Simpozium shkencor kushtuar xhubletës

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në nëntor të vitit të kaluar mori nën mbrojte Xhubletën. Kjo veshje, e vjetër 4 mijë vjet, dikur përdorej në jetën e përditshme, kurse sot është pjesë e aktiviteteve me karakter shoqëror, kulturor dhe etnologjik edhe në Malësi.

Xhubleta shqiptare përfaqëson veshjen më të hershme në këto treva, por njëherësh edhe tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë. Si trevë e cila ka bërë ruajtjen dhe kultivimin e kësaj veshje, jemi veçanërisht krenarë që Xhubleta është bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore si trashëgimi jo materiale.

Komuna e Tuzi, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarje të madhe, vendosi që vitin 2023 ta shpallë për Vitin e Xhubletës, gjatë të cilit do të zhvillohen evenimente, ngjarje dhe aktivitete të ndryshme.
Njëra nder aktivitetet është edhe Simpoziumi shkencor me temen “Xhubleta dëshmi e lashtësisë sonë” i cili u mbajt sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit.

Sekretarja e Sekretariatit për vetëqeverisje, Marina Ujkaj në mes tjerash të pranishmëve u drejtua me këto fjalë – ,, Para së gjithash ndihem e nderuar që ju, të nderuar ligjërues pranuat ftesën tonë dhe në atë mënyrë ia dhatë rëndësinë e merituar Xhubletës, e me pjesëmarrjen tuaj ia ngritën nivelin këtij tubimi, si pjesë e manifestimeve të vitit 2023, të cilën Komuna e Tuzit e shpalli Viti i Xhubletës.”

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Komunës, Nik Gjeloshaj tha se: ,, Ne bijat dhe bijtë e xhubletës, që sot e përjetojmë atë si eksponat muzeor, ose pjesë e manifestimeve folklorike, jemi vetëdijesuar se edhe përkundër të gjitha tentativave shekullore të na shpallin fise të prapambetura, pa kulturë dhe pa të kaluar, të na shpallin deri edhe njerëz me bishta, sot mund të identifikohemi me veshjen tonë kombëtare, që ekzistonte që në ato kohë, kur kombet sot të zhvilluara identifikoheshin me vizatimet nëpër shpella si fillim i kulturës së tyre.”

Kurse, panelistët, akademik prof. dr. Anton Kolë Berishaj, sociolog, Afërdita Onuzi etnologe,
Jaho Brahaj etnolog, Drita Statovci etnologe, Prof. dr. Shaban Sinani antropolog – Akademia e Shkencave, Robert Camaj, Dr. Valon Shkodra hulumtues, Slobodan Jerkov dr. i shkencave etnologjike, prof.as.dr Elindë Dibra, Luljeta Dano shkrimtare, hulumtuese dhe koleksionistë, Zorica Mrvaleviq etnologe, Rudina Bardhi etnologe, si dhe Nikollë Berishaj, dhanë këndvështrimin e vet me të cilin shqyrtuan fenomenologjinë e mbijetesës së Xhubletës që në fakt paraqet mbijetesën dhe lashtësinë tonë si Komb./ KultPlus.com

Bashkë me komunitetin, YARL do të fillojë mbjelljen e fermave urbane në lagjen Ulpiana

Po fillon mbjellja e fermave urbane në lagjen Ulpiana, mbjellje qw do tw bwhet bashkw me komunitetin e qw po organizohet nga YARL (Youth are the real leaders) në bashkëpunim me OSCE (Misioni në Kosovë), Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike (Komuna e Prishtinës), Fakulteti i Bujqësisë dhe nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina”, projekt ky qw synon të nxisë ndërgjegjësimin për mjedisin, sigurinë në ushqim dhe të promovojë mjedise urbane të gjelbra dhe të shëndetshme nëpërmjet gjithëpërfshirjes.

“Bashkëpunimi me komunitetin e lagjes Ulpiana dhe personat me aftësi të kufizuara është prioritet i këtij projekti. Gjatë kësaj ngjarje do të keni mundësi të mësoni rreth praktikave të qëndrueshme bujqësore dhe të kontribuoni në rritjen e produkteve të freskëta në lagjen Ulpiana”, thuhet në njoftimin YARL.

Më poshtë po ju sjellim detajet e kësaj ngjarje që do të mbahet të dielën, prej orës 09:00.

Pavarësisht nëse jeni banor të lagjes Ulpiana, aktivist i mjedisit ose jeni thjesht kurioz për bujqësinë urbane, kjo ngjarje është e hapur për të gjithë. Nuk kërkohet përvojë paraprake, pasi ekipi ynë do t’ju udhëheqë gjatë procesit të mbjelljes.
Sillni entuziazmin tuaj dhe veshje të rehatshme për aktivitete në natyrë, ndërsa, ne do të ju ofrojmë të gjitha mjetet dhe materialet e nevojshme për punë.

Mos e humbisni këtë mundësi të jashtëzakonshme për të bërë një ndikim pozitiv në lagjen Ulpiana dhe për t’u lidhur me individë me të njëjtin mendim, të cilët ndajnë një pasion për qëndrueshmërinë urbane.
Ftoni miqtë tuaj dhe le të mbjellim farat e ndryshimit së bashku!

Data: 09.07.2023 (E diel)
Ora: 09:00
Vendndodhja: Lagjja Ulpiana, afër Kult Plus

Për më shume informata ju lutem na kontaktoni nëpërmjet email: [email protected]

Mezi presim të ju takojmë!

YARL (Youth are the real leaders)/ KultPlus.com

Dua Lipa sërish promovon Ismail Kadarenë

Këngëtarja e njohur shqiptare Dua Lipa nuk ndalet duke promovuar kulturën shqiptare, duke nisë prej turizmit e tutje, shkruan KultPlus.

Ajo së fundi është duke kaluar pushimet në Greqi, dhe përgjatë pushimeve ajo ka shpërndarë me ndjekësit e saj edhe librat që është duke i lexuar.

Dua Lipa ka ndarë me ndjekësit e saj në instagram librat e Ismail Kadaresë, që ka marr me vete përgjatë pushimeve./ KultPlus.com

Inteligjenca artificiale deshifron shkrimet antike

Inteligjenca artificiale arrin të deshifrojë shkrimet antike. Cuneiforma, gjuha me simbole që përdorej që në shekullin IV p.e.s nga babilonezët, persianët e të tjerë popuj, janë forma më e lashtë e shkrimit, por janë shumë të paktë studiuesit në botë që arrijnë ta përkthejnë, dhe për këtë arsye një grup izraelit arkeologësh dhe informaticienësh kanë krijuar një program për këtë qëllim.

Rezultatet e para janë premtuese, por ka ende vend për perfeksionim, pasi projekti konsiderohet mjaft i rëndësishëm drejt dijes, e për të kuptuar më tepër për traditat e lashta të panjohura e të mbetura të panjohura ende sot këto gjurmë të njerëzimit, që janë 3000 vjeçare.

Programi bazohet mbi të ashtuquajturën përkthim automatik neural, i njëjti që përdoret edhe nga Google Translate, që funksionon duke konvertuar fjalët në numra, e më pas i përkthen në gjuhën tjetër me një konstruksion sintaksor më të saktë.

Nga testet e para, ChatGPT ka arritur rezultate të kënaqshme, me një sukses prej 37 në një shkallë prej 100, ndersa Google Translate e ka maksimumin 60 pikë, përtej edhe eksperiencës.

Një ndër vështirësitë e hasura është edhe numri i vogël i teksteve për ushtrimin e IA. Megjithatë grupi i ekspertëve shprehen se projekti konsiderohet i suksesshëm dhe është ende në hapat e para.

Klan News/ KultPlus.com

Dua Lipa me partnerin e saj shijon pushimet në ishullin grek (FOTO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, së bashku me partnerin e saj të ri Romain Gavras, janë duke shijuar këto ditë të nxehta korriku në plazhin e Sifnos, Greqi.

Ylli i muzikës Pop ka shpërndarë disa foto, ku shfaqet bashkë me të dashurin, regjisor i njohur  francez. Në njërën prej fotove, këngëtarja është shfaqur mbi një mjet lundrues sërfi dhe në disa foto të tjera, nxjerr në pah linjat trupore me bikini, përmes të cilave ka treguar se po shijon jetën në ishull.

Foto të marra nga Instagrami i këngëtares

Dua Lipa në Greqi

Gjatë pushimeve atje, Dua dhe Gavras kanë shëtirur nëpër rrugicat piktoreske të Sifnos. Kujtojmë se pak javë më parë këngëtarja zyrtarizoi lidhjen e saj gjatë një dalje të përbashkët me regjisorin në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës.

Perparim Rama sqaron “50 euro”-n për atë që adopton një qen endacak

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në DPT te Fidani e ka sqaruar në detaje çështjen e shumës prej 50 euro për një qen endacak, temë kjo shumë e përfolur.

Rama ka thënë se sipas matjeve që janë bërë, në kryeqytet janë diku nga 3 mijë deri në 3500 qenë endacakë.

Ai ka thënë se duhet të eleminohet problemi me qentë endacakë dhe potencon se kanë menduar si ide që qytetarët mund të adaptojnë nga një qen endacak.

Rama thotë se në kryeqytet jetojnë 100 mijë familje, dhe se për të eleminuar qentë endacak duhet që 3 mijë familje të adaptojnë nga një qen endacak, ku pas nënshkrimit të kontratës me Komunën, përfitojnë nga 50 euro në muaj.

Por Rama thotë se në momentin që e adapton një qen, me të vjen edhe përgjegjësia. Ai thotë se nëse ai qen që është adaptuar gjendet përsëri në rrugë, do të ketë gjobë nga 1 mijë deri në 5 mijë euro.

“ . Në bazë të analizave të organziatave joqeveritare, që kanë bërë numërimin e qenve endacakë. Është numri 3000 deri 3500 qenë endacakë në kryeqytet. Vitin e kaluar kemi bërë investimin më të madh, për ta sanuar këtë problem me qenë endacakë, meqë ka në cdo qoshe.

Duhet të eleminohet fenomeni I qenve endacakë. Duhet em marrë përgjegjësi. Por ti nëse e ke mundësinë, me e marrë një qen, me e adoptu. Nënshkruan kontratë me kryeqytetin.

50 euro vjen si një analizë e tërthortë e Kostos”, ka thënë Rama.

Në Prishtinë janë 100 mijë familje. Neve na duhen 3 mijë familje që e nënshkruajnë kontratën me e adoptu ka një qenë dhe marrin përgjegjësië për qenin që e adaptojnë.

Por nëse ai qenë gjendet pastaj në rrugë, pason gjoba prej 1 mijë deri në 3 mijë euro, që s’e mbajnë qenin në kushte që janë pajtu me e mbajt”, ka thënë Rama./Express/

“Ne ngrihemi, nuk dorëzohemi”, Rita Ora flet për mentalitetin shqiptar

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka folur së fundmi në një intervistë për The Telegraph, për albumin e saj më të ri në ardhje, si dhe për sfidat që e kanë përshkruar në rrugën drejt suksesit.

Ora ka qenë në lëvizje për 11 vjet, që kur ajo arriti të ketë tri këngë në vendin e parë në top-listën zyrtare të Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2012.

Megjithatë, që nga debutimi i saj ndërkombëtar, ajo ka publikuar vetëm dy albume dhe 24 këngë (duke grumbulluar plot 13 hite që janë renditur në top 10 në Mbretërinë e Bashkuar). Ajo ka interpretuar në 130 shfaqje live në më shumë se një dekadë.

Megjithatë, ajo këmbëngul, “Muzika është në gjithçka që bëj. Muzika është ëndrra”, thekson Rita. Pjesa tjetër, sipas nënkuptimit, është vetëm ajo që një vajzë duhet të bëjë për të qëndruar në krye në një epokë kur fansat “presin me siguri më shumë” nga yjet e tyre të preferuar. “Nëse nuk vjen nga ju”, thotë Ora, “ata thjesht do ta marrin diku tjetër”.

Rita Ora mbetet shumë e lidhur me prindërit e saj, shkruan The Telegraph.

“Ishte thjesht dashuri dhe qëndrueshmëri në shtëpinë tonë”, thotë ajo. “E gjitha kishte të bënte me të qenit i/e sjellshëm/e, të respektueshëm dhe të punonje sa më shumë”, tha Rita kur u pyet për familjen.

Dhe ajo është gjithashtu krenare për trashëgiminë e saj familjare. E lindur me emrin e vërtetë Rita Sahatçiu në Prishtinë, Ish-Jugosllavi (tani Kosovë) në vitin 1990, ajo u soll në Mbretërinë e Bashkuar si refugjate kur ishte një vjeçe, duke jetuar së bashku me katër anëtarët e familjes së saj në një dhomë në akomodimin e ngushtë të këshillit në perëndim të Londrës.

Babai i saj musliman ishte një mësues që e ri-gjeti veten si qiradhënës në pijetore, duke punuar me turne të dyfishta për të mbajtur tre fëmijët e tij, ndërsa nëna e saj ishte kameriere dhe studionte për t’u bërë një psikiatre, duke i mbijetuar dy betejave me kancerin e gjirit.

“Mamaja ime thoshte: ‘Ti je një nga unë, e ke gjakun tim në venat e tua’”, kujton Ora. “Është një mentalitet shqiptar i Evropës Lindore: çfarëdo që të ndodhë, ngrihuni, vazhdoni të mos dorëzoheni. Vazhdoni të ecni dhe vazhdoni të lulëzoni”, thotë Rita për The Telegraph.

Rita përndryshe do të nxjerrë në shitje albumin e saj më të ri “You & I” më 14 korrik./ KultPlus.com

Lasgush Poradeci përballë Naim Frashërit

Nga: Gazmend Krasniqi

Ndryshe nga ç’ndodhte te Letërsia Parakombëtare, që vepronte në qarqet e ndara kulturore, apo në fillimet e Letërsisë Kombëtare, ku kemi raste të pakta ndikimi e intertekstualiteti brenda përbrenda, përjashto poezinë popullore, në kohën e fillimit të konsolidimit të Letërsisë Kombëtare, ku poetët shqiptarë tashmë mund ta lexojnë më lehtë njëri – tjetrin, mund të gjejmë raste të konsiderueshme.

Duam të shkojmë përtej Çajupit dhe Asdrenit, që njihen si ndjekës të drejtpërdrejtë të Naimit. Çfarë na mbetet, kur ndryshe nga Veriu i Shqipërisë, që kishte një qendër ndërlidhëse kulturore, Shkodrën, Jugu e ndiente këtë mungesë? Gjithsesi, mund të shihet rasti i marrëdhënies mes poetëve Naim Frashëri dhe Lasgush Poradeci, ku ky i fundit, i paraqitur që herët si admirues i të parit, i ka kushtuar atij dy poezi të gjata: “Naimit” dhe “Naim Frashërit”, apo është shprehur se poezia “Do të shkrihem, të venitem…” është tërësisht e përsosur”.[1]

Na duket se analiza, në plan krahasues, e poezive “Do të shkrihem, të venitem…” e Naim Frashërit dhe “Ti po vjen që prej së largu” e Lasgush Poradecit, do të ishte një mënyrë qasjeje.

Sa na ndihmon ideja e formalistëve se teksti është një “tërësi e përfunduar dhe strukturuar shenjash gjuhësore”? A i gjejmë dot elementet e analogjisë apo kundërshtimit, që do të na tregojnë afritë dhe largimet?

Vetë Lasgushi na ka treguar se si ka vepruar me një motiv popullor, kur Vasha e Trimi hynë një natë në kishë. Vargjet: Vasha plasi mbrëmanet/ trimi plasi në mëngjës, janë kthyer në: Trimi ç’paska dhëndëruar,/ Vasha ç’paska nusëruar, sepse, arsyeton ai, donte të ngrinte lart dhe të himnizonte dashurinë e të rinjve.[2]

Nuk e kemi të artikuluar mendimin e Naimit se si e shihte ai përshtatjen e motiveve të huaja në sistemin letrar të shqipes, megjithëse e bëri këtë disa herë, por duket se nuk ka qenë larg idesë së Poradecit, që shprehet:

Artisti i vërtetë s’pyet QË KU e nxjerr lëndën brute të krijimeve të tija; ay pyet: A ka realizuar prej asaj lënde brute, një vepër ORIGJINALE TË RE, TË FUQISHME, PLOT EKSPRESIVITET VETIJAK? “Imitim” – revelojnë “eruditët”! KRIJIM I RI – REVELON poeti! Kështu them unë. Krijimi i ri, prej lëndës së vjetër… Asnjë, nga gjithë veprat artistike me jetë të përbotshme, s’është “origjinale”; trupi i tyre është “i huaj”; vetëm, SHPIRTIN, them unë, s’i-a-u disputon dot njeri… Poeti nuk “PYET”. Ay KRIJON, KRIJOJ Homeri, kur i mori fytyrat e “Iliadës” dhe të “Odisesë” nga mitologjia greke primitive; KRIJOJ Eskili, kur e mori nga Homeri hyrjen e tragjedisë së “Agamemnon”-it; KRIJOJ Kalidasa, kur e mori Sakuntalën nga epopeja “Mahabharata”; KRIJOJ Goetheja, kur e mori Prologun e “Faust”-it nga Sakuntala, “Faust”-in vetë nga pjesë marionetash e Faustit popullor…

Nuk është e lehtë ta mendosh se këto janë fjalë të thëna 30 vjet para pagëzimit të fjalës “intertekstualitet” nga Julia Kristeva.

Në fakt, në thelb, ky është qëndrim klasicist, ku aplikohej marrja si model e veprave të shkrimtarëve të shquar të së kaluarës, duke ndjekur tonin, stilin e disa forma të tyre. Ky ishte mësimi i lashtësisë që erdhi deri në kohën e romantizmit, kur ky i fundit iu kundërvu me idenë e origjinalitetit dhe të ekspresionit. Romantizmi iu kundërvu idesë së veprave “shkollë”, që kopjoheshin për të mësuar, duke marrë çdo gjë me vlerë prej tyre.

Për studim më të detajuar i duhet drejtuar disiplinës së letërsisë së krahasuar, e cila flet për nënshtrimin ndaj “ligjit të qarkullimit” (Paul Van Tieghem), apo ku shkolla të ndryshme kanë sjellë kontributet e tyre në koncepte, si “ndikimi letrar dhe jo-letrar”, “ndikimi i drejtpërdrejtë dhe jo i drejtpërdrejtë”, ndikimi “pozitiv” dhe “pasiv” (shkolla franceze), si dhe Teoria e “paralelizmit” apo e “intertekstualitetit” (shkolla amerikane) etj.

Studiuesit na kanë paraqitur shumë mundësi për të parë mënyrën se cilat ishin idetë e Lasgushit për këtë çështje. Ndoshta mjafton paraqitja e njërës prej tyre, nga raportet me poezinë e Emineskut.[3]

Eminesku:

Tot mai tare şi mai tare…
(Gjithë më fort edhe më fort…)
Mai aproape, mai aproape…
(Dhe më pranë dhe më pranë…)
Mai incet tot mai incet…
(Më ngadalë dhe më ngadalë…)
Mai departe, mai departe…
(Dhe më larg, edhe më larg…).

Lasgushi:

Gjith më la e gjith më la…
Më me sulm e më me sulm…
Më përpjetë e më përpjetë…

Dinamizmi vetëveprues

Si hyn dhe pse hyn Poradeci në marrëdhënien e lartpërmendur?

Ajo që na bie në sy së pari te poezitë që zgjodhëm për shqyrtim, është se, në të dyja poezitë, nga pikëpamja e motivit, heroi lirik e sheh veten nën këmbët e së dashurës, i përthithur nga forca e dashurisë. Kjo ka përcaktuar diksionin e fjalëve të përdorura për këtë qëllim. Por edhe raportet mes tyre: mënyrën se si hyjnë në marrëdhënie formale, por edhe kuptimore.

Kemi, te Naimi:

Do të shkrihem
Të venitem,
Si kandili kur s’ka vaj,
Balt’ e pluhur
Do të bëhem,
Të më shkelnjë këmb’ e saj;

Te Lasgushi:

Do të tretem të kullohem në kalim të këmbes s’ ate,

Jemi te sfera e analogjive: Do të shkrihem dhe do të tretem mund t’i shohim thjesht si sinonime. Po aq sa edhe të venitem dhe kullohem. Dhe gjithçka ndodh poshtë këmbës së saj.

Ndërsa ritmi është fiks i njëjti, për të dyja rastet, sepse kemi të njëjtat këmbë metrike.

Kemi, te Naimi:

E të prehem
Duke puthur
Atë këmbë pasandaj.

Te Lasgushi:

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,

Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli këmba jote.

Në rastin e dytë kemi kërkimin e fjalëve të tjera, që ia jep mundësinë shtrirja e 16-rrokëshit, por që përcjellin të njëjtën atmosferë: gjithçka vazhdon të ndodhë poshtë këmbës së saj. Megjithëse ndryshojnë fjalët, kemi të njëjtat këmbë metrike, që do të thotë se ritmi është po ai, por tani i shtrirë në një varg më të gjatë.

Kemi, te Naimi:

Pse heq unë
Hidhërime,
A në vdekça, ti mos qaj,
Vdekja ime,
S’të prish punë,
Haj, e zeza jetë, haj!

Te Lasgushi:

E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes.

Flitet për vdekjen, por në mënyra të ndryshme. Këtë herë janë ndërruar vendet: shkallëzimi merr forcë te poezia e dytë, duke ia paguar atributet poezisë së parë. Por ritmi mbetet po ai.

Po si është përftuar ky intertekstualitet, duke ruajtur së fundi vulën vetjake të secilit poet, ku janë pothuajse e njëjta skenë, të njëjtat leksema, i njëjti ritëm dhe i njëjti shkallëzim?

Çfarë i lidh dhe çfarë i ndan ato vargje, pasi shohim se marrëdhënia e varësisë tekstuale është shumë e fortë?

Meqë deri tani u morëm me pyetjen e parë, të përpiqemi të kalojmë te e dyta: çfarë e bën atë të qëndrojë si krijim më vete? Mos duhet të kërkojmë ndryshimet në trajtimin e motivit?

Në një punim të hershëm – Një motiv i Naim Frashërit në një poezi të Lasgush Poradeci[4] – Injac Zamputi e sheh dallimin kështu:

– Në zhvillimin e motivit frashërjot kemi një rendim hronologjik të natyrshëm: të venitunit, të shndrruemit “në baltë e pluhur”, kalimi i bukuris mbi atë shtrojë, vdekja e dashnorit në çastin e puthjes.

– Në Lasgushin përkundra motivi zhvillohet në një rend tjetër, sepse Lasgushi don me na e paraqitë menjiherë suazën e dashnorit të vumë nën kambë të dashunis

Prandej, thotë ai, e fillon motivin e vet me batutën e tretë të Naimit:

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote.

Ky nuk është rasti i vetëm ku Zamputi përmend atë që sot e quajmë intertekstualitet. Pak më poshtë thotë se ftohet “hije-lehta” të kalojë. Pra, këthen rishtasi batuta e tretë e Naimit, njajo qi Lasgushi e ka vendosë qysh në fillim të përftyrimit:

Të m’ a shkelish hije- letë ! të m’ a shkelish mes për mes !

Sipas argumentit të tij, Lasgushi platonik është i pakënaqur me qenien e një trupi lëndor, të cilin ia flijon dashurisë, si Naim Frashëri. Sepse shprehet:

Të të shtroj nga dhëmbja ime një çudi prej pikash lote,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.

Jena, thotë Zamputi, në kulmin e idealizmit…

Pra, jemi kështu te diferenca mes motiveve. Ose: sfera e kundërshtive.

Është ajo e cila na i përcakton raportet intertekstuale: barazitë dhe dallimet që u vunë në dukje më lart. Kjo diferenca ndihmon të bëhet e qëndrueshme, fare më vete, poezia e dytë, pavarësisht nga varësia ndaj të parës, parë, siç thamë, nga pikëpamja e motivit, leksemave, ritmit – këmbëve metrike dhe shkallëzimeve.

Pra, megjithëse nuk ndryshon motivi, ndryshon trajtimi i tij. Ndryshe nga ritmi i përshpejtuar – të cilin Naimi e ruan te i gjithë cikli Bukuria, edhe pse ai e njeh mirë 8-rrokëshin e dyzuar – Poradeci mbështetet te 8-rrokëshi i dyzuar me një ritëm të shtruar, që përpiqet t’ia latojë apo t’ia zbusë cezurën e fortë naimjane, me anë të një ritmike të shpërndarë nëpër të gjithë gjatësinë e vargut.

Dallimin mund ta shohim te leximi i kujdesshëm i dy fragmenteve:

Do të shkrihem
Të venitem,
Si kandili kur s’ka vaj,

Dhe:

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadal.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina.
Nënë thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina,
Shtrihet luleja mitare e zembakut qe t’ u fal.

Kur mendojmë se kemi ardhur në fund të shqyrtimit, e ndjejmë si detyrë të përpiqemi t’i japim përgjigje pyetjes së bërë në fillim.

Leximi i duhur lind raportin e ndërsjellë: krijimi lasgushjan na shtyn drejt krijimit naimjan, por duke bërë edhe të anasjellën.

Leximi i duhur na çon nga ndjenja e dyshimit te ajo e pasurisë, që ka si rezultat krijimtarinë prestigjioze të Poradecit. Por ky fund mban gjallë edhe ndjenjën e respektit për burimin naimjan.

Dhe i gjithë sistemi shndërrohet në një burim zbulimesh që rrisin interesimin tonë të vazhdueshëm për të. Që na çon në përfundimin se romantizmi e rriti vlerën e sistemit letrar shqip dhe nevojën legjitime për një sistem vatror të tij, deri te i cili nuk shkojnë kurrë as politika e as ideologjia, pasi ai i nënshtrohet vetëm dinamizmit vetëveprues.

Filmi “Challengers” do të hapë Festivalin e Filmit në Venecia

Filmi ‘Challangers” do të hapë Festivalin e Filmit të Venecias këtë vit. Kjo do të shënojë një rikthim në Venecia si për aktoren kryesore të filmit, Zendaya, ashtu edhe për regjisorin e mirënjohur italian, Luca Guadagnino.

“Jam shumë i emocionuar që publiku do të përjetojë filmin tim të ri Challengers në Festivalin e Filmit në Venecia. Është një histori moderne e dashurisë, fuqisë rinore dhe energjisë. Zendaya, Josh dhe Mike janë tërësisht origjinale dhe do të sjellin një energji të re siç nuk e keni parë kurrë më parë”, tha Guadagnino në një deklaratë.

Në filmin  “Challangers”, Zendaya luan personazhin e Tashi Duncan, një ish-kampione e tenisit, e cila ndihmon bashkëshortin e saj Art të shëndërrohet nga një lojtar mediokër në një kampion me famë botërore në Grand Slam.

Por kur Patrick, miku më i mirë i Artit dhe i dashuri i Tashit gjatë viteve të tyre të adoleshencës, papritur rishfaqet, ajo e gjen veten në një trekëndësh dashurie. Ndërkohë, ish-partneri dhe tani ai aktual kanë histori së bashku, por edhe rivalitet në fushë.

Konkurrenca dhe drama shfaqen jo vetëm në fushë ashtu edhe jashtë saj, ndërsa e kaluara dhe e tashmja e tyre përplasen. Megjithatë shumë detaje të historisë janë mbajtur të fshehta në mënyrë që publiku të ketë mundësinë ta shoh vetë.

Festivali i 80-të i Filmit në Venecia zgjat nga 30 Gushti deri më 9 Shtator./ Klan News/ KultPlus.com

MKRS: Arkeologjia po merr vëmendje të duhur shtetërore

Ministria e Kulturës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për kërkime arkeologjike me Universitetin e Miçiganit, është bërë e ditur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, shkruan KultPlus.

“Së bashku me partnerët tanë do të vazhdojmë udhëtimin drejt kërkimeve të përbashkëta arkeologjike. Ky bashkëpunim shënon fazën e dytë të projektit “Arkeologjia Rajonale në zonën e Pejës dhe Istogut të Kosovës”, duke kërkuar lokalitete të reja arkeologjike. Që nga fillimi i saj në vitin 2018, projekti ka bashkuar Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe Muzeun e Arkeologjisë Antropologjike të Universitetit të Miçiganit”, thuhet mes të tjerash në këtë njoftim.

Kërkimet arkeologjike do të bëhen sipas standardeve të larta shkencore me ekspertë nga Kosova, SHBA dhe vendet tjera. Marrëveshja gjithashtu parasheh edukimin e studentëve dhe të diplomuarve nga të dyja vendet, lidhur me mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë.

Në fazën e fundit do të bëhet publikimi i rezultateve të kërkimit./ KultPlus.com

“Shkel” e Armend Rexhepagiqit, kënga që vazhdon t’i mbijetojë kohës (VIDEO)

Armend Rexhepagiqi, një nga këngëtarët më të njohur të muzikës në Kosovë, ka ditur përherë të mahnit publikun me prurjet e tij. “Shkel” është një ndër këngët më të njohura të tij e cila ka bërë shumë zhurmë në skenën muzikore, shkruan KultPlus.

Kjo këngë është shkruar nga vetë këngëtari dhe përcjell mesazhe të forta për të gjithë dëgjuesit.

Kënga përshkruan situata të ndryshme të jetës dhe sfidat që një person mund të hasë në rrugën e tij drejt dashurisë, apo më saktësisht për zhgënjimin që njeriu has në dashuri.

“Shkel” është bërë në një nivel të lartë profesionalizmi me një interpretim të shkëlqyer nga artisti, ku edhe sot vazhdon të dëgjohet e pëlqehet.

“Shkel” është një këngë që ka të gjitha elementet e një këngës të suksesshme, andaj ka arritur t’i mbijetojë kohës. Me një tekst të fortë, një muzikë të fuqishme dhe një video kreativ, kjo këngë ka bërë një impakt të fortë te publiku andaj KultPlus sot ju risjellë që ta shijoni edhe njëherë.

Teksti i këngës:

Ktheva, gjërat nëpër vende t’veta
Mblodha nëpër dhomë ca dromca dashurie
Ktheva, ktheva ta kërkoj e t’gjeta
S’gjeta asnjë dromcë të vetme lumturie

Sa i vetmuar jam, mure anë e mbanë
Shtrëngoma dorën si dikur
Një çast për t’fluturuar

O pse aq vrazhdë dënon çdo gjë që është e jonë?

Shkel dhe vetëm shkel
Asnjë fjalë nuk do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shumë
Pse aq shumë të dua
Shkel, dhe prapë më shkel
Asnjë britmë s’do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shumë
Pse aq shumë të dua

Ishe e vetmja dashuri e imja
Ishe dashuri e kohëve të vështira, ishe
Si kalimthi t’ledhatova
Për një çast i kujtova ditët e mira
Kot ti je si acar,
Si të ish janar
Heshtje e përbetuar
Shkoftë ky vit aq i mallkuar
Dhembjen me çka ta mas
T’përmbahem mos t’pëlcas

Shkel dhe vetëm shkel
Asnjë fjalë nuk do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shum
Pse aq shumë të dua
Shkel, dhe prapë më shkel
Asnjë britmë s’do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shumë
Pse aq shumë të dua

Vetëm vetëm shkel
Shkel dhe vetëm shkel
Asnjë fjalë nuk do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shumë
Pse aq shumë të dua
Shkel, dhe prapë më shkel
Asnjë britmë s’do të del
Asgjë pos kësaj kënge, shkel
Se faj kam unë, pse të desha shumë
Pse aq shumë të dua. / KultPlus.com

Samsung mund të sjellë unazën inteligjente

Nga viti 2015 gjiganti korean Samsung ka patentuar një unazë, përmes së cilës synonte që t’i ofronte përdoruesit që duke e rrotulluar unazën rreth gishtit, të mund të kontrollonte shtëpinë inteligjente, të ndryshonte kanalet në televizor, duke errësuar dritat, duke mbyllur blindat, e kështu me radhë.

Por nga ai vit, kompania nuk ka punuar, por tani disa informacione sugjerojnë se një unazë inteligjente po vjen.

Në fillim të këtij viti Samsung prezantoi markën tregtare “Galaxy Ring”, derisa emra të tjerë të mundshëm janë “Samsung Circle”, “Samsung Index” dhe “Samsung Insight”.

Unaza u përmend edhe në Beta-në e re të Samsung Health.

Aplikacioni nuk zbulon shumë, por kjo sugjeron që Unaza do të ketë veçori të gjurmimit të shëndetit.

Samsung nuk ka thënë asgjë për një unazë inteligjente zyrtarisht, por ka serinë Galaxy Watch6 që vjen më 26 korrik dhe kjo mund të jetë koha më e mirë për të prezantuar edhe unazën.

Balerinët pajisen me sigurime shëndetësore

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës për herë të parë pajisen me sigurime shëndetësore, thuhet në një njoftim në faqen zyrtare të këtij institucioni, shkruan KultPlus.

“Baleti është një nga artet më të bukura dhe në të njëjtën kohë, nga më të vështirat për t’u realizuar.

Balerinët përgjatë procesit të punës, në vazhdimësi ju ekspozohen lëndimeve fizike.

Sigurimet shëndetësore të cilat deri sot ju kanë munguar, janë jashtëzakonisht të rëndësishme, për t’i trajtuar lëndimet eventuale që mund t’i kenë përgjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Balerinët tanë nga sot do ta kenë këtë mbështetje të rëndësishme nga Institucioni i BKK, për t’ju garantuar kushte sa më të favorshme për punë”, thuhet në këtë njoftim./ KultPlus.com

Publikohet lista me universitetet më të mira në botë: 5 nga 10 janë në Europë

Universitetet europiane dhe të Amerikës së Veriut dominojnë renditjen botërore të QS 2024. Europa ka marrë gjysmën e vendeve të para në top 10.

Lista vjetore bazohet në analizën e 17.5 milionë punimeve akademike dhe mendimet e ekspertëve të mbi 240,000 fakulteteve akademike dhe punëdhënësve nga e gjithë bota.


The Massachusetts Institute of Technology (MIT) në Cambridge, SHBA,  siguroi vendin e parë me një rezultat të përgjithshëm prej 100 pikë për të 12-tin vit radhazi.

The University of Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar renditet në vendin e dytë me 99.2 pikë, ndërsa rivali lokal, University of Oxford qëndron në vendin e tretë me 98.9 pikë.

10 universitetet më të mira në botë

1. The Massachusetts Institute of Technology (SHBA)

2. The University of Cambridge (Mbretëri e Bashkuar)

3. University of Oxford (Mbretëri e Bashkuar)

4. Harvard University (SHBA)

5. Stanford University (SHBA)

6. Imperial College London (Mbretëri e Bashkuar)

7. ETH Zurich (Zvicër)/ KultPlus.com

Është zyrtare: Eurovision 2024 do të mbahet në Malmo të Suedisë

Është zyrtare, Malmo do të jetë nikoqire e Eurovision 2024. Tri mbrëmje live do të mbahen më 7, 9 dhe 11 maj. Pas fitores së këngëtares suedeze Loreen, ishte mëdyshje se në cilin qytet të Suedisë do të zhvillohet kjo ngjarje, por më në fund u vendos që do të jetë në Malmo.

Pritet që qindra milionë shikues të ndjekin transmetimin e mbrëmjes nga Suedia. Malmo është një qytet kreativ me një jetë të pasur kulturore që mund të krijojë një festival muzikor për të gjithë Evropën./ KultPlus.com

Britney Spears qëllohet në fytyrë nga siguria e basketbollistit

Britney Spears ka paraqitur një raport në polici pasi dyshohet se është sulmuar nga një roje sigurie e basketbollistit Victor Wembanyama të mërkurën mbrëma, sipas raporteve të shumta.

Incidenti thuhet se ka ndodhur në restorantin Catch në hotelin ARIA në Las Vegas, ku Spears po darkonte me bashkëshortin Sam Asghari. Sipas TMZ, të cilët ishin të parët që raportuan lajmin, këngëtarja vuri re Wembanyama nëpër restorant dhe shkoi për ta përshëndetur. Kur ajo e goditi atë në shpatull, Damian Smith, Drejtori i Sigurisë së Ekipit për San Antonio Spurs, thuhet se e goditi, duke i rrëzuar syzet dhe duke e rrëzuar në tokë.

TMZ gjithashtu raportoi se Smith i kërkoi falje artistes, duke shtuar se ai nuk e kuptoi se kush ishte ajo në këtë moment. Ekipi i sigurisë së Spears më vonë paraqiti një raport policie, duke treguar sulmin.

Një dëshmitar okular i cili ishte në restorant i tha ET, “Britney iu afrua Victor dhe pasi u godit, ajo hyri brenda restorantit Catch. Britney shkoi dhe u ul vetë në një tavolinë. Megjithatë, tavolina ishte në të vërtetë e Pauly Shore që ishte në banjë. Pauly doli nga banjo për të parë Britney Spears në tryezën e tij. Ai me mirësjellje kërkoi çantën e tij që la në tavolinë dhe përshëndetin Britney. Sam dhe anëtarë të tjerë të ekipit të Britney u bashkuan me të në tavolinë. Sigurimi i Victor i kërkoi falje  dhe ajo e pranoi”./Lapsi.al

Dua Lipa imazh i Porsche, nënshkruan marrëveshje milionëshe

Dua Lipa do të jetë imazh i brendit të makinave “Porsche”, dhe për këtë reklamë mediet ndërkombëtare kanë shkruar se Dua Lipa ka nënshkruar një marrëveshje tejet të majme, përcjell KultPlus.

Dua Lipa më herët ishte imazh i Jaguar, por tash pritet të lansohet kampanja e re me brendin “Porsche”.

“Dua filloi të punojë me Jaguar në 2018 dhe kjo i ka bërë asaj një shumë të madhe parash”, thotë tutje burimi.

“Ajo ka një fuqi të madhe tërheqëse të markës dhe Porsche i ofroi asaj një paketë me shtatë shifra që nuk mund ta refuzonte”, kanë shkruar mediet e huaja për këtë marrëveshje të re të Dua Lipës./ KultPlus.com

Tirana mirëpret kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota

Tirana mirëpret edhe këtë vit kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota për të qenë pjesë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme artistike. Edicioni i dytë i Travel Fest Albania ka ngritur siparin në Amfiteatrin e Tiranës, falë një ekrani gjigand e plot filmave premtues.

“Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Fotografisë “Travel Fest Albania” në Amfiteatrin e Tiranës!Tirana mirëpret edhe këtë vit kineastë dhe fotografë nga e gjithë bota për të qenë pjesë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme artistike”, thekson Veliaj.

Në tërësi do të shfaqen 112 filma të përzgjedhur, të cilët i adresohen njeriut, qenies që mbetet gjithmonë e njëjtë, pavarësisht vendit ku jeton e vepron.

Ekrani i madh në zemër të Amfiteatrit të Tiranës tërhoqi pas vetes grupmosha të ndryshme. Dhe ekrane të ngjashme premtojnë se do të dallohen nga i njëjti pasion e dashuri për kinematografinë, për plot 4 ditë dhe në qytete të tjera.  /tvklan.al/ KultPlus.com

‘Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër, shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër’

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?-
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër!KultPlus.com

Sot bëhet përurimi i Lokalitetit Arkeologjik në Prizren

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit për Zhvillimi Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, përuron lokalitetin arkeologjik “Programi për integrimin e trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor”.

Përurimi bëhet në sheshin “Lidhja e Prizrenit” në orën 18:00.

Pas shumë vitesh nga zbulimi, lokaliteti arkeologjik është konservuar dhe integruar në hapësirën publike të Sheshit të Lidhjes, dhe po hapet për qytetarët dhe vizitorët e Prizrenit.

Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se në kuadër të përurimit do të zhvillohet edhe aktiviteti “Arkeologët e vegjël – vizatojmë të kaluarën”, cili u mundëson fëmijëve të grupmoshave 10-15 vjeç të përdorin imagjinatën dhe aftësitë artistike për të sjellë në jetë një gjetje arkeologjike përmes vizatimit.

Ky projekt është realizuar në kuadër të programit Integrimi i Trashëgimisë Kulturore në Planifikim Hapësinor, i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosova, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë.

36 vjet nga vdekja e aktorit dhe regjisorit Kujtim Spahivogli

Aktori i njohur shqiptar, Kujtim Spahivogli u lind më 30 qershor të vitit 1932 në Lushnjë dhe vdiq më 7 korrik të vitit 1987.

Studimet e larta për teatër i kryen shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët e shkëlqyer të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj.

Spahivogli ishte edhe krijues e drejtues i “Teatrit të të Rinjve” i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”. Po ashtu, vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami, dhe kur ky u godit rëndë nga plenumi i katërt i Partisë së Punës, bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtimi. Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier.

Kujtimi qe në të njëjtë kohë edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh. Ai shkroi edhe poezi, artikuj e ese.

Vdiq në vitin 1987 në moshën pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar, edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar.

Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”. / KultPlus.com

Doli nga shtypi revista PEN Kosova 7

Këto ditë doli nga shtypi revista letrare PEN Kosova 7.

Numri 7 i revistës është i pasur me punime letrare, prozë e poezi, me trajtesa të ndryshme filozofike, studime, ese, kritikë etj.

Në këtë numër, me punimet e tyre në fusha të ndryshme artistike paraqiten autorët: Ibrahim Kadriu, Ibrahim Berisha, Kujtim Mani, Bavjola Shatro, Haqif Mulliqi, Greta Avdyli, Antoine Compagnon, Sitki Imami, Entela Kasi, Adil Olluri, Rose Wilder Lane, Demë Topalli, Binak Kelmendi, Fahredin Shehu, Sadije Aliti, Muzafer Ramiqi, Jevrem Bërkoviq, Maya Angelow, Gueorgui Konstantinov, Dragutin Talijanoviq, Anabell Manjares, Mirash Martinoviq dhe Patrick Modiano.

Nĕ revistë mund të lexoni edhe udhëpërshkrime e studime perkthyer nga Avni Spahiu, Demë Topalli, Lulzim Tafa dhe Qazim Muja.

Edhe sivjet botimin e revistës PEN Kosova financiarisht e ka mbështetur Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Ky është personi i parë me 1 milion ndjekës në Threads

MrBeast është shpallur personi i parë që ka arritur 1 milion ndjekës në aplikacionin e ri të quajtur Threads.

Ky mjet i komunikimit i cili u lansua për të rivalizuar Twitterin, doli në përdorim më 5 korrik.

Youtuberit, emri i vërtetë i të cilit është Jimmy Donaldson, iu deshën vetëm disa orë për t’u ndjekur nga një milion njerëz, raportoi të enjten “GuinnessWorldRecords”.

Teksa teknikisht llogaria e tij nuk ishte e para që e arriti këtë numër, të tjerat i përkisnin organizatave si Instagram dhe National Geographic.

Ai i ka bërë vetëm tri postime në Threads. Në postimin e tij të parë, pak pasi aplikacioni doli në internet, MrBeast ka shkruar: “Pra, sa kohë do të ndodhë që të jemi të varur nga ky aplikacion?”.

Ai gjithashtu ftoi fansat e tij ta pëlqejnë një postim nëse mendojnë se Mark Zuckerberg i Metës duhet ta bëjë atë drejtor ekzekutiv të aplikacionit.

MrBeast gjithashtu bëri shaka duke thënë: “Më duket sikur po e tradhtoj Twitterin duke e përdorur këtë aplikacion”.

Aplikacioni Meta Threads u prezantua si një alternativë “miqësore” ndaj Twitterit. Ashtu si Twitter, përdoruesit mund të postojnë duke përfshirë foto dhe video, dhe të tjerët mund t’i pëlqejnë, t’u përgjigjen dhe t’i ndajnë ato me ndjekësit e tyre.

Postimet janë të kufizuara në një maksimum prej 500 karakteresh. Dhe për t’i bërë gjërat më të lehta për përdoruesit e rinj, njerëzit mund të identifikohen përmes Instagramit, të importojnë fotografitë e profilit dhe biografitë e tyre, dhe madje të ndjekin të gjithë ata që ndjekin tashmë në Instagram me një klik të një butoni.

Raportohet se Threads se ka tërhequr më shumë se 10 milionë përdorues nga grupi i tij prej 2 miliardë llogarive ekzistuese në Instagram.

Jimmy Donaldson, i njohur si MrBeast, është Youtuberi burrë me më së shumti ndjekës, gjithsej 162 milionë.

Ai ka bërë famë me videot e tij në të cilat ndihmon njerëzit. Ai në disa raste ka ndarë shifra deri në miliona, vetëm që njerëzit të kryejnë sfida, të cilat nuk janë të paarritshme.