Nënshkruhet akti ligjor i BE-së: Nga janari pa viza në Evropë

Ky nënshkrim vjen një ditë pasi Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për heqjen e vizave për Kosovën,  duke përmbyllur kështu procedurat vendimmarrëse për këtë çështje. Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim, dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në Strasburgut, ku po merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, ku është ftuar edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Bislimi do të mbajë një konferencë për media në Parlamentin Evropian, së bashku me Eurodeputetin dhe Raportuesin për Kosovën për çështjen e vizave Thijs Reuten, me fillim nga ora 15:15 / rtk./ KultPlus.com

Ermonela, po sikur të kishe hapur një Big Brother?

Mentor Kikia

Ermonela Jaho erdhi në Tiranë të bënte një kurs, “master class”, për disa ditë, për studentët dhe pedagogët e rinj të kantos. Por u zhgënjye shumë, sepse në sallë nuk ishte asnjë student dhe asnjë pedagog. Zhurmës së krijuar, iu përgjigj një nga pedagogët e kantos, i cili tha se ne të rriturve na i kanë dhënë leksionet njerëz më të zotë se Ermonela, ndërsa studentëve ua kemi mësuar ne, kështu që s’kanë as ata nevojë. Me pak fjalë, Ermonelës i thanë: “U bëre ti të vish të na mësosh neve. Këto që na thua ti, ne i dimë me mire se ti”. Ndoshta pedagogët mund ta ndjenin të panevojshëm leksionin e Ermoneles, por studentët do të duhej ta kishin për nder. Sepse Ermonela është sot në majën e suksesit në fushën e saj, në të gjithë botën.

Padyshim që Ermonela e mori vesh qe bëhej fjalë për xhelozi dhe cmirë. Është genetike kjo. U bëre ti, kush je ti, nga na dole ti?

Por, të ishte thjeshtë dhe vetëm geni i kapadaiut, do të ishte e keqja më e vogël. Ka një problem shumë më të madh sesa ky.

Ermonela, i ke parasysh programet televizive që bëjnë eksperimente sociale?

Me këtë popull është bërë një eksperiment social masiv. I pari në botë. Si do të sillet një popull nëse i ndërpret kulturën?

Eksperimenti konsistonte në disa faza:

-U prishën kinematë. Në çdo qytet, njëra pas tjetrës ato u shfarosën dhe në vend të tyre u ndërtuan pallate e qendra tregtare. Sot shqiptarët nuk shkojnë askund në kinema. Edhe nja dy kinema private që janë, nuk mbushen asnjëherë sepse turma eksperimentale u largua nga kinemaja.

-U prishën teatrot. Diku u shkallmuan me themel e diku thjeshtë u zhbënë. Edhe aty ku janë në këmbë si ndërtesa, kanë vetëm pastrues e punëtor skene, por jo aktorë. Sallat e tyre mbushen vetëm kur kanë takime elektorale partitë politike.

-U shkatërrua humori, si gjini e artit. Ai vdiq bashkë me mjeshtrat e tij, që ikën njëri past tjetrit nga kjo botë dhe nuk u zëvendësuan më. Shqiptarët nuk dinë të qeshin. Vakumi u mbush me ca programe televizive që degjeneruan shpejt në banalitete ordinere.

-U shkatërruan qendrat kulturore dhe edukative për fëmijë, kur të vegjlit të kalojnë kohë në mënyrë të kulturuar e të ushqejnë talentet e tyre.

-U braktisën gradualisht bibliotekat dhe libri.

-Nuk ka kionemtografi. Ca filma që prodhohen modestisht kanë gjithmonë në qendër një vajzë prostitutë dhe një djalë tutor dhe filmat më të shikuar janë ende ata të realizmit socialist.

-Në festivalet e muzikës i këndohet edhe “të bardhës”, “të kuqes” dhe “jeshiles”, dhe prezantueset i nxjerrin lakuriq që të rritet audienca.

Kishte ndodhur dekulturalizmi i një populli…..

Ndërkohë që ti Ermonela i ftoje studentët e kantos të vinin të të dëgjonin ty, jashtë ndodhte diçka tjetër.

Ke dëgjuar ti për Mevlanin e “Përputhen”i? Jo? Kur shkote Mevlani nëpër qytetet e Shqipërisë, lëshoheshin lukunia, burra, gra, fëmijë, të rinj që ta shikon nga afër, ta preknin për të parë nëse është real apo është mirazh. Bënin foto, i merrnin autografe… Nëse shkon ti, as do ti bejë ndërmend njeriu…

I njeh ti Ermonela Luizin dhe Kiarën? Ata janë sot njerëzit më të famshëm në Shqipëri dhe diasporë. Do të thuash çfarë bëjnë këta që janë të famshëm? Kiara është e dashura e Luizit, ndërsa Luizi është i dashuri i Kiarës dhe puthen nën jorgan. Ti ke vetëm 13 mijë ndjekës në rrjet, ata kanë nga 1 milion.

Big Brotheri nuk mbaron Ermonela, sepse populli duartroket dhe programi zgjatet. Njësoj si ti në skene, kur pasi ke kënduar adhuruesit nuk të lënë të largohesh nga skena. Fiks njësoj. Por ti s’je aq e famshme sa Kiara.

E megjithatë Big Brotheri do të mbarojë një ditë. Por turma do të argëtohet sërish. Një tjetër program po bëhet gati. “Ishulli i Dashurisë” quhet. Ndryshe nga BB, atje gocat thuhet se nuk do të kenë bikini fare. Madje do të bëjnë dashuri Live, që ti shikojmë të gjithë. Për një javë kishin shprehur interes 30 mijë të rinj për tu bërë pjesë e këtij show, që duan të bëhen të famshëm.

Eh sa do të kënaqemi moj Ermonela!

Por te kthehemi tek eksperimenti. Ndërpreja e kulturës, një shoqëri e shndërroi shumë shpejt në një turmë.

Të nderuar miq. Ata që e njohin nga afër Ermonelën e dinë që ajo e do vërtet vendin e saj. Nuk është nga ata patriotë që bëjnë shqiponjën me duar për ta hedhur në Fb. Idenë e “akademisë”, apo “master class”-it, ia kam dëgjuar gjatë një bisede që pata më te, rreth një vit e ca më parë. “Dua të bëj një gjë për vendin tim, për të rinjtë e talentuar, dua të kontriboj…”

Ermonela, ti u zhgënjeve, por mos u tërhiq në atë gjënë tënde modeste që do të bësh. Turma sot është në një vrap drejt theqafjes, por njerëzit e medhënej janë ata që i dalin përpara.

Jeta jote, ikja me një “copë bukë në trastë”, talenti, puna e lodhja, për të mbërritur në majën e suksesit botëror, një ditë do të bëhet film. Ndërsa kjo historia e “master clas”-it do të jetë si ajo pjesa e fimit “Koncert në vitin 36”, kur ato “zonjat nga Vjena e Parisi kishin ardhur të engledisnin miletin në Lushnje, me pjanon Hartman. Merr vesh ti!”

Por ato nuk mund të këndonin, pasi më parë programin duhej ta shikonte Zoti Xhevo dhe Zoti Fotaq.

Foto: Ermonela Jaho duke punuar me ato 3-4 artiste te rinj qe erdhen nga Kosova apo Italia./ KultPlus.com

Blerta Zeqiri nga sot drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës

Blerta Zeqiri është zgjedhë drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Për këtë përzgjedhje ka njoftuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim të plotë njoftimin e kryeministrit Kurti.

Blerta Zeqiri nga sot drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Bashkë me ministrin Çeku, në zyrën time pritëm drejtoren e sapozgjedhur të Qendrës Kinematografike të Kosovës, regjisoren Blerta Zeqiri.

Blerta është ndër emrat më të suksesshëm në kinematografinë e Kosovës. Ajo njihet për cilësinë e krijimtarisë dhe kontributin për zhvillimin e sektorit të filmit. Blerta nisi një angazhim të ri, duke e bartur zërin dhe potencialin e komunitetit brenda institucionit më të lartë të filmit.

Me Blertën në krye të QKK-së fuqizohet tutje reforma jonë në kinematografi. Me buxhet të rritur për prodhim të filmit dhe ligjin e ri në prag të miratimit përfundimtar, kinematografia jonë do të arrijë nivele të reja të suksesit ndërkombëtar./ KultPlus.com

Mercedesi si keqkuptim i religjionit

Dehja e bartësit të religjionit nga pushteti i tij

Ballsor Hoxha

Gjyshi im ka mësuar në medresenë Islame. Dhe në kujtimet e tij të pleqërisë kujtonte se si në fëmijërinë e tij ishte mësuar nga mësuesit e medreses që të ruanin, të veçonin dhe të strehonin çdo shkrim arab, apo në arabishte që gjenin rrugës. Për ta, ishin mësuar kështu në shkollën e medreses çdo fjalë arabe ishte e shenjtë. Qoftë edhe nëse në atë flitej, për shembull, për kuaj.

Më vonë në fëmijërinë time, me gjithë socializmin e komunizmin e të gjitha agresionet, vazhdonte po e njëjta shenjtëri. Megjithëse ishin zhdukur të gjitha shkrimet në arabishte, të shumta në kohën e gjyshit, tanimë buka e hedhur, e gjetur në rrugë, ishte e shenjtë. Duhej skajuar disi, duhej ruajtur disi dhe duhej strehuar. Qoftë edhe pse ishte mbeturinë, e qoftë edhe pse ishte e prishur, apo ndoshta edhe e dëmshme, për shembull për qentë.

Por, deziluzionimi me çfarëdo lloj religjioni (jo besimi) të myslimanëve të Kosovës, së paku të para luftës, kishte ndodhur pikërisht në takimin dhe shoqërimin tim me një arab që jetonte në Londër (them jetonte, e kushedi ku mund të jetë tani!).

Në përkthimet e tij nga arabishtja, sipas arabishtes së tij, gatisë të gjithë emrat e shqiptarëve mysliman, së paku në Kosovë, ishin të keqkuptuar, ishin injorantë dhe aq më shumë ishin të shtrembëruar, dhe pikërisht për këtë njeri, ato ishin keqkuptim i Islamit.

Sipas tij, për shembull, (të më falin të gjithë ata që quhen kështu) emri Xhevat është thjeshtë emërim i thjeshtë për kalin.

Por, tanimë, pas Parisit, pas New York-ut, pas Shri Lankës, e sidomos ISIS-it, gjërat vazhdojnë të devijojnë, edhe më shumë, edhe më thellë dhe edhe më shtrembër.

Para një kohe, kam qenë dëshmitarë, derisa fëmijët po luanin futboll në një fushë sporti, u dëgjua myezini i xhamisë duke thirrur ezanin. Në këtë fëmijët ranë në konflikt nëse duhej ndërprerë loja e futbollit e tyre, derisa thërriste myezini, apo nëse nuk duhej t’i përmbaheshin ndonjë rregulle. Por në fund u dorëzuan, që besoj është mëkat edhe sipas religjioneve, dhe ndaluan së luajturi futboll.

Por, kjo nuk është e tëra. Në lagjen ku jetoj, e po ashtu në të gjitha lagjet e Prishtinës, ka shumë qenë të pastrehë. Por që të gjithë janë të sterilizuar (kastruar). Mirëpo, aty ku ka xhami në afërsinë e tyre, që do të thotë aty ku dëgjohet myezini, qentë, sidomos në vaktet e vetmisë së qenieve në tërë globin, i përgjigjen thirrjes së myezinit. Aq më shumë në sjelljen e vëzhguar të tyre, ata i përkulen kësaj thirrjeje.

Në këtë përshkallëzim të historisë së Islamit në Kosovë, përmes disa shembujve, jo edhe pa rëndësi, qentë tanimë janë viktima e radhës e pushtetit të njeriut. Të sterilizuar (kastruar) ata e respektojnë njeriun në frikën që u është shkaktuar. Dhe në tërë këtë hipokrizi njerëzore kjo merret për shenjtëri. Apo, qoftë edhe në zona më ekstreme si blasfemi. Gjë që do të thotë se njeriu po  e përfshinë edhe kafshën në “dehjen e tij nga pushteti” i marrë prej vetë tyre.

Sidoqoftë, besimi në shembullin më të mirë të mundshëm në filozofinë e njerëzimit, në librin e Soren Kierkegaard, thotë se ai është individual, dhe besim në infinit (të pamundshmen) derisa i bindemi të mundshmes, reales. Mirëpo, kur kjo hyn në religjion, njeriu, bëhet bartës i po të njëjtës, dhe është gjë e padyshimtë se ai, cilido qoftë, Mullai apo qoftë religjiozi në familjen e tij, do të bartet nga dehja e pushtetit që i jep po e njëjta skemë e të jetuarit. Do të devijojë, pikërisht çfarëdo shenjtërie dhe çfarëdo të mire të skematizuar. Dhe në këtë prapë mbetemi vetëm njerëz, dhe prapë vendosim nën pushtet qoftë edhe qenë të pa strehë e Mercedesa të cilët mund të jenë edhe pushtet material përpos tjerash./ KultPlus.com

LAMENT (Azem Shkrelit)

Poezi nga Lulzim Tafa

Poeti s’i vinte kurrë
Pikë vargut
Por kur u mbush
Mall mërgimtarësh një ditë
Ajo pikë i ra në zemër.
U ngut
të ateronte
në Kosovë
dhe nga sot
vdekja u bë
lirikë e bukur
poeti nuk vdiq
veçse i ra pika
e vargjeve në zemër


Plotësim i autorit Lulzim Tafa për poezinë

“Lament” e kam shkruar para 26 viteve, ditën që Azem Shkreli “kapërceu vigun dhe vajti” (24 maj 1997), ditë e shtunë. Duket që Azemi e ka parandierë vdekjen e vet në ditën e shtunë, derisa ka një varg poezie ku thotë “Mund të jetë e shtunë pas tërë një të premteje”/ KultPlus.com

 

Sopranoja Besa Llugiqi me paraqitje të radhës në Sofje të Bullgarisë, do të shoqërohet nga Filharmonia e Sofjes

Sopranoja e njohur kosovare Besa Llugiqi të enjten do të paraqitet para publikut të Sofjes së Bullgarisë, dhe në këtë paraqitje të saj si soliste ajo do të ngjitet në skenë nën përcjelljen e Filharmonisë së Sofjes e nën dirigjimin e mjeshtrit, njëherit edhe ministër i Ministrisë së Kulturës në Bullgari, Nayden Todorov, shkruan KultPlus.

Sopranoja Llugiqi ka thënë për KultPlus se këtë paraqitje e vlerëson tejet me rëndësi të madhe, pasi që në këtë mbrëmje do të paraqitet fillimisht violinistja me famë botërore Francesca Dego, e cila do të paraqitet me vepra të Beethoven, e pas kësaj paraqitje, në skenën operistike do të ngjiten solistët: soprano Besa Llugiqi, mezzo soprano Violetta Radomirska nga Bullgaria,  tenori Emil Pavlov poashtu nga Bullgaria dhe  Strahinja Djokic nga Serbia.

“Është një përjetim që nuk ndodhë shpesh, por është një ndër përjetimet e rralla që mund të ofrojnë këto paraqitje skenike. Do të interpretoj sërish me këtë orkestër e rrethuar me artistë të jashtëzakonshëm, pastaj është salla e teatrit të Sofjes që të jep një ndjesi të rrallë, është magjike, dhe magjia më e madhe e kësaj mbrëmje është se kjo paraqitje do të udhëhiqet nga mjeshtëri Nayden, i cili  reflekton siguri në skenë, një ndjenjë që nuk përjetohet shpesh”, ka thënë Llugiqi.

Sopranoja Llugiqi bashkë me solistët e tjerë në këtë mbrëmje do të paraqiten me Requiemi i Mozart, kryevepër kjo e Mozartit. “Vepër kjo që gjithmonë vjen bukur dhe madhështore, dhe që sjell një emocion shumë të madh edhe tek ne në skenë, por edhe te publiku”, ka thënë për fund Llugiqi./ KultPlus.com

Dy bursa për studentët e arkitekturës, Studio “Modium” hapë thirrjen për më të mirët e arkitekturës

Studio e arkitekturës “Modium” në Prishtinë, që njihet një ndër studiot më të angazhuara në vend dhe jashtë saj  po investon për arkitektët e rinj të Universitetit të Prishtinës, duke ofruar bursa studimi për dy studentë të arkitekturës, shkruan KultPlus.

Kjo bursë ndahet në bashkëpunim mes studios së arkitekturës “Modium” dhe Universitetit të Prishtinës, përkatësisht Fakultetit të Arkitekturës, dhe këto bursa do të ndahen për studentët e vitit të IV-të në Fakultetin e Arkitekturës 2023=2024, e që këto bursa do të shkojnë për dy studentët më të mirë të këtij fakulteti.

“Modium mori iniciativë të shpërblej dy studentët më të mirë si mirënjohje për arritjet e tyre gjatë studimeve universitare. Studentëve do t’u ofrohen bursat në vlerë prej 2000 euro, dhe t’u mundësojmë atyre që të bashkohen me kompaninë tonë si praktikantë gjatë vitit të fundit të studimeve”, thuhet në njoftimin e Studios “Modium”

Më poshtë po ju sjellim të plotë njoftimin dhe kushtet për aplikim.

KUSHTET DHE KRITERET : Të jenë studentë të regjistruar në Universitetin e Prishtinës; Të kenë vërtetimin e regjistrimit të vitit të IV përkatësisht semestri VIII; Gjatë periudhës së praktikës studentët e përzgjedhur duhet të përmbushin 20 orë pune në javë varësisht orarit të studimeve; Pagesa për praktikë do të bëhet në baza mujore me një shumë simbolike prej 150 euro, në kohëzgjatje 3 – 9 muaj; Në ba Në bazë të vlerësimit të përformancës, bursistët shpërblehen me lidhje të kontratës; – Për fitimin e bursës në vlerë prej 2000 euro, kandidatët duhet ti plotësojnë këto kushte dhe kritere bazë: DOKUMENTACIONI : – Dokumentacioni që kërkohet për të gjithë studentët: Certifikata e notave nga fakulteti, me notë mesatare dhe kreditë e fituara; Portfolio; CV; Kandidatët duhet të sjellin të gjithë dokumentacionin si më lartë dhe dëshmi valide nga organet kompetente. PROCEDURAT E APLIKIMIT : Aplikimi bëhet online ne emailin e kompanisë. Dokumentet e pakompletuara nuk do të shqyrtohen. Lista e studentëve përfitues do të bëhet publike në webfaqen e fakultetit dhe Modium. Konkursi do të jetë i hapur 15 ditë, nga data 01/07/2023 deri më 15/07/2023./ KultPlus.com

Lansohet videoklipi i “Himni i Gilanit”, projekt frymëzues i Naser Berishës (VIDEO)

Qytetarët e Gjilanit që nga mbrëmja e së premtes tashmë kanë edhe një pjesë identifikuese, pjesë që do ti shoqërojë në ceremoni të ndryshme, qoftë familjare, kulturore e sportive, pasi që këngëtari i famshëm Naser Berisha tashmë ka krijuar himnin e këtij qyteti, himn që përfshinë shumë copëza të këtij qyteti kulturor, duke përfshirë trashëgiminë, kulturën, sportin, por edhe disa personalitete që kanë bërë shumë për kulturën e Gjilanit, shkruan KultPlus.

Lansimi i këngës është bërë në praninë ë shumë artdashësve të Komunës së Gjilanit, ceremoni kjo që është bërë në Vali Ranch të kësaj komune, e që pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, i cili e vlerësoi lart këtë projekt që është mbështetë nga “Global Consulting & Development Associates”, përkatësisht Arsim Vranovci.

Tekstin e kësaj kënge e ka shkruar Naser Berisha e Xhelil Haziri, muzikën Naser Berisha, orkestrimin Rinor Ukimeri dhe  mix -master nga Minimalistmusic.

Naser Berisha para një viti ka shënuar rikthimin e tij në muzikë, ku në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, pat bërë promovimin e albumit “Epikë”, album që ka shënuar poashtu një sukses të madh, kurse “Himni i Gilanit” është projekt me tjetër dimension, pasi që synon që kjo këngë të jetë këngë e të gjithë atyre që kanë rrënjë nga ky qytet i Anamoravës. / KultPlus.com

Naser Berisha vjen me dedikim për qytetin e lindjes, “Himni i Gilanit” do të lansohet të premten (VIDEO)

Dashuria për qytetin e lindjes kësaj radhe vjen nëpërmjet këngës, dhe hiq më pak se lansimi i një himni, himn që vjen nën interpretimin e këngëtarit të njohur Naser Berisha, shkruan KultPlus.

Kjo këngë që përfshinë copëza të kujtimeve të një qyteti, sikurse ato të historisë, kulturës, artit, sportit e shumë kujtimeve të tjera që rrumbullakojnë kujtimet e qytetarëve,  vjen me titullin “Himni i Gilanit”, e që tekstin e kësaj kënge e ka shkruar Naser Berisha e Xhelil Haziri, muzikën Naser Berisha, orkestrimin Rinor Ukimeri dhe  mix -master nga Minimalistmusic.

Kjo këngë që do të prezantohet më 7 prill në Gjilan, përkatësisht në Vali Ranch, sipas Naser Berishës është ideuar dhe sponsorizuar nga “Global Consulting & Development Associates”, përkatësisht Arsim Vranovci.

“Himni i Gilanit” tashmë ka të realizuar edhe videoklipin e që natyrisht është realizuar në qytetin të cilit edhe i dedikohet, kurse sikur shumë këngë të Naser Berishës që janë të shndërruar në hite të mëdha, edhe kjo këngë pritet të këtë të njëjtin rrugëtim.

Naser Berisha para një viti ka shënuar rikthimin e tij në muzikë, ku në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, pat bërë promovimin e albumit “Epikë”, album që ka shënuar poashtu një sukës të madh.

Ndërkohë, të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e promovimit të kësaj kënge, mund të rezervojnë hyrjen për këtë gala mbrëmje në numrin e telefonit  048 203 206./ KultPlus.com

Publikohet “Midnight in Paris”, kënga më e re e Gjon’s Tears, paralajmëron albumin e tij “The Game” (VIDEO)

Gjon’s Tears, këngëtari shqiptar që është duke mahnitë shumë produksione botërore me zërin e tij, sapo ka publikuar këngën e tij më të re “Midnight in Paris”, këngë që është lansuar edhe me videoklip, shkruan KultPlus.

Kënga që është realizuar në Paris është këngë që i paraprinë albumit të Gjon’s Tears e që titullohet “The Game”. Bëhet e ditur se albumi i Gjon’s Tears do të publikohet në muajin prill.

Gjon’s Tears kishte përfaqësuar Zvicrën në Eurovizion, i cili me vota të jurisë profesionale ishte vlerësuar e vendin e parë.

KultPlus ju sjell videoklipin më të ri të Gjon’s Tears, sikurse që do të ju njoftojë edhe për publikimet e radhës nga ky këngëtar shpërthyes./ KultPlus.com

Ka vdekur artisti Mentor Ejupi

Pas një beteje me sëmundjen, sot ka vdekur artisti kosovar Mentor Ejupi.

Mentor Ejupi piktor që vepronte në Gjermani, i cili atje viteve të fundit kishte hapë edhe galerinë e tij “Toro”, i cili realizonte herë pas herë evente kulturore.

Mentor Ejupi kishte lansuar së fundi edhe brendin e tij me fanella, i cili kishte përfshirë figura të shquara kombëtare, duke përfshirë edhe atë të Gjergj Kastriot Skenderbeut./ KultPlus.com

Kris Atovksa sjell ekspozitën “#StandWithUkraine” në KultPlus Caffe Gallery

Kris Atovksa është gazetarja e vetme e Maqedonisë së Veriut që ka qëndruar për tre muaj në Ukrainë, e cila edhe ka realizuar shumë fotografi të luftës, fotografi që po prezantohen nëpërmjet ekspozitës #StandWithUkraine, ekspozitë që është prezantuar në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, e që e njëjta do të prezantohet edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Atovksa do të prezantojë një numër të madh të fotografive që shpërfaqin krimin mbi civilët ukrainas, por në të njëjtë kohë do të shfaqet edhe dokumentari i filmit “Siren Lullabies” që është realizuar po nga Atovksa.

Ekspozita dhe prezantimit i filmit dokumentar do të bëhet në KultPlus Caffe Gallery, më 5 prill në ora 19:00.

Kjo është ekspozita  e tretë e autores me këto fotografi, pas Shkupit dhe Tiranës, dhe pas prezantimit në Prishtinë, fotoreporterja Atovska synon që këtë ekspozitë ta dërgojë edhe në vende të tjera. Ekspozita organizohet nga KultPlus Caffe Gallery dhe Flori Zaevi/ KultPlus.com

Festivali i Këngës në RTK do të sjell artistë të njohur, Ahmetxhekaj: Shpresojmë të marrim ftesë për Eurovizion

Radio Televizioni i Kosovës me mbështetje të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte kanë përvjelë mëngët për organizimin e edicionit të parë të Festivalit të Muzikës, festival që i ka munguar deri më tash Kosovës, shkruan KultPlus.

Shkumbin Ahmetxhekaj në një intervistë ekskluzive për KultPlus ka treguar se ky projekt ka nisë prej qershorit të vitit 2022, dhe se sipas tij, edicioni i parë do të realizohet në vjeshtën e këtij viti.

“Ne synojmë që ky aktivitet të kthehet në një ngjarje të madhe kombëtare, ku artistë të rinj e me karrierë do të jenë pjesë e një gare muzikore për të zgjedhur këngën më të mirë. Pos saj, shpresojmë të marrim ftesë për pjesëmarrje në Eurovizion. Sa për rikujtim, vetëm televizionet publike kanë të drejtë të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në garën evropiane të këngës. Çështjen e pjesëmarrjes në Eurovizion jemi duke e trajtuar me prioritet”, ka thënë Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj këtë nismë e vlerëson me përgjegjësi të madhe, pasi që sipas tij, për herë të parë që nga themelimi i RTK-së, po ndërtojnë diçka të re.

“Gjatë këtyre viteve kemi përjetuar evoluim të rrymave muzikore dhe numër të madh të artistëve, prandaj nuk është mision i lehtë që të krijohet diçka duke ruajtur vlerat por edhe duke iu përshtatur shijes së publikut. Do të jetë kënaqësi që të shohim artistë të rinj e me karrierë duke garuar për “Okarinën’ e në të ardhmen edhe për të përfaqësuar Kosovën në Eurosong”, ka thënë Ahmetxhekaj.

Se kur do të bëhet thirrja e hapur për aplikim, Ahmetexhekaj ka thënë se së shpejti do të mbahet edhe takimi i parë me grupin punues që është përzgjedhë nga drejtori i festivalit Adi Krasta, i cili në të njëjtë kohë është edhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i RTK-së.

“Krasta ka përvojë të gjatë në organizimin e festivaleve dhe pres që ky edicion të jetë nisje e mbarë e asaj çfarë ne synojmë të ndërtojmë. Këtë javë do të kemi takimin e parë më grupin punues që e ka përzgjedhur Krasta dhe disa nga detajet e tjera kohore do të përcaktohen në fillim të prillit”, ka thënë Ahmetxhekaj rreth përgatitjes së festivalit që tashmë është emërtuar si “Festivali i Këngës në RTK”.

Ndërkohë, përpos emërtimit të festivalit, drejtori gjeneral i RTK-së Ahmetexhekaj ka njoftuar se edhe çmimi kryesor që do të ndahet në këtë festival tashmë është emërtuar, dhe se trofeu kryesor i këtij festivali ka emrin “Okarina”.

Po për realizimin e këtij festivali është problemi i sallës, pasi që Prishtina ende nuk posedon një sallë profesionale që i plotëson kushtet për një organizim të tillë.

Ahmetxhekaj ka thënë se Adi Krasta së fundi ka vënë disa kontakte me Komunën e Prishtinës dhe ata të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte për  sigurimin e objektit adekuat, dhe se sipas tij, vendimi final do të merret brenda pak ditësh.  “Por ne preferojmë që të jetë tek Pallati i Rinisë edhe për shkak të lokacionit”, ka thënë Ahmetxhekaj.

Drejtori gjeneral i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka folë më pas edhe për ekipin organizativ të këtij ediconi, që sipas tij, ky ekip do të finalizohet brenda pak ditëve, kurse sa i përket moderatorëve të edicionit të parë të këtij edicioni, ai ka thënë se për këtë çështje do të vendosin në një fazë më të vonshme.

“Moderatorët do të përcaktohen në një fazë të mëvonshme. Duke marr parasysh se ky është festival i parë dhe shumë i rëndësishëm do të sigurohemi që të moderatori/moderatorët të jenë hiq më pak se fantastik”, ka thënë Ahmetxhekaj.

Ai më pas ka treguar se përgjatë këtij festivali që do të zgjasë për tri mbrëmje, do të ftohen edhe artistë të njohur në këtë festival, dhe se sipas tij, tashmë i kanë diskutuar disa emra që mund të jenë edhe artistët pjesëmarrës të këtij edicioni.

Dhe për fund, duke pas parasysh se ky festival kërkon një përgatitje maksimale, pasi që edhe interpretimi do të jetë live dhe do të jetë nën përcjelljen e orkestrës së madhe të RTK-së, Ahmetxhekaj ka thënë se beson fuqishëm që ky festival do të jetë atraktiv për artistë.

“E kuptoj që mund të jetë sfidë, pasi deri më tash në Kosovë nuk ka pasur një festival të tillë, por fakti që ne po nisim përgatitjet qysh tash, nënkupton se do të ketë kohë të mjaftueshme që secili të përgatitet”, ka thënë për fund Ahmetxhekaj./ KultPlus.com

Kompozitori amerikan mëson çiftelinë: Më bëri të ndryshoj mendim për muzikën

David Hilowitz është kompozitor filmash dhe video lojërash me bazë në Filadelfia. Ai krijon muzikë në disa zhanre si tradicionale kinematografike, elektronike dhe rock. Së fundmi David Hilowitz në kanalin e tij në youtube ka hedhur një video dedikuar instrumentit tonë muzikor çiftelisë.

Ajo që bie në sy në videon e tij ku paraqet çiftelinë është dhe flamuri që e dekoron atë. Muzikanti tregon kureshtjen e tij për këtë vegël muzikore duke titulluar videon në kanalin e tij “.

Çiftelia, instrumenti mikrotonal më ndryshoi mënyrën se si unë mendoj për muzikën”. Në video David Hilowitz tregon se si e bleu çiftelinë në një dyqan antikuariat dhe më pas luajti me të duke e kombinuar me instrumente të tjera muzikore.

Çiftelia është një vegël muzikore kordofone me dy tela që luhet me pendë, ndryshe e njohur si karadyzen dhe tamërr. Luhet nga malësorët e Pukës, Mirditës, Lumës, Malësisë së Gjakovës, Kosovës dhe Malit të Zi Jugor.

Përdorej për të shoqëruar rapsodi apo balada, njohur si këngë me çifteli, kënduar nga rapsodë. Tingulli në çifteli përfitohet me dridhjen e telit të sipërm, ndërsa lartësia e tingujve përcaktohet tek teli i poshtëm. Zakonisht punohet prej drurit të arrës dhe prej drurit të qershisë./ rtsh

“Bota do të ishte më e lumtur nëse burrat kishin të njëjtën aftësi për të heshtur siç kanë për të folur”

Thënie nga Spinoza

Filozofi nga Hollanda Baruch de Spinoza, jetoi në shek XVII dhe së bashku me Dekartin konsiderohen si pararendësit e epokës moderne.

Këto janë disa nga thëniet e tij më të njohura:

“Të gjitha gjërat e shkëlqyera janë aq të vështira sa janë të rralla.”

“Paqja nuk është një mungesë lufte, është një virtyt, një gjendje shpirtërore, një prirje për dashamirësi, besim, drejtësi.”

“Nuk ka frikë pa shpresë e as shpresë pa frikë.”

“Unë kam luftuar për të mos qeshur me veprimet njerëzore, për të mos qarë me ta, as për t’i urryer, por për t’i kuptuar ato.”

“Nëse doni që e tashmja të jetë ndryshe nga e kaluara, studioni të kaluarën.”

“Lumturia është një virtyt, jo shpërblim.”

“Bota do të ishte më e lumtur nëse burrat kishin të njëjtën aftësi për të heshtur siç kanë për të folur.”

Për shkak të aktivitetit të tij intelektual ai u ‘c’kishërua’, u shpall herë heretik, herë ateist dhe i rrezikshëm për shoqërinë /KultPlus.com

Sipas Harvard, s’duhet ta pyesim më ‘Si je?

Studiuesit në Universitetin e Harvardit po u thonë njerëzve që ta shmangin pyetjen e famshme “Si je?” kur bëhet fjalë për biseda dhe përshëndetje të vogla.

Ekspertët e sugjerojnë këtë ndryshim për të përmirësuar aftësitë tona komunikuese.

Në vend të kësaj, ata kanë ofruar një sërë frazash të tjera për t’i gërshetuar në bisedat tuaja të përditshme.

Qoftë me një fqinj, koleg apo të njohur – të gjithë angazhohemi në biseda të vogla, pavarësisht sesa mund ta urrejmë këtë. Shumica prej nesh i fillojmë këto biseda me pyetjen tipike “Si je?”.

Në vend që të pyesni një “Si je” mekanike, ju mund të bëni pyetje më cilësore dhe sipas studiuesve, kjo do t’ju bëjë edhe më të pëlqyeshëm tek të tjerët.

Ekspertët shpjegojnë se ju mund të pyesni “çfarë të emocionon tani?” për t’i dhënë marrësit “aftësinë për të dhënë një përgjigje në lidhje me punën, ose për të folur për fëmijët e tyre, nipërit, ose në thelb çdo gjë që i emocionon ata”.

Po kështu, një zgjedhje tjetër mund të jetë “çfarë po prisni këto kohë?” – dhe përgjigjja mund të jetë një lajm, rezultati i një aplikimi apo një person i dashur.

Nëse doni ta çoni bisedën në një nivel pak më të thellë mund të pyesni edhe “cila është gjëja më e rëndësishme që duhet të di për ju?”. Kjo është një nga ato pyetjet e hapura që i jep personit mundësinë të përgjigjet si të dojë ai dhe të zbulojë çfarë do nga vetja./ KultPlus.com

Festivali i Gjirokastrës, 40 grupe polifonike fillojnë përgatitjet

Rikthimi i Festivalit të Gjirokastrës pas një kohe të gjatë, ka rikthyer emocionet dhe garën e grupeve të cilat janë përfshirë në fazat konkurruese e më tej përzgjedhëse, sa i përket përfaqësimit të Qarkut Vlorë.

“Normalisht në katër deri në pesë vjet zhvillohet ky festival dhe jemi përgatitur të konkurrojmë dhe shpresojmë të jemi pjesë e festivalit. Kemi marrë pjesë në të gjitha festivalet nga viti 2000”,- tha grupi Jehona Labe.

“Ne jemi grup i ri prej 12 vjetësh , 28 Nëntor të 2012. Kemi konkurruar një herë për në Festival të Gjirokastrës pra 6 vitesh. Çdo konkurrim ka emocionim e vet por ne prandaj kemi dalë të këndojmë polifoni”,-tha grupi Pavarësia.

“Është diçka fantastike edhe lufta është e madhe, edhe grupet janë përgatitur të gjithë do vejë më i miri, ai që do i japi vlera Vlorës”, tha grupi Djemtë e Vlorës

“Kemi qenë në vitet socialiste, në Vlorë, Elbasan në Gjirokastër mesa di jo”,- tha grupi i Rrëmjeve (vllah)

Kryetari i Këshillit të qarkut Vlorë tregoi se kanë konkurruar rreth 40 grupe në të gjithë qarkun ku do të marrim pjesë jo vetëm me pjesën e polifonisë siç njihet dhe është karakteristikë e qarkut tonë por dhe me përfshirje të komuniteteve të cilët janë pjesë përbërëse të qarkut, të kulturës dhe traditës burimore.

“Kjo do thotë si komunitetit çam, me minoritetin me zonën minoritare që është bashkia e Finiqit me sazet e Delvinës apo me zonën e Myzeqesë pra komisioni ka një punë shumë të vështirë nga larmishmëria e madhe e përfaqësimit dhe konkurrimit”,-tha Ervis Moçka, Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë

Prej krijimit të Festivalit në vitin 1978 qarku Vlorës ka qenë përherë i përfaqësuar ndërsa dy herë ka marrë edhe çmimin e parë./ euronews

“Kur bien pemët e mëdha” poezi prekëse nga Maya Angelou

“Kur bien pemët e mëdha” është një nga poezitë më prekëse të autores Maya Angelou. Shkrimtarja trajton ndryshimet që ndodhin dhe pasojat që sjell largimi nga jeta i një personi të dashur për ne. Poezia nga vargu në varg nis të bëhet më e fuqishme. Mund të ndihet dhimbja dhe mllefi që dëshiron autorja të shprehë përmes kësaj poezie, sidomos në vargjet: “Kur vdesin shpirtrat e mëdhenj, pas njëfarë kohe çerdhon paqja. Ngadalë dhe gjithmonë. Në mënyrë të parregullt”.

“Kur bien pemët e mëdha”

Shkëmbinjtë në distancë, kodrat rrëqethen
Luanët ulen poshtë
Në lëndina të gjata.
Edhe elefantët madje,
Rendin pas sigurisë.
Kur bien pemët e mëdha
Në pyje
Gjërat e vogla tërhiqen në heshtje
Shqisat e tyre
Gërryhen përtej frikës.
Kur vdesin shpirtrat e mëdhenj
Ajri rreth nesh bëhet
I lehtë, i rrallë, steril.
Ne marrim frymë shkurtimisht,
Sytë tanë, shikojnë
Shkurtimisht
Me një qartësi të dhimbshme
Kujtesa jonë papritur mprehet
Heton
Gërmis fjalët e mira
Të pathëna
Ecjet e premtuara
Që s’u bënë kurrë…
Shpirtrat e mëdhenj vdesin dhe
Realiteti ynë, i lidhur me to
Ndahet prej nesh.
Shpirtrat tanë
Varen nga natyra e tyre
Tani tkurren, fishken.
Mendjet tona, të formuara
Dhe informuara nga rrezatimi i tyre
përmbysen.
Ne nuk jemi dhe aq të çmendur
Por të nënshtruar ndaj injorancës së pashqiptuar
Të shpellave të terrta, të ftohta.
Dhe kur vdesin shpirtrat e mëdhenj
pas njëfarë kohe çerdhon paqja
Ngadalë dhe gjithmonë
Në mënyrë të parregullt.
Hapësira mbushet me
një lloj vibrimi elektrik.
Shqisat tona, të restauruara
Që nuk do të jenë më kurrë të njëjtat
Na pëshpërisin.
Ato ekzistonin. Ato ekzistonin.
Ato mund të jenë. Të jenë dhe të jenë më mirë
Sepse ato kanë ekzistuar. /bota.al/ KultPlus.com

Fjalët e fundit që shkrimtarët e mëdhenj thanë para vdekjes

Shkrimtarë të njohur të botës së letrave, para vdekjes së tyre kanë thënë fjalët e fundit: prekëse, mesazhe, himne, fatkeqësi, zhgënjim… atë çfarë jeta dhe bota e tyre e brendshme shpirtërore ka grumbulluar për t’u shprehur në frymën e fundit.

Gjergj Fishta

Shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë” vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Revista “MAPO” botoi para disa vitesh detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij. Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Faik Konica

Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhet të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vetë. Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti.

“Nuk më duket shenjë e mirë kjo”, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por, çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: “Nuk do ha mish për tri ditë”. Por, në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër.

Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu. Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë.

Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë.

Fan Noli

Një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë, Fan Noli, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare në Fort Lauderdale, Floridë, larg vendit të cilit i kushtoi jetën e tij. Më 13 mars të vitit 1965, në ditën e fundit të jetës, Noli kishte në dorë një libër me poezi të poetit francez, Alfred Devinji (Afred de Vigny) dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, Noli dha frymë në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën. Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora dhe ai kishte nënvizuar këto vargje: “Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi! Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi! Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë! Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.

Të gjithë studiuesit që janë marrë me fundin e jetës së Nolit, i mbajnë si testament këto vargje të cilat nënvizoi Noli. Sipas Nolit, njeriu duhet të përballej në këtë mënyrë me vdekjen. Të vuante, të vdiste pa hapur gojë, gjë të cilën e dëshmoi edhe vetë në fundin e tij.

Lasgush Poradeci

“Shtërgu i fundit” iku nga kjo jetë në orën 3 pasdite të 12 nëntorit të vitit 1987. Një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, që i dhuroi Shqipërisë “Vallen e yjeve”, “Yllin e Zemrës”, e më tej bëri të flasin shqip “Eugjen Onjegin” i Pushkinit, lirikat e Lermontovit, poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miskieviçit, lirikat e Gëtes dhe poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj., u la në harresë dhe në mjerim të plotë pas vitit 1944.

I diplomuari në Grac të Austrisë, ishte një përkthyes me normë, që po vdiste dalëngadalë nga indiferentizmi i shtetit. I ballafaquar çdo ditë me rrezikun e ndonjë internimi të mundshëm që kishte kapur shumë shokë të tij të letrave, ai stërmundohej për gjëra nga më të voglat.

Një jetë e vështirë që e kaloi në shtëpinë e tij me lagështirë, të papërfunduar, në Tiranë, e pjesërisht në shtëpinë e rrënuar të tij në Pogradec, i solli edhe sëmundjen që e çoi drejt vdekjes. “Kostandinë, bijë e babait, trupin tim edhe të vdekur ta shpiesh në Pogradec”, i thotë ai vajzës së tij të dashur që i qëndron tek koka. Pasi heshti pak e pyet: “Po a ke lekë ti, bijë e babkës, të më varrosësh mua atje?”. Këto janë fjalët e fundit të poetit të madh shqiptar që vdiq padrejtësisht si i vogël.

Petro Marko

“Cila do të ishte fjala e fundit kur do të jepja shpirt? Tani mendoj si i gjallë dhe do të dëshiroja të isha i gjallë deri në çastin e fundit kur të thosha: Jetova kohën si një aktor që nuk e shprehu mirë pjesën e caktuar nga regjisori jetë…”, shkruan në një nga shënimet e tij të pabotuara më parë, gjeniu i Brezit të Humbur. Kjo është fjala e fundit që kishte dëshirë të thoshte ai. Një “Hasta la vista” vetëm prej Petro Markoje. E menduar deri në detaj dhe e trishtë, si subjektet e romaneve të tij. Apo ashtu si jeta e tij, që ishte e vetmja vepër e pashprehur mirë. Dhe kjo, jo për faj të tij. Një nga shkrimtarët më të vuajtur gjatë regjimit diktatorial, i mbylli sytë në dhjetor të vitit 1991, atëherë kur sapo po hapeshin perdet e një Shqipërie të lirë.

Teodor Keko

Dhe, në fjalët e fundit Teodor Keko do bënte letërsi. “Në këtë botë nuk ka njerëz të përjetshëm, por kalimtarë. Është e vështirë ta pranosh vdekjen tënde, por ja që ajo është prezente dhe një ditë vjen, dhe atëherë pavdekësinë, pikërisht atë që lakmojmë, na e dhuron nëse e meritojmë ajo vdekje. Filozofi e komplikuar apo jo!”, këto ishin fjalët që shkrimtari njohur kishte thënë pak kohë para se të vdiste.

I lindur më 2 shtator 1958, në një familje të shquar kineastësh, Teodor Keko që i vogël shquhet për humorin e hollë dhe shpirtin e rebeluar, cilësi këto që do të ridimensionoheshin me kalimin e viteve. Në vitin 1979, në moshën 19-vjeçare boton të parat poezi në gazetën letrare “Drita”, përcjellë me mjaft dashuri nga personaliteti i letrave shqipe Fatmir Gjata. Shkrimtari i njohur është shumë aktiv gjatë lëvizjeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhet deputet i Partisë Demokratike për dy mandate rresht. Në vitin 1996, i zhgënjyer largohet përfundimisht nga politika e drejtpërdrejtë dhe vendos të kontribuojë në demokratizimin e jetës si intelektual përmes fjalës në shtypin e shkruar. Pas një sëmundjeje të rëndë, Teodor Keko vdes më 20 gusht 2002 nga një sëmundje e rëndë.

Dhimitër Shuteriqi

Shkrimtari i madh Dhimitër Shuteriqi lindi dhe vdiq ditën e hënë. Jetoi në tri periudha: mbretërinë, socializmin dhe demokracinë. Ai mbi të gjitha i ka dhënë letërsisë kombëtare duke shkruar dhe historinë e saj. Por, edhe më mbresëlënëse janë momentet e fundit të jetës së vetë.

Bashkëshortja e tij, Myneveri, tregon se në një moment kur po i rrinin tek koka e gjithë familja, ai u shpreh se “ç’bukuri ish, që aty ishin të gjithë”. Por, edhe më kuptimplotë se kjo, ishte ajo që tha shumë më gjerë dhe me brengë. “Ti, Mynever, e di si e kam shkruar historinë e letërsisë, me një brengë për tërë jetën”, një fjali që nënkupton se shumë poetë dhe shkrimtarë që nuk iu lejuan t’i përmendte në atë libër, do të mbetet një brengë që do ta merrte me vete në varr. Por, në të njëjtën kohë edhe një thirrje për letrarët shkrimtarët e historianët për të shkruar një vepër të plotë dhe të saktë të letërsisë.

Për të gjitha këto, Dhimitër Shuteriqi punoi tërë jetën. Por, nuk arriti që të plotësonte atë që mbante thellë në vete. Megjithatë, ato fjalë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë mbeten si një këshillë e thënë me zë të ulët në vesh.

Nonda Bulka

Chri-Chri i mbylli sytë në orën 20:10 të mbrëmjes së datës 14 nëntor të vitit 1972. Prej kohësh ishte i sëmurë prej kancerit. Ai e dinte se ishte nisur në një rrugë pa kthim, por nuk e lëshonte veten. “Do ta mund demonin”, kujton ish-bashkëshortja e tij, Qefseri, fjalët që përmendte shpesh shkrimtari që prej vitesh kishte pushtuar zemrat e njerëzve.

Ai është një ndër shkrimtarët e parë të viteve `30 që me krijimet e tij solli kritikën e protestën e hapur kundër regjimit të Zogut, demaskimin e shoqërisë së prapambetur feudale, një qëndrim të prerë antiklerikal, si dhe denoncimin e politikës imperialiste të kohës, motive këto që më pas u trajtuan pothuaj nga të gjithë autorët e rinj të viteve `30 e sidomos nga Migjeni.

Megjithatë, sëmundja e rëndë shpeshherë ia ulte moralin. Në një letër dërguar miqve të tij, kur shkon të kurohet në Bukuresht, shkruan: “Të dashur shokë, Sterjo, Zisa, Fate! L’inevitable, l’inexorable, l’ineluctable, l’irreparable… erdhi (e paevitueshmja, e papërthyeshmja, e paluftueshmja, e pariparueshmja..). Po hyj edhe unë në listën e kandidatëve të 50000-ve që i venë pikë librit të jetës, çdo ditë në turmën e miliardave frymorëve që mbërthen globi”. Me tej, duke e mbyllur letrën, thotë: “P.S.: Në hyrje të spitalit me shkronja të padukshme, po që duken është shkruar ‘Voi ch’entrate,Lasciate ogi speranza’ (Ju që hyni, braktisni çdo shpresë)! Jo Dante, po K… (kanceri)”.

Virginia Woolf

Një prej shkrimtareve më të rëndësishme të shekullit të kaluar, e cila ka revolucionarizuar letërsinë. Fjalët e fundit: Jam e sigurt se po çmendem sërish. Besoj se nuk mund të kalojmë sërish nëpër ato kohë të tmerrshme. Dhe kësaj radhe nuk do e rimarr veten. Kam nisur të dëgjoj zëra.

Anton Chekhov

Anton Çehov, në shtratin e vdekjes kërkoi morfinë dhe shampanjë. “Ka kaluar shumë kohë qëkur kam pirë shampanjë për herë të fundit”, ishin fjalët e fundit që tha.

Voltaire

“Tani, miku im, nuk është koha e përshtatshme për të bërë armiq”, ishin këto fjalët e fundit të Volterit, thënë priftit që i kërkoi të hiqte dorë nga Satanai.

Franz Kafka

“Më vrit, ndryshe je vrasës”, janë fjalët e fundit të Kafkës që i drejtoheshin mjekut të tij, i cili nuk donte t’i bënte një mbidozë vdekjeprurëse morfine. Kafka vuante nga tuberkulozi dhe nuk mund të fliste ditët e fundit të jetës.

Aldous Huxley

Aldous Huxley, autori i librit të mirënjohur “Më e mira e botëve”, para se të vdiste, i kërkoi së shoqes t’i jepte një dozë LSD – një lloj droge e njohur për efektet psikologjike – në mënyrë që të ikte nga kjo botë në gjendjen mendore që dëshironte vetë.

Johann Wolfgang von Goethe

Fjalët e fundit të Gëtes ishin: “Më shumë dritë”! Natën para se të vdiste, shkrimtari i njohur gjerman kishte diskutuar me nusen e djalit për fenomenin optik.

Jane Austen

Jane Austen, e pyetur nga e motra se çfarë dëshironte pak para fundit, thotë: “Nuk dua asgjë përveçse të vdes”!

James Matthew Barrie

“Nuk mund të fle”! Para se të vdiste, Barrie i dha spitalit të Londrës të drejtat e kryeveprës së tij, “Piter Pan”. Ky spital vazhdon edhe sot e kësaj ditë të përfitojë nga trashëgimia.

Hunter S. Thompson

Hunter S. Thompson, para se të vriste veten shkroi në letër: “Qetësohu, nuk do të dhembë”!

Edgar Allan Poe

“Zot, ndihmoje shpirtin tim të shkretë!”, ishin fjalët e fundit të Edgar Allan Poe. Vdekja e tij ishte e mistershme dhe ende nuk ka të dhëna se çfarë i ndodhi në ditët e fundit të jetës.

Lev Tolstoi

Tolstoi në fund të jetës e braktisi shtëpinë dhe u mundua të jetonte mes njerëzve. Fjalët e fundit para se të ndërronte jetë: “Dua shumë gjëra, i dua të gjithë njerëzit”.

Emily Dickinson

“Duhet të shkoj, mjegulla po shtohet”, ishin fjalët e fundit të saj, që kishte zënë shtratin për shtatë muaj para se të ndërronte jetë.

Eugene O’Neill

“E dija! I lindur në një dhomë hoteli dhe si për dreq po vdes në një dhomë hoteli”. O’Neill vdiq nga pneumonia, pasi kishte vuajtur edhe nga Parkinsoni, çka e kishte bërë të paaftë për të shkruar për vite të tëra./KultPlus.com

Letra e lamtumirës së Virginia Woolf, e cila nuk mundi të ikte pa lamtumirë për burrin që e bëri të lumtur

Kishte tentuar edhe herë të tjera, por fatkobi i kishte buzëqeshur atë ditë fundmarsi për t’i dhënë fund jetës. Më 28 mars 1941 , pasi i shkroi një letër lamtumire të shoqit, Virginia Woolf mbushi xhepat e saj me gurë dhe rrëshqiti në lumin Ouse, në Rodmell, një fshat i vogël në Sussex, ku çifti u strehua në momentet më të vështira.

Më poshtë letra prekëse që kjo shkrimtare e jashtëzakonshme i lë Leonardit dhe disa nga mendimet e saj më domethënëse.

Shumë i shtrenjtë,

Ndihem e sigurt se do të çmendem sërish. Ndjej se nuk mund të kalojmë një tjetër nga ato kohë të tmerrshme. Dhe këtë herë nuk do të mund të shërohem. Filloj të dëgjoj zëra, nuk mund të përqendrohem. Kështu që unë po vendos të bëj atë që më mendoj se është më mirë e mundshme. Ti më ke dhënë lumturinë më të madhe që jeta ka patur bujarinë të më japë. Ju keni qenë në çdo kuptim për mua gjithçka që mund të jetë një person i shtrenjtë. Nuk mendoj se dy njerëz mund të ishin më të lumtur derisa të ndodhte kjo e keqe e tmerrshme. Nuk mund të luftoj më. E di që po të shkatërroj jetën, se pa mua mund të punoje. Dhe ju do, e di. E shihni, as që mund të shprehem mirë. Nuk di të lexoj. Ajo që dua t’ju them është se ju kam borxh gjithë lumturinë që kam pasur në jetën time. Ke pasur durim të pafund me mua, ke qenë tepër i mirë. Unë dua t’ju them se – të gjithë e dinë këtë. Nëse dikush mund të më shpëtonte, ishe ti. Gjithçka më ka ikur, përveç sigurisë së mirësisë sate. Nuk mund të vazhdoj më të të shkatërroj jetën.

Nuk mendoj se dy njerëz mund të ishin më të lumtur se ne.

V.

(Në foto: Virginia Stephen dhe Leonard Woolf në një foto të vitit 1912, dhe faksimile e letrës e lamtumirës që Virginia i lë bashkëshortit)

Përgatiti: Albert Vataj

Përfundon restaurimi i shtëpisë tradicionale “Ryshyt Këpuska” në Gjakovë

Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte është duke punuar në restaurimin e objekteve me rëdnësi të vecantë për trashëgiminë kulturore në Kosovë, shkruan KultPlus.

Së fundmi kanë përfunduar punët ë shtëpinë e Ryshyt Këpuskës në Gjakovë, ku ministri i MKRS-ë Hajrulla Çeku ka sjell pamjet e këtij intervenimi. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e ministrit Çeku.

Pamja pas restaurimit e shtëpisë tradicionale ‘Ryshyt Këpuska’ në Gjakovë.

Jemi krenarë për punën që po bëhet nga profesionistët, për restaurimet e aseteve të trashëgimisë kulturore. Kështu e ruajmë kujtesën historike të vendit dhe e formësojmë të ardhmen./ KultPlus.com

Të dua baltë shqiptare

Poezi e shkruar nga Mitrush Kuteli.

Të dua baltë shqiptare
Të dua egërsisht!
dëshpërimisht!
si ujku pyllin,
si vala valën,
si balta baltën.
Se gjer mbi gju
jam brenda teje,
se lerë kam këtu,
si baba, si gjyshi.
Të dua baltë shqiptare!
se gjer mbi bel,
e përmbi bel
jam brenda teje
s’dal dot
se s’dua!
Se ti më lidh
e më mban
me mjaltë
e me pelin.

Se këtu vdekur ka,
këtu,
nëna dhe baba e gjyshër-stërgjyshi.
Të dua baltë shqiptare
Magjistare
e ëmbël
si vetë vdekja.
se thellë jam këtu
brenda teje
gjer mbi gju
gjer mbi bel
e gjer mbi krye.
Dhe dua fort të dehem
të prehem
(ah që tani!)
Brenda teje./ KultPlus.com

Lum Çitaku ftohet që të jetë pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

Regjisori, antropologu, dhe drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku, është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit. Lumi ka afër dy dekada karierë të pasur në filmbërje, arte vizuele, dhe mbi 10 vite përvojë në menaxhim të kulturës. Ai ka punuar si regjisor e krijues, drejtues programesh kulturore e kinematografike, producent, ligjërues dhe hulumtues i filmit e mediave te reja në kontekste të ndryshme kulturore e teknologjike.

“Jam i gëzuar dhe nderuar t’i bashkohem Akademisë Evropiane të Filmit, me të cilën po bashkëpunojmë edhe me ngushtë në projekte të përbashkëta që kontribojnë në zhvillimin artit e kulturës së filmit, mbrojtjen dhe festimin e trashëgimisë kinematografike, si dhe edukimin e audiencave në vend dhe Evropë”

Lumi ka përfunduar studimet e nivelit Master në Antropologji Vizuele dhe të Mediave (Departamenti i Shkencave Politike dhe Sociale – Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Sociale në Universitetin Freie në Berlin). Paraprakisht ka përfunduar studimet Bachelor në Arte dhe Shkenca të Aplikuara nga Instituti i Teknologjisë i Roçesterit. Si bursist programit YCS të EU-së – që ka për qëllim ndërtimin e një shërbimi civil profesional dhe apolitik në Kosovë, Lumi i është bashkuar Qendrës Kinematografike të Kosovës në janar 2019, për të vazhduar kontributin në fushën e filmit edhe nga përbrenda institucioneve, dhe nga korriku 2021 e udhëheqë institucionin qëndror të filmit.

Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themelues si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj. Akademia Evropiane e Filmit është themeluar për t’i avancuar interesat e industrisë së përbashkët evropiane të filmit, dhe edukuar e kultivuar audiencat e të gjitha moshave për kinemanë evropiane./ KultPlus.com

Ruajtje efektive e trashëgimisë kulturore

Një tjetër restaurim që Teqen e Sheh Lites në Gjakovë e ka rikthyer në një hapësirë të qasshme ku besimtarët mund të vazhdojnë të kryejnë ritualet e tyre.

Me qëllim të ruajtjes së origjinalitetit, punimet janë kryer me kujdes të veçantë në dy objektet e saj.

Ndërhyrjet janë bërë në kuadër të programit “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Bashkimit Europian dhe UNDP-së./ KultPlus.com