë ndjejë apo
ajo çfarë thonë se duhet të jem”, dhe ky në fakt është një ndër konfliktet më
të mëdha emocionale dhe psikologjike të njeriut modern të këtij shekulli.
Kthesa ma e madhe e njerëzve përpos revolucionit konjiktiv të trurit,
dhe pas periudhës së gjahtarë mbledhësve, ku kemi jetuar duke ndarë gjithçka me
njëri tjëtrin, ka ndodhë pikërisht pasi është shpikur prona si koncept.
Filozofët dhe mendimtarët bashkëkohorë akoma janë në dilemë nëse kjo shpikje
ndër më të mëdhatë në histori të njerëzimit e ka quar atë drejt përparimit dhe
zhvillimeve pozitive, apo e ka kthyer prapa, e ka përqarë dhe robëruar.
Unë personalisht mendoj që ky zbulim është fillimi i fundit të
njerëzimit e fillimi i ngataltë por i sigurt i zhdukjes së vlerave njerëzore
dhe humane. Ky qëndrim më forcohet akoma më shumë kur mendoj për të gjitha
koncekuencat që ka sjellë zbulimi i konceptit të pronave private dhe
trashëgimisë në raportet tona ndërgjinore. Me gjithë zhvillimet intelektuale e
kulturore që kanë pësuar, të cilat janë absolute dhe kruciale për ne, gjatë
rrugës luftën e kanë humbur gratë, dhe jo pse ashtu ato kanë dashur por sepse
të tilla kushte janë krijuar në rrethanat e reja. Ju mundeni me u hamend e me
pyet se çfarë lidhje ka kjo me moralin e mbi të gjitha me seksin. Ka që
çuditesh, dhe krejt çka ka ndodhë, d.m.th 10 mijë vite para, e deri sot, na
ofendoj apo nuk na ofendoj ka qenë kryekëput fushatë agresive dhe fort
intenzive kundër gruas. Kundër emancipimit të saj, kundër daljes së saj jashtë
shtëpisë, kundër shkollimit të saj, kundër zhvillimit të saj fizik e mendor.
Dhe krejt këto për një arsye ekstremisht të thjeshtë dhe banale, në mënyrë që
meshkujt t’i ruajnë pronat e tyre, në mënyrë që ata të jenë të sigurt që pronën
e tyre do t’ua trashëgojnë djalit të tyre të vërtetë. Toka jem, gjaja jem,
gruja jem(robi jem), fëmijët e mi. Me kalimin e kohës kjo praktikë e re e
menduar, e planifikuar dhe ekzekutuar nga meshkujt për meshkujt, në të mirë të
meshkujve, është ba stil i jetës, është shëndrru në vlerë e në traditë si
familjare ashtu edhe fetare e më pas edhe shtetërore e ligjore.
Me ju dhanë çikave më shumë rol komplikohet situata. Me i çu
në shkollë bahen të meçme, me i lan me lexu libra bahen të vetëdijëshme se me
çfarë budallenj janë të rrethum, me i emancipu i ha dreqi lypin edhe hise.
Mbaja gojën mbyllur.
Prandaj “çikat duhen te rrinë në shtëpi, të jenë të virgjëra
kur të shkojnë te burri, mos të dalin prej shtëpisë, dhe të kujdesen për
fëmijët. Përndryshe do të quhen të pamoralshme, të poshtra, të këqija, lavire
dhe të padenja për të qenë pjesë e kësaj shoqërie të mrekullueshme”.
DRIADA MATOSHI / Autorja është aktore, gazetare dhe drejtuese e kompanisë “Picrra”
Ai kishte kritikuar ashpër Ibrahim Rugovën në veprën e tij
“Ra ky mort e u pamë”, por shumë vjet më vonë, shkrimtari i madh shqiptar me
renome botërore, Ismail Kadare, e pranon se koha e ka dëshmuar se e drejta
ishte në anën e Rugovës.
“Shkëlqesia e tij, Zt. Ismail Kadare, është ndër të vetmit i
cili i kërkoi falje Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova për kritikat që i
kishte bërë në vitin 1999 ndaj tij, në takimin e përbashkët që kishin në
Rezidencën e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova më 2004 në Kosovën e
lirë”, kishte shkruar Blerta Kollokoqi.
Pastaj Kllokiqi- Rugova kishte publikuar pjesë të vlerësimeve të Kadaresë i cili ishte pajtuar me Rugovën pavarësisht kritikave që ia kishte bërë gjatë kohës së luftës.
“Në një pritje në
Köln në vitin 2013, Ismail Kadare ndër të tjera theksoi: “Është e vërtetë që e
kam kritikuar Rugovën në vitin 1999. Ju tani mund të mendoni se unë do të them
se kisha të drejtë me kritikën që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi se, e
drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i
ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas
luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq”, ka
shtuar ajo.
Ibrahim Rugova ka vdekur në janar të vitit 2006. Ka
udhëhequr Kosovën dhe LDK’në prej viteve të 90’ta./ KultPlus.com
Regjisorët shqiptarë nëse arrijnë të kenë në kastën e projekteve të tyre dy aktorët e njohur Ilire Vinca dhe Luan Jaha, qysh në fillet e projekteve e nuhasin suksesin, shkruan KulPlus.
Dhe si të
tillë, janë shpërblyer me çmimet aktorja më e mire dhe aktori më i mirë në
edicionin e fundit të Festivalit të Teatrove Mbarëkombëtar “Talia e Flakës”, që
është mbajtur së fundi në Gjilan, në kuadër të Manifestimit tashmë tradicional
Flaka e Janarit.
Ilire Vinca është
shpërblyer për rolin e saj në shfaqjen “Hipokritët ose pacienti anglez”, me
regji të Agon Myftarit dhe Blerta Nezirajt, kurse Luan Jaha është nderuar me çmimin
aktori më i mirë për shfaqjen “I ligu për mend”, me regji të Altin Bashës.
Këto çmime janë ndarë nga juria profesionale në përbërje të: Hazir Haziri – aktor Auritë Agushi – aktore dhe Musbajdin Qamili – aktor. Ilire Vinca dhe Luan Jaha janë aktorë super të rryer në fushën e teatrit dhe atë të kinematografisë, të cilët përgjatë karrierës së tyre numërojnë dhjetëra role, ku për punën e tyre janë shpërblyer si brenda ashtu edhe jashtë vendit./KultPlus.com